Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 December 2025Sinjali

Rrëmbehen 28 udhëtarë myslimanë nga persona të armatosur në Nigeri

23 December 2025 at 23:47

Një tjetër akt dhune ka tronditur Nigerinë qendrore. Persona të armatosur kanë rrëmbyer 28 udhëtarë myslimanë që po shkonin drejt një aktiviteti islamik vjetor në shtetin Plateau.

Sipas autoriteteve, autobusi ku ndodheshin viktimat, mes tyre gra dhe fëmijë, u zunë pritë të dielën në mbrëmje ndërsa udhëtonte mes fshatrave. Zëdhënësi i policisë, Alabo Alfred, tha se forcat e sigurisë janë dislokuar në zonën e prekur për të shpëtuar të rrëmbyerit.

Një gazetar nga Plateau raportoi se familjet e viktimave kanë filluar të marrin kërkesa për shpërblim. Policia nuk ka dhënë ende detaje mbi autorët e mundshëm. BBC shkruan se rrëmbimet për shpërblim nga bandat kriminale, të njohura si “banditë”, janë bërë fenomen i zakonshëm në veri dhe qendër të Nigerisë.

Ky incident vjen vetëm një ditë pas lirimit të 130 nxënësve dhe mësuesve të rrëmbyer muajin e kaluar në një shkollë katolike në shtetin Niger. Ndryshe nga kryengritja islamiste në verilindje të vendit, ku grupet xhihadiste po luftojnë shtetin prej më shumë se një dekade, rrëmbimi në Plateau lidhet me bandat kriminale që veprojnë për përfitime financiare.

Pasiguria në Nigeri ka tërhequr vëmendjen e re ndërkombëtare, sidomos pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump në nëntor, i cili kërcënoi se do të dërgonte trupa në Nigeri duke pretenduar se të krishterët po shënjestroheshin. Qeveria federale e Nigerisë ka mohuar se komuniteti i krishterë po veçohet, duke pranuar megjithatë problemet e sigurisë.

Ministri i Informacionit, Mohammed Idris, deklaroi të hënën se tensionet me SHBA-të mbi pasigurinë dhe pretendimet për persekutimin e të krishterëve janë “kryesisht të zgjidhura”, duke sjellë marrëdhënie më të forta me Washington-in. Ai shtoi se roje pyjesh të trajnuar dhe të pajisur do të dislokohen për të siguruar zonat e largëta të përdorura si strehime nga grupet kriminale, në mbështetje të operacioneve të ushtrisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rrëmbehen 28 udhëtarë myslimanë nga persona të armatosur në Nigeri appeared first on Sinjali.

Distria Krasniqi mes më të mirëve në Ballkan

23 December 2025 at 23:32

Distria Krasniqi është përfshirë në Top 10 e sondazhit prestigjioz “Balkan Athlete of the Year” 2025, të organizuar nga Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

Xhudistja kosovare u rendit mes sportistëve më të spikatur të rajonit falë suksesit të saj si kampione e Evropës dhe nënkampione e botës në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Në edicionin e 52-të të këtij sondazhi tradicional morën pjesë agjencitë kombëtare të lajmeve nga e gjithë rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe KosovaPress.Sipas BTA-së, “një total prej 47 sportistësh u nominuan” këtë vit, ndërsa fituesi përfundimtar dhe renditja e plotë do të shpallen më 16 shkurt në Sofje, në datën kur në vitin 1898 BTA publikoi buletinin e saj të parë të lajmeve.

Përveç Distria Krasniqit, në Top 10 të vitit 2025 u përfshinë emra të mëdhenj të sportit botëror si Nikola Jokic, Giannis Antetokounmpo, David Popovici dhe Alperen Şengün. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 16 shkurt 2026 në Sofje, ku BTA ka ftuar përfaqësuesit e agjencive pjesëmarrëse për të festuar sportistët më të mirë të Ballkanit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Distria Krasniqi mes më të mirëve në Ballkan appeared first on Sinjali.

Ish-ndihmësi thotë se Netanyahu i’a kishte ngarkuar detyrën të bënte një plan për ta shmangur përgjegjësinë për sulmin e 7 tetorit

23 December 2025 at 23:27

Një ish-ndihmës i ngushtë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se menjëherë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, që e nxiti fillimin e luftës dyvjeçare në Gaza, udhëheqësi izraelit e udhëzoi që të zbulonte një plan se si kryeministri do t’i shmangej përgjegjësisë për shkeljet në fushën e sigurisë.

Ish-zëdhënësi i Netanyahut, Eli Feldstein, i cili ballafaqohet me gjyq nën dyshimin për rrjedhje të të dhënave të klasifikuara te gazetarët, e bëri akuzën e rëndë gjatë një interviste ekskluzive me televizionin izraelit “Kan” të hënën në mbrëmje, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Kritikët e kanë akuzuar vazhdimisht Netanyahun se po refuzon që ta pranojë fajin për sulmin më vdekjeprurës në historinë e Izraelit. Megjithatë, pak gjëra dihen për sjelljen e Netanyahut në ditët menjëherë pas sulmit, përderisa kryeministri vazhdimisht i ka bërë rezistencë një hetimi të pavarur shtetëror.

