Normal view

Pse Shqipëria e fiton gjyqin për Aeroportin e Vlorës?

By: A. Q
14 August 2026 at 21:55

Nga Fatos Çoçoli

Është mëse e sigurt se sipërmarrësi kosovar Behxhet Pacolli, pronar i kompanisë “Mabco”, me seli në Zvicër, po përgatitet të hedhë në gjyq ndërkombëtar shtetin shqiptar, për ndërprerjen nga qeveria të koncesionit të ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, për shkak të mosrealizimit të detyrimeve kontraktuale nga koncesionari.

Kompania “Mabco” mund të ankohet dhe të kërkojë arbitrazh ndërkombëtar pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), institucioni më i njohur në botë për arbitrazhin ndërmjet investuesve privatë dhe shteteve, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, ose mund të zgjedhë arbitrazhe të tjera ndërkombëtare, si Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC), me seli në Paris, apo Gjykatën e Londrës për Arbitrazhin Ndërkombëtar (LCIA), një tjetër institucion i njohur ndërkombëtar i arbitrazhit.

Çështja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po shkon drejt një prej përplasjeve më të rëndësishme kontraktore ndërmjet shtetit shqiptar dhe një investitori privat. Pas nisjes më 4 gusht 2026 të procedurave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare me konsorciumin e përbërë nga shoqëria “Mabco”, e sipërmarrësit kosovar Behgjet Pacolli dhe shoqëria “2A Group” e sipërmarrësit tjetër kosovar Valon Ademi, pritet që shtetit tonë t’i vijë ftesa për në arbitrazh ndërkombëtar, ku kompania “Mabco” përgatitet të kërkojë një dëmshpërblim prej disa qindra milionë euro, për kontratën e ndërtimit të Aeroportit, me vlerë 103.9 milionë euro.

Pika më e fortë e Shqipërisë: detyrimet kontraktore

Në çdo koncesion të një infrastrukture strategjike, veçanërisht në një aeroport ndërkombëtar, investitori nuk merr vetëm të drejta; ai merr edhe një paketë të qartë detyrimesh.

Kontrata koncesionare për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës përcaktonte afate konkrete për kohëzgjatjen dhe përfundimin e punimeve. Kohëzgjatja e përcaktuar në kontratë ishte 36 muaj, pra tre vjet. Punimet për ndërtimin e Aeroportit nisën zyrtarisht më 20 shkurt 2023. Sipas kontratës, aeroporti duhej të përfundonte brenda 36 muajve, pra deri më 20 shkurt 2026. Ky afat ishte përcaktuar edhe në lejen e ndërtimit.

Kontrata parashikonte gjithashtu një periudhë shtesë prej 90 ditësh. Nëse aeroporti nuk bëhej operacional as brenda këtij afati, shteti shqiptar fitonte të drejtën të zgjidhte kontratën, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve.

Edhe ky afat skadoi më 20 maj 2026, ndërsa aeroporti nuk ishte ende funksional. Madje, raporti i inxhinierit të pavarur i datës 20 maj 2026 evidentonte se rreth 70 për qind e punimeve ishin realizuar, por vetëm 57 për qind e tyre ishin çertifikuar. Në një kohë, kur, sipas kontratës koncesionare, aeroporti më 20 maj 2026 duhej të ishte ndërtuar 100 përqind dhe gati për aktivitetin e çertifikimit të fluturimeve.

Për Avokatin e Shtetit shqiptar dhe studjon ligjore që ai do të zgjedhë të na përfaqësojë, janë të gjitha dokumentat e plotë për të përcaktuar qartë në arbitrazh cilat detyrime ishin marrë përsipër nga koncesionari, cilat afate ishin shkelur prej tij, cilat njoftime ishin bërë nga shteti shqiptar dhe në çfarë mase këto shkelje përbënin shkelje thelbësore të kontratës.

Vonesat në ndërtimin e një aseti strategjik si një aeroport ndërkombëtare mund të jenë vendimtare.

Këtu Avokati i Shtetit mund të ngrejë pyetjn thelbësore: a kishte koncesionari një pengesë madhore dhe të paparashikueshme nga kontrata, apo thjesht nuk arriti të siguronte kushtet financiare dhe operacionale(bashkëpunimi mes dy ortakëve) të nevojshme dhe të domosdoshme për zbatimin e kontratës? Konflikti i rëndë i lindur mes dy ortakëve në koncesion, qe për muaj me rradhë gati paralizoi grafikun e punimeve në Aeroport, nuk është faj i shtetit shqiptar!

Financimi problematik i koncesionarit është një nga nyjet kryesore të çështjes

Një projekt aeroportual nuk mund të mbështetet vetëm mbi deklaratat për investimin. Ai kërkon financim të mbyllur, garanci, kontrata huaje dhe mekanizma të qartë për disbursimin e kapitalit.

Në rastin e Aeroportit të Vlorës, çështja e financimit merr rëndësi të veçantë, për shkak të kredisë së raportuar prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania “Delphos Securities”, marrë nga kompania “Mabco”, pa dijeninë dhe autorizimin e shtetit shqiptar, edhe pse kushtet e kontratës së koncesionit të Aeroportit e kërkojnë imperativisht këtë.

Në mars 2025, kompania “Mabco” nënshkroi një marrëveshje huaje me shoqërinë financiare “Delphos Securities”, me vlerë 100 milionë euro. Sipas informacionit të bërë publik, fondet do të përdoreshin për dy qëllime kryesore: përfundimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës dhe shlyerjen e një kredie ekzistuese bankare të kompanisë “Mabco”.

Shqetësimi themelor i Shtetit shqiptar nuk lidhet me shumën e huasë, por me garancitë e dhëna në favor të huadhënësit “Delphos Securities”dhe pasojat që ato mund të kishin mbi të ardhurat, administrimin dhe të ardhmen financiare të një infrastrukture strategjike, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.

Këto elemente provohen qartë në arbitrazh si një tjetër shkelje serioze e kontratës koncesionare, si dhe si një ndër arsyet madhore, që e çuan shtetin shqiptar në nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës.

Sipas marrëveshjes së huasë lidhur nga Mabco pa informuar shtetin shqiptar, duke shkelur kontratën, “Delphos Securities” merrte garanci mbi të gjitha të ardhurat e ardhshme të aeroportit, përfshirë edhe ato të garantuara nga Shteti shqiptar.

Marrëveshja e huasë i jepte “Delphos Securities” kontroll mbi llogaritë bankare dhe politikat financiare të kompanisë, si edhe të drejtën për t’ia transferuar këto të drejta palëve të treta. Këto dispozita bien ndesh në mënyrë flagrante me kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës, e cila ndalon shprehimisht dhënien e garancive të tilla, pa miratimin paraprak të Shtetit shqiptar. Një miratim i tillë nuk u kërkua nga “Mabco” dhe nuk u dha nga shteti shqiptar.

