Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Abc News

Berisha, shfaqje me molotov/ Mahmutaj: Qëllimi i tij, të shpëtojë nga prangat e SPAK

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:52

Gazetari Fatos Mahmutaj thotë se kreu i PD, Sali Berisha ka si qëllim të shpëtojë nga prangat e SPAK.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Mahmutaj u shpreh se Berisha është në hall dhe kërkon të marrë pushtetin me dhunë.

“Qëllimet e qytetarëve nuk bashkohen me qëllimet e Berishës. Berisha ka qëllim të shpëtojë nga pranga e SPAK. Berisha ka hallin e tij personal. Protesta sot prodhoi ca akte të shëmtuara dhune dhe gjithmonë kështu kanë qenë. Kaq është fantazia politike e Berishës. Kaq është mundësia dhe kaq shihet nga opozita shqiptare. Berisha e nisi në 1990 me mashtrimet e tij. Njerëzit pas pak vitesh i la pa bukë në 1997. Për të fshehur mungesën e inteligjencës politike, prodhon akte dhune. Me dhunë, Berisha mendon se do marrë pushtetin. Pushteti merret me votë”, theksoi ai./abcnews.al

4 te plagosur në protestë/ Lëndohen një qytetar, fotografi dhe dy efektivë policie

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:40

Katër persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së opozitës, si pasojë e dhunës dhe hedhjes së molotovëve drejt kordonit të policisë dhe në portat e Kryeministrisë.

Një qytetar dhe një fotograf morën lëndime gjatë tubimit ndërkohë që të plagosur janë edhe dy efektivë të policisë. Pak minuta pasi protestuesit kanë boshatisur sheshin e Kryeministrisë, policia shkencore mbërriti aty dhe vendosi shiritat me mbishkrimin “skenë krimi”.

Për disa orë ekspertët kanë kryer fotografimin dhe filmimin e dëmtimeve të krijuara nga shpërthimet e flakëve prej molotovit.

Forcat e rendit kanë ndaluar një person për aktet e dhunës në protestë ndërkohe që po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë./abcnews.al

Berisha në rënie të lirë/ Sondazhi “Zëri i Shqiptarëve”: Rama lideri më i preferuar

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:38

Për herë të parë, ABC News sjell një sondazh për gjithë figurat më të rëndësishme politike të Shqipërisë në 100 vite.

Cilin preferojnë shqiptarët nga drejtuesit e shtetit ndër vite?

Elektorati i majtë sot, ka vlerësim më pozitiv për kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama 33.8%, 17.9% për ish-kryeministrin Fatos Nano, kurse simpatizantët e regjimit komunist kanë 7% për Enver Hoxhën dhe 1.3% për Ramiz Alinë.

Ana tjetër, elektorati i djathtë, ndahet mes Sali Berishës 24% dhe mbretit Ahmet Zogu 16.1%.

Më të vjetrit, janë simpatizantë të Enver Hoxhës, mbi 59 vjeç, kurse më të rinjtë të Edi Ramës 46.4 vjeç.

Mes të djathtëve, pavarësisht se Zogu herën e fundit si mbret daton 90 vite më parë, 5 vite para se të lindte Sali Berisha, Simpatizantët e Zogut, 47.1 vjeç kanë moshë më të re se ata të Berishës, 49.8 vjeç.

Rezulton se më të shkolluarit në Shqipëri, ata me 13.2 vite mesatare shkolle mbështesin Ramën, ata me 13 vite Zogun, 12.8 vite Nano ose Ramiz Alinë, kurse me 11.9 vite shkollë Sali Berishën.

Mbështetësit me më pak vite shkollimi se ata të Berishës, mbështesin Enver Hoxhën.

Tek ndarja zonale. Në zona urbane, Rama është më i pëlqyer me 35.4%, ndërsa mbështetja i bie në zona rurale me 30.3%. E njëjta gjë ndodh me Mbretin Zog, nga 16.5% në 15.5%, dhe Fatos Nanon, 21.1% dhe 15.1%.

