Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Sinjali

Rreth 80 mijë vota rezultojnë të manipuluara pas rinumërimit, prin PDK-ja

23 January 2026 at 20:51

Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se mundësia që qytetarët të votojnë deri në 10 kandidatë e bën procesin zgjedhor më të cenueshëm ndaj gabimeve dhe abuzimeve.

“Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve. Kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste rezultojnë të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate”, tha Cakolli.

Ai shpjegoi se në Kosovë ka pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, ndërsa për shkak të votës preferenciale deri në 10 kandidatë, janë regjistruar 6.8 milion vota për kandidatët. “Kjo do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, shtoi ai.

Nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në QNR, deri më tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit.

Prej tyre, pas rinumërimit, 47,619 vota u janë hequr kandidatëve sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit, pasi u ishin hequr gabimisht më herët.

Brenda këtyre rreth 80 mijë votave të afektuara, rreth 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, rreth 11 mijë LDK-së dhe rreth 4 mijë AAK-së.

Sipas komunave, mbi 80% e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit. Tutje renditen Malisheva dhe Podujeva, e rinumëruar deri më tani vetëm 10%.

Cakolli përfundoi duke vënë në dukje se procesi i ri i votës preferenciale dhe centralizimi e kanë bërë numërimin më të ndjeshëm ndaj gabimeve dhe devijimeve.

“Kur një numër i vogël personash ka qasje në të dhëna dhe janë të lidhur me kandidatët, mund të ketë devijime të konsiderueshme në rezultatet përfundimtare”, shkroi ai në ‘Facebook’.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rreth 80 mijë vota rezultojnë të manipuluara pas rinumërimit, prin PDK-ja appeared first on Sinjali.

Kryeministrja italiane shpreson që Trumpit një ditë t’i jepet Çmimi Nobel për Paqe

23 January 2026 at 20:42

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha sot në Romë se shpreson që një ditë Çmimi Nobel për Paqen t’i jepet presidentit amerikan, Donald Trump, veçanërisht nëse ai arrin të “vendosë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.

“Shpresoj që një ditë do të jemi në gjendje t’i japim Çmimin Nobel për Paqe Donald Trumpit dhe jam e bindur se nëse ai bën një ndryshim duke vendosur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, atëherë përfundimisht mund ta nominojmë atë për Çmimin Nobel”, tha Meloni pas një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Friedrich Mertz.

Sot në Romë, kryeministrja italiane priti homologun e saj gjerman në samitin ndërqeveritar midis Italisë dhe Gjermanisë. Gjatë takimit, të dyja vendet evropiane nënshkruan disa marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në çështje strategjike, si dhe në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili prezantoi të enjten projektin e tij të ri “Komiteti për Paqe”, u ankua vazhdimisht për mosmarrjen e Çmimit Nobel për Paqe vitin e kaluar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kryeministrja italiane shpreson që Trumpit një ditë t’i jepet Çmimi Nobel për Paqe appeared first on Sinjali.

Licenca e NIS-it për operim zgjatet sërish nga SHBA-ja

23 January 2026 at 20:31

Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja në kuadër të Departamentit të Thesarit (OFAC) ka zgjatur licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) deri më 20 shkurt, konfirmoi më 23 janar, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.

“Kjo do të thotë se NIS dhe rafineria do të vazhdojnë të punojnë. Kjo blen kohë shtesë për qytetarët tanë, vendin dhe ekonominë”, tha Bërnabiq gjatë një konference për media në Kuvendin serb.

Siç raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS), OFAC-u përmes një letre ka theksuar se kusht për zgjatjen e licencës është që transaksionet të mos përfshijnë subjekte amerikane apo sistemin financiar të SHBA-së, si dhe të mos përfshijnë, të mos jenë në emër ose për përfitim, drejtpërdrejt apo tërthorazi, të ndonjë subjekti tjetër të sanksionuar, përveç NIS-it.

Kusht është gjithashtu që transaksionet të mos përfshijnë ndonjë aktivitet tjetër që i nënshtrohet sanksioneve sipas rregullores për sanksione për shkak të aktiviteteve të dëmshme të politikës së jashtme të Rusisë, njofton rel.

NIS-i aktualisht është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë së saj është në duart e kompanive ruse, ndërsa për heqjen e sanksioneve administrata amerikane kërkon daljen e Rusisë nga pronësia.

Grupi hungarez MOL konfirmoi më 19 janar se ka nënshkruar një marrëveshje kornizë, me pikat kryesore, me kompaninë ruse, Gazprom Neft për blerjen e 56.15 për qind të aksioneve në NIS.

Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, deklaroi më 20 janar se NIS i ka paraqitur kërkesë administratës amerikane për zgjatjen e licencës së punës, ndërkohë që po zhvillohen negociatat për këtë çështje.

Për përfundimin e këtij transaksioni është i nevojshëm pëlqimi i OFAC-ut.

Licenca e mëparshme për vazhdimin e punës, të cilën NIS e kishte marrë tre javë më parë, skadon në mesnatë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Licenca e NIS-it për operim zgjatet sërish nga SHBA-ja appeared first on Sinjali.

SHBA-të përgatiten për stuhi dimërore ‘jashtëzakonisht të rrezikshme’

23 January 2026 at 20:23

Më shumë se 160 milionë amerikanë pritet që të ballafaqohen me një stuhi dimërore jashtëzakonisht të ashpër nga e premtja. Meteorologët parashikojnë borë të dendur e shi të ftohtë.

