Normal view

Trump me Netanyahun: Jemi afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Gaza

29 September 2025 at 20:47

Presidenti amerikan, Donald Trump doli pas bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, duke thënë se ishte “afër” arritjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Jemi, të paktën, shumë, shumë afër. Dhe mendoj se jemi më shumë se shumë afër”, theksoi ai, shkruan CNN.

Fjala hapëse e presidentit sugjeroi se nuk ishte arritur një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës në Gaza, dhe ai vuri në dukje më vonë se marrëveshja ende duhej të pranohej nga Hamasi. Pak momente më parë, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan me 20 pika për t’i dhënë fund konfliktit.

Trump e përshkroi të hënën si “një ditë të madhe, të madhe, një ditë të bukur, potencialisht një nga ditët më të mëdha në qytetërim”.

Ofensiva izraelite në Gazë ka lënë të vdekur mbi 66 mijë palestinezë, kryesisht civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat OKB-ja i konsideron kredibile./abcnews.al

Netanyahu mbërrin në Shtëpinë e Bardhë/ Trump i bindur për marrëveshje paqeje

By: Rovena
29 September 2025 at 18:32

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga ish-presidenti amerikan Donald Trump jashtë Krahut Perëndimor.

Të dy liderët u përshëndetën me buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh, ndërsa Trump bëri shenjë me gishtat e mëdhenj lart, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Kur u pyet nëse ishte i sigurt për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Gaza, Trump u përgjigj shkurtimisht: Po. Jam shumë i bindur.

Netanyahu: Izraeli “duhet të përfundojë punën” kundër Hamasit

26 September 2025 at 22:32

I përballur me kritika dhe protesta jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u tha udhëheqësve botërorë se shteti i tij “duhet të përfundojë punën” kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – në Gazë.

Udhëheqësi izraelit po përballet me izolim në rritje ndërkombëtar për shkak të refuzimit të tij që të ndalë luftën në enklavën palestineze.

“Udhëheqësit perëndimorë mund të jenë dorëzuar nën presion”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “Por, unë ju garantoj një gjë: Izraeli nuk do të dorëzohet”, shtoi Netanyahu.

Fjalimin Netanyahu e nisi pasi dhjetëra delegatë nga disa shtete u larguan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shenjë proteste.

Duke iu përgjigjur vendimeve të marra së fundi nga disa shtete për njohjen e shtetësisë palestineze, Netanyahu tha se “vendimet tuaja të turpshme do të nxisin terrorizmin kundër hebrenjve dhe kundër njerëzve të pafajshëm kudo”.

Netanyahu: Akuzat për gjenocid dhe krizë urie për popullin e Gazës janë të pabaza!

26 September 2025 at 17:31

“Akuzat për gjenocid kundër Izraelit janë të pabaza. Ne u kemi kërkuar banorëve të qytetit të Gazës të largohen, po bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur dëmtimin e banorëve. A do të silleshin kështu ata që kryejnë gjenocid? “, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Netanyahu iu drejtua edhe vendeve perëndimore, të cilat kanë rritur kritikat ndaj izraelit për luftën në Gaza.

Sipas tij, Izraeli po bën luftën e tyre dhe madje pretendoi se liderët që e dënojnë Izraelin publikisht, në privat e falënderojnë, duke lavdëruar shërbimet sekrete izraelite që parandalojnë sulme terroriste.

Më tej Netanyahu tha se nuk është Izraeli ai që e refuzon një zgjidhje me dy shtete, por shtoi se janë vetë palestinezët ata që nuk e besojnë një zgjidhje të tillë.

/abcnews.al/

Netanyahu në OKB: Vendimi për të njohur shtetin palestinez, ‘një çmenduri’!

26 September 2025 at 16:12

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka mbajtur fjalën e tij në OKB. Netanyahu ka folur për Iranin, grupin Houthi dhe Hamasin duke thënë se janë shkaktarët dhe kërcënuesit kryesorë të paqes në rajon dhe në të gjithë botën.

Ai nënvizoi Izraeli goditi terroristët dhe se shkatërroi programin e armëve atomike dhe raketave balistike të Iranit.

