Në prokurorinë e Posaçme sot në orën 10:00 mbahet ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani, te kryetari i ri Klodian Braho i zgjedhur me 7 vota të anëtarëve të KLP-së.
Për SPAK, ky cilësohet si një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kreu i SPAK e ka mandatin 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë profesional që e ka çuar në një nga pozicionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Deri në vitin 2012, Braho shërbeu si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, ndërsa për tre vite të tjera më pas, ushtroi funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Vlorës, ku njëkohësisht mbajti edhe detyrën e zëvendës drejtuesit (2014–2015). Në Prokurorinë e Vlorës spikati me një dosje të bujshme, ajo ndaj ish kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Braho e hetoi dhe e çoi në gjyq kryebashkiakun e Vlorës për për shpërdorim detyre dhe falsifikimin e dokumenteve në dhënien e lejeve të ndërtimit.
Karriera e Klodian Brahos tij do të marrë një kthesë të rëndësishme në vitin 2015, me emërimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë katër viteve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një prej dosjeve më të bujshme të Klodian Brahos ishte ajo për hetimin e ish- Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, një ndër çështjet e para që u bënë simbol për llogaridhënien në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.
Në punën e tij si prokuror i SPAK, Braho ka pasur në duar çështje me një ndikim të gjerë publik. Ai është prokurori që hetoi rastin e inceneratorit të Elbasanit, duke lëshuar urdhër-arrest për persona kyç si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe duke veçuar hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Dosja e inceneratorit të Elbasanit është e vetmja që tashmë ka një vendim të formës së prerë, me 9 të dënuar, mes të cilëve ish ministri i Mjedisit Lefter Koka që u dënua me 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, dënim të cilin Braho e kërkoi dhe e mori në Apelin e GJKKO.
Po ashtu, prokurori Braho ka udhëhequr hetimin e dosjes “5D”, ku në gjyq përfunduan ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër çështje e rëndësishme e ndjekur prej tij është dosja “Toyota Auris”, e cila përfshin disa fraksione hetimore dhe persona të drejtësisë.
Braho është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndodhet nën proces gjyqësor për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit./K.M
Emri i tij është ende sot legjendar: Jakobi quhej si ‘i pasuri’ që në të gjallë të tij. Por rëndësia e tij shkon përtej pasurisë. Tregtari dhe bankieri nga Augsburgu në Gjermaninë jugore vendosi shinat për ekonominë e kohës moderne. “Për Fugge-n mund të thuash se ishte njeriu i parë, që bëri tregti në shkallë globale”, thotë Greg Steinmetz në një intervistë për DW.
Në 2015 ish-korrespondenti gjerman i Wall Street Journal e përkujtoi Fugger-in me biografinë “The Richest Man Who Ever Lived” (Njeriu më i pasur që ka jetuar ndonjëherë). Përpara se Karli V, që ishte edhe perandor i Perandorisë së shenjtë romake të kombit gjerman dhe mbret i Spanjës, të vendoste nën kontrollin e tij Amerikën e Jugut, nuk bëhej shumë tregti me pjesët e tjera të botës. “Nga Evropa tregtia behej me Indinë, me Indonezinë e sotme dhe Kinën. Por udhëtimet për në perëndim u bënë të mundura vetëm pas Kolombit. Pra kur flasim për tregtinë ndërkombëtare, ajo ishte me shumicë. A kishte tregti globale? Jo, sepse vetëm gjysma e botës ishte zbuluar nga evropianët. Dhe Fugger u gjend në fillim të këtij fenomeni”, thotë biografi i tij.
Arsimimi në Itali
Jakob Fugger lindi në një familje të pasur në Augsburg, themelet e së cilës i kishte hedhur gjyshi i tij Hans Fugger si endës mjeshtër. Në Venecia ai mësoi tregtinë dhe zhvilloi preferencën e tij për Rilindjen. Venecia e njohu me një inovacion, i cili përshpejtoi ngritjen e tij: mbajtjen e kontabilitetit me dy hyrje.
“Në atë kohë nuk kishte shkolla biznesi. Familjet i dërgonin djemtë e tyre në praktikë dhe gjermanët bënin shumë tregti në Venecia. Fugger u dërgua nga familja e tij në Venecia për të punuar dhe për të mësuar gjithçka që mundej. Ai mori me vete në Gjermani të gjitha sekretet veneciane, përfshirë kontabilitetin me dy hyrje dhe ishte i pari në Gjermani, që zbatoi këto metoda moderne”, shpjegon Greg Steinmetz.
