Normal view

Received — 10 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – BE i kërkon Meta-s të ndryshojë funksionet e varësisë te Facebook dhe Instagram

10 July 2026 at 14:30

BRUKSEL, 10 korrik /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian ka shtuar presionin ndaj kompanisë Meta, duke i kërkuar të ndryshojë disa funksione të Facebookut  dhe Instagramit që, sipas Komisionit Evropian, nxisin përdorimin e tepruar të rrjeteve sociale dhe mund të krijojnë varësi, veçanërisht tek të miturit dhe përdoruesit më të cenueshëm.

Brukseli vlerëson se Meta nuk ka analizuar dhe kufizuar siç duhet rreziqet që lidhen me funksione si rrjedha e pafund e postimeve, rekomandimet shumë të personalizuara dhe nisja automatike e videove.

Sipas Komisionit, këto mekanizma janë krijuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë në platformë, duke rritur të ardhurat nga reklamat.

Komisioni Evropian thekson se këto veçori e shtyjnë përdoruesin të vazhdojë të lëvizë pa ndërprerje në përmbajtje, duke e futur trurin në një lloj “pilotimi automatik”, gjë që mund të çojë në zakone të dëmshme dhe sjellje kompulsive gjatë përdorimit të rrjeteve sociale.

Autoritetet evropiane kanë ngritur gjithashtu shqetësime për kontrollet prindërore në Facebook dhe Instagram, duke i konsideruar ato tepër të ndërlikuara, si edhe për mjetet që kufizojnë kohën e përdorimit të adoleshentëve, të cilat sipas tyre nuk janë mjaftueshëm efektive.

Meta i ka kundërshtuar këto përfundime paraprake.

Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se vlerësimi i Komisionit nuk merr parasysh masat e rëndësishme që janë ndërmarrë për mbrojtjen e të rinjve.

Kompania theksoi se llogaritë e posaçme për adoleshentët, të prezantuara dy vjet më parë, u japin prindërve mundësinë të bllokojnë përdorimin e Instagramit gjatë natës dhe të kufizojnë kohën ditore të ekranit.

Këto konkluzione paraprake janë pjesë e hetimit të nisur nga Komisioni Evropian në maj të vitit 2024, ku Meta dyshohet se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur të miturit në internet.

Nëse kompania nuk zbaton kërkesat e BE-së dhe konstatohen shkelje të rregullave, ajo mund të përballet me gjoba shumë të larta./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – BE i kërkon Meta-s të ndryshojë funksionet e varësisë te Facebook dhe Instagram appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BE urdhëron WhatsApp-in të rikthejë falas aksesin për rivalët e inteligjencës artificiale

BRUKSEL, 9 qershor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka urdhëruar WhatsApp-in, shërbimin e mesazheve në pronësi të Meta-s, t’u rikthejë pa pagesë aksesin rivalëve të inteligjencës artificiale (IA) deri në përfundimin e hetimit antitrust, që po zhvillohet ndaj kompanisë.

“Në tregjet që ndryshojnë me shpejtësi, konkurrenca mund të dëmtohet shumë përpara se të merret një vendim përfundimtar”, tha sot nënkryetarja e Komisionit Evropian dhe përgjegjësja për konkurrencën, Teresa Ribera.

Sipas saj, kjo masë do të mbrojë konkurrencën në tregun në rritje të asistentëve të inteligjencës artificiale, duke ruajtur WhatsApp-in, si një kanal të rëndësishëm për të siguruar aksesin e konsumatorëve në Evropë.

Ajo shtoi se vendimi do t’u mundësojë kompanive të AI-së të vazhdojnë të sjellin risi, të zgjerohen dhe të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre.

Komisioni Evropian njoftoi se “Meta”, kompania mëmë e WhatsApp-it, Facebook-ut dhe Instagram-it, duhet të zbatojë urdhrin brenda pesë ditëve.

Ekzekutivi i BE-së po heton “Meta-n” për shkelje të mundshme të rregullave evropiane të konkurrencës, pasi gjiganti amerikan i teknologjisë njoftoi vitin e kaluar, se do të kufizonte aksesin e ofruesve rivalë të inteligjencës artificiale, në platformën WhatsApp.

Në prill, Komisioni kërcënoi me vendosjen e masave të përkohshme ndaj WhatsApp-it, pasi “Meta” bëri të ditur se do të rikthente aksesin vetëm kundrejt pagesës së një tarife.

Sipas Komisionit, vendosja e një tarife përbën në praktikë, të njëjtin efekt si ndalimi i mëparshëm i aksesit.

“Nuk mund të lejojmë që të dëmtohet struktura konkurruese e tregut të asistentëve të inteligjencës artificiale, me përdorim të përgjithshëm, një treg që po zhvillohet me ritme të shpejta”, thuhet në një deklaratë të Komisionit.

Sipas autoriteteve evropiane, ndryshimi i politikës së “Meta-s”, rrezikon të dëmtojë konkurrencën, në një moment kyç, për zhvillimin e këtij sektori, ku kompanitë e vogla dhe aktorët e rinj mund të sfidojnë kompanitë e mëdha, që dominojnë tregun.

Nëse hetimi përfundon me konstatimin se “Meta” ka shkelur ligjin evropian të konkurrencës, Komisioni mund të vendosë sanksione financiare ndaj kompanisë.

Nuk ka një afat të përcaktuar ligjor, për përfundimin e hetimeve antitrust, në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, “Meta” përballet edhe me procedura të tjera në BE, për shkelje të dyshuara të rregullave evropiane në fushën digjitale.

