Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Java News

“Rikonfirmojmë mbështetjen për reformën në drejtësi”/ Ambasadori holandez takim me kreun e ri të SPAK

By: Os De
15 January 2026 at 15:56

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtuesin e ri të SPAK, Klodjan Braho. 

Siç raporton TCH ambasadori Vos mbërriti që në orët e paradites në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u zhvillua takimi me kreun e SPAK. 

Në një reagim zyrtar, Ambasada e Holandës në Tiranë bëri të ditur se vizita ishte një takim mirësjelljeje për të përgëzuar Klodjan Brahon për emërimin e tij dhe për arritjet e deritanishme të institucionit. 

“Përmes projekteve tona MATRA dhe bashkëpunimit të fortë dypalësh, riafirmojmë mbështetjen tonë për SPAK-un dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ambasadës. 

 

Kumbaro: Miratohet granti 11,2 miliardë lekë për Institucionet e Arsimit të Lartë! Kërkimi shkencor duhet t’i prijë tregut

By: Os De
15 January 2026 at 15:51

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, mori pjesë në Konferencën e Rektorëve, ku të pranishëm janë 40 rektorë të universiteteve publike dhe jopublike të Shqipërisë, si edhe kryeministri Edi Rama. 

Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro njoftoi se janë miratuar grantet për Insitucionet e Arsimit të Lartë publike përmes vendimit të bordit të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, por duke kërkuar edhe një raport më transparent për sa i përket mënyrës se si menaxhohen këto fonde. 

“Është një mbështetje prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, që ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale, përmes skemës së bursave. 

Por po shfrytëzoj këtë komunikim, për të nisur edhe një marrëdhënie të re në formën si komunikojmë dhe shkëmbejmë informacion, pasi Ministria e Arsimit, duhet të dijë saktësisht se sa fonde trashëgoni, në mënyrë që të kemi një shpërndarje më të drejtë. Nga ana tjetër, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, qeveria vë në dispozicion 7 milionë euro për kërkim shkencor dhe për infrastrukturë shkencore”, tha ministrja Kumbaro. 

Më tej, gjatë fjalës së saj, u ndal tek problematikat lidhur me kërkimin shkencor. Ajo u shpreh se norma e realizimit të projekteve është shumë e ulët. 

Ajo u shpreh se kërkimi shkencor duhet të ecë me hapin e kohës, të jetë konkurrues, i orientuar drejt inovacionit dhe i lidhur ngushtë me nevojat e tregut dhe sfidat bashkëkohore. 

“Në të dhënat që kam marrë në tre vitet e fundit, mes projekteve të miratuara dhe projekteve të realizuara përmes mbështetjes së AKKSHI ku ju ftoheni të aplikoni, kemi një hendek shumë të madh. Norma e realizimit të projekteve është shumë e ulët. Kjo na shtyn që nga ana jonë të gjejmë mënyra të tjera më efikase, në përputhje edhe me praktikat më të mira që kemi hulumtuar në Bashkimin Europian, të shpërndarjes së buxhetit; gjithashtu duke përfshirë edhe mekanizma si angazhimi shumëvjeçar i fondeve për projekte dhe pajisje duke mos mbetur peng i vitit fiskal. pasi universitetet funksionojnë me vit akademik; mundësi transferimi të fondeve nga një vit në tjetrin dhe auditim të bazuar në risk dhe justifikim shkencor. 

Pasi shpesh herë na rezulton që edhe vetë nga IAL-të, për shkak të vonesave burokratike, bllokohen proceset duke kryer investime kërkimore të fragmentarizuara. Dhe nga ana tjetër, do të duhet të kemi një ristrukturim të Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, për t’u përgjigjur trendeve të reja. Shqipëria po përgatitet në mënyrë të qëndrueshme për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke u fokusuar fort te ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe përfshirja e tyre në  projekte dhe rrjete akademike europiane. 

Kapitulli 25 dhe 26 që drejtohen nga Ministria e Arsimit kanë një avancim shumë të kënaqshëm dhe mendojmë se do jenë kapitujt e parë që do të mbyllen! Në këtë kontekst, kërkimi shkencor duhet të ecë me hapin e kohës, të jetë konkurrues, i orientuar drejt inovacionit dhe i lidhur ngushtë me nevojat e tregut dhe sfidat bashkëkohore prandaj këtu e shohim njëri-tjetrin në të njëjtën barkë! Vetëm kështu, institucionet e arsimit të lartë mund të kontribuojnë realisht në zhvillimin ekonomik, social dhe teknologjik të vendit”, vijoi ministrja. 

Gjithashtu, gjatë fjalës, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro kërkoi nga universitetet që të jenë një zë aktiv në ligjin e ri për arsimin e lartë, në mënyrë që të reflektojë një realitet të përmirësuar për të gjithë aktorët. 

“Kam pritur dhe ende pres opinionet tuaja, duke nisur një proces jo nga lart – poshtë, pra jo nga aparati administrativ i Ministrisë dhe më pas t’ju vijë si produkt i gatshëm, por përkundrazi, të jeni ju që jepni inputin e parë në ndryshimet që ju mendoni se duhen bërë për të përmirësuar jetën dhe përvojën e të gjithë aktorëve”, u shpreh ministrja Kumbaro. 

Merkatoja dimërore/ Rei Manaj “fluturon” drejt Kinës, kontratë 2-vjeçare me pagë 4 milionë euro në sezon

By: Os De
15 January 2026 at 15:38

Merkatoja dimërore e futbollistëve ka hapur rrugën për një kapitull të ri në karrierën e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rei Manaj. 27-vjeçari ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij futbollistike në Lindjen e Largët, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin kinez Zhejiang Professional FC. 

