Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 February 2026Java News

Ra nga shkallët e banesës, ndërron jetë 74 vjeçari në Durrës

By: El Be
10 February 2026 at 10:52

Një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi u rrëzua nga shkallët e banesës së tij në Durrës.

Policia njofton se i moshuari ka humbur jetën gjatë transportimit me autoambulancë, nga spitali i Durrësit në spitalin e Traumës në kryeqytet.

“Më datë 09.02.2026, ka humbur jetën gjatë transportimit me autoambulancë, nga spitali i Durrësit në spitalin e Traumës, shtetasi H. D., 74 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar pasi është rrëzuar nga shkallët e banesës”, njofton policia.

Shtypi gazin në vend të frenave, 44-vjeçarja përplas të ëmën me makinë, ndërron jetë

By: El Be
10 February 2026 at 10:49

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku një grua 71-vjeçare ka humbur jetën pasi u përplas aksidentalisht nga automjeti që drejtohej nga vajza e saj.

Sipas mediave greke, e moshuara po e udhëzonte vajzën 44-vjeçare gjatë parkimit të makinës. Për fat të keq, drejtuesja e mjetit shtypi gabimisht pedalin e gazit në vend të frenave, duke e përplasur nënën e saj pas një peme.

Goditja rezultoi fatale, pasi 71-vjeçares i shkaktoi gjakderdhje të rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, një ditë më parë, menjëherë pasi dy gratë ishin kthyer nga shkolla ku kishin marrë fëmijët. Nipërit dhe mbesat ishin dëshmitarë të gjithë skenës së tmerrshme.

Fqinjët, të alarmuar nga britmat, nxituan për të ndihmuar. Disa prej tyre u përpoqën të ndalonin gjakderdhjen duke përdorur peshqirë, duke u përpjekur ta mbanin gjallë.

“Ata qanin dhe thërrisnin për ndihmë njëkohësisht”, tregoi një fqinj.

Pavarësisht ndihmës së shpejtë, 71-vjeçarja kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe ndërroi jetë pak më vonë. Vajza e saj u arrestua dhe pritet të dalë para prokurorit nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Mësuesi rrahu nxënësin dhe u arrestua, kolegët e tij në protestë

By: El Be
10 February 2026 at 10:46

Shoqata Sindikale e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia”, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues të Shkollës dhe Këshillin e Prindërve, ka bërë të ditur se sot në 10 shkurt procesi mësimor nuk do të zhvillohet gjatë dy orëve të para. Kjo ndërprerje vjen si pasojë e organizimit të një proteste nga ana e mësuesve.

Sipas një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, Shoqata Sindikale ka theksuar se protesta synon të shprehë pakënaqësinë dhe shqetësimin lidhur me sjelljet problematike të disa nxënësve në kuadër të procesit edukativo-arsimor. Në reagim thuhet se raste të shumta të dhunës fizike, fyerjeve, ofendimeve dhe gjuhës denigruese ndaj mësuesve po cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e stafit arsimor.

Organizatorët kanë bërë të ditur se pas përfundimit të protestës, mësimi do të rifillojë normalisht nga ora e tretë, duke vazhduar sipas orarit të rregullt mësimor.

Në mbështetje të mësuesit ka dalë edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e cila e konsideron protestën si një formë presioni ndaj institucioneve përgjegjëse për të ndërmarrë veprime të menjëhershme. SBASHK ka kërkuar krijimin e një mjedisi të sigurt, të qetë dhe respektues për mësuesit, duke theksuar se pa siguri dhe respekt nuk mund të ketë arsim cilësor.

Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar se mësuesi i dyshuar për ushtrim dhune ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë është ndaluar për 48 orë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të hënën. Lajmin për ndalimin e mësuesit e ka konfirmuar Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, duke bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë dhe se hetimet janë në vazhdim.

Spiropali takim me Zëvendëssekretaren Amerikane të Shtetit: Thellim i partneritetit ekonomik e strategjik, bashkëpunim për çështje në interes të Shqipërisë

By: El Be
10 February 2026 at 10:36

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme publikoi mëngjesin e sotëm detaje nga takimi në Washington me Zëvendëssekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, përgjegjëse për marrëdhëniet politike të SHBA-ve me aleatët në botë.

Spiropali njoftoi se në fokus të takimit ishin çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e Shqipërisë: sigurinë në kuadër të NATO-s, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në takim u trajtuan hapat konkretë për thellimin e partneritetit ekonomik e strategjik mes dy vendeve, si garanci që zëri i Shqipërisë dëgjohet aty ku merren vendimet.

“Shqipëria sot trajtohet si një aleate e besueshme, që qëndron krah partnerëve të saj dhe kontribuon realisht për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Partneriteti ynë me SHBA-të nuk është çështje protokolli apo fotografie. Është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa, vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta”, shkroi Spiropali në facebook.

Postimi i Plotë:

Në Washington zhvillova një takim përmbajtësor me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, përgjegjëse për marrëdhëniet politike të SHBA-ve me aleatët në mbarë botën.

Folëm për çështjet që prekin drejtpërdrejt interesat e Shqipërisë: sigurinë në kuadër të NATO-s, stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, si dhe hapat konkretë për thellimin e partneritetit ekonomik e strategjik mes dy vendeve, si garanci që zëri i Shqipërisë dëgjohet aty ku merren vendimet.

Shqipëria sot trajtohet si një aleate e besueshme, që qëndron krah partnerëve të saj dhe kontribuon realisht për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Partneriteti ynë me SHBA-të nuk është çështje protokolli apo fotografie. Është një marrëdhënie e ndërtuar mbi interesa, vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Takimi Rama-Costa në Bruksel, zbardhen diskutimet! Kabineti i Presidentit të KiE: Riafirmohet mbështetja ndaj Shqipërisë!

