Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke sjellë rritje të prurjeve të lumenjve, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, ndërsa hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Si pasojë, janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë. Autoritetet vijojnë punën për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie në tokat bujqësore, ndërsa forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë funksionuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lumi Drin vijon të jetë në rënie, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje të nivelit për shkak të shkarkimeve nga hidrocentralet Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte të përmbytura.
Ndërkohë, në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Në terren janë angazhuar edhe efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente. /Euronews Albania
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se, si pasojë e vërshimeve të fundit dhe bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit (24/7), është konstatuar se uji në fshatin Miradi e Poshtme aktualisht nuk rekomandohet për përdorim për pije dhe përgatitje ushqimi.
Sipas njoftimit, deri në një njoftim të dytë, banorët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për nevoja të higjienës shtëpiake, si larje dhe pastrim, duke shmangur përdorimin e tij për konsum njerëzor.
KRU “Prishtina” bën të ditur se ekipet përgjegjëse po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së ujit.
“Sapo të konfirmohet se uji është i sigurt për përdorim për pije, do t’ju njoftojmë menjëherë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ka rrëshqitur një pjesë e dheut në rrugën Mitrovicë–Bajgorë, përkatësisht në fshatin Stan Tërg.
Pavarësisht rrëshqitjes dhe rrezikut permanent, rruga mbetet e hapur dhe e qarkullueshme për automjete, raporton KosovaPress.
Në vendngjarje është vendosur sinjalizim i përkohshëm për paralajmërimin e vozitësve, ndërsa rreziku mbetet i pranishëm për shkak të reshjejeve të fundit.
Gjyqi i madh është para fazës më të rëndësishme të tij, ku në pranverë pritet të shqiptohet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Ky pritet të jetë viti vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.
Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp flet për rëndësinë që ka vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, derisa kritikon Specialen për punën gjatë këtyre viteve.
Se cili do të jetë epilogu, sipas saj është vështirë të dihet, megjithatë përmend pasojat e mëdha që do të kishte shteti në rast se Gjykata Speciale do të mbështeste akuzat e prokurorisë.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.
Nevenka Tromp
Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në intervistën për KosovaPress flet për zhvillimet kryesore gjatë vitit 2025 – vit që shënoi edhe dhjetë-vjetorin e themelimit të Gjykatës Speciale.
“Janë gjashtë të akuzuar që u akuzuan për krimet e supozuara gjatë periudhës që kjo gjykatë kishte mandat. Ishte kryesisht periudha 1998-1999 deri në vitin 2000. Një rast, rasti Salih Mustafa, është përfunduar plotësisht. Rasti i Shalës është në proces për t’u finalizuar. Por më i rëndësishmi, Rasti Thaçi dhe të tjerët që përfshin katër udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është finalizuar ende. Këta njerëz janë në gjykatë në Hagë që nga viti 2020. Rasti pritet të përfundojë diku në vitin 2026, por vetëm instanca e parë. Pra, vlerësimi i parë i rëndësishëm i efikasitetit të kësaj gjykate është se nuk ka qenë shumë efikase. Ka vetëm gjashtë të akuzuar. Nga këta gjashtë, për katër personat kryesorë, ende nuk kemi as një vendim të instancës së parë, lëre më të përfunduar”, deklaron ajo.
Gjatë gjithë këtij procesi, Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.
Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.
Për këtë çështje flet edhe Tromp, e cila përmend rastet kur të akuzuarve nuk u është lejuar të lirohen përkohësisht, duke e konsideruar si “trajtim të rreptë nga gjykata ndaj të akuzuarve”.
“Asnjëri nga katër të akuzuarit në rastin Thaçi dhe të tjerët nuk lejohej të lirohej përkohësisht, as për leje humanitare siç quhet. Leja humanitare është kur një i akuzuar që është në proces penal dhe gjyq lejohet të vizitojë anëtarët e familjes së tij në probleme, sidomos prindërit e sëmurë ose funeralet e anëtarëve më të afërt të familjes. Pra, ka qenë trajtim mjaft i rreptë nga gjykata ndaj të akuzuarve. Dhe kështu, kjo leje humanitare duket mjaft e përshtatshme për njerëzit në nivelin udhëheqës. Këta katër të akuzuar patën, dhe po flas qartë për Hashim Thaçin, refuzimin e tij për të marrë pjesë në disa raste shumë të rëndësishme familjare. Kështu, kjo leje humanitare është gjithashtu pjesë e asaj që quajmë gjyq të drejtë, që çdo person që gjykohet penalisht nuk është fajtor derisa të provohet pa dyshim. Dhe ata nuk u trajtuan me këtë dhembshuri të merituar sepse prokuroria gjithmonë mund të përdorte argumentin se ata janë një rrezik për procesin dhe drejtësinë e gjyqit për shkak të mundësisë së tyre për të trembur dëshmitarët. Kjo narrativë e intimidimit të dëshmitarëve mbizotëroi mbi të gjitha komponentët e tjerë që një i akuzuar sipas ligjit modern të të drejtave të njeriut duhet të gëzojë. Një nga këta ka të bëjë me kur dhe në cilat rrethana do t’i lejohej lirimi nga burgu gjatë pritjes së vendimit”, shprehet Tromp për KosovaPress.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.
