Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Java News

Rrëzohet kërkesa e Veliajt, GJKKO lë në fuqi “arrestin në burg”

By: A R
1 February 2026 at 10:59

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë.

Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, ishte i pranishëm në seancë, së bashku me dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Ols Dado.

Mbrojtja kërkoi ndryshimin e masës duke argumentuar se hetimet kanë përfunduar dhe se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen e tij në arrest.

Pas shqyrtimit të kërkesës, GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke bërë që kryebashkiaku i Tiranës të vijojë qëndrimin në qeli.

Bill Gates në dosjet Epstein: Akuza tronditëse, shantazhe dhe hije mbi imazhin e filantropit

By: A R
1 February 2026 at 10:55

Emri i Bill Gates është përfshirë sërish në dosjet e Jeffrey Epstein, pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me financierin pedofil, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Në qendër të akuzave është një email i vitit 2013, i dërguar nga Epstein për veten e tij, ku përmenden pretendime për sëmundje veneriane të Gates, të kontraktuara nga marrëdhënie me prostituta ruse, si edhe kërkesa për antibiotikë që, sipas dokumentit, do t’i jepeshin fshehurazi bashkëshortes së tij, Melinda Gates.

Bill Gates i ka mohuar këto akuza, duke i quajtur të pavërteta, por publikimi i materialeve të reja rrezikon seriozisht reputacionin e tij publik.

Sipas analizave, imazhi i Gates ka kaluar në tri faza kryesore. Para viteve 2000, ai shihej si gjeniu i teknologjisë që solli Microsoft-in dhe e bëri internetin të aksesueshëm për masat. Në vitet pasuese u perceptua edhe si një teknokrat i ashpër në biznes, i pamëshirshëm ndaj konkurrentëve. Ndërsa në dy dekadat e para të shekullit XXI, Gates u shndërrua në simbol të filantropisë globale, duke premtuar se do të dhuronte mbi 99% të pasurisë së tij dhe duke investuar rreth 100 miliardë dollarë në projekte kundër varfërisë, sëmundjeve, analfabetizmit dhe ndryshimeve klimatike.
Megjithatë, pikërisht gjatë kësaj periudhe të lavdisë, sipas mediave ndërkombëtare, nisën të dalin në pah probleme serioze në jetën e tij private. Pas vitit 2020, publiku u njoh me akuza për sjellje seksuale të papërshtatshme dhe me tensionet në martesën e tij, të cilat çuan në divorcin me Melinda Gates në vitin 2022.

Raportet e Gates me Epstein dolën në dritë në vitin 2019, pas një hetimi të New York Times dhe raportimeve të Wall Street Journal. U zbulua se Gates e kishte takuar Epstein disa herë që nga viti 2011, pavarësisht se ky i fundit kishte qenë i dënuar për shfrytëzim seksual të një të miture. Takimet përfshinin vizita në rezidencën e Epstein në Nju Jork dhe udhëtime me avionin privat të tij.

Epstein kishte tentuar të përfshinte Gates në krijimin e një fondi filantropik, Global Health Investment Fund, ku do të përfitonte komisione milionëshe. Gates refuzoi dhe marrëdhëniet mes tyre u ndërprenë në fund të vitit 2014. Megjithatë, disa bashkëpunëtorë të fondacionit Gates, përfshirë mjekun Boris Nikolic, vijuan kontaktet me Epstein.

Sipas dokumenteve të publikuara, Epstein dyshohet se ka tentuar të shantazhojë Gates përmes historisë së një lidhjeje të fshehtë që ai kishte pasur në vitin 2010 me Mila Antonova, një programatore ruse, 35 vite më e re se ai. Në vitin 2017, Epstein thuhet se e kërcënoi Gates se do ta bënte publike këtë histori nëse nuk rifillonin bashkëpunimin.

Publikimi i fundit i dokumenteve, ku përmenden prostituta ruse dhe sëmundje veneriane, shihet si një tjetër goditje ndaj figurës së Gates, i cili aktualisht po përpiqet të mbajë një profil më të ulët publik. Ende mbetet për t’u parë nëse këto do të jenë zbulimet e fundit apo vetëm fillimi i një vale të re akuzash.

Rama: Shpallen dëmshpërblimet për 15 bashkitë e prekura nga zjarret, rritet mbi 2% buxheti i Mbrojtjes

By: A R
1 February 2026 at 10:46

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë kësaj jave janë shpallur zyrtarisht të gjitha dëmshpërblimet për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës së kaluar, për periudhën 15 qershor – 15 shtator. Procesi është realizuar përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe përfshin bashkitë Malësi e Madhe, Krujë, Rrogozhinë, Peqin, Tepelenë, Delvinë, Has, Kukës, Dibër, Kamëz, Librazhd, Gramsh, Maliq, Finiq dhe Dropull.

“Të gjitha këto territore të prekura nga zjarret kanë tanimë në dispozicion masën e përcaktuar të dëmshpërblimeve sipas dëmeve. Është bërë një punë shumë e detajuar dhe është krijuar më e rëndësishmja, e gjithë korniza për të bërë të mundur që dëmshpërblimi të shkojë aty ku duhet dhe cilido që është dëmtuar të marrë atë që i takon”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij në podcastin “Flasim”, Rama u ndal edhe te rritja e buxhetit të Mbrojtjes, duke kaluar mbi 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, prag i përcaktuar nga NATO për vendet anëtare.

Sipas Ramës, ky është buxheti me investimin më serioz në sektorin e mbrojtjes dhe përfaqëson fillimin e një kthese strategjike afatgjatë. Ai theksoi se kjo qasje nuk synon vetëm blerjen e pajisjeve apo modernizimin, por ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale brenda vendit.

“Është buxheti me investimin më serioz në mbrojtje historikisht dhe këto përmasa financimi, struktura e financimit, flasin për fillimin e një kthese strategjike afatgjatë, që nuk kufizohet më në blerje pajisjesh apo thjesht në modernizim përmes blerjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale këtu në vend dhe kjo qasje lidhet me një bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, lidhet me investime në prodhim, jo vetëm për nevojat e brendshme, por edhe për eksport, lidhet transferim teknologjie dhe mirëmbajtje dhe lidhet në instancë të fundit me atë domosdoshmëri të prekshme, që tanimë mund ta adresojmë, sepse i kemi krijuar mundësitë. Është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti, jo thjesht të shpenzojë, pra, jo vetëm të shpenzojë, por edhe të fitojë dhe duke fituar të riinvestojë. Dhe duke investuar dhe riinvestuar, të rrisë edhe mundësitë për punësim cilësor të mirëpaguar”, tha Rama.

