Normal view

Received — 21 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – FIFA heton përleshjen në fushë pas finales Spanjë-Argjentinë

ZYRIH, 21korrik /ATSH -AA/ – FIFA njoftoi sot se ka nisur një hetim për përleshjen që shpërtheu pas finales në Kupën e Botës mes Argjentinës dhe Spanjës.

“Pas vlerësimit të raporteve përkatëse të ndeshjes për finalen e Kupës së Botës midis Spanjës dhe Argjentinës, dhe në përputhje me nenin 36 të Kodit Disiplinor të FIFA-s (FDC), Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka caktuar një prokuror disiplinor dhe të etikës për të hetuar shkeljet e mundshme të FDC-së në lidhje me incidentet pas ndeshjes”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.

Në fund të lojës, Leandro Paredes i Argjentinës u duk se kapi për fyti Eric Garcian e Spanjës dhe e shtyu Gavin në tokë ndërsa Nahuel Molina u duk se goditi Rodrin. Ndihmës trajneri i Argjentinës, Roberto Ayala, u pa gjithashtu duke goditur Dani Olmon.

Fillimisht u raportua se arbitri Slavko Vinçiq e kishte ndëshkuar Paredesit karton të kuq pas fishkëllimës së fundit. Megjithatë, FIFA më vonë konfirmoi për BBC Sport se asnjë masë disiplinore nuk ishte regjistruar kundër Paredesit në atë kohë.

Më vonë Molina u përball me Rodrin, i cili gjithashtu u përfshi në një shkëmbim verbal me ish-bashkëlojtarin e tij në Manchester City, Nicolas Otamendi.

FIFA po shqyrton sjelljen e Argjentinës pas fitores së saj gjysmëfinale ndaj Anglisë, kur lojtarët festuan me një banderolë ku shpallej “Las Malvinas son Argentinas” (Malvinet janë argjentinase), emri spanjoll që Argjentina përdor për Ishujt Falkland, arkipelagun e Atlantikut të Jugut të administruar nga Britania e Madhe.

Pas fitores 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë, Lisandro Martinez dhe Giovani Lo Celso mbajtën banderolën, e cila ishte sjellë në stadiumin e Atlantës nga mbështetësit. Shfaqja shkaktoi kritika nga zyrtarët britanikë, të cilët i kërkuan FIFA-s të hetonte nëse lojtarët kishin shkelur rregullat që ndalonin mesazhet politike gjatë garave zyrtare.

FIFA i ndalon lojtarët dhe ekipet të bëjnë deklarata politike, që do të thotë se gjobat ose pezullimet mund të lëshohen si pjesë e hetimit më të gjerë.  /os/

The post BOTËRORI 2026 – FIFA heton përleshjen në fushë pas finales Spanjë-Argjentinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – FIFA shton një simbol të ri për fituesit e Kupës së Botës

17 July 2026 at 22:52

NJU JORK, 17 korrik /ATSH/ – Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, skuadra që do të fitojë finalen e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës do të shpërblehet jo vetëm me trofeun dhe medaljet e arta, por edhe me unazën e kampionit, sipas Reuters.

FIFA njoftoi se kjo risi synon të krijojë një traditë të re në turneun më prestigjioz të futbollit.

Sipas FIFA-s, 30 unaza të personalizuara do t’i ndahen ekipit fitues.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri do të marrin versione të përkohshme të unazave, ndërsa modelet përfundimtare do të personalizohen me identitetin e skuadrës kampione dhe do t’u dorëzohen më vonë.

Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të përmbajë elemente që lidhen me ekipin fitues.

Unazat e lojtarëve do të jenë pjesë e një serie të kufizuar prej 2 026 copësh të numeruara.

Nga kjo seri, 1 996 unazat e mbetura do të dalin në shitje për tifozët në mbarë botën si produkte zyrtare të licencuara nga FIFA.

Unazat e kampionëve janë një traditë e njohur në sportet profesionale të Amerikës së Veriut, si NFL, NBA, Major League Baseball dhe NHL, por deri më tani nuk janë përdorur në asnjë kompeticion të organizuar nga FIFA.

Kjo risi është pjesë e disa ndryshimeve që kanë shoqëruar Kupën e Botës të këtij viti.

Finalja do të përfshijë edhe një spektakël artistik gjatë pushimit mes pjesëve, i ngjashëm me atë të Super Bowl-it, duke sjellë një format më të afërt me sportin amerikan.

Po ashtu, gjatë gjithë turneut janë zbatuar pushime të detyrueshme për hidratim, të cilat FIFA i ka justifikuar me temperaturat e larta dhe lagështinë në Amerikën e Veriut. Megjithatë, kjo praktikë ka ngjallur kritika nga lojtarë, trajnerë dhe tifozë, të cilët argumentojnë se ndërprerjet ndikojnë në ritmin e lojës dhe u japin skuadrave mundësi shtesë për riorganizim taktik./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – FIFA shton një simbol të ri për fituesit e Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Pse Spanja arriti në finale?

16 July 2026 at 19:28

ARLINGTON, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Spanja do të përballet me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës të dielën, me synimin për të fituar titullin e dytë botëror, 16 vjet pas triumfit të parë.

Ja pse kampionët e Evropës kanë arritur deri në finale:

  • Skuadra është ylli i vërtetë

Asnjë spanjoll nuk merr aq shumë vëmendje nga tifozët dhe media sa Lamine Yamal. 19-vjeçari, i cili festoi ditëlindjen një ditë para fitores 2-0 në gjysmëfinale ndaj Francës dhe më pas e shpërbleu veten me udhëtimin e shpresuar për në finalen në New Jersey, është ylli më i madh në ekipin e tij.

Por, ai nuk është aspak aq dominues sa Lionel Messi për Argjentinën, Harry Kane dhe Jude Bellingham për Anglinë, Erling Haaland për Norvegjinë, ose Kylian Mbappé, Michael Olise dhe Ousmane Dembélé për Francën.

“Ne luajtëm kundër njërës prej ekipeve më të mira kombëtare, por atyre iu desh të përballeshin me ekipin më të mirë. Ne jemi një ekip”, tha trajneri Luis de la Fuente pas ndeshjes gjysmëfinale të Spanjës.

Spanja është në finale edhe pse Yamal ka arritur vetëm një gol dhe një asist.

Figura kyçe në rrugën drejt finales përfshinin Mikel Oyarzabal, penalltia e të cilit e shënuar me sukses kundër Francës ishte goli i tij i pestë në këtë Kupë Bote. Megjithatë, sulmuesi i Real Sociedad ndoshta nuk do të hynte në dhjetëshen më të mirë në asnjë listë të sulmuesve më të njohur në botë. As Mikel Merino, superzëvendësuesi që shënoi golat e fitores në minutën e fundit kundër Portugalisë dhe Belgjikës.

“Ne të gjithë punojmë drejt të njëjtit qëllim, jo ​​vetëm atij të një individi. Nuk kam përjetuar kurrë një grup kaq shembullor, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Në 47 ditë së bashku, nuk patëm asnjë problem të vetëm”, ​​tha De la Fuente.

  • Sulmi fiton ndeshje, mbrojtja fiton tituj

Finalja e Kupës së Botës është ndeshja e tetë e Spanjës në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, dhe deri më tani ata kanë pësuar vetëm një gol.

Ndërsa barazimi hapës 0–0 kundër Kepit të Gjelbër fillimisht u prit me tallje, bota e ka pranuar prej kohësh se kampionët evropianë po zhvillojnë një turne mbrojtës të jashtëzakonshëm.

Vetëm Belgjika, në çerekfinale, arriti t’i vërë mbrojtësit e Spanjës nën presion në disa raste dhe u bë e vetmja ekip që shënoi kundër tyre. Siç thotë shprehja: sulmi fiton ndeshje, mbrojtja fiton tituj.

