Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 February 2026Java News

Gjashtë planete bëhen bashkë, çfarë pritet të ndodhë më 28 shkurt

By: A R
11 February 2026 at 14:53

Të gjithë entuziastët e hapësirës do të kenë mundësinë të shohin spektaklin qiellor, ku Mërkuri, Venusi, Jupiteri, Urani dhe Neptuni do të rreshtohen më 28 shkurt, për një paradë të rrallë. Sipas NASA-s, fenomeni i njohur si paradaplanetare ndodh kur të paktën katër ose pesë planetë mund të shihen së bashku. Ajo ndodh sepse planetët rrotullohen rreth Diellit në afërsisht të njëjtin plan të sheshtë, të njohur si plani ekliptik.

Megjithëse nga perspektiva e Tokës disa prej planetëve duken sikur janë në të njëjtën vijë, në fakt secili planet lëviz me shpejtësi dhe distancë të ndryshme. Në këtë mënyrë, parada planetare është thjesht një efekt vizual, pasi në realitet planetët mbeten nga miliona deri në miliarda kilometra larg.

Ky fenomen ka ndodhur edhe vitin e shkuar, më 27 shkurt, kur shtatë planetë, Mërkuri, Venusi, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni, u rreshtuan për të dhënë një spektakël hapësinor, i cili nuk do të shihet sërish deri në vitin 2040.

“Grupet prej tre, katër ose edhe pesë planetësh që janë të dukshëm nuk janë të rralla, duke u shfaqur rregullisht gjatë çdo viti… Por sa më shumë planetë të përfshihen, aq më shumë gjëra duhet të rreshtohen për të qenë të dukshme menjëherë. Kjo i bën paradat e plota me shtatë planetë mjaft të rralla”, shprehet Greg Brown, astronom në Royal Observatory Greenwich.

Sipas NASA-s, mundësitë për të parë shumë planetë mund të zgjasin për një periudhë nga një javë deri në më shumë se një muaj. Ajo që e bën 28 shkurtin të dallueshëm është fakti se planetët do të jenë të grupuar më ngushtë dhe shumë prej tyre mund të shihen së bashku në qiellin e mbrëmjes.

Vlen të përmendet se vetëm katër planetë do të mund të shihen me sy të lirë, Mërkuri, Venusi, Marsi dhe Jupiteri, ndërsa Urani dhe Neptuni do të mund të shihen vetëm me dylbi ose teleskop.

Parada planetare do të jetë e dukshme për njerëzit në të gjithë botën, por meqenëse 28 shkurti është një datë mesatare, shikuesit në pjesë të ndryshme të botës mund ta shohin paradën disa ditë para ose disa ditë pas asaj date.

Sipas aplikacionit për astronomi Star Walk, pamja më e mirë do të jetë më 25 shkurt për Sao Paulo, më 28 shkurt për Athinën, Nju Jorkun, Meksikon dhe Tokion, më 1 mars për Pekinin, Berlinin, Londrën dhe Mumbain, dhe më 2 mars për Reykjavikun.

Marrë nga The Guardian

“Koha ka mbaruar”, 20 shtete ‘rreshtohen’ pas planit urgjent italian (Letra Meloni-Merz)

By: A R
11 February 2026 at 14:45

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka vënë në qendër të agjendës së saj europiane urgjencën dhe nevojën për të vepruar shpejt, duke theksuar se koha për një plan veprimi ka mbaruar.

Në një letër të përbashkët me kryetarin e CDU-së e njëkohësisht kancelarin gjerman Friedrich Merz, dërguar të gjitha shteteve anëtare, Meloni propozon jo një program të përgjithshëm, por një plan konkret me afate të qarta dhe një sërë reformash që duhet të realizohen ose të nisen brenda vitit.

Deri tani, sipas burimeve, kanë rënë dakord 20 shtete, përfshirë edhe Francën e Macron, dhe takimi paraprak me këta liderë është planifikuar për ditën e nesërme, 12 shkurt, para fillimit të Këshillit Europian.

Fjala kyçe që i bashkon të gjithë, pavarësisht qasjeve të ndryshme, është urgjenca.

Siç vëren edhe ish-kryeministri Mario Draghi, Europa është “në minutën e 90-të”, dhe për të ruajtur peshën gjeopolitike si Bashkim që ka ndikim real, duhet vepruar tani ose kurrë më.

Meloni është në qendër të një shkëmbimi të vazhdueshëm dokumentesh, raportesh dhe analizash teknike që vijnë nga ministritë, duke drejtuar takime mbi konkurrencën dhe aftësinë e Bashkimit Europian.

“Asi i ri”

Bashkëpunimi me Berlinin duket i fortë, sidomos në çështje konkrete si tregu i brendshëm dhe thjeshtimi i burokracisë evropiane. Edhe pse Macron ka një qasje më “kryeneçe” duke sugjeruar investime prej 1 200 miliardë eurosh me borxhe europiane, që nuk i pëlqen kancelarit Merz, ai përputhet me urgjencën e situatës dhe do të marrë pjesë në takimin paraprak të organizuar nga Roma dhe Berlini.

Lista e prioriteteve të Komisionit Europian, që italianët dhe gjermanët po mbështesin, është tashmë e gjerë.

Në kabinetin e kryeministres thonë “se duhet një ndryshim ritmi dhe të lëmë pas të gjitha pozicionet ideologjike”. Situata e shkaktuar nga performanca e ngadaltë e marrëdhënieve të mëparshme, së bashku me të dhënat e rritjes së Kinës dhe SHBA-ve, po imponon një reflektim strategjik për të gjithë shtetet anëtare.

Tejkalimi i unitetit?

Në prag të Këshillit që do të mbahet në Alden Biesen, afër Maastricht-it, urgjenca po e bën të rëndësishme progresin mbi ndarjet ideologjike. Presidentja e Komisionit Europian ka paralajmëruar se për çështje të tilla mund të përdoret “bashkëpunimi i fuqizuar”, siç u bë për fondet për Ukrainën.

Kjo do të thotë që disa dosje do të avancojnë vetëm me shtetet që janë gati, pa pritur votën unanime ose të kualifikuar. Burime qeveritare italiane thonë se “askush, përfshirë edhe Berlinin, nuk është i kënaqur të ndryshojë rregullat e shumicës, por nëse alternativa është regres, Roma nuk do të tërhiqet.”

Përballja me konkurrencën globale

Hapi drejt një strategjie të integruar bëhet edhe më urgjent përballë konkurrencës së Kinës dhe SHBA-ve, veçanërisht në sektorë si inteligjenca artificiale dhe mbrojtja.

Letra e përbashkët Itali-Gjermani përfshin edhe përfundimin e “28-tës”, një kuadër ligjor i rëndësishëm për sipërmarrjet dhe start-up-et që duan të rriten shpejt në tregun europian. Kjo do të lejojë që investitorët të zgjedhin ligjet e BE-së dhe jo ato kombëtare, duke transformuar tregun e brendshëm nga një treg i rregulluar në një hapësirë ligjore të integruar, një ndryshim i madh edhe për Romën.

Artikull nga Marco Galluzzo, Corriere della Sera

“Nesër mbaron kjo punë”, mesazhi tronditës i Murselit për Plavën para vrasjes së Liridonës

By: A R
11 February 2026 at 14:37

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar sot në 11 shkurt seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Për këtë rast, i dyshuari kryesor është bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili po përballet me akuzat lidhur me organizimin e vrasjes së 30-vjeçares.

