Normal view

Plas skandali i spiunazhit në Kinë, u ‘prihet koka’ dy gjeneralëve, njëri akuzohet se i dha sekrete bërthamore SHBA-ve!

By: A. Q
28 August 2026 at 21:03

Udhëheqja kineze shkarkoi të martën zyrtarët e lartë ushtarakë Zhang Guxia dhe Liu Zhenli nga postet e tyre në Komisionin Qendror Ushtarak të shtetit, raportoi agjencia e lajmeve Xinhua, duke cituar Komitetin e Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor.

Pas këtij njoftimi mjaft formal qëndron një hetim disamujor ndaj gjeneralëve të lartë, të cilët, sipas autoriteteve kineze, u akuzuan për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”.

Nga ana tjetër, formulimi burokratik i “shkeljeve të ligjit” zakonisht fsheh sjellje të pahijshme që lidhen me korrupsionin.

Nisja e hetimeve kundër Zhang, i dyti në komandë pas Presidentit Xi Jinping si nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak dhe anëtar i Byrosë Politike elitare të Kinës, u njoftua janarin e kaluar.

Një hetim ishte nisur edhe kundër Liu, një anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Komisionit Qendror Ushtarak. Ai dyshohej për shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit.

Një tregues i hershëm se “diçka po ndodhte” me Zhang dhe Liu ishte mungesa e tyre në një aktivitet të nivelit të lartë në dhjetor 2025.

Disa muaj më parë, në tetor 2025, kjo ishte paraprirë nga shkarkimi i nëntë gjeneralëve të lartë, një nga spastrimet më të mëdha të rangjeve të larta të ushtrisë në dekadat e fundit.

Kina ka struktura paralele të Partisë Komuniste dhe Komisionit Qendror Ushtarak. Njoftimi i sotëm ka të bëjë me qëndrimet e Zhang dhe Liu në Komisionin Qendror Ushtarak të drejtuar nga shteti. Megjithatë, ata nuk janë larguar zyrtarisht ose publikisht nga pozicionet e tyre në Komisionin Qendror Ushtarak të Partisë Komuniste në pushtet.

Që nga marrja e pushtetit, Presidenti Xi ka nisur një sërë fushatash kundër korrupsionit në ministri të ndryshme, dhe fushata kohët e fundit është përqendruar shumë në ushtri.

Ai e ka quajtur korrupsionin “kërcënimin më të madh” për Partinë Komuniste dhe tha se luftimi i tij “mbetet serioz dhe kompleks”.

WSJ: Zhang i zbuloi informacione SHBA-së

Një artikull i Wall Street Journal, pas njoftimeve shumë të pakta në informacion nga pala kineze, hodhi më shumë dritë mbi rastin e Zhang.

Gazeta amerikane shkroi se ai akuzohet për rrjedhjen e të dhënave të armëve bërthamore në Shtetet e Bashkuara , si dhe për pranimin e ryshfeteve për ngritje në detyrë, përfshirë ngritjen në detyrë të një oficeri në ministër të mbrojtjes.

Zhang, vazhdon raporti, dyshohet se ishte nën hetim për formimin e klikave politike, një frazë që përshkruan përpjekjet për të ndërtuar rrjete ndikimi që minojnë unitetin e partisë dhe abuzimin me pushtetin brenda Komisionit Qendror Ushtarak.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu mbikëqyrjen e tij të një agjencie të fuqishme përgjegjëse për kërkimin, zhvillimin dhe prokurimin e pajisjeve ushtarake. I njëjti informacion thotë se Zhang dyshohet se ka pranuar shuma të mëdha parash në këmbim të ngritjeve në detyrë zyrtare në këtë sistem prokurimi me buxhet të madh.

Pretendimi më tronditës i zbuluar gjatë informimit me dyer të mbyllura ishte se gjenerali kishte rrjedhur të dhëna teknike kyçe në lidhje me armët bërthamore të Kinës në SHBA.

Kush është Zhang Guxia?

Zhang, 75 vjeç, ishte nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, grupi i Partisë Komuniste i kryesuar nga Presidenti Xi që kontrollon forcat e armatosura. Ai ishte gjithashtu anëtar i organit më të lartë vendimmarrës të partisë, Byrosë Politike me 24 anëtarë.

Babai i tij ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Kinës dhe luftoi përkrah babait të Xi në Luftën Civile Kineze të vitit 1949. Kjo e bëri Zhang një nga “princat” e Kinës, siç njihen pasardhësit e pleqve revolucionarë dhe zyrtarëve të lartë të partisë.

Zhang u bashkua me ushtrinë në vitin 1968 dhe është një nga të paktët udhëheqës të lartë me përvojë luftarake.