Të vetmit që kanë një rritje në zonat rurale janë Sali Berisha dhe Enver Hoxha. Kryetari i PD pëlqehet vetëm 21.1% në qytete, por mbështetjen më të madhe e ka në fshatra, 29.8%. Ashtu si Enver Hoxha, nga 4.3% në 8.4%. përderisa ende dominojnë skenën politike aktualisht, Rama është më i dëshiruari nga të majtët, kurse Berisha nga të djathtët.

Por si votuan simpatizantët e Enver Hoxhës, Ramiz Alizë apo Fatos Nanos në 11 maj?

40.3% votuan për PS, 21% parti të tjera kurse 38.8% nuk votuan fare.

Sa i përket simpatizantëve të Ahmet Zogut? Vetëm 22% zgjodhën koalicionin e djathtë të Sali Berishës, po kaq, afër 20.8% zgjodhën parti të tjera, ndërsa 57.4% nuk votuan fare.

Një sinjal ky, se Sali Berisha për pëlqyeshmëri mund të mbetet nr.2, por nuk shihet domosdoshmërisht si lideri i të djathtës në Shqipëri./abcnews.al

Berisha, shfaqje me molotov/ Salianji “s’e kalon kufirin”: Do vazhdoj foltoret

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:27

Nga foltore e mbledhur, në protestë për të bredhur.

Berisha qeverinë nuk e rrëzoi, numrat pak ndryshuan, por doktorit pak i intereson kjo, ylberin opozitar e fitoi.

Tiku iku, por vetëm pak metra larg, kurse Salianji erdhi, deri tek piramida, vijën e kuqe të doktorit nuk e shkeli.

“Nuk më përjashton dot njeri. Do i vijoj foltoret”.

Në një cep Lapajn, në cepin tjetër Salianjin, Berisha distancën e te rinjve nuk e përtyp kollaj, ndaj fjalën të parit ia dha Këlliçit, megjithë kompleksitetin e tij për t’u shfaqur këto kohë në protesta.

Kurse Gazi foli i treti, pas një vajze. Sheshi iu duk madhshtor, por nuk e fshehu dëshiren se i pëlqen më tepër të drejtoje se sa të sakrifikojë.

“Jo se s’na pëlqen të rrimë ngrohtë ne shtepi, apo të dalim në të ftohtë të protestojmë, por na ka mbytur korrupsioni”.

Por dardha e ka bishtin mbrapa, ashtu si Gazi zëvendësuesin. Pas tij, fjalën e mori djali i Fahriut.

Kurse Doktori nuk e fshehu gëzimin e këtij koktejli opozitar.

“Se kanë thënë ku është opozita, ja ku është forca, ja ku është opozita, mjerë ai që e gënjen Ramën për ne”.

Por demokratët nuk erdhën për opoziten, por për qeverinë.

Kur Ramën nuk e rrëzoi dot as sot në qeveri, Berisha u premtoi se do i shkojë në shtëpi.

“Në surrel do i shkojmë, po po, më degjoni mua, marshimi do jetë për në Surrel”.

Protesta mbaroi, por një urim për festat doktori nuk e bëri dot, në vend të fishekzjarreve, u dha demokratëve një shfaqje me molotov./abcnews.al

Inteligjenca amerikane paralajmëron për ambiciet e Putinit ndaj Evropës

By: Re Nato
22 December 2025 at 23:19

Raportet e inteligjencës amerikane vijojnë të paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka hequr dorë nga synimi për të pushtuar të gjithë Ukrainën dhe për të zgjeruar ndikimin rus edhe në territore evropiane që dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik, përfshirë vende që sot janë anëtare të NATO-s.

Këto vlerësime bien ndesh me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe të negociatorëve të tij, të cilët kanë pohuar se Kremlini synon t’i japë fund luftës që nisi me pushtimin e Ukrainës pothuajse katër vite më parë.

Raportet e inteligjencës amerikane, më i fundit i hartuar në muajin shtator, hedhin poshtë edhe pretendimet e Moskës se Rusia nuk përbën kërcënim për Evropën. Sipas këtyre vlerësimeve, vendet e para të rrezikuara do të ishin shtetet baltike: Estonia, Letonia dhe Lituania.