Kështu Fugger e dinte gjithmonë, se sa para kishte, ndryshe nga shumë konkurrentë që vepronin pa regjistrime të sakta. Fugger kuptoi gjithashtu vlerën e informacioneve. “Ai kishte agjentë në çdo qytet të madh evropian dhe madje edhe në çdo qytet të Gjermanisë. Dhe njerëzit e furnizonin me informacione, me korrier dhe kalë dhe çdo mënyrë tjetër që mund t’i çoheshin këto mesazhe Fugger-it. Informacioni është gjithçka sot dhe kështu ishte edhe atëherë”, thotë Steinmetz. ” Ai që ishte në dijeni më herët për zhvillimet dhe i përdorte ato për biznes, ishte në avantazh. Dhe Fugger e kishte kuptuar këtë”.
Financuesi i Perandorëve
Pas vdekjes së vëllezërve të tij Jakob Fugger mori kontrollin e plotë të biznesit familjar në vitin 1510 dhe vazhdoi politikën e sigurimit të kredive për familjen e Habsburgëve nën perandorët Maksimilian I dhe Karli V. Ai fitoi akses në minierat e argjendit dhe të bakrit, kryesisht në Tirol dhe në Hungarinë e atëhershme. Ai nuk i zotëronte vetë minierat, por mbante të drejta për kërkimin, aksione dhe të drejta parablerjeje për xehet, një garanci që do të rezultonte shumë fitimprurëse.
Evropa ofronte pak nga ajo që kërkohej në atë kohë në Azi. “Evropa nuk eksportonte teknologji si sot. Nuk eksportonte mallra luksi. Nuk eksportonte makina. Por ajo kishte metale si argjendi, ari dhe bakri. Dhe këtu hyri në lojë Jakob Fugger”, shpjegon biografi i Fugger-it.
Bakër për botën
“Një rastësi shumë fatlume për koncernin minierar Fugger ishte fakti që në Indinë e asaj kohe, shumë më superiore se Evropa në teknologji dhe ekonomi, mungonte bakri dhe kërkesa për të ishte shumë e lartë”, thotë Martin Kluger për DW. Ai drejton shtëpinë botuese Context në Augsburg dhe Nuremberg dhe është autor i disa librave mbi historinë e familjes Fugger. “Një rastësi tjetër ishte se Vasco da Gama në vitin 1498 zbuloi rrugën detare për në Indi, pak pasi familja Fugger hyri në biznesin e minierave të bakrit në Neusohl – sot Banská Bystrica – në vitin 1495. Pra në një kohë kur kërkesa për bakër ishte më e lartë se kurrë, familja Fugger kishte rezerva, që morën papritmas vlerë shumë të madhe”, thotë Kluger.
Edhe në Evropë u rrit kërkesa për bakër në ndërtimin e anijeve, topave, për enët e kuzhinës, çatitë e pallateve të qyteteve dhe ndërtesave fetare. Sipas Kluger familja Fugger u “detyrua” si të thuash të hynte në biznesin e minierave: Habsburgët dhe mbreti i Hungarisë mezi i shlyenin borxhet, kështu që ata i dhanë asaj të drejta mbi minierat. “Fakti që aristokracia e lartë nuk ishte aq e aftë në biznes, shkonte në avantazh të familjes Fugger”, thotë Kluger.
Sipas Greg Steinmetz arsyeja pse Fugger nuk u shfuqizua nga huamarrësit e tij të fuqishëm, ose përse ata nuk refuzuan t`ia shlyenin atij kreditë, ishte “talenti i madh i Fugger: Ai e dinte se duhej të bëhej i domosdoshëm për të mbijetuar. Ai duhej të ishte personi i vetëm, tek i cili mund të drejtoheshin perandorët dhe princat, kur kishin nevojë urgjente për para. Perandori Maksimilian bënte vazhdimisht luftëra. Atij i duhej të paguante mercenarët, të cilët përndryshe do të ktheheshin në fshatrat e tyre dhe nuk do të luftonin për të”, thotë Steinmetz. “Dhe i vetmi, që mund t’i siguronte Maksimilianit shpejt paratë kur i nevojiteshin, ishte Fugger”.