Feldstein-i tha se “detyra e parë” që e mori nga Netanyahu pas 7 tetorit të vitit 2023 ishte që t’i shtypte thirrjet për llogaridhënie.

“Ai [Netanyahu] më pyeti: “Për çka po flasin në lajme? A po flasin ende për përgjegjësinë?” Ai deshi që unë të mendoja diçka që do të mund të thuhej e që do ta mënjanonte stuhinë mediave që po e rrethonte pyetjen nëse kryeministri e kishte marrë përgjegjësinë apo jo” – shtoi ai.

Ish-ndihmësi më tej tha se kryeministri dukej “në panik”, kur ia kishte bërë kërkesën Feldstein-it dhe se më vonë njerëzit në rrethin e ngushtë të Netanyahut i kishin thënë që ta shmangte fjalën “përgjegjësi” në të gjitha deklaratat.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ish-ndihmësi thotë se Netanyahu i’a kishte ngarkuar detyrën të bënte një plan për ta shmangur përgjegjësinë për sulmin e 7 tetorit appeared first on Sinjali.

Tensionet me SHBA-në, Venezuela miraton ligj kundër piraterisë dhe bllokadave

23 December 2025 at 23:12

Asambleja Kombëtare e Venezuelës miratoi të martën një ligj që parashikon dënime deri në 20 vite burg për çdo person që promovon ose financon çfarëdo forme piraterie.

Ligji u miratua unanimisht dhe përfaqëson një përgjigje të qeverisë ndaj veprimeve të fundit të Shteteve të Bashkuara kundër dërgesave të naftës venezueliane.

Projektligji, i titulluar “Për Garantimin e Lirisë së Lundrimit dhe Tregtisë Kundër Piraterisë, Bllokadave dhe Akteve të Tjera Ndërkombëtare të Paligjshme”, u prezantua të hënën nga ligjvënësi pro-qeveritar Giuseppe Alessandrello.

Ai përfshin edhe “krime të tjera ndërkombëtare” dhe synon të mbrojë sovranitetin e Venezuelës dhe të mbajë të hapur rrugët tregtare detare të vendit.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, njoftoi në fund të seancës se projektligji do t’i dërgohet ekzekutivit për miratim dhe do të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Veprimet ligjore vijnë në një kohë tensioni mes Venezuelës dhe SHBA-së. Sipas autoriteteve amerikane, Roja Bregdetare e SHBA-së sekuestroi një tank të sanksionuar që transportonte naftë bruto venezueliane dhe përpoq të ndalonte dy anije të tjera gjatë fundjavës.

Uashingtoni ka argumentuar se operacionet janë pjesë e përpjekjeve për të luftuar shmangien e sanksioneve dhe trafikun e drogës.

Në anën tjetër, Presidenti Nicolas Maduro akuzoi SHBA-në se po përpiqet të minojë ekonominë e Venezuelës dhe ta largojë atë nga pushteti.

Ai tha se ligji i ri synon të mbrojë të drejtat e Venezuelës dhe të ndëshkojë çdo akt që konsiderohet kërcënim për sigurinë e vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tensionet me SHBA-në, Venezuela miraton ligj kundër piraterisë dhe bllokadave appeared first on Sinjali.

Luftoi Gadafin e riorganizoi ushtrinë, kush është gjenerali libian i vrarë në Ankara?

23 December 2025 at 23:02

Lajmi për rrëzimin e një avioni Liar që mbante Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Libisë, Gjeneral Mohamed al-Haddad, ndërsa kthehej nga një vizitë zyrtare në Turqi u përhap me shpejtësi mbrëmjen e martës.

Qeveria e Tripolit konfirmoi vdekjen e tij, si dhe të katër personave të tjerë në bordin e avionit.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Libiane ishte një nga figurat më qendrore në udhëheqjen ushtarake libiane. I lindur në vitin 1967 në qytetin e Misratës, ai u diplomua në Akademinë Ushtarake Libiane në vitin 1987. Gjatë rrugës, ai mori pjesë në luftën civile të vitit 2011 dhe shërbeu në forcat revolucionare që luftuan kundër regjimit të Muamar Gadafit, duke krijuar reputacionin e tij si një udhëheqës i rëndësishëm ushtarak në Libinë e pasluftës.

Pas rënies së Gadafit, Al-Haddad mori role të rëndësishme në ushtrinë libiane dhe në vitin 2021 u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Libiane, duke udhëhequr përpjekjet për të riorganizuar dhe ribashkuar forcat ushtarake të vendit nën Qeverinë e Unitetit Kombëtar (GNU).

