Normal view

VIDEOLAJM / Rama mbërrin në Kuç të Vlorës, mbledh kryebashkiakët për reformën territoriale

12 August 2026 at 14:36

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në ambientet e një lokali përgjatë aksit rrugor Kuç–Qeparo, ku pritet të zhvillojë një takim me kryetarët e bashkive të vendit.

Në Kuç kanë nisur të mbërrijnë përfaqësuesit vendorë, mes tyre kryetarja e Bashkisë Vlorë Bruna Mersini, kryetari i Bashkisë Himarë Vangjel Tavo, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo dhe bashkëkryetari i Reformës Territoriale Arbjan Mazniku.

Rama është shoqëruar nga kryetari i Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj.

Në fokus të takimit pritet të jetë reforma territoriale dhe riorganizimi i njësive të qeverisjes vendore qe kanë marrë një rëndësi të veçantë, ndërsa pritet të dalin detaje të reja mbi mënyrën se si do të vijojë procesi.

Rusia gjobit platformat “Telegram” dhe “Google” për përmbajtje të ndaluar

12 August 2026 at 14:28

Autoritetet gjyqësore në Rusi kanë vendosur gjoba ndaj Telegram dhe Google, me një vlerë të përbashkët prej rreth 313 mijë dollarësh, pasi platformat nuk kanë hequr përmbajtje që konsiderohet e ndaluar nga ligjet ruse.

Gjykata e Qarkut Tagansky në Moskë dënoi Telegramin me 18.4 milionë rubla, rreth 221.5 mijë dollarë, ndërsa Google u gjobit me 7.6 milionë rubla, afërsisht 91.5 mijë dollarë.

Vendimi është pjesë e presionit të vazhdueshëm të autoriteteve ruse ndaj kompanive të huaja të teknologjisë për zbatimin e rregullave vendase. Në raste të mëparshme, masa të ngjashme janë marrë edhe ndaj Instagram, YouTube, X dhe TikTok.

Telegram ka qenë prej kohësh në konflikt me autoritetet ruse për çështjen e përmbajtjeve online, ndërsa qasja në platformë është kufizuar më herët brenda territorit të Rusisë.

SHBA-të vazhdojnë bllokadën detare ndaj Iranit, sulmojnë anijen panameze

12 August 2026 at 14:19

Katër anëtarë të ekuipazhit u vranë në një sulm të rebelëve Houthi të Jemenit, ndaj një anijeje mallrash në ngushticën Bab el-Mandeb.

Anija Tihamah ishte në pronësi egjiptiane dhe ky është rasti i parë i një sulmi të Huthëve në ngushticë që lë pas viktima që nga fillimi i luftës së Iranit më 28 shkurt.

Dy anëtarë të ekipeve të shpëtimit jemenas nga një grup ushtarak kundër grupit rebel, u vranë gjithashtu në sulmin e Bab el-Mandeb, tha Roja Bregdetare e Jemenit.

Ministri i jashtëm i Pakistanit konfirmoi se tre pakistanezë u vranë në sulm, ndërsa i katërti ishte një anëtar i ekuipazhit nga Indonezia.

Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, morën përsipër sulmin në anije, e cila sipas tyre mbante pajisje ushtarake saudite.

Huthët shpallën një embargo detare kundër Arabisë Saudite në Detin e Kuq më 20 korrik, duke ndërprerë kalimin në një rrugë të rëndësishme tregtare.

Komanda Qendrore e SHBA vazhdon bllokadën detare ndaj Iranit.

Raportohet se forcat amerikane kanë sulmuar me raketa një anije me flamur të Panamasë, ndërsa ajo po lundronte në Gjirin e Omanit drejt një porti iranian.

Drejtuesi e anijes nuk iu bindën paralajmaërimve për shkelje e bllokadës, tha Komanda Qendrore.

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit me karburant në të gjithë botën.

Në fillim të javës, vetëm gjashtë anijë kaluan në rrugën e rëndësishme tregtare, një rënie drastike me nivelet e paraluftës, kur kalonin 130-140 anije në ditë.

Ujë, shtyrje dhe akuza/ Kaos në Kuvendin e Kosovës, përplasje fizike dhe verbale mes deputetëve

12 August 2026 at 14:10

Kuvendi i Kosovës është përfshirë të mërkurën nga tensione të forta, përplasje verbale dhe incidente fizike mes deputetëve të PDK-së, Aleancës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Situata është përshkallëzuar në disa momente, me kapje, shtyrje, hedhje letrash, lagie me ujë dhe replika personale, ndërsa në sfond vijon ngërçi politik për konstituimin e Kuvendit.

Zhvillimet nisën gjatë aktiviteteve në ambientet e Kuvendit, ku deputetë të opozitës kundërshtuan pjesëmarrjen e deputetëve dhe figurave të Lëvizjes Vetëvendosje në aktivitetet me qytetarë. PDK-ja dhe Aleanca kërkuan që të vazhdojë seanca konstituive, duke e kthyer sallën dhe hapësirat e Kuvendit në një arenë të tensionuar përplasjesh politike.

Kur deputetët e LVV-së iu afruan qytetarëve për të komunikuar me ta, deputetët e PDK-së nisën të protestojnë dhe të brohorasin. Një nga incidentet më të forta ndodhi mes deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi.

