Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Java News

Pas dekretimit nga Begaj, publikohen në Fletoren Zyrtare 7 ligjet e Paketës fiskale

By: Os De
15 January 2026 at 18:55

Janë publikuar sot në Fletoren Zyrtare 7 ligjet e Paketës Fiskale. Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor të vitit që lamë pas preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë. 

Janë gati 1 miliardë euro detyrime të krijuara nga vitet 90’ deri në fund të 2014-ës që do të fshihen brenda 31 dhjetorit 2026. Këtu përfshihet dhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën. 

Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Nëse 50 përqind e borxhit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit. 

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026. 

Kurse për detyrimet për sigurimet shoqërore, do të falen gjobat e kamatat e 10-vjeçarit të fundit (2015-2024)  nëse bizneset do të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026. 

Ky ligj i cili parashikohet ta ketë jetëgjatësinë vetëm për 2026-ën, parashikon gjithashtu se pasi të pastrohen bilancet dhe bizneset të çlirohen nga këto detyrime, të bëjë publike përfituesit më të mëdhenj të tij. 

Brenda datës 31 janar 2027 organet tatimore dhe doganore do të publikojnë në faqen zyrtare të institucionit, listën e plotë të 3000 tatimpaguesve që kanë përfituar nga ky ligj. Në nenin 3 pika ç thuhet se në listë do të përfshihen të gjithë subjektet, të cilave u është fshirë detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë. 

Sa më pak pjesëmarrje në zgjedhje, aq më shumë mandate për PS-në…

15 January 2026 at 18:44

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një ekstrapolim statistikor i sondazhit të fundit “Zëri i Shqiptarëve’, më rezultoi se po të ishin zhvilluar zgjedhje të parakohshme më 12 janar, do të votonin brenda vendit rreth 1.09 milionë zgjedhës të këtushëm. Nga këta, rreth 643 mijë do të votonin për PS, rreth 375 mijë për PD-ASHM, dhe rreth 72 mijë për partitë e vogla. Me një përllogaritje të përafërt statistikore (bazuar në lokacionet e të anketuarve nëpër 12 qarqet), më rezultoi se PS-ja mund të siguronte deri në 87 mandate, PD-ASHM deri në 49 mandate, dhe partitë e vogla deri në 4 mandate.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, votuan brenda vendit 1.463 milionë zgjedhës. Prej këtyre, 57 mijëve u shkoi vota dëm, sepse u ngatërruan me fletëvotimin e ndërlikuar. Por duke i shpërndarë përpjestimisht mes partive këta 57 mijë votues që u shkoi vota dëm, rezulton se për PS-në votuan rreth 763 mijë zgjedhës të këtushëm, për PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj (PD-ASHM) votuan rreth 500 mijë, dhe për partitë e vogla votuan rreth 200 mijë. Ndërsa mandatet parlamentare u ndanë 83 PS, 50 PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj (PD-ASHM), dhe 7 partitë e vogla.

Në prillin e vitit 2021, votuan brenda vendit 1.662 milionë zgjedhës. Prej këtyre, 83 mijëve u shkoi vota dëm, sepse u ngatërruan me fletëvotimin e ndërlikuar. Por duke i shpërndarë përpjestimisht mes partive këta 83 mijë votues që u shkoi vota dëm, rezulton se për PS-në votuan rreth 809 mijë zgjedhës të këtushëm, për PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj votuan rreth 770 mijë, dhe për partitë e vogla votuan rreth 83 mijë (shihni grafikun e mëposhtëm). Ndërsa mandatet parlamentare u ndanë 74 PS, 63 PD+LSI+PDIU+PR+PAA+etj, dhe 3 partitë e vogla (PSD).

Në pamje të parë, duket paradoksale që sa më të pakta janë votat për PS-në, aq më shumë mandate parlamentare siguron ajo. Por ky fenomen elektoral ka në thelb një mekanizëm të thjeshtë aritmetik – kur rënia e pjesëmarrjes është më e theksuar në krahun opozitar, partia e madhe mazhoritare mbledh mandatet që humbasin partitë opozitare (sepse numri total i mandateve është fiks në një sistem elektoral si ky që kemi ne aktualisht).

SHËNIM I RËNDËSISHËM: Në maj 2025 morën pjesë në zgjedhje edhe emigrantë (me vota të dërguara me postë), por votat e tyre pothuaj nuk ndikuan fare në ndarjen e mandateve parlamentare. Vetëm 1 mandat nga 140 (një në Vlorë) u përcaktua nga votat e emigrantëve të dërguara me postë. Madje edhe ai mandat i vetëm u përcaktua para se të fillonte numërimi i votave nga Greqia…

Sa më pak pjesëmarrje në zgjedhje, aq më shumë mandate

 

Sa më pak pjesëmarrje në zgjedhje, aq më shumë mandate

(EMRI) Pas tre muajsh e zhdukur, gjendet e vdekur 35-vjeçarja shqiptare në Itali/ Autoritetet japin detajet e para

By: Os De
15 January 2026 at 18:39

Floresha Prengu, 35 vjeç, banore e Trentos në Itali dhe nënë e dy vajzave, u gjet e vdekur 40 kilometra larg shtëpisë së saj, përgjatë lumit Adige. 

Trupi i saj u identifikua këtë të enjte nga familja e saj, e cila kishte shpresuar deri në fund për një rezultat tjetër. 

Floresha, me origjinë shqiptare, u pa për herë të fundit në qendër të qytetit më 22 tetor. Pas zhdukjes së saj, familja menjëherë kontaktuar policinë dhe publikun, duke kërkuar ndihmën e tyre për të gjetur një të afërm. Kërkimi për Floreshën u bë në shkallë të gjerë, duke përdorur patrulla të lumit, zjarrfikës vullnetarë përgjatë lumit Adige, si dhe helikopterë për kontrolle ajrore, por nuk dha rezultate konkrete, shkruan Corriere. 

Për më shumë se dy muaj, kërkimet u shpërndanë përtej kufijve të Trentinos dhe të gjitha prefekturat italiane u informuan për zhdukjen e saj. 

