Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025FaxWeb

6 lojtarë mund të largohen nga Chelsea, Maresca përgatit “pastrimin” gjatë merkatos së dimrit

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:53

Tekniku italian Enzo Maresca po përgatit ndryshime në përbërjen e Chelseat, me synimin për të riorganizuar skuadrën gjatë merkatos së janarit.

Sipas “Football London”, gjashtë lojtarë mund të largohen nga “Stamford Bridge” gjatë merkatos së dimrit.

Në listën e mundshme të largimeve përfshihet Tosin Adarabioyo, pas një fillimi jo bindës me blutë.

Benoit Badiashile po has vështirësi për të siguruar një vend titullari dhe ka pasur hapësira të kufizuara aktivizimi gjatë këtij sezoni.

Gjithashtu, Filip Jorgensen ka humbur pozicionin në formacion ndaj Robert Sanchez.

Axel Disasi dhe Raheem Sterling kanë një të ardhme të paqartë pas përjashtimit nga ekipi i parë.

Largimet e mundshme synojnë të krijojnë hapësirë për afrime të reja në vazhdim të sezonit.

100 mijë viza të lëshuara nga Gjermania gjatë 2025-ës, ja sa kanë shkuar për shqiptarët

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:47

Tashmë në Gjermani nuk shkohet për punë, por dhe për bashkim familjar.

Gjermania ka miratuar gjatë vitit 2025 mbi 100 mijë viza për bashkim familjar, pavarësisht shtrëngimit të përgjithshëm të politikave të emigracionit.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga autoritetet gjermane, deri në fund të nëntorit janë dhënë gjithsej 101,756 viza, duke e bërë bashkimin familjar një nga kanalet kryesore të migracionit drejt këtij vendi.

Në krye të listës së aplikuesve renditen shtetasit turq, të ndjekur nga sirianët dhe indianët, ndërsa qytetarët nga Ballkani mbeten gjithashtu shumë të pranishëm.

Kosova renditet mes vendeve me numrin më të lartë të vizave të miratuara, ndërsa shqiptarët kanë përfituar mbi 4,400 viza, duke u pozicionuar ndër kombësitë kryesore në këtë kategori.

Bashkimi familjar u jepet kryesisht bashkëshortëve dhe fëmijëve të mitur të personave që jetojnë ligjërisht në Gjermani, ndërsa prej marsit 2024 janë zgjeruar mundësitë edhe për prindërit e punëtorëve të kualifikuar që plotësojnë kushtet ekonomike.

Megjithëse në korrik 2025 u vendos një pezullim dy-vjeçar për bashkimin familjar për personat me status mbrojtjeje të kufizuar, me përjashtim të rasteve të veçanta humanitare, statistikat tregojnë se fluksi i aplikimeve dhe aprovimeve ka mbetur i lartë.

Këto shifra konfirmojnë se për shqiptarët dhe komunitetet e tjera të rajonit, bashkimi familjar vazhdon të jetë një nga arsyet kryesore të emigrimit drejt Gjermanisë, duke reflektuar lidhjet e forta familjare dhe praninë e konsoliduar të diasporës në këtë vend.

Reagimi nga Washingtoni/ DASH ‘merr nën vëzhgim’ AKSHI-n, kullat në Tiranë dhe…

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:31

Ligji i miratuar së fundmi nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor përbën një sinjal të fortë politik edhe për Tiranën zyrtare, në një kohë kur Shqipëria përballet me akuza të përsëritura për korrupsion sistemik, deformim të zgjedhjeve dhe kapje të institucioneve shtetërore.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka vendosur nën vëzhgim AKSHI-n dhe ndërtimet e kullave në Tiranë, si dy nga sektorët që janë përmbytur nga lekët e korrupsionit.

Pas miratimit të Aktit të Prosperitetit dhe Demokracisë në Ballkanin Perëndimor SHBA-të janë fokusuar tek çmontimi i rrjeteve financiare që mbështesin politikanët e korruptuar.

DASH ka caktuar edhe një afat prej 90 ditësh ku në lupën e tij do të kalojë edhe sektori i energjetikës, duke mbikqyrurur korporatat shtetërore të energjisë KESH dhe OST por edhe koncesionet e energjisë së rinovueshme.

Partneritetet Publiko-Private gjithashtu do të jenë në fokusin e DASH, ku pritet të ketë një auditim të plotë të kontratave të menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës.

