Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

E hënë 22 dhjetor, mot i kthjellët me vranësira kalimtare

22 December 2025 at 07:30

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e vranësira kalimtare.
Mjegulla/mjegullina do të jenë prezente në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes kryesisht përgjatë zonave luginore.
 Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 5 m/sek.

Deti me valëzim të forcës 1 ballë.
1 nga 2

The post E hënë 22 dhjetor, mot i kthjellët me vranësira kalimtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

Policia gjen një armë e municion në shtëpinë e të arrestuarit për rastin e Vukashinoviçit

21 December 2025 at 12:52

PRISHTINË, 21 dhjetor/ATSH/ Policia e Kosovës tha se gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të arrestuarit për përfshirje në plagosjen dhe rrëmbimin e dyshuar të shtetasit të Kosovës, Millan Vukashinoviç, gjeti një armë dhe disa fishekë.

“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente të formatit A4, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë të armës së gjuetisë, si dhe një tytë arme. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, u tha në raportin 24-orësh të Policisë.

Mbrëmjen e 20 dhjetorit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari, V.M., kishte qenë pjesëtar i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe më pas ishte integruar në Policinë e Kosovës. Sipas Sveçlës, më pas ai kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se personi i arrestuar ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Millan Vukashinoviq, i cili gjatë kidnapimit u plagos rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi”, shkroi Sveçla në Facebook mbrëmjen e 20 dhjetorit.

Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq dyshohet se u plagos dhe më pas u rrëmbye në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit më 1 nëntor, para se të dërgohej në spitalin e Prokuples, e më pas në Qendrën Klinike të Nishit.

Familja e Vukashinoviqit ka dorëzuar padi në Serbi kundër personave të anëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023.

Vukashinoviq ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se Vukashinoviq u sulmua sepse kundërshtonte “politikat e regjimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Pas njoftimit për rrëmbimin e dyshuar, Radio Evropa e Lirë duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.

Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.

“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai. /rel/

The post Policia gjen një armë e municion në shtëpinë e të arrestuarit për rastin e Vukashinoviçit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Kurti mirëpret largimin e masave nga BE-ja: Ishin të padrejta

19 December 2025 at 11:06

PRISHTINË, 19 dhjetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si dhe paralajmërimin se në muajin janar të njëjtat do të hiqen në tërësi.

Ai, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, tha se masat ishin të padrejta që në ditën e parë. Kurti nga objekti qeveritar akuzoi edhe partitë e ish-opozitës, që sipas tij, nuk miratuan Planin e Rritjes së BE-së dhe marrëveshjet me Bankën Botërore para shpërndarjes së legjislaturës së kaluar. Madje ai tha se “Kosova masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga ish opozita parlamentare”.

“Ne e mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat që ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë, sepse së pari institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë. Së dyti, sepse deeskalimi i situatës ishte meritë e institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Kurti nënvizoi se çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit në veri të vendit do të ishte fatal për Kosovën, derisa përmendi sulmet terroriste serbe në Banjskë në vitin 2023 dhe atë në Varagë në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor të vitit 2024. Për të dy këto sulme tashmë ka aktakuza të ngritura. Për rastin e Banjskës të gjitha provat dëshmojnë për një plan të përgatitur me përfshirjen dhe financimin e shtetit të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare, pas një konflikti që do të zgjerohej. Po të mos ishin vendimet me kohë dhe reagimi i shpejtë i policisë, mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023 do të na zbardhte një realitet krejtësisht tjetër në terren. Ndërkaq, për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit konfirmohet përfshirja e strukturave ilegale të Serbisë dhe vetë shtetit të Serbisë. Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veri është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”, shtoi Kurti.

Pavarësisht masave nga BE-ja, Kurti tha se nuk kanë qenë asnjëherë të hidhëruar me Unionin Evropian, por kanë mbetur të përkushtuar ndaj integrimit dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

Duke përmendur mosmiratimin e Planit të Rritjes së BE-së në vlerë mbi 880 milionë euro për Kosovën dhe tri marrëveshjeve me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë euro në legjislaturën e nëntë, Kurti tha se shpreson që të njëjtat të miratohen posa të konstituohet Kuvendi pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ai shtoi se shpreson që “edhe ish-opozita t’ia heqë masat Kosovës”.

“Megjithëkëtë, gjatë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur të përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe për përmbushjen e kritereve për anëtarësim, për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike. Por më duhet të them edhe diçka, se Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe të votës së opozitës. Andaj uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, përfundoi Kurti. /KosovaPress/

The post Kurti mirëpret largimin e masave nga BE-ja: Ishin të padrejta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

19 December 2025 at 10:30

PRISHTINË, 19 dhjetor/ATSH/ Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”.

Kështu thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor.

“Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA-ja duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”, thuhet në tekst, duke shtuar se kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve.

Sipas aktit, SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Akti Kombëtar për Mbrojtje për vitin fiskal 2026 autorizon shpenzim vjetor rekord për ushtrinë amerikane që arrin vlerën e 901 miliardë dollarëve, 8 miliardë më shumë seç kishte kërkuar Trumpi.

Akti përfshin gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen, e deri te rritja e pagave për ushtarët dhe mënyra se si do të adresohen kërcënimet gjeopolitike.

Teksti i këtij dokumenti përmend një sërë çështjesh, përfshirë edhe varësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse. Aty thuhet se kjo varësi lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Moskën dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian, ndërsa korrupsioni, përfshirë edhe në nivelet e udhëheqësve kryesorë politikë, vazhdon të përbëjë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit.

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thuhet se ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga gazi dhe karburantet fosile ruse është në interes kombëtar të SHBA-së, dhe se Uashingtoni duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga burimet fosile ruse dhe gazi natyror lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian”, thuhet në këtë dokument.

