Normal view

Received yesterday — 2 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protestat kundër ndarjes së re territoriale, Rama: Bashkitë të shprehen me shkrim, vendimi pas konsultimit 60-ditor

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Kryeministri, Edi Rama, reagoi sot ndaj kundërshtimeve për propozimin e Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale, duke i cilësuar si normale protestat që u zhvilluan në disa bashki.

Rama tha se dokumenti i reformës ndodhet në fazën ligjore të konsultimit 60-ditor, gjatë së cilës çdo qytetar dhe institucion ka të drejtë të shprehë mendimin.

Sipas tij, kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë janë të detyruar me ligj të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre.

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, pse tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për “regjimin”.

“Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.

“Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.

“Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë”, shkruan Rama.

Rama nënvizoi se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim brenda PS-së që pengon shprehjen e lirë të opinioneve për reformën. Ai shtoi se vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi, ndërsa gjatë konsultimit do të dëgjohen të gjitha palët, përfshirë bashkitë që kërkojnë ndryshime në propozimin aktual.

“Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë”, shkruan Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se gjatë 60 ditëve të konsultimit do të shpjegohen më gjerësisht arsyet që kanë çuar në hartimin e reformës, duke sqaruar se propozimet janë bazuar në kritere objektive.

“Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat”, theksoi Rama.

/m.q/j.p/

The post Protestat kundër ndarjes së re territoriale, Rama: Bashkitë të shprehen me shkrim, vendimi pas konsultimit 60-ditor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët vijojnë protestën në ditën e 63-të në Tiranë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Qytetarë, aktivistë dhe pjesëmarrës të ardhur nga diaspora u mblodhën pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 63-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec si dne me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Arben Kola tha se “mërgata sot është e pranishme, kemi nga Gjermania, Italia, Franca, Belgjika, Zvicra. Nëse shqiptarët nuk zgjohen, mërgata nuk do ta lërë vendin në dorën e tradhtarëve. Do t’ju tregojmë se mund të manipuloni një pjesë të shqiptarëve brenda atdheut, por jo ata jashtë. Shqiptarët do të binden se do ta rrëzojmë Ramën nga karrigia dhe do ta shpallim non grata së bashku me Bajram Begajn dhe Ferit Hoxhën”.

Një qytetar që jeton jashtë, tha se “kam 30 vjet që jetoj jashtë vendit, fëmijët kanë ardhur këtu dhe nuk kanë asnjë të ardhme”.

Një tjetër aktivist në fjalën e tij u ndal tek reforma territoriale duke theksuar se “përveç protestës në Tiranë, këto ditë janë mbajtur edhe protesta në qytete, sepse kërkojnë të shkrijnë një sërë bashkish të vogla. Sot ishim në Belsh për t’i mbështetur. Sot iu bëj thirrje të gjithëve që duhet të jemi për decentralizim dhe jo centralizim të mëtejshëm”.

Një ri në fjalën e tij tha se “jemi këtu për qëllimin më të madh, po tregojmë se jemi të bashkuar. Ky zë dhe bashkim i ka mbytur zërat e tyre. Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe që kemi dashur, kërkojmë që kryeministri të japë dorëheqjen. Siç e keni parë qeveria kërkon shpopullim duke mbyllur bashki dhe duke lënë njerëzit në harresë. Ka bashki historike dhe ai kërkon ti mbyllë”.

Ai kërkoi nga kryeministri Rama që ti lërë njerëzit të vendosin nëse duan apo jo bashki.

Aktivisti Edison Lika ka bërë thirrje për qytetarët e 15 bashkive që sipas propozimit të mazhorancës priten të shkrihen.

“Jemi në shesh për 15 bashkitë e vogla, që kërkohet t’ju vendoset dryni. Sot ne kemi një të zgjedhur për 40 mijë banorë, do të shkojë 1 për 50 mijë banorë. Le të përmendim bashkitë të cilave do t’ju vendoset dryni: Të na bashkohet Fushë-Arrëzi, të na bashkohen qytetarët e Klosit, Rrogozhinës, Dimalit, Poliçanit, Patosit, kësaj lëvizjeje t’i bashkohen qyetarët e Selenicës, Memaliajt, Cërrikut, Belshit, Prrenjasit, Maliqit, Devollit dhe të kërkojmë dorëheqje”, tha Lika.

