Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Java News

Kristjan Asllani prezantohet te Beshiktashi: Kam lindur shqiponjë dhe është në gjakun tim

By: E S
31 January 2026 at 16:43

Kristjan Asllani është prezantuar te Besiktas me fraza motivuese.

Duke folur italisht, mesfushori i Kombëtares lidhi faktin se ai është shqiptar me simbolin e këtij klubi, që është shqiponja.

“Kam lindur shqiponjë dhe është në gjakun tim. Një shqiponjë nuk tërhiqet kurrë mbrapa dhe unë do e tregoj. I lindur për të fluturuar dhe i krijuar për të luftuar. Asnjë frikë, asnjë justifikim. Vetëm zemër. Përqendrim maksimal. I lindur shqiponjë, gjithmonë shqiponjë”, janë fjalët e Asllanit në videon e publikuar nga Beshiktashi.

“Punonte roje private në minierë, dyshohet se…”, policia jep detaje për vdekjen e 58-vjeçarit në Bulqizë

By: E S
31 January 2026 at 16:32

Policia e Dibrës ka dhënë detaje nga vdekja e një 58-vjeçari ditën e sotme në Bulqizë.

Sipas policisë, dyshohet se 58-vjeçari mund të ketë rrëshqitur nga një lartësi dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Njoftimi i policisë

Më datë 31.01.2026, në një zonë minerare në Bulqizë, është gjetur pa shenja jete shtetasi B. K., 58 vjeç, i cili punonte rojë private te një subjekt minerar.

Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se 58-vjeçari mund të ketë rrëshqitur nga një lartësi dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Pezullimi i vizave amerikane/ Eksperti i emigracionit: Pse shqiptarët duhet të paraqiten patjetër në konsullatë

By: E S
31 January 2026 at 16:21

Pavarësisht pezullimit të përkohshëm të vizave të emigracionit për Shqipërinë dhe 74 vende të tjera, aplikantët shqiptarë me takime të konfirmuara në konsullatën amerikane duhet të paraqiten patjetër dhe të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

Këshilla vjen nga nga New Jersey, Lorenc Mansaku, i cili thekson se pamundësia e konsullit për të marrë një vendim përfundimtar nuk duhet të jetë arsye për mungesë.

Në podcastin Ilva Tare Talks, Mansaku u bëri thirrje shqiptarëve ne proces emigracioni të shmangin panikun, duke e cilësuar situatën si një ngërç të përkohshëm që pritet të zgjidhet brenda disa muajve. Ai paralajmëroi gjithashtu për keqkuptimet mbi qëndrimin në SHBA me vizë turistike, duke sqaruar se nuk është e vërtetë se lejohet automatikisht qëndrimi 6-mujor.

Rritet me 10% tregu i sigurimeve! 91% të primeve totale të tregut janë për Jo-Jetën

By: E S
31 January 2026 at 16:13

Tregu i sigurimeve gjatë vitit 2025 pati një zgjerim të ndjeshëm me 10% krahasuar me vitin 2024, që ishte 7%, sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Referuar shifrave zyrtare, primet e shkruara bruto arritën në vlerën e 27.1 miliardë lekëve, ndërsa primi i sigurimit për frymë u rrit për të pestin vit radhazi, duke shkuar në rreth 119 euro ose 11.8% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga produktet e tregut të Jo-Jetës, që lidhen kryesisht me sigurimet e detyrueshme motorike, të cilat zënë 91% të primeve totale të tregut. Ndërsa, sipas AMF, sigurimet e Jetës kishin 8.99% të vëllimit të përgjithshëm të primeve për vitin 2025.

Sa i përket ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.62%, ndërsa primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.38% të totalit të tregut për vitin e kaluar.

Sa i përket portofolit të sigurimit nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, që lidhen me përmbytjet, gjatë vitit 2025 pati një rritje prej 10.25% të vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 8.85% të numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2024.

Hiqeshin si agjentë imobiliarë, ky është çifti që mashtronte qytetarët për blerje apartamentesh

By: E S
31 January 2026 at 16:04

Ky është çifti i bashkëjetuesve Elvis Ramca dhe Veriana Ziu, të arrestuar për mashtrimin me blerje fiktive të apartamenteve, duke u shtirur si agjentë imobiliarë.

Elvis Ramca dhe Veriana Ziu iu merrnin shuma të mëdha parash qytetarëve duke i mashtruar se do t’iu blinin apartamente dhe më pas falsifikonin mandate banke, për t’i bindur për depozitimin.

Mandatet e falsifikuara, 2 shtetasit ua paraqitnin edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.

Deri më tani janë 2 raste të dokumentuara pas denoncimeve, me 2 apartamente me vlerë rreth 150 mijë euro secili. Hetuesit dyshojnë që të mashtruar të jenë edhe të tjerë, për të cilët po punohet për zbardhjen e tyre.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Agjentët e rremë”.

Iu merrnin shuma të mëdhaja parash, qytetarëve, duke i mashtruar se do t’iu blinin apartamente, dhe më pas falsifikonin mandate banke, për t’i bindur për depozitimin, arrestohen 2 shtetas (bashkëjetues).

Mandatet e falsifikuara, 2 shtetasit ua paraqitnin edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera pas kallëzimeve të disa qytetarëve se iu kishin dhënë shuma parash, 2 shtetasve, të cilët i kishin mashtruar dhe nuk kishin blerë apartamentet e kërkuara në këmbim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Sektorit të Forces së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Agjentët e rremë”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. R., 39 vjeç dhe V. Z., 34 vjeçe, bashkëjetues.

Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetasit iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, qytetarëve, duke iu premtuar se do t’iu blinin apartamente.
Pasi përvetësonin paratë, 2 shtetasit falsifikonin mandate banke, për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar.
Më pas, dokumentet false i paraqitnin dhe te përfaqësues të shoqërive në fushën ndërtimit, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive, për shitblerje apartamentesh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

KLP miraton kërkesën e kreut të SPAK për mbrojtje të shtuar ndaj Altin Dumanit dhe disa prokurorëve të tjerë

By: E S
31 January 2026 at 15:56

Komisioni i mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për të shtuar mbrojtjen ndaj prokurorit Altin Dumani dhe disa prokurorëve të posaçëm, mes të cilëve dhe Dritan Prençi, prokurori i cili po heton zv kryeministren Belinda Balluku.

Kërkesa vjen pas presionit në rritje ndaj Dumanit lidhur me hetime të shumta që mbajnë firmën e tij si ish krye prokuror i SPAK.

Përveç Dumanit, është miratuar nga i njëjti komision edhe mbrojtje për disa prokurorë të tjerë te strukturës së posaçme, mes të cilëve edhe për Dritan Prençin, i cili po heton zv kryeministren Belinda Balluku dhe kërkoi caktimin e dy masave të sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit”.

Forumi i Dialogut Politik ofron unitet pa transformim

31 January 2026 at 15:44

Nga Roland Lami

Nismat për bashkim politik në të djathtën shqiptare kanë vite që eksperimentohen pa sukses. Ato shfaqen shpesh si premtime për ndryshime thelbësore, por në praktikë përfundojnë në ndryshime thjesht formale, për të mos thënë se në jo pak raste kanë sjellë përkeqësime të mëtejshme të situatës.

Bashkimi mekanik i subjekteve që ngjajnë mes tyre, në dekadën e fundit në të djathtën, ka treguar se nuk arrin të prodhojë reformim real, por vetëm qetësi të përkohshme dhe iluzion stabiliteti. Është ajo që Giovanni Sartori do ta quante pluralizëm formal pa konkurrencë reale: shumë formë, pak përmbajtje.

Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm kur teknokratë marrin nismën për të legjitimuar bashkime mes partive të djathta që prej vitesh u kanë mbyllur derën pikërisht teknokratëve dhe mendimit kritik. Në këto kushte, teknokrati nuk është aktor ndryshimi, por figurë dekorative, e cila shërben më së shumti për t’i dhënë bashkimit imazhin e ndryshimit, ndërsa vendimmarrja dhe lidershipi mbeten në të njëjtat duar.

Eksperiencat e mëparshme të PD-së kanë treguar se këto bashkime, pa ndryshim thelbësor, kanë një funksion të qartë politik, ushqejnë jetëgjatësinë e lidershipit dhe justifikojnë ruajtjen e status quo-së përballë zërave apo lëvizjeve kritike, nën justifikimin e unitetit. Në emër të bashkimit, mbyllen debatet e brendshme, zbehen kritikat dhe çdo zë ndryshe etiketohet si përçarës dhe i panevojshëm në kushte bashkimi. Robert Michels do ta interpretonte këtë situatë përmes logjikës se organizatave që mbrojnë më parë veten sesa misionin për të cilin pretendojnë se ekzistojnë.

Njëkohësisht, këto iniciativa hapin hapësira të reja protagonizmi. Bashkimi krijon tavolina, role, koordinime dhe hierarki të reja, ku aktorë të ndryshëm përpiqen të sigurojnë pozicionin e tyre politik. Kështu, energjia që duhej të kanalizohej drejt reformës shpenzohet për ripozicionim. Bashkimi kthehet në proces ndarjeje vendesh dhe rolesh, jo në ndërtim vizioni.

Kështu që edhe kjo iniciativë, si ka nisur dhe si po prezantohet, ka shumë gjasa të renditet përkrah nismave të dështuara të së shkuarës. Problemi kryesor i së djathtës nuk është mungesa e bashkimit, por mungesa e transformimit. Pa ndryshim real të mënyrës së vendimmarrjes, pa hapje ndaj kritikës dhe pa ndryshuar lidershipet ekzistues, bashkimi mbetet një skenografi politike që shërben më shumë për të ruajtur status quo-në sesa për ta ndryshuar atë. Çdo fasadë, sado bukur dhe “seksi” të prezantohet në publik, ka një funksion të vetëm, të fshehë atë që nuk po ndryshon.

Fluks i lartë urgjencash në QSUT/ Gripi rrit shtrimet në spitale, mjekët: Shkak, rastet me bronkopneumoni

By: E S
31 January 2026 at 15:36

Agresiviteti i gripit të këtij sezoni ka rritur urgjencat dhe shtrimet në spitale. Fundi i janarit ka shënuar pikun e qarkullimit të gripit, por dhe infektimeve në popullatë. Mbi 100 raste në ditë i drejtohen shërbimit infektiv në QSUT me komplikacione të shkaktuara kryesisht nga AH3N2i dhe nën tipe të tjera në qarkullim.

Mjekët thonë se 40% e të prekurve që i drejtojnë urgjencës së infektivit janë raste për shtrim për shkak të bronkopneumonive dhe komplikacioneve të tjera.

“Bronkopneumonitë që në këto momente janë shqetësimi ynë kryesor. Janë pacientë që absolutisht kërkojnë një kujdes të veçantë. Janë pacientë që shpeshherë kërkojnë hospitalizim pavarësisht grupmoshave të tyre. Nga grupmoshat e reja deri te grupmoshat e treta dhe që duan një sikurse e thashë kujdes të veçantë duke tentuar që të paraprijnë komplikacionet”, thotë Migena Qato, mjeke infeksioniste.

“Ka subjekte që paraqiten më shumë se një herë pranë urgjencës duke tentuar fillimisht të marrin mjekim ambulator dhe pastaj rikthehen sepse shohim që nuk ka pasur rezultatin që kemi dashur neve të kenë. Të paktën një 30 40% e tyre janë raste të cilat tërheqin që në momentin e parë vëmendjen për hospitalizim”.

