Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku. Sipas ramës Gjykata Kushtetuese nuk e ka gjetur forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë.
Sipas kryeministrit Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror.
Ai thekson se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Ram theksoi se beteja do të vazhdojë.
“Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.
Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.
Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.
Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.
Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë. Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimi, Kyreinspektor A. B., me detyrë pranë MZSH-së Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pasi ditën e djeshme, gjatë drejtimit të mjetit të tij (jashtë shërbimit), është konstatuar nga shërbimet e qarkullimit rrugor të DVP Elbasan në aksin Cërrik – Elbasan, ku pas verifikimit me testin matës të alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 0.87 mg/l.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Elbasan/kb
Kryeministri Edi Rama është treguar i prerë në lidhje me ankimin e shoqatës së gjyqtarëve për rritjen e pagave.
Në podcastin Flasim, Rama është shprehur se nuk ka për të patur një rritje të përjetshme të pagave të gjyqtarëve. “Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur”, ka theksuar kryeministri.
“Përsëri paga e gjyqtarëve ka qëndruar në rendin e dotës. Ka pasur absurditete që e kanë shoqëruar këtë debat. Disa shoqata janë vendosur në syrin e një cikloni popullor e një pakënaqësie popullore lidhur me kërkesën e tyre për të rritur pagat.
Vetë gjykatësi pretendojnë se ne duam tu ulim pagat. Zërat mes tyre thonë se pagat e tyre po ulen se po rriten pagat e tjerëve.
Ka një piramidë pagash që fillon me presidentin dhe zbret më poshtë.
Jam sulmuar personalisht dhe qeveria nga autorët e deklaratës së një shoqate të gjykatësve që jam i bindur se nuk janë konsultuar me të gjithë gjykatësit se do thoshin ca po bëni se nuk jemi këtu për të gjykuar qeverinë si një parti politike.
Nuk dua të bëj polemikë dua të them që gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Nuk mund ta rrisin pagën +3 mijë euro nuk ka për të ndodhur dhe nuk mund të ndodhë dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese t’i vendosë vulën”, tha Rama./Kb
Reforma Territoriale ka rikthyer përplasjet politike në Kuvend duke hapur një debat të fortë mbi mënyrën se si do të riorganizohet pushteti vendor në Shqipëri.
Bledion Nallbani, deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, u shpreh se mazhoranca synon ndërhyrjen në pushtetin vendor.
“Ne ende nuk e kemi filluar diskutimin teknik në komision. Kemi bërë vetëm një takim të përbashkët të komisionit të reformës. U diskutua përsa i përket pjesës së ekspertëve që do të ketë në mbështetje komisioni edhe gjithë stafit mbështetës. Kemi ditën e mërkurë një takim të komisionit të reformës, ku do të përcaktohen edhe nominalisht ekspertët, por edhe do të miratohet dhe plani i punës së reformës. Nuk kemi hyrë në diskutime teknike, nga ajo që kemi dëgjuar dhe që flitet në media nga ana e mazhorancës ata synojnë një pakësim të numrit të bashkive. Nga ana tjetër, me sa kam dëgjuar synojnë edhe një ndërhyrje në kompetencat dhe jo për mirë me sa kemi informacion, por nëqoftëse do duhet të ecnim, në fakt duhet të ecnim në decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit vendor, me sa duket do vazhdojmë të kemi centralizim kompetencash, gjë që nuk ka si të jetë në interes të qytetarit”, tha Nallbati./kb
-8 shkurt 1828 – Në ditën e lindjes së shkrimtarit të madh francez-
Nga Leonard Veizi
I pabesueshëm në fantazinë e tij, ai solli përmes letërsisë një botë ireale që, çuditërisht, vite më pas u bë krejt reale. Një objekt hekuri që zhytej në det – pra një nëndetëse, por jo bërthamore – një balonë që fluturonte rreth globit, dhe më pas çmenduria bëhet edhe më e madhe kur flitet për një udhëtim nga Toka në Hënë. Dhe ishte puna e tij që e ktheu në postulat shprehjen: “Atë që një njeri mund të imagjinojë, një tjetër do të jetë në gjendje ta arrijë një ditë”…
…Cilësohet si një autor produktiv, shkrimet e të cilit hodhën shumë nga themelet e trillimeve shkencore moderne. Dhe nuk ka njeri në botë që ka bërë qoftë një arsim fillestar, të mos e njohë autorin e përbotshëm të letrave franceze. Zhyl Vern është i mirënjohur për romane të tilla revolucionare shkencore si “Rreth botës për 80 ditë”, “Njëzet mijë lega nën det”, “Pesë javë në balonë”, “Udhëtim në qendër të tokës”, dhe më pas “Nga Toka në Hënë”. Me siguri, ka qenë pak “i lojtur nga fiqiri” që, të paktën 150 vjet më parë, kur shkenca revolucionare ende nuk kishte filluar të merrte superxhirot e saj, ai guxoi të shkruante një letërsi krejt realiste mbi një fantazi të shthurur.
Fillimet
Në jetëshkrimin e tij të botuar nga Britannica, thuhet se babai i Vern-it, duke synuar që Zhyl të ndiqte hapat e tij si avokat, e dërgoi atë në Paris për të studiuar drejtësi. Por i riu Vern ra në dashuri me letërsinë, veçanërisht teatrin. Ai shkroi disa drama, punoi si sekretar i Théâtre Lyrique apo Teatri Lirik, dhe botoi tregime të shkurtra dhe ese shkencore në revistën Musée des Familles.
Në 1857 Vern u martua dhe për disa vite punoi si ndërmjetës në bursën e Parisit. Gjatë kësaj periudhe ai vazhdoi të shkruante, të bënte kërkime në Bibliothèque Nationale (Biblioteka Kombëtare), dhe të ëndërronte për një lloj të ri romani – që do të kombinonte faktet shkencore me trillimet aventureske.
I frymëzuar nga dashuria për udhëtime dhe aventura, Vern bleu një anije dhe, së bashku me gruan, shpenzuan shumë kohë duke lundruar dhe qëndruar në porte të ndryshme, të cilat i ofruan materiale pa fund për tregimet dhe romanet e tij.
Në shtator 1862, Vern u takua me botuesin Pierr-Zhyli Hitzala, i cili ra dakord të botonte pjesën e parë nga Udhëtimet e jashtëzakonshme të Vern, e njohur me titullin Pesë javë në balonë.
Romani u bë bestseller ndërkombëtar dhe Hitzala i ofroi Zhyl Vern-it një kontratë afatgjatë për të prodhuar shumë vepra të tjera të “fiksionit shkencor”. Vern më pas la punën e tij në bursë për t’u bërë shkrimtar me kohë të plotë dhe filloi atë që do të rezultonte të ishte një bashkëpunim shumë i suksesshëm autor-botues, që zgjati për më shumë se 40 vjet dhe rezultoi në më shumë se 60 vepra në serinë e njohur “Voyages Extraordinaires”.
Gjatë këtyre viteve, Vern u vendos me familjen e tij në Amiens dhe bëri një udhëtim të shkurtër në Shtetet e Bashkuara për të vizituar qytetin e Nju Jorkut dhe Ujëvarat e Niagarës. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi për të adaptuar disa prej romaneve të tij në teatër dhe fitoi famë botërore, por një pasuri modeste.
Problemet
Nga viti 1886 deri në vdekjen e tij në 1905 mund të konsiderohet periudha pesimiste e Vern-it.
Edhe pse po shijonte një sukses të madh profesional në vitet 1870, Zhyl Vern nisi të kishte shumë probleme dhe konflikte në jetën e tij personale. Kishte probleme në rritje me djalin e tij rebel, Mishel. Ai e dërgoi djalin në një kolegj riedukimi më 1876, dhe disa vjet më vonë Mishel i shkaktoi edhe më shumë telashe pas marrëdhënieve të tij të paligjshme me një vajzë të mitur.
Vështirësitë financiare e detyruan të shesë jahtin. Por mori goditje emocionale edhe nga vdekjet e njëpasnjëshme të nënës dhe mentorit të tij Hitzala.
Në vitin 1886, Vern u qëllua aksidentalisht në këmbë nga nipi i tij Gaston, me probleme mendore, duke mbetur i çalë për pjesën e mbetur të jetës.
Ndikimi
Megjithatë, shkrimtari vazhdoi të ishte produktiv deri në fund të jetës së tij më 1905.
Kur Vern vdiq, ai la një sirtar me dorëshkrime pothuajse të përfunduara në tryezën e tij. Ndikimi i Vern shtrihet përtej letërsisë dhe filmit, në botën e shkencës dhe teknologjisë, ku ai frymëzoi breza të tërë shkencëtarësh, shpikësish dhe eksploruesish.
Gjatë shekullit XX, veprat e Vern-it u përkthyen në më shumë se 140 gjuhë, duke e bërë atë një nga autorët më të përkthyer në botë. Një numër filmash të suksesshëm u bënë nga romanet e tij, duke filluar në 1916 me “20,000 lega nën det”, film i cili u ribë në vitin 1954 nga Walt Disney. Më pas u ekranizua Ishulli misterioz me dy prodhime në vitet 1929 dhe 1961, filmi “Nga Toka në Hënë” u realizua në vitin 1958, ndërsa “Udhëtim në qendër të Tokës” më 1956.
Në vitin 1954, Marina e Shteteve të Bashkuara lëshoi nëndetësen e parë në botë me energji bërthamore, të quajtur Nautilus, në nder të shkrimtarit të madh francez. Ky ishte emri që Zhyl Vern i kishte vënë anijes së tij që lundronte nën ujë në romanin “20,000 lega nën det”.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?
Akt-akuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej 10 akuza.
Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Sipas akt-akuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.
Çfarë ka ndodhur deri më tani?
Akt-akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-it.
Për 3 ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.
Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë”.
Në fjalimin e tij në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.
“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.
Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për 2 ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.
Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.
“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.
Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.
Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.
Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.
“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.
Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.
Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.
Dëshmitarët e mbrojtjes
Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.
I pari që doli para togave të zeza ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për 3 ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.
Në gjykatë u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Washingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.
Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për 2 ditë rresht, në nëntor e 2025, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.
Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.
Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.
