Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 16 January 2026Java News

‘Po më ndjek një makinë’! Qytetari ‘alarmon’ Policinë në Vlorë, çfarë rezultoi pas verifikimeve

By: A R
16 January 2026 at 22:52

Një i ri ka vënë në alarm Policinë e Vlorës, pasi ka pretenduar se po ndiqej nga një automjet me xhama të zinj, teksa ishte duke ecur në zonën e Lungomares.

Sipas burimeve, i riu ka njoftuar menjëherë policinë, duke deklaruar se një automjet i dyshimtë ishte vënë në ndjekje të tij. Menjëherë pas telefonatës, patrullat e Policisë së Vlorës janë afruar në vendngjarje për të verifikuar situatën.

Pas raportimit dhe verifikimeve të kryera, rezultoi se automjeti në fjalë ishte i Policisë së Shtetit, i cili po patrullonte zonën me një mjet pa logo zyrtare.

Kjo situatë ka shkaktuar frikë te i riu, i cili është afruar pranë patrullës rrugore me bindjen se po ndiqej. Fatmirësisht, gjithçka është sqaruar brenda një kohe të shkurtër dhe nuk ka pasur incidente të tjera.

“Je fiks si ai”/ A do e takojë Miri babanë e Selinës? Banorja i përgjigjet: Ndoshta edhe e ke mërzitur

By: A R
16 January 2026 at 22:44

Një natë përpara Prime-t të së shtunës, Miri dhe Selin kanë biseduar me njëri-tjetrin në shtëpinë e “Big Brother VIP 5”, ku në një moment është përmendur dhe babai i banores.

Teksa Miri po i përsëriste një gjë, Selin iu kthye duke i thënë se është fiks si babai i saj: “Më duket sikur e kam përballë, por nuk e beson njeri”.

Më pas këngëtari e pyet nëse do t’a takojë ndonjëherë dhe balerina iu përgjigj: “Nuk e di, ndoshta edhe e ke mërzitur”.

Ndërkohë kujtojmë se babai i Selin ka bërë deklarata të forta kundër Mirit, duke e quajtur atë ‘zhigolo dhe pervers’. Gjatë një bisede telefonike me emisionin “Shqipëria Live”, ai shtoi se sipas tij, Miri bën çdo gjë për famë dhe lekë.

Pjesë nga biseda-

Selin: Nuk e beson njeri. Po je fiks, fiks, fiks.

Miri: Fiks si çfarë?

Selin: Fiks si ta kam lënë emrin. Fiks sikur e kam përballë, por s’e beson njeri.

Miri: A do ta takoj ndonjëherë?

Selin: S’e di. Ndoshta edhe e ke mërzitur.

Miri: Jo, s’kam mërzitur njeri. Edhe ai e di se çfarë bëj unë këtu.

Selin: S’e di.

Miri: E di pra. Kur thua fiks, ai e kupton se çfarë bëj unë.

Shqetësimet për sigurinë | Komandanti arktik i Danimarkës: Fokusi është tek Rusia, jo tek SHBA-të

By: A R
16 January 2026 at 22:35

Komanda e Përbashkët Arktike e Danimarkës në Groenlandë është e përqendruar në kundërshtimin e aktivitetit të mundshëm rus, jo në mbrojtjen kundër kërcënimeve ushtarake të SHBA-ve, tha të premten kreu i saj, Gjeneral Major Soren Andersen, mes vëmendjes së re ndaj rajonit Arktik.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar vazhdimisht Groenlandën si jetike për sigurinë e SHBA-ve dhe madje nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për të marrë kontrollin e ishullit të madh autonom arktik, që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

“Fokusi im nuk është tek SHBA-të, aspak. Fokusi im është tek Rusia,” i tha Andersen Reuters-it në bordin e një anijeje luftarake daneze në Nuuk, kryeqyteti i Groenlandës.

Andersen hodhi poshtë sugjerimet për konflikt mes aleatëve të NATO-s, duke e përshkruar një skenar të tillë si “hipotetik”.

“Nuk e shoh një aleat të NATO-s të sulmojë një tjetër aleat të NATO-s,” tha ai. Duke iu referuar planeve të mbrojtjes së Danimarkës, shtoi: “Ne punojmë mbi to, por është gjë normale për ne. Detyra ime është të punoj këtu për mbrojtjen e mbretërisë së bashku me NATO-n.”

Në përgjigje të shqetësimeve të SHBA-ve, vendet evropiane dërguan këtë javë një numër të vogël personeli ushtarak në Groenlandë në përgatitje për stërvitjen ushtarake të NATO-s “Arctic Endurance”.

Komanda Arktike ka ftuar SHBA-të të marrin pjesë në “Arctic Endurance”, e cila këtë vit do të testojë forcat në kushte dimërore.

“Kishim një takim sot me shumë partnerë të NATO-s, përfshirë SHBA-të, dhe i ftuam të marrin pjesë në këtë stërvitje,” tha Andersen, duke shtuar se ende nuk e dinte nëse SHBA-të do të bashkoheshin. Danimarka nuk i kishte ftuar amerikanët në një stërvitje të ngjashme në shtator.

Komanda e Përbashkët Arktike e Danimarkës, përgjegjëse për mbrojtjen rreth Groenlandës dhe Ishujve Faroe, kryen misione survejimi dhe kërkim-shpëtimi, duke përdorur anije patrullimi, avionë, helikopterë dhe teknologji satelitore. Ajo gjithashtu ka patrullën Sirius me slita qensh për operacione arktike në distanca të gjata.

Andersen tha se nuk kishte anije kineze apo ruse pranë Groenlandës, megjithëse shtoi se një anije kërkimore ruse ndodhej 310 milje detare larg. “Kjo është më e afërta,” tha ai, duke shtuar se aleatët e NATO-s mbajnë “një pasqyrë të mirë të situatës këtu lart”.

“Ne në fakt presim një rritje të aktiviteteve ruse në vitet e ardhshme, dhe… duhet të fillojmë stërvitjet dhe të rrisim praninë këtu në Arktik për të mbrojtur kufirin verior të NATO-s,” tha Andersen.

Danimarka caktoi një paketë mbrojtjeje për Arktikun prej 42 miliardë kronash daneze (6.54 miliardë dollarë) në vitin 2022 si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për sigurinë.