Gjykata urdhëron lirimin e një fëmije 5-vjeçar të ndaluar nga ICE-ja në Minneapolis

By: A R
1 February 2026 at 10:37

Një gjykatës federal në SHBA ka urdhëruar lirimin e një djali 5-vjeçar dhe babait të tij nga një qendër ndalimi për emigracionin në Teksas, duke e dënuar ndalimin si të nxitur nga një “uri e pabesë për pushtet të pakufizuar”.

Fëmija, Liam Conejo Ramos, u bë simbol i reagimit kombëtar pasi u fotografua me një kapelë blu në formë lepurushi dhe një çantë shpine SpiderMan, në momentin kur u ndalua në hyrje të shtëpisë së tij në Minneapolis. Bashkë me të u ndalua edhe babai i tij, Adrian Alexander Conejo Arias.

Pas reagimeve të forta publike, autoritetet e emigracionit deklaruan se nuk kishin “shënjestruar një fëmijë”, por po zhvillonin një operacion kundër babait, të cilin e cilësuan si “emigrant ilegal” dhe thanë se ai e kishte “braktisur” djalin kur u përball me agjentët.

Të shtunën, gjykatësi federal Fred Biery miratoi një kërkesë urgjente të avokatit të familjes dhe urdhëroi që babai dhe djali të lirohen deri më 3 shkurt. Në vendimin e tij, gjykatësi përfshiu edhe fotografinë e fëmijës me kapelën blu.

“Rasti e ka zanafillën në ndjekjen e keq-menduar dhe të zbatuar në mënyrë jo profesionale të kuotave ditore të deportimit nga qeveria, edhe nëse kjo do të thotë traumatizim i fëmijëve”, shkroi Biery. Ai shtoi se deportimet duhet të kryhen në mënyrë më të rregullt dhe më humane sesa politikat aktuale.

Gjykatësi, i emëruar nga ish-presidenti Bill Clinton, shkroi se “sjellja njerëzore tregon se për disa prej nesh, dëshira e pabesë për pushtet të pakufizuar dhe imponimi i mizorisë nuk njohin kufij dhe janë të zhveshura nga çdo ndjenjë njerëzore”.

BBC-ja ka kontaktuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare për koment.

Avokati i familjes, Marc Prokosch, tha se babai dhe djali po mbaheshin në një qendër ndalimi në San Antonio, Teksas. Sipas tij, ata kishin ardhur në SHBA nga Ekuadori në vitin 2024 për të kërkuar azil dhe kishin ndjekur procedurat e duhura të emigracionit.

Në javët e fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar masat e zbatimit të ligjit të emigracionit në Minneapolis, në kuadër të një nisme të quajtur “Operation Metro Surge”.

Të enjten, zyrtarë të administratës Trump sugjeruan se mund të tërhiqnin një pjesë të forcave federale nga shteti, pas reagimeve të forta kombëtare lidhur me vrasjen e dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis nga agjentë federalë.

Në një vendim tjetër të shtunën, një gjykatës federal refuzoi kërkesën e qeverisë së shtetit për të bllokuar vendosjen e mijëra agjentëve të emigracionit në Minneapolis, duke argumentuar se shteti nuk kishte provuar se veprimtaria ishte e paligjshme.

Qytetet ku fitohet më shumë nga qiradhënia ditore, nuk është Tirana…

By: A R
1 February 2026 at 10:29

Tirana është porta hyrëse e vendit dhe ndalesa e parë pothuajse për çdo vizitor. Durrësi, vetëm pak minuta larg kryeqytetit, i josh turistët me detin, restorantet dhe atmosferën verore.

Vlora dhe, mbi të gjitha, Saranda me Ksamilin, shpesh të quajtur “Maldivet e Europës”, kanë dalë prej kohësh nga harta lokale dhe janë kthyer në emra të njohur në mediat e huaja.

Gjirokastra dhe Berati tërheqin me gurin, historinë dhe arkitekturën e rrallë, Korça me natyrën dhe ritmin e qetë të jetës, ndërsa Shkodra po shfaqet së fundmi si një trend i ri për udhëtarët që kërkojnë përvoja ndryshe.

Në këtë mozaik destinacionesh, “gara” mes qyteteve për vëmendjen e turistëve është bërë më e fortë, duke hapur njëkohësisht edhe më shumë hapësirë për biznes.

Banorë të shumtë kanë liruar banesat për t’i kthyer në burim të ardhurash nga qiraja, ndërsa të tjerë kanë investuar duke marrë ambiente me qira dhe duke i shndërruar në struktura akomoduese, në përpjekje për të përfituar nga vala turistike.

Sipas të dhënave të AirDNA, njësia analitike e platformës së qiradhënies Airbnb, të bëra të disponueshme për “Monitor”, nga 26.3 mijë njësi banuese që ishin të listuara për t’u dhënë me qira, pjesa më e madhe e tyre, rreth 39% ishin në segmentin e Vlorë-Sarandës, me 10.2 mijë njësi.

Në vend të dytë është Tirana, me 20%, ose 5.2 mijë apartamente. Vendin e tretë e zë Durrësi, së bashku me Golemin, me rreth 19% (3.8 mijë njësi në Durrës dhe 1.3 mijë në Golem).

Në vend të katërt është Shkodra, që po bëhet një destinacion gjithnjë e në rritje, me 1.2 mijë apartamente që jepeshin me qira ditore mesatarisht në 2025-n, ose 4.7% e totalit.

Kryeqyteti arrin të konkurrojë për numër turistësh, por jo për çmimet e qirave ditore. Të dhënat e AirDNA tregojnë se e ardhura në një ditë është më e ulëta nga destinacionet e tjera të preferuara.

Në kryeqytet, çmimi mesatar për një natë është 42.4 euro, ndërsa fitimi neto është 25 euro. Më i larti është në zonën Vlorë – Sarandë, duke arritur deri në 66 euro, me fitim neto 37.5 euro.

Edhe Golemi e Durrësi janë bërë konkurrues me përkatësisht 68.1 euro (neto 34.2 euro) dhe 62.4 euro (neto 33.6 euro).

Vlora (përfshirë Sarandën) kryeson për numrin e lartë të net-qëndrimeve, që arritën në 1.5 milionë në 2025-n. Në vend të dytë është kryeqyteti, që është stacioni kryesor për cilindo që vendos të vizitojë vendin, sidomos jashtë periudhës sezonale.

Në Tiranë u prenotuan gjithsej 1.25 milionë net-qëndrime përmes platformës Airbnb. Në vend të tretë është Durrësi dhe bregdeti, (Golemi) me rreth 770 mijë net-qëndrime.

Një konkurrent i fortë po bëhet dhe Shkodra, ku janë prenotuar rreth 200 mijë net-qëndrime në vitin 2025, sipas të dhënave nga AirDNA.