Sipas marrëveshjes, Manaj do të përfitojë një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, duke u kthyer në një nga futbollistët më të paguar shqiptarë. Ky transferim vjen pas eksperiencës së tij te Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku sulmuesi kuqezi u dallua për formën e mirë dhe golat vendimtarë. 

Zhejiang Professional FC synon të forcojë repartin ofensiv me përvojën ndërkombëtare të Manajt, ndërsa pritet që prezenca e tij të rrisë ndjeshëm konkurrencën dhe ambiciet e klubit në kampionatin kinez. Euronews.al 

Të dyshuarit e vrasjes së Martin Çeços u lanë të lirë nga Apeli, reagon babai i viktimës: Do i djeg me benzinë, do i përvëloj si familje

By: Os De
15 January 2026 at 15:29

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për ndryshimin e masës nga arrest në burg në arrest shtëpie për tre të akuzuarit e vrasjes së të riut Martin Çeços, ka reaguar me një deklaratë të fortë babai i tij, duke paralajmëruar vetëgjyqësi. . 

“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë do t’i përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare po nuk i zhduka ata. Nuk i le do ta them troç le zë më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje. 

Ata janë autorët e kanë thënë me gojën e tyre vetë dhe tani t’i lirojnë. Djali nuk pati as takime me çupën asgjë. Djali im s’kishte faj. Nuk besoj më në drejtësia, i dënoi 25 vjet ja dhanë Tiranës thanë ky krim dënohet me burgim të përjetshëm, këta tani i liruan fare. 

Ka mbi 3 vjet s’kam ç’them më unë do t’i djeg dhe do t’i them djalit e realizova planin tënd.  Nuk dua të jetoj më dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë do vras veten në mes të gjyqit atje”, ka deklaruar i moshuari. 

Arratisja e Altin Ndocit/ Në krye të burgut të Durrësi komandohet Edmond Llabani

By: Os De
15 January 2026 at 15:21

Edmond Llabani është emëruar këtë të enjte, 15 janar, drejtor i komanduar i burgut të Durrësit.

Më herët, Llabani ka mbajtur detyrën e drejtorit në burgun e Peqinit. 

Emërimi i tij vjen një ditë pas shkarkimit të Indrit Cërloj, me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari. Lëvizjet erdhën pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, ngjarje e ndodhur të martën më 13 janar. 

Ngjarja çoi në arrestimin e 8 zyrtarëve të burgut të Durrësit. 

Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se drejtuesit e burgut të Durrësit nuk kanë informuar komisariatin e policisë për transferimin e Altin Ndocit. 

Ilir Beqaj kërkon leximin e fashikujve hetimorë, Drejtoria e Burgjeve: Nuk kemi infrastrukturën e nevojshme

By: Os De
15 January 2026 at 15:17

Drejtoria e Burgjeve këtë të mërkurë ka kthyer përgjigje lidhur me kërkesën e ish-ministrit, Ilir Beqaj për të lexuar fashikujt hetimor përmes një kompjuteri/pajisjeje të pa lidhur me internetin.

Burgjet në përgjigjen e tyre kanë deklaruar se nuk kanë infrastrukturën e nevojshme. Nga ana tjetër Beqaj gjatë gjyqit ka ngritur pyetjen: A ka cituar ndonjë ligj apo rregullore drejtoria e burgjeve?

“Ftoj SPAK-un të shikojë ligjin e ri për koncesionet botuar në fletoren zyrtare. SPAK nuk denjoi të bënte ekspertize që ja kërkova që në hetimet paraprake, provat nuk u morën kurrë, sepse SPAK se përballoi dot presionin politik, SPAK ka instaluar metodën e persekutimit publik”, shtoi ai.

“Gjyqi im si në 1946, çoi prokuroria një person ne gjyq, i tha gjykata ku janë provat? Provat i tha prokurori-gjyqtares? Hape pak prenxheren, hapi penxheren gjyqtarja pa turma njerëzish aty thirrnin kriminel kriminel, kështu dhe SPAK”, tha Beqaj.

“Kampus universitar në Durrës edhe për studentë të Tiranës”, Rama: T’i lehtësojmë nga barra e qirasë

By: Os De
15 January 2026 at 15:11

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë të hapur me rreth 40 rektorë të universiteteve publike dhe private, e fokusuar në cilësinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend. Gjatë takimit u diskutuan sfidat dhe reformat e nevojshme për përmirësimin e institucioneve universitare, roli i tyre në procesin e integrimit europian, investimet e Bashkimit Europian, si dhe nevoja për rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e proceseve të akreditimit.

Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimin e kampuseve universitare në Tiranë dhe Durrës, si pjesë e përpjekjeve për ta bërë arsimin e lartë më efikas dhe më të aksesueshëm për studentët.

“Të gjithë të ulemi dhe ta shikojmë gjënë në sy. Sfida është dhe hajde që ta rregullojmë të gjithë së bashku. Universiteti është aleati më i rëndësishëm i institucioneve të vendit dhe të vetë vendit në një proces për integrimin për Bashkimin Europian. Investimet nga BE për Universitetit të Tiranës jepet çdo vit. Duhet ta vlerësojmë më shumë këtë kapacitet dhe ta vendosim në kushtet që të jetë më efikas në territor. E treta është çështja e akreditimeve.
Ambicia tani është që ta çojmë në një nivel tjetër dhe të rrisim kapacitetin institucional për të përshpejtuar çështjen e akreditimit. Kemi bërë goxha ndryshim dhe investime në infrastrukturë, që janë goxha domethënëse, por jemi akoma larg për mbushjen e kushteve për të përballuar sfidat dhe nevojat. Kemi dy kampuse të mëdha përpara kemi kampusin e Tiranës dhe kemi përpara kampusin e “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Me trenin që do jetë në funksion shumë shpejt, do të jetë shumë e thjeshtë që studentët në Tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, të ndihmojmë në zgjidhje të studentëve për çmimet e larta. Të gjitha këto programe të përbashkëta kanë sjellë një tjetër rrugëtim dhe dije se ku është Europa dhe universitet sot”, tha Rama.