By: El Be
10 February 2026 at 10:31

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa priti dje, 9 shkurt, kryeministrin Edi Rama në një darkë pune në Bruksel.

Ata diskutuan për hapat që do të ndërmerren në vijim sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Janë bërë përpjekje të rëndësishme gjatë viteve. Tani ato duhet të mbështeten dhe të konsolidohen”, bën me dije ekskluzivisht për Klan News kabineti i Presidentit të KiE.

“Kryeministri Rama konfirmoi se reformat kyçe, veçanërisht në gjyqësor, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit, mbeten përparësi kryesore. Presidenti Costa riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara ato“, thuhet më tej.

“Kjo është një darkë pune, në kontekstin e dialogut politik që po zhvillohet me Shqipërinë dhe shtetet e tjera kandidate për anëtarësimin në BE.”, njoftoi të hënën, zyra e shtypit e presidentit të Këshillit Europian, përmes një komunikimi me email.

Kujtojmë se një nga çështjet kryesore të mbetura pezull është Raporti i Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit, i njohur si IBAR, i cili lidhet me kapitujt 23 dhe 24 të procesit të negociatave.

Deri më tani, Shqipëria nuk ka mundur ta marrë këtë raport të plotë dhe të miratuar nga shtetet anëtare të BE-së. Pa aprovimin e këtij dokumenti, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të ecë përpara.

Në diskutimet e mëparshme në nivel ambasadorësh, është kërkuar që Shqipëria të ofrojë prova konkrete mbi ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të akuzuar, përfshirë vendime përfundimtare të gjykatave dhe sekuestrime të pasurive. Ky është një nga kushtet që konsiderohen jetike për të treguar progresin në reformën në drejtësi.

Mbyllen hetimet për ish-kryebashkiakun Roshi! Prokuroria kërkon kalimin e dosjes për gjykim

By: El Be
10 February 2026 at 10:24

Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet për ish kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi, zbret dosjen në gjykatë.

Pak ditë pas paraqitjes së Rroshit në SPAK, i cili firmosi mbylljen e hetimeve, prokurori Elvin Gokaj ka bërë kërkesë në GJKKO për të kaluar çështjen ndaj Rroshit për gjykim.

Rudina Palloj është caktuar gjyqtare për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë, lidhur me ish kryetarin e Bashkisë Kavajë që është marrë i pandehur për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Hetimi erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tendera gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës.

Pretenca për ish-krerët e UÇK, Berisha: Aktakuza është ripërsëritje e propagandës ultranacionaliste serbe

By: El Be
10 February 2026 at 10:20

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas paraqitjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si të pabazuar dhe ripërsëritje të shpifjeve të propagandës ultranacionaliste serbe.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha tha se gjatë ndjekjes së procesit gjyqësor shumëvjeçar nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që të vërtetojë fajësinë e të akuzuarve.

“Prokuroria speciale e Gjykatës së Kosovës në Hagë paraqiti akuzat më të rënda dhe kërkoi vite burg për më shumë dekada, rreth dy shekuj të marrë së bashku, për udhëheqësit më kryesorë të luftës çlirimtare të Kosovës. Duke qenë i bindur se drejtësia duhet të japë verdiktin e saj për çdo krim dhe ndaj cilitdo që e ka kryer atë, dhe pasi kam ndjekur me vëmendje procesin shumëvjeçar të gjykimit, dhe kam konstatuar se para publikut nuk është paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument që të provojë krime konkrete të kryera nga të akuzuarit”, u shpreh Berisha.

Duke përmendur veçanërisht akuzat e ngritura ndër vite për trafikim organesh, Berisha i cilësoi ato si trillime të fabrikuara nga ish-prokurori serb Vukçeviç.

“Deklaroj se: akuza e paraqitur sot ndaj ish-udhëheqësve të UÇK, ish-aleat të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës, është një ripërsëritje e shpifjeve të propagandës të ultranacionalistëve serbë dhe trillimeve të famziut Vukçeviç, që formuloi i pari ndaj tyre akuzën monstruoze të “shkuljes së organeve” nga serbët, robër lufte, dhe trafikimin e tyre, madje në territorin e Shqipërisë”, vijon kreu demokrat.

Sipas tij, ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë qenë aleatë të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës dhe akuzat e ngritura ndaj tyre tejkalojnë çdo kufi dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për drejtësinë ndërkombëtare.

Berisha i bëri thirrje Gjykatës Speciale që të mos ndikohet nga akuzat propagandistike dhe të konfirmojë pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës në emër të ligjit.

“Me këtë rast, i bëj thirrje Gjykatës që në vendimet e saj të mos ndikohet në akuzat propagandistike që tejkalojnë çdo kufi dhe janë të pashembullta në historinë e drejtësisë ndërkombëtare, dhe të konfirmojë në emër të ligjit pafajësinë e ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Kosovës”, deklaroi Berisha.

“Profesionalizëm i lartë”, Rama: RENEA në elitën botërore të forcave speciale

By: El Be
10 February 2026 at 10:16

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Njësia Elite RENEA po përfaqëson Shqipërinë në “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave speciale.

Për të pestin vit radhazi, Policia e Shtetit merr pjesë në këtë garë, ndërsa këtë vit RENEA konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”, duke demonstruar nivel të lartë profesionalizmi mes dhjetëra ekipeve nga rreth 50 shtete të botës.

“RENEA në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”. Në Dubai po zhvillohet “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave speciale.

Për të pestin vit radhazi, Policia e Shtetit përfaqësohet nga Njësia Elite RENEA, e cila këtë vit konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”.

