Normal view

Prezantohet projekti për restaurimin e Muzeut të Pavarësisë në Vlorë, Gonxhja: Koncept i ri arkitektonik me hapësira multifunksionale

18 July 2026 at 18:31

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit organizoi dëgjesën publike në kuadër të projektit  për restaurimin dhe muzealizimin e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.

Grupi i projektimit dhe ekipi përgjegjës për linjën muzeore prezantuan konceptin e parë arkitektonik, muzeologjik dhe identitetin vizual të këtij institucioni me rëndësi të veçantë kombëtare.

Gjithashtu është zhvilluar një konsultim i hapur me institucionet, ekspertët dhe aktorët e interesit, me synim mbledhjen e komenteve dhe rekomandimeve që do të kontribuojnë në përmirësimin e zgjidhjeve të propozuara për këtë objekt ndër më të rëndësishmit e trashëgimisë sonë kombëtare.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm për ruajtjen, promovimin dhe rivlerësimin e historisë së Pavarësisë, duke forcuar njëkohësisht rolin e Vlorës si destinacion i turizmit kulturor dhe historik.

Ekspertëve të trashëgimisë kulturore, historianëve dhe grupeve të interesit, diskutimet u përqendruan te vlerat historike dhe simbolike që mbart ky objekt për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë, si edhe te ndërhyrjet restauruese dhe konservuese të nevojshme në godinën historike.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka bërë me dije se projekti parashikon rikonceptimin e linjës muzeore, pasurimin e mënyrës së interpretimit të fondit muzeor dhe zhvillimin e elementeve të digjitalizimit, si dhe identitetit vizual, branding-ut dhe souvenir-eve të muzeut.

Ai shton se koncepti i ri arkitektonik propozon gjithashtu ndërtimin e një volumi të ri me hapësira multifunksionale, të menduara për aktivitete kulturore, edukative dhe ekspozuese.

Gonxhja shton se ky proces konsultimi përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një muzeu modern, që ruan autenticitetin e vendit ku u hodhën themelet e shtetit shqiptar dhe e afron historinë e Pavarësisë me brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Ministri gjithashtu bën me dije se pas reflektimit të sugjerimeve dhe finalizimit të detajeve nga grupi i projektimit, do të zhvillohet edhe një dëgjesë e dytë publike për prezantimin e projektit të përfunduar./atsh/KultPlus.com

Sundance Festival: Rreth 15 mijë pjesëmarrës e kthyen bregdetin e Vlorës në një nga destinacionet e verës

12 July 2026 at 22:10

Për katër ditë me radhë, nga 9 deri më 12 korrik, në Zvërnec të Vlorës u zhvillua Sundance Festival, një aktivitet kushtuar muzikës, natyrës dhe turizmit, i cili mblodhi mijëra pjesëmarrës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky festival, ku morën pjesë mbi 50 DJ ndërkombëtarë dhe lokalë.

“Katër ditë muzikë, natyrë dhe energji unike në Zvërnec. Sundance Festival ka bërë bashkë rreth 15 mijë pjesëmarrës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, duke e kthyer bregdetin e Vlorës në një nga destinacionet më të veçanta të verës”, shkruan Rama.

I organizuar mes lagunës, pyllit dhe bregdetit të Zvërnecit, festivali synon të ndërthurë muzikën, natyrën dhe turizmin, duke tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme të botës dhe duke promovuar Shqipërinë si një destinacion për turizmin e eventeve.

Ky aktivitetet veror synon të ndërthurë muzikën, turizmin dhe promovimin e bukurive natyrore të zonës së Zvërnecit, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj./atsh/KultPlus.com

‘Locked In’, koncerti me muzikë elektronike ndez atmosferën në Vlorë

27 August 2025 at 19:34

Artdashësit vlonjatë, por edhe turistët e shumtë vendas e të huaj, shijuan mbrëmjen e djeshme rimet e muzikës elektronike.

Për rreth katër orë artistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë ndezën atmosferën në Lungomare.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga ky koncert.

