Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 January 2026Sinjali

Ramadan Morinës i vazhdohet paraburgimi për dy muaj, akuzohet për krime lufte

12 January 2026 at 15:50

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar paraburgimin të akuzuarit për krime lufte, Ramadan Morina.

Kërkesën e Prokurorisë për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Morinës, Themelorja e ka aprovuar më 31 dhjetor.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit R.M. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 30.12.2025 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ramadan Morinës i vazhdohet paraburgimi për dy muaj, akuzohet për krime lufte appeared first on Sinjali.

Gjykata zvicerane mban në paraburgim pronarin e lokalit pas zjarrit që la 40 të vdekur

12 January 2026 at 15:14

Një gjykatë zvicerane vendosi të hënën që Jacques Moretti, bashkëpronari i një bari në resortin luksoz të skive në Crans-Montana, i cili ishte i përfshirë në zjarrin tragjik që shpërtheu ditën e Vitit të Ri dhe që mori jetën e 40 personave, duhet të mbetet në paraburgim.

Gjykata njoftoi se Moretti do të mbahet në paraburgim për një periudhë të përkohshme prej tre muajsh, raporton Reuters.

Kjo mund të rishikohet nëse ndërmerren masa për të shmangur rrezikun e arratisjes, siç është depozita e sigurisë, transmeton Sinjali.

Prokurorët e kantonit Valais kishin kërkuar ndalimin e tij të premten, pas një seance të gjatë dëgjimore me Morettin dhe gruan e tij, Jessica.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Gjykata zvicerane mban në paraburgim pronarin e lokalit pas zjarrit që la 40 të vdekur appeared first on Sinjali.

Sulmi me dron rus lë 35 mijë familje pa energji në Odessa të Ukrainës

12 January 2026 at 15:05

Rreth 35 mijë familje në rajonin jugor të Ukrainës, Odessa, mbetën pa energji elektrike pas një sulmi me dron rus, tha të martën kompania e energjisë elektrike DTEK, duke i përshkruar dëmet si të rënda.

Rikthimi i energjisë do të kërkojë kohë”, tha ajo. Në qytetin e Odesës, sulmi goditi objektet e infrastrukturës dhe një pallat apartamentesh, tha kryebashkiaku Serhiy Lysak në Telegram. Dy persona u plagosën, tha ai.

Për shkak të sulmeve të rënda ajrore në ditët e fundit, praktikisht nuk ka energji elektrike në kryeqytetin Kiev, Dnipro, Odessa dhe qytete të tjera në Ukrainë . Si rezultat, ka probleme me ngrohjen dhe furnizimin me ujë. Në të njëjtën kohë, mbizotërojnë kushte ngrirjeje, me temperatura natën që bien në minus 18 gradë Celsius. Situata është jashtëzakonisht e vështirë për miliona njerëz, shkruan TopChannel.

Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kishin kapur 135 nga 156 dronët rusë të nisur gjatë natës, në një sulm relativisht në shkallë më të vogël krahasuar me ato të javëve të fundit. Megjithatë, 18 vende u goditën, sipas Forcave Ajrore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sulmi me dron rus lë 35 mijë familje pa energji në Odessa të Ukrainës appeared first on Sinjali.

Komuna e Gjakovës hap procesin e aplikimit për familjet e dëmtuara nga vërshimet

12 January 2026 at 15:04

Edhe komuna e Gjakovës ka shpallur fillimin e procesit për pranimin e kërkesave të vlerësimit të dëmeve për familjet e goditura nga vërshimet e fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët që kanë pësuar dëme materiale ftohen të paraqesin kërkesat e tyre në arkivin e komunës, duke përshkruar llojin e dëmit të shkaktuar.

Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë kërkesën me shkrim, kopjen e letërnjoftimit, foto-dëshmi të dëmeve të shkaktuara si dhe numrin e telefonit për kontakt.

Komuna ka bërë të ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është data 23 janar 2026. Pas përfundimit të afatit, komisioni përkatës do të bëjë vlerësimin e të gjitha rasteve të paraqitura.

Nga Komuna e Gjakovës u bëhet thirrje qytetarëve të prekur që t’i përmbahen afatit të përcaktuar, në mënyrë që procesi i vlerësimit të zhvillohet në kohë dhe në mënyrë sa më efikase.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Komuna e Gjakovës hap procesin e aplikimit për familjet e dëmtuara nga vërshimet appeared first on Sinjali.

