Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 February 2026Abc News

Kushtetuesja rrëzon qeverinë/ Beqiri: Republika e Prokurorëve po krijon precedent të rrezikshëm

6 February 2026 at 23:39

Avokati Idajet Beqiri tha se përdorimi i prokurorisë si gjykatë ka degjeneruar drejtësinë dhe ka krijuar “republikën e prokurorëve”.

Ai deklaroi se SPAK po përdoret politikisht për të goditur mazhorancën dhe për të rrëzuar qeverinë.

“ Pushteti gjyqësor është i pavarur. Kur e merr prokurorinë dhe e ke bërë sikur të jetë gjykatë, këtu e ke degjeneruar sistemin e së drejtës dhe ndërtimin e shtetit dhe ke krijuar një precedent të rrezikshëm. Pas këtij qëndrimi të Kushtetueses, ne kemi të bëjmë me një republikë prokurorësh.

Nëse ti, si politikë, je në minorancë dhe nuk e merr dot pushtetin, të ndihmon prokuroria duke i rënë mazhorancës. Kjo mazhorancë rritet e rritet dhe del republika e prokurorëve dhe thotë: kush është ajo forcë që e çon në majë të suksesit, është Veliaj – bjeri në kokë, çoje në burg; është Belinda, Lefter Koka, Vangjush Dako, kryetari i bashkisë Lushnjë.

Të votosh Berishën është si të votosh Serbinë, Vuçiçin, dhe ky ngrihet sot dhe thotë që kemi bërë kërkesë të shkëputet Shqipëria, të mos jetë pjesë e BE-së. SPAK-u, si seksion i Berishës, rrëzon qeverinë që të vijë në pushtet Berisha.“

Kushtetuesja rrëzon padinë e Ramës/ Rikthen pezullimin për zëvendëskryeministren

By: Rovena
6 February 2026 at 23:08

Rikthehet masa e pezullimit për zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Pas 3 javësh shqyrtim, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë dot një vendim shumice për padinë e kryeministrit Edi Rama, duke rrëzuar kërkesën, për shkak se 8 gjyqtarët u ndanë në 4 pro dhe 4 kundër.

4 gjyqtarë, sipas vendimit, kërkuan ashtu si kryeministri që për masën e pezullimit të kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi, pasi për nga shkalla dhe intensiteti i saj prek funksionin kushtetues politik të ministrit dhe cenon ndarjen dhe balancimin e pushteteve.

4 të tjerët argumentuan se në masat për të cilat duhet kërkuar autorizim paraprak nga Kuvendi, nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe pse pranojnë se kjo masë në vetvete pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.

Kurse njëzëri, gjykata vlerësoi se ministri nuk e ka të garantuar imunitetin edhe pse është i zgjedhur nga qytetarët, pasi ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mbahen përgjegjës nëse e shkelin atë.

Këtë vendim e komunikoi vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji në një takim të mbyllur për mediat, pa praninë e anëtarëve të tjerë, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjes se cilët gjyqtarë votuan pro dhe cilët kundër padisë së kryeministrit.

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, ishte po kjo Gjykatë Kushtetuese e cila pranoi padinë e kryeministrit për ta shqyrtuar, atëherë gjyqtarët u ndanë 5 me 3.

Por me këtë vendim 4-4, ku nuk u arrit shumicë numerike, Gjykata Kushtetuese në fakt i dha të drejtë Gjykatës së Posaçme për masën e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, kurse qeverisë, ndonëse e rrëzoi, nuk i shpjegoi as se si mund të funksionojë ende normalisht me një zv.kryeministre dhe ministre të pezulluar.

A do të zbatohet përkohësisht marrëveshja për Mercosur? Von der Leyen po llogarit rreziqet

By: Rovena
6 February 2026 at 22:49

Presidentja e Komisionit Evropian nuk ka marrë ende një vendim mbi zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Mercosur.

Ursula von der Leyen është në parim pro, por është ende duke vlerësuar rreziqet e kësaj vendimi. Tema duhej të diskutohej dje në Paris me Emmanuel Macron, si dhe në samitin informal të krerëve të shteteve dhe qeverive javën e ardhshme.

Von der Leyen dëshiron të dijë cilët liderë e konsiderojnë zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes Mercosur si një çështje ekzistenciale në planin e politikës së brendshme. Do të konsultohen liderët e Francës, Polonisë, Irlandës dhe Austrisë.

Në llogaritjen e rrezikut, von der Leyen duhet të marrë parasysh edhe Parlamentin Evropian, i cili, nëse do të rrëzonte ratifikimin, do ta dështonte përfundimisht marrëveshjen me Mercosur.

