Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Java News

Festat, ku i kalojnë shqiptarët? Eksperti: Korça dominon brenda vendit! Ja tre qytetet më të kërkuara në Evropë

By: Os De
25 December 2025 at 17:56

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pritur fluks udhëtarësh gjatë nëntorit. Sipas të dhënave rezulton se janë përpunuar mbi 765 mijë pasagjerë të ardhur nga 67 destinacione.

Rritja e fluksit lidhet drejtpërdrejt si me vijimin e kërkesës turistike pas sezonit veror, por edhe me zgjerimin e destinacioneve te fluturimeve.

Siç ka shumë shqiptarë që zgjedhin të kalojnë pushimet jashtë vendit, ka edhe të huaj që vijnë në Shqipëri për të shijuar ditët e fundvitit.

Eksperti për turizmin, Isa Krasniqi, i ftuar në “Money Report” u shpreh se për festat e fundvitit, qytetet j metë frekuentuara nga Shqiptarët janë Vjena, Praga dhe Roma. Megjithatë ka prej atyre që zgjedhin që pushimet t’i kalojnë në vende të ngrohta, siç është Dubai.

“Shqiptarë kanë zgjedhur këtë vit më shumë, tre qytete si Vjena, Praga, dhe Roma. Të tre këto qytete kanë linja ajrore direkte, por janë dhe qytetet që të ofrojnë atmosferë të madhe sa i përket festave të fundvitit. Ka edhe fluturime për në vende të nxehta, siç është dhe Dubai, por ka dhe prej atyre që duan të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri”, tha ai.

I pyetur se cilat janë qytetet më të kërkuara brenda vendit për të kaluar festat, eksperti u shpreh se Korça është dominuesja absolute, por megjithatë vitet e fundit ka një interes të shtuar për Beratin dhe Shkodrën.

“Korça është vend i parë për shumë arsye, në këtë vit sidomos ka hyrë shumë vizita e Beratit, por edhe e Shkodrës. Jo vetëm vizita, por po preferohet dhe akomodimi në këto dy vende. Gjithashtu edhe Vlora mbetet një destinacioni”, tha ai.

Ai theksoni se Shqipëria duhet të ketë ofertë gjithëvjetore në turizëm, pasi ky sektor shprehet Krasniqi ka shumë potencial dhe të gjithë duhet të punojmë për këtë objektiv.

“Ka shumë gjermanë, të cilët po e frekuentojnë në pjesën e fundit të vitit, për të festuar vitin e ri. Ka edhe nga Spanja, që vijnë dhe janë entuziastë për vizitën e tyre në Shqipëri. Janë mahnitur kur kanë parë bukuritë e vendit tonë.

Ne duhet të shkojmë në një turizëm gjithëvjetor. Duhet ta ngremë turizmin dhe të jetë gjithëvjetor. Të investojmë në promovimin e Shqipërisë, por edhe përmirësimin e infrastrukturës. Të kemi çfarë të themi tek të huajt”, tha ai.

“Jezusi është palestinez”/ Shkakton reagime të shumta në publik tabela e neonit e shfaqur në Times Square për Krishtlindje

By: Os De
25 December 2025 at 17:46

Një tabelë neoni e financuar nga Komiteti Amerikano-Arab Kundër Diskriminimit (ADC) është shfaqur në Times Square, në qendër të Nju Jorkut, duke shkaktuar reagime të shumta dhe debate publike.

Në tabelë shkruhen fjalët “Jezusi është palestinez” me shkronja të zeza mbi një sfond të gjelbër të ndezur, ndërsa në anën tjetër lexohet mesazhi “Gëzuar Krishtlindjet”.

Lajmi u raportua nga New York Post, i cili theksoi se kalimtarët reaguan në mënyra të ndryshme ndaj mesazhit, megjithëse shumica e komenteve ishin kritike.

Sipas drejtorit ekzekutiv kombëtar të ADC-së, Adeb Ayoub, organizata jofitimprurëse ka marrë me qira hapësirë reklamuese në Times Square që nga fillimi i këtij viti, ku shfaqen mesazhe të ndryshme që ndryshojnë çdo javë. Ai shpjegoi se tema kryesore e fushatës është “Amerika e Para”, me synimin për të nxitur dialogun dhe për të theksuar pikat e përbashkëta mes komuniteteve arabe, myslimane dhe të krishtera në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht gjatë periudhës së festave, kur qyteti është më i frekuentuar.

“Ka shumë më tepër ngjashmëri midis arabëve, myslimanëve dhe të krishterëve në këtë vend sesa sa na është bërë të besojmë,” tha Ayoub për New York Post. Ai shtoi se shumica e amerikanëve janë të krishterë dhe se vendlindja e Krishterimit është Palestina, duke theksuar se tabela synon të nxisë reflektim dhe debat publik.

I pyetur nëse ADC kundërshton idenë se Jezusi ishte hebre, Ayoub u shpreh se çështja është “një interpretim” dhe se “Jezusi jeton në secilin prej nesh”.

Ndërkohë, ADC ka prezantuar edhe një tabelë tjetër këtë javë në Times Square me mesazhin: “Jezusi do të thoshte: ‘Rrëzojeni atë mur’”. Sipas Ayoub, një tjetër tabelë e re pritet të shfaqet në natën e Vitit të Ri, duke vazhduar serinë e mesazheve që synojnë të provokojnë diskutim publik.