Mitrovica nis aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

12 January 2026 at 15:04

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se, nga data 12 janar 2026, ka nisur procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në shtëpi dhe biznese.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët që janë prekur nga vërshimet ftohen të dorëzojnë kërkesën e tyre brenda afatit të caktuar, në Zyrën Pritëse të Qendrës për Shërbime të Qytetarëve në Komunën e Mitrovicës.

Qytetarët e dëmtuar nga vërshimet duhet të dorëzojnë aplikacionin me dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të realizohet procesi i vlerësimit të dëmeve në terren”, thuhet në njoftimin e komunës.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin formularin e aplikimit, të dhënat personale të aplikuesit, kopjen e letërnjoftimit, numrin e anëtarëve të familjes, adresën e objektit të dëmtuar, fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, konfirmimin e llogarisë bankare si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 26 janari 2026, ndërsa aplikimet pranohen në Zyrën Pritëse të Komunës së Mitrovicës, në katin e parë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Mitrovica nis aplikimet për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet appeared first on Sinjali.

BQK paralajmëron qytetarët për SMS mashtruese: Ruani të dhënat financiare

12 January 2026 at 15:04

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka paralajmëruar qytetarët për një fushatë mashtruese që po qarkullon përmes SMS-ve, e cila ka për qëllim vjedhjen e të dhënave financiare.

Sipas BQK-së, këto mesazhe paraqiten si njoftime të rreme nga banka komerciale dhe përmbajnë kërkesa urgjente për veprime, si dhe lidhje të dyshimta që mund të çojnë në keqpërdorimin e të dhënave bankare.

BQK i bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien viktima e këtyre mashtrimeve. Institucioni këshillon që të dhënat e kartelave bankare të ruhen me kujdes dhe të mos ndahen kurrë përmes e-mail-it, SMS-it apo telefonit me individë të paautorizuar.

Po ashtu, qytetarëve u sugjerohet të mos hapin lidhje të dyshimta, të mos realizojnë pagesa ose të fusin të dhëna bankare përmes linkeve të dërguara me SMS dhe të përdorin vetëm faqet dhe aplikacionet zyrtare të bankave.

BQK thekson rëndësinë e aktivizimit të njoftimeve për çdo transaksion dhe kontrollit të rregullt të historikut të pagesave dhe transferave. Nëse ndonjë qytetar merr mesazhe të dyshimta, ai duhet ta raportojë menjëherë te banka ose institucioni i tij financiar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post BQK paralajmëron qytetarët për SMS mashtruese: Ruani të dhënat financiare appeared first on Sinjali.

Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave?

12 January 2026 at 15:03

Bashkimi Evropian ka njoftuar se në muajin janar do të nisë heqjen graduale të sanksioneve ndaj Kosovës.

Sanksionet janë vendosur në verën e vitit 2023, pasi Prishtina zyrtare ka zbatuar rezultatet e zgjedhjeve të kontestuara në veriun e banuar me shumicë serbe, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli.

Ky hap mund t’i ringjallë shpresat evropiane të Kosovës, pasi 2026-ta mund të jetë viti kur aplikimi për anëtarësim në BE, i dorëzuar në fund të vitit 2022, do të shqyrtohet për herë të parë nga Komisioni Evropian.

Po ashtu, ekziston mundësia që dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga Brukseli, të rifillojë pas një ndërprerjeje dyvjeçare.

Sanksionet kanë qenë të diskutueshme dhe pa precedent në raportet e BE-së me një vend aspirant për anëtarësim.

Ato nuk kanë qenë sanksione në kuptimin e plotë politik dhe procedural, ndaj në qarqet e Brukselit janë konsideruar më tepër si “masa”.

Sanksionet e BE-së duhet t’u paraqiten 27 shteteve anëtare përmes një akti formal ligjor dhe të miratohen njëzëri. Kjo ka ndodhur, për shembull, në vitin 2019, kur Brukseli ka ngrirë asetet dhe ka ndaluar vizat për individë nga Turqia, vend kandidat për anëtarësim në BE, për shkak të shpimeve të paautorizuara për gaz në Mesdheun Lindor.

