Në Lezhë u zhvilluan aktivitetet përkujtimore në nder të 558-vjetorit të ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ceremonia nisi me homazhe pranë vendit ku prehet heroi, ku autoritetet vendore, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe deputetë të Partisë Socialiste vendosën kurora me lule.
Gjatë homazheve, të pranishmit nderuan figurën dhe kontributin historik të Skënderbeut, duke theksuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në mbrojtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare shqiptare.
Aktivitetet përkujtimore kanë si qëllim të shërbejnë si një moment reflektimi mbi trashëgiminë që Skënderbeu ka lënë brezave dhe rëndësinë e ruajtjes së saj në kohët e sotme.
Gjergj Kastrioti, ishte një udhëheqës ushtarak dhe politik shqiptar, i cili udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Osmane në shekullin XV.
Ai konsiderohet Hero Kombëtar i Shqipërisë për rolin e tij në mbrojtjen e identitetit dhe lirisë së popullit shqiptar, duke bashkuar principatat e ndryshme shqiptare për të mbrojtur tokat e tyre dhe trashëgiminë kulturore./mxh
A$AP Rocky ka zbuluar në një intervistë për New York Times Popcast se nëna e tij ishte ajo që e inkurajoi të ishte me Rihanna.
“Një grua mund të ndryshojë gjithë jetën tënde, veçanërisht nëse është një shoqe e veçantë,” tha reperi, 37 vjeç. Ai shtoi se nëna e tij i thoshte vazhdimisht që ai duhej të ishte me Rihanna, edhe pse ai nuk e kuptonte fillimisht.
“Mami më thoshte gjëra si, ‘e di që të pëlqen kjo vajza me të cilën po del tani’, nuk do të përmend emra, ‘por dua të të shoh me RiRi”, tha ai në intervistë. “I thosha ma, po pse ma thua? Ajo vajzë nuk më sheh fare ashtu”, u shpreh ai.
“Nënat i dinë gjërat”, shtoi reperi: “Jam mirënjohës që Rihanna erdhi në jetën time në atë kohë sepse në ndonjë moment më herët mendoj se nuk isha gati për diçka të tillë. Mendoj se as ajo nuk ishte.”
A$AP Rocky dhe Rihanna, të dy 37 vjeç, ishin miq për gati një dekadë para se të nisnin një lidhje romantike, e cila u konfirmua në nëntor 2020. Ata tani kanë tre fëmijë: RZA Athelston, 5½, Riot Rose, 2, dhe Rocki Irish, 4 muaj.
“Ishim në të njëjtën anë. Lindur në të njëjtin vit. Babai im është nga vendlindja e saj… Kur kthehem, i takoj të dyja familjet. Ka shumë ngjashmëri, është shumë e lezetshme. Ne qeshim shumë”, tregon reperi.
Reperi gjithashtu theksoi ngjashmëritë e shumta mes tyre, duke përfshirë vitin e lindjes dhe lidhjet familjare, dhe tha: “Nënat e dinë më mirë. Jam mirënjohës që Rihanna hyri në jetën time në kohën e duhur.”
A$AP Rocky do të publikojë albumin e tij të katërt, Don’t Be Dumb, më 16 janar./mxh
Studiuesit evropianë e konsiderojnë paracetamolin, të njohur në SHBA si Tylenol, të sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë, sipas një rishikimi të gjerë të botuar sot në revistën mjekësore The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health.
Grupi ndërkombëtar i ekspertëve përmbledh të dhëna cilësore për të adresuar shqetësimet që u ngritën vitin e kaluar pas deklaratave të ish‑Presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi pacientet e shtatzëna të shmangnin përdorimin e paracetamolit për shkak të supozuarve lidhje me autizmin tek fëmijët.
Prof. Asma Khalil, obstetri dhe autore kryesore e studimit nga City, St George’s, Universiteti i Londrës, tha se pasi u njoftua me kërkesat e pacientëve për këshilla, ekipi u fokusua të analizojë provat më të mira shkencore të disponueshme. “Paracetamoli është i sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë,” tha ajo.
Mjekët theksojnë gjithmonë që paracetamoli është qetësuesi i vetëm i rekomanduar për gratë shtatzëna, dhe këshilla mbetet që të përdoret në sasinë më të vogël dhe për kohën më të shkurtër të nevojshme për të menaxhuar dhimbjen ose ethe. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse dhimbja e papërballuar dhe ethet mund të kenë pasoja negative për nënën dhe foshnjën e palindur.
Kjo konfirmon edhe njëherë udhëzimet e shëndetësisë që rekomandojnë kujdes, por jo frikë nga përdorimi i paracetamolit kur është i nevojshëm gjatë shtatzënisë./MXH
Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore njofton se, pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar, do të nisin kontrollet në terren.
Kontrollet do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.
Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.
Bëjmë me dije se çdo tatimpagues, që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, apo që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin do të konsiderohet me risk dhe si i tillë do i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.
Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, me qëllim shmangien e masave administrative dhe ligjore.
Më poshtë mesazhi elektronik, që u është dërguar tatimpaguesve të identifikuar me risk në sektorin e Ndërtimit, datë 15.12.2025.
Administrata Tatimore ka filluar zbatimin e planit në Sektorin e Ndërtimit (Procesi i ndërtimit dhe aktiviteteve ndihmëse të tij), me qëllim ndërgjegjësimin e tatimpaguesve, por edhe masat për deklarim real dhe në kohë të detyrimeve tatimore.
Administrata Tatimore disponon të dhëna për Ju, të marra nga APT, Organet e qeverisjes vendore, Agjencitë imobilare, deklaratat tatimore, listëpagesat mujore, faturat e fiskalizuara të vetëdeklaruara, ajo që furnitorët tuaj deklarojnë për furnizime mallrash dhe shërbimesh ndaj jush, etj.