Ai po ashtu informoi se nesër do të mbahet një protestë në Shkodër kundër ngritjes së konsullatës serbe atje.

Edhe në ditën e 63-të, protestuesit përsëritën se do të vijojnë çdo ditë tubimet dhe marshimet e tyre.

Pasi qëndruan për disa orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës.

 

Dita e 63-të e protestës; Fotoreporter: Andrin Hoxha
1 nga 14

/k.s/r.e/

The post Qytetarët vijojnë protestën në ditën e 63-të në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Qytetarë e aktivistë u mblodhën edhe pasditen e sotme në kryeqytet, në protestën e 61-të kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec, me kërkesat për largimin e qeverisë dhe klasës së vjetër politike.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.

Kërkesat, veç anulimit të projektit në Zvërnec, janë edhe politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Edison Lika tha se nis rrugëtimi i muajit të tretë dhe të pandalshëm të protestës, me mision dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Lika tha se pesë kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe lexohen çdo ditë nga qytetarët, kurse mendimet e shprehura nga podiumi janë të lira.

“Ky mikrofon i protestës është një akt lirie për çdo qytetar që të shprehë mendimin e tij të lirë. Kurse 5 pikat tona dihen se kush janë dhe që lexohen çdo ditë në këtë protestë dhe janë të panegociueshme”, tha ai.

Një i ri tha nga foltorja se protesta nuk bëhet për interesat personale të gjithsecilit, por për një Shqipëri të re, që duhet të ndryshojë.

Një prej aktivistëve të protestës njoftoi se Diaspora do të jetë pjesë e protestës kombëtare të 1 gushtit në bulevard, duke apeluar që të gjithë shqiptarët dhe emigrantët t’i bashkohen sheshit atë ditë.

(vijon…)

Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 11

 

/r.e/

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e 61-të në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 60-të për Zvërnecin në kryeqytet

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Protesta për investimin e planifikuar në Zvërnec hyri sot në ditën e gjashtëdhjetë ndërsa aktivistë e qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.

Me pankarta dhe parulla, protestuesit kanë disa kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Kërkesat e tyre vijojnë të mbeten të njëjta, duke kërkuar ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe shfuqizimin e igjit për investitorët strategjikë, Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Aktivisti Ilir Xhemalaj deklaroi se qytetarët nuk do të largohen nga sheshi derisa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen, ndërsa rrëfeu edhe një takim me një nënë në Lushnjë, e cila i kërkoi të mos e ndalin protestën derisa djali i saj emigrant të kthehej në Shqipëri.

Një i moshuar apeloi për reagim nga intelektualët, pedagogët, mësuesit dhe shoqëria civile, duke kërkuar që të mos heshtin përballë situatës politike në vend.

Protestues të tjerë bënë thirrje për të mos u larguar nga sheshi derisa kryeministri Rama të japë dorëheqjen. Ata u shprehën për qëndresë duke deklaruar se qytetarët shqiptarë kanë vrarë frikën.

Në protestë foli edhe aktori Mehdi Malkaj i cili nuk e cilësoi të besueshëm dokumentin e propozuar nga Kryeministri Rama të titulluar “Besa”. Sipas tij, Rama është ish-kryeministër ndërsa bëri thirrje që protestat të vazhdojnë.

Protesta pas fjalimeve të qytetarëve dhe aktivistëve u mbyll me marshimin në bulevard.

Protesta e 60-të për Zvërnecin në kryeqytet, foto: Florian Abazaj
1 nga 5

 

The post Protesta e 60-të për Zvërnecin në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha për protestën: Asnjë pushtues nuk ka vendosur një shtetrrethim të tillë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi ditën e sotme se masat e marra nga Policia për mbarëvajtjen e protestës para Kuvendit i ngjajnë një shtetrrethimi.

Berisha tha në deklaratën për gazetarët se “një shtetrrethim i tillë nuk është vendosur nga asnjë pushtues dhe në asnjë vend”.