Zotëruesit e njësive që jepen me qira në Vlorë e Sarandë arrijnë të garantojnë dhe të ardhurat më të larta në total, si rrjedhojë e çmimeve më të shtrenjta dhe net-qëndrimeve më të shumta.

Tirana, e ardhura mesatare, rreth 750 euro/muaj

Në Tiranë, ata që japin shtëpinë me qira nëpërmjet platformës Airbnb kanë gjeneruar 31.2 milionë euro të ardhura në vitin 2025.

Norma e zënies mesatare ishte 59%, që do të thotë që vetëm 16 – 17 ditë në muaj apartamenti është i zënë, duke arritur maksimumi në 65 – 67% në muajt e verës.

Net-qëndrimet kanë ardhur në rritje, duke kulmuar në 76 mijë në gusht 2025, por shtimi i stokut ka bërë që të ketë gjithnjë e më shumë ofertë në Tiranë, duke mos mundësuar shtrenjtimin e çmimeve.

Niveli më i lartë i çmimit në natë në kryeqytet u arrit në gusht, me 45 euro/muaj, por më pas çmimet zbritën deri në 40 euro në dhjetor.

Teksa vetëm 50 – 60% të kohës këto njësi akomoduese nuk janë të zëna, fitimi neto është përgjithësisht sa gjysma e çmimit ditor.

P.sh., në janar 2024, çmimi mesatar ishte rreth 40.8 euro dhe apartamenti ishte i prenotuar për 39% të muajit (15-16 ditë), çka bën që fitimi neto të jetë rreth 20 euro.

Fitimi më i lartë mujor neto është në gusht e shtator, me rreth 30 euro.

Mesatarja e fitimit për Tiranën për 2025 është 24.93 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 750 eurosh.

Kashari është një tjetër zonë e preferuar e Tiranës për qiradhënie, për shkak të strukturës me ndërtime të vilave private. Krahas të huajve, përdorues të tyre me qira ditore janë të rinjtë për organizime të ndryshme, për festa apo ditëlindje.

Të ardhurat totale të gjeneruara nga qiradhënia në Kashar ishin 1 milion euro në 2025-n. Në gusht, qiraja arrin deri në 100 euro në ditë dhe më e ulëta është në shkurt me 30 euro. Norma më e lartë e zënies është po në gusht, me 60%, ndërsa pjesën tjetër të vitit luhatet në 40 – 50%.

Mesatarja e fitimit për Kasharin për 2025 është 32.7 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 982 eurosh.

Vlora dhe Saranda, rekord të ardhurash prej 57 milionë eurosh

Ndryshe nga Tirana, në Vlorë dhe Sarandë qiradhënësit kanë arritur të marrin çmime më të mira gjatë muajve të verës, duke shfrytëzuar interesin e lartë që ka për këto zona bregdetare.

AirDNA i raporton së bashku Vlorën dhe Sarandën.

Të ardhurat në këto dy qytete arritën rekordin e 57 milionë eurove në 2025. Kjo shumë e dy qyteteve më të preferuara bregdetare është sa gati 43% e të ardhurave totale që qiramarrësit fituan nëpërmjet Airbnb në të gjithë vendin.

Në gusht, një njësi banimi jepej me qira përmes Airbnb mesatarisht 86 euro/ditë në Vlorë ose Sarandë, më e larta në të gjithë vendin dhe në korrik, 82 euro. Gjatë muajve të tjerë, qiraja luhatej midis 40 – 60 euro/ditë.

Apartamentet në verë ishin të zëna në 60 – 70% të kohës. Më të larta janë dhe fitimet neto, që arrijnë në rreth 55 – 60 euro në korrik e gusht. Në periudhën jashtë sezonit, kthimi është i ulët, në 20 – 25 euro.

Mesatarja e fitimit për Vlorën e Sarandën për 2025 është 37.5 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 1125 eurosh.

Durrësi dhe Golemi, një biznes i mirë

Në zonën e Durrësit dhe të Golemit është më e zhvilluar industria hoteliere, që tërheq turizmin e organizuar, kryesisht nga Polonia, Çekia, por dhe shtete të tjera të Europës.

Për shkak të numrit të lartë të apartamenteve në bregdet, edhe qiradhënia është kthyer në një biznes të mirë. Të ardhurat gjithsej nga qiradhënia përmes Airbnb arritën në 20.7 milionë euro në Durrës dhe 5.1 milionë euro në Golem në 2025-n.

Çmimet ditore janë rritur ndjeshëm sidomos në pikun e sezonit. Në gusht 2025, një njësi banuese me qira ditore kushtonte 80 euro në Durrës dhe 76 euro në Golem, duke qenë e dyta më e shtrenjta pas Vlorës e Sarandës, nga qytetet e raportuara nga AirDNA.

Në verë, rreth 60 – 70% e muajit është e zënë nga pushuesit.

Mesatarja e fitimit për Durrësin ishte për 2025 është 33.6 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 1007 eurosh.

Për Golemin, shifrat ishin përkatësisht 34.2 dhe 1026 euro.

Shkodra, ylli i ri në ngjitje

Shkodra, një qytet që i ka të gjitha – detin, malin, lumin, liqenin, historinë, kulturën, traditën e ushqimin – është “zbuluar” së fundmi jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe vendasit.

Shkodra renditet në qytetin e katërt më të preferuar nga turistët në vend, bazuar në net-qëndrimet dhe të ardhurat nga qiradhënia ditore, pas Vlorës (+ Sarandën), Tiranës dhe Durrësit (+ Golemin). Zotëruesit e pronave në Shkodër kanë arkëtuar 5.2 milionë euro në vitin 2025 nga dhënia e njësive me qira ditore përmes platformës Airbnb.

Numri i njësive që jepen me qira pothuajse është dyfishuar nga 790 në janar 2024, në mbi 1500 në dhjetor 2025.

Në korrik dhe gusht, një njësi banimi jepej me qira përmes Airbnb mesatarisht 65 euro/ditë. Gjatë muajve të tjerë, qiraja luhatej midis 40 – 50 euro/ditë.

Apartamentet në verë ishin të zëna në 60% të kohës. Më të larta janë dhe fitimet neto, që arrijnë në rreth 40 euro në korrik e gusht. Në periudhën jashtë sezonit, kthimi është i ulët, në 15 – 25 euro.

Mesatarja e fitimit për Shkodrën për 2025 është 25.8 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 773 eurosh, më e lartë sesa kryeqyteti.

Shëngjini, me kthim të lartë mujor

Shëngjini është zona bregdetare që ka njohur zhvillim të shpejtë për ndërtimet, e nxitur nga interesi i lartë i shtetasve të Kosovës për shkak të afërsisë gjeografike.