Gjatë mandatit të tij, ai u përqendrua në rivendosjen e forcës ushtarake dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sipas raportimeve në mediat libiane, strategjia e tij për integrimin e milicive dhe krijimin e një strukture të unifikuar ushtarake ishte thelbësore në rivendosjen e rendit dhe sigurisë në Libi, ndërsa kontribuoi ndjeshëm në bashkëpunimin me vendet e Afrikës së Veriut dhe Evropës për sigurinë e rajonit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Luftoi Gadafin e riorganizoi ushtrinë, kush është gjenerali libian i vrarë në Ankara? appeared first on Sinjali.

Yesterday — 23 December 2025Sinjali

Ushtarët e KFOR-it trajnohen me ngarkesa me litar në Kosovë

23 December 2025 at 22:46

Ushtarë nga Lituania, Danimarka, Turqia, Finlanda dhe Gjermania, së bashku me personelin e Aviacionit të Ushtrisë së SHBA-së të caktuar në Komandën Rajonale Lindore të misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, zhvilluan stërvitje për transportin me litar (sling load) në Kampin Novo Selo.

Stërvitja synonte që njësitë ajrore të KFOR-it të transportonin shpejt dhe në mënyrë të sigurt furnizime të rëndësishme në skenarë të vështirë, duke përmirësuar shpejtësinë operacionale, saktësinë, efikasitetin dhe ndërveprimin multinacional.

Sipas njoftimit, këto aktivitete bazë stërvitore sigurojnë që KFOR-i të mbetet gjithmonë i gatshëm për mision dhe në gjendje të përgjigjet efektivisht ndaj sfidave logjistike, duke kontribuar në një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ushtarët e KFOR-it trajnohen me ngarkesa me litar në Kosovë appeared first on Sinjali.

Bllokim i përkohshëm i qarkullimit rrugor në Serbi, MPJD: Shfrytëzoni rrugë alternative

23 December 2025 at 22:41

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se do të ketë bllokime të përkohshme të qarkullimit rrugor në segmentin që kalon nëpër fshatin Kastrat të Kurshumlisë, në Serbi, për shkak të aktiviteteve të paralajmëruara nga banorët lokalë.

Sipas njoftimit, nesër, më 24 dhjetor 2025, qarkullimi në këtë segment rrugor do të bllokohet nga ora 11:50 deri në ora 15:50. Bllokime të tjera janë parashikuar më 27 dhjetor 2025, nga ora 11:52 deri në 18:52, si dhe më 3 janar 2026, kur qarkullimi do të ndërpritet nga ora 09:00 deri në ora 24:00.

MPJD i bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët planifikojnë udhëtime drejt vendlindjes apo tranzit nëpër këtë segment rrugor, që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe të përdorin rrugë alternative për të shmangur pritjet dhe vonesat eventuale në qarkullim.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë planifikuar udhëtime drejt vendlindjes apo tranzit nëpër këtë segment rrugor, këshillohen që të planifikojnë me kohë lëvizjet e tyre dhe, me qëllim të shmangies së pritjeve, vonesave apo pengesave eventuale në qarkullim, të shfrytëzojnë rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Bllokim i përkohshëm i qarkullimit rrugor në Serbi, MPJD: Shfrytëzoni rrugë alternative appeared first on Sinjali.

Rrezarta Krasniqi: Entuziazmi për t’i dhënë shpresë Kosovës është më i madh se asnjëherë më parë

23 December 2025 at 22:33

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e cila garon me numrin 36 në listë, ka shprehur entuziazmin e saj për përkrahjen e qytetarëve në Vushtrri për LDK-në.

36-shja e LDK-së, thotë se “entuziazmi për t’i dhënë shpresë Kosovës është më i madh se asnjëherë më parë.”

Postimi i plotë:

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rrezarta Krasniqi: Entuziazmi për t’i dhënë shpresë Kosovës është më i madh se asnjëherë më parë appeared first on Sinjali.

Arrestohen dy të huaj për kontrabandim të migrantëve në Kosovë – sekuestrohen 53 pasaporta

23 December 2025 at 22:20

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, një shtetas jordanez dhe një shtetase turke, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Kontrabandim me migrantë”.

Sipas njoftimit, arrestimet janë kryer të martën nga Sektori i Hetimeve i Departamentit për Kufirin, në bashkëpunim dhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas disa muajsh monitorimi.

Bazuar në të dhënat hetimore, shtetasi jordanez dyshohet se ka qenë udhëheqës i një grupi kriminal të mirëorganizuar, i cili ka organizuar ardhjen e shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Azia, me qëllim të hyrjes së tyre në Kosovë. Më pas, migrantët dyshohet se kontrabandoheshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Hetimet tregojnë se grupi kriminal ka përfituar mjete të konsiderueshme financiare nga kjo veprimtari e paligjshme. Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarit kryesor, Policia ka konfiskuar 53 pasaporta të shtetasve jordanezë, të cilat dyshohet se janë përdorur për realizimin e aktivitetit kriminal.