Shqetësim i madh është ngritur edhe për pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.
Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron se Serbia nuk është palë neutrale në këtë proces dhe për këtë Prokuroria do të duhej të ishte e kujdesshme.
“Një çështje tjetër e rëndësishme është trajtimi dhe qasja në prova në gjykatë, që kryesisht vinin nga arkivat e shtetit të Serbisë. Kjo është një qasje interesante nga prokuroria, sepse Serbia nuk është një palë neutrale në këto procese dhe prokuroria duhej të ishte shumë e kujdesshme duke u mbështetur në provat që vijnë nga arkivat e shtetit serb, duke përfshirë arkivat e sigurisë shtetërore, arkivat e policisë, Ministrinë e Brendshme dhe arkivat ushtarake. Këto ishin çështjet që ndikuan shumë në mënyrën se si prokuroria u përball me këtë gjyq. Por deri sa të kemi vendimin e parë, nuk mund të themi se si u zhvillua. Nëse të katër të akuzuarit do të liroheshin, atëherë këto çështje procedurale do të harroheshin shpejt. Nëse ndonjëri nga katër të akuzuarit gjendet fajtor bazuar në provat e dorëzuara nga Serbia, ato do të ishin nën shqyrtim, por shpresojmë se atëherë do të kemi edhe ankimim për të parë vendimin përfundimtar”, shprehet ajo.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./KosovaPress
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrvoci, ka njoftuar se vërshimet kanë bllokuar sërish disa rrugë në këtë komune. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos lëvizin pa arsye, dhe ka njoftuar edhe se, ekipet emergjente janë terren.
Kryetar i Drenasit, ka treguar se cilat rrugë janë të bllokuara si pasojë e vërshimeve.
Aktualisht, nga vërshimet, janë të pakalueshme rrugët si vijon:
Drenas – Guri i Plakës,
Drenas – Kroi i Mbretit
Shtrubullovë – Korroticë e Ulët, dhe
Rruga nga Komorani 1 në drejtim të Komoranit 3.
Rruga nga Komorani për Skenderaj në drejtimin të Drenasit zhvillohet me vështirësi dhe ka kolona të gjata.
Qytetarë të nderuar,
Kërkojmë nga ju të mos lëvizni pa arsye, të respektoni shiritat e ndalimit të kalimit, shprehni solidaritet dhe nëse keni mundësi ndihmoni për të tejkaluar gjendjen.
Ekipet emergjente janë në terren dhe bashkë me Policinë e Kosovës dhe AME-në, po bëjnë të pamundurën për lehtësimin e gjendjes.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet në mbarë vendin, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe se kërkohet reagim urgjent institucional.
Sipas Haradinajt, përmbytjet kanë goditur rëndë shtëpi, biznese dhe ekonomi familjare në gjithë Kosovën, duke krijuar një gjendje që nuk mund të presë. Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet, përfshirë vlerësimin urgjent të dëmeve dhe mbështetje direkte për familjet e prekura.
“Fondet emergjente duhet të ndahen pa vonesë, ndërsa buxheti i vitit 2026 duhet të përshtatet dhe të reflektojë qartësisht këtë fatkeqësi,” ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se “dora e shtetit duhet të ndjehet menjëherë dhe përgjatë gjithë vitit 2026”.
Ai ka bërë thirrje që institucionet të rrisin gatishmërinë dhe të jenë të pranishme në terren, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë institucionale në këtë situatë emergjente.
Po ashtu, Haradinaj ka shprehur përkrahje të plotë për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe shtabet emergjente, të cilët, sipas tij, janë në vijën e parë pranë qytetarëve të prekur nga përmbytjet./Telegrafi/
Komuna e Lipjanit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja me vërshime është rënduar ndjeshëm në territorin e komunës.