Mesatarisht janë rreth 750 njësi që jepen me qira afatshkurtër përmes platformës Airbnb, të cilat kanë gjeneruar një total të ardhurash prej 1.5 milionë euro në vitin 2025.

Çmimi maksimal i një nate me qira është në korrik e gusht, me 63 – 65 euro, periudhë kur mbi 60% e netëve janë të zëna.

Mesatarja e fitimit për Shëngjinin për 2025 është 26.8 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 805 eurosh, më e lartë sesa kryeqyteti, por pas Vlorës e Durrësit.

Qytetet e tjera

AirDNA ka të dhëna të detajuara dhe për Korçën dhe Beratin e për herë të parë ka përshirë në listë dhe Elbasanin.

Dhjetori është muaji më i zhurmshëm për Korçën, kur Krishtlindjet dhe festat e fundvitit tërheqin shumë turistë vendas e të huaj. Fitimi neto arrin në 20 euro në ditë, ndërsa dhe në korrik e gusht, është mbi 20 euro.

Për muajt e tjerë, kthimi është mesatarisht 8 – 10 euro. Çmimet e qirave ditore në Korçë variojnë nga 40 euro në 50 euro në ditë. Të ardhurat e gjeneruara në total për Korçën ishin gati 1.5 milionë euro.

Mesatarja e fitimit për Korçën për 2025 është 16.7 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 507 eurosh.

Më me pak leverdi rezulton qiradhënia në Berat, ku ndonëse çmimi për natë është rreth 40 euro, fitimi neto ditor është më i ulëti nga të gjitha qytetet e raportuara, me vetëm 7 – 20 euro.

Në total, banorët e Beratit kanë arkëtuar 1.4 milionë euro nga qiradhënia afatshkurtër për vitin 2025.

Mesatarja e fitimit për Beratin për 2025 është 16.9 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 446 eurosh.

Elbasani është një tjetër qytet që ka filluar të tërheqë vëmendjen e turistëve, por arkëtimet totale mbeten të ulëta, në 350 mijë euro. Çmimi mesatar i qirasë varion nga 40-50 euro/natë dhe e ardhura reale 11-20 euro.

Mesatarja e fitimit për Elbasanin për 2025 është 15.88 euro/ditë, me një kthim mujor prej rreth 477 eurosh./monitor.al

Në ora 6 pas lufte te pijetorja “Te gota”!

1 February 2026 at 10:21

Nga Skënder Minxhozi/

Këtë premtim i bëjnë njëri-tjetrit personazhi i famshëm Shvejk dhe miku i tij Vodiçka në romanin e jashtëzakonshëm të Jarosllav Hashek “Ushtari i mirë Shvejk”. Askush nuk di t’i parashikojë fatet njerëzore në rrokopujën e Luftës së Parë Botërore, por Shvejku është i sigurt se do ta takojë mikun e tij “në ora 6 pas lufte”. Madje di dhe vendin ku do të ulen të pijnë, megjithëse “harrojnë” një detaj të vogël: datën e takimit!

Ky është vetëm njëri ndër paradokset artistike të këtij romani tashmë klasik në letërsinë botërore. Dhe duket si i prerë për të gjitha ato situata në të cilat vetësiguria njerëzore e pabazuar në logjikë tingëllon joreale dhe qesharake. Shikoni fjala vjen se me çfarë lehtësie partitë e opozitës në Shqipëri caktojnë fillimin dhe fundin e qeverisë, sesi betohen se “këtë radhë s’ke nga ikën”, sesa i ngrenë pritshmëritë e përkrahësve të tyre, për t’i ftuar më pas të kthehen në shtëpi pasi kanë gjuajtur me gurë e molotovë godinën e qeverisë. Ashtu si Shvejku dhe Vodiçka, opozita shqiptare cakton vendin dhe orën e përmbysjes së Edi Ramës, duke mos ditur datën dhe momentin egzakt të revolucionit që do marrë me vete narkoqeverinë.

Ka shumë prej autoironisë së Shvejkut në gjendjen e pezullisë 13 vjeçare që përjeton opozita në Shqipëri. Ashtu si personazhi i Hashekut, PD, PL dhe partitë e reja opozitare pas tyre, vijnë që të gjitha rrotull në hapësirën klaustrofobike të humbjeve të njëpasnjëshme. Pa ja arritur të gjejnë shtegun e daljes nga një kalvar i vërtetë që ka mpakur votuesit, ka humbur besimin tek politika dhe i ka dhënë kundërshtarit luksin që të shijë në lëmë sipas qejfit dhe dëshirës pa i hyrë gjemb në këmbë. Madje as kur lista e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion zgjatet e zgjatet.

Nuk ka një situatë më absurde dhe shvejkiane se kjo e sotmja, kur dy parti parakalojnë çdo javë para zyrës së Ramës, kërcënojnë dhe tundin grushtin ndaj zyrave bosh dhe që të dyja bashkë nuk i bëjnë dyqind veta bashkë. Njëra prej tyre, ajo më e reja që duhet të ngjallte shpresë dhe besim, dergjet në bulevard prej javësh me një gjysëm dyzine njerëz. Kjo nuk është as ironi dhe as cinizëm, është thjesht konstatimi dëshpërues i pafuqisë që rrezaton sot nebuloza e opozitarëve që kërcënojnë me rrëzim PS dhe Ramën prej 13 vjetësh. Të cilët ashtu si personazhi babaxhan i Hashekut dhe miqtë e tij në një kohë çmendurie globale njëqind e ca vjet më parë, linin takim në ora gjashtë pas lufte te pijetorja e preferuar, pa ditur se kur do të mbaronte lufta.

Sali Berisha njoftoi protestën e radhës dhe bëri kërcënimet e radhës. “Do ia bëjmë ferr Tiranën” tha Doktori duke ju referuar kryeministrit Rama. Të gjithë e dinë që ai po lexon një partiturë të vjetër. Edhe ata më besnikët e dinë se në 10 shkurt nuk do të ndodhë asgjë. Do të jetë një parakalim steril para Kryeministrisë si shumë parakalime të tjera në dekadën e fundit. Në anën tjetër, partia e re e Lapajt mbajti edhe ajo protestën e saj me pak qindra entuziastë. Mund të jenë të kënaqur sepse nuk ishin dhjetra siç ndodh përditë qëkurse ka nisur fushimi në bulevard, por qindra. Sërish shumë pak për të lëvizur nga vendi Edi Ramën.

