Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026FaxWeb

Kryeministri Rama vizitë në Izrael, fjalim historik në Knesset

By: Fax Web
26 January 2026 at 12:09

Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Dalin mesazhet e Altin Meçaj duke ngacmuar me mesazhe ‘seksiste’ vajzën e familjes Lamaj

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:51

Për herë të parë, motra e Fredi Lamajt ka reaguar publikisht për akuzat e bëra së fundmi në media, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara.

Ajo sqaron se vëllai i saj nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt dhune apo konflikt dhe thekson se deklaratat e përsëritura të shtetasit Altin Mecaj kanë dëmtuar rëndë dinjitetin familjar.

Në reagimin e saj, ajo flet edhe për mesazhe private të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat i konsideron si përndjekje, për të cilat ka depozituar kallëzim penal.

Përshëndetje

Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.

Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.

Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.

Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.

Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.

Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.

Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.

Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.

Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.

Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.

Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.

Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Me respekt,Motra e Fredi Lamaj

Ilir Rusi: Na ka shërbyer bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:28

Kreu i KLGJ, Ilir Rusi deklaroi se sistemi gjyqësor ka kaluar transformime të thella.
Në fjalën e tij, Rusi u shpreh se janë bërë hapa të rëndësishme, duke shtuar kapacitetin e burimeve njerëzore, modernizuar proceduar dhe digjitalizuar shërbimet.

“Ne forcojmë angazhimin tonë të përbashkët për t’iu shërbyer qytetarëve. Kjo ditë na jep mundësi të reflektojmë. Vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka kaluar transformime të thella. Sistemi gjyqësor ka bërë hapa të rëndësishme, në kapacitetin e burimeve njerëzore, modernizimin e procedurave dhe digjitalizimit të shërbimeve. Një komponent është bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtare. Bashkëpunimi me SHBA, BE na ka shërbyer.”, theksoi ai.

 

“Paraburgimi po grryen besimin te Drejtësia”- Ministri Lamallari: Gjysma e personave që ndodhen në qeli janë pa një vendim

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:26

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa foli për sistemin e Drejtësisë, është shprehur se një shqetësim shumë i madh është numri i lartë i të paraburgosurve. Lamallari tha se në Shqipëri mbi 50 % e personave në Institucionet e Vuajtjes së Dënimit janë aty pa një vendim të formës së prerë, gjë që sipas ministrit nuk ndodh në BE.

Lamallari ngriti edhe shqetësimin e mungesës së gjyqtarëve dhe ndihmësave ligjorë nëpër gjykata, që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në rritjen e stokut të dosjeve.

“Le t’i themi gjërat siç janë, përtej vështirësive për plotësimin e vakancave, për të cilat janë ndërmarrë edhe veprime ligjore, nuk ka arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e procedimeve proaktive. ILD ka një rol të pazëvëndësueshëm në garantimin e disiplinës dhe standardeve profesionale.  Dhe pavarësia nuk mund të kuptohet e shkëputur nga llogaridhënia.

Lidhur me stokun e dosjeve, Gjykata e Lartë ka dhënë një shembull pozitiv. Gjatë vitit 2025 totali i vendimeve gjyqësore të dhëna prej saj ka shënuar 6876 vendime. Kjo do të thotë se veprimtaria e Gjykatës së Lartë vitin e shkuar u karakterizua nga një përmirësim progresiv i situatës, lidhur me numrin e lartë të çështjeve gjyqësore të prapambetura. Por drejtësia nuk matet vetëm në majën e drejtësisë, por matet aty ku qytetari ka kontakt të drejtpërdrejtë me sistemin, në Shkallë të Parë dhe Apel, me kohën e gjykimit dhe zbardhjen në kohë të vendimeve. Mos-zbardhja edhe pas një vitit e vendimeve është e papranueshme.

Në shumë segmente, veçanërisht në Gjykatat e Apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura është alarmant. Vetëm 1/10 e çështjeve përfundon brenda një viti. Stoku total po shënon shifrën në 19 mijë çështje për secilin nga Apelet.

Një tjetër realitet që nuk mund të anashkalohet është mungesa e burimeve njerëzore. Sistemi i Drejtësisë vijon të funksionojë me vakanca të konsiderueshme të gjyqtarëve dhe ndihmës-gjyqtarëve. Nuk mund të kërkojmë efektivitet dhe cilësi kur sistemi operon me kapacitete të kufizuara. Duhet një planifikim i mirë dhe i shpejtë i organikës dhe ndihmësave ligjorë. Miratimi nga viti në vit i një numri më të ulët kuotash për ndihmësat ligjorë, shkon në sensin e kundërt dhe çon në rritjen e stokut të dosjeve.

Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Mbi gjysma e personave që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit janë ende pa një vendim të formës së prerë. Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi grryen besimin e qytetarëve te Drejtësia. 62 të të dënuarve në Shqipëri u caktohet një masë nga 5 deri në 20 vite burgim. Ndërsa në BE ka një marzh burimi nga 1 deri në 10 vite burgim. Duhet të afrojmë politikën penale me Bashkimin Europian”, tha mes të tjerash Lamallari.

Berisha: Kauza e opozitës, në Asamblenë e Përgjithshme të KiE

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:12

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet sot në selinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg të Francës, së bashku me deputeten Albana Vokshi.

Në një videomesazh për qytetarët, Berisha deklaroi se opozita po vijon betejën e saj kundër keqqeverisjes.

“Kjo betejë po e çon kauzën e saj në arenën ndërkombëtare dhe në vëmendjen e institucioneve europiane”, u shpreh Berisha.

Në kërkim nga SPAK për trafik droge drejt vendeve të BE-së, arrestohet në Dubai Bujar Sefa

By: Fax Web
26 January 2026 at 10:54

Bujar Sefa, i njohur edhe me mbiemrin Xaka, është arrestuar në Dubai. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK nën akuzën e trafikut të drogës drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sefa i kishte shpëtuar më herët arrestimit nga policia gjatë një operacioni në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak. Bëhet me dije se Sefa është një emër i njohur për autoritetet italiane, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.

Nga dosja hetimore rezulton se Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, kishte rol drejtues në një grup kriminal që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. Nga përgjimet e kryera, mësohet se ai kujdesej për punëtorët e angazhuar në parcelat e kanabisit.

NJOFTIMI I POLICISE
Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë, kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 39-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit:

-B. S. alias B. X., 39 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë.

Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.

Malaj: Bizneset të aplikojnë për statusin OEA për procedura më të thjeshtuara doganore

By: Fax Web
26 January 2026 at 10:30

Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë pune në dy kompani shqiptare, të cilat kanë përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, kompaninë “Everest” dhe “Albaelettrica”.

Gjatë vizitës, ministri Malaj u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive dhe me përfitimet që ka sjellë statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar për to. Kompania Everest ushtron aktivitetin e saj ekonomik prodhues dhe eksportues në sektorin e profileve të duraluminit dhe industrisë së automotivës, ka rreth 530 punonjës dhe operon në të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga përpunimi i aluminit deri te produktet e gatshme për tregun vendas dhe eksport. Rreth 60–65% e prodhimit të saj eksportohet në tregje si Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vendet e rajonit.Administratori i kompanisë “Everest” vlerësoi përfitimet që statusi OEA i ka sjellë biznesit, duke theksuar thjeshtimin e procedurave doganore, reduktimin e kontrolleve, përshpejtimin e transportit dhe kursimin e kohës, element kyç për rritjen e eficiencës dhe konkurrueshmërisë.

Vizita vijoi në kompaninë “Albaelettrica”, një tjetër subjekt përfitues i statusit Operator Ekonomik i Autorizuar, e specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre. Edhe përfaqësuesit e kësaj kompanie theksuan se certifikimi OEA ka sjellë lehtësira të ndjeshme në procedurat doganore, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove dhe përmirësimin e performancës operacionale.

Nga ana e tij, ministri i Financave vlerësoi lehtësitë që sjell statusi iOperatorit Ekonomik të Autorizuar dhe i bëri thirrje të gjithë bizneseve që të aplikojnë për të përfituar këtë status.

“Jemi sot këtu për t’i bërë thirrje të gjithë bizneseve nëpër Shqipëri, të cilët kanë një aktivitet që i lidh me importin dhe eksportin në drejtorinë e Doganave, që të shohin mundësinë për të marrë certifikimin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, sepse ju jep procedura doganore më të thjeshtuara, më pak kontrolle nëpër doganë por, edhe në ato raste kur ka kontrolle, subjektet të cilët kanë këtë certifikim kanë një prioritet përsa i përket procesimit të procedurave doganore”, u shpreh  Malaj.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Doganave vuri në dukje se statusi OEA bazohet në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet administratës doganore dhe bizneseve korrektë. Ai theksoi se përfitimet përfshijnë, ndër të tjera, më pak kontrolle dokumentare dhe fizike, zhdoganim lokal në ambientet e subjektit dhe kursim të ndjeshëm të kohës dhe kostove.

Gjatë vizitës, Malaj përfitoi nga rasti për të informuar se aktualisht Shqipëria po punon intensivisht për përafrimin e Kodit Doganor me legjislacionin e Bashkimit Europian, proces që pritet të përfundojë brenda këtij viti.

“Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt përafrimit të të gjithë kuadrit të saj ligjor me direktivat e Bashkimit Europian. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është aktualisht duke punuar për të përafruar dhe për të harmonizuar të gjithë Kodin Doganor me kërkesat e direktivave të BE dhe brenda këtij viti ne do ta përfundojmë të gjithë këtë proces. Kodi Doganor shqiptar do të jetë njësoj si Kodi Doganor që aplikohet në Bashkimin Europian. Prandaj, këto fasilitete të cilat ju tashmë i keni përfituar duhet t’i përfitojnë edhe operatorët e tjerë, në mënyrë që të jenë edhe ata më efikasë dhe më konkurrues në tregun ku do të aderojmë shumë shpejt”, tha ministri i Financave.