Në arbitrazh mund të provohet qartë se kontrata e huasë 100 milionë euro përfaqësonte një akt me rrezik të lartë juridik. Një institucion financiar privat,  “Delphos Securities” mund të fitonte kontroll ekonomik mbi një projekt strategjik shtetëror, pa dijeninë dhe pa miratimin e Shtetit shqiptar.

Vetë hedhësi në gjyq i Shtetit shqiptar, sipërmarrësi Behxhet Pacolli, është shprehur disa herë publikisht, se Shteti shqiptar nuk ka asnjë rol ose ndikim, në situatën e krijuar nga mes dy ortakëve në koncesion. Ai do ta ketë të vështirë të mos kufizohet vetëm tek kontrata, por të pretendojë se shteti i Shqipërisë ka cenuar investimin e tij, ka vepruar në mënyrë arbitrare, ose nuk ka respektuar standardet e mbrojtjes së investimeve, sipas Marrveshjes për Mbrojhtjen e Investimeve Shqipëri-Zvicër e vitit 1992.

Avokati i Shtetit ka mundësinë e plotë të provojë se vendimi për zgjidhjen e kontratës nuk ishte një veprim politik, hakmarrës apo arbitrar, por pasojë e zbatimit të mekanizmave që vetë palët kishin parashikuar në kontratë, në rast moszbatimi të kushteve themelore të kontratës. Ky është argumenti më i rëndësishëm juridik i shtetit shqiptar.

Nëse Shteti ynë ka respektuar procedurat e njoftimit, ka dhënë mundësi për korrigjimin e shkeljeve, ka dokumentuar mospërmbushjen dhe ka zbatuar dispozitat për zgjidhjen e kontratës, sikurse duket qartazi se ka ndodhur, atëherë pretendimi për një veprim arbitrar të Shtetit bëhet shumë më i vështirë për t’u mbështetur.

Një investim strategjik nuk do të thotë imunitet nga detyrimet

Aeroporti i Vlorës është projekt strategjik për Shqipërinë. Por karakteri strategjik i një investimi nuk e përjashton investitorin nga detyrimet e tij.

Përkundrazi, sa më strategjik të jetë projekti, aq më të rëndësishme bëhen respektimi i afateve, standardeve teknike, kushteve financiare dhe detyrimeve të kontratës.

Shteti shqiptar e ka plotësisht mundësinë të argumentojë bindshëm se nuk mund të mbajë pafundësisht të bllokuar një aset të rëndësishëm publik, nëse investitori nuk është në gjendje të realizojë projektin në kohën e përcaktuar në kotratë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një aeroport që synon të ndikojë drejtpërdrejt në turizëm, transport, punësim dhe zhvillimin ekonomik të Jugut të Shqipërisë.

Duhet shmangur gabimi më i madh: politizimi i mosmarrëveshjes

Shteti ynë dhe Avokati i Shtetit që do na përfaqësoje, duhet të shmangin gabimin më të madh: politizimin e çështjes. Një arbitrazh ndërkombëtar nuk fitohet me deklarata politike.

Nëse dëshirojmë të fitojmë, pse e vëteta është realisht me ne, duhet të paraqitemi përpara arbitrazhit me një dosje të strukturuar në mënyrë profesionale, me kontratën koncesionare dhe të gjitha anekset, me afatet dhe detyrimet e koncesionarit, me dokumentacionin e financimit (nëse e kemi kontratën e huasë me “Delfos Securities; nëse jo, duhet ta kërkojmë me forcë ta vendosë në dispozicion të palës sonë kompania “Mabco”, me korrespondencën zyrtare ndërmjet palëve, me raportet teknike mbi ecurinë e punimeve, me njoftimet për shkeljet. Pra, me të gjithë dokumentacionin që kërkon domosdoshmërisht zgjidhjen e kontratës.

Si dhe të paraqisim çdo provë që demonstron se Shteti ynë ka vepruar në përputhje me ligjin dhe kontratën.

Kjo është mënyra e vetme për ta kthyer çështjen në një mosmarrëveshje të pastër kontraktore, sikurse është realisht.

Eshtë normale që ne të kërkojmë që të njihet si e ligjshme zgjidhja e kontratës dhe të shmangim një dëmshpërblim të rëndë financiar ndaj koncesionarit/investitorit.

Aeroporti i Vlorës është një rast ku Shteti shqiptar duhet të tregojë se është në gjendje të mbrojë interesin publik edhe përballë një investitori privat ndërkombëtar.

Nëse provohet se koncesionari nuk ka përmbushur detyrimet e tij thelbësore, se financimi nuk është siguruar në mënyrën e kërkuar, se afatet janë shkelur dhe se shteti ka respektuar procedurat kontraktore për zgjidhjen e marrëveshjes, atëherë Shqipëria ka një bazë shumë të fortë për të fituar betejën juridike.

Arbitrazhi për Aeroportin e Vlorës mund dhe duhet të shndërrohet në një test shumë më të madh se vetë Aeroporti: testin nëse Shteti shqiptar di të lidhë kontrata të mëdha, t’i monitorojë ato dhe, kur ato nuk zbatohen, t’i mbrojë interesat e tij me profesionalizëm përpara institucioneve ndërkombëtare.

“Prefektin e Tiranës s’e kuptova pse është këtu”- Kryeministri Rama në “Vajza Fest”, batuta me Sokol Sadushin, ish-presidentin Topi, Fidel Yllin dhe… (VIDEO)

By: A. Q
14 August 2026 at 21:45

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot (14 gusht) në festivalin “Vajza Fest”, që po zhvillohet në fshatin Vajzë të Selenicës.

Gjatë eventit morën pjesë gjithashtu kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ish-Presidenti Bamir Topi, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, si dhe personalitete të tjera nga politika dhe jeta publike.

Në fjalën e mbajtur në edicionin e katërt të festivalit, kryeministri Rama nuk i kurseu batutat dhe humorin me të pranishmit.

Rama falënderoi kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për ftesën, duke thënë se këtë herë kishte vendosur ta pranonte atë, pasi katër vite nga krijimi i festivalit ishin të mjaftueshme për të dëshmuar se ideja funksionon.