Rritja e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor gjithashtu mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën, thuhet në dokument, ku kërkohet që sekretari i Shtetit, në koordinim me atë të Mbrojtjes, drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe agjencitë e tjera përkatëse, t’i raportojë rregullisht Kongresit për ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shqetësim i thellë” për gjendjen e demokracisë në Serbi

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare është shprehur shqetësim edhe për gjendjen e demokracisë në Serbi.

“Zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor 2023 dhe pasojat e tyre të menjëhershme ngjallin shqetësim të thellë lidhur me gjendjen e demokracisë në Serbi, duke përfshirë përfundimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it”, thuhet në tekstin e dokumentit.

Aty shtohet se Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut ka vlerësuar se në ato zgjedhje kishte “kushtet jo të drejta” për votim, “shumë mangësi procedurale, përfshirë zbatimin jo të barabartë të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, mbingarkimin e qendrave të votimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup”.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjithashtu ka theksuar se zyrtarët serbë kanë akuzuar kryesisht protestuesit paqësorë, partitë opozitare dhe shoqërinë civile për “përpjekje për të destabilizuar Qeverinë”, një pretendim shqetësues që rrezikon sigurinë e pjesëve të rëndësishme të shoqërisë serbe, thuhet në tekstin e Kongresit, ku vlerësohet se vendet demokratike, të cilat ndajnë vlerat e SHBA-së, përfaqësojnë partneritete më të forta dhe afatgjata.

Mbështetje për EUFOR-in në Bosnjë dhe Hercegovinë

Ndër qëndrimet e Kongresit, sipas aktit, është se duhet të mbështetet ruajtja e mandatit të plotë të EUFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke e konsideruar këtë në interes të sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Gjithashtu kërkohet që NATO-ja dhe BE-ja të rishikojnë mandatin dhe vendosjen e misioneve në Bosnjë dhe Hercegovinë për t’u siguruar që të luajnë një rol proaktiv në krijimin e një mjedisi të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – përbëjnë një rajon pluralist dhe multietnik në zemër të Evropës, i cili është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit, thuhet në fillim të seksionit kushtuar rajonit, për të cilin u tha se mund të quhet “Ligji për demokracinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.

Paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor lidhen drejtpërdrejt me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik të këtyre gjashtë vendeve, dhe është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të rajonit të përmirësojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në rajon.

Reformat drejt Bashkimit Evropian, të kryera nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë sjellë përparim të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik në rajon, por pavarësisht këtij përmirësimi, nivelet e varfërisë dhe papunësisë në Ballkanin Perëndimor mbeten më të larta se në vendet fqinje të BE-së.

Gjithashtu theksohet se “korrupsioni, përfshirë edhe tek udhëheqësit kryesorë politikë, vazhdon të prekë Ballkanin Perëndimor dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit”, ndërsa “fushatat e dezinformimit të drejtuara ndaj Ballkanit Perëndimor minojnë besueshmërinë e institucioneve demokratike, përfshirë integritetin e zgjedhjeve”.

Për këtë arsye, Kongresi ka theksuar se SHBA-ja duhet, ndër të tjera, të bashkëpunojë me aleatët dhe partnerët e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit, diversifikimin e burimeve energjetike, reformat demokratike dhe ekonomike dhe reduktimin e varfërisë; të nxisë forcimin e lidhjeve tregtare dhe investimeve midis SHBA-së dhe aleatëve/partnerëve në Ballkanin Perëndimor dhe të zgjasë ndihmën amerikane për përpjekjet e integrimit rajonal në rajon.

SHBA-ja duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së dhe NATO-s, dhe që duan të anëtarësohen, të përmbushin kriteret për anëtarësim, kanë mbështetjen e të gjithë aleatëve për të marrë ftesën për anëtarësim dhe që janë në gjendje të promovojnë më tej parimet e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në sigurinë kolektive të NATO-s.

SHBA duhet të rrisë lidhjet tregtare dhe investimet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për të zvogëluar varësinë nga burimet energjetike ruse, për të rritur diversifikimin e energjisë, efikasitetin dhe kursimin, si dhe për të lehtësuar kalimin te burimet e energjisë së pastër.

Aty shtohet se duhet të vazhdojë mbështetja e zhvillimit të shoqërisë civile të fortë, partneriteteve publike-private, medias së pavarur, qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, stabilitetit politik dhe ekonomive moderne të tregut.

Në aktin për mbrojtjen, sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i kërkohet të nxisë iniciativa për zhvillim demokratik dhe ekonomik dhe prosperitet, përfshirë zgjatjen e ndihmës teknike në çdo vend të Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh kushtet lokale dhe miratimin e qeverisë vendase; të forcojë strategjitë kombëtare ekzistuese kundër korrupsionit, përfshirë korrupsionin politik, veçanërisht në gjyqësor, organet e pavarura të mbikëqyrjes së zgjedhjeve dhe prokurimet publike; dhe të promovojë rolin e medias së pavarur në luftën kundër korrupsionit.

Kongresi gjithashtu ka shprehur mbështetje për sigurinë kibernetike dhe rezistencën kibernetike në Ballkanin Perëndimor, iniciativat për lidhje ekonomike rajonale dhe zhvillim, si dhe për promovimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe arsimor midis SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Autori i këtij dokumenti për Ballkanin Perëndimor, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e demokratëve, William Keating, tha për televizionin Insajder se miratimi i legjislacionit në dy dhomat e Kongresit tregon se Ballkani mbetet në radarin amerikan.