Në ditën e tretë të garave, ekipet e RENEA-s po demonstrojnë profesionalizëm të lartë në një garë ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe nga e gjithë bota”, tha kryeministri Rama.

Vendimi i Kushtetueses, akademiku: Anëtarët ose janë marrë vesh me njëri-tjetrin, ose ka ndërhyrje nga jashtë

By: El Be
10 February 2026 at 10:11

Akademiku Artan Fuga, gjatë një prononcimi për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, analizoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Balluku, duke përdorur “teorinë e lojës”, për të kuptuar vendimin 4-4 të gjyqtarëve.

Sipas kësaj teorie, mundësitë janë ose probabiliteti që të dalë një rezultat i tillë, në këtë rast i ulët, ose që anëtarët e GJK të jenë marrë vesh me njëri tjetrin, ose të ketë ndërhyrje nga jashtë.

Fuga deklaroi se ka edhe elementë problematikë në zbardhjen paraprake të vendimit.

“Unë do të thosha, analizën time e bëra duke u mbështetur te teoria e lojës, një teori e famshme në ekonomi, me baza matematikore, në psikologji, sociologji dhe shpeshherë, themeluesit e saj marrin shembull nga pokeri, tenisi, dominoja, për ta bërë të thjeshtë. Duke shqyrtuar vendimin e GJK, që më duket me kontradikta logjike, të cilat edhe nuk kanë dalë aq në evidencë, sipas mendimit tim, vura re se kishte një aplikim të pandërgjegjshëm të teorisë së lojës. Rezultati 4-4 nga pikëpamja statistikore kishte mundësi 1 në 9 raste, që do të thotë në afatgjatë, duhet të ndodhë një herë në 9 raste dhe shumë rrallë është të bjerë 4-4. Por probabiliteti është probabilitet. Gjithësesi është shumë e rrallë.

Ka një mundësi të dytë, në teorinë e lojës, që dy palët, përballin forca me fuqi të barabartë dhe secila nga palët, një pjesë e drejtësisë dhe pastaj ekzekutivi, përplasen me forca të barabarta, në teorinë e lojës, thotë që ndërhyrjet e barabarta, rezultati del 4-4. Pra ajo që probabiliteti e shesh si një në 9 raste, momenti i dytë i jep mundësi të madhe, nëse ka një ndërhyrje nga jashtë. Duke zbatuar teorine, vë pikëpyëtje, duke thënë ka patur ndërhyrje nga jashtë?

Në teorinë e lojës, aktorët nuk janë të ndarë nga njëri tjetri, por bashkëpunues, atëherë ata e nxjerrin rezultatin barazim dhe vë pikëpyetjen e tretë, a janë marrë vesh me njëri tjetrin? Më tutje nuk shkoj, sepse nuk i kam faktet. Më çojnë që alternativa e një probabiliteti spontan është i vogël.

Desha t’ju them se lexova, duke parë rezultatin 4-4, në dokumentin që kishte botuar dhe zbardhur GJK, kishte thënë se katër gjyqtarë, si të thuash ishin që gjithësesi të mos pranohet kërkesa e ekzekutivit pasi sipas tyre edhe ministrat, si çdo qytetar duhet të respektjnë ligjin dhe të mbahen përgjegjës penalisht kur e shkelin. Pyetja, ku e di GJK që e ka shkelur ligjin? Gjykata nuk ka tagër të gjykojë nëse një hetim, ka çuar që subjekti e ka shkelur ose jo ligjin. Mua më kujtohet, se në rastin kur është marrë në shqyrtim çështja e zotit Veliaj, kam lexuar në zbardhjen, apo në debatet aty, që gjykata tha, ne merremi me çështjen je apo jo kryetar, pasi me çështjen je apo jo subjekt i ndërhyrjes penale nga organet e drejtësisë, nuk hyjmë këtu. Tani në rastin e dytë hyn, pasi thotë edhe ministri kur ka shkelur ligjin. Po ministri, apo tjetri, nuk ka rëndësi se kush, derisa të dënohet, GJK nuk ka të drejtë të thotë, sepse gjykon kushtetueshmërinë.

Po ta çoj më tutje, po të shohësh si vihet në lëvizje GJK, sipas gjykimit tim, kryeministri nuk aktivizon dot GJK, veçse me çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë dhe akteve normative. Ligji nuk lejon rezultat 4-4 për GJK, pasi flet vetëm për shumicë dhe pakicë. Rasti 4-4 është jo ligjor. Kështu e kuptoj. Pakica dhe shumica janë mbi bazën e gjyqtarëve të angazhuar në gjykim. Ata janë 8, 4 nuk është as pakicë dhe as shumicë, as sipas logjikës dhe as sipas ligjit.

E fundit, në atë që boton, vendimin që zbardh GJK, thotë se, ndërsa katër menduan kështu, katër të tjerët, mendojnë se kjo çështje duhet të shkojë në Kuvend dhe nuk është çështja jonë. Kjo mu duk qeshrake, me gjithë respektin. GJK nuk vë në lëvizje Kuvendin, nuk ka asnjë tagër për këtë. Këta gjykatës që thonë se nuk është çështja jonë, kanë abstenuar, nga njëra anë kanë votuar dhe nga ana tjetër, kanë abstenuar. Ligji nuk lejon të abstenosh, të thotë nuk është çështja ime. Kur këta katër kanë menduar të shkojë në Kuvend, si e pranoi GJK çështjen, sepse po të thoshin këta të katërt që nuk është çështja jonë, nuk duhet ta kishte marra fare.