Gjatë seancës së sotme është zbuluar një mesazh që, sipas prokurorisë, është dërguar një natë para vrasjes. Sipas deklarimit në sallën e gjyqit, më 28 nëntor 2023, rreth orës 19:41, Naim Murseli dyshohet se i ka dërguar një mesazh Granit Plavës me përmbajtjen: “Shok, me siguri nesër përfundon”. Ky mesazh u lexua nga gjykatësja gjatë shqyrtimit të provave materiale.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, ky komunikim konsiderohet si një element i rëndësishëm që lidhet me ngjarjen që ndodhi një ditë më pas, ku Liridona Ademaj humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Megjithatë, i akuzuari Naim Murseli deklaroi në seancë se nuk i kujtohet ta ketë dërguar një mesazh të tillë, duke mos e pranuar atë.

Seanca u karakterizua me tension, ndërsa palët paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me provat e administruara deri më tani. Prokuroria po përpiqet të dëshmojë se vrasja ishte e planifikuar, ndërsa mbrojtja po kundërshton akuzat, duke kërkuar verifikim të plotë të komunikimeve dhe rrethanave të paraqitura.

Rasti i vrasjes së Liridona Ademajt ka zgjuar reagime të shumta në opinionin publik, duke u cilësuar si një ndër ngjarjet më të rënda kriminale të viteve të fundit në Kosovë. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë edhe në seancat e ardhshme, ku do të paraqiten dëshmi të tjera, ekspertiza teknike dhe dëshmitarë që mund të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes tragjike.

“Emri i Trump përmendet mbi 1 milion herë në dosjet e Epstein”, Raskin rrëzon pretendimet e Presidentit amerikan për miqësinë e prishur

By: A R
11 February 2026 at 14:29

Politikani amerikan, Jamie Raskin, zbuloi të martën se emri i Presidentit Donald Trump shfaqet në dosjet e pa censurime të Epstein “më shumë se një milion herë”.

Raskin e bëri deklaratën tronditëse në një intervistë me Axios.

Demokrati e bëri këtë zbulim ndërsa po shqyrtonte dosjet së bashku me ligjvënës të tjerë: Thomas Massie, Ro Khanna dhe Becca Balint, raportoi Axios.

Të hënën, Raskin kritikoi “tonelata redaktimesh krejtësisht të panevojshme” në grupin më të fundit të dokumenteve që lidhen me Epstein.

Mes tyre, sipas Raskin, ishte një email që kundërshtonte pretendimet e Trump se ai kishte ndërprerë miqësinë me Epstein dhe e kishte përjashtuar atë nga Mar-a-Lago — një histori që presidenti e ka përsëritur duke mohuar çdo lidhje të fundit me Epstein.

“Avokatët e Epstein përmblodhën dhe cituan Trump duke thënë se Jeffrey Epstein nuk ishte anëtar i klubit të tij në Mar-a-Lago, por ishte mysafir në Mar-a-Lago dhe se atij nuk i ishte kërkuar kurrë të largohej,” tha Raskin.

“Dhe kjo u redaktua për ndonjë arsye të papërcaktuar dhe të pakuptueshme. E di që duket se bie ndesh me disa nga gjërat që Presidenti Trump ka thënë së fundmi për mënyrën se si ai e kishte përjashtuar Jeffrey Epstein nga klubi i tij ose i kishte kërkuar të largohej. Dhe ky ishte të paktën një raport që duket se e kundërshton këtë.”

Trump ka mohuar prej kohësh çdo veprimtari kriminale në lidhje me miqësinë e tij me Epstein, i cili u vetëvra në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual.

Liria kishte emër? Po Haga e drejtësisë…?

11 February 2026 at 14:21

Nga Visar Zhiti

Tani nga Haga erdhi një pretencë nga më të rëndat, jo vetëm për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe për kujtesën historike të luftës çlirimtare të një populli në Europë, të shqiptarëve në Kosovë.

Prokuroria kërkoi 45 vjet burg për Hashim Thaçin, 45 vjet burg Kadri Veselin, 45 vjet burg për Rexhep Selimin dhe 45 vjet burg për Jakup Krasniqin. 189 vjet burg. Nuk është ende një vendim gjykate, por prokuroria e Hagës është çmendur, vetëm pesha simbolike e kësaj kërkese rëndon si një verdikt paraprak jo vetëm mbi kronikën e kohës, mbi të tashmen dhe historinë, por e pëson e ardhmja.

Dhe kronika e historisë nuk është thjesht dosje juridike. Ajo është dhimbje, gjak, shpërngulje, varre pa emër, por edhe qëndresë, sakrificë, ëndërr dhe ringritje, etj., etj..

Kam shkruar dikur: Jo Kosova në Hagë, por Haga në Kosovë. Dhe më pas: Po për gjyqin e Hagës, a ka tjetër gjyq?

Sot ato më duken më aktuale se më parë.

GJYKIMI I HISTORISË APO HISTORIA E GJYKIMIT?

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua si krim, por si përgjigje krimit. Ajo lindi nga një terr represioni shtetëror, nga një realitet ku shqiptarët e Kosovës përjetuan përjashtimin sistematik, burgosje, dhunë dhe spastrim etnik. Në një rrethanë të tillë, qëndresa për mbijetesë dhe kushtrim brezash, të atyre që kishin ikur dhe të atyre që do të vinin.

Të gjykosh sot drejtuesit e saj duke e shkëputur luftën nga koha e saj, nga ai kontekst historik, është një operacion që rrezikon të prodhojë një drejtësi pa kujtesë. Dhe drejtësia pa kujtesë shpesh shndërrohet në krim tjetër, në formalizëm të një politike çnjerëzore.

Ajo po vepron për të gjykuar ekskluzivisht një strukturë të vetme të konfliktit. Pyetja që lind natyrshëm është: a mund të jetë drejtësia e plotë kur është e njëanshme?

Krimet e dokumentuara të aparatit shtetëror serb janë të njohura nga bota. Masakrat, deportimet masive, dhuna sistematike janë pjesë e arkivit të ndërgjegjes europiane. Por historia duket se po futet në një ekuilibër artificial, ku kërkohet një simetri faji edhe aty ku realiteti historik nuk e njeh atë.

TEATRI ABSURD DHE TURPI I KOHËS

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti këtë proces “një teatër absurd të turpit”, duke shtuar se “historia nuk rishkruhet me pranga për ata që sollën lirinë”. Nuk është teatër absurd, – shtoj unë – është absurdi teatral i një krimi tjetër. Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se UÇK ishte mburoja e popullit dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare.

Nuk janë deklarata politike, por shprehje e një ndjeshmërie të gjerë të një populli në Europë, me histori europiane, “mbrojtëse e qytetërimit europian”.

Në këtë proces në Hagë nuk gjykohen vetëm 4 persona në krye të UÇK-së, por një epokë, një kujtesë kolektive (europiane) dhe një identitet.

Kur viktima dhe agresori vendosen në të njëjtën peshore, tek ajo klasikja e Drejtësisë, historia fillon të humbasë drejtimin moral. Drejtësia nuk është thjesht përgjigje juridike, por edhe dallim mes shkakut dhe pasojës. Nëse lufta çlirimtare reduktohet nga kjo Hagë në episod kriminal, atëherë rrezikojmë të krijojmë një narrativë ku popujt që mbrohen dënohen, ndërsa strukturat shtetërore që ushtruan dhunë shpëtojnë në mjegullën e relativizmit po nga kjo Hagë a si kjo.

Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të ruajnë maturinë dhe unitetin. Mbrojtja e luftës çlirimtare nuk do të thotë mohimi i drejtësisë, por kërkesë për drejtësi të plotë, jo selektive.

Ç’është kjo, drejtësi apo gjykim i njëanshëm politik?

E pabesueshme! Kërkesa e Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik shqiptar.

Duket si rast unik në drejtësinë ndërkombëtare një gjykatë e krijuar posaçërisht për të gjykuar vetëm një palë të konfliktit, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë tribunal tjetër nuk është ndërtuar një mekanizëm i tillë selektiv, ku agresori shtetëror, Serbia, me krimet e saj të dokumentuara, mbetet jashtë këtij gjykimi.

Drejtësia që zgjedh vetëm njërën palë nuk është neutrale, por as drejtësi, guxoj të them se është vazhdim i krimeve të atyre që nuk i kanë në bankën e të akuzuarit.

Pavarësisht që e dimë se në praktikën e gjykatave ndërkombëtare, kërkesa për dënime maksimale përdoret shpesh si instrument presioni politik dhe psikologjik, jo domosdoshmërish si reflektim i peshës reale të provave, por këtu kemi diçka më shumë, ndërtimin e një narrative ku lufta çlirimtare trajtohet sikur të ishte projekt kriminal. Kjo zhvendosje e fajit nga struktura shtetërore që ushtroi dhunë tek ata që i bënë ballë asaj, është e rrezikshme dhe me pasoja.

UÇK-ja, zonja Hagë, nuk ishte një ushtri që lindi në paqe. E përsërisim, ajo lindi nga mohimi i të drejtave të njeriut dhe të një populli, nga dhuna shtetërore, u mbyllën shkolla, u burgosën prindër, qytetarë, u masakrua dhe po dëbohej masivisht jeta shqiptare nga trualli i vet. Të gjykosh jashtë këtij realiteti, do të thotë të kryesh jo vetëm padrejtësi juridike, por edhe të bësh falsifikim moral të historisë. Sipas meje, ka disa lexime të mundshme kjo prapaskenë në teatrin absurd të Hagës:

– Krijimin artificial të përshtypjes se “të gjitha palët janë njësoj fajtore”.

– Lehtësim diplomatik për Serbinë dhe jo vetëm duke relativizuar përgjegjësinë e saj shtetërore.

– Një drejtësi formale, mënjanëse, që mbyll kapituj, pa i zgjidhur realisht. Çfarë duhet bërë?

– Transparencë e plotë dhe debat publik i vazhdueshëm, jo heshtje.

– Mbështetje institucionale dhe shoqërore për të akuzuarit, pa paragjykuar, por duke mbrojtur parimin e drejtësisë së barabartë.

– Kundër-narrativë historike dhe morale, e artikuluar qartë në arenën ndërkombëtare.

– Refuzim i barazimit moral mes agresorit dhe viktimës.

Drejtësia nuk është thjesht zbatim ligji, por edhe kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi historike. Kur këto mungojnë, ligji kthehet në antiprocedurë të ftohtë, në “banalizim të së keqes”. Mos duhet në Hagë duhet të postojmë “Procesin” e Franc Kafkës?

Pyes prapë: Për gjyqin e Hagës, a ka tjetër gjyq?

Parlamenti Evropian miraton listën e vendeve të sigurta dhe forcon rregullat për azilin

By: A R
11 February 2026 at 14:13

Bashkimi Evropian po bën një hap të rëndësishëm në reformimin e politikës së azilit, duke avancuar me miratimin e listës së parë të përbashkët të BE-së për vendet e origjinës të sigurta dhe duke forcuar konceptin e “vendeve të treta të sigurta”. Parlamenti Evropian miratoi dy ndryshime të rëndësishme në rregulloren mbi procedurat e azilit, të cilat tani i kalojnë Këshillit të BE-së për miratim përfundimtar.

Sipas ministrit italian të Brendshëm, Matteo Piantedosi, ky është një sukses i madh i qeverisë italiane dhe një kthesë e shumëkërkuar nga Italia në menaxhimin e migracionit. Votimi në Parlament tregoi ndarje të thella politike: Partia Popullore Evropiane (PPE), konservatorët dhe e djathta ekstreme votuan së bashku pro, ndërsa socialistët dhe liberalët u ndanë brenda grupeve të tyre, duke reflektuar qasje të ndryshme kombëtare ndaj çështjes së migracionit.

Rregullorja për listën e vendeve të sigurta u miratua me 408 vota pro, 184 kundër dhe 60 abstenime nga 652 eurodeputetë të pranishëm. Brenda grupit socialist pati përçarje: 25 votuan pro (delegacionet nga Danimarka, Suedia, Malta dhe Rumania), 89 kundër dhe 7 abstenuan. Edhe liberalët e Renew Europe ishin të ndarë: 23 pro, 3 kundër dhe 41 abstenuan. Ndërsa për konceptin e “vendeve të treta të sigurta”, 396 eurodeputetë votuan pro, 226 kundër dhe 30 abstenuan, me ndarje të ngjashme brenda grupeve politike.

Lista e përbashkët e BE-së për vendet e origjinës të sigurta përfshin Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Kosovën, Marokun dhe Tunizinë. Kërkesat për azil nga qytetarët e këtyre vendeve do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, duke rritur mundësinë e refuzimit të shpejtë. Parimi i ri nënkupton se këto vende konsiderohen në përgjithësi të sigurta, përveç rasteve specifike kur aplikanti arrin të provojë rrezik individual.

Gjithashtu, vendet kandidate për anëtarësim në BE do të konsiderohen parimisht të sigurta për shtetasit e tyre, përveç nëse ekzistojnë rrethana të veçanta që kërkojnë një vlerësim tjetër. Shtetet anëtare do të mund të shtojnë vende të tjera në listat e tyre kombëtare të vendeve të sigurta, por nuk do të mund të përfshijnë vende që janë hequr nga lista e përbashkët e BE-së.

Ndryshimet prekin drejtpërdrejt Paktin për Migracionin dhe Azilin, i miratuar në prill 2024 dhe është në fuqi që nga qershori i këtij viti. Disa dispozita do të mund të zbatohen edhe para hyrjes së plotë në fuqi të legjislacionit të ri në qershor 2026, veçanërisht ato që lidhen me procedurat e përshpejtuara në kufi dhe me përcaktimin kombëtar të vendeve të sigurta.

Sipas rregullave të reja, shtetet anëtare do të mund të shpallin të papranueshme kërkesat për azil nëse aplikanti ka një lidhje me një vend të tretë të konsideruar të sigurt, e ka kaluar atë vend gjatë rrugës ose mund të transferohet atje në bazë të marrëveshjeve dypalëshe apo në nivel BE-je. Një element i rëndësishëm është se ankesa kundër vendimit për papranueshmëri nuk do të pezullojë automatikisht vendimin për kthim (riatdhesim), duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të ashpër.

Këto masa shihen nga mbështetësit si një mënyrë për të forcuar kontrollin e kufijve dhe për të reduktuar abuzimet me sistemin e azilit, ndërsa kritikët paralajmërojnë se ekziston rreziku i kufizimit të të drejtës për mbrojtje ndërkombëtare dhe i zhvendosjes së përgjegjësisë jashtë territorit të BE-së.

