Projekti i Teatrit të ri Kombëtar ka hyrë zyrtarisht në etapën e realizimit ndërtimor, ndërsa punimet po vijojnë me intensitet pas përfundimit të fazës komplekse të ndërhyrjeve nëntokësore dhe hedhjes së themeleve.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili ka ndarë pamje nga kantieri i ndërtimit në rrjetet sociale, duke theksuar se godina e re po merr formë si një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.
“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG. Pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën”, shkruan Rama në Facebook.
Teatri i Ri Kombëtar është vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels, dhe studios daneze BIG.
Godina e re po ndërtohet në vendin ku ndodhej teatri i vjetër dhe, sipas projektit arkitektonik, është e ndarë në dy pjesë funksionale: një pjesë e dedikuar për aktorët dhe administratën dhe një tjetër për publikun.
Më herët, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e prezantoi projekin si “nga teatrot më të bukur dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”. /kb
Pika kufitare e Kapshticës ka shënuar këtë vit një fluks të shtuar emigrantësh gjatë vigjiljes së Krishtlindjes.
Gazetarja e Klan News Daniela Zisi, në një lidhje të drejtpërdrejtë tha se gjatë javës së fundit kanë hyrë rreth 40 mijë emigrantë për të kaluar festat e Krishtlindjes, Vitin e Ri dhe pushimet dimërore.
Ndërkohë që rreth gjysma e këtij numri, ka lëvizur nga Shqipëria drejt Greqisë, ku në pikën kufitare shqiptare është angazhuar personel i shtuar për të përballuar fluksin.
Në ditët me lëvizje të madhe, janë hapur shtatë sportele në hyrje dhe dy në dalje, ndërsa pala greke ka pasur vetëm katër sportele, duke krijuar vonesa dhe fluks në territorin grek.
Data 24 dhjetor shënoi pikun e lëvizjes, me rreth 10 mijë emigrantë që hynë në territorin grek. Aktualisht fluksi ka rënë, duke lehtësuar kalimin, ndaj momentalisht janë në funksion katër sportele në hyrje dhe dy në dalje. Zisi tha se autoritetet shqiptare i kanë kërkuar palës greke që në ditët pas ndërrimit të viteve, kur pritet të shtohet fluksi, të bëjnë të mundur shtimin e sporteleve për të shmangur vonesat e mundshme.
Atmosfera festive në Korçë
Ndërkohë, në Korçë, të gjitha strukturat akomoduese janë rezervuar që nga fillimi i dhjetorit, madje siç shprehet Zisi thuajse në “100% për festën e Krishtlindjes” dhe po ashtu natën e ndërrimit të viteve. Zona e Korçës, përfshirë Dardhën dhe Voskopojën, ka regjistruar një shtim të turistëve, jo vetëm nga Europa, por edhe nga Azia. Përveç kësaj, ka pasur një ulje të çmimeve të akomodimeve, ndryshe nga vitet e tjera, për të tërhequr vizitorë më të shumtë./kb
Prokurori Special ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, pas përpjekjes së dështuar për të shpallur ligjin ushtarak në vitin 2024.
Avokatët e ish-presidentit e kanë cilësuar kërkesën për 10 vite burg si “të tepruar”.
Yoon Suk Yeol përballet edhe me akuza të tjera të rënda, përfshirë korrupsion, abuzim me pushtetin dhe rebelim, një vepër penale që në Korenë e Jugut dënohet me burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje.
Shpallja e ligjit ushtarak nga Yoon solli trupa të armatosura në rrugët e Seulit, duke shkaktuar krizën politike më të rëndë në dekada. Masa zgjati vetëm disa orë, pasi deputetët arritën të hyjnë në Parlament dhe votuan për shfuqizimin e saj.
Në dhjetor të vitit 2024, Yoon u shkarkua nga Parlamenti, ndërsa në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e hoqi zyrtarisht nga detyra.
Sipas prokurorisë, pas shkarkimit, ish-presidenti u mbyll për javë të tëra në rezidencën e tij, duke penguar zbatimin e urdhrit për arrestim.
Prokurorët e cilësuan veprimin e tij si një pengim të paprecedentë të drejtësisë.
Yoon akuzohet gjithashtu se anashkaloi një mbledhje të plotë të kabinetit, siç kërkohet nga ligji, përpara shpalljes së ligjit ushtarak, si dhe se falsifikoi dokumente dhe urdhëroi fshirjen e të dhënave nga telefonat e personave të përfshirë.
Ish-presidenti i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim mobilizimin e opinionit publik kundër opozitës liberale, të cilën e akuzon për bllokimin e qeverisjes së tij.
Ndërsa hetimet pretendojnë se Yoon kishte planifikuar për më shumë se një vit shpalljen e ligjit ushtarak, me synim eliminimin e rivalëve politikë dhe përqendrimin e pushtetit./kb
Mbetjet e një anijeje të mesit të shekullit të 1-rë, të përdorur nga fisnikëria për ekskursione, u zbuluan pranë brigjeve të Aleksandrisë, Egjipt, në një thellësi prej 7 metrash.
nga Paola Panigas
Turi kulturor i botës klasike nuk mund të mos përfshinte një ndalesë në Egjiptin e lashtë , siç konfirmohet nga rrënojat e gjetura në brigjet e Aleksandrisë, e cila mund të jetë “anija e parë turistike” nga epoka romake në Egjipt : një jaht luksoz, 35 metra i gjatë, i cili duket se korrespondon me një dëshmi të raportuar nga gjeografi grek Strabo në shekullin e 1-rë para Krishtit: ” Janë anije të dekoruara me mjeshtëri, të përdorura nga oborri mbretëror për ekskursione: çdo ditë dhe çdo natë ato janë të mbushura me njerëz që luajnë muzikë, kërcejnë dhe festojnë pa kufizim .”
Megalopoli i Egjiptit
Në kohët e lashta, Aleksandria ishte një metropol spektakolar: afërsisht 700,000 njerëz jetonin këtu, duke shijuar rrugët me kalldrëm, pallatet, banjat dhe tempujt e veshur me mermer. Për udhëtarët që vinin nga deti, “karta e vizitës” e qytetit ishte Fari i Farosit , një kullë prej mermeri dhe graniti afërsisht 130 metra e lartë, e konsideruar si një nga shtatë mrekullitë e botës antike, poshtë së cilës ndodhej porti. Dhe pikërisht në ujërat e Portus Magnus , arkeologët nga Instituti Evropian i Arkeologjisë Nënujore (IEASM), të udhëhequr nga Franck Goddio, gjetën rrënojat, pranë ishullit të zhytur të Antirhodos.
Një jaht luksoz. Anija—që daton në gjysmën e parë të shekullit të 1-rë pas Krishtit—u ndërtua si një anije e vogël turistike: 35 metra e gjatë dhe 7 metra e gjerë, përfshinte një pavijon qendror dhe një kabinë të dekoruar. Sigurisht që u ndërtua për të lundruar në ujëra shumë të cekëta: harku ishte i sheshtë, ndërsa pjesa e pasme ishte e rrumbullakosur.