Departamenti Amerikan i Shtetit do të nisë një monitorim strikt të bankave lokale për të zbuluar lidhjet e mundshme dhe financat e grupeve kriminale dhe shoqërive të dyshimta.

Edhe pse Shqipëria përmendet si aleate e NATO-s dhe vend aspirant për Bashkimin Europian, dokumenti i SHBA-së e bën të qartë se partneriteti strategjik ‘nuk është çek i bardhë për pushtetin, por kushtëzohet me standarde reale demokratike.’

Pika më domethënëse e ligjit është kodifikimi i sanksioneve amerikane në ligj federal, duke i bërë ato më të forta dhe më të qëndrueshme. Këto masa vlejnë edhe për individë nga Shqipëria, që janë përfshirë në korrupsion manipulim zgjedhor dhe përdorim të pushtetit për destabilizimin e institucioneve demokratike.

Ligji thekson nevojën për:

  1. zgjedhje të lira dhe të ndershme,
  2. institucione zgjedhore të pavarura,
  3. drejtësi funksionale dhe të paanshme

Në thelb, ligji përcjell një mesazh të qartë: Shqipëria mbetet partnere e SHBA-së vetëm nëse respekton rregullat e demokracisë. Mbështetja amerikane shoqërohet me presion politik, sanksione dhe kushte konkrete, duke sinjalizuar se periudha e tolerancës ndaj autokracisë së maskuar si stabilitet ka marrë fund.

EMRAT/ Kush janë përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike nga AKSHI?

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:23

Vijon të publikohen të dhëna të reja nga skandali i tenderëve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Detajet nxjerrin në pah një fakt kyç: fondet publike janë përqendruar ndër vite te i njëjti rreth i ngushtë kompanish dhe biznesmenësh në sektorin e teknologjisë.

Sipas të dhënave të procedurave të prokurimit, një numër i kufizuar subjektesh rezultojnë përfituesit kryesorë të kontratave të AKSHI-t, duke ngritur dyshime për konkurrencë të kufizuar dhe favorizim sistematik.

Përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike nga AKSHI, sipas asaj që shkruan JOQ ALBANIA, janë:

  • Ermal Beqiri – HORIZON
  • Gentian Likaj – Communication Progress
  • Grigor Joti – INFOSOFT
  • Laert Kasaj – RATECH
  • Nursen Metuli – A-T-D (Albanian Technology Distribution)
  • Sokol Sinani – DATA LOG, ortak i ish-ministrit Ilir Beqaj
  • Andis Papa – FASTECH, kompani pas së cilës dyshohet se fshihet Ilir Beqaj
  • Gerond Meçe – Advanced Business Solutions
  • Igli Gjelishti – Image & Communications Development
  • Artan Dulaku – Albanian Satellite Communications
  • Endri Meksi – MC Networking

Përqendrimi i kontratave te këto subjekte ka shtuar pikëpyetjet mbi mënyrën e funksionimit të AKSHI-t dhe mbi ndikimin e lidhjeve politike apo institucionale në shpërndarjen e parave publike.

Hetimet në vijim pritet të sqarojnë nëse ky model ka qenë thjesht rezultat i dominimit në treg, apo një skemë e mirëorganizuar që ka përjashtuar konkurrencën reale dhe ka cenuar transparencën në përdorimin e fondeve shtetërore.

LEXO EDHE: Pas skandalit të AKSHI-t/ DW: Çfarë po ndodh me e-Albania?

Vit i Ri i acartë, sa parashikohen temperaturat në ditët e ndërrimit të viteve

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:15

Fundjava e fundit e vitit dhe ditët e ndërrimit të viteve do të karakterizohen nga mot i ftohtë dhe temperatura të ulëta në të gjithë territorin e vendit.

Sipas parashikimeve, gjatë fundjavës së fundit të vitit pritet mot i kthjellët, por i ftohtë.

Temperaturat minimale parashikohen të zbresin në -3 deri -4 gradë Celsius në zonat malore, ndërsa në ultësirën perëndimore nga -1 deri në 0 gradë Celsius.

Sinoptikanët theksojnë se nga dita e hënë dhe e martë, deri në ditët e ndërrimit të viteve, veçanërisht më 31 dhjetor dhe 1 janar, moti do të jetë edhe më i ashpër.

Në relievet malore temperaturat minimale do të arrijnë në -8 dhe -9 gradë Celsius, në zonat e ulëta -4 deri -5 gradë, ndërsa në bregdet 0 deri në -1 gradë Celsius.