Ai ka mbetur në postin e tij pavarësisht moshës, një shenjë e besimit që Xi ka pasur tek ai.

Hajdutë pa stil dhe të paaftë, vodhën thesarin e Spanjës, por lanë pas pjesët më me vlerë!

By: A. Q
28 August 2026 at 20:55

Objektet më të rralla dhe me më shumë vlerë i ka shpëtuar vjedhjes në një muze arkeologjik në Spanjë

Sipas raportimeve të “El País”, hajdutët arritën të merrnin disa prej objekteve të çmuara të thesarit, por lanë pas byzylykun prej hekuri, me sa duket sepse e konsideruan si një objekt me vlerë të ulët.

Thesari i Villenës, i datuar në Epokën e Bronzit, përbëhej para vjedhjes nga 59 objekte ari, mes tyre 27 byzylykë dhe 11 kupa, si dhe nga objekte argjendi dhe dy objekte të veçanta prej hekuri. Byzylyku i mbetur pas është një unazë e hapur, me skaje të rrumbullakosura. Krahas tij, hajdutët lanë gjithashtu tre kupa argjendi dhe një tjetër byzylyk ari.

Rëndësia e jashtëzakonshme e byzylykut u kuptua vetëm pas analizave shkencore. Në vitin 2024, studimi i dy objekteve prej hekuri zbuloi se ato ishin krijuar nga material me origjinë meteoritike dhe datonin nga fundi i Epokës së Bronzit.

Hekuri meteoritik gjendet në disa lloje të veçanta meteorësh që mbërrijnë në Tokë nga hapësira. Ai përbëhet kryesisht nga një aliazh hekuri dhe nikeli, me përqendrime të nikelit që mund të kalojnë 5%, si dhe përmban elementë të tjerë, përfshirë kobaltin.

Sipas studiuesve, përdorimi i këtij materiali nga njerëzit e Epokës së Bronzit është një dëshmi e rëndësishme e njohurive dhe aftësive të tyre metalurgjike. Ignacio Montero Ruiz, studiues në Institutin e Historisë të CSIC-së spanjolle dhe një prej autorëve të studimit të vitit 2024, ka theksuar se dy objektet prej hekuri kishin një vlerë të jashtëzakonshme për njerëzit e asaj periudhe.

Pikërisht për këtë arsye, ato u vendosën së bashku me objektet e shumta prej ari në Thesarin e Villenës. “Hekuri dhe ari së bashku, por një hekur shumë i veçantë”, është shprehur Montero Ruiz.

Thesari u zbulua në vitin 1963 nga arkeologu José María Soler dhe konsiderohet një prej koleksioneve më të rëndësishme të objekteve metalike të Epokës së Bronzit në Gadishullin Iberik. Byzylyku meteoritik ishte përshkruar fillimisht si një objekt prej metali të errët, me nuancë plumbi dhe pjesërisht të mbuluar nga oksidimi. Origjina e tij e pazakontë u identifikua vetëm dekada më vonë, falë analizave moderne.

Zjarr i madh edhe në Mat, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen nga terreni, dyshohet se është i qëllimshëm!

By: A. Q
28 August 2026 at 20:49

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë sot në mbrëmje (28 gusht) edhe në Njësinë Administrative Komsi, në Bashkinë Mat.

Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa në terren kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor dhe të Bashkisë Mat, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të situatës.

Terreni i vështirë po e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse për shuarjen e flakëve.

Dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Policia ka nisur punën për kapjen e identifikimin e autorit ose autorëve për zjarrëvënie të qëllimshme.

Mbyllet pas rreth dy orësh mbledhja e Ramës me ministrat e kabinetit dhe drejtuesit politikë të PS në qarqe!

By: A. Q
28 August 2026 at 20:01

Ka përfunduar mbledhja e kryeministrit Edi Rama me drejtues dhe përfaqësues të Partisë Socialiste, ku të pranishëm kanë qenë edhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Takimi, i cili nisi pak para orës 18:00, u zhvillua në rezidencën e qeverisë pranë fshatit “Sos”, pasi fillimisht ishte njoftuar se do të mbahej në selinë e Partisë Socialiste.

Zhvendosja e takimit mësohet se është bërë për të shmangur përplasjet me protestuesit, të cilët pritej të mblidheshin në zonën e selisë së PS-së, për të goditur edhe me vezë socialistët.

Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura dhe kishte karakter politik dhe organizativ. Gjatë takimit pritet të jenë diskutuar zhvillimet politike dhe organizimi i mëtejshëm i socialistëve.

Takimi vjen në një kohë tensionesh politike dhe mes protestave që sot është e 90-ta në radhë.

