Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Gazeta Fjala

14:55 “Do t’i djeg me benzinë”/ Kërcënoi me hakmarrje autorët e v*asjes së të birit, procedohet penalisht babai i Martin Çeços

By: EL
16 January 2026 at 14:55

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Policia e Korçës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj babait të Martin Çeços, i cili kërcënoi publikisht me vetëgjyqësi dhe hakmarrje tre autorët e dyshuar të vrasjes së të birit, ngjarje e ndodhur tre vite më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, nën hetim është marrë Nevzat Çeço, 70 vjeç, banues në fshatin Kolanec të bashkisë Maliq. Procedimi penal u referua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq për veprën penale “kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”.

Ngjarja lidhet me reagimin e të moshuarit një ditë më parë, më 15 janar, pas vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila ndryshoi masën e sigurisë për tre autorët e dyshuar të vrasjes së Martin Çeços, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpiak”. Pas këtij vendimi, 70-vjeçari u shpreh publikisht se do të hakmerrej ndaj tyre duke i djegur me benzinë dhe se më pas do të vetëflijohej, duke deklaruar se nuk mund ta pranonte lirimin e tyre.

Policia bën me dije se kërcënimet janë bërë në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku Nevzat Çeço ka kanosur për jetën autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2022./et

14:40 Media greke e ‘kryqëzoi’ për batuat/ Rama: I mahnitur nga politikanët e lodhur grekë, nuk kuptojnë as humorin

By: EL
16 January 2026 at 14:40

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas artikullit të publikuar nga media greke Protothema, ku batutat e shkëmbyera në konferencën e një dite më parë në Abu Dhabi me moderator grekun John Defterios, u trajtuan si ironi dhe ofendime për të dhe Greqinë.

Rama e cilëson median Protothema si media nacionaliste që i shërben “ndonjë politikani të lodhur grek” dhe se nuk ka asgjë tjetër në atë artikull përveç se deformim të kontekstit humoristik të batutave të shkëmbyera në atë panel.

“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!

Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!

Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!

U kuptuam? Shpresoj po.

Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit!

Kaq”, shkruan Rama./et

14:34 Arratisjet që testuan sistemet penitenciare të Europës

By: EL
16 January 2026 at 14:34

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Siguria e institucioneve penitenciare dhe korrektuese mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtetet europiane. Pavarësisht mureve të larta, kamerave dhe stafit të trajnuar, viti 2023 tregoi se sistemet e burgjeve nuk janë të paprekshme. Një numër i konsiderueshëm të burgosurish arriti të largoheshin, shpesh gjatë transferimeve, lejeve apo edhe nga burgjet me siguri të lartë, duke nxitur pyetje mbi funksionimin, organizimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve penitenciare.

Në Francë, shifrat ishin më të larta se kudo tjetër: 1,201 të burgosur u arratisën gjatë vitit. Shumë raste ndodhën gjatë lejeve dhe transferimeve, duke treguar se edhe procedurat që supozohet të jenë të sigurta mund të kenë dobësi.

Në veri të kontinentit, Zvicra regjistroi 371 raste arratisjesh, Suedia 156 dhe Austria 150. Edhe këto shifra, ndonëse më të ulëta se në Francë, tregojnë se as sistemet më të disiplinuara nuk janë imunë ndaj sfidave. Në vendet nordike dhe në Zvicër, ku teknologjia dhe standardet e mbikëqyrjes janë më të avancuara, mungesa e stafit dhe presioni mbi burimet njerëzore shpesh krijojnë vrima në sistem.

Në Europën Jugore, Italia dhe Spanja u përballën me probleme të ngjashme. Italia regjistroi 102 arratisje, ndërsa Spanja 68, shumica nga administrata shtetërore. Burgjet në këto vende përballen me mbipopullim, staf të rraskapitur dhe mungesë investimesh në infrastrukturë, duke e bërë më të lehtë për disa të burgosur të gjejnë rrugë daljeje.

Edhe vendet më të vogla të Europës nuk mbetën jashtë fenomenit. Luksemburgu raportoi 29 arratisje, Danimarka 28, Belgjika 22 dhe Norvegjia 19. Këto shifra tregojnë se sfida e sigurimit të burgjeve nuk lidhet vetëm me madhësinë ose fuqinë ekonomike të një vendi, por edhe me organizimin e brendshëm dhe kulturën e menaxhimit të burgjeve.

Në Ballkan, arratisjet ishin më të pakta në numër, por jo më pak të ndjeshme. Maqedonia e Veriut regjistroi 33 raste, Bosnje dhe Hercegovina 11, dhe Serbia, Greqia dhe Kroacia nga 3 secila.

Vendet si Portugalia (9 raste), Irlanda dhe Rumania (nga 6 secila), Sllovenia (5), si dhe Letonia, Armenia dhe Moldavia (nga një ose dy raste) tregojnë se fenomeni është i përhapur në të gjithë kontinentin. Praktikisht askush nuk ishte i përjashtuar.

Rreziku për shoqërinë
Një aspekt që shqetëson autoritetet dhe qytetarët është se shumë nga të burgosurit që arratisen kanë precedentë penal. Shumë janë dënuar për vepra të rënda, përfshirë vjedhje të dhunshme, sulme, trafik droge apo krime të tjera që lidhen me sigurinë publike. Kjo e bën fenomenin më shqetësues: të arratisurit nuk janë vetëm të lirë, por edhe potencialisht të rrezikshëm. Ekspertët e sigurisë theksojnë se monitorimi i tyre pas arratisjes është i vështirë, dhe mungesa e koordinimit ndërkombëtar mund të lejojë që individët me precedentë të lëvizin shpejt mes shteteve, duke rritur rrezikun për komunitetin.