 

Rama-rektorëve: Na duhet një ligj i ri për arsimin e lartë (Afati)

By: A R
15 January 2026 at 14:58

Kryeministri Edi Rama dhe 40 rektorët e universiteteve publike dhe private, sot, 15 janar, në një bisedë të hapur për cilësinë e institucioneve tona të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Fillimisht Rama u ndal te nevoja për riformatimin e ligjit të arsimit të lartë.

“Duke vlerësuar sinqerisht bashkëpunimin që kemi ndërtuar dhe vijmësinë e komunikimit në një rrugë sa institucionale aq edhe të hapur informale, gjë që na ka dhënë mundësinë të jemi vazhdimisht në kontakt me njëri-tjetrin dhe të dëgjojmë e të kuptojmë më shumë në kohë reale, është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, pasi ka kaluar një periudhë e mjaftueshme për të reflektuar ndryshimet që ka sjellë koha.

Fatmirësisht kemi një praktikë të mirë të mëparshme, ligji aktual është shkruar me kontributin tuaj dhe ma ha mendja se ky do të jetë rasti përsëri. Shpresoj e besoj që edhe për shkak të eksperiencës dhe se në këtë rast nuk bëhet fjalë për përmbysje, por korrektime, do të jetë e mundur ta bëjmë në një kohë të arsyeshme dhe nuk do presim sesionin tjetër të parlamentit për ta përgatitur bazën, pastaj procedura parlamentare mund të jetë në fund të sesionit, por ajo që është e rëndësishme është të organizohemi në një grup të përbashkët”, deklaroi kryeministri.

Së dyti, nënvizoi faktin se sfida themelore mbetet ndërkombëtarizimi i universitetit dhe racionalizimi i burimeve dhe potencialeve.

Më tej u ndal te pjesa e financimit duke thënë se edhe për këtë duhet diskutuar në vijim.

“Në takimin e ardhshëm të mblidhemi për të diskutuar hapur procesin dhe do doja të ftonim edhe të gjithë rektorët e universiteteve private.”

“Kemi dy kampuse përpara, atë të Tiranës, në ndërkohë kemi hapur procesin për kampusin e universitetit Aleksandër Moisiu. Ka një potencial për të krijuar edhe infrastrukturë qëndrimi residence të studentëve, duke pasur parasysh që treni do të jetë në funksion së shpejti. Do të jetë e thjeshtë që studentët në Tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, prandaj do ndërtojmë një kompleks studentor rezidencial, për shkak të çmimeve të larta në Tiranë, edhe në Durrës xhanëm, por në Tiranë…”, bëri me dije kreu i qeverisë.

Ta rrah? Për prindërit admirues të fëmijëve të tyre

15 January 2026 at 14:52

Nga Rudina Koromani, Psikologe Klinike

“Kur dikush shkund një qilim, goditjet nuk janë kundër qilimit, por kundër pluhurit që ai mbart.” – Rumi

Kjo shprehje më vjen shpesh në mendje sa herë kam përballë prindër të zhgënjyer dhe të lodhur nga sjelljet negative, të përsëritura, të fëmijëve të tyre.

Fëmijë që nuk duan të studiojnë; fëmijë që rrezikojnë jetën me sjellje delikuente; fëmijë agresivë, që ofendojnë apo godasin prindërit; fëmijë të përfshirë në abuzime me drogëra… rastet problematike janë të pafundme. Dhe, pothuajse gjithmonë, e gjithë pesha e këtyre problemeve bie mbi prindërit.

…dhe prindi ndihet fajtor. Pyet veten: Ku kam gabuar?

Sot po shtohen prindërit e shkatërruar emocionalisht nga sjellja e fëmijëve të tyre: “Nuk di çfarë të bëj më”; “Mes gjithë të mirave është rritur”; “Një shpullë nuk ka marrë kurrë”; “E trajtoj si shok”…

Çështja është se prindërimi modern, në shumë raste, e ka hedhur në kosh autoritetin prindëror. Një autoritet që brezi i mëparshëm shpesh e ushtronte në mënyrë të tepruar dhe të gabuar, por që sot, në emër të librave të prindërimit dhe iluzionit se “dimë gjithçka”, është zëvendësuar me një qasje tjetër po aq problematike: plotësimin pa kushte të dëshirave të fëmijës.

Shumë prindër janë shndërruar nga prindër edukues në prindër admirues të fëmijëve të tyre: në plotësues dëshirash, në blerës dhuratash pa kriter, në zbatues të çdo kërkese – pavarësisht nëse fëmija e meriton apo jo.

Po, çdo fëmijë ka një personalitet unik. Pikërisht për këtë arsye, recetat e prindërimit nuk gjenden thjesht në libra. Megjithatë, një parim mbetet i pandryshueshëm dhe i vërtetuar: autoritet në masën e duhur.

Por si mund ta dijë fëmija çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, nëse sjelljet e këqija nuk ndëshkohen? Si mund të edukohet një fëmijë që trajtohet si i barabartë me prindin, në role dhe vendimmarrje?

Kur djali apo vajza të kërcënon me thikë, si do ta ndalësh? Kur kërkon të dalë, ndërkohë që prindi e di se po rrezikon, si do ta kufizosh? Kur kërcënon të vjedhë apo të marrë me dhunë para, si do të veprosh?