“Mesazhi i rëndësishëm është se Amerika vazhdon të jetë e interesuar për Ballkanin Perëndimor. Unë merrem me këtë rajon prej shumë vitesh dhe gjithmonë e kam konsideruar si një zonë të rëndësishme për ne. Njerëzit duhet ta dinë se edhe në këtë Qeveri të SHBA-së ka njerëz që e shohin Ballkanin si prioritet”, tha Keating.

Ai shpjegoi se legjislacioni u prezantua që në shtator, dhe më pas u përfshi në Aktin për mbrojtjen, me qëllim që të sigurohet miratimi i tij. /rel/

The post SHBA kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premte 19 dhjetor, kthjellime e alternime vranësirash kalimtare

19 December 2025 at 07:30

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e premte do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare të cilat do të jenë më të theksuara në relievet malore në lindje si dhe në zonën e jugut.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim dhe shpejtësi mesatare 5 m/s shoqëruar me valëzim në dete të forcës 1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 5/13 Diell pak re
Kukës 0/8 Diell pak re
Lezhë 5/14 Diell pak re
Dibër 0/10 Diell pak re
Durrës 7/17 Diell pak re
Tiranë 7/17 Diell pak re
Elbasan 5/18 Diell pak re
Berat 6/18 Diell pak re
Vlorë 8/17 Diell pak re
Korçë -1/11 Diell pak re
Gjirokastër 0/16 Diell pak re
Sarandë 7/17 Diell pak re

/r.e/

The post E premte 19 dhjetor, kthjellime e alternime vranësirash kalimtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në funksion të Lojërave Mesdhetare, ndahen 50 milionë euro për rinovimin e Pallatit të Rinisë

18 December 2025 at 13:43

PRISHTINË, 18 dhjetor/ATSH/ Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do t’i nënshtrohet një rinovimi të plotë me vlerë prej 50 milionë eurosh, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare. Investimi përfshin edhe sallën e djegur, duke synuar funksionalizimin e plotë të objektit në shërbim të sportistëve, artistëve dhe të rinjve të vendit.

“50 milionë euro për Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Rinovim total, përfshirë sallën e djegur, në përgatitje për Lojërat Mesdhetare, dhe në shërbim të sportistëve, artistëve e të rinjve tanë”, ka deklaruar Çeku. Ai ka njoftuar se, në bazë të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime, tashmë janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit të Pallatit, hap i domosdoshëm për nisjen e punimeve.

Sipas ministrit në detyrë, ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bërë bashkë për të ndërtuar një model modernizimi dhe funksionalizimi të plotë të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit. “Po krijojmë një model të ri për Pallatin e Rinisë, që i përgjigjet nevojave bashkëkohore dhe i kthen këtij objekti rolin që i takon në jetën sportive, kulturore dhe rinore të vendit”, ka shkruar Çeku. /KosovaPress/

 

The post Në funksion të Lojërave Mesdhetare, ndahen 50 milionë euro për rinovimin e Pallatit të Rinisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lojërat Mesdhetare do të kenë ndikim ekonomik për Kosovën

18 December 2025 at 13:41

PRISHTINË, 18 dhjetor/ATSH/ Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” nuk përfaqësojnë vetëm një sukses sportiv dhe diplomatik për Kosovën, por edhe një nga projektet me ndikimin më të madh ekonomik që vendi ka ndërmarrë ndonjëherë. Organizimi i këtij eventi madhor pritet të gjenerojë investime të konsiderueshme në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin dhe modernizimin e objekteve sportive, rrugëve, transportit publik dhe kapaciteteve hoteliere, duke krijuar mijëra vende pune direkte dhe indirekte gjatë viteve të përgatitjes.

Zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, thotë për KosovaPress, se për dy javë sa do të zgjasin Lojërat Mesdhetare, Kosova do të ketë përfitime të mëdha financiare.

“Sigurisht, çdo ekip që do të vijë për Lojërat Mesdhetare në Kosovë, ata do të akomodohen, përveç fshatit mesdhetar ku akomodohen sportistët, zyrtarët e tyre, delegacionet e tyre, gazetarët, mysafirët e tjerë që do të vijnë, do të akomodohen nëpër hotele apo edhe në apartamente të ndryshme. Dhe të gjitha këto do të jenë përfitime për pronarët e hotelerisë, përfitime për Kosovën, pastaj përfitime për gastronominë, hotelerinë dhe të gjitha të tjerat. Pra janë përfitime që nuk varen vetëm nga fusha e sportit, por edhe nga turizmi, sepse ata për dy javë sa do të qëndrojnë këtu, sa do të zhvillohen Lojërat Mesdhetare, do të kenë shpenzime që do t’i lënë, ato para do t’i lënë në Kosovë. Pra ka të ardhura mjaft të mira për shtetin e Kosovës, por natyrisht që ne mund të përfitojmë edhe si vend duke fituar projekte të ndryshme, donacione të ndryshme, siç është shembulli në lidhje me qendrën e studentëve në Prishtinë dhe donacione të tjera të cilat mund t’i përfitojmë nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare e të cilat mund të investojnë pikërisht për lojërat mesdhetare”, tha Krasniqi.

Një nga përfitimet kryesore ekonomike lidhet me rritjen e turizmit dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës. Gjatë zhvillimit të Lojërave Mesdhetare, në vend pritet të qëndrojnë dhjetëra mijëra sportistë, delegacione, media dhe tifozë nga vendet mesdhetare, çka do të rrisë ndjeshëm qarkullimin në sektorët e hotelerisë, gastronomisë dhe shërbimeve.