Portieri Unai Simón vendosi një rekord në Kupën e Botës me 649 minuta pa pësuar gol, duke tejkaluar lehtësisht rekordin 36-vjeçar të Walter Zengës.

Portieri i Athletic Bilbaos, i cili është përballur shpesh me kritika, iu desh të bënte pritje kundër Francës vetëm në fazat e fundit, sepse lojtarët para tij, të udhëhequr nga Rodri dhe 19-vjeçari Pau Cubarsí, mezi lejonin asnjë shans.

  • Një trajner i pamposhtur

Që nga marrja e drejtimit në janar 2023, Luis de la Fuente ka luajtur 48 ndeshje ndërkombëtare. Ai ka humbur vetëm tre dhe asnjë në ngjarje të mëdha.

Që nga një humbje 2-0 ndaj Skocisë në kualifikueset e Kampionatit Evropian në mars 2023, Spanja ka humbur vetëm finalen e Ligës së Kombeve kundër Portugalisë verën e kaluar – në një gjuajtje penalltish.

Në lojë të hapur, kampionët evropianë kanë mbetur të pamposhtur për më shumë se tre vjet me De la Fuenten në stol.

“Vazhdoj të jem i mahnitur nga ajo që është i aftë të bëjë ky ekip. Ne vazhdojmë të përmirësohemi, nga një ndeshje në tjetrën, nga një garë në tjetrën,” tha de la Fuente. “Nuk është vetëm fat; është përkushtim, talent, sakrificë dhe dëshira për t’u bërë një version edhe më i mirë i vetes.”

De la Fuente është përgjegjës për nxitjen e këtij mentaliteti. Ai ka punuar për Federatën Spanjolle të Futbollit për 13 vjet dhe më parë ka trajnuar shumë nga lojtarët aktualë të ekipit kombëtar në nivelin e të rinjve. Ai nguliti vlerat e tij tek ata që kur ishin ende adoleshentë.

Me Rodrin dhe Merinon, për shembull, ai fitoi Kampionatin Evropian U-19 në vitin 2015. Katër vjet më vonë, Oyarzabal dhe Dani Olmo ishin në formacionin titullar kur ekipi i Spanjës U-21 fitoi titullin evropian./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Pse Spanja arriti në finale? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOTOGALERI/ Atmosferë festive në “Fan Zone”, Rama: Tirana Europiane në një natë botërore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në “Fan Zone”-n e ngritur në qendër të Tiranës, ku qindra qytetarë dhe turistë ndoqën gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Anglisë.

“Tirana Europiane në një natë botërore”, shkroi Rama, teksa publikoi momente nga sheshi i mbushur me tifozë, të cilët ndoqën me emocion sfidën dhe festuan fitoren e Argjentinës.

“Fan Zone”, e vendosur në zemër të kryeqytetit, mblodhi së bashku sportdashës vendas dhe vizitorë të huaj, duke krijuar një atmosferë festive me brohoritje, duartrokitje dhe flamuj, ndërsa ndeshja u transmetua në ekran gjigant.

Mbajtësja e titullit, Argjentina, siguroi kualifikimin në finalen e Kupës së Botës pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2-1. Dy golat vendimtarë u shënuan në minutat e fundit të takimit, duke vulosur suksesin e ekipit argjentinas pas një përballjeje të fortë dhe plot rivalitet.

Në finalen e turneut, Argjentina do të përballet me Spanjën. Ndeshja për trofeun do të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në East Rutherford, Nju Xhersej, me fillim në orën 21:00.

/gj.m/ /a.g/

Fotoreporter: Andrin Hoxha

The post FOTOGALERI/ Atmosferë festive në “Fan Zone”, Rama: Tirana Europiane në një natë botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë

16 July 2026 at 07:37

DYSELDORF, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Pushimi mes pjesëve gjatë finales së Kupës së Botës të dielën do të zgjasë më shumë se 15 minutat e zakonshme, për shkak të organizimit të spektaklit të parë në histori gjatë pjesës së parë, njoftojnë mediat.

Sipas njoftimeve, FIFA ka bërë të ditur se shfaqja në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi do të zgjasë rreth 11 minuta, ndërsa pushimi mes pjesëve pritet të tejkalojë kufirin standard prej 15 minutash.

Mes artistëve të shpallur disa javë më parë janë Madonna, Shakira, Justin Bieber, Coldplay dhe grupi koreano-jugor BTS.

Rregullat e Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB) parashikojnë që lojtarët kanë të drejtë për një pushim mes pjesëve që nuk duhet të kalojë 15 minuta.

Çdo zgjatje e këtij pushimi mund të bëhet vetëm me miratimin e arbitrit.

Michael Gietzen, drejtor ekzekutiv i kompanisë globale të eventeve “Identity”, tha  se vendimi i FIFA-s është i drejtë.

Sipas tij, finalja e Kupës së Botës nuk është një ndeshje e zakonshme, por një ngjarje që zhvillohet vetëm një herë në katër vjet dhe ndiqet nga audienca më e madhe e çdo eventi sportiv në botë.

Ai theksoi se një spektakël i mirë në pushimin mes pjesëve nuk e zbeh futbollin, por bëhet pjesë e kujtimeve të tifozëve, ndërsa disa minuta shtesë nuk janë kompromis, por një mënyrë për të vlerësuar rëndësinë kulturore të finales, krahas asaj sportive.

Përpara finales do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse me performanca nga Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams, si edhe nga ylli i YouTube IShowSpeed.

Në ceremoni do të shfaqet edhe aktori Tom Cruise. FIFA ka bërë të ditur se spektakli në stadiumin  “MetLife” do të rikujtojë rrugëtimin e Kupës së Botës me 48 skuadra, e cila nisi më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Yjet e muzikës dhe kinemasë do të elektrizojnë finalen

15 July 2026 at 07:37

NJU JORK, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Finalja e Kupës së Botës 2026 do të shoqërohet nga një ceremoni spektakolare mbyllëse me pjesëmarrjen e disa prej emrave më të njohur të muzikës dhe kinemasë botërore.

FIFA njoftoi se këngëtarët Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams do të performojnë përpara ndeshjes finale, ndërsa në skenë do të ngjitet edhe ylli i YouTube, IShowSpeed.

Sipas FIFA-s, edhe aktori i famshëm Tom Cruise do të jetë pjesë e ceremonisë, e cila do të rikujtojë momentet më të spikatura të turneut të parë me 48 skuadra, të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada që nga 11 qershori.

Ceremonia do të nisë 90 minuta përpara fillimit të finales, e cila do të luhet në stadiumin MetLife në East Rutherford, Nju  Xhërsi, me fillim në orën 15:00 sipas kohës lokale (19:00 GMT).

Fituesja e çmimeve “Oscar”, “Grammy”, “Emmy dhe Tony”, Jennifer Hudson, do të interpretojë himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës para fillimit të ndeshjes.

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja do të përfshijë edhe një spektakël në pushimin mes pjesëve.

Në shfaqjen 11-minutëshe do të performojnë emra të njohur të muzikës botërore, përfshirë Madonna, Shakira, Justin Bieber, grupin Coldplay dhe yjet e K-pop-it BTS. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Yjet e muzikës dhe kinemasë do të elektrizojnë finalen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Katër ekipe, një Kupë Bote: Kush do ta ngrejë trofeun më të madh të futbollit?

14 July 2026 at 13:38

TIRANË, 14 korrik /ATSH/- Kupa e Botës ka hyrë në fazën vendimtare. Njëra prej katër skuadrave – Franca, Spanja, Argjentina ose Anglia – do të shpallet kampione e botës të dielën në Nju Jork. Por, kush do ta ngrejë trofeun?, shkruan BBC.

