Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Abc News

“Pasuritë e tij, djalit dhe vajzës janë në sitë të prokurorisë”, Gjikondi: Basha ka orientuar SPAK drejt Berishës për “21 janarin”

14 January 2026 at 23:45

TIRANË- Sali Berisha nuk u shfaq i shqetësuar për hetimet lidhur me fondet që u përdorën për lëvizjen që e riktheu në krye të Partisë Demokratike.

Ish-kryeministri akuzoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kanë furnizuar SPAK-un dhe kreun e tij, Altin Dumani, me listën e bizneseve që e kanë mbështetur financiarisht.

Megjithatë, Berisha vendosi një “vijë të kuqe”, duke deklaruar se SPAK nuk duhet të guxojë të shkojë më tej tek hetimet e pasurive të fëmijëve të tij.

E ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, juristja Brizida Gjikondi u shpreh se hetimi i pasurisë është pjesë e dosjes “Partizani” dhe se organet e drejtësisë kanë marrë indicie konkrete. Sipas saj, pasuritë e Berishës, të vajzës dhe të djalit të tij po kalohen në “sitë” nga prokuroria.

Gjikondi komentoi gjithashtu situatën brenda Partisë Demokratike, duke deklaruar se Gazment Bardhi nuk aspiron të marrë drejtimin e saj. Sipas juristes, PD është një “tokë e djegur”, ku nuk ka asgjë për t’u trashëguar politikisht, ndërsa Berisha sipas saj ka “shumë skelete në sirtar”.

Më tej, Gjikondi u shprehu se Lulzim Basha ka dijeni të plotë mbi atë çfarë ka ndodhur me rrethanat e krimit shtetëror të 21 janarit dhe se ai ka orientuar prokurorët drejt Sali Berishës, ish-kryeministrit të kohës.

“Patjetër që po. Ai nuk tha se hetimi i pasurisë është në kuadër të dosjes Partizani. U mor indicia dhe po e fusin në sitë të gjithën pasurinë e Berishës, të vajzës dhe të djalit të tij.
Bardhi nuk aspiron të zërë vendin e Berishës, sepse e di që aty ka ujqër të vjetër. Aty është tokë e djegur.

Tek ajo parti s’ke asgjë çfarë të trashëgosh. Berisha ka shumë skelete në sirtar, patjetër si 21 janari, Gërdeci dhe Partizani. Lulzim Basha e di se çfarë ka ndodhur, çfarë është bërë me provat për 21 janarin dhe çfarë ka ndodhur. Jam i bindur se ka dhënë informacion të duhur duke orientuar prokurorët drejt Berishës për atë krim që ka ndodhur atë ditë në bulevard.”, tha ajo/abcnews.al

Greqi, fermerët bien dakord për takim me kryeministrin Mitsotakis

14 January 2026 at 22:56

Fermerët ranë sot dakord për një takim midis kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe një komiteti të fermerëve, gjatë një takimi të Komitetit Panhelenik të Bllokadave Rrugore që u zhvillua në Palamas, pranë Karditsës në Tesali, Greqi.

Komiteti do të përbëhet nga 25 përfaqësues të shoqatave të fermerëve dhe pesë vëzhgues, ndërsa data e takimit do të shpallet së shpejti.

”Pas takimit, fermerët protestues vendosën të qëndrojnë në bllokadat rrugore duke nisur nga e enjtja në mëngjes”, sipas presidentit të Federatës së Bashkuar të Shoqatave Bujqësore të Karditsës, Kostas Tzellas.

Ndërkohë, në deklaratat e tij, presidenti i Federatës së Larissës, Rizos Maroudas, dënoi veprimet për dëmtimin e traktorëve

Senatori italian Della Porta: Italianët, të mirëpritur në Shqipëri. Mbështes nismat Meloni–Rama

14 January 2026 at 22:50

Senatori italian i zgjedhur në Molise, Costanzo Della Porta, gjatë një interviste për programin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”, theksoi marrëdhëniet e ngushta mes qytetarëve dhe zgjedhësve të tij, duke vizituar shpesh komunat e Molises, përfshirë ato me komunitete arbëreshe.

Della Porta foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës arbëreshe, duke theksuar se kushtetuta italiane mbron pakicat gjuhësore dhe se një marrëveshje ndërmjet qeverive Rama–Meloni mund të forcojë mbrojtjen e tyre. Ai shtoi se, edhe pse gjuha është mirë e ruajtur në Molise, është e nevojshme të merren masa për pakicat në zona të tjera si Sicilia dhe Calabria, duke theksuar se ruajtja e kulturës lokale është pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Artur Nura: Mirëmbrëma.
Costanzo Della Porta: Mirëmbrëma.

Artur Nura: Atëherë, ju jeni?

Jam Costanzo Della Porta, senator i Republikës Italiane, i zgjedhur në Molise.

Artur Nura: Dhe jo rastësisht keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë në një shkollë, le të themi, kulinarie me prestigj të madh, apo jo?
Costanzo Della Porta:  Po, ndodhemi në Institutin Hotelier “Federico II di Svevia” në Termoli.

Artur Nura: bukur. A takoheni shpesh me zgjedhësit tuaj? Si funksionon, pra, marrëdhënia juaj me ta?

Costanzo Della Porta : Ne kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë me zgjedhësit tanë, me qytetarët, sepse përveç aktiviteteve parlamentare dhe ditëve që jemi në Romë – zakonisht të martën, të mërkurën dhe të enjten – ditët e tjera të javës ia kushtojmë territorit. Pra, takojmë qytetarët tanë. Qarku zgjedhor është shumë i gjerë, sepse përfshin të gjithë Molisen, ndaj duhet të lëvizim mes provincës së Campobassos dhe asaj të Isernias. Duhet kohë për të përshkuar të gjithë territorin dhe është normale që të mos qëndrojmë vetëm në Romë, por edhe këtu, mes njerëzve.