Me këtë reformë, Bashkimi Evropian po shënon një kthesë të dukshme në politikën e migracionit, duke vendosur theks më të madh te përshpejtimi i procedurave, filtrimi më i rreptë i kërkesave për azil dhe bashkëpunimi me vende të treta për menaxhimin e flukseve migratore./Corriere Della Sera/

Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim

11 February 2026 at 14:05

Nga Roland Qafoku

Nuk ka asnjë vendim të Kongresit të Lushnjes atë shkurt të vitit 1920 që Tirana shpallej kryeqytet. Po si u bë qendra e shtetit shqiptar qyteti që as mendohej të ishte i tillë? Si u bë kryeqytet ky qytet që ishte nënprefekturë dhe varej nga prefektura e Durrësit?

Ndërsa karvani me kuaj dhe karroca shkonin nga Lushnja drejt Durrësit kryeqtet, te Ura e Dajlanit italianët kishin zënë pritë me një arsenal armësh. Ushtria italiane ndodhej ende në Durrës dhe ata nuk e njihnin Kongresin e Lushnjes. Kështu, kishin organizuar të bënin luftë me qeverinë e sapoformuar në Lushnje. Në krye të karvanit ishte Ahmet Zogu vetëm 24 vjeç e 3 muaj që sapo ishte zgjedhur ministër i Brendshëm. Për të mos bërë luftë sepse viktimat do ishin të mëdha nga të dy palët, ai mori një vendim që hyri në histori.

“Do shkojmë në Tiranë dhe qeverinë do ta vendosim në banesat e mamasë time” tha djaloshi me baba nga Mati dhe nënë nga Tirana. Kaq mjaftoi, karvani u drejtua drejt Tiranës atë 11 shkurt 1920 dhe po atë ditë ministrat u sistemuan ku të mundnin në “banesat e mamasë së Zogut”. Dy ditë më pas Zogu nxori dhe firmosi shkresën e parë nga “banesa e mamasë” si ministër i Brendshëm drejtuar të gjitha prefekturave teksa shkroi: “Tirana u shënue për kryeqytet” (Shkresa e datës 13 shkurt që po e publikoj).

Pra, Tirana as ishte zgjedhur, as ishte caktuar, as ishte votuar dhe për këtë nuk ishte marrë ndonjë vendim, por thjesht ishte shënuar. Ky është një rast unikal në botë që një qytet të bëhej kryeqytet pa asnjë vendim. Po ku kishte më mirë se Tirana të bëhej kryeqyet? Dukej sikur vetë Zoti e kishte zgjedhur që qyteti i themeluar në vitin 1614 të bëhej kryeqendra e Shqipërisë dhe kjo u sanksionua në kushtetutë të ishte i përhershëm në vitin 1925. Megjitahtë, kjo u arrit dhe me lëhtësi. E vërteta është se pati shumë kundërshti dhe historianët pak shkruajnë për këtë. Kandidatë potencialë ishin Durrësi, Elbasani, Belshi, Korça dhe veçanërisht Shkodra për të cilin kishte propozime serioze deri nga personalitete të larta si Fan Noli, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë.

Por, për fat kryeqytet mbeti Tirana. E para ambasadë që u vendos në Tiranën kryeqtet ishte ajo amerikane në korrik të vitit 1922. Të gjitha të tjerat ishin në Durrës. Diplomati Maxëell Blake që ishte edhe shefi i parë i ambasadës amerikane në Shqipëri me statusin komisioner mori me qira godinën “Sarajet e Toptanëve” që për fat ndodhet akoma dhe ato ditë i shkruante Departamentit të Shtetit: Unë mendoj që të instalohemi në Tiranë, ndryshe nga legatat e tjera sepse parashikoj që ky do jetë edhe kryeqytet i përhershëm”.

Gjithçka më pas është histori. Sapo në Kushtetutën e vitit 1925 Tirana u shpall kryeqytet i përhershëm Kongresi Amerikan mori një vendim për të ndërtuar të parën godinë jashtë kufijve të SHBA dhe kjo ishte ambasada amerikane në Tiranë, pikërisht godina që ndodhet edhe sot. Sot pas 106 vjetësh na mbetet të themi vetëm që jemi me fat që Tirana “u shënue” kryqytet.

Asnjë qytet tjetër nuk do kishte marrë rëndësinë që mori Tirana por dhe asnjë qytete tjetër nuk do kishte dashamirësinë dhe tolerancën që jo vetëm të bëhej kryeqytet por edhe të pranonte çdo shqiptar të ardhur nga çdo cep I vendit. Këtë e perifrazoi aq bukur burri më i mençur dhe personaliteti i profilit më të lartë që ka nxjerra Tirana, Hafiz Ibrahim Dalliu kur mësoi që Tirana ishte “shënue kryeqytet” i cili lëshoi nga goja një thënie lapidare: Lum Tirana kryeqtet, mjer tironsit çër i gjet. Rroftë Tirana kryeqytet dhe tiransit që na pranuan në këtë qytet!

 

Drogë nga Shqipëria drejt Italisë, 7 persona në paraburgim, goditet grupi i trafikut

By: A R
11 February 2026 at 13:57

Autoritetet italiane kanë lëshuar shtatë masa paraburgimi kundër një grupi kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge me kokainë, me qendër të aktivitetit në Foligno, në provincën e Perugias.

Hetimet, të zhvilluara nga Guardia di Finanza e Perugias që nga viti 2024, zbuluan se organizata kriminale kishte një strukturë piramidale me një dorëheqës kryesor të cilin autoritetet e identifikuan si kryesor koordinues nga Shqipëria, i cili drejtonte furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës në territorin italian.

Nga hetimet është parë se grupi përdorte një restorant në Foligno si mbulim dhe riinvestim i të ardhurave, ndërsa aktivitetet e trafikimit përdornin kriptotelefonë dhe mjete të sofistikuara për të shmangur kapjen nga autoritetet, sipas mediave italiane.

Në periudhën e hetimeve janë dokumentuar më shumë se 50 episode të lidhura me lëvizjen e drogës, përfshirë edhe rreth 68 kg kokainë të sekuestruar në zbulimin paraprak që çoi në arrestimin e një ristoratori të zonës.

Tre të dyshuar janë dërguar në burg, njëri është vendosur në arrest shtëpiak dhe tre të tjerë janë ende në kërkim nga policia italiane.

Berisha: Te Trauma asnjë polic i lënduar. Këlliçi po hante bukë gjatë protestës, policia e procedon

By: A R
11 February 2026 at 13:49

Kryedemokrati Sali Berisha ka përgënjeshtruar deklaratat e Policisë dhe ministrave Albana Koçiu dhe Besfort Lamallari për plagosjen e 16 policëve gjatë protestës së opozitës. Berisha shprehet se mbrëmjen e djeshme ka shkuar te Spitali i Traumës dhe se ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë polic të lënduar. Sipas tij, e gjitha ka qenë skenar i qeverisë.

“Mbrëmë kam shkuar te Spitali i Traumës. Këta njoftonin se 7 policë ishin te trauma. Asnjë i vetëm. Personeli mjekësor më njoftoi se 5 policë i kishin dërguar pa asnjë problem, asnjë lloj shqetësimi.

E vërteta kjo. Nuk kishte asnjë polic të plagosur, gjithçka skenar.

Asnjë të gërvishtur. Unë i denoncova menjëherë, dhanë komunikatën tjetër se kanë shkuar në 2 spitale. Gënjeshtra. Në një kohë që janë qëlluar me plumb në ballë protestuesit paqësorë”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati ka komentuar gjithashtu dhe procedimin penal ndaj 5 anëtarëve të PD-së, ku sqaron se Belind Këlliçi gjatë kohës së protestës po drekonte me një kandidat për në Kongresin e SHBA, ndërsa akuzon se Klevis Balliu u keqtrajtua nga policia.