“Kjo është historia më e turpshme. Një vend anëtar i NATO-s vendos një shtetrrethim të tillë ndaj qytetarëve sikur të ishte Koreja e Veriut. U them sot se qindra e qindra traktorë, zetorë që janë nisur nga të katër anët e Shqipërisë janë bllokuar me urdhër rrugëve, kërcënuar me konfiskim dhe kthyer në mënyrë që të mos mund të shprehin solidaritetin me protestën më të fuqishme të 35 viteve të fundit”, vijoi ai.

Protesta e qytetarëve ka nisur mëngjesin e sotëm përpara godinës së Parlamentit, për t’u shpërndarë në pika të ndryshme të kryeqytetit, nga xhamia e Namazgjasë, te rruga e Elbasanit dhe sheshi “Skënderbej”.

/e.i/a.f/

The post Berisha për protestën: Asnjë pushtues nuk ka vendosur një shtetrrethim të tillë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta para Kuvendit, Policia rrethon zonën

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Qytetarët kanë nisur sot protestën e radhës para Kuvendit, para nisjes së seancës plenare në orën 10:00.

Protesta, e cila nisi me synimin për të kundërshtuar investimin në Zvërnec, tashmë ka parashtruar edhe kërkesa politike, si dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si dhe klasës politike aktuale dhe sot numëron 58-të ditë nga nisja e saj.

Ndërkohë, Policia ka marrë masat duke vendosur perimetër sigurie përreth Parlamentit, duke ndaluar kalimin e makinave dhe lëvizjen e qytetarëve nga qendra tregtare “Toptani” deri te rruga e “Elbasanit”.

Ashtu si për protestën e së enjtes, rrethimi është nga Ministria e Brendshme, pedonalja e deri te Xhamia e Namazgjasë te “Rruga e Elbasanit.”

Në seancën e kaluar parlamentare pati incidente jashtë Kuvendit, ku protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe ministrave.

…vijon

Protesta para Kuvendit, Foto; Andrin Hoxha
1 nga 7
Protesta para Kuvendit, Foto; Andrin Hoxha

/e.i/a.f/

The post Protesta para Kuvendit, Policia rrethon zonën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita e 57-të e protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Qytetarët janë mbledhur pasditen e së dielës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të zhvilluar protestën e radhës kundër qeverisë.

Tubimi i sotëm është dita e 57-të e protestës së qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe klasës politike aktuale.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet e rastit.

Protesta po zhvillohet nën monitorimin e strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masat për menaxhimin e qarkullimit dhe garantimin e rendit publik gjatë zhvillimit të tubimit.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me situatën politike në vend, ndërsa adresuan thirrje ndaj qeverisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve.

Në fjalët e tyre, protestuesit deklaruan se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, ndërsa u shprehën edhe kundër ndryshimeve të mundshme në kuadër të reformës territoriale, duke kërkuar ruajtjen e bashkive si Konispoli dhe Delvina.

“Rama priste që me rritjen e temperaturave kjo protestë të binte, por kjo është vera e vetmisë së madhe. Ai nuk do ta mbyllë dot verën sepse Revolucioni i Flamingove do të rrëzojë Ramën dhe qeverinë e tij. 57 ditë rezistencë për të bërë të mundur atë që ky kryeministër nuk e bëri për 13 vite sepse është i pabesë”, tha një aktivist.

“Ne ta japim besën që s’do të ikim prej sheshit derisa të të largojmë ty! Ne e mbajmë besën se s’jemi politikanë si puna jote! Jemi shqiptarë që e kemi studiuar historinë tonë! Nuk do të dorëzohemi pa na futur në burg të gjithëve”, tha një protestues.

Ndërkohë pati thirrje edhe për Policinë e Shtetit, pas përplasjeve të disa ditëve më parë në protestën te Kuvendi.

“I bëj thirrje policisë të mos instrumentalizohet se ne jemi këtu edhe për ta, për fëmijët e tyre”, thirri Edison Lika.

Një tjetër protestuese kundërshtoi idenë e shkrirjes së bashkive për reformën e re territoriale.

Si mund të fshihet Konispoli, si mund të fshihet historia e Çamërisë. Delvina? Qeveria nuk po ndjek interesat e popullit, sepse është bërë arrogante, nuk dëgjon. Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe Shqipëria. Nuk mund të zbehet roli historik i Delvinës në shtetformim”, tha ajo.

Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit.

 

/e.xh/

The post Dita e 57-të e protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 56-të.

Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e Qeverisë.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan kastë e vjetër politike.

Një i moshuar, pjesëmarrës në protestë u shpreh se “kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë”.

“Nuk ka zbatuar të drejtat e njeriut. E kanë shkelur që me tokat. Në pushtetin lokal kërkon të drejtë nuk zbatohet, çfarë dreq qeverie është kjo kur nuk zbaton të drejtat themelore të njeriut”, tha ai.

Një tjetër i ri, pohoi nga protesta së “Shqipëria është e korruptuar me banda”, ndërsa u ndal te takimi i Kryeministrit Rama pak ditë më parë në Theth, ku tha se “vetëm 20 persona ishin të pranishëm”.

“Rama në mbledhje kishte 20 veta dhe nuk ishte në Theth, ishte thjesht propagandë. Shqipëria është e korruptuar me banda. 6 çuna i kanë futur në byrektore dhe i kanë rrahur. Mua nuk më kanë prekur se kam nënshtetësi britanike”, tha ai.

Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese, si dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Në përfundim, pjesëmarrësit vijuan marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 19

 

The post Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka injoruar kërkesat e protestuesve, ndërsa pretendoi se lëvizja qytetare “jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për regjimin e tij”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se java që lamë pas u karakterizua nga zhvillime politike dhe parlamentare, duke akuzuar mazhorancën se miratoi ligje dhe ndryshime ligjore që, sipas tij, favorizojnë interesa të caktuara.

“Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të Kodit Civil, të Kodit Detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale. Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West”, tha Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve gjatë protestave të fundit, duke pretenduar se ndaj tyre janë përdorur lëndë kimike dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës.

“Ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e cilësoi si jolegjitim, duke përsëritur akuzat e opozitës për procesin zgjedhor dhe qeverisjen.

Në deklaratën e tij, Berisha kritikoi edhe qëndrimet e kryeministrit lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke pretenduar se Rama ka injoruar rastet e dënimeve të zyrtarëve të lartë në Shqipëri./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Goditën policinë me sende të forta dhe mjete piroteknike, arrestohen 2 protestues

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dijse, se ka identifikuar 32 shtetas që hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të djeshëm të protestës para Kuvendit.

Policia informon se janë arrestuar në flagrancë dy prej tyre, ndërsa u proceduan në gjendje të lirë 30 të tjerët, ndërsa gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie.

Gjatë tubimit, sipas informacionit të policisë, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre, sende të forta, mjete piroteknike dhe sende të tjera.

Sipas Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”;

Po ashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. D., A. M., E. K., E. K., V. H., K. P., A. P., D. D., J. A., E. K., Y. T., M. R., V. M., A. B., S. D., E. I., A. S., E. H., E. S., I. D., E. P., C. M., D. T., E. L., F. A., A. Ç., A. Zh., F. S., A. B. dhe I. M., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kapsolla të cilat u gjetën në një qese plastmasi që e mbante shtetasja e arrestuar A. I.

Gjashtë punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

/e.i/j.p/

The post Goditën policinë me sende të forta dhe mjete piroteknike, arrestohen 2 protestues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Protesta, pasqyrë për të qeverisur Shqipërinë e fazës së re të pritshmërive

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi Kryeministër Edi Rama deklaroi sot se qeverisja ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk gjykojnë më mbi bazën e mungesave të së kaluarës, por mbi pritshmëritë për cilësi më të lartë të jetës dhe shërbimeve.

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u ndal te nevoja për një qasje të re në komunikimin me qytetarët, duke theksuar se faktet dhe arritjet e qeverisë nuk mjaftojnë më për t’iu përgjigjur pritshmërive të shoqërisë.

“Kemi një arsenal faktesh për t’iu përgjigjur gënjeshtrave, shpifjeve dhe akuzave, por faktet tona nuk mjaftojnë më”, u shpreh Rama.

