SHBA – Trump bën thirrje për një pakt të ri bërthamor me Rusinë, ndërsa afati i “New Start” përfundon
UASHINGTON, 5 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bëri thirrje për një pakt të ri bërthamor me Rusinë, ndërsa afati i traktatit të mëparshëm “New Start” përfundoi sot.
“New Start”- një traktat për reduktimin e armëve bërthamore midis SHBA-së dhe Rusisë ose zyrtarish i njohur si “Masat për Reduktimin dhe Kufizimin e Mëtejshëm të Armëve Strategjike Ofensive”, u nënshkrua më 8 prill 2010 në Pragë dhe, pas ratifikimit, hyri në fuqi më 5 shkurt 2011.
“Në vend që të zgjasim “New Start” (një marrëveshje e negociuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, përveç gjithçkaje tjetër, po shkelet rëndë), ne duhet t’i bëjmë ekspertët tanë bërthamorë të punojnë në një traktat të ri, të përmirësuar dhe të modernizuar që mund të zgjasë shumë kohë në të ardhmen”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“New Start” u ra dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në vitin 2010 dhe hyri në fuqi një vit më vonë.
Trump nuk dha detaje se cilat vende duhej të përfshiheshin në traktatin e ri, por sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se diskutimet do të vazhdonin me Rusinë.
Në deklaratat e mëparshme, Trump nuk është shfaqur i shqetësuar për përfundimin e afatit të “New Start”.
“Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë”, tha Trump duke këmbëngulur se Kina, e cila ka arsenalin me rritjen më të shpejtë në botë, duhej të përfshihej në çdo marrëveshje të ardhshme.
Leavitt tha në konferencën për shtyp se, sipas dijenisë së saj, për momentin nuk kishte asnjë marrëveshje me Rusinë për zgjatjen e “New Start”.
The post SHBA – Trump bën thirrje për një pakt të ri bërthamor me Rusinë, ndërsa afati i “New Start” përfundon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.