“Kur dikush shkund një qilim, goditjet nuk janë kundër qilimit, por kundër pluhurit që ai mbart.” – dhe kjo nuk do të thotë ta rrahësh fëmijën mëngjes, drekë e darkë.

Do të thotë:

‼ Fëmija duhet dëgjuar – por në përputhje me nivelin e zhvillimit të tij. Sa më shumë rritet, aq më shumë duhet dëgjuar.

‼ Fëmija duhet edukuar dhe ndëshkuar për sjelljet e gabuara, në mënyrë që të mësojë pasojat e veprimeve të veta. Deri në moshën e pjekurisë, fëmija nuk e kupton plotësisht pasojën e veprimeve – as për veten, as për të tjerët. Kur komunikimi dështon, duhet të aplikohen ndalesa ndaj gjërave që ai pëlqen, ndëshkime të qarta për sjellje të gabuara të përsëritura dhe shpërblime për sjellje pozitive dhe arritje.

‼ Godasim pluhurin, jo fëmijën. Pa harruar kurrë t’i themi që e duam dhe do ta duam gjithmonë; pa harruar ta dëgjojmë; por edhe pa harruar se je prindi, jo shoku i tij. Respekti ndaj prindit nuk negociohet.

Luani me ta për 7 vitet e para,

Mësojini për 7 vitet e tjera,

Këshillojini për 7 vitet pasuese,

dhe më pas lërini të ecin vetë.

(I. Ali)

#ndëshkimifëmijës #zhvillimifëmijës #prindërimi

Borgen dhe Groenlanda: Kur seriali parashikon ‘lojën’ e superfuqive

By: A R
15 January 2026 at 14:45

Corriere Della Sera i ka kushtuar një artikull serialit danez Borgen dhe “parashikimeve” të tij për Groenlandën, që ne e kemi përshtatur në shqip, si më poshtë…

Më 14 janar, ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës u takuan në Washington me nënkryetarin amerikan JD Vance, por samiti nuk arriti të ulë tensionin që po rritet për ishullin polar.

Sezoni i fundit i Borgen, seriali danez më i njohur dhe një nga më të vlerësuarit në fushën e dramave politike, fokusohet pikërisht te Groenlanda. Zbulimi i një depozite të madhe nafte ndez interesin e SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës, duke lënë Danimarkën e vogël të “ngujuar” mes superfuqive.

Seriali u publikua në vitin 2022, tre vjet para se presidenti i ri amerikan Donald Trump të deklaronte hapur interesin për ishullin.

“Nëse do të kisha propozuar këtë skenar, shumica e njerëzve do të kishin thënë, si 5 apo 10 vjet më parë, se isha jashtë realitetit dhe kisha humbur kontaktin me të vërtetën”, thotë Adam Price, krijuesi i Borgen, në një intervistë për Reuters.

Edhe Price, që kishte parashikuar se Groenlanda do të bëhej pjesë e skemës globale, nuk e kishte imagjinuar që presidenti amerikan nuk do të përjashtonte përdorimin e fuqisë ushtarake ose ekonomike për të marrë kontrollin e ishullit.

“Kur realiteti bëhet absurd, siç ka ndodhur kohët e fundit me situatën e Groenlandës dhe pretendimet e Trump, çfarë duhet të shkruajmë?”, pyet ai, duke treguar vështirësitë për dikë që sot shkruan një dramë politike.

Price shpreh shqetësim se ajo që më parë konsiderohej ekstreme apo e çuditshme në politikë nën udhëheqjen e Trump mund të bëhet normale.

Price sugjeron se, në një sezon të ri të Borgen, do të ishte interesante të përqendrohej tek Bashkimi Evropian, duke e bërë politikën europiane më tërheqëse për publikun:

“Politika shpesh duket e ftohtë dhe pa emocione, ndaj duhet të gjesh tema që janë vërtet eksplozive.”

Të tre sezonet e para të Borgen janë të disponueshme në Netflix.

Spiropali në Kiev: Shqipëria, krah Ukrainës në rrugën drejt një paqeje të drejtë

By: A R
15 January 2026 at 13:55

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka mbërritur në Kiev ku po zhvillon një vizitë zyrtare, për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë sulmeve masive që kanë targetuar popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike.

Në nisje të vizitës, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, me një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

“Kievi vijon të përballet me sulme masive, që targetojnë popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike. Në këtë mot dimri ekstrem, ukrainasit po përjetojnë pasojat e mungesës së energjisë, ngrohjes dhe ujit”, deklaroi Spiropali nga kryeqyteti i Ukrainës.

Spiropali theksoi se “Shqipëria do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, në rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme dhe për të ardhmen e përbashkët europiane.”

Ministri Sybiha falenderoi Spiropalin për qëndrimet e saj dhe të qeverisë shqiptare në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e vendeve mike si Shqipëria për të drejtën e Ukrainës, do të thotë shumë në këto kohë sfiduese.

Më tej, Spiropali dhe homologu ukrainas zhvilluan një takim që sipas Ministres, pasqyron jo vetëm angazhimet tona të përbashkëta, por edhe vlerat tona, respektin për të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.”

Spiropali dhe Sybiha nënshkruan një deklaratë të përbashkët që dënon agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës si një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe normave të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata nënvijëzon rëndësinë e mbajtjes përgjegjëse të Federatës Ruse për krimet kundër Ukrainës.

Dy ministrat diskutuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, përfshirë mundësitë për të forcuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, promovimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe identifikimin e iniciativave konkrete të bashkëpunimit.