“Prandaj, mësimi i parë që dua të ndaj me ju është se faktet tona nuk mjaftojnë më. Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin, as me inkurajimin e gjërave që ndërtohen. Siç ndodhte deri dje, kur prisnin me besim se, pas shkollës, rrugës apo lulishtes që u ndërtua në lagjen tjetër, t’i vinte radha rrugës, shkollës apo lulishtes së lagjes së tyre. Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’iu përgjigjur”, tha ai.

Rama u ndal te protesta në bulevardin e flamingove, siç e etiketoi ai, duke e cilësuar jo si një protestë, por si një pasqyrë të shoqërisë që duhet të shërbejë për reflektim.

“Kjo ishte një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara për të parë veten dhe për të kuptuar nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për të qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re”, u shpreh Rama.

Rama tha se në atë pasqyrë ai sheh fundin e epokës së mungesave dhe fillimin e epokës së pritshmërive.

Sipas kreut të Qeverisë, në të kaluarën ndërtimi i një rruge, një shkolle apo një lulishteje përjetohej si një fitore kolektive, ndërsa sot këto konsiderohen standarde që qytetarët i presin si të mirëqena.

“Në epokën e pritshmërive, rruga e re është standard, jo fitore. Shërbimi i mirë merret si i mirëqenë dhe çdo mangësi tolerohet gjithnjë e më pak”, tha Rama.

Kryeministri Rama iu referua studiuesit Alexis de Tocqueville, duke kujtuar paralajmërimin e tij se momenti më i rrezikshëm për një qeveri është pikërisht kur ajo nis të ndryshojë gjërat.

Sipas Ramës, ky është realiteti me të cilin përballet sot qeverisja, ndërsa vendi vijon procesin e zhvillimit dhe transformimit në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

/e.i/j.p/

The post Rama: Protesta, pasqyrë për të qeverisur Shqipërinë e fazës së re të pritshmërive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

MSHMS: 17 protestues po marrin shërbim shëndetësor, jashtë rrezikut për jetën

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se aktualisht në strukturat e shëndetit publik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), po marrin shërbim mjekësor gjithsej 17 pacientë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin e MSHMS-së, thuhet se në QSUT janë paraqitur 10 protestues. Prej tyre, 3 pacientë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar nga spitali, sipas këshillës së mjekut.

“Aktualisht, 4 pacientë po marrin trajtim në Urgjencën e QSUT-së, nën kujdesin e ekipit mjekësor, ndërsa 3 pacientë po trajtohen në shërbimin e Toksikologjisë. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.

Sipas MSHMS-së, në Spitalin Universitar të Traumës, po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm nga ekipet mjekësore.

/e.i/j.p/

The post MSHMS: 17 protestues po marrin shërbim shëndetësor, jashtë rrezikut për jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni zonat ku zhvillohet protesta

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëroi sot qytetarët amerikanë, lidhur me protestën që po mbahet përpara Kuvendit.

Sipas njoftimit, protesta po zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në rrugën George W. Bush.

Kjo protestë sipas ambasadës së SHBA-ve, lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërmjet sheshit “Nënë Tereza” dhe sheshit “Skënderbej”.

“Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat dhe të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të ndjekin mediet lokale dhe udhëzimet e autoriteteve.

“Nëse ndodheni në një qytet ku ka një protestë, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme: Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin demonstratat. Jini të vetëdijshëm për mjedisin përreth. Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik. Monitoroni median lokale. Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje. Mbani një profil të ulët”, njoftoi ambasada e SHBA.

/e.i/j.p/

The post Ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni zonat ku zhvillohet protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta për Zvërnecin në ditën e 51-të

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Protesta e qytetarëve në Tiranë ka hyrë sot në ditën e 51-të.

Organizimi që nisi me kundërshtimin e investimit të parashikuar në Zvërnec, përgjatë 51 ditëve u zgjerua edhe me kërkesa të tjera nga ana e protestuesve, si largimi i qeverisë dhe dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, si edhe të gjithë klasës politike të 30 viteve të fundit.

Ditën e sotme, protestuesit pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, një nga protestuesit u shpreh se Qeveria ka vënë dorë mbi çdo pronë të shqiptarëve.

“Dalim në protestë për skandalet e qeverisë shqiptare. Duhet ta nisim nga Enver Hoxha në vitin 1945 me pronat, që na i mori. Pastaj në vitin 1991 u tha se do kompensoheshin sidomos pronat bregdetare. Mirë i morën, por ta na japin të hanë, se iku kjo, të paktën të na kompensohen”, tha ai.

