Normal view

Received — 20 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta për Zvërnecin në ditën e 51-të

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë sot në ditën e 51-të.

Organizimi që nisi me kundërshtimin e investimit të parashikuar në Zvërnec, përgjatë 51 ditëve u zgjerua edhe me kërkesa të tjera nga ana e protestuesve, si largimi i qeverisë dhe dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, si edhe të gjithë klasës politike të 30 viteve të fundit.

Ditën e sotme, protestuesit pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, një nga protestuesit u shpreh se Qeveria ka vënë dorë mbi çdo pronë të shqiptarëve.

“Dalim në protestë për skandalet e qeverisë shqiptare. Duhet ta nisim nga Enver Hoxha në vitin 1945 me pronat, që na i mori. Pastaj në vitin 1991 u tha se do kompensoheshin sidomos pronat bregdetare. Mirë i morën, por ta na japin të hanë, se iku kjo, të paktën të na kompensohen”, tha ai.

Një tjetër i moshuar, u shpreh nga protesta se “shqiptarët janë shqiponja dhe jo sorra”. Ai ngriti problemin e shpopullimit dhe tha se shqiptarët po zëvendësohen me njerëz nga Afrika dhe Azia.

Aktivisti i Lëvizjës Bashkë, Emiljando Kita, tha nga se ata që protestojnë janë njerëz, të cilët punojnë nga mëngjesi në darkë.

“Punonjësit janë në kushte mjerane me paga mjerane, pensionistët janë në pamundësi për të shtyrë muajin, bujqësia, blergtoria dhe industria janë në kolaps. Kjo protestë është shpresë që gjërat mund të ndryshojnë”, pohoi ai.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Pas qendrimit në Sheshin “Skënderbe”, protestuesit vijuan marshimin drejt kryeministrisë, ku vijuan fjalimet e rastit.

Vijon…

/e.i/a.f/

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e 51-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

17 July 2026 at 18:28

KIEV, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Protestat kundër vendimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, vazhduan sot për të tretën ditë radhazi në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform, shumë protestues po kërkojnë gjithashtu largimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrsky, i cili konsiderohet pjesë e një brezi më të vjetër të drejtuesve ushtarakë dhe shihet si pengesë për reformat.

Në kuadër të një riorganizimi të gjerë qeveritar, presidenti Zelensky largoi nga kabineti kryeministren Julia Svyrydenko dhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte mbajtur detyrën vetëm për gjashtë muaj.

Fedorov, 35 vjeç, konsiderohet një reformator që modernizoi sistemin e prokurimeve të ushtrisë dhe u angazhua fuqishëm për dixhitalizimin dhe modernizimin e forcave të armatosura ukrainase.

Megjithatë, ai kishte pranuar publikisht se ishte përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm me komandantin Syrsky.

Në fund, Zelensky vendosi të mbështesë Syrskyn dhe synon të emërojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Yevchen Khmara, drejtuesin në detyrë të shërbimit të inteligjencës SBU.

Ky është ndryshimi i katërt në postin e ministrit të Mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Ihor Klymenko, i cili ishte përfolur si kandidat për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, do të emërohet sekretar i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Këtë detyrë e mbante deri tani ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili për një periudhë të gjatë udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për përfundimin e luftës.

Në ndryshimet e tjera qeveritare, Zelensky i ofroi Taras Kachka, ish-zëvendëskryeministër për integrimin evropian, postin e drejtuesit të misionit të Ukrainës pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.

Parlamenti ukrainas konfirmoi dje Sergii Koretskyi si kryeministër të ri të vendit.

Ish-drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz” mori 289 vota, duke tejkaluar ndjeshëm shumicën e nevojshme prej 226 votash./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Detyrë e çdo demokrati ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cilësoi protestat që zhvillohen prej 46 ditësh në kryqytet kundër investimit të planifikuar turistik në Zvërnec, si antidiktatoriale teksa theksoi se është detyrë e çdo demokrati e çdo demokrateje ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë dhe potencialet që ka.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha tha se “gjithçka që zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës më të drejtë që mund të ketë njeriu, është një betejë me tiraninë”.

“Partia Demokratike vjen në këto momente si një parti e pamposhtur, si një parti që kundër kësaj diktature autoritare zhvilloi në tre vite mbi 400 protesta. Zhvilloi me qindra akte e veprime kundër saj. Vjen në këtë moment pasi ajo ia doli të denoncojë me sukses në mbarë botën farsën elektorale të diktaturës autoritare. Pasi ajo ia doli që jo vetëm në organizatat më të mëdha partiake, por dhe në institucione më të rëndësishme të Europës, të paraqesë dhe të gjejë mbështetje për qëndrimet e saj”, theksoi Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se “ishte një arritje e jashtëzakonshme denoncimi i farsës elektorale dhe njohja e saj si e tillë nga Parlamenti Europian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian”.

/k.s/j.p/

The post Berisha: Detyrë e çdo demokrati ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët në ditën e 43-të të protestës përballë Kryeministrisë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në kryeqytet ka vijuar për të 43-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve, e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u publikuan edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.

Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar, ata ripërsëritën kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Protestuesit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshimin e klasës politike, ndërsa folësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në vend.

Aktivistja Luçiana Kokaj në fjalën e saj para protestuesve te Kryeministria i përgëzoi për qëndresën e tyre 43-ditore.

“Çfarë janë 43 ditë për të fituar të drejtat tona? Nuk ka verë, nuk ka Botëror, nuk ka pushime verore që i largon shqiptarët nga sheshi. Ju bëj thirrje që të jeni çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të bashkuar, Shqipëria ka nevojë për ne. Qeveria na ka sulmuar që ditën e parë duke na quajtur agjentë të ndryshëm, duke u munduar të intimidojë familjarët tanë, por asnjë nga manovrat e tyre nuk na devijon për të mbrojtur familjen tonë”, tha Kokaj.

Protestës iu bashkua edhe një turist nga Suedia, i cili tha se “jam i lodhur nga korrupsioni, nga politikanët e uritur për para që duan t’ju vjedhin. Ju jeni mazhoranca, ata janë minoranca. Është koha që ju të merrni në dorë fatet tuaja”.

