Normal view

Aksident në aksin Vlorë-Llogara/ Furgoni del nga rruga, një viktimë dhe 4 të plagosur (EMRAT)

26 July 2026 at 08:19

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë–Llogara, pranë fshatit Fushë Dukat.

Një furgon që transportonte punëtorë, të cilët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit, ka dalë nga rruga. Sipas dyshimeve paraprake, shkak mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit, ose ndonje arest kardiak.

Pas humbjes së kontrollit, furgoni përfundoi në një kanal anës rrugës.

Si pasojë e aksidentit, një person humbi jetën. Për shkak të deformimit të mjetit, zjarrfikësit ndërhynë për të prerë pjesë te sediljeve, pasi të plagosurit kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit, i cili kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të plagosurit u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Të plagosurit janë: Saimir Haka 22 vjeç, Qazim Haka 44 vjeç, Sako Rexha rreth 22 vjeç ndërsa viktima Ilir Haka 52 vjeç.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë matjet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit./abcnews.al

U godit nga helikat e skafit/ Vlorë, rëndohet gjendja e të miturit, transportohet në Tiranë

24 July 2026 at 10:22

Është rënduar gjendja e të miturit i cili u godit nga helikat e skafit ndërsa ishte duke lëvizur në det.

I miturit pas trajtimit mjekësor në spitalin e Vlorës është nisur për në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.

I lënduari , 17 vjeç, i identifikuar si Santiago Çerçizi, dyshohet se ka pësuar prerje të rëndë në këmbë nga helika e një skafi.

Vlorë, një person plagoset rëndë nga helika e një skafi

By: Rovena
23 July 2026 at 17:34

Një person, i identifikuar si Santiago Çerçizi, është plagosur në një aksident të ndodhur në det pasditen e kësaj të enjteje.

Sipas informacioneve paraprake, i lënduari dyshohet se ka pësuar prerje të rëndë në këmbë nga helika e një skafi.

Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e aksidentit. Pritet që në vijim të ketë më shumë detaje zyrtare lidhur me ngjarjen.

VIDEO/ “Dimër” në verë, stuhi e reshje shiu në qytetin e Vlorës

21 July 2026 at 21:47

Qyteti bregdetar i Vlorës u përfshi mbrëmjen e së martës nga një stuhi e shoqëruar me erë të fortë.

Ndërkohë, në zonë kanë nisur edhe reshjet e shiut.

Ulja e temperaturave vjen teksa prej ditësh vendi është përfshirë nga moti i nxehtë./abcnews.al

Rama publikon pamjet: Punimet në “Lungomare 4” po shkojnë drejt përfundimit

21 July 2026 at 08:16

VLORË– Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga projekti Lungomare 4, në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë, duke bërë të ditur se punimet po i afrohen fundit.

“MIRËMËNGJES dhe me këtë pamje nga Lungomare 4, në Plazhin e Vjetër të Vlorës, ku punimet po shkojnë drejt përfundimit, ju uroj një ditë të mbarë.”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare në “Facebook”.

Projekti i Lungomare 4 është pjesë e investimeve për zgjerimin dhe sistemimin e vijës bregdetare të Vlorës, me synimin për të përmirësuar infrastrukturën, hapësirat publike dhe ofertën turistike të qytetit. Pamjet e publikuara tregojnë ecurinë e punimeve, të cilat sipas kryeministrit janë në fazën përfundimtare.

Vlorë/ Zjarr në Ujin e Ftohtë, era dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e flakëve

By: Rovena
20 July 2026 at 16:32

Një zjarr është regjistruar mesditën e kësaj të diele në zonën e Ujit të Ftohtë, mbi tunelin e Vlorës. Flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ndërsa, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, u përhapën me shpejtësi duke patur rrezik edhe per banesat.

Në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat ndërhynë menjëherë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe mbrojtjen e banesave. Operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.

Zjarr në Novoselë të Vlorës/ Flakët përfshijnë barishte e pemë, nuk raportohet për të lënduar

17 July 2026 at 14:38

Një vatër zjarri është regjistruar në zonën e fshatit Mifol në Novoselë. Flakët kanë përfshirë barishte, pemë, duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqen e prekur.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e shërbimit zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Deri më tani nuk raportohet për banesa të rrezikuara apo persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta./abcnews.al

EMRAT/ Dhunuan dhe kërcënuan me pistoletë lodër 70-vjeçarin për t’i vjedhur paratë, arrestohen 3 autorët në Vlorë

By: Rovena
15 July 2026 at 12:57

Hynë në banesën e një të moshuari, e mbajtën me dhunë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri (pistoletë çakmak), me qëllim vjedhjen e një shume parash. Identifikohen, kapen dhe arrestohen 3 autorët e dyshuar.

Njëri prej të arrestuarve ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për krime në fushën e narkotikëve.

Autorët kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të kryer krimin.

Sekuestrohet automjeti tip “Mercedes-Benz”.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dijenia” u arrestuan në flagrancë shtetasit : Elkshi xhemali, 25 vjeç, banues në Selenicë, Knidi Truja, 23 vjeç, banues në Vlorë dhe Antonio Cani, 19 vjeç, banues në Vlorë.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. C. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për krime në fushën e narkotikëve.