Temperaturat e mesditës gjatë fundjavës do të luhaten në 13–14 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditëve të ndërrimit të viteve nuk pritet të kalojnë 7–8 gradë në ultësirën perëndimore. 

Policia e Shtetit festë me familjet e dëshmorëve, Proda: Jeni pjesë e pandarë e familjes sonë të madhe

By: Fax Web
26 December 2025 at 17:08

Nën kujdesin dhe vëmendjen e vazhdueshme të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, me rastin e festave të fundvitit, u zhvilluan aktivitete festive me familjarët e dëshmorëve të Policisë, njëherazi Dëshmorë të Atdheut.

Këto aktivitete janë një shprehje e qartë e respektit të thellë, e mirënjohjes së përhershme dhe e përkujdesjes institucionale të Policisë së Shtetit ndaj familjeve që kanë dhënë sakrificën më sublime në shërbim të atdheut.

Drejtori i Përgjithshëm ka vënë në qendër të vëmendjes mbështetjen morale dhe institucionale për familjarët e dëshmorëve të Policisë, duke u siguruar që ata të mos ndihen asnjëherë vetëm, por të jenë gjithmonë të rrethuar nga respekti, vëmendja dhe përkrahja e Policisë së Shtetit.

Familjarët e Dëshmorëve të Policisë kanë shprehur falënderimet e tyre për drejtuesit e Policisë në qarqe dhe, nëpërmjet tyre, për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për ceremonitë e organizuara dhe për kujdesin e vazhdueshëm, i cili shkon përtej ditëve festive dhe mbetet i pranishëm në çdo kohë.

Klubi arab merr vendimin për mbrojtësin e Kombëtares

By: Fax Web
26 December 2025 at 16:37

Al Ittihad do të nxjerrë në shitje gjatë merkatos së dimrit mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj.

Lajmi është bërë publik nga një gazetar në Arabinë Saudite, i cili përmes një postimi në rrjetin social “X” ka cituar burime të tij ekskluzive.

Në sezonin aktual, Mitaj ka regjistruar 16 paraqitje zyrtare me ekipin saudit. Gjatë këtyre ndeshjeve, futbollisti shqiptar ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asistime.

Mitaj iu bashkua Al Ittihad në shtator të vitit 2024 duke u transferuar fillimisht në formë huazimi nga Lokomotiv Moska.

Më pas, klubi saudit aktivizoi të drejtën e blerjes. Shuma e transferimit u raportua rreth 4 milionë euro.

22-vjeçari ka kontratë me Al Ittihad deri në verën e vitit 2028.

Euro-Lek, minimum i ri historik përgjatë festave të fundvitit

By: Fax Web
26 December 2025 at 16:30

Kursi i këmbimit Euro-Lek po shfaq tendenca të mëtejshme në rënie gjatë kësaj jave.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, në ditët e fundit në treg ka ofertë të shtuar të valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Në veçanti, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të monedhës europiane.

Rënia vjetore e kursit ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%.

Megjithatë, ecuria më e stabilizuar e kursit gjatë këtij viti i detyrohet më shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë sesa forcave të tregut.

Nga informacionet e deritanishme, Banka Qendrore ka kryer blerje të mëdha të valutës edhe gjatë vitit 2025. Deri në fund të 9-mujorit, këto blerje kishin vlerën e rreth 800 milionë eurove, ndërsa për vitin 2024 kishte blerë 933 milionë euro të tjera.

Në mungesë të ndërhyrjeve, kursi i këmbimit të monedhës europiane me siguri do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në raport me Lekun.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026.

Sipas informacioneve, ajo synon të blejë përmes ankandeve deri në 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore.

Dy adoleshentet largohen nga shtëpia në Tiranë, prindërit kallëzim në polici

By: Fax Web
26 December 2025 at 16:24

Prindërit e dy adoleshenteve kanë kallëzuar në polici largimin e tyre nga banesa.

Bëhet fjalë për dy vajza të mitura, përkatësisht 15 dhe 16 vjeçe, banuese në Tiranë.

Shtetasi F. M. dhe shtetasja A. C. kanë bërë denoncimet pranë autoriteteve.

Policia po punon për gjetjen e adoleshenteve dhe sqarimin e rrethanave të largimit.

Ndërkohë, ende nuk ka ndonjë informacion zyrtar nga Policia e Shtetit për rastin në fjalë.

Si e mori Ramë Geci tenderin 12 milionë Euro/ Balluku, “kurban” i pazareve të kryeministrit me oligarkët?