Mjekët thonë se rastet që i drejtohen shërbimit infektiv janë nga të gjitha grupmoshat. Ndërsa nevojë për shtrim kanë të sëmurët kronikë dhe të moshuarit, për shkak të mbivendosjes së sëmundjeve dhe problematikave që ka shkaktuar gripi. Në urgjencën e pediatrisë, fluksi i vizitave në këtë periudhë piku të qarkullimit të gripit është edhe më i lartë.

Mjekët tregojnë se jo gjithmonë bëhet fjalë për raste urgjente, pasi edhe për një temperaturë të lartë që zgjat për disa ditë, prindërit i drejtohen spitalit dhe jo qendrave shëndetësore. Vajtet në spital, thonë pediatrit, pa rekomandimin e mjekut të familjes, jo vetëm ngarkojnë sistemin shëndetësor, por bëhen shkak që fëmijët të marrin edhe viroza të tjera.

Krahas gripit, tek fëmijët qarkullon edhe virusi respirator sincicial, si dhe viroza të tjera, ndërsa janë rikthyer rastet me fruth për shkak të uljes së vaksinimit, veçanërisht në Tiranë.

Edhe muaji shkurt pritet të nisë me rritje të kurbës së infektimeve nga gripi dhe virozat e tjera, ndaj mjekët bëjnë thirrje për kujdes, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.

75 metra i lartë/ Trump paralajmëron ndërtimin e ‘Harkut të Pavarësisë’ në Washington. Reagojnë ekspertët

By: E S
31 January 2026 at 15:28

Një plan për ndërtimin e një “Harku të Pavarësisë” të përhershëm pranë Urës Memoriale, midis Memorialit të Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit, po shqetëson arkitektë dhe historianë për shkak të ndikimit në peizazhin monumental të kryeqytetit amerikan.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton mundësinë e ndërtimit të një harku triumfi të përhershëm rreth 75 metra të lartë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Monumenti, i quajtur “Harku i Pavarësisë”, parashikohet të vendoset në Memorial Circle, një rrethrrotullim pranë Urës Memoriale, midis Memorialit të Linkolnit dhe Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.

Madhësia e monumentit ka ndezur menjëherë debate. Me gati dy herë e gjysmë lartësinë e Shtëpisë së Bardhë dhe dukshëm më i lartë se Memoriali i Linkolnit, harku pritet të dominojë boshtin monumental të zonës. Sipas ekspertëve, kjo do të prishte ekuilibrin vizual, duke kufizuar pamjet drejt Arlington House dhe lumit Potomac.

Trump e ka krahasuar publikisht projektin me Harkun e Triumfit në Paris, duke deklaruar se versioni amerikan do ta “tejkalonte shumë”. Për krahasim, Harku i Triumfit është 49.5 metra i lartë, çka do ta bënte strukturën e propozuar në Uashington një nga harqet triumfale më të mëdha në botë.

Qarqet arkitekturore dhe historike, që fillimisht e mirëpritën idenë e një monumenti simbolik për përvjetorin e pavarësisë, tashmë po shprehin rezerva serioze për shkallën dhe vendndodhjen. Sipas Washington Post, kritiku i artit Catesby Lee, i cili më herët kishte sugjeruar një hark më të vogël dhe të përkohshëm, rreth 20 metra i lartë, thekson se një strukturë kaq e madhe dhe e përhershme “nuk i përket” këtij vendi. Ai ka përmendur gjithashtu arkitektin Nicholas Leo Charbonneau, i cili raportohet se po bashkëpunon me Shtëpinë e Bardhë për projektin.

Një tjetër shqetësim lidhet me vendosjen e monumentit në një nyje trafiku të ngarkuar, çka do të ndryshonte karakterin “serioz dhe përkujtimor” të korridorit që historikisht lidh simbolikisht Veriun dhe Jugun pas Luftës Civile. Po ashtu, qasja për këmbësorët do të ishte e vështirë për shkak të trafikut të dendur rreth Memorial Circle.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pamjes nga Varrezat Kombëtare të Arlingtonit drejt Uashingtonit. Sipas ekspertëve, kjo panoramë është pjesë thelbësore e përvojës së vizitorëve dhe një hark i përmasave të tilla do ta riformësonte ndjeshëm.

Në aspektin politik, projekti shoqërohet me lëvizje që mund të lehtësojnë miratimin e tij. Trump emëroi së fundmi biznesmenin Rodney Mims Cook Jr. në Komisionin e Arteve të Bukura, organi federal që shqyrton projektet e monumenteve të reja në kryeqytet. Presidenti ka publikuar gjithashtu në rrjetet sociale imazhe të varianteve të mundshme të harkut, përfshirë versione me detaje ari.

Sa i përket financimit, është hedhur ideja që ndërtimi të mbulohet nga donacione private të mbetura nga një tjetër projekt i Shtëpisë së Bardhë, salla e banketeve, me një kosto të vlerësuar rreth 400 milionë dollarë. Megjithatë, çdo monument i ri në Uashington kërkon miratim nga disa komitete dhe, në raste të caktuara, edhe pëlqimin e Kongresit.

Integrimi i Shqipërisë në BE, Spiropali nga Vlora: Viti 2026 vendimtar, avancojmë me fazën e re për mbylljen e negociatave

By: Os De
31 January 2026 at 14:59

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, organizuar në Vlorë nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj.

Spiropali iu bashkua panelit të diskutimit në krah të raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Ambasadorja e Francës në Shqipëri Catherine Suard dhe Ambasadori i Spanjës në vendin tonë, Gabriel Ventura.

Në hapje të fjalës së saj, Spiropali u ndal në rezultatet konkrete që e kanë afruar Shqipërinë më pranë familjes europiane.