Andersen theksoi se bashkëpunimi me personelin ushtarak amerikan mbetet i shpeshtë. Ai kohët e fundit u takua me komandantin e U.S. NORTHCOM, komandantin e Alaska Command, dhe zhvilloi diskutime në bazën amerikane Pituffik në Groenlandë, me angazhime të tjera të planifikuara më vonë për këtë muaj.

Mediu: Rama nuk i do më as ministrat dhe as kryebashkiakët. Synon që…

By: A R
16 January 2026 at 22:27

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se Edi Rama dëshiron që në Shqipëri të mos ketë më as ministra dhe as kryebashkiakë, pasi sipas tij, kryeministri kërkon që ta përqëndrojë të gjithë pushtetin në duart e veta.

Komentet Mediu i bëri në emisionin ‘ÇdoKënd’ me gazetaren Merita Haklaj në A2 CNN, ku tha se me veprimet e tij Rama po shkon drejt kësaj rruge, pra asaj të përqëndrimit të të gjitha pushteteve në duart e veta.

Mediu propozoi gjithashtu se opozita duhet të shkojë në tryezën për Reformën Zgjedhore me një koncept të përbashkët, pra me një qëndrim të unifikuar të të gjithë faktorit opozitar.

Kjo pasi sipas tij, do t’i jepte opozitës më shumë kredo politike, përcjell A2 CNN.

“Opozita reformën zgjedhore duhet ta fillojë me një koncept opozitar të përbashkët. Pra duhet ndërtuar një qëndrim i përbashkët opozitar i të gjitha forcave politike opozitare, për sistemin zgjedhor dhe duhet bërë patjetër me një platformë konkrete, e cila do të përcaktojë kush janë piketat e analizës opozitare për këtë reformë zgjedhore. Brenda këtij koncepti, kur ne arrijmë në një qëllim të përbashkët, e kemi më të lehtë për të ndikuar, edhe për faktin sepse kemi edhe një negociatë për një zgjidhje të caktuar me faktorin ndërkombëtar. E njëjta gjë edhe për reformën territoriale.

Marritë mund të shkojnë se s’ka nevojë për pushtet lokal, por vetëm për pushtet qëndror. Se sot në fakt nuk ka qeverisje lokale, por ka vetëm kryeministër që heq dhe shkarkon çdo lloj nëpunësi të administratës lokale. Dhe padyshim që ky është edhe qëllimi final i Ramës. Pa bashki opozita, vetëm një kryeministër, mos të ketë as ministra se i bën të gjitha vetë, mos të ketë as kryetar bashkie se i bën të gjitha vetë. Vetëm të ketë emisar të emëruar që s’kanë asnjë lidhje as me PS-në e as me historinë e pluralizmit në Shqipëri”, tha mes të tjerash Mediu.

Vetëm Thoma Gëllçi bëri Televizion Publik konkurues

16 January 2026 at 22:19

Nga Lutfi Dervishi

Radio Televizioni Shqiptar nuk financohet nga buxheti i shtetit dhe as drejtpërdrejt nga taksat e përgjithshme. Financimi i tij vjen nga një tarifë modeste, më pak se 1 euro në muaj për çdo familje. Këtu nis edhe paradoksi i parë: 10 për qind të kësaj tarife, më e ulëta në kontinent, e mban vetë shteti në rolin e agjentit tatimor.

Koha YouTube Channel
Me këto thërrime financiare, ne kërkojmë shërbim publik të nivelit nordik dhe pastaj habitemi pse ky standard nuk arrihet kurrë.

Swiss Digital Desktop Reklama
RTSH-ja e ka provuar se reforma është e mundur. Periudha 2016–2021 (drejtimi i Thoma Gëllçit) dëshmoi se institucioni mund të lëvizë, të modernizohet dhe të kapë formatet e kohës.

U hartuan parimet editoriale, u hartua strategjia e zhvillimit dhe plani i biznesit të cilat u hodhën në kosh menjëherë pas ndërprerjes së dhunshme të reformës në RTSH.

(RTSH nuk kishte asnjë qindarkë borxh dhe kishte një pakete te plote sportive- deri edhe champion league)

Edhe pse nuk ishte një sukses absolut, ishte një përpjekje serioze që publiku e ndjeu dhe e mbështeti. Për herë të parë, transmetuesi publik po kthehej në një alternativë dinjitoze.

Megjithatë, në kalimin teknologjik nga analogu në digjital, ndodhi “çudia” tipike shqiptare. Ndërsa qeveria subvencionoi me miliona euro grante transmetuesit kombëtarë privatë, RTSH-ja, që mbante barrën kryesore të këtij transformimi, u ngarkua me një kredi prej 25 milionë eurosh. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbi këtë kredi shteti i faturoi edhe rreth 4 milionë euro TVSH, në kundërshtim me frymën e ligjit. Bilanci ishte i qartë: privatët u subvencionuan, ndërsa publiku u faturua.

Goditja e radhës erdhi përmes ndërhyrjes brutale politike – dhe të SPAK, – çështja e famshme “RTSH–Agro” dhe zhurma e krijuar mbi pagesën e një tenderi që u vonua 4 ditë e ktheu transmetuesin një dekadë pas.

Sot, RTSH-ja jeton me një mentalitet mbijetese. Ajo nuk guxon as të mendojë për një raportim kritik ndaj pushtetit. Nuk bëhet fjalë për censurë me shkrim, por për diçka shumë më të rrezikshme: autocensurën. Sistemi e ka trajnuar institucionin që të mos rrezikojë, duke e kthyer heshtjen në mjetin më të lirë dhe më efikas të kontrollit.

Problemi i vërtetë nuk është thjesht vonesa në reformim, por mungesa e një mbështetjeje të sinqertë politike ndër vite. Të gjithë flasin për “reformë”, por askush nuk është i gatshëm të mbrojë pavarësinë editoriale. Përkundrazi, politika vazhdon ta shkelë ligjin që në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues. Vetë Kryeministria e trajton RTSH-në si një infrastrukturë teknike të saj dhe jo si një pasuri kombëtare.

Në një treg mediatik ku interesat e pronarëve privatë mbizotërojnë mbi interesin publik, një media publike e pavarur nuk është luks, por një domosdoshmëri.