Kreu i inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov, deklaron se Moska po përshpejton planet e saj strategjike.

“Sipas planit fillestar, Rusia duhej të ishte gati për veprim në vitin 2030. Tani afatet janë shkurtuar për vitin 2027”, tha ai, duke shtuar se Kremlini e sheh veten si një fuqi që mbijeton vetëm përmes zgjerimit të vazhdueshëm të ndikimit.

Tarifat e Trump godasin whiskeyn, ndalohet prodhimi i bourbon-it të famshëm Jim Beam

22 December 2025 at 22:39

Prodhuesi i uiskit të famshëm bourbon Jim Beam ka njoftuar se do të ndalojë prodhimin në distilerinë e tij kryesore në Kentucky për vitin e ardhshëm.

Në një deklaratë për BBC-në, kompania bëri me dije se distileria do të qëndrojë e mbyllur përkohësisht, ndërsa do të shfrytëzohet koha për investime dhe përmirësime në infrastrukturë. “Ne vlerësojmë vazhdimisht nivelet e prodhimit për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës së konsumatorëve dhe së fundmi kemi diskutuar me stafin planet tona për vitin 2026”, theksohet aty.

Industria e bourbon-it në Kentucky, e njohur botërisht për këtë pije, po përballet me pasiguri, pjesërisht për shkak të politikave tregtare të presidentit amerikan Donald Trump. Marka Jim Beam është në pronësi të gjigantit japonez të pijeve Suntory Global Spirits, i cili punëson mbi 1,000 persona në Kentucky. Kompania theksoi se operacionet e tjera në shtet do të vazhdojnë normalisht, përfshirë një distileri tjetër, fabrikat e mbushjes dhe magazinimit, si edhe qendrën për vizitorë. Ndërkohë, Jim Beam po shqyrton mënyrën se si do të angazhojë fuqinë punëtore gjatë pauzës së prodhimit dhe është në bisedime me sindikatën e punonjësve.

Sipas Kentucky Distillers’ Association, në tetor u raportua se sasia e bourbon-it në magazina kishte arritur një nivel rekord prej mbi 16 milionë fuçish. Këto fuçi, të cilat tatohen nga shteti, u kanë kushtuar prodhuesve rreth 75 milionë dollarë këtë vit. Prodhuesit amerikanë të alkoolit janë goditur gjithashtu nga tarifat hakmarrëse pasi Trump shpalli të ashtuquajturën “Dita e Çlirimit”, kur SHBA vendosi tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës.

Shoqata e distilerive theksoi se zgjerimi i industrisë gjatë dekadës së fundit ishte fokusuar te rritja globale dhe bëri thirrje për rikthimin e tregtisë pa tarifa reciproke. Edhe tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë kanë ndikuar negativisht, pasi shumica e provincave kanadeze bojkotuan pijet alkoolike amerikane më herët gjatë vitit.

/ abcnews.al /

Yesterday — 22 December 2025Abc News

Shërbimi sekret turk arreston drejtuesin e lartë të ISIS

By: Re Nato
22 December 2025 at 22:58

Shërbimet turke të inteligjencës njoftuan sot (22 dhjetor) se arrestuan një udhëheqës të dyshuar të grupit Shteti Islamik (ISIS), i cili po planifikonte sulme në rajon dhe deri në Evropë, “midis Afganistanit dhe Pakistanit”, raportoi Agjencia Anadolu.

“Mehmet Gören, një nga udhëheqësit e dyshuar të organizatës terroriste Shteti Islamik, u arrestua në rajonin Afganistan-Pakistan në një operacion të kryer nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT) dhe u soll në Turqi”, raportoi agjencia.

Sipas MIT-it, i dyshuari po përgatiste “sulme vetëvrasëse që synonin civilët në Afganistan, Pakistan, Turqi dhe Evropë”. Inteligjenca e mbledhur nga agjencia tregonte se ai kishte pranuar të kryente sulme vetëvrasëse kundër civilëve dhe se kishte “lehtësuar transferimin” e luftëtarëve të ISIS-it nga Turqia në rajonin Afganistan-Pakistan.