Trashëgimia e Fugger-it
Si bankier Fugger revolucionarizoi kredinë, duke e bindur Papën të lehtësonte ndalimin nga kisha të fajdesë. Marrja e interesit nga të krishterët nuk u sanksionua më automatikisht. Arsyeja ishte e thjeshtë: “Nëse lexoni burimet përfshirë ato nga Vatikani, nuk është sekret që edhe Papa preferonte të nxirrte fitimet më të larta të mundshme”, u shpreh historiani i ekonomisë Lars Bërner në radion Deutschlandfunk.
Në këmbim Fugger mori një pjesë të të ardhurave të klerit, përfshirë shitjen kontroverse të indulgjencave, të cilat financuan kishën e shën Pjetrit në Romë dhe e shtynë Martin Luterin të ndërmerrte veprime. “Mund të debatojmë rreth asaj se si i modernizoi financat, si u mundësoi njerëzve të merrnin para hua me kamatë, si i ndihmoi Habsburgët të pushtonin gjysmën e botës, si e shkaktoi pa qëllim Reformacionin, duke zemëruar Martin Luterin. Por ajo që mbahet mend natyrisht, është projekti i tij i strehimit në Augsburg: Pa Fuggerei ( një lagje me ndërtesa sociale në Augsburg) askush përveç historianëve nuk do të fliste për Fugger, sepse ky ishte projekti i parë i strehimit social në botë”, thekson Steinmetz.
Fuggerei ekziston edhe sot. Banorët paguajnë nominalisht të njëjtën qira si para 500 vjetësh dhe apartamentet konsiderohen si model i strehimit social. Njerëz nga e gjithë bota vizitojnë kompleksin, ndoshta simboli më i dukshëm i trashëgimisë së Fugger.
Pasurinë e Fugger historianët e vlerësojnë të ketë qenë ndërmjet 300 deri në 400 miliardë dollarë amerikanë. Në varësi të llogaritjes ajo përbënte ndërmjet dy dhe dhjetë përqind të prodhimit ekonomik të Evropës të asaj kohe duke qenë kështu më shumë se pasuria e super të pasurve të sotëm si Elon Musk apo Jeff Bezos në raport me prodhimin ekonomik të SHBA. Për më tepër pasuria e tyre luhatet ndjeshëm në varësi të çmimit të aksioneve të kompanive të tyre në bursa. Ngjashëm me Jakob Fugger, Bill Gates, që dikur ishte vetë personi më i pasur në botë, po punon për trashëgiminë e tij me një fondacion. Megjithatë, thotë historiani i biznesit Boris Gehlen në intervistë me DW, miliarderët e sotëm kanë më pak rëndësi historike afatgjatë: “Trashëgimia e tyre nuk do të jetë aq e madhe sa ajo e Fugger”./K.M
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Groenlandë.
“Jeff e kupton sa thelbësore është Groenlanda për Sigurinë tonë Kombëtare dhe do të përparojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Shtëpia e Bardhë, Zyra e Kryeministrit të Groenlandës dhe përfaqësuesit e Landry nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Trump ka thënë disa herë gjatë viteve se Groenlanda, një territor danez që kryesisht qeveris veten, duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke përmendur arsye sigurie dhe një interes në burimet minerale të ishullit./K.M
Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën – është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.
NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?
Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.
Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.
Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.
Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.
Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.
Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.
Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.
Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.
Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë – anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën – ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.
“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor – Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës – për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.
Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.
“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.
Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë – ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.
Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.
“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.
Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.
Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.
“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.
“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO – proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.
Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.
E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike./K.M
Deputetja e PD, Albana Vokshi, përmes një mesazhi në rrjetin social facebook, i bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e së hënës, më 22 dhjetor, para Kryeministrisë.
Vokshi shkruan se kur padrejtësia bëhet normë, protesta bëhet domosdoshmëri.
“Kjo nuk është thirrje. Është alarm. 22 dhjetor | Ora 18:00 | Tek Kryeministria. Të gjithë në këmbë. Pa përjashtim”, shkruan deputetja demokrate, Albana Vokshi./K.M
Një jaht i sapo ndërtuar u përmbys dhe u fundos brenda pak minutash në Turqi. Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë jahtin luksoz 24-metërsh “Dolce Vento” teksa fundohet në brigjet e Ereglit, Turqi.