“Në radhë të parë dua të falënderoj Sokolin, i cili më dërgoi ftesën dhe këtë herë nuk refuzova, duke qenë se tanimë siç e tha edhe gjykatësja e cila kur jep gjykimin e ka të formës së prerë, 4 vjet janë mjaft për të pasur besim që ideja funksionon. Kështu që besoj se është radha e duhur për të ardhur dhe për të dëshmuar bashkë me të tjetrën, suksesin e një ideje të lindur 4 vjet më parë. Dua të përshëndes Presidentin Topi, bashkë me prefektin e Tiranës që s’e kuptova pse është këtu, por mik i vajzës me siguri. Dua të përshëndes edhe kryetarin e KOKSH Fidel Ylli, edhe ky mik i vajzës patjetër”, tha kryeministri.

Më tej ai bëri batuta edhe me kryebashkiakun e Selenicës si dhe me ministrin Demo:

“Dua të përshëndes kryetarin e bashkisë Nertilin, dhe dua ta falënderoj për vajtjen e detit në maj të malit me ujin e kripur bashkë, dua të përshëndes dhe ministrin e Pushtetin Vendor që është i pranishëm për të parë si funksionon bashkia Selenicë. Faleminderit edhe gjykatëse që ishte impresionuese nga fillimi, me një veshje jo tipike për një person që ka kaluar Vetingun”, tha Rama.

Trump nuk tërhiqet, i kërkon Gjykatës Supreme që të vazhdojë ndërtimin e sallës së ballove!

By: A. Q
14 August 2026 at 21:36

Beteja për sallën shtetërore të banketeve (ballo) që Donald Trump po kërkon të ndërtojë është zhvendosur në Gjykatën Supreme.

Avokatët e presidentit i kërkuan sot Gjykatës Supreme që ta lejojnë atë të vazhdojë me ndërtimin e sallës së vallëzimit prej 400 milionë dollarësh pa miratimin e Kongresit.

Peticioni emergjent erdhi një javë pasi një gjykatë apeli urdhëroi që puna të ndërpritej deri në miratimin e Kongresit , duke mbështetur një vendim në favor të Komisionit Kombëtar të Ruajtjes Historike, i cili kishte paditur qeverinë vitin e kaluar.

Vendimi i gjykatës së apelit javën e kaluar nuk do të hyjë në fuqi deri më 21 gusht, kur ndërtimi i auditorit duhet të ndërpritet, përveç nëse Gjykata Supreme miraton peticionin emergjent.

Në peticion, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së D. John Sauer kërkoi që puna të vazhdojë ndërsa qeveria apelon urdhrin e ndalimit, të cilin ai e quajti “të rrezikshëm”.

Trump ka argumentuar prej kohësh se Shtëpisë së Bardhë i mungon një hapësirë ​​e madhe për evente dhe se ndërtimi i një të tille është jetik për sigurinë kombëtare.

Sipas Sauer, puna është përfunduar në masën 65 përqind dhe se mosmiratimi i kërkesës do të përbënte “ndërtim sipas një urdhri gjykate”. Ai shpjegon se “me urdhrin e rrezikshëm të gjykatës që hyn në fuqi për herë të parë më 21 gusht, urdhri për të ndaluar ndërtimin është edhe më i padrejtë, nëse jo i pamundur”.

Ai shton se “detyrimi i presidentit të paraqitet me përulësi para Kongresit në mënyrë që shtëpia e popullit të jetë e sigurt i jep legjislaturës një ndikim të rrezikshëm”.

Projekti i Sallës së Vallëzimit Trump, siç kujton BBC, ka qenë subjekt i polemikave ligjore që nga tetori i kaluar , kur administrata shembi Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë për të filluar ndërtimin pa miratimin e Kongresit.

Menjëherë pas kësaj, Fondi Kombëtar për Ruajtjen e Trashëgimisë Historike ngriti një padi, duke argumentuar se projekti ishte i paligjshëm sepse filloi pa shqyrtimin e kërkuar ligjërisht, i cili përfshin gjithashtu konsultim publik dhe miratim nga organe të tilla si Komisioni Kombëtar i Planifikimit të Kapitalit.

Presidenti dhe avokatët e administratës kanë argumentuar se, përveç sallës së vallëzimit për organizimin e ngjarjeve, projekti përfshin edhe objekte ushtarake, të tilla si strehimore kundër bombave dhe qendra trajtimi mjekësor.

Për më tepër, qeveria ka argumentuar se salla po ndërtohet pa përdorimin e parave të taksapaguesve dhe financohet tërësisht nga donacionet e korporatave private, kështu që nuk kërkohet miratimi i Kongresit.

Llava dhe hiri vullkanik nga Etna, anulohen deri nesër pasdite fluturimet në aeroportin e Katanias

By: A. Q
14 August 2026 at 21:28

Fluturimet në aeroportin e Catania në Siçili nuk do të operohen deri nesër pasdite, për shkak të hirit nga aktiviteti i vazhdueshëm i vullkanit Etna, i cili ka shkaktuar tashmë anulimin ose devijimin e qindra fluturimeve gjatë javës së kaluar.

Të gjitha mbërritjet dhe nisjet në aeroportin e Catania, i pesti më i ngarkuar në Itali, do të pezullohen deri në orën 14:00 sipas orës lokale më 15 gusht, tha në një deklaratë kompania e menaxhimit të aeroportit SAC.

Pasagjerëve u këshillohet të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre me linjat ajrore përpara se të nisen për në aeroport.

Kufizimet vijnë në kulmin e sezonit të verës, duke prekur mijëra pasagjerë, ndërsa shtojnë presionin mbi aeroportet e tjera në Siçili.

Problemet më serioze në 20 vjet

Problemet që po regjistrohen aktualisht janë më seriozet që kanë prekur aeroportin e Catanias në 20 vitet e fundit, sipas burimeve të SAC, të cilat folën për agjencinë italiane të lajmeve ANSA.

Midis 6 dhe 12 gushtit, më shumë se 30% e 1,974 fluturimeve të planifikuara për në Catania u anuluan, me rreth 630 fluturime të devijuara në aeroporte të tjera.

Mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar nga mbyllja e zgjatur. Disa kanë ngecur në terminale për ditë të tëra, duke fjetur kudo që të munden.

“Ne duhej të niseshim të mërkurën, por fluturimi ynë u anulua. Pastaj u riplanifikua për të premten. Tani edhe ai fluturim është anuluar”, tha Antonella Tirante Warnaculasuriya Costa, nga Messina, Siçili, e cila po udhëton për në Sri Lanka nëpërmjet Dubait.

Mateus Paulo Neto, nga Brazili, tha se ndryshimet e përsëritura në itinerar e kishin shndërruar fundin e pushimeve të tij në një përvojë të tmerrshme.

“Fluturimi ynë u ndryshua dy herë dhe po përpiqemi të shkojmë në (qytetin sardenian) Olbia, por askush nuk na ka ndihmuar. Nuk kemi informacion, vetëm email-e që nuk shpjegojnë gjithçka rreth ndryshimeve”, tha ai.

