Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Java News

ZYRTARE/ Nënshkruan me skuadrën e…Ed Sheeran, Anis Mehmeti qëndron në Championship

By: Os De
23 January 2026 at 18:56

Anis Mehmeti do të vijojë karrierën e tij në Championship, Divizioni i Dytë në futbollin anglez. Sulmuesi shqiptar, një prej futbollistëve që kanë spikatur në këtë pjesë të parë të sezonit, ka nënshkruar një kontratë me Ipswich Town, klubi ku ka aksione pronësie edhe këngëtari i njohur Ed Sheeran. Ipswich zyrtarizoi këtë lëvizje përmes një komunikate për shtyp. 

‘Klubi, me kënaqësi konfirmon nënshkrimin me Anis Mehmetin nga Bristol City-theksohet në komunikatën e Ipsëich në faqen e tij të internetit-25 vjeçari ka firmosur një kontratë deri në vitin 2029. Anis Mehmeti, si një sulmues prolifik, vjen në Portman Road me 8 gola dhe 6 asiste në bilancin e tij në pjesën e parë të sezonit në Championship dhe ai do të mbajë fanelën me numrin 33 me skuadrën e Town.’ 

Vetë Anis Mehmeti nuk e fshehu kënaqësinë e tij për këtë transferim. 

‘Jam me të vërtetë i emocionuar që nënshkrova për klubin-tha Anis Mehmeti për faqen e Ipsëich-çdo gjë që klubi kërkon të arrijë është në një linjë me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj përpara tyre. Të gjithë e dinë që ambicia është rikthimi në premier League dhe unë jam këtu që të jap ndihmën time.’ 

Largimi i Anis Mehmetit padyshim ka trishtuar stafin teknik të Bristol City. 

‘Është për të ardhur keq që humbëm një nga futbollistët tanë më interesantë, por ky është futbollit dhe duhet ta pranojmë-tha trajneri i Bristol Gerhard Struber për BBC-ne kemi një grup të mirë lojtarësh këtu. Nuk është momenti për të qarë apo për t’u ankuar për ndonjë gjë, është më shumë një moment ku duhet mos humbasim shumë kohë në atë që nuk mund të ndryshohet.’ 

Tronditëse/ Dyshohet se ka jetuar për 20 vjet në kushte çnjerëzore, 80-vjeçari gjendet i vetëm në një bodrum

By: Os De
23 January 2026 at 18:50

Një ngjarje tronditëse është zbuluar në Helsinki, ku një burrë 80-vjeçar u gjet duke jetuar në një bodrum të një shtëpie, në kushte të rënda dhe çnjerëzore, për të paktën 20 vjet.

Lajmi u bë i ditur nga policia finlandeze, e cila ka nisur një hetim për dyshime mbi shfrytëzimin e paaftësisë së të moshuarit për t’u vetëkujdesur.

Sipas raportimeve, i moshuari u gjet në gjendje të rënduar shëndetësore gjatë një kontrolli të banesës, e cila ndodhet në një lagje veriore të kryeqytetit. Bodrumi ku ai jetonte ishte një dhomë pa dritare, pa tualet dhe pa mundësi për përgatitjen e ushqimit.

Në lidhje me rastin, dy burra dhe një grua, të gjithë rreth moshës 60-vjeçare, u arrestuan fillimisht, por më pas u liruan. Sipas policisë, ata ishin të njohur të të moshuarit, por nuk kishin lidhje familjare me të. Shtëpia ku u gjet burri i përket njërit prej këtyre personave.

Policia po heton nëse personat që jetonin në të njëjtën banesë janë përgjegjës për vepra penale të mundshme, përfshirë trafikim të qenieve njerëzore dhe përfitim nga gjendja e varësisë së të moshuarit, duke e nënshtruar atë ndaj kushteve degraduese të jetesës, ndoshta për përfitime financiare.

Autoritetet sqarojnë se nuk ka prova që burri të jetë mbajtur peng, pasi ai kishte qasje edhe jashtë bodrumit. Një fqinj ka deklaruar se e kishte parë të moshuarin duke lëvizur jashtë banesës.

Sipas hetimeve paraprake, i moshuari ishte zhvendosur në këtë pronë rreth 20 vite më parë, me shumë gjasa si qiramarrës. Me kalimin e kohës, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, por arsyet dhe momenti i saktë mbeten ende të paqarta.

Kur u gjet, burri kishte nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore. Gazeta Helsingin Sanomat raportoi se ai nuk ishte në gjendje të ecte vetë dhe u transportua me ambulancë në karrocë me rrota.

“Më kërcënuan me jetën e fëmijëve”, Iris Luarasi vjen me mesazhin e fortë

By: Os De
23 January 2026 at 18:45

Me mbi 30 vite përvojë si pedagoge në Universitetin e Tiranës dhe rol të rëndësishëm në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare për gazetarinë, barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, Irisi Luarasi tashmë sjell eksperiencën e saj në vendimarrje, në politikë.

Vetëm para pak muajsh u miratua projektligji për barazinë gjinore, ku siç shpjegon pedagogia në programin “Rudina” në Tv Klan, i referohej më shumë zgjerimit të të drejtave të grave në fusha të ndryshme. Megjithatë, debati mori përmasa të tjera duke përshkallëzuar në gjuhë urrejtjeje, të cilën Iris Luarasi e ka provuar disa herë në lëkurë. Kjo është arsyeja pse e ka zgjedhur edhe si temë për ta shpalosur në një fjalim në foltoren e programit.

“Përpara dy muajsh ne miratuam ligjin për barazinë gjinore. Erdhi një portal, e mori fjalën time, e preu, ia hoqi kontekstin, ia ndryshoi komplet thelbin dhe brenda 2 ditësh, mijëra komente, dhjetëra shkrime, profile anonime ku nuk flitej më për ligjin, por flitej për mua si grua. U prek feminiliteti im, morali, u vunë nën shënjestër madje edhe fëmijët e mi. Deri te mesazhi më i tmerrshëm, një kërcënim se fëmijëve do t’u priteshin kokat. Aty patjetër që u fshi kufiri mes virtuales dhe reales. Unë mendoj që kjo nuk është vetëm histori imja, është një histori e çdo vajze që shfaqet sot në ekran, e çdo aktivisteje, e çdo gruaje në politikë që e di se çfarë do të thotë të paguash me reputacion, me dinjitet, madje edhe me sigurinë e familjes, vetëm sepse flet. Prandaj, sot në vend që të pyes pse kaq shumë gjuhë urrejtjeje, në fakt do të pyesja pse kaq shumë heshtje përballë kësaj gjuhe urrejtjeje? Unë kam zgjedhur të mos hesht, jo se nuk lëndohem, por se në fakt mendoj që vajza ime dhe vajzat e tjera nuk duhet të rriten duke menduar se kjo është një gjë normale. Nuk është normale!”, tha Luarasi.