Flet nënkryetarja e re e PD: Përgjegjësi e madhe, dua të sjell një frymë bashkëpunimi

12 August 2026 at 14:02

E zgjedhur nga Këshilli Kombëtar, i zhvilluar më 15 korrik, në postin si nënkryetare e Partisë Demokratike, Erisa Bajaziti ishte e ftuar në studion e RTSH24, ku foli për përgjegjësinë e re politike, prioritetet e saj, diasporën dhe nevojën për një angazhim më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Bajaziti e cilësoi detyrën e re si një përgjegjësi të madhe, duke theksuar se synon të përfaqësojë zërin e demokratëve dhe të diasporës.

“Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, do të thosha, në shumë aspekte. Unë jam aty për të përfaqësuar demokratët, jam aty për të përfaqësuar, ndër të tjera, edhe zërin e diasporës dhe nuk është thjesht një pozicion pune apo një titull që ti e merr. Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe për t’iu përgjigjur qytetarëve dhe për të qenë zëri i tyre”, u shpreh ajo.

Sipas Bajazitit, një nga prioritetet kryesore është forcimi i frymës së bashkëpunimit brenda Partisë Demokratike, por edhe krijimi i një komunikimi më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Ajo e vlerësoi ardhjen e figurave të reja në strukturat e partisë si një shenjë pozitive dhe theksoi rëndësinë e mendimit ndryshe brenda një force politike.

“Ne nuk jemi njerëz perfektë dhe partitë politike padyshim nuk janë perfekte dhe ka gjithmonë vend për përmirësim. Por dëshirat dhe alternativa që i jep, për shembull, Partia Demokratike, fakti që u zhvillua Kuvendi, ripërtëritja, ardhja e njerëzve të rinj dhe vendosja e tyre në forume të rëndësishme të Partisë Demokratike, unë mendoj që është një shenjë e mirë për një parti, për një forcë politike për të funksionuar padyshim edhe me mendime të ndryshme, të cilat duhet të jenë të respektueshme brenda një force politike. Sepse nuk ka kuptim të vish dhe të thuash vetëm “po”. Pa dyshim që duhet t’i shohësh gjërat me syrin kritik, me dëshirën për t’i ndryshuar gjërat për mirë, duke filluar fillimisht nga partia në të cilën ti përfaqëson e më vonë, nëse dëshiron ta japësh kontributin tënd në Shqipëri, në qeverisje dhe kudo”, u shpreh ajo.

Bajaziti tha se angazhimi i saj politik do të fokusohet te kontakti i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe se dëshiron të sjellë një frymë të re bashkëpunimi.

“Kushdo që e ndjen veten që mund t’i japë një kontribut për Shqipërinë, të ndihet i lirë për të komunikuar”, deklaroi ajo.

Flakët iu afruan banesave, zjarri në Drenie del jashtë kontrollit, kërkohet ndërhyrje nga ajri

12 August 2026 at 13:48

Vatra e zjarrit në masivin pyjor të Drenies vijon të jetë aktive edhe gjatë ditës së sotme.

Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri ditën e djeshme, vatra e zjarrit u riaktivizua në mesnatë ku flakët iu afruan edhe banesave, por fatmirësisht ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve zjarrfikëse dhe forcave të ushtrisë shmangu rrezikun.

Zjarri aktualisht ka marrë përhapje të gjerë dhe po mbahet në monitorim nga forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit të cilët po punojnë në terrenin e vështirë kodrinor për neutralizimin e flakëve.

Ndërkohë sipas informacioneve nga prefektura e Fierit është bërë kërkesë për ndërhyrje nga ajri.

Njësi e re kimioterapie në Korçë/ Sala: Pacienti nuk duhet të udhëtojë qindra kilometra për trajtimin onkologjik

12 August 2026 at 13:23

Shërbimi onkologjik po afrohet gjithnjë e më shumë me pacientët. Në Spitalin Rajonal të Korçës është rikualifikuar njësia e kimioterapisë ditore, e rikonstruktuar dhe e pajisur sipas standardeve bashkëkohore për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale. Gjatë vizitës në njësinë e re, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi se decentralizimi i shërbimeve onkologjike është një nga drejtimet kryesore të transformimit të kujdesit ndaj pacientëve me kancer.

“Nuk mund të flasim për një sistem shëndetësor cilësor nëse një pacient me kancer duhet të udhëtojë qindra kilometra për të marrë trajtimin që i nevojitet. Objektivi ynë është që shërbimi të shkojë pranë pacientit dhe jo pacienti të udhëtojë për shërbimin. Korça është një hap konkret në këtë drejtim: standarde më të mira, kushte më të sigurta dhe kujdes më pranë qytetarëve”, tha Sala.

Njësia e re është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe shoqatës amerikane Albania Fighting Cancer, duke mundësuar rikonstruksionin dhe krijimin e një mjedisi bashkëkohor për administrimin e trajtimeve kimioterapeutike.

Korça është pjesë e një transformimi më të gjerë të shërbimeve onkologjike në të gjithë vendin. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale po vijon modernizimin e 8 pikave të tjera rajonale të kimioterapisë, me synim që pacientët të marrin trajtim cilësor sa më pranë vendbanimit dhe që shërbimet të funksionojnë me standarde të njëjta në të gjithë territorin.