A është përballja Francë–Spanjë në gjysmëfinale “finalja e vërtetë”, siç mendojnë shumë ekspertë? A mund të bëhet Argjentina, skuadra e tretë në histori që mbron titullin? A do t’i japë Anglia fund pritjes 60-vjeçare për një Kupë Bote?

“BBC Sport” ka pyetur gazetarë dhe ekspertë nga vendet respektive për të kuptuar se si e shohin fundin e Botërorit 2026.

“Kjo mund të jetë vera e Anglisë” – këndvështrimi i Spanjës

“Spanja është skuadra më e mirë. Franca ka lojtarin më të mirë dhe sulmin më të frikshëm. Argjentina ka idenë më të mirë të lojës dhe arrin të bëjë më shumë se çdo ekip tjetër edhe me më pak mundësi. Anglia ka dy lojtarë të nivelit botëror që janë në formë të shkëlqyer. Të katër skuadrat që kanë mbërritur në gjysmëfinale, kanë cilësitë për të fituar turneun”, tha gazetari i njohur spanjoll, Guillem Balague.

“Nëse Spanja arrin t’ia marrë kontrollin e topit Francës, të ndalojë kundërsulmet e saj dhe të jetë më efikase para portës, atëherë ka një mundësi shumë të mirë për të shkuar në finale. Por, për këtë duhet të zhvillojë një ndeshje perfekte, me një Lamine Yamal në formën e tij më të mirë”, shtoi ai.

“Argjentina do të përpiqet që ndeshjen kundër Anglisë, ta bëjë të mbyllur dhe pa shumë raste, duke pritur një moment magjie nga Lionel Messi ose Julian Alvarez. Por deri tani ka luajtur shpesh në kufijtë e rrezikut”, theksoi ai.

“Anglia ende po kërkon stilin dhe identitetin e saj, por ka shumë karakter dhe dy yje të klasit botëror”, tha gazetari spanjoll.

“Një finale Spanjë–Angli do të ishte fantastike. Do të ishte një situatë ku do të isha i kënaqur në çdo rast, por do të doja që Anglia ta fitonte Kupën e Botës. Kjo mund të jetë vera e saj”, shtoi ai.

Tifozët spanjollë në SHBA

Tifozët spanjollë u shprehën optimistë për shanset e skuadrës së tyre, duke theksuar forcën në sulm dhe mbrojtje.

Sipas tyre, Franca është një kundërshtare shumë e fortë, por Spanja ka mundësi ta kontrollojë ndeshjen dhe të sigurojë një vend në finale.

Ata vlerësojnë gjithashtu rrezikun që paraqet Anglia, sidomos për shkak të sulmuesit Harry Kane, një nga lojtarët më të vështirë për t’u ndalur.

“Është e vështirë të mos zgjedhësh Francën” – këndvështrimi i Anglisë

“Do të doja të thosha Anglia, por ajo që kemi parë deri tani në këtë Kupë Bote, më bën të mendoj se Franca, do të hakmerret për humbjen ndaj Argjentinës, në finalen e vitit 2022 në Katar dhe këtë herë do ta fitojë trofeun”, tha shefi i rubrikës së futbollit në BBC, Phil McNulty.

Sipas tij, Anglia ka mundësi të arrijë në finale, për herë të parë që prej vitit 1966, duke mposhtur Argjentinën.

Por, është shumë e vështirë të shpërfillet fuqia sulmuese e Francës, me Kylian Mbappé në formë të jashtëzakonshme dhe me mbështetjen e lojtarëve si Ousmane Dembélé, Michael Olise dhe Désiré Doué.

Franca ka gjithashtu alternativa të forta në stol, si Bradley Barcola dhe Rayan Cherki, të cilët nuk luajtën në ndeshjen e fundit.

Parashikimi i tij është një finale Angli–Francë, ku trajneri francez Didier Deschamps do ta mbyllte aventurën e tij me një tjetër Kupë Bote.

Megjithatë, ai pranon se parashikimet në futboll shpesh mund të dalin të gabuara.

Tifozët anglezë në SHBA

Tifozët anglezë besojnë se skuadra e tyre ka mundësi reale për të triumfuar, sidomos falë lojtarëve si, Jude Bellingham dhe Harry Kane.

Disa prej tyre mendojnë se Anglia mund të kalojë Argjentinën dhe të përballet me Francën ose Spanjën në finale.

Të tjerë janë më skeptikë dhe mendojnë se, problemet me dëmtimet dhe lodhja mund të ndikojnë, ndërsa Lionel Messi mund të bëjë diferencën për Argjentinën.

“Kemi shumë besim” – këndvështrimi i Francës

“Nuk dihet se çfarë mund të presë Franca nga Spanja, sidomos nga Lamine Yamal, i cili nuk ka qenë në nivelin më të lartë në fillim të turneut. Megjithatë, ai mund të shpërthejë pikërisht në përballjen ndaj Francës”, tha gazetar francez i “TV5 Monde”, Abdoul-Karim.

Në Francë, ka shumë besim te skuadra. Ndryshe nga turnetë e mëparshme, këtë herë nuk ka polemika apo debate rreth ekipit.

E gjithë Franca do të ndalet për të ndjekur gjysmëfinalen. Ndeshja zhvillohet në Ditën e Bastijës, festën kombëtare franceze, dhe disa qytete kanë shtyrë ndezjen e fishekzjarreve pas përfundimit të takimit, nëse Franca siguron një tjetër finale.

Tifozët francezë në SHBA

Tifozët francezë e konsiderojnë, si një nga skuadrat më të mira të Francës në histori.

Ata besojnë se ekipi ka cilësinë për të fituar trofeun, por pranojnë se Spanja mbetet një kundërshtare shumë e rrezikshme.

“Franca është një nivel mbi të tjerët” – këndvështrimi i Argjentinës

“Mendoj se Franca është skuadra favorite për të fituar titullin. Në sulm ka një ekip që i frikëson të gjithë dhe gjatë turneut është përmirësuar edhe në mbrojtje”, tha gazetari argjentinas, Santi Sciola.

“Sigurisht që shpresoj që Argjentina të fitojë, sepse është një skuadër që luan me zemër dhe ka cilësi për ta bërë këtë. Por në aspektin e lojës, Franca më duket një nivel mbi të gjitha skuadrat e tjera në këtë moment”, shtoi ai.

Tifozët argjentinas në SHBA

Tifozët argjentinas shprehen të bindur se skuadra e tyre mund të fitojë.

Ata theksojnë se Argjentina ka kaluar ndeshje të vështira dhe ka aftësinë për të mposhtur Anglinë.

Megjithatë, disa prej tyre pranojnë se Franca duket si skuadra më e fortë e turneut.

Shumica e ekspertëve e shohin Francën si favorite kryesore për titullin, falë sulmit të fuqishëm dhe performancës së lojtarëve të saj.

Por, Spanja, Anglia dhe Argjentina kanë gjithashtu vlerat e tyre dhe gjysmëfinalet pritet të përcaktojnë nëse Franca, do të konfirmojë statusin e favorites apo do të ketë një surprizë tjetër. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Katër ekipe, një Kupë Bote: Kush do ta ngrejë trofeun më të madh të futbollit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Spanja fiton 2-1 ndaj Belgjikës, siguron gjysmëfinalen

10 July 2026 at 23:41

Spanja shkon në gjysmëfinale të Botërorit 2026 pas fitores ndaj Belgjikës.

TIRANË, 10 korrik /ATSH/- Spanja siguroi një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026 pasi mposhti Belgjikën me rezultatin 2-1 në çerekfinale, më 10 korrik, sipas “Fox Sports”.