Lidhur me rastin është njoftuar prokuroria kompetente, me vendim të së cilës dy të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arrestohen dy të huaj për kontrabandim të migrantëve në Kosovë – sekuestrohen 53 pasaporta appeared first on Sinjali.

Çmimi i arit arrin rekord të ri

23 December 2025 at 22:07

Çmimi i arit në tregjet ndërkombëtare ka arritur një rekord të ri. Metali me vlerë në tregtimin në bursë të hënën (22.12.2025) shënoi vlerën 4.420 dollarë. Kjo s`ka të bëjë vetëm me krizën dhe politikën doganore të SHBA.

Eshtë rekordi i parë që nga çmimi më i lartë deri tani i shënuar në tetor, kur kursi kapi shifrën pak mbi 4.380 dollarë për onse (31,1 gram): Ari sot mbërriti çmimin 4.420 dollarë. Kësisoj ky metal i çmuar pak para fundit të vitit shënon një plus vjetor prej gati 70 përqind. Eshtë një nga klasat më të fuqishme të depozitave të vitit dhe rritja më e madhe e çmimit që nga vitit 1979. Kjo rritje konsiderohet se ka të bëjë kryesisht me pasiguritë gjeopolitike dhe ekonomike si dhe me luftrat dhe doganat. Shumë depozitues në kohë të tilla preferojnë të ashtuquajturit porte të sigurta si ar dhe argjend. “Ari prej shekujsh ka një stabilitet të madh tek fuqia blerëse – pavarësisht sistemeve politike, apo krizave monetare dhe ekonomike”, shpjegon York Tetzlaff, shef i shoqatës së degës se shoqatave profesionale të metaleve të çmuara, me seli në Pforzheim.

Bankat qendrore blerësit kryesorë të arit

Në rritjen e kursit të arit ka ndikuar edhe zhvillimi i normave reale të interesit si dhe dobësimi i dollarit. Gjithashtu kërkesa e bankave të rezervave ka të bëjë me shtimin e rezervave të tyre të arit gjatë këtij viti. Sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE) bankat qendrore kombëtare më 2024 mbulonin mbi 20 përqind të kërkesës globale për ar.

Doganat faktori vendimtar

Kërkesa e bankave qendrore për ar, sipas ekspertëve do të mbetet konstante e sigurt në sfondin e pasigurisë gjeopolitike dhe të politikave tregtare si ajo e doganave World Gold Council në një raport për perspeoktivën vëren, se nëse ngadalësohet rritja ekonomike ose ka një rënie të fuqishme, janë të mundura fitime të moderuara ose të mëdha. “Në të kundërt nëse një sukses i politikës që po ndjek administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump do të përshpejtonte rritjen ekonomike duke ulur reziqet gjeopolitike, kjo do të çonte në rritje e intereave dhe fuorcimin e dollarit që do të ndikonte në uljen e çmimit të arit.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Çmimi i arit arrin rekord të ri appeared first on Sinjali.

Prishtina e 15-ta në botë për ndotje të ajrit

23 December 2025 at 21:49

Kryeqyteti ynë, këtë mbrëmje po radhitet i 15-ti në botë sa i përket ndotjes së ajrit.

Kjo sipas matjeve të “IQ Air”.

Sipas kësaj platforme, vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM është 68.8.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Prishtina e 15-ta në botë për ndotje të ajrit appeared first on Sinjali.

KQZ shqetësohet për furnizimin me rrymë gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit

23 December 2025 at 21:34

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur një mbledhje ditën e sotme, ku është shprehur shqetësim lidhur me furnizimin me energji elektrike gjatë ditës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor, veçanërisht në procesin e numërimit të votave dhe funksionalitetin e pajisjeve në vendvotime dhe Qendrat Komunale të Numërimit.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së diskutuan për ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike në disa rajone të vendit, duke ngritur nevojën për koordinim të drejtpërdrejtë me institucionet përgjegjëse për të shmangur probleme në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, tha se shqetësimet lidhen me njoftimet për ndërprerje të energjisë dhe thirrjet për kursim të saj, duke theksuar rrezikun për procesin pas mbylljes së vendvotimeve.

“Po ndërlidhna me njoftimet që kanë ardhur në raport me ndërprerjen e energjisë elektrike dhe thirrjes për kursimin e energjisë. Duke parë që gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore ka ndërprerje të energjisë anë e kënd vendit, konsideroj që prej KQZ-së nevojitet një komunikim i drejtpërdrejtë me ministrin, por edhe me organet e tjera, edhe me KEDS, KESCO e KOSTT, kushdo që është i nevojshëm për të parë se ku mund të kemi sfida për ditën e zgjedhjeve. Pra, po flasim për procesin e numërimit pas orës 19:00, por që ka të bëjë edhe me funksionalitetin e kamerave në çdo vendvotim“, tha ai.

Edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Hamiti, ngriti shqetësimin për ngarkesat e mëdha në fund të vitit dhe problemet infrastrukturore në disa rajone.

“Do të vijë fundi i vitit dhe ngarkesat do të jenë shumë të mëdha. Ne me Besnikun e kemi biseduar, janë dy regjione në Kosovë që kanë infrastrukturë me transmision, janë Gjilani dhe Malisheva, janë regjione që kanë shumë probleme. Drejtor, a keni ndërmarrë diçka që në ato pozicione të ketë alternativa?”, tha ai.

Ndërkaq, Besnik Buzhala, Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, sqaroi se tashmë ka pasur komunikim me KEDS-in dhe se janë identifikuar mangësi në pajisjen e vendvotimeve me gjeneratorë.

“Para 10 ditësh kemi pasur një takim me KEDS në këtë sallë. Ajo çka i ka interesuar KEDS ka qenë çështja e gjeneratorëve që janë në qendra të votimit. Këto të dhëna i kemi marrë prej krejt Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe ka prej qendrave të votimit që nuk kanë fare gjenerator, ka edhe qendra të votimit që kanë gjenerator ose gjeneratori është i lidhur vetëm për ngrohje. Bazuar në zgjedhjet e kaluara, KEDS në zonat me problematikë i ka ofruar vetë llampat në vendvotim. Kësaj radhe kanë dashur të dinë se si është puna me gjeneratorë. Është e vërtetë që zona më e rrezikuar është Malisheva. KEDS ka informata edhe për numrin e gjeneratorëve edhe informata se sa prej atyre gjeneratorëve janë të disponueshëm për ndriçim. Në ditët në vijim do të komunikojmë me ta dhe do ta shohim mundësinë se cilat janë opsionet e tyre”, tha ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post KQZ shqetësohet për furnizimin me rrymë gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit appeared first on Sinjali.

Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në samitin e G20-s në vitin e ardhshëm

23 December 2025 at 21:27

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se ka zhvilluar nga një bisedë telefonike me presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit, Kassym-Jomart Tokayev dhe Shavkat Mirziyoyev, duke i ftuar ata të marrin pjesë si të ftuar në Samitin e G20-ës që do të mbahet vitin e ardhshëm në Miami, Florida.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump theksoi se gjatë bisedave është diskutuar rëndësia e paqes në konfliktet e vazhdueshme, si dhe rritja e tregtisë dhe bashkëpunimit mes vendeve.

“Samiti i G20 vitin e ardhshëm do të mbahet në Shtetet e Bashkuara dhe ne do të ftojmë të dy këta liderë të na bashkohen si të ftuar,” shkroi Trump, citon Reuters.

Shavkat Mirziyoyev dhe Kassym-Jomart Tokayev
Shavkat Mirziyoyev dhe Kassym-Jomart Tokayev

Ky njoftim vjen pas dy telefonatave që ai i përshkroi si “të mrekullueshme” me presidentët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit, duke sinjalizuar një hap drejt forcimit të marrëdhënieve të SHBA-së me vendet e Azisë Qendrore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump fton liderët e Kazakistanit dhe Uzbekistanit në samitin e G20-s në vitin e ardhshëm appeared first on Sinjali.

Rrëzohet aeroplani ushtarak pranë Ankarasë, humbin jetën zyrtarë të lartë të Libisë

23 December 2025 at 21:16

Një aeroplan tip Falcon 50, që po transportonte Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Libisë, është rrëzuar pranë Ankarasë, në Turqi, duke shkaktuar humbjen e jetës së udhëheqësve të lartë ushtarakë që ndodheshin në bord, raportojnë mediat lokale.

Sipas burimeve, më herët gjatë së njëjtës ditë, Mohammed Ali al-Haddad kishte zhvilluar takime në Turqi me zyrtarë të lartë ushtarakë.

Pas incidentit, autoritetet turke kanë mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore mbi Ankara, si masë sigurie.

Autoritetet turke e kanë konfirmuar zyrtarisht rrëzimin e aeroplanit dhe kanë bërë të ditur se forcat e sigurisë kanë arritur në vendin e rrënojave.

Po ashtu, është njoftuar se janë gjetur pjesë të aeroplanit në zonën e Haymanas, ku dyshohet se ka ndodhur rrëzimi.

Hetimet për shkaqet e aksidentit ajror janë në vijim, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare nga autoritetet përkatëse.

BREAKING: A private jet believed to be carrying the Libyan Army chief of staff lost radio contact over the Turkish capital, Ankara.

Source: Reuters

— Clash Report (@clashreport) December 23, 2025

BREAKING: Turkish authorities have confirmed that the aircraft has crashed and that security forces have reached the wreckage.pic.twitter.com/EavZU3XaH6 https://t.co/goELGzCzXu

— Clash Report (@clashreport) December 23, 2025

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Rrëzohet aeroplani ushtarak pranë Ankarasë, humbin jetën zyrtarë të lartë të Libisë appeared first on Sinjali.