Opozitës i duhet një projekt, i duhen ide dhe mbi të gjitha i duhen njerëz që t’i prodhojnë të dyja këto. Deri atëhere do të duhet të kënaqen me formulime satirike si ky i Jarosllav Hashekut me antiheronjtë e tij të mrekullueshëm që na mësojnë prej një shekulli se në histori mund të hysh edhe duke ja futur kot. Por opozitës tonë nuk i vlen kjo gjë. I duhet diçka krejt tjetër.

 

 

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, Rama: S’do ketë më zyra fizike! Të njëjtin model do ndjekin edhe drejtoritë e tjera

By: A R
1 February 2026 at 10:16

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zhvendosjen organizative të zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë, duke theksuar se po keqinterpretohet qëllimisht ose gabimisht dallimi mes adresës fizike të institucionit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Gjatë “Shënimeve të Javës” në podcastin “Flasim”, Rama sqaroi se Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka kaluar prej kohësh në një model modern shërbimesh online, përmes platformës e-Albania.

“U ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika”, tha Rama.

Rama theksoi se reagimet dhe tensionet e krijuara rreth kësaj zhvendosjeje lidhen jo vetëm me mungesë informacioni, por edhe me një mendësi që sipas tij duhet ndryshuar. Ai nënvizoi se e ardhmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, ku çdo shërbim do të merret online.

“Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se kjo nuk është lëvizja e parë e zhvendosjes së një drejtorie vendore në qendër dhe as e fundit, duke paralajmëruar se edhe institucione të tjera do të ndjekin të njëjtin model.

“Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, tha ai.

VIDEO / Trafikonin armë nga Kosova dhe i shisnin në Tiranë, goditet grupi kriminal: 4 të arrestuar

By: A R
1 February 2026 at 10:08

Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që shiste armë zjarri në Tiranë. Për këtë arsye, u finalizua operacioni i koduar “Lockdown”, për të cilin, u deshën 2 muaj hetim me metoda proaktive. Policia njoftoi se janë arrestuar në total katër persona dhe sekuestruar disa armë.

“Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, banues në Tiranë”, njoftoi policia.

Nga hetimet rezultoi se këta persona i siguronin armët kryesisht nga Kosova. Pasi i sillnin në Tiranë, ata i modifikonin dhe magazinonin në Selitë. Sipas uniformave blu, janë sekuestruar tre automatikë, pesë pistoleta, armë gjahu si dhe municion luftarak.

“Gjatë kontrollit në ambientit e përshtatur, banesave të tyre, shërbimet e Policisë 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë”, njoftoi policia.

Hetimet nuk po ndalen këtu, pasi uniformat blu njoftojnë se po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Vizita në Izrael, Rama: Shqipëria në piedestalin e respektit, themeluam Dhomën Tregtare

By: A R
1 February 2026 at 10:00

Kryeministri Edi Rama foli për vizitën e tij në Izrael, ku mbajti fjalën në seancën plenare të Parlamentit izraelit (Knesset), ku e cilësoi një nder që jepet rrallë dhe që mbart një peshë të veçantë politike dhe historike.

Gjatë “Shënimeve të Javës” në podcastin “Flasim”, Rama u shpreh se kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të madh për Shqipërinë, historinë e saj dhe rolin që ka luajtur në momentet më të vështira të njerëzimit.

Ai theksoi se në Jerusalem ishte Shqipëria ajo që u vendos në piedestalin e një respekti të jashtëzakonshëm

“Në Jerusalem ishte Shqipëria ajo që u vendos në piedestalin e një respekti të jashtëzakonshëm dhe emocionet kombëtare ishin shumë të forta. Kjo ftesë ishte një vlerësim i madh për Shqipërinë, për historinë e saj, për mënyrën se si gjyshërit tanë ditën të sillen kur historia vuri në provë njerëzimin, dhe natyrisht për atë që Shqipëria është sot në arenën ndërkombëtare. Fjala ime në Knesset ishte fjala e një populli që nuk dorëzoi askënd dikur dhe që sot, nga zemra e Izraelit, mund të flasë me qartësi për dinjitetin njerëzor, për kujtesën, paqen dhe për një botë ku feja duhet të jetë melhem dhe jo helm mes popujve”, tha Rama.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se gjatë vizitës në Izrael u hodh një hap konkret drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, me themelimin e Dhomës Tregtare Shqiptaro-Izraelite. Sipas tij, ky instrument i ri bashkëpunimi do të hapë rrugë të reja për projekte të përbashkëta në të ardhmen.

“Në Izrael hodhëm edhe një hap konkret drejt së ardhmes, ku themeluam Dhomën Tregtare Shqiptaro-Izraelite, një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për një të ardhme të përbashkët. Izraeli është një vend me zhvillim të jashtëzakonshëm në teknologji, bujqësi dhe siguri dhe për të gjitha këto arsye jam krenar për atë që u bë”, tha Rama.

Fotoja skandaloze e princit Andrew, flet kryeminstri britanik

By: A R
1 February 2026 at 09:52

Publikimi i një sasie të re dokumentesh nga dosja e Jeffrey Epstein ka rindezur polemikat në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë, duke rikthyer në qendër të vëmendjes edhe emrin e ish-Princit Andrew Mountbatten-Windsor. Materialet e reja, që përfshijnë miliona faqe dhe fotografi të papublikuara më parë, kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në qarqet politike amerikane.

Pas publikimit të fotos skandaloze të princit Andrew, kryeministri britanik Keir Starmer është shprehur se ish-duka i Jorkut duhet të jetë i gatshëm të dëshmojë para Kongresit Amerikan, nëse autoritetet amerikane e kërkojnë një gjë të tillë. Duke folur për gazetarët gjatë kthimit nga një vizitë zyrtare në Japoni, Starmer theksoi rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit me drejtësinë.

“Sa i përket dëshmisë, gjithmonë kam thënë se kushdo që ka informacion duhet të jetë i përgatitur ta ndajë atë informacion, në çfarëdo forme që i kërkohet ta bëjë këtë”, u shpreh Starmer, duke nënvizuar se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin.

Reagimi i kryeministrit vjen pas publikimit të fotografive të reja që, sipas mediave amerikane, shfaqin një burrë që i ngjan ish-princit Andrew në situata komprometuese, në shoqërinë e një gruaje të shtrirë në dysheme. Këto pamje kanë shtuar presionin ndaj figurave të përmendura në dosjen Epstein dhe kanë nxitur thirrje për hetime më të thelluara.

Ndërkohë, në SHBA, ligjvënës dhe aktivistë po kërkojnë që të gjithë personat e përfshirë ose të lidhur me rrjetin e Epstein të japin shpjegime të plota para institucioneve përkatëse. Emri i Princit Andrew është përmendur edhe më herët në lidhje me këtë çështje, por publikimi i materialeve të reja ka sjellë një valë të re diskutimesh dhe kërkesash për përgjegjësi.

