Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025FaxWeb

Zyrat e IdentiTek do të jenë të hapura ditën e premte, 26 dhjetor, në 12 qarqet kryesore të vendit

By: Fax Web
25 December 2025 at 12:07

IdentiTek njofton se ditën e premte, zyrat e aplikimit për dokumente identifikimi do të jenë të hapura dhe në shërbim të qytetarëve nga ora 09:00 deri në 12:00, në 12 qarqet.

Shërbimi do të ofrohet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, Dibër, Berat, Kukës dhe Gjirokastër.

Në qytetin e Tiranës, qytetarët do të mund të marrin shërbim pranë:

IdentiTek – Njësia 2
IdentiTek – Njësia 4

Në çdo zyrë, që do të jetë e hapur gjatë këtij orari, qytetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet, pavarësisht gjendjes civile.

Ky orar shërbimi është vendosur për të lehtësuar fluksin gjatë festave të fundvitit dhe për t’iu përgjigjur nevojave të shtetasve, që vijnë nga jashtë vendit për një periudhë të shkurtër qëndrimi në Shqipëri, duke u ofruar akses më të shpejtë në shërbimet e identifikimit.

Festa e Krishtlindjes, Ministria e Shëndetësisë dhe deputetë të Kuvendit dërgojnë dhurata në Shtëpinë e Foshnjës

By: Fax Web
25 December 2025 at 12:04

Në Shtëpinë e Foshnjës “Hannah dhe Rozafa”, ku Krishtlindja festohet me buzëqeshje, përqafime dhe momente gëzimi për 138 fëmijët pa kujdes prindëror në institucionet sociale- përmes nismës së MSHMS “Një dëshirë, një arsye për të buzëqeshur”, mbështetur nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga i burgosur politik në armik të demokratëve, metamorfoza e Ervin Salianjit sipas Sali Berishës

By: Fax Web
25 December 2025 at 12:00

Ky ndryshim i kursit nuk është as i rastësishëm dhe as i pari në historinë e PD. Ai është pjesë e një modeli të njohur të sjelljes së Sali Berishës ndaj figurave brenda PD-së që guxojnë t’i dalin kundër.

Në politikën shqiptare, memoria shpesh është selektive dhe e shkurtër. Por rrallëherë kontradiktat kanë qenë kaq të dukshme, kaq të dokumentuara dhe kaq të papërgënjeshtrueshme sa në rastin e Ervin Salianjit dhe mënyrës se si Sali Berisha e ka ripërkufizuar figurën e tij brenda vetëm një viti.

Në shtator të vitit 2024, pak ditë pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me një vit burg për ish-deputetin Ervin Salianji për veprën penale të kallëzimit të rremë, Berisha e shpalli atë publikisht simbol të represionit politik.

“Një përshëndetje të përzemërt t’i dërgojmë ne deputetit, Ervin Salianjit. Që është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën. Ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë”, shkruante Berisha.

Në atë kohë, Salianji nuk ishte thjesht një ish-deputet i dënuar. Ai ishte, sipas Berishës, i burgosuri politik i vetëm në Europë, një dëshmi e gjallë e hakmarrjes së qeverisë ndaj opozitës dhe e vazhdimësisë së një regjimi që, sipas tij, trashëgonte dhunën e diktaturës.

Narrativa u thellua edhe më tej në një tjetër reagim publik të Berishës, ku dënimi i Salianjit u cilësua si sulm frontal ndaj gjithë opozitës.

“Goditja me proces politik e Ervin Salianjit është një akt i shëmtuar, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Është një kushtrim për çdo opozitar, që konsideron krimin, konsideron drogën si rrezik madhor për qenien e tij, ekzistencën e tij. Kjo goditje, në serinë e goditjeve të opozitës, të arrestimeve dhe burgosjeve politike, është një kushtrim, është një apel për të gjithë opozitën, të ngrihet në këmbë o sot o kurrë”.

Salianji ishte kthyer në kauzë. Në flamur. Në provë se opozita po persekutohej dhe se kushdo që guxonte të denonconte krimin, përfundonte pas hekurave.

Por mjaftoi vetëm një vit kalendarik që e njëjta figurë politike të përjetojë një transformim brutal në diskursin e të njëjtit lider.

Sot, Ervin Salianji shpallet nga Sali Berisha jo më si i burgosur politik, por si armik i demokratëve dhe bashkëpunëtor i krimit të organizuar.

“Që një anëtar i korruptuar i Kryesisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar, organizoi me Suel Çelën, kriminelin më të rrezikshëm të Elbasanit, kreun e njërit prej karteleve më të fuqishme në Europë, takim, kjo është absolitisht e papranueshme dhe kurrë nuk mund të kalojë. Në këtë kontekst, ai që ndërmerr një veprim të tillë, ai tejkalon vijën e kuqe dhe ai është përgjegjës për veten e tij. Për sa i përketë takimit që thoni ju, kemi pasur informacione jo një por disa të cilat pohojnë që Suel Çela ka qenë organizator në hijet kryesore të këtij takimi”. – thotë kryetari Sali Berisha për atë që një vit më parë ishte simboli i rezistencës opozitare.

Kështu nga simbol i rezistencës ndaj krimit, Salianji u shndërrua në bashkëpunëtor të tij. Nga viktimë e regjimit, në rrezik për Partinë Demokratike.

