Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025Java News

Shefi i NATO-s: BE nuk duhet të veprojë si alternativë ndaj aleancës, do të dëmtonte veten

By: A R
26 December 2025 at 19:55

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i tha agjencisë së lajmeve DPA se BE-ja do të dëmtonte vetëm veten nëse vendos të ndjekë rrugën e vet në fushën e sigurisë.

Sipas mediave të huaja, Rutte deklaroi të premten se anëtarët europianë të bllokut duhet të përmbushin kërkesat e Uashingtonit dhe të shpenzojnë më shumë për ushtritë e tyre.

Komentet Rutte i bëri teksa po i përgjigjej Manfred Weber, kreut të Partisë Popullore Evropiane (PPE), grupit më të madh në Parlamentin Evropian, i cili bëri thirrje që BE-ja të shndërrohet në një “NATO Evropiane” në fund të nëntorit.

Të premten, ai i kërkoi Brukselit të “veprojë me besim” dhe “të shkruajë strategjinë e vet të sigurisë”.

“Duhet të ndalojmë së formësuari politikën tonë nga dokumentet e Uashingtonit”, tha politikani gjerman. Kur u pyet nëse e ndan të njëjtin mendim, shefi i NATO-s tha se “ka më shumë sesa BE-ja” kur bëhet fjalë për NATO-n.

Nga ‘burrat e pathyeshëm’ te madhësia, andrologu zbardh besimet e gabuara të meshkujve

By: A R
26 December 2025 at 19:46

Meshkujve iu mësohet qysh në fëmijëri se duhet të jenë të fortë, të durojnë dhe të mos thyhen. Është një skript që përsëritet nga familja dhe përforcohet nga media, për t’u përthithur më pas në mënyrë të pavetëdijshme.

I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, Dr. Marsid Sinai – mjek androlog dhe kirurg – shpjegon se kjo ide e “burrit të pathyeshëm” është miti i parë dhe më i dëmshëm që meshkujt bartin nga fëmijëria në burrëri. Miti i dytë, sipas tij ka të bëjë me lidhjen që shumica e meshkujve bëjnë mes përmasave të organit gjenital dhe potencës seksuale – një mit ky i përfocuar nga pornografia dhe krahasimet, që shpesh e kthejnë pasigurinë në shqetësim shnëndetësor edhe kur nuk është aspak një problem shëndetësor.

Miti i tretë, sipas Dr. Sinanit, është ideja se problemet tona janë të dukshme ndaj të tjerëve, kur në të vërtetë shumica e njerëzve janë tepër të zënë me problemet e tyre dhe trupat e tyre për të vërejtur ankthet tona.

Ai shton se shpesh, shumë meshkuj nuk vuajnë domosdoshmërisht sepse trupat e tyre kanë probleme shëndetësore, por për shkak të historive që iu janë treguar dhe besojnë në lidhje me atë se çfarë trupat e tyre duhet të jenë.

Tragjike/ Ishin zhdukur në male, gjendet të vdekur 4 alpinistë në Greqi

By: A R
26 December 2025 at 19:37

Katër alpinistë kanë humbur jetën pas një orteku në malet Vardousia në Fokida, në qendër të Greqisë. Tre nga alpinistët, të gjithë burra, ishin raportuar si të zhdukur të enjten vonë, teksa ndiqnin shtigje nga fshati Athanasios Diakos drejt majës Korakas, e cila arrin lartësinë 2,495 metra. Familjarët thanë për transmetuesin shtetëror ERT se përpjekjet për t’i kontaktuar me telefon dështuan, për shkak të mungesës së sinjalit.

Personi i katërt, një grua në të tridhjetat, besohet të jetë partnerja e njërit prej burrave. Autoritetet thanë se ajo nuk ishte raportuar si e zhdukur. Operacioni i kërkimit dhe i shpëtimit nisi herët të premten, duke përdorur dronë dhe qenie të trajnuara, përfshirë qentë. Shpëtimtarët gjetën trupat pranë gjurmëve të këmbëve, të lëna nga alpinistët gjatë ecjes.