Spanja kaloi në avantazh në minutën e 29-të me golin e Fabián Ruiz, por Belgjika reagoi dhe barazoi në minutën e 41-të me Charles De Ketelaere, i cili shënoi gol, me goditje me kokë.

Moment vendimtar i ndeshjes erdhi në minutat e fundit.

Portieri kryesor i Belgjikës, Thibaut Courtois, u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi dhe u zëvendësua nga Senne Lammens.

Portieri rezervë bëri një gabim në një aksion të rrezikshëm dhe i dha mundësinë Mikel Merinos të shënonte golin e fitores në minutën e 88-të.

Spanja pati më shumë kontroll të lojës dhe krijoi më shumë raste për të shënuar gol, gjatë takimit të zhvilluar në stadiumin e Los Anxhelesit në Inglewood, Kaliforni.

Me këtë fitore, Spanja kalon në gjysmëfinale të Botërorit 2026, ku do të përballet me Francën në Dallas. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Spanja fiton 2-1 ndaj Belgjikës, siguron gjysmëfinalen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 10 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – De la Fuente dhe Spanja e artë: Një brez i ri me ambicie historike

10 July 2026 at 17:15

TIRANË, 10 korrik /ATSH/- Spanja po shkon drejt një tjetër kapitulli të madh në historinë e futbollit të saj, shkruan BBC.

Pas triumfit në Kampionatin Evropian dy vite më parë, skuadra spanjolle synon të fitojë edhe Kupën e Botës, një arritje që vetëm tri kombe e kanë realizuar më parë: Spanja në vitin 2010, Franca në vitin 2000 dhe Gjermania Perëndimore në vitin 1974.

Luis De la Fuente, i cili mori drejtimin e kombëtares spanjolle në janar të vitit 2023, ka arritur të krijojë një ekip të qëndrueshëm dhe konkurrues në nivelin më të lartë. 

Gjatë periudhës së tij si trajner, Spanja ka humbur vetëm tri ndeshje dhe aktualisht numëron 35 ndeshje radhazi pa humbje.

Por suksesi i tij nuk shpjegohet vetëm me skemat taktike apo mënyrën e organizimit të lojës. 

Sipas analizës, ajo që e dallon De la Fuenten është aftësia për të krijuar një kulturë të fortë brenda ekipit, ku rëndësi kanë karakteri, bashkëpunimi dhe përkushtimi.

Një skuadër e ndërtuar mbi karakterin

Në filozofinë e trajnerit spanjoll qëndron një ide e thjeshtë: futbolli është një sport kolektiv dhe fitohet nga njerëz që vendosin ekipin mbi veten.

Për De la Fuenten, një lojtar i mirë nuk është vetëm ai që ka talent teknik, por edhe ai që ndihmon shokët e skuadrës, respekton rregullat, pranon sakrificat dhe punon për objektivin e përbashkët.

“Një dhomë zhveshjeje funksionon kur ka njerëz që japin për ekipin”, tha ai, duke nënvizuar se talenti individual nuk mjafton nëse mungon harmonia mes lojtarëve.

Trajneri 65-vjeçar ka kaluar shumë vite në sistemin e futbollit spanjoll dhe ka punuar me shumë prej lojtarëve aktualë që kur ishin në ekipet e të rinjve. 

Kjo i ka dhënë mundësinë të njohë jo vetëm aftësitë e tyre në fushë, por edhe karakterin dhe mënyrën e sjelljes së tyre.

Spanja ruan identitetin e saj

Një nga avantazhet më të mëdha të Spanjës është se ajo nuk po përpiqet të ndërtojë një projekt të ri nga fillimi. 

Kombëtarja ka një identitet të krijuar prej dekadash, i bazuar te kontrolli i topit, pasimet e shumta, qarkullimi i shpejtë i lojës dhe inteligjenca taktike e lojtarëve.

De la Fuente nuk e ka ndryshuar këtë filozofi, por e ka përshtatur me kërkesat e futbollit modern. 

Ai i ka shtuar ekipit më shumë fleksibilitet, më shumë siguri në mbrojtje dhe aftësi për të reaguar në situata të ndryshme gjatë ndeshjeve.

Për këtë arsye, edhe pse kundërshtarët e dinë mënyrën se si luan Spanja, përsëri e kanë shumë të vështirë ta ndalin. 

Një anëtar i stafit të Portugalisë e ka përshkruar ekipin spanjoll si “skuadrën më të lehtë për t’u analizuar, por më të vështirën për t’u mposhtur”.

Përvoja i ka mësuar qetësinë

De la Fuente pranon se në vitet e para të karrierës së tij reagonte më shumë emocionalisht gjatë ndeshjeve. 

Por përvoja i ka mësuar se qetësia dhe kontrolli janë thelbësore në momentet e vështira.

Ai kujton se në të kaluarën Spanja ka humbur ndeshje kur është përfshirë në tensione, provokime ose ka dalë nga mënyra e saj normale e lojës.

Sot ai kërkon nga lojtarët të ruajnë përqendrimin dhe të mos lejojnë që kundërshtari t’i largojë nga identiteti i tyre.

Sfida më e madhe: Menaxhimi i Lamine Yamal

Një nga detyrat më të ndjeshme të De la Fuentës është menaxhimi i yllit të ri Lamine Yamal. 

Futbollisti 18-vjeçar është bërë një nga figurat kryesore të Spanjës dhe një nga talentet më të mëdha në botë.

Trajneri thotë se ndaj tij ka zgjedhur një qasje të qetë: t’i japë besim dhe ta ndihmojë të rikthehet gradualisht në formën optimale pas dëmtimit.

Sipas De la Fuente, ndeshja ndaj Portugalisë ishte një moment shumë i rëndësishëm për Yamal, jo vetëm për shkak të aftësive të tij me topin, por sepse tregoi një anë tjetër të lojës: punën, disiplinën dhe angazhimin për ekipin.

“Ky është momenti i tij. Jo momenti për të shënuar dhjetë gola, por për të qenë vendimtar në ndeshjet vendimtare”, deklaroi trajneri.

Suksesi ndërtohet me disiplinë

Për De la Fuenten, suksesi nuk vjen nga një ndeshje e vetme, por nga puna e vazhdueshme. 

Ai e përshkruan disiplinën dhe vazhdimësinë si pjesë të mënyrës së tij të jetesës.

Edhe jashtë punës si trajner, ai ruan një rutinë të fortë fizike dhe beson se përkushtimi i përditshëm, është çelësi i arritjeve të mëdha.

Tani objektivi i tij është i qartë: ta udhëheqë Spanjën drejt një tjetër trofeu historik dhe të dëshmojë se kombinimi i talentit, kulturës së ekipit dhe vazhdimësisë mund të sjellë suksesin më të madh në futbollin botëror. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – De la Fuente dhe Spanja e artë: Një brez i ri me ambicie historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Haaland rreziku i përhershëm i anglezëve

MIAMI, 10 korrik /ATSH-AFP/ – Anglia e Harry Kane, me vendosmërinë e saj dhe mbrojtjen ndonjëherë të brishtë, do të përballet me ”makinën e golave” ​​të Norvegjisë, Erling Haaland, në çerekfinalen e së shtunës, gjithmonë i gatshëm të shfrytëzojë çdo mundësi.

Tre Luanët, me yjet e tyre në çdo nivel, janë favoritë për të arritur në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026, veçanërisht pasi fituan Betejën e Azteca-s, në një ndeshje kundër Meksikës (3-2) që do të hyjë në historinë e turneut.

Djemtë e Thomas Tuchel u rezistuan sulmeve meksikane në pjesën e dytë, duke luajtur me 10 lojtarë, dhe siguruan një fitore që ka të ngjarë të mbetet një nga më të mëdhatë e Anglisë në Kupën e Botës, të paktën në epokën moderne.