Sipas njoftimit të Komunës së Lipjanit, vërshime janë evidentuar në shumicën e fshatrave, ndërsa gjendja më e rënduar paraqitet në lokalitetet: Rubovc, Konjuh, Qylagë, Banullë, Akllap, Smallushë, Hallaq i Vogël, Rufc dhe Gadime.
Si pasojë e reshjeve intensive, janë dëmtuar dy ura, njëra në fshatin Smallushë dhe tjetra në Gadime të Epërm, si dhe janë shkaktuar dëme në infrastrukturën publike dhe në ekonomi familjare.
Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se ka themeluar Shtabin Emergjent, i cili është aktiv dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet relevante. Ekipet komunale janë në terren dhe po menaxhojnë situatën, duke ofruar ndihmë sipas nevojave të paraqitura.
Po ashtu, autoritetet komunale janë në koordinim të plotë me Stacionin Policor në Lipjan dhe Njësinë e Zjarrfikësve të Lipjanit, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe menaxhimit sa më efikas të situatës emergjente.
Komuna e Lipjanit ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke i ftuar që të tregojnë kujdes të shtuar deri në stabilizimin e plotë të gjendjes./Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka caktuar masa sigurie ndaj 39 (tridhjetenëntë) të pandehurve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka vendosur masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj katër (4) të pandehurve: S.M., V.B., F.S. dhe Y.Ç., masë e cila mund të zgjasë deri më 08 shkurt 2026.
Sipas vendimit të gjykatës:
S.M. dhe V.B. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi i besimit në vazhdimësi dhe Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike. V.B., së bashku me të pandehur të tjerë, dyshohet edhe për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi. F.S. dyshohet për Falsifikim dokumentesh dhe Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi. Y.Ç. dyshohet për Keqpërdorim të besimit në vazhdimësi.
Ndërkohë, ndaj 35 të pandehurve të tjerë, të cilët dyshohen për Keqpërdorim të besimit në ndihmë, gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së detyrueshme në stacion policor një herë në javë, si dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, përfshirë të dëmtuarën BKS dhe të pandehurit e tjerë. Këto masa vlejnë gjithashtu deri më 08 shkurt 2026.
Gjykata ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre masave do të rezultojë me caktimin e paraburgimit edhe për këta të pandehur.
Sipas vlerësimit të gjykatës, ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masave të sigurisë, pasi nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Caktimi i paraburgimit për katër të pandehurit është vlerësuar si i domosdoshëm për të parandaluar arratisjen, ndikimin në dëshmitarë apo pengimin e procedurës hetimore.
Gjykata Themelore në Prizren ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale, duke marrë parasysh edhe faktin se rasti konsiderohet çështje e ndërlikuar, pasi përfshin më shumë se 10 të pandehur, konkretisht 39.
Fshatra dhe lagje të ndryshme të Komunës së Fushë Kosovës po përballen me një situatë shqetësuese si pasojë e moskryerjes me rregullsi të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave.
Edhe pse ky shërbim është obligim i Ndërmarrjes Regjionale Publike “Pastrimi”, e cila operon edhe në territorin e kësaj komune, në praktikë është vërejtur një dështim serioz në përmbushjen e detyrimeve bazike. Në shumë zona, mbeturinat nuk janë grumbulluar për më shumë se dy deri në tre javë, duke shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët dhe duke paraqitur rrezik real për shëndetin publik.
Komuna e Fushë Kosovës kërkon përgjegjësi nga personat dhe institucionet përgjegjëse për këtë gjendje, pasi pasojat e keqmenaxhimit dhe mungesës së veprimit po i bartin drejtpërdrejt qytetarët.
Komuna thotë se mbetet e përkushtuar për garantimin e shërbimeve bazike për të gjithë qytetarët dhe pret që operatorët përgjegjës të veprojnë me seriozitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, në mënyrë që situata të normalizohet sa më parë dhe qytetarët të mos përballen me pasojat e neglizhencës dhe mungesës së menaxhimit efikas.
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime të mëdha në disa lagje të Gjakovës, duke lënë pas dëme të konsiderueshme në shtëpi, pajisje dhe infrastrukturë. Qytetarët tregojnë për përvojat e vështira që kanë kaluar, duke kërkuar më shumë kujdes nga institucionet.
Muhamet Duraku, banor i lagjes më të prekur tregon se mëngjesi i asaj dite i ka gjetur të shokuar.