Rritet fuqia e pasaportës shqiptare, renditet e 46-ta në botë! Mund të udhëtohet pa viza në 122 vende

By: Os De
25 December 2025 at 17:37

Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në Indeksin e Pasaportave Henley, renditja ndërkombëtare që mat fuqinë e pasaportave dhe lëvizshmërinë globale të qytetarëve. Sipas të dhënave më të fundit, të përditësuara këtë fundvit, pasaporta shqiptare renditet në vendin e 46-të në botë, duke u mundësuar qytetarëve të udhëtojnë pa vizë në 122 vende. 

Kjo renditje përfaqëson një përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme dhe pasqyron progresin e Shqipërisë në marrëdhëniet diplomatike dhe integrimin ndërkombëtar. 

Grafiku tregon një rritje graduale të fuqisë së pasaportës shqiptare, nga vendi i 79-të në vitin 2006 në vendin e 46-të në vitin 2025, me luhatje të vogla ndër vite, por me trend të qartë pozitiv. 

Në rajon, Greqia renditet në vendin e 5-të global, me akses pa vizë në 186 destinacione, ndërsa Kroacia mban vendin e 7-të në botë me 184 vende, duke qenë pasaportat më të forta në Ballkan. Serbia renditet e 35-ta me 137 destinacione, Bosnje dhe Hercegovina e 45-ta me 123 destinacione, Maqedonia e Veriut e 41-ta me 129 destinacione, ndërsa Mali i Zi renditet i 42-ti me 128 destinacione pa vizë. 

Ndërkohë, pasaporta e Kosovës renditet në vendin e 62-të globalisht, duke u lejuar qytetarëve të udhëtojnë pa vizë në 81 vende. 

Në nivel botëror, Singapori vazhdon të kryesojë renditjen si pasaporta më e fuqishme në botë, me akses pa vizë në 193 vende. 

VIDEO/ U akuzua për drogë, lirohet me kusht një ditë pas arrestimit presidenti i Fenerbahçe! Momenti kur përlotet para tifozëve

By: Os De
25 December 2025 at 17:30

Vetëm një ditë ka zgjatur paraburgimi për presidentin e klubit të futbollit të Fenerbahçes në Turqi, Sadettin Saran. 

Ai u lirua nga gjykata, pak pasi përfundoi dëshminë, në kuadër të hetimit për gjurmët e kokainës të gjetura në flokët e tij, si dhe për çështjen e përgjithshme të drogës në të cilën dyshohet se është i përfshirë. 

Udhëheqësi administrativ i klubit “Kanarinat e Verdha”, siç quhet me nofkën skuadra nga Stambolli, ka siguruar lirimin nga paraburgimi me kushte kufizuese, pasi do të jetë nën mbikëqyrje gjyqësore, sipas vendimit të gjykatës kompetente. 

Kështu, në mesditën e së enjtes, më 25 dhjetor, ai u kthye në zyrat e klubit me kolegët e tij, për të gjetur dhjetëra tifozë të Fenerbahçes të mbledhur atje për ta mirëpritur dhe mbështetur. 

Pamjet u bënë virale teksa Saran u përlot, i prekur nga mbështetja e tifozëve pas përvojës së keqe që kaloi me arrestimin e tij, në momentin që po hynte në zyrë. 

Sadettin Saran gelen yoğun destekten sonra göz yaşlarını tutamadı pic.twitter.com/hY2NdtheH8

— yes context (@yescontextfb) December 25, 2025

 

 

Taulant Balla dhe ministrja Sala festojnë Krishtlindjen me fëmijët pa kujdes prindëror

By: Os De
25 December 2025 at 17:22

Në ditën e Krishtlindjes, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala, ishin pranë fëmijëve pa kujdes prindëror në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë.

Me nismë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u shpërndanë dhurata dhe u krijua një atmosferë feste.

“Në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, ku Krishtlindja festohet me buzëqeshje, përqafime dhe momente gëzimi për 138 fëmijët pa kujdes prindëror në institucionet sociale-përmes nismës së MSHMS dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste“Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur”✨” shkruan Balla në rrjetet sociale, duke uruar Gëzuar Krishtlindjen!

Lufta nuk ndalet edhe në Krishtlindje, Ukraina dhe Rusia kryejnë sulme në territorin e njëra-tjetrës

By: Os De
25 December 2025 at 17:13

Një mori dronësh rusë e kanë goditur qytetin port rus Temrijuk në rajonin Krasnodar në mesnatë duke ua vënë flakën rezervuarve të mëdhenj të naftës dhe duke dëmtuar objekte industriale, sipas autoriteteve rajonale dhe raportimeve të mediave ruse më 25 dhjetor.

Sulmet kanë ndodhur teksa forcat ruse kanë nisur një valë masive të sulmeve me dronë nëpër Ukrainë, duke goditur infrastrukturën e energjisë dhe zonat e banimit në disa rajone, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

Sipas selisë për operacione rajonale të Krasnodarit, dy rezervuarë të naftës kanë marrë flakë pas sulmit në qytetin port në Detin Azov në jug të Rusisë.

Flakët janë përhapur në rreth 2.000 metra katrorë, ndërsa në raportimet preliminare nuk janë përmendur viktima. Në pamjet e publikuara nga disa media janë parë flakë duke dalë prej një rafinerie nafte në afërsi.

Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ia ka atribuuar zjarrin një sulmi ukrainas me dronë, ndonëse Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Zyrtarët kanë raportuar për sulme edhe në qendra të prodhimit dhe pajisje bujqësore në disa fshatra të afërta.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më 25 dhjetor se i ka rrëzuar mes 141 deri në 170 dronë përgjatë natës, përfshirë shtatë në rajonin e Krasnodarit, ndërsa tjerët në rajonet e Moskës dhe Brajanskut.

Forcat ukrainase kanë kryer në muajt e fundit disa operacione me dronë duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë dhe transportit në Rusi.

Për dëme është raportuar edhe nga sulmet ruse në Ukrainë.

Në rajonin e Odesës është raportuar se një dron rus e ka vrarë një person dhe i ka plagosur dy të ejrë. Ndërsa në Harkiv, sulmi rus e ka vrarë një 51-vjeçar, sipas disa shërbimeve ukrainase.

“Rusia nuk i ka ndalur bombardimet brutale të civilëve në Ukrainë edhe në natën e shenjtë të Krishtlindjes”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha më 25 dhjetor.

“Rusia me qëllim po shkatërron infrastrukturën e energjisë dhe atë civile, duke i lënë njerëzit pa rrymë, ujë dhe ngrohje në temperatura të ulëta”, ka shtuar ai.

Forca ajrore e Ukrainës ka raportuar për 131 sulme me dronë, ndërsa 106 besohet të jenë rrëzuar nga forcat mbrojtëse. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

 

Si janë përdorur fetë nga burrat kundër grave

25 December 2025 at 17:07

Nga Ben Blushi

Gjatë bisedës që pata në Korcë për promovimin e romanit Jam Musliman fola edhe për karakterin shumë mashkullor të feve.

Të gjjtha fetë por sidomos Krishtërimi dhe Islami, janë përdorur nga burrat për të nënshtruar gratë.

Librat e shenjtë thonë se gratë duhet të mbulohen dhe të ulin shikimin për të frenuar epshin e burrave kurse burrave nuk ju kërkohet ky frenim.

Nëse të dyja gjinitë janë njëlloj të ekspozuara ndaj deshirës së trupit atëherë sic mbulohen gratë duhet të ishin mbuluar dhe burrat që të mos ndjellin epshin e grave.

Imagjinoni sikur kjo kërkesë fetare të ishte kthyer në zakon dhe burrat të ulnin sytë sa herë shikonin nje grua, sa shumë dhunë, dhimbje dhe vrasje do ishin shmangur nga historia e njerëzimit e mbushur me aq shumë krime që burrat i kanë bërë grave.

Për fat të keq fetë ia kanë dhënë burrave të drejtën për të vendosur mbi gratë.

Edhe Krishtërimi dhe  Islami i kanë të gjjthë profetët meshkuj dhe asnjë profet i madh nuk është grua.

Këta profetë merrnin më shumë se një grua dhe shumë shpesh i trajtonin ato si skllave pavaresisht nga mosha e tyre.

Kjo praktikë ndiqet dhe sot në shumë vende sic ndodh edhe në romanin tim Jam Mysliman që tregon se si një burrë 70 vjec u martua me një vajzë 12 vjece.

Në këtë linjë mashkullore ka ecur edhe caktimi i njerëzve që duhet të rregullonin marrëdhënien mes Zotit dhe njerëzve. Klerikët janë të gjithë burra.

Asnjë prift nuk është grua dhe asnjë imam nuk është grua.

Sa ndryshe do ishte raporti i njeriut me besimin sikur Papa të ishte një zonjë, apo sikur Peshkopët të ishin gra, apo sikur nëpër xhami ezani të këndohej nga zëri i bukur i grave.

Fetë do ishin më të bukura dhe shumë më paqësore.

Gratë do kishin fituar më shumë të drejta shekuj më parë.

Por kjo nuk ka ndodhur.

Burrat kanë mbajtur monopolin e punëve të Zotit duke përdorur Perëndinë për të dominuar familjen e tyre.

Ky aspekt mashkullor i feve është pa dyshim një nga më të errëtit.

Mjafton kaq për të kuptuar sesi fetë janë orientuar nga interesat e ngushta tokësore dhe aspak nga interesat e shoqërive ku kanë lindur.

Vetë Zoti është vizatuar si një misogjen që i ka dhënë më shumë të drejta burrave se grave dhe kjo është pranuar për fat të keq nga vetë gratë.

Që ditën e parë kur ka krijuar gruan nga një brinjë e burrit, Zoti ka vendosur të mbajë anën e burrave.

Mjafton kaq për të kuptuar se edhe vetë Zoti është krijesë e imagjinatës së burrave.

Zotin e kanë krijuar burrat duke i dhënë atij tiparet e tyre të ashpra dhe pandjeshmërinë e tyre.

Që herët në lashtësi burrat i janë përveshur skalitjes së imazhit të Zotit që ka jo vetëm tipare mashkullore por edhe mendësi mashkullore.

Zoti që krijon një grua nga brinja e një burri në të vërtetë shkon në drejtim të kundërt me ligjet e natyrës e cila ka vendosur se burri krijohet pra lind nga një grua.

Gjatë debatit në Korcë një nga të ftuarat më tha se në fenë e krishterë ka shenjtore.

Është e vërtetë.

Por ato bëhen të tilla vetëm pas vdekjes.

Nëse nuk vdesin gratë nuk i shërbejnë Kishës si model.