Zjarri në Vranisht shkrumbon banesën dhe kosheret e bletëve! Digjen edhe disa hektarë me ullinj e pemë

By: A. Q
28 August 2026 at 19:55

Zjarret e ditës së sotme kanë lënë dëme të konsiderueshme në të paktën pesë qarqe të vendit.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë edhe fshatin Vranisht të bashkisë Himarë, duke shkaktuar dëme në banesa, ullishte dhe sipërfaqe të mbjella me pemë të ndryshme.

Flakët kanë rrethuar një banesë, ndërsa janë djegur edhe rreth 30 koshere me bletë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për banorët e zonës.

Zjarri ka përfshirë disa hektarë me ullinj dhe pemë të tjera, ndërsa situata ka shkaktuar shqetësim të madh, veçanërisht për dëmet e shkaktuara në kosheret e bletëve.

Forca të zjarrfikëses dhe shërbimet e Policisë ndodhen në terren, ku po punohet për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri dhe vlerësimin e situatës.

Takimi i Ramës me ministrat dhe krerët politikë të PS në qarqe, zbulohet çfarë u ka kërkuar kryeministri: ‘Pasqyra Albania’ të jetë ligj për të gjithë!

By: A. Q
28 August 2026 at 19:45

Dalin detajet e para nga takimi dhe diskutimet e mbledhjes së kryeministrit Edi rama me ministrat dhe drejtuesit politikë në qarqe të PS-së, që po mbahet në një nga vilat qeveritare në kryeqytet.

Mësohet se kryeministri Edi Rama ka kërkuar forcimin e pranisë së strukturave të Partisë Socialiste në territor dhe një angazhim më të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Gjatë takimit me drejtuesit politikë të PS-së dhe ministrat, që vijon ende, Rama ka kërkuar që të ndërtohet një skemë e personalizuar, ku të ketë drejtues politikë, deputetë, ministra dhe zëvendësministra të dedikuar për territorin.

Sipas TCH, Rama ka kërkuar që takimet me ta të zhvillohen në mënyrë të përjavshme, me qëllim që problematikat dhe shqetësimet e tyre të dëgjohen drejtpërdrejt.

“Pasqyrë Albania nuk duhet te jete një njësi, platformë etj, duhet të jetë LIGJ. Besa dhe prania besnike prezente në territor, përmes një skeme të personalizuar: drejtues politik, deputet, ministër, zv.ministër të dedikuar”, është një nga kërkesat e përcjella nga Rama.

 

 

Shqipëria bëhet me autoburgje të blinduar, do të përdoren për transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë!

By: A. Q
28 August 2026 at 19:38

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar fuqizimin e sistemit penitenciar me automjete të blinduara dhe autoburgje, të cilat do të përdoren për transportin dhe shoqërimin e të burgosurve jashtë ambienteve të IEVP-ve.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mjetet e reja janë të destinuara veçanërisht për transportin e personave me rrezikshmëri të lartë, duke synuar rritjen e sigurisë gjatë çdo lëvizjeje dhe shoqërimi.

Kjo masë synon të ofrojë më shumë mbrojtje jo vetëm për personat e privuar nga liria, por edhe për punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që angazhohen në transportin dhe shoqërimin e tyre.

“Siguria nis nga mënyra se si kryhet çdo lëvizje”, thekson Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke e cilësuar këtë pajisje të re si një standard të ri për sistemin penitenciar.

Vendosja e autoburgjeve të blinduara, sipas gazetares Anila Hoxha, ndodh në kohën kur numri i dëshmitarëve të drejtësisë dhe të penduarve ka shkuar në 15 persona dhe kur të dyshuar si krerë të krimit në vend janë në burgje të sigurisë së lartë. Vazhdimisht, ata transferohen nga këto burgje drejt Tiranës për t’u përballur me akuzat e SPAK.

Përdorimi i automjeteve të blinduara synon kështu forcimin e sigurisë gjatë transferimeve, në një kohë kur institucionet penitenciare përballen me nevojën për të garantuar shoqërim të sigurt për persona të cilësuar me rrezikshmëri të lartë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e paraqet këtë ndryshim si një hap drejt një sistemi penitenciar më modern, me më shumë siguri për të privuarit nga liria dhe më shumë mbrojtje për punonjësit.

VIDEO/ Çasti që solli katastrofën në Nepal dhe Tibet, shikoni pamjet tronditëse nga shkëputja e akullnajës në Himalaja!

By: A. Q
28 August 2026 at 19:35

Pamje dramatike nga Himalajet tregojnë pasojat e shembjes së një akullnajeje, një fenomen që dyshohet se lidhet me përmbytjet masive që kanë goditur zonat e Nepalit dhe Tibetit.