Nga incidenti nuk u lëndua askush pasi pronari, kapiteni dhe dy anëtarë të ekuipazhit arritën të hidheshin në det dhe të notonin të sigurt drejt tokës./K.M
Mosha e 2,2 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit është mjaft e re sipas të dhënave nga Ces Hub i Bashkimit Europian.
Shumica e vendeve të BE zhvilloi censet e popullsisë më 2021, nga të cilat u evidentua popullata e emigrantëve sipas vendeve të origjinës dhe mosha e saj.
Në total 70% e shqiptarëve që jetojnë në BE janë deri në 45 vjeç. Mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), me grup-moshën 30–49 vjeç që dominon fort, me 40.7% të totalit. Kjo peshë është pothuajse identike si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i kufizuar kryesisht te meshkujt, por ka marrë një karakter familjar dhe më të balancuar gjinor.
Sakaq, struktura e popullsisë rezidente në Shqipëri është dukshëm më e plakur. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur.
Përkundrazi në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa moshat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshme (0.3%), çka tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht një emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.
Edhe grup-mosha nën 15 vjeç ka një peshë të konsiderueshme në diasporë me 19%, çka tregon praninë e familjeve emigrante dhe një proces më të qëndrueshëm vendosjeje jashtë vendit. Ndërsa në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.
Në terma ekonomikë dhe demografikë, grafiku konfirmon se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të vjetër.
Ndërsa jashtë vendit shqiptarët janë kryesisht në moshat që kontribuojnë në rritje ekonomike, brenda vendit barra mbi sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe financave publike është në rritje.
Sipas të dhënave të fundit nga Cens Hub emigrimi në dekadën e fundit shënonte 56 % meshkuj në Gjermani, 53 % në Greqi dhe 51 % meshkuj në Itali. Shtetas shqiptarë që jetojnë në Evropë figurojnë të jenë të një moshe të re, edhe në raport me strukturën e popullssisë së vendeve pritëse.
Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ai është i dokumentuar të paktën që në shekujt e pesëmbëdhjetë dhe të gjashtëmbëdhjetë, me largimin e një mase të madhe banorësh nga trevat shqiptare. Akoma vazhdon të mbetet veprues dhe të japë impaktet e tij domethënëse, si në aspektet demografike, po ashtu edhe në ato sociale dhe ekonomike të vendit./K.M
Më 22 dhjetor 2025, në Shqipëri pritet mot tipik dimëror, me vranësira të herëpashershme dhe kthjellime lokale. Temperaturat do të jenë relativisht të buta për stinën, me vlera maksimale rreth 11–14°C dhe minimale 3–7°C.
Reshje shiu mund të shfaqen në mënyrë të izoluar, kryesisht në veri dhe zonat malore, ku në lartësi të mëdha nuk përjashtohet bora. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare.
Në përgjithësi, dita parashikohet e qëndrueshme, pa fenomene ekstreme./KM
Po i afrohemi me hapa të shpejtë Krishtlindjes dhe qielli i kësaj të hëne, 22 dhjetor 2025, paraqitet i pasur me sinjale interesante.
Me Diellin që sapo ka hyrë në shenjën e Bricjapit, energjia e përgjithshme anon drejt konkretësisë dhe planifikimit.
Në këtë horoskop ditor do të shohim se si Hëna dhe planetët e shpejtë ndikojnë në zgjedhjet tuaja në dashuri dhe në punë.
Dashi
Horoskopi i Paolo Fox për këtë të hënë ju sheh veçanërisht energjikë, të dashur Dash. E nisni këtë javë parafestive me një forcë për t’u admiruar falë Marsit të favorshëm. Në punë, nëse keni kërkesa për të bërë, është momenti i duhur për të ngritur zërin, por me diplomaci. Në dashuri, beqarët mund të bëjnë njohje të papritura: mos qëndroni të mbyllur në shtëpi. Hëna ju këshillon të mos jeni shumë impulsivë në përgjigje; ndonjëherë heshtja vlen më shumë se një mijë fjalë. Është një e hënë ndërtuese, ideale për të mbyllur çështjet e mbetura pezull para festave.