Deklaratat përmbyllëse
Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.
Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.
Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.
Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për 2 muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.
Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./Marrë nga REL/kb
Disa fshatra në qarkun e Lezhës vijojnë të jenë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së kaluar, duke shkaktuar vështirësi për dhjetëra banorë.
Sipas informacioneve, ndër zonat e prekura janë Balldreni, Torovica, Malecaj, si dhe disa fshatra të tjerë përreth.
Banorët shprehen të shqetësuar për mungesën e energjisë, e cila ka ndikuar në jetën e përditshme dhe funksionimin e shërbimeve bazë.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse mbi shkakun e ndërprerjes apo afatin e rikthimit të furnizimit me energji elektrike.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.
Autoritetet pritet të reagojnë në vijim për të normalizuar furnizimin me energji në zonat e prekura./Kb
Eksportet e prodhimeve të freskëta u rritën me ritme dyshifrore si në vlerë dhe në sasi gjatë 8-mujorit 2025, por nga ana tjetër, sektori thelloi më tej rënien me 2.6% në 6-mujorin e parë. Fermerët dhe eksportuesit pohojnë se bujqësia po konsolidohet në ferma të mëdha të specializuara për eksport, teksa po falimentojnë fermat e vogla të bujqësisë tradicionale.
Arsyet pse importet dhe eksportet e ushqimeve po rriten njëkohësisht. Kostot e anëtarësimit që po vënë me shpatulla pas muri bujqësinë. Serbia është partneri kryesor në eksporte, teksa tregjet e BE-së shfaqin luhatje
Rritja e eksporteve bujqësore si në sasi dhe në vlerë dhe në anën tjetër, rënia e prodhimit po tregon se sektori po shkon drejt konsolidimit. Fermat e vogla dhe të mesme në zonat e rurale të vendit po falimentojnë nga tkurrja dhe plakja e popullsisë, teksa po rriten dhe po zgjerohen fermat e mëdha blegtorale dhe ato në serra në zonat me bujqësi intensive si Fieri, Lushnja etj., me synim eksportin.
Të dhënat e periudhës 2021–2025 tregojnë rritje të qëndrueshme dhe të fortë të eksporteve të zarzavateve dhe frutave, ku totali është zgjeruar me rreth 70%. Vlera e tyre arriti në mbi 17.1 miliardë lekë në 10-mujorin e 2025-s, nga 10.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Të krahasuara me 10-mujorin e 2024, eksportet e frutave dhe zarzavateve u rritën me 22% në vlerë.
Mariglen Ziu, fermer i cili operon në sektorin e prodhimit në fushë në zonën e Samaticës në Berat, thotë se prodhimi nuk po zgjerohet, por po manovrohet me disa kultura që besohet se rrisin vlerën. Për shembull, vitet e fundit, është rritur ndjeshëm eksporti i bostaneve dhe lakrave.
Frutat dhe zarzavatet dy vitet fundit kanë rritur ndjeshëm vlerën dhe sasinë e eksporteve. Kultivimi i tyre zakonisht bëhet në ferma të specializuara në shumë hektarë, si në serrë dhe në fushë për t’u eksportuar. Fermeri Ziu thotë se nuk po zgjerohet baza e njerëzve që po merret me bujqësi, përkundrazi numri i tyre po tkurret çdo ditë, por disa ferma të mëdha po zgjerojnë sipërfaqet, tha ai.
Në anën tjetër, sektori bujqësor thelloi tkurrjen këtë vit me -2.6% në 6-mujorin e parë. Bujqësia është në vitin e pestë të rënies, si volum prodhimi. Ruzhdi Koni, eksportues me përvojë i prodhimeve bujqësore, tha se rritjet e shitjeve jashtë vendit po pasqyrojnë evolucionin e segmentit eksportues të bujqësisë, i cili është bërë gjithnjë e më i specializuar dhe më i lidhur me tregjet europiane.
Kjo, sipas tij, ka mundësuar rritjen e vlerës dhe sasisë së eksportit, pavarësisht sfidave të përgjithshme që po kalon sektori. Të dhëna nga INSTAT treguan se punësimi në sektorin bujqësor shënoi rënie vjetore me 10% në 3-mujorin e tretë të këtij viti, duke reflektuar edhe tkurrjen e fortë të popullsisë në fshat.
Në të njëjtën kohë, me rritjen e eksporteve bujqësore, po rriten edhe importet. Në 10-mujorin e këtij viti, grupi i ushqimeve shënoi rritje me 2% në sasi dhe në 3.4% në vlerë. Në mungesë të prodhimit të gjerë në ferma të vogla për treg dhe për vetëkonsum, tregu po furnizohet nga jashtë.
Në mes të problemeve me copëzimin e lartë, mungesën e subvencioneve, prodhuesit përballen me humbje të larta pas korrjeve. Më shumë se 25% e prodhimit në disa kultura përfundon në mbetje pas të korrave, për shkak të çmimit të ulët, ose mungesës së kapaciteteve magazinuese.
Pse po rriten eksportet
Zoti Koni thotë se rritja e eksporteve bujqësore lidhet me disa faktorë që kanë vepruar pas pandemisë. Së pari, çmimet ndërkombëtare të frutave dhe zarzavateve janë rritur ndjeshëm pas vitit 2022, për shkak të inflacionit në grupin e ushqimeve.
Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike dëmtuan prodhuesit e rëndësishëm si Italia, Spanja dhe Greqia. Shqipëria ka përfituar nga kjo situatë, duke qenë në gjendje të ofrojë produkte konkurruese në momente kur furnizuesit tradicionalë kishin ulur volumet. Kjo ka bërë që vlera e eksporteve të rritet dhe volumi real i prodhimit mund të ketë qenë më i moderuar.
Në shumë raste, eksportuesit shqiptarë kanë shitur sasi të ngjashme me të një vit më parë, por me çmime dukshëm më të larta, duke gjeneruar një rritje të shpërndarë në të gjithë zinxhirin ofertues.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka konsoliduar një bërthamë të prodhuesve të mëdhenj, të aftë të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Zoti Ziu tha se investimet në serra në zonat e Lushnjës, Divjakës, Fierit dhe Krujës, së bashku me përhapjen e teknologjive moderne të vaditjes, plehërimit të kontrolluar dhe cikleve të prodhimit gjatë gjithë vitit, kanë rritur ndjeshëm vëllimin e prodhimit të orientuar drejt eksportit.
Këta prodhues tani operojnë me kontrata të qëndrueshme me kompani grumbulluese dhe tregtarë eksporti. Një rol të madh ka edhe ngritja e kapaciteteve të përpunimit dhe ruajtjes në magazina frigoriferike, linja seleksionimi, paketimi dhe certifikime si GlobalG.A.P.
Të dhënat tregojnë se çmimet e eksporteve po vijnë në rënie pas rritjes post-pandemike.
Nga viti 2021 deri në 2023, eksportet e grupit të ushqimeve në Lek u rritën dukshëm, nga rreth 35.9 miliardë lekë në vitin 2021 në mbi 46.3 miliardë lekë në vitin 2023.
Kjo periudhë shoqërohet edhe me rritje të sasisë së eksportuar, fakt që tregon ecuri pozitive të sektorit, e ndikuar si nga kërkesa e jashtme, ashtu edhe nga çmimet më të larta të produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare.
Në vitin 2024, megjithëse sasia e eksporteve rritet sërish, pati një ulje të theksuar të çmimit mesatar për kilogram, i cili zbret nga 142.3 lekë/kg në vitin 2023 në vetëm 111.3 lekë/kg në vitin 2024.
Kjo për shkak se çmimet në tregjet ndërkombëtare ranë dhe gjithashtu u rrit eksporti i bostanit që peshon më shumë, po kushton më pak.
Në vitin 2025, vlera e eksporteve të ushqimeve ra më tej duke arritur në 108.7 lekë/kg në 10-mujorin 2025, niveli më i ulët i pesëvjeçarit. Kjo tregon se rritja e eksporteve në vlerë këtë vit nuk është pasojë e çmimeve më të larta, por nga zgjerimi i volumit të eksporteve.
Megjithatë, ky zhvillim pozitiv në segmentin eksportues ekziston paralelisht me një tkurrje të dukshme të bujqësisë në shkallë kombëtare.
Arsyeja kryesore është emigrimi masiv i fuqisë punëtore rurale, i cili ka lënë pas parcela të shumta të papunuara dhe ka shtuar kostot e prodhimit për fermerët që vijojnë aktivitetin.
Shumë ferma të vogla nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet gjithnjë e më të larta për plehra, farëra, pesticidet dhe naftën bujqësore, duke rezultuar në braktisje të tokës vit pas viti. Rënia e investimeve në fermat e vogla dhe të mesme në bujqësi ka reduktuar prodhimin total, duke bërë që sektori në tërësi të japë kontribut më të ulët në ekonomi.
Rriten edhe importet e ushqimeve
Gjatë periudhës janar-tetor 2025, importet e ushqimeve u rritën si në vlerë dhe në sasi. Të dhënat zyrtare tregojnë se u importuan 135 miliardë lekë ushqime (rreth 1.4 miliardë euro) ose 28% më shumë se në 10-mujorin 2021.
Rritja e qëndrueshme e importeve po vjen në një kohë që popullsia e vendit po tkurret, sidomos në moshat e reja që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj.
Një pjesë e mirë e prodhimit bujqësor shqiptar nuk është më konkurrues në tregun e brendshëm, ku çmimet janë shpesh më të ulëta se ato të tregjeve të jashtme. Kjo ka bërë që prodhuesit më të mirë ta zhvendosin fokusin drejt eksporteve, duke lënë konsumatorin vendas gjithnjë e më të varur nga importet, sidomos për produkte sezonale.
Fermeri Ziu thotë se eksportet po rriten jo sepse prodhimi vendas është i mjaftueshëm, por sepse pjesa më cilësore dhe me rendiment më të lartë e prodhimit kanalizohet drejt tregut të huaj, siç edhe ai po vepron me prodhimet e veta.
Gjithashtu importet në sektorin e bujqësisë po nxiten edhe nga flukset turistike, të cilat në vend që të nxisin prodhimin vendës kanë rritur importet, jo vetëm në bujqësi, po në të gjithë zinxhirin e turizmit.