Sipas burimeve të shërbimit të zjarrfikësve, dy nga alpinistët e zhdukur ishin me përvojë, por terreni malor ishte i vështirë dhe i rrezikshëm, veçanërisht në kushtet e motit të keq. Ekipi i shpëtimit shpresonte se alpinistët mund të kishin gjetur strehim nga kushtet ekstreme të motit. Autoritetet u njoftuan për herë të parë pak pas mesnatës të së premtes, kur një mik i alpinistëve raportoi humbjen e kontaktit me ta.

Ngjarja tragjike nënvizon rreziqet e larta të alpinizmit në kushte të këqija dhe rëndësinë e ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të shpëtimit.

‘PD nuk proteston për të rrëzuar Ramën’, Merkoçi: Dëshiron të faktorizohet. Nuk ka kredo politike!

By: A R
26 December 2025 at 19:30

Analisti politik Fatmir Merkoçi ka kritikuar ashpër qëndrimin e opozitës lidhur me çështjen e heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Duke u ndalur te roli i Komisionit të Mandateve dhe zhvillimet e fundit në lidhje me heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Merkoçi argumentoi se opozita duhej të kishte një qëndrim më të qartë për këtë çështje.

Ai kritikoi gjithashtu formën e mobilizimit të opozitës, duke theksuar se aktiviteti i zhvilluar më 22 dhjetor nuk ishte protestë, por miting politik.

“Opozita bën miting, jo protestë. Protestën e bëjnë qytetarët. Ajo që organizoi opozita më 22 dhjetor ishte miting. Ju manipuloni popullin duke e thirrur në protestë dhe duke mos e lënë të protestojë vetë,” i tha ai Ndokës

Sipas Merkocit, protestat e organizuara nga opozita nuk kanë për qëllim rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, por shërbejnë për të rikthyer peshën politike të Partisë Demokratike.

“Të gjitha këto nuk janë protesta për të rrëzuar Edi Ramën, por për t’u faktorizuar politikisht, sepse Partia Demokratike ka humbur kredon e saj politike,” përfundoi analisti.

Kosova në prag të zgjedhjeve: Ekonomia, siguria e dialogu me Serbinë pikat kyçe të fushatës

By: A R
26 December 2025 at 19:21

Përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që mbahen të dielën në Kosovë janë drejt përfundimit. KQZ ka certifikuar 1180 kandidatë për deputetë, ndërsa në garë janë 22 subjekte politike, 18 prej tyre janë parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Partitë kryesore politike po përmbyllin fushatat gjatë së cilave kanë prezantuar programet e tyre qeverisëse, ku si pika kyçe kanë vendosur ekonominë dhe punësimin. Koalicioni i drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë fushatë mbi politikat ekonomike dhe sociale. Premtimet e saj përfshijnë rritje të pagave, subvencione shtetërore, mbështetje për pensionistët dhe studentët, si dhe masa për të frenuar rritjen e çmimeve. Kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, ka publikuar edhe një listë të të ashtuquajturave vendime të para nëse fiton, të cilat përfshijnë një buxhet më të madh shtetëror, subvencione për energjinë elektrike dhe mbështetje për sektorin privat.

Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin për kryeministër Bedri Hamza ka theksuar se dialogu me Serbinë dhe ruajtja e sovranitetit të Kosovës janë thelbësore për qasjen e saj politike. Partia e dytë më e madhe ka folur për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale si shtylla të vizionit të saj qeverisës.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përfshirë dialogun me Serbinë në platformën e saj qeverisëse. Fushata e kandidatit të LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku është përqendruar tek punësimi.  Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt e ka vënë theksin tek siguria shtetërore, dialogu me Serbinë dhe zhvillimi ekonomik si pika kyçe të programit të saj. Sipas KQZ-së të drejtë vote më 28 dhjetor kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 qytetarë.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me 2614 vendvotime. Qendra votimi do të ketë edhe jashtë Kosovës, ku votimi fizik organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në disa shtete të botës, ndërsa nga diaspora janë regjistruar për të votuar me postë rreth 76 mijë persona. Zgjedhjet e së dielës janë kyçe për të ardhmen e vendit, i cili kaloi rreth një vit në ngërç politik dhe pa institucione funksionale.

