Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

PDK mbështet marshin “Drejtësi, jo politikë!”, nis mobilizimin për 17 shkurt

4 February 2026 at 14:56


Partia Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e saj për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, i cili organizohet nga platforma Liria ka Emër më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Sipas njoftimit, PDK-së, ka nisur mobilizimin e saj në të gjitha strukturat partiake, anembanë Kosovës, me qëllim të angazhimit sa më të gjerë të qytetarëve për pjesëmarrje masive në këtë marsh qytetar.

“PDK vlerëson se ky marsh është thirrje e ligjshme dhe paqësore për drejtësi të paanshme, në mbrojtje të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtarëve të lirisë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Në këtë periudhë kur procesi ka hyrë në fazën përmbyllëse, PDK kërkon drejtësi të plotë, të barabartë dhe larg çdo ndikimi politik”, njofton PDK.

Në njoftim thuhet se Partia Demokratike e Kosovës rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe çlirimtare, e lindur nga nevoja për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për ta relativizuar këtë të vërtetë historike përbën padrejtësi ndaj sakrificës së popullit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët që në frymën e unitetit dhe respektit institucional, të bashkohen më 17 shkurt në Prishtinë për të kërkuar drejtësi dhe për të nderuar sakrificën çlirimtare mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Marshi synon të përcjellë mesazhin se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg ndikimeve politike, duke respektuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Vitin e kaluar janë organizuar pesë protesta me thirrjet "Drejtësi per Çlirimtarët".

Protesta e parë është mbajtur në Prishtinë, më pas në Hagë, Tiranë, Strasburg e në Shkup. /Telegrafi/

Punëtori humbi jetën pas kontaktit me gjeneratorin, ngritet aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë në Pejë

4 February 2026 at 14:19


Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj personit fizik Sh.K., si dhe ndaj personit juridik kompanisë “Luani Transport”, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., më 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc, Komuna e Pejës, në cilësinë e pronarit të kompanisë, nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për siguri dhe shëndet në punë, duke mos krijuar kushte të sigurta për punëtorët.

“I pandehuri nuk ka ofruar trajnim për siguri në punë, nuk ka dhënë informacione për rreziqet në vendin e punës dhe as për përdorimin e duhur të makinerisë”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria thekson se, megjithëse viktima S.R., tani i ndjerë, kishte detyrë vetëm pastrimin, ai ka humbur jetën në vendin e punës si pasojë e kontaktit me gjeneratorin.

Po ashtu, aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, e cila sipas Prokurorisë, nga pakujdesia dhe mosrespektimi i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat dhe rregullat teknike për masat e sigurisë në vendin e punës.

“Si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës sipas ligjit dhe në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 1 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ka humbur jetën punëtori S.R”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës që, përveç dënimit për veprën penale, të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, konkretisht ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së separacionit.

“Kjo për faktin se i pandehuri ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pa asnjë kriter të sigurisë në vendin e punës”, thuhet më tej në aktakuzë.

Rasti tashmë pritet të trajtohet nga gjykata kompetente. /Telegrafi/


Osmani sërish në fokusin e kritikave nga gazetari i FAZ-it: Po shfaqet si “kandidatja e Trumpit” për të siguruar mandatin e dytë

4 February 2026 at 12:51


Një debat mediatik i ashpër është ndezur pas deklaratave të gazetarit të njohur gjerman Michael Martens, i cili në disa komente publike ofendoi rëndë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që kanë shkaktuar reagime të fuqishme në Prishtinë.

Martens, gazetar i gazetës prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), i është referuar një sërë ngjarjesh diplomatike të fundit që lidhen me Osmani, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj në forume ndërkombëtare dhe lidhjet me presidentin amerikan Donald Trump.

Së fundmi gazetari ka shkruar një artikull të gjatë që ka publikuar në numrin e të mërkurës në gazetën gjermane FAZ.

Martens ka ndarë në rrjetin “X” disa nga pjesët që përmban artikulli i tij në FAZ.

Ai rikujton një intervistë të Osmanit nga viti 2019, ku ajo shprehej se synimi i saj ishte që “asnjë vajzë dhe asnjë grua në Kosovë të mos besojë më se është inferiore” dhe se gratë do ta dinin “se nuk ka asgjë që nuk mund ta bëjnë”.