Dega lokale e ISIS-it në Khorasan (IS-K), e cila vepron në Afganistan dhe Pakistan, ndër të tjera, konsiderohet si një nga më aktivet e organizatës dhe ka marrë përgjegjësinë për qindra sulme të dhunshme në atë rajon dhe më gjerë.

MIT pretendon se Mehmet Gören “ka shërbyer në mënyrë aktive në kampe që i përkisnin organizatës terroriste të Shtetit Islamik” dhe është ngjitur në radhët e saj, duke arritur një pozicion udhëheqës.

“Fatos Nano derivat i Enver Hoxhës”, Ndoj: Rrudhja e PD po largon në radhë të parë rininë prej saj

By: Rovena
22 December 2025 at 22:54

Duke analizuar shifrat e sondazhit Zëri i Shqiptarëve si edhe grupmoshat që simpatizojnë drejtuesit e shtetit shqiptar që nga koha e Ahmet Zogut, studiuesi Gjet Ndoj thotë se rinia po humb besimin te PD, dhe rrudhja e partisë po i largon gjithnjë e më shumë ata.

“Rrudhja e PD po largon në radhë të parë rininë prej PD sepse nuk shikon shpresë. Ai po e manifeston drejtpërdrejtë, thotë ne duam partinë s’na duhet qeveria. Në këtë kuptim rinia, them unë dhe spjegoj atë shifër relativisht të lartë të Berishës në krahasim me Zogun dhe Ramën e shoh edhe te pjesa e humbjes së besimit.

Rinia është më e sinqerta, është më pak e indoktrinuar dhe nuk mund ta tërheqësh zvarrë se ke disa interesa. Ndërsa sa i përket Ramës dhe Zogut, Zogu është një figurë që ka ndërtuar një politikë shtetërore të pakrahasueshme me këta.

Unë Fatos Nanon e quaj derivat të Enver Hoxhës. Ishte njeriu që ishte derivat i atij sistemi politik partiak dhe duke parë që PS është ombrellë e gjithë nostalgjikëve. Ramiz Alia mund të ishte edhe më shumë, por tregon se nuk arriti të formojë statujën e një lideri të vërtetë. Ishte hija e Enver Hoxhës,” tha ai./abcnews.al

Sondazhi/ Çupi: Ahmet Zogu vijon të jetë influencues. Bejko: Në 1997 u votua sepse…

By: Rovena
22 December 2025 at 22:31

Duke marrë si referencë rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 1997, ku PD humbi, ndërkohë në referendumin e bërë paralelisht për formën e regjimit, pro monarkisë ishin më shumë se 37-38 % e shqiptarëve. Analisti Çupi u shpreh se Ahmet Zogu po shkonte te 50 % dhe askush nuk bënte pyetjen pse.

“Ne jemi dëshmitarë të asaj gjëje se gjithë politika u trondit shumë, ishte një përqindje e frikshme. Njerëzit nuk e dinin çfarë po bënin, dhe kjo ishte e para për arsye të një emri. Leka Zogu bëri një fushatë shumë të mirë. Dhe kam përshtypjen se ky 16% është e njëjta lëvizje. Në momentin e dëshpërimit politik, në atë kohë ata kërkuar një ‘perëndi të vdekur’ dhe gjetën Zogun, e njëjta gjë ndodh edhe sot. Zogu vijon të jetë influencues për arsye të politikave që këtu kanë zënë vend dhe nuk harrohen, kujdesi për shtetin, lidhjet me Perëndimin, bankat, ushtria”, u shpreh Çupi.

Por analisti Bejko, shprehet se në 1997 gjyshërit tanë ishin gjallë, dhe ata e kanë jetuar kohën e Ahmet Zogut.