“Gjysma e Shqipërisë jashtë vendit, ekonomia nën presion”

By: Os De
25 December 2025 at 16:58

Shqipëria po përballet me një nga sfidat më të forta demografike dhe ekonomike.

Sipas studimit të fundit të INSTAT 2025, rreth 2.25 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ose 49% e shtetasve shqiptarë. Ajo që shqetëson më shumë është fakti se 77% e tyre janë në moshë pune, duke krijuar mungesë serioze të fuqisë punëtore në vend.

Destinacionet kryesore të emigrimit mbeten Italia dhe Greqia, të ndjekura nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Emigrimi ndodh kryesisht për arsye ekonomike, ku 70% largohen në kërkim të punës, ndërsa pjesa tjetër për arsye familjare apo studimi.

“Sot pothuajse e gjithë mosha e punës është jashtë vendit. Kjo e bën ekonominë të brishtë, sepse mungon kapitali njerëzor që prodhon zhvillim.”

Nga emigrimi vijnë edhe përfitime financiare.

Emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë se sa përpara largimit dhe rreth gjysma e tyre dërgojnë remitanca në Shqipëri. Por edhe pse remitancat kanë ardhur në rritje, ato përdoren kryesisht për konsum dhe shpenzime bazë.

 “Ekonomia është bërë e varur nga remitancat. Pa politika që orientojnë diasporën drejt investimeve, sidomos në prodhim dhe bujqësi, nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm.”

Ekspertët paralajmërojnë se emigrimi është edhe çështje sociale, ndërsa gjeneratat e reja dhe krizat ndërkombëtare mund të sjellin ulje të dërgesave, duke rritur pasigurinë ekonomike./ Tv Klan

Studentja nga Kosova flet për abuzimin në programin mësimor në SHBA: Na u premtua ëndrra amerikane, por përfunduam në..

By: Os De
25 December 2025 at 16:49

Një studente nga Kosova, Ema Kurshumlija, pagoi rreth 2 mijë dollarë në vitin 2018 për të marrë pjesë në një praktikë pune në Nju Jork përmes programit amerikan të vizave J-1, i prezantuar si një “përvojë kulturore e bukur”. 

Por realiteti ishte krejt ndryshe: pa trajnim paraprak dhe me javë pune deri në 60 orë duke kryer punë të rënda fizike. 

“Na u premtua një përvojë e mrekullueshme. Kur pamë çfarë na priste, ishte një tronditje e madhe”, tha Kurshumlija. 

Rasti i saj është vetëm një nga dhjetëra dëshmi që dalin nga një hetim i gjerë i New York Times, i cili zbulon se programi J-1, i administruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shpesh shndërrohet nga një program shkëmbimi kulturor në një mekanizëm fitimprurës për organizata sponsorizuese, shpesh në kurriz të të rinjve të huaj. 

Hetimi tregon se disa sponsorë kanë paguar drejtuesit e tyre mbi 500 mijë dollarë në vit, ndërsa familjarë të ekzekutivëve kanë përfituar mbi 1 milion dollarë në vetëm dy vite. 

Pjesëmarrësit janë shpesh dërguar për të punuar në ferma apo biznese të familjarëve ose anëtarëve të bordeve drejtuese. 

Studentët gjithashtu janë detyruar të blejnë sigurime shëndetësore dhe shërbime të tjera nga kompani të lidhura me sponsorët, duke rritur koston e pjesëmarrjes deri në 5 mijë dollarë për person. 

Dhjetëra praktikantë raportuan punë të rënda industriale dhe bujqësore, pa mbrojtje dhe pa mbështetje nga sponsorët, edhe kur kanë pësuar lëndime ose janë përballur me ngacmime. 

Një student nga Koreja e Jugut, Dongho Kang, pagoi afro 5 mijë dollarë dhe përfundoi duke pastruar depozita septike në një fabrikë çeliku në Indiana. 

Të tjerë punuan në ferma derrash në Nebraska, ku sipas tye, disa ndiheshin si skllevër. 

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit kishte paralajmëruar që në vitin 2 mijë se disa pjesë të programit ishin “jashtë kontrollit” dhe disa sponsorë ekzistonin kryesisht “për të bërë para”. Megjithatë, rregullat nuk janë forcuar dhe sponsorët nuk kanë kufizime për tarifat që mund të kërkojnë. 

Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit hodhi poshtë kritikat, duke thënë se programi është reformuar ndër vite dhe sponsorët që nuk respektojnë rregullat janë përjashtuar, duke e quajtur hetimin e “New York Times” një “sulm të padrejtë”. 

Megjithatë, për studentë si Ema Kurshumlija, përvoja mbetet një paralajmërim i hidhur për të rinjtë që ëndërrojnë Amerikën përmes programit J-1, por përballen me realitete shumë larg premtimeve. 

VIDEO/ Uji merr përpara gjithçka dhe shkakton panik, përmbytje katastrofike në Greqi! Thellësia arrin…

By: Os De
25 December 2025 at 16:40

Rrugë të shndërruara në lumenj, bodrume të përmbytura, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dhjetëra thirrje në Departamentin e Zjarrfikësve për pompimin e ujit dhe ndihmë janë ato që la pas moti i keq që goditi rajonin e Atikës dje, në Greqi.