Arratisjet e vitit 2023 nuk janë thjesht statistika. Ato nxjerrin në pah dobësitë strukturore të sistemeve penitenciare dhe nevojën për reforma të qëndrueshme. Fenomeni reflekton presionin mbi stafin, mbipopullimin, procedurat e ndjekura gjatë transferimeve dhe lejeve, si dhe nevojën për koordinim më të madh ndërkombëtar.

Ekspertët e sigurisë dhe analistët e sistemit penal shohin në këto raste një mundësi për të rishikuar standardet dhe praktikat e mbikëqyrjes, duke përmirësuar infrastrukturën, rritur trajnimin e stafit dhe integruar teknologji që mund të parandalojnë arratisjet. Shqipëria për fatin e saj të mirë nuk pati asnjë arratisje përgjatë 2023, por fillim i këtij vitit shijoi arratisjen më të bujshme, atë të Altin Ndocajt./Fjala.al

14:30 Shoferi ishte i dehur, detaje nga aksidenti tragjik ku humbi jetën 18-vjeçarja

By: Kesjana
16 January 2026 at 14:30

Policia njoftoi mesditën e kësaj të premteje, 16 janar, se shkak për aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes te Ura e Dajlanit në Durrës ishte gjendja e dehur e shoferit 26-vjeçar. Për këtë arsye është ndaj tij vendosur arrestimi në flagrancë. Ai ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu, policia thotë se dy këmbësorët të cilët mbetën të plagosur, pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, kanë lënë spitalin. Kujtojmë se nga aksidenti i rëndë, humbi tragjikisht jetën një vajzë 18-vjeçare.

“…Në përfundim të këtyre veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit në të cilin ishte pasagjere shtetasja V. G., shtetasi A. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Nga hetimet rezultoi se 26-vjeçari ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me barrierat anësore të urës dhe ka rënë nga ajo. 26-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 këmbësorët e dëmtuar kanë marrë asistencën mjekësore të nevojshme dhe janë larguar në banesa”, tha policia e Durrësit në një njoftim për media.
Aksidenti ndodhi rreth orës 22:15, të së enjtes. 26-vjeçari dhe viktima udhëtonin me një makinë BMW, dyshohet me shpejtësi tej normave të lejuara. Ata u përplasën fillimisht me trafikndarësen e më pas makina ra nga ura duke përfunduar në një dyqan lulesh, duke plagosur rojen dhe një tjetër person./kb

14:28 Lufra refuzon qumështin e blegtorëve me aflatoksinë, sinjal i mirë për konsumatorin

By: EL
16 January 2026 at 14:28

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Refuzimi i grumbullimit të qumështit të kontaminuar me aflatoksinë nga kompania përpunuese Lufra ka hapur një debat të fortë publik, të artikuluar së fundmi edhe nga deputeti Erjon Braçe, lidhur me vështirësitë që po përjetojnë blegtorët e zonës së Myzeqesë për të shitur prodhimin e tyre. Ndërsa shqetësimi i fermerëve është real dhe i prekshëm ekonomikisht, nga këndvështrimi i sigurisë ushqimore ky veprim përbën një sinjal pozitiv për konsumatorin dhe për standardet e tregut.

Një pjesë e mediave ranë pre e dezinformimit dhe shtrembërimit të informacionit, në disa raste edhe dashakeq, duke theksuar se “deputeti Braçe po akuzonte kompaninë për qumësht me aflatoksinë.”

Por, në fakt, sipas informacioneve të bëra publike, Lufra, në rolin e saj si grumbulluese dhe përpunuese, ka refuzuar të marrë qumësht nga disa ferma pas kryerjes së analizave laboratorike që kanë konstatuar nivele të papranueshme të aflatoksinës. Aflatoksina është një ndotës i rrezikshëm, i lidhur kryesisht me ushqimin e kafshëve dhe kushtet e ruajtjes së tij, dhe prania e saj mbi normat e lejuara përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut. Në këtë kuptim, vendimi për të mos e futur këtë lëndë të parë në zinxhirin e prodhimit nuk është një zgjedhje tregtare arbitrare, por një detyrim ligjor dhe etik.

Nga perspektiva e konsumatorit, ky është një lajm i mirë. Refuzimi i qumështit të kontaminuar do të thotë se produktet që dalin në treg nën markën e kompanisë nuk komprometojnë sigurinë ushqimore dhe nuk transferojnë rrezikun nga ferma te tryeza e qytetarëve. Në një treg ku besimi te cilësia dhe origjina e ushqimit është thelbësor, ky standard veprimi përforcon idenë se siguria e produktit duhet të jetë prioritet absolut, edhe kur kjo sjell kosto apo tensione me furnitorët.

Debati i ngritur nga deputeti Braçe, mbi burimin alternativ të qumështit që përdorin fabrikat, përfshirë aludimet për importe apo avantazhe fiskale, përbën një çështje tjetër, që kërkon transparencë dhe analizë të veçantë nga autoritetet dhe nga vetë industria. Megjithatë, ai debat nuk e zhbën thelbin e situatës konkrete: një përpunues që refuzon lëndë të parë të kontaminuar po vepron në përputhje me interesin publik dhe me standardet e sigurisë ushqimore.

Sfida reale mbetet gjetja e një zgjidhjeje strukturore për blegtorët, të cilët përballen me humbje të menjëhershme kur prodhimi i tyre nuk përmbush kriteret. Kjo kërkon ndërhyrje në hallkat e tjera të zinxhirit, nga kontrolli i ushqimit të bagëtive, te mbështetja teknike dhe financiare për fermerët, por jo kompromis me cilësinë e qumështit që përfundon në treg. Në këtë ekuilibër mes mbrojtjes së prodhuesit dhe mbrojtjes së konsumatorit, rasti i Lufrës tregon se siguria e produktit duhet të mbetet vija e kuqe që nuk kalohet.