Shtatë vjet më vonë, shkruan Martens, mesazhi që Osmani po lë pas është se ajo “nuk është aspak inferiore ndaj kolegëve meshkuj kur bëhet fjalë për vënien e ambicies personale mbi dinjitetin dhe interesin e një shteti të tërë”.


Seven years on, one of the messages President Osmani indeed leaves behind at the end of her presidential mandate is that in the game of putting personal ambition over self-respect and the interest of an entire country, she is in no way inferior to male politicians.
— Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026


Sipas autorit, presidentja ka vepruar pa u koordinuar me kryeministrin Albin Kurti për të siguruar pranimin e Kosovës si anëtare themeluese në të ashtuquajturin “Bordi për Paqe” të Donald Trump dhe se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi.

Tutje Martines citon një intervistë të Osmanit për BBC-në, ku sipas tij ajo e justifikoi afrimin me Trump duke theksuar rolin historik të SHBA-së.

“Në një intervistë për BBC-në, zonja Osmani e shpjegoi sfondin e këtij veprimi të pavarur në Davos duke i kujtuar publikut kohën kur Kosova ishte ende nën okupimin serb. Shqiptarët në atë kohë, tha ajo, nuk merrnin asgjë nga Kombet e Bashkuara përveç fjalëve: Ajo që dëgjonim në atë kohë ishin rezoluta të Asamblesë së OKB-së – ishin letra, ishin fjalë, por zero veprim. Derisa SHBA-të erdhën dhe mobilizuan botën për të na ardhur në ndihmë”, shkruan Martines, transmeton Telegrafi.

Martens kritikon edhe rolin e bashkëshortit të presidentes, Prindon Sadriu, i cili sugjeroi publikisht që ish-“Grand Hotel” në Prishtinë të shndërrohej në një “Trump Hotel”, si dhe vendimin e Osmanit për të organizuar një pritje presidenciale për premierën e filmit biografik “Melania” kushtuar bashkëshortes së Trumpit.


But this praise does not apply to other steps taken by the president and her entourage. One example is the case of Osmani’s husband, Prindon Sadriu, a not so diplomatic diplomat whose intellectual capacity does not always keep pace with his remarkable ambition.
— Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026


Më 4 mars është afati i fundit kur Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedhë presidentin.

Gazetari i FAZ ka thënë se këto veprime lidhen drejtpërdrejt me faktin se mandati presidencial i Osmanit përfundon në mars dhe ajo aktualisht nuk ka mbështetjen e nevojshme në Kuvend për një mandat të dytë.

Strategjia e saj, shkruan Martens, është të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, duke ushtruar presion indirekt ndaj deputetëve.

Ajo (Osmani), shkruan autori i artikullit në FAZ i përdor lidhjet e saj të supozuara me rrethin e Donald Trumpit si mjet presioni ndaj deputetëve që e zgjedhin presidentin, duke dërguar mesazhin e nënkuptuar: “Nëse nuk më rizgjidhni presidente, do të keni probleme me Shtetet e Bashkuara.”


The threat is: “If you don’t re-elect me as president, you’ll have trouble with the U.S.” A few years ago, such a calculation might have worked. After all, Kosovo, for understandable reasons, is the most pro-American country in the world.
— Michael Martens (@Andric1961) February 4, 2026


Martines shkruan se Osmani prej vitesh ka dështuar të krijojë miq, duke përmendur se shumë bashkëpunëtorë të afërt, si ish-shefi i kabinetit të saj Blerim Vela, nuk qëndruan gjatë pranë saj.

Gazetari gjerman shkruan se ideja që afërsia me Uashingtonin mund të garantojë automatikisht sukses politik në Kosovë mund të ketë funksionuar më parë, por realiteti ka ndryshuar.

Megjithëse Kosova mbetet jashtëzakonisht pro-amerikane, mbështetja për SHBA-të nuk është më e pakushtëzuar.

