Foltorja e ish- deputetit Ervin Salianji do të zhvillohet nesër në qytetin e Lezhës. Por “sulmet” e Berishës kundret tij, këtë herë demokratëve të Lezhë u ka mbërritur mesazhi ku u kërkohet të mos bëhen pjesë e takimit.
Në ktë mesazh thuhet se takimi i Salianjit ka tërësisht axhendë private dhe se po organizohet me ndihmën e kryebashkiakut të Lezhës Pjerin Ndreu. Ky i fundit ka reaguar në përplasjet e brendshme të PD-së duke publikuar mesazhin që u ka mbërritur demokratëve teksa shkruan se me broçkulla të tilla, opozita nuk e sheh pushtetin as me dylbi.
“Dhe thonë pastaj pse janë duke u kalbur në opozitë PD! Me broçkulla të tilla këta nuk vijnë më në pushtet e as me dylbi se shohin! Unë organizoj takimin e Salianjit dmth! Zot na ruaj!”, shkruan Ndreu./et
Një lajm të trishtë ka ndarë ish-deputeti socialist e ish-zv. ministri i mbrojtjes Petro Koçi përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.
Ai shkroi se është ndarë nga jeta në moshë të parakohshme një nga ikonat e militantizmit të PS, Rajmonda Asllani ose Monda e Kombinatit siç e quan ai.
“Ka qënë një vajzë që në kohën e regjimit Berisha spikati me trimëri “djaloshare” në FRESSH dhe që vijoi me perkushtimin e saj të paepur për PS-në deri ne orët e saj te fundit” shkruan ai teksa i shpreh ngushëllimet familjes së saj.
Postimi i Plotë:
Sot kemi humbur ne moshe te parakohshme Monden e Kombinatit. Nje nga ikonat e militantizmit ne PS.
Ka qene nje vajze qe ne kohen e regjimit Berisha spikati me trimeri “djaloshare” ne FRESSH dhe qe vijoi me perkushtimin e saj te paepur per PS ne deri ne oret e saj te fundit.
Rajmonda Asllani do na mungosh.
Ngushellime nene Durimes, familjes dhe gjithe komunitetit te madh socialist te Kombinatit tone./et
Sateliti i Bashkimit Evropian ka publikuar pamje që tregojnë qartë përmasat e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Shërbimit të Menaxhimit të Emergjencave Copernicus, zonat më të prekura ndodhen në Shqipërinë qendrore dhe perëndimore, ku dalja e lumenjve nga shtrati ka përmbytur sipërfaqe të mëdha toke dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe infrastrukturë.
Postimi i plotë:
Reshjet e dendura të shiut në fillim të janarit 2026 shkaktuan përmbytje të lumenjve në pjesë të Shqipërisë qendrore dhe perëndimore, duke çuar në përmbytje në zonat e ulëta dhe përgjatë korridoreve kryesore të lumenjve.
Ngjarja preku disa qytete, përfshirë Fierin dhe Beratin, ku ujërat e përmbytjes përmbytën tokën bujqësore dhe prishën infrastrukturën lokale.
Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave Copernicus (CEMS) u aktivizua (EMSR856) më 9 janar 2026 për të vlerësuar shkallën e përmbytjeve. Ky vizualizim i të dhënave, i prodhuar duke përdorur produktin e përcaktimit të CEMS, tregon zonat e përmbytura që nga 10 janari 2026, me zonat e përmbytura të përfaqësuara me ngjyrë blu.
Informacioni i ofruar nga CEMS është thelbësor për monitorimin dhe hartëzimin e fatkeqësive. Më shumë informacion rreth këtij aktivizimi është i disponueshëm këtu./et
Në radhët e Partisë Demokratike e të opozitës shqiptare, por dhe këtyre të ‘informuarve’ të mëdhenj të paneleve tona televizive për të gjitha ngjarjet që ndodhin në tokën shqiptare dhe në çdo cep të globit e që cilët paralajmërojnë gjithçka, ka rënë një heshtje aspak e mirë!
Teksa Berisha, krerët e partive të vogla opozitare, që të gjitha bashkë arrijnë të kenë vetëm 54 deputetë në Parlamentin prej 140 vendesh, si dhe mediat dhe panelistët afër tyre ishin me sytë nga qielli dhe me ‘lugë në brez’ për të parë zbarkimin e madh të helikopterëve me komandot amerikane në majë të Surrelit për të ‘rrëmbyer’ kryeministrin Edi Rama e për ta dërguar për gjykim përtej Atlantikut, nga kryeqendra e botës demokratike, Uashington ka ardhur një lajm aspak i pritur që ka zhgënjyer të gjithë këtë kontigjent ‘ndërrimtarësh’ të ‘zbarkimit aleat në Shqipëri’!
Vetë presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar ftesë personale për kryeministrin shqiptar Edi Rama, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës. Pra, Rama jo vetëm që nuk është përmbysur ‘si Manduro’, siç ishin bërë gati këtu në Tiranë kjo pakicë pa vota dhe mbështetje, por gradohet ‘ministër’ në kabinetin “Trump’, i përzgjedhur personalisht nga presidenti amerikan!
Këtë lajm e ka shpërndarë vetë kreu i qeverisë shqiptare, i cili ka nënvizuar se Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues të kësaj organizate të kryesuar nga vetë presidenti i SHBA, ndërsa shpreh nderimin e madh që po i bëhet atij dhe vendit me këtë propozim të Trump.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, shkruan Rama në rrjetin social, duke e ndarë këtë lajm shqiptarë, teksa ka evidentuar vlerësimin që i është bërë Shqipërisë
Praktikisht Shqipëria ka një përfaqësues në qeverinë kalimtare ‘Trump’ në Gaza. Me parametrat e një qeverie kalimtare apo siç kemi dëshirë ne shqiptarët t’i quajmë qeverisje të tilla, qeveri ‘teknike’, me vetë presidentin amerikan Trump në krye, Bordi Ekzekutiv themelues do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme të Gazës dhe rindërtimin e saj. Ku çdo anëtar i bordit ekzekutiv pritet të ketë përgjegjësinë e një portofoli që do të jetë “thelbësor për stabilizimin e Gazës”, megjithëse ende nuk është e qartë se kush do të mbulojë dhe cilat prioritete do të mbulojë. Por me sa duket vetë përzgjedhja e anëtarëve të bordit ekzekutiv të kryesuar nga Trump, pjesë e të cilit është dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, është bërë sipas prioriteteve të caktuara për t’u mbuluar nga secili anëtar, i cili praktikisht është si një ministër i qeverisë kalimtare “Trump’ për Gazën!