14:24 Begaj emëron Komandantin e ri të Forcës Detare, jep dhe grada madhore për disa kolonelë

By: EL
16 January 2026 at 14:24

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Presidenti Bajram Begaj ka liruar nga detyra Komandantin e Forcës Detare, Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra. Në vend të tij, Kreu i Shtetit emëroi Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj.

Begaj ka dhënë edhe disa grada madhore. Për Kolonel Razije Kadri Mehmeti u dha grada madhore “Gjeneral Brigade”.

Ndërkaq, e njëjta gradë madhore u dha për Kolonel Fatmir Sadri Neziraj dhe Kolonel Edmond Abaz Voci.

“Njoftim për media

Tiranë, më 16 janar 2026

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 25, datë 16.1.2026, dekretoi sot lirimin e Nënadmiral Adnand Dëfrim Agastra nga detyra e Komandantit të Forcës Detare.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 26, datë 16.1.2026, dekretoi sot emërimin e Kundëradmiral Arsen Burhan Mullaj në detyrën e Komandantit të Forcës Detare.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 27, datë 16.1.2026, dekretoi sot dhënien e gradës madhore “Gjeneral Brigade” për Kolonel Razije Kadri Mehmeti, me detyrë “Drejtor” në Drejtorinë e Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak J-9 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 28, datë 16.1.2026, dekretoi sot dhënien e gradës madhore “Gjeneral Brigade” për Kolonel Fatmir Sadri Neziraj, me detyrë “Drejtor” në Drejtorinë e Operacioneve dhe Stërvitjes J-3/7 në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, me Dekret nr. 29, datë 16.1.2026, dekretoi sot dhënien e gradës madhore “Gjeneral Brigade” për Kolonel Edmond Abaz Voci, me detyrë “Komandant i Qendrës së Kontroll Raportimit” në Forcën Ajrore.”, thuhet në njoftimin e presidencës./et

14:16 Standardet e BE-së në provë, pse refuzimi i qumështit të kontaminuar është sinjal pozitiv

By: EL
16 January 2026 at 14:16

Last Updated on 16/01/2026 by EL

Qëndrimi i artikuluar sot nga Kryeministri Edi Rama për peshën dhe vështirësinë e dy viteve të ardhshme në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është thjesht një mesazh politik për administratën dhe grupin parlamentar të shumicës. Ai është, në thelb, një paralajmërim për një ndryshim të thellë qasjeje në mënyrën se si vendi prodhon, kontrollon dhe vendos standarde, veçanërisht në sektorë kritikë si siguria ushqimore.

Rama e tha qartë se procesi i negociatave nuk është vetëm teknik, por një barrë e madhe detyrimesh që kërkon qartësi, disiplinë dhe vendimmarrje të fortë. “Shqipëria po përgatitet të hyjë në një treg prej 450 milionë konsumatorësh, ku nuk ka vend për improvizim, tolerancë selektive apo standarde të dyfishta”. Në këtë kuadër, paralajmërimi se vendi është ende larg kritereve të BE-së për sigurinë ushqimore duhet lexuar si një alarm serioz, jo si retorikë politike. Në skenarin më ekstrem të përshkruar prej Kryeministrit, dështimi për të përmbushur këto kritere do të nënkuptonte jo vetëm pamundësinë për të eksportuar, por edhe rrezikun që produkte vendase të mos lejohen të qarkullojnë as në tregun e brendshëm.

Pikërisht në këtë kontekst, rasti i kompanisë Lufra nuk është një episod i shkëputur, por një ilustrim konkret i asaj që do të thotë, në praktikë, standard europian. Refuzimi i grumbullimit të qumështit të kontaminuar me aflatoksinë ka shkaktuar reagime të forta publike, të artikuluara edhe nga deputeti Erjon Braçe, duke vënë në fokus vështirësitë reale ekonomike të blegtorëve të Myzeqesë. Ky shqetësim është i kuptueshëm dhe nuk duhet minimizuar, por ai nuk mund të zgjidhet duke relativizuar sigurinë ushqimore. Ekofin.al disponon rezultatet e analizave ku qumështi i mbledhur nga fermerët ka rezultuar me nivele shumë të larta aflatoksine.

Përtej zhurmës mediatike dhe keqinterpretimit të qëllimshëm apo të pavullnetshëm të deklaratave, faktet janë të thjeshta: analiza laboratorike kanë konstatuar nivele të papranueshme të aflatoksinës, një ndotës serioz që buron kryesisht nga ushqimi i kafshëve dhe mënyra e ruajtjes së tij. Në këto kushte, refuzimi i qumështit nuk është as një manovër tregtare dhe as një akt arbitrar ndaj fermerëve, por një detyrim ligjor dhe etik ndaj konsumatorit. Lejimi i futjes së kësaj lënde të parë në zinxhirin e prodhimit do të nënkuptonte transferimin e rrezikut shëndetësor nga ferma te tryeza e qytetarëve, një praktikë e papranueshme në çdo treg që synon standardet e BE-së.

Nga këndvështrimi i konsumatorit, ky është një lajm i mirë. Ai tregon se, të paktën në këtë hallkë të zinxhirit, po zbatohet parimi se siguria e produktit është mbi çdo interes tjetër. Ky është pikërisht standardi që Bashkimi Europian kërkon dhe që Kryeministri sot e përshkroi si të panegociueshëm: nuk ka më hapësirë për “të falur” në emër të vazhdimësisë së aktivitetit ekonomik, nëse kjo bie ndesh me shëndetin publik.