Deklarata e Starmer shihet si një sinjal i qartë se qeveria britanike nuk dëshiron të pengojë proceset ligjore ndërkombëtare dhe se mbështet bashkëpunimin me autoritetet amerikane, në funksion të zbardhjes së plotë të së vërtetës rreth një prej skandaleve më të rënda të viteve të fundit.

Yesterday — 31 January 2026Java News

“Isa Mustafa dha dorëheqje pa kërkuar votëbesim”, Bajrami kundër Abdixhikut: Rezultati i 28 dhjetorit s’mund të injorohet

By: E S
31 January 2026 at 21:00

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë hapur kundër vazhdimit të udhëheqjes së kësaj partie nga kryetari aktual Lumir Abdixhiku edhe në mbledhjen e Kuvendit të kësaj parite, duke rikujtuar se rezultati zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 është i painjorueshëm dhe se për të njëjtin duhet të ketë përgjegjësi konkrete politike.

Ajo ka deklaruar se është e vetmja që i ka kërkuar publikisht dorëheqjen kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas humbjes së fundit zgjedhore.

“Jam e vetmja që i kam kërkuar publikisht kryetarit dorëheqjen pas rezultatit të 28 dhjetorit, rezultat i cili nuk mund të injorohet. Kam ofruar edhe dorëheqjen time”, ka thënë Bajrami gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, ku po vendoset për ofrimin e dorëheqjes së Abdixhikut.

Në vijim të fjalës, ajo ka kujtuar mënyrën se si Isa Mustafa kishte vepruar pas humbjes historike të vitit 2021, duke e vendosur atë si standard të përgjegjësisë politike brenda LDK-së.

“Asnjëri nga ju nuk e përmendi faktin se si ka ardhur deri te marrja e mandatit të kryetarit Abdixhiku. Ka pasur një rezultat të rëndë zgjedhor në vitin 2021; Isa Mustafa e ka marrë përgjegjësinë, jo vetëm duke thënë se e merr përgjegjësinë, por ka dhënë dorëheqje duke mos kërkuar që dorëheqja e tij të votohet, ka shkuar në shtëpi dhe ne delegatët i kemi vazhduar punimet dhe kemi zgjedhur kryetarin e ri”, tha ajo.

Kujtojmë se me votim të fshehtë, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke vendosur për ‘ofrimin e dorëheqjes’ së kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku, në fjalimin e tij para delegatëve, e kishte ofruar dorëheqjen për shqyrtim nga Kuvendi i partisë, duke kërkuar që përmes votëbesimit të përcaktohej drejtimi i mëtejmë politik i LDK-së dhe pozicioni i tij si kryetar.

“Me përgjegjësi të plotë morale dhe politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit”, ka deklaruar ai.

Kërkoi zëvendësim mase, GJKKO mban nesër seancë për shqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut Veliaj

By: E S
31 January 2026 at 20:54

Ditën e nesërme në orën 09:00 në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e masës së sigurimit “arrest me burg” të caktuar ndaj kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj. Gjyqtarja që do shqyrtojë kërkesën e Veliajt është Etleva Deda.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar që në 8 shkurt 2025.

Po kështu, për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.

Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

Pse Berishës i kujtohen armiqtë e tij sa herë ngelet vetëm?

By: Mero Baze
31 January 2026 at 20:45

Nga Mero Baze

Në kulmin e braktisjes edhe nga partitë më të reja opozitare në Shqipëri, Sali Berisha duket se kishte porositur sot një sulm ndaj gjithë ish “tradhtarëve” të tij në krye të PD-së, që nga Bamir Topi, Lulzim Basha, Astrit Patozi e Enkelejd Alibeaj. Nuk bëri përpjekje të gjente ndonjë argument, por thjesht u përpoq t’i krahasonte me veten e tij kur ishte komunist në vitin 1990 dhe vendosi të shkëputej nga Partia e Punës. Nuk di pse gjeti shembullin më të keq, që në fakt është kundër tij, jo kundër ish-bashkëpunëtorëve të vet, por me sa duket i intereson të mbajë ndezur frymën e përçarjes në PD kundër çdo kujt që i ka refuzuar partinë e familjes së tij.

Krahasimi me “disidencën” e tij në vitin 1990, përveçse është krahasim me një gënjeshtër, është kundër Berishës edhe sikur të ishte e vërtetë që Berisha ishte disident në vitin 1990.

Berisha ka filluar të belbëzojë në vjeshtën e vitit 1990 dhe i ka të shkruar dy artikujt e tij te “Drita” dhe “Bashkimi”. E gjithë çfarë flet është te pluralizmi i mendimit si “në kullat e Malësisë”, ku njerëzit dëgjojnë njëri-tjetrin. Nuk ka as disidencë dhe as ndonjë përpjekje për t’u shkëputur nga Partia e Punës, por një përpjekje për të rënë në sy brenda Partisë së Punës si dikush që është gati, nëse duhet, të ndryshojnë diçka nga stalinizmi i mëparshëm. Madje edhe më 11 dhjetor të 1990 ishte i dërguar zyrtar i Ramiz Alisë dhe teseren e Partisë së punës nuk e dorëzoi kurrë as simbolikisht.

Bamir Topi, Lulzim Basha, Patozi apo Alibeaj e kanë refuzuar Berishën duke u larguar nga partia e tij dhe nuk kanë treguar asnjë shenjë që duan të kthehen e ta reformojnë partinë e tij. Janë shumë të qartë që ajo është si një arkivol ku brenda rri një i balsamosur që, po u çel, prishet brenda minutës si çdo kufomë që merr ajër.

Ata thjesht kanë ikur në punët e tyre duke refuzuar Sali Berishën dhe pengmarrjen e PD-së prej tij.

Berisha është i shqetësuar pikërisht për këtë, për faktin që ai e ka bërë PD-në një parti të palakmueshme nga ata që e njohin dhe kanë ikur prej saj. Dhe ata janë shumë. Për 35 vjet Berisha ka larguar çdo themelues dhe çdo drejtues të PD-së. Asnjë ish drejtues i lartë i PD-së që nga viti 1991 nuk është më në PD për shkak të Sali Berishës. Dhe ata mund të mos kenë parti apo aktivitet politik, por përfaqësojnë pikërisht atë elektorat të heshtur të ish-PD-së që refuzon Sali Berishën dhe nuk e voton, duke e lënë rrugëve si një plak të mjerë.

Në kulmin e dëshpërimit, kur Berishën po e refuzon kushdo që po i kërkon të bashkohet me të, atij i shkon mendja pikërisht tek ata që e kanë refuzuar atë.