Etj, etj, që mua më kanë bërë… Pavarësisht rezultatit, e shoh në plan tjetër, arsyetimi juridik nuk pyet për pasojat. Unë nisem nga logjika. Drejtësia funksionon me sy dhe veshë mbyllur, vetëm me mendje. Këto më çojnë në një situatë, ku ligji flet për shumicë dhe pakicë, ndërkohë ata janë 8 dhe me 8 vetë, nuk duhet ta kishin marrë fare procedurën, pasi duhet të gjykonin se mund të dilnin 4-4. 

Këtu është një kontradiktë in absurdum. Jam dakord që nuk është problemi i ligjit, por dikush tha aty, janë zgjatur procedurat për tu caktuar i nënti dhe asnjë nga ne nuk ka thënë, po hidhni në erë mundësinë e vendimmarrjes dhe dhënies së drejtësisë nga GJK. Rastësia nuk e kishte sjellë këtë problem”, tha ndër të tjera Fuga.

Indeksi i Korrupsionit, Transparency International publikon raportin, Shqipëria renditet në vendin e 91-të, ja ku pozicionohet Kosova

By: El Be
10 February 2026 at 10:03

Sipas raportit të publikuar këtë të martë (10 shkurt) nga organizata ndërkombëtare Transparency International, Shqipëria renditet në vendin e 91-të, duke rënë 11 pozicione në krahasim me vitin e kaluar, kur mbante vendin e 80-të mes 180 shteteve të përfshira në indeks.

Rënie ka pësuar edhe Kosova, e cila në raportin e këtij viti renditet në vendin e 76-të, tre pozicione më poshtë se një vit më parë, kur ishte në vendin e 73-të. Po ashtu, Kosova ka shënuar regres edhe në rezultat, duke humbur një pikë në indeks: nga 44 pikë në vitin paraprak, në 43 pikë në raportin e sivjetmë për vitin 2025.

Sipas Transparency International, rezultati me pikë pasqyron nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, në një shkallë nga 0 (korrupsion shumë i lartë) deri në 100 (sektor publik shumë i pastër). Ndërkohë, renditja globale tregon pozicionin relativ të një vendi krahasuar me shtetet e tjera të përfshira në indeks.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i vitit 2025 tregon se korrupsioni mbetet një kërcënim serioz në çdo pjesë të botës, megjithëse ka shenja të kufizuara progresi.

Po ashtu, raporti thekson se udhëheqësit duhet të veprojnë për të trajtuar abuzimet me pushtetin dhe faktorët më të gjerë që nxisin këtë rënie, siç është zvogëlimi i kontrolleve dhe balancave demokratike dhe sulmet ndaj shoqërisë civile të pavarur.

Ky raport rendit 182 vende dhe territore në mbarë botën sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik.

Raporti nënvizon se ndërsa 31 vende kanë ulur ndjeshëm nivelet e korrupsionit që nga viti 2012, pjesa tjetër nuk po arrin ta zgjidhë problemin – ato kanë mbetur në vend ose janë përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë. Mesatarja globale ka rënë në një minimum të ri prej 42 pikësh, ndërsa më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50. Dhe njerëzit po e paguajnë çmimin, pasi korrupsioni çon në spitale të pafinancuara, mbrojtje nga përmbytjet të pandërtuara dhe dëmton shpresat dhe ëndrrat e të rinjve.

Transparency International sqaron se të dhënat e përdorura për përpilimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit mbulojnë forma të ndryshme të korrupsionit në sektorin publik, përfshirë: ryshfetin, keqpërdorimin e fondeve publike, përdorimin e funksioneve shtetërore për përfitime personale pa pasoja ligjore, aftësinë e qeverive për të luftuar korrupsionin, burokracinë e tepruar, emërimet politike dhe nepotike në administratë, mungesën e transparencës në deklarimin e pasurisë dhe konfliktit të interesit, mbrojtjen ligjore të sinjalizuesve, si dhe kapjen e shtetit dhe qasjen në informacionet publike.

Ndërkohë, ky indeks nuk mat perceptimin apo përvojën direkte të qytetarëve me korrupsionin, as nuk përfshin çështje si evazioni fiskal, rrjedhjet e paligjshme financiare, pastrimi i parave, korrupsioni në sektorin privat, apo aktivitetet e ekonomisë informale.

Ambasada e SHBA paralajmëron amerikanët në Tiranë: Shmangni demonstratën e PD…

By: A R
10 February 2026 at 08:53

Ambasada Amerikane në Tiranë ka ndarë një paralajmërim për qytetarët amerikanë, në lidhje me protestën kombëtare që organizohet sot nga opozita.

Ambasada bën thirrje për të shmangur demonstratën dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve në lidhje me sigurinë.

“Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale”, thuhet në postim.

Postimi i plotë:
Një demonstratë është planifikuar të zhvillohet të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen te ndërtesa e Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut.

Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personelit të Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme:

Veprimet që duhen ndërmarrë:
• Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin këtë ngjarje
• Ji i vetëdijshëm për mjedisin përreth
• Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik
• Monitoroni mediat lokale
• Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje
• Mbani një profil të ulët

75% e shqiptarëve çojnë për faturat publike 10-50% të buxhetit mujor

By: A R
10 February 2026 at 08:46

Sistemi fiskal dhe tarifat administrative po kthehen në barrë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por në Shqipëri ky presion duket se ka prekur masën më të gjerë të popullsisë, sipas anketës “Securimetri 2025” të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, rreth 75% e qytetarëve vlerësojnë se taksat dhe tarifat rrisin koston e tyre të jetesës me 10% deri në 50% te të ardhurave mujore. Specifikisht, grupi që deklaron se detyrimet publike marrin 21-30% të të ardhurave të tyre mujore është më i larti në rajon, me 30% të të anketuarve, duke lënë pas mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 25%.