“Shqiptarët, jo të vëmendshëm ndaj shëndetit oral”, stomatologët: Kariesi dhe dhëmbët e prishur, rastet më të shpeshta

By: A R
26 December 2025 at 19:13

Tek dentisti, një pjesë e mirë e shqiptarëve shkojnë vetëm kur kanë dhimbje. Shëndeti oral nuk është pjesë e kontrolleve dhe pastrimeve periodike.

Kjo mungesë i çon jo rrallë herë drejt infeksioneve që lidhen me shumë sëmundje, që nga infeksionet në mishrat e dhëmbëve e deri te sëmundjet kardiovaskulare.

Ndërsa një pjesë tjetër nuk shkojnë jo nga padija, por për shkak të kostove të larta që kanë klinikat private.

“Problematika më e shpeshtë është kariesi ose dhëmbët e prishur. Pavarësisht se ka një rritje të ndërgjegjësimit për t’u kujdesur, një pjesë e mirë e popullatës nuk paraqitet për të adresuar problematikat”, tha Belisa Kaleci, drejtoreshë e Klinikës Stomatologjike Universitare.

Klinika Stomatologjike Universitare në QSUT ofron shërbime falas për qytetarët që nuk kanë mundësi financiare, ku pensionistët janë përfituesit më të mëdhenj.

“Ne ofrojmë shërbime për moshat 0–18 vjeç, për pensionistët, familjet në nevojë, për çdo qytetar të Shqipërisë dhe për të huaj rezidentë”, tha ajo.

Në këtë strukturë universitare, ekipi i stomatologëve aplikon protokolle sipas standardeve ndërkombëtare për një gamë të gjerë shërbimesh.

“Ne ofrojmë jo vetëm shërbime bazike, por edhe ndërhyrje kirurgjikale me lazer kirurgjikal. Së fundmi jemi pajisur edhe me skaner 3D”, nënvizoi Kaleci.

Shërbimet, një herë në javë, ofrohen edhe për fëmijët romë dhe egjiptianë, ndërsa për personat me aftësi të kufizuara janë falas. Klinika ofron mundësi të ushtrimit të profesionit edhe për studentët dhe specializantët.

Pse e Majta shqiptare po e dëmton veten?

26 December 2025 at 19:06

Nga Ben Andoni

Ka shumë arsye pse e Majta shqiptare po dështon nga dita në ditë, por janë disa që kërcasin frikshëm në veshët e kujtdo. Dhe, kjo, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, ku për koincidence është po qeveri e Majtë (Të paktën deri më tani. Kosova mban zgjedhje më 28 Dhjetor), veçse tejet larg një marrëdhënie normale me njëra-tjetrën!! Si fillim, ishte kritike ajo e dhënë e pak kohëve më parë, kur sipas të dhënave të INSTAT që matnin të ardhurat dhe nivelin e jetesës në vitin 2023, Shqipëria regjistronte 42.1% të popullsisë që vuanin nga një formë e rëndë e varfërisë. Që po t’i referohej të dhënave të  Censusit 2023 sipas të cilit popullsia e vendit ishte 2.4 milionë banorë, atëherë kjo nxirrte se mbi 1 milion shqiptarë po përjetonin një nga format e varfërisë. Por, problemi është më i thellë dhe kjo lidhet me problematikat e mëdha që po shoqërojnë korrupsionin e qeverisë Rama dhe agjencive të ndryshme qeveritare, si edhe grupin e administratës që ka vënë dorë dhe ka shpërdoruar pasurinë publike. Për të mos marrë përsipër shqyrtimin e fjalorit të rëndë dhe mënyrën sesi përshkruhen njerëzit në shkëmbimet e tyre në platformat e mesazheve celulare. Të mendosh atëherë të vjen paradoksi në kokë, pasi kjo duhet të ishte e Majta që duhej të mendonte për njerëzit dhe t’u shërbente atyre. Dhe, Rama dhe njerëzit e tij, në përgjimet (nëse janë të vërteta) dalin dhe notojnë në një luks të paimagjinueshëm, krejt ndryshe nga patetizmi i tij\tyre publik për ndihmën dhe politikat sociale.