Kjo qasje do të mbështetet edhe nga Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë dhe Instituti Kombëtar i Tumoreve, të cilët do të krijojnë një model të integruar të kujdesit onkologjik, duke lidhur shërbimet rajonale me qendrën universitare dhe duke garantuar koordinim më të mirë të diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së pacientëve.

“Ne po ndërtojmë një sistem ku nuk ka rëndësi nëse pacienti jeton në Korçë, Shkodër, Vlorë apo Tiranë. Standardi i kujdesit duhet të jetë i njëjtë. Instituti Kombëtar i Tumoreve dhe Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë do të na mundësojnë pikërisht këtë: një sistem të integruar, ku ekspertiza, protokollet dhe teknologjia lidhen me njëra-tjetrën dhe ku pacienti është në qendër të çdo vendimmarrjeje”, shtoi ministrja.

Përveç kimioterapisë, Spitali Rajonal i Korçës po fuqizon edhe kapacitetet diagnostikuese. Shërbimi i radiologjisë është pajisur me teknologji moderne, ndërsa së shpejti do të instalohet edhe sistemi RIS/PACS, i cili do të mundësojë menaxhim dhe akses më efikas të informacionit radiologjik dhe do të krijojë mundësi për një diagnostikim më të shpejtë dhe më të koordinuar.

Investimet në Korçë dhe në pikat e tjera rajonale janë pjesë e një vizioni më të gjerë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale: nga një kujdes onkologjik i përqendruar, drejt një rrjeti kombëtar të integruar, ku infrastruktura, teknologjia, ekspertiza dhe protokollet e trajtimit bashkohen për t’i ofruar pacientit më shumë siguri, më shumë cilësi dhe më shumë mundësi për ta marrë kujdesin pranë shtëpisë.

Rreth 300 pacientë të qarkut të Korçës që marrin trajtim kimioterapeutik do të mund ta kryejnë atë pranë vendbanimit të tyre, në një mjedis të sigurt, modern dhe të përshtatur për nevojat e tyre.

Zjarri në Parkun e Lurës, Nufi: 220 forca dhe efektivë në terren, nga ajri po operojnë 2 avionë. Prioritet mbrojtja e banesave

12 August 2026 at 13:14

Zjarri në zonën Runjë në Parkun Kombëtar të Lurës vijon me intensitet, ndërsa në terren janë angazhuar 220 forca dhe efektive, ndërsa nga ajri po punojnë edhe 2 avionë “Air Tractor”.

Teksa informon mbi situatën, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi shkruan se me prioritet është mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së flakëve.

2 avionët janë përqendruar në vatrat problematike, teksa Ministri shton se vijon angazhimi maksimal për vënien nën kontroll dhe neutralizim e vatrës së zjarrit.

“Vijon me intensitet të lartë operacioni për menaxhimin e vatrës së zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, në zonën Runjë, mbi fshatin Borie Lurë. Të gjitha strukturat janë të angazhuara dhe po punojnë në koordinim të plotë, nga toka dhe ajri, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit.

Në operacion janë angazhuar rreth 220 forca dhe efektivë, mes tyre MZSH, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, ADZM, shërbimi pyjor, strukturat bashkiake, vullnetarë, AKMC dhe Prefektura e Qarkut Dibër. Nga ajri po operojnë 2 avionë “Air Tractor”, të përqendruar në vatrat më problematike. Angazhimi maksimal vijon deri në vënien plotësisht nën kontroll dhe neutralizimin e vatrës”, shkruan Nufi.

U hodh nga shkëmbi në Orikum, plagoset rëndë një pushues

12 August 2026 at 12:54

Një shtetas është dëmtuar teksa po hidhej nga një shkëmb në zonën e Orikumit.

Për shkak të dëmtimeve të marra, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

Në ambientet e spitalit kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur verifikimet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se shtetasi është dëmtuar gjatë hedhjes nga shkëmbi, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e saktë të shkaqeve.

Kaos në Kuvendin e Kosovës, PDK dhe AAK kërkojnë seancë për kryeparlamentarin

12 August 2026 at 12:46

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ndërprerë një konferencë për media në hollin e Kuvendit, pasi pranë saj u shfaqën deputetë të PDK-së dhe AAK-së, të cilët kërkuan vazhdimin e seancës konstituive.

Haxhiu tha se prania e deputetëve po ia pamundësonte mbajtjen e konferencës dhe iu drejtua deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

“Ah, paska planifiku PDK-ja me mbajtë konferencë. Hajdeni. Vazhdoni”, tha Haxhiu.

Ndërkohë, më herët deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka mbajtur një fjalim brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, duke kritikuar situatën aktuale institucionale dhe mbylljen e dyerve të sallës për deputetët e zgjedhur.

Në prani të deputetëve të partive të ndryshme politike, Çitaku tha se deputetët e zgjedhur nuk kanë mundur të kenë qasje në sallën ku zhvillohet puna e Kuvendit.

“Unë jam deputete e zgjedhur, këta të gjithë janë deputetë të zgjedhur dhe këto dyer janë të mbyllura për ne”, deklaroi Çitaku.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e cila ndodhej në sallë, reagoi menjëherë duke thënë: “Jo, jo, e hapur është”.