“Dhe paramendo infrastrukturën tjetër që do të ndërtohet këtu. Sigurisht që e përmirëson edhe imazhin ndërkombëtar, sepse jo vetëm për lojërat mesdhetare, por në Kosovë do të zhvillohen edhe gara të tjera ndërkombëtare të sporteve të ndryshme dhe kjo e përmirëson imazhin tonë sepse vendit tonë do t’i shtohet… do t’i shtohen benefitet në turizëm, në hoteleri, në gastronomi dhe në gjithçka tjetër. Pra, nuk përfiton vetëm sporti, por përfitojnë edhe fushat e tjera dhe me këtë përmirësohet sigurisht edhe imazhi ynë si Kosovë, imazhi ynë ndërkombëtar, pasi vërtet do të kemi përfitime të cilave do t’ua shohim hajrin në të ardhmen. Pra, jo vetëm ky sporti, por edhe fushat e tjera”, deklaroi ai.

Krasniqi shton se si shtet, Kosova synon që të jetë shembulli më i mirë deri më tani o organizimit të ojërave Mesdhetare

“Synimet tona janë që Kosova të jetë shembull i organizimit të Lojërave Mesdhetare edhe për shtetet e tjera të cilat do ta marrin një organizim të tillë. Ky është qëllimi kryesor dhe jo vetëm shembull për Lojërat Mesdhetare apo Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, por shembull edhe për sportet e tjera, sepse lojërat mesdhetare do të përdoren si referencë nga federatat për të marrë organizime madhore të cilat synojnë që t’i organizojnë në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.

Në planin afatgjatë, trashëgimia ekonomike e Lojërave Mesdhetare pritet të jetë edhe më e madhe. Objektet sportive dhe infrastruktura e ndërtuar do të shërbejnë për aktivitete të tjera ndërkombëtare, do të tërheqin investime të reja dhe do të ndikojnë në zhvillimin urban të Prishtinës dhe rajoneve përreth. Përmes Prishtina 2030, Kosova synon të pozicionohet si një destinacion i besueshëm për ngjarje të mëdha sportive dhe kulturore, duke e shndërruar sportin në një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe imazhit ndërkombëtar të vendit. /KosovaPress/

 

The post Lojërat Mesdhetare do të kenë ndikim ekonomik për Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE-ja i heq masat ndaj Kosovës, vendi pritet të përfitojë miliona euro në fillim të 2026-ës

18 December 2025 at 09:42

PRISHTINË, 18 dhjetor/ATSH/ Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026, njoftuan zyrtarë nga të dyja palët të mërkurën vonë.

Vendimi vjen pasi u bë kalimi i pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ishin pikërisht tensionet në këtë pjesë të Kosovës që shtynë bllokun të vendoste masa ndëshkuese ndaj saj verën e vitit 2023.

Ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ajo që njoftoi e para se BE-ja vendosi t’i heqë të gjitha masat deri në fund të janarit, gjatë samitit të bllokut me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit”, tha Osmani të mërkurën vonë në Facebook.

Osmani, e cila e përfaqësoi Kosovën në samit, shtoi se “rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”.

Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi më pas në X se BE-ja po i heq masat pasi kalimi i pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale u zhvillua në mënyrë paqësore.

“Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, shkroi ajo.

Ajo shtoi se blloku po planifikon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën dhe se synon që t’ia ndajë asaj 205 milionë euro qysh në fillim të vitit 2026.

BE-ja veçse i kishte hequr gjysmën e masave në fillim të kësaj jave, por nuk ishte e qartë se ato do të hiqeshin plotësisht pas një muaji, pasi thuhej se vende si Franca dhe Italia, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia, nuk kishin vullnet për heqjen e të gjitha sanksioneve.

Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar me këmbëngulësi vazhdimisht nga BE-ja t’u japë fund masave ndëshkuese, të cilat i shkaktuan vendit dëme në vlera milionëshe.

Ata argumentonin se gjendja në veri ishte shtensionuar tashmë pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe kalimi i pushtetit tek serbët lokalë në mënyrë paqësore.

Këto masa ndëshkuese i kishin kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, sipas njëanalize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.

Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.

Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit (IPA II dhe IPA III), dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF). /rel/

The post BE-ja i heq masat ndaj Kosovës, vendi pritet të përfitojë miliona euro në fillim të 2026-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama jep detajet kyçe për “Prishtina 2030”: Stadium i ri, 24 sporte dhe përgatitje intensive

17 December 2025 at 15:28

PRISHTINË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, në një intervistë për KosovaPress, theksoi rëndësinë monumentale të organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, duke detajuar punën e vazhdueshme, projektet infrastrukturore dhe sfidat e përgatitjeve.

Takimi i fundit me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) shënon një hap kyç në finalizimin e planifikimit për këtë ngjarje historike.

I pari i Komunës së Prishtinës ka shtuar se Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat do të mbahen në Prishtinë, përfaqësojnë një ngjarje madhore që tejkalon rëndësinë lokale dhe paraqesin një mundësi të artë për t’u shfaqur para botës.

“E dini që jemi duke bërë punë të njëpasnjëshme për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, pra “Prishtina 2030”, një event monumental faktikisht jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë Kosovën, ku kemi mundësinë me i tregu krejt botës çfarë nikoqir të mrekullueshëm jemi, edhe për këtë arsye është me rëndësi që të përgatitemi për këto lojëra”, theksoi Rama.

Tutje, Rama ka folur edhe për përfundimet e punës së fundit të konsultimit, duke detajuar numrin e lojërave të ndryshme që do të inkuadrohen dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë për disiplinat specifike.