Mbyllja e detyruar ka rindezur një debat të gjatë në Siçili nëse aeroporti kryesor në anën lindore të ishullit është shumë i ndjeshëm ndaj shpërthimeve të shpeshta të Etnës.

“Është e vështirë të mohohet se ngjarjet e ditëve të fundit çojnë në një përfundim: nuk është vullkani që është në vendin e gabuar, por aeroporti”, tha Nello Musumeci, ministri i mbrojtjes civile dhe ish-guvernatori i Siçilisë, në një deklaratë.

Stuhia u rrezikon jetën 3 vajzave në det, Policia futet me skaf dhe i shpëton! Po bënin kanoe në Palasë

By: A. Q
14 August 2026 at 21:15

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në jug të vendit ditën e sotme për pak sa nuk ka shkaktuar edhe tragjedi në det të hapur.

Reshjet e dendura të shiut dhe stuhia që përfshiu këtë të premte zonën e Palasës në Vlorë, lanë të bllokuara në det tre vajza që lundronin me kanoe pasditen e sotme (14 gusht).

Për shkak të motit të keq dhe dallgëve, ato nuk arritën të ktheheshin në breg, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e Policisë Kufitare.

Forcat kufitare u nisën me skaf drejt zonës ku ndodheshin vajzat dhe i nxorën në breg në gjendje të sigurt.

Pamjet e operacionit, tregojnë shiun e rrëmbyeshëm dhe skafin e Policisë Kufitare teksa tërheq kanoen me tre vajzat, duke i shpëtuar nga deti i trazuar.

Njoftimi i Policisë

Gjatë patrullimit në sektorin e Palasës, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare konstatuan 3 shtetase që kishin dalë në det me kanoe dhe, për shkak të përkeqësimit të motit dhe kushteve të vështira në det, rrezikonin të mbyteshin.

Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke u shkuar në ndihmë dhe duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa rrezik për jetën.

Të tre shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan punonjësit e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare apelojnë për të gjithë pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe detare dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre”.

“Çështjen e kemi në vëmendje”- “Demokratët Europianë”: Mbajtja e Veliajt në paraburgim, sfond shqetësues për demokracinë shqiptare! Në pikëpyetje proporcionaliteti

By: A. Q
14 August 2026 at 21:02

Grupimi politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE) reagoi sot duke shprehur shqetësim për kohëzgjatjen e qëndrimit në paraburgim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar prej datës 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ‘Demokratët Europianë’ theksojnë se Veliaj qëndron në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit 2025 dhe akuzat zyrtare iu komunikuan vetëm në korrik të të njëjtit vit, pas 163 ditësh në paraburgim.

Ata kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare respektimin e shtetit të së drejtës, prezumimit të pafajësisë dhe parimit të proporcionalitetit, në procesin ndaj Veliajt.

“Ne i bashkohemi atyre që u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Kjo çështje vjen në një sfond thellësisht shqetësues për demokracinë shqiptare”, thuhet në reagim.

Dhe më pas vijohet:

“Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë çështje në vëmendje, sepse Shqipëria meriton një të ardhme evropiane — një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort në luftën kundër korrupsionit, duke garantuar njëkohësisht që drejtësia të ushtrohet gjithmonë me paanshmëri, pavarësi dhe respekt për të drejtat themelore”.

Sipas ‘Demokratëve Europianë’, qëndrimi në paraburgim i Veliajt vë në pikëpyetje proporcionalitetin e masës së sigurisë, në raport me mandatin e tij si kryetar i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës.

EDP/PDE e vendos çështjen në një kontekst më të gjerë, duke shprehur shqetësim për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Forumi thekson se do të vazhdojë ta mbajë çështjen nën vëmendje, duke argumentuar se Shqipëria meriton një të ardhme evropiane, demokratike dhe transparente.

Reagimi i plotë i Grupit Politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE):

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 — gati një vit e gjysmë. Akuzat zyrtare iu komunikuan vetëm në korrik 2025, pas 163 ditësh në paraburgim.

Së fundmi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe urdhëroi një rishqyrtim të ri të masës së paraburgimit ndaj tij, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e saj në raport me mandatin e tij si kryetar i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës.

Ne i bashkohemi atyre që u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit. Kjo çështje vjen në një sfond thellësisht shqetësues për demokracinë shqiptare.

Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë çështje në vëmendje, sepse Shqipëria meriton një të ardhme evropiane — një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort në luftën kundër korrupsionit, duke garantuar njëkohësisht që drejtësia të ushtrohet gjithmonë me paanshmëri, pavarësi dhe respekt për të drejtat themelore”.

#Tirana Mayor Erion #Veliaj has been in pre-trial detention since 10 February 2025 — almost a year and a half. Formal charges were notified only in July 2025, after 163 days in detention.

Recently, #Albania’s Constitutional Court overturned a Supreme Court decision and… pic.twitter.com/c0164uZ2vA

— European Democrats (@democrats_eu) August 14, 2026

Këshilltarët e PS dhe PD bëhen bashkë kundër Territoriales, Këshilli Bashkiak i Selenicës merr vendimin: Jo bashkimit me Vlorën!

By: A. Q
14 August 2026 at 21:00

Edhe Selenica i del zyrtarisht kundër Reformës Territoriale.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Selenicës, të gjithë këshilltarët, si të mazhorancës ashtu edhe të opozitës, dolën me një qëndrim të përbashkët kundër projektit për bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës.

Gjatë mbledhjes, këshilltarët deklaruan se Bashkia e Selenicës nuk duhet të mbyllet dhe se do ta kundërshtojnë deri në fund këtë projekt, duke e cilësuar si një vendim që dëmton përfaqësimin dhe interesat e banorëve të zonës.

Në mbështetje të këtij qëndrimi u shpreh edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili argumentoi se Selenica duhet të vazhdojë të funksionojë si bashki më vete dhe se do të vijojë të mbrojë këtë qëndrim me argumente institucionale, informon “Report Tv”.

Në mbledhje morën pjesë edhe kryepleqtë e fshatrave të Bashkisë Selenicë, të cilët gjithashtu u shprehën në një zë kundër bashkimit me Vlorën.

Ata deklaruan se do të mbështesin çdo nismë për të kundërshtuar projektin dhe kërkuan që Bashkia e Selenicës të mos shkrihet.

“Jo bashkim me Kavajën”- Banorët e Rrogozhinës përsëri në protestë kundër Territoriales dhe shkrirjes së Bashkisë: S’kemi probleme! (VIDEO)

By: A. Q
14 August 2026 at 20:52

Edhe qytetarët e Rrogozhinës i janë bashkuar protestave kundër Reformës Territoriale dhe shkrirjes që ka propozuar PS për 15 prej njësive në vend.