Një tjetër i moshuar, u shpreh nga protesta se “shqiptarët janë shqiponja dhe jo sorra”. Ai ngriti problemin e shpopullimit dhe tha se shqiptarët po zëvendësohen me njerëz nga Afrika dhe Azia.

Aktivisti i Lëvizjës Bashkë, Emiljando Kita, tha nga se ata që protestojnë janë njerëz, të cilët punojnë nga mëngjesi në darkë.

“Punonjësit janë në kushte mjerane me paga mjerane, pensionistët janë në pamundësi për të shtyrë muajin, bujqësia, blergtoria dhe industria janë në kolaps. Kjo protestë është shpresë që gjërat mund të ndryshojnë”, pohoi ai.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Pas qendrimit në Sheshin “Skënderbe”, protestuesit vijuan marshimin drejt kryeministrisë, ku vijuan fjalimet e rastit.

Vijon…

/e.i/a.f/

The post Protesta për Zvërnecin në ditën e 51-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes

17 July 2026 at 18:28

KIEV, 17 korrik /ATSH-DPA/ – Protestat kundër vendimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, vazhduan sot për të tretën ditë radhazi në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Ukrinform, shumë protestues po kërkojnë gjithashtu largimin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrsky, i cili konsiderohet pjesë e një brezi më të vjetër të drejtuesve ushtarakë dhe shihet si pengesë për reformat.

Në kuadër të një riorganizimi të gjerë qeveritar, presidenti Zelensky largoi nga kabineti kryeministren Julia Svyrydenko dhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kishte mbajtur detyrën vetëm për gjashtë muaj.

Fedorov, 35 vjeç, konsiderohet një reformator që modernizoi sistemin e prokurimeve të ushtrisë dhe u angazhua fuqishëm për dixhitalizimin dhe modernizimin e forcave të armatosura ukrainase.

Megjithatë, ai kishte pranuar publikisht se ishte përfshirë në një konflikt të vazhdueshëm me komandantin Syrsky.

Në fund, Zelensky vendosi të mbështesë Syrskyn dhe synon të emërojë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes Yevchen Khmara, drejtuesin në detyrë të shërbimit të inteligjencës SBU.

Ky është ndryshimi i katërt në postin e ministrit të Mbrojtjes që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm Ihor Klymenko, i cili ishte përfolur si kandidat për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes, do të emërohet sekretar i ri i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Këtë detyrë e mbante deri tani ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, i cili për një periudhë të gjatë udhëhoqi negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë për përfundimin e luftës.

Në ndryshimet e tjera qeveritare, Zelensky i ofroi Taras Kachka, ish-zëvendëskryeministër për integrimin evropian, postin e drejtuesit të misionit të Ukrainës pranë Bashkimit Evropian në Bruksel.

Parlamenti ukrainas konfirmoi dje Sergii Koretskyi si kryeministër të ri të vendit.

Ish-drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë “Naftogaz” mori 289 vota, duke tejkaluar ndjeshëm shumicën e nevojshme prej 226 votash./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post UKRAINË – Vazhdojnë protestat pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Detyrë e çdo demokrati ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cilësoi protestat që zhvillohen prej 46 ditësh në kryqytet kundër investimit të planifikuar turistik në Zvërnec, si antidiktatoriale teksa theksoi se është detyrë e çdo demokrati e çdo demokrateje ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë dhe potencialet që ka.

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Berisha tha se “gjithçka që zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës më të drejtë që mund të ketë njeriu, është një betejë me tiraninë”.

“Partia Demokratike vjen në këto momente si një parti e pamposhtur, si një parti që kundër kësaj diktature autoritare zhvilloi në tre vite mbi 400 protesta. Zhvilloi me qindra akte e veprime kundër saj. Vjen në këtë moment pasi ajo ia doli të denoncojë me sukses në mbarë botën farsën elektorale të diktaturës autoritare. Pasi ajo ia doli që jo vetëm në organizatat më të mëdha partiake, por dhe në institucione më të rëndësishme të Europës, të paraqesë dhe të gjejë mbështetje për qëndrimet e saj”, theksoi Berisha.