Në rastin e Kosovës, një procedurë e tillë nuk është ndjekur. Në vend të saj, shefi i atëhershëm i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u ka dërguar një letër shteteve anëtare, ku i ka përshkruar masat dhe u ka rekomanduar kryeqyteteve që t’i zbatojnë ato, ndonëse nuk ka pasur ndonjë detyrim formal.

Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim, departament i BE-së që merret me vendet që synojnë anëtarësimin në bllok, e ka njoftuar më pas Kosovën për masat që do të ndërmerren kundër saj.

Këto masa kanë qenë kryesisht të natyrës së brendshme të BE-së; ato kanë përfshirë ngrirjen e fondeve për Kosovën nga buxheti i përbashkët i BE-së, pezullimin e vizitave të nivelit të lartë dhe mosmbajtjen e mbledhjeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, mekanizmit kryesor politik të marrëdhënieve Bruksel-Prishtinë, deri në një njoftim të dytë.

Ndonëse për vendosjen e masave nuk ka pasur unanimitet formal të shteteve anëtare të BE-së, për heqjen e tyre është kërkuar.

Kur Borrell, në njërin nga veprimet e tij të fundit para largimit nga detyra në vitin 2024, ka kërkuar heqjen e masave, nuk ka pasur konsensus dhe vendimi fillestar ka mbetur në fuqi.

Një dinamikë e re në favor të Kosovës është krijuar me nisjen e punës së përbërjes së re të Komisionit Evropian në fund të vitit 2024, kur disa diplomatë evropianë kanë vlerësuar se komisionari në largim për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili vinte nga Hungaria, ka pasur “një simpati të veçantë” për Serbinë dhe ka penguar çdo lëvizje reale në favor të Kosovës.

Më pas është paralajmëruar “heqja graduale” e masave, por nuk është shpjeguar qartë se cilat masa do të hiqeshin dhe në çfarë afati.

Gjatë vitit 2025, Kosovën e kanë vizituar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, duke hedhur poshtë idenë se ekzistonte ndalesa për vizita të nivelit të lartë.

Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, asnjë politikan i lartë kosovar nuk ka realizuar ndonjë vizitë dypalëshe në Bruksel.

Një përparim i madh politik ka ndodhur pastaj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur në Bruksel, më 17 dhjetor. Atë ditë, von der Leyen ka njoftuar se masat ndaj Kosovës do të hiqen.

Ky vendim ka pasuar zgjedhjet lokale të tetorit në veri të Kosovës, të cilat Brukseli i ka vlerësuar si “të qeta dhe paqësore”, duke përmbysur kështu qasjen që ka ndërmarrë në vitin 2023.

Megjithatë, kjo nuk ka shënuar fundin e rrëfimit.

Para samitit, Franca, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Spanja kanë propozuar që heqja e masave të bëhej në dy faza.

Sipas këtij plani, gjysma e parave të ngrira, rreth 216 milionë euro, do të lëshohej menjëherë për Prishtinën, ndërsa gjysma tjetër, 205 milionë euro, do të shpërndahej pas zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor.

Arsyeja ishte se lëshimi i menjëhershëm i të gjitha parave, do t’i jepte avantazh të madh politik kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore.

Kushti i ri është vendosur nga pothuajse të njëjtat shtete që në vitin 2023 kanë luajtur rol kyç në shmangien e masave të ngjashme të BE-së ndaj Serbisë, pasi militantë serbë – me mbështetje të dyshuar nga Beogradi zyrtar kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke lënë një oficer të vrarë.

Disa shtete të tjera anëtare të BE-së janë ankuar se vendet proserbe po nxisnin sërish veprime kundër Kosovës, por më pas kanë rënë dakord, duke dëshiruar të shmangnin një tjetër ngërç politik.

Në fund, Kurti ka rritur numrin e votave dhe BE-ja ka njoftuar menjëherë se gjysma e dytë e parave të ngrira do të lirohet në fillim të vitit 2026.

Problemi tani është se, edhe pse janë marrë vendimet politike për heqjen e të gjitha masave, puna teknike nuk ka filluar ende.

Granti i parë është “programuar”, që do të thotë se është caktuar për përfitues të ndryshëm në Kosovë, por paratë ende nuk janë transferuar.

Sipas zyrtarëve të BE-së, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, as hapi formal për të “programuar” grantin e dytë nuk është bërë akoma, edhe pse pritet të kryhet si formalitet gjatë janarit.