Në videot e publikuara shihet qartë peizazhi pas shembjes, me një shpat të tërë të zhveshur nga akulli dhe i mbuluar me masa dheu e mbetjesh. I njëjti territor, sipas imazheve të mëparshme satelitore, ishte i mbuluar nga akulli.

Katastrofa ka shkaktuar një bilanc të rëndë njerëzor. Sipas të dhënave të raportuara nga autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare, qindra persona kanë humbur jetën, ndërsa 1,924 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Mes personave që ende nuk janë gjetur raportohet se ka edhe turistë dhe pelegrinë të huaj.

Në zonat e prekura vijojnë kërkimet për të mbijetuarit. Mijëra forca sigurie janë angazhuar në operacion, ndërsa përdoren edhe dronë për të kontrolluar territoret ku ndërhyrja tokësore është tepër e rrezikshme.

Në një nga zonat më të goditura, fshatra të tëra janë përmbytur dhe shkatërruar brenda pak minutash. Pas tërheqjes së ujërave, terreni është mbuluar nga një shtresë e trashë balte dhe mbetjesh, ndërsa shumë banorë kanë mbetur pa shtëpi.

Qindra të mbijetuar janë strehuar në qendra të përkohshme, të ngritura nga autoritetet dhe ushtria. Në këto qendra po dërgohen gjithashtu furnizime, pajisje mjekësore dhe ndihma humanitare.

Situata mbetet veçanërisht e vështirë për fëmijët. UNICEF ka bërë të ditur se rreth 17 mijë fëmijë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare, ndërsa disa shkolla janë shkatërruar ose dëmtuar nga katastrofa.

Operacionet e shpëtimit vijojnë mes kushteve të vështira, ndërsa ekipet përballen me terren të rrezikshëm dhe rrezikun e përmbytjeve të tjera. Të plagosurit, mes tyre banorë vendas, turistë dhe punëtorë të huaj, po transportohen me helikopterë drejt spitaleve.

Ndërkohë, qendrat e strehimit janë kthyer edhe në vende zie. Trupat e viktimave të nxjerra nga zonat e prekura po ruhen deri në përfundimin e procesit të identifikimit dhe njoftimin e familjarëve.

Footage appears to show the moments after a glacier collapsed in the Himalayas, triggering floods in Nepal and Tibet. A bare cliff face is visible at a location that was covered by ice in previous satellite images. pic.twitter.com/YNNXGXHkIf

— Sky News (@SkyNews) August 28, 2026

Rëndohet situata me zjarret në Librazhd, flakët i afrohen edhe banesave në Xhyrë, ndërhyhet me helikopter nga ajri

By: A. Q
28 August 2026 at 19:29

Situata vijon të mbetet tepër kritike në zonën midis fshatrave Xhyrë dhe Vehçan, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv pyjor me akacie dhe shkurre dhe po përhapet me shpejtësi.

Zjarri, i cili ka nisur që prej mesditës, ka marrë përmasa të konsiderueshme për shkak të terrenit të vështirë dhe bimësisë së thatë, ndërsa flakët janë përhapur në disa drejtime duke krijuar një situatë serioze për zonat e banuara.

Rreziku është bërë veçanërisht i madh në lagjen pranë ish-stacionit të trenit në Xhyrë, ku flakët janë afruar ndjeshëm me banesat. Për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të shmangur rrezikun e përfshirjes së shtëpive nga flakët, po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter.

Ndërhyrja ajrore po kryhet paralelisht me operacionin në tokë, ndërsa dhjetëra forca dhe mjete zjarrfikëse janë angazhuar në përpjekje për të izoluar vatrat dhe për të mbrojtur banesat.

Në operacion janë mobilizuar forca të MZSH-së dhe mjete zjarrfikëse nga Librazhdi, Prrenjasi, Elbasani, Gramshi dhe Cërriku, të cilat po punojnë me intensitet maksimal në disa pika të frontit të zjarrit.

Pavarësisht mobilizimit të madh dhe ndërhyrjes intensive nga toka dhe ajri, situata mbetet tepër problematike. Terreni i vështirë, sipërfaqet e mëdha të përfshira nga flakët dhe bimësia e thatë po favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë të vështirë izolimin e plotë të tij.

Një tjetër faktor shqetësues është afërsia e flakëve me rrugën kombëtare Librazhd-Prrenjas, çka e rrit më tej rrezikun dhe kërkon monitorim të vazhdueshëm të situatës.

Forcat në terren po përqendrojnë ndërhyrjen në pikat më kritike, me synim frenimin e avancimit të flakëve drejt banesave dhe izolimin e vatrave aktive.