Kreu i PD-së u shpreh se “ishte një arritje e jashtëzakonshme denoncimi i farsës elektorale dhe njohja e saj si e tillë nga Parlamenti Europian, nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian”.

/k.s/j.p/

The post Berisha: Detyrë e çdo demokrati ta mbështesë protestën me të gjithë mundësitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët në ditën e 43-të të protestës përballë Kryeministrisë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në kryeqytet ka vijuar për të 43-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve, e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u publikuan edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.

Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar, ata ripërsëritën kërkesat për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Protestuesit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshimin e klasës politike, ndërsa folësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në vend.

Aktivistja Luçiana Kokaj në fjalën e saj para protestuesve te Kryeministria i përgëzoi për qëndresën e tyre 43-ditore.

“Çfarë janë 43 ditë për të fituar të drejtat tona? Nuk ka verë, nuk ka Botëror, nuk ka pushime verore që i largon shqiptarët nga sheshi. Ju bëj thirrje që të jeni çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të bashkuar, Shqipëria ka nevojë për ne. Qeveria na ka sulmuar që ditën e parë duke na quajtur agjentë të ndryshëm, duke u munduar të intimidojë familjarët tanë, por asnjë nga manovrat e tyre nuk na devijon për të mbrojtur familjen tonë”, tha Kokaj.

Protestës iu bashkua edhe një turist nga Suedia, i cili tha se “jam i lodhur nga korrupsioni, nga politikanët e uritur për para që duan t’ju vjedhin. Ju jeni mazhoranca, ata janë minoranca. Është koha që ju të merrni në dorë fatet tuaja”.

Ferit Toma, me profesion mësues, tha se “kam edukuar breza të tërë dhe më vjen mirë kur i shoh këtu në protestë. Ky është shpërblimi më i madh i jetës sime. Ju ftoj të qëndroni besnikë ndaj të vërtetës, drejtësisë dhe dashurisë për vendin tonë. Shqipëria ka nevojë për të rinj që të mendojnë e ndërtojnë e flasin me përgjegjësi, ju mbani shpresën gjallë”.

Një protestues tha se “kam dalë në protestë për fëmijët e mi, se dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës. Vetëm për të drejtat tona dhe të kombit tonë, ndaj kam dalë sot në protestë”.

Një tjetër protestuese u shpreh se “dot është vetëm dita e tretë që vij në protestë me mijëra motra e vëllezër. Jam pjesë e diasporës që ka 36 vite që ulëret ‘kur do bëhet kjo Shqipëri?’. Të ikësh nëpër botë për të mbijetuar është e vështirë, por sa kurajo do që të rrish këtu që të mbrosh tokën tënde?”.

Pas fjalimeve, protestuesit marshuan në bulevard dhe rrugët kryesore të Tiranës.

 

Dita e 43-të e protestës; Fotoreporter: Florian Abazi
1 nga 17

/k.s/r.e/

The post Qytetarët në ditën e 43-të të protestës përballë Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Qytetarët në protestën e 41-të, ripërsërisin pesë kërkesat kryesore

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Qytetarë zhvilluan sot protestën e 41-të në Tiranë, kundër investimit në Zvërnec dhe duke parashtruar kërkesa të tjera nga nismëtarët.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime nga pjesëmarrës të ndryshëm.

Një i moshuar në protestën e sotme gjithashtu ka qenë kritik ndaj Presidentit të Republikës, duke thënë se është president vetëm në letra.

Ndërsa një qytetar në fjalën e tij deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk shqetësohet për bujqit, fermerët apo personat me aftësi të kufizuara të cilët nuk sigurojnë dot jetesën.

Me pankarta në duar, ata kërkuan gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Gjatë protestës u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për ndryshimin e klasës politike. Ndërsa pjesëmarrësit shprehën qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimet politike dhe sociale në vend.

Duke marrë fjalën një protestues i ardhur nga diaspora deklaroi se qytetarët shqiptarë mbajnë barrën e përplasjeve mes forcave politike. “Populli i heq mbi kurriz të gjitha. Si mbetet gjë tjetër veçse të qëndrojë në mes e të paguajë haraçet e politikanëve tanë. Njësoj vuan dhe kur quhet diktaturë e kur quhet demokraci”, u shpreh ai.