Anija ka të ngjarë të ketë pasur nevojë për më shumë se 20 vozitës, ndërsa hapësira e pasagjerëve ishte projektuar për ceremoni dhe festime në lumë dhe kanale. Një mbishkrim grek, ende i padeshifruar, shfaqet në kornizën e anijes. Ky çelës mund të ofrojë informacion në lidhje me pronarët e saj, rolin e anijes ose funksionin e saj ritual.
Një zbulim i jashtëzakonshëm
Edhe pse ky lloj ene shfaqet në tekste dhe vepra arti të lashta – siç është Mozaiku i Nilit Palestrina, i cili përshkruan një anije më të vogël të angazhuar në gjueti hipopotami – një shembull i vërtetë nuk ishte gjetur kurrë . Mbetjet e anijes ndodheshin në një thellësi prej vetëm 7 metrash dhe nën vetëm 1.5 metra sediment.
Qytetërim i zhytur
Që nga viti 1992, ekipi i Goddios ka gërmuar pjesë të tëra të Aleksandrisë së lashtë: tempuj, lagje të zhytura dhe anije të mbytura nga epoka të ndryshme. Në vitin 2000, qytetet e lashta të Thonis-Heracleion dhe Canopus u zbuluan në Gjirin e Aboukirit, me statuja dhe thesare kolosale ende të paprekura. Në vitin 2019, u gjet një tjetër anije e mbytur që dukej se përputhej me një përshkrim nga Herodoti.
Megjithatë, kjo enë u gjet më pak se 50 metra larg tempullit të zhytur të Isis.
Pse u fundos?
Mbetet e paqartë pse kjo anije u fundos në brigjet e Egjiptit. Një shpjegim, sipas arkeologëve, mund të jetë tërmeti i fuqishëm dhe cunami pasues që shkatërruan bregdetin në vitin 50 pas Krishtit, duke shkaktuar shembjen e Tempullit të Isis dhe përmbytjen e një pjese të portit.
Një hipotezë tjetër mund të lidhet me ritin e maskuar të Anijes së Isis ( navigium Isidis) : një procesion në të cilin një anije e dekoruar me bollëk përfaqësonte varkën diellore të perëndeshës, “zonjës së detit”. Mbetjet e anijes së zhytur mund të kenë qenë pjesë e ceremonisë.
Sidoqoftë, anija do të mbetet nën ujë, në përputhje me udhëzimet e UNESCO-s, për të siguruar ruajtjen e saj.
Greqia po shkon me hapa të shpejtë drejt mbylljes në vitin 2026 të termocentraleve që përdorin qymyrgurin si lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike.
Kjo reformë po shkakton papunësi dhe largim të fuqisë punëtore nga vendi.
Qytetet industriale rreth këtyre termocentraleve rrezikojnë të bëhen si Detroiti, metropoli amerikan i goditur nga rënia e industrisë automobilistike.
Në veri të vendit, aktualisht vetëm dy termocentrale me qymyrguri kanë mbetur funksionale. Njëri do të mbyllet në maj, ndërsa tjetri do të shndërrohet në gaz natyror deri në fund të vitit 2026.
Njëmbëdhjetë termocentrale kanë ndërprerë tashmë veprimtarinë në këtë rajon, i cili për dekada të tëra ishte qendra e prodhimit të energjisë nëpërmjet qymyrgurit në Greqi.
Kjo zonë ka shkallën më të lartë të papunësisë në Greqi, me 16.5%, dyfishi i mesatares kombëtare, sipas zyrës së statistikave.
Është gjithashtu rajoni që ka përjetuar rënien më të ndjeshme të popullsisë gjatë dekadës së fundit, me 10,1%.
Sipas vlerësimeve, më shumë se 10 mijë vende pune janë humbur tashmë dhe kjo shifër pritet të arrijë në 20 mijë sapo plani i tranzicionit të gjelbër të zbatohet plotësisht.
Vitin që po vjen, Greqia do të përfundojë heqjen e shpejtë të qymyrit nga përdorimi në funksion të tranzicionit energjetik. Në vend të qymyrit, ky shtet po ndërton kapacitete prodhimi të energjisë, kryesisht nëpërmjet parqeve me panele të energjisë diellore.
Prodhimi i qymyrit në Greqi ka rënë që nga fillimi i viteve 2000. Termocentralet tashmë janë shumë të kushtueshme për t’u përdorur, falë rregullave të reja për të reduktuar ndotjen. Greqia synon që, krahas mbylljes së dy termocentraleve të saj të fundit me qymyr, të ndalë edhe prodhimin e qymyrit nga shumica e minierave të saj, përfshirë një që është ndër më të mëdhatë në Evropë.
Maqedonia Perëndimore, një rajon pa dalje në det dhe me popullsi të rrallë, shumë në veri të Athinës, nxori qindra miliona tonë metrikë qymyr, duke prodhuar pjesën më të madhe të energjisë elektrike të Greqisë dhe duke sjellë edhe pasoja shkatërruese mjedisore dhe shëndetësore./kb
-Një rrëfim i pazakontë nga Kujtim Kaziu, për policët e kampit që torturuan mizorisht të burgosurit dhe i lanë të vdisnin nëpër galeritë e minierës-
Ishte dimri i vitit 1979, kur Kujtim Kaziu, kishte përfunduar në burgun Spaçit, si i burgosur politik. Përveç torturave nga xhelatët, puna në minierë ishte shumë e rëndë për të burgosurit e pangrëne, e të paveshur. Kujtim Kaziu, i kujton me shumë dhimbje shokët e tij që u mbijetuan torturave çnjerëzore në atë burg, por më shumë në mendje, i kanë mbetur dy të rinjtë, që vdiqën në zgafellet e asaj miniere, në burgun e Spaçit.
“Në galeri temperatura ishte 60 gradë dhe plasje vape, kurse jashtë temperatura ishte -17 gradë dhe sapo nxirrnim vagonin, mbuloheshim në avull bore nga kondensimi i temperaturës së trupit, me atë që ishte jashtë. Në këto fronte, kam punuar me Haxhi Hoxhën (ish-kreu i organizatës antikomuniste në Shkozet, që ra në burg në moshën 18 vjeç), Sokrat Manen, Bujar Gjinin, Ali Gjuzin, etj.
Dy vetë shtynim deri në 1 km, vagonin 2 tonësh të mbushur me pirit. Ishim të rinj dhe e përballonim mundin e madh. Në front kishte edhe djem të fuqishëm, që ndihmonin të tjerët, si: Bedri Blloshmi, Zef Bushgjoka, Foto Stefani. Në galeri, rrinim lakuriq dhe këmbët na qulleshin nga uji që depërtonte në çizme.
Na trajtonin si skllevër. Ushqeheshim shumë keq, me 700 gr. – 800 gr. bukë në ditë dhe supë me spinaq, që kur fusnim lugën, mbushej me zhavorr, ngase spinaqi nuk lahej fare, futej në kazan me gjithë baltë” – rrëfen ish- i burgosuri Kujtim Kaziu, me origjinë nga rrethi i Krujës.
Për ish-të burgosurin politik, Kujtim Kaziu, nuk mund të harrohen fytyrat e egra të policëve – xhelatë të burgut të Spaçit, që kurrë nuk u ngopën me torturat, urinë dhe keqtrajtimin e atyre djemve dhe burrave, që padrejtësisht po vuanin dënimin në burgun famëkeq të Spaçit. Pjetër Koka është një prej tyre.