RTSH-ja duhet të reformohet, por jo duke e mbyllur në panik, jo duke u privatizuar e as duke u “binjakëzuar” me kulla. Sfida nuk është si t’ua japim privatëve, por si t’ua marrim.

Ajo ka nevojë për një kontratë të re me publikun, të bazuar mbi transparencën, profesionalizmin dhe matjen reale të performancës. (Është vërtet humor se si në RTSH kanë hapësirë gazetarë që luftojnë orë e minute të bindin të gjallë e të vdekur nga një studio tv në tjetrën se mbështesin partinë në pushtet! Për çfarë profesionalizmi dhe besueshmërie flasim?!)

Pa besimin e qytetarëve, edhe 100 lekë në muaj duket tarifë e padrejtë; pa mbështetjen e tyre, çdo reformë do të mbetet thjesht letër.

Mbyllja është një leksion nga historia e teknologjisë. Nokia nuk u shemb sepse i mungonin inxhinierët e zotë, por sepse besoi se emri dhe statusi do ta mbronin nga ndryshimi i kohës. RTSH-ja është sot në të njëjtën pikë: ose do të reformohet me guxim për t’i shërbyer publikut, ose do të mbetet një markë që të gjithë e kujtojnë me keqardhje, por askush nuk e ndjek më.

Imazhet satelitore zbulojnë: Izraeli po zhvendos “Linjën e Verdhë” më thellë brenda Gazës

By: A R
16 January 2026 at 22:12

Imazhet satelitore të analizuara nga BBC Verify zbulojnë se Izraeli po zhvendos blloqet e betonit që shënojnë “Linjën e Verdhë” më thellë brenda territorit të Gazës.

Kjo linjë, e cila supozohej të përcaktonte zonën e kontrollit pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, po lëvizet vazhdimisht në terren, duke krijuar konfuzion vdekjeprurës për palestinezët që jetojnë aty pranë.

Sipas të dhënave, ushtria izraelite ka zhvendosur pozicionet e blloqeve në të paktën 16 pika të ndryshme, duke u futur mesatarisht deri në 300 metra më shumë brenda Rripit të Gazës sesa parashikonin hartat zyrtare.

Ky ndryshim ka pasoja të rënda, pasi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka paralajmëruar se kushdo që kalon këtë linjë do të përballet me zjarr. Analiza tregon se që nga tetori, ushtria ka hapur zjarr në të paktën 69 raste ndaj njerëzve që janë afruar ose kanë kaluar këto shenja.

Situata është veçanërisht alarmante në zona si Beit Lahia dhe Jabalia, ku lëvizja e blloqeve ka lënë shumë banorë të “ngujuar” brenda zonës së rrezikut pa e ditur.

Dëshmitarët raportojnë ngjarje tragjike, si vrasja e fëmijëve që mblidhnin dru apo goditja e një shkolle gjatë një dasme, e cila ndodhej brenda zonës që hartat e quanin të sigurt, por që blloqet e reja e kishin përfshirë si zonë luftimi.

Ekspertët e sigurisë e cilësojnë këtë veprim si një “inxhinieri territoriale”. Duke mbajtur një linjë ligjore në letër dhe duke vendosur blloqe fizike diku tjetër, Izraeli ruan mundësinë të ndryshojë kufirin në heshtje, duke i kthyer pjesë të Gazës në një “brez të sterilizuar”.

Ndërkohë që ushtria izraelite mohon lëvizjen e qëllimshme të linjës, imazhet satelitore tregojnë se pas vendosjes së blloqeve shpesh pasojnë rrënime të ndërtesave dhe fortifikime të reja ushtarake, duke e bërë jetën e banorëve të mbetur një kurth të vërtetë.

“Rama me Kinën, si Enveri me sovjetikët”, Shehi: Ja simbolika e mbledhjes te Pallati i Brigadave

By: A R
16 January 2026 at 22:04

Ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë”, ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke u ndalur te mbledhja e zhvilluar sot e grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave dhe fjalimi i kryeministrit Edi Rama.

Sipas Shehit, kryeministri Rama nuk ka më të njëjtën atmosferë dhe besueshmëri sa i përket procesit të integrimit evropian. Ai u shpreh se në fjalimin e tij Rama lëshoi sinjale të rrezikshme në raport me aleatët perëndimorë. “Rama lëshoi një sinjal që, po nuk na deshët ju, kemi Kinën. Kjo është temë e rrezikshme”, deklaroi Shehi, duke shtuar se kjo qasje i ngjan praktikave të së shkuarës.

Ish-deputeti krahasoi këtë retorikë me politikën e izolimit të ndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës, që sipas tij lëvizte mes Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, në varësi të interesave. “Jo se Kina nuk ka para, por kjo është historia që bënte Enver Hoxha. Ne jemi një pikë në ujë në gjeopolitikë”, theksoi Shehi, duke nënvizuar se Shqipëria nuk ka peshë për të luajtur me balancat ndërkombëtare.

Ai shtoi se Rama përpiqet të krijojë idenë se ai kontrollon mbështetjen ndërkombëtare, por sipas Shehit kjo është një iluzion. “Ata që më mbajnë mua, thotë ai, i mbaj unë nga ndërkombëtarët, por e gënjen mendja kot, nuk do ta mbërrijë”, u shpreh ish-deputeti.

Në analizën e tij, Shehi u ndal edhe te simbolika e vendit ku u zhvillua mbledhja e grupit parlamentar të PS-së. Ai e cilësoi të papërshtatshme zhvillimin e saj në Pallatin e Brigadave, duke theksuar se ai është “pallati i popullit dhe jo i qeverisë apo i një partie politike”. “Çfarë do grupi parlamentar atje? Nuk ka sallë grupi? Ka salla sa të duash, edhe qeveria ka”, tha ai.

Sipas Shehit, zgjedhja e këtij ambienti kishte si qëllim t’u jepte kurajë deputetëve socialistë dhe të përcillte një mesazh force. “Pse i mbledh atje? Për t’u nxjerrë frikën atyre, për t’u thënë se ‘pushteti jemi ne’. Mos u trembni, ndiqni udhëheqësin dhe do ta kapërcejmë edhe këtë”, përfundoi Shehi, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të konsoliduar kontrollin politik në kohë të vështira për mazhorancën.