Gjatë protestës u bë thirrje edhe për pjesëmarrje në tubimin e radhës kombëtar, ndërsa disa protestues komentuan zhvillimin e koncertit të artistit Kanye West në Tiranë, duke kërkuar bojkotimin e tij.

“Shqiptarët janë këtu në shesh për të kërkuar të drejtat e tyre, për të kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe nuk ka më cirk me bileta falas”, u shpreh një protestues.

Pas përfundimit të fjalimeve nga foltorja përpara godinës së qeverisë, protestuesit e mbledhur marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Protesta e sotme ishte pjesë e një serie tubimesh të zhvilluara për 41 ditë me radhë në kryeqytet.

Protesta e 41-të qytetare; Fotoreporter: Florian Abazi
1 nga 20

/e.xh/r.e/

The post Qytetarët në protestën e 41-të, ripërsërisin pesë kërkesat kryesore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Balla: Ju thashë që po latë Saliun, Shehajn e Lapajn do të përfundoni si dasmë lagjeje

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla publikoi në rrjetet sociale një foto nga protesta e sotme përpara Kryeministrisë.

Në postimin e tij, Balla ironizoi organizimin e protestës dhe bashkëpunimin mes figurave të opozitës, duke përmendur drejtuesit e disa forcave politike.

“Ju thashë po latë Saliun, me kone Shehajn, Lapajn dhe Qorrin do përfundoni në dasëm lagjeje, s’më besuat”, shkruan Balla, duke iu referuar numrit të ulët sipas tij të pjesëmarrësve në protestën e sotme.

Protesta kundër investimit të parashikuar në Zvërnec, ka hyrë sot në ditën e saj të 38-të. Qytetarët u mblodhën si fillim në sheshin “Skënderbej”, për t’u pozicionuar më pas përpara godinës së Kryeministrisë ku u mbajtën fjalimet e rastit nga organizatorë dhe qytetarë të ndryshëm.

/e.i/r.e/

The post Balla: Ju thashë që po latë Saliun, Shehajn e Lapajn do të përfundoni si dasmë lagjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e 38-të në Tiranë, thirrje për unitet mes protestuesve

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Qytetarët u mblodhën sot, për të 38-ën ditë radhazi, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Një qytetar me banim në Itali, u shpreh se kjo është një protestë civile, pa dhunë.

“Ne u detyruam të largoheshim. U kërkoj falje fëmijëve të mi dhe brezit të fëmijëve të mi që nuk i ndaluam në kohë këta maskarenj që kanë marrë peng Shqipërinë, na vodhën jetën tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha ai.

Një i moshuar, pjesë e protestës së ditës së sotme u shpreh i indinjuar për masën e pagesës që ai merr çdo muaj si pensionist.

“Ato 4 milionë euro në vend që t’ia japin pensionistëve, por shkojnë i lënë në tallava. Shkon Rama të bëjë të bukur Kryeministrinë e tij”, tha ai.

Në fjalën e saj, protestuesja Luçiana Kokaj përcolli një mesazh për të gjithë ata që mbështesin këtë kauzë, duke vënë theksin te domosdoshmëria e unitetit dhe kapërcimi i çdo diference politike apo personale për të arritur qëllimin e përbashkët.

“Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë defekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën”, deklaroi Kokaj.

Mes protestuesve të sotëm, fjalën e mori edhe ambientalisti Sazan Guri.

“Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet, por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen, por ka qytetarë që e lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t’i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet. Të puthim fëmijët dhe gratë dhe në këtë luftë të gjatë rezistence do t’i mundim ata avash-avash, me moral”, u shpreh Guri.

Ashtu si edhe 37 protestat e tjera, pas përfundimit të fjalimeve poshtë zyrës së kryeministrit Rama qytetarët vijuan me marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës. Gjatë ecjes, përsëritën po të njëjtat thirrje: “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”.

Dita 38 e protestës; Fotoreporter Andrin Hoxha
1 nga 21

/e.i/r.e/

The post Protesta e 38-të në Tiranë, thirrje për unitet mes protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