Berisha: Rama drejt greminës politike, vjeshta vjen me protesta të shumta

12 August 2026 at 12:35

Kreu i PD-së Sali Berisha në një deklaratë për mediat sot në 12 gusht tha se exit pollet e nxjerin Partinë Socialiste në një rënie tëper të madhe.

Berisha u shpreh se një rënie popullariteti drastik ka pësuar veçanërisht kryeministri i vendit, Edi Rama.

“Narkoshteti po shkërmoqet! Po degradon! Pollet e fundit të bëra nga PS kanë një rënie katastrofale.

Partia e krimit është rrokullisur në shifrat e saj në 29 përqind. Edhe këto, po të heqësh koeficientin e frikës, zbret edhe më poshtë.

Ky nuk është një poll i bërë nga opozita, po ky është poll i brendshëm i vetë partisë së krimit. Edi Rama vetë qëndron nën partinë. Se atyre u thotë u tërheq unë. Kjo ka ngjallur një alarm të jashtëzakonshëm”, tha Berisha.

Horoskopi ditor për nesër, e Enjte 13 Gusht 2026

12 August 2026 at 12:26

Dashi

Duhet t’iu kushtoni dy herë më shumë vëmendje detajeve. Trajnoni aftësitë tuaja për të vëzhguar dhe përpiquni të zbuloni anët e fshehta të ngjarjeve. Nëse injoroni detajet e rëndësishme, do të humbni shumë. Ky nuk është momenti më i mirë për të marrë një iniciativë.

Demi

Jeta juaj po i kthehet normalitetit dhe kjo gjë do tregohet nga momenti në moment. Veçanërisht femrat e lindura në këtë shenjë do të tregohen më tolerante dhe të kuptueshme. Një situatë e përmirësuar në shtëpi, do të ketë gjithashtu një efekt pozitiv.

Binjakët

Shumë prej jush, veçanërisht ata të lindur në muajin maj, do të humbasin vetëbesimin e tyre. Edhe në rastin më të mirë ju nuk do të besoni te vetja juaj por do të preferoni që të bëni një llogaritje të kontrolluar disa herë, të të gjitha mundësive.

Gaforrja

Atmosfera përreth jush do të stabilizohet. Kjo është një ditë e mirë për rivendosjen e bilancit tuaj emocional. Dita favorizon një rrjedhë normale të gjërave. Mos refuzoni ndihmën ndaj dikujt nëse ua kërkon, por tregoni dhembshuri brenda kufijve.

Luani

Gjatë kësaj dite do të ndjeheni të lirë për të trajtuar detyrat tuaja. Punët rutinë do t’iu ndihmojnë që të ktheheni në normalitet, në qoftë se keni kaluar nëpër disa përvoja të pakëndshme. Megjithatë blerjet e rëndësishme dhe transaksionet e parave do të ishte mirë të shtyhen deri më nesër.

Virgjëresha

Aftësia juaj për të përcaktuar përparësitë do të jetë në rënie. Ju do të prireni për tu përfshirë në iluzione lidhur me realitetin. Mund të gënjeni veten lidhur me të vërtetën, duke mos e marrë parasysh arsyetimin e vërtetë prapa ndjenjave tuaja.

Peshorja

Yjet ju këshillojnë që të harroni plotësisht problemet tuaja të fundit dhe të qëndroni larg çdo iniciative. Përkëdhelni veten, përqendrohuni në familjen tuaj dhe shëndetin. Kjo është një ditë e mirë për të qëndruar vetëm.

Akrepi

Ashpërsia juaj do të zhduket gjatë kësaj dite. Do të prireni që ta kaloni ditën në mënyrë të relaksuar. Intuita juaj dhe logjika e ftohtë, do t’iu ndihmojë që të kuptoni gjendjen e vërtetë të situatave.

Shigjetari

Mund të bëheni lodër në duart e rrethanave ose iluzioneve të ndryshme. Kjo është shumë e mundshme, veçanërisht për ata që kanë lindur në nëntor. Duke afruar mbrëmja, prioritet do të marrin gjërat sipërfaqësore.

Bricjapi

Një periudhë e gjatë e gjykimeve nuk ka nevojë të zgjatet më tej. Kjo ditë ju premton shumë momente të këndshme. Edhe nëse nuk jeni të lumtur me situatën, ju do të gjeni momente pozitive për tu gëzuar.

Ujori

Jo çdo gjë mund të shpjegohet në mënyrë racionale gjatë kësaj dite. Disa nga rrethanat do të mbeten të pasqaruara. Nëse nuk doni t’iu shkoni në fund gjërave, mos u thelloni në to, por kalojini sa më lehtë.

Peshqit

Veprimet e disa njerëzve mund të shkaktojnë konfuzion. Por kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se kanë qëllime të këqija ndaj jush. Ka shumë mundësi që çdo gjë të shfryhet në fund si një tullumbace.

Rama tjetër reagim për Ibrin: Sa herë më sulmojnë, e quaj të kryer me sukses detyrën time

12 August 2026 at 12:15

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas debatit të ditëve të fundit lidhur me çështjen e lumit Ibër dhe qëndrimeve të Serbisë, duke u ndalur edhe te kritikat, që ka marrë në rrjetet sociale pas deklaratës së tij se “Serbia e humbi Kosovën”.

Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama i cilëson kritikët e tij në Prishtinë si “trolla të turbofolkut nacionalist”, duke thënë se reagimet e tyre janë një tregues se qëndrimet e tij kanë qenë të sakta.