Artur Nura: Por jam informuar se edhe arbëreshët e kësaj zone, katër komuna kryesisht, janë zgjedhës dhe mbështetës tuaj. Është e vërtetë?

Costanzo Della Porta: Po, komunat arbëreshe të Molises janë, ndër të tjera, komuna të Molises së Poshtme, në zonën përreth Termolit: Campomarino, Montecilfone, Portocannone dhe Ururi, të cilat i kemi vizituar disa muaj më parë bashkë me presidentin tuaj Bajram Begaj.

Artur Nura: Bukur.

Ndërkohë, marrëdhëniet italo-shqiptare, për këdo që njeh historinë, nisin që në kohë shumë të largëta, madje edhe antike. Për më tepër, Fratelli d’Italia është tashmë partia e vetme italiane që ka një qendër në Tiranë. Çfarë marrëdhëniesh keni ju personalisht me Shqipërinë?

Costanzo Della Porta: Marrëdhëniet mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare janë shumë të mira: janë marrëdhënie afërsie, miqësie dhe ndarjeje vlerash, sepse populli shqiptar është shumë i lidhur me atë italian. Dua të kujtoj se në momentet e vështira të kombit tuaj, gjatë ndarjes se ssitemeve, Italia ishte vendi i parë që priti qytetarë shqiptarë. Shumë prej tyre kanë mbetur në Itali, punojnë këtu dhe kanë krijuar familjet e tyre. Marrëdhëniet mes nesh dhe popullit shqiptar janë shumë të mira, jo vetëm me shqiptarët që janë transferuar në Itali, por edhe me komunitetet arbëreshe që jetojnë në komunat tona. Kemi një raport shumë të bukur vëllazëror dhe është sikur të ishim një popull i vetëm, pa ndarje mes nesh.

Artur Nura: Me të drejtë. A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?

Costanzo Della Porta: Jo, dhe për fajin tim ende jo. Jam ftuar disa herë, por për arsye institucionale nuk kam arritur të shkoj. Kam folur edhe me kolegë të tjerë për këtë. Me siguri këtë vit do të bëj me shumë kënaqësi një vizitë në Shqipëri.

Artur Nura: Eh, e dini që jemi shumë afër. Ka nga ata që e quajnë Shqipërinë rajoni i 21-të; dhe për këtë kam disa rezerva…

Costanzo Della Porta: Është e drejtë, sepse duhet të garantoni autonominë dhe pavarësinë tuaj. Por përtej idesë së “rajonit të 21-të”, Shqipëria është një komb, një shtet shumë pranë Italisë dhe është sikur të ishim një popull i vetëm.

Artur Nura: Ju e dini se sot nuk ka më një emigrim shqiptar drejt Italisë, por përkundrazi, një emigrim italian drejt Shqipërisë.

Costanzo Della Porta: Kjo është diçka pozitive: do të thotë që nuk i keni më problemet e disa dekadave më parë dhe që italianët duan të investojnë në Shqipëri. Besoj se italianët janë shumë të mirëpritur në Shqipëri, pikërisht për shkak të kësaj vëllazërie të madhe mes dy popujve. Mendoj se populli shqiptar i mirëpret italianët më shumë se popujt e tjerë evropianë.

Artur Nura: Me të drejtë. Si do ta vlerësonit titullin e emisionit tim: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë? A është ende aktual?

Costanzo Della Porta: Është ende aktual, sepse Roma është Caput Mundi, djepi i krishterimit dhe i qytetërimit. Unë e frekuentoj Romën çdo javë, ndaj për mua rrugët vërtet të çojnë në Romë. Më pëlqen shumë që emisioni juaj quhet kështu, sepse tregon lidhjen mes popullit tuaj dhe kryeqytetit tonë, pra mes jush dhe Italisë. Me të drejtë.

Artur Nura: Roma është padyshim qendër nga pikëpamja historike dhe urbanistike, por e kam zgjedhur këtë titull sepse mendoj se Italia është e rëndësishme. Unë e konsideroj publikisht si një vëlla të madh dhe, kur vëllai i madh nuk është mirë, mendo për motrën e vogël, në këtë rast Shqipërinë…

Costanzo Della Porta: Italianët kanë qenë dhe janë ende një popull shumë solidar. Jemi një popull mikpritës, kemi kaluar vështirësi dhe e dimë çfarë do të thotë të ringrihesh nga hici. E kemi bërë për veten tonë dhe e bëjmë edhe për vëllezërit tanë që kanë qenë më pak fatlumë. Sot, fatmirësisht, ata jetojnë më qetë, por kur ka pasur nevojë, Italia ka qenë gjithmonë e pranishme.

Artur Nura: Të vijmë te thelbi. Nuk ju pyeta rastësisht për arbëreshët dhe për Shqipërinë. Marrëdhëniet tona janë shumë të pasura dhe, si gazetar që prej 25 vitesh ndjek marrëdhëniet italo-shqiptare për Radio Radicale, kam vërejtur se gjuha Arbereshe, që është identitare për pakicën historike arbëreshe në Itali, rrezikon të zhduket. Sipas disa ekspertëve, si nga këndvështrimi politik ashtu edhe shkencor, nevojitet një marrëveshje e re Rama–Meloni.
A do ta mbështesnit një marrëveshje të tillë?

Costanzo Della Porta: Unë nuk besoj se gjuha arbëreshe, të paktën në Molise, është drejt zhdukjes, sepse në komunat ku flitet, tradita është e rrënjosur mirë. Megjithatë, nëse mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur pakicat gjuhësore, duhet ta bëjmë. Nëse do të kishte një marrëveshje të tillë, duke pasur parasysh marrëdhëniet shumë të mira mes Giorgia Melonit dhe kryeministrit Edi Rama, unë do të isha i kënaqur dhe do të votoja me dëshirë një ligj në këtë drejtim.