“Po i diskutojmë mundësitë e inkuadrimit të lojërave të ndryshme, pra flitet këtu diku rreth 22 deri 24 lojëra të ndryshme, të cilat do të ndodhin në kryeqytet dhe në pjesë të ndryshme të Kosovës, e po ashtu e dimë që për sailing, pra për lundrim, e kemi edhe Durrësin si pjesë të propozimeve për Lojërat Mesdhetare në kryeqytet në vitin 2030. Pra janë të gjitha këto diskutimet, prezantimet edhe vendimmarrjet për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030”, deklaroi ai.

I pari i komunës së Prishtinës ka shtuar se, megjithëse fillimisht pati një periudhë më të ngadaltë të punës, tashmë proceset po ecin me hapa të shpejtë dhe ai shpreh bindjen e plotë se nuk do të ketë asnjë problem në përgatitjen e eventit në afatin e caktuar.

“Po them kemi pasur ndoshta pak ashtu një proces pak të zbehur gjatë dy viteve të para, por tash i kemi të gjitha të gjitha frontet e hapura, po ecim me hapa të shpejtë edhe jam shumë optimist që nuk do të kemi asnjë problem për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.”, bëri të ditur Rama.

Tutje, kryetari ka folur edhe për planet infrastrukturore, veçanërisht për stadiumin e ri që do të ndërtohet në kuadër të Fshatit Olimpik. Ai thekson se ky stadium plotëson kushtet për të qenë edhe stadiumi kombëtar i vendit.

“Unë mund të flas për stadiumin e ri të Prishtinës, të cilin e kemi pjesë të masterplanit në Fshatin Olimpik edhe këtë jemi duke e shtyrë përpara. Ky normal që mundet të jetë edhe stadiumi kombëtar i vendit sepse po e kemi planifikuar me një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, edhe këtë po e shtyjmë përpara. Ky i duhet kryeqytetit dhe normal që mund të përdoret edhe si stadium kombëtar, nëse po them qeveria edhe pajtohet edhe vendosë që të bashkëpunojnë me ne dhe ta shtyjmë këtë proces përpara… Nëse vendosin që stadiumi kombëtar të jetë diku tjetër, normalisht edhe ajo është e mirëseardhur sepse sa më shumë që të zhvillojmë kapacitet infrastrukturor për të gjithë Kosovën, aq më mirë për secilin qytetar, për secilin qytet dhe për vendin tonë”, deklaroi në fund Rama.

Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar. /KosovaPress//r.e/

The post Rama jep detajet kyçe për “Prishtina 2030”: Stadium i ri, 24 sporte dhe përgatitje intensive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova heq ndalesën e importit për kafshët e gjalla dhe shpendët nga Shqipëria

17 December 2025 at 11:20

PRISHTINË, 17 dhjetor/ATSH/ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës njofton se, bazuar në raportet zyrtare të ADIS dhe WOAH, në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk janë më të pranishme sëmundjet PPR – Murtaja e dhenve dhe dhive, si dhe Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotip me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1.

Sipas njoftimit, në bazë të Ligjit për Veterinarinë është marrë vendim për heqjen e ndalesës së importit dhe lejohet importi i kafshëve të gjalla, dele dhe dhi dhe produkteve të tyre, si dhe i shpezëve të gjalla dhe produkteve të shpezëve, që vijnë nga Republika e Shqipërisë.

“Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova heq ndalesën e importit për kafshët e gjalla dhe shpendët nga Shqipëria appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

17 December 2025 at 09:39

PRISHTINË, 17 dhjetor/ATSH/ Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen në Bruksel më 18 dhe 19 dhjetor me një detyrë të vetme: sigurimi i fondeve për Ukrainën për dy vjetët e ardhshëm.

Me më shumë shtete, përfshirë Bullgarinë, Maltën dhe Italinë, që po rreshtohen me Brukselin për vënien në pikëpyetje për realizueshmërinë e një kredie për Kievin për reparacione si metodë e preferuar, shumica e përpjekjeve diplomatike këtë javë do të përqendrohen në tentimin për të zgjidhur këtë çështje.

Por, një ditë para takimit, më 17 dhjetor, kryeqendra e BE-së është mikpritëse e një samiti tjetër që krejtësisht është lënë në hije nga zhvillimet që lidhen me Ukrainën: udhëheqësit e gjashtë vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) takohen me homologët e tyre të BE-së në Bruksel.

Kosova, në këtë samit, përfaqësohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor është bërë një lloj formaliteti viteve të fundit, me pak ose aspak rezultate konkrete, dhe ky takim nuk përbën përjashtim.

Draft-deklarata e samitit, që e ka parë Radio Evropa e Lirë, dokument që do të miratohet nga udhëheqësit e BE-së, pohon se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bllokun tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”.

Në realitet, shumica e gjashtë shteteve janë të bllokuar në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, dhe vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë përparim drejt anëtarësimit në bllok. Por, përgatitjet për samitin dhe lëvizjet politike ofrojnë një shembull të qartë se edhe ky përparim është i brishtë.

Gjatë vjeshtës, ideja ishte që Mali i Zi do të mbyllte pesë kapituj politikë – një hap i madh për Podgoricën. Kjo ndodhi më 16 dhjetor dhe shteti tani ka mbyllur 12 nga 33 kapituj gjithsej.

Draft-konkluzat, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, thonë se deri javën e kaluar Parisi ka kërkuar që të mbylleshin vetëm tre kapituj. Më pas, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kishte biseduar përmes telefonit me homologun francez, Emmanuel Macron, për këtë çështje dhe arriti ta binte që të pajtohej për mbylljen e pesë kapitujve.

Problemi që kishte Franca nuk kishte të bënte me të vërtetë me Malin e Zi, por më shumë me Serbinë, një aleate e ngushtë politike e Francës, e cila nuk do të hapë asnjë kapitull të anëtarësimit. Beogradi ka ngecur në rrugën evropiane që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 2022, me disa shtete të tjera anëtare të BE-së që nuk janë të kënaqura që shteti nuk po rreshtohet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe se ka bërë përparim të pamjaftueshëm në fushën e sundimit të ligjit.

