Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Abc News

Kushtetuesja shqyrton padinë e Ramës/ GJKKO largohet nga procesi: Nuk jemi palë

22 January 2026 at 10:24

TIRANË- Gjykata Kushtetuese  ka nisur të shqyrtojë padinë e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë.

Kryeministri kërkon rrëzimin e këtij vendimi dhe zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, pasi e drejta e ndryshimit të anëtarëve të qeverisë sipas Kushtetutës i takon vetëm kreut të qeverisë.

Përfaqësuesja e qeverisë, Jona Qosja, tha se nuk mund të pezullohet një ministër pa marrë miratim nga Kuvendi.

“Nuk mund të pezullohet një ministër. Duhet autorizim nga Kuvendi. Në të kundër prishet ndarja mes pushteteve. Ministri ka imunitet si deputeti”, tha Jona Qosja, përfaqësuesja e qeverisë.

Ndërkohë, GJKKO ka braktis procesin në Kushtetuese dhe nuk përfaqësohet si palë.

“Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në njoftimin e GJKKO.

Në dhjetor, Kushtetuesja pezulloi vendimin e GJKKO dhe la në detyrë zv.kryeministren Belinda Ballukun, ndërsa sot po vijon shqyrtimi i çështjes në themel/abcnews.al

 

Bordi i Paqes, votohet në Kuvend/ Balla: Marrëveshja nuk ka asnjë detyrim financiar për Shqipërinë. Partneritet i shkëlqyer me SHBA

22 January 2026 at 10:19

Në fjalën e tij Taulant Balla në seancën e mbajtur jashtë rradhe në Parlament për ratifikimin e marrëveshjes, Balla theksoi se marrëveshja për Shqipërinë nuk ka asnjë detyrim financiar.

Ai theksoi se kjo marrëveshje tregon edhe një partneritet të shkëlqyer me SHBA.

“Në letrën e tij presidenti amerikan nënvizon se është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Duhet ta kuptojnë fillimin sa më parë të punës së këtij Bordi. Republika e Shqipërisë do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Anëtarët e Bordit kanë zë të barabartë dhe peshë reale. Shqipëria jonë është shtuar të jetë si bashkë-arkitekte themeluese e një organizmi të ri ndërkombëtar.  Kjo ftesë konfirmon edhe forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin tonë strategjik. Bota sot do të jetë një test tjetër i konfirmimit se sa i përket marrëdhënieve me SHBA ne nuk kemi ndasi”, tha ai.

Bordi i Paqes/ Seanca jashtë radhe e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes

22 January 2026 at 10:10

Ka nisur seanca plenarë në Kuvend, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar. Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Kushtetuesja shqyrton padinë e Ramës/ Kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut

By: xhir jeta
22 January 2026 at 10:07

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot padinë e kryeministrit Rama kundër vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë.  Kryeministri kërkon rrëzimin e këtij vendimi dhe zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, pasi e drejta e ndryshimit të anëtarëve të qeverisë sipas Kushtetutës i takon vetëm kreut të qeverisë.

GJKKO braktis procesin në kushtetuese dhe nuk përfaqësohet si palë.  ndërsa sot shqyton çështjen në themel në një seancë me praninë e palëve.

Kujtojmë se në seancën e 12 dhjetorit, Gjykata Kushtetuese riktheu në zyrë numrin 2 të qeverisë Belinda Balluku, e cila me shumicë votash vendosi të heqë masën e pezullimit të vendosur prej Gjykatës së Posaçme dhe të rikthejë Ballukun e postin e saj si zëvëndëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa sot shqyton çështjen në themel në një seancë me praninë e palëve.