“Kështu dukej Vlora mbrëmë me Locked In – mijëra të rinj, qytetarë dhe turistë përjetuan në Lungomare muzikën e mirë dhe energjinë pa fund”, shkruan Kumbaro.

Në koncert performuan emra të njohur si Burak Jeter, Kristian Marki, Stefi Deriko dhe Abelo Mania.

Ky koncert i organizuar nga bashkia e Vlorës kishte për synim gjallërimin e jetës artistike të qytetit bregdetar gjatë sezonit veror./atsh/ KultPlus.com

24 gusht 1913, kur në Vlorë botohej numri i parë i gazetës ‘Përlindja e Shqipërisë’

24 August 2025 at 09:29

Më 24 gusht të vitit 1913 doli numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, gazetë, e cila mbështeti Qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali. 

Ajo bënte thirrje për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm.

“Përlindja e Shqipëniës” ishte gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar, botohej dy herë në javë dhe vijoi të botohej për 21 numra deri në vitin 1914. 

Në artikujt e saj ndër të tjerash, kjo gazetë bënte thirrje për bashkimin e popullit shqiptar. /KultPlus.com

‘Vajzë Fest’ rikthehet në Vlorë: Tri ditë art, film, trashëgimi dhe mikpritje në zemër të Labërisë

21 August 2025 at 15:00

Për të tretin vit radhazi, fshati Vajzë në Vlorë kthehet në një qendër të gjallë arti dhe kulture me “Vajzë Fest”, që zhvillohet nga 22 deri më 24 gusht 2025.

Festivali sjell bashkë artistë, kineastë, muzikantë, poetë dhe figura publike në një mozaik aktivitetesh që përfshijnë film, teatër, këngë polifonike, valle popullore, muzikë bashkëkohore dhe ekspozita.

Risia e këtij edicioni është “Dita Olimpike” në Parkun Arkeologjik të Amantias, organizuar në bashkëpunim me KOKSH, si një rikthim simbolik i shpirtit të garave të lashta. Për të rinjtë dhe dashamirësit e natyrës do të ketë hiking, kampingje nën yje, net me zjarre dhe eksplorime në shpellat dhe ujëvarat e zonës.

Përvoja pasurohet me kuzhinën tradicionale të Labërisë – gatime shtëpie, bulmet të freskët, mish të pjekur, raki dhe verë, të shërbyera në ambientin natyror të Shpellës së Bletës.

Eventi organizohet nga Shoqata e fshatit Vajzë, në bashkëpunim me bashkinë Selenicë dhe komunitetin vendas, duke e kthyer Vajzën në një destinacion unik për artin, natyrën dhe trashëgiminë shqiptare.

‘Vajzë Fest 2025’, një përvojë unike në zemër të Vlorës

8 August 2025 at 14:45

Në fund të çdo gushti, fshati Vajzë i Vlorës, vendlindja e poetit Ali Asllani, kthehet në një qendër të gjallë të kulturës, artit dhe mikpritjes shqiptare.

Edhe këtë vit, nga data 22 deri më 24 gusht, ju ftojmë në “Vajzë Fest – Art, Film, Trashëgimi”, një festë që ndërthur me mjeshtëri traditën me frymën bashkëkohore, kujtesën me rininë krijuese.

Artistë të njohur, kineastë, muzikantë, piktorë dhe figura publike do të sjellin në Vajzë një energji të re përmes tre ditëve plot ngjarje: shfaqje filmike e teatrore, ekspozita arti, poezi, muzikë polifonike, valle popullore, cirk, muzikë bashkëkohore dhe aktivitete të dedikuara për fëmijët.

Një nga risitë e këtij edicioni është “Dita Olimpike”, e cila do të zhvillohet në Parkun Arkeologjik të Amantias, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kjo iniciativë sjell një frymë të re në një vend me histori të lashtë, si një rikthim simbolik i shpirtit të lojërave antike.

Për të rinjtë e apasionuar pas aventurës dhe natyrës, do të ketë ecje në shtigjet malore, kampingje nën yje, netë me zjarr rrethues dhe muzikë live, duke krijuar kujtime dhe miqësi që zgjasin.