Demi
Sipas horoskopit të Paolo Fox, Demi po kalon një fazë reflektimi të thellë. Me Diellin në trigon nga Bricjapi, ndjeni nevojën për stabilitet. Ju mund të përballeni me një çështje burokratike ose ekonomike që e keni shtyrë prej kohësh; përballojeni me qetësi. Në dashuri, ka dëshirë për butësi: nëse partneri ka qenë i distancuar, keni mundësinë për një sqarim vendimtar. Mos e nënvlerësoni intuitën tuaj. Horoskopi sugjeron t’i kushtoni më shumë vëmendje ushqimit, pasi stresi i akumuluar së fundmi mund të ndihet pikërisht tani që festat po afrohen.
Binjakët
Të dashur Binjakë, horoskopi i Paolo Fox për të hënën 22 ju paralajmëron për disa tensione nervore të vogla. Hëna disonante mund t’ju bëjë paksa kritikë ndaj atyre që ju rrethojnë. Në punë, përpiquni të mos shpërndani energjitë në shumë projekte njëherësh: më mirë një gjë e bërë mirë sesa disa të lëna përgjysmë. Në dashuri, nevojitet pak më shumë durim; mos ushqeni polemika të kota. Nga mbrëmja situata përmirësohet ndjeshëm. Ky horoskop ditor ju fton në kujdes verbal: peshojini mirë fjalët para se të flisni me një epror apo familjar.
Gaforrja
Horoskopi i Paolo Fox për këtë të hënë sjell lajme të mira për Gaforren. Yjet favorizojnë ndjenjat dhe pajtimet. Nëse ka pasur një largim, mund të merrni një sinjal pozitiv. Në punë, kreativiteti juaj është në maksimum: mos kini frikë të propozoni idetë tuaja, edhe nëse duken jashtë skemave. Kjo e hënë është perfekte për të planifikuar muajt e ardhshëm, sepse keni një vizion të qartë të dëshirave tuaja. Horoskopi ju këshillon të rrethoheni me njerëz të dashur; ngrohtësia familjare do të jetë forca juaj e vërtetë në këtë ditë të funddhjetorit.
Luani
Sipas horoskopit të Paolo Fox, Luani është gati të gjëmojë sërish. Këtë të hënë ambicia juaj shpërblehet, sidomos nëse punoni në fusha tregtare ose krijuese. Jeni në qendër të vëmendjes dhe kjo ju kënaq shumë. Në dashuri, megjithatë, bëni kujdes të mos e lini pas dore partnerin duke i dhënë shumë rëndësi imazhit apo sukseseve personale. Ky horoskop thekson rëndësinë e dëgjimit. Nga mbrëmja mund të ndjeni një rënie energjie që ju sugjeron të pushoni pak më shumë. Mos e teproni me angazhimet shoqërore, java sapo ka nisur.
Virgjëresha
Horoskopi i Paolo Fox e sheh Virgjëreshën protagoniste falë një aspekti shumë të mirë të Diellit. Jeni metodikë dhe të organizuar, cilësi që do t’ju lejojnë të zgjidhni një problem të ndërlikuar në punë. Në dashuri, stabiliteti që kërkoni është afër; për çiftet afatgjata është momenti për plane të rëndësishme për të ardhmen. Horoskopi tregon se shëndeti është në përmirësim, por mos e teproni me lodhjen. Kushtojini kohë vetes dhe hobive tuaja: mendja ka nevojë për çlodhje që të mbetet e kthjellët.
Peshorja
Të dashur Peshore, ju jeni duke u përballur me disa dyshime të brendshme. Mund të ndiheni nën presion për shkak të përgjegjësive familjare të tepërta. Këtë të hënë 22 përpiquni të krijoni një hapësirë vetëm për veten që të mos shpërtheni. Në punë, është më mirë të mos bëni hapa të nxituar; mbani profil të ulët dhe vëzhgoni lëvizjet e të tjerëve. Në dashuri, ka nevojë për qartësi: mos i mbani gjërat brenda vetes. Ky horoskop ju inkurajon të kërkoni harmoninë e brendshme përmes meditimit ose një shëtitjeje relaksuese, duke shmangur konfliktet e panevojshme.
Akrepi
Sipas horoskopit të Paolo Fox, Akrepi përjeton një ditë me intensitet të lartë emocional. Jeni magnetikë dhe bindës, të aftë të fitoni këdo në anën tuaj. Në punë, një intuitë e fortë mund t’ju çojë drejt një suksesi të papritur. Në dashuri, pasioni është në kulm; është momenti ideal për t’u shprehur ose për të jetuar çaste të paharrueshme me partnerin. Horoskopi ju këshillon t’i besoni instinktit tuaj, i cili rrallë gabon. Kjo e hënë mund të jetë një ditë për t’u mbajtur mend, mjafton të mos i dorëzoheni xhelozisë apo kontrollit të tepruar.