Stuhia pritet që të përfshijë një pjesë të madhe të territorit të Shteteve të Bashkuara, duke lënë kushte “tepër të rrezikshme” gjatë lëvizjes së saj, tha Shërbimi Kombëtar i Motit, raporton televizioni BBC.

Ky shërbim paralajmëroi se stuhia me prejardhje nga Arktiku do të sjellë temperatura nën zero dhe acar me erë, të cilat paraqesin “rrezik për jetën nga hipotermia dhe ngrirja ndaj lëkurës së ekspozuar”.

Zyrtarët amerikanë të transportit, përfshirë autoritetet e aeroporteve në disa qytete të mëdha, kanë paralajmëruar për pengesa në udhëtime, vonesa e anulime gjatë fundjavës.

Stuhia dimërore parashikohet se do të lëviz ngadalë mbi Shtetet e Bashkuara, duke mbuluar me borë qytete si Memphis, Nashville, Uashington DC, Baltimore, Philadelphia dhe Nju-Jork.

Vozitësit e automjeteve duhet ta shmangin vozitjen gjatë fundjavës, pasi udhëtimet pritet të jenë “pothuajse të pamundshme gjatë kulmit të stuhisë” – thanë meteorologët e Shërbimit Kombëtar të Motit, Rich Otto dhe Tony Fracasso.

Në Kanada, temperaturat e acarta tashmë e kanë përfshirë vendin. Reshje të borës priten në pjesët lindore të hënën, sipas meteorologut Geoff Coulson.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SHBA-të përgatiten për stuhi dimërore ‘jashtëzakonisht të rrezikshme’ appeared first on Sinjali.

Princi Harry thotë se sakrificat e trupave të NATO-s në Afganistan meritojnë ‘respekt’

23 January 2026 at 20:12

Princi Harry, i cili ka shërbyer në Afganistan, ka reaguar pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar rëndësinë e respektimit të jetëve të humbura gjatë konfliktit, raporton BBC.

Në një deklaratë të publikuar, Harry u shpreh se humbjet e jetëve në Afganistan nuk duhet të trajtohen lehtë:

“Në vitin 2001, NATO thirri Nenin 5 për herë të parë – dhe të vetmen – në histori. Kjo do të thoshte që çdo komb aleat ishte i detyruar të qëndronte me Shtetet e Bashkuara në Afganistan, në ndjekje të sigurisë sonë të përbashkët. Aleatët iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Unë shërbeva atje. Atje krijova miq për gjithë jetën. Dhe atje humba miq. Vetëm Mbretëria e Bashkuar pati 457 ushtarë të vrarë”, tha ai.

Princi theksoi gjithashtu pasojat e përjetshme të luftës mbi familjet e viktimave.

“Mijëra jetë u ndryshuan përgjithmonë. Nënat dhe baballarët varrosën bij dhe bija. Fëmijët mbetën pa prind. Familjet mbeten duke mbajtur koston. Këto sakrifica meritojnë të fliten me vërtetësi dhe me respekt, ndërsa të gjithë mbetemi të bashkuar dhe besnikë ndaj mbrojtjes së diplomacisë dhe paqes”, theksoi Harry.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Princi Harry thotë se sakrificat e trupave të NATO-s në Afganistan meritojnë ‘respekt’ appeared first on Sinjali.

Raporti preliminar: Çarja në shina shkaktoi aksidentin fatal të trenit në Spanjë, me dhjetëra të vdekur

23 January 2026 at 20:04

Raporti preliminar i hetimit të aksidentit hekurudhor në Spanjë ka nxjerrë në pah se çarja në një segment të drejtë të shinave ka ndodhur para kalimit të trenit me shpejtësi të lartë, duke shkaktuar aksidentin e rëndë të së dielës së kaluar, ku humbën jetën 45 persona, raporton BBC.

Treni i operuar nga kompania private Iryo doli nga shinat, ndërsa tre vagonët e fundit kaluan në binarin e kundërt dhe u përplasën me një tren që vinte përballë, të operuar nga kompania shtetërore Renfe.

Komisioni hetimor hekurudhor CIAF bëri të ditur se jo vetëm vagonët e përparmë të trenit të Iryos, të cilët mbetën në shina, kishin shenja të gërvishtjes në rrota, por edhe tre trena të tjerë që kishin kaluar më herët në të njëjtin segment shfaqnin shenja të ngjashme.

Një hapësirë prej afro 40 centimetrash në shina është identifikuar si pika kryesore e hetimit për shkaqet e aksidentit.

Përplasja fatale ndodhi rreth një orë pasi treni i Iryos ishte nisur nga Malaga drejt Madridit. Tre vagonët e fundit të trenit dolën nga shinat dhe u përplasën me trenin e Renfes që udhëtonte drejt Huelvas.

Sipas raportit, “Vagoni i gjashtë doli nga shinat për shkak të mungesës së plotë të vazhdimësisë së shinës”.

Shumica e viktimave dhe të lënduarve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit të operuar nga kompania shtetërore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Raporti preliminar: Çarja në shina shkaktoi aksidentin fatal të trenit në Spanjë, me dhjetëra të vdekur appeared first on Sinjali.

OVL-UÇK ngre dyshime që Specialja po përdor shkollat për fushatë kundër UÇK-së dhe ish-krerëve në Hagë

23 January 2026 at 19:57

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur shqetësim se ligjëratat që lidhen me Gjykatën Speciale nëpër shkolla në Kosovë mund të jenë përpjekje për të ndikuar opinionin publik dhe nxënësit kundër UÇK-së dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha për EO se është i befasuar nga zhvillimet dhe se sipas tij një veprim i tillë është i papranueshëm.