Pasi humbi dy finalet e fundit të Kampionatit Evropian dhe arriti në gjysmëfinale dhe çerekfinale të dy Kupave të Botës së fundit, kjo gjeneratë nuk ka qenë kurrë më afër se çdo tjetër për t’i dhënë fund ”thatësirës” në Kupën e Botës që nga viti 1966.

“Kemi qenë në këtë pozicion disa herë më parë”, tha anësori anglez Bukayo Saka “por skuadra më e mirë në atë ditë do të jetë ajo që fiton. E dimë këtë dhe kjo është ajo në të cilën jemi përqendruar”.

Kjo garë në Shtetet e Bashkuara u bë e mundur falë Jude Bellingham dhe Harry Kane, po aq thelbësorë për përparimin e Anglisë sa Haaland për Norvegjinë.

Mesfushori i ”Real Madridit” dhe sulmuesi i ”Bayern Munich” kanë shënuar 10 nga 11 golat e ekipit të tyre deri më tani.

Por, problemet e Anglisë qëndrojnë në anën tjetër të fushës dhe përkeqësohen nga pezullimi prej dy ndeshjesh i Jarell Quansah për kartonin e tij të kuq në raundin e 1/16.

Një mbrojtës i majtë, Quansah kishte zëvendësuar në pozicionin e mbrojtësit të djathtë në mungesë të Reece James, titullarit të pritur i cili është zhgënjyer përsëri nga trupi i tij i brishtë pas dy ndeshjeve të para të Kupës së Botës.

I munguar në seancën stërvitore të ekipit të së mërkurës, lojtari i Chelseat është shumë i dyshimtë, ashtu si Declan Rice dhe Marc Guehi, të cilët gjithashtu nuk janë në stërvitje.

Edhe një herë, Thomas Tuchel mund të detyrohet të riorganizojë mbrojtjen e tij, siç ka bërë disa herë gjatë turneut për shkak të mungesës së dukshme të lojtarëve në atë zonë.

Haaland, një lojtar i qetë dhe i përqendruar që di të jetë diskret dhe pastaj efektiv dhe i qetë kur është e nevojshme, padyshim që do të jetë kërcënimi kryesor i Anglisë në çerekfinale, e cila do të luhet në nxehtësi dhe lagështi të madhe.

Dobësitë e tyre mbrojtëse do të testohen rëndë nga sulmuesi bjond shtatlartë, i cili tronditi Brazilin në raundin e 1/16 dhe tashmë ka shtatë gola në katër paraqitjet e tij të para në Kupën e Botës.

“Sigurisht, nëse mund ta mbajmë të qetë, ky do të jetë një faktor i madh”, pranoi mbrojtësi i majtë Nico O’Reilly të enjten, në lidhje me shokun e tij të ekipit në ”Manchester City”.

“Erling është i rrezikshëm në zonë, ai është një kërcënim i vërtetë, por ata duhet t’ia çojnë topin atij së pari”, shtoi ai me besim.

Në Kupën e parë të Botës pas 28 viteve, Norvegjia, ky vend me pak më shumë se pesë milionë banorë, i ka tejkaluar shumë pritjet.

Ajo ka arritur në këtë fazë të garës për herë të parë në historinë e saj.

“Të luanim dhe të mposhtnim Brazilin ishte çmenduri për ne norvegjezët dhe pastaj, të luanim kundër Anglisë, në çerekfinale është e pabesueshme. Nëse shikoni skenat në Norvegji, nuk është Norvegjia e zakonshme”, theksoi Haaland./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Haaland rreziku i përhershëm i anglezëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Një 17-vjeçare humb jetën gjatë festimeve për fitoren e Francës

10 July 2026 at 09:33

PARIS, 10 korrik /ATSH-AFP/ – Një adoleshente 17-vjeçare humbi jetën gjatë natës në Aulnoye-Aymeries, në departamentin Nord të Francës, pasi ra nga një kamion mbi të cilin po festonte fitoren e kombëtares franceze ndaj Marokut në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026.

Sipas burimeve pranë hetimit, e reja ishte ngjitur në pjesën e pasme të kamionit për të festuar suksesin e “Bluve”.

Për arsye që po hetohen, ajo ra nga mjeti dhe u shtyp prej tij.

Shërbimi zjarrfikës bëri të ditur se vajza ndërroi jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.

Pranë vendit të aksidentit ndodheshin edhe gjashtë të mitur.

Njëri prej tyre, i tronditur rëndë nga ngjarja, u dërgua në Qendrën Spitalore të Maubeuge për trajtim mjekësor.

Autoritetet franceze kanë ndaluar drejtuesin e kamionit dhe e kanë vendosur në paraburgim, ndërsa hetimet për rrethanat e aksidentit janë në vijim./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Një 17-vjeçare humb jetën gjatë festimeve për fitoren e Francës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Franca në gjysmëfinale pas fitores 2-0 ndaj Marokut

10 July 2026 at 06:26

TIRANË, 10 korrik /ATSH/- Edhe pse Franca fitoi 2-0 ndaj Marokut dhe u kualifikua në gjysmëfinale, një nga momentet më të përfolura ishte penalltia e humbur nga Kylian Mbappé, shkruan BBC.

Ndeshja ishte 0-0 kur Franca fitoi një penallti. Mbappé, gjatë vrapimit drejt topit, ngadalësoi dhe bëri një ndalesë të shkurtër për të mashtruar portierin, por goditja e tij ishte e dobët dhe portieri maroken, Yassine Bounou e priti pa vështirësi.

Megjithatë, në pjesën e dytë Mbappé u rehabilitua duke shënuar golin e parë të Francës me një goditje të bukur, ndërsa Ousmane Dembélé shënoi golin e dytë për fitoren 2-0.

Pse po kritikohet kjo mënyrë e goditjes së penalltive?

Shumë futbollistë, para se të godasin penalltinë, ngadalësojnë ose ndalojnë për një çast gjatë vrapimit, me synimin që portieri të hidhet në njërën anë dhe më pas ta dërgojnë topin në anën tjetër.

Sipas rregullave të FIFA-s, kjo lejohet, për sa kohë lojtari nuk ndalet menjëherë para goditjes së topit.

Megjithatë, statistikat e Kupës së Botës tregojnë se kjo teknikë nuk ka qenë shumë e suksesshme.

  • Nga 26 penallti të goditura me këtë stil, 11 janë humbur, që do të thotë se vetëm 57% kanë rezultuar në gol.
  • Ndërsa nga 35 penallti të goditura me një vrapim normal, 24 janë shënuar, ose një sukses prej 68%.

Pse po bëhet më e vështirë të shënosh gol nga penalltia?

Sipas ish-futbollistëve dhe analistëve:

  • Portierët janë më të gjatë, më atletikë dhe më të përgatitur se më parë.
  • Ekipet analizojnë me video mënyrën se si çdo lojtar gjuan penalltitë, ndaj portierët shpesh e dinë paraprakisht stilin e goditjes.
  • Për këtë arsye, lojtarët përpiqen t’i mashtrojnë me lëvizje gjatë vrapimit, por kjo nuk funksionon gjithmonë.

Pse dështoi Mbappé?

Analistët besojnë se Mbappé u ndikua edhe nga pritja e gjatë para goditjes.

Për shkak të një kontrolli me VAR, ai priti 3 minuta e 12 sekonda nga momenti kur u akordua penalltia deri sa e goditi topin.

Sipas gazetarit francez Julien Laurens dhe ish-futbollistëve Roy Keane e Ian Wright, kjo vonesë prishi rutinën e Mbappé dhe i shtoi presionin psikologjik.

