SHBA – Ekonomia tejkalon pritshmëritë, rritet me 4,3% në tremujorin e tretë
UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Në periudhën korrik-shtator, ekonomia amerikane u rrit me një normë vjetore prej 4,3%, sipas të dhënave paraprake të qeverisë.
Shifra e tremujorit të tretë e raportuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë ishte shumë më e lartë se vlerësimi i ekonomistëve prej 3,3% dhe tejkaloi rritjen prej 3,8% të regjistruar në tremujorin e dytë.
Performanca më e fortë se sa pritej u nxit nga shpenzimet e larta të konsumatorëve gjatë verës, si dhe nga rritjet në eksporte dhe shpenzime qeveritare.
Publikimi i të dhënave u vonua për shkak të mbylljes 43-ditore te qeverisë që përfundoi më 12 nëntor.
“Pas kursit zigzag të gjysmës së parë të vitit, ka shumë indikacione të stabilizimit të ekonomisë amerikane”, tha Stephan Bales, ekspert në “KfW Research” të Gjermanisë.
Byroja zyrtare e Analizës Ekonomike tha se rritja e PBB-së reale në tremujorin e tretë pasqyroi rritjet në shpenzimet e konsumatorëve, eksportet dhe shpenzimet qeveritare që u kompensuan pjesërisht nga një rënie në investime.
“Tarifat janë përgjegjëse për shifrat e shkëlqyera ekonomike të SHBA-së që sapo u publikuan… dhe ato vetëm do të përmirësohen”, shkroi presidenti i SHBA-së,Donald Trump në “Social Truth” – duke pretenduar se politika e tij tarifore fshihej pas rezultatit pozitiv. //a.i/
The post SHBA – Ekonomia tejkalon pritshmëritë, rritet me 4,3% në tremujorin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.