Në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, falë një vizioni të qartë, pune të ditëpërditshme, përpjekjesh të përbashkëta dhe një koordinimi të vendosmerisë politike me aftësinë institucionale, kemi hapur, së bashku me Komisionin Europian dhe me Vendet Anëtare, 33 kapitujt e negocimit.

Gjatë muajve të fundit, si asnjëherë më parë me këtë ritëm, kemi punuar me ngulm për të arritur sa më parë piketat e ndërmjetme për Themeloret. Pak ditë më parë në Parlament u miratua paketa e fundit legjislative, duke i dhënë procesit peshën dhe seriozitetin që kërkon e meriton, për avancimin sa më parë me fazën vijuese, edhe me kërkuese e sfiduese, atë të fillimit të mbylljes së kapitujve. 2026 është vit vendimtar për objektivin tonë për mbylljen e kapitujve brenda vitit 2027“.

Këto rezultate, sipas saj, nuk janë fakte të thata apo tregues statistikorë, por një sinjal politik se Shqipëria ka ndërtuar kapacitetin për të ecur me ritmin e BE-së dhe besimin për të merituar bashkimin me Europën.

Reformat që kemi ndërmarrë nuk janë të lehta. Janë reforma që prekin drejtësinë, administratën, luftën kundër korrupsionit, ekonominë, standardet, mënyrën se si funksionon shteti dhe shoqëria shqiptare. Por këto reforma nuk janë bërë për të kaluar një provim europian. Janë bërë sepse Shqipëria ka nevojë e po ndërton jo pa sfida, një shtet më të

drejtë, institucione demokratike e të qëndrueshme, një ekonomi më të hapur e më konkuruese, me më shumë mundësi e mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Dhe kjo është arsyeja pse sot mund të themi se integrimi nuk është më vetëm aspiratë. Është një proces i mbështetur në kapacitet real shtetëror“, shtoi Spiropali.

Ministrja nënvijëzoi se “integrimi nuk është vetëm çështje e Shqipërisë, por edhe çështje e vetë Europës.”

Në një moment kur rendi ndërkombëtar është në tension,

kur siguria europiane vihet në provë, dhe kur besueshmëria e projekteve politike matet me rezultate, zgjerimi nuk është luks. Është domosdoshmëri strategjike. Ballkani Perëndimor nuk është periferia e Europës.

Është një nga pikat ku përcaktohet nëse Europa është një projekt që zgjeron stabilitet apo një projekt që kufizohet në vetvete. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk kërkon thjesht të hyjë në Bashkimin Europian. Ajo kërkon të kontribuojë në të. Ne jemi plotësisht të linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian. Jo sepse na kërkohet, por sepse besojmë se siguria dhe  orientimi ynë janë të pandashëm nga Europa“, deklaroi Spiropali.

Për Ministren e Jashtme, Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Europian, por edhe Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë.

Për një Ballkan Perëndimor të ankoruar fort në Europë,  për një partner që ndan vlera dhe përgjegjësi, për një zgjerim që forcon, jo që dobëson projektin europian. Sot, në Europë, ka edhe zëra që duan ta ndalin zgjerimin. Ka forca që duan të mbyllin dyert.

Kjo do të thotë se për ne beteja nuk është vetëm teknike. Është edhe politike. Është edhe morale. Kjo është arsyeja pse sot më shumë se kurrë kemi nevojë të bashkohemi për ëndrrën tonë historike, interesin tonë kombëtar dhe të ardhmen e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë. Të mos i japim askujt brenda dhe jashtë Shqipërisë mundësi për keqdashje. Të mos lejojmë të dëmtohet ajo që kemi ndërtuar me shumë mund. Marrëdhënia që ne synojmë nuk është marrëdhënie periferie. Është marrëdhënie bashkëpunimi. Jo pritjeje, por bashkë-ndërtimi. Në këtë kuptim, “ata pak hapa të fundit” nuk janë vetëm hapat e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Janë edhe hapat e Bashkimit Europian drejt një Europë më të plotë dhe më të sigurt. Kjo është arsyeja pse ne e shohim integrimin jo si një vijë përfundimi, por si proces transformues që na afron gjithnjë e më shumë në përgjegjësi, në standarde por edhe në kontributin e përbashkët për ta mbajtur Europën të begatë, hapësirë të lirisë e të paqes, dhe për ta bërë edhe më të fortë e më të sigurt“, përfundoi Spiropali.

Tiranë, ishin dënuar për plagosje të rëndë me dashje/ Arrestohen 2 persona, policia jep detaje

By: Os De
31 January 2026 at 14:56

Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona të shpallur në kërkim pasi ishin dënuar me  4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, mësohet se u vunë në pranga shtetasi M. H., 31 vjeç dhe shtetasi E. F., 29 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë

 

Si rezultat i kontrolleve intensive nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, kapën 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:

 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. H., 31 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me  4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 2 muaj e 22 ditë burgim.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. F., 29 vjeç, pasi Gjykata e Apelit  e ka dënuar me  4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim.

Skandali seksual në Mal të Zi/ Videot intime me ish-zyrtarin e lartë, thyen heshtjen Mirjana Pajkoviç: Prej një viti në rrezik për jetën, kërcënohesha!

By: Os De
31 January 2026 at 14:49

Prej disa ditësh, Mali i Zi po përballet me një aferë serioze që ka përfshirë figura të larta shtetërore, ku në qendër të saj janë Mirjana Pajkoviq dhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe ish-këshilltar i Presidentit Jakov Milatoviq. Skandali ka çuar në dorëheqjen e të dyve nga funksionet publike. Vukshiq dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar, pas tre kallëzimeve penale të depozituara kundër Pajkoviq, ndërsa të premten e kaluar, Pajkoviq u largua nga detyra si drejtoreshë e Drejtorisë për Promovimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave. 