Në përfundim, kryeministri e cilëson përplasjen e qëndrimeve në Beograd dhe Prishtinë ndaj deklaratës së tij si “një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit”.

“Unë e kam një laborator ekselent për të matur saktësinë e qëndrimeve të mia kur flas apo postoj lidhur me Serbinë: Ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës Sa herë që ajo ushtri lëshohet nëpër kanalet sociale për të shfryrë urrejtjen e verbër ndaj meje, unë e quaj të kryer me sukses detyrën time si kryeministër i këtij vendi qoftë ndaj Shqipërisë, qoftë ndaj Kosovës dhe qoftë ndaj paqes e bashkëpunimit rajonal Edhe dje laboratori ka funksionuar perfekt, me trollat që u lëshuan për të më rikonfirmuar si tradhëtar pse thashë Serbia e humbi Kosovën, përgjatë ndërhyrjes sime në debatin dinjitoz të ditëve të fundit mes autoriteteve tona dhe atyre të Serbisë, për paprekshmërinë e lumit Ibër Pra qëndrimi im ka qenë preciz përderisa në krejt atë ndërhyrje shteruese – që u përshëndet edhe nga vetë deputetja britanike Alicia Kerns, një flamurtare e flaktë e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar – baza e turbofolkut nacionalist në Prishtinë gjeti të kapet pas një fjalie të vetme për të mos lejuar ai qëndrim i qartë kundër provokimit të Serbisë të “hutonte” fansat e turbofolkut Që Serbia e humbi Kosovën është thjesht një fakt, sa përvëlues për turbofolkun nacionalist në Beograd, aq cingërrisës edhe për turbofolkun nacionalist në Prishtinë dhe ripërputhja e tyre dje në kundërshtinë patetike ndaj meje, është thjesht një tjetër kompliment për diplomacinë e Shqipërisë, Europës së Ballkanit “, shkruan ai.

Kryeministri ka theksuar se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah Kosovës.

“Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do ta mbështesim gjithmonë këtë të drejtë”, tha Rama.

Rama u ka rikujtuar liderëve serbë se Kosova nuk komandohet më nga ata.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja e asaj që nuk e humbi ndoshta mund ta kthejë humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por për fat të keq hartat janë më pak të përshtatshme. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, tha Rama.

Në lidhje me lumin Ibër, ku presidenti serb Vuçiç përmendi devijimin e rrjedhës së tij, Rama argumentoi se ekziston e drejta ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

“Ibëri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentohet është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, tha Rama.

Rama ka arsyetuar edhe qëndrimin e Shqipërisë.

“Nuk ka asgjë të fshehtë në qëndrimin e Shqipërisë: respektojmë Serbinë, duam marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duam të gjithë rajonin brenda Evropës, përfshirë padyshim edhe Serbinë”, tha Rama.

Në fund kryeministri Rama përsërit mbështetjen për Kosovën si shtet të lirë, ndërsa thekson se e ardhmja evropiane e Ballkanit kërkon pranimin e kufijve ekzistues.

‘Shpërthen numri i turistëve francezë në Shqipëri’, Rama: Rezervimet rritje me 288.2 përqind

12 August 2026 at 12:08

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale sot në 12 gusht, shkruan se është rritur jashtëzakonisht shumë numri i turistëve francezë në Shqipëri.

Duke iu referuar një artikulli të medias franceze BFM Business, kreu i qeverisë nënvizon se vendi ynë është bërë gjithmonë e më i preferuar për francezët. Ai shton se rezervimet nga shtetasit francezë në vendin tonë janë rritur me 288.2 përqind.

Shqipëria gjithnjë e më e pëlqyer për francezët

Me një rritje prej 288,2% të rezervimeve brenda një viti, numri i francezëve që zgjedhin Shqipërinë për pushimet e tyre ka shpërthyer”, shkruan kryeministri Rama.

Artikulli i plotë i medias franceze BFM Business

Po sikur të vendosnit ta vizitonit Shqipërinë për pushimet tuaja të radhës?

Në fakt, këtë zgjedhje bënë shumë udhëtarë francezë këtë verë. Rezervimet nga Franca drejt Shqipërisë u rritën me 288,2% krahasuar me vitin e kaluar. Ky bum turistik është një përfitim i madh për ekonominë shqiptare. Në vitin 2025, vendi priti mbi 12 milionë vizitorë ndërkombëtarë.

Por, si u bë kaq popullor ky vend i vogël ballkanik?

Faktori i parë është: Çmimi.

Krahasuar me destinacione si Greqia, Italia apo Kroacia, Shqipëria mbetet relativisht e përballueshme, qoftë për akomodim apo edhe për sa i përket ushqimit. Një vakt në një restorant ekonomik kushton rreth 8 euro në Shqipëri, krahasuar me 12 euro në Kroaci, 15 në Greqi dhe 17 në Itali. Dhe në faqet e internetit për rezervime, çmimi i një dhome për dy net mezi arrin në 100 euro.

Gjithashtu, mbi të gjitha, Shqipëria është bërë shumë më e aksesueshme. Lidhjet ajrore me Tiranën janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht linjat ajrore loë-cost.