Operacioni vijon pa ndërprerje, ndërsa ndërhyrja me helikopter nga ajri është kthyer në një element të rëndësishëm të përpjekjeve për të mbrojtur banesat në lagjen pranë ish-stacionit të trenit në Xhyrë.

“Përfundojeni këtë luftë të pakuptimtë me Iranin”- Zv/kancelari gjerman thirrje presidentit Trump: Ju jeni përgjegjës për nisjen, pasojat dhe te nafta

By: A. Q
28 August 2026 at 19:24

Zëvendëskancelari dhe Ministri i Financave gjermane, Lars Klingbeil, i bëri thirrje sot (28 gusht) Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, që ta përfundojë luftën “e papërgjegjshme” me Iranin, përpara udhëtimit të tij në Amerikë javën e ardhshme, për të marrë pjesë në samitin e G20.

“Ky është mesazhi më i rëndësishëm, edhe për SHBA-në: përfundoni këtë luftë”, tha Klingbeil. Ai madje fajësoi Trump për çmimet e larta të karburantit.

“Donald Trump është përgjegjës për luftën e papërgjegjshme që filloi në Iran. Këto janë pasojat që shohim në stacionet e benzinës”, tha ai.

Të hënën dhe të martën, ministrat e financave nga vendet anëtare të G20 do të takohen në Asheville, Karolina e Veriut, përpara samitit në Miami në dhjetor.

Lars Klingbeil përsëriti gjithashtu propozimin e tij për një taksë mbi fitimet e tepërta të kompanive të naftës në nivel evropian, duke nënvizuar se kompanitë po grumbullojnë për shkak të situatës gjeopolitike.
“Ato po mbushin xhepat e tyre! Kjo duhet të ndalet”, tha ai.

Çështja është në axhendën e takimit të ministrave të financave të BE-së, i cili do të mbahet më 19 shtator në Dublin.

 

Makinat përplasen ‘kokë më kokë’ në aksin Kuç-Kallarat, një person i plagosur në aksident!

By: A. Q
28 August 2026 at 19:17

Një aksident rrugor ka ndodhur sot rreth orës 18:30 (28 gusht), në aksin Kuç-Kallarat, ku dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin.

Si pasojë e përplasjes, një prej pasagjerëve që udhëtonte në njërin prej automjeteve ka pësuar dëmtime në kokë.

Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Vlorës, për shkak të frenimit të menjëhershëm, pasagjeri është përplasur me pjesën e përparme të xhamit të automjetit.

Në vendngjarje ka mbërritur Policia Rrugore e Himarës, ndërsa i plagosuri është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Himarës për të marrë ndihmën mjekësore.

Burime bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e tij nuk paraqitet e rëndë.

Ndërkohë, policia rrugore ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit, ndërsa drejtuesit e mjeteve po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen.

U ndërprenë përkohësisht pas problemit teknik, “Albcontrol” zgjidh problemin me radarët! Rikthehen fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare

By: A. Q
28 August 2026 at 19:11

“Albcontrol” e ka zgjidhur problemin me radarët, që solli ndërprerjen e trafikut ajror në vend për disa minuta.

Defekti ka ndikuar në monitorimin e lëvizjeve të avionëve, duke bërë që trafiku ajror të pezullohet për një periudhë të shkurtër, si masë paraprake për garantimin e sigurisë.

Gjatë ndërprerjes, avionët nuk janë lejuar të kryejnë ulje apo ngritje, ndërsa është ndaluar edhe kalimi i mjeteve fluturuese përmes hapësirës ajrore të vendit.

Për disa minuta, asnjë avion nuk është lejuar të fluturojë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, as të ngrihet as të ulet, si masë sigurie deri në rikthimin e plotë të sistemeve.

I vuri zjarrin pyjeve të Vajkalit dhe rrezikoi banorët, Policia procedon piromanin! Autori me probleme të shëndetit mendor, e shtrojnë në Psikiatri

By: A. Q
28 August 2026 at 17:50

Policia identifikon dhe merr nën akuzë autorin e dyshuar të zjarrvënies në malin e fshatit Vajkal në Bulqizë, ku flakët prej dy ditësh vijojnë të djegin sipërfaqe të tëra me pyje e kullota, teksa rrezikojnë edhe banorët.

Blutë bëjnë me dije personi i dyshuar është shtetasi A. M., 49 vjeç, ndaj të cilit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë pasi vuan nga problemet e shëndetit vendor.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas njoftimit se në malin e fshatit Vajkal, Njësia Administrative Fushë-Bulqizë, kishte rënë zjarr, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore për përcaktimin e rrethanave dhe zbardhjen e autorësisë së  zjarrvënies. Nga veprimet hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vajkal”, tha policia.

Por ai është lënë i lirë në procedim për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe do trajtohet në Psikiatrinë e Shkodrës më tej.

