Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Guardiola kërcënon futbollistët: Kush merr kile gjatë Krishtlindjeve…

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:40

Pep Guardiola i ka peshuar lojtarët e tij para pushimit për Krishtlindje dhe i ka paralajmëruar të mos e teprojnë me ushqimin gjatë këtyre ditëve.

Trajneri i Manchester City e ka bërë të qartë se çdo lojtar, kur të kthehet nga një pushim i shkurtër festiv, do të peshohet sërish për të parë formën e tyre.

Të padisiplinuarit nuk do të luajnë në ndeshjen e ardhshme kundër Nottingham Forest, raportojnë mediat angleze

Guardiola, madje, u refuzoi lojtarëve të tij një ditë pushim pas fitores së rehatshme të së shtunës në Premier League ndaj West Ham. “Lojtarët më kërkuan të merrja një ditë pushim. Unë thashë, ‘Jo sepse nuk luajte mjaftueshëm mirë’”, tha trajneri spanjoll.

Ata kanë vetëm dy ditë për t’u përgatitur për Nottingham Forest. Çdo lojtar ka një peshë. Ata kthehen më 25 dhe unë do të jem atje duke kontrolluar se sa kilogramë kanë shtuar dhe për të parë nëse janë shëndoshur”, tha Pep Guardiola.

Në momentin që do të mbërrijnë pas tre ditësh pushim, dua të shoh se si kthehen. Ata mund të hanë, por unë dua t’i kontrolloj. Duhet të bëj një përzgjedhje për ndeshjen e 27 dhjetorit kundër Nottingham Forest.

Imagjinoni një lojtar, i cili tani ai është perfekt, por do të vijë me tre kilogramë më shumë. Ai do të qëndrojë në Manchester. Ai nuk do të udhëtojë për në Nottingham Forest”, tha qartazi trajneri i Manchester City.

Si Ergys Agasi, Ermal Beqiri, dhe Erjon Ismaili rrëmbyen biznesmenin/ Fax News siguron dosjen e AKSH-it

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:34

Në dosjen hetimore të AKSHI-t te siguruar nga gazetarja Vanesa Rrahmani, dokumentohet se Shtetasit Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe Erjon Ismaili, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë planifikuar dhe organizuar rrëmbimin e shtetasit Gerond Meçe, me qëllim detyrimin e këtij të fundit për tërheqjen nga ankimimet e bëra pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Nga analizimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, bën të besohet fakti se heqja dorë e këtij shtetasi nga ankimimet e bëra pranë KPP-së, do t’i krijonte lehtësira të konsiderueshme shtetasve të sipërpërmendur, me qëllim vijimin e aktivitetit kriminal në fushën e prokurimeve publike, aktivitet i cili

Ne baze te dosjes, shtetasi Geron Meçe ka deklaruar se zëvendës drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se Erjon i ka kërkuar “të rrijë larg AKSHI”, fakt ky i cili përputhet gjithashtu dhe me rezultatin e pamjeve të këqyrura në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, pra se këta të fundit kanë lidhje shoqërore dhe interesa të përbashkët.

Nga kqyrja e pamjeve filmike të sekuestruara në zyrën e shtetasit Ergys Agasi, evidentohen shumë takime mes tij dhe shtetasit Erjon Ismaili.

Ergys Agasi, në një komunikim të datës 06.03.2019 me shtetasin Alqi Bllako, lidhur me një “situatë” në të cilën dyshohet se shtetasi Damian Gjiknuri “ishte bërë pengesë”, lidhur me përfitimet e paligjshme të tyre si më poshtë:

Nga përmbajtja e kësaj bisede, evidentohet se personi me emrin “labi”, është shtetasi Elgerti Bixha, për të cilin shtetasi Ergys Agasi do ta emërojë si administrator në një shoqëri private e cila ka fituar një koncension me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga ish ministri Damian Gjiknuri, i cili pretendohet se është bërë pengesë për realizimin e këtyre përfitimeve të paligjshme nga ana e shtetasve Ergys Agasi, Elgerti Bixha dhe Alqi Bllako.