Pjesa më e madhe e ujit ra në Periferitë Jugore me Alimosin, në epiqendër të rrebeshit që shndërroi disa rrugë në përrenj. Në rrugën Lysikratous, ujërat e rrëmbyeshëm mbuluan sipërfaqen e rrugës, duke shkaktuar shembjen e një gardhi të një pallati apartamentesh dhe “zhytjen” në hyrjen e ndërtesës.

Pamjet e përmbytjeve bënë shumë shpejt xhiron e rrjetit, teksa rrjedha nuk kurseu as makinat.

Siç përshkruan banorët, pak pas orës 18:00 të së mërkurës, niveli i ujit kishte arritur deri në 1.5 metra dhe brenda 5 minutash fshiu oborret.

Njëkohësisht, ata theksojnë se për fat të mirë nuk janë shkaktuar të lënduar, ndërsa mëngjesi i Krishtlindjeve i gjeti me fshesa në duar duke u përpjekur të mblidhnin ujin dhe baltën nga hyrja dhe ashensori i pallatit të banesave, informon “Protothema”.

Νέος ποταμός στον Άλιμο παράσυρε τα πάντα στο πέρασμα του. Οδός Λυσικράτους και καλαμακίου.

⚡Το 112 καμία Προειδοποίηση. Ο επιβάτης στο όχημα που φαίνεται προς το τέλος του βίντεο παραλίγο να πνίγει και ανέβηκε στην οροφή να σωθεί

Βίντεο : Ξένια Δρακοπούλου pic.twitter.com/0J3OdKAihw

— Forecast Weather Greece (@ForecastGreece) December 24, 2025

“Edhe ashensori u përmbyt me ujë, dhoma u lag, disa siguresa ranë dhe nuk funksionon më. Kishte filluar të binte shi ngadalë në pasdite. Në fillim, kanalizimet u përmbytën. Më pas, megjithatë, kur filloi shiu i rrëmbyeshëm, brenda 5-7 minutash përmbyti, uji u rrit në 1.60, në 1.70, rrëzoi gardhin dhe përmbyti gjithçka”, rrëfyen ata.

Ata përshkruan gjithashtu skenat e panikut që u zhvilluan në rrugë, ku shoferët hipën në makinat e tyre për t’i shpëtuar ujit, ndërsa automjetet e parkuara notonin si varka mbi trotuare.

 

“Veliajt iu shkelën të drejtat”, raporti i Avokatit të Popullit: Iu prek privatësia mjekësore nga Policia e Burgjeve

By: Os De
25 December 2025 at 15:56

Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ju prek privatësia mjekësore nga policia e burgjeve.

Ky është përfundimi i Avokatit të Popullit në përfundim të verifikimeve që morën shkas nga  shqetësimet e kryebashkiakut të Tiranës i cili gjatë ekzaminimeve mjekësore nuk u la vetëm me mjekët, por gjatë kolonoskopisë qëndroi edhe një efektiv i burgjeve.

Pas vizitës urgjente mjekësore të 31 korrikut, kryebashkiaku njoftoi Avokatin e Popullit për shkelje të dinjitetit. Avokati i Popullit thotë në raportin që TCH e disponon, se komisionerët pyetën mjekët që e ekzaminuan kryebashkiakun dhe ata kanë pohuar se Erion Veliaj e kishte kundërshtuar praninë e policisë gjatë kolonoskopisë.

“U kam kërkuar punonjësve të presin jashtë”, pohon mjeku, “por ata nuk kanë pranuar duke thënë se e kanë për detyrë të zbatojnë rregullat e sigurisë të miratuara në këto raste”.

Nga këqyrja e ambientit të dhomës, përshkruan komisioneri, rezulton se vendi ku u krye ekzaminimi i kryebashkiakut ishte i hapur dhe i pandarë, ku mundësia për të shmangur shikimin dhe dëgjimin se çfarë po ndodhte në dhomë ishte e pashmangshme.

Sakaq në pyetjet e drejtuara Drejtorisë së Burgjeve, konfirmohet se Veliaj vlerësohej nga autoritetet, gati një muaj pas arrestimit, si një i burgosur me risk standard, pra jo i rrezikshmërisë së lartë, dhe për këtë arsye dilet në përfundimit se prezenca e policisë gjatë vizitës mjekësore ishte e panevojshme.

Por në katër shkresa të përcjellja nga Burgjet, i shpjegohet Avokatit të Popullit se prezenca e policisë duke shkelur raportin pacient mjek, në rastin Veliaj u ndoq duke zbatuar një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve që i përket 21 janarit 2019, ndaj Avokati i Popullit kërkon ndryshime sa më të shpejta.

Ky rekomandim prek urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve.

Nisur nga rasti Veliaj avokati i Popullit deklaron se prania e policisë gjatë vizitave mjekësore që duhet të mbeten konfidenciale, duhet të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme sigurie dhe rekomandon se urdhri i 2019 duhet të ndryshojë dhe të përmbushen standardet ndërkombëtare për respektimin e dinjitetit.

Kjo është fitorja e dytë e Veliajt pas asaj që mori nga Kushtetuesja që e ktheu në detyrën e kryetarit të bashkisë Tiranë.

Si një i akuzuar nga SPAK për korrupsion, Veliaj i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesën për shpalljen si jo të ligjshëm të masës arrest në burg.

Megjithatë gjykata Kushtetuese nuk e ka caktuar ende datën se kur do ta shqyrtojë këtë kërkesë.