Sipas autoriteteve, mendohet se 35-vjeçarja u mor nga rryma e lumit Adige, të cilës nuk arriti dot t’i mbijetonte. 

 

VKM/ Qeveria miraton kriteret për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm. Veprimet për lirimin dhe shkarkimin nga detyra..

By: Os De
15 January 2026 at 18:29

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin ku përcakton kriteret e veçanta dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të Inspektorit të Përgjithshëm.  

Ky vendim u miratua nga qeveria në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të  ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit.  

VENDIMI  

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË VEÇANTA DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN, EMËRIMIN, VLERËSIMIN E REZULTATEVE NË PUNË, DISIPLINËN, LIRIMIN DHE SHKARKIMIN NGA DETYRA TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 16, të  ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I: 

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Ky vendim përcakton kriteret e veçanta dhe procedurat për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm. 

  1. KRITERET PËR PËRZGJEDHJEN DHE EMËRIMIN

Kandidati për inspektor të Përgjithshëm, krahas kritereve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 16, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duhet të plotësojë edhe këto kritere të veçanta: 

  1. a) Të ketë diplomë të nivelit “Masteri Shkencave” ose “MasterProfesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike” ose të barasvlershme me to; 
  2. b) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune në pozicione të larta drejtuese në institucione publike ose private.

III. PROCEDURA E PËRZGJEDHJES DHE EMËRIMIT 

  1. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëvekalenderikenga krijimi i pozicionit vakant të inspektorit të Përgjithshëm, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, hap thirrjen për aplikim dhe ngre një komision ad hoc të përbërë nga: 
  2. a) një përfaqësues nga institucioni që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm;
  3. b) një përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike;
  4. c) një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.
  5. Njoftimi për aplikim publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqen zyrtare të  institucionit përgjegjës dhe qëndron i hapur për një periudhë jo më pak se 7 (shtatë) ditë kalendarike.
  6. Kandidati paraqet këto dokumente:
  7. a) Kërkesën për aplikim;
  8. b) Jetëshkrimin të përditësuar (CV);
  9. c) Kopjen e diplomës dhe të listës së notave;

ç)  Dëshminë e përvojës profesionale; 

  1. d)Vetëdeklariminpër konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë sipas legjislacionit në fuqi; 
  2.     dh)  Kopjen e letërnjoftimit (ID);
  3. e) Vërtetimin nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi;

ë)  Vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore; 

  1. f) Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimimin shtesë, publikimet, angazhimet akademike apo të tjera, të përmendura në jetëshkrim.
  2. Komisioniadhoc përfundon shqyrtimin e dokumentacionit dhe zhvillimin e intervistave me kandidatët, brenda një afati jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga data e përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimeve. 
  3. Vlerësimi i kandidatëve bëhet në një total prej 100 pikësh dhe përbëhet nga:
  4. a) Vlerësimi i dokumentacionit dhe i përvojës profesionale: deri në 60 pikë;
  5. b) Intervista e strukturuar me gojë: deri në 40 pikë.
  6. Vlerësimi i dokumentacionit dhe i përvojës profesionale deri në 60 pikë realizohet sipas skemës së mëposhtme:
  7. a) Deri në 10 (dhjetë) pikë për tejkalim të nivelit të arsimit, sipas kritereve të mëposhtme:
  8. 5 pikë, për diplomë ekzekutive ose diplomë specializimi;
  9. ii. 10 pikë, për gradë ose titull shkencor.
  10. b) Deri në 20 (njëzet) pikë për tejkalim të përvojës në punë si drejtues në institucione publike apo private, sipas kritereve të mëposhtme:
  11. 5 pikë, për 1 (një) vit përvojë shtesë;

iii. 10 pikë, për më shumë se 1 vit deri në 3 vjet përvojë shtesë; 

iii. 20 pikë, për më shumë se 3 vjet përvojë shtesë. 

  1. c) Publikime, angazhime akademike: 10 pikë;

ç) Deri në 15 (pesëmbëdhjetë) pikë për trajnime ose kualifikime profesionale, sipas kritereve të mëposhtme: 

  1. 5 pikë, për 1 (një) deri në 3 (tre) trajnime ose kualifikime profesionale;
  2. ii. 10 pikë, për 3 (tre) deri në 5 (pesë) trajnime ose kualifikime profesionale;

iii. 15 pikë, për më shumë se 5 (pesë) trajnime ose kualifikime profesionale. 

  1. d) Integriteti profesional në bazë të deklaratave, referencave dhe dokumentacionit plotësues: 5 pikë.
  2. Komisioni harton listën përfundimtare të kandidatëve të kualifikuar, të shoqëruar me renditjen sipas pikëve të grumbulluara, dhe ia paraqet sekretarit të Përgjithshëm të institucionit përgjegjës brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga përfundimi i procesit të vlerësimit.
  3. Komisioniadhoc funksionon në përputhje me këto rregulla: 
  4. a) Mbledhjet janë të vlefshme kur marrin pjesë të gjithë anëtarët;
  5. b) Vendimmarrja bëhet me shumicë votash;
  6. c) Çdo anëtar nënshkruan një deklaratë mbi mungesën e konfliktit të interesit para fillimit të vlerësimit;

ç) Në rast mungese të një anëtari, zëvendësimi bëhet nga institucioni përkatës brenda 3 (tri) ditëve kalendarike. 

