Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 January 2026Abc News

Protesta e PD/ Policia e Shtetit: 11 efektivë kanë mbetur të lënduar, 23 protestues të shoqëruar

24 January 2026 at 22:24

Gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmeve me molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, të hedhura drejt tyre pranë Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit.

Policët e dëmtuar, të cilët ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e protestës, kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.

Ata janë vizituar nga drejtori vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Sipas Policisë së Shtetit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, protestuesit kanë vijuar veprimet e paligjshme, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë procedurat për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë.

Ndërkohë, shërbimet policore po analizojnë pamjet filmike për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe shoqërimin e tyre. Deri më tani janë shoqëruar 23 persona, nga të cilët një ka rezultuar i mitur. Për këtë rast janë njoftuar menjëherë prindërit dhe i mituri ka qëndruar në ambientet e pritjes së qytetarëve, deri në marrjen e tij nga prindërit, pa u shoqëruar në dhomat e ndalimit.

Policia njofton se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të përfshirë në aktet e dhunës.

Gurët e shtëpisë time/ Nga Bostoni në Rehovë, emigracioni amerikan i rehovarëve…

24 January 2026 at 22:08

Jemi në rrugë drejt Rehovës. Dimër i ashpër, dëbora ka mbuluar gjithçka dhe të kujton këngën korçare, “dëbora zbardhi malet dhe fushat tatëpjetë…”. Por në fshatin Rehovë, 2 kilometra larg nga Erseka, ndjesia është krejt tjetër. Një fshat i bardhë, i mbuluar nga dëbora, por me ngrohtësi dhe paqe pranë zjarrit. Në bujtinën Cakuli na presin Gjergji dhe Vali. Janë rikthyer në Rehovë pas 21 vjetësh në Tiranë.

Shtëpinë e gurtë e kthyen në bujtinë, “hoqëm suvatë, kthyem gurin”, siç thotë Gjergji. Gjyshi i tij emigroi në Shtetet e Bashkuara ku punoi në Boston dhe me ato para që fitoi ndërtoi shtëpinë e gurtë në fshat, në të cilën u martua me gjyshen e tij kolonjare. Bashkëshortja Vali Cakuli na flet për Rehovën si fshati i luleve, duke thënë se nuk ka kopsht pa gjelbërim në Rehovë. Ushqimi këtu është shumë i veçantë, mish me kumbulla të thara dhe petulla me raki.

Natyrisht edhe byreku me preshë. Preshet i këpusin dhe i ruajnë në kopsht të futur në dhe. Vali na flet për gjyshërit dhe stërgjyshërit e Gjergjit që ndërtuan manastiret në Malin e Shenjtë të Athosit. Në një shtëpi tjetër të Rehovës takojmë Koço Thomollarin, që gjithashtu e ka kthyer shtëpinë në bujtinë. Fëmijët flasin shqip, edhe pse në emigracion, na thotë. “Nuk ua kanë humbur gjuhën prindërit”.

Koço na tregon edhe historinë e një Rehove të vjetër. Në kohën e Perandorisë Osmane, “Beu duhej të flinte me nusen natën e parë të martesës”. “Djali nuk duroi dot dhe e vrau beun, iku ai dhe gjithë fshati”, na thotë.

Në mullirin e Thomollarëve është ngritur edhe flamuri në 1912, kur u ngrit në Vlorë. Bashkëshortja Lavdije Thomollari na tregon se burrat këtu janë marrë me “punë shteti”, ndërsa gratë bënin çdo punë tjetër, mbanin shtëpitë dhe punonin arat. Edhe këtu byrek me preshë si në dimër dhe çaji i veçantë i trëndafilave të Rehovës. Fan Noli ishte nip kolonjar dhe kërkonte fjalë të vjetra shqipe për përkthimet e tij. “Si i thonë kalit të dalë nga dimri?”, pati pyetur dhe mori përgjigjen, “kalë gërdallë”. Në Rehovë është edhe tuma ilire, një nga më të mëdhatë e Ballkanit. Rehovarët janë shumë të lidhur me fshatin e bardhë dhe duan që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë përsëri në Rehovë.