Kjo shifër tregon se, ndryshe nga fqinjët, shqiptarët e ndjejnë barrën e detyrimeve publike si një shpenzim që dikton mirëqenien e tyre mujore. Vetëm 13% e shqiptarëve mendojnë se shteti u merr më pak se 10% të kostove të jetesës, niveli ky më i ulët në rajon pas Serbisë.

Kjo do të thotë se për gati një të tretën e popullsisë në Shqipëri, pagesat ndaj institucioneve publike marrin një pjesë mjaft të konsiderueshme të buxhetit familjar, duke tejkaluar mesataren e rajonit.

Kosova shfaqet si një ekonomi më barrën më të lehtë për qytetarët e saj. Rreth 17% e qytetarëve të saj e ndjejnë barrën e pagesave publike nën nivelin 10%, një tregues ky më pozitiv se në Shqipëri.

Serbia ka përqindjen më të lartë të qytetarëve që deklarojnë kosto ekstreme ku 11 % e qytetarëve pohojnë se çojnë 50% të të ardhurave mujore në shtet, ndërsa në Shqipëri kjo kategori është pothuajse e papërfillshme me 3%. Kjo tregon se sistemi serb mund të jetë më agresiv ndaj grupeve më të ardhura të larta, ndërsa sistemi shqiptar shënjestron më gjerësisht shtresën e mesme.

Maqedonia e Veriut udhëheq rajonin me 36% te të anketuarve që paguajnë10-20% te të ardhurave mujore, duke u renditur shumë afër Shqipërisë për nga perceptimi i barrës së moderuar.

Për Shqipërinë, shifrat tregojnë një ndjeshmëri të lartë ndaj detyrimeve financiare publike, ku përfshihet faturat e ujit, energjisë dhe të tjera që kanë bëjnë me taksat e tarifat. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë pohoi se këto kosto gërryejnë ndjeshëm të ardhurat e tyre mujore. /Monitor.al/

Sot protesta e PD / Mbi 1500 efektivë në gatishmëri, nga ora 13:00 nis bllokimi i qarkullimit në rrugët e Tiranës

By: A R
10 February 2026 at 08:39

Opozita zhvillon këtë të martë (10 shkurt) protestën kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Pas njoftimit nga ana e demokratëve, Policia e Shtetit ndërmori një plan masash për mbarëvajtjen e protestës e cila do të mbahet në orën 18:00 përpara Kryeministrisë.

Gazetarja Lusi Përgjegji në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Mirëmëngjes Shqipëri” bëri me dije rreth 1530 forca policore do të jenë në gatishmëri për të siguruar gjithë mbarëvajtjen e protestës, autobote dhe gjithashtu gaz lotsjellës në rast se do të ketë përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Përgjegji thekson se pas njoftimit të marrë nga opozita, Policia e Shtetit i është drejtuar me një shkresë PD-së ku i ka kërkuar përcaktimin e orarit të përfundimit të protestës. Po ashtu, në shkresën e Policisë, PD-së i kërkohet moslejimi i personave të maskuar gjatë protestës kombëtare, pasi kjo do e vështirësonte punën për identifikimin e tyre në rast se këta persona përfshihen në akte dhune apo përplasje.

“Opozita ju drejtua sërish Policisë së Shtetit për ta njoftuar për protestën që do mbajë në orën 18:00. Dhe kësaj here PD nuk ka vendosur një orar kur do përfundojë protesta. Policia e shtetit i është drejtuar me një shkresë zyrtare PD-së që të përcaktojë qartë orën e përfundimit të protestës dhe ju ka bërë të qartë edhe njëherë se nuk do të lejohen në protestë persona të maskuar pasi kjo do e bënte të vështirë për policinë e shtetit të identifikojë personat që shkaktojnë akte dhune apo përplasje.

Do jenë në terren 1530 forca policore në gatishmëri për të siguruar gjithë mbarëvajtjen e protestës, autobotet dhe gaz lotësjellës”, deklaroi Përgjegji. Kjo e fundit sqaroi ndërkaq se, që prej mbrëmjes së djeshme (9 shkurt) është ndaluar parkimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa duke nisur nga dita e sotme në orën 13:00 do të ndalohet dhe qarkullimi i tyre.

Policia e Tiranës ka njoftuar masat e sigurisë dhe kufizimet në trafik në prag të protestës së thirrur nga Partia Demokratike për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë publike.

Sipas njoftimit zyrtar, kufizimet do të jenë në dy faza:

Nga dje, ora 23:45, eshte ndaluar parkimi dhe qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.

Sot (ditën e protestës), nga ora 15:00, do të bllokohet totalisht qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”).

Gjithashtu, nga ora 15:00 do të jenë të pakalueshme edhe rrugët lidhëse:

Rruga “Ukraina e Lirë”

Rruga “Papa Gjon Pali II”

Rruga “Ismail Qemali”

“Me mikun tim të çmuar…”, Rama ndan pamjet nga takimi para darkës me Antonio Costan

By: A R
10 February 2026 at 08:30

Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot në 10 shkurt fotografi në rrjetin e tij social “Facebook” me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Rama shprehet se foton me zyrtarin e lartë të BE-së e ka realizuar përpara darkës së mbrëmshme në Bruksel. Kreu i qeverisë e konsideron Antonio Costa-n një mik të tij të çmuar.

“Mirëmëmgjes, me këto momente përpara darkës së mbrëmshme të punës në Bruksel, me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun tim të çmuar, António Costa, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Kujtojmë se kryeministri ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme më 9 shkurt një vizitë zyrtare në Bruksel, ku u prit në takim nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në fokus të këtij takimi ishte procesi i negociatave të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Takimi i Ramës me Costa-n konsiderohet si një mundësi për të diskutuar sfidat e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit.