Lamtumirë djalit qytetar, fisnik dhe simpatik, basketbollistit të Tiranës së artë të viteve ’70–’80, Piro Koleka

23 January 2026 at 18:35

Nga Ilir Demaliaj

Piro Koleka lindi në Tiranë në vitin 1952, djali i doktor Gogo Kolekës dhe Netës, një zonjë e rrallë, fisnike, me rrënjë kroate. U rrit në një shtëpi ku edukata, kultura dhe dinjiteti ishin mënyrë jetese, jo fasadë. Që fëmijë mbarti mbi vete atë elegancë natyrore që nuk mësohet në libra dhe nuk blihet me para — trashëgohet dhe jetohet.

Nxënës i “Sami Frashërit” dhe më pas student i Fakultetit të Shkencave, dega Kimi, Piro ishte ai djalë që shpërqendronte vëmendjen e Tiranës jo vetëm me fizikun sportiv dhe pamjen e hijshme, por me mënyrën si ecte, si fliste, si vishej. Rrobat që i vinin nga Kroacia, nga njerëzit e mamasë, binin në sy, por ajo që mbetej ishte shija e hollë, sjellja prej xhentëlmeni dhe një fisnikëri që nuk kishte nevojë të shpallej — sepse ndjehej.

Dhe megjithatë, Piro nuk iu nda kurrë “pazarit të parë”. Nuk iu nda kurrë komshies me të cilën u rrit dhe me të cilën ndërtoi familjen e tij të bukur me Lindita Vrapin, duke lënë pas dy djem të mrekullueshëm tironcë, Gjergjin dhe Angelon — vazhdimësi gjaku, karakteri dhe fryme qytetare.

Vetëm 16 vjeç, Piro veshi fanellën e ekipit të parë të Tironës, në një kohë kur parketi ndizhej nga emra legjendarë të basketbollit shqiptar: Vaso Shaka, Bujar Shehu, Gavrosh Levonja, Kujtim Kasmi, Land Topalli. Ishin vitet e lavdisë, kur Tirona u shpall kampione me atë kosh të paharruar nga mesi i fushës i Land Topallit, në tri sekondat e fundit — një moment që ende rreh në zemrën e qytetit.

Ai ishte kampionati i fundit i madh për Tironën, përballë një Partizani të ushqyer nga pushteti, me legjendën Agim Fagu e më pas Gazmend Çaçin, me lojtarë të mbledhur nga e gjithë Shqipëria dhe me arbitrime të diktuara nga lart. Tirona u etiketua si “klub reaksioni”. Dhe po — një nga këta “reaksionarë”, në kuptimin më të bukur të fjalës, ishte edhe Piro Koleka.

Në “Klubin Petëf”, në “Bodrumin e Hykajve”, apo në apartamentin e Kolekajve te “dyqanet me koma”, siç i thoshim ne tironcit, zhvilloheshin biseda pa fund me rebelët e regjimit. Net që zgjateshin deri në orët e vona, mes gotash që trokisnin me shpresë dhe lajmesh që vinin përtej Adriatikut e Atlantikut. Aty Piro ishte vetvetja: i qetë, i thellë, i mençur, me një elegancë mendimi që nuk kërkonte zë të lartë për t’u dëgjuar.

Në moshën 17-vjeçare, Piro ishte pjesë e pesëshes së parë të Tironës, përkrah Shakës, Levonjës, Kasmit dhe Shehut. Për vite me radhë na dhuroi emocione, lot dhe krenari — si me fanellën bardheblu, ashtu edhe me atë kombëtare.

Më 28 janar 1973, kur Vaso Shaka, legjenda e basketbollit shqiptar, u largua nga sporti, fanellën e tij ia besoi 20-vjeçarit Piro Koleka. Ishte një dorëzim simbolik dinjiteti, karakteri dhe vazhdimësie.

Por Piro ishte shumë më tepër se një sportist i madh. Ishte njeri i madh. I hapur, i drejtë, pa paragjykime. Një cilësi sot pothuajse e zhdukur: nuk e konsideronte kurrë veten mbi të tjerët. Kjo e bënte jo arrogant, por fisnik. Ishte tolerant, i thjeshtë në shpirt, “down to earth”, por me një aristokraci natyrore që nuk kishte nevojë për tituj, poste apo duartrokitje.

Piro nuk do t’i mungojë vetëm familjes dhe shoqërisë së tij. Ai do t’u mungojë qytetarëve të Tiranës, vetë qytetarisë së saj — asaj që po rrallohet dita-ditës, e dhunuar nga vulgariteti grabitqar, nga provincializmi pa fre, nga vaniteti i zhurmshëm që Piros i krijonte pështjellim dhe dhimbje. Dhe ndoshta për këtë arsye u largua — sepse nuk donte ta shihte qytetin e tij të përulur.

Të qoftë rruga e lehtë në amshim, miku im. Tirana ishte më e bukur me ty.

Dënimi në Greqi?/ Ja shkresa e Irena Gjokës drejtuar KLGJ-së: Nuk u informova për gjyqin në 2005. Vendimi, jo i formës së prerë!

By: Os De
23 January 2026 at 18:27

Gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, prej rreth tre vitesh është në qendër të sulmeve politike, kryesisht nga opozita, të cilat lidhen me një dënim të pretenduar nga drejtësia greke, që daton rreth dy dekada më parë. Debati u rikthye këtë javë, pasi Prokuroria e Përgjithshme, pas një procesi verifikimi dyvjeçar, konfirmoi ekzistencën e një vendimi gjyqësor të autoriteteve greke ndaj Gjokës, për akuzën e falsifikimit të vizës, duke theksuar se dënimi rezulton “i vërtetë dhe autentik”. 

Sipas Prokurorisë, ky vendim nuk është pasqyruar në formularin e vetëdeklarimit të vitit 2016, të plotësuar nga gjyqtarja në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, ku ajo është përgjigjur negativisht si për pyetjen mbi dënimet e formës së prerë, ashtu edhe për ato jo përfundimtare. 