Dhe përgjegjësia është akoma më e madhe, pasi Bordi i Paqes është konceptuar jo vetëm si një mjet rindërtimi dhe mirëadministrimi, por edhe si pjesë e një procesi paqeje më të gjerë për Rripin e Gazës që përfshin armëpushim, çarmatimin e milicive dhe një tranzicion drejt një qeverie teknokratike paqësore.
E themi këtë pasi anëtarë të Bordit Ekzekutiv themelues janë figura potenciale nga bota demokratike, duke filluar me ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair, i cili ishte përmendur prej kohësh si një kandidat i mundshëm për “Bordin e Paqes” të Trumpit, vetë presidenti amerikan e kishte konfirmuar që në shtator se Blair kishte shprehur interes për t’u bashkuar me këtë organ.
Ndërkohë që spikat si pjesë e bordit ekzekutiv për Gazën të kryesuar nga Trump, sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, një figurë qendrore në qasjen e administratës Trump ndaj politikës së jashtme. Është në bord, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, por dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, i cili ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump.
Nën drejtimin e Trump, bordi do të ketë anëtar dhe miliarderin Marc Rowan, drejtues ekzekutiv i ‘Apollo Global Management’, një firmë e madhe investimesh private me seli në Nju Jork, Ajay Banga, president i Bankës Botërore, Robert Gabriel, këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare, Nickolay Mladenov, politikan bullgar dhe ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, që do të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.
Madje Mladenov do të mbikëqyrë një komitet të veçantë teknokratësh palestinezë me 15 anëtarë, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës pas luftës, i cili do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zv.ministër në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit.
Duke parë në bord të tillë të përbërë nga figura tepër të rëndësishme botërore, mes të cilëve dhe kreu i diplomacisë amerikane Rubio dhe mbi të gjitha të kryesuar nga vetë presidenti amerikan, thirrja e kryeministrit Edi Rama personalisht nga ana e presidentit Donald Trump për të qënë pjesë e kësaj ‘qeverie kalimtare’ për Gazën të kryesuar prej tij, është një vlerësim jo vetëm për vetë Ramën, por mbi të gjitha për Shqipërinë, si një partner serioz në rajonin e Ballkanit e më gjërë dhe si një pikë kontakti dhe qendër e të gjithë rajonit tonë!
Me këtë thirrje në kabinetin “Trump’ për Gazën të Edi Ramës, besojmë se do të marrin fund dhe ‘telenovelat’ shqiptare me ‘zbarkim aleatësh’ në Surrel për të marrë kryeministrin shqiptar dhe dërguar për gjykim në SHBA, apo teoritë e tjera konspirative të këtyre ‘baba Vangave’ shqiptare, që sa herë dalin nëpër panelet televizive bëjnë ndonjë ‘zbulim’ të madh, duke u shprehur të sigurtë për të, dhe duke paralajmëruar për gjithçka, madje duke thënë se është çështje ditësh!
Presidenti amerikan Donald Trump nuk thërret në bordin ekzekutiv të kryesuar prej vetë atij, për të qeverisur Gazën, për momentin ‘basti’ më i madh i tij në rrugën drejt çmimit “Nobel për Paqen”, kryeministrin e një narkoshteti sikurse cilëson Berisha dhe kundërshtarët politikë në Shqipëri, shtuar dhe këta çerrat e vegjël që duan të shiten sikur bëjnë politikë, Edi Ramën! Ka kaluar nëpër shumë ‘filtra’ përzgjedhja e tij, deri në momentin e ftesës personale për të qënë pjesë e bordit për qeverisjen e Gazës. Pra në ‘kabinetin ‘Trump’ për qeverisjen e Gazës! Pikërisht nëpë ato ‘filtra’ që kaluan dhe Berishën, me të vetmin ndryshim që Berishën e shpallën dhe akoma po e lënë ‘non grata’! Ka ‘mëkatë’ të mëdha Berisha, sidomos në raport me amerikanët!
Dhe më i ‘zhgënjyeri’ nga Trump ka mbetur vetë Berisha me sa duket. I cili ndonëse pagoi 6 milionë dollarë për të hequr ‘non gratën’, deri më tani ka rezultuar para e shkuar dëm! Madje nuk mori asnjë vizë punë në shtetin e Nju Jorkut apo ndonjë vizë turistike! Pa përjashtuar 1.7 milionë dollarët e dhëna po nga Berisha për LaCivitën, vetëm për të bërë dy tre deklarata të vobekta dhe dy tre dale të tjera televizive duke shtrënguar duart me Berishën apo duke iu përgjigjur batutave të Ramës gjatë fushatës, batuta me “Latifë’ këto!
Jo vetëm që janë para të shkuara dëm por i janë kthyer dhe në bumerang Berishës këto para të derdhura për lobim në SHBA. Këto miliona dollarë të paguara për lobime në Amerikë kanë nisur të hetohen! Si nga SPAK në Shqipëri ashtu dhe nga FBI në SHBA! Pasi elektricisti tropojan, jo vetëm që nuk paguan dot 6 milionë dollarë, as në ëndërr nuk i ka parë kaq para, por nuk ka as bord e anëtarë bordi! Këtë e thotë dhe fatura e bërë publike, që tregon se 750 mijë dollarët e këstit të radhës të lobimit 6 milionë dollarësh janë paguar nga vetë PD. Me faturë, me firmë dhe vulë! Ndonëse nuk janë deklaruar as në KQZ si shpenzime, por kjo është histori më vete! Besojmë se SPAK do të hetojë dhe këto fatura apo të presë letërporosinë nga SHBA!