Megjithë presionet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për zbatimin e përkohshëm, von der Leyen ka ende pak kohë për të përfunduar vlerësimet e saj.

Kërkohet një ratifikim nga një prej katër vendeve të Amerikës së Jugut (Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji). Paraguaji pritet të jetë i pari pas disa muajsh.

Epstein mund të ketë punuar për Izraelin?!/ Reagon Netanyahu

By: Rovena
6 February 2026 at 22:35

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përdorur vëmendjen e ripërtërirë ndaj dosjeve Epstein për të sulmuar paraardhësin e tij Ehud Barak, duke deklaruar se Jeffrey Epstein “nuk ka punuar për Izraelin”.

E përditshmja The Jerusalem Post raportoi se lidhjet e ish-kryeministrit Barak me Epstein morën vëmendje të gjerë mediatike pasi të dy u takuan disa herë në vitet 2015 dhe 2016, vite pas dënimit të parë penal të Epsteinit.

Fotografi të qarkulluara në atë kohë tregonin Barakun duke hyrë në rezidencën e Epsteinit në Manhattan, New York.

Në komentin e tij të parë publik mbi dokumentet e Epsteinit, Netanyahu tha se “marrëdhënia e pazakontë dhe e ngushtë e Epsteinit me Ehud Barakun nuk sugjeron se Epsteini ka punuar për Izraelin, ajo provon të kundërtën”.

“I mbërthyer pas humbjes së tij zgjedhore nga më shumë se dy dekada më parë, Baraku prej vitesh ka tentuar në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-sioniste në përpjekje të dështuara për të rrëzuar qeverinë izraelite të zgjedhur”, tha Netanyahu, duke iu referuar administratës së tij.

Netanyahu akuzoi Barakun se është angazhuar “në aktivitete publike dhe prapa skenave për të minuar qeverinë e Izraelit, përfshirë nxitjen e lëvizjeve masive të protestës, shkaktimin e trazirave dhe ushqimin e narrativave të rreme mediatike”. Ndryshe, Baraku prej vitesh ka qenë një kritik i zëshëm i Netanyahut dhe ka bërë thirrje të përsëritura për largimin e qeverisë.

Moldavia dënon tre persona për planifikim të trazirave pas trajnimeve në Serbi dhe Bosnje

By: Rovena
6 February 2026 at 22:12

Gjykata në Kishinjev dënoi tre persona për pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal, i cili gjatë vitit 2024 kishte përgatitur trazira të dhunshme masive në Moldavi dhe kishte organizuar trajnime në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas aktakuzës, trajnimet ishin organizuar dhe drejtuar nga persona nga Rusia, në bashkëpunim me shtetas moldavianë, me qëllim shkaktimin e trazirave në Moldavi, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe referendumit për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2024.

Informacionet për “kampet ruse” në Bosnje e Hercegovinë u shfaqën në tetor të vitit 2024. Atëherë, agjencitë e sigurisë së Moldavisë deklaruan se kishin identifikuar më shumë se 100 të rinj, të cilët dyshohet se ishin trajnuar në Rusi, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, për destabilizimin e vendit.

Gjykata në kryeqytetin e Moldavisë, më 6 shkurt, dënoi Aliona Gotcon dhe Ludmila Costencon me nga katër vjet e një muaj burgim, ndërsa Vladimir Harcevnicov u dënua me pesë vjet e katër muaj burgim.

Vendimi u mor në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpalljen e dënimit. Gjykata urdhëroi arrestimin e tyre për t’i dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa aktgjykimi mund të ankimohet.

Në vendim thuhet se të akuzuarit kanë vepruar si pjesë e një strukture kriminale të qëndrueshme, nën koordinim nga Rusia, dhe kishin të ndara qartë rolet.

Sipas gjykatës, aktivitetet e tyre përfshinin rekrutimin e anëtarëve të rinj, mbështetje logjistike, sigurimin e pajisjeve, si dhe trajnime për veprime të dhunshme dhe destabilizuese.

Një pjesë e veçantë e aktgjykimit i referohet trajnimeve që, sipas gjetjeve të gjykatës, janë mbajtur jashtë territorit të Moldavisë, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Gjykata thekson se të akuzuarit kanë qëndruar disa herë në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë zonën e Gllamoqanit, ku kanë marrë pjesë në trajnime teorike dhe praktike.

Sipas aktgjykimit, këto trajnime përfshinin menaxhimin dhe përdorimin e avancuar të dronëve, lidhjen e tyre me qendrat komanduese, zbulimin ajror në kuadër të grupeve sulmuese, si dhe simulime të hedhjes së mjeteve shpërthyese me ndihmën e dronëve.