Ferit Toma, me profesion mësues, tha se “kam edukuar breza të tërë dhe më vjen mirë kur i shoh këtu në protestë. Ky është shpërblimi më i madh i jetës sime. Ju ftoj të qëndroni besnikë ndaj të vërtetës, drejtësisë dhe dashurisë për vendin tonë. Shqipëria ka nevojë për të rinj që të mendojnë e ndërtojnë e flasin me përgjegjësi, ju mbani shpresën gjallë”.

Një protestues tha se “kam dalë në protestë për fëmijët e mi, se dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës. Vetëm për të drejtat tona dhe të kombit tonë, ndaj kam dalë sot në protestë”.

Një tjetër protestuese u shpreh se “dot është vetëm dita e tretë që vij në protestë me mijëra motra e vëllezër. Jam pjesë e diasporës që ka 36 vite që ulëret ‘kur do bëhet kjo Shqipëri?’. Të ikësh nëpër botë për të mbijetuar është e vështirë, por sa kurajo do që të rrish këtu që të mbrosh tokën tënde?”.

Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

 

Dita e 43-të e protestës; Fotoreporter: Florian Abazi
1 nga 17

/k.s/r.e/

The post Qytetarët në ditën e 43-të të protestës përballë Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët në protestën e 41-të, ripërsërisin pesë kërkesat kryesore

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Qytetarë zhvilluan sot protestën e 41-të në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec dhe duke parashtruar kërkesa të tjera nga nismëtarët.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga pjesëmarrës të ndryshëm.

Një i moshuar në protestën e sotme gjithashtu ka qenë kritik ndaj Presidentit të Republikës, duke thënë se është president vetëm në letra.

Ndërsa një qytetar në fjalën e tij deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk shqetësohet për bujqit, fermerët apo personat me aftësi të kufizuara të cilët nuk sigurojnë dot jetesën.

Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Gjatë protestës u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshimin e klasës politike. Ndërsa pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në vend.

Duke marrë fjalën një protestues i ardhur nga diaspora deklaroi se qytetarët shqiptarë mbajnë barrën e përplasjeve mes forcave politike. “Populli i heq mbi kurriz të gjitha. Si mbetet gjë tjetër veçse të qëndrojë në mes e të paguajë haraçet e politikanëve tanë. Njësoj vuan dhe kur quhet diktaturë e kur quhet demokraci”, u shpreh ai.

Gjatë protestës u bë thirrje edhe për pjesëmarrje në tubimin e radhës kombëtar, ndërsa disa protestues komentuan zhvillimin e koncertit të artistit Kanye West në Tiranë, duke kërkuar bojkotimin e tij.

“Shqiptarët janë këtu në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre, për të kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe nuk ka më cirk me bileta falas”, u shpreh një protestues.

Pas përfundimit të fjalimeve nga foltorja përpara godinës së qeverisë, protestuesit e mbledhur marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Protesta e sotme ishte pjesë e një serie tubimesh të zhvilluara për 41 ditë me radhë në kryeqytet.

Protesta e 41-të qytetare; Fotoreporter: Florian Abazi
1 nga 20

/e.xh/r.e/

The post Qytetarët në protestën e 41-të, ripërsërisin pesë kërkesat kryesore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Balla: Ju thashë që po latë Saliun, Shehajn e Lapajn do të përfundoni si dasmë lagjeje

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla publikoi në rrjetet sociale një foto nga protesta e sotme përpara Kryeministrisë.

Në postimin e tij, Balla ironizoi organizimin e protestës dhe bashkëpunimin mes figurave të opozitës, duke përmendur drejtuesit e disa forcave politike.

“Ju thashë po latë Saliun, me kone Shehajn, Lapajn dhe Qorrin do përfundoni në dasëm lagjeje, s’më besuat”, shkruan Balla, duke iu referuar numrit të ulët sipas tij të pjesëmarrësve në protestën e sotme.

Protesta kundër investimit të parashikuar në Zvërnec, ka hyrë sot në ditën e saj të 38-të. Qytetarët u mblodhën si fillim në sheshin “Skënderbej”, për t’u pozicionuar më pas përpara godinës së Kryeministrisë ku u mbajtën fjalimet e rastit nga organizatorë dhe qytetarë të ndryshëm.

/e.i/r.e/

The post Balla: Ju thashë që po latë Saliun, Shehajn e Lapajn do të përfundoni si dasmë lagjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e 38-të në Tiranë, thirrje për unitet mes protestuesve

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Qytetarët u mblodhën sot, për të 38-ën ditë radhazi, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Një qytetar me banim në Itali, u shpreh se kjo është një protestë civile, pa dhunë.

“Ne u detyruam të largoheshim. U kërkoj falje fëmijëve të mi dhe brezit të fëmijëve të mi që nuk i ndaluam në kohë këta maskarenj që kanë marrë peng Shqipërinë, na vodhën jetën tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha ai.

Një i moshuar, pjesë e protestës së ditës së sotme u shpreh i indinjuar për masën e pagesës që ai merr çdo muaj si pensionist.

“Ato 4 milionë euro në vend që t’ia japin pensionistëve, por shkojnë i lënë në tallava. Shkon Rama të bëjë të bukur Kryeministrinë e tij”, tha ai.

Në fjalën e saj, protestuesja Luçiana Kokaj përcolli një mesazh për të gjithë ata që mbështesin këtë kauzë, duke vënë theksin te domosdoshmëria e unitetit dhe kapërcimi i çdo diference politike apo personale për të arritur qëllimin e përbashkët.

“Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë defekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën”, deklaroi Kokaj.

Mes protestuesve të sotëm, fjalën e mori edhe ambientalisti Sazan Guri.

“Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që e lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t’i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t’i mundim ata avash-avash, me moral”, u shpreh Guri.

Ashtu si edhe 37 protestat e tjera, pas përfundimit të fjalimeve poshtë zyrës së kryeministrit Rama qytetarët vijuan me marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës. Gjatë ecjes, përsëritën po të njëjtat thirrje: “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”.

Dita 38 e protestës; Fotoreporter Andrin Hoxha
1 nga 21

/e.i/r.e/

The post Protesta e 38-të në Tiranë, thirrje për unitet mes protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu-Shehajt: Zgjedhjet janë në vitin 2029, po e përdorni protestën për fushatë

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi sot në rrjetet sociale duke publikuar një video të një deklarate të kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me protestat.