“Sot narko policia me urdhër të Ramës njoftoi se ka dërguar për ndjekje penale, Nokën,  Minarollin, Balliun që e keqtrajtuan dje, u përpoqën ta asfiksojnë me gaz në fytyrë, Këlliçin i cili në kohën kur zhvillohej protesta po drekonte me një kandidat për në kongresin e SHBA, shqiptaro-amerikan në Michigan. Kuptojeni pra, se çfarë mashtruesish ordiner të neveritshëm janë”, deklaroi Berisha.

Kërkesa e Veliajt kundër Dados, Gjykata Administrative vendos datën e seancës përgatitore

By: A R
11 February 2026 at 13:41

Gjykata Administrative do të zhvillojë më datë 3 prill seancën përgatitore lidhur me kërkesë-padinë e Erion Veliajt për prokurorin e posaçëm, Ols Dado.

Kryebashkiaku pretendon se është emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin, pasi nuk kishte kryer Magjistraturën.

Veliaj pretendon gjithashtu se zoti Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet ligjore.

Porosia 150 mijë euro, Hoxha: Do i vrisnim babain, që i biri të shfaqej në varrim

By: A R
11 February 2026 at 12:52

Henrik Hoxha, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme, rrëfeu të martën çfarë fshihej pas atentatit të dështuar të biznesmenit Lulëzim Masha, në janar 2022 në Tiranë.

I pandehuri, që gjatë hetimit iu hoq statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, tregoi se shënjestra e vërtetë kishte qenë djali i Mashës. Por, sipas Hoxhës, meqë nuk e gjenin dot djalin e biznesmenit, atëherë planifikuan t’i vrasin të atin për një qëllim edhe më makabër.

Që i biri të shfaqej në ceremoninë mortore dhe të kishin mundësi ta ekzekutonin, shkruan A2.

Hoxha rrëfeu se porosinë e kishte marrë nga Nuredin Dumani: “Në fillim diskutuam për 150 mijë euro, tha Hoxha, për vrasjen e djalit. Pastaj për Lulzim Mashën ramë dakord për 100 mijë euro”.

Në përgjigje të pyetjeve të prokurorëve, Hoxha tha se kishte vëzhguar për gati 1 vit lëvizjet e biznesmenit dhe se në fund kishin vendosur që vrasjen ta bënin pranë Liqenit Artificial. Hoxha u shpreh se kishte çuar Skerdi Tasin pranë vendit ku do kalonte biznesmeni dhe vetë ishte larguar.

Më pas, kur ishte takuar me Tasin, kishte mësuar se atij i ishte bllokuar arma dhe se biznesmeni vetëm ishte plagosur.

“Unë një ditë më parë shkreva 1 karikator me atë armën, por atë ditë ngeci”, tha Hoxha, që shtoi se teksa kishte ndodhur ngjarja ai kishte një radio policie në makinë dhe se dëgjonte komunikimet e forcave të rendit.

Hoxha tregoi edhe për planifikimin e një atentati ndaj Oti Kilës në Elbasan, që nuk u realizua, person që sipas Nuredin Dumanit kishte strehuar Talo Çelën. Po ashtu, ai rrëfeu se kishte transportuar Dumanin në Fier, pasi i bënë atentat në aksin Peqin-Elbasan dhe detyrimin e mjekëve për ta kuruar në shtëpi.

“Erdhi policia aty, nuk di se si. Pastaj Nuredini na shiti të gjithëve. Ne kemi vrarë 100 si puna e Nuredinit. Kur e pyeta Nuredinin për ngjarjen, më tha: mua ishin 4 veta, 3 me maska, shoferi pa maskë ishte Talo Çela. Unë nuk e besova, por kështu më tha”, tregoi Hoxha.

9 viktima dhe 25 të plagosur nga të shtënat në Kanada, Begaj: Dënojmë çdo akt dhune që merr jetë njerëzore

By: A R
11 February 2026 at 12:43

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për tragjedinë që tronditi Kanadanë perëndimore mëngjesin e kësaj të mërkure (11 shkurt) ku nëntë persona humbën jetën dhe 25 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një shkollë të mesme dhe në një banesë pranë saj, në zonën e Tumbler Ridge.

Kreu i shtetit ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe iu ka uruar shërbim të shpejtë të plagosurve.

Ai shprehu solidarizimin e vendit me popullin kanadez, ndërsa ka dënuar aktet e dhunës që marrin jetët njerëzore.

“I tronditur nga të shtënat tragjike në një shkollë në British Columbia. Ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria solidarizohet me popullin kanadez dhe dënon çdo akt dhune që merr jetë njerëzore”, shkruan kreu i shtetit në rrjetin social X.

Horoskopi ditor për nesër, e Enjte 12 Shkurt 2026

By: A R
11 February 2026 at 12:34

Dashi

Sot energjia juaj forcohet ndjeshëm. Ka vendosmëri dhe guxim në çështjet e punës. Nëse keni një marrëveshje apo diskutim të hapur, është dita e duhur për ta përmbyllur. Në dashuri duhet më shumë qetësi: shmangni fjalët e nxituara dhe tregoni mirëkuptim. Beqarët mund të kenë një takim interesant gjatë mbrëmjes. Durimi është çelësi i suksesit sot, sidomos kur mendimet bëhen të paqarta. Veproni me siguri, por pa nxitim.

Demi

Kjo ditë kërkon realizëm dhe përqendrim. Favorizohen çështjet financiare, menaxhimi i të ardhurave dhe planet afatgjata. Jeni në një fazë ndërtimi të qëndrueshëm, por mos e mbingarkoni veten. Në dashuri ka stabilitet, edhe pse mund t’ju rikthehet në mendje një situatë e së kaluarës. Mos u ktheni pas. Në punë, lexoni me kujdes dokumente dhe detaje. Fati ju ndihmon në gjëra të vogla, por të rëndësishme.

Binjakët

Sot jeni të fortë në komunikim. Fjala juaj bind, bindja juaj hap dyer. Është një ditë e mirë për sqarime, biseda të rëndësishme dhe prezantime. Kujdes vetëm të mos shpërndani energjitë në shumë drejtime njëherësh. Përqendrohuni në një qëllim të vetëm. Në dashuri kërkoni liri dhe freski. Një ftesë e papritur mund t’ju ndryshojë humorin pozitivisht.

Gaforrja

Sot ndjeshmëria juaj është më e fortë se zakonisht dhe ju ndihmon të kuptoni situata dhe njerëz pa pasur nevojë për shumë fjalë. Në punë, mos e merrni çdo kritikë personalisht; shiheni si ndihmë për përmirësim. Familja ka nevojë për praninë dhe fjalën tuaj të butë. Në dashuri, mbrëmja është e favorshme për afërsi dhe qetësi emocionale. Besojini ndjenjave tuaja.

Luani

Sot ambicia ju shtyn përpara. Jeni në qendër të vëmendjes dhe mund të merrni vlerësime për punën tuaj. Është moment i mirë për të treguar aftësitë tuaja, por shmangni sjelljet autoritare. Në dashuri ka pasion, por edhe rrezik për xhelozi të panevojshme. Kërkoni ekuilibër mes dëshirës për të dominuar dhe nevojës për mirëkuptim. Rezultatet janë afër, por kërkojnë maturi.