Nga ana tjetër, vetë gjyqtarja Gjoka ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor versionin e saj të ngjarjeve, duke pretenduar se nuk ka qenë asnjëherë e njoftuar për procesin gjyqësor në Greqi, se është dënuar në mungesë dhe se vendimi i vitit 2005 nuk ka marrë formë të prerë, për më tepër është konsideruar i paqenë si pasojë e një ligji amnistues të miratuar nga shteti grek në të njëjtin vit. 

Dëshmia e Irena Gjokës, drejtuar KLGJ-së: 

“Më datë 24 dhjetor 2002, unë Irena Gjoka jam paraqitur në pikën e kalimit kufitar Greqi, Kakavijë, ku policia kufitare më ka ndaluar hyrjen në shtetin grek (pas një debati që kam bërë me punonjësin e policisë së kufirit). Kam vlerësuar se autoritetet greke nuk kanë pasur asnjë arsye të ndalojnë hyrjen time në Greqi dhe për këtë arsye jam pajisur me një vize tjetër, pranë konsullatës greke në Shqipëri. Në vijim, më datë 13 shkurt 2003, jam paraqitur sërish në kufi, ku përsëri më është ndaluar hyrja, në mënyrë të padrejtë. 

Meqenëse kam qenë e bindur në paligjshmërinë e masës administrative të ndërmarrë ndaj meje, refuzimin e hyrjes në shtetin grek, në kushtet kur nuk kisha të drejtë hyrje në këtë shtet, në datën 31.03.2003, kam autorizuar shtetasin Andon Konomi/Ikonomou (ky shtetas nuk ka pasur cilësinë e avokatit) për të kundërshtuar për llogari timen, masën administrative të marrë në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga autoritetet greke, pranë Ministrisë së Rendit Publik Athinë apo çdo institucioni tjetër, për të kryer çdo lloj veprimi që nuk është i ndaluar me ligj, lidhur specifikisht me masën e ndalimit të hyrjes të dhënë ndaj meje. 

Pavarësisht këtij fakti, personalisht nuk jam njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj meje, në gjykatat Greke. Pasi në media janë publikuar vendime administrative apo të natyrave të tjera në emrin tim, duke mos qenë në dijeni të asnjë vendimi, kam autorizuar përfaqësues me prokurë të posaçme për të marrë informacion, për çka publikohej. 

Nga aktet që më janë dorëzuar nga përfaqësuesi im si dhe aktet e përcjella nga autoritetet greke me anë të letërporosisë, nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, jam informuar për herë të parë për vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë me nr.1447/2005, datë 07.06.2005, sipas së cilit rezultoj e dënuar në mungesë nga kjo gjykatë në datë 07.06.2005, pa praninë e një mbrojtësi, pa u njoftuar për procesin ndaj meje, si gjatë hetimit dhe gjykimit të çështjes, për veprën e parashikuar në paragrafin 7 të nenit 54 të ligjit 2910/2001 me titull “Hyrja dhe qëndrimi i të huajve në Territorin Grek”, me tre muaj burgim dhe 1500 Euro Gjobë. Dënimi me burgim është konvertuar me gjobë në masën 4,4 Euro në ditë. 

Vendimi i datës 07.06.2005, i Gjykatës së shkallës së parë me tre anëtare për kundravajtje të Janinës nuk më është njoftuar asnjëherë dhe ky vendim nuk ka marrë formë të prerë. Sipas nenit 473 të Kodit të Procedurës Penale Greke afati për paraqitjen e apelit për të pandehurit me vendbanim të panjohur është 30 ditë nga dita e njoftimit të vendimit (vendimi i cili nuk është njoftuar asnjëherë). Përpara se të përfundonte afati i apelimit, më datë 17.06.2005 është miratuar ligji nr.3346/2005 “Përshpejtimi i procedurës para gjykatave civile dhe penale dhe dispozita të tjera”. Sipas edhe interpretimit të kryer nga GJEDNJ , në çështjen Panou kundër Greqisë (nr. 44058/05, 8 janar 2009), vendimi i dënimit i arkivuar sipas këtij ligji konsiderohet i paqenë, me kusht që, për një periudhë 18-mujore nga publikimi i ligjit (17 qershor 2005), të mos kryhet një vepër tjetër vepër penale me dashje, për të cilën do të dënohej përfundimisht me burgim më të gjatë se gjashtë muaj. Sipas edhe interpretimit të GJEDNJ-së edhe pse humbiste e drejta për të ushtruar apelim, efektet e ligjit ishin baras me shfajësim. Ky ishte edhe qëllimi i ligjit, i cili synonte përshpejtimin e drejtësisë penale, ndër të tjera, përmes uljes së numrit të apelimeve për çështje të vogla. Kështu në zbatim të këtij ligji, prokurori ka vendosur arkivimin e vendimit të marrë ndaj meje më datë 07.06.2005. 

Shqipëria dënon dhunën ndaj protestuesve në Iran! Ambasadorja në OKB: Shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare!

By: Os De
23 January 2026 at 18:16

Ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Suela Janina, shprehu sot shqetësimin e thellë të Shqipërisë për situatën në Iran pas protestave antiqeveritare që kanë lënë mbi 5000 viktima. 

Duke folur gjatë një mbledhjeje urgjente të Këshillit të Sigurimit i OKB-së të premten, Janina dënoi me forcë përdorimin e dhunës ndaj protestuesve paqësorë që kundërshtojnë regjimin e Ajatollahëve. 

“Shqipëria shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me situatën në Iran, veçanërisht në kontekstin e protestave paqësore që nisën më 28 dhjetor 2025. Ne dënojmë fuqishëm përdorimin e tepruar dhe joproporcional të forcës kundër protestuesve paqësorë, që ka sjellë si pasojë mijëra viktima, plagosje masive dhe përdorimin e armëve të zjarrit dhe mjeteve të tjera të ndaluara, në shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha ajo. 

Ambasadorja shqiptare ngriti gjithashtu shqetësimin për arrestimet masive dhe përdorimin e dënimit me vdekje ndaj protestuesve. 

“Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për arrestimet arbitrare në shkallë të gjerë, përfshirë edhe arrestimin e fëmijëve, si dhe për zbatimin arbitrar të dënimit me vdekje ndaj protestuesve të arrestuar së fundmi. Shqipëria riafirmon të drejtën e të gjithë iranianëve për të jetuar në liri dhe siguri personale, si dhe të drejtat për lirinë e shprehjes, të organizimit dhe të tubimit paqësor”, tha ajo. 

Në fjalën e saj krahas diplomatëve nga e gjithë bota, Janina theksoi nevojën për përgjegjësi dhe hetime të pavarura ndërkombëtare mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran. 