Ky ndryshim i kursit nuk është as i rastësishëm dhe as i pari në historinë e PD. Ai është pjesë e një modeli të njohur të sjelljes së Sali Berishës ndaj figurave brenda PD-së që guxojnë t’i dalin kundër. Mjaftuan vetëm disa takime të ish-deputetit me demokratët e bazës, ku u kërkua përgjegjësi për humbjen e 11 majit dhe ndryshime në lidershipin e partisë, që arsenali i plotë i akuzave të vihej në funksion.

Në këtë kontekst, përjashtimi politik shoqërohet gjithmonë me demonizim moral.

Megjithatë, ajo që bie realisht në sy nuk janë veprimet e zakonshme ndëshkuese ndaj “armiqve të brendshëm”, por paradoksi i hapur publik. I njëjti njeri, me të njëjtën histori dhe të njëjtën çështje penale, përshkruhet brenda një viti si hero dhe si tradhtar, si i burgosur politik dhe si ortak i karteleve.

Tashmë ka pak rëndësi ç’mendojnë demokratët për Ervin Salianjin. Ata që aderojnë zyrtarisht në PD vështirë se do kenë mundësi të votojnë më për ish simbolin e rezistencën ndaj regjimit. Së bashku me të tjerë, Sali Berisha e ka flakur Salianjin në koshin e armiqve të brendshëm të PD. Dhe kjo ndodh në kohën kur çdo element opozitar, parti apo lëvizje qoftë duhet të bashkohet në një front të vetëm për t’u përballur me nje qeveri të sakatuar nga skandalet dhe telendisur nga llumi që e ka pushtuar në 13 vite qeverisje

Gëzuar Krishtlindjen! Besimtarët lutje e mesazhe në meshë! Kryepeshkopi Joan: Bota ka nevojë për dritën e Krishtit! Dodaj: Ecim me shpresë përballë çdo zhgënjimi

By: Fax Web
25 December 2025 at 11:12

Besimtarët e krishterë festojnë sot Lindjen e Krishtit, një nga ngjarjet më të mëdha të kësaj feje, që shënon zbritjen e Perëndisë në tokë, për të shpëtuar njerëzimin. Katolikët dhe Ortodoksët në Tiranë morën pjesë në ceremonitë kishtare. Festime në të gjithë vendin. 

    • Kryepeshkopi Joan: Mishërimi është dhurata më e madhe që mund t’i jepet njerëzimit
    • Festa e Krishtlindjes, Begaj: Le të jetë kjo ditë burim paqeje dhe gëzimi! Rama: Gëzuar
    • Spektakël fishekzjarrësh, si u kremtua Lindja e Krishtit në Shkodër
  • Mesha e parë e Krishtlindjeve e Papa Leone XIV: Një ekonomi e shtrembëruar i trajton njerëzit si mallra

Besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë lindjen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin fetar. Qindra besimtarë katolikë e pritën Lindjen e Krishtit në Katedralen ‘Shën Pali’ në Tiranë meshën e mbajtur nga imzot Arjan Dodaj. Duke iu bashkuar lutjeve të besimtarëve, Imzot Dodaj u tha se të gjithë duhet “të ecim me shpresë e gëzim përballë çdo zhgënjimi njerëzor”.

“Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon vetë, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sikurse kemi shtegtuar në këtë vit jubilear të shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari. Jezusi mbetet për ne gjithmonë Zoti ynë, por edhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate, që sapo kemi dëgjuar, na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht premtimi i një përkujtimi të një ngjarjeje të kaluar. Sot shumë njerëz përjetojnë errësirën, siç dëgjojmë dhe shohim në luftë”, tha Imzot Arjan Dodaj gjatë predikimit.

Me masë sigurie për mbajtje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake, arrestohet një 25-vjeçar

By: Fax Web
25 December 2025 at 10:57

Policia e Shkodrës ka zhvilluar një operacion për kapjen e personave në kërkim. Në pranga është vënë një 25-vjeçar si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

25-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit”, thotë policia.

Ndërkohë vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale të këtyre dy shtetasve.

Plagoset me thikë pronari i një agjencie udhëtimesh në Kavajë

By: Fax Web
25 December 2025 at 10:55

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme, 25 dhjetor, në lagjen nr. 2 të Kavajës.

Burime bëjnë me dije se shtetasi Artur Ligeja, pronar i një agjencie udhëtimesh dhe disa bizneseve të tjera, është plagosur me thikë.

Mësohet se autori i ngjarjes është ndaluar, ndërsa dyshohet se ai është një person me probleme të shëndetit mendor.

Ai raportohet se ka hyrë në një nga bizneset e Artur Ligejas, dhe nuk ka pranuar të dalë jashtë.

Policia ka marrë në pyetje edhe personin e plagosur, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet janë në vendngjarje dhe po punojnë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e incidentit.

Besimtarët ortodoksë në meshën e Krishtlindjes, Kryepeshkop Joani: Festa vjen si rreze shprese e paqeje

By: Fax Web
25 December 2025 at 10:52

Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua mëngjesin e kësaj të enjteje të 25 dhjetorit, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit.

Mesha e Shenjtë e Krishtlindjeve u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.

Besimtarët e shumtë që mbushën Katedralen, morën mesazhe shprese në ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Në urimin e tij, Kryepeshkop Joani tha se “ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”.

“Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore, për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë”, u shpreh ai.

“Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje”, vijoi Kryepeshkopi.

Kryepeshkop Joani theksoi se tani më shumë se kurrë bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

“Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë”, tha ai.

Kryepeshkopi shtoi se “për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore”.

“Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi”, përfundoi ai.

Politika uron Krishtlindjen

By: Fax Web
25 December 2025 at 09:57

Urime me rastin e festës së Krishtlindjes ka patur edhe nga radhët e politikës.

Presidenti Bajram Begaj, nëpërmjet një postimi në X, uroi që kjo festë të sjellë shpresë e begati për të gjithë besimtarët e krishterë.

Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”, shkroi ai.

Edhe Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Ai postoi në rrjetet sociale një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës së Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

Dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Rama.

Nuk ka munguar urimi as nga lideri i Opozitës, Sali Berisha.

Gëzuar Krishtlindjet!

Të dashur miq, sonte është nata e lindjes së Hyjit, Krishtit Mbret, nata më magjepse për të gjithë besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe mbarë botën. Prandaj le të urojmë ne së bashku përzemërsisht miqtë tanë të krishterë kudo që janë: Gëzuar Krishtlindjet, magjia e kësaj nate le të shndërrohet në mirësi, gëzime, shpresë, besim e forcë për çdo njerin prej jush, për të gjithë besimtarët e Zotit, për mbarë shqiptarët. Krishti Mbret ju bekoftë! Gëzuar“, shkruan Berisha.

Krishtlindja, festa që shënon lindjen e Jezusit, mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të krishtërimit, duke kujtuar zbritjen e Perëndisë në tokë për shpëtimin e njerëzimit dhe duke sjellë dritë e shpresë në çdo familje.

Besimtaret e krishtere festojne Krishtlindjen

By: Fax Web
25 December 2025 at 07:23

Krishtlindja është një nga kremtimet më të rëndësishme për miliona besimtarë në të gjithë botën, të cilët kanë Jezu Krishtin në qendër të besimit të tyre fetar.

Për të krishterët, 25 dhjetori shënon ngjarjen në të cilën Zoti u bë njeri, i lindur si një foshnjë e pafuqishme në një stallë për bagëti. Mishërimi i Zotit është një moment kyç në historinë e shpëtimit dhe kuptohet si fillimi i një akti dashurie hyjnore për njerëzimin që kulmon me vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit në Pashkë. Lindja e Krishtit zbulon paradoksin e madhështisë hyjnore të shprehur përmes një foshnjeje të brishtë dhe varfërisë njerëzore.

Historia e Krishtlindjeve është e mbushur me mrekulli dhe kontraste simbolike: një virgjëreshë shtatzënë, barinjtë që lajmërohen nga engjëjt dhe një foshnjë të cilës i dhurojnë pasuri tre mbretër.

Teologjikisht, këto ngjarje e identifikojnë Jezusin si Mesinë e profetizuar dhe të shumëpritur që do të sjellë shpëtimin shpirtëror. Si një përmbushje e tillë e profecisë së Dhiatës së Vjetër, Jezusi quhet edhe Emanuel në Mateu 1:23, që do të thotë “Zoti është me ne”, një emër që shpreh besimin e krishterë se Zoti hyri fizikisht në historinë njerëzore. Keshtu, sezoni i Krishtlindjes është i mbushur me shpresë dhe gëzim për të krishterët që besojnë në një Zot të dashur dhe të pranishëm.

Që nga fillimi i shekullit të 20-të, Krishtlindja u transformua gjithashtu në një festë laike familjare, e respektuar edhe prej jo-të krishterëve e karakterizuar nga një shkëmbim dhuratash. Pjesë e kësaj feste u bë edhe një figurë mitike e quajtur Babagjyshi i Krishtlindjes. Periudha festive nis me Adventin deri në Epifani dhe është një sezon i pasur me tradita të panumërta fetare dhe laike që bashkojnë familjen, besimin dhe kulturën, duke theksuar temat e shpresës, gëzimit, bujarisë dhe vullnetit të mirë.

Nga kthimi i bujshëm i Trump te…/ AFP publikon 10 ngjarjet më të rëndësishme të vitit

By: Fax Web
25 December 2025 at 09:50

Nga kthimi i bujshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ekuilibrat e brishtë në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, te kryengritjet sociale të Gjeneratës Z, investimet kolosale në inteligjencën artificiale dhe fenomenet ekstreme të motit që thyen rekorde, AFP ka publikuar listën me dhjetë ngjarje që shënuan vitin 2025 dhe formësuan skenën ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah një epokë pasigurie të fortë dhe ndryshimesh të thella.

Kthimi i bujshëm i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë

Sulme proteksioniste, deportime masive të emigrantëve të paligjshëm, çmontim i pjesëve të tëra të qeverisë federale…

Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar për një mandat të dytë, republikani Donald Trump ka nisur një breshëri masash sipas doktrinës së tij “Amerika e Para”, duke përdorur gjerësisht urdhra ekzekutivë, megjithëse gjykatat kanë bllokuar disa nga vendimet e tij.

Armëpushimi i brishtë në Gaza

Presioni amerikan çoi në një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, dy vjet pas fillimit të luftës shkatërruese në Rripin e Gazës, e cila shpërtheu pasi lëvizja islamiste palestineze Hamas nisi një sulm në territorin izraelit më 7 tetor 2023.