Midis informimit dhe vetëdiagnozës: si ta përdorim inteligjencën artificiale pa rrezikuar shëndetin
Gjithnjë e më shumë njerëz, para se të telefonojnë mjekun ose të caktojnë një kontroll, fillimisht “bëjnë” një bisedë me inteligjencën artificiale. ChatGPT është bërë për shumëkënd bashkëbiseduesi i parë kur shfaqet një simptomë, mbërrin një rezultat analizash ose lind një dilemë lidhur me shëndetin. Kjo në vetvete nuk duhet të jetë problem. Problemi lind kur harrojmë dallimin mes informimit dhe trajtimit.
Kompania OpenAI ka paralajmëruar ChatGPT Health, i cili pritet të jetë një hapësirë e veçantë ku përdoruesit do të mund të bisedojnë me chatbot-in ChatGPT për shëndetin e tyre.
Prandaj është e rëndësishme të dimë se ku ChatGPT mund të jetë një aleat i dobishëm dhe ku roli i tij duhet të përfundojë.
Çfarë është në të vërtetë ChatGPT Health
ChatGPT Health është një përvojë e krijuar posaçërisht brenda ChatGPT-së, e dedikuar për biseda rreth shëndetit. Ideja e tij nuk është të zëvendësojë mjekun, por t’i ndihmojë njerëzit të ndihen më të informuar, më të përgatitur dhe më të sigurt kur përpiqen të kuptojnë shëndetin e tyre.
Shëndeti tashmë është një nga arsyet më të shpeshta pse njerëzit përdorin ChatGPT. Qindra miliona njerëz çdo javë bëjnë pyetje për simptoma, analiza, ushqim dhe mirëqenie të përgjithshme. ChatGPT Health është zhvilluar pikërisht nga kjo nevojë, por me shtresa shtesë privatësie dhe mbrojtjeje të të dhënave, të përshtatura posaçërisht për informacionet e ndjeshme shëndetësore.
Brenda kësaj përvoje është e mundur lidhja e sigurt me kartelat mjekësore elektronike dhe aplikacionet për ndjekjen e shëndetit dhe zakoneve të jetesës, në mënyrë që përgjigjet të bazohen në kontekstin personal shëndetësor, e jo vetëm në informacione të përgjithshme. Bisedat mbeten private dhe të ndara, me kufij të qartë të përcaktuar.
Është e rëndësishme të theksohet se ChatGPT Health nuk është i destinuar për vendosjen e diagnozave apo përshkrimin e terapive. Roli i tij është të ndihmojë njerëzit të kuptojnë termat mjekësorë, rezultatet dhe rekomandimet, si dhe të përgatiten më mirë për bisedën me mjekun. Ai është zhvilluar në bashkëpunim me mjekë nga e gjithë bota dhe është menduar si mbështetje, e jo si zëvendësim i mjekut.
Çfarë është në rregull të pyesësh ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin
Inteligjenca artificiale mund të jetë një burim i dobishëm informacioni të përgjithshëm dhe edukativ, veçanërisht kur duam të kuptojmë atë që tashmë na është thënë ose shkruar.
Është në rregull të pyesësh:
çfarë do të thotë një term i caktuar mjekësor
si manifestohet zakonisht një sëmundje
cilat janë simptomat më të shpeshta të një gjendjeje të caktuar
çfarë tregojnë analizat laboratorike që kemi
si duket procedura diagnostikuese
cilat janë rekomandimet e përgjithshme për një stil jetese të shëndetshëm
Në këtë kuptim, ChatGPT mund të ndihmojë që të mos ndihemi “të humbur” përballë termave mjekësorë dhe të shkojmë te mjeku më të përgatitur, me pyetje më të qarta.
Çfarë është e rrezikshme të pyesësh, edhe pse shumëkush e bën
Problemi lind kur informacionin fillojmë ta përjetojmë si vlerësim personal.
Është e rrezikshme të pyesësh:
nëse simptomat që kemi nënkuptojnë një diagnozë konkrete
sa e rrezikshme është diçka pikërisht në rastin tonë
nëse duhet të shqetësohemi apo mund të presim
nëse na nevojitet terapi apo jo
ChatGPT nuk e sheh personin, nuk e njeh historinë e tij mjekësore, nuk e di çfarë barnash merr, çfarë sëmundjesh të tjera ka apo çfarë zakonesh jetese ndjek. Gjithçka që mjeku merr parasysh, inteligjenca artificiale nuk mund ta vlerësojë.
Prandaj përgjigjja mund të duket bindëse, por të jetë e gabuar ose e paplotë.
Pse terapitë, dozat dhe diagnozat nuk janë për inteligjencën artificiale
Hapi më i rrezikshëm është kërkimi i terapive konkrete, dozave apo këshillave për barna.
Terapia nuk është kurrë vetëm emri i një ilaçi. Ajo përfshin dozën e saktë, kohën e përdorimit, kombinimet me barna të tjera, kundërindikacionet dhe rreziqet individuale. Ajo që i ka ndihmuar dikujt, mund t’i shkaktojë dëm serioz dikujt tjetër.
E njëjta gjë vlen edhe për diagnozat. Diagnoza nuk është një listë simptomash, por një përfundim që nxirret mbi bazën e ekzaminimeve, analizave dhe përvojës klinike. Këtë nuk mund ta zëvendësojë asnjë algoritëm.
Pse njerëzit gjithsesi e pyesin AI-në për shëndetin
Arsyet janë të kuptueshme. Pritjet janë të gjata, frika është e pranishme dhe nevoja për përgjigje të shpejta është e madhe. Është më e lehtë të pyesësh sesa të presësh. Por përgjigjja e shpejtë nuk është e njëjtë me përgjigjen e saktë.
Si ta përdorim me mençuri ChatGPT-në kur bëhet fjalë për shëndetin
ChatGPT mund të jetë një aleat i mirë nëse e dimë vendin e tij. Si ndihmë për të kuptuar, e jo si verdikt. Si përgatitje për bisedën me mjekun, e jo si zëvendësim i kontrollit.
Nëse ajo që lexojmë na shqetëson ose na frikëson, kjo është shenjë se duhet t’i drejtohemi një profesionisti, e jo të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje vetë.
Teknologjia mund të na ndihmojë të jemi më të informuar, por nuk mund të marrë përgjegjësinë për shëndetin tonë. ChatGPT di shumë, por nuk na njeh.