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:51

Dosja e SPAK për korrupsionin me tenderat e rrugëve të Shqipërisë tregon se dora e madhe që ndan paratë publike si plaçkë lufte për oligarkët është Edi Rama dhe se Belinda Balluku bashkë me drejtorët e saj janë thjeshtë zbatues të skemës së përvetësimit të pasurisë së shqiptarëve.

Zyra e kreut të qeverisë është vendi ndahen paratë përmes pasurive publike.

Po le të ndalemi në një episod konkret që ekspozon gjithçka më sipër.

Në 24 gusht 2021, zv/kryeministrja Belinda Balluku i shkruan kreut të ARRSH-së asokohe se i kishte kërkuar kryeministri Edi Rama që të takonte oligarkun Ramë Geci, i cili kërkonte tenderin me vlerë 12 milionë euro me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës loti 3”.

Ervis Berberi i përgjigjet se e kishte takuar atë ditë Ramë Geci kryeministrin. Këtë informacion ish kreu i ARRSH e kishte marrë nga vetë Geci, pasi të dy kishin bërë një xhiro në kantierin e Unazës së Madhe.

Çfarë ndodh më tej?

Tre javë pas këtyre bisedave dhe takimeve, në 16 shtator 2021, ARRSH njoftonte procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Në 16 nëntor 2021, ARRSH-ja shpall fituese të tenderit kompaninë “Geci shpk”, me pronar Ramë Gecin.

“Oferta fituese” e Gecit ishte thuajse sa fondi limit dhe meqënëse fituesi ishte caktuar në tavolinë u skualifikuan ofertat e tjera më të ulëta.

Provat dhe faktet tregojnë se Balluku nuk është truri dhe as dora e madhe, por instrument zbatimi. Megjithatë, SPAK kërkon heqjen e imunitetit të saj.

Ndërkohë oligarkët përfitues, të cilët kanë kërkuar dhe marrë favore të paligjshme në zyrën e Edi Ramës, ende nuk janë marrë nën përgjegjësi penale.

LEXO EDHEEMRAT/ SPAK, “vizitë” tek dy biznesmenët e njohur

Inteligjenca Artificiale “pasuron” miliarderët/ Fitime kolosale për bosët e teknologjisë në SHBA

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:45

Një bum i fortë i tregut të aksioneve në sektorin e inteligjencës artificiale (AI) u ka shtuar më shumë se gjysmë trilioni dollarë pasurisë së miliarderëve amerikanë të teknologjisë gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Bloomberg.

Dhjetë drejtuesit dhe themeluesit kryesorë të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike në botë kanë rritur pasurinë e tyre të përbashkët në rreth 2.5 trilionë dollarë, nga 1.9 trilionë dollarë një vit më parë.

Në krye të listës qëndron Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, i cili ka përfituar ndjeshëm nga rritja e investimeve në inteligjencën artificiale. Pasuria e tij neto është rritur me gati 50%, duke arritur në 645 miliardë dollarë. Musk, i cili zotëron interesa edhe në kompaninë e AI-së xAI, u bë në tetor personi i parë në botë me një pasuri mbi 500 miliardë dollarë.

Ai renditet përpara bashkëthemeluesit të Google, Larry Page, dhe themeluesit të Amazon, Jeff Bezos. Pasuria e Page vlerësohet rreth 270 miliardë dollarë, ndërsa ajo e Bezos rreth 255 miliardë dollarë.

Një tjetër përfitues i madh nga bum-i i AI-së ishte Jensen Huang, drejtori ekzekutiv i prodhuesit të çipave Nvidia. Pasuria e tij u rrit me 41.8 miliardë dollarë, duke arritur në 159 miliardë dollarë. Nvidia, e cila prodhon çipa kyç për zhvillimin e inteligjencës artificiale, u bë në tetor kompania e parë në botë me vlerë tregu 5 trilionë dollarë.

Rritja e shpejtë e investimeve në AI ka nxitur gjithashtu shqetësime për një korrigjim të mundshëm të tregjeve financiare. Banka e Anglisë ka paralajmëruar se tregjet e aksioneve, veçanërisht ato të teknologjisë, janë të ekspozuara ndaj rrezikut nëse pritshmëritë për ndikimin e AI-së rezultojnë më pak optimiste.