Në vijim të vizitës së saj në Ukrainë, Ministrja Spiropali do të pritet edhe nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Nga Lulzim Berisha tek Astrit Avdyli, kush janë të burgosurit VIP që u transferuan në Peqin dhe Fier

By: A R
15 January 2026 at 13:43

Plot 33 persona të mbajtur në paraburgimin e Durrësit janë transferuar në institucione të tjera të vuajtjes së dënimit, pas arratisjes dy ditë më parë të Altin Ndocit. Ata janë lëvizur një natë më parë me mbështetjen e Forcave Shqiponja, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të Drejtorisë së Burgjeve.

Burgu i Durrësit nuk është institucion i sigurisë së lartë, ndaj është vlerësuar e arsyeshme që të dënuarit me rrezikshmëri të shtuar të mos qëndrojnë më në këtë burg.

Altin Ndoci

Burime zyrtare sqarojnë se bëhet fjalë vetëm për transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë, dhe jo për zyrtarë apo persona të arrestuar për çështje korrupsioni apo abuzimi me detyrën.

Mes të transferuarave është edhe Lul Berisha, i cili është dërguar në Burgun e Peqinit.

Të transferuarit nga paraburgimi i Durrësit:

1- Agim Gjini – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

2- Lulëzim Selimi – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

3- Algert Rrapi – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

4- Enea Kume (vëllai i deputetit te PS Loer Kume ) – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

5-  Elvis Ndreca – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

6- Dhimiter Nina – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

7- Endri Seiti – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

8- Aldi Zonja – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

9- Erind Lasku – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

10- Artur Hoxhosmani – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

11- Artion Çaushllari alias Gjika – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

12- Armando Ndreca – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

13- Armand Marvataj – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

14- Astrit Avdyli alisa Balliu- Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

15- Samuel Alfonso Moreno Serrano ( shtetas nga Venezuela ) – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

16- Braniol Liço alias Ago – Nga IEVP Durrës në IEVP Fier

17- Orges Molla – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

18- Dorian Beu – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

19- Lulzim Berisha – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

20- Emirjan Beu – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

21 – Juxhin Koka – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

22- Enkeli Kërtalli – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

23 – Jose Ramos Zacarias Rodrigues Vasques ( shtetas nga Venezuela ) Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

24- Skënder Sufaj – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

25- Gëzim Thartori –  Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

26- Ismail Zeneli – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

27- Geis Sejfullai – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

28- Klajdi Merkaj – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

29- Ervin Zeqiri – Nga IEVP Durrës ne IEVP Peqin

30- Klevis Hoxhosmani – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

31- Morel Kërtalli – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

32- Maksim Ndoci – Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

33- Saimir Bilaçaj-  Nga IEVP Durrës ne IEVP Fier

Të mërkurën, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit. Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri i IEVP Durrës.

Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës. Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.

Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra 12 zyrtarë, përfshirë zinxhirin komandues, drejtorin e IEVP Durrës, shefin e policisë, shefin e Policisë së IEVP Durrës dhe shefen e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor. Pasditen e së mërkurës, drejtori i paraburgimit të Durrësit, Indrit Cerloj, u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Në lidhje me dinamikën e arratisjes, Burgjet sqaruan se Ndoci është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.

Masakra e Reçakut, Osmani: Dëshmi e qëllimit shfarosës të Serbisë ndaj Kosovës

By: A R
15 January 2026 at 13:38

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Dimal Basha dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti kanë kryer homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, në kuadër të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Në fjalën e saj pas homazheve, Osmani deklaroi se Reçaku mbetet dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj popullit të Kosovës, duke shtuar se plagët e kësaj masakre vazhdojnë të flasin edhe sot.

Në këtë 27 vjetor të masakrës së Reçakut edhe një herë përkujtojmë të gjitha viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Raçakut akoma flasin, sepse dhimbja është ende e freskët siç ishte para 27 vitesh”, tha presidentja Osmani.

Kjo e fundit shtoi se do të vazhdojë të mbrojë të vërtetën për Reçakun dhe për krimet e tjera të luftës, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Vrasja makabre e Martin Çeços, Apeli i Tiranës liron nga burgu tre të dyshuarit

By: A R
15 January 2026 at 13:28

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur sot në 15 janar të ndryshojë masën e sigurisë për tre personat e dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, duke zëvendësuar “arrestin në burg” me “arrest shtëpie”.

Burime nga drejtësia konfirmojnë se bëhet fjalë për V.M, kushëririn e tij E.M. dhe çobanin B.A, të cilët janë liruar nga paraburgimi, pasi Apeli ka konstatuar humbjen e fuqisë së masës së caktuar më 20 qershor 2022, për shkak të tejkalimit të afatit maksimal ligjor për qëndrimin në burg.

Megjithatë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. Vrasja e Martin Çeços ndodhi në qershor të vitit 2022, kur ai u qëllua për vdekje dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq, një ngjarje që tronditi komunitetin lokal dhe mori vëmendje të madhe në media.

Tre të dyshuarit u arrestuan fillimisht pas dëshmisë së T. P, e cila aktualisht ndodhet në burg për këtë çështje. T.P dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe dëshmia e saj ishte vendimtare për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Autoritetet ligjzbatuese vijojnë hetimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të zbardhur rolin e secilit person të përfshirë.

Sala nga Fieri: Nisim proces të thellë riformatimi të sistemit spitalor në gjithë vendin

By: A R
15 January 2026 at 13:20

Sistemi spitalor do t’i nënshtrohet një procesi të thellë riformatimi, që synon më shumë efikasitet, menaxhim modern dhe kujdes dinjitoz për çdo pacient, kudo në vend.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, inspektoi Spitalin Rajonal “Memorial” në Fier, spitali pilot për autonominë financiare, ku po aplikohen modele moderne të menaxhimit, financim i bazuar në kosto reale dhe shpërblim i stafit sipas performancës.