E ftuar në emisionin “Puls of Serbia Weekend”, Mirjana Pajkoviq hodhi poshtë zërat për një skandal seksual, duke e cilësuar çështjen si krim kibernetik dhe shkelje të të drejtave kushtetuese. “Ky nuk është një skandal seksual, por një problem sigurie me natyrë dixhitale. Është një akt që cenon të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe duhet të shqetësojë çdo qytetar,” – deklaroi ajo. Pajkoviq theksoi se ka dhënë dorëheqjen si akt përgjegjësie personale, për të mos dëmtuar institucionin që përfaqësonte, duke shtuar se nuk ka pasur bazë ligjore për shkarkimin e saj. 

“Kam jetuar me frikë për më shumë se një vit” 

Ajo rrëfeu se për më shumë se një vit e tre muaj ka jetuar nën frikë, duke pretenduar se është kërcënuar nga një zyrtar i lartë shtetëror.
“Është e papranueshme që një qytetar të jetojë me frikë nga pushteti i zyrtarëve. Ata duhet të na mbrojnë, jo të na kërcënojnë,”-u shpreh Pajkoviq, duke shtuar se ka ngritur disa kallëzime penale dhe se rasti është bërë publik falë medias. 

Akuza ndaj Presidentit Milatoviq 

Pajkoviq deklaroi se Presidenti Jakov Milatoviq ishte në dijeni të situatës, por nuk reagoi në kohë.
“Prisja mbështetje prej tij. Kërcënimet vinin nga zemra e zyrës së Presidentit. Fjalët ishin: ‘Nuk do të ketë jetë për ty në Mal të Zi’. Heshtja e tij më kompromenton,” – tha ajo. Sipas saj, Presidenti kishte detyrimin moral dhe institucional të mbështeste çdo grua që denoncon dhunën dhe të inkurajonte autoritetet ligjzbatuese të vepronin. Në fund të intervistës, Pajkoviq pranoi se ka heshtur për një kohë të gjatë për dhunën që ka përjetuar, duke e quajtur këtë një gabim të rëndë.

“Ata që kërcënojnë sot, nesër mund ta bëjnë realitet. Nuk ndihem e sigurt dhe nuk e di çfarë mund të ndodhë,” – përfundoi ajo. Afera vazhdon të tronditë opinionin publik në Malin e Zi, ndërsa pritet reagimi i institucioneve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të akuzave. 

Rey Manaj rikthehet në Turqi, Sivasspor i ofron kontratë deri në 2031-in

By: Os De
31 January 2026 at 14:44

Rey Manaj i ka dhënë fund aventurës me Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa mbyllja e bashkëpunimit mes palëve është konfirmuar nga ekipi në fjalë.

Euronews Albania ka mësuar se futbollisti nga Lushnja ka vendosur të kthehet në kampionatin turk, konkretisht te Sivasspor, skuadër fanellën e së cilës e ka mbajtur veshur edhe më herët. Këta të fundit aktualisht luajnë në ligën e dytë turke, pasi ranë nga Superiorja edicionin e shkuar, ndërsa synim mbetet rikthimi në elitë.

Në kontratën e parashtruar për Manajn përflitet për 5.5 vite, ku futbollisti do të marrë afro 1 milionë euro vetëm në këtë pjesë të mbetur të sezonit. Gjithashtu në rast se Sivasspor siguron kthimin në elitë, shpërblimi për Manaj do të jetë 200 mijë euro. Ndër të tjera pagesë shtesë edhe nëse 28-vjecari siguron 10 gola dhe asiste në total.

Manaj vetëm pak muaj më parë u transferua tek Al Sharjah, madje me një rrogë të lartë, afro 4 milionë euro në sezon, por duket se gjërat nuk shkuan mirë, duke vendosur të kthehet dhe një herë aty ku shkëlqeu në Turqi.

Sekretet e dosjes Epstein: Bill Gates fshihte sëmundjen e tij nga Melinda pas marrëdhënieve me vajza ruse

By: Os De
31 January 2026 at 14:36
Së fundmi, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve ka publikuar një pjesë të dosjes së madhe të Jeffrey Epstein, duke përfshirë mesazhe dhe email-e që lidhen me figura të njohura si Bill Gates, Elon Musk dhe Kimbal Musk.
Dokumentet u publikuan më shumë se një muaj pas afatit të caktuar ligjor të 19 dhjetorit 2025 dhe janë pjesë e një arkivi prej disa miliona faqesh.
Sipas një email-i të zbuluar, Epstein pretendon se Bill Gates kishte kërkuar ndihmë për të fshehur një sëmundje seksualisht të transmetueshme nga bashkëshortja e tij, Melinda, pas marrëdhënieve intime me vajza ruse. Një përfaqësues i Gates e quajti këtë pretendim “plotësisht të pavërtetë dhe absurd” dhe theksoi se dokumentet tregojnë vetëm frustrimin e Epstein për mungesën e një marrëdhënie të vazhdueshme me Gates dhe përpjekjet e tij për ta diskredituar.
Po ashtu, dokumentet tregojnë komunikime të Elon Musk me Epstein gjatë viteve, edhe pas dënimit të këtij të fundit në vitin 2008 për akte të prostitucionit me të mitura.
Në dhjetor 2012, Musk shkruante se dëshironte të merrte pjesë në një festë në St. Barts ose në një tjetër vend dhe Epstein i përgjigjej duke përmendur zonën e tij private.
1 vit më vonë, Musk pyeste përsëri për një vizitë të mundshme në ishull, por Epstein e anuloi vizitën duke thënë se do të qëndronte në New York. Musk ka pohuar më parë se nuk e njihte mirë Epstein dhe kishte shkuar vetëm një herë në shtëpinë e tij në Manhattan.
Edhe Kimbal Musk, vëllai i Elon, duket se ka shkëmbyer email-e me Epstein dhe bashkëpunëtorin e tij, Boris Nikolic, në vitin 2012. Në një mesazh, Kimbal e falënderonte për prezantimin me një grua të quajtur Jennifer dhe paralajmërohej që të kujdesej për të, pasi Epstein ishte shumë “protektiv” ndaj vajzave dhe miqve të tij.