Fjalime, molotovë, dhe…në rishikim

24 January 2026 at 21:25

Nga Eduard Zaloshnja

Rutina e zakonshme e protestave të thirrura nga Berisha u përsërit edhe në protestën e fundit.

Të mobilizuar nga Berisha, vartësit e tij nëpër degët e PD-së sollën në bulevard përkrahësit e tyre nga ishin e nga s’ishin, i rreshtuan në mëyrë të shpërndarë (që të dukeshin sa më të shumtë në planet horizontale të kamerave televizive), i mbajtën në bulevard deri sa mbaruan fjalimet dhe molotovët e zakonshëm, e pastaj i shpërndanë andej nga kishin ardhur.

Dhe në vijim, pritet që Berisha të thërresë përsëri për protesta më 20 shkurt dhe 31 mars, data që lidhen me rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës më 1991 dhe fitoren e parë elektorale të PD-së më 1992 (vetë lidhja me këto data tregon se sa pa lidhje është Berisha 81-vjeçar me votuesit që atëherë ishin çilimij apo që ende s’kishin lindur).

Për koalicionin e udhëhequr nga Berisha (PD-ASHM) votuan në maj rreth 500 mijë zgjedhës brenda vendit, por në protestat e thirrura prej tij nuk mblidhen dot as 5 mijë… Ai duhet t’ua kursejë pelegrinazhet e ardhshme atyre pak mijëve që ende i mblidhen në protesta, sepse “kilometri i fundit” nuk mund të vijë dot nga pak mijë përkrahës që mbledh në bulevard një plak 81-vjeçar që ka dështuar dy herë kur ishte në pushtet.

Sipas studimit të profesores Erica Chenoweth të Universitetit të Harvardit, në bulevard duhet të mblidhen të paktën 82 mijë shqiptarë, e mos ta lëshojnë atë deri sa të bjerë qeveria (https://abcnews.al/kryengritja-e-zgjatur-paqesore-e-berishes-qe-zgjat-me-pak-se-2-ore/ ). Por ky skenar s’ka për të ndodhur ndonjëherë, për sa Berisha i dështuar dy herë në pushtet të synojë ta marrë përsëri pushtetin!

Artizania që nuk ndalet nga mosha/ 85-vjeçarja, që kur ishte 10 vjeç kishte mësuar të punojë me bizat

24 January 2026 at 21:21

Në moshën 85-vjeçare, Mumushe Ibrahimi mban ende në duar historinë e një jete të tërë pune. E lindur dhe e rritur në Janjar, ajo e mësoi që fëmijë se jeta nuk të fal asgjë, por të mëson gjithçka nëse nuk dorëzohesh. Pas martesës u vendos në Sarandë, aty ku puna e dorës u bë shpirti i saj dhe rruga e vetme për të ecur përpara.

Që vajzë e vogël, vetëm 10 vjeçe, mori për herë të parë bizat në duar. Në një familje me shtatë fëmijë, ajo ishte më e madhja. Ditën mblidhte pambukun e fushës, ndërsa në mbrëmje e tirrte në furkë dhe bënte çorape e bluza për motrat dhe vëllezërit.

U martua vetëm 17 vjeçe, ndërsa kur erdhi në Sarandë ishte 25.

Pikërisht aty nisi rrugëtimi i saj më i gjatë: puna në fabrikën e qilimave dhe më pas në fabrikën e jorganëve. Për 52 vite me radhë, deri në prishjen e sistemit, duart e Mumushes nuk u ndalën kurrë.

Në Sarandë dhe Delvinë punonin rreth dy mijë gra dhe ajo ishte ndër të dalluarat. Modelet nuk i merrte nga askush; i krijonte vetë. Ajo nuk pati ëndrra për vete. Iu kushtua fëmijëve dhe punës së dorës. Por në atë kohë, puna ishte ëndërr.

Punimet e tyre shkonin jashtë shtetit, nga Durrësi drejt botës. Burri i saj, pjesë e degës së furnizimit, sillte lajmet nga magazinat dhe përgjegjësitë e ditës. Dhe shpesh, emri i Mumushes përmendej për punën e bërë mirë.