Në tetor, Komisioni Evropian paralajmëroi se kompania mund të përballet me gjoba të mëdha, për mungesë transparence, lidhur me të dhënat dhe mënyrën e trajtimit të përmbajtjeve të paligjshme në Facebook dhe Instagram.

Po ashtu, Komisioni dyshon se “Meta”, mund të ketë shkelur rregullat për mbrojtjen e të miturve, përfshirë dështimin për të mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme fëmijët dhe të rinjtë, nga efektet e algoritmeve që mund të krijojnë varësi. //a.i/

The post BE urdhëron WhatsApp-in të rikthejë falas aksesin për rivalët e inteligjencës artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin

LUKSEMBURG, 3 qershor /ATSH-DPA/- “Meta” ka humbur apelin kundër vendimit të Bashkimit Evropian, për të vendosur rregulla të rrepta ndaj aplikacionit të saj të mesazheve “Messenger”.

Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian në Luksemburg konfirmoi sot vendimin e Komisionit Evropian, për të klasifikuar “Messenger” si një “gatekeeper” sipas Aktit për Tregjet Digjitale.

Në të njëjtën kohë, gjykata anuloi një vendim të mëparshëm të revokuar, që kishte të bënte me shërbimin e blerjeve “Marketplace”.

Komisioni Evropian përcaktoi në vitin 2023, se “Messenger” dhe “Marketplace” përmbushnin kriteret për t’u konsideruar “gatekeepers” – platforma të mëdha që shërbejnë si porta kryesore për bizneset që të arrijnë konsumatorët në tregjet digjitale.

Ky status i vendos kompanive, detyrime të veçanta, për të garantuar konkurrencë më të drejtë në tregun digjital.

Në vitin 2025, Komisioni Evropian anuloi vendimin për përcaktimin për “Marketplace”, pasi nuk ishte arritur pragu i kërkuar i përdoruesve komercialë.

Gjykata vendosi se ky anulim ishte i pavlefshëm, duke argumentuar se vlerësimi i të dhënave nga Komisioni ishte i pasaktë dhe arsyetimi i tij ishte “hipotetik dhe i paplotë”.

Përsa i përket “Messenger-it”, gjykata mbështeti Komisionin Evropian, dhe la në fuqi përcaktimin si “gatekeeper”.

Si “Meta” ashtu edhe Komisioni Evropian mund ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, instanca më e lartë gjyqësore e BE-së.

Përveç “Messenger-it”, disa shërbime të tjera të “Meta-s” janë aktualisht të klasifikuara si “gatekeepers”, përfshirë “Facebook”, “Instagram”, “WhatsApp” dhe “Meta Ads”. / /a.i/

The post Gjykata e BE-së lë në fuqi rregullat e rrepta ndaj “Messenger”, “Meta” humbet apelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Procesi gjyqësor ndaj Metës, farsë e turpshme

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dalë sërish këtë të martë nga ambientet e paraburgimit, pasi ka marrë leje për disa orë për të pritur ngushëllimet për babanë e tij të ndjerë, pranë një hoteli në kryeqytet.

Meta shoqërohej nga efektivë të Policisë së Burgjeve, ndërsa jashtë ambienteve ku po zhvilloheshin homazhet u prit nga mbështetës, bashkëpunëtorë dhe figura politike.

Në ngushëllime mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili komentoi edhe procesin gjyqësor ndaj Metës.

Berisha e cilësoi procesin ndaj ish-Presidentit të Republikës si “një farsë të turpshme”, duke pretenduar se akuzat ndaj tij janë të pabazuara dhe me motive politike.

“Është një farsë e turpshme, e mbajtur gjallë me falsitete dhe si zbatim i porosisë së Edi Ramës”, deklaroi Berisha para mediave.

Ai u bëri thirrje mediave që të hetojnë dokumentacionin e çështjes, duke pretenduar se akuzat ndaj Metës “nuk kanë substancë”.

“Edhe njëherë u them, asnjëra prej akuzave nuk ka absolutisht substancë”, u shpreh Berisha.

Berisha gjithashtu shtoi se, “Meta është një i burgosur politik”.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: Procesi gjyqësor ndaj Metës, farsë e turpshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO rrëzon kërkesën e Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot rrëzimin e kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin ndaj tij.

Vendimi u dha pas seancës së zhvilluar këtë të hënë në GJKKO, ku avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani, solli në vëmendje edhe vendimin e fundit të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë, duke argumentuar në favor të ndryshimit të masës së sigurisë, por kërkesa e mbrojtjes nuk u pranua nga gjykata.

Gjatë seancës së zhvilluar sot ishin të pranishëm edhe disa figura të Partisë së Lirisë dhe opozitës, mes tyre Tedi Blushi, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bujar Leskaj.

/a.f/r.e/

The post GJKKO rrëzon kërkesën e Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 May 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kërkoi lirimin nga burgu kundrejt garancisë pasurore, Apeli i GJKKO rrëzon Metën

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për lirimin nga burgu kundrejt garancisë pasurore.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Saida Dollani. Meta përmes mbrojtësit të tij ligjor Kujtim Cakrani kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Në ankimin e paraqitur, ai kërkonte zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë, duke propozuar alternativa si arrest shtëpie, garanci pasurore, detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore ose ndalim të daljes jashtë shtetit.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Apelit vendosi mospranimin e ankimit të Metës, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të shkallës së parë.