Përveç kësaj, në vendim thuhet se trajnimet kanë përfshirë edhe taktika për shkaktimin e panikut dhe kaosit, metoda për çarjen e kordonëve policorë, aktivitete diversant-subversive, si dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.

Gjykata konstatoi se këto aktivitete ishin të lidhura drejtpërdrejt me planet për organizimin e trazirave të dhunshme në Moldavi.

Serbia përmendet në dokumentet gjyqësore si një nga vendndodhjet e qëndrimit dhe trajnimit, por edhe si vend transit në rrugën e të akuzuarve drejt Bosnje e Hercegovinës.

Në aktgjykim thuhet se koordinatori i grupit qëndronte në Rusi, nga ku u jepte udhëzime anëtarëve, ndërsa trajnimet dhe aktivitetet praktike zhvilloheshin në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas gjetjeve të gjykatës, të akuzuarit udhëtonin në itinerarin Moldavi-Serbi-Bosnje e Hercegovinë, ndërsa gjatë hetimeve janë gjetur prova materiale që tregojnë qëndrimin e tyre në të dyja vendet.

Ndër to janë kartëmonedha nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, karta SIM, pajisje telekomunikimi, si dhe regjistrime digjitale të krijuara gjatë qëndrimit në kampet e trajnimit.

Gjykata në aktgjykim thekson gjithashtu se gjatë bastisjeve te të akuzuarit janë gjetur pjesë për dronë, syze VR, telekomandë, bateri, pajisje për ruajtjen e dokumenteve dhe materiale digjitale që, sipas gjykatës, dokumentojnë trajnimet dhe aktivitetet e planifikuara.

Regjistrimet digjitale përfshijnë fotografi dhe video të realizuara gjatë trajnimeve, si dhe udhëzime për përdorimin e dronëve dhe përgatitjen e mjeteve ndezëse dhe shpërthyese.

Gjatë gjykimit, të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, duke pretenduar se nuk ishin të vetëdijshëm për karakterin penal të aktiviteteve në të cilat kishin marrë pjesë dhe se qëndrimet jashtë vendit i kishin konsideruar si angazhime private ose profesionale.

Gjykata, megjithatë, nuk i pranoi këto pretendime, duke përfunduar se provat e mbledhura tregojnë ekzistencën e një qëllimi të qartë dhe koordinimi brenda grupit kriminal.

Ngritje e aktakuzave të reja

Gjatë zhvillimit të gjykimit, Prokuroria e Moldavisë ngriti aktakuzë edhe ndaj disa personave të tjerë të lidhur me trajnimet për nxitjen e trazirave.

Po ashtu, policia në Serbi arrestoi më 26 shtator të vitit të kaluar dy persona, nën dyshimet se kishin organizuar trajnime luftarako-taktike për shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë, me qëllim nxitjen e trazirave në Moldavi.

Arrestimet pasuan pasi autoritetet në Kishinjev paralajmëruan publikisht për ekzistencën e kampeve luftarake në Serbi, duke deklaruar se ato ishin organizuar nga shërbimi sekret rus me synim destabilizimin e Moldavisë.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2025, Moldavia kreu rreth 50 bastisje në disa lokacione në vend dhe gjeti prova se një grup i organizuar, i trajnuar më herët në një kamp në Serbi, dyshohet se kishte planifikuar të shkaktonte trazira në Moldavi./REL

Yesterday — 6 February 2026Abc News

Hapja e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026/ Rama: Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”!

By: Rovena
6 February 2026 at 21:33

Hapja e Lojërave Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” u shënua nga një moment simbolik për Shqipërinë, teksa flamuri kuqezi u valëvit në stadiumin legjendar “San Siro”.

Kryeministri Edi Rama theksoi praninë shqiptare në këtë event madhor sportiv dhe u uroi suksese sportistëve Lara, Denni, Lisa dhe Semir, që përfaqësojnë vendin në arenën olimpike dimërore.

“Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026.  Suksese Lara, Denni, Lisa dhe Semir!”, ka shkruar Rama.

31 të vrarë nga sulmi vetëvrasës në një xhami në Pakistan

6 February 2026 at 21:31

Në një prej sulmeve më vdekjeprurëse në vitet e fundit, një sulmues vetëvrasës vrau të paktën 31 persona në një xhami shiite në Islamabad të Pakistanit, teksa besimtarët po merrnin pjesë në Lutjet e së Premtes.