Në vitin 1990, kur ndërmarrja u mbyll, ajo nuk u ndal. Së bashku me një shoqe morën një tezgjah, e vendosën në një dhomë dhe filluan sërish nga e para. Qilima dhe rrugica që u shitën kudo nëpër botë.

Edhe sot, kur sheh dikë që punon, Mumushja thotë: “Të lumshin duart”. Sepse puna ka qenë vlera e jetës së saj. Me të ka rritur fëmijët, me të ka jetuar me dinjitet, pa kërkuar asgjë nga askush./abcnews.al

Fabrika e Pukës, histori pune dhe natyre/ Mark Gjonaj ruan traditën duke mbledhur vetëm frutat e egra të zonës

By: xhir jeta
24 January 2026 at 21:18

Në Pukë, aty ku ajri është i ftohtë dhe i pastër, dhe ku natyra duket se ruan ende ritmin e vet të qetë, një histori pune dhe këmbënguljeje ka marrë formë ndër vite. Mes pyjeve dhe maleve, frutat e egra rriten pa ndërhyrje, duke mbartur shijen dhe vlerat e një zone që pak është prekur nga industrializimi.

Mark Gjonaj është një prej atyre njerëzve që zgjodhën të mos largohen nga vendlindja. Pas viteve ’90, në një kohë kur shumëkush e shihte ikjen si të vetmen zgjidhje, ai nisi një punishte të vogël, duke përpunuar frutat që i ofronte vetë natyra e Pukës.

Me kalimin e viteve, puna e nisur thjesht u kthye në një angazhim familjar. Hapi pas hapi punishja u zgjerua dhe sot është shndërruar në një fabrikë përpunimi që jo vetëm ruan thelbin e prodhimit vendas, por i përgjigjet standardeve bashkëkohore.

Lënda e parë vjen nga vetë zona, ndërsa frutat mblidhen nga fermerët e Pukës dhe fshatrave përreth.

Në fabrikë përpunohen lëngje natyrale nga thana, shega, boronica, si edhe çajra mali, produkte që lidhen drejtpërdrejt me klimën dhe terrenin e zonës.

Përpunimi i bimëve mjekësore është një tjetër pjesë e kësaj historie. Gjethet e dafinës, mjedra dhe trëndafili i egër mblidhen nga malet dhe kthehen në çajra.

Fabrika është bërë pjesë e jetës së përditshme të qytetit. Në lokalet e Pukës, lëngu i thanës apo i shegës është kthyer në një produkt të zakonshëm, por me një histori pas vetes.

Sot, prodhimet e kësaj fabrike kanë kaluar kufijtë e zonës dhe të vendit, duke u gjetur edhe në tregje ndërkombëtare.

Një histori e thjeshtë pune, e ndërtuar mbi natyrën, përkushtimin dhe besimin se Puka ka ende shumë për të dhënë./abcnews.al

Kodra e Pecës, vendbanim prehistorik/ Një qytezë dardane që rrëfen historinë e saj nga lashtësia deri sot

24 January 2026 at 21:08

Një botim studimor rreth vendbanimit prehistorik në Kodrën e Pecës në Kukës hedh dritë mbi gërmimet dhe zbulimet e herëpashershme. Qyteza dardane në Kodrën e Pecës flet për vendbanimin prehistorik që prej krijimit të tij e deri në ditët e sotme.

Kjo kala e vendbanim është në njërën prej pikave strategjike të Kukësit në rrugëkalimin që lidh pjesët e tjera të Ilirsë me Dardaninë. Vetë mënyra e ndërtimeve tregon se këto fortifikime ishin të mbretërisë ilire.

Në këtë kala janë zbuluar materiale të shumta që dëshmojnë një vendbanim të rëndësishëm në periudha të ndryshme kohore ndërsa e veçanta sipas professor Luanit është zbulimi I emrave ilirë.

Struktura e kësaj kalaje dhe rëndësia strategjike u përsos në periudha të ndryshme kohore, ndër të cilat edhe ajo e perandorit Konstandin. Kurora arkitekturore dhe shumë e rëndësishme për kohën ishte ndërtimi I një kishe brenda kalasë në shekullin e VI që përkon me periudhën e perandorit Justinian.