Shëndeti vazhdon të ruhet në bisedën me mjekun, në kontrollet mjekësore dhe në besimin që ndërtojmë me ata që na trajtojnë./et
Në vend ka nisur numërimi i shpendëve të ujit. Prej dy ditësh në lagunën e Nartës, Orikum dhe Butrint po zbulohen shpendë të cilët kanë krijuar habitatin e tyre në këtë periudhë të vitit madje dhe për herë të parë.
Për specialistet e zonave të mbrojtura në Qarkun e Vlorës shqetësim mbetet gjuetia e paligjshme.
“Kemi konstatuar tre kurthe nga gjuetaret, i kemi çmontuar.”, thonë specialistët. Ndërsa në liqenin e Prespës së Madhe janë parë dhe specie të rralla. Specialistët thonë se ndryshimet klimatike e kanë bërë liqenin e Prespës një habitat të papërshtatshëm për disa shpendë migratore.
Censusi i shpendëve ujorë kryhet çdo vit në janar për të parë se cilët prej tyre zgjedhin të dimërojnë në vendin tonë. Të dielën censusi do të vijojë në liqenin e Ohrit në Pogradec./et
Kryeministri kanadez Mark Carney është ftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për t’u bërë pjesë e një bordi që do të mbikëqyrë Gazën pas luftës, dhe ai ka vendosur ta pranojë këtë ofertë, sipas një ndihmësi të lartë qeveritar kanadez.
Trump e ka shpallur veten kryetar të Bordit të Paqes për Gazën dhe deri tani ka emëruar ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe senatorin amerikan Marco Rubio në rolet kryesore.
Ai ka ftuar gjithashtu udhëheqësit e Egjiptit, Turqisë dhe Argjentinës të marrin pjesë ne bord.
Bordi ka për qëllim të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ndodhet nën një armëpushim të brishtë që nga tetori i kaluar.
Ministri i Jashtëm egjiptian deklaroi se vendi po shqyrton ftesën, ndërsa Turqia ka konfirmuar pjesëmarrjen e ministrit të saj të Jashtëm, Hakan Fidan.
Në bord përfshihen gjithashtu dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.
Qëllimi i bordit është të menaxhojë situatën politike dhe humanitare në Gaza pas konfliktit, duke synuar stabilizimin e rajonit./et
Kampionati i Kategorisë së Parë zhvilloi këtë të shtunë ndeshjet e javës së 18-të, me gjashtë përballje që sollën rivalitet, gola dhe emocione në çdo stadium.
Pesë ndeshje u luajtën paralelisht në orën 13:30. Laçi triumfoi në shtëpi, duke mposhtur Kukësin me rezultatin 2-1. Në Pogradec, vendasit dhe Besa u ndanë në barazim pa gola, në një ndeshje të luftuar deri në fund.
Kastrioti regjistroi një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Ilirisë me rezultatin 1-0, ndërsa Lushnja mposhti Korabin 2-0. Në Burrel, vendasit siguruan tre pikë të vlefshme pas fitores 2-0 ndaj Apolonisë.
Sfida e fundit e javës u zhvillua në Korçë në orën 16:00, ku Skënderbeu dhe AF Luftëtari barazuan 1-1, në një përballje të fortë dhe me ritëm të lartë deri në minutat e fundit.
Pas përfundimit të javës së 18-të, Skënderbeu kryeson renditjen me 41 pikë, ndërsa Laçi mban vendin e dytë me 36 pikë./et
Kreu i “Shqipëria Bëhet” ka mbajtur sërish fjalë para aktivistëve të tij, pas mbylljes së gjithë fjalimeve në foltoren e improvizuar para sheshit të Kryeministrisë.
Lapak tha se mielli që u hodh drejt policëve ishte simbolikë për drogën dhe kartelet që mbështet qeveria dhe që Shqipëria u penalizua duke u futur në mes të 75 vendeve që iu anuluan vizat e emigrimit, punësimit dhe lotaria amerikane.
“Ai drejton një autokraci hajdutësh që e kanë vjedhur këtë vend. Ai njihet si njeriu që po qeveris me hajdutët.
Rama e ka humbur betejën me atë që është e vërteta. Ai mund të përdorë policinë, pushtetin, njerëzit e dinë që ai po udhëheq me një bandë hajdutësh që ka lënë spitalet pa ilaçe./et
Një tension i ri ka shpërthyer sot në 17 janar midis Egjiptit dhe Etiopisë për ndarjen e ujërave të Lumit Nil, një nga lumenjtë më të rëndësishëm në Afrikë, që furnizon miliona njerëz me ujë të pijshëm dhe është burim kyç për bujqësinë dhe energjinë elektrike. Çështja ka marrë vëmendje ndërkombëtare pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ofroi të ndërmjetësojë për të gjetur një marrëveshje të qëndrueshme midis dy vendeve.
Mosmarrëveshja ka të bëjë kryesisht me Digen e Madhe të Rilindjes Etiopiane (GERD), një projekt hidroenergjetik masiv me vlerë rreth 5 miliardë dollar, që Etiopia po ndërton në pjesën e lartë të lumit Nil. Për Etiopinë, diga është një investim strategjik që do të sigurojë energji elektrike për miliona qytetarë dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërkohë, Egjipti e sheh këtë projekt si një kërcënim të drejtpërdrejtë për furnizimin e tij me ujë, duke vënë në rrezik jetesën e miliona banorëve që varen nga lumi.
Presidenti Trump, në një letër drejtuar Presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, shprehu gatishmërinë e tij për të rifilluar përpjekjet e ndërmjetësimit, duke kërkuar një zgjidhje që të respektojë të drejtat e të gjithë vendeve të basenit të Nilit. Ai theksoi se asnjë vend nuk duhet të ketë kontroll të njëanshëm mbi burimet e ujit, duke rrezikuar stabilitetin e rajonit dhe marrëdhëniet mes fqinjëve.
Egjipti ka mirëpritur ofertën amerikane dhe ka ripërsëritur se siguria e furnizimit me ujë të ëmbël është çështje jetike kombëtare. Zyrtarët egjiptianë insistojnë se çdo marrëveshje duhet të bazohet në parimet e së drejtës ndërkombëtare, duke siguruar që Egjipti të mos dëmtohet nga operimi i digës në Etiopi.