Shigjetari
Shigjetari shihet të jetë ende i përkëdhelur nga fati. Edhe pse Dielli ka dalë nga shenja juaj, ndikimet pozitive të planetëve të shpejtë vazhdojnë të ndihen. Është një e hënë dinamike, ideale për ata që duhet të udhëtojnë ose të mbyllin marrëveshje të rëndësishme. Në dashuri, ka dëshirë për aventurë dhe risi: beqarët duhet të shikojnë përreth me optimizëm. Ky horoskop ju këshillon të menaxhoni më mirë financat; shpenzimet për dhuratat e Krishtlindjes mund të kenë qenë të tepruara. Ruani entuziazmin, por qëndroni me këmbë në tokë.
Bricjapi
Urime të lindurve në këtë shenjë! Horoskopi i Paolo Fox për të hënën 22 ju sheh protagonistë absolutë me Diellin në shenjën tuaj. Keni një vendosmëri të hekurt që do t’ju lejojë të kapërceni çdo pengesë profesionale. Në dashuri, është koha e sigurisë: nëse një lidhje nuk funksionon, do të keni guximin ta mbyllni; nëse është e fortë, do të hidhni një hap përpara. Ky horoskop tregon një të hënë rilindjeje të madhe. Autoriteti juaj njihet nga të gjithë dhe fjala juaj këtë fillimjavë ka peshë. Përfitoni për të vendosur rregull në jetën tuaj dhe për të synuar drejtpërdrejt objektivat.
Ujori
Sipas horoskopit të Paolo Fox, Ujori ndien nevojën për liri dhe rinovim. Rutinat e zakonshme ju duken të ngushta dhe do të përpiqeni të largoheni, qoftë edhe vetëm mendërisht. Në punë, mund t’ju vijë një ide revolucionare: mos kini frikë të dukeni “të çuditshëm”, origjinaliteti është pika juaj e fortë. Në dashuri, kërkoni një bashkëpunëtor mendimesh më shumë sesa thjesht një partner; për ju, përputhja mendore është thelbësore. Ky horoskop ju këshillon të mos jeni kokëfortë në diskutime grupi. Pak fleksibilitet do ta bëjë ditën më të lehtë.
Peshqit
Peshqit shfaqen të zhytur në një atmosferë ëndërrimtare, por produktive. Hëna mbron ndjenjat tuaja dhe ju dhuron empati të madhe ndaj të tjerëve. Në punë, bashkëpunimet favorizohen: bashkimi i forcave me një koleg sjell rezultate shumë të mira. Në dashuri, lëreni zemrën t’ju udhëheqë dhe mos kini frikë të tregoni ndjeshmërinë tuaj. Horoskopi sugjeron t’ia kushtoni mbrëmjen relaksit të plotë. Një libër i mirë ose një film emocional do t’ju ndihmojë të rikarikoni energjitë përballë angazhimeve festive që po afrohen./KM
Në një kohë kur rrjetet sociale dhe përmbajtjet e shkurtra dominojnë vëmendjen e publikut, librat klasikë po përjetojnë një rikthim të papritur, veçanërisht mes të rinjve. Veprat e autorëve të mëdhenj botërorë dhe shqiptarë po lexohen sërish, jo vetëm si detyrime shkollore, por si burim reflektimi, identiteti dhe thellimi kulturor.
Studiuesit e letërsisë shpjegojnë se brezi i ri po kërkon tek klasikët përgjigje për pyetje që mbeten aktuale edhe sot: dashuria, morali, pushteti, liria dhe konflikti i brendshëm i njeriut. Ndryshe nga përmbajtjet e shpejta digjitale, librat klasikë ofrojnë kohë për reflektim dhe një lidhje më të thellë emocionale me tekstin.
Një rol të rëndësishëm në këtë rikthim po luajnë edhe botimet e reja, me përkthime të përditësuara dhe dizajn modern, të cilat i bëjnë veprat klasike më tërheqëse për lexuesin e sotëm. Gjithashtu, klubet e librit, diskutimet online dhe rekomandimet në rrjetet sociale kanë ndikuar në afrimin e të rinjve me letërsinë e vjetër.