Zbulimet e objekteve janë me shumë vlera e që dëshmojnë një cilësi e mënyrë jetese përtej një komuniteti të një shtrese të ulët e të mesme.Për profesor Luanin, nuk është e lehtë të punosh një studim të tillë, për të cilin punën e ka nisur herët bazuar në atë çfarë është studiuar e gërmuar në kodrën e Pecës.

Kalaja e Pecës është një monument me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike e historike për të cilin Ministria e Kulturës e ka kategorizuar si monument me rëndësi të kategorisë A.

100 vjet agoni, rënia e Apolonisë/ Si zhvendosja e Vjosës dhe tërmetet i dhanë fund qytetit të diellit

By: xhir jeta
24 January 2026 at 21:05

Dy tërmete të fuqishme që goditën qytetin në vitet 234 dhe 235 të erës sonë, kanë lënë pas gjurmë të dukshme.

Këto janë prova se tërmetet në këtë periudhë ishin të fuqishme, por flasin edhe për një inxhinieri të lartë ndërtimi në antikitet.

Goditjen përfundimtare, Apolonisë ia dha Vjosa.

Zhvendosja e shtratit në jug, e la qytetin pa port, duke frenuar tregtinë me Greqinë dhe Maqedoninë.

Qyteti që mahnit edhe sot me infrastrukturën dhe monumentet, u braktis gradualisht gjatë 100 viteve. Gjithsesi, banorët e tij nuk hoqen dorë nga disa zakone të jetës së luksit.

Apolonia u themelua nga kolonët korinthas në vitet 627 para erës sonë në territorin e Ilirisë. Në burimet historike quhet Apolonia e Ilirisë për t’u dalluar nga 30 qytetet e tjera me këtë emër në pellgun e Mesdheut./abcnews.al

Protesta/ Çupi: Berishës t’i vihen prangat si organizator i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj efektivëve

24 January 2026 at 20:28

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në ABC News, u shpreh se Sali Berishës duhet t’i vihen prangat si organizator i vrasjeve të mbetur në tentativë ndaj efektivëve të Policisë.

“Sali Berishës t’i vihen prangat si organizator të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj efektivëve të Policisë. Sot duhet t’i vënë prangat dhe nesër t’i caktojnë masën e  sigurisë”, tha ai.

Protesta me molotov/ 11 punonjës policie marrin ndihmë mjekësore

By: xhir jeta
24 January 2026 at 20:22

Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sulmeve para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie.

Ndërkohë, grupet hetimore po vijojnë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar disa nga personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.

Kilometri i fundit i Berishës/ Çupi: Jo vetëm ai, por edhe opozita ndodhet në këtë “stacion”

24 January 2026 at 20:01

TIRANË- Analisti i njohur Frrok Çupi, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Abc News, u shpreh se Sali Berisha ashtu edhe opozita shqiptare kanë hyrë në kilometrin e fundit pasi nuk përcjellin shpresë për askënd.

“Që të dyja janë në kilometrin e fundit, Berisha ndodhet në kilometri e fundit, sepse e pret gjykimi, e pret drejtësia. Opozita ndodhet në kilometrin e  fundit, sepse ka qejf ta dëgjojë këtë fjalë, sepse është një opozitë e lënë rrugëve, qoftë dhe mendërisht”, tha ai.

Ai tha se në PD sot ekzistojnë dy fronte, të cilat po e përçajnë më tej partinë.

“Pamë dy opozita aty, Salianji dhe Berisha, ishte tregues i qartë, që tregon për një opozitë e shpartalluar dhe e përçarë. Ai ka përçarë vendin dhe Shqipërinë.”, tha ai./abcnews.al

“Berisha ka vrarë kombin e vet”, Çupi: Përveç njollës “non grata”, bota perëndimore e njeh kreun e PD si trafikant

24 January 2026 at 19:54

TIRANË- Analisti i njohur Frrok Çupi, u shpreh se bota perëndimore e di shumë mirë se kush është e shkuara e Sali Berishës.