Administrata Tatimore ju nxit të përmbushni detyrimin në lidhje me:
Deklarimin e çdo punonjësi të punësuar
Deklarimin real të pagave mbi bazën e profesionit dhe tregut të Punës
Për cdo shitje/transaksion të kryer nga ana juaj lëshimin e faturave te fiskalizuara me NIVF/ NSLF (përfshirë edhe parapagimet)
Blerjen e çdo malli/shërbimi me faturë të rregullt tatimore
Deklarimin me saktësi e të dhënave në regjistrin e Tatimpaguesit
Deklarimin e saktë të kontratave të qiramarrjes së ambjenteve
Përdorimin vetëm të softëare-ve të çertifikuara të fiskalizimit
Mospërmbushja e pikave të mësipërme dhe çdo sjellje mospërmbushëse me qëllim shmangien tatimore që vihet re në analizat e Administratës Tatimore, Ju kategorizon si subjekt me risk, ndaj do të ndërmerren veprime verifikuese dhe monitoruese nga ana e strukturave te Aministratës Tatimore.
Ndërsa mosdeklarimi i punonjësve dhe nëndeklarimi i pagave të tyre konsiderohet një shkelje e rëndë pasi cënon garantimin e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Për këtë qëllim ndaj çdo tatimpaguesi të vlerësuar me këtë risk do ndërmerren hetime dhe kontrolle të thelluara për çdo proces të aktivitetit të tyre, duke përfshirë edhe transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta në bashkëpunim edhe me agjenci të tjera ligjzbatuese.
Mbetemi me besimin se Ju do ta vlerësoni dhe mirëkuptoni këtë thirrje, e cila ka si qëllim jo vetëm uljen e informalitetit në ekonomi, por gjithashtu për të vendosur drejtësinë sociale ndaj punonjësve tuaj./mxh
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, deklaroi se forcimi i sigurisë dhe prania e aleatëve në Grenlandë është një çështje serioze që duhet të trajtohet brenda kornizës së NATO-s, duke theksuar se një ndërhyrje ushtarake tokësore në ishull është “shumë e vështirë” dhe se zgjidhja duhet të jetë politike.
Duke folur për gazetarët gjatë një vizite zyrtare në Japoni, Meloni tha se shqetësimet e shprehura nga Shtetet e Bashkuara lidhur me sigurinë në rajonin e Arktikut janë legjitime dhe serioze. Sipas saj, Grenlanda duhet të konsiderohet territor nën përgjegjësinë e NATO-s dhe çdo vendim për forcimin e pranisë ushtarake duhet të diskutohet dhe koordinohet brenda Aleancës Atlantike.
“Debati duhet të zhvillohet brenda NATO-s, për të shmangur veprimet e shpërndara dhe për t’i dhënë kuptim asaj që po bëhet,” u shpreh Meloni, duke shtuar se këto diskutime nuk duhet të shihen si përçarëse në marrëdhëniet me aleatët amerikanë, por si përgjigje ndaj një shqetësimi real dhe si dëshmi e gatishmërisë së vendeve evropiane për të marrë përgjegjësitë e tyre.
Ajo kujtoi se NATO e ka përcaktuar tashmë Arktikun si një zonë strategjike në dokumentet e saj dhe se Italia ka prezantuar së fundmi strategjinë e saj për Arktikun, duke reflektuar rëndësinë në rritje të rajonit për sigurinë globale. Italia mban statusin e vëzhguesit në Këshillin Arktik që nga viti 2013.
Deklaratat e Melonit vijnë në një kohë kur është rritur vëmendja ndërkombëtare ndaj Grenlandës, pas thirrjeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për kontroll amerikan mbi ishullin, me arsyetimin e parandalimit të ndikimit rus ose kinez. Grenlanda, territor autonom i Danimarkës, i ka hedhur poshtë këto ide gjatë bisedimeve të zhvilluara së fundmi në Uashington, duke nxjerrë në pah dallime “themelore” mes palëve.
Ndërkohë, disa vende evropiane kanë dërguar një numër të vogël personeli ushtarak në Grenlandë në shenjë solidariteti me Danimarkën, një veprim që ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha se nuk e kuptonte plotësisht.
Në një tjetër çështje, Meloni shprehu solidaritetin e saj me popullin iranian dhe protestuesit që kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo dënoi represionin dhe vrasjet nga regjimi iranian, duke theksuar se protestat paqësore nuk duhet të paguhen me jetën e njerëzve. Kryeministrja italiane bëri thirrje për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe për një de-përshkallëzim të situatës, si dhe për rikthimin në negociata, veçanërisht lidhur me çështjen bërthamore./mxh
Cristiano Ronaldo ka kryesuar listën vjetore të Sportica-s të sportistëve më të paguar, duke fituar dyfish më shumë se rivali i tij i hershëm Lionel Messi në vitin 2025.
Sulmuesi i Al-Nassr fitoi 260 milionë dollarë, dhe ka 13 futbollistë në 100 më të mirët, ndërsa braziliani Neymar ka parë një rënie të ndjeshme, raporton Goal.com.
Ky është viti i tretë radhazi që Ronaldo kryeson listën e Sportica-s.
Kontrata e tij me klubin e Ligës Profesionale Saudite thuhet se i fiton atij 200 milionë dollarë në vit, me 60 milionë dollarë shtesë nga sipërmarrje të tjera biznesi.
Portugezi ka fituar të paktën 100 milionë dollarë për nëntë vjet rresht, dhe kjo është hera e tretë që fitimet e tij kanë kaluar 200 milionë dollarë.
Suksesi i tij jashtë fushës bazohet gjithashtu në një numër rekord ndjekësish në rrjetet sociale, të cilët në total tejkalojnë një miliard, dhe në partneritete fitimprurëse sponsorizimi me kompani të tilla si Nike, Herbalife, Binance, Perplexity, Yili dhe Therabody.
Lionel Messi është në vendin e tretë në listë me të ardhura prej 130 milionë dollarësh në vitin 2025, që është gjysma e shumës së Ronaldos./mxh
Gjykata e Durrësit vendosi masat e sigurisë për 8 personate arrestuar për arratisjen e Altin Ndocit, pak ditë më parë nga spitali i Durrësit.