“Kosovarët e dallojnë qartë ndryshimin mes Amerikës së Clintonit dhe Bushit dhe asaj të Donald Trumpit. Në këtë kontekst, përpjekja e Vjosa Osmanit për ta siguruar rizgjedhjen duke u identifikuar si “kandidatja e Trumpit” paraqet një strategji të pasigurt, ndërsa opsione të tjera politike mund të rezultojnë më të qëndrueshme”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Manipulim i votave, 30 komisionerë nga Juniku dhe Deçani në fokus të hetimeve

4 February 2026 at 11:56


Hetimet për dyshimet për manipulim të votave janë zgjeruar edhe në Pejë, ndërsa autoritetet po ndërmarrin veprime konkrete hetimore.

Telegrafi merr vesh se vetëm gjatë ditës së sotme rreth 30 persona do të procedohen për intervistim në kuadër të këtyre hetimeve.

Sipas burimeve, personat që do të intervistohen janë kryesisht komisionerë të vendvotimeve nga komunat e Junikut dhe Deçanit.

Intervistimet po zhvillohen në koordinim me institucionet përkatëse të rendit dhe drejtësisë, ndërsa rasti lidhet me dyshime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Zyrtarisht, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me natyrën e dyshimeve apo numrin e përgjithshëm të personave që mund të përfshihen në këtë proces, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/

U paraqitën si punëtorë bankash, tre të arrestuar në Prishtinë për krim të oragnizuar

4 February 2026 at 10:49


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet F.M., V.M. dhe A.D. janë duke u hetuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me veprat penale “Mashtrimi” dhe “Hyrja në sistemet kompjuterike”, sipas nenit 327, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet, të cilat po zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, kanë edhe elemente ndërkombëtare.

"Sipas dyshimeve, të pandehurit që nga viti 2021 e tutje, në bashkëkryerje me persona të tjerë, janë paraqitur rrejshëm si punëtorë bankash", thuhet në njoftim.

Prokuroria bën të ditur se dyshimet përfshijnë vepra penale të mashtrimit, prezantimit të rremë, vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve, si dhe shpëlarjes së parave, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë financiar.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë telefona mobilë, laptopë dhe para të gatshme në vlerë prej 11 mijë e 756 euro.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Incident zjarri në Prishtinë, digjet një veturë

4 February 2026 at 10:20


Një incident zjarri ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Si pasojë e zjarrit një veturë është djegur. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana.

“Mbrëmë rreth orës 23:30 kemi pranuar informatën për një incident zjarri në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një veturë.

Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërkohë që policia po kryen procedurat e nevojshme lidhur me incidentin”, ka thënë Pllana.

Ndërkaq sipas raportimeve thuhet se zjarri ka shpërthyer në një garazh të një objekti banesor. /Telegrafi/

Misioni i FMN-së në Kosovë, BQK prezanton stabilitetin financiar

4 February 2026 at 09:50


Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatorët dhe stafin e BQK-së, ka pritur Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë për zhvillimin e konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se misioni i FMN-së udhëhiqet nga David Amaglobeli, Shef i Misionit për Kosovën, dhe përfshin Sebastian Sosa, Përfaqësues Rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor me seli në Vjenë, si dhe stafin e FMN-së nga Washington DC.

“Në takimin hapës, Guvernatori Ismaili vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke theksuar rëndësinë e asistencës profesionale dhe teknike të ofruar ndër vite. Ai prezantoi zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë dhe theksoi stabilitetin e përgjithshëm të sektorit financiar”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Ismaili informoi gjithashtu misionin e FMN-së për reformat në vazhdim në sektorin financiar, përfshirë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse në fushat e stabilitetit financiar, modelimit makroekonomik, mbikëqyrjes financiare, praktikave të tregut, sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale.

“Këto reforma po mbështeten nga asistenca teknike e FMN-së dhe institucione të tjera financiare ndërkombëtare.

Ai theksoi po ashtu zhvillimet në sektorin bankar, duke nënvizuar nivelet e larta të kapitalizimit dhe likuiditetit, si dhe performancën pozitive të sektorëve të tjerë financiarë, të cilat konfirmojnë stabilitetin e sistemit financiar në vend”, thuhet tutje në njoftim.