Operatori Ekonomik i Autorizuar (OEA) është një status që u jepet operatorëve ekonomikë të besueshëm, të cilët përfitojnë nga thjeshtime dhe lehtësira doganore, si dhe nga një trajtim më i favorshëm nga administrata doganore. Deri më tani, këtë status e kanëpërfituar 18 kompani, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm në treg.Për të përfituar statusin OEA, operatorët duhet të plotësojnë kritere të caktuara, si: respektimi i legjislacionit doganor dhe tatimor, kapacitet i mirë financiar, sisteme të përshtatshme menaxhimi dhe, për OEA-S, standarde të larta sigurie dhe mbrojtjeje të zinxhirit tregtar.Përfitimet e statusit të OEA-ve jepen në varësi të llojit të autorizimit, si: një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet; një akses i thjeshtuar apo ekskluziv në disa thjeshtime doganore; si dhe marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

“500 milionë euro për AKSHI-n, shërbimet nuk funksionojnë”, Tabaku: Problemet, pasojë e korrupsionit dhe tenderave të paracaktuar

By: Fax Web
26 January 2026 at 09:53

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin mbi atë që e cilëson si një dështim të rëndë të politikave të digjitalizimit nga qeveria, duke theksuar se shpenzimet rekord nuk janë reflektuar në shërbime funksionale për qytetarët.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vetëm brenda një viti buxheti i AKSHI-t është rritur me rreth 500 milionë euro, ndërkohë që administrata publike ka arritur në 184 mijë punonjës, rreth 20 mijë më shumë krahasuar me katër vite më parë. Sipas saj, kjo rritje justifikohet nga qeveria me digjitalizimin dhe përmirësimin e shërbimeve, por realiteti është krejt tjetër.

“Administrata publike dhe AKSHI sot përbëjnë pothuajse 18% të buxhetit të shtetit, por asnjë nga shërbimet digjitale nuk funksionon,” deklaron Tabaku, duke shtuar se problemet nuk janë rastësore, por pasojë e korrupsionit, tenderave të paracaktuar dhe shpenzimeve që kanë dalë jashtë kontrollit.

 

Deputetja demokrate nënvizon se qeveria ka humbur çdo sens prioriteti publik, duke e zëvendësuar reformën reale me shpërndarjen masive të prokurimeve. “Nuk është rastësi që sot flitet për një ‘qeveri të prokurimeve’ dhe një ‘qeveri të të pandehurve’,” thekson ajo, duke kërkuar transparencë, përgjegjshmëri dhe një rishikim të plotë të mënyrës se si menaxhohen fondet publike në sektorin e digjitalizimit.

Tabaku riafirmon se digjitalizimi duhet të jetë mjet për shërbime më të mira dhe më pak burokraci për qytetarët, jo një justifikim për rritje shpenzimesh dhe abuzime me paratë publike.

Aksident rrugor në aksin Librazhd-Elbasan, dy të plagosur

By: Fax Web
26 January 2026 at 09:48

Një aksident në aksin Librazhd-Elbasan ka ndodhur mëngjesin e së hënës, te Kthesa e Murrashit. Nga pamjet, shihet se automjeti është kthyer përmbys nga goditja e fortë.

Mësohet se janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar në spital. Si shkak i aksidentit dyshohet lagështira në rrugë.

Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Kishin përshtatur 3 ambiente për kultivimin e drogës, arrestohet 35-vjeçari

By: Fax Web
26 January 2026 at 09:16

Tre ambiente të përshtatura për kultivimin e lëndëve narkotike janë zbuluar në Malësi të Madhe. Në pranga është vënë një 35-vjeçar, në kërkim është shpallur një 36-vjeçar. Po ashtu të ndaluar janë edhe 4 punonjës të OSHEE-se, ndërsa një tjetër është vënë nën hetim.

35-vjeçari i arrestuar Kol Narkaj dhe personi tjetër i shpallur në kërkim akuzohen se kultivonin drogë në 3 ambiente ( një banesë dhe dy stalla) në fshatin Boriçi madh, nëpërmjet pajisjeve elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Punonjësit e OSHEE të ndaluar për shpërdorim detyre janë shtetasit Valentin Kuvendaj, Xhuljano Ceraj, Faik Muselaj, Fatmir Kajoshaj. Nën hetim u vu po ashtu edhe një tjetër punonjës i OSHEE.