Duke qenë se hapja dhe mbyllja e kapitujve kërkon konsensus të 27 shteteve anëtare, Franca po e përdor një taktikë që është e zakonshme në Bruksel, atë të lidhjes së përparimit të shtetit kandidat (ose mungesës së përparimit) me të një shteti kandidat tjetër.

Përderisa Franca u tërhoq nga Mali i Zi, ajo mori atë që donte sa i përket Kosovës. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Prishtinës më 2023, përfshirë ngrirja e qindra milionave eurove, pasi Kosova njohu rezultatet e zgjedhjeve lokale në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Përderisa ekziston një pajtim i gjerë se Kosova ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të shtensionuar situatën dhe masat duhet të hiqen gradualisht, Franca ka udhëhequr përpjekjet për të ngadalësuar këtë proces.

Nga Presidenca e Kosovës thanë se gjatë samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe liderët pjesëmarrës dhe tema kyç do të jenë masat.

“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, tha Presidenca e Kosovës.

I mbështetur nga Hungaria, Italia, Spanja dhe Sllovakia, Parisi është siguruar që asnjë masë të mos hiqet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 28 dhjetor. Këto shtete kanë qenë po ashtu instrumentale që Serbia të shmangë sanksionet e BE-së dy vjet më parë, pasi militantët serbë, që dyshohet se janë mbështetur nga Beogradi, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic.

Në draft-deklaratën, të cilën e ka parë REL-i, përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Brukseli. Aty thuhet se “mungesa e normalizimit të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit po mban të dy shtetet të bllokuara në rrugën evropiane”.

“Të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, veçmas Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i saj. Mbështetja nën Reformën për Ballkanin Perëndimor dhe Rritjen është e kushtëzuar me angazhimin konstruktiv të partnerëve dhe përparimin e matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e raporteve të tyre”, thuhet në dokument.

Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel. Marrëveshja që përmendet në draft-deklaratë është arritur më 2023, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë. BE-ja e vlerëson se marrëveshja është e detyrueshme për Beogradin dhe Prishtinën dhe vazhdimisht kërkon zbatimin e saj dhe të aneksit.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Në draft-deklaratë përmendet edhe Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në këmbim të zbatimit të reformave që lidhen me bllokun. Ky plan, sipas BE-së, ka potencial që të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon në dekadën e ardhme, pasi vendet do të marrin këtë shumë parash për reforma dhe investime.

“Kjo shumë është shtesë e 29 miliardë eurove që po zbatohen përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. BE-ja bën thirrje për shfrytëzim maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes përmes zbatimit me kohë të reformave”, thuhet në draft-deklaratë.

Përtej çështjes së zgjerimit, nuk ka shumë pika të tjera ku BE-ja mund t’i shtyjë përpara në Ballkanin Perëndimor vitin e ardhshëm, përveç integrimit gradual në tregun e BE-së në disa fusha.

Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia gjatë këtij viti iu bashkuan Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që thjeshton dhe redukton transferet bankare në euro. Ideja është që edhe dy shtetet e tjera, Kosova dhe Bosnja, të bashkohen së shpejti.

Ngjashëm, qëllimi i Brukselit për vitin 2026 është që të përfshijë të gjithë rajonin në regjimin e tij të telefonisë mobile, që do t’iu mundësojë qytetarëve nga gjashtë republikat të thërrasin, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin duke përdorur tarifat e brendshme të telefonisë të BE-së.

Ky do të ishte një hap drejt uljes së tarifave të roamingut mes BE-së dhe shteteve kandidate në Ballkanin Perëndimor, që hynë në fuqi më 2023. Ky hap do të pasonte Moldavinë dhe Ukrainën, të cilat do t’i bashkohen zonës së roamingut të BE-së më 1 janar. /rel/

The post Çfarë pritet nga samiti BE-Ballkani Perëndimor? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani takim me Pecin në Mitrovicë: Së bashku do ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës

15 December 2025 at 13:41

PRISHTINË, 15 dhjetor/ATSH/ Gjatë vizitës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me kryetarin e Mitrovicës Faton Peci, për ta uruar për pozitën e tij të re, Peci ka deklaruar se është diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës dhe mbështetjes institucionale.

Në këtë takim, u premtua nga presidentja Osmani se së bashku do të ruajnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci në një konferencë për media, tha se Mitrovica ka mbështetjen institucionale duke filluar nga Zyra e Presidentes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë kësaj vizite, Peci tha se është diskutuar për çështjet kryesore si arsimi, shëndetësia, por edhe çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale të këtij qyteti, porse nuk demonstrohet në terren.

Për këtë Peci tha se duhet të përmirësohet dhe të investohet në infrastrukturë.

Ndërsa kryetarja e shtetit të Kosovë, Vjosa Osmani tha se qyteti i Mitrovicës do të ketë përkrahjen e nivelit qendror, për shkak të sfidave që kanë pasur qytetarët edhe pas lufte.

Osmani tha se beson në e përmirësimin tij, duke ditur vullnetin e Pecit që ka dhe seriozitetit në punë, duke ditur rëndësinë e Mitrovicës.