Qeveria në ankimim kërkon interpretim te nenit 103, që parashikon që anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale./abcnews.al

GJKKO braktis seancën në Kushtetuese/ Nuk dërgon përfaqësues në shqyrtimin e padisë së Kryeministrit

By: xhir jeta
22 January 2026 at 10:00

Gjykata e Posaçme braktis seancën në Gjykatën Kushtetuese, ku shqyrtohet padia e kryeministrit kundër vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të numrit dy të qeverisë. Në përgjigje të interesit të mediat, përmes një deklarate GJKKO argumenton se prania e saj në seancë do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

Deklarata e plotë e GJKKO

Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të medias,

Nisur nga pyetjet e vazhdueshme nga ana e gazetarëve dhe interesi i lartë që ka në media dhe në publik seanca plenare publike që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me:

Kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë.

Subjekte të Interesuara: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Objekti: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave…,

Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

FOTO/ Investimet në Vlorë, Rama dhe Ivanka Trump darkë dhe takim me arkitektë në Orikum

22 January 2026 at 09:58

Vajza e presidentit të SHBA, Donald Trump, Ivanka Trump dhe kryeministri Shqipërisë, Edi Rama darkuan të mërkurën në Orikum, ndërsa të pranishëm ishin edhe arkitektë të njohur.

Ndërsa kanë zhvilluar një takim në një nga komplekset në zonën e “Ujit të Ftohtë” kryeministri Edi Rama dhe Ivanka Trump i janë drejtuar Orikumit teksa së bashku me arkitektët kanë qëndruar deri rreth orës 23:00.

Pas takimit nuk ka munguar as fotoja familjare.

Në qendër të diskutimeve ishin investimet e pritshme në Vlorë, ndërsa nuk kanë munguar edhe foto pas takimit./abcnews.al

Përdorimi i përditshëm i “chatbot” me IA lidhet me 30 për qind rrezik më të lartë për depresion

22 January 2026 at 09:47

Sipas një studimi të publikuar të mërkurën, amerikanët që bisedojnë çdo ditë me inteligjencën artificiale (IA) përballen me shkallë depresioni dukshëm më të lartë sesa përdoruesit e rastit.

“Nivele më të larta të përdorimit të IA-së u shoqëruan me rritje modeste të simptomave depresive”, shkruan studiuesit në JAMA Network Open, duke vënë në dukje se shanset për të paktën depresion të moderuar u rritën me 30 për qind midis përdoruesve të përditshëm.

Anketa me pjesëmarrjen e 20.847 të rriturve amerikanë e kryer midis prillit dhe majit 2025 zbuloi se 10.3 për qind raportuan përdorim të përditshëm gjenerues të IA-së, përfshirë 5.3 për qind që iu drejtuan chatbot-eve disa herë gjatë ditës së tyre.

Përdoruesit më të rinj dukeshin veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të shëndetit mendor, megjithëse nuk është e qartë nëse IA shkakton depresion apo individët e depresionuar thjesht kërkojnë më shumë ndërveprim dixhital.

Studiuesit theksuan se kërkohen hetime të mëtejshme për të përcaktuar nëse marrëdhënia është shkakësore dhe për të shpjeguar pse efektet ndryshojnë midis grupmoshave të ndryshme.

Drafti për Bordin e Paqes në Kuvend/ Zbardhet projektligji, çfarë përmban marrëveshja

22 January 2026 at 09:39

Këtë të enjte në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë një seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

ABC News zbardh projektligjin që parashikon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit bashkëlidhur.

Karta përbëhet nga 13 krerë që rregullojnë krijimin dhe funksionimin e tij. Kujtojmë se një ditë më parë qeveria miratoi marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, ku edhe theksohet se në këtë fazë nuk do të ketë detyrime financiare.

Projektligji “për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”

Projektligji parashikon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes, sipas tekstit bashkëlidhur. Karta përbëhet nga 13 krerë që rregullojnë krijimin dhe funksionimin e tij, konkretisht si vijon:

Kreu I parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me misionin për të ushtruar funksione të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe rindërtimit në territore të prekura nga konflikti, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe dispozitat e Kartës së tij themeluese.

Kreu II parashikon anëtarësimin në Bord nga shtetet anëtare, në bazë të ftesës nga kryetari dhe njoftimit formal të pëlqimit për të qenë të lidhur nga kjo Kartë, sipas parashikimeve të nenit 11 të Kartës. Shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga Kreu i shtetit ose Kreu i qeverisë.

Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke parashikuar se asnjë dispozitë e saj nuk i jep Bordit juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe as nuk e detyron një shtet anëtar të marrë pjesë në një mision specifik ndërtimi paqeje pa pëlqimin e shprehur të shtetit.

Çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar nga data e hyrjes në fuqi të Kartës, subjekt i rinovimit nga Kryetari i Bordit të Paqes. Ky afat trevjeçar nuk zbatohet për shtetet anëtare, të cilat kontribuojnë më shumë se një miliard dollarë amerikanë (1 000 000 000 USD) në fonde monetare (“cash”) brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës.

Anëtarësimi përfundon në rastin më të hershëm me: (i) përfundimin e një mandati trevjeçar, sipas nenit 2.2 (c) dhe rinovimit nga Kryetari; (ii) tërheqjen, sipas nenit 2.4; (iii) një vendim nga Kryetari, ose (iv) shpërbërjen e Bordit të Paqes në përputhje me kreun X. Megjithatë, një shtet i tillë mund të ftohet përsëri të bëhet shtet anëtar.

Bërja palë në këtë Kartë, që themelon Bordin e Paqes, do të shoqërohet me efekte financiare për Republikën e Shqipërisë, që do të derdhen në formën e kontributit vullnetar nga çdo shtet anëtar, shtete të tjera, organizata dhe burime të tjera, kosto këto që nuk janë parashikuar në këtë moment. Kontributi vullnetar që do të derdhë Republika e Shqipërisë do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2026, në programin buxhetor 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në llogarinë ekonomike 605 “Kuota ndërkombëtare”. Nga ana tjetër, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të parashikojë koston financiare të këtij projektakti si pjesë e kërkesave buxhetore të saj, në kuadër të përgatitjes së PBA 2027-2029.

/abcnews.al/

Bruksel, BE samit për planet amerikane për Groenlandën

22 January 2026 at 09:37

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot në Bruksel për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me aspiratat e tij për Groenlandën.

Ai duhej të vendoste një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë evropianë nga 1 shkurti, por dje ndryshoi mendje.

Trump kishte thënë se tetë vende evropiane do të përballeshin me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës së administruar nga Danimarka.

Dje, Trump tha se nuk do të përdorte forcën dhe hoqi dorë nga kërcënimi i tij për tarifa ndërsa përmendi një marrëveshje të paspecifikuar të NATO-s mbi ishullin Arktik.

Përpara samitit, disa zyrtarë theksuan se BE po përpiqej të zgjidhte situatën dhe se blloku do të merrte në konsideratë zbatimin e kundërmasave vetëm nëse tarifat e kërcënuara do të vendoseshin.

”Java e rrëmujës me Trump do të thotë se marrëdhëniet transatlantike janë në një udhëkryq”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përpara samitit.

”Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por ne jemi plotësisht të përgatitur të veprojmë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”, theksoi ajo.

VIDEO/ Rama: Rilindja e gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan, 600 nxënës me shkollë të re!

22 January 2026 at 08:24

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga punimet në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan.

Rama shprehet se investimi do t’u japë 600 nxënësve një shkollë të re me klasa moderne, laboratorë, terrene sportive, bibliotekë si edhe salla pune për mësuesit.

Reagimi në Facebook;

MIRËMËNGJES dhe me rilindjen e një gjimnazi emblemë si “Dhaskal Todri” në Elbasan, që po realizohet përmes një investimi që do t’u japë rreth 600 nxënësve një shkollë krejt të re me klasa moderne, laboratorë, terrene sportive, bibliotekë dhe salla pune për mësuesit, duke zbatuar edhe sistemin e eficiencës energjetike, ju uroj një ditë të mbarë

Zyrtarja evropiane: BE mbetet e cenueshme për shkak të varësisë nga sistemet amerikane të pagesave

22 January 2026 at 08:10

Varësia e Europës nga sistemet e pagesave të kontrolluara nga SHBA-ja e lë bllokun të ekspozuar ndaj presionit politik dhe përçarjeve ekonomike, paralajmëroi të mërkurën kryetarja e komitetit për çështjet ekonomike dhe monetare të Parlamentit Evropian.