Eksplorimet do të shtrihen në disa nga perlat natyrore dhe historike të zonës: Ujvara e Rasalit, Ura e Bratajt, shpellat e Velçës, Beuni historik, dhe rrënojat mbresëlënëse të Amantias.

Pjesë e pandashme e kësaj përvoje do të jetë edhe kuzhina vendase. Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë gatime tradicionale, mish të pjekur, bulmet të freskët, raki dhe verë vendi, të ofruara në shtëpi mikpritëse, stenda të improvizuara, apo në lokalin piktoresk pranë Shpellës së Bletës, ku natyra dhe qetësia krijojnë një atmosferë magjepsëse.

“Vajzë Fest” është rezultat i përkushtimit të Shoqatës së fshatit Vajzë, në bashkëpunim me Bashkinë Selenicë dhe banorët vendas, të cilët besojnë se trashëgimia shqiptare ka ende shumë për të treguar./KultPlus.com

Aulona Inter Folk Festival sjell në Vlorë traditat e vendeve pjesëmarrëse

20 May 2025 at 09:34

Vlora bëhet përsëri zemra rrahëse e folklorit me edicionin e 17-të të Aulona Inter Folk Festival, i cili do të zhvillohet nga data 23 deri më 26 maj 2025.

Prej vitit 2009, ky festival ka sjellë në skenë ngjyra, tinguj e ritme nga 38 vende të botës, duke e kthyer Vlorën në një kryeqytet kulturor ndërkombëtar.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë bëri me dije se këtë vit, vallëzimi dhe kënga tradicionale do të ndërthuren nga artistë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Italisë, Polonisë, Sllovakisë, Gjeorgjisë dhe Ukrainës.

DRTK Vlorë e cilësoi këtë aktivitet si një festë shpirtërore që lartëson trashëgiminë përmes artit e dashurisë për rrënjët./atsh/KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë do të rinovohet

6 April 2025 at 16:15

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, do të rinovohet dhe do t’i pasurohet fondi.

Ministri po ashtu foli për programe edukative, duke u fokusuar veçanërisht tek informacioni imersiv (tredimensional), fëmijët dhe të rinjtë.

Gonxhja vizitoi muzeun me Ardit Bidon, njëkohësisht kandidat i PS-së në qarkun e Vlorës.

“Me kolegun Ardit Bido dhe grupin e historianëve, do të rishikojmë e rinovojmë muzealizimin e këtij objekti thelbësor për historinë e shtetformimit të Shqipërisë. Me një qasje të re, bashkëkohore dhe inovative, synojmë të pasurojmë fondin e muzeut, eksperiencën turistike dhe programet edukative, duke u fokusuar veçanërisht te informacioni imersiv, fëmijët dhe të rinjtë”, u shpreh ai.

Muzeu është i pajisur me dokumente të rëndësishme. Me fotografitë e Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit. Brenda godinës vizitorët mund të shohin kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë së përkoshme të Ismail Qemalit, flamujt origjinalë të çetave kryengritëse, libra origjinalë të rilindësve të asaj periudhe. Pastaj disa objekte origjinale të Plakut mjekërbardh si: kallamari me shqiponjën e bronztë, karrigia e punës etj.

Vizitorët kanë mundësi për të parë edhe objekte të tjera origjinale, që pasqyrojnë përpjekjet e luftërat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar./atsh/ KultPlus.com

Plazh edhe në pranverë në Vlorë, qytetarë të shumtë shijojnë bregdetin

9 March 2025 at 16:23

Qytetarë të shumtë i janë drejtuar këtë të dielë bregdetit të Vlorës për të shijuar motin e ngrohtë me diell.

Edhe pse sezoni i plazhit ende nuk është çelur zyrtarisht, shumë vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur Vlorën për të shijuar fundjavën dhe rrezet e diellit, duke u larë edhe në det.