“Shqipëria thekson nevojën urgjente për të siguruar përgjegjësi për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe për të gjitha krimet sipas së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria mbështet fuqishëm zgjatjen e misionit të pavarur për mbledhjen e fakteve dhe të mandatit mbi situatën e të drejtave të njeriut në Iran. Ne inkurajojmë hetime të hershme mbi shkeljet e fundit dhe ato në vazhdim, përfshirë edhe me synimin e procedimeve të ardhshme gjyqësore brenda mandateve të tyre” tha ajo.  

Protestat në Iran shpërthyen në fund të vitit 2025, duke u shtrirë në mbi 100 qytete të vendit. Ato konsiderohen si ndër më vdekjeprurëset që nga revolucioni islamik i vitit 1979. 

Nesër protesta e PD/ Policia e Tiranës plan masash, këto janë akset që do të bllokohen

By: Os De
23 January 2026 at 18:10

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për sigurinë gjatë protestës së nesërme të thirrur nga PD, duke specifikuar dhe akset rrugore që do të bllokohen. 

Njoftimi: 

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi ditën e nesërme, i cili nis në orën 17:00 para Kryeministrisë. 

Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private. 

Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme dhe të nesërme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht: 

-Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, 

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. 

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. 

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim. 

Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, i bejmë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kunderligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike. 

Pafuqia politike e Sali Berishës

23 January 2026 at 17:58

Nga Ermal Peçi

Rikthimi i Sali Berishës në politikë u justifikua si një “domosdoshmëri historike”. Por sot pyetja thelbësore është pse u rikthye, kur çdo provë politike dëshmon se ai nuk e mund dot Edi Ramën, nuk e bashkon dot Partinë Demokratike, nuk ofron dot asnjë rrugë reale për rotacion pushteti dhe kur asnjë derë amerikane nuk i është hapur.

Berisha u rikthye duke deklaruar se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje”. Nëse kjo tezë është e vërtetë, atëherë rikthimi i tij është paradoksal. Çfarë kërkoi të fitojë një lider që beson se zgjedhjet janë farsë? Nëse sistemi është i mbyllur, rikthimi i tij nuk është akt guximi, por një akt politik i pakuptimtë. Nëse, përkundrazi, zgjedhjet ekzistojnë, atëherë Berisha i ka humbur ato radhazi përballë Ramës. Në të dyja rastet, rikthimi i tij del i dështuar si në logjikë, ashtu edhe në rezultat.

Akoma më domethënëse është paaftësia për të bashkuar Partinë Demokratike. Berisha u rikthye me premtimin se do ta ribënte PD-në forcë shumice, por rezultati ishte përçarja më e thellë në historinë e saj. Një parti e copëzuar, pa drejtim dhe pa besim publik, e cila në asnjë moment nuk funksionon si opozitë reale, por si dekor politik i pushtetit.

Ngjarja e 8 janarit 2022 tregoi fytyrën reale të këtij rikthimi. Berisha tregoi se kishte forcë të sulmonte selinë e partisë së tij, por sot lind pyetja thelbësore: pse e njëjta “vendosmëri” nuk u drejtua kurrë ndaj Kryeministrisë? Pse zemërimi, mobilizimi dhe akti ekstrem u përdor kundër PD-së dhe jo kundër pushtetit që ai e quan “regjim”?

Sot, pafuqia politike e Sali Berishës nuk është më çështje perceptimi, por një realitet i prekshëm. Ai u rikthye pa rrugëdalje, pa projekt fitues dhe pa aftësi unifikuese. Në vend që të sfidonte Edi Ramën, sfidoi vetë partinë e tij. Ky është ndoshta dështimi më i madh politik i një figure që dikur e dominonte skenën shqiptare por sot nuk kontrollon dot as veten e tij.

Karremi i Putinit për Trump-in

23 January 2026 at 17:49

Nga Enver Robelli

Duke qenë agjent i KGB-së sovjetike, Vlladimir Putin është specialist për simulim, servilosje, lajkatime. Këtë e bën ndaj atyre që janë më të fuqishëm se ai. Ndaj liderit kinez, për shembull. Dhe sidomos ndaj Donald Trumpit. Ndaj tij diktatori rus sillet si një masazhist i egos së presidentit amerikan.

Shembulli më i ri, për të cilin raporton gazeta konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) në numrin e sotëm: Trump tha se Putini e ka pranuar ftesën për të qenë anëtar i të ashtuquajturit “Bord i Paqes”. Në të vërtetë Putini nuk e pranoi ftesën, por vetëm autorizoi vartësit e tij ta shqyrtojnë atë. Dhe e falënderoi Trumpin. Pas lëvdatave Putin, si peshkatar i shkathtë, ia hodhi Trumpit një karrem: i tha se po t’i dhurojë 1 miliard dollarë për “Bordin e Paqes”. I propozoi që këto para t’i marrë nga mjetet ruse të bllokuara në SHBA nga administrata e mëpareshme, pra nga qeveria e Joe Biden.

FAZ shkruan: “Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, në SHBA u ngrinë katër deri në pesë miliardë dollarë rezerva të Bankës Qendrore ruse; kjo është vetëm një pjesë e vogël e totalit prej 280 miliardë dollarësh që u ngrinë në atë kohë, më shumë se dy të tretat e të cilave në Belgjikë. Sipas vendimit të G7, kjo gjendje duhet të mbetet e tillë derisa Rusia t’i dëmshpërblejë Kievit dëmet e shkaktuara. Pra, Putin i propozon Trumpit një keqpërdorim të mjeteve. Mbi këto mjete Rusia, ndryshe nga çfarë pretendoi Putin, aktualisht nuk mund të disponojë. Qëllimi i tij është ta tundojë Trumpin që të shkëputet nga partnerët (europianë) në një tjetër çështje parimore”.

Zemërgjerë u tregua Putini edhe sa i përket Grenlandës. Tha se Danimarka është sjellë keq, madje brutalisht ndaj këtij ishulli dhe prezantoi një shifër për të cilën SHBA mund të blinin Grenlandën (“diku afër një miliard dollarë, ndonëse SHBA-ja ndoshta do të paguante edhe më shumë”).

Kjo është shkolla e sprovuar sovjetike e politikëbërjes. Në një botë fiksioni do të mund të shkruhej një roman me titullin: “Masazhisti nga Kremlini”. Nganjëherë romanet i shkruan realiteti.

Trafikonin drogë nga Shqipëria në Itali/ Goditet banda kriminale, arrestohen 9 persona

By: Os De
23 January 2026 at 17:36

Një operacion kundër trafikut të drogës ka çuar në arrestimin e nëntë personave në Itali. 