Gjykata vendosi “Arrest me burg” për tre prej tyre, “Arrest në shtëpi” për dy të tjerë dhe “Detyrim paraqitje” për tre prej të arrestuarve.
Masat e sigurisë:
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve – Arrest në shtëpi
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitje
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Arrest në burg
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitje
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve – Detyrim paraqitje
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës – Arrest në shtëpi
Ngjarja:
Altin Ndoci, një prej emrave më të shumëpërfolur të botës së krimit i pandehur në procesin “Plumbi i Artë” dhe i cilësuar si vrasësi me pagesë i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, u arratis të martën nga ambjentet e spitalit rajonal në Durrës.
Ai ishte shoqëruar nga punonjësit e policisë së Burgjeve për vizita mjekësore në repartin Infektiv në dhomën e posaçme ku trajtohen të paraburgosurit apo të dënuarit, për shkak se kishte shfaqur probleme me veshkat. Bashkë me Ndocin për vizitë në spital ndodhej edhe një i paraburgosur tjetër.
Burimet thonë se një moment ka kërkuar të shkojë në tualet ku aty ka goditur një nga 3 punonjësit e policisë së burgjeve dhe është larguar.
Mësohet se një nga policët ka qëlluar në ajër teksa ndiqte Ndocin, por ai është larguar me shpejtësi sikurse shihet edhe në këto pamje….
Në parkimin e spitalit atë e priste një Audi të bardhë, A7, me targa AA700RS dhe sapo është ngjitur në të, mjeti ka lëvizur në drejtim të Spitallës duke humbur më pas çdo gjurmë.
I riu me origjinë nga Puka dhe banim në Tiranë, është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohet vrasje me pagesë. Ai akuzohej në këtë të këtij procesi për vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, ngjarje ne të cilën e implikoi vrasësi me pagesë Nuredin Dumani që mban statusin e të penduarit të drejtësisë. Për të kryer këtë vrasje ai ishte rekrutuar nga Talo Cela, dikur mik e më pas armik me Nuredin Dumanin.
Pas përplasjes së dy miqve, Dumani veproi për llogari të Erion ALibej, kundërshtar me Çopjat, ndër4sa Talo Cela për llogari të Franc e Hajdar Copjas.
Nga hetimet e SPAK rezulton se Ndoci kishte vepruar si vrasës për llogari të organizatës Çopja. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore./mxh
Kur udhëheqësi i linjës së ashpër të lëvizjes shiite Hezbollah në Liban, Hassan Nasrallah, u vra në shtator 2024 në një sulm ajror izraelit, udhëheqësi suprem i Iranit , Ajatollah Ali Khamenei, dihej se fshihej në një bunker. Ai bëri të njëjtën gjë në qershor 2025 kur bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore të Iranit.
Ajatollah Ali Khamenei e di se ai është objektivi numër një i vrasjes për SHBA-në dhe Izraelin. Ka të ngjarë që ai tani të jetë në një bunker nga ku po jep urdhra për gjakderdhjen në protesta.
Prandaj, lind pyetja nëse vrasja e udhëheqësit suprem do të sillte edhe fundin e regjimit të mullahëve në Iran. Përgjigja nga analistët dhe zyrtarët amerikanë që e informojnë Trumpin rreth zhvillimeve në Iran është e qartë: Jo.
Si e ka siguruar Khamenei mbijetesën e mullahëve
Që nga qershori i kaluar, Khamenei, i cili pa se “litari” po shtrëngohej rreth tij, ka siguruar një proces të qetë dhe të shpejtë të trashëgimisë . Sipas një raporti në New York Times, gjatë asaj kohe, Khamenei mori vendimin e pazakontë për t’i udhëzuar Këshillit të Ekspertëve, organit më të lartë të klerikëve shiitë që zgjedhin udhëheqësin suprem të vendit, të zgjedhin pasardhësin e tij nga tre emra që ai vetë u dha atyre.
Publikimi citon deklarata anonime nga zyrtarë iranianë që shpjegojnë se midis pasardhësve nuk është djali i Khameneit, Mojtaba, i cili ishte klerik dhe konsiderohej si një “i preferuar” për pozicionin e tij.
Zgjedhje të vështira
Khamenei është një figurë e urryer për shumë iranianë, pasi regjimi i mullahëve është një nga më represivët në planet. Megjithatë, dekada të tëra të sundimit të vendit nga klerikët shiitë kanë çuar në mënyrë efektive në shpërbërjen e frontit të opozitës dhe të disidencës.
Një zgjidhje mund të jetë ish-presidenti iranian Hassan Rouhani , i cili është reformist.
Emri tjetër që përmendet është ai i djalit të ish-Shahut të Iranit, Reza Pahlavi, i cili jeton në Uashington dhe i ka intensifikuar deklaratat e tij publike ditët e fundit. Problemi është se ai nuk ka një bazë organizative brenda Iranit për të organizuar ngritjen e tij në krye të vendit.
Vlerësimi është se popullariteti i tij i fundit gjatë protestave është për shkak të faktit se shumë protestues e shohin atë si dikë që nuk ka të bëjë fare me regjimin dhe dëshiron marrëdhënie më të mira me Perëndimin./mxh
Kryeministri Edi Rama ka ngritur një grup pune të përbashkët mes qeverisë dhe bashkive për të trajtuar çështje specifike që duhen trajtuar.
Ky grup do të ketë disa përfaqësues nga qeveria dhe disa nga bashkitë.