Në fakt, akti i tyre është i vetmi akt intelektual, si i gjithë atyre që kanë refuzuar Berishën brenda PD-së. Sali Berisha është uzurpuesi i PD-së dhe refuzimi i tij është një akt intelektual. Pseudo-intelektualë janë ata që përpiqen të retushojnë portretin e Berishës, të cilit tani, përveçse duhet t’i pastrosh baltën e korrupsionit, njollat e gjakut dhe turpin e “non grata”-s, duhet t’i gjesh edhe dikë që të shpjegojë se kur lajthit dhe thotë broçkulla, ia kanë bërë magji këta armiqtë.

I vetmi akt intelektual që mund të bëjë dikush brenda PD-së është pikërisht të refuzojë pushtetin familjar të Sali Berishës në PD, ashtu siç të bëje një gjest intelektual në diktaturë ishte të refuzoje Enver Hoxhën.

Sali Berisha s’e bëri kurrë atë gjest, as disa muaj pasi diktatura ra. Këta që sulmon Berisha, së paku e kanë bërë detyrën e tyre si intelektualë brenda PD-së. E kanë refuzuar partinë familjare të tij dhe e kanë lënë sot mes një tufe mjeranësh, të cilët jo me intelektualë që nuk konkurrojnë dot, por as me pavijonin nr. 5 në Tiranë. Me ata mund të mbretërojë sa të jetë gjallë, por si mbret i budallenjve që Shqipëria i neverit.

Protesta e “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, Lapaj: Duhet bashkim popullor, jo bashkim liderësh

By: E S
31 January 2026 at 20:38

Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”, në një prononcim për A2CNN gjatë protestës së të shtunës, deklaroi se vendi ka nevojë për një bashkim të madh opozitar përtej kryetarëve të partive.

“Duhet reformim total i sistemit elektoral, që i ka falur Edi Ramës pushtetin në tavolinë. Kërkojmë nga i gjithë spektri opozitar të distancohen totalisht nga Edi Rama dhe marrëveshja e fundit që bënë për Kodin Zgjedhor. Duhet një Kod i ri Zgjedhor që e çon hakun te i zoti, që do të thotë që vota vlen njësoj në të gjithë vendin”, tha Lapaj.

“Ne kemi thënë një bashkim i madh opozitar në shesh përtej kryetarëve dhe përtej flamujve të partive. Nëse i lexoni pikat, një nga pikat është që forumi nuk do të përfaqësohet nga kryetarët e partive, që do të thotë në marrëveshjen e madhe qytetare synojmë të jetë përmes qytetarëve të spektrit të ndryshëm politik, të demokratëve, Shqipëria Bëhet, të të gjitha lëvizjeve, të shoqërisë civile. Pra, theksi duhet të vënë te Bashkimi Popullor sepse nevoja është e përbashkët. Jo te liderët. Ne nuk jemi duke bërë një marrëveshje me Sali Berishën. Ne jemi duke imponuar me sa mundim një bashkim qytetar përballë Edi Ramës, sepse nevoja për të hequr Edi Ramën është imediate.

Ne mendojmë që vendi ka nevojë për një bashkim të madh qytetarësh. Askush nuk mund të mbajë peng popullin dhe ata që vërtet e duan ndryshimin duhet të kuptojnë vendin e tyre dhe të bëjnë një hap pas. Në këtë drejtim, bashkimi popullor duhet të jetë për nevojën që është tashmë. Ne nuk jemi duke folur për fushatë zgjedhore apo për zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi duke folur që këta po e vjedhin vendin sot dhe duhet të ikin sot. Duhet të ikin falë një bashkimi të madh popullor, përtej nevojave apo halleve të kryetarëve të partive. Në këtë drejtim, ju duhet të kuptoni një gjë që është shumë e thjeshtë. Unë nuk e kam fshehur kurrë dhe ky është fakt publik. Shqipëria është në këtë gjendje sot për shkak të marrëveshjes së 2008-ës të ndryshimit të Kushtetutës, që është bërë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Është e nevojshme që Partia Demokratike dhe gjithë opozita të distancohet nga Edi Rama dhe të pozicionohet krah demokratizimit të vendit”, shtoi Lapaj.

Ministri Gonxhja: Fitim Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt

By: E S
31 January 2026 at 20:30

Ditën e sotme u nda nga jeta aktori i famshëm i njohur për rolin e tij te filmi “Vdekja e Kalit” Fitim Makashi.

Ai ishte dhe babai i këngëtarit Redon Makashi. Ngushëllimet e veta i ka shprehur dhe ministri për kulturën Blendi Gonxhja

Më poshtë postimi i plotë:

“Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta.

Fitim Makashi, aktor, pedagog dhe emër i paharruar i skenës dhe ekranit, i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt.

Ai la gjurmë në skenë me role si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës” dhe Filipoviç në “Inspektori”.

Në kinematografi u bë pjesë e filmave që sot janë klasikë:
“Nga mesi i errësirës”, “Duel i heshtur”, “Prita”, “Njesiti gueril”, “Ndërgjegjia”, “Larg barbarëve”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, “Tre njerëz me guna”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Intendenti”, “Ilegalët”, “Rrugicat që kërkonin diell”.
U prehtë në paqe.” – shkruan Gonxhja në fb.

VIDEO/ Dalin pamjet nga brenda qelisë së burgut ku vuante dënimin, Jeffrey Epstein

By: E S
31 January 2026 at 20:20

Dosja e Jeffrey Epstein është sërish kthyer në qendër të vëmendjes, pas publikimeve të fakteve të reja, të bisedave dhe fotove ku kanë rezultuar të përfshirë edhe figura të njohura të politikës por jo vetëm në botë.

Së fundmi në mediat e huaja po qarkullojnë edhe pamje nga ambientet e brendshme të qelisë ku vuante denimin, Epstein.

Departamenti i Drejtësisë publikoi dhjetëra mijëra faqe dokumentesh, duke përfshirë fotografi, transkripte intervistash, regjistra telefonatash dhe të dhëna gjyqësore.

Epstein vrau veten në një qeli burgu në Nju Jork, një muaj pasi u padit për akuza federale për trafikim seksual.

Propozime në Zagreb për një BE më të fortë, kancelari gjerman skeptik për zbatimin e reformave

By: E S
31 January 2026 at 20:09

Kancelarigjerman Friedrich Merz ka shprehur skepticizëm në lidhje me zbatueshmërinë e propozimeve për reforma të gjera në BE të paraqitura nga kreu i PPE-së, Manfred Weber.

Në hapje të një samiti të PPE-së në Zagreb të Kroacisë, kryetari i CDU-së tha: “Arritja e ndryshimeve në traktat në këtë Bashkim Evropian prej 27 anëtarësh është një detyrë mjaft e vështirë”.