  1. Komisioni garanton barazi, objektivitet dhe transparencë gjatë gjithë procesit të vlerësimit.
  2. Inspektori i Përgjithshëm emërohet në detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.
  3. MASAT DISIPLINORE DHE PROCEDURA DISIPLINORE
  4. Në rastet kur kaindicietë arsyeshme për shkelje disiplinore, sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, me iniciativë të tij ose pas informacionit zyrtar të ardhur nga institucione shtetërore, vendos fillimin e procedurës disiplinore dhe njofton me shkrim inspektorin e Përgjithshëm për shkeljen e dyshuar dhe për fillimin e hetimit administrativ. 
  5. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës urdhëron ngritjen e një grupi të posaçëm për hetimin administrativ të inspektorit të Përgjithshëm, duke mbledhur prova, dëshmi, raportime dhe deklarata, sipas natyrës së shkeljes së pretenduar.
  6. Inspektori i Përgjithshëm ka këto të drejta:
  7. a) Të paraqesë shpjegime me shkrim;
  8. b) Të zhvillojë një dëgjesë me grupin e posaçëm, brenda një afati jo më të gjatë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga data e njoftimit;
  9. c) Të përfaqësohet nga përfaqësues ligjor.
  10. Pas përfundimit të hetimit, grupi i posaçëm përgatit një raport përfundimtar, i cili i paraqitet sekretarit të Përgjithshëm brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të këtij hetimi.
  11. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, pas administrimit të raportit përfundimtar, i njofton titullarit të institucionit rezultatet e raportit të grupit të posaçëm.
  12. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, në rast të konstatimit të shkeljes dhe në varësi të rrethanave të konstatuara, i propozon titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, një nga masat disiplinore të mëposhtme:
  13. a) Vërejtje me shkrim;
  14. b) Vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra;
  15. c) Largim nga detyra.
  16. Titullari i institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, merr vendim për dhënien e njërës nga masat disiplinore të parashikuara në pikën 6, të këtij kreu.
  17. VLERËSIMI I REZULTATEVE NË PUNË TË INSPEKTORIT TË PËRGJITHSHËM
  18. Inspektori i Përgjithshëm i nënshtrohet vlerësimit të rezultateve në punë 1 (një) herë në vit nga titullari i institucionit, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm.
  19. Vlerësimi i inspektorit të Përgjithshëm kryhet në bazë tëperformancëssë tij profesionale, në përputhje me kriteret e përgjithshme, si më poshtë vijon: 
  20. a)  Realizimi i objektivave institucionalë të përcaktuar në fillim të periudhës së vlerësimit;
  21. b) Cilësia dhe efektiviteti i veprimtarisë inspektuese;
  22. c) Menaxhimi i burimeve njerëzore dhe financiare në dispozicion të institucionit;

ç) Respektimi i dispozitave ligjore dhe i standardeve të etikës profesionale; 

  1. d)  Transparenca dhe komunikimi me publikun;

dh)Nismat për përmirësim të punës dhe përdorimi i teknologjisë në proceset inspektuese; 

  1. e)  Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfaqësimi institucional.
  2. LIRIMI DHE SHKARKIMI NGA DETYRA
  3. Inspektori i Përgjithshëm lirohet dhe shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të titullarit të institucionit përgjegjës, që ka në varësi Inspektoratin e Përgjithshëm, sipas rasteve të parashikuara në ligjin nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
  4. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përgjegjës, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga marrja dijeni apo konstatimi i shkakut për lirimin apo shkarkimin nga detyra të inspektorit të Përgjithshëm, i paraqet titullarit të institucionit raportin me faktet dhe rrethanat përkatëse.

VII. DISPOZITË E FUNDIT 

Ngarkohet Inspektorati i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

 

PD e përjeton pezullimin e vizave të SHBA si një mallkim që i zuri shqiptarët nga “non grata” e Berishës

By: Mero Baze
15 January 2026 at 18:21

Nga Mero Baze

Vendimi i SHBA për të pezulluar procedurën e vizave të emigrimit për 75 vende, mes të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova, bazuar në kostot që i ka shkaktuar SHBA-së secili komunitet lidhur me përkrahjen sociale, ka ngjallur një lumturi të pashpjegueshme tek udhëheqja e Partisë Demokratike të Sali Berishës. Në gëzimin e tyre ka diçka mistike. Edhe pse e kuptojnë se nuk është ndërmarrë kurrfarë operacioni për të ndaluar vizat e popullit shqiptar në Shqipëri, por procedura e emigracionit në SHBA, ata kanë dëshirë ta shqiptojnë me zë të lartë, por jo vajtues, faktin që tani i gjithë populli shqiptar është “non grata”. Madje edhe populli i Kosovës që qeveriset nga një njeri me duar të pastra, patriot dhe që nuk bashkëpunon me mafien ndërkombëtare si Albin Kurti. Pra, në një farë mënyre jemi shpallur sipas tyre “komb non grata”, dhe na ka lënë pas Serbia që dikur është bombarduar nga SHBA dhe që sipas këtyre do ta ndajë Kosovën me Shqipërinë.

Gëzimi është i pakontrolluar, më keq se fjalët që e pasojnë dhe argumentet që shpikin. Vetë SHBA e ka sqaruar disa herë brenda 24 orëve, jo për ne, por për të 75 vendet, se po ndërmerr një operacion social në SHBA kundër peshës financiare që ka në buxhetin e vendit mbajtja në këmbë e një sistemi ndihmash për emigrantët. Siç e thotë jo rrallë herë edhe Berisha, në SHBA ka ardhur një sherif i ri dhe ka rregulla antiemigrante. Për këtë kanë votuar amerikanët dhe nuk i ndalojmë dot të bëjnë çfarë të duan me rregullat e tyre.

Gëzimi i opozitarëve tanë nuk ka lidhje me arsyet që e kanë çuar SHBA-në tek ky vendim. Thellë-thellë ata janë të gëzuar, apo më mirë të themi do të donin që ashtu siç është shpallur “non grata” udhëheqësi i tyre, të shpallet i gjithë populli shqiptar që nuk i shkon atij nga pas. Është një hakmarrje që e ëndërrojnë dhe ky lajm u vlen vetëm i shtrembëruar. I vlen ashtu siç nuk është, që të përfytyrojnë gjithë shqiptarët tek sporteli i ambasadës së SHBA duke kërkuar vizë dhe duke ua refuzuar, si Sali Berishës dhe familjes së tij. Ata e shikojnë këtë si një mallkim që i vjen kombit shqiptar nga vuajtjet e Sali Berishës si “non grata”.

Fatkeqësisht për ta nuk është ashtu. Çdo shqiptar që ka një vizë apo që do një vizë për SHBA për turizëm, për biznes, për punë, për arsim apo aktivitete të tjera mund të shkojë në ambasadë dhe ta marrë. Ajo që është pezulluar është praktika e homogjenizimit të emigrantëve në qytetarë amerikanë. Ky është një lajm i keq për gjithë ata shqiptarë që duan të emigrojnë në SHBA, jo për ata që duan të jetojnë këtu. Ata kanë të drejtë të mërziten, por nuk i ndihmojmë dot.