Netanyahu reagoi edhe ndaj vendimit të vendeve, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, për të njohur shtetin palestinez , duke e quajtur atë “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin.

Është “çmenduri e pastër, është çmenduri dhe ne nuk do ta bëjmë”, thotë kryeministri izraelit.

Duke iu përgjigjur akuzave se po shënjestron civilë në Gaza, ai thotë se nuk është e vërtetë dhe se qëllimi kryesor kanë qenë vetëm terroristët.

/abcnews.al/

Sllovenia i ndalon Benjamin Netanyahut hyrjen në vend

25 September 2025 at 15:50

Sllovenia i ka ndaluar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu hyrjen në territorin e saj.

Ky vendim vjen pas një ndalimi ndaj dy ministrave të ekstremit të djathtë në kabinetin izraelit në korrik, thuhet në një deklaratë qeveritare.  Sllovenia, një anëtare e Bashkimit Evropian, njohu shtetin palestinez vitin e kaluar dhe vendosi një embargo armësh ndaj Izraelit në gusht.

Sipas të dhënave të AFP-së, të paktën 151 vende nga 193 shtetet anëtare të OKB-së tashmë e njohin shtetin e Palestinës.

/abcnews.al/

Kanadaja, Britania dhe Australia njohin Palestinën/ Netanyahu: Nuk do të ketë shtet palestinez

21 September 2025 at 18:15

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i është përgjigjur vendimit të sotëm të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë dhe Australisë për të njohur zyrtarisht Palestinën, duke u zotuar se “nuk do të ketë shtet palestinez”.

Udhëheqësi izraelit tha se pavarësisht presionit të madh, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtar, ai ka penguar krijimin e asaj që e quajti një “shtet terrorist” për vite me radhë.

“Ne e bëmë këtë me vendosmëri dhe me mençuri diplomatike. Aq më tepër, ne kemi dyfishuar vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari – dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”, tha ai, duke përdorur termin që zakonisht përdoret në Izrael për t’iu referuar Bregut Perëndimor të pushtuar.

“Përgjigja ndaj përpjekjes së fundit për të na imponuar një shtet terrorist në zemër të tokës sonë do të jepet pas kthimit tim nga Shtetet e Bashkuara. Prisni”, shtoi Netanyahu./abcnews.al

Portugalia konfirmon se do ta njohë shtetin palestinez

20 September 2025 at 15:19

Portugalia ka njoftuar se do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez, duke u bërë një nga vendet perëndimore që po ndryshojnë politikën e tyre në kohën kur lufta në Rripin e Gazës nuk po tregon shenja përfundimi.

Ministria e Jashtme e Portugalisë e bëri njoftimin para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet javën e ardhshme në New York.

Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia pritet të shpallin vendime të ngjashme.

Izraeli e ka dënuar këtë hap, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që ka thënë se “shpërblen terrorin” pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023 kundër Izraelit.

Netanyahu paralajmëron Hamasin: Nëse dëmtoni pengjet do ta paguani shtrenjtë!

17 September 2025 at 09:10

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi Hamasin që të mos dëmtojë pengjet që mban ende në Rripin e Gazës.

“Nëse ata dëmtojnë qoftë edhe një fije floku të një pengu të vetëm, ne do t’i ndjekim deri në fund të jetës së tyre dhe ky fund do të vijë shumë më shpejt nga sa mendojnë ata”, tha Netanyahu gjatë një konference për shtyp.

Sipas njoftimeve nga mediat ndërkombëtare, Hamasi ka zhvendosur disa nga pengjet, të cilët më parë mbaheshin në tunele, në tenda dhe shtëpi me qëllim që të parandalojë ushtrinë izraelite të nisë operacione kundër disa zonave.

Kryeministri izraelit theksoi se pengjet po mbahen në zona që janë të rrezikshme. Më herët edhe presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi Hamasin se do të “paguante shtrenjtë” nëse do t’i përdorte pengjet që mbante si “mburoja”.