/m.q/j.p/

The post Kërkoi lirimin nga burgu kundrejt garancisë pasurore, Apeli i GJKKO rrëzon Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: PD dënon trajtimin çnjerëzor të Metës dhe kërkon lirimin e tij

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në lidhje me pamjet e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në sallën e gjyqit.

Berisha tha se PD dënon atë që ai e cilësoi si “trajtim çnjerëzor ndaj Ilir Metës”. Berisha theksoi se paraqitja e Metës në sallën e gjyqit në një kafaz xhami, është një akt i pajustifikuar dhe i papërshtatshëm për një figurë politike të nivelit të tij. Sipas tij, ndaj Metës nuk ka asnjë provë të faktuara për veprat për të cilat akuzohet.

“Ish-presidenti i Republikës, ish-kryetari i Parlamentit dhe ish-kryeministri i vendit, Ilir Meta, aktualisht kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare, Partisë së Lirisë, i burgosur politik, u paraqit dje në sallën e gjyqit i ndryrë në kafaz xhami, sikur të ishte një terrorist i rrezikshëm, ndonëse ndaj tij nuk ekziston asnjë provë e faktuar për një vepër penale të çdo natyre qoftë ajo”, tha Berisha.

Sipas Berishës gjatë periudhës së paraburgimit, Meta është përballur me presion psikologjik dhe shkelje të të drejtave kushtetuese.

“Gjatë këtyre 17 muajve në burg, si person nën hetim dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ndaj Ilir Metës, është ushtruar dhunë dhe terror psikologjik periodik, madje edhe fizik. Janë organizuar provokacione ndër më të ulëtat dhe më të rrezikshme. I janë dhunuar të drejtat kushtetuese më elementare”, tha Berisha.

Berisha tha se Partia Demokratike kërkon lirimin e menjëhershëm të Ilir Metës dhe i bën thirrje Këshillit të Europës, konkretisht Komitetit për Parandalimin e Torturës, që të ndërhyjë për të hetuar rastin.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: PD dënon trajtimin çnjerëzor të Metës dhe kërkon lirimin e tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shtyhet seanca për dosjen e Metës, ish-presidenti shfaqet në kafazin e sallës së gjyqit

TIRANË, 27 prill /ATSH/ Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u zhvillua sot seanca e parë e gjyqit në themel ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehurve të tjerë në të njëjtën dosje hetimore.

Kreu i PL-së kërkoi nga GJKKO që seanca gjyqësore të transmetohet drejtpërdrejt për mediet. Gjykata lejoi kamerat e medieve të transmetojnë fazën e legjitimimit të palëve, kohë në të cilën u shfaq edhe ish-presidenti Meta, i cili ishte i izoluar brenda sallës gjyqësore.

“Unë jam në pozita të pabarabarta. Në pozita të pabarabarta janë ata që i ka përzgjedhur Charls McGonigal për të montuar me shpifje me gënjeshtra, me kallëzues të rremë një proces të turpshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Ilir Metës, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Republikës. Prandaj ju ftoj që nga sot deri në sekondën ta transmetoni live këtë proces”, tha Meta.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha se është e papranueshme që gjyqet nuk jepen live për publikun.

“Të gjithë gjyqet që nga 1995, Ramiz Alisë, Fatos Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online. Kur bëhet gjyqi në Hagë për krime kundër njerëzimit, imagjinoni mos të bëhet gjyqi i presidentit. Fakti që s’e merr vendimin, tregon që ka frikë nga provat. Nuk ka guxim ta transmetojë që të shohin shqiptarët montimin që i ka bërë SPAK çështjes së Metës.

“Gjyqi i Nanos është bërë në kushte të barabarta, janë bërë të hapur për gazetarët dhe mediet. Do t’u bëj ndërkombëtarëve kërkesë të vijnë të shohin Metën në kafaz seancën e radhës, kjo është e papranueshme. E papranueshme të mbash mbyllur në kafaz presidentin apo kryetarin e bashkisë. Humbet seancë e të qenit një shtet i së drejtës, bëhesh shtet diskriminues. Vetëm në Shqipërinë e 2026-ës, për turpin e këtyre deputetëve dhe të kësaj shoqërie që pranon një diskriminim të tillë”, tha Cakrani.

GJKKO ende nuk ka marrë një vendim mbi kërkesën e Ilir Metës për t’u transmetuar drejtpërdrejt seancat gjyqësore.

Seanca u shty për në datën 11 maj në orën 12:00, sipas medieve, për shkak të mungesës së Fatime Kryemadhit dhe se avokatët e saj nuk kishin prokurë për ta përfaqësuar.

SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Pirro Xhixhon, Ema Çokun dhe Fatime Kryemadhin. Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit 2024.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Shtyhet seanca për dosjen e Metës, ish-presidenti shfaqet në kafazin e sallës së gjyqit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Meta” planifikon të shkurtojë rreth 8000 vende pune muajin e ardhshëm

24 April 2026 at 09:22

LONDËR, 24 prill /ATSH/- Kompania amerikane e teknologjisë planifikon të reduktojë rreth 10% të fuqisë punëtore dhe të mos plotësojë mijëra pozicione të hapura, raportoi BBC.

Shkurtimet lidhen drejtpërdrejt me zhvendosjen e fokusit dhe burimeve financiare drejt zhvillimit të IA-së, ku “Meta” parashikon të investojë rreth 135 miliardë dollarë këtë vit – një shumë e barabartë me shpenzimet totale për IA-së në tre vitet e fundit së bashku.