“Është koha të krijojmë një grup pune të përbashkët mes qeverisë dhe bashkive për të trajtuar të gjithë këto probleme dhe për t’i futur në vijë si në aspketin rregullativ dhe në aspektin e problematikave të natyrave të ndryshme që i shikoni të arsyeshme të trajtohen . Grupin e punës do e drejtojë ministri Demo, ministrja e Ekonomisë, ministri i Kulturës dhe Turizmit dhe ministri i Mjedisit, nga kryebashkiakët do jetë kryetari i bashkisë Lezhë. Maliq, Shkodër, Himarë dhe Durrësit bashkë me një kryetare tjerë si ajo e Roskovecit. Këta janë përfaqësuesit tuaj. Duhet të trajtojë çështje specifike. Ministri më pas do i drejtohet qeverisë për ndryshime në ligje nxjerrje urdhëresash të reja dhe për krijimin e sinergjive të reja për shtetin sipërmarrës”, tha Rama./mxh
Organizatorët e Davosit presin që delegacioni amerikan i udhëhequr nga Trump të jetë me i madhi ndonjëherë. Elitat e biznesit dhe ato politike shkojnë në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror javën e ardhshme, me vizionin e tij për një rend ekonomik global të bazuar në rregulla që po testohet deri në kufij.
Edicioni i 56-të quhet “Një Frymë Dialogu”, pasi dhe udhëheqësit e forumit thonë se, duke pasur parasysh pasigurinë aktuale, është thelbësore të bashkohesh për të hartuar një rrugë përpara në biznes dhe politikë.
“Dialogu nuk është luks, është domosdoshmëri”, tha presidenti i Forumit.
Organizatorët presin delegacionin më të madh amerikan ndonjëherë, duke përfshirë sekretarë për shtetin, thesarin, tregtinë dhe energjinë së bashku me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Forumi i fundit ka shumë për të diskutuar: nga mënyra se si të trajtohet versioni i Trump i Doktrinës Monroe që vendos supremacinë e SHBA-së në hemisferën perëndimore, deri te mënyrat se si inteligjenca artificiale po e ndryshon botën./mxh
Kryeministri Edi Rama tha në takimin me kryebashkiakët në Golem, se përmbytjet nuk erdhën vetëm nga faktorë natyrorë, por edhe nga dora e njeriut.
Sipas kreut të qeverisë, nga qytetarët ka hedhje të plastikës në rrugë, çka ka sjellë dhe bllokim të kanaleve.
“Meqë është takimi i parë i vitit edhe takohemi sy më sy, ju uroj të keni vit sa më të mbarë familjarisht dhe profesionalisht, patjetër politikisht të gjithë bashkë. Sot jemi këtu, në vijim të takimve të organizuara, për të çelur vitin, duke diskutuar për sfida dhe për të vënë disa piketa rrugës dhe për të përcaktuar çështjet kryesore që do duhet të merremi bashkarisht. Dua ta filloj me faktin që viti nisi me një situatë tejet të vështrë atmosferike, që preku një pjesë jo të vogël të komunitetit, të territoreve dhe që na përballi me sfidën e emergjencës, në kushtet që emergjencat po bëhen sistematike dhe po marrin një profil tjetër, si rezultat i ndryshimeve klimatike. Kemi më shumë thatësirë, zjarre dhe kemi më shumë befasira në aspektin e atmosferës ku krijohen vorbulla si ajo e ditëve të para të vitit, të cilat sipas ekspertëve janë vorbulla që mund të trajtohen në gjuhën e përditshme si ngërçe në fluksin e qarkullimeve të ajrit dhe krijojnë reshje shiu dhe dëbore me intensitet shumë të lartë.
Në këto kushte, nuk ka shumë për të bërë në përballimin e intensitetit të lartë të reshjeve, por ka elementë që lidhen me njeriun dhe pamë sesi kjo situatë u ndërlikua edhe nga papërgjegjshmëria rrëqethëse e shumëkujt ndër ne, që si qytetar apo si vizitor shqip folës kryesor, sepse nuk janë turistët e huaj që hedhin shishe plastike në rrugë, që e konsideron këtë vend si landfill dhe hedh shishen e zbrazur të ujit, të pijes alkoolike dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku lidhet edhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës dhe ujërave nga këto situata, vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër, në disa pika të tjera, ku pavarësisht punës së bërë dhe kemi raportin e përditësuar të ministrisë së Bujqësisë, në bashkëpunimin me çdo bashki, në nëntor ishin pastruar të gjitha. Kryetarja e bashkisë Durrës më çoi video, se si po mbushej pika kyçe në Shkozet pasi u pastrua. Kur gjendemi para kësaj situate agresioni të mbetjeve të plastike, që është ndikimi i njeriut, duhet të angazhohemi për të marrë ofensivë të përbashkët, të rrisim ndjeshmërinë, të krijojmë për ta vënë në kontroll këtë faktor. Ajo që ndodh me plastikën, derdhet në det, ka dëme të pariparueshme për jetesën e detit, ka dëme të pariparueshme për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është krim shqiptar, nuk është krim ku mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtorë. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta. I kam kërkuar ministrit të Pushtetit Vendor të ngrejë një Task Force, për të konceptuar një plan me 3 faza, të përbashkët, që nga sensibilizimi, tek veprimi në shumë dimensione.”, theksoi ai./K.M
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka reaguar në lidhje me “fake news”-et se motra e tij Alba Balla qëndron pas subjekteve të kontrolluara mbrëmjen e kaluar nga SPAK-u.
Balla thekson se gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë. Balla nënvizoi se lajmet e rreme janë një problem i rëndë shëndetësor për shoqërinë dhe demokracinë.
Më tej bën thirrje për mediat se para se të publikojnë lajmet për klikime pa asnjë verifikim duhet të ndalen dhe të kontrollojnë burimin pasi dëmi që shkaktojnë me lajmet e rreme është real.
“Besoj se të gjithë biem dakort se duhen krijuar instrumenta në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht. Gënjeshtra udhëton shumë shpejt por e vërteta mbërrin gjithmonë.
Në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante dëmi që shkaktojnë është real. Keqiformim, zemërim dhe humbje besimi. Klikimi dhe çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës prandaj të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht. Është një akt përgjegjësie qytetare. E vërteta nuk ka nevojë të bërtasë ajo qëndron dhe kur zëri i saj është pak më i qetë.
Ah se harrova, kishte dalë bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit meqë ai i mbrëmshmit kishte qene i rremë. Unë ja kam marrë dorën këtij maskarai por lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për t’i trajtuar”, thekson Balla në reagimin e tij.