Pasi këto masa janë vendosur në mënyrë të paprecedentë në vitin 2023, në Bruksel është duke u diskutuar edhe për atë se çfarë duhet bërë teknikisht për t’i hequr ato.

Për shembull, a duhet që shtetet anëtare të BE-së të konsultohen sërish me shkrim apo përmes ndonjë grupi pune apo komiteti të Këshillit, apo Komisioni mund të vazhdojë pa marrë miratimin e tyre?

Ajo që dihet me siguri është se Komisioni Evropian dëshiron të rifillojë të angazhohet me Kosovën.

Pak njerëz në Bruksel besojnë se Kosova dhe Serbia do të jenë të gatshme të angazhohen së shpejti në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, por të dërguarit të Brukselit për këto bisedime, diplomatit danez, Peter Sorensen, së fundmi i është rinovuar mandati edhe për dy vjet.

Besohet se Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor, pas një fillimi të vështirë që ka pasur si diplomate kryesore e BE-së.

Marrë parasysh se Brukseli është anashkaluar shpesh në çështje si: bisedimet për paqe për Ukrainën, lufta në Gazë dhe situata në Iran, zyrtarët e BE-së thonë me shaka se arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë “fryti më i lehtë” që mund ta arrijë blloku në këtë moment.

Ekziston gjithashtu mundësia që shtetet anëtare të BE-së të bien dakord për ta dërguar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE te Komisioni Evropian, në mënyrë që ekzekutivi i BE-së të vlerësojë nëse Prishtina mund të bashkohet me bllokun në të ardhmen.

Çekia, e cila ka pranuar aplikimin e Kosovës gjatë kryesimit të saj me BE-në më 2022, ka qenë vendi i fundit që ka bërë përpjekje reale për ta trajtuar këtë çështje.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – kanë bllokuar çdo përparim dhe ua kanë bërë të qartë vendeve të tjera anëtare që kanë pasur presidencën e radhës, se nuk do ta trajtojnë këtë çështje.

Pritjet janë që gjërat të mos lëvizin gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa ndryshime mund të ketë kur Irlanda ta marrë presidencën në muajin korrik.

Dublini e ka bërë të qartë se po punon për t’i përfunduar negociatat për anëtarësimin e Malit të Zi në BE deri në fund të vitit dhe se synon të afrojë edhe Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën me bllokun.

Me zgjerimin e BE-së si një nga prioritetet kryesore, Irlanda mund të nisë gjithashtu edhe një vlerësim për Kosovën, shkruan REL.

Sipas thashethemeve në Bruksel, Spanja, shpesh më e vështira mes pesëshes që s’e njeh Kosovën mund të lejojë që Komisioni ta bëjë një vlerësim, për aq kohë sa një gjë e tillë nuk i detyron shtetet anëtare ta diskutojnë menjëherë çështjen e njohjes së Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Çfarë e pret Kosovën ndërsa BE-ja nis heqjen e masave? appeared first on Sinjali.

Policia shpall në kërkim tre të dyshuarit për plagosjen në Pejë

12 January 2026 at 14:10

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre personat e dyshuar për plagosjen e djeshme në Pejë.

Bëhet fjalë për tre të dyshuarit, Arian Qelaj, Yll Qelaj dhe Altin Qelaj.

Ata janë nga fshati Maznik i Deçanit dhe dyshohen për “Vrasje e mbetur në tentativë”.

– ARIAN (Misin) QELAJ i lindur me 20.06.1981 nё fsh. Maznik-Deçan.


– YLL (Arian) QELAJ i lindur me 29.07.2003 nё fsh. Maznik-Deçan.


– ALTIN ( Rifat) QELAJ i lindur me 01.10.2005 nё fsh. Maznik-Deçan.

Kushdo që ka informacione për vendndodhjen e tyre, duhet ta lajmërojë policinë.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”.

Për rastin ka raportuar ekskluzivisht Sinjali:

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia shpall në kërkim tre të dyshuarit për plagosjen në Pejë appeared first on Sinjali.

Juventusi gati të bëjë ofertën e parë zyrtare për sulmuesin italian

12 January 2026 at 13:50

Juventusi po përgatitet të intensifikojë bisedimet me Liverpoolin për një transferim të mundshëm të Federico Chiesas, dhe pritet të bëhet një ofertë zyrtare në orët e ardhshme.