E vështirë situata dhe në Kosovë, por jo vetëm për politikat e jashtme, por më shumë për politikat e brendshme. Kur mendon se bizneset kosovare po shkojnë larg Kosovës, më së shumti në Shqipëri (ky mund të quhet edhe një lloj fati për bashkimin tonë); problemet me energjinë që po ia rëndojnë barrën qytetarit dhe biznesit ; atë që po shkreton Shqipërinë e Kosovën: largimin e njerëzve; problemet me arsimin (Kosova ka nivele shumë inferiore në vlerësimin e PISA) që nuk ndalen dhe mbi të gjitha varfërimin. E megjithatë në Kosovë vazhdon ngritja e Kultit të Individit. Së fundmi, ministri Faton Peci e teproi në këtë vazhdë, kur gjatë një tubimi në Mitrovicë sugjeroi që ura në këtë qytet të mbajë emrin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti! Të mendosh vargani i personaliteteve në Mitrovicë është i pafundmë. Apo kur një këngëtare propozoi dhe përgatiti një këngë për kryetarin Kurti, që për fat u hodh poshtë nga vetë anëtarët e saj. Jo se në Shqipëri nuk bëhen, por të paktën këtu, Rama po i kënaqet vetes me pjesën vanitoze që është bërë pjesë dhe në shumë segmente të administratës së tij.

Për specialistët por edhe njerëzit që mund të apelojnë interesi publik është që të ketë mundësi e mendim më të madh për grupet e pensionistëve, apo për ato shtresa të vetmuara sepse me ndryshimet territoriale, demografike, sociale që kanë ndodhur në shoqëri, kemi komunitete të tëra që janë vulnerabël mes kategorive të ndryshme sociale, do sugjeronte mes të tjerave eksperti Xhepa. Specialistët sugjerojnë për instrumente ndërhyrje, por që në veshët e drejtuesve të së Majtës shqiptare në dy anët e kufirit nuk cingërrijnë. Për ta, sfida është mbajtja e pushtetit me çdo kusht. Po pse vallë e Majta shqiptare po e dëmton veten?! Kësaj pyetje i jepet vetëm një përgjigje: Nga panginja! (Javanews)

“PD, shërbyese e familjes Berisha”/ Elezi: E kanë braktisur mbi 200 mijë votues, opozita në regres

By: A R
26 December 2025 at 19:03

Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi thotë se PD është bërë shërbyese e familjes së Sali Berishës.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Elezi u shpreh se PD e kanë braktisur mbi 200 mijë votues.

“Partia është kthyer në një ngrehinë të shkatërruar. Në vetvete ka një barrë të madhe. Fakti që këtu janë thyer të gjitha rregullat, mënyra se si funksionon. Nëse akuzojmë Ramën për autokraci, e njëjta është në PD. Thelbi i gjësë pse PD ka rënë, erdhi gradualisht shkatërrimi. Nuk e di si kanë kurajo t’i flasin për demokraci, anëtarëve të PD. I vjen shumë njerëzve keq. Të jesh i sigurt që pjesa më e madhe e demokratëve, janë në një situatë ku nuk e dijnë se si është zgjidhja. Nuk është çështje organizimi. Duhet të ketë frymë, dëshirë që njerëzit të mblidhen. Nuk ka frymë. PD e kanë braktisur mbi 200 mijë votues. PD është në rënie të vazhdueshme, nuk ka progres. Sali Berisha po e përdor për interesa të familjes së vet.”, theksoi ai.

Rihapet Kinema “Republika” në Shkodër, Rama dhe Beci publikojnë pamjet, nis sot shfaqja e filmave

By: A R
26 December 2025 at 18:56

Pas një procesi të plotë rikonstruksioni, Kinema “Republika”, një nga simbolet e qytetit të Shkodrës, hap sot dyert për publikun.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili përmes rrjeteve sociale ka ndarë pamjet e godinës së transformuar.

“Kinema ‘Republika’ në Shkodër është gati dhe sot nis shfaqja e filmave,”, shkruan kreu i qeverisë, duke theksuar se godina tashmë ofron standarde moderne.

Investimi ka prekur çdo qelizë të këtij institucioni. Ndërhyrja ka përfshirë fasadën e jashtme, duke i dhënë një pamje dinjitoze, si dhe ambientet e brendshme, të cilat janë kompletuar me infrastrukturë, arredim dhe teknologji të kohës për të garantuar cilësinë maksimale të projeksioneve.

Edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, përshëndeti hapjen e kinemasë, duke e cilësuar këtë si rikthim të magjisë së filmit “në një ambient që shkëlqen sërish”.

Sipas Becit, ky transformim e vendos Kinema “Republikën” sërish në piedestalin e hapësirave kulturore që i takon qytetit të Shkodrës.

Festat shtojnë lëvizjet në Muriqan, Shkodra mirëpret bashkëqytetarët ndërsa shtohet fluksi drejt Malit të Zi

By: A R
26 December 2025 at 18:47

Ditët e fundit të muajit dhjetor janë shoqëruar me një fluks të lartë lëvizjesh në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit.

Shumica e udhëtarëve janë emigrantë, të cilët po kthehen drejt vendlindjes së tyre në Shkodër për të festuar fundvitin pranë familjarëve dhe të afërmve.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, për shkak të fundjavës, është regjistruar fluks i shtuar edhe në dalje të pikës së kalimit kufitar.

Bëhet fjalë kryesisht për qytetarë shkodranë që udhëtojnë drejt Malit të Zi për të kaluar fundjavën.

Sipas të dhënave zyrtare, në Muriqan me datë 25 Dhjetor janë përpunuar gjithsej 6 670 shtetas, nga të cilët 4 936 në hyrje të Republikës së Shqipërisë dhe 1 734 në dalje.Po ashtu, janë përpunuar 4 221 automjete, ku 1 742 prej tyre kanë hyrë në territorin shqiptar, ndërsa 679 kanë dalë nga vendi.

Gjyqi i shpërndarësve të drogës në Tiranë, policët u infiltruan si përdorues, më pas në grackë ranë…

By: A R
26 December 2025 at 17:51

Nën emrat e koduar Kristi, Afrimi, Hasani, Rei dhe Astriti , agjentët e maskuar kërkuan të blejnë kokainë e hashash nga 22 shpërndarës droge në Tiranë, të cilët mbasi folën për cilësinë e saj dëgjuan fjalën Policia.

Detajet e fashikullit hetimor u lexuan në gjykatën penale gjatë masës së sigurisë ndaj shpërndarësve, që akuzohen se shisnin narkotikë në zona fikse të Tiranës.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura, njëri nga shpërndarësit e drogës kërkoi mëshirë duke thënë se ishte kujdestari i nënës së verbër dhe vëllait të paralizuar.

Përpara se gjykata të shprehej, prokurori ndryshoi qëndrim për të dyshuarin dhe nga arrest në burg sugjeroi masë më të butë.

“Janë secili teke e tek nuk ka grup të strukturuar se ndryshe do ishin te SPAK, grupi i strukturuar kriminal. Të gjithë këta pothuajse janë për kokainë”, u shpreh avokati Selim Kryeziu.

Gjithmonë e më shumë policia po përdor edhe përdoruesit e drogës.

“Të gjithë dyshuarit e dyshuar janë persona të skeduar nga policia e shtetit dhe agjenda në mbulim, ka shkuar direkët te personat që ishte i njohur nga organet e policisë”, tha Selim Kryeziu.

Në burgje janë 124 përdorues droge, të arrestuar kryesisht gjatë tempujve, por shumë të tjerë janë edhe për krime si dhuna në familje dhe konfliktet fizike.

Megjithëse indikatorët tregojnë shumëfishim të përdoruesve të drogës, zyrtarisht nuk ekziston asnjë shifër e përafërt.

Kongresmeni Lawler-Kurtit: Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë dhe dypartiake

By: A R
26 December 2025 at 17:41

Kongresmeni republikan, Mike Lawler, ka thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mbetet e “fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, në një letër dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Në letër, të cilën Qeveria në detyrë e publikoi të premten në Facebook, thuhet: “Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës”.

Përpjekjet e tilla, thuhet tutje në letër, janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ai po i referohej një Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u nënshkrua në ligj nga presidenti Donald Trump, javën e kaluar, në të cilin Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023.

Kjo letër vjen pasi Lawler e kishte takuar Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington në shtator, për çka e falënderoi në letër.