Duraku: Ajo ditë ka qenë ditë kijameti
“Atë ditë ka qenë ditë kijameti. Në lagjen tonë ka qenë katastrofë. Kur jemi zgjuar në mëngjes, kemi gjetë vetëm urën – s’ka ekzistu tjetër gjë prej ujit që është rrit. Rreth 15 shtëpi janë përmbytë dhe janë kthyer kanalizimet. Ishte ditë shumë e vështirë, sidomos për ata që jetojnë afër lumit. Dëmet janë shumë të mëdha të atyre”, tha ai.
Një tjetër banor Bekim Qava tregon se uji ka depërtuar herët në mëngjes:
“Ka qenë ora 04:30 – 05:00 kur na ka hy uji në podrum. Jena çu krejt për me e hek ujin e me i largu sendet që kanë qenë brena. Kauqa, tepihë, gjithçka është lag. Kemi heq sene, por prapë hyke uji.”, tha ai, duke shtuar se askush nuk ka ardhur as t’i pyes e as t’i ndihmojë.
Një banor tjetër, Agim Qava thotë se edhe pse shtëpitë e tyre nuk u përmbytën, problem mbetet infrastruktura:
“Neve vërshime nuk na kanë bo shumë, por prapë kemi kalu me vështirësi. Këtu nuk ka kanalizime të mira dhe as ujë s’kemi. Kanalizimi në vend se me qenë në rrugën kryesore, është në një rrugë tjetër. S’na kanë pru as ujë, as kanalizim. Nuk është kanalizimi qysh duhet – me gypa të vogla që i kemi bo vetë qysh moti. Për këtë arsye na marrin vërshimet.”, tha ai.
Sipas tij, kjo është hera e tretë që i ka hy uji nëpër shtëpi.
Një qytetar i moshuar Sadik Isufi që jeton afër prrockës Llokafc tregon përjetimin më të rëndë që ka pësuar ndonjëherë:
“I kam përjetu tmerrshëm. Jetoj këtu 50 vite dhe kurrë nuk kam pa nivel të ujit kaq të lartë. Kemi pas probleme edhe më herët më vërshime meqenëse jetojmë afër këtij përronit të quajtur Llukavc, por kësaj here niveli ka qenë jashtëzakonisht i madh. Problemin e shoh në dy segmente: moskujdesi i qytetarëve ndaj lumejve dhe mungesa e ndërhyrjeve të shtetit. Shpresoj që autoritetet ta shohin të nevojshme rregullimin e shtratit të lumenjve në mënyrë që mos t’i ndodh qytetarëve diçka e tillë e tmerrshme”, tha ai.
Ai thotë se familja e tij ka pësuar dëme të mëdha:
“Si familje kemi pësuar shumë. Të gjitha aparaturat e shtëpisë janë përmbytë: lavatriqe, enëlarëse, mobiljet, dyshekët, dhoma e fjetjes etj,....ne presim, mesiguri do të krijohet ndonjë komision nga drejtoria e emergjencave ose nga shteti, përndryshe gjendja është katastrofë. Me parë podrumin në çfarë gjendje është vetëm në filmat horrorr mund ta shiheni një pamje të tillë.. nuk kamë bërë ndonjë llogari por mund të jetë deri në 10 mijë euro, për standardin që jetojmë është e pakapshme një shumë e tillë.”, tha ai./KosovaPress
Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar qytetarët se pasditen e sotme priten erëra të forta të cilat do të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat bashkia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal, duke ndjekur njoftimet zyrtare.
“Sipas parashikimeve meteorologjike, qyteti ynë pritet të përballet me erëra të forta.
Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, era nga drejtimi jugor do të intensifikohet, duke arritur shpejtësi deri në 25 m/sek, situatë që do të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal. Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për sigurinë tuaj dhe të familjarëve”, njofton Bashkia e Durrësit, raporton A2 CNN.
Sipas Bashkisë së qytetit bregdetar, strukturat do të jenë në gatishmëri të plotë për çdo problematikë që mund të paraqitet.
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku një 60-vjeçar është gjetur i pajetë.
Viktima është identifikuar si Vasil Gashi, ndërsa trupi i tij u konstatua nga banorë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë policinë.