Ky operacion vjen pas hetimeve të zhvilluara prej gati një viti nga autoritetet italiane. Rrjeti i trafikut të drogës ishte shtrirë në Shqipëri dhe Forggia. 

Sipas mediave italiane, lidhja me anëtarët e grupit kriminal në Foggia ishte një shqiptar, nga i cili u blenë lëndët narkotike, nëpërmjet  ndërmjetësimit të shqiptarëve të tjerë që banonin në veri të Italisë. Nëntë të arrestuarit do të përballen me akuza për bashkëpunim në trafikun e drogës dhe shpërndarje droge. 

Çekiç kokës 57-vjeçarit, i dyshuari mohon vrasjen, gjykata lë në burg 3 të rinjtë

By: Os De
23 January 2026 at 16:51

I akuzuari për vrasjen e Petrit Ndout, 57-vjeçari që ndërroi jetë pasi u godit me çekiç në kokë gjatë një konflikti për gërvishtjen e makinave, mbajti qëndrim mohues për krimin para Gjykatës së Tiranës. Në seancën e caktimit të masës së sigurisë Vokrri pranoi të kishte pasur një konflikt verbal dhe fizik me 57-vjeçarin.

Por me tej ai tha se nuk mbante mend që ta kishte goditur me çekiç dhe as të kishte pasur një të tillë me vete. Pretendimet e të dyshuarit Vokrri dhe të avokatit të tij për mungesë të provave nuk bindën gjykatën, që caktoi ndaj të riut masën e sigurisë “arrest në burg”.

E njëjta masë sigurie u caktua edhe për dy tëarrestuarit e tjerë për ngjarjen, shokë të Vokrrit, Fatjon Kulla e Lorenc Sula, të akuzuar për “moskallëzim krimi”. Sipas prokurorisë, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk kanë njoftuar policinë. Burime pranë seancës bënë me dije se të rinjtë kanë pretenduar se kanë parë shokun e tyre të konfliktohej, por jo që të ketë qëlluar 57-vjeçarin me çekiç.

Ngjarja për të cilën u izoluan në qeli tre të rinjtë ndodhinë orët e para të mëngjesit të së martës në një rrugë dytësore në aksin rrugor Thumanë-Krujë.

Sa afër është “tymi i bardhë”/ SHBA-ja, Kievi dhe Moska konsultohen në Abu Dhabi për paqen në Ukrainë

By: Os De
23 January 2026 at 16:44

Negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po marrin pjesë në bisedimet e para trepalëshe që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, në një përpjekje për të eksploruar kushtet për arritjen e një marrëveshjeje që mund të çojë në përfundimin e luftës. 

Bisedimet, të cilat filluan në mesditë të premten dhe pritet të vazhdojnë edhe nesër, po zhvillohen në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe janë pjesë e përpjekjeve më të gjera diplomatike për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Ato aktualisht përshkruhen si ” joformale ” dhe informacioni është jashtëzakonisht i kufizuar, por sipas burimeve diplomatike, diskutime më “formale” pritet të pasojnë më vonë gjatë ditës. Kremlini konfirmoi kontaktet, por paralajmëroi se nuk mund të ketë paqe afatgjatë pa zgjidhur çështjet territoriale. Në të njëjtën kohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Whittock, Kushner, Sekretari i Ushtrisë Amerikane Dan Driscoll dhe Këshilltari i Lartë i Shtëpisë së Bardhë Josh Gruenbaum janë në Abu Dhabi. 

Bisedimet trepalëshe vijnë pas një takimi katër-orësh midis Witkoff dhe Kushner me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë të enjten, ndërsa Trump u takua me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. 

Uashingtoni kohët e fundit ka zhvilluar bisedime si me Rusinë, ashtu edhe veçmas me Ukrainën dhe udhëheqësit evropianë, duke shqyrtuar drafte të ndryshme të një marrëveshjeje paqeje. Steve Witkoff madje tha të enjten se është bërë “shumë përparim” dhe se negociatat në thelb janë kufizuar në një çështje të vetme. 

Sa afër është marrëveshja, pengesa kryesore është ajo territoriale. Pengesa kryesore mbetet ajo territoriale. Rusia vazhdon të kërkojë që Ukraina të lëshojë afërsisht 20% të rajonit të Donetskut që ende nuk e ka pushtuar ushtarakisht, një kërkesë që Volodymyr Zelensky e ka refuzuar kategorikisht. Donetsku është një nga dy rajonet lindore që përbëjnë Donbasin , me forcat ruse që tashmë kontrollojnë pothuajse të gjithë rajonin e dytë, Luhanskun . Vladimir Putin thuhet se i tha Donald Trump vitin e kaluar se do të ishte i gatshëm të tërhiqte trupat ruse nga territoret e tjera të pushtuara ukrainase nëse atij do t’i jepej kontroll i plotë i rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut . Pas takimit të tij të fundit me presidentin e SHBA-së, udhëheqësi ukrainas tha se statusi i territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore mbeti i pazgjidhur, por shtoi se propozimet për paqe ishin “pothuajse gati”. 

Këshilltari i politikës së jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, gjithashtu mbajti të njëjtën linjë , duke deklaruar se Putin u përsëriti të dërguarve amerikanë se “nuk mund të pritet një zgjidhje afatgjatë pa zgjidhur çështjen territoriale”. 

Në të njëjtën kohë, Volodymyr Zelensky tha se pret që Donald Trump të caktojë një datë dhe kohë specifike për nënshkrimin e një marrëveshjeje në lidhje me garancitë amerikane të sigurisë për Kievin. Siç tha ai, dokumenti përkatës është përfunduar, por ende nuk është nënshkruar ose bërë publik. Ukraina po kërkon garanci të forta sigurie nga aleatët e saj në mënyrë që të parandalojë një sulm të ri të mundshëm rus në të ardhmen. 

Plani i paqes me 28 pika i Donald Trump përcakton se Ukraina do të marrë garanci “të forta” sigurie. Mbretëria e Bashkuar dhe Franca janë zotuar tashmë të dërgojnë forca ushtarake në “qendrat ushtarake” në Ukrainë në rast të një armëpushimi, si pjesë e të ashtuquajturit “Koalicion i të Gatshmëve”. 