Gjatë vizitës në ambientet e këtij spitali, ministrja Sala theksoi se autonomia spitalore përbën një shtyllë themelore të reformës në shëndetësi, pasi rrit përgjegjshmërinë menaxheriale, përmirëson përdorimin e burimeve financiare dhe krijon kushte për motivimin e stafit shëndetësor përmes vlerësimit sipas performancës.

“Spitali Rajonal “Memorial” në Fier është aktualisht i vetmi spital në Republikën e Shqipërisë që ka autonomi financiare, pra që mund të dhe menaxhojë dhe planifikojë në mënyrë autonome. Në vitin 2026 një nga prioritetet që kemi si Ministri e Shëndetësisë është që të rishikojmë në mënyrë tërësore sistemin spitalor në rang vendi, duke patur parasysh efikasitetin e shërbimeve që i japim pacientit”, deklaroi Sala.

Rishikimi i sistemit spitalor do të bazohet në analizën e zhvillimeve demografike dhe indikatorëve ndërkombëtarë të performancës, si shfrytëzimi i shtratit, qarkullimi i shtratit dhe koha mesatare e qëndrimit në spital, në transformimin dhe riorganizimin e spitaleve me bazë rajonale duke përfshirë edhe shërbime të reja, si dhe në kalimin nga buxhetimi historik në buxhetimin sipas shërbimit, përmes tarifave të bazuara në DRG.

Spitali Rajonal “Memorial” në Fier përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në shëndetësinë publike, duke ofruar shërbime të nivelit terciar për qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Me kapacitet 150 shtretër dhe shërbime të avancuara mjekësore, ky spital garanton kujdes shëndetësor cilësor në urgjencë, neurologji, kirurgji të specializuar, neurokirurgji, imazheri të avancuar, kardiologji dhe hemodinamikë, si dhe shërbime laboratorike të standardeve të larta.

Shërbimet ofrohen nga një ekip i përbashkët turko-shqiptar prej 290 profesionistësh shëndetësorë, të përkushtuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor sipas standardeve bashkëkohore evropiane.

Lufta kundër drogës në Ballkan, Bolton: SHBA duhet të krijojë aleancë me qeveritë, jo t’i bashkojë me trafikantët

By: A R
15 January 2026 at 13:14

Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të pezullojnë shqyrtimin e aplikimeve për viza emigracioni në vend për 75 shtete, mes të cilave ishin edhe Shqipëria dhe Kosova. Ky vendim vjen në një kohë kur ka një lloj alerti të shtuar të Shteteve të Bashkuara sa i takon goditjes së narkotrafikut në rajonin tonë, ku mesazhe të drejtpërdrejta janë përcjellë edhe në Shqipëri.

Sipas John Bolton, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i Donald Trump në mandatin e tij të parë si president, trafiku i narkotikëve nëpërmjet Ballkanit është më shumë problem për Europën se sa për SHBA. “Ne kemi vështirësitë tona në hemisferën perëndimore, por sipas përvojës sime, në mënyrë uniforme, është përballuar ky lloj trafiku. Dhe zgjidhja më e mirë për SHBA është që të punojë me qeveritë e vendeve që prodhojnë narkotikët ose i tranzitojnë lëndët dhe të kenë aleancë me qeveritë”, tha ai në “Off the Record”.

Kjo sipas tij, i ndan qeveritë nga trafikantët. “Në të kundërt, ky lloj bashkimi mes qeverive dhe trafikantëve nuk ndihmon as qeveritë dhe as Shtetet e Bashkuara. Besoj se avantazhi më i madh që mund të përballemi përkundër drogave të paligjshme është bashkëpunimi me qeveritë e vendeve të tjera që preken”.

Përmbytja me llumin e gënjeshtrave dhe e vërteta jetime

15 January 2026 at 13:04

Nga Ilir Yzeiri

Në të gjitha tekstet e komunikimit pranohet se media, e cila qëndron në mes të publikut që e ndjek, pra e lexon ose e sheh, dhe ngjarjeve, në asnjë rast nuk tregon me saktësi atë që ndodh, sepse për të rrëfyer, fjala vjen, se çfarë ndodhi me përmbytjen në Shqipëri do të duhej të përshkruhej me detaje çdo episod në çdo cep të Shqipërisë ku ishte vënë re kjo dukuri. Pra, do të duheshin mijëra faqe, dhjetëra orë transmetim, e kështu me radhë. Ndaj, raportimet serioze, për të dhënë një panoramë sa më pranë së vërtetës mbështeten te të dhënat dhe te shifrat, pra tregojnë edhe atë që nuk duket ose atë që publiku nuk mund ta shohë. Alarmizmi, spektakolarizimi i së keqes janë më afër natyrës perverse të njeriut i cili, përgjithësisht, tërhiqet më shumë nga shfaqja e së keqes sesa nga neutraliteti i rutinës. Gjatë përmbytjeve që ndodhën kohët e fundit, raportimet dhe foltoret e habereve të darkës zienin nga turbullira që shkaktonte vlimi i urrjetjes kundër atyre që kishin vjedhur hidrovoret, që kishin mbyllur kanalet, shkurt, të krijohej përshtypja se vendi ishte pranë një apokalipsi.