Po ashtu, edhe Sudani, vend tjetër që ndodhet poshtë lumit Nil dhe i cili gjithashtu ndikohet nga niveli i ujit, ka shprehur mirënjohje për ndërhyrjen amerikane dhe shpreson që kjo nismë do të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme, që i mbron të drejtat e të gjitha vendeve pranë basenit.
Nga ana tjetër, Etiopia ka qenë e qartë se diga është një element thelbësor për zhvillimin e saj kombëtar. Zyrtarët etiopianë kanë theksuar se ndërtimi dhe funksionimi i digës duhet të lejojë menaxhimin e ujit, në mënyrë që të shmangen ndikimet negative për vendet poshtë lumit, por pa komprometuar interesat kombëtare të Etiopisë. Deri tani, ata nuk kanë dhënë një përgjigje direkte mbi ofertën e Trump-it, por kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar nën kushte të qarta.
Çështja kryesore që duhet të zgjidhet është si do të ndahet uji i Nilit gjatë periudhave të thatësirave, si do të koordinohet operimi i digës dhe si do të merren vendime për mosmarrëveshjet e ardhshme. Deri më tani, negociatat e deritanishme ndërkombëtare, përfshirë ato të udhëhequra nga Bashkimi Afrikan, nuk kanë arritur të prodhojnë një marrëveshje të përhershme. Oferta e fundit nga Shtetet e Bashkuara synon të ringrejë dialogun dhe të zvogëlojë tensionet, duke dhënë një mundësi për zgjidhje diplomatike për këtë çështje, që ka rëndësi jetike për miliona njerëz.
Ekspertët paralajmërojnë se një mosmarrëveshje e gjatë mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin rajonal, përfshirë tensione politike, konflikte për burimet ujore dhe ndikim në ekonomitë e vendeve përreth. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve si SHBA-ja shihet si një mundësi për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi dhe negociatash konstruktive.
Situata në lumë mbetet e ndjeshme dhe çdo hap i njëanshëm mund të shkaktojë reagime të forta nga fqinjët. Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe negociatat e drejtpërdrejta janë tani thelbësore për të shmangur një krizë ujore dhe për të siguruar që të gjitha vendet të kenë qasje të drejtë në ujërat jetësorë të Nilit./et
Rregulloret më të rrepta për emetimet konsiderohen gjerësisht si sfidë e motorëve me djegie.
Kjo është veçanërisht sfiduese në Bashkimin Evropian, ku standardi i ardhshëm Euro 7 po u shkakton vështirësi të mëdha prodhuesve të automjeteve.
Megjithatë, BMW ka marrë masa paraprake për të siguruar që motorët e saj më të mëdhenj nuk do të ndalohen kur EU7 të hyjë në fuqi më vonë këtë dekadë.
Drejtori i Teknologjisë Joachim Post shpjegoi se motorët e gjeneratës së ardhshme janë projektuar që nga dita e parë për të përmbushur kërkesa më të larta.
Jo vetëm që motori me gjashtë cilindra në linjë dhe motori V8 do të vazhdojnë, por edhe motori V12 ekskluziv për markën Rolls-Royce.
BMW ndaloi së shituri një veturë me motor me dymbëdhjetë cilindra pas M760i Final Edition në vitin 2022.
Interesante është që Post tha se gjenerata e ardhshme e produkteve BMW do të ketë motorin V12.
Nuk është e qartë nëse ai po i referohej vetëm modeleve Rolls-Royce apo edhe atyre nga marka kryesore BMW. /et
Shtëpia e Bardhë ka publikuar emrat e anëtarëve që do të formojnë “Bordin e Paqes” për Gazën, një strukturë e re e administratës Trump.
Me presidentin amerikan në krye, Bordi Ekzekutiv themelues do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme të Gazës dhe rindërtimin e saj.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, çdo anëtar i bordit ekzekutiv pritet të ketë përgjegjësinë e një portofoli që do të jetë “thelbësor për stabilizimin e Gazës”, megjithëse ende nuk është e qartë se kush do të mbulojë cilat prioritete.
Në këtë nivel të lartë nuk është shpallur asnjë grua dhe asnjë palestinez, por Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se anëtarë të tjerë do të shpallen në javët në vijim.
Pra, kush bën pjesë në Bordin Ekzekutiv themelues?
Ish-kryeministri britanik Sir Tony Blair ishte përmendur prej kohësh si një kandidat i mundshëm për “Bordin e Paqes” të Trumpit, me vetë presidentin amerikan që kishte konfirmuar që në shtator se Blair kishte shprehur interes për t’u bashkuar me këtë organ.
Ish-udhëheqësi i Partisë Laburiste ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 1997 deri në 2007 dhe e futi vendin në Luftën e Irakut në vitin 2003, një vendim që bën që prania e tij në bord të shihet nga disa si e diskutueshme.
Pas largimit nga detyra, Blair shërbeu si i dërguar për Lindjen e Mesme i Kuartetit të fuqive ndërkombëtare – Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, SHBA dhe Rusia – nga viti 2007 deri në 2015.
Sir Tony është i vetmi anëtar themelues i bordit ekzekutiv që nuk është shtetas amerikan.
Ai i ka përshkruar më parë planet e Trumpit për Gazën si “mundësia më e mirë për t’i dhënë fund dy viteve luftë, mjerimi dhe vuajtjeje”.
Në një deklaratë, Sir Tony tha se ishte “i nderuar” që ishte përzgjedhur në bord dhe falënderoi presidentin Trump për udhëheqjen në krijimin e këtij grupi.
Si Sekretar i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio është figurë qendrore në qasjen e administratës Trump ndaj politikës së jashtme.
Para rikthimit të Trumpit në detyrë, Rubio ishte shprehur kundër një armëpushimi në Gaza, duke deklaruar se donte që Izraeli “të shkatërronte çdo element të Hamasit që mund të kapte”.
Megjithatë, më pas ai ka lavdëruar fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit Izrael–Hamas, të nënshkruar në tetor, duke e cilësuar si planin “më të mirë” dhe “të vetmin”.