Megjithatë, penalltia e humbur nuk ndryshon statistikat e tij të mira: kjo ishte vetëm penalltia e dytë e humbur me Francën, pasi ai ka shënuar 14 gola nga 16 penallti, me kombëtaren. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Franca në gjysmëfinale pas fitores 2-0 ndaj Marokut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026: Gara për “Këpucën e Artë”: Kush do të shpallet golashënuesi më i mirë?

TIRANË, 9 korrik /ATSH/- Gara për “Këpucën e Artë”, çmimin që i jepet futbollistit që shënon më shumë gola në Kupën e Botës, është një nga më të fortat në historinë e turneut, shkruan BBC.

Katër nga sulmuesit më të mirë në botë janë ende në garë dhe diferencat mes tyre janë shumë të vogla.

Aktualisht renditja është:

  • Lionel Messi (Argjentinë) – 8 gola
  • Kylian Mbappé (Francë) – 7 gola
  • Erling Haaland (Norvegji) – 7 gola
  • Harry Kane (Angli) – 6 gola

Sipas statistikave, është hera e parë në historinë e Kupës së Botës që ka një konkurrencë kaq të fortë mes katër futbollistëve me kaq shumë gola në të njëjtin turne.

Si caktohet fituesi?

Fitues shpallet lojtari që shënon më shumë gola. Nëse dy ose më shumë futbollistë kanë të njëjtin numër golash, merret parasysh:

  • numri i asistimeve (pasimet që çojnë në gol);
  • nëse edhe aty ka barazim, fitues bëhet ai që i ka arritur këto statistika duke luajtur më pak minuta.

Messi kryeson

Messi udhëheq garën me tetë gola dhe është bërë vetëm lojtari i nëntë, në historinë e Botërorit, që arrin këtë shifër në një edicion të vetëm.

Mbappé synon të shkruajë histori

Mbappé ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë dy asistime.

Nëse arrin të shënojë edhe një gol, ai do të bëhej futbollisti i parë, që realizon tetë ose më shumë gola në dy Kupa Bote të ndryshme, pasi këtë e bëri edhe në Katar 2022.

Haaland, më efikasi

Në Botërorin e tij të parë, Haaland ka shënuar shtatë gola dhe ka qenë sulmuesi më efikas nga katër pretendentët, duke shfrytëzuar një pjesë shumë të madhe të rasteve, që i janë krijuar.

Kane mbetet në garë

Harry Kane ka realizuar gjashtë gola dhe një asistim.

Ai fitoi “Këpucën e Artë” në Botërorin e vitit 2018 me po aq gola dhe tani synon ta fitojë sërish këtë çmim.

Me çerekfinalet dhe fazat e fundit ende për t’u luajtur, gara mbetet plotësisht e hapur.

Çdo gol në ndeshjet e mbetura, mund të ndryshojë renditjen dhe të përcaktojë fituesin e “Këpucës së Artë”, një nga çmimet më prestigjioze individuale në futboll. //a.i:

The post BOTËRORI 2026: Gara për “Këpucën e Artë”: Kush do të shpallet golashënuesi më i mirë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Turneu që po thyen çdo rekord: A është kjo Kupa e Botës më spektakolare në histori?

TIRANË, 9 korrik /ATSH/- Kupa e Botës 2026 ka ofruar deri tani gjithçka që tifozët presin nga futbolli: gola spektakolarë, përmbysje rezultatesh, fitore në minutat e fundit dhe surpriza të mëdha, shkruan BBC.

Me nisjen e çerekfinaleve, kanë mbetur edhe tetë ndeshje për t’u zhvilluar.

Ky është Botërori më i madh i organizuar ndonjëherë, pasi për herë të parë marrin pjesë 48 kombëtare dhe ndeshjet zhvillohen në SHBA, Kanada dhe Meksikë. 

Sipas statistikave, ai është gjithashtu një nga turnetë më spektakolarë në historinë e Kupës së Botës.

Deri tani janë zhvilluar 96 nga 104 ndeshje, ku janë shënuar 280 gola, mesatarisht 2,92 gola për ndeshje. 

Kjo është mesatarja më e lartë që nga Botërori i vitit 1970 në Meksikë. 

Pjesa më e madhe e golave janë shënuar gjatë lojës normale, ndërsa vetëm 5% kanë ardhur nga penalltitë, përqindja më e ulët e regjistruar ndonjëherë.

Turneu është karakterizuar edhe nga shumë emocione në fund të ndeshjeve. 

Në tetë sfida të fazës me eliminim direkt, goli i fitores është shënuar pas minutës së 85-të, ndërsa janë zhvilluar edhe disa ndeshje që janë vendosur në kohën shtesë ose me penallti. 

Po ashtu, janë regjistruar 10 gola fitoreje në minutën e 90-të, një rekord i ri për Kupën e Botës.

Botërori ka sjellë edhe disa përmbysje të rralla. 

Belgjika dhe Argjentina fituan ndeshjet pasi ishin në disavantazh me dy gola, diçka që nuk kishte ndodhur më shumë se një herë, në të njëjtin turne që nga viti 1970.

Edhe pse kishte shqetësime për çmimet shumë të larta të biletave dhe udhëtimet e gjata mes qyteteve pritëse, stadiumet kanë qenë pothuajse plot. 

Sipas FIFA-s, janë zënë 99,7% e vendeve të disponueshme, ndërsa mbi 6,2 milionë tifozë kanë ndjekur ndeshjet deri tani.

Në planin individual, gara për “Këpucën e Artë”, çmimin për golashënuesin më të mirë të turneut, është shumë e fortë. 

Lionel Messi kryeson me tetë gola, ndërsa Kylian Mbappé dhe Erling Haaland kanë nga shtatë gola, ndërsa Harry Kane ka shënuar gjashtë.

Turneu ka prodhuar edhe histori të bukura të skuadrave më të vogla. 

Kepi i Gjelbër arriti deri në fazën me eliminim direkt dhe i rezistoi Argjentinës deri në kohën shtesë, ndërsa Kuraçao dhe Katari shënuan rezultate të papritura ndaj skuadrave më të forta.

Megjithatë, Botërori nuk ka kaluar pa polemika. 

Tifozët kanë kritikuar çmimet e larta të biletave, hoteleve dhe transportit, ndërsa pushimet për hidratim gjatë ndeshjeve janë konsideruar të panevojshme në disa stadiume.

Gjithashtu, është diskutuar për kohëzgjatjen e turneut dhe ngarkesën fizike të futbollistëve.

Një nga debatet më të mëdha lidhet me vendimin e FIFA-s për të pezulluar dënimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, pasi presidenti amerikan Donald Trump pranoi se kishte biseduar me presidentin e FIFA-s Gianni Infantino për këtë çështje. 

Vendimi shkaktoi kritika dhe ngriti dyshime për ndërhyrje politike.

Pavarësisht polemikave, FIFA e konsideron turneun një sukses të madh. 

Me ekipet më të forta të botës, si Argjentina, Spanja, Franca dhe Anglia ende në garë, pritet që ndeshjet e mbetura të jenë edhe më spektakolare dhe të vendosin nëse Botërori 2026 do të mbahet mend si më i miri në histori. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Turneu që po thyen çdo rekord: A është kjo Kupa e Botës më spektakolare në histori? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Edhe Justin Bieber i bashkohet spektaklit të finales

NJU JORK, 9 korrik /ATSH/ – Ylli kanadez i muzikës pop Justin Bieber do të jetë pjesë e spektaklit të pjesës së parë të finales së Kupës së Botës 2026, duke iu bashkuar një liste emrash të mëdhenj të muzikës botërore, sipas Reuters.

Sipas njoftimit, Bieber do të performojë së bashku me Madonnën, Shakirën dhe grupin koreanojugor BTS.