Opozitarët tanë nuk janë të gëzuar mjaftueshëm me kaq. Duan që të mos jepet më asnjë vizë, meqë nuk i jepet vizë Sali Berishës dhe familjes së tij.

Ah po. Ka edhe disa kritere tani e tutje për këta që do aplikojnë për viza. Mes atyre kritereve është edhe obeziteti, sëmundjet e pashërueshme dhe ato të shëndetit mendor.

E sigurt është që gjithë këta anëtarët e kryesisë së PD që 24 orët e fundit kanë folur për “ndalimin e vizave” nga SHBA, është e sigurt që nuk e kalojnë testin e vizës. Jo se janë bashkëpunëtorë të “non grata”, por për shkak të kriterit për shëndetin mendor. Është mirë të mos e provojnë.

Vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave/ Ja kush do e drejtojë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (EMRI)

By: Os De
15 January 2026 at 18:13

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte, më 15 janar, Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime të rëndësishme, përfshirë emërimin e drejtoreshës së rë të Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Marjeta Përlala. 

Qeveria vendosi sot: 

  • Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2027-2029, “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”.
  • Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për transportin ndërkombëtar rrugor.
  • Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularëve.
  • Përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2026, për njësitë e qeverisjes qendrore.
  • Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërhyrje në zona sportive dhe lodra për fëmijë “Dua të luaj””, Bashkia Fier.
  • Përcaktimin e kritereve të veçanta dhe të procedurave për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra tëinspektoriatittë përgjithshëm. 
  • Znj.MarjetaPërlala emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

 

Rritet paga minimale, më shumë të ardhura për punonjësit. Për efekt të kontributeve ndryshon edhe..

By: Os De
15 January 2026 at 18:06

Nga 1 janari 2026, paga minimale dhe ajo maksimale për efekt kontributesh janë rritur zyrtarisht. Ndryshimet ligjore kanë hyrë në fuqi dhe janë të detyrueshme për të gjithë punëdhënësit në vend. 

“Duke filluar nga data 1 janar 2026, paga bazë minimale mujore në shkallë vendi është 50,000 lekë bruto. Ky nivel page është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga çdo punëdhënës, person juridik apo fizik, vendas apo i huaj. Vendimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”. 

Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë përfaqëson një rritje prej 25 për qind. Në terma konkretë, pas zbritjes së kontributeve, paga neto për një punonjës me pagë minimale arrin në 44,400 lekë, rreth 8,800 lekë më shumë krahasuar me vitin 2025. 

Sipas legjislacionit në fuqi, rritja e pagës minimale sjell automatikisht edhe rritjen e pagës maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore. 

“Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore indeksohet në të njëjtën masë me pagën minimale. Nga 1 janari 2026, kjo pagë arrin në 186,416 lekë bruto. Ndryshimi zbatohet për të gjithë subjektet që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore”. 

Ky ndryshim prek vetëm punonjësit me paga të larta, të cilët do të kenë një ndalesë shtesë mujore deri në vlerën e 950 lekëve në pagën neto. Për sigurimet shëndetësore nuk ka ndryshime, pasi ato vijojnë të llogariten mbi pagën reale pa kufi maksimal. 

Vendimi zbatohet për të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, dhe synon rritjen e të ardhurave, por edhe forcimin e skemës së sigurimeve shoqërore në vend. 

VIDEO-SHBA sekuestron një tjetër cisternë nafte në kuadër të sanksioneve ndaj Venezuelës

By: Os De
15 January 2026 at 18:00

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka sekuestruar në det një tjetër cisternë nafte, në kuadër të zbatimit të sanksioneve të vendosura nga presidenti Donald Trump ndaj Venezuelës, njoftuan të enjten zyrtarë ushtarakë amerikanë.

Cisterna e naftës bruto Veronica, e cila sipas të dhënave detare lundron nën flamurin e Guajanës, u hipotekua në orët e para të mëngjesit nga marinsa dhe marinarë amerikanë, bëri të ditur Komanda Jugore e SHBA-ve në një postim në rrjetet sociale.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Rojën Bregdetare të SHBA-së, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Drejtësisë. Njoftimi shoqërohej me pamje ajrore bardhë e zi, me cilësi të ulët, ku dukeshin efektivë ushtarakë duke zbritur me litar nga një helikopter në kuvertën e anijes.

“Forcat u nisën nga aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford (CVN 78) dhe ndaluan cisternën Veronica pa incidente. Veronica është cisterna më e fundit që operonte në kundërshtim me karantinën e vendosur nga presidenti Trump për anijet e sanksionuara në Karaibe, duke dëshmuar edhe një herë efektivitetin e Operacionit Southern Spear”, thuhej në mesazh.

Autoritetet amerikane nuk specifikuan vendndodhjen e saktë të operacionit, por sipas faqes marinetraffic.com, pozicioni i fundit i regjistruar i anijes 249 metra të gjatë ishte 12 ditë më parë, në brigjet e Venezuelës.

Ky është rasti i gjashtë i njohur i hipotekimit dhe sekuestrimit nga ushtria amerikane të një cisterne nafte me flamur të huaj, në kuadër të masave shtrënguese ndaj industrisë venezueliane të naftës, që nga kapja e presidentit Nicolás Maduro në Karakas dhe transferimi i tij në SHBA më herët këtë muaj.

Të premten, Komanda Jugore njoftoi gjithashtu hipotekimin e një tjetër anijeje, të quajtur Olina, në Detin e Karaibeve pranë Trinidadit, duke shënuar ndërhyrjen e pestë të këtij lloji në javët e fundit. Edhe ky operacion ishte nisur nga aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford.

Ndërkohë, që prej vjeshtës janë regjistruar edhe disa sulme ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge në brigjet e Venezuelës. Administrata Trump ka ndërmarrë hapa për të kontrolluar shpërndarjen globale të produkteve të naftës venezueliane pas rrëzimit të qeverisë së Maduros.