Po në tetor, Rubio kritikoi një hap të parlamentit izraelit drejt aneksimit të Bregut Perëndimor të pushtuar.
I dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, një manjat i pasurive të paluajtshme dhe partner golfi i Trumpit, do të jetë gjithashtu pjesë e bordit.
Në fillim të këtij muaji, Witkoff njoftoi nisjen e fazës së dytë të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke shtuar se ajo do të përfshinte rindërtimin dhe çmilitarizimin e plotë të Gazës, përfshirë çarmatimin e Hamasit.
Ai shtoi se pret që Hamasi “të përmbushë plotësisht detyrimet e tij” sipas marrëveshjes, ose të përballet me “pasoja serioze”.
Witkoff ka qenë një figurë kyçe në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të negociuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë edhe një takim pesëorësh me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në dhjetor.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump.
Së bashku me Witkoff, Kushner ka vepruar shpesh si ndërmjetës amerikan në luftërat Rusi–Ukrainë dhe Izrael–Gaza.
Në nëntor, ai u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar pikat kyçe të bllokimit në marrëveshjen e paqes.
Në një ligjëratë në Universitetin e Harvardit në vitin 2024, Kushner tha se “prona bregdetare e Gazës mund të ishte shumë e vlefshme… nëse njerëzit do të përqendroheshin në ndërtimin e jetesës”.
Miliarderi Marc Rowan është drejtues ekzekutiv i Apollo Global Management, një firmë e madhe investimesh private me seli në Nju Jork.
Rowan ishte konsideruar si kandidat për postin e sekretarit të Thesarit të SHBA-së për mandatin e dytë të Trumpit.
Ajay Banga, president i Bankës Botërore, ka këshilluar një sërë politikanësh të lartë amerikanë, përfshirë presidentin Barack Obama, gjatë karrierës së tij të gjatë.
I lindur në Indi në vitin 1959, Banga u bë shtetas amerikan në vitin 2007 dhe më pas shërbeu si drejtor ekzekutiv i Mastercard për më shumë se një dekadë.
Ish-presidenti amerikan Joe Biden e emëroi atë në krye të Bankës Botërore në vitin 2023.
Robert Gabriel, këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare, do të jetë anëtari i fundit i Bordit Ekzekutiv themelues.
Gabriel ka punuar me Trumpin që nga fushata presidenciale e vitit 2016 dhe, sipas PBS, pak më pas u bë asistent special i Stephen Millerit, një tjetër këshilltar kyç aktual i Trumpit.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet gjithashtu se Nickolay Mladenov, politikan bullgar dhe ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.
Ai do të mbikëqyrë një komitet të veçantë teknokratësh palestinezë me 15 anëtarë, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës pas luftës.
NCAG do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit./ BBC
Kreu i PD, Sali Berisha, foli sot për protestën e rradhës së opozitës më 24 Janar. Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita nuk synon të marrë pushtet me dhunë. Ai shtoi se beson tek një kryengritje paqësore dhe të zgjatur, prej së cilës mund të ndryshohet pushteti, sipas tij.
Por proesta të ngjashme të PD-së deri më sot kanë treguar se protestuesit vijnë me furgona në Tiranë nga qytete të ndryshme dhe në më pak se 2 orë shpërndahen andej nga kanë ardhur, pasi kanë dëgjuar fjalimet e zakonshme të Berishës & co.
Po çfarë na tregon historia botërore për protestat paqësore të suksesshme?
Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në atë që u quajt “Lëvizja e Pushtetit të Popullit”). Dhe në ditën e katërt të protestave paqësore të vazhdueshme, regjimi i Markosit u rrëzua…
Në vitin 2003, qindra mijra gjeorgjianë rrëzuan Shevardnadzen me revolucionin e tyre “të trëndafilave”, gjatë të cilit protestuesit pushtuan parlamentin me lule në duar.
Para disa vitesh, presidentët e Sudanit dhe Algjerisë deklaruan dorëheqjen e tyre, falë protestave të përditshme paqësore qindra-mijëshe.
Në secilin rast, fushatat e përditshme të qindra mijrave qytetarëve arritën të rrëzojnë elitat politike, dhe të sjellin ndryshime të rëndësishme.
Ka shumë arsye etike e morale për të zgjedhur strategjinë paqësore për ndryshim. Dhe rezultat e një studimi shkencor të Profesores Erica Chenoweth, të Universitetit të Harvardit, tregojnë se protestat jo të dhunëshme s’janë vetëm një zgjedhje e mirë morale, por edhe shumë më efikase për ndryshimin e gjendjes politike.
Duke analizuar qindra lëvizje (si të dhunshme, edhe paqësore), qysh nga viti 1900 e deri në ditët tona, Profesorja Chenoweth arriti në përfundimin se lëvizjet paqësore kanë gjasa dyfish më të mëdha të jenë të suksesshme, krahasuar me ato të dhunshme. E megjithëse dinamikat e çdo lëvizje varen nga shumë faktorë, ajo ka gjetur se pjesëmarrja aktive në lëvizjen paqësore e të paktën 3.5% të popullsisë garanton suksesin e saj.
Kur filloi studimin e saj mbi këtë temë, Profesorja Chenoweth nuk besonte se lëvizjet paqësore mund të ishin më të fuqishme se ato të dhunshme. Gjatë punës për mbrojtjen e doktoraturës në Universitetin e Kolorados, ajo kishte studiuar për vite faktorët që kontribuonin në lindjen e terrorizmit dhe të lëvizjeve të dhunshme. Por në një konferencë shkencore në Uashington, ajo u ngacmua nga disa kumtesa mbi lëvizjet paqësore.
E ndihmuar nga studiuesja Maria Stephan, ajo mblodhi të dhëna dhe studime për qindra lëvizje që kishin synuar ndryshime politike në vende nga më të ndryshme të botës (Në analizën e saj të gjerë, ajo përjashtoi rastet kur ndryshimet politike kishin ardhur si rezultat i ndërhyrjeve direkte ushtarake të huaja). Profesorja Chenoweth i klasifikoi të dhunshme lëvizjet, kur ishin përdorur bomba, kur kishin ndodhur dëmtime të infrastrukturës etj., ose thjesht, kur ishin shkaktuar dëme materiale ose lëndime njerzore.