Zëdhënës të kompanisë konfirmuan planet për largime nga puna, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Drejtori ekzekutiv, Mark Zuckerberg paralajmëroi më herët se viti 2026 do të sillte ndryshime të mëdha, në mënyrën e punës për shkak të IA-së, duke theksuar se teknologjia po rrit ndjeshëm produktivitetin e punonjësve dhe po redukton nevojën për ekipe të mëdha.

“Meta” ka kryer tashmë disa seri më të vogla shkurtimesh këtë vit, dhe muajin tjetër pritet të ndër më të mëdhatë që nga viti 2023.

Që prej vitit 2022, kompania ka reduktuar dhjetëra mijëra vende pune, megjithëse kishte rifilluar punësimet gjatë vitit të kaluar.

Ndërkohë, edhe kompani të tjera të mëdha teknologjike po ndjekin të njëjtën tendencë.

“Amazon” ka shkurtuar mbi 30 000 vende pune, “Oracle” mbi 10 000, ndërsa “Microsoft” ka ofruar paketa largimi vullnetare për mijëra punonjës.

Shumica e këtyre vendimeve lidhen me rritjen e investimeve në inteligjencën artificiale dhe automatizimin e proceseve të punës. //a.i/

The post “Meta” planifikon të shkurtojë rreth 8000 vende pune muajin e ardhshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjykata Kushtetuese rrëzon Metën

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Në vendimin e GJK-së thuhet se instanca më e lartë e drejtësisë në vend lë në fuqi vendimet e mëparshme të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe Gjykatës së Lartë, duke çuar në lënien në qeli të Ilir Metës.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se lidhur me mënyrën e arrestimit të Metës, të cilin ky i fundit e cilëson si çnjerëzor, nuk mund ta marrë në shqyrtim pasi çështja është nën hetim.

Njëherësh, Gjykata Kushtetuese u shpreh se masa e sigurimit personal ndaj Metës është vendosur për një qëllim të ligjshëm, duke rrëzuar kërkesën e tij.

Gjykata konstatoi, se kërkuesi e ka parashtruar këtë pretendim në gjykatat e juridiksionit të zakonshëm në procesin gjyqësor për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personal dhe nevojave të sigurimit, ankimin dhe rekursin e tij dhe, nga ana tjetër, se autoritetet shtetërore kompetente nuk kanë vepruar në atë kohë me nismën e tyre për të adresuar pretendimet e kërkuesit.

Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se në çështjen penale ndaj kërkuesit duket se ka fakte dhe informacione që arrijnë të bindnin një vëzhgues të jashtëm se kërkuesi mund të ketë kryer veprat penale për të cilat dyshohet, ndaj nuk mund të arrihet në përfundimin se kufizimi i lirisë së tij është kryer në mungesë të dyshimit të arsyeshëm.

GJK cilësoi se “masa e sigurimit personal ndaj Metës është e vendosur për një qëllim të ligjshëm, garantimin e mbarëvajtjes së procesit penal në ngarkim të tij, ajo nuk është joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes dhe nevojave të sigurimit, si dhe është në përputhje me rregullat procedurale të KPP-së për caktimin e saj”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës.

Në një reagim në rrjete sociale, Meta u shpreh se nuk është aspak i surprizuar nga “Gjykata e Lanës”, siç e cilësoi ai, duke shtuar se pasi e zvarriti çështjen për 6 muaj, edhe sot tregoi se nuk di që të zhgënjejë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Gjykata Kushtetuese rrëzon Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KOMENT – Meta dhe YouTube shpallen përgjegjës në gjyqin historik për varësinë nga mediet sociale

LOS ANXHELES, 25 mars /ATSH/ – Një juri në Los Angeles i ka dhënë një fitore të paprecedentë një gruaje të re që paditi Metën dhe YouTube për varësinë e saj të fëmijërisë nga mediet sociale, sipas BBC.

Juristët zbuluan se Meta, e cila zotëron Instagram, Facebook dhe WhatsApp, dhe Google, pronare e YouTube, ndërtuan qëllimisht platforma të mediave sociale që shkaktonin varësi, të cilat dëmtuan shëndetin mendor të 20-vjeçares.

Gruaja, e njohur si Kaley, u vlerësua me tre milionë dollarë, në një rezultat që ka të ngjarë të ketë implikime për qindra raste të ngjashme që tani po kalojnë nëpër gjykatat amerikane.

Avokatët e Meta-s argumentuan se ndërsa Kaley kishte vuajtur në jetën e saj, përdorimi i Instagramit nga ana e saj nuk shkaktoi ose nuk kontribuoi në mënyrë domethënëse në ato vështirësi.

Në një deklaratë, Meta tha se “ne me respekt nuk pajtohemi me vendimin dhe po vlerësojmë opsionet tona ligjore”.

Një zëdhënës i Google tha se “ne nuk pajtohemi me vendimin dhe planifikojmë të apelojmë. Ky rast keqkupton YouTube, i cili është një platformë transmetimi e ndërtuar me përgjegjësi, jo një faqe mediash sociale”.

Juria e gjeti Meta-n 70% përgjegjëse për dëmin e paditësit dhe YouTube ishte përgjegjës për 30% të totalit, që do të thotë se Meta do të paguajë pjesën më të madhe të dëmshpërblimit të Kaley-t.

Një formë tjetër dëmshpërblimi, dëmet ndëshkuese, ende duhet të përcaktohen nga gjykata.

Sipas ligjit shtetëror, kjo mund të arrijë deri në 30 milionë dollarë.