Ekspertët theksojnë se ky interes nuk është thjesht një modë kalimtare, por një shenjë e nevojës për thellësi kulturore në një shoqëri gjithnjë e më të shpejtë. Rikthimi te librat klasikë shihet si një formë rezistence ndaj sipërfaqësisë dhe si një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë letrare për brezat e ardhshëm./KM
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe komentatorit legjendar të sportit, Ismet Bellovës.
Duka shkruan se Bellova ka komentuar në ditë të vështira e historike të sportit shqiptar, ndërsa e cilëson si një mjeshtër të fjalës dhe profesionist të rrallë që me zërin e tij shoqëroi breza të tërë.
Postimi i plotë:
Komentatori i shquar i Radio Tiranës, zëri unik i futbollit shqiptar, që ka komentuar në ditë të vështira e historike të sportit shqiptar, mjeshtër i fjalës dhe profesionist i rrallë, që me zërin e tij shoqëroi breza të tërë, profesor dhe mik i mirë, i respektuar nga i madh e i vogël për gjurmën që la, ndërroi jetë pasi jetoi gjithmonë si një njeri shumë i dashur.
Prehu në paqe Ismet Bellova. Zëri yt i paharruar dhe fisnikëria jote do të jetojnë gjatë në zemrat e atyre që u rritën duke të dëgjuar. Do të të kujtoj gjithmonë me respekt dhe mall./K.M
Në episodin e sotëm të podcastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për betimin e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit dhe trazirat në seancën e fundit plenare. Rama tha se opozita iu rikthye vesit që “del me shpirtin”.
Ai shtoi se opozita doli kundër Shabanit për Avokat të Popullit, sapo mazhoranca tha se do të mbështesnin kandidaturat që sillnin ata. Hedhjen e firmave dhe më pas kundërshtimin për Shabanin, Rama e ka cilësuar si “qesharake”.
“Një tjetër zhvillim i ndodhur këtë javë ka qenë edhe betimi në Kuvendin e Shqipërisë i Endrit Shabani si Avokati i ri i Popullit. Opozita iu rikthye vesit që del me shpirtin, rivuri në punë muskulaturën e krahëkëmbëve, rindezi pishtarët e ecjes qorrazi nëpër pyll dhe rifilloi avazin e kërcënimeve për llogari të një dordoleci thuajse 100 vjeçar.
Pra e mbështetën Endri Shabanin, i dhanë firmat e kërkuara nga ligji, e sollën në buqetën e tyre të kandidatëve, ku për hir të së vërtetës, ky zotëria ishte i vetmi me një sy mes ca qorrave të ububushëm dhe sapo panë që ne, – që thamë që në krye të herës, nuk do të mbështesim asnjë kandidaturë, por do presim që të mbështesim një nga kandidaturat që do të na sjellë opozita – do ta mbështesnim zotin Shabani, u hodhën përpjetë sikur po bënim avokat të popullit ndonjë kandidatin tonë.
Qesharak deri në fund domethënë, po përveçse qesharakë edhe të lodhur deri në fund nga mendja, që nuk ua nxjerr e nuk ua nxjerr mësimin se me pahir e me budallallëk, mua dhe kësaj shumice popullore që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, jo ata, po askush në këtë vend nuk na imponon dot asgjë. Pahiri dhe budallallëku janë një gjuhë që ne nuk e kuptojmë.
Endri Shabani ka thënë shumë gjëra kundër nesh e kundër meje personalisht sa të duash, por ne e zgjodhëm si kandidat të opozitës, duke respektuar parimin e ndjekur edhe më parë, pavarësisht se këtë herë i kishim edhe mbi 84 votat e nevojshme e po të ishim ata që nuk jemi, por që ata thonë se ne jemi, mund të zgjidhnim kë të donim, por nuk e bëmë. Kurse ata që u bënë pishman, mend për herë tjetër”, tha Rama./K.M
Ambasada amerikane ka paralajmëruar se mashtrimi për martesë konsiderohet krim federal në SHBA dhe çon në dënime serioze.
Në postimin në rrjetet sociale, ambasada bën thirrje personave që duan të futen në SHBA, të kryejnë një process të ligjshëm emigracioni me dokumentacionin e duhur.