Virgjëresha

Sot mendja juaj funksionon me saktësi të lartë. Jeni praktikë, analitikë dhe efikasë. Në punë do të vlerësoheni për përpikmërinë. Në dashuri, përpiquni të mos analizoni çdo gjë: lini vend edhe për ndjenja. Një takim i rastësishëm mund të thyejë rutinën. Mos e fshihni dobësinë, sepse ajo ju bën më njerëzorë. Kujdesuni për pushimin dhe energjinë fizike.

Peshorja

Të dashur Peshore, harmonia është pika juaj e orientimit sot. Ndjeni nevojën të rrethoheni me bukuri dhe njerëz pozitivë. Marrëdhëniet shoqërore janë të favorizuara dhe mund të sjellin bashkëpunime të reja profesionale. Është një ditë e mirë për të ndryshuar pamjen personale ose për të freskuar ambientin e shtëpisë. Në dashuri, zgjidhni dialogun dhe jo heshtjen ndëshkuese. Hëna ju shtyn të ëndërroni më shumë, por kërkohet edhe realizëm. Gjeni ekuilibrin mes zemrës dhe arsyes për të përfituar maksimalisht nga kjo ditë.

Akrepi

Sot përjetoni një intensitet emocional të fortë. Karizma juaj është shumë e dukshme dhe tërheq vëmendje. Në punë, ndiqni intuitën: një çështje që dukej e mbyllur mund të rihapet papritur. Në dashuri kërkoni sinqeritet dhe thellësi, mos u kënaqni me përgjigje sipërfaqësore. Forca juaj e brendshme ju ndihmon të zgjidhni edhe një problem administrativ që e keni zvarritur prej kohësh. Aktiviteti fizik do t’ju ndihmojë të shkarkoni tensionin. Sot është një ditë rilindjeje dhe force.

Shigjetari

Sot rrezatoni energji dhe optimizëm. Jeni gati për një fillim të ri, qoftë në formën e një udhëtimi apo një ideje të re. Përpjekjet e bëra në muajt e fundit fillojnë të japin rezultate pozitive në punë. Në dashuri, spontaniteti është arma juaj më e fortë për të afruar dikë që ju intereson prej kohësh. Mos i vendosni vetes kufij të panevojshëm. Sot keni mbështetje dhe fat në anën tuaj.

Bricjapi

Kjo ditë flet për qëndrueshmëri dhe pjekuri. Po ndërtoni diçka të rëndësishme hap pas hapi dhe rezultatet po duken. Në punë, autoriteti juaj është i pranuar, por shmangni ftohtësinë me bashkëpunëtorët. Në dashuri, nevojitet më shumë butësi dhe afërsi emocionale. Lëreni mënjanë mbrojtjen dhe hapuni më shumë. Një investim i vogël financiar mund të japë përfitime afatgjata. Vendosmëria juaj është çelësi i suksesit. Vazhdoni në këtë rrugë.

Ujori

Sot ndjeni nevojën për ndryshim dhe liri. Rutina ju bezdis dhe kërkoni stimuj të rinj. Është një ditë e mirë për të eksploruar interesa të reja, një kurs apo një pasion ndryshe nga e zakonshmja. Në punë, idetë tuaja origjinale mund të duken të pazakonta në fillim, por do të vlerësohen. Në dashuri kërkoni lidhje mendore dhe mirëkuptim, më shumë sesa afërsi fizike. Liria është shumë e rëndësishme për ju, por mos neglizhoni lidhjet e qëndrueshme që ju japin siguri.

Peshqit

Sot mbyllni këtë ditë me ndjeshmëri të lartë dhe botë të pasur emocionale. Jeni shumë të hapur ndaj ndjenjave dhe atmosferës përreth. Në punë, kreativiteti është në nivel të lartë dhe ju ndihmon të gjeni zgjidhje jo të zakonshme. Në dashuri, mund të përjetoni momente shumë të bukura dhe emocionale. Kujdes vetëm të mos idealizoni tepër situatat; qëndroni me këmbë në tokë. Kujdesi për anën shpirtërore ju sjell qetësi. Paqja e brendshme është pasuria juaj më e madhe sot.

Dhuna ndaj policëve në protestë, Koçiu: Autorët do dënohen maskimalisht!

By: A R
11 February 2026 at 12:21

“Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet e për më tepër duke hedhur sende të forta e molotovë ndaj punonjësve të policisë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm”,.

Kështu e nis deklaratën e saj sot, 11 shkurt, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, sa i takon gjithë incidenteve të protestës së djeshme.

“E drejta për të protestuar është e paprekshme, por dhuna është e pafalshme. Kush sulmon uniformën e Policisë së Shtetit dhe tenton të destabilizojë rendin kushtetues, do të përballet me ligjin përtej çdo alibie politike. Jemi në krah të çdo punonjësi policie që shërben me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje edhe përballë një proteste të dhunshme, si dhe në mbrojtje të së drejtës për të protestuar të çdo qytetari që zgjedh demokracinë, jo dhunën.”


Sipas ministres, keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, dhe po ashtu një shkelje e rëndë morale.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit”, paralajmëron ajo.

NATO me hierarki të re? Europianët marrin përgjegjësitë që dikur ishin të amerikanëve

By: A R
11 February 2026 at 12:13

Ky artikull i botuar nga Corriere della Sera analizon ndryshimet e fundit në strukturën e komandës ushtarake të NATO-s, duke theksuar një zhvendosje të pjesshme të përgjegjësive nga Shtetet e Bashkuara drejt aleatëve europianë.

Është një hap pas i amerikanëve brenda NATO-s dhe, për pasojë, një hap përpara për europianët.

Komanda Supreme Ushtarake e Aleancës mbetet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, pikërisht të gjeneralit Alexus Grynkewich, i cili mbikëqyr të gjitha operacionet nga selia qendrore në Mons, Belgjikë.
Alexus Grynkewich

Por dje, 10 shkurt, Komiteti Ushtarak, i përbërë nga përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare, konfirmoi vendimin për të rishpërndarë detyrat në tre qendrat operative, “Joint Force Command”, që raportojnë direkt te Grynkewich. Shtetet e Bashkuara do t’i lënë Italisë udhëheqjen e Komandës së Napolit, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të marrë drejtimin e Komandës së Norfolk në Virxhinia.

Në qendrën e tretë, me bazë në Brunssum, në Holandë, një gjeneral polak do të shoqërojë kolegun e tij gjerman, Ingo Gerhartz.

Ndryshimet, sipas faqes së NATO-s, do të ndodhin gradualisht gjatë viteve.

Nuk ekzistojnë rregulla që përcaktojnë kohëzgjatjen e mandatit të një komandanti në këtë nivel, por zakonisht qëndrohet 2-3 vjet. Në Napoli, admirali i Marinës amerikane, George Wikoff, mori detyrën më 19 nëntor 2025, ndaj duket se do të kalojë pak kohë para se një zyrtar italian të marrë rolin e tij.

Megjithatë, ky është një ndryshim i rëndësishëm.

George Wikoff

Ministria e Mbrojtjes, nën drejtimin e Guido Crosetto, e konsideron këtë vendim si një njohje për qeverinë italiane, që prej kohësh ka theksuar rëndësinë strategjike të krahut jugor të NATO-s.

Reagime të ngjashme vijnë edhe nga Mbretëria e Bashkuar: britanikët do të udhëheqin aktivitetet e bazës së Norfolk, duke garantuar sigurinë e rrugëve transatlantike dhe mbrojtjen e Groenlandës. Ky është një detaj interesant, edhe pse tensioni rreth Ishullit të Arktikut, i nxitur nga kërcënimet e mundshme për aneksim nga Trump, është ulur ndjeshëm.