Në terren, përmirësimi gradual i infrastrukturës e bën gjithashtu më të lehtë lëvizjen. Ajo që dikur ishte një destinacion jashtë rrugëve të zakonshme turistike, tani po shndërrohet në një alternativë të thjeshtë dhe të aksesueshme për pushime në Europe.

Faktori i dytë: Peizazhi.

Me ujëra në ngjyrë turkezë, male dhe fshatra të gurtë në kodra, Shqipëria ofron peizazhe të larmishme. Në rrjetet sociale, është Riviera Shqiptare ajo që vërtet tërheq vëmendjen dhe imagjinatën më së shumti.

Duke filluar me Ksamilin, i famshëm për plazhet dhe ishujt e tij të vegjël.

Por, Shqipëria ofron më shumë sesa thjesht plazhe; vendi i magjeps vizitorët edhe me peizazhet malore dhe trashëgiminë kulturore. Për ta menaxhuar këtë rritje, Shqipëria ka zbatuar “Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030” që nga viti 2024. Ajo synon të rrisë të ardhurat nga turizmi, të përmirësojë infrastrukturën hoteliere dhe të mbrojë mjedisin natyror nga rreziqet e mbipopullimit turistik.

Skënder Aliu, njeriu që na mëson të shohim historinë nën këmbët tona

12 August 2026 at 11:59

Nga Thoma Gëllçi

Në 90-vjetorin e lindjes së Profesor Skënder Aliut, natyrshëm mendon jo vetëm për jetën e një njeriu, por edhe për atë që një njeri mund t’i japë vendit nga vjen.

Skënder Aliu ia kushton jetën arkeologjisë. Por për ne kolonjarët ai është diçka më shumë se një arkeolog i njohur. Është njeriu që na tregon se toka ku kemi lindur dhe jemi rritur mban nën vete një histori shumë më të vjetër nga sa mund ta përfytyrojmë.

Unë e ndiej këtë veçanërisht kur e dëgjoj të flasë për Shtikën, fshatin tim. Ne i njohim ato kodra, ato ara, ato vende. Kalojmë pranë tyre dhe jo gjithmonë mendojmë se çfarë fshihet poshtë tokës. Pastaj vjen Profesor Skënderi dhe flet për tumat, për vendvarrimet e hershme, për objektet e zbuluara, për njerëzit që kanë jetuar aty mijëra vjet më parë. Dhe papritur vendi ku ke lindur të duket ndryshe.

Një copë qeramike nuk është më thjesht një copë balte e thyer. Një stoli e nxjerrë nga një varr i lashtë nuk është vetëm një objekt i bukur. Një tumë nuk është thjesht një kodër dheu. Të gjitha bashkë tregojnë se aty kanë jetuar njerëz, kanë ndërtuar, kanë luftuar, kanë dashur, kanë varrosur të afërmit e tyre dhe kanë lënë pas gjurmë të një bote që ne sot e njohim përmes punës së njerëzve si Skënder Aliu.

Kjo është ndoshta merita më e madhe e një arkeologu: merr atë që për ne është një gur, një varr apo një copë ene dhe e kthen në histori njerëzore.

Skënder Aliu këtë e bën prej dekadash. Kamniku, Luarasi, Shtika, Psari, Rehova, Kamenica dhe shumë zona të tjera të juglindjes bëhen pjesë e punës së tij shkencore. Ai studion tumat, qeramikën, armët, stolitë dhe mënyrën se si varrosen njerëzit në periudha të ndryshme. Për shkencën, këto janë prova dhe të dhëna të rëndësishme. Për ne, janë pjesë të historisë sonë që dalin përsëri në dritë.

Profesori nuk e sheh arkeologjinë nga larg. Nuk është shkencëtari që mjaftohet me tavolinën, bibliotekën apo titullin akademik. Puna e tij është në terren, në baltë, mes gurëve, nën diell, pranë njerëzve të zonës. Arkeologjia kërkon durim. Mund të punosh gjatë për të gjetur një objekt të vogël. Pastaj duhet ta studiosh, ta krahasosh dhe të kuptosh çfarë historie tregon. Skënder Aliu e ka këtë durim.

Por ka edhe diçka tjetër: dashurinë për Kolonjën.

Skënder Aliu është një patriot i heshtur dhe punëtor. Ai nuk i shpik Kolonjës një histori më të madhe nga ajo që ka. Bën diçka shumë më të rëndësishme: kërkon dhe dokumenton historinë që ndodhet aty.Për këtë arsye më pëlqen ta shoh jo vetëm si Profesorin, doktorin e shkencave apo arkeologun e njohur. E shoh si kolonjarin e ditur që di të tregojë historinë e vendit të vet. Flet për të me dijen e shkencëtarit, por edhe me emocionin e njeriut që e ndien atë tokë si të tijën.

Kur flet për tumat e Shtikës, unë nuk dëgjoj vetëm një leksion arkeologjie. Dëgjoj historinë e fshatit tim. Dhe besoj se shumë kolonjarë ndiejnë të njëjtën gjë kur ai flet për vendet e tyre.

Në këtë 90-vjetor, Profesor Skënder Aliu ka të drejtë të shohë me krenari gjithçka që përfaqëson puna e tij. Ka libra, studime, zbulime dhe dokumente shkencore. Por ka edhe diçka që nuk matet me numrin e botimeve: na mëson të shohim ndryshe tokën ku kemi lindur.