Postimi i plotë:
Mashtrimi për martesë është një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe mund të çojë në dënime serioze. Gjithmonë zgjidhni një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të siguruar dokumentacionin e duhur. /KM
Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë në hyrje të podkastit të tij, se Kuvendi i Shqipërisë nuk do të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit zv.kryeministres Belinda Balluku deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehet për çështjen në fjalë.
Kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetit për Ballukun ,erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shyqyrtuar kërkesën e qeverisë për pezullimin e saj dhe rrjedhimisht duke e rikthyer në detyrë deri në marrjen e një vendimi.
Mbledhja e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete.
“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie.
E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër. Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.
Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, tha Rama./K.M
Sekretari i Partisë së Lirisë Tedi Blushi u shpreh se Partia e Lirisë mbështet këdo që proteston kundër regjimit.
Në një intervistë, Blushi u pyet lidhur me protestën e Adriatik Lapajt, për të cilën u shpreh skeptik.
Blushi theksoi se vlerëson protestën por nuk besoj në “sinqeritetin e aksionit të tij në politikë”.
“Kushdo që proteston ndaj regjimi kriminal, meriton të përshëndetet. Por e kam të vështirë të besoj në sinqeritetin e aksionit të tij në politikë. Unë vlerësoj moralin politik, koherencë dhe mbrojtjen e interesit publik. Tre shtylla që PL me presidentin e saj në burg i ka mbrojtur. Dhe vështirë të gjej koherencën e një tjetër politikani. Vlerësoj protestën, por kur vjen puna tek morali politik kam dyshimet e mia”, tha Blushi./KM
Fluksi i pasagjerëve në Portin e Vlorës po shënon rritje të ndjeshme në ditët e fundit, në kuadër të lëvizjeve të fundvitit. Gjatë mëngjesit të së dielës kanë mbërritur në Vlorë 692 pasagjerë dhe 147 automjete me tragetin e linjës Brindisi–Vlorë, duke reflektuar intensifikimin e udhëtimeve drejt Shqipërisë për festat e fundvitit.
Dhjetëditëshi i fundvitit 2025 ka sjellë një fluks të shtuar në këtë port, ku qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit po kthehen për të kaluar festat pranë familjeve të tyre. Sipas të dhënave zyrtare, një ditë më parë në Portin e Vlorës kanë mbërritur 288 pasagjerë.
Autoritetet portuale bëjnë me dije se lëvizjet pritet të vijojnë me intensitet edhe në ditët në vijim. Parashikohet që piku i fluksit të regjistrohet në datat 23–24 dhjetor, si dhe në periudhën 26–29 dhjetor, kur numri i udhëtarëve dhe automjeteve do të jetë më i lartë. Përballë këtij fluksi, strukturat portuale dhe shërbimet përkatëse janë angazhuar për të garantuar përpunimin normal të pasagjerëve dhe mjeteve, si dhe për të shmangur vonesat apo problematikat gjatë procedurave të hyrje-daljeve.”/KM
Kryepiskopi i sapoemëruar i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joani, ka zhvilluar sot vizitën e tij të parë në qytetin e Shkodrës pas marrjes së kësaj detyre të rëndësishme.
Gjatë qëndrimit në Shkodër, Fortlumturia e Tij Joani mori pjesë në meshën e shenjtë të mbajtur në Kishën Ortodokse të qytetit, ku u prit nga besimtarë dhe klerikë vendas.
Pas ceremonisë fetare, Kryepiskopi pritet të zhvillojë disa takime institucionale në Bashkinë Shkodër, si dhe takime me përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, në frymën e dialogut dhe bashkëjetesës ndërfetare./K.M
Shumë njerëz pyesin veten pse një gabim i vogël apo një moment i sikletshëm mund të mbetet në mendje për vite, ndërsa ngjarjet pozitive harrohen më shpejt. Shkenca ka një shpjegim: truri është i programuar të mbajë mend përvojat që lidhen me rrezik ose turp, si një mekanizëm mbrojtës.
Këto kujtime aktivizojnë zona të veçanta të trurit që lidhen me emocionet, duke i bërë ato më të forta dhe më të qëndrueshme. Psikologët sugjerojnë se mënyra më e mirë për t’i zbutur këto kujtime është pranimi dhe rishikimi i tyre me perspektivë më realiste, duke kuptuar se shumica e njerëzve nuk i mbajnë mend gabimet tona aq sa mendojmë./KM