“Ndaj tij u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor. 49-vjeçari, u dërgua në Spitalin Psikiatrik Shkodër për trajtim të specializuar”, tha policia vendore.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apeloi për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve, barishteve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.

“Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm”, thuhet në njoftim.

Profesionistët shqiptarë drejt BE-së, projektligji i ri që synon njohjen e kualifikimeve dhe lëvizjen e lirë! Ja 7 profesionet më të rregullta

By: A. Q
28 August 2026 at 17:42

Profesionistët shqiptarë mund të kenë një rrugë më të qartë drejt ushtrimit të profesionit në vendet e Bashkimit Evropian.

Ministria e Arsimit ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri që synon përafrimin e sistemit shqiptar me rregullat evropiane për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara.

Nisma lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe me detyrimet për përafrimin e legjislacionit vendas me “acquis communautaire”. Në fokus është krijimi i një sistemi të unifikuar, përmes të cilit kualifikimet profesionale të fituara në Shqipëri të mund të njihen në vendet e BE-së pas anëtarësimit, duke lehtësuar lëvizjen dhe punësimin e profesionistëve.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për njohjen e kualifikimeve të profesionistëve nga vendet e BE-së, Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zvicrës, si dhe përcakton mënyrën se si do të vlerësohen kërkesat për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara në Shqipëri.

Nga mjekët te arkitektët, shtatë profesionet me rregulla të përafruara

Një pjesë e rëndësishme e procesit lidhet me profesionet sektoriale, për të cilat Shqipëria ka nisur tashmë përafrimin e kërkesave minimale të formimit profesional me standardet e BE-së. Bëhet fjalë për mjekët, infermierët, stomatologët, kirurgët veterinarë, mamitë, farmacistët dhe arkitektët.

Sipas projektligjit, megjithëse janë ndërmarrë hapa për përafrimin e këtyre profesioneve, sistemi i plotë i njohjes së kualifikimeve profesionale dhe mekanizmi për vlerësimin e proporcionalitetit nuk janë ende të përfshirë në mënyrë të plotë në legjislacionin shqiptar.

Çfarë ndryshon me projektligjin?

Nisma synon të krijojë një procedurë të unifikuar për njohjen e kualifikimeve profesionale, duke përcaktuar më qartë kriteret dhe mekanizmat që do të përdoren nga institucionet përgjegjëse.

Një tjetër element është testi i proporcionalitetit, i cili do të shërbejë si një mekanizëm vlerësimi përpara miratimit të rregullave të reja që kufizojnë aksesin ose ushtrimin e një profesioni. Qëllimi është që këto kufizime të jenë të justifikuara, të nevojshme dhe në përputhje me standardet evropiane. Projektligji synon gjithashtu të përmbushë angazhimet e Shqipërisë në kuadër të marrëveshjeve rajonale për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, përfshirë marrëveshjet e lidhura në kuadër të CEFTA-s.

Synimi final: Profesionistët shqiptarë më të mobilizueshëm në tregun evropian

Në thelb, ndryshimet synojnë që Shqipëria të ketë një kuadër ligjor të përafruar me atë të BE-së për profesionet e rregulluara. Sipas objektivave të projektligjit, kjo do të krijojë kushtet që, me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, profesionistët shqiptarë të përfitojnë nga mekanizmat e njohjes reciproke të kualifikimeve dhe të kenë mundësi më të mëdha për të lëvizur dhe ushtruar profesionin në vendet anëtare.

Nisma vjen pas gjetjeve të procesit të screening-ut për Kapitullin 3, ku është evidentuar nevoja për transpozimin e plotë të rregullave evropiane për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe testin e proporcionalitetit.

Rama nis takimin me ministrat dhe drejtuesit politik në vilën qeveritare, dy arsyet pse u ndryshua vendi i mbledhjes!

By: A. Q
28 August 2026 at 17:40

Ka nisur takimi i paralajmëruar i kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të PS në qarqe.

Takimi mbahet në një vilë qeveritare në periferi të Tiranës. Ky takim planifikohen të mbahej në selinë e PS.

Pas thirrjeve për të protestuar përpara selinë rozë dhe gjuajtur me vezë pjesëmarrësit, mbledhja u transferua në një prej vilave qeveritare.

Anulimi takimit në selinë e PS lidhet me dy arsye, informon TCH.

E para shmangien e incidenteve të mundshme në një zonë e mbushur  plot me turistë dhe jo fort e lehtë për të garantuar një perimetër të gjerë sigurie.

E dyta lidhet me mos dhënien “ushqim” algoritmit të protestës që synonte prodhimin e videove me goditjen me vezë të ministrave dhe drejtuesve politik.