Presidentja Osmani tha se së bashku do të ruajnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

E pyetur se pse nuk ka përkrahur në të njëjtën mënyrë ish-kryetarin e Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamzën, Osmani u kundërpërgjigj se është një propagandë, pasi ka vizituar disa herë Hamzën dhe ka pasur përkrahjen e njëjtë. /Kosovapress/

The post Osmani takim me Pecin në Mitrovicë: Së bashku do ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qindra qytetarë mesazh nga Shkupi: Liri për krerët e UÇK-së në Hagë

13 December 2025 at 15:26

PRISHTINË, 13 dhjetor/ATSH/ Qytetarë nga troje të ndryshme shqiptare, me flamuj kuq e zi e këngë patriotike, po qëndrojnë në sheshin “Skënderbeu”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për protestën që kërkohet drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Sipas tyre, katërshja në Hagë po gjykohen padrejtësisht, dhe sot po protestojnë duke kërkuar drejtësi, duke shpresuar që të lirohen sa më parë.

Qytetari nga Zajazi, Vedat Ashkmedi tha për KosovaPress, se ata të cilët sollën lirinë po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Ai kërkon që të dëgjohet zëri i popullit.

“Sot kemi ardhur të kërkojmë drejtësi për çlirimtarët, jemi bashkë me shokë gjashtë persona.. I përkrahim, më vjen keq që sot kërkoj liri për çlirimtarët. Ata të cilët na sollën lirinë padrejtësisht i mbajnë në Hagë, me këmbëngulje kërkoj që ata të lirohen sa më shpejtë. Zëri im do dëgjohet por si individual, mendoj kësaj radhe të dëgjohet zëri i popullit”, tha ai.

Vezir Ademi nga Gostivari tha se procesi në Hagë është i padrejtë.

“Kemi ardhur në protestë se ia vlen për krerët e UÇK-së, mendoj se do ia dalim. I padrejtë, është proces i padrejtë, shpresojmë se po”, tha Ademi.

Ndërsa, Bardhi nga Lipjani shtoi se kjo është protesta e pestë që merr pjesë.

Sipas tij, procesi në Hagë është me iniciativë të Serbisë, porse shpreson se do të lirohen.

E qytetari nga Tetova, Haki Hasani tha se duhet të lirohen të pafajshmit.

Qytetari tjetër nga Dibra e madhe, Etnik Sylejmani u shpreh se arsyeja pse ai sot po proteston është babai i tij, i cili është veteran, dhe po kërkon drejtësi dhe liri për bashkëluftëtarët e babait.

Protesta masive janë mbajtur edhe në Hagë, Strasburg, Tiranë e Prishtinë dhe sot po përmbyllet në qytetin e Shkupit. /KosovaPress//r.e/

The post Qindra qytetarë mesazh nga Shkupi: Liri për krerët e UÇK-së në Hagë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova u dërgon ndihma humanitare palestinezëve në Rripin e Gazës

13 December 2025 at 12:13

PRISHTINË, 13 dhjetor/ATSH/ Një anije me ndihma humanitare nga Kosova për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt enklavës palestineze, njoftoi të shtunën kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në një njoftim në Facebook, Kurti tha se dërgesa në vlerë prej 500 mijë eurove përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë.

Qeveria e Kurtit i kishte ndarë të hollat për këtë dërgesë humanitare në janar, por dërgimi i tyre u bë i mundur vetëm tani, tha Kurti, pas armëpushimit të arritur në tetor, me ndërmjetësimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe fuqi të tjera – është zbatuar pothuajse plotësisht që nga tetori, por lufta e ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së Gazës dhe kushtet e jetesës janë tejet të rënda.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe palestinezë thanë se nevojiten urgjentisht të paktën 300.000 tenda të reja për rreth 1.5 milionë njerëz që vazhdojnë të jenë të zhvendosur brenda enklavës.

Kurti tha se kjo ndihmë humanitare “përfaqëson angazhimin e Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gazë”.

Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas në Izrael, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.

Lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë prej atëherë ka vrarë mbi 70.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. /rel/

The post Kosova u dërgon ndihma humanitare palestinezëve në Rripin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protestë në Shkup në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

13 December 2025 at 09:00

PRISHTINË, 13 dhjetor/ATSH/ Sot në orën 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup do të mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë me kërkesën e vetëm lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe drejtësi për ata.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi se protesta në Shkup, ashtu sikurse edhe në vendet tjera ka qenë thirrje për drejtësi.

“Qëllimi jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerët të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne nuk i thërrasim protestat dhe nuk i kemi thirrur asnjëherë që të kundërshtojmë ose kundër drejtësisë, por protestat tona pikërisht në këtë rast ku po atakohet lufta e shenjt e jona, UÇK protestat i kemi thirr dhe çdo individ që i përgjigjet kësaj proteste flet në vete dhe kërkon drejtësi. Atje është duke ndodhur padrejtësi. Në rastin e parë kërkohet drejtësi, ndërsa protesta është e orientuar ku atje po ndodh padrejtësi…Kjo Gjykatë është politike, dhe qëllim të vetëm ka dhe nuk do të arrij luftën tonë të drejtë dhe të pastër me gjitha ato që ka bërë ushtria, policia dhe shteti serb në Kosovë“, tha ai.

Nga OVL-UÇK bëjnë thirrje që veteranët e luftës të  mos marrin pjesë në këtë protestë pasi ekziston rreziku që ata të ndalohen. Ndërsa, krijimi i shtabit të krizës nga shteti maqedonas konsiderohet i panevojshëm dhe  i njëanshëm.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla në një intervistë për KosovaPress, thotë se nga shteti maqedonas nuk janë siguruar se nuk do të arrestohen bashkëluftëtarët e tyre që do të shkojnë në këtë vend fqinj për të marrë pjesë në protestë.

Syla ka siguruar që edhe protesta në Shkup do të jetë madhështore pasi kanë marrë konfirmime për pjesëmarrje të madhe qoftë nga diaspora, por edhe nga Shqipëria e Lugina e Preshevës.

Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në të cilët janë të paraburgosur në Hagë është e pesta me radhë. Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protestë e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasburg.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Që të katër janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. /Kosovapress/

The post Protestë në Shkup në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E shtunë 13 dhjetor, mot me diell në të gjithë vendin

13 December 2025 at 07:30

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare në relievet malore kryesisht në juglindje.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 6 m/sek, e cila hera-herës në bregdet dhe lugina fiton shpejtësi deri në 14 m/sek.
Deti – Valëzimi forcës 1-3 ballë.
1 nga 2

The post E shtunë 13 dhjetor, mot me diell në të gjithë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova i bashkohet koalicionit global për të ardhmen të Melania Trump

12 December 2025 at 20:10

PRISHTINË, 12 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani një letër zyrtare drejtuar Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur zyrtarisht vendimin për t’u bashkuar me koalicionin global të Zonjës së Parë të SHBA-së MelaniaTrump  – “Ndërtimi i së Ardhmes së Bashku” për mbrojtjen dhe fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Osmani thotë se Kosova ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në mënyrë domethënëse në këtë nismë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Si një vend që u ngrit nga hiri i luftës dhe përparoi drejt lirisë, paqes dhe demokracisë me mbështetjen dhe udhëheqjen e jashtëzakonshme të SHBA-së, Kosova e kupton rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe krijimit të një mjedisi ku ata mund të rriten dhe të lulëzojnë në paqe. Kjo iniciativë rezonon thellë, duke reflektuar një lidhje të thellë morale me përpjekjet e Zonjës së Parë Melania Trump për të mbrojtur fëmijët, për të mbështetur dinjitetin e tyre, për të investuar në arsimimin e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në siguri, mundësi dhe vlera të forta familjare.”

Osmani thekson se investimi në fëmijë dhe familje të forta është investimi më i fuqishëm në paqe, siguri dhe të ardhmen, dhe me popullsinë më të re në Evropë, Kosova është e gatshme të kontribuojë me ekspertizë, inovacion dhe partneritet të palëkundur në këtë kauzë globale.

“Kosova është krenare që qëndron përkrah presidentit Donald Trump, Zonjës së Parë Melania Trump dhe vendeve të përkushtuara për të siguruar që çdo fëmijë të rritet i sigurt, i fuqizuar dhe i lirë, pasi e ardhmja që ndërtojmë për fëmijët tanë është e ardhmja që do të na përcaktojë të gjithëve”, thuhet në një deklaratë të postuar në rrjetin X. /KosovaPress/

The post Kosova i bashkohet koalicionit global për të ardhmen të Melania Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ushtrim i përbashkët nga Policia e Kosovës dhe Ambasada e SHBA-së

12 December 2025 at 18:13

PRISHTINË, 12 dhjetor/ATSH/ Ushtrimi i përbashkët i planifikuar nga Policia e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tanimë ka nisur dhe ndodhet në fazën fillestare.

Varësisht nga informacionet dhe skenarët e përgatitur në ushtrim, do të kyçen njësitë policore, duke filluar nga njësitë patrulluese të rendit publik, njësitë e reagimit të shpejtë e deri te njësitë elite speciale të profileve të ndryshme, të cilat do të përdorin mjetet dhe pajisjet e nevojshme logjistike, për veprime policore varësisht nga situata dhe rrethanat e paraqitura.

Policia kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë (ora 15:00-21:00) të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës amerikane në Prishtinë – lagjja “Arbëria”, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të mbajë publikun të informuar mbi rrjedhën e ushtrimit, informacione këto të cilat do të publikohen edhe në faqet zyrtare të saj.

Ushtrimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Ambasadës amerikane, janë një tregues i forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në menaxhimin dhe reagimin ndaj situatave emergjentë, dhe të çfarëdo incidenti të mundshëm në Kosovë.

Përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, ku kërkohet garantimi i një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës. /Kosovapress/

The post Ushtrim i përbashkët nga Policia e Kosovës dhe Ambasada e SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Shabani u hodh në votim si kandidat pa firma, kallëzim penal për Peleshin

12 December 2025 at 16:57

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se nëpërmjet falsifikimit të akteve parlamentare, Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim.

Bardhi iu referua zgjedhjes në seancën e djeshme të Kuvendit të Endrit Shabanit në pozicionin e Avokatit të Popullit.

Sipas tij, kreu i Kuvendit duke duke shpërdoruar detyrën, “përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë”.

“Mirëpo këtë herë Kryetari i Kuvendit ka tejkaluar çdo limit, duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ishin tërhequr nga propozimi i projektvendimit përkatës. Askush nuk mund të përdorë jashtë vullnetit të tyre nënshkrimet/propozimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.

Për këtë arsye sot, ai njoftoi se ka autorizuar menjëherë ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të përgatisë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim për kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, dhe çdokënd tjetër që ka rol në këtë akt që ai e quan të paprecedent.

“Ndërkohë do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme”, tha Bardhi.

“Grupi Parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve, sikurse Raport Progresi i Komisionit Europian nënvizon. Vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Përndryshe provohet se kemi kaluar edhe zyrtarisht në një parti-shtet”, përfundoi Bardhi.

 

The post Bardhi: Shabani u hodh në votim si kandidat pa firma, kallëzim penal për Peleshin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E premte 12 dhjetor, mot me diell në të gjithë vendin

12 December 2025 at 07:30

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në lindje.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 6 m/sek, e cila hera-herës në bregdet dhe lugina fiton shpejtësi deri në 14 m/sek.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1-3 ballë.

1 nga 2

/r.e/

The post E premte 12 dhjetor, mot me diell në të gjithë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