Policia sekuestroi 771 bimë kanabis, 6 kg e 250 gr material bimor e dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar 3 ambiente (1 banesë dhe 2 stalla) në fshatin Boriç i Madh, të cilat ishin përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6 kg e 250 gr material bimorë e dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.”, njofton policia.

Yesterday — 25 January 2026FaxWeb

VIDEO/ Ekipi braktis fushën. Çfarë ndodhi në Teuta-Vora?

By: Fax Web
25 January 2026 at 15:47

Episodet e braktisjes së ndeshjes për disa minuta janë kthyer në modë në Superiore.

Pasi Tiranës, sot ishte radha e Vorës në javën e 21-të të Superiores.

Shkak u bë një penallti e akorduar nga gjyqtari Olsid Ferataj në favor të Teutës në minutën e 92-të.

Ferataj fillimisht sinjalizoi për pozicion jashtë loje, më pas ndryshoi vendimin duke dhënë penallti për Teutën.

Pas pesë minutave të mbushura me polemika ku nuk pati rishikim me VAR, lojtarët e Vorës vendosën të braktisin ndeshjen.

Më pas u kthyen dhe goli i Teutës erdhi rreth 10 minuta pas akordimit të penalltisë.

Teuta-Vora u mbyll në barazim 1 me 1.

Vrasja me çekiç e 57-vjeçarit, gruaja e viktimës rrëfen detajet tronditëse: Vdiq për të mbrojtur 3 të moshuar

By: Fax Web
25 January 2026 at 15:40

Reagon bashkëshortja e Petrit Ndout, 57-vjeçarit që u vra nga çekiç nga Andi Vokri.

Në një mesazh të shkruar, Gjystina Ndou tregon se si u vra i shoqi.

“Petrit Ndou humbi jetën e tij duke shpëtuar 3 persona të moshuar që ndodheshin në rrezik”, thotë ajo.

Sipas dëshmisë së gruas së viktimës, Petrit Ndou dhe Gjystina Ndou kanë qenë duke u kthyer nga një festë familjare në Bushnes gjatë natës rreth orës 00:00.

Duke u kthyer tek rruga e vendngjarjes, Petrit Ndou bashkë me Gjystinën Ndou ndalojnë automjetin pasi shohin 2 automjete të bllokuara nga një automjet (i autorit të dyshuar), duke u ulëritur dhe duke i goditur automjetet, për arsyen se s’mundeshin t’i hapnin rrugën për të ecur mbrapsht.

Njëkohësisht, Petrit Ndou identifikon automjetet pasi ishin të njohur dhe ishin së bashku tek mbrëmja, dhe zbret direkt për t’i ndihmuar dhe për t’i drejtuar automjetet për të hapur rrugën.

“Pasi zbret, shikon autorin e dyshuar duke i goditur pasagjeren e njërës makinë që ndodhej brenda, Nikoll Aliaj dhe Lula Aliaj. Aty ikin dhe i thonë agresorit: ‘Janë të moshuar, çfarë po bën, s’të vjen zor?’ dhe i mbyllin derën e pasagjeres për të mos e goditur. Aty, agresori Andi Vokrri i kthehet Petrit Ndout me ofendime dhe donte të vazhdonte dhunën ndaj tyre.

Petrit Ndou orienton Nikoll Aliaj dhe makinën pas tij, Mhill Cypi, për t’u tërhequr dhe për t’u futur në një kthesë që të vazhdonin dhe të shpëtonin nga ngjarja dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre. Në moment dhe ashtu ndodhi, i drejtoi dhe i la në vend të sigurt, ku ata qëndruan deri në fund të ngjarjes të pranishëm në automjetet e tyre.

Pas këtij momenti, dy persona të tjerë dalin nga automjeti i Andi Vokrrit për t’u konfrontuar me Petrit Ndou. Aty afrohet edhe Gjystina Ndou për t’i ndalur, duke u thënë të ndalojnë sherrin. Andi Vokrri vazhdonte sherrin, përsëri duke ikur dhe duke goditur makinën e Petrit Ndout, duke i marrë edhe çelësin e mjetit, njëkohësisht dhe duke shtyrë Gjystina Ndou.

Në ato momente, Gjystina Ndou me forcë dhe lutje i thotë Petrit Ndout të ikin për t’u fshehur diku aty afër, se ishin tre persona agresorë, sepse ata ikën në makinë për të marrë armë ose çfarëdo lloj mjeti për ta goditur. Ikën nga aty dhe fshihen për pak, njëkohësisht kanë njoftuar vëllezërit e Gjystinës Ndou dhe policinë për t’u ardhur në ndihmë, pasi ndodheshin afër rrugës, në shtëpi.

Petrit Ndou dhe Gjystina Ndou qëndrojnë disa minuta të fshehur dhe Petrit Ndou niset për të parë automjetin e tij me idenë se agresorët kanë ikur, duke i thënë Gjystina Ndou: ‘Të lutem, qëndro këtu, duhet të kenë ikur agresorët.’ Është nisur vetë, aty pas pak dal Gjystina Ndou për ta parë ku ndodhej. Në ato momente kanë arritur vëllezërit e Gjystinës.