Në video, dëgjohet Shehaj duke biseduar me një grup protestuesish, teksa shprehet se nëse kjo protestë ka rezultat, Edi Rama do të ikë dhe kjo është në dorën e protestuesve.

“Kjo protestë pati sukses sepse është spontane, nuk ka një dorë nga pas që ka eksperiencë dhe e përdor. Kjo është mundësia për ne”, tha Shehaj.

Në reagimin e saj, Koçiu shprehet se deklaratat e Shehajt tregojnë se protesta është përdorur për interesa politike.

Sipas Koçiut, deklaratat e kreut të Partisë Mundësia flasin për synimin e përfitimit politikisht nga protesta, ndërsa i kërkon Shehajt të zgjedhë mes rolit të një qytetari pjesëmarrës në protestë, apo atij të drejtuesit të një force politike.

“Nëse do të marrësh pjesë si qytetar në protestë, lëre protagonizmin. Zgjedhjet janë në vitin 2029 dhe do të kesh kohë për të bërë fushatë. Nëse sillesh si kryetar partie, atëherë merr mbështetësit e tu dhe dil në protestë, por mos na e shit njërën për tjetrën”, shprehet  Koçiu.

/e.i/r.e/

The post Koçiu-Shehajt: Zgjedhjet janë në vitin 2029, po e përdorni protestën për fushatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Demo: Protesta ka pësuar metamorfozë, nga flamingo u shfaq një arkivol

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot deklaratat e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në konferencën e sotme për shtyp, lidhur me protestën që po mbahet prej më shumë se një muaji në Tiranë.

“Thjesht dhe qartë”, shkruan Rama, teksa ndan dekaratat e Demos, i cili shprehet se protesta qytetare ka pësuar një metamorfozë gjatë 36 ditëve të zhvillimit të saj, duke theksuar se qeveria po shqyrton kërkesat që i konsideron të qenësishme.

Demo u ndal te simbolika e përdorur nga protestuesit gjatë tubimeve, duke vlerësuar se ajo ka ndryshuar me kalimin e ditëve.

“Vetë protesta, në 36 ditë, ka pësuar një metamorfozë shumë interesante, sepse kjo ishte një protestë që zgjodhi simbolet për të komunikuar edhe disa mesazhe. Patjetër që flamingo ishte një ndër simbolet e para, një shpend që karakterizon bukurinë, balancën dhe, mbi të gjitha, individualitetin, si shpend. Ndërkohë, pas 35 apo 36 ditësh, pamë që nga flamingo na u shfaq një arkivol”, tha ai.

Sipas ministrit, simbolika e fundit nuk përcjell mesazhe zhvillimi.

“Ky është një rrugëtim interesant edhe për sa u përket mesazheve që vetë protesta tenton të japë. Nuk dua të ndalem gjatë, sepse besoj se çdo shqiptar e ka të qartë që, nëpërmjet vdekjes, nuk mund të perceptohet as ndryshim dhe as zhvillim. Por një gjë është e sigurt: qartazi duket se flamingot kanë shtegtuar nga bulevardi. Flamingot janë shpendë shumë të ndjeshëm ndaj ekosistemit ku zgjedhin të ndalen dhe nuk ndalen kudo”, u shpreh Demo.

Ai shtoi se përgjegjësia e qeverisë është të krijojë kushtet e nevojshme për zhvillim.

“Detyra jonë si qeverisje është, absolutisht, të krijojmë kushtet e duhura që flamingot të ndihen si në shtëpinë e tyre këtu”, deklaroi ministri.

Duke iu referuar kërkesave të ngritura nga protestuesit, Demo bëri të ditur se ato po analizohen nga grupi i punës.

“Duke iu referuar kërkesave, mund t’ju them vetëm një gjë: unë jam pjesë e grupit të punës dhe ne jemi duke marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat që janë të qenësishme. Në fakt, shumë prej tyre kanë qenë pjesë e prioriteteve dhe vazhdojnë të jenë prioritete të qeverisë shqiptare. Ka edhe disa prioritete të reja që pa tjetër do t’i marrim në konsideratë”, tha ai.

Ministri theksoi gjithashtu se qeveria do të rishikojë ritmin e disa reformave dhe nismave.

“Ne duhet të kalibrojmë shpejtësinë e disa nismave dhe iniciativave që qeveria po ndërmerr. Unë besoj se kjo është shumë e shëndetshme dhe se kjo protestë sjell një energji shtesë, një karburant shtesë, edhe për sa i përket reformave në tërësi”, përfundoi Demo.

/gj.m/r.e/

The post Demo: Protesta ka pësuar metamorfozë, nga flamingo u shfaq një arkivol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bergner: Dhuna në protesta, jo e përputhshme me vlerat e BE-së

TIRANË, 6 korrik /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner mori pjesë sot në ceremoninë e përkujtimit të 83-vjetorit të masakrës së Borovës.

Në një prononcim për gazetarët, Bergner tha se “ky është një moment i dhimbshëm pasi masakra u bë nga ushtria gjermane”.

“Është një moment shumë i dhimbshëm për ambasadën gjermane sepse sot ne jemi këtu për të nderuar viktimat e masakrës gjermane që u bë nga ushtria gjermane në 6 korrik 1943. Është 83-vjetori nga momenti kur 107 burra, gra dhe fëmijë u vranë dhe kjo është e dhimbshme për mua pasi ndaj dhimbjen e popullsisë këtu, për familjet që jetojnë dhe që u prekën nga fakti se nuk mundën t’i shohin gjyshërit, xhaxhallarët apo tezet e tyre, vëllezër që nuk u rritën etj”, tha Bergner.

“Është e dhimbshme edhe për mua si ambasador sepse kjo ka ndodhur në emër të popullit gjerman por këtu në këtë vend ne duam të shohim përpara, të kujtojmë emrat e atyre që u vranë por gjithashtu duhet të nxjerrim dhe mësime. Të përpiqemi të mësojmë si mund ta parandalojmë që historia të mos përsërisë veten. Në raste të tjera ne themi kurrë më, ndaj ky është rasti kur themi si ngjarje të tilla mos përsëriten më dhe kjo arrihet duke vendosur rregulla si toleranca, të drejtat e njeriut, zbatimi i ligjit, dhe këto janë vlerat evropiane”, vijoi ai.