Pas punës së tij, një kodër mund të jetë një tumë. Një arë mund të mbajë gjurmët e një vendbanimi të lashtë. Një copë qeramike mund të tregojë historinë e një populli.

Dhe Shtika ime nuk është vetëm fshati ku kam lindur. Falë edhe punës së Profesor Skënder Aliut, ajo është pjesë e një historie që shkon mijëra vjet pas.

Gëzuar 90-vjetorin, Profesor Skënder Aliu.

Shëndet dhe jetë të gjatë kolonjarit të ditur, shkencëtarit të talentuar dhe njeriut që na tregon se sa shumë histori fshihet nën këmbët tona.

Reforma Territoriale / Rama mbledh sot krerët e bashkive në “Kuçin e parashikimeve”. Çfarë pritet nga takimi

12 August 2026 at 11:50

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot, në orën 12:00, një takim me kryetarët e bashkive në zonën e Kuç-Qeparos, ku në qendër të diskutimeve do të jetë Reforma Administrativo-Territoriale.

Në takim pritet të marrin pjesë kryetarë të bashkive, përfshirë edhe drejtues të njësive vendore që preken nga propozimet për shkrirje ose bashkim. Takimi vjen në një moment kur në Kuvend është depozituar drafti i Partisë Socialiste për riorganizimin territorial. Propozimi parashikon që numri i bashkive në Shqipëri të ulet nga 61 në 46, ndërsa disa bashki do të bashkohen me njëra-tjetrën.

Mes ndryshimeve të propozuara janë bashkimi i Rrogozhinës me Kavajën, Selenicës me Vlorën, Patosit me Fierin, si dhe disa bashkive të tjera në qarqe të ndryshme të vendit. Takimi i sotëm pritet të shërbejë për diskutimin e ndryshimeve të mundshme në ndarjen administrativo-territoriale dhe organizimin e njësive vendore.

Aksident i pazakontë në Sarandë, automjeti përplaset me disa makina në rrugën kryesore

12 August 2026 at 11:45

Një aksident i pazakontë ka ndodhur në rrugën kryesore të Sarandës, ku një automjet është përplasur me disa mjete të tjera.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Ngjarja ka shkaktuar edhe vështirësi të përkohshme në qarkullim, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e plota të aksidentit.

Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet e përplasjes.

Zjarret, ministri Nufi: Mjetet ajrore pa pilotë, shumë të rëndësishëm në shuarjen e flakëve

12 August 2026 at 11:37

Mjetet ajrore pa pilot po luajnë një rol të rëndësishëm në monitorimin dhe menaxhimin e situatave të zjarreve në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një postimi në rrjetet sociale sot në 12 gusht ka vlerësuar rëndësinë e përdorimit të teknologjisë ajrore në mbështetje të operacioneve të emergjencave. Sipas tij, dronët janë pjesë e rëndësishme e kapaciteteve të Forcave të Armatosura për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve po përdoret edhe droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore. Pajisja kryen misione monitorimi gjatë ditës dhe natës në zonat e prekura nga flakët. Përmes transmetimit në kohë reale, autoritetet marrin informacion mbi vendndodhjen dhe përhapjen e vatrave të zjarrit.

Të dhënat ajrore ndihmojnë gjithashtu në ndjekjen e lëvizjeve të helikopterëve të angazhuar në operacione. Informacioni i siguruar nga dronët përdoret për drejtimin dhe koordinimin më të mirë të forcave në terren. Kjo mundëson një reagim më të shpejtë nga strukturat përgjegjëse në zonat e rrezikuara.

Postimi i ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi

Përdorimi i mjeteve ajrore pa pilot përbën një komponent të rëndësishëm të kapaciteteve të Forcave të Armatosura  në mbështetje të operacioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Droni Bayraktar TB2 i Forcës Ajrore kryen misione monitorimi ditën dhe natën, duke transmetuar në kohë reale informacion mbi vatrat e zjarrit, përhapjen e flakëve dhe lëvizjen e helikopterëve të angazhuar në të gjithë zonat e operacioneve.

Të dhënat e siguruara nga ajri mbështesin drejtimin dhe koordinimin e forcave në terren, si dhe reagimin e shpejtë të strukturave përgjegjëse.

Eklipsi diellor mbi Tiranën/ Hëna do të mbulojë Diellin për 13 minuta, ja ora kur duhet të shikoni qiellin

12 August 2026 at 11:29

Një spektakël i rrallë astronomik do të mund të vëzhgohet edhe nga Tirana mbrëmjen e 12 gushtit, kur Hëna do të kalojë përpara Diellit dhe do të krijojë një eklips të pjesshëm diellor. Ndërsa në disa pjesë të Evropës do të shihet eklipsi i plotë, në kryeqytetin shqiptar fenomeni do të jetë më i kufizuar, por me një moment të qartë maksimumi.

Sipas të dhënave astronomike për Tiranën, eklipsi do të nisë në orën 19:31 dhe do të arrijë pikën maksimale vetëm dhjetë minuta më vonë, në 19:41. Fenomeni do të përfundojë në 19:44, duke zgjatur gjithsej rreth 13 minuta.

Në momentin e maksimumit, Hëna do të mbulojë vetëm një pjesë të vogël të diskut të Diellit. Kjo do të thotë se Tirana nuk do të përjetojë errësimin e plotë të qiellit që do të karakterizojë zonat që ndodhen në rrugën e totalitetit.