Zyrtarët thanë më 6 shkurt se nga sulmi u plagosën afër 170 besimtarë në Tarlai, në periferi të Islamabadit. Xhamitë në mbarë botën myslimane janë të mbushura plotë me besimtarë gjatë Lutjeve të së Premtes.

Sipas videove të publikuara menjëherë pas sulmit, u panë trupa njerëzish të shtrirë nëpër objektin e xhamisë. Dhjetëra të plagosur po ashtu janë parë të shtrirë në oborrin e xhamisë Khadija Tul Kubra Imambargah.

“Në total, 31 persona kanë humbur jetën. Numri i të plagosurve që janë dërguar në spitale ka arritur në 169”, tha Irfan Memon, zyrtar i lartë shtetëror.

Aun Shah, dëshmitar okular, tha se dy sulmues fillimisht kanë vrarë me armë zjarri rojet e sigurisë së xhamisë. Ai tha se besimtarët tentuan t’i ndalnin, duke vrapuar drejt tyre.

“Sapo [sulmuesit] arritën te dera e xhamisë, njëri nga ta shpërtheu eksplozivin”, tha ai për Radion Mashaal të Radios Evropa e Lirë.

Disa besimtarë më pas protestuan jashtë xhamisë. Ata thanë se Qeveria është e paaftë të parandalojë sulmet terroriste në rritje.

Sulmet në Islamabad janë të rralla, pasi aty ka forca të shtuara të sigurisë. Por, provinca veriperëndimore të Kiber Paktunkvës dhe në atë jugperëndimore të Baloçistanit po goditen gjithnjë e më shumë nga dhuna islamiste dhe kryengritjet nacionaliste, ku talibanët pakistanezë dhe separatistët laikë etnikë baluçë përballen me forcat e sigurisë të Pakistanit.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por monitoruesi i konfliktit ACLED tha se sulmi ngjason me sulmet që kryen nga grupi terrorist, Shteti Islamik. Ky grup tha se sulmi i 6 shkurtit është më vdekjeprurësi në Islamabad që një dekadë.

Pakistani me 240 milionë banorë ka popullsi shumicë sunite myslimane dhe myslimanët shiitë përbëjnë 15 për qind të popullatës. Që nga vitet ’80, mijëra persona janë vrarë në dhunën sektare dhe shpesh shiitët janë shënjestruar nga ekstremistët sunitë.  / abcnews.al /

“Forca Shqipëri/ Presidenti Begaj në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026

By: Rovena
6 February 2026 at 21:21

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në ceremonitë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, me ftesë të Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Kreu i shtetit e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për Shqipërinë, ndërsa ka shprehur mbështetjen dhe urimet e tij për sportistët shqiptarë Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa, duke u dëshiruar suksese dhe paraqitje sa më të denja në arenën olimpike.

“I nderuar që së bashku me miq te mirë u mikpritëm nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella në ceremonitë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano- Cortina 2026.

Ky është një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për vendin tonë.

Uroj që sportistët tanë – Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa – të na bëjnë krenarë me paraqitjen dhe shpirtin e tyre garues. Forca Shqipëri!”, tha Presidenti Begaj.

Skynews: Koreja e Veriut ekzekuton ata që shikojnë Squid Game

By: Rovena
6 February 2026 at 21:16

Njerëzit në Korenë e Veriut po ekzekutohen sepse kanë parë Squid Game.

Qytetarët gjithashtu përballen me vrasjen për dëgjimin e K-pop, një zhanër muzikor i Koresë së Jugut që përfshin grupe si BTS.

Dëshmitë u zbuluan nga Amnesty International pas kryerjes së 25 intervistave të hollësishme me të arratisurit që kanë ikur nga shteti i drejtuar nga regjimi i Kim Jong-un .

Të arratisurit thanë se shikimi i dramave të njohura të Koresë së Jugut si “Squid Game”, “Crash Landing on You” dhe “Descendants of the Sun”, mund të çojë në pasojat më ekstreme, përfshirë vdekjen.

Një i intervistuar tha se kishte dëgjuar nga një i arratisur me lidhje familjare se si njerëz, përfshirë nxënës të shkollës së mesme, ishin ekzekutuar për shkak se kishin parë Squid Game.

Një tjetër ekzekutim u dokumentua më parë nga Radio Free Asia në vitin 2021, shkruan skynews.

“Të marra së bashku, këto raporte sugjerojnë ekzekutime të shumta që lidhen me serialin”, tha Amnesty në një deklaratë.