Edhe pse sektori i teknologjisë dominon listën e përfituesve, rritje të ndjeshme të pasurisë kanë shënuar edhe figura të tjera të njohura globale. Bernard Arnault, drejtuesi i gjigantit të luksit LVMH, ka shtuar 28.5 miliardë dollarë në pasurinë e tij, ndërsa Amancio Ortega, themeluesi i Inditex dhe pronari i Zara-s, ka përfituar 34.3 miliardë dollarë, falë dividentëve rekord të grupit.

Përqendrimi gjithnjë e më i madh i pasurisë në duart e një elite shumë të vogël po rikthen në qendër të debatit çështjen e pabarazisë ekonomike dhe taksimit të pasurisë, ndërsa inteligjenca artificiale vijon të transformojë tregjet globale.

Paralajmërimi i FMN: Bankat po fryjnë ‘flluskën’ e pasurive të paluajtshme në Shqipëri

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:29

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se bankat në Shqipëri po japin gjithnjë e më shumë kredi, sidomos për blerje apartamentesh dhe ndërtime, dhe kjo po krijon rrezik që tregu të “nxehet” më shumë seç duhet.

Sipas FMN-së, në vitet 2023 dhe 2024 kreditë janë rritur me ritme të larta ku pjesa më e madhe ka shkuar për pasuri të paluajtshme. Kjo ndihmon ekonominë për momentin, sepse ka më shumë ndërtim dhe qarkullim parash, por nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të krijohen probleme.

FMN vëren se bankat aktualisht janë në gjendje të mirë financiare. Ato kanë fitime të larta dhe kapital të mjaftueshëm për të përballuar vështirësi të mundshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rreziqet nuk ekzistojnë.

Sipas FMN-së, Banka e Shqipërisë reagon vonë ndaj problemeve financiare, sepse pret që kriza të duket qartë, si për shembull kur shtohen kreditë e këqija ose bankat fillojnë të kenë humbje. Në këto raste, ndihma ose masat mbrojtëse vijnë me vonesë.

Për këtë arsye, FMN këshillon që Banka e Shqipërisë të veprojë më herët dhe të marrë masa parandaluese, para se problemet të bëhen serioze.

Një nga këto masa është që bankat të mbajnë më shumë para rezervë.

Shqipëria ka nisur ta zbatojë këtë qasje në vitin 2025, duke vendosur që bankat të mbajnë një rezervë shtesë: 0.25 për qind nga qershori dhe 0.5 për qind nga dhjetori.

FMN thekson se rritja e shpejtë e kredive, e shtyrë kryesisht nga ndërtimi dhe turizmi, tregon se ekonomia po hyn në një fazë ku rreziqet po shtohen. Nëse situata nuk monitorohet me kujdes, kjo mund të sjellë pasoja për bankat dhe për qytetarët.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, do të ishte më e sigurt që bankat të kenë një rezervë mbrojtëse edhe më të lartë, në mënyrë që sistemi financiar të jetë më i qëndrueshëm në rast goditjesh të brendshme apo të jashtme.

EMRAT/ SPAK, “vizitë” tek dy biznesmenët e njohur

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:22

Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijon hetimet lidhur me dosjen “Balluku”, ndërsa orët e fundit ka “vizituar” edhe disa biznese, në pronësi të disa prej oligarkëve më të njohur në vend.

Pjesë e kontrolleve mësohet se ka qenë biznesmeni Rrok Gjoka, fitues i disa projekteve infrastrukturore në vend.

Kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme, me qëllim sigurimin e provave që mund t’i shërbejnë hetimit.

Kontrolleve nuk i ka shpëtuar as Bashkim Ulaj, shpeshherë i përmendur si biznemes i afërt me kreun e Opozitës, Sali Berisha dhe që lidhet me koncesionin e dyshimtë Thumanë–Kashar, i fituar për më shumë se 245 milionë eurosh nga Ulaj.

Përmes këtij koncesioni 35-vjeçar kompania private pritet të mbulojë si kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes dhe të fitojë mbi 1 miliardë euro, nga tarifa që u mbledh qytetarëve.

Mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër është nën përgjegjësinë e koncensionarit, i cili këtë rrugë duhet ta dorëzojë të padëmtuar në fund të kontratës koncesionare.

Thumanë-Kashar është aksi i dytë në vend pas rrugës së Kombit, ku kalimi është me pagesë, tarifë që mblidhet nga “Gener 2” e cila ndryshon për mjetet e tonazhit të rëndë dhe të transportit publik.

Për kalimin e të gjithë autostradës 21 km, kamionët paguajnë 8.80 euro ndërsa autobusët 6.30 euro.