Ekspertët pohojnë se bujqësia ka hyrë në një proces të fortë ristrukturimi, ku nga njëra anë, një segment i modernizuar për eksport po rritet me ritme të larta dhe nga ana tjetër, bujqësia tradicionale po tkurret me shpejtësi. Në total, bujqësia mbetet ndër sektorët me rënien më të madhe të kontributit në PBB me 15.6% në vitin 2024 nga 19.2% në vitin 2014, duke nxjerrë në pah vështirësi të theksuara strukturore.
Importet e ushqimeve janë rritur si në sasi, ashtu edhe në vlerë monetare (lek), ndërsa çmimi mesatar për kilogram ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë periudhës 2021–2025.
Sasia e ushqimeve të importuara nisi me rreth 904.7 milionë kg në vitin 2021 në 10-mujor dhe ra lehtë në 2022, por më pas rritja bëhet e qëndrueshme vit pas viti, duke ndjekur rritjen e numrit të turistëve dhe rënien e prodhimit vendas.
Në 10-mujorin 2024, arrihet niveli 1.078 miliardë kg, ndërsa për 2025, sërish ka rritje të fortë, në 1.1 miliardë kg, duke shënuar nivelin më të lartë të pesëvjeçarit. Në vlerë monetare, importet kanë ndjekur të njëjtin trend rritës, por me luhatje më të theksuara. Pasi u ngjitën në 138 miliardë lekë në vitin 2022, bien në 121.6 miliardë lekë në 2023, për t’u rritur sërish në 130.6 miliardë lekë në 2024 dhe të projektohen në 135.1 miliardë lekë për vitin 2025.
Çmimi mesatar për kilogram ushqim të importuar ka pësuar luhatje nga krizat e viteve të fundit. Nga 116.6 lekë/kg në 2021, ai u rrit fuqishëm në 157.6 lekë/kg në 2022, si pasojë e inflacionit ndërkombëtar të ushqimeve dhe rritjes së kostove të transportit.
Më pas, çmimi shënon një korrigjim në vitet 2023 dhe 2024, duke rënë përkatësisht në 132.3 dhe 121.1 lekë/kg, gjë që sugjeron stabilizim të tregjeve ndërkombëtare.
Në 10-mujorin 2025 ka rënie sërish me 120 lekë/kg, por ende shumë më poshtë krahasuar me kulmin e 2022, duke reflektuar stabilizim pas krizës.
Dështoi sezoni i dytë i prodhimit
Sezoni i dytë i mbjelljeve që nxjerr prodhimi në dhjetor-janar në zonën e Myzeqesë po rezulton me humbje për prodhuesit, si rrjedhojë e dëmeve që sollën përmbytjet e nëntorit dhe çmimet e ulëta të produkteve në tregjet e eksportit.
Fermeri Ziu tha se Shqipëria është konkurruese për sezonin e dytë të prodhimit, për shkak të favorizimit gjeografik dhe klimës duke eksportuar me çmime të larta perime të freskëta në tregjet e rajonit dhe më gjerë, që tashmë e ka mbyllur sezonin e të korrave.
Por këtë vit, situata ka ndryshuar në dëm të fermerëve. Prodhimet për eksport në fushë – presh, lakra, karotë e etj., u dëmtuan tërësisht nga përmbytjet e nëntorit. “Humbjet e mia në këtë sezon janë 2,5 milionë lekë (të reja) pasi rreth 30 dynymë lakër të mbjella në fushë u shkatërruan”, tha Mariglen Ziu.
Nga ana tjetër, çmimi i prodhimeve të dyta në tregjet e eksportit janë shumë të ulëta për shkak se moti i ngrohtë e ka favorizuar prodhimin edhe në vendet fqinje. Kjo bëri që në tregje të ketë prodhime të mjaftueshme dhe çmimet të jenë shumë të ulëta.
Në 10-mujorin 2025, një kilogram fruta dhe zarzavate u shit nga eksportuesit me 64.9 lekë, sipas të dhënave të INSTAT, por në nëntor dhe dhjetor, çmimet janë edhe më të ulëta. Në vitin 2023, çmimi për kilogram ishte 76 lekë duke arritur nivelin më të lartë historik dhe pas kësaj po vjen me ulje.
Fermerët shqiptarë janë tërësisht të ekspozuar ndaj çmimeve të tregut, kostove të lëndëve të para dhe krizave klimatike, pasi nuk përfitojnë mbështetje financiare dhe nuk janë të përfshirë edhe në sistemin e sigurimeve.
Në vitin 2026, fermerëve do t’iu shpërndahen 5.2 miliardë lekë në formën e subvencioneve dhe granteve sipas Ministrisë së Bujqësisë. Shqipëria vijon të ofrojë shumë më pak mbështetje për bujqësinë se Europa dhe Rajoni, teksa nuk po mundemi të përfitojmë nga fondet e BE-së, për shkak të korrupsionit që u gjet në përdorimin e tyre.
Eksportet e zarzavateve, partneri kryesor Serbia, rritje e fortë me Poloninë
Eksportet e zarzavateve (pa frutat) arritën në 12.4 miliardë lekë me rritje 20% në vlerë. Tregu më i madh i eksportit këtë vit ishte me Serbinë. Drejt këtij vendi u eksportuan 2.6 miliardë lekë zarzavate, me rritje vjetore 25% duke zënë 21% të totalit të shitjeve të perimeve dhe zarzavateve nga janari në tetor 2025.
Të dhënat tregojnë qartë se struktura e eksporteve të zarzavateve shqiptare mbetet e përqendruar kryesisht në tregun rajonal, duke reflektuar një varësi të fortë nga vendet fqinje dhe Ballkani Perëndimor.
Një prirje e ngjashme vërehet edhe me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ku eksportet janë rritur me ritme dyshifrore, duke konfirmuar se rajoni mbetet boshti kryesor i shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë.
Edhe Kroacia dhe Bullgaria zënë një peshë të rëndësishme në hartën e eksporteve, ndonëse dinamika është e ndryshme. Ndërsa eksportet drejt Bullgarisë janë rritur ndjeshëm me 26%, Kroacia shfaq rënie të lehtë, duke sinjalizuar luhatje të kërkesës ose ndryshime në strukturën e produkteve të eksportuara. Në tërësi, Ballkani vazhdon të dominojë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe për shkak të kostove më të ulëta logjistike dhe lidhjeve tradicionale tregtare.
Zoti Koni tha se ka pasur rritje të fortë në pranverë, të lakrës dhe bostanit në tregjet e reja të BE-së, sidomos në Poloni dhe në disa vende nordike.
Eksportet e zarzavateve të freskëta në tregjet e Bashkimit Europian shfaqen më të fragmentuar. Italia, historikisht një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë, shënon rënie të fortë të eksporteve, me mbi 38% më pak krahasuar me një vit më parë, duke dhënë një sinjal shqetësues për dobësimin e kërkesës ose zhvendosjen e flukseve tregtare.
Një rënie e ndjeshme vërehet edhe në Francë, Zvicër dhe Norvegji, gjë që tregon se eksportet shqiptare në disa nga tregjet e zhvilluara europiane po përballen me vështirësi.
Megjithatë, ka edhe përjashtime pozitive brenda BE-së. Eksportet drejt Gjermanisë u rritën me 97%, në Poloni, me 106%; në Rumani, 66%, dhe në Suedi, 145%, me rritje të fortë, për shkak të bazës së ulët që kanë, por edhe faktit se në këto tregje ka hapësirë për zgjerim dhe se disa sektorë po arrijnë të depërtojnë më mirë.
Humbje të mëdha pas të korrave
Prodhimi pa planifikim dhe problemet në zinxhirin e furnizimit bëjnë që një pjesë e madhe e prodhimit bujqësor të përfundojë në mbeturina. Fermerët në zonën e Lushnjës pohuan se shpesh, gati gjysma e një kulture hidhet sërish në tokë.
Statistikat e bujqësisë kanë besueshmëri të ulët sipas Eurostat dhe qeveria nuk i orienton fermerët për prodhimet në bazë të planeve të konsumit të brendshëm.
Vendi nuk ka ende një sistem kombëtar monitorimi që t’i masë rregullisht për të gjitha kulturat. Raportet sektoriale tregojnë se humbjet e kulturave bujqësore variojnë nga 10% në mbi 50% për frutat. Humbjet përfshijnë dëmtimet në korrje, mungesën e frigoriferëve, dëmet gjatë transportit dhe ato në treg.
Vërehet se pas çdo cikli prodhimi, shumë fermerë detyrohen të hedhin sasi të konsiderueshme të frutave, jo sepse janë të parregullta për konsum, por sepse nuk kanë kushte për t’i ruajtur ose për t’i çuar me kohë në treg ose çmimet janë shumë të ulëta.
Mungesa e teknologjisë së duhur në fazën e korrjes po dëmton shumë fruta dhe perime nga trajtimi i pakujdesshëm. Në shumë zona, produkti mbetet me orë të tëra në diell para se të largohet nga parcela, duke përshpejtuar kalbjen.
Më tej, faza e ruajtjes paraqet sfidat më të mëdha. Shqipëria ka kapacitete të kufizuara frigoriferike, shumë prej të cilave përdoren në mënyrë joefikase.
Studimet tregojnë se mungesa e ftohjes së menjëhershme pas korrjes, është një faktor kritik që rrit ndjeshëm humbjet, sidomos te mollët dhe agrumet. Paketimi i papërshtatshëm, higjiena e pamjaftueshme e magazinave dhe mjetet transportuese pa kontroll temperature i shtojnë më tej dëmet.
Gjatë transportit, humbjet thellohen nga rrugët e amortizuara dhe nga përdorimi i mjeteve që nuk janë frigoriferike, çka çon në dëmtime mekanike dhe rënie të cilësisë.
Në treg, sidomos në tregjet e hapura, produktet ekspozohen ndaj temperaturave të larta, diellit, lagështisë apo kushteve të pasigurta të ruajtjes, duke bërë që frutat dhe perimet të humbin shpejt vlerën tregtare ose të dalin nga përdorimi.