Aksident mes dy veturave në hyrje të autostradës “Arbën Xhaferi”, lëndohet një person

23 December 2025 at 21:05

Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmjen e sotme në hyrje të autostradës “Arbën Xhaferi” në Kaçanik, raporton Gazeta Sinjali.

Në aksident janë përfshirë dy vetura, prej të cilave njëra ishte me targa të huaja. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime të lehta trupore.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e trafikut rrugor, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë hetuar rrethanat e aksidentit.”, tha ai për Sinjalin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident mes dy veturave në hyrje të autostradës “Arbën Xhaferi”, lëndohet një person appeared first on Sinjali.

Studimi paralajmëron: Ushqyerja ndikon në shfaqjen e hershme të depresionit

23 December 2025 at 20:48

Edhe ndryshimet më të vogla në mënyrën e ushqyerjes mund të ndikojnë në shfaqjen e simptomave të depresionit tek të rinjtë, paralajmërojnë studimet.  

Sipas ekspertëve, ushqimi përbën një faktor të rëndësishëm rreziku për zhvillimin e depresionit, veçanërisht gjatë adoleshencës dhe rinisë së hershme, një periudhë kur rreziku për çrregullime të shëndetit mendor është dukshëm më i lartë.

Kjo fazë e jetës konsiderohet kritike, pasi në të rinjtë formojnë zakone ushqimore që shpesh i mbajnë edhe më vonë.

Në kuadër të studimit, ekspertë nga Australia përfshinë 76 persona të moshës 17 deri në 35 vjeç, të cilët shfaqnin simptoma të lehta ose të rënda depresioni. 

Pjesa më e madhe e tyre ushqehej me sasi të larta sheqeri, yndyrash të ngopura dhe ushqimesh të përpunuara. 

Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: grupi i parë u informua mbi rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe u pajis me kupona për blerje, ndërsa grupi i dytë vazhdoi të ndjekë të njëjtin regjim ushqimor si më parë.

Pas tre javësh, rezultatet treguan se grupi që kishte adoptuar ushqyerjen e shëndetshme shfaqi përmirësim të dukshëm në nivelet e depresionit, stresit dhe ankthit, raportoi “Agroweb”.

Tre muaj pas studimit, ekspertët konstatuan se vetëm shtatë persona kishin arritur të ruanin ndryshimet në ushqyerje dhe, si pasojë, ndiheshin dukshëm më mirë.

Studiuesit arritën në përfundim se rritja e konsumit të frutave, perimeve, peshkut dhe vajit të ullirit ndikon pozitivisht në shëndetin mendor të të rinjve. 

Gjerësisht pranohet se shëndeti i trurit lidhet ngushtë me shëndetin e sistemit tretës, ndërsa ushqimet e shpejta dhe të përpunuara priren të përkeqësojnë jo vetëm gjendjen emocionale, por edhe funksionet e trurit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Studimi paralajmëron: Ushqyerja ndikon në shfaqjen e hershme të depresionit appeared first on Sinjali.

Ministri i Jashtëm gjerman thotë se armëpushimi në Ukrainë “s’do t’i japë fund kërcënimit rus”

23 December 2025 at 20:29

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Vandevoll, beson se Rusia do të përdorë një armëpushim të mundshëm në Ukrainë për të përshpejtuar përgatitjet për të sulmuar një vend anëtar të NATO-s, duke paralajmëruar kështu aleancën mbrojtëse të jetë gati për një skenar të tillë.

Ai theksoi se NATO po zgjeron strukturat e saj mbrojtëse, ndërsa Gjermania po riorganizon forcat e saj të armatosura, duke forcuar numrin e ushtarëve dhe pajisjeve në kontekstin e një sulmi të mundshëm rus.

Siguria në Evropë do të varet nga Rusia për një kohë të gjatë, tha ai, duke shtuar se Moska mund të mbahet larg vetëm “nga një pozicion force, uniteti brenda aleancës dhe forcave të armatosura të afta”.

“Mund t’ju këshilloj fuqimisht vetëm të mos bëni asnjë lëshim në të gjitha këto projekte dhe plane, sepse vetëm një pozicion force do të çojë në siguri më të madhe për ne në NATO, por edhe për ne në Gjermani. Nëse Moska arrin një sukses të qëndrueshëm ushtarak në Ukrainë, kjo do të përbënte një kërcënim serioz për NATO-n”, tha Vandeful.

Vetëm për këtë arsye, mbështetja e Ukrainës mbetet një nga interesat e sigurisë së GjermanisëMinistri i jashtëm tha se Ukraina duhet të jetë e përgatitur të bëjë lëshime – duke përfshirë lëshime të mundshme territoriale – nëse këto shoqërohen me garanci të besueshme sigurie nga Perëndimi, dhe kryesisht nga SHBA-ja. Evropianët gjithashtu duhet të kontribuojnë, tha ai.