Ambasadori Bergner, u ndal edhe te rruga e Shqipërisë drejt integrimit në familjen evropiane, ndërsa theksoi se Gjermania e mbështet vendin tonë në këtë proces.

“Ne mbështesim dhe jemi të lumtur që populli shqiptar është në linjë me këto parime dhe e mbështesim procesin e integrimit sidomos në pjesën teknike por duhet të vlerësojmë edhe ata që zbatojnë vlerat e Evropës në përditshmëri, por edhe ata që qëndrojnë për të kërkuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit. Do doja të thosha që ky është një moment që duhet të shërbejë për të mësuar nga e shkuara, për të memorizuar, për të nderuar viktimat dhe ndarë dhimbjen me familjet dhe për të parë përpara”, pohoi Bergner.

Bergner u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me protestat që prej 36 ditësh po mbahen në Tiranë, ndërsa tha se çdo aktivitet i shoqërisë civile që është në përputhje me BE-në është i mirëpritur.

“Protestat e dhunshme nuk janë në përputhje me BE, kush duhet fajësuar për këtë është ende në diskutim. Protestat janë të mirëpritura sepse mbështesin vlerat e BE-së, siç e shohim ne”, përfundoi ai.

/e.i/j.p/

The post Bergner: Dhuna në protesta, jo e përputhshme me vlerat e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët vijojnë protestën para Kryeministrisë në ditën e 36

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Qytetarët janë mbledhur sërish sot në protestën e 36 me të njëjtin itinerar, duke nisur nga sheshi “Skënderbej”, për të vijuar marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Një prej organizatorëve të protestës, Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve me megafon nga sheshi “Skënderbej”, që të mos bien pre e propagandës.

“Në shesh dalin ata që e kanë kuptuar që protestohet në mënyrë paqësore deri në rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Kola.

Ai u shpreh se “protesta deri në fund do të jetë paqësore pavarësisht se oligarkët dhe qeveria nxit njerëz për të parë dhunë”.

Ndërsa Albion Nikolli, një tjetër protestues që u lirua sot nga qelia pas arrestimit në protestën përpara Parlamentit, tha se është dhunuar brenda ambienteve të komisariatit.

“Nuk kemi marrë ndihmë mjekësore dhe nuk na është bërë ekspertizë. Kam shenja në trup nga dhuna, jo vetëm unë”, tha Nikolli.

Në podiumin e fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë, një protestues u shpreh se po kërkohet fundi i tranzicionit.

“Nuk kërkojmë më shumë se fundin e tranzicionit dhe procese demokratike. Bindju zërit të protestuesve. Dorëheqje! Hapni rrugën ajkës së Shqipërisë, të bëhet një qeveri teknike”, tha ai.

Një tjetër aktiviste e protestës, në ditën e 36-t të organizimit, u ndal te tubimi i ditës së djeshme. Ajo u shpreh se protesta e djeshme ishte ndër më masivet dhe pati jehonë edhe në mediet ndërkombëtare. “Reagime pati në BE dhe Amerikë, si pasojë e vullnetit tonë. Shqiptarët dhe diaspora bashkë dhe do ta rrëzojnë qeverinë”, tha ajo.

Një qytetare lexoi kërkesat e nismëtarëve dhe pjesëmarrësve të protestës: dorëheqja e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj, ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Po ashtu, nismëtarët e kësaj proteste kërkojnë r anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe statusin e kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Në foltore kanë përcjell mesazhet e tyre qytetarë të moshave të ndryshme. Një protestuese u shpreh se “duhet të organizohemi sa më parë, të krijojmë një pol të tretë”.

“Jemi në vitin 1991 sërish, por kësaj here kërkojmë liri, demokraci dhe e duam Shqipërinë si gjithë Evropa seriozisht. Ju them që mund të krijohen disa lëvizje dhe qëllimi është të përkthehen në parti politike. Sa më shpejt ta realizojmë, aq më shpejt ndodh përmbysja e këtij sistemi. Intelektualë mos qëndroni indiferentë, është momenti për të reaguar, bëni zgjedhjen tuaj”, theksoi ajo nga foltorja e tyre para Kryeministrisë.

Ndërsa një qytetare e ardhur nga Milano u shpreh se “sot më shumë se kurrë duhet të demonstrojmë se jemi të bashkuar. Mos harroni. Ne jemi jemi rritur me diktatura të ashpra. Jemi rritur në kohën e Sali Berishës që vrau miliona bijë nënash. Nënat janë veshur me shami të zeza. Mos harroni vëllezër, Saliu hapi depot, duke shitur armët, duke futur përçarjen mes nesh, duke na vrarë djemtë e nënave dhe duke hedhur baltë mbi ne. Duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Me thirrjet “Shqipëri e Re” dhe “Rama, jep dorëheqjen”, pas rreth dy orësh fjalime përballë Kryeministrisë, protestuesit vijuan me marshimin në rrugët e Tiranës.

/e.i/ /a.g/

The post Qytetarët vijojnë protestën para Kryeministrisë në ditën e 36 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Demokracia është fryt i dialogut, jo i forcës dhe intimidimit

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha reagoi në lidhje me protestën e mbajtur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet.

Në një postim sot në rrjetin social X, ministri Hoxha tha se “nga flamingot tek arkivoli, nga mbrojtja e mjedisit te gjyqi publik, nga shqetësimi qytetar te papërgjegjshmëria, nga protesta paqësore te dhuna, nga vizioni për një Shqipëri të Re, te rikthimi i një Shqipërie déjà vu – të vjetër, të kapërcyer dhe të papranueshme”.

“Quo vadis? Demokracia, liria dhe të drejtat nuk janë të dhëna. Ato janë fituar me mund, sakrifica dhe përgjegjësi. Janë fryt i dialogut, jo i intimidimit; i urtësisë dhe pjekurisë shoqërore, jo i imponimit”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha deklaroi se “Shqipëria 2030, ajo që ëndërronim e që duam, anëtare e Bashkimit Evropian, më e zhvilluara ndonjëherë, më demokratike dhe më e arritura në historinë e saj, mund dhe do të ndërtohet vetëm me punë, vizion dhe përkushtim”.

“Me rininë, me atë që sheh vetëm përpara, për të ndërtuar, sepse kemi ende shumë për të bërë. Bashkë!”, përfundoi Hoxha.