Artur Nura: Më bëhet shumë qejfi. Sigurisht që është e nevojshme, sepse ndoshta në Molise dhe në disa rajone gjuha është ruajtur, por në zona të tjera arbëreshe situata është më delikate. Kur flitet për një parti në pushtet, nuk mendohet vetëm në nivel lokal, por në mënyrë të përgjithshme.

Costanzo Della Porta: Kushtetuta jonë mbron pakicat gjuhësore kudo në Itali dhe është e drejtë t’i mbrojë edhe atje ku rrezikojnë të zhduken. Nuk është rasti i Molises, por mund të jetë i Sicilisë apo i Kalabrisë, ku ka pakica të tjera. Pakicat gjuhësore janë pjesë përbërëse e kulturës së territorit dhe duhen mbrojtur, sepse këtë e parashikon edhe Kushtetuta jonë.

Artur Nura: Dhe kjo më bën shumë qejf. Ndërkohë ju falënderoj për këtë intervistë. Si gazetar, ua them telespektatorëve të ABC News Albania se do ta ndjek këtë çështje dhe, me senatorin Della Porta do të kthehemi ta diskutojmë në Romë për një nismë të mundshme lidhur me një marrëveshje Rama–Meloni.   / abcnews.al /

Gjithë rrugët të çojnë në Romë/ Apeli i arbëreshëve për Melonin dhe Ramën: Duam veprim, jo vetëm premtime

14 January 2026 at 22:26

Gazetari Artur Nura zhvilloi një intervistë në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” me kryetaren e Bashkisë së Ururit, Laura Greco, ku u diskutua për historinë, sfidat dhe të ardhmen e këtij qyteti arbëresh në Itali.

Greco tregoi se godina aktuale e bashkisë ka qenë shtëpia e gjyshërve të saj, e dhuruar më pas për përdorim publik, ku sot funksionon biblioteka “Profesoresha Maria Teresa Marinelli”. Ajo foli gjithashtu për kishën katolike të qytetit, e rindërtuar pas tërmetit të vitit 1962 dhe e rikthyer për besimtarët në vitin 1999.

Një nga problematikat kryesore që u theksua gjatë intervistës ishte shpopullimi.

Sipas Grecos, Ururi ka humbur rreth 1000 banorë në 20 vitet e fundit, kryesisht për shkak të mungesës së vendeve të punës. Bashkia ka ndërmarrë disa iniciativa për të nxitur rikthimin e banorëve dhe ardhjen e të rinjve, përfshirë subvencione për blerjen e shtëpive dhe hapjen e aktiviteteve të reja.

Kryebashkiakja u shpreh e hapur ndaj projekteve që synojnë zhvillimin e turizmit, veçanërisht duke ftuar shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke e parë këtë si një mundësi për gjallërimin ekonomik të zonës.

Në fokus ishte edhe ruajtja e gjuhës dhe identitetit arbëresh. Greco vlerësoi interesin e shtuar të qeverisë shqiptare për këto komunitete dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës arbëreshe, e cila tashmë është futur si lëndë në shkollën lokale, por rrezikon të zhduket.

Në fund, ajo bëri të ditur se Bashkia e Ururit po përgatit binjakëzimin me Bashkinë e Roskovecit në Shqipëri, një hap që synon forcimin e lidhjeve kulturore dhe institucionale mes dy vendeve.

Intervista e plotë:

Artur Nura: Atëherë mund ta përshëndesim kryetaren e bashkisë së Ururit. Ju jeni kryetarja e bashkisë, apo jo?

Unë jam Laura Greco: , kryetare e bashkisë së Ururit.

Artur Nura: Pra, më kanë thënë që kjo ndërtesë këtu, që është godina e bashkisë së Ururit, ka qenë pronë e familjes suaj?
Laura Greco: Po, kjo është shtëpia e gjyshërve të mi, kjo është shtëpia ku jetonte babai im dhe më pas kemi vendosur, le të themi, tia dhurojmë bashkisë së Ururit për një qëllim fisnik, që e gjithë popullsia të mund të përfitojë prej saj. Sot këtu ndodhet biblioteka e titulluar “Profesoresha Maria Teresa Marinelli” dhe, sigurisht, familja ime është krenare për këtë, sepse është e vetmja ndërtesë e mirëmbajtur, e ruajtur mirë, që i është nënshtruar restaurimit. Pra, familja është vërtet shumë krenare për këtë.

Artur Nura: Ne kemi realizuar pothuajse të gjitha intervistat pikërisht në këtë ndërtesë. Po ajo atje është një kishë, një kishë katolike?
Laura Greco: Po, është një kishë katolike. Është një kishë që iu rikthye publikut në vitin 1999, u rihap, sepse pas tërmetit të vitit ’62, që preku këtë komunë, ishte reduktuar plotësisht në një rrënojë. Më pas, një zonjë nga Ururi dhuroi pasurinë e saj dhe bëri të mundur që kisha të rihapej për publikun, pra për besimtarët.

Artur Nura: A mbahen mesha të rregullta?

Laura Greco: Po, mbahen mesha çdo ditë, me famullitarin tonë aktual, don Michele Di Legge, i cili, për më tepër, ka lindur në një komunë fqinje, gjithashtu me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: Ndërkohë që po flasim, na trego edhe për zyrën tënde në bashki, por ndërkohë po kalojmë në një rrugicë shumë, shumë të bukur.

Laura Greco: Po. Kjo është një rrugicë historike për komunitetin tonë, sepse në fillim komuna jonë ishte shumë e vogël. Aq sa quhet “Via Commerciale”, sepse kjo ishte rruga kryesore ku zhvillohej jeta e pothuajse të gjithë banorëve që jetonin në këtë rrugë dhe në rrugën paralele. Këtu ishte jeta: të gjithë jetonin këtu, ishte shumë e populluar dhe të gjitha shtëpitë ishin të banuara.