“Xhelati i Spaçit, Pjetër Koka edhe për të ngrënë bukën e mykur dhe supën me krimba, miza e gurë, na mbante dy orë në rresht, jashtë në të ftohtin e Spaçit, në temperaturë deri në –20 gradë. Kur ktheheshim në kamp, të rraskapitur e të torturuar, na zhvishnin lakuriq, për të parë nëse kishim me vete ndonjë mjet të fortë, levë, dërrasë a sende të tjera.
Në vitin 1984, gjatë punës, theva këmbën. Ndenja dy javë në Rrëshen dhe më pas në spitalin e burgut në Tiranë. Më vunë në allçi dhe më transferuan në burgun e Shënkollit në Lezhë. Dy vite më pas, transferohem në kampin e ndërtimit të Bulqizës së Re. Më kishte marrë malli të shikoja një krutan. Me kamion, vjen një shofer nga Fushë-Kruja, i cili sillte materiale ndërtimi.
Ishte Sejfulla Halili dhe unë e njihja. Ishim rritur me të dhe më kishte marrë malli. Edhe ai dukej se donte të fliste me mua, pasi kishte të njëjtin mall. Mora guximin dhe fola me të. Sapo iku kamioni, më janë sulur oficeri i punës, Kol Toska, polici Beqir Vreneçi dhe polici tjetër, Ndue Jaku. Më futën në kapanon dhe më lidhën për krevati.
Morën një ristelë dhe më nxinë trupin, duke më qëlluar sa njëri-tjetri, deri sa u lodhën. Nuk lëviza dot për më shumë se një javë, nga plagët. Në vitin 1988, një pjesë të të burgosurve na dërguan për të bërë kampin e Tërnovës, pastaj tek Reparti 325 (burgu) në Tiranë, për ndërtime të reja, në kampin e Bardhorit në Kavajë dhe së fundi, për të bërë vilat tek “Blloku”, në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, te Plepat në Plazhin e Durrësit.
Këtu edhe u lirova, në 31 mars 1990, duke dalë gjallë, pasi kishin nisur të ndiheshin proceset e përmbysjes së atij sistemi të ndyrë, vrasës e barbar”, kujton Kujtim Kaziu.
Torturat dhe synimi për të na eliminuar fizikisht…!
“Unë kam parë më sytë e mi se si kanë mbetur në galeri të burgosur, si kanë vdekur ata duke kërkuar ndihmë dhe si janë gjymtuar e masakruar. Në vitin 1983, isha në front, në galeri. Pranë frontit tim, punonte Luc Vukaj nga Vermoshi i Shkodrës dhe Manush Çuka nga Erseka. Fronti kishte vetëm 4 vagonë pirit. Polici i punës, quhej Dod Ndreka, kurse brigadier i lirë, Preng Deda.
Ata panë frontin dhe duhej të vendosnin për të lejuar punimet, apo jo. Galeria kishte dhënë shenja shembje të dukshme dhe këtë, si Luca, edhe Manushi, i’a bënë të qartë. Të dy ishin djem të rinj, ishin dënuar për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Polici dhe brigadier, u dha urdhër të futeshin në galeri. “O normën, o shpirtin”, – u thanë ata dy të rinjve.
Luc Vukaj dhe Manush Çuka, u frikësuan pasi u kërcënuan se, nuk dilnin gjallë nga galeria nëse nuk futeshin në front. Kishte kaluar mesi i natës. Ishim turni i tretë. Galeria dha shembjen tjetër dhe pas pak, një masiv i madh ra mbi të dy. Dëgjova britmat e Lucës, që erdhën e u shuan.
Manushi kishte tub ajri në gojë dhe meqë tubi i mbeti jashtë masivit të shembur, ne mundëm ta çanim materialin e ta nxirrnim të gjallë. Luc Vukajn e nxorën pas tre ditësh që kishte mbetur në galeri. Mesa më kujtohet, asnjëri prej tyre nuk i kishte mbushur 20 vitet. Pas kësaj ngjarje, Manushi nuk u bë më njeri. Tmerri që pa dhe që përjetoi, i dha goditje të sistemit mendor”, kujton me lot në sy Kujtim Kaziu.
Kujtimi tregon dhe se si protestonin pas aksidenteve të qëllimshme apo dhe vrasjeve në burg. “Sa herë që ndodhnin aksidente të rënda dhe vdekje, për shkak të mossigurimit të kushteve teknike, ne gjenim mënyra e protestonim. Nuk ishte i pari Luc Vukaj që mbeti në galeri. Meqë unë e pashë me sytë e mi të gjithë skenën e vdekjes së llahtarshme të Lucës, i shkrova një letër Hekuran Isait.
Atëherë Hekurani ishte ministër i Brendshëm. I tregova me hollësi se si kishte ndodhur ngjarja. Unë shkrova në këtë letër, që ia dërgova ministrit (për ta postuar, i dhashë korrierit të burgut), se; polici Dod Ndreka dhe brigadieri Preng Deda, ishin shkaktarët e vdekjes së të burgosurit Luc Vukaj. Por letra, nuk kishte dalë nga burgu i Spaçit. Këtë e mësova jo shumë ditë më pas.
Një i burgosur, më tregoi se asnjë letër nuk shkonte as në shtëpitë tona, pa u lexuar nga komanda e burgut. Kështu, kishte ndodhur edhe në këtë rast, edhe pse unë i drejtohesha ministrit. Më thërritën në komandë, më bën presion, më këshilluan, se po të hapja gojë, për atë që kisha parë, do të më vrisnin. Policia e burgut, pra ata që kishin miqësi me dy autorët e krimit, donin të më eliminonin fizikisht.
Kur e morën vesh të burgosur që më njihnin, nuk më linin vetëm asnjë çast dhe aksidenti që pësova në galeri një vit më pas, më shpëtoi nga vrasja. Unë nuk u futa në galeri për 2 javë. Nuk flija gjumë dhe u bëra me fiksime. Më dilnin para Luc Vukaj dhe Manush Çuka, britmat dhe lëngimet e fundit të Lucës, të burgosurit që gërmonin materialin, me lopata e thonj. Shumë nga të burgosurit e ndërgjegjes, janë ndeshur në këto kampe, me të tilla gjëra që nuk besohen.
Shumë u ekzekutuan në një formë a në një tjetër, duke u deklaruar si: “vdekje aksidentale”, të tjerë u gjymtuan apo humbën kujtesën. Shumë u ndanë nga gratë e fëmijët dhe pësuan depresion. Por, pati edhe nga ata që mbijetuan për të dëshmuar krimet dhe masakrat e atij regjimi”, shprehet me dhimbje në fund të rrëfimit të tij, ish-i burgosuri politik, Kujtim Kaziu, nga rrethi i Krujës. Memorie.al/ Nga Xhevahir Gradica/kb
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, zhvilloi këtë të premte, më 26 dhjetor, një vizitë në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku u njoh nga afër me investimet e reja moderne që synojnë rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të transfuzionit në vend.
Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se gjatë vitit 2025, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka realizuar një sërë investimesh kyçe, përfshirë pajisjen me teknologji të re për gjenotipizimin e grupeve të gjakut, e cila u vjen në ndihmë pacientëve me nevoja të veçanta transfuzionale dhe shërben për parandalimin e sëmundjes hemolitike të fetusit dhe të porsalindurit.
Po ashtu, është realizuar digjitalizimi i plotë i të dhënave dhe proceseve që lidhen me dhurimin, testimin dhe shpërndarjen e gjakut, si dhe centralizimi dhe automatizimi i testimit të grupeve të gjakut, duke rritur standardet e cilësisë dhe ulur ndjeshëm rrezikun e gabimeve njerëzore.
Po ashtu, është realizuar digjitalizimi i plotë i të dhënave dhe proceseve që lidhen me dhurimin, testimin dhe shpërndarjen e gjakut, si dhe centralizimi dhe automatizimi i testimit të grupeve të gjakut, duke rritur standardet e cilësisë dhe ulur ndjeshëm rrezikun e gabimeve njerëzore.
“Kur punon mirë, ke financim më tepër…”, u shpreh ministrja gjatë kësaj vizite.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 është shënuar edhe një rritje e ndjeshme e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, me 12 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë, ose 16.5 dhurime për çdo 1 mijë banorë./kb
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, tha se socialistët po përpiqen të pengojnë drejtësinë për të luftuar korrupsionin, duke mos lejuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Ta harrojnë. Nuk ka për të ndodhur. Belinda Balluku mund ta hajë Vitin e Ri në shtëpi, por ju siguroj që nuk do t’i shtyjë ditët dhe do të përfundojë në burg. Nuk mund t’u vjedhësh shqiptarëve, në një vend në mes të Europës, por që është më i varfri në Europë, 1.1 miliardë euro dhe pastaj ta shndërrosh institucionin në bunker që mbron korrupsionin e këtyre”, tha Bardhi.
I pyetur kur do ta kërkojë opozita mbledhjen e radhës, Bardhi tha: “Në fillim të javës që vjen. Absolutisht, të pesë anëtarët e opozitës në Këshillin e Mandateve janë 24 orë në 24 në dispozicion të këtij procesi. Ne besojmë që pranimi i kërkesës së prokurorisë është detyrim përcaktim ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ne nuk kemi marrë mandat për të mbrojtur korrupsionin e Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit. Ne kemi marrë mandat nga qytetarët për ta luftuar korrupsionin”.
Ai shtoi se kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po vepron me urdhra politikë të Edi Ramës. “Më vjen keq që thotë: “Kur të plotësohen kushtet procedurale do ta mbledh Këshillin”. Kur do të plotësohen kushtet? Kur t’i japë leje Edi Rama? Nuk funksionojnë kështu institucionet. Të korruptuarit nuk të japin kurrë leje për të luftuar korrupsionin. Të korruptuarit bëjnë gjithçka për të mbrojtur korrupsionin e tyre, siç po bëjnë edhe në këtë rast”, shtoi Bardhi.
Një 27-vjeçar ka humbur jetën aksidentalisht në Shkodër pasi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Policia tha se ngjarja ndodhi rreth mesditës në qytetin e Koplikut, ku shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se duke punuar në një magazinë për të vendosur disa panele diellore, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë, ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /kb
Futbollisti i njohur i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku, dhe partnerja e tij Vesa Vllasaliu, ditë më parë dhanë publikisht lajmin e gëzueshëm se janë bërë prindër për herë të parë.
Ishte vetë Daku ai i cili zbuloi që është bërë baba i një vajze, të cilën e kanë pagëzuar me emrin Miresa.
Deri më tani çifti nuk e ka zbuluar portretin e vajzës së tyre, por Vesa nuk ka lënë pa ndarë me ndjekësit e saj momente të ëmbla të së bijës me babain.
Ajo ka publikuar në “Instastory” një videot të Dakut teksa ai mban në krahë të bijën duke e përkundur dhe përkëdhelur.
Teksa e përkëdhel dhe i këndon të bijës “nina-nana”, Daku dëgjohet që në një moment thotë: “Më duket i mbushi brekët” dhe të dy ata shpërthejnë në të qeshura.
Prej kohësh, fansat kishin dyshuar se Vesa ishte në pritje të ëmbël, por modelja është kujdesur që ta mbajë të fshehtë këtë lajm deri në lindjen e vajzës.
Megjithatë, në një fotografi të publikuar disa javë më parë, pas një vëzhgimi më të kujdesshëm, vihej re barku i rrumbullakosur i saj.
Vesa Vllasaliu kishte bërë të ditur për ndjekësit e saj se ndodhej në një lidhje me Mirlind Dakun vetëm disa javë më parë.
Edhe pse për më shumë se një vit romanca e tyre ishte mbajtur larg syrit të publikut, ishte vetë modelja ajo që e konfirmoi lidhjen në përvjetorin e tyre, duke publikuar fotografi me lulet e dhuruara nga Daku dhe momente intime mes tyre./kb
Data 26 dhjetor 1893 njihet si dita e lindjes së Mao Ce Dunit, figurë qendrore e revolucionit komunist kinez dhe themelues i Republikës Popullore të Kinës
Nga Leonard Veizi
Në horizontin e Lindjes, aty ku dielli lind mbi rrjedhat e lumit Jance, Mao Ce Duni u shfaq jo thjesht si një politikan, por si një forcë që synonte të riformësonte vetë shpirtin e Kinës antike. I frymëzuar fillimisht nga hija e Stalinit dhe më pas i përplasur ashpër me “revizionizmin” e Hrushovit, Mao e ngriti librin e vogël të kuq si simbol të një rruge të veçantë revolucionare. Ai premtoi t’i jepte fund shekujve të poshtërimit dhe ta kthente fshatarësinë e kërrusur në arkitekte të një bote të re. Por ironia e historisë do ta sillte “Timonierin e Madh” edhe përballë presidentit amerikan Riçard Nikson, ndërsa përtej Murit të Madh, figura e tij do të gjente një pasqyrim të çuditshëm në një vend të vogël ballkanik, ku Enver Hoxha kërkonte me ngulm një “Mekë” të re ideologjike.
Portreti ideologjik i Maos
Mao Ce Duni (1893–1976) ishte arkitekti i një rruge të veçantë drejt socializmit. Ndryshe nga modeli sovjetik, i ndërtuar mbi punëtorin industrial, Mao besonte te parimi i “rrethimit të qytetit nga fshati”. Ai e shihte revolucionin si një proces të përhershëm pastrimi, një zjarr që duhej mbajtur ndezur përmes fushatave si Hapi i Madh Përpara dhe Revolucioni Kulturor.
Pas këtij vrulli ideologjik, megjithatë, fshiheshin tragjedi njerëzore të përmasave biblike. Uria masive, dhuna politike dhe përsekutimi i intelektualëve lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kineze, duke e bërë figurën e Maos një nga më kontradiktoret e shekullit XX.
“Feneri i ndritur”: vallëzimi mes Tiranës dhe Pekinit
Marrëdhënia mes Mao Ce Dunit dhe Enver Hoxhës nuk ishte thjesht një aleancë diplomatike. Ajo ishte një martesë interesi ideologjik, e lindur në kontekstin e përçarjes së madhe komuniste dhe e ushqyer nga frika e përbashkët ndaj “revizionizmit”.