Nga hetimet rezultoi se 3 shtetasit kishin mbajtur banesën e 70-vjeçarit në vëzhgim për 2 ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer krimin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Zjarr në Novoselë të Vlorës/ Flakët përfshijnë një hapësirë me shkurre e ullinj

14 July 2026 at 15:26

Një vatër zjarri është rregjistruar në Novoselë.

Zjarri ka rënë në një hapësirë me shkurre, barishte por edhe ullinjë.

Në vendngjarje kanë shkuar dy automjete të forcave zjarrfikëse për të lokalizuar dhe shuar flakët./abcnews.al

Operacionet policore në Vlorë/ Policia: Fokusi unë, garantimi i rendit dhe sigurisë publike

By: Rovena
13 July 2026 at 11:22

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka intensifikuar operacionet policore me fokusin kryesor te garantimi i rendit dhe sigurisë publike.

Gjatë një konference për mediat, drejtori Edvin Ndreu bëri me dije se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 13 aksidente fatale dhe janë gjobitur mbi 5 mijë drejtues mjetesh.

Ndërkohë, krahas masave të shtuara për sezonin turistik, sfidë kryesore mbetet goditja e kultivimit të lëndëve narkotike, për të cilën është kërkuar edhe monitorim ajror nga partnerët ndërkombëtarë.

Për të parandaluar dhe goditur çdo veprimtari të paligjshme, forcat policore do të jenë në gatishmëri të plotë 24 orë në terren.

“Kanë ndodhur 13 aksidente, ku kanë humbur jetën 13 shtetas. Gjatë kësaj periudhë janë vendosur mbi 5 mijë masa administrative. Mbetet sfidë goditja e kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të brendshme dhe të jashtme.

Kemi kërkuar monitorim ajror edhe nga partnerë jashtë vendit. Janë shtuar masat edhe për sezonin turistik. Mbetemi maksimalisht të angazhuar për goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme. Forcat policore vazhdojnë që të mbetet në gatishmëri 24 orë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, tha Ndreu.

Vlorë/ Përfshihet nga flakët automjeti

By: Rovena
10 July 2026 at 18:43

Një automjet është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të premteje në rrugën që të çon në Kaninë, në Vlorë.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shkrumbuar plotësisht mjetin. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Shërbimit Zjarrfikës, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e rrezikut.

Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt teknik, i lidhur me mbinxehjen e automjetit. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar.

Zjarr në Vlorë, flakët përfshijnë sipërfaqe me bimësi, dyshohet se ishte i qëllimshëm

9 July 2026 at 13:52

Një vatër zjarri është regjistruar rreth mesditës së sotme në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Vlorës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë dy automjete të shërbimit zjarrfikës, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre në zona të tjera.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Si pasojë e flakëve është djegur një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.

Shkaqet e plota të rënies së zjarrit pritet të përcaktohen nga hetimet e autoriteteve kompetente. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa.

Me armë dhe radio policie në makinë/ Arrestohet i riu në Vlorë

By: Rovena
4 July 2026 at 10:23

Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe me një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit, arrestohet 32-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, 40 fishekë luftarakë dhe një radio e ngjashme me ato të Policisë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”.

Si rezultat i operacionit, në lagjen “Lef Sallata”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi, me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 2 krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Shpërthim me lëndë plasëse në një lokal në Vlorë, dëme materiale

2 July 2026 at 07:53

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në një ambient lokali në qytetin e Vlorës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në lagjen “Pavarësia”, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në ambientet e lokalit. Nga shpërthimi është dëmtuar edhe një automjet që ndodhej i parkuar pranë lokalit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të vendosjes së lëndës plasëse. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar./abcnews.al

“Investimet e huaja, për shqiptarët”/ Ndërtimi i anijeve në Vlorë, Rama: Do hapen 500 vende pune të mirëpaguara

30 June 2026 at 14:00

Kryeministri Edi Rama deklaroi se investimet e huaja në vend bëhen për shqiptarët, që qytetarët të jetojnë me punë.

Në Pashaliman të Vlorës, ku do të ndërtohen anije në partneritet me një kompani italiane, Rama u shpreh se nga ky investim do të hapen 500 vende pune të mirëpaguara.

Rama shtoi se ky investim është një lajm i mirë për Vlorën.

“Janë 500 vende pune që krijohen nga ky partneritet. Janë 500 vende pune që kërkojnë njerëz të kualifikuar. Janë 500 vende të mirëpaguara. Në një kuptim, shërbimi në këto sipërmarrje, ka komponent të patjetërsueshëm patriotik. Ne i kemi burimet njerëzore me të cilat do të fillojë puna. Kompania do fillojë trajnimet në burim. Nxënësit e shkollës do shkojnë në kantierin e madh në Itali dhe aty do punojnë me mjeshtrat që ka kompania. Ky është lajm shumë i mirë për Vlorën. Këto investime të mëdha që vijnë, kanë edhe këtë komponent të rëndësishëm.