Të intervistuarit përshkruan gjithashtu rreziqet e dëgjimit të muzikës së huaj, veçanërisht K-pop nga Koreja e Jugut, ku në dëshminë e tyre u përmend edhe grupi i njohur BTS.

Në vitin 2021, The Korea Times raportoi se një grup adoleshentësh u kapën dhe u hetuan për dëgjimin e grupit.

Choi Suvin, i cili iku nga Koreja e Veriut në vitin 2019, tha se njerëzit shisnin shtëpitë e tyre për të shmangur ndëshkimin.

“Njerëzit kapen për të njëjtin akt, por dënimi varet tërësisht nga paratë”, tha 39-vjeçari.

“Njerëzit pa para shesin shtëpitë e tyre për të mbledhur 5,000 ose 10,000 dollarë për të paguar për të dalë nga kampet e riedukimit”, shtoi ai.

Kjo pabarazi u dëshmua më tej nga rasti i Kim Joonsik, i cili u kap tre herë duke parë drama të Koresë së Jugut, por i shpëtoi ndëshkimit sepse familja e tij kishte lidhje.

Në fund të viteve 2010, vajzat u dënuan me dënime me vite në kampet e punës së Koresë së Veriut, sepse familjet e tyre nuk mund të përballonin të paguanin.

Sarah Brooks, zëvendësdrejtoreshë rajonale në Amnesty, tha: “Këto dëshmi tregojnë se si Koreja e Veriut po zbaton ligje distopike që nënkuptojnë se shikimi i një shfaqjeje televizive të Koresë së Jugut mund t’ju kushtojë jetën – përveç nëse keni mundësi të paguani”.

“Njerëzit që përpiqen të mësojnë më shumë rreth botës jashtë Koresë së Veriut, ose kërkojnë argëtim të thjeshtë nga jashtë shtetit, përballen me ndëshkimet më të ashpra”, shtoi ajo.

Sipas Aktit të Mendimit dhe Kulturës Anti-Reaksionare të Koresë së Veriut të vitit 2020, përmbajtja e Koresë së Jugut është “e quajtur ideologji e kalbur që paralizon ndjenjën revolucionare të popullit”.

Ata që kapen duke konsumuar media të tilla përballen me pesë deri në 15 vjet punë të detyruar sipas këtij akti, me dënime më të rënda – përfshirë vdekjen – për shpërndarjen e tyre ose organizimin e shikimeve në grup.

Shumica e të intervistuarve ishin të moshës midis 15 dhe 25 vjeç kur u arratisën. Largimi më i fundit kishte ndodhur në qershor 2020, me 11 të tjerë që ishin larguar midis viteve 2019 dhe 2020.

Arratisjet kanë qenë të rralla që nga viti 2020, kur mbylljet e kufijve për shkak të COVID-19 e izoluan vendin nga bota e jashtme.

Francë/ Gjyqtarja dhe nëna e saj rrëmbehen, kërkohet shpërblim 1.6 milionë euro në Bitcoin

6 February 2026 at 21:03

Një gjyqtare 35-vjeçare dhe nëna e saj 66-vjeçare u rrëmbyen dhe u mbajtën për rreth 30 orë në zonën e Grenoble përpara se të liroheshin, sipas Le Parisien.

Rrëmbimi ndodhi, sipas të njëjtit informacion, natën e së martës ndaj së mërkurës, rreth orës 3 të mëngjesit, në shtëpinë e 35-vjeçares në Saint-Martin-le-Vinoux, në Francën juglindore.

Dyshohet se autorët i kanë futur gratë në bagazhin e një makine, ndërsa në vendin e rrëmbimit u gjetën gjurmë gjaku. Partneri i 35-vjeçares, një drejtues në një kompani aktive në sektorin e kriptomonedhave, mungonte në kohën e incidentit.

Dy gratë u gjetën të premten në mëngjes në Bourg-lès-Valence, afërsisht 100 kilometra nga vendi i rrëmbimit. Ato u gjetën të lidhura në një garazh kur një fqinj hapi derën pasi dëgjoi zhurma.

Dy gratë pësuan lëndime dhe u dërguan në spital për ndihmën e parë, ndërsa deri më tani nuk janë bërë arrestime. Sipas një burimi policor, autorët dyshohet se kanë kërkuar një shpërblim në bitcoin, me një vlerë totale prej afërsisht 1.6 milion eurosh. Nuk dihet në këtë kohë nëse është paguar një shpërblim.  / abcnews.al /

Bashkitë dhe sfidat financiare/ Farrici: 3 elementet kryesore për Reformën Territoriale. Objektivi, zhvillimi ekonomik lokal

By: Rovena
6 February 2026 at 20:55

Drejtoresha e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Adelina Farrici, e ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka theksuar rëndësinë e reformës territoriale dhe nevojën urgjente për konsensus politik.