Nga ana e tij, Shefi i Misionit të FMN-së, David Amaglobeli, vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me BQK-në dhe përgëzoi institucionin për progresin e arritur në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm përmes asistencave teknike.

Gjatë takimit u diskutua zbatimi i rekomandimeve nga konsultimet e mëparshme të Nenit IV, si dhe mundësitë për aranzhime të reja me FMN-në, me fokus në forcimin dhe reformimin e mëtejmë të sistemit financiar.

Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt, gjatë së cilës do të zhvillojë diskutime tematike me stafin e BQK-së dhe me institucione të tjera të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin IV të Marrëveshjes së FMN-së me vendet anëtare. /Telegrafi/

Yesterday — 3 February 2026Main stream

Skandali i mbetjeve të rrezikshme në Durrës, 33 masa sigurie - në pranga zyrtarë dhe biznesmenë

3 February 2026 at 16:37


Prokuroria e Durrësit ka lëshuar dhjetëra masa sigurie pas përfundimit të hetimit lidhur me mbetjet e rrezikshme të nisura nga porti i Durrësit.

Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 33 masa sigurie për mbetjet e kompanisë “Kurum” të nisura rreth 1 vit më parë nga porti më i madh në vend, mes të cilëve janë zyrtarë të doganave dhe mjedisit si dhe biznesmenë drejtues të kompanisë.

Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.

Masat e sigurisë

Erdal Demir Administratori i “Kurum International” në arrest me burg

Yusuf Sezai Kurum Administrator me prokurë i “Kurum” në arrest me burg

Gjovana Sokolaj Pronare e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg

Doni Sokolaj Administrator i kompanisë D.o.o Minerals në arrest me burg

Olizana Pemati Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg

Mujo Ilazaj Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” në arrest me burg

Rami Bunga Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” në arrest me burg

Harun Sarica Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” në arrest me burg

Arif Shkalla Drejtues në kompaninë “Kurum” në arrest me burg

Shaban Hyseni Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” në arrest me burg

Mirjeta Zotaj Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” në arrest shtëpiak

Mikail Hila Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” në arrest me burg

Mbarime Koroci Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” në arrest me burg

Nazif Bajrami Pronar i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg

Andon Prifti Administrator i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg

Petrit Qosja Person fizik në tregtinë e mbetjeve në arrest me burg

Julian Kapedani Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Indrit Likaj Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Helidon Lila Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Edmond Voda Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Shkëlqim Jakupi Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Florian Çimo Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg

Gazmend Sina Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg

Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO në arrest me burg

Arta Dollani Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM në arrest shtëpiak

Marjeta Përlala Drejtoresha aktuale e AKM në arrest shtëpiak

Dritan Seferaj Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM në arrest me burg

Kledina Skendo Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

B.T Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Evis Mellonashi Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Kejdi Ahmetaj Drejtoria e Inspektimit, AKM në arrest me burg

Iva Musa Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, arrest shtëpiak

Xhulio Golgota Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, arrest me burg

Rreth 2,100 tonë total metrikë mbetjesh të dyshuara të rrezikshme të paketuara në 102 kontejnerë u kthyen në vendin e tyre të origjinës, Shqipëri, më 27 tetor 2024, nëpërmjet portit italian të Gioia Tauro pasi të kenë lundruar të gjithë.

Grupi mbikëqyrës ndërkombëtar, Basel Action Network (BAN), pas një informacioni nga një sinjalizues, paralajmëroi Shqipërinë, disa vende tranziti dhe vendin e synuar të Tajlandës për dërgesën masive.

Pas paralajmërimit, qeveria e Tajlandës refuzoi importin dhe BAN më pas mori garanci nga linjat e transportit të përfshirë – Maersk dhe Kompania Mesdhetare e Transportit (MSC) se do të siguronin kthimin e sigurt të kontejnerëve në portin e tyre origjinal të shkarkimit – Porti i Durresit ne Shqiperi.

Në një letër të dytë drejtuar qeverisë, BAN i bëri thirrje edhe një herë Shqipërisë që në mënyrë transparente të mostrojë dhe testojë mbetjet e rrezikshme të dyshuara dhe të ndajë një kampion të ndarë me BAN. BAN është gati të mbërrijë në Durrës për të marrë pjesë në vëzhgimin dhe marrjen e një kampioni të ndarë pas mbërritjes së anijes në Shqipëri. /euronews/

Osmani takon Presidentin e Sierra Leone: Kosova e përkushtuar për partneritete të forta ndërkombëtare

3 February 2026 at 15:55


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku gjatë qëndrimit atje është takuar me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio.