Gjermanët dhe polakët, nga ana tjetër, do të menaxhojnë së bashku nga Brunssum, rajonin e Europës Lindore. Edhe këtu duket qartë ngarkesa e përgjegjësisë që i jepet Polonisë, një nga vendet më të vendosura për të mbështetur rezistencën ukrainase kundër agresionit të Vladimir Putinit.

Baza e Norfolk

Presidenti i Komitetit Ushtarak, admirali Giuseppe Cavo Dragone, komentoi skenarin e ri përmes një postimi në platformën “X”:

Është një arritje historike, aleatët europianë, përfshirë edhe anëtarët e rinj, janë thirrur të luajnë një rol më të fortë në udhëheqjen ushtarake të Aleancës.

Cavo Dragone thekson se Shtetet e Bashkuara konfirmojnë “angazhim të fortë ndaj NATO-s”.

Washingtoni, përveç që mbetet në krye të hierarkisë, përfundon edhe zinxhirin e tre komandave taktike, duke marrë nga britanikët kontrollin e “Allied Maritime Command” (Marcom), i vendosur në Northwood, pranë Londrës.

Dy qendrat e tjera nën drejtimin amerikan janë “Air Command” në Ramstein, Gjermani, dhe “Land Command” në Izmir, Turqi.

Dokumentet e NATO-s shpjegojnë se tre strukturat “taktike” janë “shtesë” për të treja komandat operative, por Northwood, Izmir dhe Ramstein ofrojnë analizat e nevojshme për menaxhimin e krizave ose situatave emergjente.

Cavo Dragone

Këto janë aspektet tekniko-ushtarake, të cilat natyrisht rrjedhin nga ndryshimi politik i vendosur nga Washingtoni.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga aleatët një ndarje më të madhe të shpenzimeve që nga koha e Barack Obama-s.

Donald Trump shtyn për një hap më tej: jo vetëm shpenzimet, por edhe përgjegjësitë e komandës në rajonet ku mund të delegohet drejtimi duhet të shpërndahen. Atlantiku është i mbrojtur nga kërcënime të menjëhershme dhe për këtë mund t’i besohet partnerëve më të ngushtë, britanikëve.

Mesdheu është vazhdimisht nën vëzhgimin e Flotës së 6-të amerikane, ndaj koordinimi i NATO-s mund t’i lihet Italisë.

Sa i përket Lindjes dhe Ukrainës, kjo lëvizje përputhet me linjën e Trump: le t’i menaxhojnë europianët.

Protestë në Durrës, banorët e prekur nga projekti “TID” përplasen me këshilltarët dhe policinë

By: A R
11 February 2026 at 12:05

Edhe në Durrës banorët që preken nga projekti “TID Durrës”, kanë protestuar përpara Bashkisë. Ata janë kundër trajtimit me qira pa arritur dakordësimin e shpronësimit të pronave të tyre. Gjatë protestës qytetarët u përplasën me këshilltarët dhe punonjësit e policisë, teksa këta të fundit kanë kryer dhe arrestime.

Banorët kërkuan fillimisht të hyjnë në mbledhjen e këshillit bashkiak për të ndalur nisjen e diskutimeve. Disa prej këshilltarëve që u paraqitën me vonesë, u penguan nga protestuesit të hynin në bashki, teksa nuk munguan as përplasjet fizike dhe ofendimet ndaj tyre.

Kërkesës së banorëve për të penguar këshilltarët të marrin pjesë në mbledhje, efektivët e policisë iu përgjigj me arrestime. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik.

Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit. Projekti i rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, i njohur si TID Durrës, parashikon shpronësimin e 74 familjeve durrsake, i cili sipas zhvilluesve parashikon ta rikthejë qytetin e Durrësit në hartën Europiane të destinacioneve kulturore dhe historike, si dhe të ofrojë mundësi përfitimi ekonomik nëpërmjet trashëgimisë së pasur kulturore dhe historike të qytetit për komunitetet lokale.

7 muaj pa paga, punëtorët e sigurimit të Bankers Petroleum ngrihen në protestë

By: A R
11 February 2026 at 11:55

Dhjetëra punonjës të kompanisë së sigurimit të Bankers Petroleum, “SHPSF Serjani”, janë ngritur në protestë paraditen e sotme, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën e tyre ekonomike.

Sipas protestuesve, prej 7 muajsh ata nuk kanë marrë pagat, duke e kthyer përditshmërinë e rreth 120 punonjësve aktualë në një betejë të vështirë për mbijetesë. Kjo është protesta e katërt brenda 7 muajve, çka sipas tyre tregon se situata nuk ka marrë asnjë zgjidhje konkrete.

Protestuesit deklarojnë se janë zhytur në borxhe dhe kredi, pasi mungesa e pagave i ka lënë pa mundësi për të përballuar shpenzimet bazë familjare.

Përballë kësaj situate, protestuesit paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat paralelisht me punën, deri në momentin kur problematika e tyre të marrë një zgjidhje përfundimtare.

“Jam i burgosur politik”, Memolla pas dënimit: Familja ime ta ketë kokën lart. Të drejtën do e kërkoj deri në Strasburg

By: A R
11 February 2026 at 11:47

Pas arrestimit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, ka reaguar përmes një mesazhi publik drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve të tij.

Në një postim të gjatë, ai flet për situatën në të cilën ndodhet, e cilëson veten “të burgosur politik” dhe shpreh bindjen se do të përballet me drejtësinë deri në fund, duke deklaruar se beteja e tij nuk mbyllet këtu.

REAGIMI

Miqtë e mi, t’ju flas tashmë në cilësinë e një ish kryetari është normale por në cilësinë e një të burgosuri politik me apo pa të drejtë sigurisht që është e rëndë.

⚪Së pari, falenderoj me zemër çdo mik/e, shok/shoqe, koleg/e, mbështetës/e, qytetar/e dhe familjarë për mbështetjen e pakufijshme që më keni dhënë nga dhjetori i vitit 2020 e deri më sot, bashkë kaluam sfida përtej asaj çfarë mendonim se ishim të aftë të përballonim por sot fjalët për të përmendur arritjet tona mendoj që janë të tepërta pasi kush ka pasur sadopak besim dhe dëshirën e mirë, ka parë transformimin dhe ‘luftën’ e pastër që të gjithë bashkë kemi bërë krah për krah për të bërë më të mirën për qytetin tonë.

⚪Së dyti, kushtet në të cilat flas nuk janë absolutisht ato që prisja nga vetja ime dhe nga drejtësia për të cilën kam luftuar fort, por mesa duket tentakulat e gjyqtarëve kundërshtarë politik, shtrihen më gjerë sesa besimi dhe forca që ka drejtësia e re, ama lufta ime nuk mbaron këtu, do përdor çdo mundësi ta fitoj të drejtën time deri në Stasburg.

⚪Së treti, fjala merr dhenë më shpejt se era dhe përveçse flitet se këtë situatë e kam “peshqesh” nga kundërshtarë politik, nuk më pëlqen aspak ideja që diskutimi zgjerohet duke thënë që “peshqeshi” vjen nga rradhët e partisë socialiste qoftë brenda qytetit apo më lart.
Miqtë e mi, me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në krye, në Rrogozhinë, kemi fituar pesë palë zgjedhje, qytetarët na besuan plot pesë herë për aq kohë sa kam qenë drejtues apo kandidat, nëse do kishte sulme personale, askush s’do më kishte lejuar të ushtroja këtë “pushtet” me të gjithë ju përkrah nëse punët do ishin ndryshe nga çfarë janë, unë jam socialist dhe i tillë do mbetem dhe ju duhet të siguroheni që me ose pa mua të qëndroni të bashkuar, mos lejoni as kundërshtarët politik dhe as njëri tjetrin që t’ju distancojë nga qëllimi final, këto s’janë vetëm fjalët e një të burgosuri por janë fjalët e dikujt që njeh çdo rrënjë, degë apo gjethe të familjes së madhe socialiste.

