TEL AVIV – Netanyahu do të takohet me Trump në Uashington në përpjekje për të ndryshuar tarifat
TEL AVIV, 5 prill /ATSH/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të vizitojë të hënën Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar tarifat gjithëpërfshirëse të shpallura së fundmi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, thanë sot zyrtarët izraelitë dhe një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, sipas “Reuters”
Ky do të jetë udhëtimi i katërt i Netanyahut në Uashington që nga fillimi i luftës në Gazë dhe i dyti që kur Trump mori detyrën në janar.
Vizita do ta bënte gjithashtu Netanyahun liderin e parë të huaj që negocioi personalisht me Trump mbi politikën e re gjithëpërfshirëse të tarifave të presidentit amerikan, e cila përfshinte një tarifë 17% për mallrat izraelite.
Zyra e Netanyahut nuk e ka konfirmuar vizitën, por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë dhe tre zyrtarë izraelitë konfirmuan udhëtimin për “Reuters”.
“Ftesa e papritur e Trump erdhi gjatë një telefonatë të enjten me Netanyahun, i cili aktualisht ndidhet në një vizitë në Hungari, ku lideri izraelit diskutoi çështjen e tarifave”, sipas zyrtarëve izraelitë që folën në kushte anonimiteti.
Faqja e lajmeve “Axios” raportoi fillimisht, udhëtimin e planifikuar, duke thënë se të dy udhëheqësit kishte të ngjarë të diskutonin edhe luftën në Gazë dhe krizën bërthamore të Iranit.
Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce tha dje se sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kishte folur me Netanyahun për të theksuar mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.
“Ata diskutuan situatën në Gazë dhe vendosmërinë e administratës për të liruar pengjet në Gazë dhe tarifat e shpallura së fundmi”, tha Bruce.
“Trump bisedoi gjithashtu me përfaqësues nga Izraeli, India dhe Vietnami për të negociuar marrëveshjen tregtare duke synuar lehtësimin e tarifave të propozuara për ato vende përpara se taksat të hynin në fuqi javën e ardhshme”, raportoi CNN. //a.i/
The post TEL AVIV – Netanyahu do të takohet me Trump në Uashington në përpjekje për të ndryshuar tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.