Shëtitorja buzë detit në Vlorë është plot edhe në këto ditë të marsit, ndërsa qytetarë të tjerë zgjodhën të shijojnë rrezet e diellit në bregdet duke shijuar kaltërsinë e detit në distancë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Vlorës, i cili po shndërrohet në një destinacion gjithëvjetor falë rezervimeve nga turistët e huaj.

Fluksin turistik në rritje e dëshmojnë edhe strukturat hoteliere të cilat flasin për rritje të rezervimeve nga turistët e huaj.

Përveç bregdetit, Vlora ofron edhe turizmin malor, si dhe atë të aventurës. Po ashtu, pjesë e ofertës turistike janë muzetë, kultura, kulinaria, tradita e  ruajtur dhe promovuar me mjaft kujdes.

Rikonstruktimi i Galerisë së Arteve në Vlorë, Dredha: Hapësirë e denjë për artistët dhe artdashësit

16 January 2025 at 15:53

Në qytetin e Vlorës vijon puna për rikonstruksionin tërësor të Galerisë së Arteve.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha inspektoi punimet që po kryhen në galeri.

“Galeria e Arteve do t’i dhurojë artistëve të qytetit dhe miqve që ekspozojnë punët e tyre gjithmonë në Vlorë, hapësirën e denjë për të komunikuar me artdashësit, përmes gjuhës së tyre të ngjyrave e ideve. Tashmë me dy kate, galeria do të ketë sistemin e posaçëm të ndriçimit dhe gjithë tjetër ç’i duhet ekspozimit të vlerave të pikturës”, tha Dredha në një postim në rrjetet sociale.

Galeria e Arteve në Vlorë është pjesë përbërëse e Pallatit të Kulturës “Labëria”, e ndërtuar gjatë viteve të regjimit të diktaturës. Projekti paraqet elementet tipike të arkitekturës racionale të asaj periudhe. Gjatë viteve ndërtesa ka pësuar ndryshime të vogla, por pa prekur funksionalitetin e saj.

Qëllimi i projektit të rehabilitimit është të krijohen kushte te favorshme për vendosjen e pajisjeve dhe hapësirave ndihmëse për ushtrimin e funksioneve të një galerie bashkëkohore dhe në shërbim të komunitetit.

Objektivat specifike të projektit janë: krijimi i kapaciteteve, hapësirave optimale për menaxhimin, ruajtjen dhe ekspozimin e veprave të artit pamor dhe jo vetëm; përmirësimi i aksesit për vizitorë të grupmoshave te ndryshme si dhe promovimin e ideve inovatore interaktive dhe fuqizimin e muzeve nëpërmjet teknologjisë të cilat rrisin atraksionin dhe qasjen më të gjerë nga publiku./atsh/KultPlus.com

Dita e Flamurit, hapet në Vlorë ekspozita “Udha drejt Pavarësisë”.

28 November 2024 at 15:29

Në kuadër 112-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, rihapi ekspozitën “Udha drejt Pavarësisë”.

Kjo ekspozitë pasqyron rrugëtimin historik të nënshkruesve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe me artefakte që ilustrojnë këtë ngjarje madhore. Rrugëtimi i patriotëve shqiptarë, që do të kulmonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, e kishte zanafillën më 2 nëntor të vitit 1912, në lagjen Pera të Stambollit, në mbledhjen që u zhvillua në hotelin Pera Palace. Nga Stambolli, Ismail Qemali u nis me anije për në Konstancë të Rumanisë.

Për të ngritur flamurin kombëtar, patriotët shqiptarë u ndeshën me pengesa dhe vështirësi të shumta. Më 5 nëntor 1912, Ismail Qemali mblodhi patriotët shqiptarë në hotelin Continental të Bukureshtit, ku diskutuan për pavarësinë e Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai theksoi: “Tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveçse të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua të hyjmë në Shqipëri dhe të kasnecojmë vetëqeverimin e saj”. Figurat më të rëndësishme të kësaj mbledhjeje qenë: Aleksandër Stavri Drenova, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, etj. Ata vendosën që të mbahej Kuvendi Kombëtar me përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhje u diskutua edhe për flamurin kombëtar dhe u vendos që të ishte flamuri që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë.