Bisedimet në Abu Dhabi po zhvillohen ekskluzivisht nga delegacionet, jo nga udhëheqësit politikë. Ukraina përfaqësohet nga kryenegociatori Rustem Umerov dhe kreu i administratës presidenciale Kirill Budanov , ndërsa Rusia ka njoftuar se misioni i saj (i përbërë vetëm nga personel ushtarak) do të drejtohet nga Admirali Igor Kostyukov . Në të njëjtën kohë, i dërguari special i Putinit, Kirill Dmitriev , pritet të zhvillojë bisedime të ndara mbi çështjet ekonomike me Steve Witkoff. 

Takimet e mëparshme 

Analistët kujtojnë se kjo nuk është hera e parë që është tentuar një iniciativë e ngjashme. Në nëntorin e kaluar, zyrtarë ushtarakë nga të tre palët u takuan në Abu Dhabi, megjithëse nuk është e qartë nëse të gjithë morën pjesë në të njëjtën dhomë. Në mënyrë të ngjashme, në maj të vitit të kaluar, një takim i zyrtarëve ukrainas dhe rusë u mbajt në Turqi, i cili, pavarësisht pritjeve fillestare, zgjati vetëm dy orë pa ndonjë rezultat të prekshëm. Gjithashtu, në gusht,
takimi historik i Donald Trump me Vladimir Putinin në Alaska solli në tryezë mundësinë e lëshimit të territoreve ukrainase në këmbim të përfundimit të armiqësive, por pa arritur ndonjë marrëveshje specifike. 

“Moment i rëndësishëm”, por pritjet duhet të zbuten 

Siç thekson Sky News, bisedimet aktuale janë një “moment i rëndësishëm”, por kërkohet përmbajtje, pasi të gjitha palët e përfshira në diskutime kanë qenë në pozicione të ngjashme më parë. Sipas saj, shpejtësia me të cilën u ra dakord për të mbajtur kontaktet në Abu Dhabi mund të tregojë se të tre palët kanë shqyrtuar të paktën një kompromis të mundshëm që mund ta pranonin. Rëndësi e veçantë i kushtohet edhe pjesëmarrjes së Kirill Budanov , i cili u emërua kreu i zyrës presidenciale në fillim të janarit. Sipas një burimi amerikan të cituar nga Sky News, ai është i vetmi bashkëpunëtor i ngushtë i Zelensky- t që Uashingtoni “e merr vërtet seriozisht” , gjë që e bën praninë e tij në bisedime “veçanërisht të rëndësishme”. 

 

 

 

 

“Kolegët qanin me dënesë!”- Bashkëshortja e Astrit Kalasë tregon si e mori vesh ekzekutimin e tij: Ai ishte trim, ka gjykuar dosje të ‘nxehta’!

By: Os De
23 January 2026 at 16:37

Valbona Kalaja, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit të vrarë në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja, ka rrëfyer për herë të parë detaje prekëse nga jeta e tyre, momentet para vrasjes së tij nga Elvis Shkambi. Valbona Kalaja tregon se si mori vesh lajmin e rëndë të ekzekutimit të bashkëshortit të saj në krye të detyrës.

Valbona u shpreh në Podcastin e Mira Kazhanit se Astritin e njihte që në moshë shumë të re, kur të dy studionin në shkollën e mesme profesionale në Shkodër.

“E njoh që kur isha 14 vjeçe, ai 16 vjeç, kur fillova shkollën e mesme profesionale në Shkodër. Shkova pa dëshirën time në atë shkollë, se doja të vazhdoja mjekësi, por babai më çoi në degën elektrike, ishte dëshira e tij. Astriti ishte në degën mekanike dhe e njoha Astritin në mbledhjet e rinisë. Ishte djalë me autoritet që atëherë, serioz, nuk është se ka ndryshuar shumë. Këto vite, që u bë 60-vjeç, çdo njeri do ta njihte nga ata që e njihnin që atëherë”, rrëfeu ajo në “Zë me Mirën Podcast”.

Duke kujtuar ditën e atentatit, ajo thotë se kishte qenë për një vizitë mjekësore dhe se prej ditësh e ndjente se diçka mund të ndodhte, por këtë ndjesi e kishte për veten, ndërsa për të shoqin nuk e kishte menduar. Ajo kujton e përlotur edhe momentin e ndarjes me të shoqin në mëngjes.

“Unë atë ditë isha pushim, kisha një  check-up që duhet të bëja dhe gjithë ditën e kisha vizita te mjekët. Kisha një javë që kisha një bindje të brendshme sikur do të kisha një problem me gjirin, më ishte fiksuar. Dhe atë ditë, në mëngjes, e shfaqa, ia thashë: ‘Kam frikë se mos kam ndonjë gjë’.

U vesh për punë dhe më tha se ‘mirë do jesh’. Por më ishte krijuar një bindje që do kisha diçka, por nuk  paska qenë për veten, si duket, atë ditë. ‘Hajde’, më tha, ‘për të pirë kafe’, pastaj më tha të mos e pija, se do bëja analizat.

Kur dola, nuk e di pse atë ditë, kur u kthye nga unë, i rregullova edhe vetullat, e kisha si zakon, ta çoja sa më bukur në punë. Ai nuk e kishte problem pjesën e veshjes, më shumë e kisha unë, që të shkonte me kostum. Ai ishte natyrë tjetër, por pozicioni i punës ia kërkonte të shkonte me këmishë të bardhë dhe kollare.

Kur u ndamë, kishte një çantë të madhe që e mbante me dosje, ishte ditë e hënë, ditë gjyqesh. I thashë të mos shkonte me biçikletë, dhe për çudi më dëgjoi. Atë ditë mori makinën, iku dhe unë ika në klinikën afër shtëpisë. Bëra kontrollet dhe ajo më tha të shkoja në orën 3, por i thashë që nuk vija dot se nuk kisha bërë drekën. Shkova te puna, se ekoja më kishte dalë mirë. Isha shumë e gëzuar derisa më ra telefoni”, tha ajo.

Lajmin për ngjarjen Valbona Kalaja tregon se e mori nga kolegët, të cilët e kishin parë lajmin për vrasjen e tij në media. Ajo rrëfeu se edhe kur shkoi në spital, askush nuk kishte guxuar fillimisht t’i thoshte që i shoqi kishte ndërruar jetë.

“Po prisja që të vinte në shtëpi t’i thoja që çdo gjë ishte mirë. Më vjen një mesazh i shkurtër në telefon nga një koleg: ‘Më tha Valbona, si je?’.

Në atë moment më merr një tjetër koleg pune, i cili kishte dëgjuar lajmin. Unë televizorin nuk e lë kurrë në lajme, të gjithë e kishin marrë vesh, unë jo. Më pyeti: ‘Si ke qenë, a ka ndonjë gjë të re?’. Folëm shkurt dhe ma mbylli telefonin, nuk ma tha.