Artur Nura: Sot i shohim të zbrazëta dhe të mbyllura! Pikërisht, pyetja që më lind është: pse ky qytet kaq i bukur, sipas meje, sipas shijeve të mia, është i bukur, por duket i zbrazët? Ka njerëz apo jo?

Laura Greco: Njerëz ka, edhe pse, siç e dini shumë mirë, kohët e fundit pothuajse të gjitha komunat italiane janë të prekura nga shpopullimi.

Artur Nura: Një problem edhe për ne në Shqipëri.

Laura Greco: Një problem i madh, shumë i madh, aq sa kemi humbur 1000 banorë në vitet e fundit: nga 3500 që ishim 20 vite më parë, sot jemi 2500 persona, sepse të rinjtë largohen nga vendlindja. Problemi kryesor është puna, mungesa e punës: njerëzit studiojnë jashtë dhe më pas qëndrojnë aty ku studiojnë. Ky është problemi kryesor.

Artur Nura: Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të nxisim njerëzit të vijnë këtu. Kemi projekte?

Laura Greco: Sigurisht, por për këto projekte nevojitet kohë, studim dhe fonde. Shteti po na ndihmon në këtë drejtim; kemi shpallur edhe dy thirrje ku jepeshin kontribute për ata që transferonin rezidencën, për ata që blinin një shtëpi në komunën e Ururit dhe për ata që hapnin një aktivitet të ri. Thirrjet patën sukses, diçka ka filluar të lëvizë, diçka po lëviz ende, por unë dua të ndërmarr një veprim që t’i rikthejë në jetë këto shtëpi të braktisura.

Artur Nura: Ndërkohë më vjen një ide: duke qenë se ky është një qytet shumë i bukur, që mbart histori dhe kulturë, është një qytet arbëresh, pra shqiptar, mund të mendojmë një projekt që fton të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të vijnë ta vizitojnë si turistë dhe, pse jo, të gjejmë mënyrën që dikush të qëndrojë këtu?

Laura Greco: Të qëndrojë, ndoshta. Ky është me siguri një projekt shumë i bukur, një nismë që do ta përqafoja menjëherë, sepse unë gjithmonë them që Ururi, nga pikëpamja gjeografike, ka një pozicion optimal: është vetëm 15 minuta nga deti, jetohet mirë, është një vend i vogël, klima është e mirë, është ideale për të jetuar. Ajo që ndoshta mungon është puna. Por nëse vijnë turistët, vjen edhe puna: krijohet një zinxhir ekonomik, pra turizmi sjell patjetër punë dhe njerëzit mund të qëndrojnë në këtë tokë.

Artur Nura: Ky është një shesh historik?

Laura Greco: Po, ky është një shesh historik. Në fillim fshati përfundonte pak më tej dhe këtu zhvillohej e gjithë jeta: kishte treg, njerëzit shëtisnin. Këtu ka ndodhur masakra e famshme e Vardarellëve në shekullin XIX, pra ka ndodhur edhe vrasja e parë shtetërore. Ndoshta kolegu Emiliano do t’jua shpjegojë më mirë, sepse është më i informuar për këtë çështje.

Artur Nura: Ky ishte sheshi historik dhe sot është bosh. Dhe pas sheshit është edhe bashkia juaj, apo jo?

Laura Greco: Po, bashkia jonë, që është zemra e aktivitetit. Bashkia është shtëpia e të gjithëve, jo vetëm e kryetarit, por e të gjithë qytetarëve. Unë të paktën e kuptoj kështu: e hapur për këdo që ka probleme apo nevoja, të cilat ne përpiqemi, sigurisht, t’i zgjidhim.

Artur Nura: Tani le të flasim për përgjegjësinë politike. Sipas jush, sipas përvojës suaj, a ka qenë më i vëmendshëm qeveria italiane apo qeveria shqiptare ndaj jush?

Laura Greco: Qeveria italiane ka një Kushtetutë shumë të mirë, që mbron pakicat gjuhësore. Sigurisht, me ligjet ndoshta ka munguar mbështetja financiare dhe diçka më shumë mund të ishte bërë.

Artur Nura: Kohët e fundit vërej, dhe duhet ta theksoj patjetër, një interes të madh nga ana e qeverisë shqiptare ndaj këtyre komuniteteve. Mund të ndjehet qartë interesi i Shqipërisë për pakicat gjuhësore në Itali.

Laura Greco: Sigurisht që për këtë jam e kënaqur. Shumë është bërë, por shumë mund të bëhet ende. Së fundmi është futur mësimi i gjuhës arbëreshe si lëndë në shkollën tonë. Duhet të kujtojmë se ne ruajmë një gjuhë që është transmetuar vetëm gojarisht. Kjo gjuhë e bukur, që ka rezistuar për më shumë se pesë shekuj, sot rrezikon të zhduket.

Artur Nura: Sipas jush, a do të ishte e drejtë të kishte një marrëveshje mes Ramës dhe Melonit – pasi kanë firmosur tashmë 16 marrëveshje – për të arritur në një të shtatëmbëdhjetë, që parashikon përgjegjësinë për ruajtjen e kësaj gjuhe, edhe me një buxhet, sepse pa para nuk bëhet asgjë?

Laura Greco: Sigurisht që do të ishte e dëshirueshme. Duhet thënë se Giorgia Meloni ka marrëdhënie shumë të ngushta me Shqipërinë dhe një marrëveshje e mëtejshme në këtë drejtim, për mbrojtjen e kësaj gjuhe, këtyre origjinave dhe kësaj identiteti që jeton brenda shtetit italian, do të ishte zgjidhja më e mirë.

Artur Nura: Duhet punuar për t’i bindur ata.

Laura Greco: Po, unë jam shumë e orientuar në këtë drejtim, aq sa si administratë promovojmë të gjitha aktivitetet që lidhen me valorizimin e gjuhës sonë. Më intereson shumë, sepse që fëmijë e kuptoja se kisha diçka më shumë se të tjerët. Mendoj se kjo vjen nga origjina. Me të drejtë.