180 vjet burg kundër historise

By: A R
10 February 2026 at 08:23

Nga Thoma Gëllçi

Prokuroria e posaçme në Hagë ka bërë kërkesën e saj: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burg secili, pra gjithsej 180 vjet burg. Është një shifër shumë e rëndë, që tingëllon më tepër si mesazh politik sesa si një kërkesë normale. Kjo është një nga kërkesat më të larta për krime lufte në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Kjo, në vend që të sqarojë çështjen, vetëm sa thekson edhe më shumë absurditetin e një hetimi të gjatë, të mbështetur kryesisht në dëshmi të dyshimta dhe jo në prova.

Mjafton një krahasim i thjeshtë me dënimet e kërkuara për krimet e kryera nga ushtria dhe paramilitarët serbë në Kosovë për të kuptuar absurdin: Slobodan Miloshevici nuk u dënua sepse vdiq gjatë gjykimit. Për Nikola Sainovic dhe Nebojsha Pavkovic u kërkuan dënime mbi 20 vjet burg. Për Sreten Lukic u kërkuan 20 vjet, ndërsa për Vladimir Lazarevic 14 vjet burg. Këto kërkesa për ata mijëra e mijëra civilë, gra, burra dhe fëmijë të vrarë dhe të masakruar, për deportime masive, zhvendosje me forcë dhe përndjekje sistematike të popullsisë civile shqiptare.

Gjatë luftës në Kosovë, vrasja e civilëve shqiptarë të pafajshëm nga forcat serbe dhe paramilitarët përbën një kapitull nga më të errëtit e historisë evropiane moderne. Fshatra të tëra u rrethuan, njerëzit u nxorën nga shtëpitë dhe u vranë pa asnjë gjyq, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Burra, gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë në oborre, në rrugë apo gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ndërsa shtëpitë u dogjën për të zhdukur çdo shenjë jete. Mbi një milion njerëz u zhvendosën nga Kosova, duke u përzënë në Shqipëri apo në vendet e tjera fqinje. Këto nuk ishin akte të rastësishme dhune, por pjesë e një politike të qëndrueshme terrori ndaj popullsisë civile.

Paramilitarët serbë vepronin me brutalitet të hapur dhe me bindjen se nuk do të ndëshkoheshin kurrë. Trupat e civilëve shpesh liheshin në rrugë, hidheshin në varreza masive ose zhdukeshin për muaj e vite. Familjet mbetën pa përgjigje dhe pa drejtësi. Edhe sot, shumë prej këtyre krimeve nuk kanë autorë të dënuar, çka e bën dhimbjen e viktimave një plagë ende të hapur dhe një dëshmi të dështimit për të vendosur drejtësi të plotë për civilët e vrarë në Kosovë.

Në këtë bilanc të errët, dhuna seksuale mbetet një nga krimet më të rënda dhe njëkohësisht më të heshtura të luftës. Organizatat ndërkombëtare dhe vendore flasin për rreth 10,000 deri në 20,000 raste përdhunimi dhe dhune seksuale, kryesisht ndaj grave shqiptare, të kryera nga forcat serbe. Këto shifra nuk janë thjesht statistika, por tregojnë një strategji terrori, ku përdhunimi u përdor si mjet poshtërimi, frikësimi dhe shkatërrimi i komuniteteve.

Por edhe ky krim masiv mbeti pothuajse jashtë drejtësisë penale ndërkombëtare. Vetëm pak raste u dokumentuan plotësisht dhe u përfshinë në aktakuzat penale. Shumica e viktimave nuk folën kurrë, të mbytura nga trauma, turpi dhe heshtja shoqërore. Kështu, edhe pse përdhunimi u njoh si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit, hendeku mes përmasës reale të krimit dhe përgjigjes së drejtësisë mbetet i thellë.

Sipas logjikës së kësaj prokurorie, problemi i luftës së Kosovës nuk qenka agresioni dhe krimet e Serbisë, as rreth 14 mijë kosovarët e vrarë apo të zhdukur, por fakti që dikush guxoi të rezistonte. Ushtria Çlirimtare e Kosovës paraqitet si fajtore, sepse nuk pranoi që populli shqiptar i Kosovës të zhdukej në heshtje.

Drejtësia që prodhohet në këtë rast është ndërkombëtare vetëm në formë: me gjyqtarë të huaj, prokurorë ndërkombëtarë dhe seli në Hagë. Në thelb, ajo mbetet selektive në objekt, sepse merret vetëm me njërën palë të luftës, duke lënë jashtë vëmendjes agresionin shtetëror dhe krimet masive të kryera nga pala tjetër. Kjo qasje krijon një çekuilibër të dukshëm moral dhe juridik, ku rezistenca trajtohet si problem, ndërsa dhuna paraprake relativizohet ose shpërfillet. Në këtë mënyrë, drejtësia nuk shërben si mjet për zbardhjen e së vërtetës, por si një proces që prodhon vetëm padrejtësi. Drejtësia nuk mund të jetë me përqindje. Ajo është ose drejtësi, ose padrejtësi.

Nuk mund të quhet drejtësi numerimi i viteve burg, por që nuk arrin, ose nuk guxon, të përballet me shkaqet e vërteta të konfliktit. Një drejtësi që merret me pasojat, por shmang përgjegjësitë reale; që e sheh reagimin si krim, ndërsa dhunën fillestare e trajton si diçka dytësore. Në këtë përmbysje, viktima është kthyer në i akuzuar, ndërsa dhuna sistematike relativizohet dhe harrohet. Kjo nuk është drejtësi në kuptimin e saj të vërtetë, por një aritmetikë politike për konjukturat e ditës, e shkëputur nga e vërteta historike.