Debati i ngritur për burimet alternative të qumështit, për importet apo për trajtimet fiskale të industrisë, është legjitim dhe kërkon transparencë të plotë nga autoritetet dhe nga vetë përpunuesit. Por ai nuk e ndryshon thelbin e çështjes: një produkt i kontaminuar nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në treg. Sfida reale për shtetin është gjetja e zgjidhjeve strukturore për fermerët, që të mos mbeten të ekspozuar ndaj humbjeve sa herë që prodhimi i tyre dështon në standarde. Kjo do të thotë kontroll më i fortë i ushqimit të bagëtive, asistencë teknike, mbështetje financiare dhe edukim për standardet, jo ulje të vijës së kuqe të sigurisë ushqimore.

Nëse fjalët e Ramës për dhjetë vitet që “kalojnë shpejt” dhe për mungesën e luksit për të diskutuar pas negociatave merren seriozisht, atëherë rasti i Lufrës duhet parë si një provë gjenerale e Shqipërisë për BE-në. Integrimi nuk do të vijë nga deklaratat, por nga vendime konkrete që tregojnë se standardi mbrohet edhe kur është i dhimbshëm ekonomikisht. Në këtë sens, siguria ushqimore nuk është thjesht një kapitull negociatash, por testi më i drejtpërdrejtë i gatishmërisë së vendit për t’u bërë pjesë e Europës. /et

14:15 Liga e Kombeve, shorti hidhet më 12 shkurt

By: Kesjana
16 January 2026 at 14:15

Kombëtarja, para se të luajë play-off për Botërorin 2026, do të njohë kundërshtarët për Ligën e Kombeve 2026–2027.

Shorti do të hidhet më 12 shkurt, ditën kur do të mbahet edhe Kongresi i zakonshëm i UEFA-s në Bruksel.

Shqipëria është në Ligën C.

Takimet e fazës së grupeve do të zhvillohen nga muaji shtator deri në nëntor.

Kuqezinjtë pritet të jenë kokë grupi, ndërsa Liga e Kombeve në këtë sezon vlen edhe si një mundësi më shumë për t’u kualifikuar në Euro 2028.

Ndeshjet e Kombëtares do t’i ndiqni si zakonisht në TV Klan./kb

14:00 Hakërimi i materialeve të SPAK, Berisha: Rama, personi që mund ta ketë urdhëruar

By: Kesjana
16 January 2026 at 14:00

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur këtë të premte, 16 janar, konferencë me gazetarët nga selia blu.

Berisha u ndal tek hakërimi i materialeve të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë për bazë një mesazh i ardhur tek kryedemokrati lidhur me “skemën e hakërimit”.

“Përshëndetje doktor, një informacion të veçantë tek dosja e hakërimit të sistemit të SPAK-ut. Hakëruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakërimin.

Pjesë nga dosja: Me datë 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj, i dërgoi Zambak Gjonit një foto që duket sifaqe interneti, e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut. Më pas, ai dërgon një sms me përmbajtjen ‘a mos e hapsha dot’. Më pas Arnold Rrokaj i dërgon sms Gjokajt se do t’i shkruajë Ramës ‘që hajt t’i bëjmë robt’”, lexon Berisha denoncimin./kb

13:45 Peleshi: Kuvendi do të ketë standard europian

By: Kesjana
16 January 2026 at 13:45

Kryetari i parlamentit Niko Peleshi, në fjalën e tij përpara deputetëve të Partisë Socialiste, tha se Kuvendi do të ketë standard europian.

Peleshi u shpreh se Shqipëria ka pasur avancim rekord drejt integrimit europian. Sipas tij, objektivi i shpallur tashmë nga vendi është mbyllja e të gjitha kapitujve të BE-së brenda vitit 2027.

“Kuvendi do të ketë standard europian. Unë si kryetar i Kuvendit do të vazhdoj të përmbush detyrën që më keni besuar, duke pasur parasysh standardin etik. Integrimi europian duhet të jetë tek standardet tona. Shqipëria shënoi rekord për hapjen e negociatave për në BE. Objektiv tani ngelet mbyllja e negociatave, brenda 2027. Kemi shënuar rekord në avancimin e negociatave me BE-në.

Kuvendi përbushi detyrimet që ka ndaj partnerëve të saj. Kuvendi ka pasur gjithashtu bashkëpunim edhe me institucionet e pavarura. Zgjodhëm Avokatin e popullit dhe drejtues të disa institucioneve të pavarura. Buxheti 2026 kishte një rritje 11 përqind për institucionet e pavarura. Edhe buxheti për drejtësinë u rrit. Ligjet do të përmirësohen, për të qenë më pranë standardeve të BE-së”, tha Peleshi.

Më tej, Peleshi deklaroi se inteligjenca artificiale do të përdoret nga parlamenti, për të lehtësuar punët.  /kb

12:50 E zhdukur prej disa muajsh/ Gjendet e pajetë 35-vjeçarja shqiptare në Itali

By: Klara
16 January 2026 at 12:50

Një 35-vjeçare shqiptare është gjetur e pajetë ditën e djeshme në bregun e një lumi në Itali. 35-vjeçarja, nënë e dy vajzave ishte raportuar e zhdukur që në datën 22 tetor të vitit të kaluar.

Ajo ishte parë për herë të fundit në Trento dhe më pas u zhduk pa lënë gjurmë. Ishin familjarët e saj që ngritën alarmin tek autoritetet për largimin e saj. Ende nuk dihen shkaqet e largimit nga shtëpia dhe vdekjes së shqiptares./K.M

12:48 Tërmet në Pogradec, lëkundjet ndjehen nga Ohri në Elbasan

By: Kesjana
16 January 2026 at 12:48

Lëkundje tërmeti, të magnitudës 3,7, janë ndjerë paraditen e të premtes në Pogradec, raporton A2 CNN.