Artur Nura: Ndërkohë, në Shqipëri vini vetëm për festa apo po realizoni edhe binjakëzime me komuna të tjera?

Laura Greco: Po, po përpiqemi. Së shpejti do të realizojmë binjakëzimin me komunën e Roskovecit. Kam pasur mundësinë të njoh kryetaren e bashkisë kur erdhi Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është një grua e zonja, një person shumë i vlefshëm, dhe kemi vendosur ta realizojmë këtë binjakëzim. Aq sa do të jenë mysafirët tanë në ditët në vijim, më 20 janar.

Artur Nura: Urime dhe faleminderit për intervistën.
Laura Greco: Faleminderit juve.

Artur Nura: Punë të mbarë.
Laura Greco: Faleminderit.

Danimarka do të forcojë praninë ushtarake në Groenlandë

14 January 2026 at 22:23

Danimarka do të rrisë praninë e saj ushtarake në Groenlandë. Lajmi u bë i ditur nga ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, i cili theksoi se vendi i tij do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve ushtarake në ishullin arktik, duke i dhënë një vëmendje më të madhe bashkëpunimit brenda NATO-s.

“Do të vazhdojmë të forcojmë praninë tonë ushtarake në Groenlandë, por me një fokus edhe më të madh brenda NATO-s, përmes më shumë stërvitjeve dhe një pranie më të shtuar të Aleancës në Arktik”, deklaroi Poulsen për agjencinë AFP. Ai shtoi se Danimarka mban një dialog të vazhdueshëm me aleatët e saj lidhur me aktivitetet e reja dhe të zgjeruara që pritet të zhvillohen në vitin 2026.

Ndërkohë, të mërkurën në Uashington, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, do të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, si dhe me homologen e tij nga Groenlanda, Vivian Motzfeldt.

Sipas analistit Giuseppe Sarcina, mbetet e paqartë nëse ky takim do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës që është hapur mes dy brigjeve të Atlantikut lidhur me të ardhmen e ishullit të madh arktik. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur qëndrimin e tij duke deklaruar: Do të bëjmë diçka në Groenlandë, me dëshirën ose pa dëshirën e të tjerëve; nuk duam që Rusia apo Kina të jenë fqinjët tanë.

Trump ka sqaruar se synon ta arrijë këtë objektiv në “mënyrën më të lehtë”, përmes një marrëveshjeje, por ka paralajmëruar se, në të kundërt, mund të përdorë “mjete më të ashpra”.

Autoritetet e Danimarkës dhe Groenlandës e kanë përgatitur takimin në Uashington në dy nivele. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryeministrja daneze Mette Frederiksen pranoi se situata është e ndërlikuar. “Nuk ka qenë e lehtë të përballohet një presion krejtësisht i papranueshëm nga ana e njërit prej aleatëve tanë më të ngushtë, por ekziston frika se më e keqja mund të jetë ende përpara”, u shpreh ajo.

Polonia u godit nga më shumë se 3,000 sulme kibernetike në javën e parë të vitit 2026

14 January 2026 at 22:12

Sipas të dhënave nga firma izraelite e sigurisë kibernetike Check Point, sulmet ndaj organeve qeveritare polake arritën nivele rekord në fillim të vitit 2026, me institucionin shtetëror mesatar që pësoi rreth 3,188 përpjekje sulmi gjatë shtatë ditëve të para të janarit, një rekord i ri që kur kompania filloi të gjurmonte një aktivitet të tillë.

Kjo rritje tejkalon nivelet e regjistruara në vendet fqinje si Republika Çeke, Austria dhe Gjermania, duke e vendosur Poloninë në krye të renditjes rajonale të kërcënimeve kibernetike të drejtuara ndaj qeverisë, raporton TVP World.

“Në tetor të vitit 2025, 2,500 sulme dukeshin të rrezikshme. Tani kemi një rekord të ri kërcënimesh. Institucionet qeveritare polake sprapsin 3,188 sulme në javë, më shumë se qeveritë e Republikës Çeke, Austrisë apo Gjermanisë”, tha drejtori i Check Point për Poloninë, Wojciech Glazewski.

 

Yesterday — 14 January 2026Abc News

Ambasada Britanike në Teheran mbyllet përkohësisht

14 January 2026 at 21:43

Ambasada Britanike në Iran është mbyllur përkohësisht dhe tani do të operojë në mënyrë remote, njoftoi një zëdhënës qeveritar. Sipas tij, këshillat për udhëtimet e Departamentit të Jashtëm janë përditësuar për të reflektuar këtë ndryshim konsullor.

Ky vendim vjen pas tërheqjes së personelit ushtarak britanik nga një bazë amerikane në Katar, ndërsa SHBA-ja ka filluar gjithashtu të tërheqë disa punonjës nga baza Al Udeid në Katar, baza më e madhe amerikane në rajon.

Italia dhe Polonia kanë kërkuar sot që qytetarët e tyre të largohen “menjëherë” nga Irani, për shkak të pasigurisë mbi një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane. Iranit ka paralajmëruar se do të hakmerret ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon në rast të një sulmi.  / abcnews.al /

A do të përfshihet Izraeli në një luftë rajonale?/ Krisafi: Irani nuk ka kapacitet të godasi i pari!

14 January 2026 at 21:40

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, ka deklaruar se Izraeli do të ishte objektivi kryesor në një përplasje të drejtpërdrejtë me Iranin.

Sipas Krisafit, Irani ka pak mundësi ta nisë goditjen e parë për shkak të epërsisë ajrore dhe fuqisë ushtarake të kundërshtarit. Ai shton se në rast të një sulmi amerikan, Irani nuk ka cfarë godet.