Komentet e kongresistit republikan vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan goditje gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Madje këto veprime çuan në pezullimin paafat të një dialogu të planifikuar strategjik mes dy vendeve.

Kurti i ka arsyetuar këto veprime si në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe së voni ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në “janë shumë të mira” dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Kurti është duke e synuar një mandat të tretë në krye të vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i tha ditë më parë Radios Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve në Kosovë synon të punojë ngushtë me qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha në disa përgjigje me shkrim për REL-in se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike./ REL

Fluks virozash në spitale, mjekët: Mos përdorni atibiotikë pa u konsultuar me specialistin

By: A R
26 December 2025 at 17:33

Periudha e festave është shoqëruar me një fluks të virozave, megjithatë sipas mjekëve situata nuk paraqitet alarmante. Virozat e rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes janë ato që dominojnë më tepër gjatë kësaj periudhe.

Bluzat e bardha apelojnë qe antibiotiket te mos perdoren pa kriter dhe pa konsultë me specialistin. Asnjë trajtim që nuk rekomandohet nga mjeku specialist nuk duhet marrë nga të vegjlit.

Mjekët japin disa këshilla për më shumë kujdes gjatë këtyre ditëve të festave me qëllim parandalimin e qarkullimit të virozave.

Fluksi i virozave është i pranishëm në të gjithë vendin. Vetëm në pediatrine  e Vlorës, kryhen rreth 40 vizita në ditë ndërsa rreth 30 është numri i pacientëve të vegjël që aktualisht janë të hospitalizuar,për shkak të komplikacioneve. Megjithate sipas bluzave të bardha, fluksi pritet të shtohet më shumë në ditët në vijim.

Festat e fundvitit, Policia nderon familjet e Dëshmorëve: Jeni pjesë e pandarë e jona

By: A R
26 December 2025 at 17:25

Nën kujdesin e veçantë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe janë zhvilluar aktivitete festive me familjarët e dëshmorëve të Policisë.

“Këto takime simbolike, të organizuara në prag të festave të fundvitit, erdhën si shprehje e mirënjohjes së thellë për sakrificën sublime të punonjësve që dhanë jetën në krye të detyrës, duke u shpallur Dëshmorë të Atdheut.“, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në mesazhin e përcjellë gjatë këtyre aktiviteteve, u theksua se mbështetja morale dhe institucionale mbetet prioritet absolut i Drejtorit të Përgjithshëm.

Qëllimi është që familjarët të mos ndihen asnjëherë vetëm, por të jenë gjithmonë të rrethuar nga respekti dhe përkrahja e “familjes së madhe” të Policisë së Shtetit.

Nga ana e tyre, familjarët e dëshmorëve shprehën falënderimet për Drejtorin Ilir Proda dhe drejtuesit në qarqe, duke vlerësuar faktin se kujdesi ndaj tyre nuk kufizohet vetëm në ditët festive, por është i vazhdueshëm.

Ndahet nga jeta Ruth Bourne, gruaja që deshifroi kodet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore

By: A R
26 December 2025 at 17:17

Ajo punoi në qendrën sekrete të Bletchley Park dhe kontribuoi në fitoren e Aleatëve, duke thyer kodin famëkeq “Enigma”.

Ruth Bourne, një nga gratë që luajtën një rol kyç në deshifrimin e komunikimeve sekrete të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka ndërruar jetë në Londër në moshën 99-vjeçare.

Bourne ishte pjesë e ekipit të fshehtë të Bletchley Park, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Londrës, ku u thyen kodet e koduara me makinën “Enigma”. Ky operacion i klasifikuar, i njohur si programi “Ultra”, ndihmoi forcat aleate të parashikonin lëvizjet e ushtrisë gjermane dhe të fitonin beteja vendimtare gjatë luftës.

Edhe Italia fashiste u godit drejtpërdrejt nga ky aktivitet: shumë autokolona detare që niseshin drejt Libisë me trupa dhe furnizime për frontin e Afrikës së Veriut u interceptuan falë informacionit të siguruar në Bletchley Park.