“Duhet ta pranoj se jam e shqetësuar kur dëgjoj fjalimin e presidentes”, tha Aurore Lalucq, duke iu referuar deklaratave të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Lalucq tha se po injorohen dobësitë kyç, duke theksuar se teknologjia digjitale dhe sistemet e pagesave mungojnë në diskutim.

“Por pikërisht aty qëndron dobësia jonë sot”. shtoi ajo. “Gati të gjitha sistemet tona të pagesave sot janë amerikane”, tha Lalucq.

Ajo paralajmëroi se presidenti amerikan Donald Trump mund t’ia ndërpresë këto sisteme Evropës brenda natës.

“Donald Trump mund t’i ndërpresë ato gjatë natës. Ai e ka bërë tashmë më parë”, tha Lalucq, duke iu referuar presionit që më parë është ushtruar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.

Duke kërkuar veprime të menjëhershme, Lalucq tha se ka bërë një “kërkesë shumë specifike” ndaj Komisionit Evropian.

“Unë kërkoj urgjentisht që të organizoni një takim javën tjetër, brenda disa javëve të ardhshme, për të krijuar një ‘Airbus’ të sistemeve të pagesave”, tha ajo, duke pohuar se një projekt i tillë nuk do të kushtonte shumë.

“Nuk mund të themi se nuk na paralajmëruan”, shtoi Lalucq, duke thënë se distributorët, shitësit me pakicë dhe gjyqtarët janë të gjithë të shqetësuar.

“Nuk kushton asgjë, shpëton ekonominë tonë, shpëton demokracinë tonë”, përfundoi ajo.

Kuvendi shqyrton sot marrëveshjen për Bordin e Paqes, miratimi kërkon shumicë absolute votash

22 January 2026 at 08:06

Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Në urdhrin për thirrjen e seancës nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi thuhet se marrëveshja kërkon shumicë absolute votash për miratim.

Seanca do të nisë me fjalën e nismëtarit, më pas do shprehet komisioni përgjegjës për  Europën dhe Punët e Jashtme ndërsa parashikohen diskutime dhe votimi.

Duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e
vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar
bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim marrëveshjen më 21 janar. Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare, me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.

Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Dy viktima nga moti i keq në Greqi, rrugë të bllokuara dhe ndërprerje të energjisë në disa zona

22 January 2026 at 08:01

Dy persona kanë humbur jetën pas motit të keq që goditi Atikën. Vendi u përfshi nga stuhi dhe reshje të dendura të shiut duke shkaktuar pasojnë të shumta.

Rrugët u kthyet lumenj duke marrë përpara automjetet. Si pasojë e stuhisë në shumë zona u ndërpre energjia elektrike, u anulua transporti, ndërsa qindra zjarrfikës u angazhuan për t’i ardhur në ndihmë banorë të bllokuar.

 

 

“Mirror”: Turistët britanikë zgjedhin Rivierën Shqiptare, “Ryanair” rrit fluturimet

22 January 2026 at 07:42

Nëse keni dashur gjithmonë të vizitoni Maldivet, por ju mungon koha dhe buxheti, kompania ajrore “Ryanair” mundëson fluturime të lira drejt alternativave evropiane ku mund të shijoni plazhe po aq të bukura, shkruan Natalie King në një artikull të botuar në të përditshmen “Mirror”.

Linja ajrore me kosto të ulët “Ryanair” ka lançuar një numër linjash të reja, përfshirë drejt Shqipërisë, që po bëhet gjithnjë e më popullore në mesin e turistëve britanikë, falë ngjashmërisë së plazheve të saj që shpesh krahasohen me Maldivet.

“Ryanair” do të ofrojë 20 linja të reja për në Tiranë, duke e rritur numrin e linjave të saj në qytet në 43.