Prindërit e fëmijëve të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e padisë së Kaleyt, por pretendojnë se janë dëmtuar gjithashtu nga mediet sociale, ishin jashtë gjykatës sot, siç kishin qenë shumë ditë gjatë gjithë gjyqit pesëjavor.

Kur u dha vendimi, prindër si Amy Neville u panë duke festuar dhe përqafuar prindër dhe mbështetës të tjerë që kishin pritur një vendim.

Vendimi i Los Anxhelesit erdhi një ditë pasi një juri në Nju Meksiko e gjeti Meta-n përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikonin fëmijët dhe i ekspozonin ata ndaj materialeve seksuale eksplicite dhe kontaktit me grabitqarët seksualë.

Mike Proulx, një drejtor kërkimi për ”Forrester”, tha se vendimet e njëpasnjëshme nënvizojnë një “pikë thyerjeje” midis kompanive të mediave sociale dhe publikut.

“Ndjenja negative ndaj mediave sociale është grumbulluar prej vitesh dhe tani më në fund ka marrë hov”, tha Proulx.

Gjatë paraqitjes së tij para jurisë në shkurt, Mark Zuckerberg, kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, u mbështet në politikën e gjatë të kompanisë së tij për të mos lejuar përdoruesit nën moshën 13 vjeç në asnjë nga platformat e saj.

Kur iu paraqitën kërkime të brendshme dhe dokumente që tregonin se Meta e dinte që fëmijët e vegjël, në fakt, po përdornin platformat e saj, Zuckerberg tha se “gjithmonë dëshironte” për një përparim më të shpejtë në identifikimin e përdoruesve nën moshën 13 vjeç.

Ai këmbënguli se kompania kishte arritur “vendin e duhur me kalimin e kohës”.

Ndërsa Google, si pronar i faqes së ndarjes së videove YouTube, ishte gjithashtu një i pandehur në këtë çështje, shumica e procedurave gjyqësore u përqendruan në Instagram dhe Meta.

Snap dhe TikTok ishin gjithashtu fillimisht të pandehur, por të dy kompanitë arritën marrëveshje të pazbuluara me Kaley para gjyqit.

Kaley tha se filloi të përdorte Instagram në moshën nëntë vjeç dhe YouTube në moshën gjashtë vjeç dhe nuk hasi asnjë përpjekje për ta bllokuar për shkak të moshës së saj.

“Ndalova së komunikuari me familjen sepse e kaloja gjithë kohën time në mediat sociale”, tha Kaley gjatë dëshmisë së saj.

Kaley tha se ishte 10 vjeç kur filloi të kishte ndjenja ankthi dhe depresioni, çrregullime për të cilat do të diagnostikohej vite më vonë nga një terapist.

Ajo gjithashtu filloi të fiksohej pas pamjes së saj fizike dhe filloi të përdorte filtra të Instagram që do të ndryshonin mënyrën se si dukej – duke e bërë hundën e saj më të vogël dhe sytë më të mëdhenj – pothuajse sapo filloi të përdorte platformën si fëmijë.

Që atëherë Kaley është diagnostikuar me dismorfi trupore, një gjendje që i bën njerëzit të shqetësohen tepër për pamjen e tyre fizike dhe të mos e shohin veten siç e shohin të tjerët.

Avokatët e saj argumentuan se veçoritë e Instagram, si rrotullimi i pafund, ishin projektuar për të krijuar varësi./  a.jor.

The post KOMENT – Meta dhe YouTube shpallen përgjegjës në gjyqin historik për varësinë nga mediet sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Gjykata ”shkund” Meta-n: 375 milionë dollarë gjobë për sigurinë e fëmijëve

NJU MEKSIKO, 25 mars /ATSH/ – Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar Meta-n të paguajë 375 milionë dollarë (279 milionë paund) për mashtrimin e përdoruesve lidhur me sigurinë e platformave të saj për fëmijët, shkruan BBC.

Një juri vendosi se Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ishte përgjegjëse për mënyrën se si platformat e saj rrezikuan fëmijët dhe i ekspozuan ndaj materialeve me përmbajtje seksuale dhe kontakteve me persona abuzivë.

Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico, Raul Torrez, tha se vendimi është “historik” dhe shënon herën e parë që një shtet ka fituar një padi kundër Meta-s për çështje të sigurisë së fëmijëve.

Një zëdhënëse e Meta-s, e drejtuar nga kryetari dhe drejtori ekzekutiv Mark Zuckerberg, tha se kompania nuk pajtohet me vendimin dhe synon ta apelojë atë.

Ajo u shpreh: “Ne punojmë fort për të mbajtur njerëzit të sigurt në platformat tona dhe jemi të qartë për sfidat e identifikimit dhe largimit të aktorëve të këqij dhe përmbajtjes së dëmshme. Ne mbetemi të bindur në rekordet tona për mbrojtjen e adoleshentëve online.”

Juria konstatoi se Meta kishte shkelur Ligjin për Praktikat e Padrejta të New Mexico, sepse kishte mashtruar publikun për sigurinë e platformave të saj për përdoruesit e rinj.

Gjatë një gjyqi që zgjati shtatë javë, juria u njoh me dokumente të brendshme të Meta-s dhe dëgjoi dëshmi nga ish-punonjës, të cilët treguan se kompania kishte qenë në dijeni për praninë e abuzuesve të fëmijëve në platformat e saj.