E lindur më 23 maj 1926 në Salford, pranë Mançesterit, dhe e rritur në Birmingham, Ruth Bourne vinte nga një familje hebraike. Ajo u regjistrua vullnetare në Marinën Mbretërore Britanike dhe, në moshë shumë të re, u përzgjodh për një mision tepër sekret. Në vitin 1944, ende pa mbushur 18 vjeç, punoi me “bombën e Turingut”, një pajisje llogaritëse e projektuar nga matematikani i shquar Alan Turing, e aftë të çkodonte mesazhet gjermane.

Pas përfundimit të luftës, pjesëmarrësit në programin “Ultra” u detyruan të ruanin heshtjen për dekada. Vetëm në vitet ’70 u bë publik roli i tyre. Në vitin 2009, qeveria britanike i nderoi me një medalje përkujtimore për kontributin e dhënë në fitoren ndaj nazizmit.

Gjatësia e hekurudhave me shpejtësi të lartë në Kinë tejkalon 50.000 km

By: A R
26 December 2025 at 17:09

Kina, shtëpia e rrjetit më të madh hekurudhor me shpejtësi të lartë në botë, ka zgjeruar kilometrazhin e saj total operativ përtej 50.000 kilometrave, me lançimin e një linje të re me shpejtësi të lartë.

Një tren me shpejtësi të lartë “Fuxing” u nis të premten në mëngjes nga Yan’an, një zemër e shenjtë revolucionare në Provincën Shaanxi të Kinës veriperëndimore, për në kryeqytetin provincial Xi’an, duke përuruar rrugën e re.

Japoni, sulm me thikë brenda një fabrike, 14 persona mbetën të plagosur! Çfarë iu zbulua autorit pas arrestimit?

By: Os De
26 December 2025 at 17:01

Të paktën 14 persona u plagosën në një sulm me thikë në një fabrikë gomash të rënda në Japoninë qendrore, sipas shërbimeve të emergjencës. 

Një zëdhënës i shërbimit tha se kishte marrë një telefonatë nga një fabrikë gome fqinje që thoshte se “pesë ose gjashtë persona ishin therur” dhe se “një lëng në formën e një spreji” ishte përdorur gjithashtu në sulm. 

Mediat japoneze, përfshirë transmetuesin publik NHK, raportuan arrestimin e një burri të dyshuar për tentativë vrasjeje. 

Nga 14 të plagosurit, të paktën gjashtë janë në spital. 

Krimet e dhunshme janë relativisht të rralla në Japoni, ku shkalla e vrasjeve është e ulët dhe ligjet për armët janë ndër më të rreptat. 

 

Më të heshturit janë ata që kanë vuajtur më shumë, këto shenja të horoskopit janë më të forta nga sa mendoni

By: Java News
26 December 2025 at 17:00

Më të heshturit janë ata që kanë vuajtur më shumë. Zbuloni se cilat 3 shenja mbajnë plagë për të cilat nuk i tregojnë askujt dhe pse janë më të fortë se të gjithë të tjerët. 

Bricjapi, Akrepi dhe Peshqit janë njerëz që kanë kaluar një jetë më të vështirë nga ç’do ta pranojnë ndonjëherë. Edhe pse shpesh i shihni të qetë dhe dinjitozë, këto 3 shenja zhvillojnë beteja që do t’i kishin thyer të tjerët shumë kohë më parë. 

Ata nuk kërkojnë një audiencë për dhimbjen e tyre, apo një shpatull për të qarë, ata kanë mësuar t’i përballojnë betejat e tyre më të vështira në heshtje, ndërsa askush nuk po i shikon. 

Bricjapi: Shtylla që mban gjithçka mbi të 

Bricjapi është ai që nuk duhet të bjerë sepse e di që të tjerët varen prej tij. Ai është shkëmbi në familje ose shoqëri mbi të cilin mbështeten të gjithë, ndërsa ai përballon humbjet dhe vetminë e tij pa asnjë fjalë ankese. 

Bricjapi do të rregullojë gjithçka që është prishur dhe pastaj do të tërhiqet në heshtjen e tij, pa kërkuar as një “faleminderit”, edhe pse ndonjëherë është më e vështirë nga sa mund ta imagjinojë kushdo. 