Në këtë komunikim, konkretisht në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, shtetasi Ergys Agasi shprehet se: “Do ja q* robt do fusim cunatboastaj..” (do fusim çunat pastaj), çka nënkupton faktin se ai përdor lidhjet e tij me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, për të “hequr” këto pengesa.

Kjo rrethanë, lidhet dhe me pengmarrjen e shtetasit Gerond Meçe, pasi ai gjithashtu si në rastin shtetasit Damian Gjiknuri, kishte krijuar “pengesa”, nëpërmjet ankimimeve të shumta pranë KPP-së, për procedurat e prokurimit të zhvilluara pranë AKSH, duke nënkuptuar faktin se “modus operandi” i këtij grupi kriminal është i njëjtë.

VIDEO-EMRAT/ Lëvizte i armatosur me automjet pa targa, arrestohet 30-vjeçari në Lezhë

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:32

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 30-vjeçar, i cili po lëvizje i armatosur me një automjet pa targa, ndërsa ka proceduar penalisht, për moskallëzim të krimit, 2 pasagjerët që lëviznin me të njëjtin automjet.

Sipas asaj që raporton policia, janë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, 2 celularë, automjeti dhe një shumë parash.

I arrestuari është shtetasi Kristian Buzatu, ndërsa të proceduar penalisht Klisman Ndou dhe Admir Alija, raporton Fax News.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale finalizuan operacionin “Gjerdani”.

Në kuadër të operacionit u ndalua teksa drejtonte një automjet tip “Fiat”, pa targa, në fshatin Shënkoll të Lezhës, shtetasi i dyshuar, K. B., 30 vjeç, banues në Lezhë.

Gjatë kontrolleve, 30-vjeçarit iu gjet në çantë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin nisi procedimi penal, për veprën “Moskallëzimi i krimit”, për 2 pasagjerët në automjetin që drejtonte shtetasi K. B., shtetasit A. A., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. N., 25 vjeç, banues në fshatin Tale.

Protesta e Opozitës, Ambasada e SHBA mesazh qytetarëve amerikanë: Qëndroni vigjilentë, vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:22

Ambasada e SHBA në Tiranë, pak orë para nisjes së protestës së Opozitës, këshillon qytetarët amerikanë të tregohen vigjilentë dhe të kujdesshëm.

Në një njoftim sigurie të postuar në faqen e Ambasadës, qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin zonën e protestës, të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit”.

Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Për këtë arsye, qytetarët amerikanë këshillohen të ruajnë një profili të ulët dhe të vendosin sigurinë personale si prioritet.

Njoftimi i plotë i Ambasadës se Shteteve të Bashkuara të Amerikës

“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i Ambasadës së SHBA është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit.

Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangen zonat e protestave. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme:

Veprime për t’u ndërmarrë:

  • Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje
  • Të jeni të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
  • Të kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike
  • Të ndiqni mediat lokale
  • Të keni gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje
  • Të mbani një profil të ulët.”.

Protesta e Opozitës është programuar të nisë sot në ora 18:00.

“Presim të vijojmë bashkëpunimin”/ Delegacioni i BE uron kreun e ri të SPAK: Suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin

By: Fax Web
22 December 2025 at 14:15
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë uron Klodian Brahon për marrjen e detyrës si kreu i ri i SPAK.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, zyra e BE vlerëson SPAK për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike ndërsa përgëzon edhe paraardhësin e Brahos, Altin Dumanin, për punën e kryer gjatë tre viteve të fundit.
Në fund, nuk mungon edhe mbështetja për Strukturën e Posaçme duke uruar në vazhdimin e bashkëpunimit.
“Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.
Reagimi i plotë:
Delegacioni i BE-së në Shqipëri uron Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si Kreu i SPAK-ut dhe i dëshiron suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin.
Njëkohësisht, vlerësojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani. Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia.
Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE—rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.
Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Policia plan masash për protestën e PD-së, bllokim i disa akseve rrugore

By: Fax Web
22 December 2025 at 13:14

Partia Demokratike do të zhvillojë sot në orën 18:00 një protestë para Kryeministrisë.

Në kuadër të këtij tubimi, policia e Tiranës njoftoi se ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit.