Ky takim i sotëm është konceptuar si vijim i asaj çfarë u prodhua në Pogradec me synimin final, avancimin në të zbatuarin e angazhimeve në dokumentin Besa dhe Pasqyra Albania.

Në kushtet kur nga Pogradeci, Edi Rama u kërkoi drejtuesve politik të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, nuk përjashtohet mundësia  diskutimit të kësaj çështje të takimin e sotëm.

Duke nisur nga kjo e shtunë drejtuesit politik nisin një tur në 12 qarqe bashkë me deputetët e PS ku do të shpjegojnë më bazën socialiste, Besën dhe Pasqyra Albania.

“Pas 16 shtatorit do flas në OKB”, Vuçiç shprehet i bindur: Hashim Thaçi lirohet nga akuzat në Hagë!

By: A. Q
28 August 2026 at 17:38

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, provokon përpara vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë.

“Vendimi kundër Hashim Thaçit do të shpallet më 16 shtator dhe, dhe për sa di unë, do të jetë kryesisht lirim nga akuzat. Perëndimi dëshiron të thotë se ne jemi të vetmit fajtorë dhe se duhet ta pranojmë këtë sepse nuk ka pasur krime kundër jush… Gjaku serb as nuk ka rëndësi”, tha Vuçiç.

Ai madje shprehu zemërim që ndërkombëtarët lanë një kriminel lufte si Mlladiç, që të vdiste në burg. Ai theksoi se kjo ishte “sjellje anti-civilizuese, sjellje pa precedent dhe pa justifikim”.

Ai paralajmëroi se pas 16 shtatorit, do të shkojë në Nju Jork për të folur, si përfaqësues i Serbisë, për ato që pretendoi se ishin vuajtje të popullit serb gjatë viteve 1990.

Megjithatë, historia dhe faktet e kanë vërtetuar, qoftë me rezolutën e miratuar në OKB apo prova të tjera, se ushtria serbe ka kryer gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe krime të tjera kundër njerëzimit dhe lufte në Kosovë.

Mbi 522 miliardë lekë jashtë bankave, Shqipëria përballë një niveli rekord të parasë “cash”! Flasin ekspertët

By: A. Q
28 August 2026 at 17:34

Sasia e parave që qarkullon jashtë bankave në vend arriti në mbi 522 miliardë lekë apo rreth 5.6 miliardë euro muajin e shkuar. Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.

Në raport me korrikun e vitit të shkuar paraja “cash” e pakontrolluar u zgjerua me rreth 71 miliardë lekë.

Zef Preçi, ekspert për ekonominë, u shpreh për ‘A2’:

“Paratë që qarkullojnë jashtë sistemit bankar, janë pjesë e ekonomisë informale dhe bashkë me të, aty ka edhe para nga aktivitete kriminale që zhvillohen brenda apo jashtë vendit tonë”.

Në raport me totalin e parasë që qarkullon në ekonominë shqiptare e cila përllogaritet në 2.1 trilionë lekë, paraja informale përbën 25 për qind të totalit. Për të kuptuar shkallën e lartë të parave jashtë bankave, mjafton të themi se në vendet e Bashkimit Europiane ky tregues nuk e kalon nivelin 9 për qind.

“Diku për shkak të paaftësisë së administratës e diku tjetër duke lejuar hyrjen e parasë nga aktivitete kriminale ka bërë që ne të kemi sot nivel kaq të lartë të parasë jashtë sistemit bankar. Edhe pse Amnistia Fiskale nuk u lejua të miratohej si ligj, në fakt ajo në praktikë ka ndodhur”, thekson Preçi.

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se qarkullimi kaq i madh i parave jashtë bankave është shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros dhe valutave të tjera: “Bashkohem me institucionet ndërkombëtare se një farë efekti mund të ketë, por ne kurrsesi nuk mund të pretendojmë se paraja informale mund të luftohet nga bankat tregtare”.

Nga 1 janari, për pagesat “cash” u vendos një tavan. Qytetarët mund të paguajnë në dorë maksimalisht 500 mijë lekë.

Megjithatë nisma nuk e ka kufizuar fenomenin e parasë “cash” e cila sa vjen dhe zgjerohet.

Merr fund pas shtatë vitesh “dashuria” mes Milanit dhe Leaos, portugezi largohet drejt Turqisë!

By: A. Q
28 August 2026 at 17:30

Rafael Leao do të jetë lojtari më i ri i Galatasarayt.

Sulmuesi portugez ka dhënë dritën jeshile për transferimin pas disa ditësh diskutimesh, gjatë të cilave edhe oferta e Aston Villas u konsiderua si një mundësi konkrete për të ardhmen e tij.