CNA pak më parë solli dhe reagimin e Alba Ballës motrës së Taulant Ballës e cila ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me subjektet e kontrolluara nga SPAK, as nuk i njeh dhe as nuk ka hyrë ndonjëherë në atë kullë ku u ushtruan kontrollet.
“As e njoh, as nuk e kam idenë, jam në shtëpi me fëmijët e mi, as s’kam pasur ndonjë lidhje kurrë në jetën time me ‘call center’-a apo me njerëzit e tyre. As me godinën, në atë godinë nuk kam hyrë asnjëherë dhe jo më të kem zyra”, ka deklaruar për CNA, Alba Balla./ K.M
Më 17 janar të vitit 1899 u lind Al Capone – Janari ishte muaji i tij: U lind në janar, u lirua nga burgu në janar dhe vdiq po në janar.
Përgatiti: Leonard Veizi
Ai do të mbahet mend për thënien e famshme përpara gjykatësve: “Ju jeni klientët e mi.” Quhej Alfons Gabriel Kapone, por u njoh në mbarë botën si Al Kapone. Pikërisht mbi figurën e tij u ndërtuan më pas personazhet e filmave me gangsterë, gjatë periudhës së ndalimit të alkoolit në Shtetet e Bashkuara, mes viteve 1920–1933. Për këtë arsye, Kapone u konsiderua një nga gangsterët më të famshëm, edhe sepse u përjetësua në dhjetëra filma të Hollivudit…
…U lind në Brooklyn, Nju Jork, nga prindër emigrantë italianë që kishin mbërritur nga rrethinat e Napolit. U përfshi në veprimtari kriminale që në moshë të re. U përjashtua nga shkolla kur ishte vetëm 14 vjeç, pasi kishte rrahur një mësues në klasë. Në moshën 16-vjeçare kishte tashmë mbi supe akuza për rrahje, grabitje dhe vjedhje. Pak më vonë i dha lamtumirën Nju Jorkut për t’u zhvendosur në Çikago.
Në të njëzetat e tij nisi të përfitonte nga kontrabanda e pijeve alkoolike, një aktivitet që e shtyu edhe më thellë në botën e krimit. Pavarësisht kësaj, Kapone u shndërrua në një figurë të dashur për publikun. Dhuratat që ai shpërndante për kisha, shkolla, jetimore dhe organizata bamirëse, duke përdorur para të fituara nga veprimtari të paligjshme, bënë që shumë njerëz ta shihnin me adhurim.
Por “emri i mirë” i tij u cënua rëndë në vitin 1929, me Masakrën e Ditës së Shën Valentinit, kur shtatë anëtarë të një bande rivale u ekzekutuan. Dyshimet ranë mbi Kaponen, edhe pse ai i dënoi publikisht vrasjet. Megjithatë, nuk ishin krimet e dhunshme që e çuan në burg, por refuzimi për të paguar taksat. Kapone shprehej se, meqenëse paratë i kishte fituar në mënyrë të paligjshme, nuk kishte pse të paguante taksa për të ardhura që, sipas tij, nuk ishin të ligjshme. Gjykata, megjithatë, kishte një mendim krejt tjetër.
Fakte
E çuditshme, por e vërtetë: janari ishte muaji i tij. U lind në janar, u lirua nga burgu në janar dhe vdiq po në janar.
Pseudonimi i tij ishte “Scarface” (Fytyrëmbresë), një nofkë që e urrente. E mori pasi u plagos në fytyrë nga vëllai i një vajze që ai kishte ngacmuar.
Aktivitetin kriminal e nisi me kontrabandën e alkoolit, por më pas u përfshi edhe në kumar dhe prostitucion.
Në vitin 1918, Kapone njohu një vajzë të quajtur Meri. Më 4 dhjetor 1918 lindi djali i tyre, Albert “Sonny” Francis. Kapone dhe Meri u martuan më 30 dhjetor të po atij viti.
Al Kapone fitonte rreth 100 mijë dollarë në javë. Një vilë luksoze, një makinë Cadillac e blinduar që peshonte rreth 7 tonë, një shpurë truprojash dhe, mbi të gjitha, kontrolli i tregut të uiskit në gjithë Çikagon, e bënë atë pa diskutim gangsterin më të famshëm dhe më të pasur të kohës.
Sipas të dhënave të policisë dhe prokurorisë amerikane, gangsteri më i njohur i viteve ’20 të shekullit XX kishte nën kontroll monopolin e tregtisë së birrës dhe uiskit.
Arrestimet
Kapone u arrestua disa herë dhe në dosjen e tij penale figuron një sërë akuzash: kontrabandë pijesh, mospagim taksash, vrasje dhe porositje vrasjesh. Një tjetër akuzë lidhej me Masakrën e Ditës së Shën Valentinit.
U arrestua për herë të parë në vitin 1926 për vrasjen e tre personave, por kaloi vetëm një natë në qeli për shkak të mungesës së provave.
U fut sërish në burg në maj të vitit 1929, këtë herë për armëmbajtje pa leje, por u lirua pas një kohe të shkurtër.
Në vitin 1930, në kulmin e fuqisë së tij, Kapone u përfshi në listën e 28 kriminelëve më të rrezikshëm të Çikagos dhe u shpall “Armiku Publik Numër Një”. Ndërkohë, autoritetet federale e përfshinë në listën e personave më të kërkuar në SHBA.
Më 3 maj 1932 u riarrestua dhe u dërgua në burgun federal të Atlantës për të vuajtur një dënim prej 10 vitesh, kryesisht për evazion fiskal. Qeveria amerikane e akuzoi se i detyrohej shtetit 215.080,48 dollarë taksa të papaguara.
Juria e shpalli të pafajshëm në 18 nga 23 akuzat, por gjyqtari Wilkerson e dënoi me 10 vjet burg. Për shkak të sjelljes së mirë, Kapone vuajti vetëm rreth 8 vjet. Gjoba e vendosur ishte 37.617 dollarë e 51 cent.