Autobusi i ekipit të futbollit përplaset me kamionin, trajneri në gjendje të rëndë, vdes ndihmësi…

By: A R
16 January 2026 at 21:55

Skuadra U-20 e Águia de Marabá-s, nga shteti i Pará-s, në Brazil, pësoi një aksident të rëndë gjatë kthimit nga Copinha, garë tradicionale e futbollit të të rinjve që zhvillohet në São Paulo.

Autobusi i ekipit u përplas me një kamion të ndalur në mes të rrugës, pa sinjalizimin e duhur, në shtetin fqinj të Tocantins. Përgatitësi fizik, Hecton Alves, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa trajneri, Ronan Tyezer, vazhdon të jetë i shtruar në kujdesin intensiv. Fatmirësisht, asnjë lojtar nuk pësoi lëndime të rënda dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shpëtuan janë kthyer tashmë në Marabá.

Klubi publikoi një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale:

“Në këtë moment trishtimi, shprehim solidaritetin tonë ndaj familjarëve, miqve, kolegëve të punës dhe të gjithë atyre që vuajnë për këtë humbje të pakthyeshme. Në shenjë nderimi dhe respekti, bashkohemi në lutje, duke u dëshiruar forcë dhe ngushëllim zemrave të pikëlluara.”

Ky incident nënvizon rreziqet që përballen ekipet e futbollit gjatë udhëtimeve dhe ka lënë komunitetin e Águia de Marabá-s në gjendje shoku, veçanërisht skuadrën e të rinjve që po merrte pjesë në Copinha.

Liderja e opozitës së Venezuelës pas takimit me Trump: Do të kthehem në vendin tim sa më shpejt!

By: A R
16 January 2026 at 21:48

Maria Corina Machado, udhëheqësja e opozitës venezueliane dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025, ditën e djeshme zhvilloi një takim me Presidentin amerikan Donald Trump, por nuk zbuloi shumë detaje të bisedës që zhvilluan sëbashku.

Sipas mediave të huaja, duke folur sot në Uashington DC, Machado tha se ishte e bindur se do të kishte një tranzicion të rregullt në Venezuelë pas ndërhyrjes së SHBA-së dhe se përfundimisht do të kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ajo tha gjithashtu në fjalimin e saj në Fondacionin Konservator të Trashëgimisë se i kishte thënë Presidentit amerikan se do të kthehej në Venezuelë sa më shpejt të ishte e mundur.

Ajo pohoi se opozita në Venezuelë ishte “e përgatitur të bënte atë që duhej si një qeveri legjitime”, shkruan A2 CNN.

Kujtojmë se Machado ditën e djeshme i dha Trumpit medaljen e saj të Çmimit të Paqes, edhe pse komiteti i Nobelit thotë se çmimi nuk mund të transferohet dhe ajo është ende fituesja zyrtare.

Trump tha sot se dhurata e medaljes nga Machado ishte një “gjest i mrekullueshëm” dhe e përshkroi atë si një “grua të mrekullueshme”.

Politika e re amerikane, ish-ambasadori Bimo: Ja interesat gjeopolitike që Trump kërkon aneksimin e Groenlandës

By: A R
16 January 2026 at 21:39

Ish-ambasadori Roland Bimo tha se politika botërore po përballet mes dy sistemeve, globalistët, që kanë dominuar skenën ndërkombëtare, dhe sovranistët, ku bën pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump.

“Sot kemi të bëjmë me një shpalosje të dy sistemeve të qeverisjes botërore. Nga njëra anë janë globalistët që kanë dominuar situatën ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër janë sovranistët, siç është Trump. Problemi është se Perëndimi në tërësi ka humbur influencën për të thënë të vërtetën, pasi krizat që po kalon janë institucionale. Është sistemi politik që prodhon të gjitha këto kriza në botë, dhe SHBA ndërhyn jo vetëm për të shkaktuar luftëra, por edhe për të zgjidhur konflikte”, tha Bimo.

Në emisionin “3D” në RTSH, Bimo u ndal te interesat strategjike të SHBA për Groenlandën, por shtoi se por prioriteti i tij është shkatërrimi i NATO-s, të cilën e konsideron një barrë ekonomike dhe jo të dobishme për SHBA.

“Pjesë e sistemit që nuk funksionon për SHBA janë edhe NATO dhe BE. SHBA kërkon Groenlandën, e para për lidhjen satelitore, ka interes si pjesë e luftës kibernetike që zhvillohet mes fuqive të mëdha. E dyta është korridori detar, ku futen nëndetëset ruse drejt Oqeanit Atlantik, që kërcënon Amerikën dhe pasuritë minerale. Por të gjitha këto Trump mund ti bëjë në Groenlandë edhe pa e aneksuar. I vetmi kurth është për të shkatërruar NATO-n, me Kongresin i duhen 45 vite, sepse nuk do të miratohet. Ai nuk e do NATO-n; e sheh si një barrë ekonomike që nuk i shërben për asgjë”, tha ish-ambasadori.

Pas letër-porosisë amerikane, SPAK “rëndon” Metën, dyshime për 280 mijë dollarë të tjerë

By: Os De
16 January 2026 at 20:55

SPAK ka shtuar “arsenalin” e dyshimeve të ngritura ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, pasi mori në dorë një letër-porosi të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas materialit të administruar në tetor të vitit të shkuar, Struktura e Posaçme pretendon të ketë zbuluar një shumë të re prej gati 280 mijë dollarësh amerikanë, të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe që lidhen me ish-Presidentin nën akuzë për 3 vepra penale.

Shifra është pohuar si argument për të mos e liruar Metën nga burgu, në seancën gjyqësore të 5 janarit në Gjykatën e Posaçme, në të cilën, Meta dështoi të ndryshonte masën e sigurisë. Referuar vendimit gjyqësor, të siguruar nga A2 CNN, prokurorët e SPAK kanë pohuar se së fundmi është konstatuar një shumë e përfituar nga lobimi.