Tërmeti ka rënë rreth orës 11:30, dhe sipas EMSC epiqendra ka pasur një thellësi prej 5 kilometrash.

Sipas raportimeve të njerëzve në EMSC, lëkundjet janë ndjerë edhe në Korçë, Strugë, Ohër e deri në Elbasan/kb

12:40 12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë shumë vonë në jetë (lifestyle)

By: Klara
16 January 2026 at 12:40

Presioni që shoqëria u vendos grave është i jashtëzakonshëm. Pritet të jemi të bukura, interesante, inteligjente dhe të suksesshme. Të sigurojmë pavarësi financiare, ndërkohë që duhet të jemi nëna dhe kujdestare natyrale. Dhe, si për ironi, duhet ta bëjmë gjithë këtë pa u lodhur emocionalisht. Të përmbushësh të gjitha këto pritshmëri shpesh duket e pamundur dhe përpjekja për të qenë perfekte zakonisht kthehet kundër nesh.

Ndoshta kjo është arsyeja pse gratë mbi 60 vjeç raportojnë më shumë lumturi: sepse kanë mësuar disa mësime thelbësore të jetës.

Po t’i kishim mësuar këto më herët, ndoshta do t’i kishim hequr vetes shumë barrë të panevojshme. Do të ndalonim së përpjekuri kaq shumë për t’u pëlqyer të tjerëve dhe do të përqendroheshim në ndërtimin e një jete që na shpërblen vërtet.

Ja 12 mësime që shumica e grave i mësojnë shumë vonë:

1. Nuk je e detyruar të tolerosh mungesën e respektit

Të gjithave na ka ndodhur të nënvlerësohemi ose të trajtohemi pa respekt. Ndonjëherë njerëzit janë vërtet toksikë, por shumë herë, mungesa e respektit vjen sepse ne nuk kemi vendosur standarde të mjaftueshme.

Mësimi është ky: ti vendos kufijtë. Nëse dikush të trajton keq, thuaje qartë që meriton më shumë. Nëse nuk ndryshon, largohu. Përndryshe, mungesa e respektit vetëm sa do të përsëritet.

12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë

2. Qëndrimi yt është gjithçka

Të gjithë kemi ditë të këqija. Është njerëzore. Por të ngecësh në negativitet, mund t’i japë një ngjyrë të errët gjithë jetës tënde.

Studimet tregojnë se ndryshimi i mënyrës së të menduarit rrit motivimin, suksesin dhe cilësinë e jetës. Nuk do të thotë të shtirësh lumturinë, por të zgjedhësh të shikosh të mirën edhe në ditët e vështira.

3. Shëndeti vlen më shumë se pasuria

Një ushqyerje e shëndetshme lidhet jo vetëm me trupin, por edhe me shëndetin mendor. Mungesa e disa vitaminave mund të shkaktojë lodhje, nervozizëm dhe rënie humori.

4. Veprimet flasin më fort se fjalët

Të gjithë mund të premtojnë, por pak njerëz veprojnë. Gratë që e njohin këtë mësim nuk mashtrohen nga fjalët e bukura, ato shikojnë sjelljen. Nuk largohen menjëherë, por nuk presin pafund për dikë që nuk shfaqet kurrë.

12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë

5. “Jo” është përgjigje e plotë

Vendosja e kufijve është thelbësore për një jetë autentike. Megjithatë, shumica e grave kanë shumë vështirësi ta thonë këtë fjalë të vogël. Të thuash “jo” nuk të bën egoiste, por të sinqertë. Dhe gratë që e mësojnë këtë herët, janë dukshëm më të lumtura më vonë.

6. Vlerësimi duhet të vijë nga brenda

Nëse gjithë jetën kërkon miratim nga të tjerët, do të mbetesh e varur prej tyre. Mësimi më i vështirë, por më çlirues: ti je e mjaftueshme. Modelet e vjetra mund të ndryshohen. Fillon kur ndalon së thëni “unë kështu jam” dhe fillon të thuash “mund të jem më e mirë”.

7. Vendos veten të parën pa ndier faj

Nuk mund të jesh aty për të tjerët nëse je bosh për veten. Si maska e oksigjenit në avion: fillimisht ti, pastaj të tjerët.

8. Dështimi të afron më shumë me suksesin

Dështimi nuk është fundi. Me një mendësi rritjeje, çdo gabim shndërrohet në njohuri. Balanca mes pranimit të emocioneve negative dhe mësimit prej tyre është çelësi.

12 mësime që edhe gratë inteligjente shpesh i mësojnë

9. Marrëdhëniet duhet të të fuqizojnë, jo të të zvogëlojnë

Dashuria dhe miqësia e shëndetshme të motivojnë, të frymëzojnë dhe të japin energji. Nëse një lidhje të bën të ndihesh e lodhur, e trishtuar ose e pavlerësuar, është shenjë paralajmëruese për t’iu larguar.

10. Ti je përgjegjëse për suksesin tënd

Mos prit që dikush tjetër të ta ndërtojë jetën. Mrekullitë ndodhin, por zakonisht atëherë kur je duke punuar për to. Gratë më të lumtura janë ato që e dinë mirë këtë mësim.

11. Qëndro besnike ndaj vetes, pa kushte

Mos ndrysho për t’u përshtatur. Bëhu gjithnjë e më shumë vetja. Njerëzit e duhur do të të gjejnë dhe duan pikërisht ashtu siç je.

12. Intuita jote është një udhërrëfyes i fuqishëm

Ndjesia e brendshme ekziston për një arsye. Kur bashkon intuitën me arsyen, merr vendimet më të forta. Mëso ta dallosh zërin e intuitës nga frika dhe praktiko dëgjimin e saj./K.M

12:37 Rama e bën të qartë: Çdo draft që vjen nga BE nuk duhet diskutuar, por miratuar!