Armëpushimi ka lejuar një tërheqje të pjesshme të trupave izraelite nga Rripi i Gazës, shkëmbimin e pengjeve të fundit të mbajtura gjallë në Gaza me palestinezët e burgosur në Izrael dhe rritjen e ndihmës humanitare për Gazën, megjithëse kjo ndihmë është ende dukshëm më e ulët se ajo që nevojitet, sipas OKB-së dhe organizatave joqeveritare.

Përpjekjet për paqe në Ukrainë

Kthimi i Donald Trump në pushtet shënoi përpjekjet e para serioze për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, i cili filloi në shkurt të 2022-it.

Lëvdatat dhe fajësimet e presidentit amerikan janë luhatur midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Në shkurt, Donald Trump sulmoi ashpër presidentin ukrainas para kamerave në Zyrën Ovale, duke e akuzuar atë për mosmirënjohje ndaj Shteteve të Bashkuara.

Bisedimet e drejtpërdrejta midis rusëve dhe ukrainasve në Stamboll dhe një samit pasues midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska nuk kanë rezultuar në ndonjë përparim konkret drejt paqes dhe Uashingtoni njoftoi sanksione kundër sektorit rus të naftës në tetor.

Negociatat ndërkombëtare u mbajtën në fund të nëntorit në bazë të një drafti amerikan, versioni fillestar i të cilit u konsiderua nga Kievi dhe aleatët e tij europianë si shumë i favorshëm për Moskën. Pas një raundi të ri bisedimesh me të dërguarit e Trump në dhjetor, Ukraina deklaroi se ishte bërë “përparim”, megjithëse çështja e territoreve ukrainase të kontrolluara nga Rusia mbetet e bllokuar.

Lufta globale tregtare

Duke përmendur praktikat tregtare që ishin të pafavorshme për vendin e tij, Donald Trump njoftoi një sërë tarifash shtesë për produktet e importuara në Shtetet e Bashkuara, të cilat varionin sipas vendeve ose rajoneve të origjinës. Ai gjithashtu vendosi tarifa specifike për sektorët që konsiderohen strategjikë (çeliku, alumini ose bakri).

Ndërsa vendet e synuara shqyrtonin ose zbatonin hakmarrje tregtare, filluan negociata të ashpra, duke rezultuar në marrëveshje të shumta, të tilla si me Bashkimin Europian ose në fund të tetorit, me Kinën, duke shënuar fillimin e një armëpushimi në një konflikt që kishte tronditur ekonominë globale.

Megjithatë, negociatat dypalëshe u pezulluan me Kanadanë, pas një reklame që presidentit amerikan iu duk ofenduese.

I presionuar për të ulur koston e jetesës për amerikanët, Donald Trump pranoi në mesin e nëntorit të anulonte tarifat doganore për ushqime të caktuara, të tilla si kafeja dhe mishi i viçit që importohen.

Një papë i ri, Leoni XIV

Robert Francis Prevost u bë papa i parë amerikan më 8 maj, në moshën 69-vjeçare, pas vdekjes së paraardhësit të tij, Francis, të cilit ai i shërbente si këshilltar. Tymi i bardhë që njoftonte zgjedhjen e kreut të 267-të të Kishës Katolike u ngrit mbi Kapelën Sistine pas një konklave të shkurtër të kardinalëve që zgjati më pak se 24 orë.

I qeshur dhe diskret, Prevost, i lindur në Çikago dhe një nga kardinalët e moderuar, mori emrin Leoni XIV. Papa i ri, i cili kaloi pothuajse 20 vjet si misionar në Peru, vazhdon punën e paraardhësit të tij me veprime shoqërore në favor të të varfërve, emigrantëve dhe ekologjisë.

Në të njëjtën kohë, ai i qetësoi qarqet konservatore duke lejuar përsëri një shërbim tradicional në Vatikan pas tre vitesh kufizimesh. Ai përjashtoi në afat të shkurtër shugurimin e grave si dhjake ose njohjen e martesës së personave të të njëjtit seks.

Rebelimet e Gjeneratës Z

Në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, të rinjtë e Gjeneratës Z kanë shumëfishuar mobilizimet e tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe kundër bllokimit të mediave sociale ose korrupsionit të elitave.

Ata marshuan në Peru kundër pasigurisë në rritje dhe rendit të politikanëve ose në Marok, ku autoritetet nisën përpjekje në sektorët socialë, si dhe ndjekjen penale të më shumë se 2,000 personave.

Në vende të tjera, demonstratat, të cilat u shtypën me dhunë, u zhvilluan në një sfidë më të gjerë ndaj pushtetit, pas trazirave në Nepal, kryeministri maoist K. P. Sharma Oli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të jepte dorëheqjen. Në Madagaskar, mobilizimi çoi në përmbysjen nga ushtria të Presidentit Andry Rajoelina, i cili iku jashtë vendit.

Investime kolosale në inteligjencën artificiale

Gjigantët e teknologjisë dhe startup-et e specializuara po shpenzojnë shuma gjithnjë e më kolosale për të financuar zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Sipas firmës amerikane të kërkimit dhe konsulencës Gartner, shpenzimet globale për inteligjencën artificiale pritet të arrijnë rreth 1.5 trilion dollarë deri në vitin 2025 (+50% në një vit) dhe të kalojnë 2 trilion dollarë vitin e ardhshëm.