“Departamenti i Luftës mbetet i palëkundur në misionin e tij për të goditur aktivitetet e paligjshme në Hemisferën Perëndimore”, thuhej në deklaratën e Komandës Jugore.

Through #OpSouthernSpear, the Department of War is unwavering in its mission to crush illicit activity in the Western Hemisphere in partnership with @USCG through @DHSgov and @TheJusticeDept.

In another pre-dawn action, Marines and Sailors from Joint Task Force Southern Spear,… pic.twitter.com/brxO9xXUu3

— U.S. Southern Command (@Southcom) January 15, 2026

 

Rëndësia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për sekuestrimin e telefonave dhe pajisjeve elektronike

By: Java News
15 January 2026 at 17:53

Nga Eduard Halimi

Çështje që mund të mësojmë nga Vendimi 44/2024 i Gjykatës Kushtetuese për sekuestrimin e Telefonave dhe pajisjeve elektronike dhe rëndësia e tij!

Vendimi 44/2024 i GJK vjen pas vendimit të saj të drejtë lidhur me SkyECC dhe EncroChat një vit më parë, si dhe pas veprimeve të diskutueshme të përgjimit të anëtarëve të kësaj gjykate nga SPAK – çështje që i kam analizuar vetë një vit më parë.

Rasti në fjalë përmend gjithashtu se në telefonin e sekuestruar (objekt i këtij gjykimi) janë gjetur komunikime të një anëtari të GJK me familjarë të ankueses (faqe 5), duke ngritur sërish çështjen e konfliktitbtë interesit dhe përjashtimit të gjyqtarit (i cili më parë kishte dhënë dorëheqje).

Kjo ringre sërish diskutimin për proporcionalitetin, por edhe për presionin e mundshëm dhe për kompleksimin e palëve në proces.

Është e rëndësishme të theksojmë paraprakisht se sekuestrimi i telefonit u bë ndaj një personi që nuk ishte nën hetim dhe pa praninë e avokatit (f. 17). Ankuesja e dorëzoi telefonin me pëlqimin e saj dhe nënshkroi procesverbalin pa vërejtje.(Shënimi im: Mos e dorëzoni kurrë telefonin pa vendim gjykate. Mos jepni pëlqim verbal/oral dhe mos nënshkruani procesverbale pa konsultim me avokatin tuaj.)

Tani le të shohim pikat kyçe të vendimit që kanë interes të madh për praktikën penale:

1. Vendimi nuk ka efekt prapaveprues për raste të ngjashme sekuestrimësh apo hetimesh ku nuk është bërë ankim kushtetues më parë ose ku procesi është përfunduar. (F. 59) Ai ka fuqi vetëm për rastet e reja. (Shënimi im: Nëse mendoni se ju janë shkelur të drejtat, bëni menjëherë ankim kushtetues, sepse bien në dekadencë.)

2. Të dhënat që përmban një telefon celular në përdorim janë të dhëna personale dhe mbrohen nga neni 35 i Kushtetutës. (f. 20)

3. Komunikimet në telefon, WhatsApp, Signal, Facebook, etj. (nëpërmjet telefonit, kompjuterit apo iPad-it, me SMS, email, etj.) janë forma të korrespondencës elektronike dhe ekuivalente me korrespondencën tradicionale me letra e zarfa, prandaj mbrohen nga neni 36 i Kushtetutës. (f. 23)

4. Sekuestrimi i telefonit/kompjuterit/iPad-it etj., si dhe i të dhënave elektronike dhe korrespondencës (përfshirë kopjimin dhe ruajtjen e tyre) pa vendim gjyqësor specifik përbën ndërhyrje intensive dhe shkelje të rëndë të nenit 8 të KEDNJ-së dhe neneve 35 & 36 të Kushtetutës. (f. 24–26)

5. Dhënia e pëlqimit nga personi për dorëzimin e celularit pa praninë e avokatit nuk përbën heqje dorë nga mbrojtja e neneve 35/36 të Kushtetutës. (f. 27)

6. Nënshtrimi pa vërejtje i procesverbalit të sekuestrimit apo këqyrjes së telefonit/PC/laptop nuk përbën heqje dorë nga të drejtat e neneve 35/36 të Kushtetutës. (f. 28–29)

7. “Modus operandi” i ndjekur deri tani (sekuestrim i telefonit + marrje dhe kopjim i të dhënave pa kontroll gjyqësor) është “ndërhyrje intensive” në privatësi dhe duhet të bëhet vetëm me autorizim paraprak nga gjykata. (f. 41–42)

8. Telefonat inteligjentë nuk janë “sende të zakonshme”. Marrja e të dhënave dhe aksesimi i gjerë i tyre përbën shkelje “veçanërisht të rëndë” dhe sensitive sipas GJEDNJ-së dhe GJK-së të neneve 8 KEDNJ dhe 35/36 Kushtetutë. (f. 42)

9. Marrja e telefonit nga OPGJ pa vendim paraprak gjyqësor (edhe në kushte emergjence) nuk justifikon kopjimin e të dhënave. Procesi i mëtejshëm duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor “ex ante”. (f. 42)

10. Edhe kur sekuestrimi ka autorizim paraprak nga gjykata, mënyra e kërkimit dhe përzgjedhjes së të dhënave duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor me kërkesë të prokurorit dhe vendim të gjykatës. (f. 43)

11. Sekuestrimi dhe marrja e të dhënave duhet të ndjekë këto rregulla:

a) të bëhet në prani të individit dhe avokatit

b) të ndalohet bërja e kopjeve pa vendim gjykate

c) të bëhet ndarja e të dhënave që kanë rëndësi nga ato që gëzojnë mbrojtje ligjore të veçantë

d) çdo ndërhyrje të ketë kontroll real gjyqësor

e) të ndiqet parimi i minimizimit (faqe 48–49)

12. Kopjimi i të dhënave që nuk lidhen me hetimin cënon rëndë fshehtësinë e korrespondencës dhe nuk është proporcional. Këto të dhëna duhet të asgjësohen edhe kur telefoni mbahet në sekuestro për kohë të gjatë nga prokuroria.