Arturo Béjar, një ish-drejtues inxhinierik në Meta që u largua nga kompania në vitin 2021 dhe u bë sinjalizues (whistleblower), dëshmoi për eksperimente që kishte kryer në Instagram, të cilat treguan se përdoruesve nën moshë u shfaqej përmbajtje e seksualizuar.

Ai tha se edhe vajza e tij e mitur ishte kontaktuar nga një i panjohur në Instagram me propozime me natyrë seksuale.   /os/

The post SHBA – Gjykata ”shkund” Meta-n: 375 milionë dollarë gjobë për sigurinë e fëmijëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi

18 March 2026 at 12:10

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi sot për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar në vitin 2025 hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Meta dhe Kryemadhi janë hetuar nga SPAK për tri vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”.

Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.

Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e saj për hetim të mëtejshëm.

Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit 2024, për dosjen CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.

/m.m/j.p/

The post GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Matteo Salvini në qendër të debateve në rrjetet sociale pas deklaratës për Ermal Metën

28 February 2026 at 08:22

ROMË, 28 shkurt /ATSH/- Ministri italian i Infrastrukturës dhe lideri i “Lega”, Matteo Salvini, ka nxitur një valë debatesh në rrjetet sociale, pas një deklarate për këngëtarin me origjinë shqiptare Ermal Meta, sipas “La Repubblica”.

Në një reagim publik, Salvini shkroi:”I bëj komplimentet e mia Ermal Metës për përdorimin e tij të përsosur të gjuhës italiane. Në Itali jetojnë dhe punojnë miliona gra dhe burra të lindur në një vend të huaj dhe të integruar plotësisht në shoqërinë tonë; për mua ata janë të çmuar dhe të mirëpritur”.

Deklarata, që synonte të ishte një kompliment për artistin, u interpretua nga shumë përdorues të rrjeteve sociale si një “gaf”, duke qenë se Meta jeton në Itali prej rreth 30 vitesh.

Këngëtari u transferua në Bari me nënën dhe motrën e tij – kur ishte vetëm 13 vjeç dhe prej atëherë ka ndërtuar karrierën e tij në skenën muzikore italiane.

Sipas komenteve në rrjetet sociale, theksohej se “përdorimi perfekt i gjuhës italiane” për një artist që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në Itali tingëllonte i panevojshëm dhe paternalist.

Ermal Meta, një nga emrat më të njohur të muzikës italiane në vitet e fundit, nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj deklaratës, ndërsa debati mbi integrimin dhe gjuhën vijon të mbetet temë e ndjeshme në diskursin politik italian. //a.i/

The post Matteo Salvini në qendër të debateve në rrjetet sociale pas deklaratës për Ermal Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SANREMO 2026 – Ermal Meta me një këngë për fëmijët e Gazës

9 February 2026 at 21:39

ROMË, 9 shkurt /ATSH/ – I magjepsur nga shikimi i një vajze të vogël nga Gaza dhe i frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, Ermal Meta kthehet në Sanremo me “Stella stellina”, kënga e vetme në buqetën e larmishme të Sanremos 2026 që trajton temën e luftës, sipas editorialedomani.it, që i referohet ANSA-s.

Kënga tregon historinë e një vajze të vogël të vrarë në një bombardim në Rripin e Gazës.

Kjo është paraqitja e shtatë e multiinstrumentalistit në teatrin ”Ariston”.

Por, është debutimi i tij si baba.

“Kthimi pas pesë vitesh është shumë emocional. Kënga që po sjell rrit peshën time emocionale. Mendoj se Sanremo im i parë si baba ndryshon diçka. Sikur të kisha një shkallë më të madhe përgjegjësie”, tha këngëtari gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e albumit të tij të ri “Funzioni Vitali”.

Fjala “Gaza” mungon në tekstin e këngës së Sanremos.

Por, ka referenca të shumta për popullin palestinez.

”Kënga është për një vajzë të vogël nga Gaza. Një vajzë e vogël pa emër që i përket një populli pa zë”, shpjegon Ermali.

Kënga u bë menjëherë. Vetëm në 15 minuta.

“Vajzës sime të vogël i pëlqen shumë muzika. Isha pranë saj, duke luajtur kitarë. Shpesh shpik vjersha për fëmijë. Disa orë më parë, kisha parë një video në Instagram me disa imazhe të fuqishme. Vështrimi i një vajze të vogël nga Gaza më goditi vërtet, më fiksoi. Pasi vajza ime ra në gjumë, shkrova këngën. Ende kisha shikimin e asaj vajze të vogël në sy”, thotë ai.

”Është koha të flasim edhe për fëmijët e të tjerëve, duhet të zgjerojmë pak horizontet tona”, thotë artisti 44-vjeçar.

”Një histori që përqafon jo vetëm popullin palestinez, por mund të degëzohet dhe të tregojë tragjedi të tjera në mbarë botën… Detyra e një këngëtari dhe kompozitori është të shprehë atë që ndjen pa e filtruar atë. Kur e nxjerr veten atje, jam gati të bëj gjithçka për të mbrojtur atë në të cilën besoj”, përgjigjet ai.

Para festivalit, 30 emrat e mëdhenj do të priten, së bashku me Carlo Conti dhe Laura Pausini, në pallatin ”Quirinale” nga presidenti italian, Sergio Mattarella.

”Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që e takoj, sepse vitet e fundit ai ka qenë një figurë qendrore në imazhin e Italisë jashtë vendit. Ai i ka dhënë Italisë një dinjitet dhe një shtyllë kurrizore që figurat e tjera politike nuk kanë arritur ta ofrojnë”, thotë Ermali./ a.jor.