Edhe në burg, Kapone përfitoi privilegje të veçanta. U vendos në një qeli të mobiluar, me qilim, makinë shkrimi dhe Enciklopedinë Britanike, pas së cilës ishte i fiksuar. U lirua më 6 janar 1939.
Pas lirimit, kaloi një periudhë të shkurtër në spital dhe më pas u kthye në rezidencën e tij në Palm Island, ku jetoi i qetë pjesën e mbetur të jetës.
Fundi i një epoke
Kapone ishte diagnostikuar me sifiliz që gjatë qëndrimit në burgun e Alkatrazit. Sëmundja i dëmtoi rëndë sistemin nervor dhe trurin, duke e bërë të paaftë për jetën publike. Një vit para vdekjes hoqi dorë nga çdo aktivitet. Në vitin 1946, mjeku i tij dhe një psikiatër nga Baltimora konstatuan se Kapone kishte kapacitetin mendor të një fëmije 12-vjeçar.
Më 25 janar 1947, Al Kapone ndërroi jetë nga një infarkt. Ishte vetëm 48 vjeç. Në varrimin e tij morën pjesë rreth 10 mijë persona. Arkivoli prej bronzi kushtoi 2 mijë dollarë, ndërsa mijëra dollarë të tjerë u shpenzuan për lulet.
Ai u varros fillimisht në varrezat Mount Olivet, në jug të Çikagos, pranë varreve të babait dhe vëllait të tij. Në mars të vitit 1950, eshtrat e tyre u zhvendosën në varrezat Mount Carmel. Në epitafin e varrit të tij shkruhet: “Mëshirë, Jezusi im!”
Kuriozitete
Dosja e Al Kapones në arkivat e FBI-së përmban 2.397 faqe, ndërsa agjenti Frank Wilson e ndoqi për vite me radhë, duke hetuar llogaritë e tij bankare.
Përveç famës si gangster, Kapone kishte edhe pasione artistike: ishte adhurues i muzikës xhaz dhe veçanërisht i një grupi të quajtur New Orleans.
Figura e tij vazhdon të rikthehet në kinematografi. Për Al Kaponen janë realizuar disa filma, mes tyre “Masakra e Shën Valentinit” (1967), “Capone” (1975) dhe “Të Paprekshmit” (1987), ku rolin e tij e interpreton Robert De Niro.
Procesi i rinumërimit të një të tretës të vendvotimeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka sjellë ndryshime të dukshme të votat e kandidatëve për deputetë qysh në ditët e para.
Deri më tani procesi i rinumërimit, që nisi më 13 janar, është përfunduar në 18 komuna dhe janë numëruar 262 vendvotime nga gjithsej 914 sosh.
Megjithatë, edhe me kaq vendvotime të rinumëruara, ndryshimi në votat për kandidatë brenda partive politike është i dukshëm.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka llogaritur se ndryshimet arrijnë në gati 15 mijë vota ndryshim dhe, sipas një postimi të tij në rrjetin Facebook, më së shumti ndryshime ka lista e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Deri më tani, del që 7.719 fletëvotimeve me votë për PDK-në iu ishte modifikuar vota për kandidatë. Më pas vjen Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 2.947 vota dallim, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 1.676 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 639.
“Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë”, shkroi Cakolli.
Në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.
Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.
Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.
Cakolli kishte thënë më herët gjatë javës se procesi i numërimit nuk përcillet me kontrolle të hollësishme të fletëvotimeve, duke mundësuar kështu manipulimet, dhe se në këtë ka ndikuar edhe fakti që numërimi ishte realizuar në kohë festash.
Sipas Çohu dhe Cakollit, mënyra të tilla të keqpërdorimit janë vërejtur në pothuajse secilin proces zgjedhor në Kosovë dhe se zgjidhja për këtë problem do të ishte skanimi teknologjik i fletëvotimeve në vend të numërimit tradicional nga zyrtarët.
Cilat janë pasojat?
Së voni, Organizata joqeveritare Çohu ka publikuar një hulumtim që tregon se mbi 90 për qind e rasteve për manipulimet zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose me gjoba.
Kjo do të thotë se nëse ndonjë zyrtar vërtetohet se ka manipuluar votat gjatë numërimit, ai ka pak gjasa të ndëshkohet me burg për këtë gjë.
Por, pasojat mund të jenë më të mëdha për institucionet, pasi rinumërimi, i cili pritet të zgjasë deri në dy javë, mund ta vonojë edhe më shumë themelimin e institucioneve të reja, në një kohë delikate për institucionet.
Kuvendi i ri duhet të nxitojë për të kaluar marrëveshje ndërkombëtare financiare për vendin, si dhe ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, para se Vjosa Osmanit t’i mbarojë mandati në prill.
Këto afate mund të bëhen edhe më vështirë të arritshme nëse vendoset për rinumërim të plotë – gjë që megjithatë sipas Cakollit mbetet opsioni më i mire tani që është vërtetuar se ka pasur shumë ndryshime në vota gjatë numërimit në qendra komunale,.
Gjatë javës, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e përsëriti për REL-in mesazhin e kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, se nëse pas rinumërimit vërehen manipulime të mundshme me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, komisioni do t’i çojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit./K.M
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një intervistë paraditen e së shtunës në një televizion grek, ku ndër të tjera, pati edhe një reagim për homologun shqiptar, Edi Rama, në lidhje me origjinën e grekëve.
Batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me moderatori greku John Defterios, u trajtuan si ironi dhe ofendime për të dhe Greqinë.
Mitsotakis deklaroi se Ramën e njeh prej vitesh dhe se është politikan me një me një mënyrë të veçantë shprehjeje.
“ E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t’i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi.”, tha Mitsotakis.
Kryeministri grek shtoi se donte që kjo çështje të ishte tashmë e mbyllur.
Mediat greke iu referuan organizimit në Abu Dhabi ku pjesë e panelit të moderuar nga John Defterois, ishte kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të Zi Milojko Spajiç.