Të gjitha tarifat do të përllogariten çdo vit, madje kompania private mund ti rrisë ato në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Koncesionari planifikon të mbledhë mbi 1.3 miliardë euro si të ardhura bazë nga taksa e automjeteve.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje kompjuterike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.

Pas skandalit të AKSHI-t/ DW: Çfarë po ndodh me e-Albania?

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:08

Pas skandalit të AKSHI-t platforma e-Albania është bllokuar dhe qytetarët nuk mund të kryejnë asnjë shërbim.

Prej disa ditësh platforma e-Albania po përballet me një bllokim teknik serioz, që ka sjellë pasoja për të gjithë: qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe biznese.

Në sistem nuk shfaqen data të lira për rezervime, për shërbime si aplikime për pasaportë, shërbime konsullore, dhe procedura të lidhura me Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), si regjistrime, ndryshime të të dhënave apo dokumente zyrtare për kompani.

Zinxhir konfuzioni

Bllokimi i platformës e-Albania ka krijuar një zinxhir konfuzioni. Konsullatat thonë se aplikimet për ripërtëritjen e pasaportave bëhen vetëm përmes e-Albania, rrugë tjetër nuk ka.

Platforma e-Albania deklaron se oraret janë të mbushura ose sistemi është i bllokuar dhe i referon qytetarët te Ministria e Jashtme. Nga ana tjetër Ministria e Jashtme në Tiranë u kërkon qytetarëve të presin një “moment të dytë”, pa një afat konkret.

Ndërkohë vetë konsullatat kanë pranuar se sistemi është i ngrirë për shkak të një defekti teknik të paparashikuar, i cili nuk dihet sa zgjat.

I gjithë shteti online i bllokuar

Problemi kryesor nuk është vetëm defekti teknik, por mungesa e një plani alternativ: kur platforma e vetme bie, i gjithë shteti online bllokohet.

Rezultati: qytetarë që s’mund të rinovojnë dokumentet, dhe biznese që nuk kryejnë dot procedura ligjore bazë, me pasoja reale financiare dhe administrative.

Moment delikat

Ky bllokim vjen në një moment delikat për sistemet digjitale shtetërore, pas incidenteve të mëparshme që kanë goditur infrastrukturën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila administron platformat kryesore elektronike të shtetit, raste që kanë qenë objekt verifikimi edhe nga SPAK-u. /DW

Japonia shpenzon një rekord prej 58 miliardë dollarësh për armë mes tensioneve në rritje me Pekinin

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:01

Qeveria e Japonisë miratoi të premten një plan rekord buxhetor për mbrojtjen prej më shumë se 9 trilionë jenësh (58 miliardë dollarë) për vitin e ardhshëm, që synon forcimin e fuqisë së saj parandaluese kundër Kinës, si dhe kundërsulmet dhe aftësitë mbrojtëse bregdetare përmes raketave kruiz dhe sistemeve të armëve pa pilot.

Projektbuxheti për vitin fiskal 2026, i cili fillon në prill, është 9.4% më i lartë se viti 2025 dhe shënon vitin e katërt të planit pesëvjeçar të Japonisë për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB-së.

Rritja vjen në një kohë tensionesh të larta me Kinën. Kryeministri japonez Sanae Takaichi tha në nëntor se forcat e armatosura të Japonisë mund të përfshihen nëse Kina ndërmerr veprime kundër Tajvanit, ishullit të vetëqeverisur që Pekini e konsideron një pjesë integrale të territorit të tij. Nën presionin e Shteteve të Bashkuara për të rritur shpenzimet ushtarake, qeveria Takaichi është zotuar të përmbushë objektivin prej 2% deri në mars, dy vjet më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. Në të njëjtën kohë, Japonia planifikon të rishikojë strategjinë e saj të sigurisë dhe mbrojtjes deri në dhjetor 2026, duke synuar forcimin e mëtejshëm të forcave të armatosura.

Raketa dhe dronë në mbrojtje të ishujve jugperëndimorë
Japonia po i forcon vazhdimisht aftësitë e saj ofensive me raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të goditur objektivat e armikut nga një distancë – një shmangie e rëndësishme nga parimi i pasluftës që e kufizonte përdorimin e forcës vetëm për vetëmbrojtje.

Strategjia aktuale e sigurisë, e miratuar në vitin 2022, e karakterizon Kinën si sfidën më të madhe strategjike për vendin dhe parashikon një rol më aktiv për Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes brenda kornizës së aleancës me SHBA-në.