Sipas informacioneve paraprake, 60-vjeçari ishte i veshur me uniformë pune në momentin kur u gjet pa shenja jete, çka ka ngritur dyshime mbi rrethanat e ngjarjes.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje, duke kryer këqyrjen paraprake dhe mbledhjen e provave, raporton Klan News.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë në vijim për të sqaruar shkaqet e vdekjes, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë dritë mbi rrethanat dhe nëse kemi të bëjmë me vdekje natyrale apo ngjarje me elementë penalë.
4 marsi është afati i fundit kur duhet të zgjidhet Presidenti i ri, mandati të cilit përfundon më 4 prill, nëse kjo nuk ndodh vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. LDK dhe PDK janë në kërkim të një emri konsensual por me marrëveshje politike, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë një qëndrim të qartë se a e përkrahin presidenten Vjosa Osmanin edhe për një mandat dhe se a synojnë marrëveshje politike me partitë tjera për një emër të pranueshëm për të gjithë.
Presidentes Vjosa Osmani, e cila e synon edhe një mandat tjetër 5 vjeçar në krye të shtetit, mandati i përfundon më 4 prill.
Presidenti i ri duhet të zgjidhet më së largu më 4 mars, jo më vonë se 30 ditë, para përfundimit të mandatit të saj.
Se çfarë qëndrimi ka ndaj kandidaturës së Osmanit, partia që i ka 57 deputetë në legjislaturën e re, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk është e qartë.
Përkundër interesimit të TV Dukagjini drejtuar në adresën e disa deputetëve por edhe te zëdhënësi të partisë, e paqartë mbetet se me kë prej partive synojnë bashkëpunim për emrin e presidentit.
Menjëherë pas zgjedhjeve, Albin Kurti kishte deklaruar se për çështjen e presidentit ose presidentes do të duhet të bisedojnë edhe me opozitën, por që paraprakisht duhet të ulet të bisedojnë edhe me presidenten aktuale.
Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në emisionin Debat Plus në TV Dukagjini nuk kanë shfaqur shenja se do ta përkrahin kandidaturën e Osmanit, duke preferuar emër tjetër, që sipas tyre është konsnsual dhe sipas tyre mbi partitë politike.
“Nuk e shohim si diçka neve na obligon as të rrijmë në sallë dhe as që t’i jepim mbështetje, por ne si deputet do ta kryejmë obligimin tonë duke votuar ose duke marr një qëndrim politik, normalisht që si parti politike në këtë moment është e rëndësishme me përmend që me thanë që për aq sa kemi përgjegjësi duhet të jemi përgjegjës në kuptimin e marrëveshjeve politike në kuptimin e përgjegjësisë tonë që na kanë dhënë qytetarët, edhe qëndrimi jonë është që nuk kemi asnjë obligim që të e mbështesim Vjosa Osmanin të vetëdijshëm që ajo gjatë këtyre pesë viteve nuk i ka shërbyer interesit të përgjithshëm”, deklaroi në Debat Plus, deputetja e LDK-së, Jehona Sadriu-Lushaku.
Në anën tjetër, Bernard Nikaj, i cili është sekretar për marrëdhënie me jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila do t’i ketë 22 deputetë, ka deklaruar të enjten se PDK e voton një president të ri dhe konsensual, vetëm me një marrëveshje politike.
Në anën tjetër, analisti politik, Belgzim Kamberi thotë se është e rëndësishme të kuptohet nëse Lëvizja Vetëvendosja është e gatshme të bëjë kompromis me partitë tjera, dhe të shihet se sa larg është i gatshëm të shkojë ish-blloku opozitar për t’i mbrojtur qëndrimet e tyre.
“Po natyrisht që në pozitën e tij që është z. Kurti e ka mundësinë që të ndërtojë një lloj kërcënimi nëse mund ta quajmë ndaj opozitës për ta ndërtuar pozicionin paraprak negociues për presidentin dhe tash edhe kjo është legjitime nga perspektiva politike. Çështja tjetër është se si do të sillet opozita ndaj qëndrimit të z. Kurti, pra opozita a do të frikësohet të shkojë në zgjedhje a do të tregojë një lloj frike dhe në këtë drejtim t’ia pranojë z. Kurti propozimin e tij për president pa marrëveshje me opozitën…”, tha Kamberi.
Sipas Kushetutës në dy rundet e para të votimit për Presidentin nevojiten 2/3 e votave të Kuvendit, pra 80 sosh.
Në rast se zgjedhja e kandidatit dështon në të dyja rundet, në tentativën e tretë mund të zgjidhet me 61 vota, por të pranishëm për kuorum duhet të jenë 80 deputetë.