Merz u shpreh për t’u fokusuar së pari në detyrat që janë “aktualisht në tryezë”, duke përfshirë “aftësitë mbrojtëse dhe konkurrueshmërinë”.

Në Zagreb, politikanë kryesorë nga familja e partive konservatore në BE, Partia Popullore Evropiane (PPE), diskutojnë mbi rolin e Evropës në një rend të ri botëror në të cilin fuqitë e mëdha luajnë një rol dominues.

Përveç Merz, marrin pjesë edhe krerë të tjerë qeverish si Donald Tusk (Poloni) dhe Kyriakos Mitsotakis (Greqi).

Weber dëshiron ta bëjë BE-në më efektive

Kreu i PPE dhe nënkryetari i CSU-së, Weber, tha para takimit se donte të diskutonte propozimet e tij për reforma me udhëheqjen e PPE-së.

“Ne jemi në dialog, po flasim me njëri-tjetrin”.

Ai është kryesisht i shqetësuar për tre pika që duhet të çojnë në një BE më të fortë në botë:

Së pari: Pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane në vitin 2029, zyra e Presidentes së Komisionit (aktualisht Ursula von der Leyen) duhet të bashkohet me atë të Presidentit të Këshillit (António Costa). Kjo do t’i lejonte Evropës të fliste me një zë të vetëm.

Së dyti: Weber mbështet një ushtri evropiane. Kjo ushtri duhet të vendoset edhe në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje. Duke folur për revistën Der Spiegel, Weber tha: “Dhe nëse paqja do të vijë në Ukrainë, ne duhet të stacionojmë forca të përbashkëta paqeruajtëse evropiane atje, si bërthama për një ushtri evropiane.”

Së treti: Lidhur me parimin e unanimitetit në çështjet e politikës së jashtme, Weber dëshiron të lejojë një grup më të vogël shtetesh të bashkëpunojnë më ngushtë në politikën e jashtme përmes një “traktati sovraniteti”. Brenda këtij grupi, parimi i unanimitetit nuk do të zbatohej. Edhe kancelari Merz mbështet idenë e vendimeve me shumicë në politikën e jashtme, kjo tashmë është braktisur pothuajse tërësisht në lidhje me tregun e brendshëm. “Parimi i shumicës së kualifikuar zbatohet praktikisht kudo aty”, tha Merz.

Në deklaratën e tij qeveritare drejtuar Bundestagut të enjten, (29.01.) Merz kishte kërkuar që Evropa të afirmohet si një fuqi e pavarur në një rend të ri botëror të fuqive të mëdha përmes unitetit dhe vetëbesimit. Evropa duhet të mësojë të flasë “gjuhën e politikës së fuqisë”./dw/

Bisedime të reja mes SHBA-së dhe Rusisë, i dërguari i Putinit takim me Witkoff në Florida

By: E S
31 January 2026 at 20:00

I dërguari rus Kirill Dmitriev po drejton bisedime të reja me zyrtarë amerikanë në Florida sot, tha një burim pranë negociatave për AFP-në.

“Bisedimet filluan herët, në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës”, tha burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi axhendën ose përbërjen e delegacioneve.

Më parë, në llogarinë e tij në Instagram, Kirill Dmitriev, i cili ka drejtuar bisedimet në javët e fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha se ishte “përsëri” në Miami.

Më herët në janar, në kuadrin e Forumit Ekonomik të Davosit, Kirill Dmitriev u takua me zyrtarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

I dërguari i Kremlinit për investime dhe zhvillim ekonomik, Dmitriev, kishte udhëtuar në Miami në fund të dhjetorit për bisedime mbi Ukrainën me të dërguarit amerikanë.

Ky takim i ri në Florida vjen përpara një raundi të dytë të mundshëm bisedimesh në Abu Dhabi midis negociatorëve rusë, amerikanë dhe ukrainas.

Ky takim mund të zhvillohet që të dielën, megjithëse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë javë se mund të shtyhet.

Bisedimet e para të njohura të drejtpërdrejta midis ukrainasve, rusëve dhe amerikanëve mbi planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u zhvilluan të premten dhe të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kremlini tha të premten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmet ndaj Kievit “deri më 1 shkurt”, ku rrjeti i energjisë është goditur nga bombardimet e mëparshme.

Sipas zëdhënësit të presidentit rus Dmitry Peskov, ndalimi i bombardimeve ruse ka për qëllim “të krijojë kushte të favorshme për negociata”.

Bisedimet, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin amerikan, janë shumë të vështira dhe preken veçanërisht nga çështja e ndarjes së tokës, me Rusinë që kërkon që Kievi të lëshojë të gjithë rajonin Donbas në Ukrainën lindore.

“Shqipëria Bëhet” mblidhet sërish para Kryeministrisë, mes protestuesve edhe deputeti demokrat Besart Xhaferri

By: E S
31 January 2026 at 19:50

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, i është bashkuar protestës së “Shqipëria Bëhet”.

Kjo është protesta e katërt kombëtare e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë.

Adriatik Lapaj po qëndron pandërprerë prej afro 2 muajsh.

U dhunuan brenda makinës, gruaja tregon si ndodhi ngjarja: Jemi ngujuar në shtëpi nga frika

By: E S
31 January 2026 at 19:41

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditën e sotme në Durrës, në lagjen nr.14 në Nishtulla, ku një çift është rrahur me grushta brenda makinës së tyre nga disa persona, për të cilët prokuroria nisi procedim penal ndaj një 44-vjeçari ndërsa u shpallën në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij.

Gruaja e dhunuar ka folur sot për News24 ku shprehu frikë për situatën e krijuar, cka ka bërë që të gjithë si familje të ngujohen në shtëpi.

“Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!”, ka thënë V. Meçani.

Sipas shtetases V.Meçani, i pari që është goditur nga një grup prej disa personash është 55–vjeçari Fatmir Meçani,

“Në momentin që vëllai i tij, Lulzimi, bashkëshortja e Fatmirit dhe kunata e tij po e shoqëronin në spital, makina e tyre është goditur nga po të njëjtët persona që më parë kishin gjakosur Fatmirin”, tregon gruaja.

Pas sulmit ndaj makinës së tyre, 4 personat janë drejtuar për në policinë e Durrëësit, ku kanë bërë denoncimin përkatës.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se “specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës”.

Familja Meçani, pas dhunës së pësuar një ditë më parë ndihet e kërcënuar dhe e pambrojtur, përsa kohë këtë shtetas janë ende të lirë.

Sipas kësaj familjeje, kjo nuk është hera e parë që ata i dhunojnë, ashtu siç kanë dhunuar edhe familje dhe persona të tjerë po në atë zonë.

❌
❌