Plani i ri i buxhetit ndan më shumë se 970 miliardë jen (6.2 miliardë dollarë) për të forcuar aftësitë e raketave me rreze të gjatë veprimi . Kjo përfshin një blerje prej 177 miliardë jenësh (1.13 miliardë dollarë) të raketave tokë-anije të tipit 12 të zhvilluara dhe të përmirësuara në vend me një rreze veprimi prej rreth 1,000 kilometrash.

Tensionet me Kinën po përshkallëzohen
Njoftimi i buxhetit vjen në një kohë të përshkallëzimit të konfrontimit me Kinën, pas deklaratës së Takaichi në nëntor se ushtria japoneze mund të përfshihet në çdo veprim të mundshëm kinez kundër Tajvanit.

Tensionet arritën kulmin këtë muaj kur stërvitjet e transportuesve të avionëve kinezë pranë Japonisë jugperëndimore shkaktuan një protestë zyrtare nga Tokio pasi avionët luftarakë kinezë “vunë në dukje” avionët japonezë me radar – një veprim i parë si një përgatitje e mundshme për një lëshim rakete. Departamenti i Mbrojtjes, tashmë i shqetësuar për zgjerimin e shpejtë të aktivitetit ushtarak kinez në Paqësor, do të krijojë një zyrë të re të dedikuar për studimin e operacioneve, pajisjeve dhe nevojave të tjera për të adresuar praninë kineze në rajon.

E rëndë në Koplik! Ra në kontakt me energjinë teksa vendoste panele diellore, humb jetën 27-vjeçari

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:00

Ngjarje e rëndë në Koplik.

Informacion paraprak

Rreth orës 11:40, në qytetin e Koplikut, shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se duke punuar në një magazinë për të vendosur disa panele diellore, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Sllagjan Trajkoviç dënohet me dhjetë vjet burgim për krime lufte në Vushtrri

By: Fax Web
26 December 2025 at 14:57

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Sllagjan Trajkoviqin me dhjetë vjet burgim për krime lufte në komunën e Vushtrrisë. Trajkoviq u dënua vetëm për një pikë të aktakuzës dhe për tri të tjera, trupi gjykues tha se nuk është vërtetuar se ai ka kryer ato veprime, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas vendimit, Trajkoviqit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Prokuroria Speciale ka mirëpritur shqiptimin e aktgjykimit dënues ndaj Trajkoviqit, duke shtuar se mbetet e përkushtuar të ndjekë penalisht krimet e luftës në Kosovë, “me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Aktakuza ndaj tij u ngrit më 12 korrik 2023 nga Prokuroria Speciale, pasi ai ishte arrestuar më 15 dhjetor të vitit 2022. Pas arrestimit, zyrtarët në Serbi kishin deklaruar se Trajkoviq ishte ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Krimet për të cilat Trajkoviq u akuzua, sipas Prokurorisë Speciale, u kryen më 1998-99 në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune. Sipas aktakuzës, Trajkoviq ka qenë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe “ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”.

 

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit, por edhe të shqiptimit të aktgjykimeve. Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës. Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Kontrabandë mallrash”, “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”, e pësojnë 8 persona të shpallur në kërkim

By: Fax Web
26 December 2025 at 14:55

Tetë persona të  shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë arrestuar në Kapshticë.

Në kuadër të kontrolleve dhe intervistimeve të thelluara nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në PKK Kapshticë, u ndaluan shtetasit në kërkim:

E. Rr., 26 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e ka dënuar me 9 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 muaj e 11 ditë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

E. E., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në vijim të kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, kanë goditur 2 raste të kontrabandës me mallra, konkretisht:

u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë, i cili pas paraqitjes në hyrje të PKK Kapshticë, ka kryer procedurat e regjistrimit në sistemin TIMS dhe është larguar pa kryer procedurat e mëtejshme doganore për një sasi prej 1506 kg mjaltë, të dyshuar kontrabandë, të cilën e kishte në automjetin që drejtonte. Sasia e mjaltit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;

u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

I. L., 35 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;

E. M., 35 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier pranë PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, u konstatua automjeti me drejtues shtetasin I. L., dhe nga kontrolli i të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme vaj ulliri pa dokumentacionin përkatës, dyshohet së është kontrabanduar nga Greqia, ku u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se doganieri E. M. ka shpërdoruar detyrën, pasi nuk ka ushtruar kontroll në automjetin e shtetasit I. L.