“Forcat amerikane mund të godasin. Izraeli e di se, në rast lufte me Iranin, do të ishte objektivi kryesor. Kjo është një mënyrë për t’ua lënë amerikanëve në dorë një goditje të tillë, të cilën ata mund ta kryejnë më mirë se Izraeli. Rusia ka një ndikim të konsiderueshëm në Izrael, pasi ka hebrenj me origjinë nga Rusia dhe shumë burime ndikimi informacioni.

Izraeli po i dërgon mesazh Iranit se nuk do ta nisë goditjen e parë. Irani ka pak mundësi ta bëjë goditjen e parë, sepse kjo zakonisht bëhet nga shtete shumë të fuqishme ushtarakisht. Goditjen e parë zakonisht e kryen ai që ka kapacitete të mëdha ushtarake, si Izraeli, i cili zotëron aftësi të avancuara ajrore.

Nëse Irani do të kishte rreth 200 avionë luftarakë të një cilësie të lartë, do ta ndërmerrte lëvizjen e parë. Objektivat fillimisht arrihen përmes sulmeve ajrore dhe më pas përdoren raketat balistike. Nëse amerikanët do të kryejnë goditjen e tyre, Irani nuk ka cfarë godet.”  / abcnews.al /

“Goditja ajrore ndaj Iranit, e pashmangshme”/ Gjenerali Prenga: SHBA do të përdorë çdo metodë që kanë në dorë për të menaxhuar situatën

14 January 2026 at 21:38

Gjeneral Dedë Prenga i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, foli për përshkallëzimin e sulmeve në Iran, ku raportohet se numri i viktimave ka shkuar mbi 2 mijë.

Gjatë intervistës, gjenerali Prenga tha se situata në Iran është kritike dhe presidenti i SHBA Donald Trump ka pasur gjithmonë vëmendjen në Iran dhe se beson se do të përdorë çdo metodë që ka në dorë për të ndryshuar situatën.

Ai nënvizoi se goditja ajrore ndaj Iranit është e pashmangshme.

“Situata kritike në Iran pas protestave është për arsye ekonomike, por edhe për nivelin e kushteve të jetesës. Kjo është parë si protesta më e fuqishme krahasuar që nga ’79. Natyrisht që po i shtypin me ekstremizëm të skajshëm ata që dalin në protestë me Gardën Revolucionare. Dhe popullsia nuk arrin ti dallojë dhe bëjnë reprezalje të jashtëzakonshme. Nga brenda Iranit dhe faktorë të tjerë që janë të opozitës kryesisht jashtë, përfshirë edhe ata që janë në Amerikë, Francë etj…. Parashikohet që numri i të vrarëve të kalojë 10 mijë. Në këto kushte presidenti Trump ka qenë gjatë gjithë kohës i përfshirë në Lindjen e Mesme. Detyrimisht dhe SHBA nëpërmjet presidentit të saj, jam i bindur që do përdorin çdo metodë që është në dorën e tyre, por ai do dëgjojë së pari këshilltarët e tij. Por unë do thoja jo luftë në front të gjerë”, tha ai.

AGJENDA/ PS mbledh Grupin Parlamentar të premten

14 January 2026 at 21:28

TIRANË– Partia Socialiste mbledh grupin e saj parlamentar, të premten paradite, në orën 10:00.

ABC News ka zbardhur edhe agjendën e punimeve.

Kryesocialisti Edi Rama do të hapë mbledhjen e grupit parlamentar, pastaj do të flasë kryetari i Kuvendit Niko Peleshi dhe do vijojë me kreun e grupit Parlamentar Taulant Balla.

Mbledhja është parashikuar të zgjasë rreth pesë orë./abcnews.al

Protestat dhe trazirat në Teheran/ Trump reagon sërish: Vrasjet në Iran po ndalen, nuk ka plane për ekzekutime

14 January 2026 at 21:21

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se vrasjet në Iran po ndalen dhe se nuk ka plane për ekzekutime, njoftoi Donald Trump.

Këto deklarata Trump i ka bërë gjatë një ceremonie nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë.

“Jemi njoftuar  por do ta zbulojmë se çfarë do të thotë e gjithë kjo, pasi na është thënë se vrasjet në Iran janë ndalur, dhe nuk ka asnjë plan për ekzekutime. Më është thënë kjo nga autoritetet e duhura. Shumë njerëz flisnin, gjatë dy ditëve të fundit, se sot do të ishte dita e ekzekutimit”, tha Trump.

Celularët, Kushtetuesja kufizon sekuestrimin pa kriter/ Avokati: Bazë hetimore në çështjet e korrupsionit. Shkelje flagrante nëse…

14 January 2026 at 21:07

Prokuroria e Posaçme apo oficeri i policisë gjyqësore nuk do të mund të aksesojnë dhe të hapin çdo aplikacion, të një celulari të sekuestruar, të një individi që pyetet si person në dijeni dhe nuk është në hetim.

Kufijtë janë vendosur nga Gjykata e Kushtetuese pasi një rasti të ankimuar. Avokati Aldo Shkëmbi tha se aktet e ekspertimit të celularëve sjellin zvarritje në çështjet gjyqësore duke shtyrë edhe kohën e qëndrimit në paraburgim. Avokati shtoi më tej se Kushtetuesja ka vendosur kritere të tjera për sekuestrimin e celularëve dhe se baza hetimore në çështjet e korrupsionit apo shkeljes së barazisë në tendera janë bërë përdorimi i celularëve.

“Pjesa më e madhe e zgjatjes së paraburgimit vjen për shkak se prokuroria ka bërë aktet e ekspertimit të celularëve. Këto mbahen për zvarritje dhe kryhen hetime të zgjatura. Edhe kur i kanë aktet, ato ende shqyrtohen. Përpara vendimit të Kushtetueses, edhe kur kanë kryer kontrolle ndaj një subjekti X, për shembull për shkelje të barazisë në tendera, shkojnë dhe sekuestrojnë celularët e personave te tjere.