Një studim i mëparshëm i CIHEAM, i vetmi me matje të drejtpërdrejtë në tregjet e Korçës, gjeti se humbjet në hallkat e tregtimit për fruta si mollët, pjeshkat apo rrushi varionin nga 11% deri në mbi 17%, pa llogaritur humbjet në fushë e të transportit, që do ta rritnin edhe më shumë shifrën reale.
Humbjet pas korrjes në Shqipëri janë pasojë e strukturës së fragmentuar të bujqësisë, ku fermat e vogla dhe individuale nuk kanë kapacitet të investojnë në depo, linja selektimi apo teknologji ruajtjeje. Mungesa e kooperativave funksionale, aksesit në tregje dhe shërbimeve këshillimore bujqësore e bën të vështirë standardizimin e praktikave moderne.
Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat dhe Komisionit Europian, çdo vit në BE hidhet 60 milionë tonë ushqim, 130 kg ushqim i hedhur për frymë në vit.
Kjo përfshin ushqimin e humbur dhe të hedhur në të gjithë zinxhirin ushqimor nga prodhimi në fermë, përpunimin, shpërndarjen, dyqanet, restorantet e deri te shtëpitë e konsumatorëve. Humbjet në BE janë më të ulëta se në Shqipëri pasi zinxhirët e furnizimit dhe ekonomia qarkulluese funksionojnë të mirorganizuara.
Kostot e bujqësisë nga anëtarësimi në BE
Shqipëria synon të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030, por për t’u përshtatur me standardet e Bashkimit Europian (BE) në kuadër të procesit të anëtarësimit, bujqësia duhet të kalojë nga një sektor kryesisht informal dhe me produktivitet të ulët, në një sistem të formalizuar, të certifikuar dhe të qëndrueshëm, në përputhje me Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) të BE-së.
Për një fermë mesatare perimesh ose frutash 10–15 ha në fazën e parë vjen kostoja e certifikimit për kriterin GlobalG.A.P., që është praktikisht kusht bazë për shumë importues europianë, shpenzimi fillestar për përgatitje, dokumentacion dhe auditim varion zakonisht nga 1.500 deri në 3.000 euro.
Më pas, certifikimi duhet rinovuar çdo vit, me një kosto vjetore që shkon nga 800 deri në 1.500 euro, në varësi të madhësisë së fermës dhe numrit të parcelave. Ruzhdi Koni, i cili eksporton prej vitesh prodhime bujqësore, thotë se kostot e përshtatjes për të gjithë zinxhirin bujqësor shqiptar janë shumë të larta për kapacitetet e fermave shqiptare.
Pas certifikimit, vjen formalizimi dhe administrimi. Regjistrimi i aktivitetit, kontabiliteti, deklarimet fiskale dhe shërbimet bazë administrative kushtojnë mesatarisht 600 – 1.200 euro në vit. Këto janë kosto që më parë mungonin për fermerin informal, por bëhen të domosdoshme për eksport.
Një tjetër zë i rëndësishëm është gjurmueshmëria dhe dokumentacioni teknik. Standardet e BE-së kërkojnë regjistrat e prodhimit, përdorimit të pesticideve, këshillim agronomik dhe në disa raste, përdorimin e sistemeve digjitale të thjeshta me shpenzime shtesë rreth 500 – 1.000 euro në vit, kryesisht për shërbime këshillimore dhe menaxhim dokumentacioni.
Kostot rriten ndjeshëm kur futemi tek analizat laboratorike. Zoti Koni thotë se për çdo ngarkesë eksporti kërkohen analiza për mbetje pesticidesh dhe parametra të tjerë. Një analizë e plotë për një produkt të freskët kushton zakonisht 150 – 300 euro për ngarkesë. Nëse një eksportues dërgon 20 – 30 ngarkesa në vit, vetëm analizat mund të arrijnë 3.000 – 7.000 euro në vit.
Në nivel tregu, ka edhe kosto kontraktuale dhe rrezik komercial. Për të përmbushur kontratat me importuesit europianë, eksportuesi duhet të mbajë rezerva, të sigurojë furnizim alternativ dhe të përballojë humbje nga refuzimi i ndonjë ngarkese.
Ekspertët e sektorit përllogarisin se, kostoja fillestare për hyrje në eksport drejt BE-së (certifikim + investime bazë) mund të arrijë në 25.000 – 50.000 euro, ndërsa kostoja vjetore e mirëmbajtjes së standardeve varion zakonisht nga 6.000 deri në 12.000 euro, pa llogaritur rreziqet tregtare.
BE ka rregulla shumë të rrepta për ushqimin që qarkullon në tregun e përbashkët. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht standardet HAÇP, ISO 22000 dhe GlobalG.A.P./Marrë nga Monitor/kb
Më 8 shkurt 1993, qielli mbi periferinë perëndimore të Teheranit u kthye në skenë të një prej fatkeqësive më të rënda ajrore të asaj kohe. Dy avionë – një civil dhe një ushtarak – u përplasën në ajër mbi qytetin Qods, duke marrë me vete jetën e të gjithë personave që ndodheshin në bord. Në total humbën jetën 133 njerëz, një bilanc që e bëri këtë ngjarje katastrofën ajrore më vdekjeprurëse të vitit 1993.
Fluturimi i fundit
Avioni civil ishte një Tupolev Tu-154M i kompanisë Iran Air Tours, i cili po kryente fluturimin çarter 962 nga aeroporti Mehrabad i Teheranit drejt qytetit të shenjtë Mashhad. Në bord ndodheshin 119 pasagjerë dhe 12 anëtarë ekuipazhi.
Në të njëjtën kohë, një avion luftarak Sukhoi Su-24 i Forcës Ajrore iraniane po përgatitej për ulje në të njëjtin aeroport. Gjatë fazës së ngjitjes së avionit civil dhe afrimit të avionit ushtarak për ulje, dy mjetet ajrore humbën kontaktin vizual dhe u përplasën në ajër rreth 15 kilometra larg aeroportit.
Përplasja ishte shkatërruese: pjesa e pasme e Tupolevit u këput, ekuipazhi humbi kontrollin dhe të dy avionët ranë mbi një depo ushtarake pranë zonës urbane. Asnjë person nuk mbijetoi.
Shkaqet e aksidentit
Hetimet treguan se tragjedia lidhej me mungesën e koordinimit mes kontrollit civil dhe atij ushtarak të trafikut ajror, si dhe me faktorë operacionalë gjatë afrimit dhe ngjitjes së avionëve.
Ky kombinim fatal gabimesh, në një hapësirë ajrore të përbashkët, çoi në përplasjen e pashmangshme që shkatërroi të dy mjetet dhe mori 133 jetë njerëzish.
Jehona e një katastrofe
Ngjarja tronditi opinionin publik iranian dhe komunitetin ndërkombëtar të aviacionit. Përveç humbjeve njerëzore, ajo nxori në pah rreziqet e bashkëjetesës së trafikut civil dhe atij ushtarak pa koordinim të plotë – një mësim i dhimbshëm që mbetet aktual edhe sot.
Tragjedia mbi Qods mbetet një kujtesë e fortë se, në aviacion, një çast i vetëm gabimi mund të kthehet në histori zie për qindra familje. Në qiellin ku zakonisht shkruhen rrugët e udhëtimit dhe shpresës, atë ditë u shkrua një kapitull i errët i kujtesës njerëzore.
Qiratë dhe kostoja më e ulët e jetesës, si dhe mundësia për të qëndruar deri në një vit pa leje qëndrimi po e bëjnë Shqipërinë destinacionin e parapëlqyer edhe për pensionistët amerikanë. Sipas agjentëve të pasurive të patundshme, Vlora dhe Saranda janë ndër qytetet kryesore ku ata qëndrojnë me qira nga 400 deri në 500 USD në muaj.
Prej muajit tetor, Lisa Spence, 62 vjeçe, nga shteti i Alabamës në SHBA, jeton në Vlorë.
Zonja Spence tregon për “Monitor” se ka zgjedhur të jetojë për një vit në Shqipëri për shkak të kostos së ulët të jetesës dhe leverdishmërisë ekonomike, duke pasur parasysh të ardhurat e saj mujore nga pensioni me vlerë 2,200 USD.
Lisa tashmë pensioniste, tregon se ka punuar 18 vjet si administratore në një zyrë kontabiliteti të një kompanie të madhe ndërtimi. Ajo pohon se jeta në SHBA është shumë herë më e shtrenjtë krahasuar me Shqipërinë. Sipas saj, kjo është një ndër arsyet kryesore pse ka vendosur të qëndrojë për një vit në Vlorë.
Ajo jeton në një apartament me qira në zonën e Lungomares në Vlorë. Për një apartament me dy dhoma dhe ballkon me pamje panoramike, paguan 400–500 USD në muaj, ndërsa në SHBA, një pronë e ngjashme sipas saj do të kushtonte minimalisht 1,400 USD.
Lisa Spence
“Me të ardhurat që kam nga pensioni, nuk do të mbijetoja në SHBA. Cilësia e jetës këtu është shumë i mirë duke pasur parasysh, të ardhurat mujore nga pensioni. Gjithashtu njerëzit janë shumë mikpritës.
Në Shqipëri mund të shijosh momentet e vogla të jetës, si të pish një kafe, të ecësh apo të bësh shëtitje. Edhe cilësia e ushqimeve është shumë e mirë. Klima, ajri i pastër, deti, Vlora është vend ideal për të bërë një jetë të mirë. Atje të gjithë njerëzit nxitojnë. Këtu jeta është më e qetë”, shprehet ajo.
Kjo është përvoja e saj e parë e të jetuarit në një shtet jashtë SHBA-së. Zonja Spence u njoh me Shqipërinë pas disa kërkimeve që bëri mbi listën e vendeve miqësore të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku përfshihet edhe Shqipëria.
“Ishte shumë e rëndësishme që, para se të vendosja se ku do të jetoja, të bëja një kërkim mbi shtetet në listën e vendeve miqësore të publikuara nga DASH, pasi për një zonjë pensioniste që jeton e vetme, siguria mbetet kryesorja”, – përfundon zonja Spence.