“Në atë periudhë gjyshërit tanë ishin gjallë, në kohën e Zogut ata kanë qenë o fëmijë o adoleshentë. Dhe ata e kanë përjetuar situatën e Zogut. Gjatë kohës së Enver Hoxhës ishin të frustruar nuk guxonin të flisnin dhe të thonin të vërtetën. Kjo ishte njëra anë, ata flisnin përgjithësisht pozitivisht për kohën e Zogut, sepse ka patur drejtësi, ka patur rend Shqipëria ishte me një dimension tjetër. Elementi i dytë, që ndikoi në 1997, mendoj ishte fakti që u cenua realiteti i shtetit shqiptar dhe për këtë arsye, edhe për faktin tjetër se me Republikën nuk ishin mësuar dhe në kujtesën e tyre u thirr monarkia dhe në Lazarat fitoi Zogu. Dhe kjo thirri atë ndërgjegje kombëtare,” u shpreh Bejko

Për studiuesin Ndoj, Zogu ka qenë një nga përfaqësuesit me të mira  e të metat e tij si burrë shteti

“Zogu ka arritjet më të mëdha në proceset e shtet ndërtimit shqiptar. Por ka të bëjë edhe me orientimin perëndimor, disa gjeste shumë të forta të Zogut. Duke shfrytëzuar edhe martesën e tij me një bijë fisnike, hungareze ishte një gjest shumë i madh i tij, që tregonte edhe vizionin e tij se Shqipëria është Perëndim. Ndërsa sa i përket fushatës antizogiste në 45 vjet komunizëm, e ka lëshuar në zero mbështetjen, por shqiptarët nuk pengohen për të mësuar të vërtetën. Zogu ka qenë një nga përfaqësuesit me të mira  e të metat e tij si burrë shteti. Ka patur kundër personalitetet më të mëdha të vendit,” tha ai./abcnews.al

Rusia përshkallëzon sulmet ndaj rajonit kyç të Ukrainës, Odesës

By: Re Nato
22 December 2025 at 22:20

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin jugor të Ukrainës, Odesa, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe duke kërcënuar infrastrukturën detare të rajonit.

Zëvendëskryeministri ukrainas Oleksiy Kuleba tha se Moska po kryente sulme “sistematike” në rajon. Javën e kaluar, ai paralajmëroi se fokusi i luftës “mund të jetë zhvendosur drejt Odesës”.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se sulmet e përsëritura ishin një përpjekje nga Moska për të bllokuar aksesin e Ukrainës në logjistikën detare.

Më herët në dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi të ndërpresë aksesin e Ukrainës në det si hakmarrje për sulmet me dronë ndaj anijeve cisternë të “flotës në hije” të Rusisë në Detin e Zi.

“Flota në hije” është një term që i referohet qindra anijeve cisternë të përdorura nga Rusia për të anashkaluar sanksionet perëndimore të vendosura pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Natën e së dielës në rajonin e Odesës, grevat ndërprenë energjinë elektrike për 120,000 njerëz dhe shkaktuan një zjarr në një port të madh që shkatërroi dhjetëra kontejnerë me miell dhe vaj perimesh.

Festimet me fishekzjarre për zgjedhjet lokale shkaktojnë 18 të plagosur në Indi

22 December 2025 at 22:04

Një incident gjatë festimeve të rezultateve të zgjedhjeve lokale në Indi ka përfunduar me të paktën 18 persona të plagosur pas një zjarri që u shkaktua nga hedhja e pluhurit të curcumës së kombinuar me fishekzjarre dhe flakë.

Ngjarja u regjistrua të dielën rreth orës 15:00 në qytetin e Jejuri, pranë Pune-s në shtetin Maharashtra, ku banorë dhe zyrtarë politikë ishin mbledhur për të festuar fitoren e një partie në zgjedhjet lokale dhe për të bërë rite faljeje te një tempull.

Sipas dëshmive, pluhuri i curcumës (bhandara), përdorur tradicionalisht gjatë riteve festive në këtë zonë, ra në kontakt  me flakën e hapur apo me fishekzjarre, duke shkaktuar një flakëzë të papritur dhe një zjarr të vogël, që përfshiu disa persona afër vendit të ceremonisë.