Më 7 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me tren nga Bukureshti për në Vjenë, për një vizitë diplomatike, qëllimi i së cilës ishte të fitonte mbështetjen e Austro-Hungarisë për pavarësinë e Shqipërisë. Me të arritur në Vjenë, ai u vendos në Grand Hotel. Më 10 nëntor 1912, u takua me ambasadorin anglez, Sir Fairfax Cartwright, i cili ishte ndoshta diplomati i huaj më në zë i kohës, i akredituar në Vjenë.

Më 12 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëtoi me tren drejt Budapestit, ku takoi ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, kont Berthold-in, i cili e siguroi se qeveria e tij kishte biseduar edhe me qeveritë italiane e gjermane për këtë qëllim, të cilat nuk e shihnin me sy të mirë shtrirjen e Malit te Zi dhe Serbisë në jug të Ballkanit.

Më 19 nëntor 1912, bashkë me Luigj Gurakuqin, Ismail Qemali arriti në Trieste, qytet që në atë kohë ishte një port i Austro-Hungarisë. Spiridon Ilo, Dhimitër Berati, Pandeli Mborja dhe Dhimitër Zografi u nisën disa ditë më vonë për t’u takuar po aty me Ismail Qemalin. Po nga Triestja do të bëhej nisja për në Durrës, me anijen “Baron Bruck”, që ua siguroi Berthold-i.

Natën e 20 nëntorit, duke u gdhirë data 21, avulloret “Brunn” dhe “Graf Wurmbrand” u takuan në Gjirin e Rodonit për të bërë kalimin e Ismail Qemalit dhe njerëzve të tij nga njëra anije tek tjetra.

Ismail Qemali dhe burrat e tjerë e kaluan natën në “Graf Wurmbrand”, e cila arriti mëngjesin e datës 21 nëntor në Durrës dhe u prit në qelën e Dom Nikollë Kaçorrit, i cili, pas një jave, do të ishte edhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Më 23 nëntor 1912, Ismail Qemali u nis me një karrocë me kuaj nga Durrësi. Gjatë rrugëtimit të karvanit për në Vlorë, gjenerali i divizionit turk, Kara Sait Pasha, që kontrollonte zonën midis Lushnjës, Fierit dhe Beratit, dha urdhër të arrestohej Ismail Qemali dhe gjithë shoqëruesit e tij. Për këtë arsye, karvani nuk u fut në Lushnjë, por e kaloi natën në Çermë, në çifligun e Dervish bej Biçakut.

Natën tjetër Ismail Qemali e kaloi në Fier, tek Omer Pasha. Me ndihmën e patriotëve vendas, karvani kaloi nga Mifoli dhe pas shumë peripecive, pasditen e 27 nëntorit 1912, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë.

Punimet e Kuvendit të Vlorës filluan më 28 nëntor 1912, në orën 15:30 në sarajet e familjes Vlora, me pjesëmarrjen e 78 delegatëve. Kuvendi i Vlorës vendosi që “Shqipëria të bahet më vehte, e lirë dhe e mosvarme”. Pas nënshkrimit të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në orën 17:30 të datës 28 nëntor 1912, doli në ballkonin e shtëpisë ku zhvilloi punimet kuvendi dhe valëviti lart flamurin kombëtar, të cilin e kishte ngritur dikur Gjergj Kastrioti në Krujë./atsh/KultPlus.com

The post Dita e Flamurit, hapet në Vlorë ekspozita “Udha drejt Pavarësisë”. appeared first on KultPlus.

Zonat e mbrojtura në Vlorë: Interes i lartë nga vizitorët e huaj, mbi 467 mijë në 10 muaj

17 November 2024 at 09:00

 Ekoturizmi në zonat e mbrojtura në qarkun e Vlorës vitet e fundit ka njohur një rritje të numrit të vizitorëve, të cilët gjithnjë e më shumë po zbulojnë vlerat turistike të këtyre zonave.