Nga pranvera, turistët do të jenë në gjendje të vizitojnë qytetin shqiptar nga Liverpuli, Birminghami dhe Dublini, me fluturime që zgjasin pak më shumë se tre orë.

Fluturimet janë të disponueshme nga Liverpuli dhe Dublini për 23 £  vajtje), me temperatura maksimale që arrijnë 26 gradë Celsius gjatë majit maj.

Shqipëria po bëhet një destinacion popullor për turistët që kërkojnë të pushojnë në diell me një buxhet të kufizuar, në pranverë.

Nëse jeni duke kërkuar pushime në plazh, ju rekomandojmë të udhëtoni në Shqipëri!

Ksamili në jug të vendit është një nga zonat më të njohura të plazhit dhe mund të merrni një autobus direkt për në vendpushim nga aeroporti, i cili zgjat pak më pak se katër orë.

Ksamili është një fshat bregdetar që ndodhet midis një lagune dhe detit Jon, me Korfuzin përballë tij.

Plazhet e tij me rërë të bardhë, deti bruz dhe ishujt e vegjël, të krahasuara me Maldivet, mund të eksplorohen me varkë.

Për një përvojë të plotë në stilin e Maldiveve, rezervoni një ditë në vendpushimin “Pema e Thatë”, ku mund të merrni me qira kabina.

Gjithashtu do të gjeni disa kasolle plazhi me rrjeta mbi ujë, ku mund të uleni dhe të relaksoheni, duke parë valët e buta të detit poshtë.

Mund të porosisni një birrë për rreth 2,25 paund dhe ta pini ndërsa shijoni pamjet.

Durrësi është rreth gjysmë ore larg nga Tirana dhe është një qytet port që ndodhet në një zonë të gjatë bregdeti me rërë.

Plazhi i Durrësit ka një shëtitore të rrethuar me palma dhe ujëra të kaltra, dhe ndodhet vetëm disa minuta larg qendrës historike të qytetit.

Gjithashtu, do të gjeni Plazhin e Currilave, pranë portit. Ju mund të merrni me qira një shezlong dhe të uleni në një nga baret dhe restorantet e plazhet, që krijojnë një atmosferë të gjallë.

Durrësi është gjithashtu i famshëm për amfiteatrin e tij romak, dhe pjesë të kësaj strukture të shekullit II janë ende “në këmbë”, përfshirë shkallët prej guri.

Një nga pamjet më ikonike të qytetit është Kulla Veneciane e shekullit V e Durrësit, një fortifikim mesjetar ku mund të shijoni pamje spektakolare bregdetare nga kullat e saj të vjetra të rojeve.

Ia vlen gjithashtu të vizitoni Muzeun Arkeologjik, një muze arkeologjik lokal plot me objekte që datojnë mijëra vjet më parë.

Tirana është gjithashtu një destinacion magjepsës për pushime në qytet.

Sheshi Skënderbej është një vend i shkëlqyer për të nisur turin. Do të gjeni ndërtesa të tilla si Xhamia e Et’hem Beut e shekullit XVII, e vendosur pranë Teatrit të Operas në stilin sovjetik, dhe Muzeut Historik Kombëtar – i cili është i zbukuruar me një mural të madh që përshkruan njerëz që luftojnë për lirinë e vendit.

Gjithashtu mund të vizitoni Bunk’Art 2 unik – një muze i vendosur brenda një bunkeri bërthamor të epokës komuniste.

Zbritni shkallët e pjerrëta dhe do të hyni në një botë gjithëpërfshirëse ku mund të mësoni rreth historisë magjepsëse të Shqipërisë dhe si ishte jeta gjatë dekadave të saj si një shtet i fshehtë komunist./ata.

Kushte atmosferike të paqëndrueshme/ Parashikimi i motit 22 janar 2026

22 January 2026 at 07:16

Për ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime.

Përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët. Këto reshje në periudha tepër afatshkurtra në formën e shtrëngatave. Mjegull e dendur/mjegullinë në zonat luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut. Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë.

 Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.

 Deti – Valëzimi forcës 2-4 ballë.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

22 January 2026 at 07:05

Dashi

Me vullnet dhe dëshirë mund të arrini ta përmirësoni situatën ne jetën tuaj sentimentale. Nëse nga ana tjetër i lini gjërat të rregullohen vete, nuk keni për të arritur askund. Beqarët do afrohen me tepër me disa persona të cilët kanë kohë që i joshin. Në planin financiar duhet të ruani gjakftohtësinë në mënyrë qe t’i zgjidhni sa më shpejt problemet.

Demi

Duhet t’ua vini veshin mire sot këshillave që do iu japë partneri sepse vetëm ne këtë mënyrë mund ta përmirësoni gjendjen ndërmjet jush. Beqarët do kenë disa takime, por asnjeri nga personat nuk do i përmbushë te gjitha kërkesat. Mos kërkoni perfeksionin. Financiarisht do njihni momente të vështira, të cilat vetëm me maturi dhe kujdes do i kaloni.

Binjakët

Do filloni te bëni projekte afatgjata gjatë kësaj dite me partnerin tuaj sepse tashme ndiheni të sigurte që ai është personi me të cilin doni të kaloni gjithë jetën. Beqaret do jene pasionante dhe gati të fillojnë edhe aventura kalimtare dhe të çmendura. Në planin financiar do i kaloni vështirësitë dhe do ndiheni më të qetë. Nuk do e keni të vështirë të kryeni shpenzimet më të nevojshme.

Gaforrja

Do ndiheni të lire të bëni atë që dëshironi gjate kësaj dite dhe gjërat do shkojnë më së miri. Do dashuroheni plot pasion me partnerin. Nëse zemra juaj është e lirë mos i refuzoni disa ftesa që do ju bëhen. Mundësi të tilla rralle vijnë në jetë. Financat do jenë përgjithësisht të mira. Nëse tregoheni të matur me shpenzimet gjendja do mbetet e qëndrueshme.

Luani

Të dashuruarit do bashkëpunojnë me njeri-tjetrin dhe do mundohen te zgjidhin problemet e hershme. Me dëshirë dhe optimizëm gjithçka mund të rregullohet. Beqarët do kenë shume sukses në dashuri dhe e gjithë jeta do ju ndryshojë në një moment të vetëm. Financat do jenë mjaft delikate kështu që shmangni çdo lloj çmendurie nëse nuk doni të mbeteni pa para.

Virgjëresha

Tregohuni sa më spontane në jetën tuaj në çift gjatë kësaj dite dhe bëni atë që ndjeni. Do e shihni që do përjetoni me tepër kënaqësi. Beqarët do kenë mundësi pa fund për aventura, por nuk do ndihen gati dhe do preferojnë të qëndrojnë vetëm. Financat do jenë mjaft delikate dhe gabimi me i vogël mund të sjellë probleme të paimagjinueshme.

Peshorja

Duhet të ndryshoni rrënjësisht sjelljen tuaj përkundrejt partnerit gjatë kësaj dite në mënyrë që edhe gjerat t’iu ecin mire. Kokëfortësia dhe mungesa e tolerancës nuk ju çon askund. Beqarët ka mundësi të njihen me persona interesante gjatë mbrëmjes. Financat do jenë goxha më të mira se disa ditë më parë, prandaj mund të kryeni investime dhe transaksione.

Akrepi

Ditë shumë normale dhe pa ndonjë emocion të veçantë kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Merrini gjërat ashtu si t’iu vijnë. Beqarët do takohen me disa persona të urtë dhe tolerantë me të cilët mund të krijojnë një lidhje afatgjate. Në planin financiar do keni fat me shumicë kështu që nuk duhet të shqetësoheni aspak. Gjendja do jetë mjaft e mirë.