Autorët, pasi kanë goditur Petrit Ndou, njëri nga autorët e krimit i është drejtuar drejt saj, ndërkohë që Gjystina Ndou po priste Petrit Ndou. Ka ardhur njeri nga agresorët me elektrik, duke e kërkuar Gjystina Ndou ku ndodhej, me shumë mundësi për ta eliminuar, por në ato momente kanë arritur vëllezërit e Gjystinës dhe ajo shikon agresorin dhe i thotë: ‘Ku është Petriti?’ Ai i thotë: ‘Është në tokë disa metra më tutje.’ Aty ndalojnë vëllezërit e Gjystinës dhe personi ikën.

Ndërkohë gjejnë në tokë Petrit Ndou të goditur pa ndjenja, pasi kishte humbur jetën. E kanë goditur në pabesi pas anësore në kokë me çekiçin që ndodhej pranë tij. Pas këtij momenti ka arritur edhe policia dhe është kapur në flagrancë Andi Vokrri”, thuhet në dëshminë e saj në polici./ TCH

Thirrje për kujdes! Greqia përgatitet për reshje të dendura shiu dhe stuhi

By: Fax Web
25 January 2026 at 14:47

Autoritetet në Greqinë fqinje kanë aktivizuar alarmin portokalli që paralajmëron për reshje të dendura shiu dhe erëra të fuqishme që pritet ta godasin vendin duke nisur nga mbrëmja e së dielës e të hënën, raportojnë mediat greke. 

Sipas meteorologëve, erëra të forta jugore do të fryjnë në Detin Jon të dielën dhe në Detin Egje të hënën, duke arritur deri në 8 ballë në disa zona.

Shirat dhe stuhitë do të prekin fillimisht Greqinë perëndimore, më pas zonat veriore e verilindore, ndërsa pasditen moti i keq do të zhvendoset drejt Kretës, ishujve të Egjeut lindor dhe zonës së Athinës.

E diela do të jetë pjesërisht me vranësira dhe reshje të shpërndara në disa zona lindore dhe verilindore. Në mëngjes pritet mjegull në brendësi të vendit, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 15 deri në 20 gradë Celsius.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe udhëtarëve të tregojnë kujdes, sidomos në zonat bregdetare, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për ndryshimet e motit.

Forma e shkëlqyer me Trabzonspor, Ernest Muçi zbulon “sekretin”

By: Fax Web
25 January 2026 at 14:32

Ernest Muçi po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Trabzonsporin, me sulmuesin e kombëtares shqiptare që po shfaqet në një formë të shkëlqyer me 10 gola dhe 3 asistet në 19 ndeshje.

Në një intervistë të dhënë për Trabzonspor Magazine, Muçi ka treguar sekretin e kësaj forme dhe bëhet fjalë pikërisht për trajnerin e skuadrës Fatih Tekke.

Ndiej qartë mbështetjen e trajnerit tonë Fatih dhe kjo më jep shumë besim. Falënderoj si trajnerin ashtu edhe klubin që më besuan, më zgjodhën dhe më mbështetën. Ky besim reflektohet drejtpërdrejt në fushë-tha Ernest Muçi-Jo çdo trajner u jep lojtarëve të tij këtë liri. Por trajneri ynë krijon hapësirë ​​veçanërisht për lojtarët sulmues që të përdorin kreativitetin e tyre. Kjo e bën lojtarin të ndihet shumë më mirë si psikologjikisht ashtu edhe në aspektin futbollistik. Bëhesh më i guximshëm dhe më produktiv në fushë”, thotë futbollisti shqiptar.

24-vjeçari shton se tashmë i është dhënë kjo mundësi të cilën ai po përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum.

“Të qenit këtu është një mundësi e rëndësishme për mua dhe po përpiqem ta shfrytëzoj sa më shumë. Duhet ta kthesh mbështetjen që të jep klubi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe unë po përpiqem ta bëj këtë”.

LEXO EDHETrabzonspor vendos për kartonin e Ernest Muçit

Partia e Lirisë kërkon Qeveri Teknike dhe zgjedhje të parakohshme, Blushi: Revolta dhe zemërata popullore në një stad të ri

By: Fax Web
25 January 2026 at 14:25

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar lidhur me protestën e 24 janarit duke e cilësuar atë si një revoltë popullore kundër asaj që ai e quan “narkoshteti i Ramës” dhe duke kërkuar lirimin e protestuesve, ndëshkimin e përgjegjësve për dhunën dhe krijimin e një Qeverie Teknike me zgjedhje të parakohshme.