Gjykimi paraprak ndaj 30 të pandehurve, mes tyre Veliaj, është shtyrë në 5 janar, pas kërkesave të vazhdueshme të funksionarit për t’i vendosur në dispozicion fashikujt e hetimit.

Makinat, ndryshojnë rregullat e zhdoganimit/ Ja sa do të vlerësohen mjetet që hyjnë në Shqipëri

By: Os De
25 December 2025 at 15:47

Qeveria ka ndryshuar rregullat se si doganat do të llogarisin vlerën e mallrave dhe automjeteve që futen në Shqipëri. Udhëzimi nr. 26, datë 17 dhjetor 2025, i Ministrisë së Financave ka përditësuar rregullat e vitit 2018 dhe synon të ndalojë nënvlerësimin e mallrave në procesin e zhdoganimit. Si rrjedhojë, doganat do të përdorin burime të përditësuara ndërkombëtare për çmimet e karburanteve, metaleve, ushqimeve dhe automjeteve, për të shmangur deklarimet me vlera më të ulëta se ato reale.

Për karburantet dhe disa metale si bakri, alumini dhe zinku, çmimet referuese do të përditësohen çdo ditë pune. Ndërsa për ushqimet, çelikun, plastikën dhe bitumin, përditësimi do të bëhet çdo dy javë. Sa i përket automjeteve, janë vendosur çmime minimale që do të përdoren nga Doganat në rastet kur fatura e blerjes nuk pranohet. Kjo do të thotë se automjetet shumë të vjetra ose të blera me çmime shumë të ulëta jashtë vendit nuk mund të zhdoganohen më me vlera të papërfillshme, pasi tashmë ekzistojnë tabela orientuese me kufij minimalë çmimesh, sipas motorit ose peshës së mjetit.

Një ndryshim i rëndësishëm prek edhe makinat me vit prodhimi më të hershëm se viti i fundit i publikuar në buletinet e referencës. Në këto raste, udhëzimi përcakton çmime minimale fikse, poshtë të cilave nuk mund të llogaritet vlera doganore. Kështu, automjetet e përdorura të importuara nga Europa, Koreja e Jugut, Kina apo vende të tjera do të zhdoganohen me vlera më të larta referuese.

Sipas udhëzimit çmimet minimale për autoveturat sipas kapacitetit mbajtës janë:

  • deri në 1.4 motor: jo më pak se 162 500 lekë
  • 1.4–1.9 motor: jo më pak se 250 000 lekë
  • 1.9–2.5 motor: jo më pak se 406 000 lekë
  • 2.5–3.0 motor: jo më pak se 500 000 lekë
  • 3.0–4.5 motor: jo më pak se 625 000 lekë
  • mbi 4.5 motor: jo më pak se 1 000 000 lekë

Ndërsa për kamionçina, furgona dhe kamionë, çmimet minimale sipas kapacitetit mbajtës janë:

  • deri në 1.5 tonë: jo më pak se 500 000 lekë
  • 1.5–3.5 tonë: jo më pak se 750 000 lekë
  • 3.5–10 tonë: jo më pak se 1 062 500 lekë
  • 10–15 tonë: jo më pak se 1 250 000 lekë
  • mbi 15 tonë: jo më pak se 1 500 000 lekë

Me këto ndryshime, qeveria synon të ndalojë nënvlerësimin e automjeteve në zhdoganim dhe të vendosë rregulla të njëjta për të gjithë importuesit. Udhëzimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Tregu i automjeteve ka përjetuar një rritje të fortë gjatë këtij viti . Gjatë periudhës Janar- Nëntor 2025, u regjistruan për herë të parë 89.654 mjete, një rritje prej 96% krahasuar me vitin 2019.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, autoveturat përbëjnë 81.5 të regjistrimeve, duke arritur në 73.066  Mbi 80% e tyre kanë mbi 8 vite përdorim, duke konfirmuar varësinë e lartë të shqiptarëve nga tregu i makinave të përdorura.

Këngë e kopjuar? Këngëtari: Mund të jetë sulm i organizuar nga kundërshtarët

By: Os De
25 December 2025 at 15:38

Pas fitores në Festivalin e Këngës me këngën “Nân”, këngëtari Alis Kallaci është përballur me akuza në rrjetet sociale se materiali muzikor është i kopjuar. I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Alis i ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.

Këngëtari u shpreh se nuk ka pasur asnjë arsye për të reaguar zyrtarisht apo për të hyrë në replika, pasi sipas tij, këngët janë “nata me ditën” dhe nuk ekziston asnjë lloj shkëmbimi apo frymëzimi mes tyre. “Nuk ka pasur asnjë replikë, sepse nuk ka diçka të tillë. Ishte e panevojshme”, tha Alis.

Ai theksoi se përqafimi masiv i publikut dhe reagimi pozitiv ndaj këngës kanë qenë përgjigjja më e fortë ndaj çdo akuze. Sipas Alisit, zërat për kopjim mund të kenë qenë pjesë e një sulmi të organizuar apo një lloj “antifushate” nga kundërshtarë, por ai ka zgjedhur të mos ndalet te kjo pjesë.

“Nuk jam ulur të mendoj kush e nisi dhe pse. Vendosa të fokusohem te gjërat e rëndësishme: performanca, përgatitja vokale dhe rrugëtimi i këngës”, u shpreh këngëtari, duke shtuar se energjinë e tij e kanalizon vetëm aty ku i shërben.