Mënyra se si strukturohen këto kontribute është diçka “që do ta diskutojmë në thellësi sapo të kemi një armëpushim dhe sapo të shohim se Rusia është vërtet e gatshme të mendojë seriozisht për paqen”, tha ai.

Moska duket e gatshme të negociojë, shtoi ai, por kjo nuk është e njëjta gjë me një gatishmëri të vërtetë për paqe. “Nuk e kemi parë këtë deri më sot”, tha Vandeful.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ministri i Jashtëm gjerman thotë se armëpushimi në Ukrainë “s’do t’i japë fund kërcënimit rus” appeared first on Sinjali.

“Do të ruajmë jetën e ushtarëve” – Ukraina humb qytetin lindor të Siverskut

23 December 2025 at 20:22

Forcat ukrainase janë tërhequr nga qyteti i Siverskut në lindje, ndërsa Rusia vazhdon avancimin e saj të ngadaltë, por të qëndrueshëm.

Ushtria ukrainase tha të martën se kjo veprim është ndërmarrë “për të ruajtur jetët e ushtarëve tanë dhe kapacitetin luftarak të njësive”, duke shtuar se forcat ruse kishin “avantazh të konsiderueshëm në numër personeli”.

Zënia e Siverskut i afron trupat ruse më pranë qyteteve të fundit të mbrojtura në zonën industriale të Donetskut, Sloviansk dhe Kramatorsk, që ende janë nën kontroll ukrainas.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët raportuan se tre persona, përfshirë një fëmijë të vogël, humbën jetën gjatë sulmeve masive të natës nga dronët dhe raketat ruse mbi Ukrainën.

Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.

Në një deklaratë, ushtria ukrainase tha se forcat ruse po vazhdonin “veprime sulmuese aktive” në zonën e Siverskut “pavarësisht humbjeve të mëdha”.

Ajo shtoi se forcat mbrojtëse ukrainase kishin “shfrytëzuar armiqtë gjatë luftës për Siverskun”.

Para pushtimit rus, Siversk kishte rreth 11,000 banorë.

Dy javë më parë, Rusia kishte raportuar kontroll mbi qytetin, por Ukraina e kishte mohuar këtë pretendim atëherë.

Siversk është pothuajse shkatërruar si qytet pas muajsh të tërë të luftimeve të rënda.

Aktualisht, Moska kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe rreth 99% të rajonit fqinj, Luhansk. Këto rajone njihen së bashku si Donbasi.

Udhëheqësi rus Vladimir Putin ka paralajmëruar disa herë se trupat ukrainase duhet të tërhiqen nga gjithë Donbasi, ose Rusia do ta marrë kontrollin, duke refuzuar çdo kompromis për përfundimin e luftës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka qenë nën presion të madh nga homologu i tij amerikan, Donald Trump, për të dhënë të gjithë Donbasin Rusisë gjatë negociatave të udhëhequra nga Washington-i.

Zelensky deri tani ka refuzuar çdo koncesion territorial dhe ka kërkuar garanci të forta sigurie për Ukrainën në çdo marrëveshje të mundshme.

Negociatat për paqe – duke përfshirë takime të veçanta të zyrtarëve amerikanë me homologët ukrainas dhe rusë – vazhduan gjatë fundjavës, por nuk u raportua ndonjë përparim.

Sipas Zelensky, SHBA-ja kishte propozuar një armëpushim për Krishtlindje, por Rusia e kishte refuzuar këtë ide.

Gjatë natës, Rusia lëshoi 635 dronë dhe 38 raketa mbi disa rajone të Ukrainës, tha forca ajrore ukrainase, duke shtuar se 621 prej tyre u rrëzuan.

Autoritetet lokale në rajonin qendror të Zhytomyr-it konfirmuan vdekjen e një fëmije.

Kreu i rajonit, Vitaly Bunechko, tha se fëmija “u dërgua në spital, mjekët luftuan për jetën e tij, por nuk mundën ta shpëtonin në fund”. Pesë persona të tjerë u plagosën në sulm, shtoi ai.

Ndërkohë, një grua 76-vjeçare humbi jetën dhe tre persona u plagosën kur një shtëpi në rajonin e Kievit u godit, sipas shërbimit shtetëror të emergjencave të Ukrainës.

Një sulm në Khmelnytskyy, në perëndim të Ukrainës, vrau një 72-vjeçar, tha kreu i administratës rajonale, Serhiy Tyurin.

Aeroplanët luftarakë polakë u ngritën për t’u përgjigjur raketave dhe dronëve që sulmonin Ukrainën perëndimore.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte goditur “fabrikat dhe objektet e industrisë ushtarake dhe energjetike të Ukrainës” dhe shtoi se të gjitha objektivat e caktuara ishin goditur.