Ajo u ndal te tre shtyllat kryesore të reformës, elementi territorial, përmirësimi i shërbimeve dhe efiçenca ekonomike, duke nënvizuar se autonomia financiare e bashkive mbetet thelbësore. Farrici vlerësoi faktin që të dyja krahët e politikës do të ulen në tryezë, duke theksuar se koha është e kufizuar dhe se mosmarrëveshjet politike, si në reformën e vitit 2014, nuk duhet të përsëriten.

Sipas saj, konsultimi politik dhe ekonomik synon arritjen e një konsensusi që do t’i hapë rrugë zhvillimit ekonomik lokal, rritjes së investimeve dhe përmirësimit të të ardhurave për qytetarët.

“Elementi i parë është elementi territorial, elementi i dytë është përmirësimi i shërbimi dhe elementi i tretë është efiçenca ekonomike, nuk duhet të harrojmë dhe autonominë financiare. Është gjë shumë e mirë që të dyja krahët e politikës do të jenë në tavolinë, Nuk duhet që të humbasim më shumë kohë. Koha është shumë e limituara.

Konsensusi politik është shumë e rëndësishme. Një nga problematikat që kishte reforma e vitit 2014 ishte fakti që pati një braktisje nga njëra prej palët politike. Do të jetë një konsultim në nivel politik, ekonomik të cilat do të çojnë më pas në konsensus. Një nga objektivat kryesore të kësaj strategjie është që bashkitë të marrin zhvillim ekonomik lokal. Kjo kërkon burime natyrore dhe njerëzore të shtuara, në mënyrë që t’i gjenerosh politika dhe që çdo investitor të jetë i garantuar, për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal. Zhvillimi ekonomik lokal do të sjellë më shumë të ardhura për qytetarët”, tha Farrici.

Reforma Territoriale/ Farrici: Reforma e 2014 produktive. Problematike, pabarazia rajonale dhe shpërndarja e shërbimeve

By: Rovena
6 February 2026 at 20:48

Drejtoresha e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, Adelina Farrici, ka deklaruar se reforma territoriale e vitit 2014 ka sjellë si përmirësime të ndjeshme, ashtu edhe problematika që kërkojnë rishikim, veçanërisht në drejtim të pabarazive rajonale dhe shpërndarjes së shërbimeve.

E ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Farrici theksoi se pas 12 vitesh nga zbatimi i reformës janë evidentuar sfida të rëndësishme, duke nënvizuar nevojën për një trajtim më të barabartë të bashkive në aspektin financiar, të shërbimeve dhe të demokracisë lokale.

“Në vitin 2014 u ballafaquam me një reformë të thellë territoriale që kishte ambiciet e saj. 12 vite ishin të mjaftueshme për të parë problematikat dhe sfidat. Reforma 2014 nuk duhet të shihet bardhe e zi, pati shumë gjëra pozitive. Kemi përmasime të ndjeshme në shërbime, në anën financiare,  në burimet njerëzore në bashki. Por, kemi edhe elemente të tjera, siç është pabarazia në rajone të ndryshme. Kemi bashki që janë totalosht të varura nga grandi shoqëror, kemi bashki që nuk kanë mundësi, kemi dhe bashki që kanë një lloj autonomie.

Problematika kryesore që duhet të diskutohet është shpërndarja e shërbimeve në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e vendit. Mirëpo bashkitë nuk shihen vetëm si institucione shërbimi. Edhe elementi i demokracisë lokale është një element shumë pozitiv, ka të bëjë me përfaqësinë, a janë të mirëpërfaqësuar. Është një element që duhet të adresohet”, tha Farrici.

“Perimet, kryesore në eksportet me BE”, Rrapaj: Objektivi 1 miliard dollarë, i arritshëm. Fokusi ynë, cilësia …

6 February 2026 at 20:28

Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar theksoi se perimet, frutat, vaji i ullirit dhe peshku janë produktet kryesore që duhet të promovohen për eksport në BE.

Ai shtoi se zhvillimi i agroindustrisë dhe eksporti i produkteve të gatshme me standarde të larta janë kyç për të arritur objektivin e 1 miliard euro eksport brenda 2030. Rrapaj nënvizoi gjithashtu rëndësinë e standardizimit dhe cilësisë, duke theksuar se produktet pa cilësi nuk lejohen as në tregun shqiptar dhe as në atë europian.