Në këtë takim, Osmani dhe Presidenti Bio diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me fokus në përfitimet për qytetarët dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.

Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve të forta dhe të qëndrueshme me vende në mbarë botën, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fusha me interes të përbashkët. /Telegrafi/

Manipulimet me vota në rajonin e Gjilanit, prokuroria jep detaje rreth intervistimit të të dyshuarve

3 February 2026 at 15:21


Prokuroria Themelore në Gjilan ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor, përfshirë falsifikimin apo ndryshimin e rezultateve në favor ose në dëm të subjekteve politike apo kandidatëve për deputet.

Sipas njoftimit për media, autorizimi është dhënë më 20 janar 2026, ndërsa provat konkrete lidhur me këto dyshime janë pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.

“Më 3 shkurt 2026, Prokuroria ka autorizuar intervistimin e të dyshuarve, duke filluar nga Komuna e Vitisë, ku pas rinumërimit është vërejtur ndryshim më i madh i rezultateve krahasuar me komunat e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut dhe Parteshit. Intervistimet në këto komuna janë ende në proces”, thuhet në njoftim.

Prokuroria bën të ditur se në territorin e saj nuk ka dallime të theksuara mes rezultateve paraprake dhe atyre pas rinumërimit të votave, duke theksuar se vetëm një kandidat ka rezultuar me 145 vota më pak, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë kanë ndryshime më të vogla.

Hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt deri në intervistimin e të gjithë personave të dyshuar, përveç nëse paraqiten rrethana të reja.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka theksuar se mbetet e përkushtuar që të hetojë dhe të sjellë para drejtësisë çdo person që ka keqpërdorur qoftë edhe një votë, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit. /Telegrafi/

​Sergjan Lazoviq dënohet me 12 vjet e 6 muaj burg për krime lufte në Malishevë

3 February 2026 at 14:30


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, Sergjan Lazoviq, i akuzuar për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës, raporton KosovaPress.

Në seancën e shpalljes se aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili e ka shpallur Lazoviq fajtor, duke lexuar aktakuzën ndaj tij.

“Është fajtor sepse në periudhën kohore 98-99 gjatë kohës se luftës në Kosovë, në fshatin Pranorc, Malishevë duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë gjatë një konflikti me karakter jo ndërkombëtarë të zhvilluar mes pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave policore të Serbisë ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, rregullin 3 dhe ka kryer arrestime dhe privime të kundërligjshme nga liria, keqtrajtime fizike, dëbime, shkatërrime të pasurisë së paluajtshme të popullsisë civile të komunitetit shqiptarë. Arrestimet dhe keqtrajtimet nga 3 shtatori ‘98 deri 5 shtator në fshatin Pronoc, i armatosur e i uniformuar në bashkëkryerje me persona të tjerë me qellim frikësimi dëbimi dhe spastrimi etnik të popullsisë shqiptare ka arrestuar, torturuar e keqtrajtuar rreth 500 qytetarë civil të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt”, tha Ismaili.

Ai më tej tha se i akuzuari ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile dhe dënohet me 12 vjet e 6 muaj burgim.

“Me këtë i akuzuari ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në bazë të dispozitave ligjore të akuzuarin e gjykojnë me dënim burgimi me kohëzgjatje prej 12 vitesh e 6 muaj”, tha ai.

Sipas aktakuzës Sergjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998-99, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc në komunën e Malishevës duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Lazoviq ka arrestuar, torturuar, keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Me këto, Sergjan Lazoviq akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. /KP/

U kap me narkotikë, Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim për zyrtarin korrektues të Dubravës

3 February 2026 at 14:10


Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një zyrtari të Shërbimit Korrektues në Dubravë, i cili është kapur me narkotikë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, duke bërë të ditur se rasti është duke u hetuar dhe masa e paraburgimit është e nevojshme për sigurimin e procesit penal.