Sipas Policisë së Shtetit, në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore.

Policia cilëson se nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën të ditur se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Incident gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike në Vlorë, dhunohet drejtori i IMT-së

By: Fax Web
22 December 2025 at 12:56

Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe inspektorit përgjegjës.

Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar me një incident ditën e sotme. Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj drejtorit të IMT-së dhe inspektorit përgjegjës.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës. Pas konstatimit të përplasjejes fizike, në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e Policisë Rrugore për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një prej punonjësve të policisë është goditur me grushta nga disa persona, duke u detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër.

Në vijim, janë njoftuar forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në konflikt për veprime të mëtejshme procedurale.

Debati për buxhetin e shtetit/ Deputetët e mazhorancës dhe opozitës sherr me grushte në Parlamentin e Turqisë

By: Fax Web
22 December 2025 at 12:42

Përplasjet e dhunshme nisën pas deklaratave provokuese të deputetëve të partisë në pushtet ndaj politikave të bashkive të drejtuara nga opozita.

Seanca e fundit e diskutimeve plenare për buxhetin e shtetit në Parlamentin turk u shënua nga tensione të larta dhe përplasje të dhunshme mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Mbrëmjen e së dielës, përplasjet verbale mes përfaqësuesve të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) dhe Partisë Republikane Popullore (CHP) u përshkallëzuan në përleshje me grushte brenda sallës së Kuvendit.

Për rreth 10 minuta, deputetët e mbledhur rreth podiumit kryesor në qendër të sallës, u përplasën me njëri tjetrin fizikisht dhe verbalisht, në skena që bënë shumë shpejt xhiron e botës.

Sipas mediave turke, incidenti nisi pas një debati të ashpër mes deputetit të partisë në pushtet, AKP nga qyteti i Bursës, Mustafa Varank, dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të opozitës, CHP-së, Gökan Günaydin. Nga foltorja, Varank kritikoi drejtimin e CHP-së dhe politikat e bashkive të drejtuara nga opozita, deklarata që u konsideruan provokuese nga deputetët opozitarë.

Reagimi i Günaydin ishte i menjëhershëm, duke akuzuar mazhorancën për nxitje të tensioneve dhe sulme të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor të opozitës. Situata u përkeqësua edhe më tej me përfshirjen e Ali Mahir Başarır, një tjetër nënkryetar i grupit parlamentar të CHP-së, gjë që shërbeu si katalizator i përleshjes fizike mes deputetëve të dy krahëve.

Në sallë ndodheshin edhe kryetari i CHP-së, Özgür Özel, si dhe kryetari i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste, Devlet Bahçeli, por asnjëri prej tyre nuk ndërhyri drejtpërdrejt për të ndalur incidentin.

Kryetari e Parlamentit, Numan Kurtulmuş, u detyrua të ndërpresë seancën ndërsa forcat e sigurisë e patën të vështirë të përmbanin deputetët e zemëruar të përfshirë në konflikt. Përplasjet vazhduan edhe gjatë pezullimit të përkohshëm të seancës. Pas rifillimit të punimeve, Kuvendi miratoi Buxhetin e Qeverisë Qendrore për vitin 2026 me 320 vota pro dhe 249 kundër.

Partia Demokratike proteston sot përpara kryeministrisë, policia plan masash: Kufizimi i qarkullimit rrugor fillon që në orën 14:00

By: Fax Web
22 December 2025 at 12:40

Ky organizim i Partisë Demokratike ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa Berisha është shprehur se protesta do të jetë pa ndalim dhe nuk përjashtohet mundësia për të shkuar deri në grevë urie.

Partia Demokratike organizon sot protestën kombëtare. Tubimi do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të nisë në orën 18:00. Kjo tubim vjen pas 5 protestave që Berisha organizoi poshtë zyrës së Edi Ramës. Nëse i referohemi 5 të hënave, pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë gjithmonë e në rënie, madje Berisha duket se u braktis dhe nga vetë militantët e partisë së tij.

Ky organizim i Partisë Demokratike ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës, ndërsa Berisha është shprehur se protesta do të jetë pa ndalim dhe nuk përjashtohet mundësia për të shkuar deri në grevë urie. Sakaq, policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash përsa i përket qarkullimit rrugor.

-Nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Spiropali pritet nga homologu Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridorin VIII, projekt i sigurisë Euro-Atlantike

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:46

Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga homologu Timčo Mucunski. Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të.”

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski.

Spiropali tha se “me kolegun Timčo Mucunski bashkëndajmë vizionin, perspektivën dhe vendosmërinë e përbashkët për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE”.

Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të.”

Forumi i parë që do të mbahet në Tiranë në shkurt të 2026, do të institucionalizojë më tej bashkëpunimin pesëpalësh për këtë projekt që i shërben sigurisë Euro-Atlantike, transformimit dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik në rajon e më gjerë.

Ministri Mucunski deklaroi se thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende partnere dhe aleatë në NATO, i shërben në vetvete përparimit të të gjithë rajonit tonë.

Spiropali do të pritet gjatë ditës nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi.

Ministrja Spiropali do të theksojë përgjatë kësaj vizite rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.

Sot në GJKKO seanca e radhës ndaj Berisha-Malltezi për aferën ‘Partizani’! Do të diskutohen kërkesat e palëve për dëshmitarët

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:30

Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Sot në GJKKO po mbahet seanca e radhës për dosjen “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerët.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit Sokol Hazizaj dhe Vasilika Hysit që mbrojnë biznesmenin Fatmir Bektashi dhe dy kompanitë.

Më herët, gjykata rrëzoi kërkesën e Berishës dhe të tjerëve për pavlefshmëri të akteve dhe provave që janë gjetur nga SPAK, me argumentin se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe prova. Bëhej fjalë për vendimet e marra nga gjyqtarja e hetimeve paraprake Irena Gjoka, e sulmuar nga Berisha.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

‘Me fermerët në Shqipërinë 2030’, ministri Salla: Synojmë të përfitojnë 150 mijë fermerë

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:07

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot vizionin dhe hapat konkretë të transformimit të sektorit bujqësor dhe rural në kuadër të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që kërkon përgatitje, angazhim dhe bashkëpunim të të gjithë aktorëve të zinxhirit bujqësor.

Ministri Salla u ndal te çelja zyrtare e Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare më 17 nëntor, ku përfshihen Kapitujt 11, 12 dhe 13, që mbulohen nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ai theksoi se këta kapituj janë ndër më dinamikët dhe kërkojnë jo vetëm përafrim të legjislacionit dhe zbatim të standardeve, por edhe transformim të thellë dhe modernizim të sektorit.

Sot jemi këtu për të nisur një dialog mbi rrugëtimin e sektorit bujqësor dhe rural drejt destinacionit tonë të përbashkët në familjen e madhe evropiane. Në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, më 17 Nëntor, u çel zyrtarisht Grupi i Kapitullit 5 ku përfshihen edhe tre kapitujt që mbulon MBZHR.  Kapitujt 11, 12, 13, janë dinamikë që kërkojnë angazhim si në përafrimin e legjislacionit dhe zbatimin e standarteve, por kërkojnë edhe një transformim dhe modernizim të sektorit.  Kjo arrihet me punën që do të bëjë Qeveria por kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin e gjithësecilit prej jush.  Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian sjell përfitime për fermerët, operatorët e biznesit, konsumatorët dhe ekonominë e vendit.

Nga ana tjetër sjell, gjithashtu, detyrime…

Pra, përfitimi nuk vjen automatikisht, vjen kur të gjithë aktorët janë të përgatitur me investim, dokumentim dhe cilësi në çdo hallkë të zinxhirit.

Në Kapitullin 11, përmes Politikës së Përbashkët Bujqësore, fermeri vendoset në qendër.

Qëllimi është i qartë: një bujqësi më konkurruese, më e qëndrueshme, me më shumë siguri ushqimore, më shumë kujdes për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Për t’i arritur këto, BE parashikon mbështetje financiare konkrete: pagesa direkte, grante për investime dhe masa për të forcuar tregun.

Por kjo mbështetje ka kushtëzime…

Për të përfituar, duhet të zbatohen praktikat e mira bujqësore dhe mjedisore dhe të respektohen kërkesat për menaxhimin e fermës dhe të aktivitetit të saj.