/abcnews.al/

Netanyahu sfidon Erdoganin: Jerusalemi është qyteti ynë

By: Rovena
16 September 2025 at 22:26

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka dhënë një deklaratë të fortë nga Jerusalemi, duke reaguar ndaj komenteve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan lidhur me statusin e qytetit të shenjtë.

Gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten, ai theksoi sovranitetin izraelit mbi Jerusalemin, duke e quajtur atë “qyteti ynë të përjetshëm”.

“Epo, ne jemi këtu. Kjo është qyteti ynë. Zoti Erdogan, nuk është qyteti juaj. Është qyteti ynë. Do të jetë gjithmonë qyteti ynë. Nuk do të ndahet më kurrë”, deklaroi lideri izraelit.

Deklarata e Netanyahut vjen në një kohë tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme, ku Jerusalemi mbetet një pikë kyçe për përplasjet diplomatike dhe fetare midis Izraelit dhe botës islame.

Erdogan ka qenë ndër zërat më të zëshëm që e kundërshton kontrollin e plotë izraelit mbi Jerusalemin, duke mbështetur aspiratat palestineze për pjesën lindore të qytetit.

Komentet e fundit të udhëheqësit izraelit pritet të shkaktojnë reagime të ashpra nga Ankaraja dhe vendet e tjera me shumicë myslimane, të cilat e shohin Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e ardhshëm të një shteti palestinez. Zhvillimet pritet të ndikojnë më tej në marrëdhëniet izraelito-turke, të cilat kanë qenë të tensionuara në dekadën e fundit, pavarësisht përpjekjeve sporadike për normalizim.

Izraeli nisi operacionin tokësor në Gaza, familjet e pengjeve të shqetësuar për fatin e të afërmve të tyre

16 September 2025 at 11:35

Forumi i Familjeve të Pengjeve të Izraelit po nis një apel të dëshpëruar për të mbrojtur të dashurit e tyre, duke akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se i ka sakrifikuar ata, sipas ”Times of Israel”.

“Nata e 710-të në Gaza mund të jetë nata e fundit në jetën e pengjeve që mezi mbijetojnë, dhe nata e fundit në të cilën do të jetë e mundur të gjenden dhe të kthehen pengjet e vrarë për një varrim dinjitoz”, deklaroi ky forum.

Forumi pohon, vazhdon gazeta izraelite, se një numër i konsiderueshëm i 22 pengjeve që konsiderohen të gjallë nga Izraeli po mbahen në Qytetin e Gazës.

“Kryeministri po zgjedh me vetëdije t’i sakrifikojë ata në altarin e konsideratave politike”, shton grupi duke e akuzuar atë se ka injoruar këshillën e shefit të Shtabit të IDF-së, i cili thuhet se paralajmëroi kundër operacionit.

Izraeli ka filluar sulmin e tij tokësor në Gaza, me tanket që thuhet se kanë hyrë tashmë në qytetin kryesor të Rripit.

Netanyahu nuk përjashton sulme ndaj udhëheqësve të Hamasit

By: Rovena
15 September 2025 at 17:40

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka përjashtuar sulme të mëtejshme ndaj udhëheqësve të Hamasit pas sulmit të javës së kaluar në Katar, duke thënë se ata nuk do të kenë imunitet “kudo që të jenë”.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio në Jerusalem, Netanyahu tha se çdo vend kishte të drejtë “të mbrohej përtej kufijve të tij”.

Vendimi i Izraelit për të synuar udhëheqës të lartë të Hamasit në Katar – një aleat i ngushtë i SHBA-së – shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe kritika nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Sulmi izraelit në Doha, Shtëpia e Bardhë: Trump do të takohet me kryeministrin e Katarit!

12 September 2025 at 21:31

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Donald Trump do të presë kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdelrahman al-Thani, të mërkurën.

Takimi vjen tre ditë pasi Izraeli kreu një sulm ndaj udhëheqësve të lëvizjes islamiste palestineze Hamas, në Doha.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të marrë pjesë në darkë me presidentin e SHBA-së dhe kryeministrin e Katarit.

Kryeministri i Katarit më herët tha se homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu duhet të mbajë përgjegjësi pasi sulmet ajrore izraelite në kryeqytetin e Emirateve shënjestruan anëtarët e një ekipi negociator të Hamasit.