Deklarata e Tedi Blushit:

Falenderim dhe mirënjohjen më të përzemërt për mijëra qytetarë të lirë, të ndershëm dhe patriotë, të cilët dje me guxim, kurajë dhe vendosmëri shprehën revoltën e zemëratën e tyre dhe tronditën nga themelet Narkoshtetin e Ramaduros, duke rikthyer fuqishëm shpresën për Liri, Demokraci, Shtet Ligjor dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

Protesta madhështore dhe paqësore e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria dëshmoi se shumica e popullit qëndron më e vendosur se kurrë përballë një pakice narko-mafioze, që u ka vjedhur jo vetëm pasuritë dhe shtetin, por edhe të ardhmen.

Me një ndjenjë të lartë patriotizmi dhe përgjegjësie qytetare, mijëra shqiptarë i treguan Edi Ramës dhe gjithë çetës së tij kleptokrate dhe mafioze se vendi i tyre është në burg dhe jo në zyrat e shtetit, duke shprehur qartë vullnetin se e vetmja zgjidhje urgjente politike dhe e domosdoshme është krijimi sa më parë i Qeverisë Teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Protesta, ishte edhe një leksion demokracie, për të mbrojtur me çdo çmim dhe sakrificë lirinë, dinjitetin dhe Atdheun e tyre nga Organizata Kriminale që ka marrë peng institucionet dhe që ka dorëzuar pronat, kadastrën, komisariatet, sigurinë kombëtare dhe çdo zyrë shteti në duart e Ergys Agasit, karteleve të drogës dhe mafias vendase e ndërkombëtare.

Terrori dhe dhuna e egër e pashembullt e narkopolicëve, rrëmbimet mafioze dhe arrestimet kriminale të qytetarëve paqësorë dhe të miturve, helmimi me lëndë toksike i popullit e sidomos i gazetarëve, me gaz të skaduar prej 3 vitesh, provuan panikun e thellë dhe të tmerrshëm ku është zhytyr Edi Rama, i cili bashkë me familjen u arratis dje nga Tirana për t’u trimëruar sot, por i pashpresë, me statuse në rrjetet sociale.

Partia e Lirisë dhe opozita paralajmëron Narkodrejtorin dhe çirakun e Ergys Agasit, Ilir Prodën, të gjithë Narkokomisarët dhe Narkopolicët, shërbëtorë të bindur të krimit, se do të mbajnë përgjegjësi personale për dhunën e egër të ushtruar dje ndaj protestuesve.

Narkopolicisë që i ikin me vrap nga burgjet killerat seriale, që nën hundën e të cilëve kryhen atentate mafioze edhe pranë institucioneve të sigurisë kombëtare, por që trimërohet para qytetarëve të thjeshtë e të pambrojtur, meriton të mbajë të gjithë zemërimin e ligjshëm të popullit më të varfër dhe më të shtypur të kontinentit.

Shumë shpejt, të gjithë narkokomisarët e narkopolicët do të japin llogari deri më një dhe një për një, për terrorin kriminal, në veçanti për aktet e dënueshme ligjërisht të dhunës ndaj të miturve, qytetarëve që nuk kishin lidhje me protestën, si edhe ndaj deputetëve, që në mënyrë të papranueshme për një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, u agresuan edhe brenda ambienteve të komisariateve.

Partia e Lirisë kërkon me vendosmëri lirimin e menjëhershëm të të gjithë protestuesve dhe qytetarëve, të cilët sot janë në komisaritetet dhe burgjet e regjimit, ku prej kohësh duhej të ishin Edi Rama, Belinda Balluku, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj dhe gjithë aradha e hajdutëve, kriminelëve dhe banditëve të Narkoshtetit, përgjegjës për aferat e përbindshme korruptive dhe mafioze.

Edi Rama dhe Ilir Proda, personalisht janë përgjegjës për dhunën dhe i paralajmërojmë se nuk do të amnistohen kurrë dhe se do të marrin të gjithë shpagimin e merituar për gjakun, dhunën dhe helmimin që shkaktuan dje.

U bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, të reagojnë fuqishëm për dënimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë, por edhe të gazetarëve, që u agresuan, u dhunuan barbarisht dhe u helmuan me lëndë kimike.

Revolta dhe zemërata popullore tani ka hyrë në një stad të ri dhe do të përshkallëzohet në të gjitha format, me protesta më të fuqishme dhe më madhështore, deri në shkërmoqjen përfundimtare, nën këmbët e sovranit, të këtij regjimi të kalbur narko-mafioz, që nuk meriton asnjë minutë më shumë të qëndrojë në pushtetin e siguruar nga zgjedhjet e vjedhura.

Misioni ynë kombëtar, a vdekje a liri, nuk do të ndalet deri në triumfin përfundimtar të lirisë, të demokracisë dhe shtetit ligjor.