By: Kesjana
16 January 2026 at 12:37

16 janar 2026 – Pas mbledhjes prej disa orësh me grupin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli gjatë për procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Sipas tij, kur përfaqësuesit europianë bëjnë propozimet e tyre apo vendosin piketat, ato duhen miratuar.

Rama tha se nuk ka diskutime përtej kësaj…

“Kemi pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme, procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi të qartë, kemi lirinë që të negociojmë me BE-në.

Nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me Komisionin, I imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament. Kur vjen, duhet miratuar, jo diskutuar! Sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligjit ë tillë, dujhet të diskutojmë a duhet të hyjmë në BE apo jo.”

Më tej, nënvizoi një “gabim” që sipas tij e ka bërë dhe vetë, bashkë me kolegë në politikë.

“Marrin një draft dhe i referohen vendeve të tjera në BE, shiko se Franca nuk e ka, Gjermania…Miqtë e mi, këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar se ju e dini që unë nuk jam lehtësisht i përthyeshëm, ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Sepse kur ngrihet kjo pyetje, përgjigja është se që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca. Ju jeni Shqipëria! Kushtet janë këto, nëse doni. Nëse s’doni, mund ta bëni si të doni!”, argumentoi kryeministri./kb

12:30 Italia refuzon dërgimin e trupave në Groenlandë, Roma zgjedh rrugën politike dhe koordinimin me NATO-n

By: Klara
16 January 2026 at 12:30

Italia nuk do të marrë pjesë në operacionin ushtarak “Arctic Endurance” në Groenlandë, të propozuar nga Danimarka dhe i mbështetur nga disa vende evropiane si përgjigje ndaj ambicieve amerikane të ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi është konfirmuar në mënyrë të qartë nga qeveria italiane, me mbështetjen e kryeministres Giorgia Meloni, e cila aktualisht ndodhet në Japoni. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë një deklarate në Senat, ironizoi idenë e një pranie të shpërndarë ushtarake në Arktik: “Çfarë po bëjnë njëqind, dyqind apo treqind ushtarë të çdo kombësie në Groenlandë? Tingëllon si fillimi i një shakaje. Nuk është një garë për të dërguar ushtarë nëpër botë. Qasja jonë është racionale. Ne i kemi kërkuar NATO-s të koordinohet. Duhet të bashkohemi, jo të përçahemi.”

Qëndrimi i Romës u përforcua edhe nga një takim rreth një orë e gjysmë i zhvilluar në Farnesina, mes ministrit të Jashtëm Antonio Tajani dhe ambasadorëve italianë në Danimarkë, NATO dhe Bruksel. Nga çdo këndvështrim, mesazhi mbetet i pandryshuar: asnjë trupë italiane në Groenlandë.

Për Ministrinë e Jashtme italiane, iniciativa e Trump përfaqëson ende “një kërcënim” dhe ekziston ndërgjegjësimi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpara me qëndrimin e tyre. Megjithatë, Italia këmbëngul se zgjidhja duhet të jetë politike, në një përpjekje të vështirë balancimi mes Evropës, NATO-s dhe SHBA-ve, të cilat mbeten partneri kryesor i Aleancës Atlantike.

Sot, më 16 janar, Crosetto dhe Tajani, së bashku me ministren e Universitetit Anna Maria Bernini, pritet të prezantojnë në Villa Madama dokumentin strategjik mbi angazhimin e Italisë në Arktik. Parashikohet edhe një videomesazh nga kryeministrja Meloni, e cila do të theksojë “rëndësinë strategjike” të rajonit.

Sipas dokumentit 52-faqësh të shqyrtuar nga Corriere della Sera, Italia, ndonëse nuk është një shtet arktik, e konsideron stabilitetin e rajonit si thelbësor për sigurinë evropiane dhe euroatlantike. Strategjia italiane parashikon kontribut jo-ushtarak, përfshirë ekspertizë në sigurinë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe bashkëpunim në sistemet satelitore për mbikëqyrje detare, monitorim mjedisor dhe kontroll të rrugëve detare në Arktik.

Dokumenti nënvizon mbështetjen për sovranitetin e Groenlandës dhe Danimarkës, por edhe shqetësimin për praninë dhe manovrat ruse dhe kineze në rajon. Në këtë kuadër, Italia mbështet “një përgjigje të fortë, por të përgjegjshme euroatlantike”, të bazuar në parandalim, bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në një kontekst të ndërlikuar diplomatik, kryeministrja Meloni përballet me një axhendë të ngjeshur ndërkombëtare: nga pjesëmarrja e pritshme në nisma të reja diplomatike të promovuara nga Trump, deri te samiti ndërqeveritar Itali–Gjermani në Romë më 23 janar, me kancelarin Friedrich Merz, i cili është shprehur i gatshëm për dërgimin e trupave në Groenlandë./K.M

12:27 Rama mblodhi sot grupin e PS: Evidentuam sfidat dhe vendosëm piketat për 2026!

By: Kesjana
16 January 2026 at 12:27

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot grupin parlamentar ku ka bërë një përmbledhje të punëve dhe sfidave me të cilat grupi është përballur në sesionin e shkuar.

Ai ka deklaruar se janë vendosur disa piketa të përbashkët, kur puna që e pret qeverinë gjatë 2026 është e veçantë, për shkak të futjes së vendit tonë në negociata intensive me BE-në.