“Mendoj se ajo që bëri Netanyahu ishte të vriste çdo shpresë për pengjet që mbeten në Gaza”, tha al-Thani për CNN.

/abcnews.al/

Sulmi në Doha, kryeministri i Katarit: Netanyahu duhet të nxirret para drejtësisë

By: Rovena
11 September 2025 at 09:57

Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, tha se homologu i tij izraelit, Benjamin Netanyahu, duhet të nxirret para drejtësisë pasi sulmi i Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Doha “vrau shpresat” për lirimin e pengjeve në Gaza.

Al-Thani shtoi se Katari po “rivlerëson gjithçka” në lidhje me rolin e tij si ndërmjetës në bisedimet e dështuara deri më tani që synojnë një armëpushim në konfliktin e shkaktuar nga një sulm nga Hamasi më 7 tetor 2023. Të martën, forcat ajrore të Izraelit shënjestruan udhëheqësit e Hamasit që takoheshin në një kompleks në Doha, kryeqytetin e një aleati të SHBA-së që organizon rregullisht bisedime.

“Mendoj se ajo që bëri Netanyahu ishte vrau çdo shpresë për pengjet”, tha Al-Thani për CNN, duke shtuar se Netanyahu “duhet të nxirret para drejtësisë”.

Sulmi gjithashtu shkaktoi kritika të rralla nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, një aleat i ngushtë i Izraelit, i cili tha se ishte “shumë i pakënaqur” për këtë dhe se ky veprim ishte i pamatur.

Netanyahu i paralajmëroi autoritetet e Katarit: “U them Katarit dhe të gjitha kombeve që strehojnë terroristë: ose duhet t’i dëboni ose t’i çoni para drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni, ne do t’i bëjmë.”

“Forcat izraelite po riorganizohen”/ Netanyahu paralajmëron sërish banorët e Gazës: Largohuni tani!

8 September 2025 at 19:44

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar sërish banorët e qytetit të Gazës që të largohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Izraeli më herët njoftoi se do të intensifikojë sulmet ajrore në zonë. Duke iu drejtuar banorëve të Gazës, kryeministri izraelit theksoi: “Më dëgjoni me kujdes: “Ju jeni paralajmëruar, largohuni tani!”

Netanyahu tha gjithashtu se forcat izraelite po riorganizohen dhe po mblidhen në Gazë përpara operacioneve tokësore.

/abcnews.al/

Sulmet e Izraelit në Gaza, Netanyahu mbledh kabinetin e sigurisë

By: Rovena
31 August 2025 at 16:13

Kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu pritet të diskutojë planin për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. Sipas autoriteteve lokale të shëndetësisë, të paktën 30 persona u vranë të dielën nga të shtënat dhe bombardimet, përfshirë 13 që po përpiqeshin të merrnin ushqim pranë një pike ndihme në pjesën qendrore të Gazës dhe dy të tjerë brenda një shtëpie në qytetin e Gazës.

Një ditë më parë, të paktën 15 persona, mes tyre pesë fëmijë, u vranë nga një sulm mbi një ndërtesë banimi në qendër të qytetit. Banorët e lagjes Sheikh Radwan thanë se zona ishte nën zjarr të pandërprerë tankesh dhe bombardime ajrore gjatë së shtunës dhe së dielës, duke detyruar shumë njerëz të kërkojnë strehë në pjesën perëndimore.

Ushtria izraelite ka intensifikuar gradualisht operacionet rreth qytetit gjatë tre javëve të fundit dhe të premten shpalli fundin e pauzave të përkohshme që lejonin shpërndarjen e ndihmave, duke e shpallur zonën “fushëbetejë të rrezikshme”. Një zyrtar izraelit tha se kabineti i sigurisë do të mblidhet për të vendosur hapat e ardhshëm të ofensivës për të marrë kontrollin e qytetit, që Netanyahu e ka cilësuar si bastioni i fundit i Hamasit.