Vjedhja spektakolare në Luvër

Më 19 tetor, hajdutët me jelekë punëtorësh hynë në muzeun e famshëm të Luvrit në Paris në mes të ditës, duke përdorur një ashensor që përdoret normalisht për lëvizje, pasi thyen një xham. Pastaj ata hynë me forcë në vitrina dhe vodhën xhevahire mbretërore, me vlerë rreth 88 milionë euro, të gjitha në një kohëzgjatje prej tetë minutash. Ndërsa ata ikën me një skuter, ata humbën kurorën e Perandoreshës Eugenie (gruaja e Napoleonit III), e cila u gjet e dëmtuar.

Kjo vjedhje spektakolare në Luvër u komentua në të gjithë botën dhe nxori në dritë mangësitë e sigurisë së muzeut më të famshëm në botë.

U ngritën akuza kundër katër burrave të dyshuar si pjesë e grupit të vjedhjeve, por xhevahiret nuk janë gjetur ende.

Sulmet amerikane në Karaibe dhe Paqësor

Uashingtoni ka vendosur një forcë të konsiderueshme ushtarake në brigjet e Venezuelës që nga gushti, me sa duket për të luftuar trafikun e drogës me destinacion Shtetet e Bashkuara.

Një seri sulmesh në javët e fundit në Karaibe dhe Paqësor kundër anijeve të dyshuara për trafik droge kanë vrarë gati 100 persona në operacione, ligjshmëria e të cilave vihet në dyshim nga ekspertët.

Karakasi e sheh këtë si një pretekst për të rrëzuar Presidentin Nicolas Maduro dhe për të sekuestruar rezervat e naftës së vendit.

Pas sekuestrimit të një cisterne nafte që transportonte naftë bruto venezueliane më 10 dhjetor, Uashingtoni njoftoi një “bllokim të plotë” të “cisternave të sanksionuara të naftës” që hyjnë ose dalin nga Venezuela.

Uashingtoni akuzon Nicolas Maduron se është kreu i një karteli dhe po ofron një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Ngjarjet ekstreme të motit

Përmbytje vdekjeprurëse, stuhi katastrofike… Ngjarjet ekstreme të motit kanë ndjekur njëra-tjetrën, për shkak të çrregullimit të klimës të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, sipas shkencëtarëve.

Cikloni Melissa, një nga më të fuqishmit që ka përfshirë ndonjëherë Karaibet, shkatërroi rajone të tëra të Xhamajkës dhe përmbyti Haitin dhe Kubën.

Në Azinë Juglindore, Filipinet u goditën në më pak se dy muaj nga tajfunët Ragasa, Kalmagi dhe Phung-wong. Vietnami pësoi shkatërrime nga stuhitë, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, ndërsa dy stuhi tropikale vranë qindra njerëz në fund të vitit në Sri Lanka dhe Indonezi.

Ndërsa temperaturat rriten, zjarret në pyje janë intensifikuar në Europë dhe hektarë rekord pyjesh janë djegur gjatë verës.

Në SHBA, zjarret e shkaktuara nga rrufetë shkaktuan mbylljen e pjesës veriore të Kanionit të Madh në Arizona për pjesën tjetër të sezonit turistik në mesin e korrikut.

Çmimet e reja, sa do të kushtojë dogana e makinave?

By: Fax Web
25 December 2025 at 09:06

Automjetet e përdorura të importuara nga vende të ndryshme, si Korea, Kina apo Europa do të zhdoganohen me çmime të reja reference.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave, i botuar në Fletoren Zyrtare, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, tashmë në fuqi, sjell dhe një rritje të ndjeshme të çmimeve referuese për zhdoganimin e automjeteve.

Për autoveturat, rritja e çmimeve minimale prek të gjitha kategoritë e cilindratave.

Në udhëzimin e vitit 2018, për automjetet deri në 1400 cc vlera minimale e zhdoganimit ishte 130 mijë lekë, ndërsa me udhëzimin e ri kjo vlerë rritet në 162.5 mijë lekë, ose rreth 25% më shumë. Për kategorinë mbi 1400–1900 cc, pragu minimal kalon nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë, duke reflektuar sërish një rritje prej rreth 25%.

E njëjta logjikë vijon edhe për cilindratat më të larta: nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë për segmentin 1900–2500 cc, nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë për 2500–3000 cc, nga 500 mijë lekë në 625 mijë lekë për 3000–4500 cc dhe nga 800 mijë lekë në 1 milion lekë për automjetet mbi 4500 cc.

Po ashtu, rritje pëson edhe referenca e zhdoganimit për kamionçinat, furgonët dhe kamionët.

Në udhëzimin e vitit 2018, për mjetet deri në 1.5 tonë pragu minimal ishte 400 mijë lekë, ndërsa udhëzimi i ri e çon këtë vlerë në 500 mijë lekë.

Për segmentin 1.5–3.5 tonë, vlera minimale rritet nga 600 mijë lekë në 750 mijë lekë, ndërsa për mjetet 3.5–10 tonë nga 850 mijë lekë në rreth 1.06 milion lekë.