Perimet janë kryesoret në eksportet në BE, edhe frutat, vaji i ullirit dhe të tjerat duhet të jenë në vëmendje të fermerëve për të eksportuar në BE. Edhe peshku do të vijojë të eksportohet në BE. Ne duhet të zhvillojmë agroindustrinë dhe produktet e gatshme do të kenë prioritet të eksportohen, që të kapim objektivin 1 miliardë brenda 2030,i mundur plotësisht.

Ne kemi një ambient të madh për të prodhuar për vendet e BE, problemi është rendimenti. E dyta është cilësia dhe standardimi; çdo gjë mund të negociohet me BE, por në tregun e tyre produkte pa cilësi nuk do lejohen. Jo vetëm në BE, por edhe në tregun shqiptar nuk do lejohen produkte pa cilësi, ndaj ne kemi një projekt me shtetet e bashkuara që po punon prej 3 vitesh në Shqipëri për standardet dhe cilësitë.”

Eksportet shqiptare në BE/ Hasani: Mbështetja e fermerëve dhe investimet e të rinjve përmirësojnë situatën

6 February 2026 at 20:21

Ekonomisti Leons Hasani tha per “Sheshi i Dollarit” se vendi ynë është i brishtë në aspektin e konkurrencës së sektorit të bujqësisë në tregun e BE dhe heqja e tarifave kërkon mbrojtjen e prodhimit vendas për ta bërë atë të mbijetueshëm.

Ai theksoi se mbështetja direkte për fermerët dhe investimet e të rinjve mund të përmirësojnë situatën në sektor.

 “Kapitujt e hapur me BE janë ndër kapitujt më sfidues të qeverisjes për standardet në aspektin e sigurisë, por edhe për konkurrueshmërinë. Tregu i brendshëm është me një numër të madh konsumatorësh dhe vendi ynë është i brishtë në aspektin e konkurrencës.

Në momentin që do heqim tarifat, do të duhet të mendojmë të mbrojmë prodhimin vendas, duke e bërë të mbijetueshëm në konkurrencën e lartë. Një mbështetje direkte e fermerëve për të nxitur investimet dhe mbajtja e të rinjve mund të përmirësojnë situatën. Forca punëtore është duke rënë; në momentin kur nuk kemi forcë aktive, produktiviteti do të bjerë dhe vlera financiare e sektorit do të ulet.”  / abcnews.al /

Tenton të grabisë Postën Shqiptare/ Shkodër, ‘skifteri’ thyen xhamin e sportelit, policia vijon kontrollet

6 February 2026 at 19:38

Rreth orës 19:00, në lagjen “Vasil Shanto”, një shtetas ende i paidentifikuar është futur brenda ambienteve të filialit të Postës Shqiptare dhe ka tentuar të marrë me forcë një shumë monetare, por nuk ka mundur ta marrë dhe gjatë largimit ka thyer xhamin e sportelit.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit.  / abcnews.al /

Teherani nuk tërhiqet/ Programi bërthamon, SHBA: Do vijojmë negociatat

By: Rovena
6 February 2026 at 19:32

Irani nuk ka pranuar të heq dorë nga programi I tij për pasurim të Uraniumit që mund të sjell prodhimin e armëve bërthamore, por Shtetet e Bashkuara duan që të vijojnë negociatat.

Ky ishte përfundimi i ditës së parë të bisedimeve mes Teheranit dhe Ëashingtonit sipas asaj që raporton media Amerikenae Axios. Përpjekjet diplomatike dhe ulja e palëve në tryezën e negociatave vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur një armadë të madhe në Lindjen e Mesme në gatishmëri për të sulmuar Iranin. Teherani ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të sillte një luftë më të gjërë rajonale.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi për televizionin shtetëror pas përfundimit të bisedimeve se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, duke e cilësuar takimin si “një fillim të mirë”.

Teherani kishte deklaruar më parë se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në programin bërthamor të Iranit. Ndërkohë, Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të përfshihen edhe programi i raketave balistike të Iranit dhe mbështetja që ai u jep grupeve të armatosura në rajon.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkura dhe Iranit ishin në strukturën që njihet si bisedime indirrekte. Ministri i Jashtëm I Omanit ishte ai që bisedo me secilën pale vec e veç duke përçuar tek secila prej tyre mesazhet e njëri tjetrit. Irani u përfaqësua në këto bisedime nga Ministri I jashtëm Abas Aragchi ndërsa Shtetet e Bashkuara nga I Dërguari special për Lindjen e Mesme Steve Ëitkoff si dhe nga Jared Kushner, dhëndrri I presidentit Trump.

Raundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte planifikuar për në qershor të vitit të kaluar, por u ndërpre pas sulmit të papritur të Izraelit ndaj Iranit. Sipas analistëve ushtarak , për udhëheqjen iraniane këto bisedime mund të përbëjnë shansin e fundit për të shmangur një veprim ushtarak amerikan që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili ndodhet në pozitën më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Bllokohet qumështi për bebe/ AKU: “Beba Supreme Pre” po tërhiqet nga tregu në Shqipëri

6 February 2026 at 19:05

Një tjetër lloj qumështi për  foshnje  tërhiqet nga tregu në vendin tonë si një product I pa sigurtë.

“Beba Supreme Pre” me paketim  800 g dhe me datë  skadence  majin e  vitit 2027.

Kompania “rosmman & lala” sipas Autorietit Kombëtar të Ushqimit  kishte importuar 186 copë  prej të cilave  114  I ka eksportuar në Kosovë.

Ndërkohë që 72  të tjerat  I kishtë shpërndarë në  rrjetin e dyqaneve në Shqipëri.

Autoriteti Kombëtar I Ushqimit thotë se  ka bllokuar    një sasi prej   68 paketimesh.

Katër prej tyre ishin shitur.  Autoritetet  thonë se kanë njoftuar konsumatorin  të mos e përdorin këtë qumësht, por  ta kthejnë në pikat e shitjes.

Qumështi për foshnje  Beba Suprem  Pre 800 gram është bllokuar dhe në Kosovë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë së produkti do të asgjësohet.

Javën e shkuar në vendin tonë  u bllokuar dhe  qumështin për bebe “aptamil  1 pronutra”  me paketim  800 gramë  dhe  datë skadence nëntorin e vitit  2026 dhe më herët ai “nan 1 optipro”  800g.

Masa u mor nga Autoriteti Kombëtar I Ushqimit  pas njoftimit  nga autorietet europiane se  në produkt  ishe gjetur   substanca cereulide , një toksinë e prodhuar nga bakteri bacillus cereus.

Sipas specialistëve ajo  shkakton diarre, dhembje barku ndonjëherë dhe ethe të lehta  8 deri në 16 orë pas konsumimit.

Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap konsullatë në Grenlandë

By: Rovena
6 February 2026 at 19:01

Franca ka hapur një konsullatë në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, duke forcuar praninë e saj diplomatike në Arktik dhe duke mbajtur premtimin e bërë nga presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në ishull qershorin e kaluar.

Duke vepruar kështu, Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap një konsullatë të përgjithshme në Grenlandë, përpara partnerëve të saj në bllokun me 27 anëtarë.

Megjithatë, Brukseli është tashmë i përfaqësuar në ishull, pas hapjes së një zyre të Komisionit Evropian në vitin 2024.

Jean-Noël Poirier, ish-ambasadori francez në Vietnam, e mori detyrën me mbërritjen në Nuuk, ku do të përfaqësojë Francën në këtë territor gjysmë-autonom danez me rreth 56,000 banorë.

Deri më tani, shtetasit francezë që jetonin në Grenlandë mbështeteshin në një marrëveshje të kufizuar konsullore.

Një konsulle nderi, Kristine Winberg, merrej me procedurat themelore administrative dhe asistencën konsullore në emër të ambasadës franceze në Danimarkë.

Roli i saj përfshinte lëshimin e dokumenteve të identitetit, ofrimin e mbështetjes në rastet e çështjeve ligjore ose vdekjeve, dhe veprimin si një lidhje me komunitetin e vogël francez, sipas transmetuesit francez BFM TV.

Një burim diplomatik tha se vetëm “tetë qytetarë francezë janë të regjistruar në Nuuk, por ndoshta rreth 30 jetojnë në Grenlandë”.

Megjithatë, pavarësisht madhësisë së vogël të popullsisë franceze në ishull, konsullata e re do të ketë përgjegjësi të zgjeruara.

Përveç ofrimit të mbështetjes administrative për shtetasit francezë, do të punohet “për të thelluar projektet ekzistuese të bashkëpunimit me Grenlandën në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar njëkohësisht lidhjet politike me autoritetet lokale”, sipas një deklarate të publikuar nga ministria e jashtme.

Parisi thotë se qëllimi është të forcohen lidhjet midis Grenlandës, Francës dhe BE-së në një rajon që është bërë burim mosmarrëveshjesh të konsiderueshme midis Evropës dhe SHBA-së, mes kërkesave të përsëritura të presidentit të SHBA-së Donald Trump që Uashingtoni të marrë kontrollin e territorit që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

❌
❌