Në përfundim, ajo gjeti se probabiliteti i suksesit të një lëvizje paqësore ishte 93%. Ndërsa probabiliteti i suksesit të një lëvizje të dhunshme ishte sa gjysma – vetëm 46%.
Kufiri 3.5%, kyçi i suksesit
Siç duket qartë nga probabilitetet e mësipërme, jo të gjitha lëvizjet paqësore janë të suksesshme. Sipas Profesores Chenoweth, numri i pjesëmërrsve në lëvizjen paqësore është një faktor kritik për suksesin. Në qoftë se të paktën 3.5% e popullsisë, konkludoi ajo, merr pjesë aktive në lëvizjen paqësore, suksesi është i pashmangshëm.
Studimi i Profesores Chenoweth tregon se asnjë lëvizje paqësore nuk ka dështuar, kur e ka arritur këtë kufi.
SHËNIM I RËNDËSISHËM: 3.5% E POPULLSISË NË SHQIPËRI ËSHTË RRETH 82 MIJË BANORË./et
Shkollohen, arsimohen dhe kur duhet të kontribuojnë në ekonominë e vendit, zgjedhin të largohen. Çdo shqiptarë i aftë për punë që ikën, i kushton Shqipërisë 14 mijë euro. Një studim për emigrimin e të rinjve në vendet e Ballkanit Perëndimor i realizuar nga “Fondacioni Westminster për Demokraci” tregon se çdo largim është një kosto e humbur për ekonominë e vendit tonë si në drejtim të arsimimit por dhe punësimit.
“Ky djalë apo vajzë derisa është bërë 26 vjet është rritur nga taksapaguesit shqiptarë. Nëse ka shkuar në shkollë ka shkuar nga taksat e shqiptare nëse ka patur nevojë shëndetësore ka shkuar në spitale ku taksapaguesit shqiptarë kanë paguar. Kostoja tjetër e madhe është se këta të rinj largohen në moshën e punës, d.m.th kontributi i tyre si individë në moshën e punës është zero në atë drejtim”, thotë për A2 CNN Arjan Gjonça, ekspert për emigracionin.
Studimi merr në analizë një mesatare prej 41 mijë e 700 persona në vit të larguar. Ndalur tek kostot e arsimit ato arrijnë deri në 500 milionë euro. Shkollimi i një shqiptari në varësi të nivelit arsimor kushton 6 mijë euro për filloren, 9 mijë e 300 euro për shkollën e mesme, 18 mijë euro për studimet akademike dhe 32 mijë euro për studimet doktorale. 1 miliardë euro humbje.
“Nëse ne do marrim se PBB është midis 18-19 miliardë euro një llogaritje e thjeshtë e bërë nga kjo shifër në këtë studim, rreth 5-6% e GDP është humbje. Ajo rritja ekonomike e Shqipërisë do të ishte shumë më e madhe”, thotë Gjonça.
Përfitimi i vetëm i Shqipërisë nga të shqiptarët e larguar janë remitancat të cilat nuk përcaktohen si një tregues pozitiv i vendit./et
Kryetari i Partisë ”Mundësia”, Agron Shehaj thotë se çdo ditë përfaqësues të vendeve perëndimore vizitojnë SPAK-un për të shprehur mbështetjen në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që i njëjti institucion sulmohet dhe linçohet nga klasa e vjetër politike shqiptare.
Sipas Shehajt, ka ardhur momenti që qytetarët të marrin anë qartë në krah të drejtësisë dhe kundër korrupsionit, duke mbështetur nismën për mbledhjen e 100 mijë firmave, të cilat do t’i dërgohen edhe Kongresit amerikan si dëshmi e vullnetit qytetar për një drejtësi të pavarur.
”Pothuajse çdo ditë një ambasador perëndimor shkon në SPAK për të shprehur mbështetjen në luftën kundër korrupsionit Një ditë shkon e Ngarkuara me Punë e SHBA, një ditë tjetër ambasadori gjerman, pastaj ai italian, hollandez, francez, anglez dhe kështu me radhë.
Por njëkohësisht SPAK-u linçohet nga klasa e vjetër politike. Një ditë e sulmon Edi Rama, një ditë tjetër Sali Berisha, Ilir Meta, Erion Veliaj, Belinda Balluku, ata dhe gazetarët dhe opinionistët e tyre nëpër media.
Tani ka ardhur momenti që shqiptarët të vendosin dhe të mbështesin drejtësinë, të mbështesin luftën kundër korrupsionit. Politikanët shqiptarë që kanë pasur poste të rëndësishme në këto 35 vite duhet të dalin përpara drejtësisë.
Për këtë arsye kemi filluar fushatën e mbledhjes së firmave në mbështetje të drejtësisë. Duam të mbledhim 100 mijë firma. Deri sot kemi mbledhur pothuajse 20 mijë. Mungojnë edhe 80 mijë të tjera. Ju ftoj të gjithtëve të mbështesni drejtësinë , të firmosni në favor të luftës kundër korrupsionit. Firmosni, firmosni, firmosni”./et
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria është ftuar të bëhet pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Në një reagim publik, Rama e cilësoi këtë ftesë si një moment historik dhe dëshmi të rritjes së rolit dhe respektit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer atë në një Shqipëri tjetër, të denjë dhe të respektuar botërisht si asnjëherë më parë. Pa diskutim, edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt dhe vlerësim të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar dhe të kryesuar prej tij, si dhe për të punuar së bashku me të.
Thank you, Mr. President
God bless Albania and the United States”, shkruan Rama./et
Burnley i Armando Brojës ka marrë barazimin e dytë radhazi në kampionat, këtë radhë duke ndalur në shifrat 1-1 në legjendarin “Anfield” pikërisht kampionët në fuqi të Liverpulit.
Në transfertën ku sulmuesi shqiptar ishte titullar si zakonisht, ishte Liverpuli që diktoi ritmin teksa kërkoi vazhdimisht golin, duke humbur edhe një penallti me anë të Szoboszlai. Megjithatë, Virc para fundit të pjesës së parë, i dha avantazhin vendasve me një predhë brenda zonës.