Për kamionët 10–15 tonë, pragu rritet nga 1 milion lekë në 1.25 milion lekë dhe për ata mbi 15 tonë nga 1.2 milion lekë në 1.5 milion lekë.

Rritja e çmimeve të referencës pritet të sjellë dhe një efekt në rritjen e çmimeve finale për automjetet e përdorura që importohen dhe shiten në tregun vendas.

Nga ana tjetër kjo politikë favorizon edhe blerjen e automjeteve me zero kilometrazh nga koncesionarët në vend.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për periudhën Janar-Nëntor 2025, 89.654 mjete janë regjistruar për herë të parë, nga të cilat 73.066 autovetura.

Mbi 55.2% kanë moshë 8- 15 vite, 25% mbi 15 vite, 5.1 % 5-7 vite, dhe 14.7 % 0-4 vite.

Korea e Jugut është në krye të listës sa i takon importit, ndjekur nga Gjermania, Italia, Kina dhe Zvicra.

Yesterday — 24 December 2025FaxWeb

VIDEO/ Makthi i “Hinkës së Elbasanit”! Nisesh ditën, mbërrin natën

By: Fax Web
24 December 2025 at 20:53

Nisesh nga autostrada me idenë se po futesh në një qytet të madh, por përfundon i bllokuar në një makth urban që zgjat me orë.

“Hinka e Elbasanit”, pika famëkeqe ku tre korsi shndërrohen në një të vetme, është prej vitesh simbol i qëndrimit në rradhë me orë të gjata.

Një vepër infrastrukturore pa sens, pa logjikë dhe pa zgjidhje, që çdo ditë torturon mijëra qytetarë.

Ilir Demalia, në një reagim në rrjetet sociale dhe të ashpër, e quan këtë rrugë “një marrëzi” dhe ngre pyetjet që askush nuk ka dashur t’i dëgjojë: kush është inxhinieri, kush është arkitekti, kush është ministri që e ka firmosur këtë projekt? Pse një autostradë përfundon në një grykë që bllokon qytetin? Dhe pse, pas kaq vitesh, askush nuk mban përgjegjë?

Sipas Demalisë, kjo nuk është thjesht një problem trafiku, por një formë e përditshme torture për njerëzit që kthehen nga puna, që humbasin orë të jetës së tyre në radhë kilometrike, ndërsa premtimet për unazën e Elbasanit mbeten fjalë bosh.

Këtë punë ose bëjeni tamam, ose mos e bëni fare,” thotë Demalia. Sepse sot, hinka e Elbasanit nuk është thjesht një nyje rrugore, është vuajtje kolektive.

Historia tragjike e banores së “Big Brother Vip”/ I vranë të fejuarin në oborrin e banesës dhe…

By: Fax Web
24 December 2025 at 20:12

Juela Nikollaj është një prej banorëve të rinj të Big Brother VIP 5, e cila u fut në shtëpi këtë të martë.

Ajo ka lindur në Laç dhe është rritur jashtë Shqipërisë, në Milano, në një familje shqiptare shumë të lidhur.

Prindërit e saj kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm që të mos humbnin rrënjët, kulturën dhe vlerat që ata i kanë pasur gjithë jetën.

Fëmijëria ka qenë me shumë dashuri bashkë me 3 motrat dhe me disiplinë në të njëjtën kohë. Ka qenë një vajzë e qetë, kureshtare dhe shumë aktive, gjithmonë me ëndrra të mëdha.

Mbas studimeve të larta për Ekonomi Europiane, nisi projektet e saj muzikore.

Është rritur me rrymën pop, por me kohën filloi të kërkonte tinguj të tjerë, më ballkanikë, pak më orientalë, pak dark pop, ballads, që e përfaqësojnë më shumë.

Edhe mësimet e pianos e ndihmuan shumë të lidhet me muzikën në një mënyrë më profesionale, dhe pse është akoma shumë fillestare.

Para disa vitesh humbi njeriun me të cilin po përgatitej të martohej.

Ai u vra atë vit në oborrin e shtëpisë, bashkë me motrën e tij, nga ish-bashkëshorti i kësaj të fundit.

Ajo thotë se: “Kam kaluar shumë dhimbje dhe ankth, në fillim mendoja që dhimbja do të kishte qenë e papërballueshme, por me kohën kuptova se jeta ndryshon nga mënyra si zgjedhim ta përballojmë. Punova shumë me veten, dhe ajo dashuri e bukur që më kishte lënë ai u bë dritë në momentet më të errëta dhe më tregoi se unë mund të ngrihem përsëri, u bë forca që me ngriti.

Kjo periudhë më ka bërë më të fortë, më të vetëdijshme për atë që dua dhe më mësoi të gjej dritë edhe kur mendoja se nuk kishte më, dhe mund të them me plot bindje qe unë ia dola dhe kam akoma shumë për te ndërtuar, siç dhe ai ka besuar gjithmonë te unë”.

Nga Big Brother pret një eksperiencë që mund t’i hapë një tjetër kapitull.

FOTO-EMRI/ U arrestua në shtëpi bari, nis ekstradimi për fierakun. E kërkonte “Interpol Tirana”

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:40

Akuza për përdorim të një pasaporte të falsifikuar ka çuar në pranga një të ri shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej Interpol Tiranës.