Gjithashtu, shërbimet e DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasit:

F. Xh., 46 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq;

V. R., 46 vjeç, banues në Pogradec;

B. Xh., 55 vjeç, banues në fshatin Sohodoll, Peshkopi,
pasi dyshohet se kanë kaluar kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

FOTO/ Revolucion te Real Madrid

By: Fax Web
26 December 2025 at 14:34

Ekipet elitare evropiane kanë nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ardhshëm dhe një nga elementët më të rëndësishëm të planifikimit është prezantimi i uniformave të reja.

Së fundmi, janë zbuluar imazhet e para të uniformës së Real Madridit për sezonin 2026–27.

Klubi madrilen pritet të revolucionarizojë fanellën e shtëpisë, duke ruajtur ngjyrën tradicionale të bardhë, por duke e kombinuar atë me dy ngjyra të tjera të pazakonta për historinë e klubit.

Jaka do të jetë në ngjyrë jeshile të errët, ndërsa tri vijat karakteristike në mëngë do të jenë rozë.

Ky kombinim ngjyrash, i paprecedent për fanellën e parë të Real Madridit, ka ngjallur reagime të shumta dhe debate të forta në rrjetet sociale.

Fanella pritet të përfshijë edhe detaje shtesë, si një vijë jeshile në fund të mëngëve. Ngjyra jeshile nuk është përdorur më parë në fanellën e parë të Real Madridit, megjithëse klubi ka pasur një uniformë alternative tërësisht jeshile në sezonin 2012–2013.

Ndërkohë, ngjyra rozë është përdorur në disa raste në fanella të mëparshme, por kurrë e kombinuar me një tjetër ngjyrë ashtu siç parashikohet për sezonin e ardhshëm.

Imazhet e publikuara deri tani nuk tregojnë detaje të tjera në pjesën e bardhë të fanellës.

Sipas burimeve, pritet që versioni përfundimtar të pësojë disa ndryshime krahasuar me këto skica fillestare; megjithatë, koncepti bazë dhe kombinimi i ngjyrave do të mbeten të ngjashme.

736 mijë lek rrogë në muaj/ Kush është juristja e Ermal Beqirit që doli pronare e Jahtit 1 mln €

By: Fax Web
26 December 2025 at 13:07

Xhenila Tamizi, një juriste e kompanisë “Soft & Solution”, rezulton të jetë pronare e disa pasurive që SPAK dyshon se zotëruesi i vërtetë i tyre është biznesmeni i teknologjisë elektronike, Ermal Beqiri.

Ndaj Beqirit dhe biznesmenit tjetër të shpallur në kërkim, Ergys Agasi, tashmë SPAK ka nisur një hetim pasurur me qëllim zbulimin e pasurive që dyshohet se janë ndërtuar nga burime të paligjshme.

Sipas verifikimeve të kryera nga prokuroria e Posaccme SPAK, Xhenila Tamizi, rezulton të jetë juristja e kompanisë “Soft & Solution”, tek e cila paguhet me 736 mijë lekë të vjtra në muaj.

Por pavarësisht kësaj page të ulët, juristja e Ermal Beqirit, rezulton të ketë në pronësi disa pasuri, si apartamente dhe një Jaht të markës “Pretador 50 sky fall” që përllogaritet në 950 mijë dollarë.

Ndërkohë nga verifikimet e kryera në sistemin e targave dhe automjeteve në emër të Xhenila Tamizit,deri në vitin 2021 nuk rezultonte i rregistruar asnjë mjet lundrues dhe asnjë mjet transporti tjetër.

Hetimet ndaj këtij rasti kanë përfshirë të gjithë punonjësit e kompanisë së Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, me shpresën e gjetjes së pasurive që dyshohet si të fshehura.

Ndërkohë SPAK dhe prokuroria e Tiranës, janë duke kryer veprime hetimore lidhur me zyrtarët përgjegjës që nuk mundën të sigurojnë koleksionin prej 900 shishe vere e vere të cilësisë së lartë, që u zhduk nga banesa e Ergys Agasit, e cila ndodhet në kompleksin “Panto Resort”.

Hetimet e SPAK-ut po përqëndrohen edhe në prona të tjera të fituara nga kompania “Soft&Solution” dhe “EA Solution”, pasi sipas informacioneve janë përqëndruar në Tiranë, në sektorin e ndërtimit dhe në prona të paluajtshme në disa vende të Shqipërisë.

Po ashtu, SPAK po kërkon informacion edhe tek bankat e nivelit të dytë për të gjurmuar paratë, si dhe hipotekat./ Enton Qyno

❌
❌