Bëhet fjalë për kontratën e konsulencës me kompaninë GSIS, që i shtohet shumës fillestare për të cilën ishte ngritura akuza. Sipas SPAK, shumës prej afro 246 mijë dollarë për të cilat akuzohej Meta në një marrëdhënie të dyshuar korrupsioni, i është shtuar edhe shuma e re.

“I është shtuar dhe shuma 279.783 dollarë nga lobimi, e cila është jo vetëm përfitim i paligjshëm, por edhe mënyra e transferimit përbën një shifër të konsiderueshme, sa i përket aspektit të pastrimit të produkteve penale për të pandehurin Ilir Metaj”, citohej pretendimi i SPAK në vendimin e gjykatës.

Në një reagim të bërë pak ditë më parë në lidhje me lobimet, Meta tha se nuk ekzistonte asnjë provë që të ketë shkelur ligjin shqiptar apo atë amerikan, e as të kishte dijeni se dikush tjetër po shkelte ligjin për llogari të LSI. Sipas Metës, letër-porositë e dërguara kanë synuar jo zbulimin e së vërtetës, por mjegullimin dhe fshehjen e të vërtetave.

Greqia do të zgjerojë ujërat territorialë në Mesdhe-“Me detin Jon e kemi mbyllur”

By: Os De
16 January 2026 at 20:49

Greqia planifikon të zgjerojë më tej ujërat e saj territoriale, duke përfshirë potencialisht edhe Detin Egje, tha të premten Ministri i Jashtëm George Gerapetritis, pavarësisht kërcënimit të hershëm të Turqisë për luftë, nëse Athina ndërmerr një hap të tillë.

Sipas mediave të huaja, aleatët e NATO-s, por rivalë historikë, kanë lehtësuar tensionet vitet e fundit, por mbeten në mosmarrëveshje për vendin ku fillojnë dhe mbarojnë shelfet e tyre kontinentale në Egje – një zonë që besohet se ka potencial të konsiderueshëm energjetik dhe me implikime për fluturimet dhe hapësirën ajrore.

Greqia tashmë i ka zgjeruar ujërat e saj territoriale në Detin Jon nga gjashtë në 12 milje detare, pas marrëveshjeve me Italinë, dhe ka nënshkruar një marrëveshje për përcaktimin e kufijve detarë me Egjiptin në Mesdheun lindor.

Por ajo ka shmangur lëvizje të ngjashme në Egje, ku Ankaraja kundërshtoi ashpër.

Në vitin 1995, parlamenti turk shpalli një “casus belli”, ose shkak për luftë, nëse Greqia do të zgjeronte në mënyrë të njëanshme ujërat e saj përtej gjashtë miljeve detare në Egje, një pozicion që Athina thotë se shkel ligjin ndërkombëtar detar.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në Parlament të premten, Gerapetritis tha se pritej zgjerim i mëtejshëm.

“Sot, sovraniteti ynë në Detin Egje shtrihet në gjashtë milje detare,” tha Gerapetritis. “Meqenëse pati një marrëveshje me Egjiptin, ashtu siç pati një marrëveshje me Italinë, do të ketë edhe një zgjerim (të mëtejshëm) të ujërave territoriale”, tha Gerapetritis.

Ai nuk specifikoi se cilat zona detare mund të zgjeroheshin. Ministria e Jashtme e Turqisë nuk ishte menjëherë e disponueshme për koment.

Në korrik, Greqia ndërmori një hap tjetër duke zbuluar kufijtë e dy parqeve detare të planifikuara në detet Jon dhe Egje. Parku Egje, që mbulon 9,500 kilometra katrorë (3,668 milje katrorë), fillimisht do të zgjerohej rreth ishujve jugorë të Cikladeve, më në jug të Turqisë, sipas hartave të paraqitura nga Athina. Njoftimi ka tërhequr kundërshtime nga Ankaraja.

Greqia thotë se e vetmja çështje që është e përgatitur të diskutojë me Turqinë është demarkacioni i zonave të tyre detare, duke përfshirë shelfin kontinental dhe një zonë ekonomike ekskluzive.

Stërvitje ajrore e përbashkët mes SHBA e Shqipërisë: Po ndërtojmë një NATO më të gatshme për luftime

By: Os De
16 January 2026 at 20:46

Njësia ajrore amerikane 106th Rescue Wing është trajnuar me helikopterë të Forcave Ajrore Shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në një njoftim zyrtar, ambasada amerikane shkruan se bëhet fjalë për një stërvitje ushtarake ajrore furnizimi me karburant. 

Trajnimi praktik përforcon aftësitë e forcave të NATO-s dhe dëshmon bashkëpunimin midis SHBA-ve dhe Shqipërisë. 

“Bashkëpunim në veprim në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. 106th Rescue Wing u trajnua me helikopterë të Forcave Ajrore Shqiptare gjatë një ushtrimi për furnizim me karburant, duke forcuar aftësitë që mbajnë forcat e NATO-s gati për çdo mision. Ky trajnim praktik forcon ndërveprimin, përmirëson reagimin e shpejtë në kohë krize dhe tregon partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Së bashku, po ndërtojmë një NATO më të gatshme për luftime”,  thotë njoftimi. 

 

Reforma kushtetuese, përballë nevojës për reformë politike brenda pushtetit

By: Mero Baze
16 January 2026 at 20:38

Nga Mero Baze

Edi Rama kërkoi që socialistët të hedhin themelin e një reforme të re kushtetuese në vend, që synon reformimin e Parlamentit, ndarjen administrative të Shqipërisë, e lidhur kjo edhe me ligjin elektoral dhe aspekte të tjera kushtetuese që mund të dalin rrugës.

Ideja e një reforme të re kushtetuese është e kushtëzuar nga dy faktorë vendimtarë.