Me këtë lëvizje, përfundon qëndrimi shtatëvjeçar i Leaos te AC Milan, klub të cilit iu bashkua në vitin 2019.

Milani pritet të përfitojë 44 milionë euro nga transferimi, shumë që përfshin pagesën fikse dhe bonuset. Gjithashtu, kuqezinjtë do të kenë të drejtën e 20% të shumës së një transferimi të ardhshëm të lojtarit.

Leao pritet të përfitojë një pagë prej 12 milionë eurosh, plus bonuse. Sipas raportimeve, portugezi mund të udhëtojë nesër drejt Stambollit, ku do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore përpara firmosjes së kontratës.

Leao u transferua te Milani në vitin 2019 dhe gjatë aventurës së tij me fanellën kuqezi regjistroi 145 gola dhe asistime në total.

Me Milanin, portugezi fitoi titullin kampion të Italisë dhe Superkupën Italiane. Në aspektin individual, ai u shpall gjithashtu MVP i Serie A për sezonin 2021-22.

Zjarri në Vranisht shkrumbon banesën, s’ka të lënduar! Flakët ‘përpijnë’ disa hektarë me pyje, vijon beteja nga terreni

By: A. Q
28 August 2026 at 17:27

Një shtëpi e pabanuar është përfshirë nga flakët sot pasdite (28 gusht), ndërsa zjarri ka përfshirë disa hektarë me pisha dhe sipërfaqe pyjore në fshatin Vranisht të bashkisë Himarë.

Situata paraqitet e vështirë për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, ndërsa flakët vijojnë të jenë aktive dhe rrezikojnë seriozisht disa banesa pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt banesave.

Ndërkohë, në operacionin për shuarjen e zjarrit është angazhuar edhe një helikopter, i cili po kryen hedhje uji nga ajri në vatrat më aktive.

Përveç sipërfaqeve me pisha dhe pyje, zjarri ka përfshirë edhe zona me shkurre, barishte dhe pemëtari, duke e bërë situatën veçanërisht të vështirë për ndërhyrjen e forcave në terren.

Zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe helikopteri po vijojnë përpjekjet për neutralizimin e flakëve

Përmbytjet katastrofike, Kina mobilizohet për përballimin e fatkeqësisë! Kërkime me qen dhe dronë për të mbijetuarit, furnizime për banorët

By: A. Q
28 August 2026 at 17:23

Ekipe të shumta të reagimit emergjent janë mobilizuar shpejt për të kryer operacione shpëtimi, për të rikthyer transportin dhe për të ofruar furnizime ndihme për banorët e prekur pas rrëshqitjes së dheut që ndodhi të mërkurën në Gyirong të qytetit Xigaze në Rajonin Autonom të Xizang-ut të Kinës Jugperëndimore.

Autoritetet e transportit në Xizang organizuan me shpejtësi rregullimin dhe rihapjen e pjesëve të dëmtuara të rrugës G216, që shkon në pikën kufitare Gyirong. Deri në orën 18:00 të së enjtës, rreth 800 metra të segmentit të prekur të rrugës ishin rihapur për përdorim.

Zyra e Sigurisë Publike e kontesë së Gyirong-ut dërgoi grupin e parë me 26 oficerë shpëtimi, të cilët menjëherë ngritën 24 tenda emergjence, për të vendosur banorët që përballeshin me rreziqe potenciale.

Furnizimet e ndihmës janë transportuar vazhdimisht edhe në zonën e fatkeqësisë. Sipas autoriteteve të menaxhimit të emergjencave të Xizang-ut të enjten, Gyirong ka marrë 20 tonë elb, 50 tonë oriz, 20 tonë miell dhe një tonë vaj gatimi, së bashku me më shumë se 1100 tenda, mbi 2300 shtretër të palosshëm, më shumë se 8000 batanije dhe sende të tjera bazë.

Ndërkohë, 86 profesionistë nga sektorë të ndryshëm, përfshirë burimet natyrore, janë dërguar në zonën e prekur me pajisje të specializuara, për të forcuar kontrollet për rreziqe gjeologjike dhe rreziqe të mundshme dytësore.

Sipas Administratës Kombëtare të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të enjten, 681 zjarrfikës me 113 mjete, 13 qen shpëtimi dhe 47 dronë arritën në zonën e fatkeqësisë në Gyirong në orën 16:00.

Nën koordinimin e qendrës së komandës në vendngjarje, Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Xizang-ut dërgoi 18 mjete dhe 108 punonjës shpëtimi në zonën më të goditur. Gjatë rrugës, ata vlerësuan gjendjen e rrugëve, identifikuan rreziqet e mundshme të fatkeqësive dytësore dhe mblodhën pamje e të dhëna në kohë reale.

❌