Ndërkohë, Ukraina goditi një fabrikë petrokimike në Stavropol, në jug të Rusisë.

Video të shpërndara nga mediat ruse online treguan flakë të mëdha që ngriheshin nga drejtimi i fabrikës.

Guvernatori i rajonit, Vladimir Vladimirov, tha se një dron ukrainas kishte goditur fabrikën dhe kishte shkaktuar zjarr. Nuk u raportuan viktima dhe ndërtesat rezidenciale mbetën të paprekura.

Oleksandr Chyrvonyi, banor i qytetit të Zaporizhzhias pranë vijës së frontit, tha për BBC se nata e së hënës ishte “një përvojë jashtëzakonisht e pakëndshme”.

“Fjetën katër ose pesë orë – njoftimet e vazhdueshme më zgjonin që dronë dhe raketa po vinin”, tha ai, duke shtuar se shumica kaluan pranë qytetit të tij drejt rajoneve perëndimore dhe qendrore.

Ndërprerjet e energjisë janë bërë normalitet. Zaporizhzhia ka rreth 10 orë pa energji elektrike nga 24, tha ai.

Ekziston një “ndjesi e përgjithshme e mungesës së civilizimit”, vazhdoi ai, por përpiqet të ruajë “një iluzion të jetës normale”.

Me temperaturat që pritet të bien deri në -7°C të mërkurën, operatori i energjisë së Ukrainës paralajmëroi ndërprerje emergjente të energjisë “në të gjitha rajonet” dhe u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë.

Ministri në detyrë i energjisë, Artem Nekrasov, tha se ishte sulmi i nëntë i madh ndaj sistemit energjetik ukrainas këtë vit, dhe furnizimi në rajonet Rivne, Ternopil dhe Khmelnytsky është “afro tërësisht” humbur.

Deputeti ukrainas Oleksandr Merezhko tha për BBC World Service se disa zona mund të mbeten pa energji “për disa ditë”.

Në kryeqytetin ukrainas, shumë mendojnë se sulmi i natës lidhet me vrasjen e një gjenerali të lartë rus pas shpërthimit të një bombe në Moskë të hënën.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post “Do të ruajmë jetën e ushtarëve” – Ukraina humb qytetin lindor të Siverskut appeared first on Sinjali.

Arsenali vë në shënjestër portierin kosovar, Diant Ramaj

23 December 2025 at 20:10

Arsenal po synon të përforcojë pozitën e portierit para afatit të ardhshëm të transferimeve.

Portieri 24-vjeçar, Diant Ramaj, është nën vëzhgim të ngushtë nga skuadra londineze.

Megjithëse Ramaj është i kontraktuar te Borussia Dortmund, ai aktualisht ndodhet i huazuar te Heidenheim, ku skautët e Arsenalit e kanë ndjekur disa herë gjatë këtij sezoni.

Interesi i “Topçinjve” thuhet se është rritur pas paraqitjeve të forta të Ramaj në Bundesliga.

Portieri u transferua nga Ajax te Dortmund në shkurt 2025 për mbi 5 milionë euro, por menjëherë u huazua për të fituar përvojë me ekipin e parë.

Klubi londinez po kërkon një alternativë të besueshme për David Raya, dhe Ramaj shihet si një opsion premtues falë moshës së tij dhe potencialit.

Ai ka tërhequr vëmendjen me kontrollin e sigurt të zonës së penalltisë dhe qetësinë nën presion.

Gjatë këtij sezoni, Ramaj ka luajtur 15 ndeshje, ka marrë një karton të verdhë dhe ka një përqindje të pritjeve prej 58%.

Ky profil e bën atë një kandidaturë interesante për Arsenalin, i cili synon të forcojë rolin kyç të portierit për sezonin e ardhshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Arsenali vë në shënjestër portierin kosovar, Diant Ramaj appeared first on Sinjali.

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e Brendon Ajazaj, i dyshuar për plagosjen në Pejë

23 December 2025 at 19:57

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Personi i kërkuar është Brendon (Hamdi) Ajazaj, i lindur më 19 tetor 2005 në Gjermani. Ai dyshohet për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë.

Policia u bën thirrje qytetarëve nëse kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e personit të dyshuar që paraqitet në fotografinë e publikuar, ta njoftojnë menjëherë Policinë e Kosovës ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Për informacione, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes numrave dhe adresave në vijim: 192 dhe 0800 19 999 (pa pagesë), 039 432 327 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, info@kosovopolice.com.

Policia garanton konfidencialitet për të gjithë ata që ofrojnë informacione të dobishme.

Ajazaj është emër i njohur për autoritetet, pasi edhe më 1 nëntor të këtij viti ishte kapur me armë me armë në Prishtinë dhe ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e Brendon Ajazaj, i dyshuar për plagosjen në Pejë appeared first on Sinjali.

❌
❌