LEXO EDHE: Protesta e opozitës/ 18 në pranga! Nën hetim edhe deputetë të PD, mes tyre Gazment Bardhi

I arrestuar për vjedhje dhe narkotikë/ Humb jetën i burgosuri rumun në Shkodër

By: Fax Web
25 January 2026 at 14:08

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Zëdhënësi i Kremlinit: E pamundur të diskutojmë me Kaia Kallas. Groenlanda? Forcat tona po e analizojnë nga afër

By: Fax Web
25 January 2026 at 14:05

Rusia nuk do të flasë kurrë me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaia Kallas, kështu që Moska thjesht do të presë që ajo të largohet nga posti i saj, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Si mund të flasësh për diçka me Kaia Kallas? Ne nuk do të flasim kurrë për asgjë me të, as amerikanët nuk do të flasin për asgjë me të, dhe kjo është e qartë. Çfarë mund të bëjmë? Thjesht duhet të presim derisa ajo të largohet” , i tha Peskov gazetarit të televizionit shtetëror rus, Pavel Zarubin, citojnë mediat ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kremlinit tha gjithashtu se forcat e armatosura ruse po monitorojnë nga afër planet e SHBA-së për mburojën mbrojtëse nga raketat Golden Dome, përfshirë edhe në lidhje me Groenlandën.

“Çfarë lloj kupole do të jetë? Çfarë kërcënimesh do të jetë projektuar për t’iu kundërvënë?

“Nuk kam dyshim se forcat tona të armatosura do t’i monitorojnë dhe analizojnë nga afër këto plane”, tha Peskov.

EMRI/ Baste nga celulari, arrestohet 32-vjeçari në Lezhë

By: Fax Web
25 January 2026 at 13:57

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Kontrolli”, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, duke konstatuar raste të zhvillimit të basteve sportive përmes aparateve celularë, në disa ambiente në qytetin e Lezhës.

Gjatë veprimeve operative, në një ambient (lokal), u konstatuan dy shtetas duke ushtruar këtë veprimtari të paligjshme.

Në vijim, u arrestua në flagrancë shtetasi Simon Bibaj, 32 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa shtetasi L. R., 31 vjeç, banues në Lezhë, u procedua penalisht.

Nga kontrollet e ushtruara u sekuestruan 2 aparate celularë, të cilët përdoreshin për zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit, në cilësinë e provës materiale.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Disa konkluzione nga protesta

By: Fax Web
25 January 2026 at 13:52

Nga Ylli Manjani –

1. Kuptuam se PD po rikthehet tek sjellja e dhunshme e post zgjedhjeve të 2001. Protestat me molotov dhe me grupe të rekrutuarish të dhunshëm, në atë kohë u përdorën rregullisht. Atë model risollën në skenë edhe mbrëmë…
2. Kuptuam se PD preferon më mirë të shpenzojë para për molotovë për të djegur njerëz, sesa të paguajë qiratë e dritat e zyrave të saj në rrethe për të mbledhur njerëz. Nuk po llogaris këtu ato milionat e dollarëve për Lacivitën dhe lobbistët, të cilat shkojnë për të dëmtuar qeverinë, jo për të fituar PD. Madje as vetë Berisha. Me ato para do kishte patur rezultat më të mirë elektoral këtu.
Po nesje, hesap për ta ky. Por nuk është se janë të varfër dhe po përfaqësojnë të varfërit në këtë vend…
3. Ja pra që Imuniteti i deputetëve paska kuptim. Deputetët e PD që u bënë gardh për të penguar policinë të bënte detyrën, si dhe ata që dhunuan Komisariatin e policisë e bënë se janë me imunitet. Po ta bënte dikush tjetër sot do ishte brenda nën akuzë për kundërshtim me dhunë të forcave të policisë.
Sigurisht ata nuk janë imun nga ndjekja penale, por sot janë gdhirë në shtëpitë e tyre në vend të gdhiheshin në paraburgim.
Imunitet të rrufsha pallën dmth.
Ai që nuk e ka imunitetin iku me makinë dhe u mbyll në zyrë… Edhe kur u sulmua kryeministria në 1998, ashtu bëri…
4. Policia pastroi magazinën nga gazi i vjetër lotsjellës. Ai gaz i hershëm nuk ka patur rast për t’u përdorur, ndaj dje ishte rasti. Rrisku ishte që të shkonte noi polic për ndjekje penale për mos përdorim gazi. Kështu që meqë doli rasti dje e përdorën. Gazi (Bardhi) dhe të tijtë duhet të shpresojnë për “mot më mirë”…😀 Dmth protestën tjetër me molotov të kenë gaz të freskët, të sigurtë, brenda afatit të skadencës dhe me parametra ISO të BE-së. 😀
5. Gabim shoqërimi i fëmijës 10 vjeçar. Duhet të shoqërohen, ndalohen dhe proçedohen prindërit e tij, që lejojnë fëmijën e tyre të “kullosë” në vende të rrezikshme për një fëmijë. E drejta prindërore është e shenjtë, po kur abuzon me të shteti duhet ta heqë.
6. Sado të krenohet PD e Berishës, madje megjithë dhunën që përpiqet të shfaqet, prap nuk e arrin pjesmarrjen në protestat e PD së Lulit dhe LSI së Monikës. Dhe protestat e Lulit me thënë të drejtën ishin ditën për diell, jo natën me drita celularësh e me regji.
Ai megjithatë pjesmarrje në shesh dhe prap humbi zgjedhjet….
7. Kjo ishte një protestë e një partie politike kundër një tjetre dhe jo një protestë popullore kundër qeverisë. Jo se protestat e partive janë të palejuara, por duhet bërë dallimi. Tjetër përdorimi i dhunës nga populli i irrituar me qeverinë e tjetër është dhuna partiake se s’fiton dot zgjedhje.
8. Raportimet që agjensitë e huaja (me gazetarë shqiptarë) i bëjnë protestës me molotov, nuk janë avantazh për opozitën por i japin legjitimitet qeverisë. Të gjithë ata andej që shohin ato pamje thonë që “qeveria e paska një oponencë, pra qenka demokratikisht legjitime”.
PD mendon se dynjaja mban me vete me raportet imagjinare të ODIHR apo të DASH…. 😀
9. Nuk besoj se dikush sot, mban mend se çfarë u tha në atë protestë dhe kundër kujt e kishin atë reagim molotovi?! E kishin me Ramën, me Belindën, Me Mirlindën, me Nikon, me Gysin, me Altin Troplinin, me Prodën, me policët e turnit apo thjesht me veten, dmth për inat të Salianjit, Tikut, Gonit, Arlindit?! E kishin pro apo kundër Trumpit/Sorosit?!
10. Nejse, por një gjë e dimë mirë nga gjithë historia e protestave të molotovit:
do vijojë të rrudhet përdoruesi tij, molotovit pra.