Në vend që të sekuestrojnë vetëm celularët e subjekteve të hetuara, janë sekuestruar edhe celularët e personave që punojnë me ta. Kjo përbën një shkelje flagrante. Gjykata Kushtetuese ka vendosur se celulari nuk mund të konsiderohet send.

Nuk mund të hetohet një subjekt dhe të sekuestrohen celularët. E gjithë baza hetimore në çështjet e korrupsionit dhe barazisë në tendera ka qenë përdorimi i celularëve, gjë që është kryer nga OPGJ-ja. Gjykata Kushtetuese ka theksuar se më parë duhet të shkohet në gjykatë dhe të përcaktohen arsyet për sekuestrim.

Në aktet e ekspertimit nxirren të gjitha të dhënat, përfshirë edhe ato personale, çka sjell zgjatje të afateve. Nuk ka persona të specializuar që të kryejnë sekuestrimin e të dhënave kompjuterike.”

/ abcnews.al/

Celularët, Kushtetuesja kufizon SPAK/Avokati: Vendimi është i drejtë! Ja si kushtëzohet Prokuroria

14 January 2026 at 21:00

TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë padisë së një personi, i cili ishte ankuar se SPAK dhe GJKKO, pas sekuestrimit të celularit, i kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale që kishin gjetur në aparat.

Kushtetuesja e ka quajtur këtë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privatësisë dhe ka urdhëruar përdorimin vetëm të komunikimeve për çështje në hetim, të cilat do të përcaktohen si të tilla paraprakisht me vendim gjykate, duke i vënë kështu një vijë të kuqe kufizuese SPAK-ut dhe GJKKO-së.

Avokati Gentian Romano i ftuar në “Real Story” tha se ky vendim i gjykatës është i drejtë, sepse kufizon dhe i përcakton rregulla strikte prokurorisë për sigurimin e provave në mënyrë të ligjshme.

Ai theksoi se Prokuroria i është imponuar deri tani “forcërisht” Gjykatës lidhur me rrëmbimin e telefonave dhe sekuestrimin e komunikimeve brenda tij.

“Nga pikëpamja procedurale është vendim i rëndësishëm, Së pari, personalisht e kam konstatuar të padrejtë rrëmbimin e telefonave nga ana e prokurorisë, edhe pse mund të justifikohen me faktin se kanë vendim nga gjykata lidhur me sekuestrimin e sendeve, mbi të cilave dyshohet që mund të këtë prova për kryerjen veprave penale dhe një nga këto rrëmbime që bën prokuroria është telefoni celular.

Telefoni nuk është thjesht një send i konsideruar nga prokuroria për mjet për kryerjen e veprës penale, por me vendimin e Kushtetuese merr një dimension tjetër përdorimi i celularëve.  Në të gjitha çështjet që ka ngritur Prokuroria e Posaçme, në gjykatë, paraqet edhe komunikimet që janë mes subjekteve që dyshohet për kryerjen e veprave penale. Kjo teknikë e përdorur nga Prokuroria, e pranuar nga ana e gjykatës forcërisht.

Në mënyrë më absolute, kam kohë që e them personalisht.  Procedura për sekuestrimin e telefonave dhe më pas të dhënave treguese që ndodhen brenda telefonit, ka një procedurë të qartë që ligjbërësit e ka normalizuar në Kodin e Procedurës Penale. E bën me detyrim prokurorinë, që në momentin që sekuestron një telefon për të marrë të dhënat, duhet domosdoshmërisht t’i drejtohet gjykatës.

Në kërkesën që i paraqitet nga organi i akuzës gjykatës, duhet të përcaktohet linja e kontrollit që do realizohet nga prokuroria në telefonin e sekuestruar.  Jo domosdoshmërisht prokuroria duhet të hapi të gjitha komunikimet që janë në telefon. Gjykata duhet të vendosë nëse këto komunikimet do të sekuestrohen nga prokuroria dhe më pas të përftohen prova të tjera nëpërmjet të dhënave. Këtë thotë dhe Kushtetuesja. Të kushtëzon në dy forma.”, tha ai.

Komisioni i BE-së përballet me një votë të re mosbesimi

14 January 2026 at 22:34

Komisioni i BE-së, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen do të përballet edhe një herë me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian.

Sipas burimeve pranë çështjes presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, ka njoftuar për këtë udhëheqësit e grupeve parlamentare.

Debati dhe votimi do të zhvillohen gjatë seancës parlamentare të javës së ardhshme në Strasbourg.

Kjo është e katërta kërkesë për mosbesim ndaj von der Leyen dhe ekipit të saj brenda rreth gjashtë muajve.

Kërkesa e fundit është paraqitur nga grupi i djathtë “Patriotët për Evropën”, i cili ka kritikuar von der Leyen dhe ekipin e saj kryesisht për marrëveshjen tregtare me shtetet e Amerikës së Jugut të Mercosur, përfshirë Brazilin, Argjentinën, Uruguajin dhe Paraguajin.

Anëtarët e këtij grupi përfshijnë ligjvënës të BE-së nga krahu i djathtë i politikanes franceze Marine Le Pen dhe partia e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Për t’u diskutuar dhe vendosur për votim në Parlamentin Evropian, një kërkesë për mosbesim duhet të mbështetet nga të paktën një e dhjeta e 719 ligjvënësve.

Bild: Gjermania do të dërgojë forca ushtarake në Groenlandë

14 January 2026 at 20:49

Gjermania do të dërgojë një  forcë ushtarake në Groenlandë brenda javës, sipas gazetës gjermane Bild.

Kjo vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump këmbëngul që SHBA-të të fitojnë kontrollin e ishullit strategjikisht të rëndësishëm, i cili është një territor autonom i Danimarkës.

Ushtarët e parë gjermanë mund të mbërrijnë në Groenlandë të enjten, Bild, duke cituar burime qeveritare dhe parlamentare në Berlin.