Më tej, ajo nënvizon se deri tani ka qenë shumë e lehtë për të pasur shërbim ambulator mjekësor, edhe për shkak të një gjendjeje gripale që kaloi, si dhe kujdesin dentar. Ajo shton se deri tani nuk i është dashur të përdorë shërbim spitalor.
Zonja Spence e rekomandon qytetin e Vlorës edhe për shtetas të tjerë amerikanë që kërkojnë të jetojnë jashtë vendit të tyre, pas daljes në pension.
Agjentët e tregut të shitblerjes së pasurive të paluajtshme pohojnë se në qytetet bregdetare, si në Vlorë dhe Sarandë, vihet re një tendencë e rritjes të kërkesës së shtetasve të huaj pensionistë, përfshirë edhe shtetasit amerikanë për të jetuar me qira.
Sipas agjentes imobiliare Viola Shehaj-Malaj, kërkesa e pensionistëve amerikanë për të jetuar në qytetin e Vlorës në apartamente me qira ka shënuar rritje të ndjeshme në vitin 2025, tendencë që ka vijuar edhe në muajin e parë të 2026.
Në tërësi, sipas saj, afatet e qëndrimit nga shtetasit e huaj që kanë zgjedhur Vlorën për të qëndruar zgjatin nga 1 deri në 2 vite. Ndërsa pensionistët amerikanë po testojnë këtë lloj përvoje, për të vendosur më tej për afatet e qëndrimit, duke shfrytëzuar avantazhin e qëndrimit deri në një vit në Shqipëri pa vizë dhe leje qëndrimi.
Znj. Shehaj-Malaj thekson se një nga faktorët kryesorë që i tërheq është kostoja e ulët e jetesës në Shqipëri krahasuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht çmimet e ulëta të qirave, klima dhe qetësia që gjejnë në qytetet bregdetare.
“Shumica e shtetasve amerikanë që po zgjedhin të qëndrojnë në Vlorë pohojnë se arsyeja kryesore mbetet kostoja e ulët e jetesës, sidomos e qirave që janë shumë herë më të lira. Nëse në Vlorë gjen një apartament të tipologjisë 1+1 me çmim 400 USD/muaj, në SHBA çmimi minimal është rreth tre herë më i lartë.
Por duhet theksuar se shumë prej pensionistëve amerikanë janë në fazën e testimit. Shumë prej tyre parapëlqejnë të qëndrojnë disa javë apo disa muaj, duke shfrytëzuar afatin e qëndrimit njëvjeçar pa vizë dhe leje qëndrimi në Shqipëri, për ta testuar këtë përvojë. Disa të tjerë zgjedhin të qëndrojnë një vit të plotë, për t’u larguar dhe për t’u kthyer sërish. Kjo periudhë i ndihmon të marrin vendimin nëse do të qëndrojnë afatgjatë”, nënvizon ajo.
Përveç shtetasve amerikanë, qyteti i Vlorës vijon të mbetet mjaft i kërkuar për qëndrim afatgjatë edhe prej pensionistëve italianë, sipas agjentes imobiliare. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat italiane, deri në muajin mars 2025, numri i pensionistëve italianë që jetonin në Shqipëri arriti në 3,000 nga 300 pensionistë italianë në vitin 2021.
Rritja e numrit të tyre është ndikuar nga politikat fiskale të Shqipërisë për mostatimin e pensioneve të shtetasve italianë.
“Në praktikë, nëse në Itali 1,500 euro bruto kthehen në 1,150 euro neto, këtu mbeten 1,500 euro të pastra. Dhe nuk vijnë vetëm ata me të ardhura të ulëta, por ka edhe shumë pensionistë të pasur me më shumë se 50 mijë euro në vit”, pohoi më herët për “Corriere Della Sera” një pensionist italian që jetonte në Shqipëri.
Nga lehtësitë e qëndrimit deri te lehtësitë fiskale, arsyet kryesore për zgjedhjen e Shqipërisë
Përveç faktorit më të rëndësishëm që është kostoja e ulët e jetesës, një tjetër arsye e fortë që po tërheq amerikanët është mundësia për të jetuar në Shqipëri deri në një vit pa pasur nevojë për vizë ose leje qëndrimi të gjatë.
Kjo periudhë e mjaftueshme u jep atyre mundësinë të njohin vendin, të vizitojnë qytetet bregdetare dhe të vendosin nëse duan të krijojnë plane afatgjata për qëndrimin.
“Në vargun e turistëve që po vijnë në Shqipëri, po vihet re edhe një trend i ri që përfshin punonjësit nomadë (ata që mund të punojnë nga kudo në botë) dhe pensionistët, veçanërisht nga vendet perëndimore.
Përveç pensionistëve italianë, të cilët janë bërë banorë të rregullt të qyteteve bregdetare të Shqipërisë si Durrësi, Vlora apo Saranda, një grup tjetër që po shfaq interes për tregun shqiptar janë amerikanët.
Media dhe PR-i ndërkombëtar kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi Shqipëria po listohet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet më të mira për daljen në pension, duke u përfshirë në lista krahas vendeve si Portugalia, të cilat kanë politika të qarta për tërheqjen e kësaj kategorie turistësh që më pas shndërrohen në rezidentë.
Në rastin e Shqipërisë, kostoja e jetesës renditet si një nga përparësitë kryesore, por mbi të gjitha vlerësohet liria që ofron pasaporta amerikane, e cila u lejon mbajtësve të saj të qëndrojnë në vendin tonë deri në një vit pa pasur nevojë për dokumente afatgjata rezidence”, thekson Stela Dhami, nga agjencia imobiliare ndërkombëtare “Colliers International Albania”.
Lehtësitë për lejet e qëndrimit për shtetasit amerikanë
Policia e Shtetit sqaroi për “Monitor” se bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të miratuar në muajin mars të vitit 2022, shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë pa leje qëndrimi për një periudhë deri në një vit.
Sipas VKM, këta shtetas mund të rihyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë nëse kanë qëndruar më shumë se 90 ditë jashtë territorit të Shqipërisë. Ky vendim është marrë në mbështetje të ligjit “Për të huajt” dhe synon lehtësimin e regjimit të hyrjes dhe qëndrimit për shtetasit amerikanë.
Përveç shtetasve amerikanë në Shqipëri pa leje qëndrimi mund të qëndrojnë edhe shtetasit nga Ukraina. Nëpërmjet vendimit të miratuar në muajin maj 2023, qeveria shqiptare vendosi të zgjasë afatin për hyrjen dhe qëndrimin e ukrainasve në Shqipëri. Nga një vit tashmë ata kanë mundësinë që të qëndrojnë pa leje deri në dy vjet.
Po ashtu sipas ligjit “Për të huajt” shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe shtetasit e Republikës së Kosovës, kur aplikojnë për herë të parë dhe plotësojnë kriteret e përgjithshme të përcaktuara në nenin 36 të këtij ligji, përfitojnë leje qëndrimi me afat 5-vjeçar.
Sipas ligjit “Për të huajt”, konkretisht nën nenin 33 të tij, përcaktohet se leja e qëndrimit, nëse nuk është përcaktuar ndryshe në këtë ligj ose në marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, jepen për një afat prej 3 muajsh, 6 muajsh ose 1 viti, ku leja 1-vjeçare mund të ripërtërihet jo më shumë se 5 herë radhazi.
Gjithashtu, leja e qëndrimit mund të jepet për një periudhë 2-vjeçare, e cila mund të ripërtërihet vetëm një herë, ose për një afat 5-vjeçar, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Leja e qëndrimit e përhershme jepet në rast se i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm për 5 vjet radhazi në Republikën e Shqipërisë dhe ka lidhje ose veprimtari të qëndrueshme në vend.
Shqipëria garanton leje qëndrimi për pensionistët e huaj me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë
Sipas vendimit “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të përditësuar, Shqipëria gjithashtu ofron leje qëndrimi për pensionistët e huaj që përfitojnë pension nga vendi i origjinës, duke vendosur disa kritere kryesore: të ardhura vjetore nga pensioni mbi 1,2 milionë lekë.
Gjithashtu në e-Albania te rubrika për “Aplikim për leje qëndrimi për pensionist”, si dokumentacion i nevojshëm përcaktohet: kontratë qiraje ose dokument që vërteton akomodim të përshtatshëm, dëshmi e të ardhurave vjetore nga pensioni në vendin e origjinës në vlerën mbi 1,200,000 lekë, dëshmi nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri për transferimin e pensionit, vërtetim të sigurimeve shëndetësore në Shqipëri, dokument identifikimi i vlefshëm dhe dëshmi penale të legalizuar (vetëm për aplikimin e parë).
Eksperti fiskal Julian Saraçi thekson se shumë nga pensionistët e huaj supozojnë se pensionet nuk tatohen automatikisht në Shqipëri. Në fakt, tatimi në burim prej 15% aplikohet mbi pensionet e huaja, përveç rasteve kur ekzistojnë marrëveshje dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë (DTT) me vendin e origjinës.
Marrëveshjet me vende si Italia, Gjermania apo Kosova mund të parashikojnë që pensioni të tatohet vetëm në shtetin burim ose vetëm në vendin e rezidencës, duke krijuar përfitime fiskale reale për pensionistët e huaj që zgjedhin Shqipërinë.
“Interesi në rritje i pensionistëve të huaj për të jetuar në Shqipëri lidhet shpesh me perceptimin se pensionet nuk tatohen. Ky perceptim, megjithatë, ka nevojë për një sqarim të rëndësishëm ligjor.
Sipas Ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale zbatohet vetëm për pensionet që burojnë nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri, siç përcaktohet shprehimisht në nenin 11, pika “a”, ku përjashtohen “të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Në të gjitha rastet e tjera, pra kur pensioni përfitohet nga një shtet i huaj dhe përfituesi konsiderohet jo-rezident fiskal, ligji shqiptar parashikon tatim në burim prej 15% mbi të ardhurat, në përputhje me ligjin.
Nga ky këndvështrim, legjislacioni i brendshëm nuk ofron një përjashtim automatik për pensionet e huaja.