Në rast se deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme./RTV Dukagjini/
Njëra nga bebet e familjes shqiptare Morina, e cila ishte lënduar rëndë në aksidentin e ndodhur më 7 janar në Gjermani, ka ndërruar jetë.
Bëhet fjalë për beben Teo Mendim Morina, lajmin për vdekjen e së cilës e ka konfirmuar edhe vetë familja Morina nga Ratkoci i Rahovecit.
Aksidenti ka ndodhur më 7 janar në qytetin Waldshut-Tiengen të Gjermanisë, vetëm disa minuta para se familja pesëanëtarëshe të mbërrinte në shtëpinë e saj. Familja Morina po kthehej në Gjermani pas pushimeve të kaluara në vendlindje.
Si pasojë e aksidentit, janë lënduar të pesë anëtarët e familjes: prindërit dhe tre fëmijët, një fëmijë trevjeçar dhe binjakët rreth gjashtë muajsh. Beba Teo, për fat të keq, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra.
Sipas informacioneve nga spitali, prindërit dhe dy fëmijët e tjerë ndodhen në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.
Megjithatë, prindërit po përballen me gjendje të rënduar psikologjike, e cila konsiderohet e kuptueshme pas humbjes së rëndë familjare.
Njërit prej të dyshuarve në rastin e zhvatjes së mbi 1 milion eurove nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BSK) i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë seancës dëgjimore që po mbahet në Gjykatën e Prizrenit, raporton TV Prizreni.
I dyshuari, së bashku me edhe 38 persona të tjerë, ishte paraqitur para trupit gjykues kur ka shfaqur probleme shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar ekipi i emergjencës, i cili i ka ofruar ndihmën e parë, ndërsa më pas i dyshuari është transferuar me autoambulancë për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Një person është arrestuar pasditen e së premtes për sulm ndaj zyrtarëve policorë në oborrin e Stacionit Policor në Ferizaj.
Sipas Policisë, rreth orës 15:40, një zyrtar policor i caktuar në detyrë në portën hyrëse të stacionit ka njoftuar se një veturë me targa të huaja ishte parkuar para portës hyrëse dhe se drejtuesi i saj nuk po i bindej urdhrave për t’u larguar.
Në vendngjarje kanë dalë edhe zyrtarë të tjerë policorë për asistencë, ndërsa i dyshuari, A.N., 35 vjeç, ka vazhduar të përdorë fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj policisë, duke shfaqur sjellje agresive dhe mosbindëse.
Gjatë ndërhyrjes policore, i dyshuari u është vërsulur zyrtarëve policorë, me ç’rast ata janë detyruar të përdorin sprej mbrojtës dhe ta arrestojnë atë. Si pasojë e incidentit, tre zyrtarë policorë dhe i dyshuari kanë pësuar lëndime të lehta.
Në rast është përfshirë Njësia e Hetimeve Rajonale, e cila ka intervistuar të dyshuarin dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, ka iniciuar rastin për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore.
Policia Rajonale e Ferizajt u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë dhe zbatojnë urdhrat e ligjshme të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke theksuar se bashkëpunimi me policinë kontribuon drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Ish-zyrtari i lartë amerikan, Charles Kupchan, vlerëson se Kongresi i Shteteve të Bashkuara po përpiqet të rikthejë Ballkanin Perëndimor në fokusin e politikës së jashtme amerikane, në një moment kur rajoni përballet me mungesë stabiliteti dhe ngërç politik.
Sipas tij, përfshirja e Kosovës dhe Serbisë në dokumentin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara synon të ushtrojë presion konstruktiv mbi Prishtinën dhe Beogradin për të ecur përpara në dialog dhe për të kapërcyer bllokimin aktual, duke kërkuar njëkohësisht qeveri të qëndrueshme në të dyja vendet.
Ai nënvizon në Euronews Albania se Kongresi po përpiqet të nxisë presidentin Trump dhe administratën e tij që të angazhohen më aktivisht në rajon, në një kohë kur nevojitet rifokusim serioz i SHBA-së në çështjet e sigurisë në Ballkan.
“Trump do të përpiqet që ta fusë në listën e tij të arritjeve normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi. Pra, kemi rritjen e shqetësimit amerikan që vjen pas tërheqjes së SHBA-së nga dialogu mes Serbisë dhe Kosovës dhe kemi mungesën e qeverisë së Kosovës për një periudhë të gjatë. Dokumenti e nxit kryeministrin Kurti që, pas fitores së zgjedhjeve, ta formojë sa më shpejt qeverinë. Por ka shqetësime në lidhje me qasjen e zotit Kurti".