Faktori i parë është opozita e Sali Berishës. Në parim, Sali Berisha pranon reforma vetëm në interes të tij politik. Në rastin konkret, Sali Berisha ka interes jetik mbijetesën politike në krye të opozitës për të vazhduar të jetë faktor bllokues qoftë edhe për reforma të tilla. Kështu që çdo përpjekje për reformë kushtetuese duhet të kalojë tek dëshirat e Berishës për një ligj elektoral që e mban atë në krye të opozitës. Një i tillë u bë më 2009. Nuk besoj se Shqipëria ia ka borxh, pas gati 20 vjetësh Berishë, t’i bëjë edhe një ligj për pleqëri. Kështu që ka pak gjasa që ai të bjerë dakord për ndonjë reformë kushtetuese. Socialistët është mirë ta paraqesin opsionin e tyre, por gjasat që Berisha t’u japë votën janë të pakta, nëse këta nuk i japin atij garanci që të ruajë pushtetin në krye të PD-së. Deri tani i kanë dhënë vetëm garanci financiare, duke i mundësuar familjes së tij të zhvillojë prona të fituara në mënyrë të dyshimtë dhe rrugë korruptive. Por kjo nuk është e mjaftueshme për Berishën. Ai e di që ato i humbet nëse humbet PD-në. Pasuria e tij më e madhe buron nga të qenit pronar i PD-së dhe jo pronar i tokave në bregdet. Prandaj ky proces mund të përfundojë i njëanshëm dhe i pavotueshëm në Kuvend.

Faktori i dytë vendimtar është Bashkimi Evropian. Shqipëria ka ambicie të ekzagjeruara që mund të anëtarësohet në BE në vitin 2029. Personalisht nuk shpresoj se kjo do të arrihet, jo thjesht si parashikim, por si pamundësi që ne të kryejmë reforma thelbësore dhe konkrete në fushën e shtetit juridik, mjedisit dhe bujqësisë, tre probleme të mëdha që Shqipëria është larg vëmendjes reale.

Në përpjekje për të fituar me çdo çmim konsensusin e Evropës, kryeministri Rama ka urdhëruar deputetët të mos kenë asnjë hezitim për të miratuar ligjet që ofrohen nga BE-ja dhe direktivat e ardhura prej tyre.

Një nga direktivat më të forta të tyre është beteja e drejtësisë me korrupsionin, e cila jo në pak raste i ka hapur rrugën linçimeve politike, mungesës së procedurës ligjore në hetime dhe heqje lirie, si dhe debateve mbi sigurinë juridike të qytetarëve shqiptarë, të cilët po marrin një drejtësi më të keqe se ajo që kanë pasur para Reformës në Drejtësi.

Mali i dosjeve nëpër gjykata, sorollatjet pa fund të qytetarëve shqiptarë, rikthimi i shumë çështjeve për rigjykim nga Gjykata e Lartë etj., i kanë bërë qytetarët shqiptarë më të pashpresë se kurrë për rezultatet e reformës në drejtësi.

Guximi për të reformuar Reformën në Drejtësi është në kundërshtim me frymën e BE-së, e cila tek gjithë Reforma në Drejtësi shikon si pozitive vetëm ndëshkueshmërinë e politikanëve.

Dakord jam, por Reforma u bë t’u japë drejtësi qytetarëve shqiptarë dhe jo si gijotinë për politikën shqiptare. Si e tillë, nëse e lë gjendjen kështu deri më 2029, këtu do të jetë kriminalizuar gjithë klasa politike dhe nga ana tjetër qindra mijëra qytetarë shqiptarë do të kenë marrë më pak drejtësi se sa kishin para vitit 2016. Atëherë bilanci do të jetë edhe më i keq. Ne do të dukemi një vend i njollosur nga drejtësia dhe njëkohësisht një vend pa drejtësi. Dhe kjo do guxim politik për t’u përballur. Ashtu siç thoshte Konica, në pritje të ëndrrave do të na kalben dëshirat.

Nuk po flas pastaj për anët teknike të standardeve të BE-së, që do të duhet të mbyllin një sy për t’i pranuar. Çështja e pronës, gjendja primitive e fshatit, mjedisi dhe fusha të tjera të zhvillimit si bujqësia janë probleme më vete, por për të cilat mund të ketë një shkelje syri.

Kështu që para Reformës Kushtetuese, Edi Rama ka mundësi të bëjë disa reforma ligjore të ligjeve të rëndësishme të vendit: Kodin Penal, Civil, ndarjen territoriale, ligjin elektoral, ligjin për shtypin, etj., për të shtruar rrugën drejt një reforme të plotë kushtetuese.

Dhe për t’i bërë të gjitha këto, ai duhet t’i rikthehet një qeverisjeje me përgjegjshmëri të lartë politike. Teknicienët janë pasuria më e madhe e këtij vendi për të na futur në Bashkimin Evropian, por qeverisja dhe qeveria duhet të reformohen bazuar mbi përgjegjshmërinë politike. Teknicienët mund të udhëheqin çdo agjenci apo njësi të integrimit në vend, por jo qeverinë. Kur u kërkon deputetëve të lidhen me bazën dhe të ruajnë raportet me elektoratin, duhet ta bësh këtë, dhe kur ruan përfaqësimin politik në qeveri në gjithë qarqet që ata të kenë ku të trokasin. Deputetët që shkojnë përditë në zonë elektorale dhe duhet t’i bien telefonit të një ministri që nuk është deputet, është pak paradoksale.

Në kushtet kur socialistët kërkojnë t’i përfshijnë në një betejë afatgjatë për të kontrolluar situatën në Parlament, situatën në terren dhe procesin e integrimit, ata duhet të kthehen në debatues të mëdhenj në këtë vend dhe njerëz që marrin peshë politike duke u përballur me problemet.

Sot Grupi Parlamentar Socialist ngjan si grup anonimësh, ku të gjithë bëjnë kujdes vetëm të mos i përmendë Berisha dhe nuk përfshihen në asnjë debat as për të mbrojtur qeverinë, as qeverisjen, pasi realisht ndjehen të huaj për të.

Ata nuk i njeh askush për luftëtarë. Politika shqiptare ia ka deleguar debatin politik paneleve televizive me gazetarë me honorare që të pyesin para emisionit me kë të bëhen gjatë emisionit. Ky është fundi i politikës dhe i përgjegjshmërisë politike të Partisë Socialiste dhe PD-së së Berishës. Është aq i theksuar si fenomen, sa edhe vetë Edi Rama zgjedh të bëjë debat politik me Fevziun dhe Klodiana Lalën në vend të Berishës. Dhe kjo nuk është fyerje për dy gazetarët, por për politikën shqiptare, e cila ka zhdukur aktorët politikë dhe ka deleguar debatin politik tek shtypi, dhe pastaj debaton me të.