“Duke u përpjekur që bashkë të bëjmë një përmbledhje të punës dhe të sfidave që grupi i ri ka hasur në sesionin e mëparshëm që ishte edhe sesioni i parë i kësaj legjislature dhe nga ana tjetër për të vendosur disa piketa të përbashkëta në kushtet kur puna që kemi përpara është shumë e veçantë për shkak të futjes së Shqipërisë në fazën intensive të negociatave në BE dhe për shkak të domosdoshmërisë që në një hark kohor të shkurtër prej  2 vitesh Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet për të mbyllur negociatat e anëtarësimit, sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë”, tha Rama./kb

12:25 Pushtohet apo jo Groenlanda, Perëndimi që njohëm ka mbaruar

By: Leonard
16 January 2026 at 12:25

Bashkimi Evropian duhet të bëhet më i fortë për të ndalur valën e çrregullimit ndërkombëtar, përndryshe rrezikon të bjerë në imperializëm autoritar.

Timothy Garton Ash

Donald Trump kërcënon të marrë në zotërim Grenlandën, territorin e një aleati të NATO-s, ndoshta me forcë ushtarake, ashtu si Vladimir Putin po përpiqet të marrë Ukrainën. Edhe nëse nuk e realizon dot këtë, ky është një shenjë e një epoke të re: një botë pas-perëndimore me çrregullime ndërkombëtare jo-liberale.

Detyra e demokracive liberale në përgjithësi, dhe e Europës në veçanti, është dyfishe: të shohin këtë botë ashtu si është dhe të kuptojnë se çfarë duhet të bëjnë për të përballuar situatën.

Një sondazh global i publikuar sot jep një pikënisje të dobishme. Ai u realizua në nëntor të kaluar në 21 vende për Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, në partneritet me projektin hulumtues Europe in a Changing World në Universitetin e Oksfordit. Ky është sondazhi i katërt nga një seri që kemi bërë çdo vit që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Putini në 2022, dhe na lejon të shohim evolucionin: nga situata shumë e keqe atëherë, tek situata kritike tani.

Në vitin 2022, ne gjetëm një Perëndim transatlantik të bashkuar në revoltë ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës, por të ndarë nga fuqitë e tjera të mëdha dhe të mesme, si Kina, India dhe Turqia, të cilat vazhdonin të bënin biznes normal me Rusinë. Ekonomia ruse po mbijetonte nën sanksione të paprecedenta perëndimore, sepse ato shtete kishin mjaft pasuri dhe fuqi për të balancuar një Perëndim të bashkuar. Pra, kjo ishte një botë pas-perëndimore, por Perëndimi ende vepronte brenda saj.

Trump 2.0 e ndryshoi gjithçka

Tani kemi një botë pas-perëndimore, por pa një Perëndim gjeopolitik koherent që vepron në të. Sa i përket koherencës strategjike, ajo i atribuohet më shumë narcizmit të paparashikueshëm të Trump, i cili i ngjan më shumë Putinit sesa çdo presidenti amerikan që nga viti 1945. Si shpjegon ndihmësi i tij Stephen Miller, ata besojnë se bota “qeveriset nga fuqia… nga forca… nga pushteti”.

Evropianët e kanë kuptuar këtë. Më pak se një në pesë evropianë kontinentale (sipas mesatares së 10 vendeve të BE-së që intervistuam) dhe vetëm një në katër britanikë tani e shohin SHBA-në si aleate. Në Ukrainë, shifra është vetëm 18%. Ne evropianët ende e shohim SHBA-në si një “partner të domosdoshëm”, por jo si aleate.

Bota tjetër gjithashtu po e kupton këtë. Në sondazhin e parë, 60% e kinezëve mendonin se qasjet amerikane dhe evropiane ishin të ngjashme (pra një Perëndim i vetëm), ndërsa tani vetëm 43% mendojnë kështu, dhe një shumicë e qartë mendon se ato janë të ndryshme. Perëndimi është tashmë histori.

Çfarë duhet të bëjmë?

Gjërat më të këqija që mund të bëjmë janë të vazhdojmë të vajtojmë për “sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, duke përmendur ligjin ndërkombëtar selektivisht (Ukraina, por jo Gaza), dhe njëkohësisht duke vazhduar servilizmin ndaj Trump. Por nuk duhet as të sillet si ai ose Putini.

Çfarë na duhet është një internacionalizëm i ri: më i shpejtë, më fleksibël, më i fortë. Të refuzojmë përdorimin e forcës, por të përdorim fuqinë. Mos u fiksojmë tek strukturat dhe aleancat ekzistuese, por të kërkojmë partnerë të rinj, pragmatikisht, çështje për çështje. Të shqetësohemi më pak për rregullat dhe më shumë për rezultatet; më pak për procesin, më shumë për progresin. Ky është një sfidë për BE-në institucionale, modeli më i ngadaltë dhe i bazuar në rregulla i rendit liberal ndërkombëtar të viteve ’90.

Ne tashmë po e praktikojmë këtë për Ukrainën, me kombinimin e ri të koalicionit të vullnetshëm dhe BE-së që vepron me një shpejtësi të paparë për Brukselin. Si kam argumentuar muajin e kaluar, duhet të përgatitemi urgjentisht për të mbështetur një Ukrainë të pavarur edhe pa ndihmën e SHBA-së.

E Grenlandës

Së pari, gjithçka që bëjmë duhet të udhëhiqet nga qeveritë e zgjedhura të Grenlandës dhe Danimarkës. Kjo është ajo që dallon demokratët liberalë nga imperialistët autoritarë.

Më 13 janar, Danimarka dhe disa aleatë të NATO-s në Evropë njoftuan dërgimin e trupave shtesë në Grenlandë. Ministrat e jashtëm të Grenlandës dhe Danimarkës u takuan në Uashington me zv/presidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio dhe ranë dakord për krijimin e një grupi pune të nivelit të lartë. Është e qartë që mosmarrëveshja themelore nuk është zgjidhur. Të gjitha shenjat tregojnë se Trump do të bëhet gjithnjë e më ekstrem dhe i paparashikueshëm ndërsa rriten vështirësitë e tij brenda vendit.