Ndër të përmendurit në dosje është edhe Howard Lutnick, sekretar amerikan i tregtisë. Email-et tregojnë se ai diskutoi mundësinë e një dreke në ishullin e Epstein në Karaibe, por një përfaqësues i Departamentit të Tregtisë tha se Lutnick kishte pasur vetëm pak kontakte me Epstein në praninë e bashkëshortes së tij dhe nuk ishte akuzuar për ndonjë vepër penale.

Publikimi i këtyre dokumenteve ka rikthyer vëmendjen tek rrjeti i kontakteve të Epstein me figura të fuqishme dhe të pasura, duke shtuar debatet për mënyrën se si administrata Trump menaxhoi dosjen dhe për përmbajtjen që ende mbetet e fshehur nga publiku./FT

Forumi i ndryshimit të mosndryshimit

31 January 2026 at 14:27

Nga Ilir Demaliaj

Nga hiçi, si me magji politike lindi edhe Forumi për Dialog Politik. Askush nuk e di saktësisht kush e thirri, kush e autorizoi dhe mbi ç’legjitimitet u ngrit, por si çdo nismë shqiptare, u gjet menjëherë edhe sheshi: jo Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, por ai që disa tashmë e quajnë pa asnjë vendim zyrtar “Sheshi i Adriatik Lapajt”, ose më saktë, “Shqipëria Bëhet”.

Një shesh që në dokumente nuk ekziston, por në retorikë përdoret si pronë private politike. Një hapësirë publike e riemërtuar me vetëvendosje emocionale, ku një kioskë proteste prej gati dy muajsh mundohet të bindë kalimtarët se këtu po ndodh historia. Ndërkohë, historia kalon pranë: mijëra qytetarë, makina, turistë – dhe protesta mbetet aty, herë me dy vetë, herë me tre, e në momente dramatike vetëm me një rojtar shprese që pret ndërrimin e turnit. Një protestë që nuk rritet, nuk përhapet, nuk infekton askënd. Një protestë që ka mbetur kioskë, jo lëvizje.

Në këtë “shesh” zbarkoi edhe Ermal Hasimja, për të shpallur ngritjen e forumit të ndryshimit të mosndryshimit. Sepse sipas tij, qëllimi është fisnik: të binden ata që nuk votojnë nga zhgënjimi i sistemit. Pra, të bindë të zhgënjyerit… me arkitektët e zhgënjimit.

Ironia këtu nuk ka nevojë për zbukurime. Forumi sillet rrotull një boshti që nuk lëviz, si një rrotë që nuk ecën përpara. Të gjithë rrotullohen rreth sistemit që gjoja duan të shembin, por që në fakt duan vetëm ta administrojnë. Një valle politike rreth “hunit”, ku protagonistët sillen e përdridhen me shpresën se dikush nga publiku do të hedhë ndonjë votë, siç hidhen lekët në tallavatë e synetlliqeve politike kur “deti bëhet kos” dhe turren të gjithë me lugën në brez.

Hasimja shfaqet si përbashkues i forcave opozitare, por le ta themi qartë: në këtë tryezë, fuqia reale është vetëm një – Partia Demokratike. Dhe Partia Demokratike, sot për sot, është Berisha. Të tjerët janë ose kioska politike, ose mikrobuza partiake që presin të kapen pas rimorkios së madhe duke pritur ti bien koqet dashit .

Këtu lind edhe pyetja që askush nuk guxon ta bëjë hapur:
Ku qëndron sot Ermal Hasimja përballë Sorosit?

Hasimja vjen nga rrethet e Open Society, nga Kosovo Foundation e financuar nga George Soros – një fakt publik dhe i pamohueshëm që vjen në Shqipëri me grupin e Argites që krijuan KOP-in. Më pas u bë këshilltar i Berishës, një lider që sot e ka ndërtuar identitetin e tij politik mbi një armiqësi të hapur dhe obsesive ndaj Sorosit. Si bashkëjetojnë këto dy botë në të njëjtën tryezë? A është Sorosi armik vetëm kur i duhet turmës, dhe mik kur i duhet CV-së?

Pastaj vjen kapitulli akademik: rektor në universitetin e Çilit, sot pronar i Universitetit “Ernest Koliqi” – një emër i madh kombëtar i përdorur si markë tregtare, nga “ tregëtar flamujsh” për t’u shitur në tregun e arsimit privat. Një tjetër shembull i mënyrës sesi simbolika kombëtare shndërrohet në mall, ndërsa morali në dekor. Kriza më e tmerrshme dhe me pasoja për tê ardhmen është arsimi. Hasimja do të ishte shumë më mirë të ngrinte një forum dhe diskutim kombëtar të gjërë për këtë. Por nuk mundet se i bie vetes, se siç këmi kioska politike, kemi dhe kioska universitare që ngrenê kioska akademike.

Nga ana tjetër, Adriatik Lapaj, që çdo ditë rreh gjoksin si “shpëtimtari” që do të “bëjë Shqipërinë”, shfaq të kundërtën e asaj që predikon. Pa konsistencë, pa koherencë, pa qëndrueshmëri. Protesta e tij dy mujore është prova më e qartë: shumë zhurmë mediatike, zero mobilizim shoqëror. Një lëvizje që nuk prodhon energji, por konsumon vëmendje.