Ai theksoi se përveç damkës “non grata” të vendosur nga SHBA dhe Britania e Madhe, për veprimtarinë e tij ka dhe informacione të tjera që e lidhin kreun e Partisë Demokratike me botën e errët të trafikut të drogës dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

“I gjithë ky glob, që duket i hallakatur, i shpërndarë, në diversitet, prej shekujsh ka një lidhje qeverisëse morale dhe ligjore ashtu si dhe ushtarake. Çfarëdo që të ndodh në glob, janë forcat përparimtare perëndimore, të cilat i balancojnë të gjitha gjërat, nëse SHBA e shpallin dikë non grata….

Ka një gjë tjetër përveç “non grata”, Berisha është bashkëpunëtor i terrorizmit, është vrarës i kombit të vet, është trafikant njerëzish dhe trafikant droge dhe bota e shpërndan këtë informacion këtë në kanale të sigurta.

Bota pasi e merr këtë informacion, nuk të fton. Nuk mund të ftohet Bin Laden në Europë, as Ajatollahu në Evropës, nuk mund të ftohës as Sali Berisha”, tha ai./abcnews.al

Pse munguan flamujt e SHBA në protestë? Çupi: Berisha gati të nisë ‘luftën’ me Amerikën sepse…

By: xhir jeta
24 January 2026 at 19:45

Për analistin Frrok Çupi, Sali Berisha është njeriu që tregohet me gisht për krimet më të rënda në gjithë historinë e Shqipërisë. Për ABC NeWs, Çupi tha se Berisha e ka shumë të vjetër mizorinë ndaj vendit

“Berisha është njeriu që tregohet me gisht për krimet më të rënda në gjithë historinë e Shqipërisë, nuk ka një të dytë. Ai ka luajtur me SPAK dhe vijon të luajë lojën që të mashtrojë publikun dhe ndërkohë shumë njerëz në SPAK kanë shembur parimet e drejtësisë me synimin për ti lënë rrugë të lirë Berishës. Berisha e ka shumë të vjetër mizorinë ndaj vendit”, -tha ai duke argumentuar se kjo është arsyeja që ai sot vijon të sulmojë SPAK.

Ndër të tjera, Çupi komentoi edhe mungesën e flamujve të SHBA në protestën kombëtare të kësaj të shtune në boulevard.

“Para se të niste protesta e kisha menduar se këtë herë nuk do e sjellë flamurin e SHBA e gjitha me këtë fabul lidhet. Ka disa arsye te mendja e tij, në radhë të parë është inati që ka me Amerikën se zgjodhi Edi Ramën mes qindra liderëve të botës për Bordin e Paqes. Dhe kjo, sipas trurit të thartuar të tij, nuk i falet Amerikës. Të njëjtën vijë ka edhe zhdukja e karikaturës së Ramës si Maduro, e urren atë karikaturë se i duket se sheh veten. Ngrihet natën dhe sheh vetën si Maduro.”- u shpreh ai.

“Berisha agresor i kombit shqiptar”, Çupi: Fitore shumë e madhe që PD po zvogëlohet

By: xhir jeta
24 January 2026 at 19:40

Analisti Frrok Çupi komentoi në një lidhje të drejtpërdrejtë në Edicionin Qëndror në ABC News, protestën e thirrur këtë të shtunë nga Sali Berisha në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Çupi tha se Berisha është agresor i kombit shqiptar, ndërsa e konsideroi një lajm të mirë, faktin që sipas tij PD po zvogëlohet.

“Berisha është një agresor ndaj paqes dhe stabilitetit të vendit. Mban flamur në kohën kur nuk mban dot snajper, është një demagog që fshihet pas brohorimave të disa njerëzve me inteligjencë të ulët. Berisha është agresor i kombit shqiptar. Agreson me trafiqe, me mafie, me vrasje në Bulevard. Po shohim një karikaturë të agresorit. Ka ardhur deri në pikën që thërret aq pak njerëz, që për mendimin tim është fitore shumë e madhe që PD po zvogëlohet, dmth e keqja po copëtohet.” – u shpreh Çupi, ndwrsa komentoi deklaratën e tij se opozita është në kilometrin e saj të fundit.