Ne synojmë që nga fondet europiane të përfitojnë rreth 150 mijë fermerë.

Pikërisht për këtë, në dy vitet e ardhshme:

–          Do të përditësojmë regjistrin e fermës dhe regjistrin e blegtorisë;

–          Dhe do të ngremë sistemin e identifikimit të parcelave të tokës, pilotimi i të cilit ka nisur.

Gjithashtu, duke nisur që nga viti i ardhshëm, NE do të përshtasim në mënyrë graduale skemën kombëtare me skemat që aplikohen në vendet e BE-së.

Një sfidë tjetër e rëndësishme për prodhuesit tanë është edhe përmbushja e standardeve të cilësisë dhe të tregtimit të produkteve.

Për këtë arsye, MBZHR po përgatit paketën ligjore dhe do të nisë një proces komunikimi dhe trajnimi me prodhuesit dhe operatorët e tregut.

Dhe në fund, një element që bën diferencën: organizimi i fermerëve në grupe prodhuesish.

Kjo na ndihmon të kapërcejmë problemin e ekonomisë së shkallës dhe, njëkohësisht, është mënyra më efektive për të përthithur fondet europiane në masa të caktuara mbështetjeje.

Në Kapitullin 12, siguria ushqimore bëhet standard pune në të gjithë zinxhirin. Ne jemi të angazhuar për të arritur zbatim të plotë të legjislacionit të BE-së.

Përtej përafrimit ligjor, detyrimi është zbatimi real i këtyre akteve në terren për të arritur standardet nga fermerët tek stabilimentet dhe operatorët e biznesit ushqimor.

Të gjithë bizneset duhet të arrijnë të njëjtat standarde me ato të BE-së. Kjo shoqërohet me kosto por njëkohësisht dhe mundësinë për të tregtuar në tregun e përbashkët.

Ndërveprimi i ngushtë mes institucioneve publike dhe operatorëve është elementi kyç, për efekt të kontrollit zyrtar, por sidomos për ndërtimin e standardeve dhe zbatimin në praktikë.

Në Kapitullin 13, kërkesat janë shumë konkrete: digjitalizim, monitorim, raportim dhe kontroll.

Nga ana jonë, angazhimi është të forcojmë mbledhjen e të dhënave dhe raportimin elektronik me strukturat e BE-së.

Ne e dimë mirë që këto transformime nuk i përballon dot askush vetëm.

Kjo është arsyeja pse sot Ne lancojmë “EuroAgro Albania 2025-2030”, si një mekanizëm praktik që t’ju ndihmojë të përgatiteni hap pas hapi.

Platforma konkretisht do të sjellë:

  • Një linjë të dedikuar asistence e quajtur “Numri Blu”
  • Platformë digjitale informative dhe asistent virtual në Portalin e Fermerit
  • Pika informuese, materiale udhëzuese dhe trajnime

Në të njëjtën kohë, platforma do të shtrihet përmes bashkive, shërbimeve të ekstensionit, dhomave të tregtisë dhe shoqatave profesionale, që informacioni të mbërrijë shpejt dhe i plotë tek të gjithë.

Në mbyllje, ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi, të kërkoni orientim, të përdorni mjetet që po vendosim në dispozicion dhe të nisim përgatitjen që sot.

Nga ana jonë, ne do të sigurojmë kushtet dhe mbështetjen e nevojshme për pjesëmarrje.

Nëse bëhemi bashkë në këtë rrugëtim, Bujqësia 2030 do të kthehet në një standard pune dhe treg i ri mundësish.

Faleminderit!

“Kontrata me BE për bujqësinë, më e vështira”, kryeministri Rama: Sektori ishte i braktisur, sot eksportojmë produktet tona në 80 vende të botës

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:04

Kryeministri Edi Rama, në një aktivitet me fermerët, theksoi se kontrata me BE-në për bujqësinë është më e vështira.