/e.i/

The post Hoxha: Demokracia është fryt i dialogut, jo i forcës dhe intimidimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo!

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot lidhur me protestat që po mbahen prej më shumë se një muaji në kryeqytet.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ndau një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në protestën e fundit dje në Tiranë, ndërsa në pamjet e publikuara shfaqet një arkëmort, të cilin e mbanin në krahë një grup protestuesish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“20 vjet më parë arkëmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke i rënë portës së saj si dikur në mesjetë, për të hedhur poshtë qeverinë. Ndërsa mbrëmë arkëmorti u rishfaq si rezultati krejt i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes më lart të këtij vendi, duke e kthyer kokëposhtë Shqipërinë e ngritur më në fund në këmbë, pas një gjunjëzimi të gjatë, politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht”, u shpreh Rama.

Duke bërë një paralelizëm mes dy kohësh, momentin e ceremonisë mortore të Azem Hajdarit në vitin 1998 dhe situatës së djeshme përpara godinës së Kryeministrisë, Rama bëri thirrje që protesta të mos përdoret si alibi për dhunë apo për përplasje politike, ndërsa theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të mos humbur drejtimin e së ardhmes.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

Të dashur flamingo

Kjo videokartolinë e trishtueshme është bërë për ata ndër ju që njëzet vjet më parë ishin fëmijë ose ende embrion në barkun e nënës;

për ata që, edhe pse atëherë ishin mjaftueshëm të rritur, Shqipërinë dhe Tiranën e asaj kohe i kanë lënë aq larg pas, sa sot u duken ose sikur nuk kanë ekzistuar kurrë, ose sikur kujtesa për të djeshmen është një barrë që i pengon të kërkojnë më shumë nga e sotmja;

dhe për ata që u larguan nga Shqipëria e Tirana, por që së fundmi kthehen për një rrugë e dy punë, nga një anë pushime në Shqipërinë e re të një realiteti të transformuar me reforma, punë, mund e durim kolosal, nga ana tjetër dalje në protestë për një “Shqipëri të re”.

Një Shqipëri çelësash magjikë, në emër të së cilës kërkohet që kontrata zgjedhore me popullin të shkelet me autokolona makinash të veshura kuqezi.

Predikohet që institucionet demokratike duhet të shënjestrohen e çlirohen me forcë si kështjella armike.

Justifikohet dhuna ndaj të zgjedhurve të popullit që duhen penguar të hyjnë e dalin nga puna në Kuvendin e Shqipërisë.

Dhe përcaktohet nga një “popull” i vetëshpallur në rrugë, se kush është atdhetari e kush tradhëtari, kush shkon në burg, kush ndëshkohet e kush lëvdohet.

Nuk është qëllimi im t’ju them se ishit gabim, përderisa protesta juaj u katandis në një kopje të zmadhuar të protestave të shëmtuara të kënetës politike.

Jo, ju nuk ishit aspak gabim kur u ndjetë të zënë në një kurth problemesh më të mëdha se sa fuqia juaj për t’i zgjidhur dhe ku gjetët njëri-tjetrin me sekëllditë e me shpresat tuaja.

Jo, ju nuk jeni gabim as sot nëse ndiheni mirë duke u njehsuar si një bashkësi e madhe njerëzish nga të gjitha rrugët e jetës, me zogjtë, me natyrën, me tokën, me atdheun, me Shqipërinë.

Jo, ju nuk jeni gabim, që kërkoni të ngriheni mbi përditshmërinë e zakonshme dhe të kërkoni nga ky vend shumë më tepër sesa është arritur deri më sot.

Kjo nuk është vetëm e drejtë. Kjo është e nevojshme.

Dhe sado çuditshëm mund t’ju tingëllojë, unë ju jam falenderues për dritën e shpresës dhe të alarmit që ju ndezët me energjinë e protestës suaj paqësore, po kjo është një bisedë më e gjatë për një ditë të afërt.

Është e drejta juaj të kërkoni nga jeta në këtë vend, shumë më tepër se sa është arritur në harkun kohor mes arkëmortit që 20 vjet më parë kishte brenda një të vdekur dhe arkëmortit që mbrëmë, në të njëjtin bulevard, kishte brenda humnerën mes jush dhe atyre që dritën e protestës suaj e futën në një arkëmort.

20 vjet më parë arkëmorti u përdor për të ngjitur shkallët e kështjellës së kryeministrisë dhe i vdekuri u bë mish për top, duke i rënë portës së saj si dikur në mesjetë, për të hedhur poshtë qeverinë. Ndërsa mbrëmë arkëmorti u rishfaq si rezultati krejt i pritshëm për mua i një përpjekjeje të orkestruar për të thyer shkallët e ngjitjes më lart të këtij vendi, duke e kthyer kokëposhtë Shqipërinë e ngritur më në fund në këmbë, pas një gjunjëzimi të gjatë, politikisht, ekonomikisht, ndërkombëtarisht.

Po, ishte krejt i pritshëm për mua. Sepse nuk është as e para dhe as e fundit Shqipëria, ku duar të stërvitura armiqsh e dashakëqinjsh të shoqërive demokratike (me fatet e lidhura me Bashkimin Europian a me Shtetet e Bashkuara), hyjnë, marrin nën kontroll e bëjnë çmos të devijojnë në dëm të këtyre shoqërive, protesta që lindin si shprehje ndjenjash të sinqerta nga barku i shoqërisë, jo nga konspiracionet ndërkombëtare.

Natyrisht, ato duar e marrin nën kontroll një protestë edhe falë zellit të sallahanëve që ka çdo vend, e që këtu janë të mirënjohur nga të gjithë, llapaqorrat me shokë, të cilët kujtuan se u bë bulevardi kos dhe e rrethuan menjëherë protestën tuaj, si hienat sorkadhen. Pas hutimit të fillimit, hynë në lojë edhe ujqit e lodhur të Rrugës së Shpresës, që për t’u maskuar si patriotë i dhanë hov tregtisë së qelesheve në mes të vapës. E kur ju nisët të shtegtoni nga bulevardi duke krijuar boshllëqe për fotografitë “200 mijëshe” të medias ndërkombëtare, u mobilizuan edhe çakenjtë e “diasporës” nga Prishtina e nga Tetova, të cilët panë në bulevard vatrën e shumëpritur për benzinën e tyre të urrejtjes ndaj Tiranës zyrtare, ku s’kanë gjetur dhe s’kanë për të gjetur asnjë hapësirë për të zhvilluar deliret e tyre nacional-folklorike. Sepse Tirana është kryeqyteti i Europës së Ballkanit, jo kryeqeleshe iluzionesh nacional-komuniste, nacional-islamiste apo nacional-izolacioniste.

