Një tentim-vjedhje është parandaluar mbrëmjen e vonë në lagjen Dardania në Prishtinë, ku policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka ndaluar tre të mitur të dyshuar, njërit prej të cilëve i është gjetur edhe armë e ftohtë.
Siç mëson Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 29 janar 2026 rreth orës 23:30, në një lokal afër Postës së Kosovës. Njësitë policore kanë reaguar pas pranimit të informatës për vjedhje në progres në lokalin “Rogos”.
Në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë hasur tre persona të dyshuar duke tentuar të kryejnë vjedhje. Të njëjtit janë ndaluar menjëherë dhe janë shoqëruar në Stacionin Policor.
Sipas të dhënave fillestare, të dyshuarit nuk kanë arritur të marrin asgjë nga lokali, por kanë shkaktuar dëme materiale duke dëmtuar një karrige, me vlerë të raportuar rreth 60 euro nga pronari i lokalit.
Gjatë kontrollit trupor, tek njëri nga të dyshuarit, E.S., i mitur, është gjetur një thikë xhepi, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Me udhëzim të prokurorit kujdestar për të mitur, dy të dyshuarit E.S. dhe B.B. janë dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa i mituri tjetër O.M. është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është iniciuar për veprat penale vjedhje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Ekskluzive | Kapen në flagrancë duke tentuar vjedhje në Dardani – policia ndalon tre të mitur, njërit i gjendet thikë appeared first on Sinjali.