Ata kanë dalë sot (14 gusht) sërish mbrëmjen e sotme në protestë, për të kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Kavajës.

Ata pretendojnë se Rrogozhina është një qytet me histori që duhet të qëndrojë si bashki më vete. Sipas protestuesve, në rast të bashkimit me Kavajën, banorët e Rrogozhinës do të hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve.

Qytetarët kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mazhorancës, që nëse Rrogozhina ka probleme me mbledhjen e të ardhurave, të përmirësojnë administrimin dhe jo të shkrijnë bashkinë.

“Investoni në kapacitete. Nëse ka probleme në mbledhjen e të ardhurave, përmirësojeni administrimin”, tha një protestues.

“Rrogozhina është shtëpia jonë, prandaj i themi qartë ‘jo’ bashkimit me Kavajën”, tha një tjetër gjatë fjalës së tij në tubim.

Propozimi i Partisë Socialiste për hartën e re territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46. Pra 15 prej bashkive do të shkrihen dhe bashkohen me bashkitë fqinje më të mëdha.

Mbape flet për Murinjon dhe ambiciet e sezonit: Murinjo një trajner që di të fitojë! Reali ngre trofe këtë vit

By: A. Q
14 August 2026 at 20:45

Kilian Mbape ka folur në prag të nisjes së La Ligas në Spanjë dhe është ndalur kryesisht te trajneri i Real Madridit, Zhoze Murinjo.

“Mendoj se është shumë pozitive të kesh një trajner si Murinjo, dikush që di të fitojë dhe di të caktojë rrugën për ta arritur atë. Çdo lojtar është i lumtur të ketë një trajner që e di se ku po shkon, është një gjë shumë pozitive për ne”, tha francezi për kanalin televiziv të klubit.

Ai ka folur edhe për ambiciet personale për këtë sezon, pas dështimit në Botëror.

“Është koha të japim gjithçka dhe të futemi në ritmin e duhur për të qenë gati për ndeshjen e parë. Jam i sigurt se do të fitojmë përsëri trofe, kjo është ajo që duam dhe do të ndodhë. E ndiej urinë e ekipit për fitore. Do të qëndrojmë të përqendruar gjatë gjithë vitit për t’u sjellë gëzim të gjithë tifozëve të Madridit. Unë jam dikush që di ta shijojë momentin dhe e kuptoj sa me fat jam. Por tani duhet të fitojmë. Qoftë te Real Madridi apo diku tjetër, këtu duhet të fitosh tituj dhe të arrish sukses, kjo është arsyeja pse jam këtu. Këtë vit do të fitojmë tituj”, përfundoi ai.

Rebelët Huthi njoftojnë nisjen e sulmit të ri ndaj rafinerive të “Aramco” në Arabinë Saudite!

By: A. Q
14 August 2026 at 20:34

Rebelët Huthi të Jemenit thanë të hënën se kishin nisur një sulm me dronë ndaj objekteve të gjigantit të naftës Aramco, në qytetin jugperëndimor të Najranit.

Sulmi erdhi në hakmarrje për shkeljet e hapësirës ajrore të Jemenit nga avionët luftarakë sauditë.

Deri më tani nuk ka pasur konfirmim të sulmit nga autoritetet saudite apo Aramco.

Gjithashtu, është e paqartë nëse objektet e Aramco-s në Najran janë dëmtuar.

Fermeri merr këshillë nga Inteligjenca Artificiale, por pëson katastrofë, humb 100 hektarë me të korra susami!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:56

Një fermer 67-vjeçar në Kinë i besoi një chatboti me inteligjencë artificiale, për t’u marrë me dëmtuesit në të korrat e tij të susamit.

Të nesërmen të korrat e tij ishin shkatërruar.

Fermeri kinez pretendon se humbi mbi 100 hektarë të mbjella brenda natës pasi ndoqi këshillën e një aplikacioni të inteligjencës artificiale (IA).

67 -vjeçari nga Chuzhou, duket se ka ndjekur udhëzimet e chatbot-it për disa muaj.

Këshilla që shkatërroi të korrat

Burri dyshohet se po përdorte një chatbot anonim për ta ndihmuar të organizonte orarin e tij të punës bujqësore, por edhe për të mbledhur këshilla mbi plehrat.

Edhe pse fillimisht ishte i kujdesshëm ndaj përgjigjeve që merrte, gradualisht filloi t’u besonte dhe t’i ndiqte ato. Megjithatë, në korrik, ai e pagoi shtrenjtë këtë besim kur kërkoi këshilla për kontrollin e dëmtuesve në të korrat e tij të susamit.

Sipas International Business Times, chatbot-i sugjeroi që fermeri të spërkatte të mbjellat me flupyrimethalin dhe fomesafen, në kombinim me tiamethoxam dhe kripë metil. Fermeri më pas bëri pikërisht siç i tha inteligjenca artificiale, pa u konsultuar me një ekspert dhe të nesërmen zbuloi se hektarët ishin shkatërruar.

Burri më pas e pyeti përsëri chatbot-in për të kuptuar se çfarë shkoi keq, dhe ai i shpjegoi se fomesafeni është një vrasës i barërave të këqija gjethegjerë, siç janë soja, dhe se edhe susami bie në këtë kategori, kështu që përdorimi i tij ishte i papërshtatshëm.

Siç tha fermeri, “nëse e spërkatni, fidanët nuk do të mbijetojnë, si barërat e këqija ashtu edhe bimët do të vdesin, dhe fidanët do të vdesin edhe më shpejt” .

Pse IA bën gabime

Chatbot-et e inteligjencës artificiale nuk janë makina që e dinë gjithmonë të vërtetën.

Ato trajnohen në baza të dhënash të mëdha dhe shpesh mbështeten në të dhënat njerëzore, duke mësuar modelet në të cilat shoqërohen fjalët dhe fjalitë dhe më pas duke prodhuar përgjigje.

Kjo nuk do të thotë që ajo që thonë ata përputhet gjithmonë me të vërtetën. Një studim i kohëve të fundit ndërkombëtar, për shembull, zbuloi se 45% e përgjigjeve të prodhuara nga inteligjenca artificiale përmbanin të paktën një problem të rëndësishëm, ndërsa 20% përmbanin informacione të sajuara ose të pasakta.

Kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi disa studime tregojnë se një në shtatë persona kanë përdorur inteligjencën artificiale për këshilla shëndetësore.