“Na ka ardhur befasi, sinqerisht nuk e kemi pritur që ndodh që një Gjykatë Speciale apo një Gjykatë që është e njëanshme, ju e dini që ajo është edhe një Gjykatë që nuk e kemi pranuar kurrë dhe nuk do ta pranojmë kurrë, që shkon dhe bën fushatë nëpër shkolla. Kjo ka ndodhur për herë të parë, unë nuk kam dëgjuar më herët, unë nuk e di se si drejtori i shkollës e ka pranuar ata përfaqësues të asaj gjykate që kanë shkuar dhe kanë bërë fushatë në shkolla. Ne nuk e dimë a kanë bërë fushatë anti-UÇK apo fushatë kundër UÇK dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së dhe kundër atyre që janë në Hagë, presidentit dhe të tjerët. Apo janë duke përgatitur një terren që ta bindin opinionin, ku tash kanë filluar që të shkojnë edhe te fëmijët dhe nëpër shkolla që dëshirojnë me i bind edhe fëmijët me i kthy kundër UÇK-së”, tha ai.

Gucati u bëri thirrje shkollave që të mos pranojnë aktivitete të tilla dhe kërkoi që autoritetet komunale të marrin masa ndaj drejtuesve të institucioneve arsimore që, sipas tij, kanë lejuar këto ligjërata.

“Janë duke përgatitur ndonjë terren, me siguri për ne është e papranueshme, ne e dënojmë si akt të tillë. Ju bëj apel gjitha shkollave në Kosovë që mos t’i pranojnë gjykatën speciale që të bëjë fushatë apo ligjërata nëpër shkolla tona në Kosovë askund. Është mirë kryetari i komunës që të marrë masa ndaj atij drejtori, nuk po them me suspenduar nga puna, larg asaj, por me marrë masa disiplinore ndaj tij, kënd e ka pyetur, kush i ka dërguar atij. Që të japë llogari edhe ai, sepse atij nuk i kanë pikur nga qielli, dikush e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë le t’i pranojë përfaqësuesit e Gjykatës Speciale që të shkojnë në shkollën “Xhevdet Doda” me mbajt ligjërata apo me bërë fushatë në shkolla”, tha ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post OVL-UÇK ngre dyshime që Specialja po përdor shkollat për fushatë kundër UÇK-së dhe ish-krerëve në Hagë appeared first on Sinjali.

Paralajmërohet protestë në Maqedoni më 26 janar, priten kolona në kufi me Kosovën

23 January 2026 at 19:52

Qendra e Menaxhimit Kufitar e Kosovës ka njoftuar se një shoqatë e transportuesve nga Maqedonia e Veriut do të organizojë një protestë të hënën, me fillim nga ora 12:00.

Si pasojë e kësaj proteste, do të ndalohet qarkullimi i transportuesve të mallrave për të garantuar sigurinë dhe rregullimin e situatës.

“Protesta do të mbahet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa në territorin e Republikës së Kosovës mund të krijohen kolona të gjata kamionësh, të cilët do të presin për të kaluar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Qendrës së Menaxhimit Kufitar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Paralajmërohet protestë në Maqedoni më 26 janar, priten kolona në kufi me Kosovën appeared first on Sinjali.

Flamengo këmbëngul për rikthimin e Lucas Paqueta

23 January 2026 at 19:41

Flamengo po mundohet që ta rikthejë në Brazil mesfushorin e West Ham, Lucas Paqueta.

Klubi anglez e vlerëson lojtarin në dyzet milionë funta, ndërsa negociatat kanë ngecur për shkak të diferencës në çmim.

West Ham ndodhet në luftë për mbijetesë dhe nuk dëshiron ta humbasë Paqueta në këtë fazë të sezonit, sidomos duke pasur parasysh vështirësitë për ta zëvendësuar.

Megjithatë, burime pranë palëve kanë bërë të ditur se Paqueta dhe klubi brazilian janë pajtuar kushtet personale, ndërsa vendimtare mbeten bisedimet mes klubeve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Flamengo këmbëngul për rikthimin e Lucas Paqueta appeared first on Sinjali.

Zelensky thotë se Evropa duhet të dijë si të mbrojë veten nga Rusia

23 January 2026 at 19:32

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj Evropës gjatë një konference për shtyp më 23 janar 2026, pas pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ai theksoi se, megjithëse Evropa ka bërë përparim në mbështetjen e Ukrainës, ka dështuar të ndërmarrë hapa vendimtarë për të ndaluar përpjekjet e luftës së Rusisë.

Zelensky pranoi se mbështetja evropiane ka qenë e rëndësishme, duke përfshirë ndihmën financiare dhe ushtarake. “Le të jemi të sinqertë: Evropa po bën shumë,” tha ai, duke shtuar se rreth 90 miliardë dollarë ndihmë kanë qenë të dobishme, së bashku me projekte të përbashkëta prodhimi armësh.

Megjithatë, ai shprehu frustrimin për hendekun mes fjalëve dhe veprimeve konkrete, duke kujtuar fjalimin e tij të vitit të kaluar në Davos: “Evropa duhet të dijë si të mbrojë veten.” “Ka kaluar një vit – dhe asgjë nuk ka ndryshuar,” shtoi presidenti ukrainas.