Shumica e të lënduarve morën djegie të lehta në duar apo pjesë të tjera të trupit dhe u trajtuan menjëherë në spitale, ku shumica u liruan pas kujdesit të parë mjekësor. Autoritetet po hetojnë për të sqaruar nëse ishte pluhuri vetë apo shpërthimet e petardëve, që shkaktuan zjarret.

Festimet me pluhura ngjyrash prej curcumës janë një traditë në shumë zona të Indisë gjatë ngjarjeve politike, religjioze apo kulturore, por autoritetet shpesh paralajmërojnë për rreziqet e përdorimit të tyre pranë flakëve të hapura apo fishekzjarrëve, për shkak të rrezikut të ndriçimit dhe djegieve.

Në këtë rast, festimet e zgjedhjeve lokale u kthyen papritur në situatë të pasigurt, kur elementët e shkëndijave dhe pluhuri i thatë ndërvepruan në mënyrë të rrezikshme.

Moska mohon raportet se planifikon të sulmojë Evropën

By: Re Nato
22 December 2025 at 21:39

Moska ka mohuar raportet e Reuters se Rusia po planifikon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të sulmojë Evropën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha gjatë një konference: “Ne kemi parë disa raporte të shpërndara mbi këtë çështje… Kjo është një situatë ku shërbimet e inteligjencës po bëjnë supozime dhe përfundime të pasakta. Kjo nuk është e vërtetë.”

Edhe zëvendës ministri i Jashtëm Sergei Ryabkov deklaroi se Rusia, pas luftës në Ukrainë, është ligjërisht e gatshme të konfirmojë se nuk ka ndërmend të sulmojë vendet e BE-së dhe NATO-s.

“Sigurisht, ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë vendet e BE-së dhe NATO-s. Rusia nuk ndjek qëllimet agresive që i atribuohen vendit tonë”, tha diplomati.

Përkundrazi, siç tha ai, Evropa tashmë ka filluar zbatimin e programeve të rimilitarizimit në shkallë të gjerë. Vendet e BE-së e justifikojnë këtë duke përmendur një kërcënim të mundshëm nga Rusia.

“Ushtria ukrainase në momente dobësie”, Krisafi: ‘Luftë sfilitjeje’, marrja e territoreve është pasojë e …

22 December 2025 at 21:37

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledjon Krisafi, ka deklaruar se luftimet në Ukrainë po zhvillohen si një luftë sfilitjeje, ku shkatërrimi i kundërshtarit është qëllimi kryesor dhe territori mbetet pasojë. Ai theksoi se Kupjansk ka qenë një nga qytetet më të luftuara, duke kaluar disa herë nga duart e rusëve te ukrainasit. Sipas Krisafit, beteja për Donetskun pritet të vijojë edhe në vitin 2026, me përplasje të forta në një territor rreth 5 mijë kilometra katrorë. Ai shtoi se rënia e Sivjenskut brenda shtatë ditësh, pas katër vitesh rezistencë ukrainase, tregon dobësi në ushtrinë ukrainase.

“Janë dy qytete që po luftohen. Kupjansk-u ka qenë qyteti më i luftuar; rusët e morën dhe u rimor sërish nga ukrainasit. Lufta vijon në çdo moment, është luftë sfilitjeje të kundërshtarit. Territori është pasojë, sepse qëllimi është shkatërrimi i kundërshtarit. Rusët po mundohen të shkatërrojnë sa më shumë ukrainas.