Sipas Gjykatës së Ekstradimeve në Londër, i arrestuari për qëllim ekstradimi është shtetasi Igli Hazizaj, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi më 9/12/2022.
I lindur në Fier, ai kishte hyrë ilegalisht në Angli dhe u zbulua se ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi u arrestua për përfshirjen në ngritjen e tre shtëpive ku rritej kanabis.

 

Sipas gazetës “News & Star Camberland The Thumberland News”, Igli Hazizaj bashkë me Jugert Hazizaj dhe Jurgen Balla nëse do t’ja arrin të korrnin kanabisin e mbjellë në vazo, do të arrin një fitim prej 2 milion stërlina.

Në shkurt të këtij viti, prokurori çështjes i  tha gjykatës se: “Ai vepronte si ‘menaxher ’ i kompleksit Carlisle në tre adresa dhe për këtë arsye luajti një rol të rëndësishëm.”

Dy të pandehurit e tjerë u paguan për t’u kujdesur për bimët, duke u siguruar që ato të ishin në gjendje të lulëzonin dhe të qëndronin të shëndetshme.

Është e qartë se kjo ishte pjesë e një grupi më të gjerë të krimit të organizuar”, tha gjykatësi Nicholas Barker.

“Është provë e qartë për fitimin e pritur që do të nxirrej nga prodhimi i kanabisit. Me vlerat e tregut, këto tre prona ishin të afta të prodhonin shumë më tepër se 2 milionë paund kanabis në vit”, tha gjykatësi Barker kur lexoi vendimin e dënimit.

Gjyqtari e dënoi me tre vjet burg Igli Hazizajn, 16 muaj Eugert Hazizajn dhe një vit burg Jurgen Ballën.

Pas përfundimit të dënimit Igli Hazizaj do të vijojë së qëndruari në burg në pritje të vendimit për tu ekstraduar si person i kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Jo vetëm sulmuesi gjerman/ Milan planifikon dy lëvizje të tjera para fundit të vitit

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:28

Milan ka siguruar përforcimin e parë për merkaton e janarit, që është sulmuesi i West Ham, Niclas Fullkrug. Gjermani do të huazohet deri në fund të sezonit, me të drejtë blerje për 13 milionë euro.

Por, klubi kuqezi pasi ka siguruar Fullkrug, po përgatit edhe dy lëvizje të tjera para përfundimit të këtij viti.

“La Gazzetta dello Sport” raporton se Milan dëshiron të finalizojë largimin e Divock Origi.

Në fakt, është vendosur tashmë që sulmuesi belg do të ndërpresë kontratën e tij dhe do të largohet nga klubi, duke e bërë atë ndoshta një nga dështimet më të mëdha në kohët e fundit për ekipin.

Fabrizio Romano raporton se Milan ka rënë dakord për kushtet personale të marrëveshjes me Andrej Kostic për nënshkrimin e tij.

18-vjeçari nga Mali i Zi ka lënë përshtypje të mira në paraqitjet e tij me Partizanin e Beogradit, duke ngjallur interesin e disa skuadrave. Për t’i paraprirë ekipeve të tjera, Milan po nxiton të arrijë marrëveshjen me klubin serb për të finalizuar transferimin e Kostic, për shifrën 5 milionë euro.

FOTO/ Kujdes çfarë konsumoni! AKU bllokon 5 ton djathë dhe 944 kg fileto pule

By: Fax Web
24 December 2025 at 19:01

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë konstatuar shkelje ligjore në një subjekt ushqimor.

Inspektorët kanë bllokuar 5 ton djathë “Gouda” dhe 944 kg fileto pule për mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe.

Subjekti mori gjobë dhe produktet mbeten të bllokuara deri në rregullimin e dokumentacionit dhe etiketimit.

“AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre”, thuhet në faqen zyrtare.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është kritikuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Fatjon Pasholli dha dorëheqjen pas vetëm 4 muajsh në postin e drejtuesit të AKU. Vendin e tij e zuri Alketa Hoxha.

Viti 2025 numëron problematika në këtë fushë që në nisje, që me mandarinat me pesticide, tonelatat e mishit me salmonelë nga Brazili, luleshtrydhet greke apo specat dhe qumështin.

VIDEO/ Elbasani dhe Tirana ndajnë pikët mes polemikave dhe protestave

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:56

Elbasani dhe Tirana barazuan 1-1 mes tyre, në duelin e javës së 18-të në Superiore.

Një barazim, me tension dhe shumë polemika, për shkak të ngjarjeve të ndodhura në pjesën e dytë.

Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën ndryshoi gjithçka.

Tirana kaloi në avantazh në minutën e 66-të, falë golit të Tabekou.

10 minuta më vonë, arbitri Laver Alla akordoi një penallti për vendasit, për të cilën miqtë nuk ishin dakord.

Protestat nga Tirana ishin të mëdha, me lojtarët që kërkuan rishikimin në VAR, por gjyqtari ishte i vendosur në vendimin e tij.

Tsague shënoi nga pika e bardhë dhe barazoi shifrat.

Menjëherë pas kësaj, lojtarët e Tiranës braktisën ndeshjen në shenjë proteste.

Pas 10 minutave në dhomat e zhveshjes, ata u rikthyen në fushë, për të vazhduar ndeshjen, por rezultati nuk ndryshoi më.