 

Shpikje nga halli, edhe Hungaria do të fundosë barka për të rritur nivelin e Danubit dhe për të ftohur centralin bërthamor!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:47

Qeveria hungareze pret të fillojë fundosjen e dy barkave sot për të rritur nivelin e ujit në termocentralin bërthamor Paks në Danub, tha kryeministri Peter Magyar.

Termocentrali aktualisht po operon me rreth 25% të kapacitetit të tij për shkak të një thatësire historikisht të paparë dhe niveleve rekord të ulëta të ujit në lumin Danub, nga i cili termocentrali bërthamor merr ujin e nevojshëm për ftohje.

Rumania fqinje mbylli reaktorin e saj të fundit bërthamor në funksion të enjten, pasi një thatësirë ​​që goditi Evropën këtë verë preku rëndë prodhimin e energjisë, transportin dhe sistemet e shëndetit publik.

Thatësira i ka lënë Hungarinë dhe Rumaninë të përballen me mënyrën se si ta përshtatin energjinë bërthamore me një klimë gjithnjë e më ekstreme.

Qeveria hungareze njoftoi të mërkurën se do të ndërtonte një “digë” të shtratit të lumit, e cila do të vendoset përgjatë shtratit të lumit për të rregulluar rrjedhën e ujit. Procesi do të zgjasë me javë.

Qeveria tha gjithashtu se dy barka 80 metra të gjata do të fundosen pranë termocentralit bërthamor për të rritur nivelet e ujit në një afat të shkurtër, në mënyrë që dy turbinat e termocentralit të mund të vazhdojnë të funksionojnë ndërsa diga po ndërtohet në shtratin e lumit.

Zhytja e barkave mund të rrisë nivelet e ujit me 20 centimetra në një afat të shkurtër , ndërsa diga e lumit pritet ta rrisë atë deri në 1 metër.

“Të mirat” e luftës/ Eksportet e naftës në Irak arrijnë rekord historik, 2 milionë fuçi në ditë!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:40

Iraku njoftoi sot se ka eksportuar rreth 2 milionë fuçi në ditë që nga fillimi i gushtit, një nivel i paparë gjatë më shumë se pesë muajve të luftës në Lindjen e Mesme, pavarësisht bllokadës së Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Naftës Bassem Khodair, tha se “eksportet kanë arritur një shkallë prej dy milionë fuçish në ditë që nga fillimi i muajit”, një shifër që përfaqëson një total prej rreth 26 milionë fuçish që nga 1 gushti.

Ai shtoi se ky vëllim u arrit “për herë të parë që nga fillimi i krizës”, kur më 28 shkurt Izraeli dhe SHBA-të nisën sulmin e tyre ndaj Iranit, i cili u përgjigj kryesisht duke bllokuar Ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon një e pesta e hidrokarbureve të botës.

Megjithatë, ky nivel mbetet gjysma e atij para luftës, kur vendi prodhonte rreth katër milionë fuçi në ditë.

Dhe vendi eksportonte mesatarisht 105 milionë fuçi në muaj, kryesisht nga terminali i tij i naftës në Basra përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ali Nizar, drejtor i Organizatës Kombëtare të Marketingut të Naftës në Irak (SOMO), vlerësoi në një intervistë televizive javën e kaluar se Iraku eksportoi “midis 35.5 milionë dhe 37 milionë fuçi” përmes Ngushticës së Hormuzit në korrik.

Iraku, një anëtar themelues i OPEC-ut, u detyrua të ndalonte prodhimin nga shumica e fushave të tij të naftës gjatë luftës, me rezervuarët e tij të magazinimit të mbushur.

Me transportin detar në Ngushticën e Hormuzit të ndërprerë, Bagdadi ka filluar të eksportojë naftë të papërpunuar nëpërmjet cisternave që kalojnë nëpër Siri, si dhe nëpërmjet një tubacioni nafte që lidh Irakun me portin turk të Ceyhanit.

Shtatë milionë fuçi kaluan nëpër këtë rrugë të fundit në korrik.

Zjarri shkrumbon kodrat me ullinj në Peqin, digjen 2 hektarë, dyshohet se u vu qëllimisht!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:33

Valës së zjarreve nuk i ka shpëtuar edhe zona e Peqinit.

Një vatër e madhe flakësh ra sot pasdite (14 gusht) në fshatin Paulesh, në Njësinë Administrative Pajovë. Zjarri përfshiu edhe një pjesë në fshatin Vidhasasgjel.

Flakët janë shfaqur rreth orës 15:00 dhe janë vënë nën kontroll në orën 17:50, pas një ndërhyrjeje të forcave zjarrfikëse nga disa bashki ku prania më e madhe ishte nga Elbasani, Cërriku dhe Belshi dhe Rrogozhina.

Sipas të dhënave të shërbimit zjarrfikës, zjarri ka përshkuar një sipërfaqe me ullishte, pyll, ferra dhe bimësi të egër. Nga flakët janë djegur mbi 2 hektarë, kryesisht ullishte dhe barishte.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 22 forca zjarrfikëse, ndërsa në terren ndihmuan edhe 4 forca policore. Në përpjekjet për izolimin e flakëve morën pjesë gjithashtu disa banorë të zonës.

Sipas të dhënave paraprake, shkaku i zjarrit dyshohet të jetë i qëllimshëm. Autoritetet pritet të vijojnë verifikimet për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive lidhur me zjarrin.

Aksion antidrogë në Tiranë, arrestohet djali i Petrit Çakrajt, të akuzuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:25

Policia e Tiranës ka finalizuar orët e fundit një tjetër aksion antidrogë.

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, u arrestua në zonën e Astirit, në Tiranë, i dyshuari Siciljan Çakraj, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet.

Mësohet se i riu është djali i Petrit Çakraj, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, së bashku me vëllezërit Bushgjoka në zonën e Dibrës.

“BW” informon se Siciljan Çakraj pritet të dalë nesër para Gjykatës së Tiranës, ku do të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, me akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.

Kapriçot e motit/ Shiu përmbyt Pogradecin, uji pushton rrugët!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:17

Ndërsa pjesa më e madhe e vendit vuan pasojat e vapës ekstreme dhe zjarreve, disa qytete kanë përjetuar një tjetër mot ekstrem, me rrebeshe shiu dhe stuhi.

Pas Sarandës dhe Delvinës, edhe Pogradeci është përfshirë nga një shi i rrëmbyeshëm, që në pak minuta përmbyti rrugët.

Informohet se vetëm pak kohë pas inaugurimit të ndërhyrjeve në lagjen “Naim Frashëri” në Pogradec, reshjet e shiut kanë nxjerrë në pah problematikat me sistemin e kullimit.

Pusetat u bllokuan, ndërsa uji vërshoi në rrugë duke krijuar një “lum” në mes të lagjes muze.