Në fakt, dekore dhe skena të tilla, gati hollivudiane, me përmbytje e me shtëpi nën ujë, një bari me një dele në krah që e shpëton nga uji janë sugjestionuese dhe e çojnë efektin konotativ të imazhit në shkallën më të lartë. Dhe, ashtu, në delir, publikut i përcillet ideja se në përmbytjen e radhës askush nuk do të shpëtojë gjallë. Ndërkaq, inxhinierë të zotë, profesionistë që kanë punuar një jetë të tërë në projektime e në zbatime veprash të mëdha, ndodhen diku në një cep të autostradës së madhe të informacionit dhe ata, herë pas herë, reagojnë duke treguar me fakte një realitet tjetër. Për çudi, postimet e tyre nuk kapen nga algoritmi dhe nuk shumëfishohen sepse në ato informacione është e vëreta neutrale, ajo që nuk prodhon efekte negative që të ndezin turmën. Një ndër ta është edhe inxhinieri Bardhyl Bejo. Ja si shkruan ai për këtë rast :

« Nuk e di, por shpesh të kap pezmatim nga mënyra se si media e ndjek situatën e përmbytjes të këtyre ditëve. Një disfatizëm i pajustifikuar e tepër “djallëzor” sipas mendjes sime. Për më tepër, kur edhe të ashtuquajtur profesionistë e shumëfishojnë këtë gjendje. Dje dëgjova apo lexova një që e mbante veten për inxhinier, për çudi … gjeodet (nga ata që rilevojnë terrenin) që merte përsipër të “sqaronte” situatën teknike të … tunelit të “famshëm” të Llogarasë. Diku ka rrjedhur një curril uji dhe ai pretendonte të jepte një panoramë inxhinierike përfundimtare. Uji ka mbuluar sipërfaqen e jashtme të tunelit thotë ky “inxhinier”, shpëlan apo gërryen betonin dhe e DOBËSON atë, ku përveçse dëmtohet hekuri, krijohen hapësira prej nga futet uji brenda. Çfarë batakçi “profesionist”! Për dijeni, në raste shiu, jo vetëm tuneli por gjithëçka nën sipërfaqe “noton” në ujë. Pa dyshim edhe tuneli. Por, së pari, uji nuk e dëmton betonin. Përkundrazi e ndihmon jo vetëm të ruajë markën e projektuar, por edhe (me kohë) ta rrisë atë. Së dyti, tuneli nuk është një strukturë që punon si një urë, ku dëmtimi i një seksioni influencon në krejt urën. Çdo metër tuneli, nga pikëpamja konstruktive, kryesisht, thuajse punon në mënyrë të pavarur. Pse ta zgjas?! Ta fiksojmë mirë.

Tunelet, pas realizimit të tyre, aq më tepër kur si në rastin e Llogarasë ka filluar ndërtimi para 4 vitesh dhe është venë në funksionim një vit më parë sipas projektit, është një konstruksion ndërtimor i padëmtueshëm (kërkon detyrimisht mirëmbajtje e vëzhgim të kujdesshëm) dhe i sigurtë, përveç në raste tërmeti me 10 e më tepër shkallë Rihter, katastrofë që mund të rrafshojë gjithëçka, së pari reliefin malor ku ai është ndërtuar. Edhe një fjalë për përmbytjen e fushave. Tashmë është e qartë pse ndodhin përmbytjet e fushave, aq më tepër ato të zonës bregdetare. Le të shpresojmë se dëmtimet e këtij viti, si dhe të atyre që kanë ndodhur më parë, e kanë nxjerë fare qartë mungesën “kriminale” të mirëmbajtjes të elementëve e veprave mbrojtëse. Por, nuk duhet që të na hutojë paniku. Dëmi i këtij viti nuk është i pallogaritshëm, katastrofik.

Përkundrazi në krahasim me ndërtimet dhe mirëmbajtjen “mizerabël” që kemi realizuar, dëmi është minimal, i përballueshëm. Nga 750 mijë ha tokë bujqësore, nga të cilat afro 250 mijë në zonën fushore e bregdetare, janë përmbytur rreth 13 apo14 mijë ha, dmth rreth 5 përqind e zonës fushore dhe 2 përqind e totalit. Le të shpresojmë se dëmi është i këtij rendi dhe moti do të përmirësohet.”, përfundon inxhinier Bardhyl Bejo. Çfarë të shtosh më shumë? Është e vërtetë se media nuk i raporton publikut, por e krijon atë, pra, me mënyrën si e zgjedh lajmin, si e tregon dhe çfarë kërkon të arrijë, ajo ndërton një publik që mendon ashtu si autori i lajmit. Kjo krijon atë pasqyrimin binar, pra dypalësh të realitetit, kur mediat janë nën trysninë politike. Në mes gjithnjë gjëndet një informacion neutral. Por ai, në kushtet e rrjeteve sociale dhe në kohën kur agjenti digjital përcakton edhe dendësinë e përhapjes dhe pëlqimet për atë lajm, deformimi, e keqja si virtyt i viktimave imagjinare dhe përhapje e fake news-it janë më tërheqëse dhe qarkullojnë më me lehtësi. Ndaj edhe postimet e inxhinier Bardhyl Bejos nuk e tërheqin agjentin digjital dhe gazetarët që raportojnë për ditët e kiametit.