Sipas “Tuttosport”, skuadra e Torino-s është duke hartuar një propozim të qartë për klubin nga Premier Liga, ndërkohë që janë të vetëdijshëm se do t’u duhet të rrisin kushtet për të plotësuar kërkesat financiare të Liverpoolit.

Struktura e marrëveshjes pritet të mbetet në formën e huazimit, por Juventusi po punon që opsioni i blerjes të shndërrohet në detyrim, me kushte të qarta të përcaktuara paraprakisht.

Ideja e klubit italian është që transferimi i përhershëm të aktivizohet në bazë të numrit të paraqitjeve të Chiesas, si një mekanizëm sigurie për të vlerësuar gjendjen e tij fizike dhe përshtatjen taktike pas rikthimit në një ambient që e njeh mirë, por që ka ndryshuar ndjeshëm që nga largimi i tij.

Negociatat mbeten të ndërlikuara për dy arsye kryesore. Së pari, Liverpooli nuk është i prirur ta lëshojë sulmuesin në këtë fazë të sezonit. Trajneri Arne Slot thuhet se i konsideron opsionet sulmuese të kufizuara, ndërsa klubi ka bërë të qarta pritshmëritë e tij financiare.

Së dyti, Juventusi po pret rikthimin e yllit të Liverpoolit, Mohamed Salah, nga Kupa e Kombeve të Afrikës. Egjipti ka arritur në gjysmëfinale, çka do të thotë se Salah nuk pritet të kthehet të paktën deri javën e ardhshme, një faktor që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e Chiesas.

Paralelisht me bisedimet mes klubeve, Juventusi duhet të arrijë edhe një marrëveshje me vetë lojtarin për kushtet personale. Chiesa është i interesuar për një rikthim në Torino, gjë që mund ta lehtësojë procesin, por akordi për pagën ende nuk është arritur dhe mbetet një tjetër hap kyç në finalizimin e mundshëm të transferimit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Juventusi gati të bëjë ofertën e parë zyrtare për sulmuesin italian appeared first on Sinjali.

Atentat në Greqi: Babë e bir shqiptarë të plagosur me armë zjarri në Athinë

12 January 2026 at 13:35

Një atentat me armë zjarri ka lënë të plagosur dy shtetas shqiptarë në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Agiou Dimitriou në Athinë.

Ngjarja ka ndodhur në orën 02.40 të mëngjesit të sotëm, kur një person ka hyrë brenda lokalit “O gyros tou asyrmatou” që ndodhet në rrugën “Politexniou 70” në pronësi të shtetasit Negri Sinovarfaj, 39 vjec dhe ka hapur zjarr ndaj tij dhe babait të tij 70 vjecar.

Autori i ka qëlluar të dy personat në këmbë duke i lënë të plagosur me nga një plumb secilin. Pas kësaj ai është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes. Dy të plagosuri janë transportuar drejt spitalit në Paleo Faliro, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shkruan TopChannel.

Policia po heton për rrethanat e ngjarjes, pa përjashtuar pistën e rivalitetit mes tifozëve të ekipevë të futbollit, pasi Sinovarfaj është pjesë e grupimit të organizuar të tifozëve të ekipit “A.E.K”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Atentat në Greqi: Babë e bir shqiptarë të plagosur me armë zjarri në Athinë appeared first on Sinjali.

Viti 2025 shënon histori: Rajoni i Pejës pa asnjë vrasje pas 26 vitesh

12 January 2026 at 13:15

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka paraqitur rezultatet e punës për vitin 2025, duke e vlerësuar këtë vit si një nga më të vështirët, por edhe ndër më të suksesshmit për institucionin që drejton.

Gjatë një prezantimi publik në fillim të vitit, Vuçetaj theksoi se siguria e qytetarëve ka qenë prioritet kryesor dhe sfida më e madhe në punën e përditshme të Prokurorisë.

Ajo shtoi se ruajtja e rendit publik dhe lufta kundër veprave penale kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë dhe angazhim të palodhur nga të gjitha institucionet e rendit, me theks të veçantë te një forcë policore aktive dhe profesionale.

Ajo ka veçuar si arritjen më domethënëse faktin se viti 2025 shënon një moment historik për rajonin e Pejës.