Dhe tani, pasi e kanë shteruar rolin e “anti-sistemit”, këto parti po kthehen aty ku kanë qenë gjithmonë. Po ulen në të njëjtën tryezë, po lëpijnë atë që pështynë dje, po rehabilitojnë aleanca që i kishin shpallur të vdekura. Jo për të prishur sistemin – sepse atë e kanë ndërtuar vetë – por për t’u ricikluar brenda tij.

Në fund, del qartë se qëllimi i vërtetë nuk është ndryshimi, por përfshirja. Jo revolucioni, por negociata. Jo rrëzimi i sistemit, por kapja pas tij, si i mbyturi pas kashtës.

Ky forum nuk është forumi i shpresës.
Është forumi i hipokrizisë politike, ku ndryshimi shitet si slogan, ndërsa mosndryshimi praktikohet me përpikmëri

Në Shqipëri, problemi nuk është se nuk ka forume.
Problemi është se ka shumë forume për të mos ndryshuar asgjë.

Kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku i ofron dorëheqjen Kuvendit të partisë

By: Os De
31 January 2026 at 14:18

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ia ka ofruar Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij dhe i ka kërkuar ta shqyrtojë atë në punimet që po zhvillon ai të shtunën.

“Çfarë dëshironi të bëni me mua si kryetar, dhe të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni unë do ta respektoj me qetësi”, u ka thënë ai delegatëve të partisë.

Abdixhiku e ka thirrur Kuvendin pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave – rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.

“Rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetëm, dhe as nga një natë e vetme dhe as nga një vendim i vetëm. Ai erdhi ngadalë, si grumbullim, si peshë që rëndohet çdo ditë derisa një ditë e kupton se nuk mban më”, ka thënë Abdixhiku në nisje të punimeve të Kuvendit. Disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.

“Unë kam zgjedhur të dalë para jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme, sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur gjithçka shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku gjatë fjalimit.

Ai ka thënë më herët gjatë së shtunës se Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht ai vendos për gjithçka.

“I siguroj të gjithë anëtarët LDK-së që nga ky debat do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, e më të gatshëm për të ardhmen më të mirë që na pret përpara. Me shumicë votash e përcaktojmë fatin tonë politik”.

Sipas agjendës së publikuar nga partia, pas fjalimit të Abdixhikut, Kuvendi do t’i zhvillojë diskutimet me dyer të mbyllura.

Anëtari i kësaj partie, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, ndonëse disa figura kanë thënë se të shtunën do të diskutohet vetëm për performancën e Abdixhikut dhe që çështja e kandidaturave për kryetarin e partisë, është proces i ndarë.

“Nuk jemi në fazë të kandidaturave të tjera. Jemi në fazë të vlerësimit të punës së kryetarit, me kërkesën e tij, do të shohim se çfarë i ofron ai Kuvendit. Nëse ofrohet dorëheqja, dorëheqja është akt vullnetar, individual, i pandikueshëm, drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe i pakthyeshëm. Nëse kërkon votëbesim atëherë është çështje e votimit, e cila duhet të bëhet si votim bazuar në statutin e LDK-së, votim i fshehtë me kuti dhe ecim tutje. Secili rezultat do të jetë i respektueshëm nga ana jonë”, ka thënë Arben Gashi.

Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.

Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit. REL

Ambasadorja franceze: Shqipëria e shtrin hapin drej BE-së! Schieder: 2029-a, vit kyç për anëtarësimin

By: Os De
31 January 2026 at 14:10

31 janar 2026 – U zhvillua sot në Vlorë forumi i Dialogut me temën “Edhe disa hapa akoma drejt BE”, ku morën pjesë Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ambasadorja franceze në vend, Catherine Suard, ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Ambasadorja Suard theksoi se “askush nuk mund të dyshojë se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj, që nga reforma në drejtësi, digjitalizimi i shërbimeve, mbrojtja e qytetarëve dhe harmonizimi me politikat e jashtme”.

 

Sipas saj, këto arritje japin besim në arenën ndërkombëtare.

“Për këtë besim, Presidenti Emmanuel Macron erdhi dy herë radhazi në Shqipëri, vizita që i dhanë një ritëm të pandërprerë marrëdhënieve tona. Shqipëria e shtrin hapin, jo vetëm ecën drejt Europës”, shtoi Suard.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e fazës përfundimtare të integrimit.

“Kilometrat e fundit janë më të vështirët dhe më entuziazmuesit. Këto pika janë thelbësore për integrimin tuaj të ardhshëm dhe tregojnë një drejtim të vetëm, pa rrugë të tërthorta. Kjo pakthyeshmëri e bën Shqipërinë një partner të besueshëm për Francën dhe Europën.”

“Franca është krah jush, jo për të numëruar hapat, por si partner gjatë rrugës. BE nuk është një destinacion, ajo vetë është në lëvizje”, përfundoi ajo.


Ndërsa për Schieder, “plotësimi i BE-së nuk do të përfundojë derisa Ballkani të jetë pjesë e tij, e veçanërisht Shqipëria”.

“Zgjerimi është një shans shumë i mirë edhe për BE-në, jo vetëm një përpjekje për Shqipërinë”, theksoi Schieder, duke shtuar se ka avancim të madh në procesin e negociatave, kundrejt gjërave që ende janë për t’u bërë.

“Nëse mbyllen kapitujt që është parakusht dhe reformat përmirësojnë jetesën, ka një shans që në fund të kësaj dekade, se desh thashë shekulli, të mendojmë se si do dalim…Nuk dëshiroj të them një datë specifike, por ne mandatin në PE e kemi deri në vitin 2029.

Ajo që do doja më shumë se gjithçka që si relator është të komunikoj që Shqipëria është pjesë e Bashkimit Europian”, tha Schieder.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ndal në rezultatet konkrete që e kanë afruar Shqipërinë më pranë familjes europiane.