Megjithatë, këtu hyn në lojë një normë më e lartë e së drejtës siç janë marrëveshjet dypalëshe për shmangien e tatimit të dyfishtë (DTT). Shqipëria ka nënshkruar një numër të konsiderueshëm të këtyre marrëveshjeve me vende të ndryshme, përfshirë Italinë, Gjermaninë, Kosovën dhe shtete të tjera europiane.
Sipas parimit të hierarkisë normative, dispozitat e këtyre marrëveshjeve kanë përparësi ndaj legjislacionit të brendshëm shqiptar.
Në praktikë, shumë nga këto marrëveshje parashikojnë që pensionet të tatohen vetëm në shtetin e burimit ose vetëm në shtetin e rezidencës, në varësi të llojit të pensionit (publik apo privat) dhe formulimit konkret të marrëveshjes.
Kjo krijon, në raste të caktuara, një lehtësim real fiskal për pensionistët e huaj që zgjedhin Shqipërinë si vendbanim.
Megjithatë, është thelbësore të theksohet se nuk ekziston një zgjidhje standarde që vlen për të gjithë pensionistët. Çdo rast duhet të analizohet individualisht, duke marrë në konsideratë shtetin nga buron pensioni, llojin e pensionit, statusin e rezidencës fiskale dhe dispozitat konkrete të marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë që aplikohet.
Në këtë kuptim, Shqipëria nuk ofron një “përjashtim të përgjithshëm” për pensionistët e huaj, por një kornizë ligjore fleksibël, ku lehtësitë fiskale burojnë kryesisht nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo nga ligji i brendshëm në vetvete.
Kjo është arsyeja pse çdo pensionist duhet të vlerësojë rrethanat e tij specifike dhe, idealisht, të marrë këshillim profesional përpara se të marrë vendime afatgjata fiskale dhe rezidenciale”, shpjegon eksperti Julian Saraçi.
Perspektiva e tregut…
Stela Dhami, nga “Colliers International Albania” parashikon se në të ardhmen, numri i pensionistëve të huaj amerikanë që do të kërkojnë të jetojnë në Shqipëri do të rritet, nëse shteti harton politikat e duhura për tërheqjen e tyre.
“Sipas të dhënave ‘The Great American Exodus 2025’ nga GetGoldenVisa 450,000–760,000 amerikanë kanë dalë në pension në vende si Meksika dhe Kanadaja, dhe 28% e tyre orientohen drejt Europës. Aktualisht një numër i lartë pensionistësh amerikanë jetojnë në Shqipëri, por ky numër mund të rritet ndjeshëm nëse hartohen politika të duhura për të tërhequr më shumë pensionistë”.
Ekspertët rekomandojnë se politikat e mundshme për tërheqjen e pensionistëve mund të përfshijnë promovim ndërkombëtar, përmirësim të infrastrukturës shëndetësore, apo edhe lehtësime fiskale.
Sa të huaj të moshës mbi 60 vjeç janë të pajisur me leje qëndrimi
Për vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT, numri i shtetasve të huaj mbi 60 vjeç arriti në 3,007 persona apo 16% më shumë sesa në 2023.
Të huajt për grupin e moshës mbi 60 vjeç përbën rreth 17% të totalit të të huajve me leje qëndrimi, duke reflektuar rritjen e interesit të pensionistëve për vendbanime afatgjata në Shqipëri.
Peshën kryesorë të të huajve me leje qëndrimi e mbajti grupmosha nga 30 deri në 39 vjeç, duke përbërë rreth 27% të totalit, e ndjekur më pas nga grupmosha nga 20 deri në 29 vjeç që zunë 19,8% të totalit, ndjekur nga grupmosha 40 deri në 49 vjeç duke zënë 19,5% të totalit.
Nga totali i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri për vitin 2024, europianët mbajnë rreth 65.5% të peshës, e ndjekur nga shtetasit nga Azia që përbënë 21% të totalit, ndërsa amerikanët, rreth 7%.
Tendencat e shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri
Sipas të dhënave të Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER) dhënë për “Monitor” nga Policia e Shtetit, për vitin 2025 numri i shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri arriti 27,514 leje qëndrimi aktive. Krahasuar me 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi është rritur 25,4%.
Ndër këta, për vitin 2025, shtetasit amerikanë përbëjnë 1,128 persona, duke shënuar rënie prej 22.3% nga viti i kaluar. Për vitin 2025, shtetasit amerikanë të pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri përbënin 4% të totalit të të huajve me leje qëndrimi në vend, kundrejt 7% që përbënë në vitin 2024.
Nga totali prej 27,514 lejesh qëndrimi aktive deri në fund të vitit 2025, shumica e të huajve janë nga Kosova, me 6,076 persona, që përbën rreth 22% të totalit. Pas Kosovës, është Italia me 3,776 persona (13.7%) dhe India me 2,399 persona (8.7%). Filipinet kanë 2,213 persona (8%), ndërsa Egjipti, 2,007 persona (7.2%) dhe Turqia 1,862 persona (6.7%).
Nga ana tjetër, Mianmari ka 445 persona (1.6%), Kina 362 persona (1.3%) dhe Nigeria, 184 persona (0.6%).
Megjithatë, motivi kryesor për pajisjen me leje qëndrimi në Shqipëri vijon të mbetet për çështje punësimi dhe bashkimi familjar.
Për vitin 2025, nga totali i aplikimeve të reja, 65% e tyre ishin për leje unike punësimi, e ndjekur nga aplikimet për bashkim familjar që përbënë 13% apo për qëllime studimi, rreth 5%. Ndërsa numri i shtetasve të huaj që aplikuan për leje të përhershme qëndrimi ishte 40, duke përbërë 0.2% të totalit të numrit të aplikimeve për 2025.
Nga totali i aplikimeve, për 2025-n, sipas të dhënave 7,049 apo 36.4% prej tyre janë aplikime nga femra dhe 12,272 apo 63.6% nga meshkuj.
Aplikime të reja për 2025
Gjatë vitit 2025, sipas Regjistrit Elektronik për të Huajt (FER), janë përpunuar gjithsej 19,321 aplikime për leje qëndrimi, që tregon një rritje të dukshme krahasuar me 13,176 aplikime që u përpunuan gjatë vitit 2024. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre është rritur me 6,145 aplikime me apo 47% më shumë.
Gjatë vitit 2025, shtetësitë kryesore që kanë aplikuar për herë të parë për leje qëndrimi është India me 2,691 aplikime, që përbën 14% të totalit, Filipinet me 2,415 aplikime (13%), Italia me 2,239 aplikime (12%), Egjipti me 2,198 aplikime (11%), Kosova me 1,813 aplikime (9%), Turqia me 1,441 aplikime (7%), SHBA me 606 aplikime (3%), Mianmari me 506 aplikime (3%), Rusia me 442 aplikime (2%) dhe Ukraina me 312 aplikime (2%)./Marrë nga Monitor/kb
Këtë të dielë, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas parashikimit të metereologëve, moti do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa kthjellime të herëpashershme priten kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në jug gjatë orëve të pasdites.
Reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit dhe do të vijojnë deri në orët e paradites në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar, në formë shtrëngatash afatshkurtra.
Gjatë ditës, reshjet do të vazhdojnë kryesisht me intensitet të ulët, ndërsa shtrëngata të izoluara do të shfaqen në zonat veriore deri në orët e pasdites.
Në Alpe dhe në relievet e larta malore të verilindjes dhe juglindjes, priten reshje dëbore me intensitet kryesisht të dobët.
Era do të fryjë nga drejtimi verilindje–veriperëndim me shpejtësi mesatare rreth 4 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 9 m/s. Deti do të jetë me valëzim të ulët, forcë 1 deri në 2 ballë./kb
Qeveritë evropiane janë të tmerruara nga kërcënimet e Donald Trumpit për tregtinë, Groenlandën dhe të ardhmen e NATO-s. Por kërcënimi më i madh nuk është që Trump të pushtojë një aleat apo ta lërë Evropën në mëshirën e Rusisë. Ai qëndron në faktin se lëvizja e tij ideologjike mund ta transformojë Evropën nga brenda.
Mark Leonard*
Një vit pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, “revolucioni i dytë amerikan” po rrezaton drejt Evropës. Dosjet Epstein tregojnë se kjo nisi në mënyrë të ngathët në vitin 2018 me Steve Bannon; por është shndërruar në një partneritet shumë më të sofistikuar me rikthimin e Trumpit dhe ngritjen në pushtet të JD Vance. Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë në nëntor, bëri thirrje për forcimin e ndikimit në rritje të partive “patriotike” evropiane si Reform UK, Alternative für Deutschland (AfD), Rassemblement National (RN) i Marine Le Pen, Fidesz në Hungari dhe Vox në Spanjë. Ashtu si lëvizjet komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, këto parti nacionaliste, populiste dhe në disa raste të së djathtës ekstreme kuptohen më mirë jo si fenomene kombëtare të izoluara, por si shprehje të një projekti intelektual të përbashkët – një lëvizje që, në shkallë të ndryshme, po përforcohet tani nga një fuqi e huaj.
Kjo lëvizje shpesh paraqitet si e kthyer nga e kaluara ose reaksionare, e përqendruar në rikthimin e një të shkuare të imagjinuar. Në realitet, forca e saj qëndron në faktin se është radikalisht bashkëkohore – e përshtatur me imtësi ndaj kushteve politike, shoqërore dhe intelektuale të shekullit XXI. Gjatë 18 muajve të fundit kam kërkuar ta kuptoj këtë lëvizje, duke biseduar me intelektualë hungarezë me syze, politikanë të rinj të rruar së fundmi nga RN në Francë, filozofë politikë hebrenj ortodoksë dhe mbështetës të palëkundur të Maga-s në SHBA. Bazuar në këtë kërkim, jam i bindur se, larg të qenit e ngujuar në të kaluarën, ajo është hiper-moderne dhe bartësit e saj kanë një analizë bindëse të dështimeve të demokracisë liberale dhe një rrugë drejt pushtetit. Prandaj quhet “e djathta e re”.