Spektakli do të zgjasë rreth 11 minuta dhe do të shënojë një moment historik, pasi është hera e parë që një finale e Kupës së Botës organizon një shfaqje muzikore gjatë pushimit mes dy pjesëve të ndeshjes, në stilin e finales së kampionatit amerikan të futbollit, “Super Bowl”.

Finalja e Kupës së Botës do të zhvillohet më 19 korrik në  “MetLife Stadium”, në East Rutherford, në Nju Xhersi.

Ndeshja pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të ndjekura në histori, me qindra miliona shikues në të gjithë botën.

Përfshirja e Justin Bieber vjen pas rikthimit të tij në skenën muzikore gjatë muajve të fundit dhe shton edhe më shumë interesin për spektaklin.

Organizatorët synojnë që ky format i ri të kombinojë emocionet e finales së futbollit me një shfaqje artistike të nivelit më të lartë, duke e kthyer finalen në një ngjarje globale argëtimi.

Me emra si Madonna, Shakira, BTS dhe Justin Bieber në të njëjtën skenë, FIFA synon të krijojë një spektakël të paprecedentë që do të shoqërojë finalen e turneut më të madh të futbollit në botë dhe që pritet të mbetet një nga momentet më të kujtuara të Kupës së Botës 2026./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Edhe Justin Bieber i bashkohet spektaklit të finales appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Çfarë pritet nga çerekfinalet e Kupës së Botës?

TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Kupa e Botës 2026 ka dhuruar deri tani ndeshje spektakolare, por edhe faza çerekfinale premton përballje shumë interesante, shkruan BBC.

Në garë kanë mbetur gjashtë skuadra evropiane, një afrikane dhe një nga Amerika e Jugut.

Francë – Marok

Franca konsiderohet favorite, por Maroku nuk është më skuadra surprizë e vitit 2022.

Kampionët e Afrikës kanë treguar performancë shumë të mirë dhe nuk kanë humbur asnjë ndeshje në 34 ndeshjet e fundit.

Nga ana tjetër, Franca mbështetet te sulmuesi Kylian Mbappé, i cili synon të fitojë “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i turneut.

Megjithatë, statistikat favorizojnë francezët, të cilët i kanë fituar shtatë ndeshjet e fundit ndaj Marokut.

Spanjë – Belgjikë

Belgjika ka shënuar 13 gola në këtë Botëror dhe vjen me një sulm shumë të fortë, të udhëhequr nga Romelu Lukaku.

Por përballë do të ketë Spanjën, e cila nuk ka pësuar asnjë gol gjatë turneut.

Mbrojtja spanjolle ka qenë më e mira deri tani dhe skuadra konsiderohet një nga favoritët për trofeun.

Norvegji – Angli

Kjo pritet të jetë përballja më spektakolare e çerekfinaleve, pasi do të vërë përballë dy nga sulmuesit më të mirë në botë.

Norvegjia udhëhiqet nga Erling Haaland, i cili ka shënuar shtatë gola në vetëm katër ndeshje.

Ndërsa Anglia mbështetet te kapiteni Harry Kane, i cili ka realizuar gjashtë gola dhe është vetëm një gol pas Haaland, në garën për golashënuesin më të mirë të Botërorit.

Argjentinë – Zvicër

Kampionia në fuqi, Argjentina, është favorite, por deri tani nuk e ka pasur aspak të lehtë rrugëtimin drejt çerekfinaleve.

Skuadra e Lionel Messi u kualifikua me shumë vështirësi në dy ndeshjet e fundit.

Messi kryeson listën e golashënuesve me tetë gola, megjithëse në ndeshjen e fundit humbi edhe një penallti.

Ndërkohë, Zvicra ka surprizuar me paraqitjet e saj dhe ka arritur për herë të parë, që nga viti 1954, në çerekfinalet e Kupës së Botës, ndaj synon të vazhdojë ecurinë pozitive. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Çfarë pritet nga çerekfinalet e Kupës së Botës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Dominimi i Evropës në Kupën e Botës: Rastësi apo rezultat i pritshëm?

TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Kupa e Botës 2026 po shfaq një dominim të qartë të skuadrave evropiane. Nga tetë ekipet që kanë mbërritur në fazën çerekfinale, gjashtë janë nga Evropa: Belgjika, Anglia, Franca, Norvegjia, Spanja dhe Zvicra, shkruan BBC.

Dy vendet e tjera plotësohen nga Argjentina dhe Maroku.

Ky është numri më i madh i skuadrave evropiane, që kanë arritur në tetë më të mirat e një Kupe Bote, të zhvilluar jashtë Evropës që nga viti 1994.

Edhe pse ekipet evropiane nuk e nisën në mënyrën më të mirë turneun, me disa rezultate zhgënjyese në fazën e grupeve, ato u përmirësuan ndjeshëm gjatë ndeshjeve dhe treguan forcën e tyre në fazën me eliminim direkt.

Në këtë fazë, skuadrat evropiane kanë treguar jo vetëm cilësi teknike, por edhe aftësi për të përballuar presionin në ndeshje të vështira.

Anglia kaloi një provë të fortë ndaj Meksikës në një atmosferë shumë të tensionuar, Franca u përball me një ndeshje të vështirë ndaj Paraguajit, ndërsa Belgjika eliminoi organizatorët e turneut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse Evropa ka gjithmonë një përfaqësim të madh në Botëror, pasi siguron 16 vende në turne, dominimi i këtij edicioni konsiderohet i veçantë.

Kjo sidomos pas eliminimit të disa skuadrave të mëdha jashtë Evropës, si Brazili, ndërsa tre vendet pritëse – Kanadaja, Meksika dhe SHBA-ja – u eliminuan në fazën e 1/8-ve.

Favoritet kryesore për trofeun mbeten Franca, Spanja dhe Anglia.

Franca, e udhëhequr nga Kylian Mbappé, ka konfirmuar pritshmëritë dhe sulmuesi francez, është ndër kandidatët kryesorë, për titullin e golashënuesit më të mirë të turneut.

Spanja ka impresionuar me lojën e saj të kontrolluar dhe mbrojtjen shumë të fortë, pasi nuk ka pësuar asnjë gol deri tani.

Ndërsa Anglia synon të shkojë më tej, falë një skuadre më të pjekur dhe me besim të lartë pas rezultateve të fundit.

Megjithatë, Botërori ka sjellë edhe surpriza. Norvegjia, e rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998, po shkëlqen falë paraqitjeve të Erling Haaland, i cili ka shënuar shtatë gola deri tani dhe është një nga yjet kryesorë të turneut.

Edhe Zvicra ka bërë një paraqitje historike. Fitorja ndaj Kolumbisë me penallti e çoi në çerekfinale, për herë të parë që nga viti 1954.

Skuadra zvicerane ka treguar qetësi dhe organizim, por tani përballet me një sfidë shumë të vështirë ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës.

Nëse një skuadër evropiane triumfon në këtë Botëror, do të jetë hera e tretë në histori, që një ekip nga Evropa fiton një Kupë Bote të zhvilluar jashtë kontinentit, pas Spanjës në Afrikën e Jugut në vitin 2010 dhe Gjermanisë në Brazil në vitin 2014. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Dominimi i Evropës në Kupën e Botës: Rastësi apo rezultat i pritshëm? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Zvicra triumfon 4-3 me penallti ndaj Kolumbisë, përballet me Argjentinën në çerekfinale

TIRANË, 8 korrik /ATSH/- Zvicra u kualifikua në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Kolumbinë 4-3 me penallti, pas një ndeshjeje që përfundoi 0-0 edhe pas 120 minutave lojë, sipas BBC.

Heroi i Zvicrës ishte portieri Gregor Kobel, i cili priti penalltinë vendimtare të Cucho Hernández.