Ky vendim është një vendim drejtësie i balancuar: vendos ekuilibër mes interesit publik (lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit) dhe të drejtave private. Është në përputhje me standartet më të larta të vendosura nga mbi 45 vendime të GJEDNJ dhe Gjykatave të larta relevante në vende të tjera të KiE dhe BE.

Nuk ka efekt prapaveprues, por shërben si udhërrëfyes i fortë për të ardhmen e drejtësisë penale dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri.

10 ditë më parë u zhduk nga shtëpia, gjendet e varur në një pyll 22-vjeçarja

By: Os De
15 January 2026 at 17:47

Ka përfunduar në mënyrë tragjike kërkimi për Annabella Martinelli-n, 22-vjeçaren nga Padova, e cila rezultonte e zhdukur që prej 6 janarit.

Trupi i saj u gjet i varur në një zonë të kodrave Euganean, vetëm pak metra larg vendit ku më herët ishte gjetur biçikleta e saj.

Në vendngjarje mbërritën Prokurori Publik i Padovës, karabinierët dhe mjeku ligjor, të cilët po hetojnë rrethanat e ngjarjes për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes.

Annabella ishte larguar nga shtëpia e prindërve të saj në Teolo (Padova) mbrëmjen e 6 janarit, pak pas orës 20:00. Ajo kishte hipur në biçikletën e saj vjollcë dhe ishte nisur drejt kodrave mbi Padova. Lëvizjet e saj u filmuan nga kamerat e sigurisë përgjatë rrugës.

Gjatë itinerarit, e reja ishte ndalur në një piceri në Selvazzano, ku bleu dy pica. Më pas, kamerat e kapën teksa vazhdonte rrugën drejt Teolos. Gjurmët e saj humbën në Villa di Teolo, pak pas orës 23:00.

Biçikleta e Annabellës u gjet e lidhur në një shtyllë, me kutitë bosh të picave pranë. Trupi i saj u zbulua rreth 100 metra larg këtij vendi, në zonën kodrinore.

Sipas hetuesve, telefoni celular i 22-vjeçares kishte dhënë sinjalin e fundit në zonën e kodrave, përpara se të fikej po atë natë.

Gjatë ditëve të kërkimit, dhjetëra vullnetarë u angazhuan në operacionin e gjerë, me ndihmën e njësive të qenve, dronëve dhe helikopterëve. Zyra e Prokurorit të Padovës kishte hapur gjithashtu një hetim për të verifikuar edhe mundësinë e përfshirjes së personave të tretë, përfshirë hipotezën e rrëmbimit.

Deri më tani nuk ka elementë të qartë që të tregojnë praninë e personave të tjerë në vendngjarje, ndërsa rrethanat e sakta që çuan në këtë fund tragjik mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi.

Enkelejd Alibeaj: Protestat me Berishën nuk sjellin asgjë ndryshim

By: Os De
15 January 2026 at 17:35

Ish-deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë se protestat e ndërmarra nga Sali Berisha dhe protesta kombëtare e paralajmëruar prej tij më 24 janar, nuk pritet të sjellë asgjë. Për të është një periudhë e dendur protestash, por që janë të shoqëruar me një lloj paradoksi. Sipas Alibeajt, ky paradoks ka të bëjë me atë që po ndodh me mazhorancën dhe ndërkohë nuk është reflektuar në aksionin opozitar.

”Nuk më rezulton ndonjë gjë ndryshe nga çka bërë deri më tani, në kuptimin që ka bërë disa protesta dhe jo vetëm Partia Demokratike, por edhe disa parti të tjera. Stinë e dendur protestash ka qenë. Ajo që të bie në sy është fakti se nuk ka ndonjë mobilizim publik me këto protesta.

Çdokush e ka të thjeshtë të kuptojë një lloj paradoksi; sepse ajo që po ndodh në mazhorancë prej muajsh për të mos thënë më tepër tregon shumë për gjendjen politike të qeverisjes dhe jo vetëm, e cila në mënyrë proporcionale do të duhet të ishte reflektuar edhe tek aksioni ta quajmë opozitar”, tha Alibeaj në ”RTSH”. Ai vuri në dukje se ngjarjet që kanë shoqëruar qeverisjen e kryeministrit Edi Rama nuk janë pasuar me mobilizimin që duhet të kishte pasur opozita përballë qeverisë.

”Ngjarje të tilla si procedimi penal i përfaqësuesve të lartë të qeverisë siç është zëvendëskryeministrja në këtë rast apo edhe lufta e shpallur e kryeministrit me sistemin e drejtësisë tregon një gjendje jo qetësie të qeverisë dhe kryeministrit, një gjendje sikleti. Madje ngjarje kaq të mëdha sa edhe në publik rezonojnë. Do të ishte e logjikshme që nga ana opozitare të kishte një lloj mobilizimi, një lloj sjellje ndryshe. Të ishte një shtysë për një organizim masiv”, u shpreh ish-deputeti i PD-së.

Ministrja Spiropali dekorohet nga Zelensky me “Urdhrin e Princeshë Ollgës“

By: Os De
15 January 2026 at 17:25

Ministrja e Punëve të Jashtme Elisa Spiropali është dekoruar zyrtarisht këtë të enjte me “Urdhrin e Princeshë Ollgës“ nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kiev. Kjo është një nga dekoratat më të larta të shtetit ukrainas.

E pranoj këtë nderim më përulësi dhe me ndjenjën e thellë se ai nuk i përket vetëm një personi, por qëndrimit të Shqipërisë dhe të çdo europiani që zgjedh të qëndrojë në anën e lirisë. Ukraina sot nuk po mbron vetëm tokën e saj. Ajo po mbron ndërgjegjen e Europës.

Në qytetet e saj të bombarduara, në rezistencën e popullit të saj, po shkruhet nëse kontinenti ynë do të jetojë në paqe dhe të drejtë, apo nën frikë dhe forcë. Ky urdhër mban emrin e Princeshës Olga, një grua që udhëhoqi me dinjitet në kohë të errëta. Ta marr sot këtë dekoratë në mes të një lufte për mbijetesë dhe liri, është një përgjegjësi morale, po aq sa një nder.“, shprehet ministrja Spiropali pas ceremonisë së dekorimit.