Akrepi: Fitore mbi plagët tuaja 

Shumë veta shohin vetëm mprehtësinë e saj, dhe askush nuk i sheh plagët nga të cilat lindi ajo mprehtësi. Akrepi nuk flet për tradhtitë dhe goditjet e fatit sepse përçmon mëshirën. Ajo kthehet më e fortë, më e mençur dhe më e gatshme nga secili prej zjarreve të saj. Midis këtyre 3 shenjave, ajo është ajo që di më mirë të prekë fundin vetëm për t’u shtyrë përsëri në majë. Heshtja e saj është fuqia e saj. 

Peshqit: Një zemër që refuzon të shndërrohet në gur 

Peshqit shpesh nënvlerësohen sepse mendojnë se mirësia e tyre është dobësi. E vërteta është se duhet një forcë e jashtëzakonshme për të mbijetuar kaq shumë zhgënjime dhe për të mbetur prapë njeri. Peshqit qanë lumenj që askush nuk i pa, por pavarësisht gjithçkaje mësuan të notonin kundër rrymës. Ata i përkasin këtyre 3 shenjave sepse forca e tyre nuk është në grushtet e tyre, por në faktin se, pavarësisht gjithë dhimbjes së tyre, do t’ju japin dorën përsëri nesër. 

Respektoni heshtjen e tyre. 

Ndonjëherë më të guximshmit janë njerëzit që sillen më qetë. Këto 3 shenja për të cilat shkruam janë provë se madhështia e vërtetë nuk qëndron në atë që flasim për veten tonë, por në atë që kemi heshtur, por kemi mbijetuar. Nëse i keni në jetën tuaj, vlerësoni forcën e tyre – ata janë aty sepse zgjodhën të mos dorëzohen. 

A e njohe veten? Nëse je një nga ata që fitojnë në heshtje, dije se plagët e tua vlejnë më shumë se çdo duartrokitje. 

Kapet në Kakavijë shqiptari, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana/ Arrestohen edhe dy të kërkuar në Greqi

By: Os De
26 December 2025 at 16:56

Një shtetas shqiptar i kërkuar nga Interpol Tirana ka rënë në pranga e policisë greke në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. 

I kërkuari ka tentuar të kaloj pikën doganore për të hyrë në Shqipëri në ditën e Krishtlindjeve, kur nga verifikimi i pasaportës në sistem ka rezultuar se ai kërkohej nga Interpol Tirana pasi ishte i dënuar me 4 muaj burg nga drejtësia shqiptare për “falsifikim dokumentash”. 

Ai është ndaluar nga policia greke, ndërkohë që dokumentacioni në ngarkim të tij i kaloi Prokurorisë së Janinës për nisjen e procedurave të ekstradimit. 

Ndërkohë po në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, janë kapur edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, të kërkuar në Greqi. Njëri prej tyre rezultonte i dënuar nga Gjykata e Athinës me 3 vite burg për “shmangie taksash” ndërsa tjetri kërkohej me urdhër arresti nga Prokuroria e Kilkis për “ryshfet”. 

Kim Jong Un urdhëron rritjen e prodhimit të raketave në 2026! Për çfarë përgatitet Koreja komuniste?

By: Os De
26 December 2025 at 16:52

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka urdhëruar “zgjerimin” dhe modernizimin e prodhimit të raketave për vitin e ardhshëm. Kështu raporton media publike e Penianit. Në një vizitë në fabrikat e municioneve, Kim urdhëroi që uzinat të përmbushin “nevojat e ardhshme për funksionimin e forcave shtetërore të raketave dhe artilerisë”.

Diktatori deklaroi se “sektori i prodhimit të raketave dhe predhave është me rëndësi thelbësore për forcimin e parandalimit të luftës”. Pheniani ka rritur ndjeshëm testet e raketave në vitet e fundit. Analistët thonë se kjo ka për qëllim përmirësimin e aftësive të saj për goditje precize, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut dhe duke testuar armët përpara se t’i eksportojë ato potencialisht në Rusi.

Vizita e Kim erdhi një ditë pasi media shtetërore raportoi se ai vizitoi një fabrikë nëndetësesh bërthamore, ku u zotua të kundërshtonte “kërcënimin” që përbënte prodhimi i nëndetëseve bërthamore nga Koreja e Jugut.

❌
❌