Kur prokuroria ndërton një rrëfim që injoron kontekstin dhe e barazon krimin, ajo nuk po kërkon drejtësi, por po krijon një absurd juridik. Në këtë mënyrë, ligji humb funksionin e tij. Ligji nuk ndihmon për të zbardhur të vërtetën, por për ta mjegulluar atë.

Shpresa mbetet që gjykata të mos bëhet pjesë e këtij deformimi dhe ta rrëzojë këtë qasje absurde të prokurorisë. Historia e Kosovës, e shkruar me sakrifica, jetë të humbura dhe dhimbje kolektive, nuk mund të rishkruhet nga një prokurori e ndikuar nga rrethana politike dhe e krijuar thjesht për konjukturë politike ndërkombëtare dhe jo për të zbardhur të vërtetat.

Pse ka rënë euro? Ekspertët: Ka ndikuar rritja e turizmit. Publiku: Ka para të pista në treg

By: A R
10 February 2026 at 08:15

Gjatë muajit janar, “Monitor” zhvilloi një vrojtim me analistë të tregut financiar lidhur, me faktorët që kanë ndikuar ecurinë e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Ekspertët u pyetën për të vlerësuar ndikimin e një liste faktorësh, në një shkallë që fillonte nga një deri në pesë.

Mbështetur në përgjigjet e tyre, faktori me peshën mesatare më të lartë në vijimësinë e rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek ka qenë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Paneli i ekspertëve e ka vlerësuar këtë faktor me një ndikim 4.5 (nga një shkallë maksimale 5).

Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%.

Turizmi vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në zërin e të ardhurave në bilancin e pagesave të vendit.

Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Për të gjithë 9-mujorin 2025, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.

Faktori i dytë më i zgjedhur nga ekspertët e anketuar janë remitancat. Mesatarisht, ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit vlerësohet në nivelin 3.91. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë ringritur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit.

Faktori i tretë për nga ndikimi, sipas ekspertëve, janë prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar në nivelin 3.83. Me një ndikim lehtësisht më të ulët vlerësohen prurjet e paligjshme të valutës, me një vlerësim mesatar 3.58.

Në perceptimin e përgjithshëm, flukset informale dhe të paligjshme kanë pasur gjithmonë një ndikim të konsiderueshëm në tendencat e kursit të këmbimit. Një perceptim të tillë duket se e ndajnë edhe ekspertët, që i rendisin ndër faktorët me ndikim në kursin e këmbimit.

Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen gjithashtu ndër faktorët me ndikim, me një nivel mesatar 3.66.

Sektori i pasurive të paluajtshme dominoi investimet e huaja për të katërtin vit radhazi në 2025, me një peshë gjithnjë e më të lartë. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 403 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 33% të investimeve të huaja për këtë vit, nga 23% që zinin një vit më parë.

Në renditjen e vlerësimit mesatar të ekspertëve për faktorët që kanë ndikuar kursin e këmbimit, vijon bilanci tregtar, me një mesatare vlerësimi 3.25 dhe ulja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, në nivelin 2.83.

Publiku mendon se euro ra nga flukset informale

Për të ballafaquar mendimin e ekspertëve me mendimin e një publiku më të gjerë, “Monitor” realizoi mes fundit të muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt një sondazh në faqen e saj të internetit. Pjesëmarrësit u pyetën për faktorët kryesorë që, sipas tyre, kanë përcaktuar rënien e kursit të Euros ndaj Lekut, me të njëjtat alternativa që iu parashtruan edhe ekspertëve.

Sipas përgjigjeve të sondazhit, në pjesën më të madhe pjesëmarrësit mendojnë se faktorët kryesorë që kanë sjellë rënien e kursit të Euros janë prurjet e paligjshme të valutës, me 36% të përgjigjeve dhe prurjet informale, me 30% të tyre.

Faktorët e tjerë vijojnë me diferencë të konsiderueshme, duke filluar nga turizmi, me 13% të përgjigjeve, investimet e huaja në prona, me 9% dhe remitancat, me 5%.

Rezultatet e sondazhi tregojnë se, në perceptimin e opinionit publik, ekonomia informale dhe e paligjshme është faktori me ndikimin kryesor në rënien e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, shkalla e rënies së kursit në 2025 ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me dy vitet e mëparshme. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8%, nga 7.4% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2024 dhe 8.6% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2023.

Por, ngadalësimi i rënies së kursit mund të shpjegohet në një masë të konsiderueshme me ndërhyrjet e Bankës Qendrore. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.

Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Në mungesë të këtyre blerjeve, kursi i këmbimit do të kishte pësuar një rënie edhe më të madhe.

Moti për sot me vranësira të dendura, reshje shiu në këto pjesë të territorit

By: A R
10 February 2026 at 08:07

Për ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime të herëpashershme me kthjellime kryesisht përgjatë ultësirës perëndimore. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Përgjatë orëve të pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në formën e shtrëngatave.

Sipas SHMU-së, era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 4 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri 10 m/sek Deti – Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 1-3 ballë.

Si do të votonit nëse zgjedhjet mbahen sot? Sondazhi: PS kryeson me 47.2%, PD nuk rritet!

By: El Be
9 February 2026 at 23:00

Në sondazhin “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News, qytetarët u pyetën se cilën prej partive politike do të votonin nëse zgjedhjet do mbaheshin sot, përgjigja e tyre është se partia që  udhëheq është Partia Socialiste

Megjithëse në këtë fillim shkurti, PS bie me 0.5%, brenda marzhit të gabimit të sondazhit. Pavarësisht se vendimi i Gjykatës Kushtetuese goditi Ramën dhe qeverinë, PD nuk rritet, kurse partitë e reja vijojnë rënien elektorale.