Këtë dekoratë, Zelensky e kishte njoftuar prej disa muajsh se do ia jepte Spiropalit, por sot u zhvillua ceremonia zyrtare.

Spiropali mbërriti më herët në Kiev këtë të enjte, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën përballë sulmeve masive që kanë targetuar popullsinë civile dhe infrastrukturën kritike.

Në nisje të vizitës, Spiropali u prit nga homologu i saj ukrainas, Andrii Sybiha, me një ceremoni nderimi pranë Murit të Kujtesës për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

Shqipëria qëndron me Ukrainën. Jo nga protokolli, por nga bindja. Sepse historia na ka mësuar se liria nuk ruhet duke heshtur, por duke qëndruar drejt, edhe kur kjo ka kosto. Ukraina sot po e mban këtë vijë për të gjithë ne.”, shprehet Spiropali.

Ministri Sybiha falenderoi Spiropalin për qëndrimet e saj dhe të qeverisë shqiptare në krah të sakrificës së Ukrainës, duke theksuar se mbështetja e vendeve mike si Shqipëria për të drejtën e Ukrainës, do të thotë shumë në këto kohë sfiduese.

Michel Platini: Një grup njerëzish u bashkuan për të më asgjësuar

By: Os De
15 January 2026 at 17:18

Ish-kreu i UEFA-s, Michel Platini, ka thyer heshtjen pas një dekade larg futbollit. Në një intervistë të sinqertë, legjenda franceze ka folur për përjashtimin e tij nga sporti, fitoren në gjykatat zvicerane dhe akuzat e forta ndaj drejtuesve aktualë të FIFA-s.

Platin-i ishte njeriu që pritej të merrte drejtimin e FIFA-s në vitin 2015, por një pagesë prej rreth 2 milionë dollarësh nga Sepp Blatter bëri që ai të dënohej dhe të largohej nga futbolli. Edhe pse vitin e kaluar drejtësia zvicerane e shpalli plotësisht të pafajshëm, Platini thotë se dëmi u bë qëllimisht.

“Isha i destinuar të bëhesha president i FIFA-s. Gjithçka ndodhi sepse ata nuk e donin këtë. Ishte një padrejtësi e madhe politike. Një grup njerëzish vendosën të më ‘vrisnin’ profesionalisht”, u shpreh ai.

Platin-i nuk i ka kursyer kritikat për pasardhësin e tij, Gianni Infantino. Ndonëse thotë se Infantino nuk ishte organizatori i “komplotit”, ai e quan atë një udhëheqës autokrat.

Ai thotë se Infantino pëlqen njerëzit e pasur dhe të pushtetshëm dhe se sot në FIFA ka më pak demokraci se në kohën e Blatter.

Platin-i ankohet se shumë njerëz që punojnë sot në UEFA dhe FIFA nuk e duan futbollin, por e shohin thjesht si punë zyre. Edhe pse ka kaluar 10 vite i izoluar, Platin-i ndihet i qetë sepse familja e tij e di që ai është i pafajshëm.

Ai nuk dëshiron të kthehet më në administratën e futbollit, por la të hapur mundësinë për të ndihmuar si këshilltar “nga prapaskena”.

Në fund, ai dha një mesazh për betejën e tij ligjore që vazhdon ende ndaj disa zyrtarëve.

“Nuk është hakmarrje. Është një luftë për të vërtetën. Nuk dua që dikush tjetër të kalojë problemet që kalova unë”, tha ai.

Emigranti 26-vjeçar arrestohet sapo zbret në Gjermani, përdhunoi në mënyrë të përsëritur motrën e tij të mitur

By: Os De
15 January 2026 at 17:07

Një emigrant somalez, i kërkuar nga autoritetet britanike për përdhunime të përsëritura ndaj motrës së tij a13-vjeçare, është arrestuar sapo ka zbritur nga avioni në Gjermani. 

I dyshuari, 26 vjeç, shtetas holandez i lindur në Somali, u ndalua nga policia federale gjermane në aeroportin e Frankfurtit, vetëm pak çaste pas mbërritjes nga një fluturim i gjatë nga Addis Ababa, Etiopi. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Mbretëria e Bashkuar që prej dhjetorit 2023, shkruan The Sun. 

Në një deklaratë zyrtare, policia federale gjermane bëri të ditur: “Bazuar në një njoftim kërkimi, oficerët e Policisë Federale arrestuan një shtetas holandez 26-vjeçar në aeroportin Frankfurt am Main.” 

Sipas autoriteteve, ai akuzohet se ka përdhunuar në mënyrë të përsëritur motrën e tij 13-vjeçare gjatë vitit 2020, ndërsa jetonte në Mbretërinë e Bashkuar. 

Pas arrestimit, i dyshuari u paraqit para gjyqtarit kompetent të paraburgimit në Frankfurt. Emri i tij nuk është bërë publik, ndërsa ai u mbajt në paraburgim në aeroport teksa hetimet vijojnë. 

Autoritetet gjermane sqaruan se, për shkak se i arrestuari ka të drejtë të kundërshtojë ekstradimin, transferimi i tij drejt Britanisë së Madhe mund të zgjasë nga 10 deri në 60 ditë — afate që konsiderohen standarde në raste të tilla. 

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër emigrant, Mehmet Ogur, u dënua me shtatë vite burg në Britani për përdhunim dhe tentativë përdhunimi. Po ashtu, më herët gjatë këtij muaji, një emigrant afgan u shpall fajtor për sulm seksual ndaj një gruaje, duke shtuar shqetësimet mbi raste të ngjashme kriminale. 

Nancy VanHorn ndan mesazhin e Trumpit: Siguria ekonomike është siguri kombëtare

By: Os De
15 January 2026 at 17:02

Këtë të Enjte, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh të Nancy Van Horn.

Gjatë një aktiviteti për promovimin e teknologjisë amerikane të komunikimit, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, duke cituar fjalët e presidentit Donald Trump ka theksuar rëndësinë e sigurisë ekonominë për sigurinë kombëtare.