Zelensky kritikoi zbatimin e dobët të sanksioneve, duke përmendur se tankerët rusë të naftës vazhdojnë të lëvizin nëpër Evropë pavarësisht kufizimeve. “Nëse një tanker me naftë ruse ndalohet, nuk duhet të lejohet të vazhdojë,” tha ai, duke vënë në dukje se Franca ka ndërhyrë vetëm në pak raste të tilla kohët e fundit.

Ai gjithashtu paralajmëroi se Rusia vazhdon të marrë komponentë të huaj për raketa dhe dronë nga Evropa, SHBA, Tajvani dhe vende të tjera, pavarësisht diskutimeve të gjata për prerjen e zinxhirëve të furnizimit. “Këto komponentë pastaj përdoren për të na vrarë dhe sulmuar. Ata nuk duhet të furnizohen, por ende vijnë. Si është e mundur të flitet vetëm për këtë për vite me radhë?” tha Zelensky.

Presidenti ukrainas e quajti Koalicionin e Vullnetshëm një hap pozitiv, por të pamjaftueshëm, duke e krahasuar me “hapin e parë të një fëmije – ndërsa na duhen hapa të rritur përpara.”

Ai kërkoi një politikë të unifikuar të sigurisë dhe mbrojtjes evropiane për të kaluar nga angazhimet politike në masa të forta mbrojtëse kolektive. Ky koment vjen në kontekstin e fjalimit të tij kryesor në Davos më 22 janar, ku ai kritikoi Evropën si “të humbur” dhe të bllokuar në një cikël “Groundhog Day” (përsëritje e të njëjtave gabime), duke kërkuar veprime më të guximshme kundër flotës së hijes ruse të tankerëve dhe për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zelensky thotë se Evropa duhet të dijë si të mbrojë veten nga Rusia appeared first on Sinjali.

Trump padit bankën më të madhe amerikane për 5 miliardë dollarë

23 January 2026 at 18:55

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur një padi prej 5 miliardë dollarësh kundër bankës JPMorgan Chase dhe CEO-së së saj, Jamie Dimon, duke i akuzuar se i kanë mohuar shërbimet bankare për arsye politike duke i mbyllur disa nga llogaritë e tij dhe të kompanive të tij.

Padia u depozitua në një gjykatë shtetërore të Floridës, në Qarkun Miami-Dade. Në të, Trump pretendon se banka më e madhe amerikane ka shkelur politikat e veta duke e përzgjedhur atë për të përfituar nga ajo që ai e quan “vala politike”.

Megjithatë, JPMorgan ka mohuar se mbyllja e llogarive kishte ndonjë motiv politik ose fetar.

“Ndërsa na vjen keq që presidenti Trump na ka paditur, ne besojmë se padia nuk ka asnjë vlerë”, tha banka. “Ne e respektojmë të drejtën e presidentit për të na paditur dhe të drejtën tonë për të mbrojtur veten”, shtoi ajo.

Trump akuzon gjithashtu Jamie Dimon se ka urdhëruar krijimin e një “liste të zezë” dashakeqe për të paralajmëruar bankat e tjera lidhur me bërjen e biznesit me Organizatën Trump, anëtarët e familjes Trump dhe me vetë presidentin.

Ai pretendon se JPMorgan ka vepruar në mënyrë të njëanshme duke shkelur parimet e veta dhe duke e penalizuar për arsye politike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump padit bankën më të madhe amerikane për 5 miliardë dollarë appeared first on Sinjali.

Procesi i rinumërimit përfundon në 21 komuna

23 January 2026 at 18:40

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.

Sipas një njoftimi të KQZ-së në Facebook, procesi filloi të martën, më 13 janar 2026, në orën 18:00. Deri të premten, më 23 janar 2026, në orën 16:00, janë rinumëruar mbi 52% e vendvotimeve, apo 1,342 nga 2,557 të planifikuara.

Sipas të dhënave zyrtare, rinumërimi është përfunduar plotësisht në 21 komuna.

Rezultatet e rinumërimit do të publikohen në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/ në hapësirën QNR > Rinumërim, ku do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Procesi i rinumërimit përfundon në 21 komuna appeared first on Sinjali.

SHBA-ja nis luftanije drejt Iranit, OKB paralajmëron për numër të paprecedentë vdekjesh gjatë protestave

23 January 2026 at 18:35

Luftanijet amerikane po shkojnë drejt Iranit, teksa zyrtarët iranianë po mbrojnë shtypjen brutale të protestave antiqeveritare, shtypje të cilën Kombet e Bashkuara po e cilësojnë si goditjen më vdekjeprurëse të Republikës Islamike ndaj popullit të saj që nga marrja e pushtetit gjatë revolucionit të vitit 1979.

Mes një bllokade disajavore të internetit, informacionet për përmasat e shtypjes së protestave – të cilat nisën me tregtarët në Teheran që protestuan kundër rritjes së inflacionit dhe zhvlerësimit të valutës kombëtare – vazhdojnë të zbulohen ngadalë, teksa grupet për të drejtat e njeriut po mbledhin të dhëna nga spitalet dhe dëshmitarët okularë.

Agjencia e lajmeve e aktivistëve për të drejtat e njeriut (HRANA), me seli në SHBA, thotë se deri më 22 janar, pas 26 ditësh protesta, ka verifikuar 5.002 vdekje, përfshirë 201 pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa mbi 9.787 vdekje të tjera janë ende duke u hetuar.