The post SANREMO 2026 – Ermal Meta me një këngë për fëmijët e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE paralajmëron Meta-n se duhet të hapë WhatsApp-in për chatbot-et rivalë të inteligjencës artificiale

9 February 2026 at 11:54

BRUKSEL, 9 shkurt /ATSH/- Ekzekutivi i BE-së i bëri thirrje sot Meta-s t’u japë akses chatbot-eve rivale në WhatsApp, pasi një hetim antitrust zbuloi se gjigandi amerikan kishte shkelur rregullat e konkurrencës së bllokut, sipas “New Straits Times”.

Komisioni Evropian tha se një ndryshim në kushtet e Meta-s, i kishte ndaluar asistentët e inteligjencës artificiale të palëve të treta të lidheshin me klientët përmes platformës së mesazheve që nga janari.

Shefja e BE-së për Konkurrencën, Teresa Ribera, tha se BE-ja po shqyrtonte vendosjen e shpejtë të masave të përkohshme ndaj Meta-s, për të ruajtur aksesin e konkurrentëve në WhatsApp ndërsa hetimi është në vazhdim, dhe për të shmangur dëmtimin e pakthyeshëm të konkurrencës në Evropë nga politika e re e Meta-s.

Ekzekutivi i BE-së, i cili është përgjegjës për politikën e konkurrencës, i dërgoi Meta-s një paralajmërim të njohur si një “deklaratë kundërshtimesh”, një hap formal në hetimet antitrust.

“Meta” tani ka një shans për t’u përgjigjur dhe për të mbrojtur veten. Hapi i sotëm nuk paragjykon rezultatin e hetimit”, tha komisioni.

Gjigandi i teknologjisë hodhi poshtë gjetjet paraprake të komisionit.

“Faktet janë se nuk ka arsye që BE të ndërhyjë”, tha një zëdhënës i Meta-s.

“Ka shumë opsione të IA-së dhe njerëzit mund t’i përdorin ato nga app stores, sistemet operative, pajisjet, faqet e internetit dhe partneritetet e industrisë. Logjika e komisionit supozon gabimisht se WhatsApp Business API është një kanal kyç shpërndarjeje për këto chatbot-e”, tha zëdhënësi.

I hapur në dhjetor, hetimi i BE-së shënon përpjekjen e fundit nga blloku 27-vendesh për të frenuar Big Tech, shumë prej të cilëve janë të vendosura në SHBA, përballë kundërshtimit të fortë nga qeveria e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Hetimi mbulon Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), të përbërë nga 27 shtetet e bllokut, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia – me përjashtim të Italisë, e cila hapi një hetim të veçantë ndaj Meta-s në korrik. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post BRUKSEL – BE paralajmëron Meta-n se duhet të hapë WhatsApp-in për chatbot-et rivalë të inteligjencës artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ermal Meta me këngën “Stella stellina” në Sanremo 2026

15 January 2026 at 13:29

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Kantautori shqiptar Ermal Meta do të jetë një nga pjesëmarrësit në festivalin e sivjetshëm të Sanremo-s.

Në një videomesazh të publikuar nga organizatorët e festivalit, Ermali tregon se kënga që do të këndojë titullohet “Stella stellina”.

“Është një këngë që flet për qëndresë dhe shpresë dhe flet për një vogëlushe. Për të menduar se është kënga e duhur, me nxiti mënyra se si u ndjeva kur e shkrova, sepse në fund të fundit, ajo skenë shpërfaq të gjitha emocionet që lidhen me këngën, veçanërisht kur janë te vërteta, madje edhe kur djegin”, rrëfen kantautori.

Ermal Meta ka konkurruar disa herë në Festivalin e Sanremo-s, duke marrë vlerësime nga kritika dhe publiku. Ai fitoi në vitin 2018, së bashku me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”, u rendit i treti në vitin 2017 me “Vietato morire” dhe i treti në vitin 2021 me “Un milione di cose da dirti”. Ermal Meta gjithashtu konkurroi në Kategorinë e të Rinjve në vitin 2016, me “Odio le favole”.

Ermal Meta përfaqësoi Italinë së bashku me Fabrizio Moro-n edhe në Eurovizionin e vitit 2018, në Lisbonë, ku u klasifikuan të pestët. /j.p/

The post Ermal Meta me këngën “Stella stellina” në Sanremo 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme

14 January 2026 at 13:18

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Mbrojtësit ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaruan sot në një konferencë për mediet, se Meta po mbahet në paraburgim, duke tejkaluar çdo standard ligjor, kushtetues dhe human.

Avokati Kujtim Cakrani theksoi se hetimet ndaj Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, ndërsa që prej 28 gushtit 2025 çështja ndodhet në seancë paraprake.

“Kjo do të thotë që një seancë e tillë ligjërisht duhet të përfundojë brenda një muaji dhe pastaj çështja ose duhet të pushohet, ose të kthehet në hetim ose duhet të kalojë në gjykim themeli”, sqaroi ai.

Sipas avokatit, kanë kaluar mbi katër muaj e gjysmë pa nisur shqyrtimi paraprak, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.

“Kjo e ka rënduar pozitën e kësaj drejtësie që është kthyer në një drejtësi inkuzitore”, tha ai.

Cakrani theksoi se kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por përsëri gjyqtarja Irena Gjoka, e cila sipas tij është e “shantazhueshme”, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar.