Në qendër të vetëkuptimit të kësaj lëvizjeje qëndron pretendimi se liberalizmi ka dështuar, bashkë me rendin global të ndërlidhur thellë që ai promovoi pas Luftës së Ftohtë. Sipas këtij rrëfimi, qytetarët kanë parë kulturat dhe ekonomitë kombëtare të goditura nga një varg i pandërprerë krizash që burojnë nga liberalizimi: kriza financiare globale e vitit 2008, kriza e eurozonës dy vjet më vonë, kriza e refugjatëve e vitit 2015, pandemia e Covid-it në 2020 dhe rritja e mprehtë e kostos së jetesës pas pushtimit rus të Ukrainës në 2022. Çdo krizë, sipas tyre, ka zbuluar kufijtë e qeverisjes liberale, ka mbingarkuar kapacitetet e shtetit dhe ka ushqyer dyshimet se interesat e kujt po shërbenin realisht qeveritë. Qeveritë shpëtuan bankat, theksojnë ata, por ulën pagesat sociale dhe lejuan sekuestrimin e shtëpive. Njerëzit e zakonshëm paguan çmimin e këtyre krizave – me humbje pune, shërbime të dobësuara ose fatura në rritje – ndërsa elitat u mbrojtën nga pasojat.
Një nga përfaqësuesit më artikulues të kësaj pikëpamjeje është Benedikt Kaiser, i akuzuar se dikur ka lëvizur në qarqe neo-naziste, i cili ka përqafuar politikën zgjedhore dhe po bëhet një nga zërat kryesorë në ekosistemin intelektual të AfD-së. Kaiser më tha se ishte bashkimi i këtyre krizave ai që kishte zbehur legjitimitetin e rendit liberal të pasluftës dhe të partive kryesore, duke krijuar hapjen thelbësore që kryengritësit politikë të kapnin agjendën politike.
Mbi bazën e këtyre krizave, lëvizja synoi të ndërtonte një koalicion të ri elektoral, duke iu drejtuar mbi të gjitha votuesve të klasës punëtore që ndjenin se kishin humbur, duke përjetuar rënie relative në të ardhura, siguri dhe status shoqëror. Ky apel është përmbledhur në një agjendë të qartë politike që shtrihet nga emigracioni te tregtia, politika e jashtme dhe reforma e shtetit, të gjitha të lidhura nga premtimi për të rikthyer një identitet të përbashkët kombëtar. Kufijtë u bënë mjet për të dalluar anëtarët “e vërtetë” të kombit nga të huajt. Tarifat u ripërkufizuan si mënyrë për të rindërtuar prodhimin vendas dhe për të ngritur dinjitetin e punës. Politika e jashtme u reduktua në një interes kombëtar të përcaktuar ngushtë. Ndërsa rezistenca institucionale u kapërcye duke sulmuar “shtetin e thellë” dhe duke diskredituar ekspertët si rojtarë të një rendi liberal tashmë të diskredituar.
Suksesi i së djathtës së re mbështetet edhe në zotërimin e saj të një mjedisi mediatik të fragmentuar – dhe në përdorimin e hapësirës algoritmike të informacionit. Ndërsa sfera publike u shpërbë në nënkultura online, ajo mësoi të anashkalojë gazetarinë tradicionale dhe të dominojë platformat digjitale. Duke avancuar një interpretim lejues të “lirisë së fjalës”, ajo krijoi aleanca me magnatë të teknologjisë si Elon Musk dhe e mbushi hapësirën online me narrativat dhe sloganet e saj. Shpesh e pajisur me “fakte alternative” dhe meme provokuese, e djathta e re tani dominon ekonominë e vëmendjes. Shkrimtari konservator amerikan Rod Dreher më përmendi rastin e Isabel Vaughan-Spruce, një aktiviste e krishterë e arrestuar dy herë në Birmingham për lutje jashtë një klinike aborti, për të ilustruar se si e djathta kryesore dhe ajo digjitale jetojnë tashmë në realitete krejt të ndryshme. Edhe pse Vaughan-Spruce është bërë figurë kulti në sferën informative të së djathtës së re, shumica e lexuesve të Guardian nuk kanë dëgjuar për të.
Ndoshta manovra e tyre më efektive ka qenë detyrimi i partive kryesore të hyjnë në një pozitë të pashpresë – duke i paraqitur ato si mbrojtëse të elitave dhe jo të punëtorëve, të vazhdimësisë dhe jo të ndryshimit. Për shumë kohë, partitë e vendosura e nënvlerësuan shkallën e kërcënimit. Kur reaguan, shpesh iu kthyen imitimit të retorikës përçarëse të së djathtës së re, veçanërisht për migracionin. Por imitimi shpesh pati efektin e kundërt: forcimin e sfiduesve në vend që t’i neutralizonte.
Çdo përgjigje efektive, pra, duhet të nisë duke pranuar forcën e kritikës së së djathtës së re ndaj liberalizmit. Kjo duhet shoqëruar me një projekt politik që flet për shqetësimet e klasës punëtore dhe përdor metoda të reja angazhimi – një qasje që ka funksionuar me sukses në Danimarkë dhe Holandë, si edhe në Kentaki dhe Nju Jork.
Ndoshta mësimi më i qartë vjen nga figura si Mark Carney dhe Anthony Albanese, të cilët kanë kuptuar se lidhja e populistëve të vendeve të tyre me revolucionin e Trumpit mund të jetë një dobësi për ta. Sondazhet e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë sugjerojnë se trumpizmi mund të ndjekë një trajektore të ngjashme: në vend pas vendi, shumica të qarta tani e shohin rizgjedhjen e Trumpit si të dëmshme. Nëse forcat centriste zgjohen ndaj kërcënimit ndërkombëtar që paraqet revolucioni i dytë amerikan dhe bashkohen rreth një strategjie që i kthen pikat e forta të së djathtës së re në dobësi, ekziston ende mundësia që qendra politike të rishpikë veten si mbrojtësja e vërtetë e sovranitetit kombëtar dhe të përdorë lidhjet mes partive të së djathtës së re dhe Trumpit për t’i mposhtur ato.
Mark Leonard është autor i raportit The New Right: Anatomy of a Global Political Revolution dhe drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë me bazë në Berlin.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
Ky është momenti për të kuptuar se çfarë ndjeni dhe çfarë dëshironi, ndaj nëse nuk e dini ende, mos bëni lëvizje të nxituara. Sfera financiare mund t’iu shkaktojë probleme, për shkak se jeni ngushtë në këtë moment.
Demi
Saturni do i ngadalësojë projektet në çift dhe vonesat do të jenë të pashmangshme. Në dashuri do të keni mundësi që të nisni një histori të re. Bëni kujdes edhe me rikuperimin e dashurive të kaluara. Në punë do të keni ngarkesë dhe do të ndjeni nevojën për tu çlodhur.
Binjakët
Me ndikimin e kundërt të Hënës, do të bënit mirë që të prisni deri në 11 maj, për të marrë vendime në dashuri. Në këtë periudhë këshillohet që të rrini të qetë dhe të shmangni debatet. Puna do të ecë mjaft mirë dhe përmirësimet do të nisin që nga 11 prilli.
Gaforrja
Ky është një moment mjaft pozitiv, ku dashuria do të jetë e favorizuar. Venusi do të ndikojë pozitivisht. Do të keni në mendje ide të reja dhe ndryshimet do të rezultojnë të frytshme.
Luani
Gjatë kësaj dite duhet të bëni kujdes. Në dashuri, historitë e lindura prej pak kohësh, do të ecin qetësisht. Megjithatë dikush mund të jetë kundër jush dhe nuk do ju kuptojë. Sa i takon punës, duhet vëmendje maksimale.
Virgjëresha
Me ndikimin e Hënës në shenjë, do të keni mundësi që të kaloni një ditë të qetë. Bëni kujdes me distancat fizikë, pasi mund të hasni në probleme. Në punë, do të ndiheni tejet të stresuar.
Peshorja
Të lindurit e kësaj shenje i pret një e diel mjaft pozitive. Gjërat do të ecin më së miri. Në dashuri, Hëna do të hyjë në shenjën tuaj dhe do të stimulojë emocione të bukura. Ndonjë person që e keni larg, do të bëhet i gjallë. Shumë shpejt do keni mundësi që të zgjidhni edhe problemet që kanë të bëjnë me punën.
Akrepi
Kjo është një periudhe mjaft pozitive, veç bëni kujdes me nervozizmin. Në dashuri, mund të hasni në vonesa, shkruan noa.al. Puna do të ecë përgjithësisht mirë, por përmirësime do të ketë pas pak ditësh.
Shigjetari
Yjet do të jenë mjaft të favorshme, por jo çdo gjë do të ecë siç dëshironi. Në familje, mund të përballeni me situata që kërkojnë zgjidhje. Në punë, duhet të bëni disa ndryshime, ndërsa raporti me kolegët do të përmirësohet.
Bricjapi
Duhet të mundoheni që të zgjidhni të gjithë problemet me të cilat jeni përballur këtë periudhë në dashuri. Ndërsa në punë do të ketë ndryshime dhe zhvillime pozitive.
Ujori
E diela do të jetë përgjithësisht pozitive. Në dashuri, mund të ndiheni disi të përhumbur, për shkak të disa vendimeve që duhet të merrni. Ndërsa sa i takon punës do të ketë tensione, për shkak se dëshironi me ngulm që të thoni atë që mendoni. Mundohuni që të mos mendoni shumë për të kaluarën.
Peshqit
Jeni në një fazë të ndjeshme rikuperimi. Në dashuri mund të përballeni me probleme dhe nervozizëm, pasi mund t’iu duhet të largoheni nga dikush. Puna do të jetë në përmirësim dhe problemet e hasura së fundmi do të gjejnë zgjidhje./kb
Gjatë Luftës së Ftohtë, krijohet Policia Sekrete e Gjermanisë Lindore. Ai konsiderohet si një ndër shërbimet informative më të famshme dhe më represive, që ka ekzistuar ndonjëherë.
Lindja e një makinerie survejimi
Në vitin 1950, në kulmin e tensioneve të Luftës së Ftohtë dhe vetëm pak vite pas ndarjes së Gjermanisë në dy shtete rivale, Republika Demokratike Gjermane krijoi Ministrinë për Sigurimin e Shtetit – të njohur si Stasi. Në letër, ky institucion kishte për detyrë mbrojtjen e rendit socialist nga sabotazhi, spiunazhi dhe kundërrevolucioni. Në realitet, ai u shndërrua shpejt në një aparat total kontrolli mbi shoqërinë.