"Prania e Kosovës në këtë dokument synon të nxisë Prishtinën dhe Beogradin që të ecin përpara në dialogun dypalësh dhe të tejkalojnë ngërçin që i ka kapur. Gjithashtu, dokumenti u kërkon këtyre dy vendeve që të kenë qeveri të qëndrueshme. Në Serbi kemi një situatë të destabilizuar, në Kosovë kemi muaj të tërë pa qeveri, prandaj është koha që të dy vendet të avancojnë përpara me punën e vështirë që kanë".
"Në Kongres, në të dyja dhomat, ka shumë zyrtarë që kanë kaluar kohë të konsiderueshme në Ballkan, ndaj kemi një draft që ka ardhur posaçërisht për Ballkanin. Më parë, administrata Trump nuk ishte fokusuar shumë në aspektin e sigurisë së Evropës, sikurse bëri administrata Biden, dhe kjo është një përpjekje e Kongresit për ta nxitur presidentin dhe njerëzit rreth tij, përfshirë sekretarin Rubio, që ta marrin në dorë këtë axhendë".
"Vetë Trump ka bërë disa deklarata për Kosovën dhe Serbinë, duke marrë meritat se ka parandaluar një luftë mes tyre. Tani Kongresi i kërkon presidentit Trump që të angazhohet në Ballkan, pasi po shohim një tërheqje dhe nevojitet që të rifokusohemi sërish në çështjet e rajonit të Ballkanit”, tha ai.
Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur të fitojnë mandatin e deputetit për të shtatën herë, por ka prej tyre që kanë fituar mandatin e 10.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i vetmi deputet në historinë e pasluftës së Kosovës që është zgjedhur në të gjitha legjislaturat e deritanishme, duke fituar gjithsej 10 herë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Parlament, shkruan Telegrafi.
Megjithatë, ka pasur raste kur Haradinaj është tërhequr nga mandati për arsye të ndryshme.
Pas Haradinajt, Enver Hoxhaj ka fituar mandate në 9 legjislatura që nga zgjedhjet e dyta të pasluftës, ndërsa bashkëpartiaku i tij nga PDK, Xhavit Haliti, ka fituar 8 herë ulëse në Kuvend, duke mos u zgjedhur vetëm dy herë (2019 dhe shkurt 2025).
Të tjerët në këtë listë me 7 mandate janë Glauk Konjufca, Blerta Deliu – Kodra, Anton Quni, Armend Zemaj, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj, të gjithë të zgjedhur rregullisht në zgjedhjet e fundit dhe më parë.
Pakënaqësi të mëdha u raportuan për faturat e muajit të fundit të vitit të kaluar. Shumë qytetarë i publikuan ato në rrjetet sociale.
Dhjetorin e vitit 2024, në këtë faturë janë harxhuar 2,298 kWh teksa në të njëjtin muaj një vit më vonë, 3,570 kWh, që i bije 1,272 kWh më shumë apo 55% shpenzime më të mëdha të energji.
Fatura në këtë rast nuk është 55% më e lartë, por është 110% më e lartë apo për 162 euro më shumë.
Ankesa nga qytetarët kanë pas edhe për dallime drastike të faturave nga nëntori në dhjetor të 2025.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarë e Kosovës, të cilët raportojnë se faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak.
“KMDLNj vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, KESCO e përjashton mundësinë e rritjes së cmimeve, por vetëm deri në fund-mars. Por, nuk e përjashton nga 1 prilli, kur edhe ZRRE do të anaizoi faturat.
“Për të shmangur keqkuptimet, duhet theksuar qartë se tarifat aktuale janë në fuqi deri më 31 mars 2026, ashtu siç përcaktohet në vendimin tarifor të miratuar nga ZRRE-ja. ZRRE-ja nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga KEDS/KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave në muajin dhjetor. Çdo pretendim për rritje tarifash në këtë periudhë është spekulim dhe nuk mbështetet në ndonjë proces të hapur apo vendim rregullator. Sipas kornizës rregullative në fuqi, viti tarifor në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë fillon më 1 prill. Vendosja dhe rishikimi i tarifave është kompetencë ekskluzive e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila i përcakton ato në përputhje me procedurat dhe analizat e saj të rregullta”, tha zëdhënësja e KESCO, Margarita Rashiti.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi është i bindur se rritje do të ketë nga 1 prilli.