Urrejtja e përbashkët ndaj Hrushovit
Kur në vitin 1956 Nikita Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit, Tirana dhe Pekini reaguan njësoj. Enver Hoxha, i tmerruar nga çdo shenjë liberalizimi që mund t’i rrezikonte pushtetin absolut, gjeti te Mao mbrojtësin e fundit të stalinizmit. Mao, nga ana e tij, e shihte Shqipërinë si një pikë strategjike në zemër të Evropës, një zë të vogël por të dobishëm për të sfiduar hegjemoninë sovjetike.
Retorika e “Mikut të Madh”
Në diskursin zyrtar kinez, Shqipëria u shpall “Feneri i ndritur i socializmit në Evropë”. Kjo frazë poetike ushqente egon e udhëheqjes shqiptare dhe krijonte iluzionin e një rëndësie globale. Propaganda i paraqiste dy udhëheqësit si vëllezër ideologjikë, ndonëse ata u takuan shumë rrallë personalisht. Distanca gjeografike kompensohej me telegrame, delegacione dhe deklarata patetike besnikërie.
Vizita e Çu En Lait më1964, kulmi i euforisë
Janari i vitit 1964 shënoi kulmin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Kryeministri kinez Çu En Lai, diplomati më i rafinuar i Pekinit, vizitoi Tiranën në një atmosferë që i ngjante një rituali politik.
Rrugët u mbushën me turma dhe flamuj, Enver Hoxha e priti personalisht në aeroport, ndërsa mesazhi politik ishte i qartë: Shqipëria nuk ishte më vetëm. Vizita ishte një shuplakë simbolike për Moskën. Në prapaskenë, Çu En Lai mbeti i impresionuar nga kultura e gjerë e Hoxhës, por edhe i habitur nga ngurtësia staliniste e aplikuar në një vend kaq të vogël e të varfër.
Arkitektura e ndihmës kineze
Për gati dy dekada, ekonomia shqiptare u mbajt gjallë nga ndihmat kineze. Mbi 6 mijë specialistë kinezë punuan në Shqipëri, ndërsa mijëra studentë shqiptarë u arsimuan në Kinë. Ndihma përfshinte industri të rëndë, bujqësi, energjetikë dhe ushtri.
Kina dërgonte grurë e oriz edhe në periudha kur vetë popullsia kineze vuante mungesat, vetëm për të mbajtur aleatin e saj të vetëm evropian. Ushtria shqiptare u pajis me armë dhe teknologji që e bënin një kopje të vogël të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Revolucioni Kulturor dhe eksporti i tij shqiptar
Në vitin 1966, Mao nisi Revolucionin Kulturor. Enver Hoxha e përqafoi frymën e tij dhe nisi “Revolucionarizimin e jetës së vendit”. Pasojat ishin të menjëhershme: lufta kundër fesë, dërgimi i kuadrove në fshatra, fletë-rrufetë dhe goditja e elitës intelektuale. Shqipëria u shpall shteti i parë ateist në botë, duke importuar drejtpërdrejt modelin e Rojave të Kuqe kineze.
Paradoksi i modernizimit
Marrëdhënia me Kinën i dha Shqipërisë industri të rëndë, por edhe një varësi fatale. Teknologjia ishte shpesh e vjetruar dhe, kur specialistët kinezë u larguan në vitin 1978, morën me vete projektet. Shumë uzina mbetën skelete prej çeliku dhe betoni, të paafta për të funksionuar në mënyrë të pavarur.
Fundi i aleancës
Vdekja e Maos në vitin 1976 dhe ardhja në pushtet e Deng Xiaoping shënuan fundin e miqësisë. Reformat pragmatike dhe afrimi me SHBA-në ishin të papranueshme për Enver Hoxhën. Në vitin 1978, Kina ndërpreu ndihmat. Shqipëria mbeti sërish e vetmuar, duke hyrë në izolimin më të errët të historisë së saj.
Në thelb, kjo miqësi dështoi sepse Mao ishte pragmatist, ndërsa Hoxha dogmatik. Njëri përdorte ideologjinë për ta bërë Kinën fuqi botërore; tjetri për të ruajtur pushtetin absolut mbi një vend të vogël.
Trashëgimia e kësaj aleance janë ende sot uzina të heshtura, struktura industriale të braktisura dhe një kapitull i historisë shqiptare që dëshmon se miqësitë e ndërtuara mbi kultin e individit rrëzohen sapo figura e diktatorit zhduket.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përsëriti nga Manza, aty ku zhvilloi foltoren e radhës, se me kryeministrin Edi Rama nuk ka zgjedhje.
“Erdhëm në zgjedhje, zhvilluam fushatën elektorale më të bukur, programin më të shkëlqyer që ka njohur ky vend, ekspertizën, më të madhe. Unë, kisha deklaruar në mënyrat më të përsëritura se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Sepse kur një kryeministër vendos të mos dorëzojë pushtetin, ai pastaj ka të gjitha mjetet në dorë për të shtypur votën, për të manipuluar votën, për të blerë votën”, tha Berisha.
Ai u shpreh se tentuan që opozitën ta sulmonin në të gjitha mënyrat, por dështuan.
“U ngritët së bashku, si viganë, në një akt të pashembullt në histori, rezistuam padrejtësitë më të mëdha”, tha Berisha./kb
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot ndaj propozimit të fundit të qeverisë për të ashtuquajturin shqyrtim të investimeve të huaja, duke e cilësuar atë si një nismë të vonuar, të pjesshme dhe larg standardeve euroatlantike që Shqipëria ka detyrim të zbatojë.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kërkesa për një mekanizëm real dhe funksional të screening-ut të investimeve të huaja ka qenë prej kohësh e qartë nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Sipas saj, propozimi aktual i qeverisë nuk i përgjigjet as seriozitetit të momentit dhe as rreziqeve reale me të cilat përballet vendi.
“Shqyrtimi serioz i investimeve të huaja nuk është një ushtrim formal, por një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e të dhënave dhe orientimin strategjik të Shqipërisë,” u shpreh Tabaku, duke nënvizuar se vitet e fundit kanë nxjerrë në pah abuzime serioze me të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve, si edhe skandale të rënda në institucione kyçe të shtetit.
Deputetja demokrate vuri theksin se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik: ose zgjedh rrugën europiane, me rregulla të qarta, transparencë dhe investime nga vende mike e aleate, ose rrezikon të rrëshqasë drejt marrëveshjeve të errëta, pa standarde dhe pa garanci sigurie.
Duke krahasuar nismën e qeverisë me rregulloren e Bashkimit Europian për screening-un e investimeve të huaja, Tabaku evidentoi se propozimi qeveritar kufizohet në mënyrë të pakuptimtë vetëm në sektorin e medias, duke lënë jashtë sektorë jetikë për sigurinë kombëtare, si infrastruktura portuale, teknologjia e informacionit, sistemet kritike softuerike dhe industria e mbrojtjes.
