Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Abc News

Ukraina godet me dronë rafinerinë ruse të naftës

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:45

Ushtria ukrainase deklaroi se ka sulmuar rafinerinë e naftës Syzran të Rusisë në një sulm me dron gjatë natës.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit thotë se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen.

Deklarata tregoi gjithashtu se një sulm i kohëve të fundit ukrainas në rafinerinë e naftës në Volgograd kishte dëmtuar një tubacion dhe pajisje për prodhimin e lubrifikantëve.

Gazeta Moscow Times tha se banorët raportuan se dëgjuan deri në gjashtë shpërthime.

Gjithashtu u theksua se një sulm thuhet se goditi një instalim kyç të përdorur për përgatitjen e naftës bruto./abcnews.al

Liverpool fiton për Diogo Jota/ “The Reds” zbresin në “Anfield” me tre fëmijët e ish sulmuesit

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:41

Liverpool është më shumë se një klub futbolli. Është një familje e vërtetë, ndërsa himni legjendar “You ëill never ëalk alone” e ka mishëruar edhe një herë këtë gjë.

Futbollistët në fushë dhe tifozët në tribunat e “Anfield Road” dhuruan një tjetër skenë që kalon kufijtë e sportit.

Me këndën “ju kurrë nuk do të ecni vetëm”, ata mirëpritën tre fëmijët e Diogo Jota, ish sulmuesit portugez, që humbi jetën më 3 korrik në moshën 28 vjeçare, bashkë me vëllain e tij në një aksident automobilistik.

Liverpool nderoi më pas edhe sportivisht kujtimin e Diogo Jota, duke fituar 2-1 ndeshjen kundër Wolves, skuadra e parë që e transferoi portugezin në Premier League.

Në një sfidë të mbushur me emocione të mëdha, të zotët e shtëpisë mbyllën garën që në pjesën e parë.

Në vetëm dy minuta, në fillim Gravenberch dhe më pas Florian Virtz vendosën epërsinë e dyfishtë, përpara se skuadrat të ktheheshin në pushimin e ndeshjes.

Në fraksionin e dytë, miqtë vetëm sa ngushtuan diferencën me Bueno, por nuk prishën festën e Liverpool, që duket se ka hedhur pas krahëve nisjen zhgënjyese që i bëri këtij sezoni.

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për skuadrën e Arne Slot, që ngjitet në vendin e katërt të klasifikimit në Premier League dhe ka në dorë, të paktën për momentin biletën e fundit për në edicionin e ardhshëm të Champions. /abcnews.al

Juventus është për titull/ Fitore 2-0 në Pisa, afrim me kreun ndonëse me ndeshje tepër

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:32

Është ende shpejt për konkluzione.

Gjithsesi, mediat në Itali po shkruajnë se ky Juventus po shkakton frikë, si dhe që një lojtar si Edon Zhegrova ka nisur të ndikojë fort.

Kjo ishte historia e ndeshjes së Serisë A në fushën e Pizës, që rezultoi shumë e vështirë, ndonëse në fund u fitua 2-0.

Golat nga Kalulu dhe Kenan Jildiz bënë që të liheshin pas momentet e vështira kur Piza goditi dy herë shtyllën dhe ishte më pranë fitores se “Zonja e Vjetër”.

Në një sfidë, ku Juvja bëri më shumë, por mund të ishte ndëshkuar, u desh hyrja në fushë në 62’ e yllit të Kosovës që të merreshin tri pikët.

Zhegrova nisi me autoritet dhe klas aksionin e golit të parë të Kalulut, dhe e kërcënoi shpesh portën e vendasve.

Në fund, në minutat shtesë Jildiz përfundoi nga dy hapa aksionin e gjatë të piemontezëve.

“Zonja Po, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Juvja vuan dhe fiton. Spaleti ndryshon, Zhegrova i jep shkundjen ekipit, Kalulu e Jildiz shënuan!”

“Ja ku jemi, – shkruan në mënyrë triumfale e përditshmja e Torinos, “Tutosport”, – hyrja e Zhegrovës I dha shkundjen ekipit pas disa drithërimave!”