Sigurisht që ato duar e ato forca që janë përzier në çorbën e arkmortit, nuk e kontrollojnë njëra-tjetrën apo më saktë, kanë papajtueshmëri ekstreme mes njëra-tjetrës. Por asnjë papajtueshmëri s’ka rëndësi sot për to, sepse sot i bashkon, disa me vetëdije e shumë të tjerë qorrazi, qëllimi i errët për ta ndalur Shqipërinë dhe kthyer së prapthi, mu në kilometrat fundit të rrugës shumëshekullore drejt diellit që lind ku perëndon. Po as kjo nuk është një bisedë për sot, aq më tepër që ju s’keni asnjë lidhje me ta.

Sot ka një gjë kryesore për të thënë. Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo! Ju jeni bërë, pa autorizimin tuaj dhe jashtë dëshirës suaj, alibia e një arkëmorti të rikthyer në bulevard si shëmbëlltyrë e mallkimit që e ka ndjekur Shqipërinë qysh prej vitit 1912; duke përdorur gjithmonë atdheun, flamurin dhe sovranitetin si lëndë të para për të ushqyer urrejtjen mes shqiptarëve dhe si gozhda ndëshkimi që, më shumë se një herë, e kanë kyçur këtë vend në humnerën brenda atij arkëmorti.

Ama kjo videokartolinë e trishtë nuk është kurrësesi një thirrje, që ju të hiqni dorë nga ndjenjat e mendimet që ju bënë bashkë. Jo, kjo është vetëm një ftesë miqësore që ju të mos hiqni dorë në asnjë mënyrë nga kujtesa. Sepse historia nuk është një barrë nga e cila shpëtojmë duke e flakur jashtë vëmendjes sonë, po është busulla që nuk na lejon të humbasim rrugën tonë.

Kush harron nga vjen, nuk di më se ku po shkon.

Love!

/e.i/r.e/

The post Rama: Ajo protestë nuk është më e juaja të dashur flamingo! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: PD do të vijojë të mbështesë protestat dhe kërkesat e qytetarëve

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike përshëndeti sot, shqiptarët që morën pjesë në protestën kombëtare qytetare të së shtunës.

Me një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se dje shqiptarët përsëritën 20 shkurtin e vitit 1991 dhe me simbolizma organizuan funeralin politik të Edi Ramës.

“Mbrëmë, qindra-mijëra protestues përmbysën, para zyrave të tij, shtatoren e narkodiktatorit Edi Rama dhe i organizuan, me simbolizma, funeralin e tij politik. Sot në vend të dorëheqjes, Edi Rama urdhëroi përsëri, të provojë apo të reklamojë suksese dhe të anatemojë protestën e qytetarëve. Ai foli për një korrje të zezë dhe ujërat që rrjedhin ndër të”, tha Berisha.

Sipas Berishës, protesta përfaqësoi një kërkesë qytetare për ndryshim dhe për largimin e Kryeministrit.

Kreu i PD-së kërkoi dorëheqjen e Ramës, si edhe plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat, sipas tij, përkojnë me qëndrimet e Partisë Demokratike.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestat dhe kërkesat e qytetarëve.

“Duke shprehur mirënjohje për ata qindra-mijëra shqiptarë që protestuan dje në mënyrën më të fuqishme, më madhështore, garantoj se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbështetje të protestës dhe kërkesave të tyre”, vijoi ai.

Në reagimin e tij, kreu i PD-së kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj protestës, duke bërë thirrje për shmangien e dhunës.

/e.i/r.e/

The post Berisha: PD do të vijojë të mbështesë protestat dhe kërkesat e qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata lë në arrest shtëpie dy protestues, për të tjerët detyrim paraqitje

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Gjykata e Tiranës caktoi sot masat e sigurisë për 19 personat e arrestuar gjatë protestës së zhvilluar dy ditë më parë para Kuvendit.

Trupi gjykues ka caktuar masën detyrim paraqitjeje për 12 prej protestuesve, ndërsa dy persona do të qëndrojnë në masën arrest në shtëpi. Për pesë të tjerët, gjykata nuk ka vendosur masë sigurie.

Sipas medieve, gjykata ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e protestuesve. Për personat ndaj të cilëve është caktuar masa detyrim paraqitjeje, paraqitja pranë autoriteteve do të bëhet një herë në muaj ose një herë në dy muaj, sipas përcaktimit të vendimit gjyqësor

/e.i/r.e/

The post Gjykata lë në arrest shtëpie dy protestues, për të tjerët detyrim paraqitje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita e 35-të e protestës, para kryeministrisë edhe qytetarë nga diaspora

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Në Tiranë pasditen e së shtunës, në orën 19:00, nisi protesta e 35-të ku qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë.

Me flamujt kombëtarë e ato të SHBA-së, protestuesit marshuan nga sheshi “Skëndërbej” drejt  godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit ritheksuan kërkesat e tyre.

Protesta e sotme është mbarëkombëtare ku është thirrur për të marë pjesë edhe diaspora.

Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe klasës aktuale politike. Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë masivisht.
Duke marrë fjalën njëri prej organizatorëve Dritan Goxhaj, tha se “sot në ditën e pavarësisë së SHBA, i urojmë popullit amerikan 250 vjetorin e pavarësisë’.
“SHBA aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e çmuar e popullit shqiptar. Kujtojmë një dokument më me ndikim, deklaratën e Pavarësisë që ishte shpallja e një parimi që frymëzon popujt anembanë botës se të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe gëzojnë të drejta të patjetërsueshme. Kur të drejtat e njerëzve nuk mbrohen shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshime me mjete paqësore”, tha ai.
Ndërsa “Lironi protestuesit”, “Ju erdhi fundi”, ishin disa nga mesazhet që organizatorët kanë përcjellë në thirrjen e tyre për pjesëmarrje në protestë.