Mai Sato, raportuesja e posaçme e OKB-së për të drejtat e njeriut në Iran, tha më 22 janar se numri i civilëve të vrarë gjatë shtypjes së protestave mund të tejkalojë edhe shifrën 20.000, ndërsa po dalin në dritë raporte nga mjekët.

Gjatë një mbledhjeje më 23 janar mbi ngjarjet në Iran, Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësim të thellë për “përmasën e paprecedent të shtypjes së dhunshme të protestave paqësore nga forcat e sigurisë në Iran, raportet për vrasje pa gjyq të protestuesve, përfshirë gra dhe fëmijë, si dhe përdorimin e tepruar dhe vdekjeprurës të forcës, që ka rezultuar me vdekjen e mijëra protestuesve paqësorë dhe plagosjen e shumë të tjerëve”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 22 janar se Shtetet e Bashkuara kishin një “flotë” që po nisej drejt Iranit, por shpresonte të mos i duhej ta përdorte atë, teksa përsëriti paralajmërimet ndaj Teheranit që të mos vriste protestues dhe të mos rifillonte programin e tij bërthamor.

“Kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhgojmë shumë nga afër… kemi një flotë… që po shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial teksa po kthehej në Uashington nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe disa luftanije të tjera të pajisura me raketa pritet të mbërrijnë në Lindjen e Mesme në ditët në vijim, njofton rel.

Departamenti amerikan i Thesarit më 23 janar njoftoi për sanksione ndaj nëntë anijeve që janë pjesë e asaj që e quajti “flotë në hije” e Iranit, e cila transporton naftë dhe produkte nafte iraniane të sanksionuar nëpër botë.

“Sanksionet e sotme synojnë një komponent kritik të mënyrës se si Irani gjeneron fondet që përdoren për të shtypur popullin e vet. Siç është theksuar më parë, Thesari do të vazhdojë të gjurmojë dhjetëra milionë dollarët që regjimi ka vjedhur dhe po përpiqet t’i transferojë në banka jashtë Iranit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

Mohammad Javad Haj Ali Akbari, një klerik me ndikim që udhëheq lutjes e së premtes në Teheran, tha më 23 janar se Irani do të hakmerrej për çdo sulm amerikan ndaj shtetit, përfshirë edhe duke shënjestruar investimet amerikane në rajon.

Kjo deklaratë erdhi pasi Ali Abdollahi Aliabadi, kreu i Shtabit Qendror Khatam-al Anbiya të Iranit, i cili koordinon ushtrinë dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, tha se çdo goditje ushtarake do t’i bënte të gjitha bazat amerikane në rajon “objektiva legjitime”.

Iranianët janë shkëputur nga bota e jashtme që nga 8 janari, kur autoritetet vendosën një bllokadë pothuajse të plotë të internetit në nivel kombëtar, teksa shtypja e protestave u ashpërsua.

Është e paqartë se kur do të rikthehen shërbimet, por edhe kur kjo të ndodhë, ekspertët druajnë se autoritetet do t’i detyrojnë iranianët të përdorin një “intarnet” të dizajnuar brenda vendit, që funksionon i pavarur nga interneti global.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post SHBA-ja nis luftanije drejt Iranit, OKB paralajmëron për numër të paprecedentë vdekjesh gjatë protestave appeared first on Sinjali.

Starmer i quan komentet e Trumpit për trupat e NATO-s në Afganistan “fyese dhe të tmerrshme”

23 January 2026 at 18:32

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, e ka dënuar pretendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se aleatët e NATO-s nuk kanë luftuar në mënyrën e duhur krahas trupave amerikane në Afganistan.

“Më lejoni që të filloj duke i nderuar 457 pjesëtarët e shërbimeve tona të armatosura që e humbën jetën e tyre në Afganistan. Unë kurrë nuk do t’i harroj guximin e tyre, trimërinë e tyre dhe sakrificën që e bënë ata për vendin e tyre” – tha kryeministri britanik, raporton gazeta “The Guardian”.

“Janë shumë, gjithashtu, që u plagosën, disa me lëndime që ua ndryshuan jetën. Prandaj, unë i konsideroj komentet e presidentit Trump fyese dhe, sinqerisht, të tmerrshme” – shtoi ai.

“Dhe nuk jam i befasuar që ato shkaktuan kaq lëndim për të dashurit e atyre që u vranë ose u plagosën dhe, në të vërtetë, në mbarë vendin” – tha më tej kryeministri laburist.

Ai më pas u pyet për kërkesën e nënës së një ushtari që kishte pësuar lëndime të rënda në Afganistan që donte që kryeministri të ishte më i ashpër ndaj Trumpit dhe të kërkojnë nga ai që të kërkojë falje.

Kur u pyet nëse do të kërkojë nga presidenti amerikan që të kërkojë falje, Starmeri tha: “Epo, unë e kam bërë të qartë pozicionin tim. Ajo që do t’ia thosha [nënës së ushtarit] është që, nëse unë do të kisha folur gabimisht në atë mënyrë, ose nëse do t’i kisha thënë ato fjalë, sigurisht se do të kërkoja falje dhe do t’i kërkoja falje asaj.”

“Kurrë nuk kemi pasur nevojë për ta [ushtarët e vendeve aleate]. Ne kurrë nuk kemi kërkuar vërtet diçka nga ta. E dini, do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan, ose këtë apo atë. Dhe e bënë – qëndruan pak prapa, pak jashtë vijave të frontit” – tha më herët presidenti amerikan.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Starmer i quan komentet e Trumpit për trupat e NATO-s në Afganistan “fyese dhe të tmerrshme” appeared first on Sinjali.