Kthejeni politikën tek politikanët dhe mbajeni debatin politik tek ata dhe do të kuptoni që shtypi nuk ka më asnjë rëndësi. Përveç rastit kur të bën transparencën e mëkateve.

“Reforma zgjedhore ka nisur qëkur kisha thonjtë e paprera në Paris”, Rama-opozitës: Me ju shumë mirë, pa ju po aq mirë! Puna do bëhet

By: Os De
16 January 2026 at 20:30

Në fund të fjalimit të tij para grupit parlamentar, kryeministri Edi Rama u shpreh se reforma zgjedhore do të bëhet me ose pa opozitën. 

Duke bërë autoironi, Rama tha se reforma zgjedhore ka nisur qëkur ai ishte në Paris. 

“Në fakt ka nisur që kur unë isha thjesht dhe vetëm piktor, në urat e Parisit, si e keni dëgjuar, me thonj të paprera”, tha Rama. 

Edi Rama:  Reforma zgjedhore ka nisur, ose në fakt ka nisur që kur isha akoma thjesht dhe vetëm piktor. Nën ujërat e Parisit siç e keni dëgjuar. Me thonj të paprera, që atëherë komisionet bipartizane takoheshin por atëherë i bënin te OSBE. 

Nuk di çfarë që të them. Sa herë mbarojnë zgjedhjet duhet një reformë, se pas zgjedhjeve ka një humbës. Humbësi është po ai dhe rezultati është keq e më keq. 

Damiani e di poizicionin tim, kemi bërë një reformë zgjedhore unikale në botën demokratike. I sfidoj të gjithë se ku është kjo që qeveria ndalon së marruri frymë 4 muaj para zgjedhjeve, që çdo gjë ndalon. Dhe prapë nuk iu mjafton tani e duan 9 muaj. 

Po prapë edhe 9 muaj po të bëhet nuk do të lindë fitorja. Megjithatë Damian ti e di vetë sic thoshte kryetari ynë ndjesë pastë bëni sic keni bërë gjithmonë. Për reformën territoriale e kemi të qartë drejtimin, Më pak më shumë. Fjala kyce e fundit është koordinimi”, u shpreh Rama. 

PROFIL/ Të shkëlqesh si Shkëlqim Hajdari, pas dorëheqjes!

By: Java News
16 January 2026 at 20:21

Ndodh rrallë që dy dorëheqje t’i provojnë ndokujt tjetër shkëlqimin në karrierë. Shkëlqim Hajdarit ia plotëson ndoshta si askush tjetër karakterin dorëheqja ose më mirë të themi, vendimi në kohën e duhur për t’u larguar. Është kultura e munguar e dorëheqjes, aq shumë e nevojshme brenda institucioneve të brishta demokratike, ajo për të cilën kemi nevojë.
Mund të largohesh pa lënë gjurmë, larg të qenit dinjitoz në punë. Herët apo vonë thuhet se koha u jep të drejtë atyre që kanë pasur të drejtë.

Dorëheqja e dytë e Shkëlqim Hajdarit nuk ishte si e para. Ajo ndonëse erdhi papritur nuk pati përplasje institucionale apo politike. E ndërsa skandalet shoqërojnë institucionet e tjera, institucioni që drejtoi Shkëlqim Hajdari nuk u përfol në asnjë kohë, për asnjë problematikë. Përkundrazi, Hajdari la trashëgimi një institucion që është vlerësuar në standardet e BE-së.

Shkëlqim Hajdari dha dorëheqjen si Kryeinspektor i Përgjithshëm, detyrë të cilën ai e mori në vitin 2016, vetëm një ditë pasi përshkroi disa nga arritjet në institucionin që drejtoi gjatë një dekade.

Në një reagim të bërë në rrjetet sociale para se të largohej Hajdari tha se në këto vite të punës, është i lumtur që reforma ligjore në fushën e inspektimeve është finalizuar.
Teksa falënderon të gjithë stafin dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë reformë, që e cilësoi vizionare sipas standardeve më të mira të inspektimeve në BE, Shkëlqim Hajdari prezantoi rezultatet konkrete duke paralajmëruar abuzuesit e mundshëm se paligjshmeria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit të ndershëm, do të marrë fund!

Dorëheqja e dytë e Shkëlqim Hajdarit dallon shumë nga e para. Veçse shkëlqimi pas saj mbetet i njëjtë. Në dorëheqjen e parë ai vendosi të largohej me guxim nga profesioni i parë ndaj të cilit ishte investuar një jetë të tërë. Pas një pune profesionale për afro dy dekada, kur nisi të hidhte themelet Reforma në Drejtësi, ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla e transferoi Hajdarin nga drejtues i prokurorisë së Apelit në prokuror të thjeshtë në Shkodër.
Ai dhe dorëheqjen me pretendimin se situata e organit të akuzës ishte bërë alarmante, për një shtet demokratik, ku emërimet dhe shkarkimet bëheshin në shkelje të ligjit dhe në favor të personave të paaftë.

Reforma në Drejtësi vërtetoi atë që pretendoi Shkëlqim Hajdari, ndërsa ish-prokurori me të cilin ai u konfliktua është sot në kërkim nga drejtësia.

Veç angazhimit dhe arritjeve profesionale, baba i tre fëmijëve, bashkëshort dhe familjar i devotshëm Shkëlqim Hajdari, për gjithçka ka dhënë, gëzon reputacion dhe respekt të gjerë në komunitet. Kontributi i tij të çmuar është i njohur jo vetëm për “tironasit” por edhe në trevat mbarëshqiptare.
Aktualisht Kryetar i Shoqatës “Tirana”, ai ndjek me pasion jo vetëm zhvillimin kulturor të kryeqytetit, por edhe çështjet kombëtare kudo, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mali i Zi apo Diasporë.

Pa kompromis ndaj së keqes, gjithnjë në të njëjtën rrugëtim pa devijim nga rruga e drejtë që ka zgjedhur të ndjekë me njerëzit, për njerëzit, i japin profilit që ka ndërtuar dhe karrierës që ka lënë pas Shkëlqim Hajdari një shkëlqim të merituar. Me pak fjalë të shkëlqesh pas dorëheqjeve si Shkëlqim Hajdari është gjë e rrallë! MAPO 

“Siguria në rrugë, përmirësim i ndjeshëm”/ Zaloshnja: Policia Rrugore ndikon tek njerëzit që janë të arsyeshëm

By: Os De
16 January 2026 at 20:14

Barometri i sigurisë për vitin 2025 tregon një përmirësim të ndjeshëm të sigurisë publike në vendin tonë, si në rrugë ashtu edhe në luftën kundër krimit. 