Fillimisht gazetari u korrigjua nga dy kryeministrat për shqiptimin e emrit “për shkak të origjinës” tha Rama, më pas diskutimi u zhvendos në fushën e ekonomisë. Gjatë një diskutimi shifrash për një projekt të Shqipërisë me Arabinë Saudite, Rama e korrigjoi shifrën, duke theksuar se bëhej fjalë për mbi 1 miliard euro, dhe shtoi: “Kur flisni për paratë tuaja, shtoni tre zero. Kur flisni për paratë e të tjerëve, hiqni tre zero.”
Në këtë kuadër diskutimesh, Rama iu drejtua gazetarit Defterios duke i thënë “ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon”.
“Mendoni se keni monopol mbi filozofinë dhe jeni trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni”, ishte deklarata e shkëputur nga Edi Rama, i cili iu drejtua gazetarit greko-amerikan John Defterios pasi ky i fundit i shqiptoi emrin gabim.
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh”, ishte reagimi i kryeministrit Rama pas kryqëzimit nga mediat greke./K.M
Taulant Xhaka, ish-mesfushori që ka luajtur 30 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol me kombëtaren shqiptare të futbollit, ka “hapur zemrën” dhe ka rrëfyer përvojën e tij me ekipin kuqezi. Në rubrikën “Legjendat Flasin” të FSHF-së, Xhaka ka treguar se i ka mbetur peng ndeshja kundër Serbisë dhe ngjarjet në Beograd në tetorin e vitit 2014.
“– Taulant, kur e shikon sot fanellën kuqezi. Çfare ndjen realisht? Jo si futbollist, por si njeri.
Jam fans i Shqipërisë, i skuadrës. Nder dhe besoj që është fanella më e bukur në botë.
– A ka debutim më të bukur se ai i yti, kundër Portugalisë me fitore? Si e kujton atë ndeshje, na i përshkruan dot emocionet?
Me shumë emocione, ka qenë debutimi im me Kombëtaren me fitore. Ka qenë si ëndërr, nuk e kam kuptuar shumë por pas fitores, e kam kuptuar dhe e gjithë familja ka qenë krenare me mua.
– A ke një moment me Kombëtaren që nuk e ke treguar kurrë?
Jo nuk ka pasur momente specifike. Të lumtura kam pasur shumë ,të trishtuar për ndeshjen kundër Serbisë.
– Ti ke qenë gjithmonë një lojtar i karakterit të fortë. Çfare sakrifice personale ke bërë për Kombëtaren që pak e dinë?
S’kam bërë sakrifica të madhe por gjithmonë e kam dhënë maksimumin. Kisha vdekur për këtë fanellë.
– Çfarë do të thotë për ty të mbash peshën e përgjegjësisë në fushë, sidomos në ndeshje vendimtare?
Normal që ke përgjegjësi shumë, duhet të jesh lider dhe duhet t’i mbash lojtarët e rinj afër vetes.
– Si e sheh Kombëtaren sot, krahasuar me vitet kur ti ishe pjesë aktive e saj?
Kanë ecur shumë përpara. Janë lojtarë shumë të rinj, me shumë talent. Është shumë më mirë tani se përpara.
– A shikon ndonjë lojtar të Kombëtares aktuale që ju ngjan juve?
Qazim Laçi. Ka edhe numrin tim, 14 siç e kam pasur unë kur kam qenë pjesë e Kombëtares.
– A mendon se ky grup ka mentalitetin e duhur për të përballuar presionin e play-off-eve?
Po absolutisht. Çdo lojtar luan në ekipet e tyre, kanë kualitet. Besoj që mund t’ia dalin.
– Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve shqiptarë në momente kyçe dhe çfare mesazhi ke për ta sot?
Tifozët janë shumë të rëndësishëm se na kanë përkrahur gjithmonë. Janë lojtari i 12-të për ne.
– Taulant Xhaka në një fjali për Shqipërinë dhe fanellën kuqezi.
Është nder dhe krenari.
– Nëse sot do ishe në dhomën e zhveshjes para ndeshjes së parë kundër Polonisë në fazën play-off, çfarë do t’i thoje ekipit?
Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht”, tha mes të tjerash Taulanti./K.M
Në NBA koha shtesë foli për Los Angeles Clippers, që arriti një fitore të rëndësishme jashtë fushe ndaj Torontos, duke triumfuar 117-121. Protagonist për miqtë ishte James Harden, i cili shkëlqeu me 31 pikë dhe 10 asist.
Fitore në transfertë regjistroi edhe Cleveland, që mposhti Philadelphia 115-117 në sekondat e fundit të takimit. Performancë të jashtëzakonshme zhvilloi Tyson, autor i 39 pikëve.
Indiana fitoi 127-119 ndaj New Orleans, në një ndeshje ku diferencën e bëri dyshja Siakam-Huff, që së bashku realizuan 56 pikë.
Triumf dramatik edhe për Brooklyn, që falë 26 pikëve të Porter dhe 23 të Clowney, mposhti Chicago 112-109 në momentet e fundit të sfidës.
Houston ngjitet në vendin e pestë në Konferencën e Perëndimit pas fitores 110-105 ndaj Minnesota. Kevin Durant ishte i pandalshëm me 39 pikë, ndërsa u mbështet edhe nga Sengun, që shtoi 25 pikë.
Në ndeshjen tjetër, Sacramento triumfoi 128-115 ndaj Washington, me Russell Westbrook protagonist absolut, autor i 26 pikëve.
Çështja penale me Nr. 26 Akti, me objekt “Vleftesimin e ligjshem te arrestit dhe caktimin e mases se sigurimit ndaj shtetasit A. Xh. i dyshuar per kryerjen e vepres penale”Drejtimi i mjetit ne menyre te parregullt” te parashikuar nga neni 291 K.Penal dhe “Shkelja e rregullave te qarkullimit rrugor”,parashikuar nga neni 290/3 K.Penal”
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës (Kërkuese), përfaqësuar nga Prokurore Znj. Matilda Fetau.
Kjo çështje është në shqyrtim pranë Gjyqtarit të gatshëm Z. Orgent Nazaj.