Disa sugjerime: për të treguar përkushtimin evropian, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer duhet të vizitojnë Grenlandën, së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen, dhe të bashkohen me kryeministrin kanadez Mark Carney, pasi Kanadaja është aleati i NATO-s që është fqinj real perëndimor i Grenlandës dhe preket direkt nga pasiguria në Arktik.

Në mënyrë simbolike, ky vizitë mund të jetë po aq e rëndësishme sa përmbajtja e angazhimit të sigurisë, sepse gjuha e dytë e Presidentit Trump është televizioni. Ai do të marrë mesazhin nga imazhet. Oficerë evropianë dhe kanadezë të dukshëm dhe të uniformuar duhet të vendosen në Grenlandë për kohën e parashikueshme.

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi se nëse duhet të zgjedhin, “ne zgjedhim Danimarkën … ne zgjedhim BE-në”. Pra, BE-ja duhet të gjejë shpejt mënyra për të rritur mbështetjen e saj financiare për Grenlandën dhe jo vetëm në buxhetin e ri që fillon në 2028. Kjo mund të jetë një rast i mirë për presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian António Costa për të udhëtuar në Nuuk dhe të fillojnë diskutime strategjike për marrëdhënie të afërta të mundshme midis Grenlandës së pavarur dhe BE-së.

Ndërkohë, Evropa – partneri më i madh ekonomik i SHBA-së – duhet të rishikojë në mënyrë private të gjitha përgjigjet ekonomike (përfshirë shitjen e obligacioneve amerikane) për rastin, ende të pakët, që Trump të urdhërojë një pushtim ushtarak të Grenlandës në stilin e Putinit. Plani i përgjithshëm duhet të projektojë fuqi, vendosmëri dhe qetësi nga Evropa (dhe Kanadaja dhe demokracitë e tjera liberale).

Një gjetje veçanërisht shqetësuese: evropianët janë më pesimistët e botës. Afërsisht gjysma e tyre nuk beson se BE-ja mund të negociojë me fuqitë globale si SHBA dhe Kina në kushte barazie. Nëse fillojmë të praktikojmë këtë internacionalizëm të ri, më të shpejtë dhe më të vendosur, ndoshta më shumë evropianë do të fillojnë të besojnë përsëri tek Evropa.

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi

12:20 Frikë e panik në qendrën tregtare në Hong Kong/ Tentoi të godiste me thikë një grua, policia neutralizon autorin

By: Klara
16 January 2026 at 12:20

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Hong Kong. Pamjet tragjike kanë bërë xhiron e rrjetit, ndërsa shihet momenti kur policia ndërhyn për të neutralizuar një person i cili tentoi të godiste me thikë një grua.

Frika dhe paniku përfshi qytetarët që ndodheshin në qendrën tregtare në Hong Kong të cilën tentuan menjëherë të largohen./KM

12:17 Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit: Liria e shprehjes në Europë po gërryhet

By: Kesjana
16 January 2026 at 12:17

 

Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka ngritur një shqetësim, duke deklaruar se liria e shprehjes në Europë po gërryhet.

 

Mesazhin e tij të fortë e ka shpërndarë Ambasada e SHBA-së në Shqipëri duke ritheksuar se aleanca me partnerët europianë është ndërtuar mbi parimet e përbashkëta dhe një nga këto është liria e shprehjes.

 

“Aleancat tona me partnerët tanë europianë janë ndërtuar mbi parimet tona të përbashkëta, vlerat tona të përbashkëta… Një nga këto vlera dhe parime, shpresojmë, është liria dhe liria e shprehjes”, ka thënë në mesazhin e tij Rubio./kb

12:10 A bëheni edhe ju nostalgjikë me filmin Monte Carlo?

By: Klara
16 January 2026 at 12:10

Në vitin 2011, komedia romantike “Monte Carlo” u kthye në fenomenin e Hollywood-it, por edhe në një nga filmat më të dashur për shikuesit në të gjithë botën. Selena Gomez, Leighton Meester dhe Katie Cassidy ishin pjesë e kastit kryesor, duke kontribuar edhe në suksesin e filmit.

“Monte Carlo” sjell historinë e tre shoqeve amerikane që shkojnë për pushime në Paris. Një ngatërresë e papritur identitetesh me një trashëgimtare të pasur, i çon në një aventurë të veçantë në “Hotel de Paris”, hotelin e famshëm në Monte Carlo.

Filmi ndihet si një arratisje vere dhe shfaq bukur elegancën e Rivierës Franceze nëpërmjet notave të romancës, modës dhe pamjeve luksoze. “Monte Carlo” është filmi që ju shkëput nga monotonia e përditshmërisë dhe ju çon për dy, në një botë më të ndritshme.

Pamjet nga Parisi apo Monaco shërbejnë jo vetëm si sfond, por edhe si pjesë aktive e rrëfimit, duke krijuar ndjesinë e të qenit brenda një “arratisjeje” që i përngjan një përralle moderne. Prandaj njerëzit e kanë përqafuar atëherë dhe me të njëjtën dashuri i rikthehen sot.

“Monte Carlo” çel portën e imagjinatës se jeta mund të ndryshoj brenda një nate. Mes porteve të jahteve, dhomave të “Hotel de Paris” dhe seteve të Bvlgari-t me varësen ikonike blu që shkëlqen teksa Selena Gomez e vendos në personazhin e Cordelia-s, ky është filmi që i afrohet ëndrrave./KM

❌
❌