Alis falënderoi publikun për mbështetjen dhe ritheksoi se “Nân” meriton të mbështetet edhe në garën e Eurovizionit, duke e konsideruar këtë një moment krenarie dhe përgjegjësie të madhe artistike.

Bllokadat në Greqi, Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize për energjinë elektrike

By: Os De
25 December 2025 at 15:30

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli gjendje krize shtatëditore për furnizimin me energji elektrike, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë nga Greqia.

Masa i lejon kompanisë shtetërore të energjisë elektrike, ESM, të përdorë rezervat e detyrueshme shtetërore të naftës pa kompensim, njoftoi qeveria në një deklaratë.

“Ky vendim vjen si pasojë e pamundësisë për t’u furnizuar me naftë, e cila është thelbësore për prodhimin e energjisë. Rezervat shtetërore të naftës do të transferohen pa kompensim dhe ESM është e detyruar t’i raportojë qeverisë dhe Ministrisë së Financave mbi konsumin e karburantit,” thuhet në deklaratën e qeverisë në Shkup, pas mbledhjes së kabinetit të hënën.

ESM i kishte kërkuar qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të vështirësive në furnizimin me linjit dhe naftë nga Greqia. Kompania ia atribuoi këto ndërprerje bllokadave të vendosura nga fermerët grekë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me burime kryesore të energjisë për prodhimin e energjisë elektrike. Sipas ESM, shpallja e krizës ishte e nevojshme për të mundësuar përdorimin e rezervave shtetërore dhe për të siguruar energji të mjaftueshme derisa pikat kufitare të rifillojnë funksionimin normal.

Pjesa më e madhe e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut prodhohet nga termocentralet e ESM-së, të cilat përdorin linjit dhe naftë.

Bullgaria ofroi furnizime emergjente me naftë për Maqedoninë e Veriut pas shpalljes së krizës, sipas shërbimit informativ të qeverisë bullgare.

Oferta u komunikua gjatë një telefonate mes ministrit të Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, dhe homologut të tij maqedonas, Timço Mucunski, sipas raportimeve.

Fermerët grekë kanë organizuar bllokada rrugore dhe kufitare në të gjithë Greqinë veriore që nga fundi i nëntorit, duke protestuar kundër vonesave në pagesat e subvencioneve, çmimeve të ulëta të prodhimit dhe rritjes së kostove të prodhimit.

Protestuesit kanë bllokuar autostradat kryesore, përfshirë autostradën Athinë–Selanik dhe pikat kufitare me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë, duke ndërprerë trafikun ndërkombëtar të mallrave.

Fermerët kërkojnë subvencione më të larta, lehtësim tatimor, çmime minimale të garantuara për produktet bujqësore dhe kompensim për rritjen e kostove të karburantit dhe plehrave.

Protestat, të cilat kanë përfshirë mijëra traktorë të vendosur në pikat e bllokimit, u lehtësuan përkohësisht gjatë festave të Krishtlindjeve, por protestuesit janë zotuar të intensifikojnë veprimet më pas.

Kamëz, dy makina përfshihen në një aksident, mbetën të plagosur 4 persona

By: Os De
25 December 2025 at 15:27

Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Valiasit, Kamëz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, ku janë përfshirë dy automjete, një Audi dhe një Toyota.

Si pasojë e përplasjes, katër persona kanë mbetur të plagosur. Sakaq, shoferi i automjetit tip “Audi” është shoqëruar nga policia.

Të lënduarit janë transportuar për ndihmë mjekësore, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet.

VIDEO/ “Ishin 3-4 veta..!”- Ofendoi në rrjetet sociale, TikTokerja Suada Muça dhunohet brutalisht në Tiranë!

By: Os De
25 December 2025 at 15:20

Mbrëmjen e djeshme, në Tiranë, TikTokerja Suada Muça ka qenë viktimë e një akti dhune. Një video e cila po qarkullon ditën e sotme (25 dhjetor) në rrjetet sociale dokumenton momentin kur ajo sulmohet nga disa persona.

Sipas mediave, dyshohet se dhunimi i saj është porositur nga Xhemal Uka, i njohur në platformën TikTok me nofkën “Fire”, pas disa deklaratave dhe përmbajtjeve ofenduese që Suada  dyshohet se ka bërë ndaj tij në një video-live.

 

Pas incidentit, Suada Muça ka dalë në një video live në rrjetet sociale, ku është shfaqur me shenja të dukshme në fytyrë.

Ajo ka deklaruar se është sulmuar nga një vajzë dhe tre burra, të cilët, sipas saj, pasi e kanë dhunuar, e kanë detyruar të kërkojë falje publike për ofendimet e drejtuara ndaj Xhemal Ukës.

“Ishin 3-4 persona, një e pash që ishte vajzë të tjerët burra,” shprehet ajo në video.

Uroi vdekjen e Putinit, Kremlini për Zelenskyn: A është i aftë të marrë vendime adekuate për paqen

By: Os De
25 December 2025 at 15:14

“Deklaratat e Volodymyr Zelensky ngrenë pyetjen nëse ai është i aftë të marrë vendime të përshtatshme për zgjidhjen paqësore të konfliktit ukrainas”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar fjalimin e Krishtlindjeve të Presidentit ukrainas në të cilin ai i uroi vdekjen Presidentit rus Vladimir Putin, pa e emëruar atë. 