Sipas të dhënave të Prokurorisë Themelore, për herë të parë pas 26 vjetësh nga përfundimi i luftës, ky rajon nuk ka regjistruar asnjë rast vrasjeje.

“Mirë se po takohemi në vit. Sot kam kënaqësinë dhe nderin të shpalos rezultatet për vitin 2025 që na kanë sfiduar gjatë punës sonë të përditshme. Ka qenë vit sfidues por me të arritura te larta. Çka ka qenë e rëndësishme për mua dhe sfidë kryesore ka qenë siguria e qytetarëve… qetësinë e njerëzve, për t’i luftuar këto vepra penale duhet të kemi polici aktive… Sot në praninë e juaj kam nderin të prezantoj se pas 26 viteve pas luftës evidentohet viti 2025 pa vrasje në rajonin e Pejës”, ka thënë Vuçetaj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Viti 2025 shënon histori: Rajoni i Pejës pa asnjë vrasje pas 26 vitesh appeared first on Sinjali.

Aksident fatal në Tiranë: Kalimtari humb jetën, shoferi nën hetim

12 January 2026 at 13:15

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në Tiranë.

Policia tha se ngjarja ndodhi rreth orës 06:50, në rrugën “Gjeneral Nikols”, ku automjeti me drejtues shtetasin E. M., 37 vjeç ka aksidentuar një shtetas ende të paidentifikuar, këmbësor, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, shkruan Euronews.al.

Grupi hetimor punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident fatal në Tiranë: Kalimtari humb jetën, shoferi nën hetim appeared first on Sinjali.

Osmani nderon me medalje presidenciale ish-basketbollistin Hasan Arat

12 January 2026 at 13:14

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar ish-basketbollistin Hasan Arat. 

Dekorimi i tij është bërë në vlerësim të kontributit të tij në sportin ndërkombëtar dhe të rolit të tij në kandidimin e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. 

Nga ana e tij, Arat u shpreh se ndihet i nderuar me marrjen e medaljes presidenciale, duke shtuar se promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare e bënë me shumë zell, derisa tha se populli i Kosovës duhet të ndihet krenar me të arriturat në sport si dhe me organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të bëhet pas katër vitesh.

Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakow 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), e për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.

Në ceremoninë e dekorimit kanë marrë pjesë edhe drejtues të komitetit Olimpik të Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Osmani nderon me medalje presidenciale ish-basketbollistin Hasan Arat appeared first on Sinjali.

Kajtazi: Lumir Abdixhiku është sabotu përbrenda

12 January 2026 at 13:08

Gazetari Vehbi Kajtazi, në emisionin e tij në Paparaci, ka dhënë disa deklarata të forta mbi situatën në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas Kajtazit, kjo parti është e karakterizuar nga një dinamizëm i brendshëm i cili është larg një strukture të qartë dhe të konsoliduar.

Ai theksoi se në LDK “janë gjithmonë katër, pesë, kryetarë… në variante të tyre”, duke sugjeruar se ka shumë individë të fuqishëm që tentojnë të ushtrojnë ndikim, duke e bërë të vështirë për një kryetar të bëhet ai i përvetshëm dhe udhëheqës i vërtetë i partisë.

Kajtazi gjithashtu e komentoi rezultatet e dobëta zgjedhore të LDK-së dhe të vetë liderit aktual Lumir Abdixhiku, duke thënë se ky i fundit ka “pasur orientim të votës kundër tij” dhe është “sabotuara nga brenda”.

Lumir Abdixhiku është sabotu përbrenda. Sepse orientimi i votës për të mos e votuar Abdixhikun, dhe pretendimet e shumta për ta marrë postin e udhëheqësin e partisë; nuk po them që është krejtësisht, por e ka sjellë edhe këtë rezultat. Gjithandej ti e dëgjon tu i thanë Lumirit, Lubomir. Kjo del përbrenda LDK-së. Ky inati i brendshëm, sjell pasoja. Por, kjo nuk ka ndodh veç me Abdixhikun, po edhe në të kaluarën. Ka ndodh edhe kur është rrëzu Sejdiu prej Mustafës. Pastaj mënyra se si u paketu dështimi i Hotit dhe Mustafës për t’i hap rrugë ardhjes së Abdixhikut. Pastaj si u paketu ndëshkimi dhe përjashtimi i Osmanit. Në LDK ndodhin këto gjëra, sepse aty gjithmonë ekziston një kryetar, dhe një katër kryetar të tjerë. Pra, nuk janë vartës të tij, por secili kryetar është në variantin e vet”, tha Kajtazi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kajtazi: Lumir Abdixhiku është sabotu përbrenda appeared first on Sinjali.