Modeli organizativ u ndërtua nën ndikimin e drejtpërdrejtë sovjetik. Këshilltarë të KGB-së ndihmuan në strukturimin e hierarkisë, metodave hetimore dhe rrjetit të informatorëve. Që në fillesë, Stasi nuk ishte thjesht një shërbim inteligjence; ai ishte instrument politik i partisë-shtet.
Vitet ’50–’60: Konsolidimi i frikës
Gjatë dy dekadave të para, Stasi përqendroi energjitë në shkatërrimin e opozitës reale ose të imagjinuar. Arrestimet politike, gjyqet e montuara dhe burgjet speciale u bënë pjesë e mekanizmit të përditshëm të pushtetit.
Ndërtimi i Murit të Berlinit në vitin 1961 forcoi më tej rolin e Stasit. Kufiri fizik kërkonte edhe një kufi psikologjik. Çdo tentativë arratisjeje, çdo kontakt me Perëndimin, çdo shfaqje mosbindjeje trajtohej si kërcënim ndaj shtetit.
Në këtë periudhë u hodhën themelet e një sistemi dosjesh gjigante, ku regjistrohej jeta private e qytetarëve me një detaj që sot duket i pabesueshëm.
Vitet ’70: Shoqëria nën vëzhgim total
Në vitet ’70, Stasi arriti kulmin e depërtimit në jetën shoqërore. Rrjeti i informatorëve u zgjerua në mënyrë eksponenciale: bashkëpunëtorë të fshehtë gjendeshin në fabrika, universitete, institucione kulturore, madje edhe në rrethe familjare.
Kjo krijoi një klimë mosbesimi të përgjithshëm, ku kufiri mes jetës publike dhe asaj private pothuajse u zhduk. Frika nuk prodhohej vetëm nga dhuna e drejtpërdrejtë, por nga ndjesia se dikush gjithmonë po dëgjonte.
Vitet ’80: Zersetzung – represioni pa zhurmë
Në dekadën e fundit të ekzistencës së saj, Stasi zhvilloi metoda më të sofistikuara se burgosja klasike. Strategjia e njohur si “Zersetzung” synonte shpërbërjen psikologjike të individit.
Kundërshtarët nuk arrestoheshin domosdoshmërisht. Ata izoloheshin, diskreditoheshin, humbnin vendin e punës, përballeshin me ndërhyrje në jetën personale. Ishte një formë represioni e heshtur, por shpesh më shkatërruese se burgu.
Në fund të viteve ’80, Stasi numëronte rreth 90 mijë punonjës dhe mbi 170 mijë informatorë, një përmasë që e bënte një nga aparatet më të mëdha të survejimit në histori.
1989: Shembja e murit dhe fundi i frikës
Kriza ekonomike, reformat në Bashkimin Sovjetik dhe presioni i protestave qytetare çuan në shpërbërjen e sistemit. Demonstratat masive në Leipzig dhe Berlin shënuan fillimin e fundit.
9 nëntori 1989 – rënia e Murit të Berlinit – nuk ishte vetëm një moment gjeopolitik. Ishte kolapsi simbolik i një regjimi që kishte ndërtuar pushtetin mbi frikën dhe survejimin.
Në muajt e fundit, punonjësit e Stasit tentuan të shkatërronin miliona dokumente. Qytetarët pushtuan ndërtesat e shërbimit sekret për të ndalur zhdukjen e dosjeve, duke hapur një kapitull të ri: përballjen me të kaluarën.
Pas vitit 1990: Dosjet që flasin
Hapja graduale e arkivave zbuloi dimensionin real të kontrollit shtetëror. Miliona faqe dokumentesh treguan histori spiunimi mes miqsh, bashkëshortësh, kolegësh. Shoqëria gjermane u përball me një traumë kolektive, por edhe me mundësinë e transparencës.
Trashëgimia e Stasit mbetet sot një paralajmërim universal: teknologjia dhe pushteti, kur bashkohen pa kufij demokratikë, mund të shndërrohen në instrumente kontrolli total.
STASI dhe Sigurimi shqiptar
Sigurimi i Shtetit në Shqipëri dhe Stasi në Gjermaninë Lindore lindën nga i njëjti univers ideologjik. Të dy shërbimet synonin kontrollin total të shoqërisë dhe eliminimin e kundërshtimit politik përmes survejimit, ndëshkimit dhe frikës.
Ngjashmëritë ishin të dukshme në strukturë, metodë dhe kulturë institucionale.
Izolimi shqiptar dhe kufijtë e bashkëpunimit
Megjithëse pjesë e kampit socialist, Shqipëria u izolua thellë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe më pas me Kinën. Ky izolim kufizoi ndjeshëm çdo bashkëpunim operacional me shërbime të tjera, përfshirë Stasin.
Për pasojë, mungojnë prova për operacione të përbashkëta strategjike apo shkëmbime të rregullta agjenturore.
Bashkëpunimi i vonë, arkivat dhe kujtesa
Vetëm pas rënies së komunizmit u krijua një formë reale bashkëpunimi – ajo historike dhe arkivore. Hapja e dosjeve në vendet e Evropës Lindore, përfshirë Shqipërinë dhe Gjermaninë, mundësoi studimin krahasues të mekanizmave të represionit.
Kjo fazë nuk lidhet më me kontrollin, por me kujtesën dhe transparencën.
Epilogu
Historia e Stasit nuk është thjesht histori gjermane. Ajo është histori evropiane – madje universale – mbi mënyrën se si frika mund të institucionalizohet dhe si liria mund të zhduket gradualisht, pa u vënë re.
Por është edhe histori shprese. Sepse në fund, edhe sistemi më i fortë i survejimit nuk mundi të mbijetojë përballë dëshirës njerëzore për liri.
Një trajnim i përbashkët mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë ka pasur në fokus praktikat e neutralizimit të sigurt të municioneve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane ka ndarë pamje nga trajnimi që u zhvillua në poligonin e Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese në Shqipëri.
“Oficeri i Lartë i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara Anthony Bennett tregon se si teknikët e Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD) neutralizojnë në mënyrë të sigurt municionet dhe si ushtarët e Forcave të Armatosura praktikojnë këto procedura”,-thuhet ndër të tjera në njoftim./mxh
Stuhia ‘Marta’ ka goditur sot Portugalinë dhe Spanjën, duke shkaktuar përmbytje, dëme të mëdha dhe ka shënuar një viktimë.
Një 54 vjeçar zjarrfikës portugez humbi jetën gjatë një patrullimi për vëzhgim pranë brigjeve të një lumi, në komunën e Campo Maior në zonën qendrore të Portalegres.
Stuhia ‘Marta’ ka sjellë shi të dendur, erëra të forta dhe përmbytje të mëdha, sidomos në pjesë të Andaluzisë jugore në Spanjë, ku autoritetet kanë shpallur alarm të motit dhe kanë urdhëruar evakuime të banorëve për arsye sigurie.
Autoritetet e të dy vendeve kanë nxjerrë paralajmërime për rritje të nivelit të lumenjve, si dhe për rreziqe të mundshme shembjesh dhe rrëshqitjesh dheu në zonat e mbushura me ujë. Rrugë të shumta janë bllokuar, stacionet hekurudhore janë bllokuar dhe mijëra njerëz janë evakuuar për shkak të përmbytjeve dhe kushteve ekstreme të motit./mxh
Interi ka vendosur t’i ofrojë trajnerit Cristian Chivu një kontratë të re përtej vitit 2027.
Sipas “Tuttosport”, klubi zikaltër pritet t’ia paraqesë ofertën teknikut rumun në fund të sezonit.
Marrëveshja e re parashikohet të zgjasë bashkëpunimin të paktën deri në vitin 2028. Politika e klubit është të mos nisë asnjë sezon me një trajner që i skadon kontrata.
Fillimisht, Chivu nuk ishte zgjedhja e parë e drejtuesve, por puna e bërë ka bindur klubin për vazhdimësinë.
Paralelisht, Interi po punon edhe për rinovimin e Federico Dimarco. Kontrata aktuale e mbrojtësit përfundon në vitin 2027. Dimarco konsiderohet pjesë e rëndësishme e projektit sportiv të Interit./mxh
Endri Shabani, që ka marrë prej pak javësh detyrën e Avokatit të Popullit, ka ndarë në një intervistë në Euronews Albania një qëndrim shpjegues në lidhje me Adriatik Lapajn, që deri në zgjedhjet e 11 majit ishin bashkëdrejtues koalicioni.
Shabani theksoi se përplasjet me Lapajn u zhvilluan për shkak të dallimeve në vizion.
Sipas Shabanit, qasjet politike dhe ato personale janë tanimë të ndara me detyrën e tij të re, në një institucion që sipas tij do ta depersonalizojë.
“Ne kishim bashkëpunuar si aktivistë dhe kishim një histori të përbashkët, por pas disa dallimeve në vizion, u ndamë. Unë zgjodha të largohem nga aktiviteti politik dhe të fokusohem në detyrën time si Avokat i Popullit. Ky është një institucion dhe dua ta depersonalizoj. Nuk ka rëndësi nëse më pëlqen apo jo një person, ne duhet t’i shërbejmë të gjithëve njësoj,” tha Shabani./mxh
Napoli fitoi 3-2 në transfertë ndaj Genoa, në një ndeshje të vendosur në minutën e 95-të.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me penallti të realizuar nga Ruslan Malinovskyi. Napoli reagoi shpejt dhe përmbysi rezultatin në pjesën e parë me golat e Rasmus Hojlund dhe Scott McTominay.
Në pjesën e dytë, Genoa barazoi me Lorenzo Colombo pas një gabimi në mbrojtjen e Napolit. Miqtë mbetën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Juan Jesus.
Në kohën shtesë, Hojlund realizoi nga pika e penalltisë dhe i dha Napolit fitoren.
Pas këtij suksesi, Napoli mban vendin e tretë me 49 pikë dhe ngushton diferencën me Interin kryesues në gjashtë pikë./mxh