Ndryshe, Shërbimi Korrketues i Kosovës dje njoftoi se ka pezulluar nga detyra zyrtarin korrektues S.D tek i cili janë gjetur të fshehura substanca të dyshuara narkotike, që dyshohet se kishte për qëllim t’i fuste brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës.

Sipas njoftimit zyrtar të ShKK-së, rasti është parandaluar falë informacioneve nga institucionet e sigurisë dhe masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër institucional. /Telegrafi/

Keqkuptimi i fundit rreth tarifave të energjisë - çfarë vendosi realisht ZRRE në mbledhjen e së hënës?

3 February 2026 at 12:35


Qindra mijëra konsumatorë dhe biznese në Kosovë, po përgatiten për mundësinë e një rritjeje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2026, pasi operatorët kryesorë të sektorit kanë dorëzuar zyrtarisht kërkesat e tyre te Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

E kur ndodhemi tek kjo temë që prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve, dje në media u keqinterpretua mbledhja e parë për këtë vit e Bordit të ZRRE-së, duke u raportuar se kanë deklaruar se nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë.

Mirëpo kjo nuk ishte e saktë, në mbledhje u diskutua për tarifat e NEMO-s (Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë), që nuk është furnizues i energjisë për qytetarët dhe që nuk është institucioni që u dërgon faturat qytetarëve.

Telegrafi raportoi drejt, duke bërë të ditur se ishte propozuar që tarifa e NEMO-s të mbetet e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake.

“ZRRE gjithashtu konfirmoi se tarifat e ALPEX - NEMO aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës” dhe me 5 vota për u aprovuan të hyrat dhe mbetën të njëjta tarifa për periudhën e propozuar nga departamenti i tarifave”, raportoi Telegrafi.

Ndaj keqinterpretimit të këtij vendimi reagoi edhe vetë ZRRE-ja duke thënë se raportimet për mosshtrenjtim të tarifave te energjisë elektrike nuk kanë të bëjnë me shtrenjtimin ose jo të tarifave të përgjithshme të gjithë konsumatorëve, por lidhën vetëm me tarifat e bursës ndërkombëtare të rrymës, ku Kosova dhe bizneset bëjnë shitblerjen e saj.

Kur u raportua shtrenjtimi i energjisë?

Më 29 janar është raportuar se tre operatorë energjetikë në Kosovë – KESCO, KOSTT dhe KEDS, kanë kërkuar rritje të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania kryesore që furnizon energji elektrike me shërbim universal ka kërkuar një rritje prej afro 20–21 % të çmimeve të energjisë për vitin e ardhshëm, duke argumentuar se kostot operative janë rritur ndjeshëm dhe se sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm kërkon mjete financiare më të larta.

ZRRE ka bërë të ditur se çdo rritje do të aprovohet vetëm nëse konsiderohet e arsyeshme dhe në përputhje me ligjin.

Kur caktohen tarifat për konsumatorët?

Vendimi final mbi tarifat e reja për konsumatorët shpallet më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit të ardhshëm. ZRRE shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët çdo vit.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat. /Telegrafi/

Dyshime për manipulim të votave edhe në Gjilan, Prokuroria nis intervistimin e të dyshuarve

3 February 2026 at 10:54


Ka nisur intervistimi lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore edhe në rajonin e Gjilanit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.

Ai ka bërë të ditur se organet e drejtësisë janë duke vepruar në kuadër të hetimeve dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, përfshirë intervistimin e personave të dyshuar për këtë çështje.

“Kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”, tha ai.

Kadriu nuk ka dhënë detaje shtesë rreth numrit të personave të intervistuar.

Rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan në koordinim me institucionet përkatëse.

Kujtojmë se deri më tani ka komisionerë dhe kryesues të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë.

Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë e Obiliq./Telegrafi/

Kunja të vendosura pa leje, bizneseve në Mitrovicë u jepet afat deri më 5 shkurt t'i largojnë ato

3 February 2026 at 09:59


Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se ka filluar aksionin për lirimin e hapësirave publike në zonën urbane të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, aksioni ka nisur më 05.02.2026 në ora 09:00 dhe përfshin largimin e të gjitha shtyllave (kunjave) metalike anti-parking, të cilat janë vendosur pa leje nga organet kompetente.