“Shqipëria nuk ka nevojë për ligje ‘sa për të kaluar radhën’, por për një legjislacion të fortë, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së,” deklaroi Tabaku, duke theksuar se vetëm një qasje serioze dhe transparente mund të garantojë sigurinë kombëtare dhe të forcojë orientimin euroatlantik të vendit.
Në përfundim, Tabaku riafirmoi angazhimin e opozitës për të mbështetur një kuadër ligjor modern dhe gjithëpërfshirës për shqyrtimin e investimeve të huaja, që mbron interesin publik, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë./kb
Turqia ka vendosur t’i dhurojë Shqipërisë një avion qeveritar, me vlerë rreth 11.9 milionë dollarë, si pjesë e një marrëveshjeje bilaterale për forcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Lajmi është publikuar fillimisht në mediat turke, ku thuhet se avioni Airbus A319-115J, i prodhuar në vitin 2000 dhe i regjistruar si TC-GVC, do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për Shqipërinë, ndërsa kostot do të mbulohen nga pala turke.
Sipas Turkiye Today, marrëveshja bilaterale synon të forcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992. Të dyja palët shprehën dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe mbrojtës.
Dokumenti pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për thellimin e partneriteteve institucionale në fushën e aviacionit civil, logjistikës së mbrojtjes dhe sektorëve strategjikë më të gjerë, duke shërbyer gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet e integrimit të Shqipërisë. Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën pritëse, ndërsa Turqia do të mbulojë kostot e transferimit.
Avioni i bashkohet flotës shqiptare
Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, pjesë e familjes A320, një nga seritë më të përdorura të avionëve me një korridor në botë.
Avioni ka një peshë maksimale prej 75 mijë e 900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44 mijë e 790 kilogramësh. Ai fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P, secili me mbi 7 mijë cikle të mbetura, dhe është i pajisur me sistemin AS400 airshow, megjithëse nuk ka sisteme argëtimi apo lidhjeje gjatë fluturimit.
Edhe pse nuk klasifikohet si avion komercial në oraret publike, A319-115J përdoret shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, përfshirë ato të vendeve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.
Në pronësi të fondit sovran të Turqisë, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në botë, me gjithsej 515 avionë sipas të dhënave më të fundit. Ndër ta, gjenden gjashtë avionë Airbus A319-100, të përdorur kryesisht për linja të shkurtra dhe mesatare rajonale./kb
Janë rikthyer reshjet e dëborës në fshatin turistik të Dardhës, në lartësitë 1200 m mbi nivelin e detit.
Dëborë po ashtu ka edhe në Shtyllë e Mashkullorë, ndërsa nuk paraqiten probleme lidhur me akset rrugore, pasi trashësia e dëborës shkon nga 2-5 cm.
Firmat nënkontraktore po bëjnë të mundur hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre, ndërsa policia rrugore apelon për kujdes të shtuar dhe pajisjen me goma dimërore për ata turistë që duan të vizitojnë Dardhën, Voskopojën apo Vithkuqin, shkruan A2 CNN.
Temperaturat ditën e sotme do të shkojnë deri në -5 gradë celsius në zonat malore, ndërsa gjatë kësaj jave priten reshje dëbore me intensitet të lartë pasi temperaturat do të shkojnë deri në -10 grade celsius./kb
Me partinë e ekstremit të djathtë në krye të sondazheve, zbulova se një roman i vendosur në kohën e ngritjes së nazistëve jep një paralajmërim tejet aktual.
Tania Roettger
Në vitin 1932, shkrimtarja e lindur në Berlin, Gabriele Tergit, nisi të përjetësonte atë që e shihte si një botë në zhdukje: jetët dhe fatet e hebrenjve të qytetit. Deri në vitin 1945, pasi kishte ikur nga nazistët fillimisht në Çekosllovaki, pastaj në Palestinë e më pas në Britani, Tergit e kishte përfunduar romanin e saj, por u desh deri në vitin 1951 që The Effingers të botohej. Edhe atëherë, vetëm pak librarë gjermanë pranuan ta kishin në raftet e tyre. Ishte një vepër tepër e pazakontë për një publik gjerman që kishte qenë dëshmitar, në mos pjesëmarrës, i Holokaustit.
Edhe pse u shpërfill në kohën e vet, romani është rizbuluar si një klasik në Gjermani dhe tani është botuar për herë të parë në anglisht. Ai është një kronikë e tre familjeve hebraike të pasura në Berlin, nga viti 1878 deri në 1942, me një epilog të vendosur në vitin 1948, bazuar në vizitën e kthimit të Tergitit në qytetin e saj të shkatërruar. Tergit e kuptoi sa të rrezikshëm ishin nazistët. Ajo ishte reportere gjyqësore dhe në vitet 1920 mbuloi proceset gjyqësore të Adolf Hitlerit dhe Joseph Goebbelsit – gjë që e bëri edhe vetë shënjestër; ajo u largua nga Berlini pasi i shpëtoi për pak një bastisjeje të SA-së (“këmishëkafenjtë”) në mars 1933.
Është tronditëse, duke lexuar The Effingers në vitin 2025, të vëresh se ngritja e nazistëve në pushtet ndodh kryesisht në periferi të jetëve të protagonistëve. Ekziston ndjesia se, edhe pse i njohin si aktorë të rrezikshëm, ata megjithatë ndihen të izoluar nga nazistët në vilat e tyre luksoze në Tiergarten, me veshjet e mira dhe lidhjet shoqërore.
Një atmosferë e ngjashme rreziku politik të varur mbi kokë shfaqet edhe në Cabaret, filmi i vitit 1972 i bazuar në romanet berlineze të Christopher Isherwood-it. Republika e Vajmarit portretizohet si një kohë hedoniste dhe nazistët dalin ngadalë nga sfondi. Një personazh thotë madje: “Nazistët janë thjesht një bandë huliganësh budallenj – por ama i shërbejnë një qëllimi: le t’i heqin qafe komunistët dhe më pas do të jemi në gjendje t’i kontrollojmë.” Kjo ndjenjë rreziku të afërt, por të nënvlerësuar, m’u duk thellësisht bashkëkohore.
Diskutimi mbi fashizmin është sot i kudogjendur. Këtu në Gjermani ai zhvillohet në artikuj, libra, ekspozita dhe cikle ligjëratash publike. Debatohet nëse politika e Alternative für Deutschland (AfD) mund të quhet fashizëm, apo nëse kjo formë e autoritarizmit të djathtë të shekullit XXI është cilësisht e ndryshme.
Në përpjekje për të kuptuar më mirë këto precedentë historikë dhe kohën tonë, u regjistrova në një seminar mbrëmjeje mbi fashizmin, me titull “Përbindëshat” e fashizmit dje, sot dhe nesër, në forumin letrar të majtë Berthold Brecht në Berlin. Ideja qendrore, siç shpjegoi lektori, ishte se aftësia për të përkufizuar fashizmin është hapi i parë për të rritur qëndrueshmërinë ndaj tij. Pavarësisht vështirësive për të arritur një përkufizim të saktë, ramë dakord mbi disa shenja dalluese: përpjekja për të krijuar një komb etnikisht “të pastër”, angazhimi i forcave paramilitare dhe përdorimi i dhunës së tepruar, qëndrime antiliberale dhe antidemokratike, si dhe mbështetja nga donatorë të pasur të elitës ekonomike.