Komuna e Malishevës hap afatin për raportimin e dëmeve nga vërshimet

12 January 2026 at 13:03

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Malishevës ka njoftuar qytetarët, si dhe personat fizikë dhe juridikë të kësaj komune, që kanë pësuar dëme nga reshjt atmosferike dhe vërshimet, se mund të dorëzojnë kërkesat për vlerësimin e dëmeve.

Sipas njoftimit, të gjithë ata që kanë pësuar dëme duhet t’i raportojnë ato pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore dhe ngjarje të tjera të ngjashme.

Plotësimi i formularit përkatës bëhet në zyrën e pritjes në objektin e ri të Komunës së Malishevës.

Afati i fundit për paraqitjen e kërkesave është 16 janar 2026, deri në ora 16:00.

Autoritetet komunale u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të prekur që të respektojnë afatin e caktuar, në mënyrë që të mundësohet trajtimi dhe vlerësimi i dëmeve në kohë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Komuna e Malishevës hap afatin për raportimin e dëmeve nga vërshimet appeared first on Sinjali.

Meta bllokon mbi 540 mijë llogari në Australi të personave nën 16 vjeç

12 January 2026 at 12:13

Kompania amerikane Meta ka njoftuar se ka fshirë më shumë se 544,000 llogari në platformat e saj në Australi, në përpjekje për të zbatuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e mediave sociale nga të rinjtë nën moshën 16 vjeç.

Sipas Meta, llogaritë e hequra përfshijnë 330,639 në Instagram, 173,497 në Facebook dhe 39,916 në Threads, dhe këto veprime u realizuan mes datave 4 dhe 11 dhjetor 2025, ndërkohë që ligji hyri në fuqi më 10 dhjetor.

Ky është një nga ligjet më të rrepta të këtij lloji në botë, që kërkon nga platformat të ndalojnë fëmijët nën 16 vjeç nga mbajtja e llogarive, me kërcënim gjobash deri në 49.5 milionë dollarë australianë nëse nuk respektohet.

Megjithëse Meta po përmbahet ndaj rregullit, kompania ka kritikuar ligjin, duke thënë se ai nuk ka arritur të rrisë sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve dhe se verifikimi i moshës online mbetet i pasigurt. Meta ka sugjeruar që verifikimi i moshës të bëhet në nivelin e dyqaneve të aplikacioneve dhe jo vetëm përmes platformave.

Qeveria australiane dhe mbështetësit e ligjit thonë se kjo masë është bërë për të mbrojtur fëmijët nga ndikimi i algoritmeve dhe përmbajtjeve të dëmshme, ndërsa disa ekspertë argumentojnë se mund të krijojë kushte ku të rinjtë shpërngulen drejt aplikacioneve më pak të rregulluara.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/


The post Meta bllokon mbi 540 mijë llogari në Australi të personave nën 16 vjeç appeared first on Sinjali.

I ftohti ekstrem në Finlandë: Mijëra turistë të bllokuar në aeroportin e Kittilës

12 January 2026 at 11:43

Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Finlandën veriore pasi fluturimet në aeroportin e Kittilës u anuluan për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta.

Temperatura në aeroport kanë rënë në -37 gradë Celsius të dielën në mëngjes, pas disa ditësh me mot të ngjashëm arktik, gjë që e bëri të vështirë shkrirjen e akullit të aeroplanëve dhe operacione të tjera.

Thuhet se turistët britanikë të bllokuar kanë një shans të kthehen në shtëpi të hënën pasdite, kur janë planifikuar fluturimet për në Mançester dhe Londër, por parashikimet nga Zyra Meteorologjike e Britanisë tregojnë se temperaturat do të jenë ende rreth -28 gradë Celsius në atë kohë.

Kitila ndodhet në Laplandën finlandeze, në pjesën veriore me popullsi të rrallë të vendit.

Pavarësisht se janë mësuar me temperaturat e ftohta të dimrit, finlandezët janë prekur edhe nga i ftohti i këtij viti, i cili është më i rëndë se vitet e kaluara dhe ka prekur zona të mëdha të Evropës veriore, qendrore dhe lindore.