“ Deri tash ata që janë akterë as KEDS as KESCO as KOST nuk kanë kërkuar që me pas rritej të parakohshme para procesit vjetor. Kështu që edhe ZRRE nuk është që do t’i rrit tarifat për arsye se ata nuk kanë kërkuar të rriten e dhe kjo gjithashtu mund të lidhet me procesin zgjedhor...Edhe tash rryma do të shtrenjtohet, por do të shtrenjtohet prej 1 prillit”, theksoi Ejupi.
Ai beson që mos investimi në shtim të kapaciteteve energjetike, rritja e konsumit, por edhe tregtimi i rrymës do jenë faktor që do të ndikojnë në rritje të çmimit nga prilli.
Duke pas parasysh konsumi që po rritet për arsye se nuk ka ndonjë alternativ viteve të fundit për ngrohje dhe qytetarët të vetmen alternativë për ngrohje besoj duke e pas energjinë elektrike. Gjithashtu konsumi nga termocentralet ka rënë sivjet për arsye të disa riparimeve dhe disa prishjeve që i kanë pasur termocentralet, çmimi i importit nuk është që është rritur në krahasim me vitet e kaluara...Jemi duke e paguar transportin e energjisë elektrike prapë shumë të lartë dhe krejt këto kur i mbledhim besoj se do të kemi prapë rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026”, thotë Ejupi.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike po ka ndikim tw menjwherwshwm te shporta e qytetarwve.
“Veç shpirtin ka mbet me na marr rëndime për çdo vit e çdo gjashtë muaj e çdo një vit. Ne nonstop jemi duke u rritur s’jemi duke zbritur. Nuk po e kuptoj çka domethënë kjo. Kushtet i kemi katastrofal”, theksoi Sali Ajupi.
“Sigurisht që e rëndon fort shportën e buxhetit familjar. Me siguri duke marr parasysh çfarë të ardhurash kemi me siguri që e rëndon, por unë besoj që kishim mund me gjet një zgjedhje se sa e shoh unë më shtrenjtë rryma nuk është kërkund në rajon, jo në rajon por as në Evropë nuk është më shtrenjtë se këtu…Me rëndu buxhetin e rëndon fort, sidomos dimrit, dimrin vjen fatura një faturë e rrymës për një familje mesatare më pak se 40 euro nuk mbetet atëherë të gjithë e dimë sa e kemi buxhetin mesatar mujor”, deklaroi Bajram Havolli.
“Është keq pastaj një e keqe më e madhe se kjo është çelësi i të gjitha shtrenjtimeve të tjera pastaj. Posa po ndodh një shtrenjtim shumë i vogël pastaj gjitha çmimet po lëvizim nëpër lokale gjithkund nuk po ka kontroll fare në çmime. Kjo është edhe më tragjike sesa korenti elektrik sepse korenti është shumë e nevojshme se ne shumë e përdorim”, tha Hysni Zuka Zuka.
Luan Hasanaj nga grupi “Asnjë cent më shumë“, thotë se shqyrtimi i organizimit të protestave është i pashmangshëm në rast të shtrenjtimit të faturave të energjisë elektrike.
“I vetmi mekanizëm që ne si shoqëri civile dhe qytetarë aktiv që mund ta bëjmë janë ngritja e zërit për t’i kundërshtuar këto vendime të dëmshme, sigurisht që do t’i shqyrtojmë përsëri organizimin e protestave. Pra, nuk do të ndalemi sepse konsiderojmë që nëse kjo rritje e tarifave të energjisë nuk shoqërohet me përmirësim të mirëqenies që nga rritja e pagave e politikave të tjera që favorizojnë qytetarin. Ky vend dita ditës po bëhet më pak i jetueshëm”, deklaroi Hasanaj.
Më 16 prill 2025, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) vendosi që të rrisë tarifat e energjisë elektrike për 16.1%.
Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike u kundërshtua nga qytetarët dhe shoqëria civile, përmes organizimit të protestave. Kundër këtij vendimi u rreshtuar edhe presidentja, Vjosa Osmani, derisa Avokati i Popullit kërkoi pezullimin e vendimit./KosovaPress
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës ka arrestuar dy persona, me iniciale Q.H., dhe R.H.,
Siç bëhet e ditur në njoftim, të dy personat u arrestuan për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar narkotikeve substancave psikotrope apo analoge“.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një sasi kokaine, armë dhe para.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.