Ndërkohë vëmendjen më të madhe e morën simbolikat e zgjedhura për ditëlindjen e kryeministrit. Protestuesit sollën fillimisht një tortë prej betoni me mbishkrimin “edhe 100 vite në burg”, të dekoruar me flamingo, i kthyer në simbol të protestës e nisur fillimisht kundër investimit në Zvërnec.

“Ramën e kemi rrëzuar me kreativitetin tonë”, tha një protestues.

Nga podiumi u përsërit edhe kërkesa për lirimin e protestuesve të arrestuar pas përplasjeve te Kuvendi. Familjarë të tyre morën fjalën, duke pretenduar se ndaj tyre u ushtrua dhunë nga policia, ndonëse këta të fundit u sulmuan me gurë gjatë tubimeve.

Organizatori Edison Lika para Kryeministrisë deklaroi se në shtator do të jenë më të shumtë.

Protestuesit njoftuan se do të mblidhen sërish të dielën, në orën 09:00, përpara Gjykatës, ku personat e ndaluar gjatë protestës para Kuvendit pritet të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit zhvilluan edhe marshimin e përnatshëm në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.

Në fund protestuesit u ndalën tek komisariati numër 3 në Tiranë tek rriga Mine Peza”, ku u shënuan edhe tensione. Rreth orës 23:45 ishte një grup qytetarësh, disa prej të cilëve të maskuar, që me gurë e shkopinj sulmuan komisariatin duke thyer xhamat. Ata kërkuan lirimin e 21 protestuesve të arrestuar paai akuzohen për aktet e dhunës tlnë Kuvendil.

Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm, duke krijuar një kordon sigurie në të gjithë perimetrin e komisariatit. Po ashtu, u përdor edhe ujë për të shpërndarë protestuesit.

Një grup protestuesish u ulën në tokë përballë kordonit të policisë me thirrjet “lironi çunat”, “polici e krimit”, “nuk kemi frikë”. Mes protestuesve pati edhe debat. Një prej tyre bëri thirrje me megafon që të largohen dhe të rinisin marshimin, pasi nuk janë për akte dhune, por disa tjerë ju përgjigjën “jo, jo”.

/e.xh/a.f/

 

The post Dita e 35-të e protestës, para kryeministrisë edhe qytetarë nga diaspora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJERMANI – Mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestojnë kundër shkurtimeve të planifikuara

SHTUTGART, 3 korrik /ATSH-DPA/ – Dhjetëra mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestuan sot në disa qytete të Gjermanisë kundër planit të kompanisë për uljen e kostove dhe shkurtimin e vendeve të punës.

Sindikata “IG Metall” paralajmëroi se industria automobilistike gjermane do të përballet me një “verë të nxehtë” protestash dhe veprimesh sindikale.

Sipas “IG Metall”, rreth 20 mijë punonjës morën pjesë në protestën kryesore në Sindelfingen, pranë Shtutgartit, ku ndodhet një nga fabrikat më të rëndësishme të Mercedesit.

Ndërkohë, kompania deklaroi se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 10 mijë vetë.

Kreu i këshillit të punëtorëve të “Mercedes” – it, Ergun Lümali, kritikoi drejtuesit e kompanisë, duke thënë se punonjësit nuk i pranojnë planet e bordit për shkurtimet dhe cënimin e të drejtave të fituara ndër vite.

Pakënaqësia lidhet me planet për reduktimin e vendeve të punës, ndërsa” Mercedes”, ashtu si prodhues të tjerë gjermanë të automjeteve, përpiqet të rikthejë konkurrueshmërinë përballë rënies së kërkesës, kostove të larta të energjisë dhe konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë.

Presidentja e” IG Metall,” Christiane Benner, deklaroi se konkurrueshmëria nuk mund të arrihet duke përkeqësuar kushtet e punës, por përmes investimeve në produkte, fabrika dhe punonjës.

Ajo theksoi se punëtorët nuk janë përgjegjës për krizën që po kalon sektori.

Protesta u zhvilluan edhe në uzinat e “Mercedes” – it në Unterturkheim, Rastatt, Kuppenheim, Bremen, Berlin, Hamburg dhe Germersheim.

Sipas sindikatës, në të gjitha tubimet morën pjesë mbi 33 mijë persona, ndërsa kompania vlerësoi se numri ishte rreth 15 750 persona.

“IG Metall” njoftoi se këto protesta janë vetëm fillimi i një fushate më të gjerë kundër shkurtimeve të vendeve të punës dhe zhvendosjes së prodhimit. Sipas saj, industria automobilistike humbi rreth 50 mijë vende pune gjatë vitit të kaluar dhe ky trend rrezikon të vazhdojë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestojnë kundër shkurtimeve të planifikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forces joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Në një njoftim për mediet, KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

Nga monitorimi i KShH rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë.

“KShH vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës. Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare.

Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale. Referuara standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa lënë kohë për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim. “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forces”.

Po ashtu, “KShH shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv. Standartet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin”, vijon njoftimi

“Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme shëndetësore (sëmundje si epilepsia). Për personat me probleme serioze shëndetësore, GJEDNJ ka theksuar se shteti duhet të sigurojë kujdes mjekësor adekuat dhe se, në rrethana të caktuara, mbajtja në paraburgim e papajtueshme me gjendjen shëndetësore mund të ngrejë çështje sipas nenit 3 të KEDNJ. Ndërkohë, kur i ndaluari është kujdestari kryesor i një fëmije me aftësi të kufizuara, vlerësimi i masës duhet të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe mbrojtjen e jetës familjare”, thuhet në njoftim

“KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. As dhuna ndaj policisë nuk mund të relativizohet, ashtu sikurse as dhuna e policisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e individëve të veçantë”, lexohet në njoftim.

Në këtë kuadër, KShH u bën thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve.

“Policisë së Shtetit të garantojë se në protestat e ardhshme çdo përdorim force do të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar, përveç rasteve të një rreziku real dhe të menjëhershëm; Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të distancohen qartë nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimit;

Deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve publike të shmangin transemtimin e videove që nuk paraqesin një panoramë të plotë të mënyrës se si është arritur në përshkallëzimin e protestës, duke shmangur gjuhën e urrrejtjes që etiketon në mënyrë kolektive protestuesit ose që përdor incidente individuale për të delegjitimuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar”, përfundon njoftimi.

The post Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ku inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit.