E dhimbshme: Vdes ish-zëvendëskomandanti i Brigadës 164 të UÇK-së, Menduh Brava

23 January 2026 at 18:29

Ka ndërruar jetë ish-zëvendëskomandanti i batalionit në Brigadën 164 të UÇK-së, Menduh Brava.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ngushëlloi familjen Brava për humbjen e më të dashurit të tyre.

Haradinaj kujtoi përkushtimin e palëkundur të Bravës gjatë rrugëtimit për liri dhe shtet.

“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të Menduh Bravës. I ndjeri, gjatë luftës për liri, i shërbeu me nder atdheut si zëvendëskomandant i batalionit në Brigadën 164 të UÇK-së, ndërsa pas luftës ishte kryetar i OVL-UÇK-së në Han të Elezit. Kisha nderin të rrugëtojmë bashkë edhe politikisht, në zgjedhjet e fundit lokale ishte kandidat për asamble nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Brava, miqve dhe gjithë aktivistëve tanë në Han të Elezit. U prehsh në paqe, Menduh!”, shkroi Haradinaj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post E dhimbshme: Vdes ish-zëvendëskomandanti i Brigadës 164 të UÇK-së, Menduh Brava appeared first on Sinjali.

Gjykata Speciale: Ligjëratat nuk përfshijnë përmbajtje politike apo ideologjike

23 January 2026 at 18:22

Një ligjëratë për Gjykatën Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka nxitur reagime të shumta në publik në Kosovë.

Si pasojë, Gjykata Speciale ka dalë me një deklaratë zyrtare për të sqaruar programin e saj për “Komunikim dhe Ndërgjegjësim të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Gjykata thekson se nuk e përfaqëson as Prokurorinë, as Mbrojtjen dhe se ligjëratat nuk përmbajnë përmbajtje politike apo ideologjike.

Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, Gjykata Speciale ka theksuar se: “Që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”.

DHSK-ja ka theksuar gjithashtu se prej vitesh ka komunikuar në mënyrë transparente lidhur me aktivitetet e saj të rregullta të komunikimit dhe ndërgjegjësimit.

Njoftimi:

Që nga viti 2018, me mbështetjen bujare të Zvicrës, ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka zhvilluar aktivitete komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në mbarë Kosovën pothuajse çdo muaj.

Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë.

Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë.

Informacioni që jepet gjatë këtyre aktiviteteve është i njëjti informacion që mund të gjendet edhe në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara. Këtu përfshihet informacioni në lidhje me mandatin e Gjykatës sipas Ligjit, të drejtat e të akuzuarve, pjesëmarrjen e viktimave dhe zhvillimet ligjore në çështjet gjyqësore.

Gjykata është një institucion i ndarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i administruar nga Zyra Administrative si organ asnjanës i Gjykatës, nuk përfaqëson as Prokurorinë, as Mbrojtjen. Prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet qartë. Në informacionin që përcillet nuk përfshihet përmbajtje politike apo ideologjike.

Prej vitesh, DHSK-ja ka komunikuar në mënyrë transparente lidhur me aktivitetet e saj të rregullta të komunikimit dhe ndërgjegjësimit dhe qëllimin e tyre. Në ato aktivitete kanë marrë pjesë gazetarë, të cilët kanë raportuar për to. Për aktivitetet e komunikimit dhe ndërgjegjësimit në Kosovë, Gjykata raporton rregullisht në informimet javore me mediat, në faqen e internetit dhe kanalet e rrjeteve sociale, si dhe në raportet vjetore të saj.

DHKS-ja e vlerëson të rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjykata Speciale: Ligjëratat nuk përfshijnë përmbajtje politike apo ideologjike appeared first on Sinjali.

Como synon përforcime, afër marrëveshjes me talentin e Barcelonës, Andres Cuenca

23 January 2026 at 18:12

Skuadra e Comos, e cila po kalon një sezon fantastik në Serie A, ka nisur planifikimin për të forcuar më tej ekipin gjatë afatit kalimtar të janarit.

Trajneri Cesc Fabregas ka kërkuar nga drejtuesit e klubit përforcime, dhe duket se Como është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me talentin e Barcelonës, Andres Cuenca.

Gazetari Fabrizio Romano njofton se tashmë është arritur një marrëveshje verbale me futbollistin 18-vjeçar. Barcelona do të mbajë një klauzolë të lartë shitjeje për Cuencan në të ardhmen, mbi 20%.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Como synon përforcime, afër marrëveshjes me talentin e Barcelonës, Andres Cuenca appeared first on Sinjali.

Mëngjes apo mbrëmje: Kur është më mirë të bëni dush?

23 January 2026 at 18:03

Dushi është një zakon i përditshëm, por mbetet e paqartë nëse është më mirë ta fillosh ditën me një dush në mëngjes apo ta mbyllësh me një dush në mbrëmje. Sipas Health, përgjigjja nuk është universale dhe varet nga preferencat dhe stili i jetesës, pasi të dyja opsionet kanë avantazhet e tyre.

“Nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjithë. Një dush në mëngjes mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për t’u zgjuar, për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe për të filluar një jetë të re, veçanërisht nëse jeni më të prirur ndaj djersitjes gjatë natës. Ndërkohë, një dush natën ndihmon në largimin e djersës, ndotjes, kremit mbrojtës nga dielli dhe mbeturinave mjedisore”, thotë dermatologia Hannah Kopelman.