35 miliardë euro në 35 vjet, kostoja e korrupsionit dhe paaftësisë shtetërore

14 August 2026 at 19:13

Eduard Zaloshnja

Në periudhën 1991-2025, të ardhurat në Thesarin e Shtetit kanë qenë 10 trilionë lekë.

Përkthyer me kursin mesatar të këmbimit të vjetshëm, rezulton se në 35 vjet ato kanë qenë rreth 100 miliardë euro. Por në qoftë se nuk do të kishim patur fare evazion fiskal, kjo shifër do të kishte qenë 120 miliardë euro – pra 20 miliardë euro më e madhe.

Llogaritja e përafërt e kësaj shifre të evazionit fiskal bazohet në një studim të BE-së (https://taxation-customs.ec.europa.eu/taxation/vat/fight-against-vat-fraud/vat-gap_en?utm_source=chatgpt.com), si dhe në disa studime të Bankës Botërore për vendet në zhvillim.

Nga ana tjetër, edhe disa përqind të atyre parave që kanë arritur të hyjnë në Thesarin e Shtetit tonë, janë shpërdoruar nga paaftësia ose janë ndarë mes politikanëve apo zyrtarëve të korruptuar dhe korruptuesve të tyre. Nëse përdorim përqindjen mesatare të vendeve në zhvillim (të llogaritur nga Banka Botërore), i bie që në 35 vitet e fundit, gropa e shpërdorimeve dhe e korrupsionit të ketë thithur edhe rreth 15 miliardë euro të tjera (gjatë kryerjes së shpenzimeve publike).

Pra, gjithsej, kostoja e abuzimeve dhe e paaftësisë ka qenë rreth 35 miliardë eurove në 35 vjet, me një mesatare 1 miliard në vit.

Po ku kanë shkuar këto 35 miliardë eurot, të ndara në raportin 20 me 15?

Një pjesë e atyre 20 miliardëve që nuk kanë hyrë në Thesarin e Shtetit, kanë shkuar në xhepat e biznesmenëve të mëdhenj, që kanë kaluar mallra në doganë pa paguar taksat doganore, akcizat e TVSH-në, ose që i kanë paguar ato në një nivel më të ulët se sa duhej t’i paguanin. Kuptohet këtu që biznesmenët e kanë ndarë “mospagesën” me doganierët dhe shefat e tyre.

Pjesa tjetër e 20 miliardëve që nuk kanë hyrë në Thesarin e Shtetit, ka shkuar në xhepat e privatizuesve të aseteve shtetërore (Armo, Cez, etj, etj.), si edhe të biznesmenëve të mëdhenj, të mesëm e të vegjël, që nuk e raportojnë sa ç’duhet xhiron, që punësojnë njerëz në të zezë apo që raportojnë rroga më të ulëta për ta, që punojnë me dy bilance etj., etj. Dhe kuptohet që një pjesë të “mospagesës” ata e kanë ndarë me taksidarët dhe shefat e tyre.

Për 15 miliardë eurot që kanë firuar gjatë kryerjes së shpenzimeve publike, ka dy nënndarje.

Sipas studimeve të Bankës Botërore, një pjesë e kësaj firoje shkaktohet nga padija, paaftësia apo papërgjegjshmëria e politikanëve/zyrtarëve. Kështu, një autostradë apo një tunel mund të ndërtohet pa studiuar siç duhet terrenin apo fisibilitetin dhe, për rrjedhojë, kostoja mund të dalë shumë më e lartë ose mund të zgjidhet variant i papërshtatshëm ekonomikisht. Po ashtu, mund të ndodhë që paratë publike të shpenzohen për subvencionimin e mbjelljes së disa pemëve frutore, që nuk kanë efektivitet ekonomik. Dhe shembuj të tillë shpërdorimesh mund të sjellim plot…

Megjithatë, pjesa më e madhe e firos së shpenzimeve buxhetore shkaktohet nga korrupsioni i politikanëve/zyrtarëve. Këtu bëjnë pjesë milionat që ndahen mes politikanëve/zyrtarëve dhe biznesmenëve në tendera, në koncensione e në kontrata publike, si dhe abuzimet e vogla (por të shpeshta) me dietat e pagesat e telefonave, me blerjet e kancelerive e të karburantit, me pagat e punonjëse parazitë (militantë, kushërinj), me pagesat e invaliditetit për militantë e kushërinj të shëndoshë si molla etj., etj.

35 miliardë euro firo në 35 vjet
Evazioni fiskal 20 miliardë
Shpërdorimet/abuzimet e fondeve buxhetore 15 miliardë
GJITHSEJ 35 miliardë

Fundi i muajit të mjaltit me marrëzitë e reformës në drejtësi

14 August 2026 at 19:08

Bashkimi Evropian ka reaguar sot ndaj rregullores Bani, e cila ndalon transparencën e proceseve gjyqësore në gjykatë dhe kufizon paraprakisht punën e gazetarëve, duke cenuar të drejtën e tyre kushtetuese kundër censurës paraprake në media.

Në një deklaratë për shtyp, Bashkimi Evropian është shprehur se po konsultohet për të gjetur një ekuilibër mes sigurisë në gjykata, punës së gazetarëve dhe transparencës së proceseve gjyqësore.

Pra, së paku e pranon se problemi tani është krijuar nga rregullorja Bani.

Prej një jave, GJKKO nuk i ka kthyer ende përgjigje zyrtare gazetës për t’i vënë në dispozicion zyrtarisht rregulloren dhe komentin privat të kryetarit të saj. Posta Shqiptare na ka konfirmuar se ia ka dorëzuar zarfin ditën e hënë dhe, me sa duket, nuk do të ketë përgjigje.

Me sa duket, kryetari i Gjykatës ka konstatuar se tani është në telashe me atë që ka bërë, pasi ai është de facto edhe hartuesi i rregullores, edhe i komentit të tij privat, i cili krijon një rekomandim jozyrtar për sjellje tërësisht antiligjore nga vetë gjykata që ai drejton.

Duke qenë se reagimi i Bashkimit Evropian pason reagimin e OSBE-së dhe dhjetëra gazetarëve e organizatave për lirinë e shtypit në Evropë dhe në botë, nuk ngelet gjë tjetër veçse Gjykata Kushtetuese të certifikojë shkeljen e Kushtetutës nga Erion Bani.