Seanca gjyqësore zhvillohet në datë 17.01.2026, ora 10:00.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 26, datë 17.01.2026, ku ka vendosur: “Arrest në burg”./K.M
Ministri i Financave Petrit Malaj thotë se kontrolli në sektorin e ndërtimit do të synojë të formalizojë ekonominë dhe të rrisë deklarimin real të pagave të punonjësve. Ministri sqaron se në fokus të këtyre kontrolleve që do të nisë administrata tatimore do të jenë pagat më të ulta se tregu, me qëllim që të mbrohen kontributet shoqërore të punonjësve dhe të garantohet pensioni i së ardhmes.
“Përfundon faza e ndërgjegjësimit, nis faza e kontrollit në sektorin e ndërtimit. Pas një fushate ndërgjegjësimi, Administrata Tatimore nis kontrollet në terren ndaj subjekteve me risk për nëndeklarim pagash me fokus sektorin e ndërtimit. Kontrollet do të fokusohen në subjektet të cilat kanë paga më të ulëta se tregu, me synim mbrojtjen e kontributeve shoqërore dhe të drejtës për pension në të ardhmen. Mbetemi të angazhuar për formalizimin e ekonomisë dhe garantimin e konkurrueshmërisë në treg”, shkruan ministri Malaj./K.M
Kryeministri Edi Rama një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar ka deklaruar se RTSH duhet të mbyllet përkohësisht dhe të kthehet në transmetim kur të reformohet.
Kjo deklaratë e kryeministrit ka ndezur reagime në radhët e opozitës. Deputetja Ina Zhupa është shprehur se RTSH nuk është organ qeveritar që të merret kryeministri.
Ajo hodhi akuza duke thënë se është mazhoranca ajo që ka ndikuar në dështimin e televizionit duke ndërhyrë në emërime, duke e zhytur në borxhe.
Deklarata e Ina Zhupës:
Larg çdo modestie, jam një nga njerëzit që kam zhvilluar betejat më të forta publike dhe institucionale kundër humnerës ku vendimet politike të mazhorancës po e çonin Radio Televizionin Publik Shqiptar.
Në një kohë kur RTSH vidhej, kur punonjësit shkarkoheshin dhe kur fondet keqpërdoreshin, mazhoranca i quante këto “reforma”, me qëndrime publike, para syve të publikut dhe institucioneve.
Merrni dhe lexoni procesverbalet 2021-maj 2025 të komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, por edhe deklaratat dhe betejat publike dhe do rikujtoni pathosin e mazhorancës për sukseset e RTSH!
Pyetja themelore është kjo: kur dhe pse u krijuan borxhet në RTSH dhe kjo situatë që flet Rama sot?
Borxhet dhe situata problematike lindën pikërisht nga kapja politike e RTSH-së, nga shkelja flagrante e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa asnjë standard profesional dhe ligjor.
Nëse ka dikush që duhet të kërkojë falje sot, ajo është mazhoranca socialiste dhe vetë Kryeministri, pa urdhrat e të cilit askush në këtë mazhorancë nuk merr as frymë. Ata kapën Këshillin Drejtues me pseudoopozitë dhe pazare politike në vitet e opozitës së kërpëratave dhe emëruan drejtor pas drejtori njerëz politikë, të paaftë dhe shkatërrimtarë të interesit publik.
Le të kërkojnë falje për emërimet e Thoma Gëllçit, Enkel Jotit, Alfred Pezës. Për secilin prej tyre u shkatërruan mekanizmat ligjorë vetëm që të vendosej “njeriu i duhur” politikisht në krye të RTSH-së. Rezultati ishte borxh, korrupsion dhe degradim institucional.
Fajtore është politika qeveritare që ia dorëzoi këtë institucion çdo hajduti dhe militanti, në vend që t’ia besonte profesionistëve. Dështimin e tyre politik mos ia faturojnë televizionit publik dhe qindra punonjësve që kanë lidhur jetën dhe dinjitetin profesional me këtë institucion.
Diskutimi anti RTSH është thellësisht hipokrit dhe antieuropian. Për mbylljen e kapitujve të negociatave me Bashkimin Europian kërkohet financim i qëndrueshëm i medias publike. Çdo vend anëtar i BE-së ka një media publike funksionale, me disa kanale, me rol kulturor, informues dhe edukues. (Një listë po e bashkëngjit me foto)
Raportet e progresit të Bashkimit Europian kanë kërkuar qartazi që RTSH të ketë: garanci ligjore për pavarësinë editoriale dhe mekanizma që shmangin ndikimin politik në vendimmarrjen redaksionale.
A mund të ndryshohet dhe të reformohet RTSH pa financim?!
Si mund të ofrohet një shërbim dinjitoz publik pa të ardhura të garantuara?! Si mund të dal kryeministri dhe të tremb publikisht çdo biznes që mund të shërbente si sponsor i programeve të RTSH që të tërhiqet se rrezikon që të mbyllet dhe çdo gjë të ngelet pezull?!
RTSH është aset kombëtar, i rregulluar me ligj, pjesë e monitorimit të detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Diskursi i Kryeministrit mund t’u shërbejë oligarkëve mediatikë, duke shuar festivalin kombëtare, orkestrën e RTSH-së, të drejtat televizive për kampionatet sportive, emisionet kulturore, shëndetësore, transmetimin e dedikuar të Kuvendit t? Shqipërisë. Mund t’u shërbejë edhe oligarkëve të ndërtimit, të interesuar për truallin e lakmuar të RTSH-së në zemër të Tiranës, pranë Kryeministrisë.
Por nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë në shërbim të publikut shqiptar, as në përputhje me standardet europiane që kjo mazhorancë pretendon se ndjek.
RTSH ka nevojë për më pak politikë, më shumë ligj dhe më shumë përgjegjësi. RTSH nuk është organ qeveritar që të merret kryeministri, po pasuri kombëtare në varësi të parlamentit. Një institucion që sigurisht duhet të bëjë reforma, duhet të rris llogaridhënien, duhet të rris të ardhurat autonome, duhet të rris audiencën por kurrsesi nuk duhet të mbyllet!/K.M