Penalltinë që vulosi fitoren dhe kualifikimin e Zvicrës e shënoi Ruben Vargas.

Me këtë fitore, Zvicra siguroi për herë të parë që nga viti 1954 një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës.

Në fazën tjetër do të përballet me kampionen në fuqi, Argjentinën.

Ndeshja ishte e ekuilibruar, me pak raste të për të shënuar gol.

Kolumbia pati mundësinë më të mirë në fund të kohës shtesë, por Jaminton Campaz e dërgoi topin mbi portë.

Kolumbia largohet nga turneu botëror, edhe pse pësoi vetëm një gol gjatë gjithë garës.

Edhe pse krijoi disa raste për të shënuar gol, Kolumbia nuk i shfrytëzoi ato dhe humbi në penallti.

Zvicra luajti pa Johan Manzambi, i cili mungoi për shkak të një dëmtimi, një nga lojtarët më të spikatur të ekipit në këtë Botëror.

Ndërsa Ruben Vargas, i cili hyri në lojë si zëvendësues, shënoi penalltinë vendimtare që kualifikoi Zvicrën në çerekfinale. //a.i/

.

The post BOTËRORI 2026 – Zvicra triumfon 4-3 me penallti ndaj Kolumbisë, përballet me Argjentinën në çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Belgjika i jep fund ëndrrës së SHBA-së, fiton 4-1 dhe kalon në çerekfinale

TIRANË, 7 korrik /ATSH/- Belgjika i dha fund rrugëtimit të SHBA-së në Kupën e Botës, duke e mposhtur me rezultatin e thellë 4-1 në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales (16 skuadrat më të mira), shkruan CNN.

Pas përfundimit të ndeshjes, shumë futbollistë amerikanë shpërthyen në lot. 

Dy golat e shpejtë të Charles De Ketelaere, të shoqëruar me gabime të mëdha në mbrojtjen amerikane, i hapën rrugën edhe golit të tretë të shënuar nga Hans Vanaken. 

Ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren me golin e katërt në sekondat e fundit të kohës shtesë.

Analizë

SHBA-ja u eliminua nga Kupa e Botës, pasi u mposht 4-1 nga një Belgjikë shumë e fortë, në një ndeshje që u shoqërua me polemika edhe përpara se të niste.

Belgjika kaloi në avantazh që në minutën e 9-të me golin e Charles De Ketelaere. 

SHBA-ja barazoi në minutën e 30-të, kur Malik Tillman shënoi gol me një goditje të fortë.

Megjithatë, barazimi zgjati vetëm dy minuta. 

De Ketelaere realizoi golin e tij të dytë, duke rikthyer Belgjikën në avantazh.

Para minutës së 60-të, Hans Vanaken shënoi golin e tretë, ndërsa Romelu Lukaku vulosi fitoren 4-1 me një gol në minutat shtesë.

Ndeshja u parapri nga polemika për vendimin e FIFA-s që anuloi pezullimin e Balogun, duke i lejuar sulmuesit kryesor të SHBA-së të luante.

Vendimi tërhoqi edhe më shumë vëmendje pasi Donald Trump mbrojti publikisht kërkesën e tij drejtuar Gianni Infantinos, për rishikimin e kartonit të kuq të Balogun, duke ngritur dyshime nëse presioni politik kishte ndikuar në vendimin e FIFA-s.

Balogun ishte përjashtuar me karton të kuq në fitoren 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës, në raundin e 1/16 së finales, por FIFA e anuloi më pas atë karton. 

Belgjika e kundërshtoi këtë vendim, por FIFA e hodhi poshtë ankesën si të papranueshme, ndërsa UEFA e cilësoi vendimin si “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Belgjika i jep fund ëndrrës së SHBA-së, fiton 4-1 dhe kalon në çerekfinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Spanja triumfon në minutat e fundit, Ronaldo i jep lamtumirën Kupës së Botës

TIRANË, 6 korrik /ATSH-AFP/- Spanja u kualifikua në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti Portugalinë me rezultatin 1-0, falë golit të zëvendësuesit Mikel Merino.

Kjo ndeshje shënoi edhe fundin e karrierës së Cristiano Ronaldo në Kupën e Botës.

Kampionët e Evropës do të përballen në çerekfinale, me fituesin e sfidës mes kombëtares së SHBA-së dhe Belgjikës, të premten në Los Anxheles.

Pavarësisht pritshmërive të mëdha, ndeshja e zhvilluar përpara 70 649 tifozëve në stadiumin e “AT&T”, nuk ofroi shumë raste për të shënuar gol.

Kur gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, në minutën e parë të kohës shtesë të ndeshjes (90+1), Ferran Torres asistoi për Merinon, i cili shënoi golin e fitores.

Për Ronaldon, tashmë 41 vjeç dhe pjesë e futbollit saudit, kjo ishte ndeshja e fundit në një Kupë Bote.

Vetë ai, konfirmoi një ditë më parë, se ky do të ishte turneu i tij i fundit, në skenën më të madhe të futbollit.

Të dyja skuadrat hynë në këtë përballje pa humbje.

Portugalia ka hasur më shumë vështirësi gjatë këtij rrugëtimi, ndërsa ndaj Spanjës nuk është shënuar asnjë gol në këtë Botëror – statistikë që mbeti e paprekur edhe pas kësaj ndeshjeje.

Edhe pse është një nga kombëtaret më të suksesshme në botë, Spanja e ka fituar Kupën e Botës vetëm një herë, në vitin 2010.

Ndërkohë, arritja më e mirë e Portugalisë mbetet vendi i tretë në vitin 1966.

Përballja u prezantua edhe si një duel simbolik mes Ronaldos dhe talentit 18-vjeçar të Barcelonës, Lamine Yamal, dy futbollistë që përfaqësojnë dy breza krejt të ndryshëm.

Para fillimit të ndeshjes, u mbajt një minutë heshtje, në respekt të ish-sulmuesit portugez Diogo Jota, fotografia e të cilit u shfaq në ekranin gjigant të stadiumit.

Spanja krijoi rastin e parë të pastër, që në minutat e para, kur Dani Olmo nxori përpara portës Mikel Oyarzabal, por ky i fundit e dërgoi topin jashtë portës, edhe pse ishte përballë portierit Diogo Costa.

Ronaldo pati rastin e tij më të mirë kur goditi nga një kënd i vështirë, por portieri spanjoll Unai Simón e priti goditjen.

Më pas Spanja shtoi presionin, me Yamal dhe Álex Baena që rrezikuan portën portugeze, ndërsa Costa bëri disa pritje të rëndësishme.

Në pjesën e parë, Ronaldo nuk pati shumë ndikim në lojë, duke luajtur si sulmues qendror.

Në fund të pjesës së parë, Portugalia iu afrua golit, kur një goditje e Nuno Mendes u devijua nga Pedro Porro dhe përfundoi në traversë.

Yamal e pati të vështirë përballë Mendes, por mbrojtësi portugez u detyrua të largohej nga fusha, për shkak të një dëmtimi në minutën e 56-të, duke qenë një humbje e rëndësishme për Portugalinë.

Trajneri portugez, Roberto Martínez bëri disa zëvendësime në pjesën e dytë, por vendosi ta mbante Ronaldon në fushë, deri në fund.

Megjithatë, kur ndeshja dukej se po shkonte në kohë shtesë, Merino realizoi me qetësi golin vendimtar, duke i dhënë Spanjës fitoren dhe kualifikimin në çerekfinale, ndërsa i dha fund edhe aventurës së Ronaldos në Kupën e Botës. //a.i/

The post BOTËRORI 2026 – Spanja triumfon në minutat e fundit, Ronaldo i jep lamtumirën Kupës së Botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