Avokati shtoi se ndaj Metës ka pasur sulme të vazhdueshme politike dhe personale.

“Ai është tashmë në izolim total, izolim i paprecedentë. Presidentit të Partisë së Lirisë, numrit dy të opozitës, nuk i jepet mundësia të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët e ata që duhet të komunikojë”, tha ai.

Sa i përket pasurisë së Ilir Metës, Cakrani mohoi akuzat për përfitime të paligjshme, duke deklaruar se analizat financiare të kryera nga mbrojtja tregojnë se Meta nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.

Cakrani tha se nga viti 1995 deri në vitin 2023, të ardhurat e Metës nga funksionet publike kanë qenë rreth 87.5 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta, duke pretenduar se kursimet e tij kanë qenë të justifikuara dhe të ligjshme.

“Pasuria e Metës, është zero, qoftë e luajtshme, qoftë e paluajtshme, sepse ka punuar me dinjitet, ka punuar me pastërti. Prokuroria e ka nisur analizën në vitin 2002, thua se Meta para 2002-shit nuk ka ekzistuar. Ne kemi bërë analizën financiare, të ardhurat dhe shpenzimet normale prej 1995-2023. Në 1995 ne disponojmë dokumentacionin  e vënë në dispozicion nga Kuvendi. Kjo është arsyeja pse e kemi nisur në 1995. Meta aktivitetin politik e ka nisur në 1992″, tha Cakrani.

“Prej 1995 deri në 2023, të gjitha të ardhurat e Metës nga puna si deputet, si ministër, si zv.kryeministër, si kryeministër, si kryetar kuvendi dhe në fund president i Republikës, kanë qenë 87,385,031 lekë. Ndërkohë që shpenzimet e tij, janë në shumën 39,448,575 lekë. Meta ka në bilancin e tij 530, 146 lekë. I ka pasur këto kursime. Nuk i ka më edhe këto kursime sepse ka pasur shpenzime”, vijoi avokati.

“Akuza e prokurorisë është se Meta paska fituar 200 mijë euro nuk e di ku e ka shpikur organi i procedurës këtë, për të fshehur veprimet arbitrare që ka bërë. Shpenzimet dhe të ardhurat janë tashmë publike dhe ne prandaj e kemi thënë gjithmonë: nuk ka as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme Meta”, tha Cakrani.

/m.q/j.p/

The post Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Meta” mbyll 540,000 llogari pas ndalimit të medieve sociale në Australi

12 January 2026 at 15:04

SIDNEJ, 12 janar /ATSH-DPA/- “Meta” ka çaktivizuar më shumë se gjysmë milioni llogari në Australi – si rezultat i ndalimit të medieve sociale për personat nën 16 vjeç, njoftoi sot kompania.

“Meta” tha se midis 4 dhe 11 dhjetorit kishte mbyllur 544,052 llogari që besonte se mbaheshin nga përdorues nën moshën 16 vjeç.

Kjo përfshinte 330,639 llogari në “Instagram”, 173,497 në “Facebook” dhe 39,916 në “Threads”.

Sipas ligjit të ri, i cili hyri në fuqi më 10 dhjetor, personave nën 16 vjeç nuk u lejohet më të kenë llogaritë e tyre në 10 platforma kryesore të mediave sociale, duke përfshirë “TikTok”, “Snapchat”, “Reddit” dhe “YouTube”.

Kompanive të prekura iu dha një vit kohë për të futur masa për verifikimin e moshës, dhe shkeljet do të rezultojnë në gjoba të rënda deri në 49,5 milionë dollarë australianë (33 milionë dollarë amerikanë).

“Meta” është e përkushtuar të përmbushë detyrimet e saj të pajtueshmërisë dhe po ndërmerr hapat e nevojshëm për të qënë në përputhje me ligjin”, tha kompania.

“Meta” i kërkoi qeverisë australiane të angazhohej në mënyrë konstruktive me industrinë, për të gjetur një mënyrë më të mirë përpara, siç është nxitja e të industrisë për të rritur standardin në ofrimin e përvojave të sigurta, që ruajnë privatësinë dhe që janë të përshtatshme për moshën në internet, në vend të ndalimeve të përgjithshme.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar mbrojtje të qëndrueshme në të gjithë industrinë për të rinjtë, pavarësisht se cilat aplikacione përdorin, dhe për të shmangur efektin e paparashikueshëm të aplikacioneve të reja në të cilat adoleshentët do të migrojnë për të anashkaluar ligjin e ndalimit të mediave sociale”, tha “Meta”. //a.i/

The post “Meta” mbyll 540,000 llogari pas ndalimit të medieve sociale në Australi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin nga qelia.

Meta kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të lehtë, me argumentimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve apo të largohet nga vendi. Por gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se nuk kishte asnjë bazë ligjore për rrëzimin e kërkesës.

“Mbeti gjykatë e kapur peng, mbeti gjyqtare-notere e prokurorisë. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do kërkojmë zëvendësimin. Do e kërkojmë atë pasi jemi në të drejtën tonë procedurale. Nuk mund të mbahet në paraburgim një president për shkaqe që nuk varen nga ai. Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata.

“Mendova se vit i ri dhe gjykata do kishte reflektuar, me gjithë problematikat që ka shfaqur vitin e kaluar dhe menduam që ta niste vitin mbarë duke i dhënë një të drejtë procedurale, ligjore, që presidenti të vazhdonte hetimin ose gjykimin në një masë tjetër sigurimi që ne ia lamë në dëshirën e gjykatës”, tha ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