Ora 19:41, momenti për të parë qiellin
Për banorët e Tiranës, momenti kryesor për t’u kushtuar vëmendje është 19:41, kur eklipsi do të arrijë maksimumin.

Meqë fenomeni ndodh shumë pranë perëndimit të Diellit, vëzhgimi do të varet edhe nga pamja drejt horizontit. Një vend i hapur, me sa më pak pengesa në drejtim të perëndimit, do të jetë më i përshtatshëm për ta ndjekur.

Sipas të dhënave të Timeanddate, në Tiranë eklipsi do të jetë i dukshëm si eklips i pjesshëm, ndërsa faza totale nuk do të jetë e dukshme nga qyteti.

Ndryshe nga Tirana, disa vende do të përjetojnë errësirë të plotë

12 gushti sjell eklipsin e vetëm të plotë diellor të vitit 2026. Rruga e totalitetit kalon nëpër zona të veriut të Rusisë, Grenlandë, Islandë dhe pjesë të Spanjës, duke krijuar një brez ku Hëna do ta mbulojë plotësisht Diellin.

Në këto zona, për disa çaste, dita do të shndërrohet në një muzg të pazakontë dhe do të bëhet e dukshme edhe korona e Diellit.

Në Evropë, veçanërisht Islanda dhe veriu i Spanjës, janë ndër vendet më të favorshme për të përjetuar totalitetin. Në Spanjë, fenomeni ka edhe një rëndësi të veçantë, pasi vendi nuk ka përjetuar një eklips të plotë diellor që nga viti 1905.

Shumë qytete të tjera evropiane do të shohin një eklips të fuqishëm të pjesshëm, por Tirana ndodhet jashtë brezit të totalitetit.

Moti në Tiranë, një tjetër faktor vendimtar

Për ata që duan ta ndjekin fenomenin nga kryeqyteti, një lajm i mirë është parashikimi atmosferik. Sipas të dhënave të publikuara për Tiranën, moti pritet të jetë kryesisht i kthjellët, me temperaturë rreth 31°C.

Kjo do të krijonte kushte relativisht të mira për vëzhgim, megjithëse për shkak të pozicionit të ulët të Diellit në qiell, një horizont i pastër do të jetë veçanërisht i rëndësishëm.

Mos e shikoni Diellin me sy të lirë

Pavarësisht se eklipsi në Tiranë është vetëm i pjesshëm, Dielli nuk duhet parë drejtpërdrejt pa mbrojtje të përshtatshme për sytë. Shikimi i tij përmes syzeve të zakonshme të diellit, kamerave, dylbive apo teleskopëve pa filtra të posaçëm mund të shkaktojë dëmtime serioze të syve.

Për një vëzhgim të sigurt rekomandohen syze të certifikuara për eklipse ose metoda indirekte të projeksionit.

Përleshja në qelitë e Fierit, pezullohen nga detyra 8 punonjësit e burgut

12 August 2026 at 11:18

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi ka pezulluar nga detyra 8 punonjës të policisë të burgut të Fierit, të cilët ishin të planizuar në turnin e ditës kur ndodhi përleshja mes Denis Bajrit, Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotos.

Sipas njoftimit të Burgjeve bëhet e ditur se punonjësit e pezulluar janë:

K/Inspektori G.B., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;

Inspektori Sh.H., përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;

Inspektori A.A., punonjës i rolit bazë;

Inspektori D.GJ., punonjës i rolit bazë;

Inspektori A.H., punonjës i rolit bazë;

Inspektori P.K., punonjës i rolit bazë;

Inspektori S.Ç., punonjës i rolit bazë;

Inspektori A.S., punonjës i rolit bazë.

Pezullimi do të vijojë deri në përfundimin e hetimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente mbi zbatimin e detyrave funksionale nga punonjësit e policisë së burgut të Fierit që ishin të planizuar në ditën e ngjarjes.

Ndërkohë, nga hetimet e Prokurorisë së Fierit për përplasjen mes tre të paraburgosurve dyshohet  që ngjarja të jetë e porositur dhe të lidhet me përplasjet mes grupeve rivale.

Në konflikt u përdor një thikë artizanale, e ndërtuar nga një shirit ene metalike e mprehur në formën e tehut dhe e fiksuar në një bisht druri.

Gjatë dëshmisë paraprake, Denis Bajri (Brajovic) ka pretenduar se është sulmuar me thikën e improvizuar nga Jurgen Zoto, me porosi të Ibrahim Licit, person në kërkim nga drejtësia.

Sipas dëshmisë së Bajrit, ai ishte thirrur për takim nga Aldo Gjini, i cili kishte shkuar së bashku me Zoton. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se fillimisht tre personat janë takuar dhe përshëndetur normalisht, për t’u zhvendosur më pas në një ambient tjetër, ku edhe ka ndodhur përleshja.

Bajri ka deklaruar se Zoto e ka sulmuar me thikën e improvizuar, por më pas ka mundur t’ia marrë nga dora. Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto kanë mbetur të plagosur dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.

Pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka vendosur masën e izolimit për tre muaj ndaj Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotos. Gjini është transferuar në burgun e Drenovës, ndërsa Zoto në burgun e Burrelit.

❌