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass, Peskov e përshkroi urimin specifik si “intolerant”, ndërsa vuri në dukje se Zelensky “duket si një person i papërshtatshëm”. 

“Dua të pyes nëse ai është i aftë të marrë vendimet e duhura për të zgjidhur çështjen përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, shtoi Peskov. 

Dëshira e Presidentit të Ukrainës
Në një video gati 8-minutëshe, në të cilën ai u uroi bashkatdhetarëve anembanë botës “Gëzuar Krishtlindjet”, pati edhe një episod, i cili u interpretua nga shumica si… një mallkim për Presidentin rus Vladimir Putin. 

“Sot, të gjithë kemi një ëndërr dhe një dëshirë: “U zhduktë” (red. “U zhduktë” në titrat anglisht të mesazhit të tij) secili uron veçmas, por kur i drejtohemi Zotit, sigurisht, dëshirat tona janë më të gjera. Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Ne luftojmë dhe lutemi për të”, tha Zelensky në fragmentin kontrovers. 

Merry Christmas! pic.twitter.com/okj9Yr1bFe

— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) December 24, 2025

 

 

 

Marrëveshja e re e Tik -Tokut, e rëndësishme për sigurimin e vazhdimësisë

By: Os De
25 December 2025 at 15:06

Qeveria kineze shpreson që kompanitë të arrijnë zgjidhje që përputhen me ligjet kineze dhe të marrin parasysh në mënyrë të ekuilibruar interesat, theksoi të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë të Kinës He Yongqian.

Ajo i tha këto gjatë konferencës javore për shtypin, kur iu kërkua të komentonte mbi raportet e fundit se “TikTok”-u ka nënshkruar marrëveshje me tre investitorë dhe do të krijojë një ndërmarrje të re të përbashkët në ShBA, për të siguruar vazhdimin e operacioneve të saj në Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësja vuri në dukje që, për të zbatuar konsensusin e arritur gjatë bisedës telefonike midis dy krerëve të shtetit, ekipet ekonomike e tregtare të të dyja palëve kanë arritur marrëveshje kuadër bazë për zgjidhjen e duhur të çështjeve, duke përfshirë operacionet e “TikTok”-ut në ShBA, nëpërmjet bashkëpunimit.

He Yongqian shprehu shpresën se pala amerikane do të ecë në të njëjtin drejtim me palën kineze e do të përmbushë me zell angazhimin e saj për të formuar një mjedis biznesi të drejtë, të hapur, transparent dhe jodiskriminues që kompanitë kineze të operojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare kino-amerikane.

EMRI/ Plagosja e biznesmenit në Durrës, zbardhet ngjarja, arrestohet autori

By: A R
25 December 2025 at 15:03

Një plagosje e lehtë me thikë bëhet me dije se ka ndodhur në qytetin e Kavajës, pas një sherri për motive banale mes dy personash.

Sipas burimeve jozyrtare të policisë i dëmtuar ka mbetur Artur Ligeja, 52 vjeç, i cili ka një biznes në zonë.

Ndërkaq, autori i dyshuar është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 10:00, në qytetin e Kavajës, në vendin e quajtur “Agjensia”, në ambientet e një biznesi privat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. V., 42 vjeç, ka goditur me mjet prerës në dorë shtetasin A. L., 52 vjeç, i cili ka pësuar një dëmtim të lehtë.

Më pas, autori ka dëmtuar xhamat e biznesit në pronësi të shtetasit A. L., si dhe xhamat e një biznesi tjetër aty pranë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autori është përdorues i lëndëve narkotike dhe ka probleme të shëndetit mendor.

Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për veprime të mëtejshme procedurale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

“Nuk ka më zgjedhje me Ramën”, Kuçana kërkon qeveri tranzitore për dalje nga kriza

By: A R
25 December 2025 at 14:55

E ftuar në “A2 Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike, institucionale dhe sociale, e cila sipas saj nuk mund të zgjidhet më me zgjedhje të zakonshme, por vetëm përmes krijimit të një qeverie tranzitore.

Kuçana u shpreh se akuzat e shumta ndaj qeverisë, hetimet e hapura dhe skandalet e përfshira në dosjen e AKSHI-t kanë rrënuar besimin e qytetarëve dhe kanë cenuar sigurinë kombëtare. Sipas saj, në këto kushte, kryeministri Edi Rama nuk mund të garantojë më zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Me Edi Ramën nuk ka më zgjidhje dhe nuk ka zgjedhje. Shqipëria ka nevojë për një qeveri tranzitore, të përbërë nga njerëz me integritet, larg krimit dhe korrupsionit, që të rikthejë besimin dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të ndershme”, tha Kuçana.

Ajo theksoi se kjo qeveri tranzitore duhet të ketë si mision kryesor garantimin e reformave urgjente, integrimin europian dhe ndarjen reale të pushteteve. Sipas saj, presioni qytetar, protestat dhe aksionet opozitare do ta detyrojnë qeverinë aktuale të largohet.

Kuçana shtoi se Partia Demokratike e konsideron qeverinë tranzitore si rrugën e vetme për të shmangur përshkallëzimin e krizës dhe për t’i dhënë shqiptarëve një perspektivë të re politike. “Shqiptarët kanë nevojë për çlirim nga ky makth dhe për një qeverisje që i shërben interesit publik, jo pazareve”, përfundoi ajo.

❌
❌