⚪Së katërti, sulmet personale, politike madje edhe familjare kanë qenë të njëpasnjëshme që në momentin që kam futur këmbët në zyrën e kryetarit të bashkisë Rrogozhinë dhe kam pasur bindjen që janë normale por të sulmohem dhe të burgosem sa kam ndihmuar dikë në nevojë, e kam shprehur dhe do ta them sërish…sa herë të kem mundësi t’i qëndroj pranë dikujt në vend që ta “gjunjëzoj” përballë vështirësive të jetës, çdo herë do kisha bërë të njëjtën sjellje për ta ndihmuar, qoftë kjo për energjinë elektrike apo nevoja të tjera jetësore. Kryetarllëku ikën e vjen po dashtë zoti jeta do të jetë shumë më e gjatë sesa kaq.

⚪Së pesti, do ketë plot që do mërziten sikundër do jenë të shumtë dhe ata që janë gëzuar për gjendjen ku ndodhem, kam dy fjalë edhe për këtë…ndoshta do quhem i korruptuar, ndoshta hajdut, ndoshta i pabesë, ndoshta zaptues i asaj karrigeje, ndoshta do përflitem që mora apo lash stafetë kur ndërkoh aty vendoset ai që populli dhe drejtuesit mendojnë të aftë, ndoshta quhem si dikush që i ka rënë dikujt kot në qafë, mund të hidhet vrer mbi mua apo dhe ndaj familjes time, këto janë fjalë që do thuhen qofsha un më i miri apo më i keqi drejtues që ka qenë në krye të atij institucioni por dëshira e mirë dhe të kem dinjitetin tim të paprekur kanë qenë gjithnjë udhëheqësit e mi kryesor.

⚪Së fundmi, qyetarëve i uroj përzemërsisht të kenë shëndet, mbarësi dhe dashuri në familjet e tyre.
Mbështetësve i them besojnë fort që më e mira është përpara, fati bëri një lojë tjetër me mua dhe vendosi që të vuaj dënimin në një institucion për të cilin u bë “molla e sherrit” në “kulmin” e karrierës sime por siç kuptuam edhe atëherë, fundi mund të jetë afër por shpresa për më mirë nuk ka asnjëherë fund. Vazhdoni të besoni dhe të luftoni për idealet tuaja, pavarësisht pengesave që do dalin para.

Dhe e fundit edhe më e rëndësishme, i them familjes dhe të afërmve të mi që të rrijnë me kokën lart, Edisoni juaj është i burgosur por nuk është kriminel, Edi juaj as nuk ka vrarë, as nuk ka prerë dhe as nuk ka vjedhur, ju s’keni gabuar askund ndaj mos u mërzisni, është thjeshtë një sfidë tjetër të cilën do ta kalojmë të gjithë bashkë me miq e shokë zemre pranë.
Për të gjithë…nuk është një lamtumirë por vetëm një mirupafshim për një kohë të caktuar, zoti ju bekoftë!
Me respekt, Edison Memolla!

Çmontonin dhe shisnin pjesë makinash të kontrabanduara nga Britania, arrestohet 1 person, në kërkim bashkëpunëtori

By: A R
11 February 2026 at 11:39

Policia e Beratit ka arrestuar një 30-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim një 31-vjeçar pasi këta persona në servisin e tyre çmontonin dhe shisnin pjesë automjetesh të kontrabanduara nga Britania.

68 automjete janë sekuestruar nga policia të cilat ishin pa pajisje dokumencacioni blerje dhe doganore.

Gjatë kontrolleve në subjektin e dy të arrestuarve (servise për automjete/subjekte për shitje pjesësh për automjete), u gjetën përkatësisht 55 dhe 13 automjete (pjesërisht të çmontuara), për të cilat nuk posedoheshin dokumente blerjeje dhe as doganore.

“Berat/Finalizohet operacioni i koduar “Çmontimi”.

Zbulohen në Dimal, 2 subjekte ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Sekuestrohen 68 automjete (pjesërisht të çmontuara).

Arrestohet pronari i njërit subjekt, shpallet në kërkim pronari i tjetrit.

Si rezultat i kontrolleve, punës operative dhe asaj hetimore, me fokus konstatimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve ekonomike, në informalitet dhe/ose me produkte të kontrabanduara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, finalizuan operacionin e koduar “Çmontimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë.

Gjatë kontrolleve në subjektin e tyre (servise për automjete/subjekte për shitje pjesësh për automjete), u gjetën përkatësisht 55 dhe 13 automjete (pjesërisht të çmontuara), për të cilat nuk posedoheshin dokumente blerjeje dhe as doganore.

Automjetet dyshohet se janë të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Punohet për kapjen e shtetasit R. S..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

“Padrejtësi ligjore dhe historike”, avokati i Thaçit-gjykatësve: Këta burra duhet t’i prezumoni të pafajshëm, ua kërkon ligji!

By: A R
11 February 2026 at 11:30

Sot nis dita e tretë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit, tha në fillim të deklaratës së tij përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë se klienti i tij është i pafajshëm.

Avokati kritikoi mënyrën e mendimit të Prokurorisë së Specializuar, që kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.

“Hashim Thaçi është i pafajshëm”, tha fillimisht Misetic.

“Para jush keni katër burra, për të cilët ligji thotë që duhet t’i prezumoni të pafajshëm”, tha ai.

Misetic tha se në këtë pikë trupi gjykues duhet të nisë argumentimin për marrjen e vendimit në këtë rast gjyqësor.

“Kjo është pikënisja juaj kur të filloni argumentimet për marrjen e vendimit. Ne e dimë që në këtë pikë të procedurës ai është i pafajshëm, pasi ligji ju kërkon juve që ta prezumoni atë të pafajshëm”.

Pasi të jepen të gjitha deklaratat përmbyllëse, që parashikohet të kryhen deri më 18 shkurt, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, që ka tre muaj kohë për shpalljen e një aktgjykimi.

Misetiç përmendi edhe çfarë kanë thënë disa dëshmitarë në mbrojtje të Thaçit.

“Ju keni dëgjuar nga dëshmitarët ndërkombëtarë që kanë thënë se Hashim Thaçi nuk dyshohej për krime lufte, ndërkohë që këto ngjarje po ndodhnin dhe po zhvilloheshin. Dëshmitarët ndërkombëtarë ju thanë se për këto ngjarje ishin të informuar përmes burimeve diplomatike, shërbimeve të inteligjencës dhe të tjera, si dhe përmes përvojave të tyre personale, përfshirë përvojat e tyre me Hashim Thaçin”.

Në mesin e figurave që dëshmuan në mbrojtje të Thaçit janë: ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill.

Avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se e sheh problematik faktin që në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”.

Përgjatë fjalës së vet, avokati i Thaçit u ka thënë gjykatësve se shpallja fajtor e klientit të tij do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”.

“Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”.

Misetic u fokusua te pika e akuzës së Prokurorisë (ZPS) se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës.

Avokati u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë.

“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Misetic.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

❌
❌