“Ishte protesta e ndërgjegjes”/ Berisha: Dje qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës

By: Fax Web
25 January 2026 at 14:10

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp nga selia blu, një ditë pas protestës në Tiranë, deklaroi se,”dje qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës”.

“Kjo ishte protesta e ndërgjegjes”, tha ndër të tjera Berisha.

LEXO EDHE: “Risia e protestës”, Berisha: Të rinjtë, ata që do e përmbysin këtë organizatë kriminale

Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje për tre orë kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin, sheshet e saj.

Në një protestë të fuqishme qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria u përballën me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë me fallangat e krimit të narkoregjimit Edi Ramës.

Nderim të madh të gjithë atyre qytetarëve djemve, vajzave, burrave dhe grave, të moshuar, që nga Tirana dhe mbarë Shqipëria protestuan në mënyrën më të vendosur kundër rilindjes kalbësirë, kundër organizatës kriminale të Edi Ramës.

Protesta e tyre nuk kishte lidhje me ndërtesat, as dhe institucionet kushtetuese. Protesta, revolta, zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe që zjen sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë, ka lidhje vetëm me Ramaduron, vjedhjet e tij qindra milionëshe e miliarda euro, lidhjet e tij me krimin e organizuar, kartelët e drogës.

Lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, ajo e AKSHIT dhe e Surrelit, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë.

Dje regjimi u trondit nga themelet. Dje qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës. U bënë zëri i ndërgjegjes se njerëzve të ndershëm, të cilët nuk pajtohen kurrë me një qeveri me lidhje të tmerrshme me drogën dhe krimin.

Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që nuk del nga vullneti i tyre, por nga farsa elektorale. Nuk pajtohen kurrë me një qeveri që vjedh 97% të taksave të tyre dhe të çmendurisht të gjitha pasuritë publike.

Dje ata ishin pra vetë ndërgjegja e kombit në betejë. Ata u përcollën mesazh çdo shqiptari se nuk po luftojmë për veten tonë, se nuk po luftojmë për Sali Berishën, se nuk po luftojmë për Partinë Demokratike, as dhe parti të tjera, se po luftojmë për ndërgjegjen e njeriut, për dinjitetin njerëzor, për interesin kombëtar.

Po luftojmë dhe për ju që po na ndiqni në televizione, po luftojmë dhe për ju që mund të mos u pëlqejë protesta. Në fakt, po luftojmë dhe do luftojmë për çdo shqiptar. Kjo është veçantia e kësaj proteste.

Kjo është protesta e ndërgjegjes dhe nuk ka asgjë më të fuqishme, nuk ka asgjë më të pathyeshme, nuk ka asgjë më të pamposhtur se sa ajo që buron nga ndërgjegja e njeriut”, tha ndër të tjera Berisha në fjalën e tij.

LEXO EDHEProtesta e opozitës/ 18 në pranga! Nën hetim edhe deputetë të PD, mes tyre Gazment Bardhi

❌
❌