Dushi në mëngjes

Dermatologia Anne Andrienko thekson se një dush në mëngjes mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut, të zgjojë trupin dhe të largojë djersën pas gjumit.

Një dush në mëngjes mund t’ju ndihmojë të filloni ditën duke u ndjerë të fuqizuar dhe të rifreskuar. Sipas një studimi nga Fondacioni i Gjumit, 73.3% e njerëzve ndihen të rifreskuar ose plot energji pas dushit të mëngjesit.

Gjithashtu, dushi i mëngjesit ndihmon në largimin e ënjtjes nga lëkura, përgatit atë për rruajtje ose aplikimin e grimit, dhe ndihmon në menaxhimin e flokëve të përthyer apo të ngatërruar pas gjumit. Nëse djersini gjatë natës, një dush në mëngjes redukton erën e trupit dhe ju ndihmon të ndiheni të pastër.

Disavantazhet e dushit në mëngjes

Akumulimi i papastërtisë, djersës, kremit kundër diellit dhe ndotjes nga dita mbetet në lëkurë dhe shtrat.

Larja e përditshme e flokëve mund të shkaktojë stres për flokët, sidomos nëse janë të thatë ose të brishtë.

Dushi në mbrëmje

Një dush i ngrohtë në mbrëmje ndihmon për t’u relaksuar dhe për të përgatitur trupin për gjumë. Ai largon papastërtitë dhe mbeturinat e ditës, duke përfshirë kremrat dhe grim.

“Dushi natën nxit relaksimin dhe ndihmon për të përmirësuar gjumin. Ai gjithashtu përmirëson higjienën e lëkurës duke zvogëluar irritimet dhe shpërthimet e akneve,” shpjegon Kopelman.

Pasi lëkura ripërtërihet gjatë natës, aplikimi i kremit hidratues pas dushit mund të ndihmojë në ruajtjen e lagështisë dhe të mbështesë shëndetin e lëkurës.

Disavantazhet e dushit në mbrëmje

Flokët e lagur mund të shkaktojnë fërkime ose probleme me kërpudhat në skalp.

Larja me ujë të nxehtë mund të pakësojë yndyrnat natyrale të lëkurës, duke e bërë atë të thatë dhe të kruar.

Përfundimisht, zgjedhja mes dushit në mëngjes dhe mbrëmje varet nga nevojat tuaja personale, stili i jetesës dhe shëndeti i lëkurës dhe flokëve. Të dyja opsionet ofrojnë përfitime të dukshme, ndaj kombinimi i tyre ose përshtatja sipas preferencave mund të jetë zgjidhja ideale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mëngjes apo mbrëmje: Kur është më mirë të bëni dush? appeared first on Sinjali.

Plani 800 miliardë dollarësh: Si BE dhe SHBA synojnë rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të pushtimit rus?

23 January 2026 at 17:57

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë të tërheqin deri në 800 miliardë dollarë në fonde publike dhe private për të rindërtuar Ukrainën pas përfundimit të pushtimit rus, sipas një dokumenti të siguruar nga Politico.

Dokumenti 18-faqësh përshkruan një plan dhjetëvjeçar që synon të sigurojë rimëkëmbjen e Ukrainës, me një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian e qarkulloi planin në kryeqytetet evropiane përpara një samiti të liderëve të enjten në mbrëmje, sipas tre zyrtarëve dhe diplomatëve të BE-së që folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Dokumenti është i datës 22 janar .

Strategjia e Uashingtonit dhe Brukselit, e cila parashikon mobilizimin e qindra miliarda dollarëve në financim afatgjatë dhe prezantimin e Ukrainës si një shtet anëtar i ardhshëm i BE-së dhe një destinacion tërheqës për investime, varet nga një armëpushim. Por kjo mbetet një perspektivë e largët për sa kohë që vazhdojnë armiqësitë nga Rusia.

Plani i financimit shtrihet deri në vitin 2040 dhe vjen me një plan operativ 100-ditor për ta nisur atë menjëherë. Megjithatë, tërheqja e investimeve të jashtme konsiderohet jashtëzakonisht e vështirë ndërsa lufta vazhdon, siç është vënë në dukje nga BlackRock, e cila ka një rol këshillues në planin e rindërtimit – në bazë vullnetare.

“Mendoni pak. Nëse jeni një fond pensionesh, keni detyrime ndaj klientëve dhe pensionistëve tuaj. Është pothuajse e pamundur të investoni në një zonë lufte”, tha nënkryetari i BlackRock, Philip Hildebrand, në një intervistë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. “Duhet të ketë renditjen e duhur dhe kjo do të kërkojë kohë”.

Plani i “prosperitetit” është pjesë e një kuadri paqeje prej 20 pikash që SHBA-të po negociojnë midis Kievit dhe Moskës.

Dokumenti bazohet në mënyrë të qartë në supozimin se garancitë e sigurisë janë tashmë në vend dhe nuk është menduar si një udhërrëfyes ushtarak, por përqendrohet në tranzicionin e Ukrainës nga ndihma emergjente në një perspektivë ekonomike të vetëmjaftueshme.

Shtetet e Bashkuara pritet të luajnë një rol qendror në rimëkëmbjen e Ukrainës. Dokumenti e paraqet atë jo kryesisht si donator, por si një partner strategjik ekonomik, investitor dhe faktor besueshmërie për rindërtimin.

Vërehet se plani parashikon pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të kompanive dhe ekspertizës amerikane në këtë fushë, ndërsa theksohet roli i SHBA-së si levë për mobilizimin e kapitalit privat.