Reshjet e dendura të dëborës, erërat e forta dhe rrugët e akullta e bënë udhëtimin nëpër kontinent jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Në Gjermani, pasagjerët e trenave pësuan vonesa dhe anulime të mëdha të dielën, pasi reshjet e dendura të borës e detyruan operatorin hekurudhor Deutsche Bahn të pezullojë të gjitha shërbimet në veri të vendit, raporton Sky News.

Autoritetet thanë se të gjitha shkollat ​​në North Rhine-Westphalia, shteti perëndimor më i populluar i vendit, do të mbeten të mbyllura të hënën për shkak të temperaturave të ulëta, transmeton Sinjali.

Në shtetet baltike të Estonisë dhe Lituanisë, shoferëve iu kërkua të shtynin të gjitha udhëtimet jo thelbësore për shkak të stuhive të pritura të dëborës, ndërsa Letonia fqinje lëshoi ​​një paralajmërim për dëborë për pjesën perëndimore të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post I ftohti ekstrem në Finlandë: Mijëra turistë të bllokuar në aeroportin e Kittilës appeared first on Sinjali.

KQZ: Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave

12 January 2026 at 11:37

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se po pret përfundimin e shqyrtimit të ankesave në lidhje me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si dhe të shqyrtimit të plotfuqishmërisë dhe zbatimit të vendimeve të mundshme që mund të kërkojnë ndërhyrje nga ana e KQZ-së.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se shpallja e rezultatit përfundimtar do të bëhet vetëm pasi të mbarohet ky proces.

Sipas tij, shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor.

Ai ka sqaruar se subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme.

Elezi tha se KQZ-ja është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post KQZ: Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet pas përfundimit të shqyrtimit të ankesave appeared first on Sinjali.

Policia e Pejës: Derdhja e ujërave krijon ngrica dhe rrezikon sigurinë në rrugë

12 January 2026 at 11:32

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka kërkuar nga qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë kushteve të acarta atmosferike dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë në rrugë, trotuare dhe hapësira publike.

Policia ka apeluar gjithashtu te pronarët e autolarjeve që të jenë të kujdesshëm kur pastrojnë veturat, duke pasur parasysh se derdhja e ujërave në rrugë dhe trotuare mund të shkaktojë ngrica dhe të krijojë rrezik për aksidente.

Sipas policisë, ngricat paraqesin rrezik serioz për trafikun dhe këmbësorët, duke rritur mundësinë e aksidenteve.

Për këtë, në bashkëpunim me organet komunale, jemi të obliguar të ndërmarrim masa të shtuara kontrolli dhe të zbatojmë ligjin ndaj atyre që shkelin këto rregulla”, thuhet në komunikatë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia e Pejës: Derdhja e ujërave krijon ngrica dhe rrezikon sigurinë në rrugë appeared first on Sinjali.

Policia godet bandën e drogës në Sarandë: 260 bimë dhe 26.6 kg kanabis sekuestruar

12 January 2026 at 11:32

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green flat”, dhe ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në qytetin e Sarandës.

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 260 bimë narkotike, 26.6 kg lëndë narkotike kanabis, pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, me qëllim shitjen. 

Lidhur me këtë veprimtari të paligjshme u vu në pranga 30-vjeçar Enea Pitani, i cili u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në apartamentin që kishte përshtatur për këtë veprimtari kriminale si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij Mikele Qamil.

Gjithashtu u proceduan penalisht për shpërdorim detyre 4 punonjësit e OSHEE Sarandë, shtetasit H. A., 54 vjeç, H. C., 34 vjeç, E. P., 47 vjeç dhe F. H., 32 vjeç.

Ndërsa në kërkim u shpall shtetasi M. Q., 26 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 26.6 kg lëndë narkotike kanabis (e përpunuar, gati për shitje), 260 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 70 llamba elektrike me reflektorë, 70 siguresa elektrike, 260 mbështjellëse të përshtatura si vazo për kultivim, 1 automjet, 3 celularë dhe pajisje të tjera që përdorureshin për veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia godet bandën e drogës në Sarandë: 260 bimë dhe 26.6 kg kanabis sekuestruar appeared first on Sinjali.

❌
❌