2026 është lufta për 5 mijë kilometra në Donetsk. Ushtria ukrainase ka luftuar katër vite në Sivjensk dhe u mor për shtatë ditë nga rusët. Kjo tregon dobësi nga ushtria ukrainase. Sivjensku është një lloj porte për të shkuar në dy territoret e papushtuara në Donetsk. Nëse lufta vijon në këtë mënyrë, do të kemi ndryshime në kilometra. Rusia ka marrë rreth 5 mijë kilometra gjatë këtij viti, sa qarku i Gjirokastrës.”  / abcnews.al /

Turqia pret që faza e dytë e armëpushimit në Gazë të nisë në janar

By: Rovena
22 December 2025 at 21:14

Turqia pret që faza e dytë e marrëveshjes për armëpushim në Gazë që të fillojë në fillim të vitit 2026, ka deklaruar të hënën ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, pas bisedimeve me zyrtarët amerikanë, të Katarit dhe të Egjiptit në Miami gjatë fundjavës.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Damask, Fidan ka thënë se diskutimet u përqendruan në pengesat për avancimin e marrëveshjes në fazën e saj të ardhshme, duke shtuar se përparësia ishte që qeverisja e Gazës të merrej përsipër nga një grup i udhëhequr nga palestinezët.

Armëpushimi në Gazë ka hyrë në fuqi më 10 tetor. Në fazën e parë të tij parashihej lirimi i të gjitha pengjeve të gjallë dhe të vdekur. Deri më tani, ka mbetur pa u dorëzuar vetëm edhe një trup pengu i vdekur, për të cilin grupi militant Hamas ka deklaruar se nuk po arrin ta gjejë për shkak të varrosjes nën gërmadha.

Vritet një gjeneral rus në Moskë

By: Re Nato
22 December 2025 at 21:12

Gjenerali rus, Fani Sarvarov është vrarë të hënën si pasojë e shpërthimit të një bombe në makinën e tij, kanë bërë të ditur zyrtarët rusë.

Komiteti Hetues i Rusisë ka thënë se gjenerali ushtarak ka vdekur në mëngjesin e së hënës pas shpërthimit të pajisjes shpërthyese që duket se i ishte vendosur nën makinë.

Sarvarov, 56 vjeç, ka qenë udhëheqës i Departamentit të stërvitjes operative të forcave të armatosura, ka bërë të ditur Komiteti.

Sipas tij, një teori që po hetohet është që bomba është vendosur me përfshirjen e shërbimeve ukrainase të inteligjencës. Ukraina nuk ka komentuar ende në këtë drejtim.

Hetuesit janë në vendin e ngjarjes, afër makinës, e cila gjendet në qoshen e parkut të një blloku banesash në jug të kryeqytetit të Moskës.

Nga fotografitë që janë bërë në vendin e ngjarjes shihet një makinë e bardhë e dëmtuar rëndë.

Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, në Moskë janë shënjestruar një numër zyrtarësh ushtarakë rusë.

Protesta e PD/ Çupi: Berisha e ngre pushtetin mbi fatkeqësinë e popullit/ Beqiri: Duhet të jetë në burg

By: Re Nato
22 December 2025 at 20:35

Analisti Frrok Çupi thotë se Sali Berisha e ngre pushtetit mbi fatkeqësinë e popullit.

Në një intervistë për ABC News, Çupi u shpreh se fjalimi i Berishës në protestës, përmbante fjalë si kufoma apo varre.

Ndërsa avokati Idajet Beqiri deklaroi se Berisha duhet të ishte në burg për krimet që ka bërë.

Frrok Çupi: Pushtetin e tij e ngre mbi fatkeqësinë e poipullit, ndaj vendit. Fjalimi i tij ishte kufoma, varre. Një njeri makabër mund t’i bëjë këto gjëra. Kjo është Shqipëria që Saliu e sheh në ëndërr. Interesat e tij, janë të kundërta me interesat e njerëzve.

Idajet Beqiri: SPAK po mbështet këtë kryekriminel. Për krimet e mëdha që ka bërë Berisha. Të mos përfundosh hetimet për vrasjet e 8 personave, Haklaj, janë vrarë me urdhër të Berishës. Motrat e Haklaj kanë dhënë dëshmi. SPAK mban sehir, nuk e çon çështjen në gjykim. Nuk e dërgon Gërdecin. Problemi është që SPAK, si e lejon akoma që t’i vihet zjarr Shqipërisë. SPAK çfarë do? Do që të bëjë edhe një Gërdec tjetër, 21 janar tjetër? Saliun e lënë akoma që t’i vërë zjarrin Shqipërisë./abcnews.al

VIDEO/ Momenti kur protestuesi merr flakë nga molotovi para Kryeministrisë

By: Rovena
22 December 2025 at 20:29

E planifikuar si një protestë kombëtare, jo vetëm që nuk rezultoi e tillë, por protesta e PD u mbyll me tensione dhe terror.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga ABC News, një protestues merr flakë pas hedhjes së molotovit para derës së Kryeministrisë.