Shigjetari

Jeta juaj në çift do jetë e mrekullueshme gjatë kësaj ditë. Do merreni vesh për çdo gjë me atë që keni në krah dhe nuk do hidhni asnjë hap pa rënë të dy dakord. Beqarët më mirë të qëndrojnë edhe sot vetëm sepse në të kundërt mund të përballen me zhgënjime. Për financat do përkujdeseni tej mase dhe gjendja do vije duke u përmirësuar.

Bricjapi

Ditë e mrekullueshme për çiftet. Do e përforconi edhe me shumë lidhjen që keni krijuar dhe do e shihni me optimizëm edhe të ardhmen. Beqarët do jenë të parezistueshëm prandaj do marrin plot ftesa e propozime. Ka mundësi që shumë shpejt statusi të ndryshoje. Financat nuk do jenë në gjendjen më të mirë të mundshme kështu që kryejini me kujdes shpenzimet.

Ujori

Problemet e se shkuarës mund të rishfaqen serish ne jetën tuaj ne çift sot dhe do ua prishin qetësinë që ekzistonte. Tregohuni shume të kujdesshëm me gjithçka që do thoni. Beqarët nuk do e kërkojnë dashurinë sepse edhe ashtu si janë ndihen mire. Në planin financiar do e ruani gjithë kohës ekuilibrin. Nuk do keni vështirësi për të kryer shpenzimet e domosdoshme.

Peshqit

Ditë shumë delikate dhe e mbushur me probleme te mëdha kjo e sotmja për te dashuruarit. Asgjë nuk ka për të shkuar si e kishit menduar dhe kjo për shkak te pamaturisë dhe këmbënguljes suaj boshe. Beqarët do kenë një dite normale dhe pa takime vendimtare. Në planin financiar mundohuni të mos kryeni çmenduri edhe sikur gjendja të jetë e mirë.

“Berisha ka marrë damkën e vrasësit”, gazetari i plagosur në 21 janar: Prokurori i çështjes, i përdorur nga familja e tij! Shqiptarët do shpëtojnë nga Berisha kur…

22 January 2026 at 00:02

Gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në protestën e 21 janarit, rrëfeu për Orën e fundit detaje nga dita ku plumbat e shtetit u derdhën drejt qytetarëve.

Mahmutaj tha se Berisha e ka marrë damkën e vrasësit dhe se prokurori i çështjes po bën çmos që të shtyhet shqyrtimi sepse është i përdorur nga familja e Berishës.

Berisha e ka marrë damkën e vrasësit dhe kriminelit. Berisha, si të jetë si mos të jetë në këtë botë, do të ikë me njollë dhe turp. Thonë që vdekja është shpëtim. Në momentin që Berishës t’i vijë ajo ditë, ishalla jeton 500 vjet, por shqiptarët do të shpëtojnë nga ai.

Në 21 janarin e parë, Berisha ka qenë edhe më i ashpër; ka thënë se do të vriste 4 mijë, jo 4. Ai e ka zbutur këtë deklaratë, sepse damkën ia kanë vënë shqiptarët.

Prokurori që ka marrë përsipër dosjen, apo që ia kanë ngecur dosjen, ka treguar zell për mosnisjen e hetimeve. Prokurori është i përdorur kokë e këmbë nga familja e Berishës.

Një ditë para 21 janarit, Prokuroria i dha dorë Berishës duke goditur gjyqtaren Irena Gjoka. 21 janari po hallakatet, po përpiqet që çështja të shkojë drejt parashkrimit.

Drejtësia le të bëjë si të dojë; unë kam qenë dhe jam skeptik për këtë çështje. Asnjëherë nuk ka për t’u zgjidhur, por le të mbetet etalon i turpit. Prokurorët po marrin rroga të jashtëzakonshme dhe nuk po arrijnë as t’i justifikojnë këto rroga.”

 

“Hekuran Deda u varros pa iu bërë ekspertiza”, gazetari i plagosur në 21 janar: Të gjithë gardistët qëlluan! Asnjë i akuzuar real!