Në pjesën e dytë, Liverpuli nuk ia doli të mbyllte ndeshjen me rastet e krijuara dhe kjo bëri që Burnley të shihte përpara, duke gjetur hapësirën të barazonte me Eduards. Më pas, u mbrojt mirë duke administruar deri në fund minutat për të marrë një barazim me shumë vlera sidomos për moralin pasi vinte në një nga fushat më të vështira në Premier Ligë./et
Ish-kampioni i NFL-së ka thyer heshtjen dhe foli për një periudhë të vështirë: ndarjen nga supermodelja, vështirësitë familjare dhe lamtumirën e dhënë futbollit merikan. I mësuar të fitojë nën presion, Tom Brady pranon se sfida më e madhe e jetës së tij nuk është luajtur në një fushë football-i. Në moshën 48-vjeçare, ish-quarterback-u më i suksesshëm në historinë e NFL-së ka vendosur të flasë hapur, duke rrëfyer divorcin nga Gisele Bündchen dhe një moment personal që e ka shënuar thellë.
Ndarja nga supermodelja braziliane, e ndodhur në vitin 2022 pas trembëdhjetë vitesh martesë, përfaqësoi një pikë kthese në jetën e Brady-t. “Ishte e vështirë, më vuri në provë,” ka rrëfyer ai.
Një periudhë e dhimbshme, e jetuar teksa përpiqej të mbante të balancuara karrierën, familjen dhe pritshmëritë e mëdha, brenda dhe jashtë dhomave të zhveshjes. Në shkurt të vitit 2023 erdhi tërheqja zyrtare nga futbolli profesionist, pas një kariere legjendare të kurorëzuar me shtatë fitore në Super Boël.
Brady ka treguar se sezoni i tij i fundit ishte veçanërisht i komplikuar: “Kisha shumë probleme familjare. Ishte një sfidë e vërtetë.” Një barrë emocionale që e shoqëroi deri në largimin nga NFL-ja. Sot, për Tom Brady-n prioriteti absolut ka një emër të qartë: familja. Ai është baba i tre fëmijëve: Jack, 18 vjeç, nga lidhja me Bridget Moynahan, si dhe Benjamin dhe Vivian, përkatësisht 16 dhe 13 vjeç, nga martesa me Gisele Bündchen.
“Tani dua t’u përkushtohem atyre,” ka theksuar ai, duke shënuar fillimin e një etape të re në jetën e tij, larg dritave të sportit aktiv./mxh
Debatet në Big Brother VIP Kosova morën një kthesë të fortë pas një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes opinionistes Leonora Jakupi dhe Dolces. Këngëtarja dhe opinionistja nuk i kurseu kritikat, duke e vendosur Dolcen në qendër të vëmendjes gjatë diskutimeve në studio.
Shkak për reagimin e ashpër u bë situata e krijuar mes Limit, Dolces dhe Albës, e cila po kalonte një gjendje të rënduar emocionale pas afrimit të dyshes para syve të saj. Jakupi e akuzoi Dolcen për mungesë ndjeshmërie dhe empatie, duke theksuar se në një ambient të mbyllur si ai i shtëpisë, përgjegjësia emocionale ndaj të tjerëve është thelbësore.
Por reagimi i opinionistes nuk u ndal vetëm te kritikat morale. Me tone ironike dhe të forta, Leonora Jakupi lëshoi një deklaratë që ndezi menjëherë situatën:
“Ti i zë meshkujt në shtëpi më shpesh sesa më zë mua gjumi.”
Kjo frazë u prit me reagim të menjëhershëm nga Dolce, e cila e cilësoi deklaratën fyese dhe të papranueshme, sidomos duke ardhur nga një opinioniste. Ajo u shpreh se nuk është e drejtë të gjykohet në këtë formë nga dikush që ka rolin e analizueses dhe këshillueses në spektakël.
Përplasja nxiti diskutime të forta brenda shtëpisë dhe jashtë saj, duke u kthyer në një nga momentet më të komentuara të javës në BBVK 4./mxh
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përmes një letre, ka ftuar presidentin turk, Recep Tayip Erdogan, të bëhet anëtar i “Këshillit të Paqes”, i cili do të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ka qenë në një armëpushim të brishtë që nga tetori. Ftesën e ka bërë të ditur presidenca turke.
“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën 2803, vendosi të mbështesë Planin Gjithëpërfshirës për Përfundimin e Konfliktit në Gaza të shpallur nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Brenda këtij kuadri, në Gaza po krijohet një Këshill Paqeje dhe organe përgjegjëse për sigurimin e sigurisë dhe rindërtimit. Më 16 janar 2026, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në cilësinë e kryetarit themelues të Këshillit të Paqes, dërgoi një letër duke ftuar Presidentin tonë, Recep Tayyip Erdogan, të bëhet anëtar themelues i Këshillit të Paqes”, tha kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Burhanettin Duran, në një deklaratë të publikuar në X.
Në të njëjtën kohë, Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelati deklaroi në një konferencë për shtyp se po shqyrton ftesën e Donald Trump drejtuar Presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për të marrë pjesë në të ashtuquajturin “Këshill Paqeje” për Gazën.
Dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi disa anëtarë të Këshillit të Paqes, të cilin do ta kryesojë Trump. Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, në Këshillin e Paqes do të marrin pjesë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, dhëndri i tij, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik Tony Blair, biznesmeni miliarder Mark Rowan, Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe këshilltari politik Robert Gabriel.
Diplomati bullgar Nickolay Mladenov do të marrë detyrën e Përfaqësuesit të Lartë për Gazën. Gjeneralmajori Jasper Jeffers është emëruar komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në enklavën palestineze.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u njoftua si një nga anëtarët e “Këshillit Ekzekutiv për Gazën”, së bashku me Marco Rubio, Steve Witkoff, Tony Blair dhe Jared Kushner, Mark Rowan, si dhe diplomatin e lartë të Katarit Ali Thawadi, kreun e inteligjencës egjiptiane, Hassan Rashad, Ministren e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Reem al-Hashimi, biznesmenin izraelito-qipriot Yakir Gabbay, ish-koordinatoren humanitare të OKB-së Sigrid Kaag dhe Nickolay Mladenov, ish-i dërguarin e OKB-së në Lindjen e Mesme./mxh