“Për protestën u shpenzuan 1 milion euro”, Beqiri: Fitorja e Berishës, numri i militantëve u barazua me të policëve

22 December 2025 at 20:25

Avokati Idajet Beqiri ka deklaruar se thirrjet e Sali Berishës për protesta kanë dështuar, duke theksuar se pjesëmarrja ka qenë e ulët edhe krahasuar me protestat e mëparshme. Sipas tij, Berisha e ka cilësuar protestën si fitore vetëm sepse numri i militantëve u barazua me atë të policëve.

Beqiri tha se në protestë nuk kanë marrë pjesë mbështetës të vërtetë të Partisë Demokratike, por individë që, sipas tij, nuk përfaqësojnë interesat e Shqipërisë. Ai e cilësoi protestën si të organizuar me pagesa, duke pretenduar se janë shpenzuar rreth 1 milion euro.

“Berisha ka tentuar të bëjë thirrje shqiptarëve që të dalin në protestë dhe e kemi parë edhe në foltore sesa i janë bashkangjitur. Ai sot e konsideroi një fitore të madhe, sepse krahasuar me të gjitha protestat ishte fitore, pasi u barazua numri i militantëve me policët.

Me të vërtetë, atij i janë bashkangjitur ata që nuk janë Partia Demokratike e Shqipërisë, por ata që i bashkangjiten, që nuk janë shqiptarë, ata që bëjnë politikën e serbëve.

Këta njerëz tani po mundohen të mbajnë bandën e tyre kundër Shqipërisë dhe edhe kjo protestë është një protestë ku shumica e tyre janë mercenarë. Nuk mund të vish në pushtet duke paguar militantët; 1 milion euro u hodhën në protestën e sotme dhe ata që u hapet barku për popullin duhet të investonin aty ku ka nevojë. Ishte protesta e seksionit të PD-së në SPAK, ku u dha një material SPAK-ut dhe, për ta mbajtur gjallë, iu dha materiali.”  / abcnews.al /

PD mbyll protestën me molotov/ Çupi: Berisha dirigjent pa orkestër! Nuk nisi protestën pa ‘grupin e zjarrit’

By: Rovena
22 December 2025 at 20:18

Protesta kombëtare e Partisë Demokratike e mbajtur në bukevardin përpara Kryeministisë, u mbyll me molotov. Analisti Frrok Çupi komentoi këtë protestë për ABC Neës ku tha se Berisha u mbyll në zyrë para fillimit të protestës, sepse priste ‘grupin e zjarrit’.

Çupi e cilësoi Berishës si një dirigjent pa orkestër. Ai shtoi se fakti që protesta kishte pak njerëz, nënkuptonte se të gjithë ata ishin të kontrolluar nga Berisha.

“Vonesat gjatë kohës së protestës, gjatë kohës kur ai ishte në zyrë, lexohen si vonesa pa ardhur ‘grupi i zjarrit’. Berisha është njësoj si një dirigjent pa orkestër. Fakti që atje kishte pak njerëz do të thotë që janë tërësish të kontrolluar dhe të stimuluar nga Berisha.

Ajo që bie në sy është se në fakt ai është gjithmonë i njëjti grupi, që nga ’96. Shikojmë që shërbimi sekret shqiptar, nuk kanë zbuluar akoma se ku strehohen këta njerëz, ku i marrin paratë, ku përgatiten. Shqiptarët janë të terrorizuar vetëm nga fakti që këta kanë dalë këta në shesh, sepse e kanë parë gjithë historinë e tyre që kanë djegur vendin dhe kanë vrarë njerëz”, tha Çupi./abcnews.al

❌
❌