Stavileci: Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim, kjo ditë po shkon drejt një rezultati historik për PDK-në
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka deklaruar sot se dita e zgjedhjeve është e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke theksuar se deri në orët e fundit të procesit zgjedhor, të dhënat nga terreni janë pozitive për partinë e tij.
“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit,” ka thënë Stavileci gjatë një konference për media.
Ai theksoi se më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja dhe mbështetja për PDK-në po tregojnë trend pozitiv.
“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat nga terreni janë pozitive. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim,” u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, rezultatet preliminare po e çojnë këtë ditë drejt një suksesi të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës.
“Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati të rëndësishëm për PDK-në, drejt një niveli mbështetjeje dhe numri votash që për ne janë historike,” tha Stavileci.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Nëse ende nuk keni votuar, mos e lini votën në shtëpi. Secila votë ka peshë, ju jeni ata që vendosni për veten dhe për të ardhmen tuaj,” përfundoi ai. /Telegrafi/