Këto investime vijnë për shqiptarët, për ata që duan të jetojnë me punë. Kjo është e vërtetë për këtë investim dhe për çdo investim. Të gjitha profesionet që lidhen me këtë kantier, kërkohet kualifikim shumë i mirë. E njëjta gjë vlen për investimet në turizëm”, theksoi ai./abcnews.al

Rama në Vlorë, vizitë në Pashaliman dhe inspektim të punimeve për Portin e Ri

By: Rovena
30 June 2026 at 11:41

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të martë në Vlorë, ku do të zhvillojë një sërë aktivitetesh në kuadër të vizitës së tij në qytetin bregdetar.

Ndalesa e parë e kreut të qeverisë është në Bazën Detare të Pashalimanit, në Orikum, ku pritet të zhvillojë një vizitë për t’u njohur nga afër me situatën dhe aktivitetin në këtë strukturë strategjike.

Më pas, Rama do të ndalet në zonën e Triportit, ku ka nisur investimi për ndërtimin e Portit të Ri të Vlorës. Vizita pritet të fokusohet në ecurinë e punimeve dhe rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe ekonomike të rajonit.

Vlorë/ Zjarr pranë zonës së ish-Fushës së Aviacionit, ndërhyjnë zjarrfikësit për të shmangur përhapjen e flakëve

27 June 2026 at 13:54

VLORË- Një zjarr ka rënë pak minuta më parë në pjesën periferike të qytetit, në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, pranë një zone të banuar.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një territor me barishte të thata dhe shkurre, duke shkaktuar shqetësim për banorët e zonës. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë nisur ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Burime nga terreni bëjnë të ditur se, falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, deri tani nuk raportohet rrezik për banesat pranë vatrës së zjarrit.

Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë vendosur në mënyrë të qëllimshme, megjithatë shkaqet e sakta do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve nga autoritetet kompetente.

Operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon.

Armë e granata në anë të rrugës/ Vlorë, qytetarja zbulon municionet, policia në vendngjarje

19 June 2026 at 10:28

Disa granata të ndryshkura dhe dy armë të mbuluara me rrobë janë konstatuar në anën e rrugës së plazhit të vjetër.

Në zonën që shkon në drejtim të Zvërnecit tek Kanali i Motorit një qytetare ka parë armët dhe granatat anës rrugës.

Ato janë në një prej akseve rrugore më të frekuentuara në qytet dhe kanë dalë në pjesën anësore të rrugës.

Është njoftuar policia ndërsa dyshohet se janë të shumë viteve më parë.

Elizabeta Shehaj është qytetarja e cila ka zbuluar armët në shesh Ajo tregon se ka qënë duke kaluar kur ka shkelur njërën prej tyre. Shehaj thotë se i ka gjetur në pjesën anësore të rrugës./abcnews.al

Vlorë/ Parashutisti rrëzohet në det gjatë uljes, dy pushues i shpëtojnë jetën (Video)

By: Rovena
18 June 2026 at 14:20

Një incident i rrezikshëm është regjistruar në bregdet, ku një parashutist është rrëzuar në det gjatë tentativës për ulje, duke rrezikuar seriozisht jetën.

Sipas informacioneve paraprake, parashutisti ka humbur kontrollin në momentet e fundit të zbritjes dhe ka përfunduar në ujë. Situata ka krijuar momente paniku për pushuesit që ndodheshin në zonë.

Vendimtare kanë qenë reagimi dhe guximi i dy pushuesve, të cilët janë hedhur menjëherë në det sapo kanë vënë re ngjarjen. Ata kanë notuar drejt të dëmtuarit dhe kanë arritur ta nxjerrin në breg, duke i dhënë ndihmën e parë deri në mbërritjen e shërbimeve të emergjencës.

Më pas, i lënduari është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmë të specializuar mjekësore. Ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tij shëndetësore.

Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit dhe shkaqet që çuan në rrëzimin e parashutistit

Vlorë, shtohen tragetet për verën/ Nga 1 korriku do të operojnë dy linja tragetesh me Italinë

By: Rovena
16 June 2026 at 15:39

Për t’iu përgjigjur kërkesës së shtuar dhe fluksit të sezonit veror, në portin e Vlorës nga data 1 korrik do funksionojnë dy linja tragetesh me Italinë.

Drejtori i portit të Vlorës, Valdet Bello, në një intervistë për ABC News, konfirmoi se ka nisur zbatimi i masave të posaçme me qëllim lehtësimin e pasagjerëve dhe mjeteve që operojnë në port.

Drejtori i Portit të Vlorës tha se përgatitjet kanë nisur tashmë, ndërsa muajt korrik dhe gusht pritet të shënojnë fluksin më të lartë të lëvizjeve, si çdo vit.

Për të përballuar këtë ngarkesë, numri i sporteleve funksionale është rritur nga katër në gjashtë.

Fundjava që lamë pas regjistroi një numër më të lartë lëvizjesh në port, ndërsa muajt korrik dhe gusht pritet të sjellin sërish një fluks të konsiderueshëm pasagjerësh nëpërmjet Portit të Vlorës.

❌