Më herët sot, Suedia dhe Norvegjia njoftuan se do të dërgonin personel ushtarak në Groenlandë, me kërkesë të Danimarkës. Kopenhageni njoftoi se po vendoste forca si pjesë e ushtrimeve ushtarake në Groenlandë.

Kryebashkiaku izraelit urdhëron hapjen e strehimeve publike për shkak të tensioneve rajonale

14 January 2026 at 19:36

Kryetari i Bashkisë së Dimonës në jug të Izraelit ka urdhëruar hapjen e strehimeve publike në gjithë qytetin të mërkurën në mbrëmje, mes rritjes së tensioneve rajonale, raportoi media izraelite.

Vendimi u mor pasi “është më mirë të jesh i përgatitur sesa i befasuar”, tha kryebashkiaku Benny Biton në një deklaratë të cituar nga e përditshmja “Israel Hayom”.

Platforma izraelite në Telegram shpërndanë imazhe, autenticiteti i të cilave nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur, duke pretenduar se sistemi i mbrojtjes ajrore “Iron Dome” po dislokohet në Kuds.

Zhvillimet vijnë në një kohë kur zyrtarët amerikanë kanë përshkallëzuar retorikën kundër Iranit, i cili është tronditur nga protesta kundër qeverisë që nga muaji i kaluar për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Të martën, presidenti i SHBA-së Donald Trump tha për “CBS News” se Washingtoni do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” nëse autoritetet iraniane kryejnë ekzekutime të protestuesve.

Izraeli është duke u përgatitur për mundësinë që Irani të mund të lëshojë raketa drejt territorit të tij, nëse Washingtoni vendos të sulmojë Teheranin.

Në qershor, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit, i cili u përgjigj me sulme me dronë dhe raketa ndaj objektivave izraelite, përpara se SHBA-ja të shpallte armëpushim.

Si Izraeli, ashtu edhe Irani e shohin njëri-tjetrin si armiq të përbetuar dhe prej vitesh kanë shkëmbyer akuza për operacione sabotazhi dhe sulme kibernetike.

Të martën, e përditshmja izraelite “Maariv” raportoi se Izraeli ka rritur nivelin e gatishmërisë së forcave ajrore, drejtorisë së inteligjencës ushtarake (Aman) dhe Komandës Veriore, në pritje të një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Iranit.

Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e asaj që ata e përshkruajnë si “trazira” dhe “terrorizëm” në mes të protestave.

Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare për viktimat apo të ndaluarit. Agjencia e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), me seli në SHBA, vlerëson se të paktën 2.500 persona janë vrarë, përfshirë protestues dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, ndërsa më shumë se 1.100 të tjerë janë plagosur.

Sulmet/ Zelensky njofton se do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë në Ukrainë

14 January 2026 at 19:28

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi se do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë me qëllim zgjidhjen e problemeve që ka vendi me ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike pas sulmeve të vazhdueshme ruse në infrastrukturë.

“Në tërësi, do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për sektorin e energjisë së Ukrainës”, shkroi Zelensky në platformën X.

Ai deklaroi se pasojat e sulmeve ruse dhe përkeqësimit të kushteve të motit janë serioze.

“Riparimet, kompanitë e energjisë, shërbimet publike dhe Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës po punojnë 24 orë në ditë për të rivendosur energjinë elektrike dhe ngrohjen. Shumë probleme kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Falënderoj të gjithë ata që po punojnë me kapacitet të plotë”, theksoi Zelensky.

 

Spanja investon dy miliardë dollarë në prodhimin e dronëve ushtarakë

14 January 2026 at 19:26

Ministria spanjolle e Mbrojtjes do të investojë dy miliardë euro në prodhimin e dronëve ushtarakë në León dhe Valladolid duke krijuar 200 vende pune në dy fabrika, të cilat do të operohen nga kompanitë teknologjike Indra dhe Edge.

Duke prezantuar projektin në Senat, sekretari i Mbrojtjes Amparo Valcarce deklaroi se uzina e León do të prodhojë “dronët më të përparuar që aktualisht janë në funksion në Evropë dhe NATO’’.

Projekti, që pritet të jetë plotësisht funksional midis viteve 2026 dhe 2027, lind mes tensioneve ndërkombëtare dhe një dëshire për të forcuar aftësitë ushtarake.

Ndërmarrja e re e përbashkët do të fillojë me kontrata me vlerë afërsisht 2 miliardë euro dhe do t’u ofrojë teknologji Forcave të Armatosura Spanjolle dhe ushtrive të tjera evropiane.

Viti 2025, viti i tretë më i ngrohtë në botë i regjistruar ndonjëherë

14 January 2026 at 19:20

Planeti Tokë sapo ka përjetuar vitin e tretë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, thanë shkencëtarët e BE-së të mërkurën.

Viti i kaluar ishte gjithashtu më i nxehti i regjistruar ndonjëherë për Antarktidën, një tjetër zile alarmi se ndryshimi i klimës po e kap edhe kontinentin e largët të mbuluar me akull, i cili për dekada dukej i mbrojtur prej tij.

Për planetin në tërësi, viti 2025 erdhi si viti i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të reja nga Qendra Evropiane për Parashikime të Motit me Afat Mesëm (ECMWF).

Nxehtësia e bëri motin ekstrem më të rrezikshëm, duke përfshirë intensitetin e Uraganit Melissa në Karaibe dhe shirat musonike në Pakistan që vranë më shumë se 1,000 njerëz.

Ai gjithashtu shkaktoi probleme me ujin “me rëndësi kombëtare” në Mbretërinë e Bashkuar gjatë verës së saj rekord të nxehtë.

Edhe pse bota ka përjetuar periudha të tjera të nxehta më tej në të kaluarën, rreziku tani është se sa shpejt po ngrohet, me njerëzit dhe natyrën që e kanë të vështirë të përshtaten.

❌
❌