“Planin e veprimit dhe domosdoshmërinë e ndërveprimit mes nesh në mënyrë që bujqësia të përballojë sfidën e tregut evropian në kontekstin e Shqipërisë anëtare të BE. Dua që të flas shumë hapur me ju, duke iu thënë se kjo sfidë ka dy anë, anën e errët dhe të ndritur. Ana e errët është ajo që pret cdokënd prej jush që nuk është i përgatitur për atë ditë sepse negociatat me BE dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese thjesht të lidhura me çfarë shkruajmë në letër, por kontratë shtetërore shumë komplekse ku cdo faktor shtetëror dhe shoqëror duhet ti përgjigjet kontratës. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, sic ka treguar eksperienca e vendeve të tjera dhe më e mirëpritura pë rata që janë të përgatirur për tu përballur me kushtet, sytandartet, kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë e sigurisë dhe e produkteve kur vjen puna pët të qenë lojtarë në tregun e bashkuar evropian. Por unë besoj shumë te ju dhe të gjithë ata që në kushtet të pakrahasueshme me sot një dekadë më parë ishin aty te toka dhe përballeshin me një sfidë mbijetese të jashtëzakonshme.

Kush e ka kaluar atë sfidë ka më besim se do ta kalojë edhe këtë sfidë. Janë të natyrave të ndryshme porn ë thelb kanë të bëjnë me vullnetin për të bërë sukses sepse asokohe bujqësia shqiptare ishte një sektor i braktisur totalisht, një dekadë e pak më parë. Numri i fermerëve që merrnin një mbështetje simbolike nga shteti ishte 5600. Sot është 67 500.

Nuk bëhet fjalë për mbështetje simbolike, por mbështetje që peshon në portofolin e fermës. Eksportet ishin thjesht dhe vetëm një aktivitet i një grushti njerëzish që ia kishin dalë deri aty dhe deificiti tregtar ishte një katastrofë unikale në rajon se në Evropë nuk po bëjmë krahasime për cdo euro të eksportuar ne importonim 9 euro në ushqim. Ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar në gjysmë mld euro dhe dificiti është ulir ngha 1 me 9 në 1 me 3 dhe përpjekja jonë është që të shkojmë drejt 1 me 2.

Marrëveshja me BE është kontratë shtetërore e të gjithë faktorëve dhe për të gjithë faktorët institucionalë dhe shoqërorë. Për fermerët është kontratë që kërkon standarte dhe cilësi, teknologji dhe dixhitalizim, organizim të sofistikuar dhe mbështetje, e cila do të vijë duke u rritur vit pas viti.”, theksoi Rama.

Të shtënat me armë në Kukës ku u plagos dy persona vetëdorëzohen në polici vëllezërit

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:02

Policia e Kukësit ka vijuar veprimet hetimore dhe kontrollet intensive për dokumentimin e plotë të rrethanave të një ngjarjeje të ndodhur një ditë më parë, si dhe për kapjen e dy autorëve të dyshuar, të shpallur në kërkim.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga Policia dhe pamundësisë për t’u larguar, dy vëllezërit e shpallur në kërkim janë vetëdorëzuar pranë autoriteteve.

Sipas hetimeve, dy vëllezërit janë përfshirë në një konflikt fizik me shtetasin Sadik Kapica, 65 vjeç, për motive të dobëta, në një zonë të njohur si “Dëshmorët”.

Gjatë përplasjes, shtetasi N. I. dyshohet se e ka goditur 65 vjecarin me qytën e një arme zjarri. Po ashtu, nga pakujdesia, është plagosur rëndë edhe shtetasi Amarildo Cena 36 vjeç, i cili nuk kishte lidhje me konfliktin.

Njoftimi:

Policia e Kukësit ka vijuar veprimet hetimore dhe kontrollet për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe për kapjen e 2 autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim.

Si rezultat i kontrolleve të Policisë dhe nga pamundësia për t’u larguar, 2 vëllezërit e shpallur në kërkim për këtë ngjarje, janë vetëdorëzuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, pas komunikimit me prokurorin e gatshëm, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasin N. I., 38 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për vëllanë e tij, shtetasin F. I., 39 vjeç, banues në Kodër Lumë.