“Berisha ka shumë të drejtë me veten e tij se ai ka nevojë që të mbajë njerëzit në boulevard, rreth vetes. Berisha e di shumë mirë që nuk ka asnjë ndryshim politik në Shqipëri për shkak të protestave të tij, e di shumë mirë se Shqipëria është në stadin e tij më të mirë. Është një vend ku maxhoranca edhe pse në hapin e katërt të saj fiton pikë. Parrula i duhet për të mbajtur njerëzit, njerëzit i duhen si armë prej mishi me të cilët ruhet Berisha, nga ligjet, krimet që ka kryer nga gjithë epoka e zezë e tij. Ai do ti mbajë gjithë kohës kështu me qëllim që të sigurojë barrier mishtore”, – shtoi Çupi.

“Aktet e dhunës në botën perëndimore, jo vetëm nuk sjellin në pushtet por i cojnë në ferr njerëzit që ushtrojnë dhunë. Berisha është një i ardhur nga ferri, sot është rrugëve për shkak të dhunës që ka ushtruar. Dhuna që ushtron Berisha, e bën për të ndezur herë pas herë gjakrat e atyre që mban pranë, janë njerëz me interesa. Dhuna e tij e ka rrëzuar Berishën nga pushteti. Për fatin e keq të shqiptarëve, dhuna e tij nuk është regjistruar në gjykata në prokurori, në drejtësi. Pritet që drejtësia të clirohet prej jehonës së dhunës së tij me qëllim që të nisë procedurat, për masa të merituara nga ligji,” vijoi më tej Cupi ndërsa theksoi se Berisha është i betuar kundër drejtësisë./abcnews.al

VIDEO/ Përplasje para Kuvendit. Protestuesit përplasen me Policinë

24 January 2026 at 19:26

TIRANË- Pas hedhjes së molotovit drejt godinës së kryeministrisë, mbështetësit e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Ata kanë hedhur tymuese edhe tek Parlamenti.

Militantët janë përplasur fizikisht me efektivët e Policisë.

Nga përplasjet dhe hedhjet e molotovëve janë lënduar dy protestues dhe disa efektivë policie, ndërsa kanë nisur dhe shoqërimet e para për “grupin e molotovit”.

 

 

 

 

 

VIDEO/ Protesta me molotov e PD, tre protestues shoqërohen në Polici

24 January 2026 at 19:18

TIRANË- Pas protestës së Partisë Demokratike, kanë nisur dhe shoqërimet e pra në Polici.

Aktualisht, tre persona janë shoqëruar nga Policia pas hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarrëve drejt kryeministrisë.

Nga hedhja e molotovit u lënduan dy protestues dhe disa efektivë policie.

Molotov kryeministrisë/ Lëndohen dy protestues dhe disa efektivë të policisë

24 January 2026 at 19:11

TIRANË- Lëndohen dy protestues të Partisë Demokratike.

Protestuesit kanë mbetur të lënduar nga molotovi dhe sendet e hedhura drejt kryeministrisë.

Po ashtu, të lënduar kanë mbetur edhe disa efektivë policie.

Ata janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore./abcnews.al

Përplasje në Minneapolis, agjentët federalë vrasin një person

24 January 2026 at 18:24
SHBA– Një person ka humbur jetën pas të shtënave me armë në Minneapolis, ku janë përfshirë agjentë federalë të emigracionit nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare, sipas televizionit CBS.
Të shtënat ndodhën pranë në jug të Minneapolis. Zyrtarët e qytetit thanë se viktima është një burrë. Agjentët federalë dhe protestuesit janë përleshur fizikisht në zonë.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, pak ditë më parë u shpreh se departamenti i saj ka arrestuar mbi 10 mijë emigrantë në Minneapolis të Minesotës, si pjesë e një goditjeje të vazhdueshme kundër emigracionit.

Mineapolisi është bërë një pikë e nxehtë në debatin kombëtar mbi zbatimin e ligjit për wmigracionin, pasi më 7 janar një agjent i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE) qëlloi për vdekje 37-vjeçaren Renee Nicole Good.

Vrasja e Good, një gruaje dhe nëne amerikane, shkaktoi reagime të gjera publike dhe politike si dhe kërkesa për hetime në nivel lokal, shtetëror dhe federal.

❌
❌