Edhe shpresa për një parti të re ngjitet me ritmet e breshkës, në rast se vërtet do të lindë një parti të re.

Metodologjia e sondazhit

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike. Marzhi i gabimit statistikor për kampionin e plotë: +/- 2.7%

Yesterday — 9 February 2026Java News

Tragjike/ Përmbyset një gomone me emigrantë, humbin jetën 53 persona

By: El Be
9 February 2026 at 22:47

53 persona kanë humbur jetën, pasi një gomone që mbante 55 pasagjerë, përfshirë dy foshnja, është përmbysur në brigjet e Libisë, njofton agjencia e OKB-së për migracionin.

Të vetmet të mbijetuara janë dy gra nigeriane, të cilat u shpëtuan nga autoritetet libiane njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Gominia mbante emigrantë dhe refugjatë nga vende të ndryshme afrikane dhe u mbyt afërsisht gjashtë orë pasi u nis nga qyteti bregdetar i al-Zawiyas në Libinë veriperëndimore.

IOM thotë se pothuajse 500 migrantë janë raportuar të vdekur ose të zhdukur duke u përpjekur të kalojnë Detin Mesdhe nga Libia deri më tani në shkurt të 2026-ës.

Libia është bërë një pikë ndalese për migrantët nga Afrika Sub-Sahariane që kërkojnë të arrijnë në Evropë që kur udhëheqësi i hershëm Muamar Gadafi u vra në vitin 2011.

Të mbijetuarit i thanë IOM-it se barka e vogël prej gome ishte nisur rreth orës 23:00 sipas orës lokale nga al-Zawiya, në perëndim të Tripolit. Ajo u përmbys disa orë më vonë në orët e para të së premtes në veri të Zuëarës.

Nuk është menjëherë e qartë pse ka zgjatur kaq shumë që lajmi të dalë në dritë.

Njëra nga dy të mbijetuarat tha se kishte humbur bashkëshortin e saj, ndërsa tjetra raportoi se dy foshnjat e saj kishin vdekur, tha agjencia. Ekipet e IOM-it u ofruan të dyja grave kujdes mjekësor urgjent.

IOM thotë se të paktën 375 emigrantë u raportuan të vdekur ose të zhdukur vetëm në janar pas një serie mbytjesh anijesh “të padukshme” në Mesdheun qendror gjatë periudhave të motit ekstrem të dimrit. Numri i vërtetë i viktimave dyshohet se është më i lartë.

Pavarësisht tragjedive të përsëritura, migrantët vazhdojnë të përpiqen të kalojnë kufirin.

Zyrtarët e të drejtave të njeriut të OKB-së kanë paralajmëruar për tortura, trafikim, punë të detyruar, zhvatje dhe abuzime të tjera të kryera nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, duke përfshirë grupet e milicisë.

IOM thotë se trafikantët dhe rrjetet e kontrabandës përfitojnë duke i detyruar njerëzit të hipin në anije të mbipopulluara dhe të papërshtatshme për lundrim, duke kontribuar në rritjen e numrit të të vdekurve.

Agjencia ka kërkuar bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar për të shkatërruar rrjetet e kontrabandës dhe trafikimit, së bashku me krijimin e shtigjeve të sigurta dhe ligjore të migrimit për të zvogëluar vdekjet në det.

Shumë anije që fundosen nuk raportohen kurrë nga kontrabandistët e njerëzve që i operojnë ato. Ata që vdesin thjesht zhduken, familjet e tyre lihen pa e ditur kurrë se çfarë u ka ndodhur atyre.

Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën, Norvegjinë dhe Sierra Leonen, i kanë bërë thirrje Libisë të mbyllë qendrat e paraburgimit ku grupet e të drejtave të njeriut thonë se emigrantët janë torturuar, abuzuar ose vrarë.

“Jam i martuar, nuk më tërheqin vajzat beqare”, Rogerti debaton me Selin, banorja: Bukurosh, merr frymë thellë

By: El Be
9 February 2026 at 22:36

Debatet mes Selin dhe Rogertit duket se nuk kanë fund në shtëpinë e Big Brother VIP 5.

Banori e thërret herë pas here Selin “Barbie” dhe sot ajo iu kthye duke i thënë “bukurosh”. Duket se kjo fjalë nuk i pëlqeu Rogertit, i cili iu drejtua duke i thënë që të mos e përmendë më, pasi ai është burrë i martuar.

Pjesë nga debati:

Rogerti: Kunata ka filluar me Kristin prapë, kujdes me princin e zi, të kam thënë 100 herë.

Selin: Bukurosh, merr frymë thellë

Rogerti: Jo bukurosh, mos më thirr mua bukurosh

Selin: Bukurosh

Rogerti: Mos më thuaj mua bukurosh se nuk jam beqar

Selin: O bukurosh

Rogerti: Mos më thirr mua bukurosh me më tërheq vajzat beqare

Selin: Kur të stoposh ti të më thërrasësh Barbie, atëherë unë do stopoj

Rogerti: Thuaj tullumbac, çufo, ça të duash, por jo bukurosh. Nuk dua me më ardhë femrat se jam i martuar dhe i kënaqur.

Selin: Edhe mua Barbie nuk më thua dot se të gjithë e dinë se ça konotacioni ka kur i thua dikujt ashtu

Rogerti: Të lutem mos më thuaj bukurosh, kaq

Selin: Jo bukurosh por super bukurosh. Kështu që bukurosh kthe përgjigje nëse ke kapacitet për të kthyer përgjigje. Nuk e ke, ngelesh bukurosh.

Rogerti: Baby G më ndihmo, se ka konotacion tjetër.

❌
❌