“Siç ka thënë Presidenti Trump, ‘siguria ekonomike është siguri kombëtare.’ Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm në sigurinë publike dhe infrastrukturën kritike, ku teknologjia që zgjedhin vendet ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve.”, thuhet në mesazhin e Nancy VanHorn.

 

 

Kina dhe BE-ja arrijnë rezultate pozitive lidhur me automjetet elektrike

By: Os De
15 January 2026 at 16:55

Në bazë të bisedimeve për më shumë se një vit, u arrit përparim i rëndësishëm në konsultimet midis Kinës dhe BE-së mbi tarifat antisubvencion për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë, duke i zëvendësuar tarifat e larta antisubvencion me mekanizmin e “angazhimit për çmimet”.

Sipas njoftimit të 12 janarit në uebsajtin zyrtar të Ministrisë së Tregtisë të Kinës, të dyja palët ranë dakord se është e nevojshme t’u ofrojnë udhëzime të përgjithshme mbi angazhimin për çmimet eksportuesve kinezë të automjeteve elektrike në BE, në mënyrë që eksportuesit kinezë t’i zgjidhin shqetësimet përkatëse nëpërmjet mënyrave më praktike, me objektiv të përcaktuar dhe në përputhje me rregullat e OBT-së.

Sektori përkatës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës i tha medias se ky vendim lëshon plotësisht sinjale pozitive për kontrollin e fërkimeve nga të dyja palët dhe mishëron mbrojtjen e përbashkët të rendit të tregtisë ndërkombëtare në bazë të rregullave.

Evropa është ndër tregjet më të mëdha të automjeteve të nivelit të lartë, ku konsumatorët kanë një parapëlqim të madh për produktet elektrike e inteligjente dhe që ka një pozicion të rëndësishëm strategjik për prodhuesit kinezë të automjeteve, që synojnë zhvillimin e energjive të reja dhe të teknologjive inteligjente të lidhjes me internetin.

Kryeministri Rama mbledh të Shtunën kryetarët e bashkive në Golem

By: Os De
15 January 2026 at 16:50

Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë, më 17 janar do të zhvillojë një mbledhje në Golem. Mësohet se në këtë takim, Rama mbledh kryetarët e bashkive.

Kjo mbledhje vjen pak ditë pas situatës së përmbytjeve. Gjithashtu bëhet me dije se në fokus të kësaj mbledhjeje do të jetë miradministrimi i territorit.

Rama do t’i mbledhë kryebashkiakët në një nga komplekset e njohura të Golemit.

Përpjekjet e SHBA për të marrë në kontroll Groenlandën/ Sondazhi: 75 për qind e amerikanëve kundërshtojnë

By: Os De
15 January 2026 at 16:47

Një sondazh i zhvilluar në SHBA tregon se 75 për qind e publikut kundërshton përpjekjet e SHBA-së për të marrë nën kontroll Groenlandën.

Në sondazhin e realizuar nga kompania e pavarur kërkimore SSRS për CNN, me pjesëmarrjen e 1.209 personave, të anketuarit janë pyetur nëse do ta mbështesnin apo jo përpjekjen e SHBA-së për të marrë kontrollin e Groenlandës.

Sondazhi tregon se 75 për qind e pjesëmarrësve janë kundër kësaj ideje, ndërsa 25 për qind e mbështesin. Sipas rezultateve, përqindja e atyre që nuk e mbështesin këtë veprim është 94 për qind te Demokratët, ndërsa 50 për qind te Republikanët.

Të pyetur për ndërmarrjen e një aksioni ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, 52 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk e mbështesin një veprim të tillë ndërsa 48 për qind deklaruan se e mbështesin.

Ndryshe, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar retorikën e tij për marrjen e kontrollit të ishullit autonom nën Mbretërinë e Danimarkës, duke thënë sa i nevojitet SHBA-së për shkak të “sigurisë kombëtare”.

“Nëse nuk e marrim Groenlandën, do ta marrin Rusia ose Kina. Sa kohë që jam unë president, kjo nuk do të ndodhë. Prania ushtarake nuk mjafton. Duhet të kemi pronësinë”, ka thënë Trump.

Ai ka thënë se në zonën përreth Grenlandës ka prani të nëndetëseve dhe anijeve të tjera luftarake të Kinës dhe Rusisë, duke theksuar se nuk do të lejojnë një gjë të tillë. Groenlanda ka refuzuar qasjet e SHBA-së, përfshirë edhe ato që parashikojnë transferimin e sovranitetit.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Specialja njofton datat/ Ja kur do të bëhen deklaratat përmbyllëse

By: Os De
15 January 2026 at 16:36

Nga 9 deri me 13 shkurt dhe nga 16 deri me 18 shkurt janë datat kur në Gjykatën Speciale do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. 

Këto seanca, gjatë këtyre ditëve pritet që të mbahen nga ora 09:00 deri në orën 16:30. 

Specialja në komunikatën për media, ka njoftuar edhe se në rendin e ditës parashikohet të jenë deklaratat përmbyllëse të prokurorisë. 

Ndërsa pas kësaj, do të jenë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes së Thaçit, asaj të Veselit, të Selimit e Krasniqi. 

Habit Vladimir Putin: Jemi gati të vendosim raportet me Europën

By: Os De
15 January 2026 at 16:30

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia është e gatshme të rivendosë marrëdhëniet me vendet evropiane dhe të bashkëpunojë me të gjitha shtetet pa përjashtim. 

Deklarata u bë gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit të kredencialeve të ambasadorëve të rinj në Moskë, ku Putin theksoi se Moska mbetet e hapur ndaj dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. 

“Rusia është e gatshme të rivendosë marrëdhëniet me vendet evropiane dhe është e hapur për bashkëpunim me të gjitha vendet pa përjashtim”, u shpreh Presidenti rus, sipas raportimit të agjencisë shtetërore ruse TASS. 

Komentet e Putinit vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian mbeten të tensionuara, për shkak të luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore ndaj Moskës. Megjithatë, Kremlini ka përsëritur disa herë se është i gatshëm për dialog, nëse edhe pala tjetër shfaq të njëjtën vullnet politik. 

 

❌
❌