Nuk arriti të ma thoshte. Pastaj na merr një mike jona e përbashkët, ishte sikur po bërtiste, më pyeti: ‘Po Astriti si është?’. Dhe ajo ma mbylli telefonin, nuk më tha gjë. E telefonova Astritin, nuk ma hapi. Më shkoi mendja te mesazhi i parë, mora atë kolegun dhe ai më tha që diçka kishte ndodhur te Gjykata e Apelit. Më mori një koleg i Astritit në telefon dhe më tha se ishte plagosur dhe ndodhej në spital.

Mora një taksi. Ngjarja ishte aq e madhe sa e kishte marrë vesh edhe taksisti. I thotë nipit: ‘Kanë vrarë një gjyqtar’. Në spital kam gjetur të gjithë kolegët e tij duke qarë. Qanin me dënesë. Nuk vinte asnjë, nuk e merrte guximin askush të më thoshte gjë”, rrëfeu ajo mes lotësh.

E pyetur lidhur me shqetësimet apo frikërat që gjyqtari Astrit Kalaja mund të kishte në lidhje me sigurinë në punë, bashkëshortja e tij rrëfeu se javën e fundit ai kishte qenë i shqetësuar.

“Atë javë ka qenë shumë i ngarkuar, i shqetësuar. E shihja që zgjohej natën, e gjeja me celular në dorë, nuk kishte gjumë. E shihja natën e fundit, kur mbylli dosjen e fundit, që nuk do ta harroj kurrë. Ishte një dosje e trashë. Kur e mbylli dosjen, u ngrit edhe pluhur, por njeriu nuk mendon për keq. Kur i kujtoj tani, më kujtohen me imtësi. Atë ditë, gjithë ditën, është marrë me dosjet për gjyqet e së hënës.

Nuk ka shfaqur gjë, të paktën me mua. Por me nja dy shokë të tij këtë gjyq e kishte diskutuar. U kishte thënë se kishte një dosje me 31 familje dhe nuk e dinte si do bëhej. Nga kolegët më kanë thënë që ka pasur probleme me këto edhe më parë. Ai ka qenë trim, ka gjykuar çështje të nxehta, në ’97-ën ka gjykuar krime të rënda. Asnjëherë nuk ka pasur probleme. Edhe në vitin 1997 ka dalë në rrugë pa frikë, sepse thoshte: ‘Unë nuk i kam bërë gjë njeriu’”, rrëfeu Valbona Kalaja.

Zgjedhjet, 109 të arrestuar në Kosovë/ Prokuroria: Falsifikuan rezultatet për kandidatët

By: Os De
23 January 2026 at 16:30

Qysh në orët e hershme të mëngjesit, policia e Kosovës, në bashkëpunim me prokurorinë, ka zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave. Deri më tash janë arrestuar nga policia 109 persona të dyshuar për veprën penale të falsifikimit të rezultateve zgjedhore dhe dhënie-marrje të ryshfetit. Kjo pas rinumërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili nxori në pah vjedhje të mijëra votave të kandidatëve brenda partive – në total, u shtuan 40 mijë e 497 vota.

“Këtu nuk bëhet fjalë as për dhjetëra, as për qindra, por për mijëra vota të manipuluara. Bëhet fjalë edhe për situata ku vetëm në një vendvotim numri i manipuluar ka shkuar deri në 2 mijë e 444 vota“, tha Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prizrenit.

Në fillim të muajit, komisioni gjeti mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë pas një hetimi fillestar dhe më pas zbuloi gjatë rinumërimit të pjesshëm se dallimet në vota ishin të mëdha, posaçërisht në këtë komunë. Më pas, KQZ-ja vendosi që të rinumërohet votat në të gjithë Kosovën.

Deri më tash, votat janë rinumëruar në tërësi në 19 komuna, ndërsa procesi i rinumërimit vazhdon. Ndonëse në disa komuna është vërejtur numër i vogël i ndryshimeve në vota, komuna e Prizrenit prin me numrin më të madh të votave të manipuluara. Prokuroria është duke vazhduar hetimet në gjithë vendin.

“Për 4 vite nuk i dhe dot fund luftës”/ Orban sulmon Zelenskin: Je në pozita të dëshpëruara

By: Os De
23 January 2026 at 16:20

Kryeministri hungarez Victor Orban kritikoi presidentin Ukrainas Volodimir Zelenskiy, duke e përshkruar si një njeri në pozita të dëshpëruara, dhe duke thënë se nuk do të mbështesë përpjekjet e tij për luftë. Deklarata vjen në vazhdën e fushatës anti Ukrainë në prag zgjedhjeve kritike të Prillit.

Teksa ekonomia hungareze është në stanjacion dhe partia e Orban, Fidez, renditet pas opozitares Tisza në shumicën e sondazheve, kryeministri i ka përshkruar zgjedhjet parlamentare si një zgjedhje mes Paqes dhe luftës, dhe pretenduar se Ukraina nuk e meriton mbështetjen ushtarake.

“Ti je një njeri në pozita të dëshpëruara, i cili për 4 vite, nuk ka qenë në gjendje t’i japë fund luftës edhe pse presidenti i SHBA të sigurojë çdo mbështetje të mundshme”, shkroi Orban në Facebook. Të enjten, Zeleneki kritikoi nga Davosi Europën, për mungesë kurajo ndaj Rusisë.

Detajet/ Si nisi sherri mes dy motrave dhe efektives në Tiranë, i “zunë pritë” dhe…: Mos më prekni, jam police!

By: Os De
23 January 2026 at 16:12

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme pranë komisariatit numër 3 në Tiranë. 

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se dy të arrestuarat janë motra me njëra-tjetrës, dhe se konflikti mes tyre dhe efektives ka nisur për një arsye krejt banale. 

Efektivja, agjente krimesh, ka qenë e veshur civil, pa uniformë, dhe ka qenë duke kaluar rrugën për të shkuar në komisariat, në momentin që motrat kanë qenë në rrugë duke kaluar me makinë. 

Në këtë moment motrat kanë nisur të ofendojnë efektiven se përse nuk sheh kur kalojn rrugën. Më pas ato kanë parkuar makinën dhe I kanë “zënë pritë” pak para se policja të futej në komisariat. Ajo I ka paralajmëruar që të mos e qëllojnë psi është efektive, pork jo duket se nuk është besuar nga motrat. 

“O qorre nuk sheh ti kur kalojmë ne? Kë gënjen ti?”, mësohet se i kanë thënë ato. 