Drejtoria ka bërë të ditur se subjektet afariste dhe personat fizikë që i kanë vendosur këto pengesa pa leje, janë të obliguar që deri më 05.02.2026 t’i largojnë ato nga hapësirat publike.

"Në të kundërtën, ndaj tyre do të ndërmerren veprime ligjore dhe ndëshkuese", thuhet në njoftim.

Qëllimi i këtij aksioni është rikthimi i hapësirave publike dhe parkingjeve në shërbim të qytetarëve dhe banorëve të zonave përkatëse. /Telegrafi/

Një i arrestuar në veri të Mitrovicës për ngacmim dhe dhunë në familje

3 February 2026 at 09:14


Policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar nën dyshimin për dhunë në familje dhe ngacmim.

Sipas raportit policor, rreth orës 13:00 është raportuar se i dyshuari ka shqetësuar viktimën femër kosovare.

Palët janë intervistuar nga autoritetet kompetente dhe, me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë. /Telegrafi/

Policia konfiskon marihuanë në Podujevë

3 February 2026 at 09:11


Policia e Kosovës ka raportuar dy raste të ndara të posedimit të paautorizuar të substancave narkotike gjatë ditës së hënë në Podujevë.

Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 17:27, ku gjatë kontrollit te një i dyshuar mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe konfiskuar 2.78 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

I dyshuari është intervistuar nga autoritetet dhe, me vendim të prokurorit, është liruar.

Rasti i dytë është raportuar rreth orës 19:25 në rrugën “Afrim Zhitia” në Podujevë.

Gjatë kontrollit në veturën e një të dyshuari tjetër mashkull kosovar, policia ka gjetur dhe konfiskuar 0.47 gram marihuanë.

Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Incidenti familjar eskalon në përleshje në Ferizaj, lëndohen tre persona - konfiskohet edhe armë

3 February 2026 at 09:09


Një rast i dhunës në familje ka eskaluar në përleshje mes disa personave mbrëmjen e së hënës në Ferizaj, duke rezultuar me disa të lënduar dhe një person të arrestuar.

Sipas raportit të policisë, rreth orës 21:30 është raportuar një përleshje mes pesë personash, pasi një i dyshuar mashkull kosovar dyshohet se fillimisht kishte sulmuar fizikisht një viktimë femër kosovare.

Si pasojë e dhunës, tre nga viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një të dyshuar mashkull kosovar, nga i cili është konfiskuar një pistoletë me 18 copë fishekë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Misioni i FMN-së në Kosovë nga 3 deri më 13 shkurt, ekonomia dhe reformat në fokus

2 February 2026 at 14:47


Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të qëndrojë në Kosovë gjatë periudhës 3–13 shkurt 2026, në kuadër të konsultimeve vjetore.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media të lëshuar më 2 shkurt 2026 nga përfaqësuesi rezident rajonal i FMN-së për Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit, misioni i FMN-së do të udhëhiqet nga David Amaglobeli.

Qëllimi i kësaj vizite është shqyrtimi i zhvillimeve të fundit makroekonomike në vend, vlerësimi i perspektivës ekonomike dhe rreziqeve, si dhe diskutimi i politikave ekonomike dhe prioriteteve të reformave me autoritetet e Kosovës dhe palët kryesore të interesit.

FMN ka bërë të ditur se në përfundim të vizitës do të publikojë një komunikatë dhe do të mbajë edhe një konferencë për media. /Telegrafi/

Debate në seancë, Veliaj kërkon përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda - largohet nga salla

2 February 2026 at 14:27


Debate në seancën gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda pasi nuk i dha te drejtën të mbrohej efektivisht.

Avokatja Valentina Teodoresku u shpreh se taksia e priti vetëm një orë në IVEP Durrës, ndaj nuk pati më shumë kohë të njihej me aktet.

Teodoresku kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë e cila u rrëzua nga GJKKO.

Gjyqtarja Etleva Deda ka kaluar në konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes.

Pas diskutimeve, Veliaj theksoi se meqë nuk po dëgjohet do të largohet nga salla./euronews/

❌
❌