Me këtë barazim, Elbasani mban vendin e dytë me 33 pikë, ndërsa Tirana renditet e fundit me 10 pikë të grumbulluara.

EMRAT/ Operacioni anti-drogë me 22 të arrestuar, mes të prangosurve edhe dy drejtorë të “One Albania”

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:44

Një operacion i gjerë antidrogë i Policisë së Tiranës çoi në pranga 22 persona, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike.

Mes të arrestuarve bien në sy edhe emra të lidhur me kompaninë “ONE Albania”, fakt që e bën këtë operacion me ndikim të fortë publik dhe institucional.

Sipas burimeve zyrtare, në pranga kanë rënë edhe: Erald Sina, me detyrë Drejtues i Departamentit të Zyrave dhe Pasurisë në “ONE Albania” dhe Artan Pullazi, Team Leader në “ONE Albania”.

Kujtojmë që Erald Sina, një vit më parë, është marrë nën hetim për fshehjen e një sulmi të ndodhur në kompaninë telefonike “ONE”.

Nën hetim u vunë tetë persona, shtatë prej të cilëve janë punonjës të kompanisë që kujdesej për sigurinë e kompanisë, “Nazeri 2000” dhe punonjës sigurie të brendshme të kompanisë “ONE”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, ku dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e pikës ‘ONE’ në zonën e Laprakës, duke dëmtuar drynin e derës së pasme. Incidenti është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, Gentian Koçi i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.

Edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.

22 personat e arrestuar sot:

Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri, Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Blerim Mali, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa, Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.

Operacioni i Policisë:

Dy praktika që nuk kanë lidhje me proçesin e rregullt ligjor

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:33

Nga Ylli Manjani

1. Kushtetuta në nenet 27 e 31 të saj, garanton shtetasit e këtij shteti se, cilido që gjendet nën akuzë ka të drejtë themelore të njihet HOLLËSISHT me akuzën dhe të ketë mundësi të MBROHET efektivisht. Ata kanë të drejtë të komunikojnë LIRSHËM dhe më KONFIDENCË me mbrojtësin ligjor.

Çfarë ndodh realisht në gjykatën post-reformë:

a. Shtetasit arrestohen, pra humbin lirinë, pa akuzë fare.

b. Shtetasit nën akuzë duhet ta blejnë me para tekstin e akuzës dhe materialet që e shoqërojnë atë.

c. Shtetasit nën akuzë, në paraburgim dhe pa para thjesht nuk kanë mundësi të njihen fare me asgjë nga dosja kundër tyre.

c. Shtetasit nën akuzë dhe në paraburgim, megjithëse kanë para nuk i lejon siguria e burgjeve të njihen me dosjen.

d. Shtetasit nën akuzë dhe të paraburgosur kur sillen në gjyq kyçen në kafaz të blinduar, ku nuk komunikojnë dot me avokatin.

Këto i ndodhin të gjithëve sot, jo vetëm VIP-ave. Këto të fundit duhet të bëjmë “shyqyr” që gjenden në këto kushte për të kuptuar se ç’u bëjnë të tjerëve, të zakonshmëve…

2. Neni 42 i Kushtetutës, ndër të tjera garanton shtetasit e këtij shteti se kanë të drejtë të gjykohen nga një gjykatë E PAANSHME.

Nuk po risjell në vemendje këtu ligjet që e vendosin realisht prokurorinë mbi gjykatën, as praktikat intimiduese të SPAK ndaj saj. Por po ndalem në një aspekt të frikshëm ligjor antikushtetutë e antidrejtësi:

Gjykata sot ka të drejtë me ligjin proçedural që të akuzojë shtetas, jo me akuzën e ngritur nga prokurori si palë në gjykim, por me një akuzë tjetër që do gjykata.

Pra me pak fjalë gjykata, që duhet të jetë e paanshme nga palët bëhet njëra palë, në këtë rast bëhet edhe akuzuese. I pandehuri është pala tjetër, i cili nuk ka më përballë prokurorin por gjykatën?!

Tani, a mund të jetë e paanshme një gjykatë që edhe akuzon edhe gjykon akuzën që ngre vetë?!

Edhe kjo praktikë gjendet sot në raste të ndryshme, e cila mbështetet në ligjin proçedural, por nuk ka asnjë lidhje me gjykimin e rregullt sipas Kushtetutës.

Konkluzionin nxirreni vetë…

Spanja lë jashtë Botërorit yllin 60 milionësh të Real Madrid?

By: Fax Web
24 December 2025 at 18:24

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, do ta ketë shumë të vështirë për të zgjedhur 26 lojtarët që do të marrë me vete në Kupën e Botës 2026.

Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive spanjolle “Marca”, një nga emrat e njohur që mund të mbetet jashtë listës është Den Hujisen.

Qendërmbrojtësi 20-vjeçar i transferuar verën e kaluar nga Bournemouth te Real Madrid për 60 milionë euro, pavarësisht se e niri shumë mirë te “Los Blancos”, ka pasur një rënie të madhe të formës në javët e fundit, gjë që ka vënë në dyshim praninë e tij në Botëror.

Një tjetër faktor që mund të lërë jashtë Hujisen është edhe rikthimi në La Liga, i Aymeric Laporte, i cili po shkëlqen tek Athletic Bilvbao dhe momentalisht është më avantazhuar se Hujisen për të marrë ftesën për në SHBA.

❌
❌