Kur diskutimi u kthye te AfD-ja dhe vendosja e saj në këtë spektër, një atmosferë e rëndë ra mbi sallën e seminarit. Po kalonim nga teoria te realiteti politik i Gjermanisë në vitin 2025 dhe, edhe pse AfD-ja nuk ka forcën e vet paramilitare dhe nuk përdor dhunë të tepruar, ekzistojnë shqetësime serioze për kriteret e tjera. Është një parti për të cilën kanë votuar mbi 30% e punëtorëve krahu dhe të papunëve në zgjedhjet federale të shkurtit. AfD-ja doli e dyta në rang kombëtar me 20.8% të votave, ndërsa CDU-ja mori 28.5%. Sondazhet e fundit e nxjerrin AfD-në në krye me 26% kundrejt 24% të CDU-së. AfD-ja është një parti që është cilësuar “ekstremiste e djathtë” nga vetë Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
Një iluzion historik që establishmenti gjerman rrezikon ta përsërisë është ideja se elitat e vjetra mund të mbajnë nën kontroll forcat e reja që dalin në skajin ekstrem të djathtë. Disa javë para zgjedhjeve të vitit 2025, kancelari demokristian (CDU), Friedrich Merz, theu të ashtuquajturin “mur mbrojtës” – marrëveshjen mes të gjitha partive demokratike për të mos bashkëpunuar me AfD-në në votimet parlamentare. Merz kaloi në parlament një propozim për ashpërsimin e masave kundër migracionit të paligjshëm me mbështetjen e AfD-së. Që prej asaj kohe, disa anëtarë të CDU-së kanë bërë thirrje që Merz ta heqë plotësisht këtë mur mbrojtës.
Kur Gjermania përkujtoi muajin e kaluar viktimat e pogromeve naziste të nëntorit 1938, Frank-Walter Steinmeier, kreu simbolik i shtetit, mbajti një fjalim ku paralajmëroi për AfD-në pa e përmendur drejtpërdrejt me emër. Ai i bëri thirrje qeverisë së Merzit të ruajë murin mbrojtës dhe madje sugjeroi që të shqyrtohen mundësitë ligjore për ndalimin e partive antidemokratike. Perspektiva e ndalimit të AfD-së është debatuar gjerësisht, por duket pak e mundshme; për më tepër, ajo shmang përballjen me rrënjët e mbështetjes së saj.
Për ata që duan t’i rezistojnë ekstremizmit të djathtë, një nga përparësitë e para është të tregojnë solidaritet me ata që janë nën kërcënim. Në Gjermaninë e vitit 2025, kjo do të thotë kryesisht azilkërkuesit – veçanërisht sirianët, afganët dhe ukrainasit – por në përgjithësi të rinjtë me histori migracioni. Ka pasur edhe shfaqje publike të këtij solidariteti.
Në janar 2024, miliona njerëz dolën në rrugët e akullta anembanë Gjermanisë për të protestuar kundër konferencës famëkeqe sekrete mbi “rimigrimin” në Potsdam, ku morën pjesë neo-nazistë dhe anëtarë të AfD-së, dhe që u ekspozua nga platforma investigative Correctiv. Por as kjo zemërim publik, as shqetësimet për dobësimin e murit parlamentar mbrojtës, nuk duket se kanë pasur ndikim të qëndrueshëm mbi qeverinë e Merzit.
Mësimi moral i hidhur i romanit të Tergitit vjen në letrën e fundit, të shkruar nga Effingeri i moshuar gjatë rrugës për në kampin e përqendrimit: “Besova te e mira tek njerëzit – ky ishte gabimi më i rëndë i jetës sime të gabuar.” Nuk duhet të reshtim së besuari te e mira tek njerëzit, por duhet gjithashtu t’u kushtojmë vëmendje paralajmërimeve të historisë. Ajo që na mëson The Effingers është të mos e nënvlerësojmë rrezikun e kërcënimit fashist dhe të luftojmë kundër
Krishtlindjet e këtij viti shënojnë 100-vjetorin e shfaqjes së parë të Winnie-the-Pooh, një prej personazheve më të njohura dhe më të dashura për fëmijë në mbarë botën.
Ariu i famshëm u shfaq për herë të parë më 24 dhjetor 1925, në tregimin e shkurtër The Wrong Sort of Bees, të botuar në gazetën London Evening News. Më pas, Winnie-the-Pooh u kthye në një ikonë të letërsisë për fëmijë, së bashku me personazhe si Tigri, Christopher Robin dhe loja e njohur “Pooh sticks”.
Ngjarjet e librave janë vendosur në pyllin imagjinar “100 Aker Wood”, i cili bazohet në Ashdown Forest, në East Sussex të Anglisë, një zonë natyrore e mbrojtur dhe me rëndësi të veçantë peizazhore. Autori A.A. Milne kishte shtëpinë e tij të pushimit pranë këtij pylli, ku edhe u frymëzua për krijimin e tregimeve.
Libri Winnie-the-Pooh u botua në vitin 1926, ndërsa vazhdimi The House at Pooh Corner në vitin 1928. Po ashtu, Milne botoi edhe dy libra me poezi me personazhet e njohura.
Fama e Pooh vazhdon të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik në zonë. Autoritetet lokale kanë ndarë rreth 450 mijë paund nga fondet publike për organizimin e aktiviteteve përkujtimore me rastin e 100-vjetorit.
Një nga pikat më të vizituara është ura e famshme “Pooh Sticks”, e cila u rindërtua në fund të viteve 1990 për arsye sigurie. Ura origjinale u shit në ankand në vitin 2021 për 131 mijë paund. Ndërkohë, popullariteti i personazhit u rrit edhe më shumë pasi kompania Disney bleu të drejtat e tregimeve në vitin 1961.
Që prej vitit 1978, “Pooh Corner”, një dyqan suveniresh dhe sallon çaji pranë urës, është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik. Pronari i tij shprehet se vizitorë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt zonës për të festuar trashëgiminë e Winnie-the-Pooh.
Po ashtu, që nga viti 2018, organizohen ture të udhëzuara nëpër Ashdown Forest, ku shumica e pjesëmarrësve vijnë nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht nga Amerika e Veriut.
Në kuadër të 100-vjetorit, në Ashdown Forest pritet të realizohet një instalacion artistik që do ta shndërrojë qendrën e vizitorëve në një libër të animuar në përmasa reale, si dhe të hapen shtigje të reja ecjeje, të projektuara për të respektuar zonat e mbrojtura natyrore./K.M
Pavarësisht shtrëngimit të ndjeshëm të politikave të imigracionit nga qeveria e koalicionit të CDU/CDU dhe Socialdemokratëve në Berlin, këtë vit janë lëshuar më shumë se 100.000 viza për bashkim familjar. Kjo sipas shifrave nga Ministria e Jashtme, të raportuara së fundmi.
Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme, 101.756 viza u dhanë deri në fund të nëntorit për pesë kombësitë me më shumë aplikime. Më së shumti vizat u dhanë për turqit (14.907) dhe sirianët (13.148), të ndjekur nga qytetarë nga India (9.286), Kosova (7.143) dhe Shqipëria (4.426).