Fillimisht konflikti duket se ka qenë thjeshtë me verbal, po më pas ka kaluar në dhunimin fizik të efektives. 

Është dashur ndërhyrja e punonjësve të komisariatit nr.3 që gjendja të qetësohej dhe motrat të përfundonin në pranga. 

Ministri gjerman për Europën takime në Tiranë/ Bisedohet për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe..

By: Os De
23 January 2026 at 16:02

Ministri i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Gunther Krichbaum zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të shtetit, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë. 

Ai u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi si dhe me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK Klodian Braho. Në fokus të bisedave të tij ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE si dhe fuqizimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

Në mbyllje të bisedave Ministri i Shtetit Krichbaum u shpreh:  

“Për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE. Edhe për këtë arsye ishte e rëndësishme për mua të zhvilloja biseda të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe drejtësinë.  

Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.  

Për këtë qëllim lipset vijimi i guximshëm i rrugës së reformave, si dhe përfshirja, por edhe bashkëveprimi konstruktiv i të gjithë aktorëve dhe institucioneve në kuadër të përgjegjësive të tyre kushtetuese.”  

 

Rivlerësimi i pronave me 5 për qind nuk ka nisur ende, s’kanë dalë aktet nënligjore

By: Os De
23 January 2026 at 15:50

Do të duhej të kishte nisur më 1 janar, por procesi i rivlerësimit të pronave ende nuk është hapur. Pas vonesave në dekretim nga Presidenti Bajram Begaj, ligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” është i paplotë. Është ministria e Financave që duhet të hartojë dhe dorëzojë aktet nënligjore me qëllim dhënien e “dritës jeshile” të rivlerësimit me 5 për qind. 

“Janë vonesa të panevojshme që po shkaktojnë shumë kaos dhe humbje. Institucionet kanë pasur të gjithë kohën e nevojshme”, u shpreh për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA. 

Në pritje të futjes së projektligjit në kalendarët e komisioneve parlamentare, përfaqësues të tregut ankohen se shitblerja e pronave veçanërisht në Tiranë ka ngecur. Nëse kjo vijon, sipas tyre humbjet ekonomike do të jenë të konsiderueshme. 

“Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij”, deklaroi për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA. 

Fushata e rivlerësimit nuk do të ulë çmimet e apartamenteve vlerësojnë aktorë nga tregu i pasurive të paluajtshme. 

“Qëllimi është të përmirësohet transparenca në treg, të rritet aktiviteti, të stimulohet oferta për blerësit e parë dhe të sigurohen të ardhura më të qëndrueshme për buxhetin e shtetit, pa ngadalësuar transaksionet apo krijuar informalitet”, tha për A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA. 

Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit. 

 

 

“Distancohemi nëse plas molotovi!”/ Albana Vokshi: Protesta nuk do jetë e dhunshme

By: Os De
23 January 2026 at 15:44

Nesër ora 17:00 PD-ja ka thirrur protestë kombëtare para kryeministrisë. Të gjithë deputetët dhe strukturat drejtues demokrate kanë ditë në takime me bazën për të sjellë në Bulevardin kryesor të Tiranë mijëra e mijëra demokratë. 

Publikisht nga drejtuesit e PD thuhet se nuk do të ketë dhunë këtë të shtunë në kryeqytet, por pak besohet pasi po lajmërohen “repartet e gatshme” nga Laç, Tropoja, Fieri, Kamza, Mamurrasi dhe nga Lezha që të vijnë për përballje fizike. 

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka zbardhur pritshmëritë dhe skenarin e tubimit, duke theksuar se pjesëmarrja pritet të jetë masive dhe se qytetarët do të mblidhen për një sërë arsyesh madhore që lidhen me keqqeverisjen. 

Ajo deklaroi se “e sigurt është që dhunë si ajo që organizonte Edi Rama dhe Partia Socialiste kur ishe në opozitë, nuk do ketë. Nuk e kemi bërë kurrë të dhunshme dhe nuk do e bëjmë të dhunshme protestën. Sigurisht, zemërimin qytetar askush edhe pse jemi organizatorë, nuk e përmban dot. Po organizuar nga Partia Demokratike, protesta të dhunshme nuk do të ketë. Sigurisht, numrat janë ata, pjesëmarrja është ajo që vlen për një protestë për t’i dëshmuar jo vetëm kombëtarëve por edhe ndërkombëtarëve që ne jemi aty, jemi në këmbë, do refuzojmë çdo politikë antishqiptare, antikombëtare, antihumane të Edi Ramës. Kam takuar këto ditë dhjetëra, në mos them qindra qytetarë, të cilët do të dalin për të protestuar për Shqipërinë që ata duan, jo Shqipërinë që Edi Rama e konsideron si plaçkë, pronë private të tij dhe mund ta shesë apo ta japi copa-copa për interesa të tij dhe për interesa të karriges, për të mbajtur pra pushtet”. 

Albana Vokshi nënkuptoi me togfjalëshin “Edi Rama e konsideron si plaçkë, pronë private të tij dhe mund ta shesë apo ta japi copa-copa për interesa të tij dhe për interesa të karriges, për të mbajtur pra pushtet”, e ku indirekt ka goditur bisedimet e kryeministrit Rama me vajzën e presidentit të SHBA, Ivanka Trump. 

Burimet policore tregojnë se mund të jenë afro 3 mijë forca policore në gadishmeri për protestën. 

“Siguria në burgje, vija e kuqe”, Lamallari: Do intensifikohen kontrollet në institucionet e vuajtjes së dënimit

By: Os De
23 January 2026 at 15:37

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan, ku u arrestuan tre persona për futje të lëndëve narkotike në burg. Lamallari shkruan se SHKBB do të intensifikojë kontrollet në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në vend. 

“Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë”, shkruan Lamallari mes të tjerash. 

“Përgëzoj operacionin e Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan për goditjen e një mekanizmi kriminal të futjes së drogës brenda burgut dhe vënien para drejtësisë të tre të dyshuarve. Sikundër e theksova në takimin e fundit me drejtuesit e këtij shërbimi dhe drejtuesit e IEVP-ve në mbarë vendin, çdo përpjekje për të cënuar sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit do të marrë përgjigjen e merituar me të gjithë forcën e ligjit. Kontrollet nga SHKBB do të intensifikohen, verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Çdo punonjës që tradhton detyrën dhe bëhet pjesë e skemave kriminale do të përfundojë përpara drejtësisë. Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë”, shkruan Ministri i Drejtësisë. 

 

❌
❌