Ky është rasti i parë që Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe institucionet e lirisë së shtypit angazhohen në një çështje që ka të bëjë me një institucion të dalë nga reforma në drejtësi. Deri tani ka qenë tabu. Edhe pse shumë diplomatë perëndimorë shtrëngonin dhëmbët kur u shpjegoje paligjshmërinë ekstreme që vërehet në punën e SPAK-ut, në procedurat shantazhuese hetimore apo në noterizimin e gjithçkaje prej tyre nga GJKKO-ja, edhe për shkak të akuzës së përgjimit të tyre nga SPAK-u, të gjithë donin ta kalonin sa më shpejt sikletin e bisedës, se do të rregullohej rrugës.

Në fakt, rrugës u përkeqësua edhe më shumë. Në fillim u tolerua përgjimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pastaj rrëmbimi i telefonave pa objekt në rrugë dhe peshkimi për fakte nëpër telefonat e gjetur, pastaj u rrëmbyen kompjutera dhe telefona gazetarësh, pastaj një prokuror që s’ka kaluar as procedurën standarde të emërimeve, pasi nuk e kalon dot testin, rrëmben kryetarin e Bashkisë nga zyra dhe e burgos bazuar në një letër anonime dhe, për shkak të presionit të tij mbi sistemin e drejtësisë, ai ende mbahet në burg, edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar kryetar Bashkie, nuk e ka shkarkuar dhe ka urdhëruar Gjykatën e Lartë ta rigjykojë, pasi ka shkelur Kushtetutën me gjykimin e parë.

Sorollatja që pasoi gjykimin tregon qartë peshën e represionit të SPAK-ut mbi sistemin, për llogari personale të disa prokurorëve.

Deri këtu askush nuk ka pranuar të flasë nga ndërkombëtarët. I shikonin, i dëgjonin, i pranonin në tavolinë, por të gjithë mendonin se ishte një proces që do të rregullohej. Tani doli se ishte një proces që po çrregullohej dhe guximi për të shkelur ligjin dhe për t’u dukur të paprekshëm na çoi tek një kryetar gjykate që bën rregullore ku shkruan  qartë: unë do të gjykoj si më do qejfi; ju s’keni të drejtë as të shikoni, as të dëgjoni, as të fotografoni dhe as jeni në sallë nëse nuk i do qejfi atij.

Me një rregullore shkel disa nene të Kushtetutës dhe dhjetëra nene të kodeve dhe ligjeve të shtetit shqiptar dhe vezullon nga kënaqësia si një derr i kënaqur që s’kanë çfarë t’i bëjnë.

Tani, së paku, duket se muaji i mjaltit me marrëzitë e reformës në drejtësi mori fund. Institucionet perëndimore që e mbështetën dhe financuan e humbën virgjërinë, duke i pranuar së paku problemet e prodhuara prej gjykatës të tipit Bani, dhe po përpiqen të ndërhyjnë.

Por, nëse ndërhyjnë pa ndëshkim, kjo do të jetë më keq sesa të mos flisnin fare, pasi do të duket sikur Rregullorja Bani ka qenë në rregull, por ka pasur disa teprime. Në fakt, Rregullorja Bani është e gjitha një teprim dhe e vetmja gjë që është në rregull është fakti që këtë teprim e ka bërë Kryetari i Gjykatës.

Vetëm kjo është provë e mjaftueshme se çfarë drejtësie të re kemi bërë. Dhe njëkohësisht prova se nga duhet të fillojë zhbërja.

 

Zjarri shkrumbon apartamentin pranë stadiumit “Selman Stermasi”, shuhet në kohë dhe ndalohet përhapja e flakëve!

By: A. Q
14 August 2026 at 19:04

Një zjarr përfshiu sot (14 gusht) një apartament në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës ka parandaluar përhapjen e flakëve në pjesë të tjera të banesës. Po hetohet për shkaqet e këtij zjarri.

Pas marrjes së njoftimit për zjarrin, forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën operacionin për shuarjen e flakëve. Nga zjarri ishte përfshirë një pjesë e kuzhinës.

Falë reagimit dhe ndërhyrjes së zjarrfikësve, u bë i mundur izolimi i vatrës dhe shpëtimi i dy dhomave të tjera të apartamentit, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe kufizuar dëmet.

“Pages of the Coast”, libri dhe poezia takohen buzë detit në Green Coast

14 August 2026 at 19:00

Mes aromës së detit dhe ritmit dinamik të ditëve verore, Green Coast riktheu për të pestin vit radhazi një prej traditave më të dashura kulturore, Panairin e Librit.

Për 4 ditë radhazi, shëtitorja buzë detit u kthye në një hapësirë të hapur leximi dhe takimi, ku pushuesit dhe vizitorët patën mundësi të zbulonin tituj të rinj, të riktheheshin te autorët e tyre të preferuar dhe ta bënin librin pjesë të natyrshme të pushimeve.

I organizuar nga Green Coast në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Albas” dhe shkrimtaren Rita Petro, panairi solli një përzgjedhje të larmishme titujsh nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, libra për grupmosha të ndryshme, si edhe botimet më të kërkuara të momentit.

Edicioni i pestë erdhi nën konceptin “Pages of the Coast”, me një identitet të ri dhe një frymë më romantike, të frymëzuar nga takimi i librit me detin. Përgjatë shëtitores, stendat e librave u bënë pjesë e peizazhit veror dhe krijuan një atmosferë ku leximi, pushimi dhe bisedat rreth letërsisë ndërthureshin natyrshëm.

Interesi ishte i lartë si nga pushuesit shqiptarë, ashtu edhe nga vizitorët e huaj, të cilët gjetën një përzgjedhje të pasur titujsh në gjuhën angleze. Një kënd i veçantë iu kushtua lexuesve më të vegjël, me libra të përshtatur për grupmosha të ndryshme, duke e kthyer panairin në një eksperiencë tërheqëse për të gjithë familjen.

Këtë vit, ky aktivitet kulmoi me mbrëmjen poetike të organizuar për herë të parë në Green Coast Hotel MGallery Collection. Në një atmosferë të dedikuar artit dhe fjalës së shkruar, shkrimtaret e mirënjohura Rita Petro dhe Mimoza Ahmeti interpretuan para audiences disa nga poezitë e tyre më të bukura, të frymëzuara nga deti dhe bukuria natyrore.

Vargjet u shoqëruan edhe nga zëri melodioz i Kamela Islamajt, duke krijuar një dialog emocional të poezisë me muzikën. Mes tingujve të natyrës dhe dritës së yjeve, mbrëmja i dha publikut mundësinë ta përjetonte letërsinë përtej faqeve të librit, përmes zërit të autoreve dhe tingujve muzikorë.

Me katër ditë kushtuar leximit dhe një mbrëmje ku poezia u ndërthur me muzikën, edicioni i pestë i Panairit të Librit pasuroi kalendarin veror të Green Coast me një tjetër përvojë kulturore.

❌