“Në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025, falë një vizioni të qartë, pune të ditëpërditshme, përpjekjesh të përbashkëta dhe një koordinimi të vendosmerisë politike me aftësinë institucionale, kemi hapur, së bashku me Komisionin Europian dhe me Vendet Anëtare, 33 kapitujt e negocimit. Gjatë muajve të fundit, si asnjëherë më parë me këtë ritëm, kemi punuar me ngulm për të arritur sa më parë piketat e ndërmjetme për Themeloret.

Pak ditë më parë në Parlament u miratua paketa e fundit legjislative, duke i dhënë procesit peshën dhe seriozitetin që kërkon e meriton, për avancimin sa më parë me fazën vijuese, edhe me kërkuese e sfiduese, atë të fillimit të mbylljes së kapitujve. 2026 është vit vendimtar për objektivin tonë për mbylljen e kapitujve brenda vitit 2027.”

Këto rezultate, sipas saj, nuk janë fakte të thata apo tregues statistikorë, por një sinjal politik se Shqipëria ka ndërtuar kapacitetin për të ecur me ritmin e BE-së dhe besimin për të merituar bashkimin me Europën.

“Reformat që kemi ndërmarrë nuk janë të lehta. Janë reforma që prekin drejtësinë, administratën, luftën kundër korrupsionit, ekonominë, standardet, mënyrën se si funksionon shteti dhe shoqëria shqiptare. Por këto reforma nuk janë bërë për të kaluar një provim europian.

Janë bërë sepse Shqipëria ka nevojë e po ndërton jo pa sfida, një shtet më të drejtë, institucione demokratike e të qëndrueshme, një ekonomi më të hapur e më konkuruese, me më shumë mundësi e mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj. Dhe kjo është arsyeja pse sot mund të themi se integrimi nuk është më vetëm aspiratë. Është një proces i mbështetur në kapacitet real shtetëror“, shtoi Spiropali.

Dosjet e reja të Epstein/ Publikohen foto të ish-princit Andrew në gjunjë mbi një vajzë

By: Os De
31 January 2026 at 14:02

Një publikim masiv dokumentesh nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka rihapur debatin mbi rrjetin e kontakteve të Jeffrey Epstein, i cili u akuzua për abuzime seksuale dhe vdiq në burg në vitin 2019.

Sipas The Guardian, dosjet e reja përfshijnë më shumë se tre milionë faqe dokumente, 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe, duke përbërë publikimin më të madh të këtij lloji deri më sot.

Ky publikim vjen si rezultat i një ligji të miratuar vitin e kaluar në SHBA, i cili detyron qeverinë të bëjë publike çdo informacion në zotërimin e saj që lidhet me çështjen Epstein.

Në mesin e dokumenteve të publikuara përfshihen edhe imazhe që, sipas përshkrimit të mediave, duket se tregojnë ish-princin Andrew në një situatë komprometuese me një vajzë, identiteti i së cilës është mbajtur i fshehtë. Fytyra e saj është e mbuluar dhe rrethanat në të cilat janë shkrepur fotot mbeten të paqarta.

Andrew Mountbatten-Windsor ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme. Megjithatë, lidhjet e tij me Epstein kanë shkaktuar polemika të gjera publike dhe institucionale. Ai humbi titujt mbretërorë dhe rolet zyrtare në vitin e kaluar, mes presionit në rritje ndaj familjes mbretërore britanike.

Sipas dokumenteve të cituara nga The Guardian, Andrew Mountbatten-Windsor dyshohet se ka ftuar Jeffrey Epstein në Buckingham Palace në shtator të vitit 2010, pak kohë pasi Epstein ishte liruar nga arresti shtëpiak në SHBA.

Një dokument i datës 27 shtator 2010 sugjeron se Epstein i ka shkruar Andrew-it gjatë një qëndrimi në Londër, duke përmendur nevojën për “kohë private”. Në një përgjigje të supozuar, Andrew thuhet se ka sugjeruar një darkë në Buckingham Palace, duke theksuar se do të kishte “shumë privatësi”.

Në një email tjetër, dy ditë më vonë, Andrew thuhet se shkruan:

“I kënaqur që do të vish në BP. Eja me kë të duash dhe do të jem i lirë nga ora 16:00 deri rreth 20:00.”

Shkurtesa “BP” besohet t’i referohet Buckingham Palace. Megjithatë, sipas The Guardian, nuk ka konfirmim nëse ky takim ka ndodhur realisht.

Mes personave të përmendur në dokumente janë figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë sipërmarrësin Elon Musk dhe politikanin britanik Peter Mandelson. Vetë përmendja në dokumente nuk nënkupton automatikisht përfshirje në veprimtari të paligjshme.

Çështja e Irena Gjokës, PD: Vendimi i KLGJ papërgjeshmëri, ILD të veprojë me shpejtësi!

By: Os De
31 January 2026 at 13:53

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e konsideron të papërgjegjshëm dhe të paprecedentë vendimin e këshillit të Lartë Gjyqësor për ta përcjellë çështjen e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka në derën e Inspektorit të Lartë të drejtësisë, në një kohë që ajo rezulton e dënuar në Greqi për përdorim të një vize të falsifikuar.

Sipas opozitës sjellja e KLGJ ngre pikëpyetje të forta mbi pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni.

REAGIMI I GRUPIT PARLAMENTAR TË PD

“Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor. Dërgimi për kompetencë ILD është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i bën thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar.
Në mbledhjen e së premtes, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi njëkërkesë për verifikimin e statusit të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka lidhur me mosdeklarimin prej saj të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005. Mbi bazën e propozimit të një prej anëtarëve cështja në fjalë pritet ti kalojë për shqyrtim ILD-së.

❌
❌