Në raport, perceptimi për Policinë e Shtetit mbetet kryesisht pozitiv, ku 70.1% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv. 

Eduard Zaloshnja në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News foli për situatën e aksidenteve në vend, duke u ndalur edhe tek siguria në rrugë. 

Gjatë intervistës, Zaloshnja tha se vdekjet rrugore janë ulur dhe se gjithashtu ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme. 

“Është rritur përdorimi i rripit të sigurisë. Rripi i sigurisë përgjysmon probabilitetin e vdekjes. Këtu kam bërë një përmbledhje të vdekjeve rrugore dhe nga krimi për 15 vitet e fundit, dhe shifrat flasin vetë. Këtë vit që mbyllëm kemi patur 153 vdekje rrugore më pak se sa në vitin 2010. Në vitin ’90 këtu kanë ndodhur gjithsej katër vdekje rrugore sepse nuk kishte automobila”, tha ai. 

Më tej Zaloshnja ndërsa analizoi të dhënat e sondazhit, duke nënvizuar se Policia Rrugore ndikon tek njerëzit që janë të arsyeshëm. 

Sipas Barometrit të Sigurisë së Jetës dhe Punës së Policisë për vitin 2025, të hartuar nga Eduard Zaloshnja, vdekjet rrugore janë ulur me 43.5%, si dhe ka patur reduktim të vrasjeve të qëllimshme. 

 

Komisioni Europian: S’ka ngrirje fondesh për agjendën dixhitale të Shqipërisë

By: Os De
16 January 2026 at 20:05

Ditët e fundit, zyrtarë të opozitës kanë ngritur pretendimin se Komisioni Europian ka ngrirë fondet për agjendën dixhitale të Shqipërisë.

Përmes postës elektronike gazetari i Top Channel Muhamed Veliu pyeti Komisionin Europian nëse është marrë një vendim i tillë.

Një zëdhënëss i Komisionit Europian dha këtë përgjigje.

“Nuk ka pasur asnjë vendim të tillë për ndërprerjen e fondeve të marrë nga Komisioni. Nuk ka informacione të tjera që mund t’ju ndajmë në këtë fazë”.

“Jam mbret i tarifave”/ Trump vijon “kërcënimet”: Mund t’i vendos edhe për vendet që s’bien dakord që të marrim Groenlandën

By: Os De
16 January 2026 at 19:56

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili e quati veten “mbreti i tarifave”, kërcënoi më herët sot se mund të përdorë tarifat si një mjet për të ushtruar presion mbi vendet e treta që të bien dakord për aneksimin e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara. 

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të kontrolluar Groenlandën, e cila është një rajon gjysmë-autonom i Danimarkës, duke argumentuar se është me rëndësi strategjike. Megjithatë, deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta, jo vetëm nga Kopenhageni dhe Groenlanda, por edhe nga qeveritë evropiane dhe kongresistët amerikanë nga të dyja partitë. 

Komentet e Trump erdhën gjatë një eventi për kujdesin shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë, ku ai iu referua mënyrës se si kërcënimi me tarifat i ka detyruar vendet e tjera të zhvilluara të pranojnë çmime më të larta të barnave në mënyrë që të ulin çmimet në Shtetet e Bashkuara. 

“Mund ta bëj për Groenlandën. Mund të vendos tarifa për vendet nëse nuk pajtohen me Groenlandën, sepse na duhet për arsye sigurie kombëtare. Mund ta bëj,” tha ai. 

Trump nuk specifikoi shumën e tarifave të mundshme ose cilat vende do të ishin në shënjestër. Në të njëjtën kohë, një vendim është në pritje nga Gjykata Supreme e SHBA-së, e cila mund të vendosë në çdo kohë mbi ligjshmërinë e tarifave që Trump ka vendosur në mënyrë të njëanshme ndërkombëtarisht. 

“Unë jam mbreti i tarifave dhe mbreti i tarifave ka bërë një punë të shkëlqyer,” tha Trump, duke shtuar: “Shpresoj ta fitojmë çështjen në Gjykatën Supreme, sepse nëse nuk e bëjmë, do të jetë një turp për vendin tonë.“ 

Paralajmëron spastrime masive në PD, Berisha: S’kanë vend ata që bashkëpunojnë me PS

By: Os De
16 January 2026 at 19:47

Në mbledhjen që zhvilloi ditën e sotme me kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike, Sali Berishaparalajmëroi valë spastrimesh të atyre që kanë bashkëpunuar me Partinë Socialiste, apo vijojnë të përfitojnë nga kjo forcë politike për interesa të tyre personale në “kurriz” të anëtarësisë.

“Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë”,- tha Berisha gjatë mbledhjes.

Krydemokrati nuk kurseu kritikat as për ata drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në qytetet e vendit, të cilët sipas tij, nuk u angazhuan në zgjedhjet e 11 majit të ndaluar nga zemërimi që nuk ishin pjesë e listave me kandidatë për deputetë.

“Poste drejtuese nuk do mund të pretendojnë ata. Po ti je nënkryetar partie, ke qenë nënkryetar partie dhe tani më thua mua që thua që unë nuk punova në fushatë. Po si s’punove ti në fushatë? Apo pse s’e pate emrin tënd në listë, s’punove në fushatë ti? Çfarë, ti nuk dole dot mbi zemërimin tënd, kupton apo jo? Prandaj të lutem, merr një pauzë, qetësohu, je, mbetesh ti, po mendo njëherë, se nuk të ka borxh partia ty, edhe gabim po të ketë bërë, se unë nuk them se ka patur një drejtësi maksimale në, në, në përcaktimin e listave e të tjerë e të tjerë”,- tha Berisha.

Kryedemokrati theksoi më tej se “nuk do zgjidhen në forume. Jo, nuk mund të zgjidhen.”

❌
❌