Ndërkohë, Netanyahu konfirmoi se ushtria izraelite kishte goditur Abu Ubaidën, zëdhënësin e krahut të armatosur të Hamasit, por shtoi se ende nuk dihet rezultati i sulmit. Abu Ubaida, i njohur si Hozayfa Al-Khalout, është një figurë e rëndësishme e Hamasit prej dy dekadash dhe njihet për komunikimet e tij publike nëpërmjet videomesazheve.

Kryetarja e Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric, paralajmëroi se një evakuim i qytetit do të sillte një zhvendosje masive të popullsisë që asnjë zonë tjetër e Rripit të Gazës nuk është e përgatitur të përballojë, mes mungesave të theksuara të ushqimit, strehimit dhe furnizimeve mjekësore. Rreth gjysma e mbi 2 milionë banorëve të enklavës ndodhen aktualisht në qytetin e Gazës, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar drejt zonave qendrore dhe jugore.

Autoritetet shëndetësore raportojnë se mbi 63 mijë persona, kryesisht civilë, janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite, ndërsa të dielën u konfirmua vdekja e shtatë personave të tjerë nga uria dhe kequshqyerja, duke e çuar në 339 numrin e viktimave nga mungesa e ushqimit, mes tyre 124 fëmijë. Izraeli ka vënë në dyshim shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.

Protestat në Izrael për lirimin e pengjeve dhe kundër vazhdimit të luftës janë shtuar në javët e fundit, ndërsa ushtria ka paralajmëruar qeverinë se ofensiva mund të rrezikojë jetën e tyre. Lufta nisi më 7 tetor 2023, pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Besohet se vetëm 20 nga 48 pengjet e mbetura janë ende gjallë

Argjentina kërkon arrestimin e Netanyahu-t për krime lufte

By: Rovena
30 August 2025 at 18:36

Avokatët që mbrojnë të drejtat e njeriut në Argjentinë kanë dorëzuar një ankesë penale në gjykatat federale të vendit, duke kërkuar që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të arrestohet nëse viziton territorin argjentinas.

Kjo kërkesë vjen pas spekulimeve për një mundësi vizite të Netanyahu-t në shtator, e cila ende nuk është konfirmuar nga qeveria izraelite.

Në dokumentin e ankesës, të cilin e ka shqyrtuar agjencia Reuters, Netanyahu, bashkë me autoritetet politike dhe ushtarake të Izraelit, janë nën hetim për një ngjarje të ndodhur më 23 mars 2025. Gjatë këtij incidenti, 15 persona u ekzekutuan, përfshirë disa punonjës të ndihmës që po asistonin viktimat e një shpërthimi.

Avokatët argjentinas të të drejtave të njeriut, Rodolfo Yanzon dhe Raji Sourani, drejtor i Qendrës Palestineze për të Drejtat e Njeriut, e kanë akuzuar Netanyahu-n për përgjegjësi penale, duke e cilësuar atë të përfshirë në krime lufte dhe për shkaktimin e vdekjes nga uria. Po ashtu, ata kanë ngritur akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, përndjekje dhe veprime të tjera çnjerëzore.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet arrestimi i Netanyahu-t në Argjentinë. Një kërkesë e ngjashme ishte dorëzuar edhe në fillim të gushtit nga Shoqata e Punonjësve Shtetërorë (ATE) dhe organizata e të drejtave të njeriut HIJOS.

Kryeministri izraelit ndodhet nën një presion të madh ndërkombëtar për shkak të ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza, që ka shkaktuar mijëra viktima palestineze dhe ka detyruar zhvendosjen masive të popullsisë.

Në të njëjtën kohë, akuzat për gjenocid dhe krime lufte janë nën shqyrtim nga Gjykata Ndërkombëtare dhe Gjykata e Lartë Botërore, por Izraeli dhe Netanyahu vazhdojnë t’i mohojnë ato./abcnews.al

Përfundon mbledhja e kabinetit izraelit/ Vazhdojnë protestat, familjarët kërkojnë siguri për lirimin e pengjeve

26 August 2025 at 19:20

Ka përfunduar mbledhja e kabinetit të Sigurisë së Izraelit. Takim që zgjati rreth më pak se tre orë.

Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare në këtë takim nuk është biseduar lidhur marrëveshjen 60 ditore të armëpushimi dhe lirimit të pengjeve.

Takimi erdhi mes një dite protestash masive që kërkonin një marrëveshje për lirimin e 50 pengjeve që ende mbahen nga grupet terroriste në Gaza dhe kundër planeve të qeverisë për të përshkallëzuar luftën me pushtimin e menjëhershëm të Qytetit të Gazës.

Protestat ende po vazhdojnë në Izrael jashtë zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, ku u mbajt edhe takimi.

Demonstratat janë organizuar nga Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, i cili po kërkon që qeveria të sigurojë një marrëveshje për lirimin e pengjeve për ata që ende mbahen në Gaza.

/abcnews.al/

Netanyahu: Izraeli shpreh keqardhje për aksidentin tragjik në spitalin Nasser

25 August 2025 at 20:17

Kryeministri Benjamin Netanyahu pohoi se Izraeli “ndjen keqardhje të thellë” për “fatkeqësinë tragjike” që ndodhi këtë të hënë në spitalin Nasser.

Udhëheqësi izraelit tha gjithashtu se autoritetet ushtarake po kryenin një hetim të plotë për atë që ndodhi.

“Izraeli shpreh keqardhje të thellë për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitalin Nasser në Gaza”, tha Netanyahu.

“Izraeli vlerëson punën e gazetarëve, stafit mjekësor dhe të gjithë civilëve. Autoritetet ushtarake po kryejnë një hetim të plotë”, shtoi  ai.

“Lufta jonë është me terroristët e Hamasit. Synimet tona të drejta janë mposhtja e Hamasit dhe sjellja e pengjeve tona në shtëpi”, shtoi ai.

Plan për lirimin e pengjeve/ Shefi i ushtrisë izraelite: E kemi gati, vendos Netanyahu

25 August 2025 at 13:28

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, gjenerali Eyal Zamir ka deklaruar këtë të hënë  se ekziston një marrëveshje konkrete për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza, marrëveshje kjo që duhet të shqyrtohet nga Kabineti i Sigurisë Izraelite. Zamir është shprehur sipas asaj që shkruajnë mediat Izraelite se ushtria e vendit ka krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për zbatimin e kësaj marrëveshje, por vendimi final mbetet në dorën e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Kabineti I Sigurisë Izraelite pritet të mblidhet të martën për të marrë një vendim final mbi një marrëveshje armëpushimi që u pranua nga Hamas javën e Shkuar.

Marrëveshja është hartuar nga ndërmjetësuesit e Egjipit dhe Katarit bazuar në një draft të të dërguarit amerikan për Lindjen e Mesme Steve  Witkoff. Ajo parashikon një armëpushim 60 ditor, lirimin në dy faza të rreth gjysmës së pengjeve dhe vazhdimin e negociatave për ti dhënë fund luftës përfundimisht në Lindjen e Mesme. Hamas mban aktualisht 50 pengje ende në gaza, por sipas inteligjencës së Tel Avivit vetëm 20 prej tyre besohet se janë gjallë ende.

Mediat Izraelite shkruajnë se Kryeministri Benjamin Netanyahu vijon të jetë kundër një marrëveshje të ndarë në disa faza, pasi kreu I qeverisë kërkon që të ketë lirim të të gjitha pengjeve njëherazi nga Hamas. Dicka e tillë ka sjellë përplasje brenda qeverisë izraelite. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, gjenerali Eyal Zamir ka paralajmëruar më herët se pushtimi i plotë I qytetit të Gazës, një vendim i miratuar nga qeveria Izraelite mund të rrezijojë seriozisht jetën e pengjeve të mbetura Gjallë si dhe mund të sjellë një katastrofë për forcat ushtarake të vendit për shkak se lufta do të zgjaste.

Familjarët e pengjeve të cilat kanë protestuar kundër Netanyahut dhe kërkojnë marrëveshje të menjëhershme  ka mbështetur planoin e Shefit të Shtabit të Ushtrisë izraelite, duke e konsideruar atë si një shpresë për rikthimin e familjarëve të tyre./abcnews.al

❌