Këta dy shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasin S. K., 65 vjeç, për motive të dobëta, dje, në vendin e quajtur “Dëshmorët”. Gjatë konfliktit, shtetasi N. I. e ka goditur me qytën e pistoletës shtetasin S. K., si dhe ka plagosur rëndë nga pakujdesia, shtetasin A. C., 36 vjeç, i cili nuk ishte i përfshirë në konflikt.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit e dyshuar përdorur në ngjarje.

Materialet procedurale shtesë iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Mori peng 48-vjeçarin nga Durrësi dhe e dhunoi, arrestohet në Rinas autori

By: Fax Web
22 December 2025 at 11:01

Policia e Durrësit ka arrestuar pas pesë muajsh një 36-vjeçar i cili së bashku me tre persona të tjerë morën peng dhe dhunuan 48-vjeçarin, Denis Simaku.

36-vjeçari u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, gjatë tentativës për të dalë jashtë vendit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës vunë në pranga shtetasin J. K., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi Prokuroria e Durrësit ka lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, akuzohet se në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, më datë 01.07.2025, kanë marrë me forcë, në automjet, dhe kanë dhunuar një 48-vjeçar. 36-vjeçari u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, gjatë tentativës për të dalë nga Republika e Shqipërisë”, njoftoi sot Policia.Sipas policisë shkak i kësaj situate u bë një konflikt për një vend parkimi mes 48-vjeçarit dhe babait të tre prej autorëve, të cilin e ka ofenduar.

Vengu: Rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë ujore e nënujore

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:52

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale një video kushtuar angazhimit të Forcave Detare në mbrojtjen e ujërave shqiptare, duke vënë në fokus misionin e përditshëm të Rojës Bregdetare.

“Misioni ka emër”, shkruan Vengu, duke theksuar rolin e Kapiten Jetnor Ballës dhe ekuipazhit të anijes “Iliria”, të cilët janë çdo ditë në det, në vijën e parë të kontrollit dhe sigurisë së ujërave shqiptare.

Sipas ministrit, Forcat Detare, ashtu si çdo komponent tjetër i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po rrisin ndjeshëm përgatitjen operacionale, kapacitetet dhe ritmin e trajnimeve, si dhe angazhimin në misione të përbashkëta me aleatët.

“Duke investuar në përgatitje dhe kapaciteteve, ne po rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë tona ujore e nënujore”, thekson Vengu në mesazhin e tij.

Në video, nënlejtnanti Marison Mira shpjegon se gjatë patrullimeve dhe lundrimit në det, ekuipazhet zhvillojnë paralelisht edhe stërvitje operacionale.

Ai nënvizon se një nga trajnimet e rëndësishme është edhe lufta kundër zjarrit në anije, si pjesë e përgatitjes për situata emergjente.

Ky angazhim, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është pjesë e strategjisë për forcimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për garantimin e sigurisë detare në përputhje me standardet e NATO-s.

Vetëm një aplikim në Kuvend për karrigen e gjyqtarit kushtetues! 30 dhjetori afati i fundit, nevojiten 3 emra në fazën finale që gara të jetë e vlefshme

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:33

Kuvendi do të zgjedhë mes 3 të parëve më të vlerësuar nga KED, gjyqtarin që për 9 vjet do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në karrigen e liruar nga Elsa Toska, dorëhequr në vitin 2024.

Kur kanë ngelur dhe pak ditë për të dorëzuar dosjet në Kuvend për një vend në Gjykatën Kushtetuese, interesi i kandidatëve rezulton i ulët. Report TV ka mësuar se që nga hapja e garës, i vetmi aplikant është Genc Gjonçaj, që mban dhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Ai gjithashtu ka garuar edhe për një mandat kushtetues që emërohet nga Presidenti i Republikës.

Afati i fundit për të dorëzuar emrat në Kuvend është 30 dhjetori, dhe duhen të paktën 3 emra në fazën finale që gara të jetë e vlefshme.

Kuvendi do të zgjedhë mes 3 të parëve më të vlerësuar nga KED, gjyqtarin që për 9 vjet do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, në karrigen e liruar nga Elsa Toska, dorëhequr në vitin 2024.