Drejtori ekzekutiv i BlackRock, Larry Fink, është përfshirë në bisedimet e paqes me Kievin, së bashku me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner dhe të dërguarin special Steve Witkoff.

Sipas dokumentit, gjatë dekadës së ardhshme, BE-ja, SHBA-ja dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, janë zotuar të vënë në dispozicion 500 miliardë dollarë kapital publik dhe privat.

Komisioni Evropian planifikon të ndajë 100 miliardë euro shtesë për Ukrainën përmes mbështetjes buxhetore dhe garancive të investimeve, sipas buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së nga viti 2028.

Ky financim vlerësohet të mobilizojë investime prej 207 miliardë eurosh. SHBA-të janë zotuar të mobilizojnë fonde përmes një Fondi të posaçëm Investimesh për Rindërtim, pa specifikuar një shumë specifike.

Dokumenti thotë se, megjithëse administrata Trump ka ofruar mbështetje të kufizuar ushtarake dhe humanitare për Ukrainën gjatë luftës, ajo duket e gatshme të investojë në vend pasi të përfundojë konflikti.

Uashingtoni deklaron se synon të investojë në projekte kritike për minerale, infrastrukturë, energji dhe teknologji në Ukrainë.

Megjithatë, perspektiva e investimeve masive mbetet e kufizuar për sa kohë që sulmet vazhdojnë. “Është shumë e vështirë të shohësh diçka të tillë të ndodhë në një shkallë të gjerë ndërsa fluturojnë dronë dhe raketa”, tha Hildebrand.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Plani 800 miliardë dollarësh: Si BE dhe SHBA synojnë rindërtimin e Ukrainës pas përfundimit të pushtimit rus? appeared first on Sinjali.

Bebe Rexha nis epokën e re artistike me label-in Empire, premton një vit të zjarrtë në muzikë

23 January 2026 at 17:45

Artistja e popit dhe kantautorja Bebe Rexha, e nominuar katër herë për çmimin Grammy, ka vendosur të ecë në rrugë të pavarur, duke hyrë në një partneritet me shtëpinë diskografike dhe distribuese Empire, me bazë në zonën e Bay Area në SHBA.

Ky bashkëpunim vjen pas tre albumeve të publikuara nën Warner Records dhe një sërë hitesh të mëdha si Meant to Be, I’m A Mess, Me, Myself, and I, I’m Good (Blue) dhe In the Name of Love, si dhe bashkëpunimeve me artistë të njohur botërorë si David Guetta, Lil Wayne, J Balvin, Florida Georgia Line, Doja Cat, Snoop Dogg, Kylie Minogue, Louis Tomlinson dhe shumë të tjerë.

Lajmin për marrëveshjen e re Rexha e bëri publik më herët këtë muaj, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një fansi në rrjetet sociale, në një kohë kur “era e saj e re” artistike tashmë ka nisur.

Edhe pse detajet e kontratës nuk janë bërë publike, njoftimi i Empire thekson se ky partneritet “sinjalizon një lëvizje strategjike drejt një autonomie më të madhe kreative, duke vazhduar njëkohësisht zgjerimin e ndikimit të saj global”, si dhe “thekson përkushtimin e Empire për të bashkëpunuar me artistë të nivelit botëror dhe për t’i ndihmuar ata të ndërtojnë karriera të qëndrueshme dhe afatgjata, sipas kushteve të tyre”.

Vetë Rexha u shpreh: “Njerëzit mund të më njohin si artiste pop, por në thelb gjithmonë e kam parë veten para së gjithash si këngëtare dhe autore. Të bëhem e pavarur dhe të bashkëpunoj me Empire nuk është vetëm një lëvizje biznesi për mua. Ata besojnë në vizionin tim dhe u besojnë instinkteve të mia, gjë që ma ka rifreskuar kreativitetin. Kjo epokë e re ka të bëjë me pranimin e çdo pjese të vetes sime, edhe kur jam rrëmujë. Ky version i imi është pa kërkuar falje dhe plotësisht i qetë në rrugën e vet. Jam e emocionuar t’i ftoj njerëzit më thellë në botën time, përtej muzikës. Këtë e bëj për mamanë, për fansat dhe për Bebe-n e vogël.”

Nga ana tjetër, themuesi dhe drejtori ekzekutiv i Empire, Ghazi, tha: “Bebe Rexha ka ndërtuar një trashëgimi të pamohueshme si kantautore dhe ikonë e popit, me hite që kapërcejnë zhanret. Ajo ka një aftësi të veçantë për të krijuar këngë që rezonojnë globalisht dhe ajo që na entuziazmon më së shumti është fakti se ajo vazhdon të evoluojë. Ky partneritet shënon një kapitull të ri dhe të fuqishëm, ku së bashku mund të arrijmë lartësi të reja kreative.”

Artistja e lindur në Brooklyn e nisi karrierën profesionale si autore këngësh, duke shënuar suksese me emra si Eminem, Rihanna dhe Selena Gomez. Ajo është nominuar katër herë për çmimet Grammy, përfshirë kategorinë Best New Artist, dhe në vitin 2018 u nderua si një nga “Variety Hitmakers”. Po ashtu, Rexha interpretoi himnin kombëtar amerikan në ndeshjen e dytë të World Series 2025.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bebe Rexha nis epokën e re artistike me label-in Empire, premton një vit të zjarrtë në muzikë appeared first on Sinjali.

❌
❌