Në qarkun e Vlorës ndodhen këto zona të mbrojtura Parku Kombëtar Detar “Karaburun Sazan”, Parku Kombëtar i Butrintit, Parku Kombëtar “Llogora”, Parku Kombëtar “Butrint”, Peizazhi i Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, Parku Natyror Porto Palermo, Syri i Kaltër dhe Parku Natyror Karaburun.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-tetor këto zona të mbrojtura u vizituan nga 761 080 vizitorë”.

“Ajo që bie në sy gjatë këtij viti është numri i madh i vizitorëve të huaj, ku në 10 muaj këto zona u vizituan nga 467 813 të huaj dhe 293 267 vendas”, tha AdZM Vlorë.

Ndër më të vizituarat në këto 10 muaj është Parku Natyror “Syri i kaltër”, i cilësuar si perla e turizmit veror.

“Në periudhën janar-tetor ky park u vizitua nga 258 774 vizitorë, nga të cilët 177 777 të huaj dhe 80 997 vendas”, bën të ditur AdZM Vlorë.

Infrastruktura e re për këmbësorë e çiklistë e ka ndryshuar rrënjësisht rrugën turistike drejt këtij parku natyror,  duke e bërë të aksesueshme më lehtë për turistët.

Një tjetër zonë e mbrojtur që ka shënuar numër të lartë vizitorësh është Parku Kombëtar i Butrintit.

“Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëravjeçare ngjall kuriozitetin e turistëve nga vende të ndryshme të botës. Në janar-tetor Parku Kombëtar Butrint u vizitua nga 195 216 vizitorë, nga të cilët 51 823 vendas dhe 143 393 të huaj”, tha AdZM Vlorë.

Vitet e fundit zonat e mbrojtura të qarkut Vlorë po promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit gjatë periudhës janar-tetor 4.9 milionë vizitorë janë shënuar në zonat e mbrojtura, që nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës në të gjithë vendin./atsh/ KultPlus.com

The post Zonat e mbrojtura në Vlorë: Interes i lartë nga vizitorët e huaj, mbi 467 mijë në 10 muaj appeared first on KultPlus.

Ekspozita për Pavarësinë! 30 punime në pikturë, ekspozohen në Vlorë për 10 ditë

4 November 2024 at 16:59

30 punime në pikturë, skulpturë, karikature dhe qeramike do të qëndrojnë të hapura në Vlorë në kuadër të aktiviteteve për festat e nëntorit.

Mjeshtri vlonjat dhe shqiptar i karikaturës iniciator i ekspozitës Arben Meksi tha se Vlora është një qytet që i ka te gjitha kushtet për pasqyrimin e të tilla punimeve.

Piktori Ardian Devolli thekson se mes kësaj ekspozite vijnë vepra te reja duke e bere edhe me interesant çdo punim te pasqyruar në galerinë e arteve ne Vlore

Ekspozita pritet të qëndrojë e hapur për rreth 10 ditë në galerinë e arteve në Vlorë./ alsatm/ KultPlus.com

The post Ekspozita për Pavarësinë! 30 punime në pikturë, ekspozohen në Vlorë për 10 ditë appeared first on KultPlus.

Mbyllja e sezonit turistik ndryshon oraret e monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjike

1 November 2024 at 15:16

Në zbatim të udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, “Për mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë sezonit turistik”, për një shërbim sa më të mirë dhe cilësor ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mundësuar një periudhë sa më të gjatë të vizitueshmërisë, DRTK Vlorë njoftoi se, sezoni turistik veror 2024, konsiderohet i përfunduar më datë 31 tetor 2024.

Me përfundimin e sezonit turistik, orari i vizitave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, që administrohen nga DRTK Vlorë, do të jetë si më poshtë:

Në Parkun Arkeologjik të Amantias, Orikut dhe Finiqit:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Kalanë e Kaninës, Himarës dhe Porto Palermos:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Manastirin e 40 Shenjtorëve, në Sarandë:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 200 lekë/personi dhe 100 lekë/personi për grupet.

Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:

– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com

The post Mbyllja e sezonit turistik ndryshon oraret e monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjike appeared first on KultPlus.

❌