 

Horoskopi ditor për nesër, e Premte 16 Janar 2026

By: A R
15 January 2026 at 12:56

Dashi

Edhe pse keni arsye për te qene te stresuar, nuk do te ishte mire qe ta tregonit atë ne publik. Te nxitur edhe nga prezenca e Hënës ne shenjen e Bricjapit, sot do te keni tendencën qe ta teproni me reagimet tuaja emotive

Demi

Mundësi te reja për te lindurit e kësaj shenje do te bëhen te mundura edhe nga prezenca harmonike e Neptunit ne shenjen e Peshqve. Mos u fiksoni pas një historie zhgënjyese e cila nuk po ju lejon te bëheni me ne fund te gëzuar. Mendoni atë me te bukuren qe jeta mund t’iu ofroje

Binjaket

Sot përkushtojuni argëtimit tuaj duke përfituar nga ndikimi pozitiv i Venusit edhe për disa ore te tjera ne shenjen mike te Luanit. Gjate kësaj dite do te keni dëshirën t’i tregoni te tjerëve se çfarë jeni ne gjendje te bëni

Gaforrja

Gjate ditës se sotme nuk do te kënaqeni dot për nga mënyra se si po shkojnë gjerat sa i takon anës sentimentale. Përballja e Hënës me shenjen e Bricjapit do tu shkaktoje lëkundje te gjendjes tuaj te humorit, çka do ta beje te vështirë qe te kuptoheni me njerëzit qe do te keni rrotull

Luani

Gatishmëria dhe shpirtgjerësia juaj janë vlera qe tashme ua njohin te gjithë qe keni përreth. Por sot gjithashtu ju do te keni një dëshirë te veçante për te ndihmuar te tjerët, çka ju sugjerohet edhe nga Jupiteri i cili është prezent ne shenjen tuaj gjate ditës se sotme

Virgjeresha

Nevoja për te ndërtuar diçka vërtet te qëndrueshme dhe te rëndësishme ne jetën sentimentale do tu shoqërojë sot dhe ne ditët ne vazhdim. Kjo nxitet veçanërisht edhe nga prezenca e ndikimit te Hënës ne shenjen mike te Bricjapit. Sot do te arrini te realizoni dëshirat tuaja, edhe pse ne mënyrë te ngadalte

Peshorja

Sot do tu duhet te hiqni dore nga projektet tuaja. Prezenca e Hënës ne shenjen e Bricjapit tregon dukshëm qe sot do te hasni ne disa vështirësi, por tek tuk duken edhe pak rruge daljeje, edhe pse te largëta

Akrepi

Prezenca e Hënës dhe Plutonit ne shenjen e Bricjapit sot është pozitive dhe kjo do tu sjelle shume mundësi te mira për tu shfrytëzuar. Duhet te tregoheni te shkathet për te kapur rastin tu shpëtojë nga dora. Ambicia dhe vendosmëria juaj kane rolin e tyre ne këtë drejtim

Shigjetari

Keni disa ambicie te cilat janë duke ju pritur diku pas ndonjë qoshke. Dhe sot është rasti t’i shfrytëzoni, pasi te tilla nuk qëllojnë për dite. Fale Venusit dhe Jupiterit ne shenjen e Luanit, sot do te keni rastin te kaloni disa momente vërtet te jashtëzakonshme

Bricjapi

Prezenca e Hënës ne shenjen tuaj do tu shtyje te kërkoni te tjera emocione te thella. Sot do ta keni te vështirë qe te kënaqeni me aventura pa te ardhme. Sot do te jeni te interesuar te ndërtoni diçka te qëndrueshme dhe qe te jete ne gjendje tu beje te ndjeheni te lumtur për një kohe te gjate

Ujori

Marrëdhëniet sentimentale gjate kësaj kohe janë shume intensive por edhe shume te turbullta. Kjo për shkak te kundërshtimit te Venusit ne shenjen e Luanit. Ruani ca energji duke mos rendur pas disa gjerave qe dukshëm nuk do te mund t’ju bëjnë te lumtur

Peshqit

Prezenca e Hënës ne shenjen e Bricjapit do tu ndihmoje për te vendosur disa marrëdhënie te qëndrueshme me personat qe keni përreth. Me ta mund te ndani sot disa dëshira dhe ëndrra, por e rëndësishme është qe ata te jene ne gjendje t’iu kuptojnë dhe qe mund tu besoni ne mënyrën me absolute.

27-vjetori i masakrës së Reçakut, Kurti: Kjo është ende një plagë e hapur dhe pret për drejtësi

By: A R
15 January 2026 at 12:47

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, me rastin e shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, duke nderuar viktimat e njërit prej krimeve më të rënda të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë homazheve, Kurti theksoi se Masakra e Reçakut ishte moment kyç në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.

“Para 27 vjetëve këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker u jehua e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të kryer nga Serbia si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësua dhe u mobilizua opinioni publik ndërkombëtar dhe kancelaritë diplomatike perëndimore,” tha Kurti.

Ai shtoi se masakra e Reçakut është ende një plagë e hapur, e cila ende pret drejtësi, duke ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ndjekur penalisht autorët e krimeve.

“Jemi këtu për të shprehur dhembjen tonë, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë se gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar për mizoritë e kryera para 27 vjetësh,” u shpreh Kurti.

Në fund, kryeministri nderoi viktimat dhe dëshmorët, duke thënë: “Lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga komandanti Ahmet Kaçiku.”

Masakra e Reçakut mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë dhe simbol i vuajtjes, rezistencës dhe kërkesës së vazhdueshme për drejtësi.

Dosjet në duart e të pandehurve? Si u hakeruan materialet e SPAK-ut

By: A R
15 January 2026 at 12:38

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal për hakerimin e materialeve sekrete të SPAK-ut.

Siç thuhet në njoftimin zyrtar, tre janë personat që aksesuan në mënyrë të paautorizuar materialet hetimore duke i shpërndarë më pas tek persona të tjerë.

Bëhet fjalë për Arnold Rrokaj, ndaj të cilit është lëshuar masa e “arrestit me burg”, i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Së dyti, e njëjta masë është lëshuar për Zambak Gjonin, i akuzuar për të veprat penale si Rrokaj. Po për këto vepra penale, po hetohet në gjendje të lirë Agim Ismaili.

Sipas hetimeve, Rrokaj ishte i pari që pati akses te materialet hetimore. Ai bashkë me Gjonin u identifikuan brenda 24 orëve dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

❌
❌