Ndërsa Presidenti i ka mbledhur aplikimet dhe i ka dorëzuar për verifikim në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Edhe ai do të ketë mundësi të dekretojë një gjyqtar për mandat të plotë, mes tre emrave me më shumë pikë nga KED.

Gjyqtari që do të emërojë Begaj, do të pasojë anëtaren Sonila Bejtja.

Largimi i Toskës, Zaçajt dhe Bejtes është pjesë e skemës së rifreskimin të Gjykatës Kushtetuese me tre anëtarë çdo tre vjet.

“Sot mbyllet një ndër kapitujt më sfidues të karrierës sime”, Dumani besimplotë ndaj Brahos: Do ta çojë përpara misionin e SPAK

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:30

Altin Dumani mban fjalimin e tij për largimin nga detyra si kryeprokuror i SPAK dhe kalimin e saj te Klodian Braho. Ai tha se drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka përfaqësuar një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij, privilegj e përgjegjësi njëkohësisht.

Pavarësisht vështirësive të këtij rrugëtimi, Dumani thotë se SPAK është më i fortë dhe i konsoliduar se më parë. Ai shprehu mirënjohje për këdo që ka kontribuar, përfshirë partnerët ndërkombëtar dhe është besimplotë për vijimësinë e misionit të SPAK nën drejtimin e Brahos.

Para se t’ia lë fjalën z. Braho, t’i kaloj zyrtarisht edhe stafetën, më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit të karrierës sime 26-vjeçare si prokuror. Drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve: prokurorëve, oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesve financiarë, ekspertëve, stafit administrativ, kabinetit dhe të çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri e kurajë. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu dua t’u shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë pranë nesh në çdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve që kemi sot Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri.

“Jemi ndeshur me presione të mëdha”, Altin Dumani i dorëzon stafetën Klodian Brahos

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:14

Altin Dumani i dorëzoi sot zyrtarisht detyrën kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Klodian Braho.

Në një fjalim shkurt, Dumani tha se sot mbyll një nga kapitujt më sfidues në karrierën e tij profesionale. Ai u shpreh se gjatë detyrës së tij është ndeshur edhe me presione, por theksoi se ka punuar me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

“Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën time. Ka qenë privilegj, por edhe përgjegjësi. Jemi ndeshur me presion të mëdha. Kemi punuar me profesionalizëm. Sot SPAK është më i besueshëm. Ju falenderoj për përkushtimin dhe sakrificat. Ju shpreh mirënjohjen partnerëve tanë”, tha Altin Dumani.

Gjatë fjalës së tij, Braho shprehu vlerësim për zgjedhjen e tij në krye të këtij institucioni, duke thënë se misioni i SPAK shkon përtej mandateve.

“Shpreh falënderimin tim, marrja e detyrës është angazhim për të respektuar ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK. Vlerësoj paraardhësit e mi në detyrë, zotin Kraja, zotin Dumani për guximin duke forcuar profilin e SPAK. Fokusi im do të mbetet respektimi rigoroz dhe respektimin e ligji. Institucioni do komunikojë në mënyrë të qartë, misioni i SPAK shkon përtej mandateve”, tha Braho.

Qeveria jep 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe

By: Fax Web
22 December 2025 at 10:08

Këshilli i Ministrave ka miratuar Aktin Normativ të Fundvitit për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Nga ky akt normativ do të shperndahet një bonus prej 15 mijë lekësh të reja per familje që përfitojnë ndihmë ekonomike si edhe personat me aftësi ndryshe apo kujdestarët e tyre.

Në total nga kjo nismë do të përfitojnë rreth 148 500 qytetarë me një fond total prej rreth 2.2 miliardë lekësh.

“Disa nga çështjet kryesore që miratuam nëpërmjet këtij akti normativ janë: mbështetje financiare për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe për personat me aftësi të kufizuar, apo dhe kujdestarët e tyre.

Masa e mbështetjes financiare, në formën e bonusit të fundvitit do të jetë 15 mijë lekë, apo 150 euro. Në total nga kjo nismë do të përfitojnë  rreth 148 mijë e 500 qytetarë.”, tha Ministri i Financave Petrit Malaj.

❌
❌