21 January 2026 at 23:44

Gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në protestën e 21 janarit, rrëfeu për Orën e fundit detaje nga dita ku plumbat e shtetit u derdhën drejt qytetarëve.

Mahmutaj tha se të gjithë gardistët qëlluan dhe se plumbi që preku atë dhe Hekuran Dedën dolën nga e njëjta armë.
Gazetari shtoi më tej se prokuroria nuk ka asnjë të akuzuar dhe se Berisha vijon me mashtrime.

” Nuk kam arritur të zbuloj kush më ka goditur. Është qëlluar nga Agim Llupo dhe Arjan Adhami. Të dy kanë qëlluar me armë të vogla automatike “Thompson”, ndërsa Ndrea Prendi ka qëlluar me pistoletë. Unë jam goditur me plumbat e njërës nga këto armë, ashtu si edhe Hekuran Deda, i cili u varros pa u kryer ekspertiza.

Janë dy persona të akuzuar prej meje në këtë çështje, por ende prokuroria nuk ka një të akuzuar real.

Berisha ka akuzuar se edhe dritaret janë qëlluar me snajper nga protestuesit.
Garda ka qëlluar me kallashnikovë, pistoleta, automatikë dhe armë me plumba plastikë. Të gjithë gardistët kanë qëlluar, disa në ajër dhe disa drejt njerëzve.

Nuk është qëlluar asnjë fishek drejt Kryeministrisë, sepse askush nuk kishte armë, përveçse janë hedhur gurë dhe sende të forta. Berisha është mashtrues dhe këto mashtrime i beson edhe vetë.“

Japonia rifillon punën e centralit bërthamor më të madh në botë

By: Rovena
21 January 2026 at 23:08

Japonia ka rinisur punën në reaktor në centralin bërthamor më të madh në botë, gati 15 vjet pas një katastrofe në centralin e Fukushimës që e detyroi vendin të mbyllte të gjithë reaktorët e tij bërthamorë.

Reaktori numër 6 në centralin Kashiwazaki-Kariwa, i vendosur në veriperëndim të Tokios, rinisi punën të mërkurën. Ai u vonua me një ditë për shkak të një mosfunksionimi të alarmit dhe pritet të fillojë të funksionojë komercialisht muajin tjetër.

Ky është instalimi i fundit në rinisjen e energjisë bërthamore të Japonisë, e cila ka ende shumë punë për të bërë. Reaktori i shtatë nuk pritet të rikthehet në punë deri në vitin 2030, dhe pesë të tjerët mund të çmontohen.

Kjo e lë centralin me shumë më pak kapacitet sesa kishte dikur kur të shtatë reaktorët ishin në funksion: 8.2 gigavat.

Japonia, e cila gjithmonë ishte mbështetur shumë në importet e energjisë, ishte një nga adaptuesit e hershëm të energjisë bërthamore. Por këto ambicie u prishën në vitin 2011, nga ajo që tani mbahet mend si një nga katastrofat më të këqija bërthamore në histori.

I shkaktuar nga tërmeti më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Japoni, shkrirja e reaktorëve në Fukushima Daiichi çoi në rrjedhje radioaktive.

Kjo traumatizoi komunitetet lokale që u evakuuan dhe shumë prej tyre nuk janë kthyer pavarësisht garancive zyrtare se ishte e sigurt për ta bërë këtë.

Kritikët thonë se pronari i centralit, Tokyo Electric Power Company, ose Tepco, nuk ishte i përgatitur dhe përgjigja e tyre dhe e qeverisë nuk ishte e koordinuar mirë.

Një raport i pavarur qeveritar e quajti atë një “katastrofë të shkaktuar nga njeriu” dhe fajësoi Tepco-n, megjithëse një gjykatë më vonë liroi tre nga drejtuesit e tyre nga neglizhenca.

Megjithatë, frika dhe mungesa e besimit nxitën kundërshtimin publik ndaj energjisë bërthamore, dhe Japonia pezulloi të gjithë flotën e saj prej 54 reaktorëve menjëherë pas katastrofës së Fukushimës.

❌
❌