Investimi i ri u ofron kushte moderne pune 332 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmirëson ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve, duke shënuar përmbylljen e investimeve në të gjitha drejtoritë vendore të policisë në shkallë vendi.

Pas vizitës, ministri Lamallari iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me ngjarjet e protestës së një dite më parë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, gazetarëve dhe institucioneve publike është e papranueshme dhe do të trajtohet sipas ligjit.

Ai nënvizoi se faktet e dokumentuara tregojnë se efektivët e policisë u sulmuan me gurë dhe sende të forta, duke mbetur të plagosur disa prej tyre, ndërsa u regjistruan edhe akte dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe dëmtime të pronës publike. Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe ushtrimin e lirë të detyrës nga gazetarët.

“Unë i kam parë dhe video është e hedhur dhe në rrjetet e mia sociale, mund ta verifikoni këtë. E sigurisht duke i uruar shërim të shpejtë kolegëve, jo vetëm atyre që unë vizitova, por edhe kolegëve të tij, të cilët kanë dhe familjarë, të cilët ishin të shqetësuar. Nga ana tjetër një fakt tjetër, ishin dhe kolegët tuaj gazetarë, të cilët ndonëse u pretendua se ishin dhunuar nga Policia, faktet janë komplet ndryshe. Kishim më herët një thirrje të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënin thirrje Policisë së Shtetit për të garantuar gazetarët, në kryerjen e detyrës së tyre dhe pamjet më vonë, që u administruan dhe nga ana jonë, ishin pamje ku gazetarë, kolegët tuaj në fakt u konfrontuan me protestues, të cilët donin të merrnin mikrofonat prej tyre dhe për më tepër kishte dhe shtyrje të tyre”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari cilësoi se duhet të ketë dallim mes protestës dhe dhunës që ushtrohet nga një grup personash.

“Policia e Shtetit është një organ ligjzbatues dhe në neutralizimin e situatave dhe eskalimin e tyre, sigurisht duhet të ushtrojë atributet që jep ligji, për të mos lejuar përshkallëzim të tyre. Kështu që, pa dyshim kurdoherë që janë konstatuar dhe janë dokumentuar dhe me video, me pamje të hedhura tashmë dhe në rrjetet sociale dhe në mediat kombëtare, ku protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t’u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë”, vijoi ai.

“Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën. Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, përfundoi Lamallari.

/e.i/a.f/

The post Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Unioni i gazetarëve: Aktet e dhunës mbi gazetarët gjatë protestës të papranueshme, autoritetet të mbajnë përgjegjës autorët

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në një deklaratë për mediet ka dënuar agresionin verbal dhe atë fizik ndaj reporterëve, operatorëve dhe punonjësve të mediave, madje dhe mbi automjetet e mediave në krye të detyrës.

Duke iu referuar protestës së ditës së sotme, përpara godinës së Parlamentit, UGSH thekson në deklaratë se akte të tilla banditeske janë krim.

“Ato në asnjë mënyrë nuk mund të tolerohen. Ndërhyrja e protestuesve mbi mikrofonat me logo të reporterëve, ndaj kamerave të operatorëve dhe pjesëtarëve te stafeve mediatike në krye të detyrës, janë veprime të dënueshme. Kushdo qofshin ata protestues, veprimet dhe aktet sulmuese të tyre ndaj reporterëve janë një arsye e plotë për të denoncuar dhe paditur ligjërisht”, thuhet në deklaratë.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkon gjithë kolegëve të publikojnë dhe afishojnë, me zë dhe figurë, çdo agresion dhe agresor të tyre.

UGSH kërkon nga Policia e Shtetit të ndalojë dhe vërë para përgjegjësisë ligjore çdo sulmues, agresor, shantazhues dhe intimidues të gazetarëve në detyrë.

“Kërkojmë nga autoritetet e Policisë së Shtetit të ushtrojnë autoritetin e tyre për garanci, siguri dhe të drejtë ushtrimi të profesionit për gazetarët dhe operatorët, pavarësisht për cilën medie raportojnë. Aktet e sotme janë veprime kriminale ndaj mediave dhe gazetarëve”, vijon deklarata.

UGSH vëren se gjatë të gjitha orëve dhe ditëve të protestave të realizuara në kryeqytet të gjithë reporterët, fotoreporterët dhe operatorët e mediave janë të identifikuar me dokumentet dhe simbolet profesionale.

UGSH u drejtohet posaçërisht të gjithë organizatorëve, të shpallur publikisht ose jo, se duhet të ushtrojnë dhe marrin përgjegjësinë e tyre për aktet rrugaçërore, veprimet dhe sulmet kriminale dhe sidomos pengimet dhe fyerjet, disa herë me grupe, që ka pasur ndaj reporterëve të mediave në detyrë, gjatë ditës së sotme.

“Në të njëjtën kohë i drejtohemi drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ministrit të Brendshëm, të ushtrojnë autoritetin e tyre të plotë, pasi në disa raste punonjës policie i kanë akuzuar reporterët dhe fotoreporterët se po punojnë për të huajt, ndërkohë që ata janë të identifikuar. Ne kërkojmë prej jush që rastet e sotme të dhunimit të gazetarëve nga protestues dhe aq më tepër edhe nga punonjës policie, të vlerësohen me urgjencë dhe të bëhen objekt i gjykimit dhe vlerësimit ligjor”, theksohet në deklaratë.

UGSH vëren se dita e sotme me episodet e pazakonta agresive dhe dhunuese ndaj gazetarëve, ishte paralajmëruar prej organizatës me deklarata të njëpasnjëshme, ku theksohej agresioni verbal në shtim nëpër rrjetet online dhe disa mediume ndaj gazetareve dhe mediave te ndryshme.

“Dita e sotme shënon një rekord alarmant agresionesh fizike dhe kërcënimesh ndaj lirisë raportuese dhe integritetit fizik të gazetarëve. Ky realitet kritik meriton të vlerësohet nga të gjithë aktorët, institucionet dhe protestuesit si një ditë e keqe për lirinë e ushtrimit të profesionit dhe raportimin e lirë në hapësirën publike dhe në terrenin politik dhe të demonstrimeve qytetare”, përfundon deklarata.

/e.i/j.p/

The post Unioni i gazetarëve: Aktet e dhunës mbi gazetarët gjatë protestës të papranueshme, autoritetet të mbajnë përgjegjës autorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