E drejta për bashkimin familjar në Gjermani përgjithësisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur. Ekzistojnë përjashtime për raste të vështira dhe, që nga një reformë në mars 2024, edhe për prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me kualifikim të lartë që mund të sigurojnë në mënyrë të pavarur jetesën e të gjithë familjes.
Në korrik, qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD e pezulloi ribashkimin familjar për dy vjet për personat me status mbrojtjeje të kufizuar – ndryshe nga refugjatët e njohur. Vetëm në “raste të vështira” atyre u lejohet ende të sjellin bashkëshortët/et e tyre, fëmijët e mitur si edhe, në rastin e të miturve të pashoqëruar, prindërit e tyre në Gjermani. /DW/kb
Deputeti socialist, Erion Braçe ka bërë një apel për prindërit që shprehen skeptikë për vaksinimin e fëmijëve, duke iu referuar teorive që qarkullojnë se mund të shkaktojnë probleme.
Ai ka ndarë rastet e dy fëmijëve në pedriatrinë e QSUT, prej ditësh në gjendje të vështirë, njëri prej të cilëve ka rezultuar me fruth. Ajo që është shqetësuese, thotë deputeti, fëmijës që ka rezultuar me fruth, edhe pse është tre vjeç, i është ndërprerë vaksinimi. që në muajin e gjashtë.
Sipas tij, ky nuk është një rast i izoluar por më i gjerë dhe vjen nga hipotezat që shpesh artikulohen nëpër ekrane nga personazhe të caktuar që nuk janë të fushës.
Deputeti argumenton se prindërit duhet të dëgjojnë mjekët dhe të vaksinojnë fëmijët, sepse duke mos e bërë këtë gjë, në fakt po dëmtojnë fëmijët e tyre.
“Po ndodh diçka me fëmijët që më duket shumë e rëndë. Po ndjek dy raste në pediatri. Të vështira prej 10 ditësh temperaturë e lartë dhe shqetësime shëndetësore të tjera. E dini çfarë mësova që njëri prej fëmijve ishte me fruth. Për këtë ka vaksinë. Ashtu edhe tjetri. Ndërkohë që mjeket që po i ndjekin thonë se edhe se janë vetëm 3 vjeç, një prej fëmijëve e ka mbyllur kalendarin e vaksinimit në 6 muajt e parë të jetës. Prindërit s’i kanë çuar më të ndjekur kalendarin e vaksinimit që 6 muajsh, fruthi luftohet përmes vaksinës.
Mungesa e saj ka shkaktua këtë gjendje dhe pasoja. Kafshët që dalin nëpër media online e TV dhe flasin pa pikën e përgjegjësisë dhe dijes e njohurisë për vaksinat e vaksinimin po ju vrasin fëmijët, po ju dëmtojnë fëmijët. Po ua lënë me pasoja të rënda. Kalendari i vaksinimit ka shpëtuar jetë pafund e ka mbrojtur fëmijë e breza të tërë. Mos dëgjoni idiotët, por mjekër. Idiotët po iu bëjnë dëm fëmijët tuaj. Zbatoni kalendarin e vaksinimit. Në fund fare a e kuptoni sesa po shpenzoni tani. Një vaksinë falas për fëmijët tuaj”, tha deputeti./kb
Në një akt të paprecedentë, një koleksion me 900 shishe verë ekskluzive me vlerë rreth 1 milion euro në pronësi të Ergys Agasit u zhduk pa asnjë gjurmë, ndonëse ishte bllokuar nga hetuesit e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.
Foto ilustruese nga Pixabay.
Mes kodrave të gjelbëruara të Mulletit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Tiranës, “Equos Resort” reklamon shërbime luksi, mes të cilave një klub hipizmi, xhiro me kuaj apo sporte ujore për stinët e nxehta të vitit.
Por koleksioni më i vlefshëm fshihej në një qilar brenda resortit.
Pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit për akuzat e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive në një vilë 2-katëshe brenda resortit, e identifikuar si pronë e Agasit.
Por koleksioni i verërave u zhduk në mënyrë të paprecedentë, pasi ishte bllokuar nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.
Një burim në dijeni të kontrollit i tha BIRN se një pjesë e koleksionit të verërave në pronësi të Agasit daton gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të gjitha të pajisura me certifikatë origjine. Koleksioni kishte si origjinë Francën dhe Italinë dhe ishte futur kontrabandë në Shqipëri.
Sipas SPAK, koleksioni u zbulua gjatë kontrolleve për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, e lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 15 dhjetor. Hetuesit e BKH-së vlerësuan gjithsesi se koleksioni i verës nuk bënte pjesë në kompetencën lëndore të Strukturës së Posaçme dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që të kryente procedurat përkatëse për mallrat e futura kontrabandë.
“Kemi ndjekur praktikën e rasteve të ngjashme, pasi kur konstatohet një vepër penale e dyshuar që nuk është kompetencë e Strukturës së Posaçme, njoftohen institucionet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme,” tha një burim i SPAK në kushtet e anonimatit.
Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin dhe ka arritur në përfundimin se koleksioni i verërave të Agasit kishte një vlerë prej rreth 1 milion eurosh, ndërkohë që shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e rreth 300 mijë eurove. Nga vlerësimi sipas çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, është konkluduar se ka pasur shishe vere që e kalonin vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa më e lira është vlerësuar rreth 350 euro.
Pasi ka kryer inventarin, drejtoria e Hetimit Doganor nuk e ka transportuar koleksionin në magazinat doganore me pretendimin se nuk kishin hapësirë për produkte ushqimore. Në pritje të gjetjes së hapësirës, ata kanë mbajtur një procesverbal për bllokimin e mallit, i cili është nënshkruar nga djalit të xhaxhait të Agasit, Eno Agasi, dhe janë larguar.
Kur janë rikthyer të nesërmen për të rimarrë verën, punonjësit e Hetimit Doganor e kanë gjetur qilarin bosh. Doganat e referuan çështjen në Prokurorinë e Tiranës, kur 900 shishet e verës ishin zhdukur pa asnjë gjurmë.
I pyetur nga BIRN, drejtori i Hetimit Doganor, Dorian Doka i shmangu komentet për përgjegjësitë, duke thënë se çështja është në hetim.
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai po hetohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, zhdukja e verës ka qenë e mirëorganizuar, pasi nga hetimet ka rezultuar që autorët të jenë kujdesur të zhdukin edhe gjurmët. Autorët kanë zhdukur gjithashtu të gjitha kamerat e sigurisë që gjendeshin në “Equos Resort” si dhe ato që e lidhnin resortin me autostradën Tiranë-Elbasan.
Koleksioni prej 1 milion eurosh i verërave të Ergys Agasit konsiderohet prej hetuesve një investim.
“Nuk është zotëruar për konsum, por ka qenë një koleksion i krijuar për investim, pasi i rritet vlera. Po ashtu, mund të jetë përdorur në vend të shkëmbimeve valutore,” tha një burim në afërsi të hetimit.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në vijim të hetimeve dhe provave të reja që do të gjenden, do të vlerësohet nëse çështja do të përmbyllet aty, apo do të kalohet për kompetencë pranë Prokurorisë së Posaçme./BIRN/K.M