Juventus ka 32 pikë, duke qenë pranë kreut të Serisë A, ndonëse ka luajtur më shumë ndeshje sesa Milani, Interi e Napoli.

Gjithsesi, trajneri Luçiano Spaleti e ka kthyer në garë për titull./abcnews.al

“Mitaj nuk do të largohet”/ Al Ittihad hedh poshtë lajmet për transferimin e yllit kuqezi

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:20

Për ta ky rast nuk ekziston.

Al Itihad nuk është në dijeni se ka ndonjë mundësi që Mario Mitaj të largohet në janar apo kurdo qoftë.

Zëdhënësi I klubit, Rijad Al Mazhar i ka hedhur poshtë lajmet mediatike se shqiptari mund të transferohet në janar.

Gjithsesi, gazetat në kryeqytetin e Arabisë Saudite shkruajnë se Al Itihad është në bisedime me Lacion për mbrojtësin portugez, Nunjo Tavares, që luan në pozicionin e Mitajt.

Po ashtu, për yllin kuqezi po bëhen kritika për gabime gjatë ndeshjeve, që mund t’i kushtojnë ekipit, edhe pse paraqitja e tij përgjithësisht është mjaft e mirë.

Lajmet dolën që Mitaj mund të largohet nga Arabia Saudite në janar.

Ky njoftim u dha nga gazetari saudit, Mohamed Al Bakr, që njoftoi se kampionët saudite janë në bisedime për transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë, ndonëse nuk jepet emri i klubit që e kërkon.

Gazetari thekson se ky lajm nuk do t’u pëlqejë tifozëve, dhe duket I habitshëm sepse Mitaj është kthyer në një lojtar kyç të ekipit nga kryeqyteti Riad.

Al Itihad ia bleu kartonin para një vit për rreth 4 milionë euro, ndërsa besohet se do të fitojë shumë më tepër në rast se mbrojtësi shqiptar largohet.

Mitaj fitoi vjet titullin kampion dhe Kupën e Mbretit në Arabinë Saudite, duke qenë ndër më të mirët, ndonëse pati dëmtim në fillim të vitit, dhe vazhdon të jetë protagonist./abcnews.al

Takimi në Mar a Lago për garanci sigurie/ Trump-Zelensky, diskutimet edhe për territoret ukrainase

By: Re Nato
28 December 2025 at 16:03

Presidenti ukrainas. Volodymyr Zelensky takohet këtë të diel me homologun e tij amerikan Donald Trump, në Mar a Lago në Florida.

Zelensky ka thënë se shpreson për një diskutim konstruktiv me Trump, në lidhje me garancitë e sigurisë, pasi Ukraina kërkon siguri se Rusia nuk do të rifillojë sërish agresionin.

Një çështje tjetër e rëndësishme për t’u diskutuar janë territoret ukrainase. Në qendër të përpjekjeve të Ukrainës për të anuar bisedimet në favor të saj është një plan me 20 pika, të cilin Zelensky thotë se është rreth 90% gati.

Rusia e ka bërë të qartë vazhdimisht qëndrimin e saj kundër çdo pranie ushtarake europiane në Ukrainë.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, i paralajmëroi edhe një herë aleatët e Ukrainës kundër vendosjes së një force në vend në rast të një marrëveshjeje paqeje, duke thënë se një kontingjent i tillë do të ishte një objektiv legjitim.

Nga ana tjetër kreu i Kremlinit, Vladimir Putin paralajmëroi se nëse Ukraina nuk bie dakord për një zgjiedhje paqësore të konfliktit, Rusia do i arrijë qëllimet e saj me mjete ushtarake.

Moska e sulmoi sërish Ukrainën edhe në fundjave me qindra dronë dhe raketa. Bombardimet lanë disa të plagosur dhe mijëra familje pa energji elektrike.

Nga ana tjetër, Ushtria e Ukrainës ka thënë se sulmoi rafinerinë e naftës Sizran të Rusisë.

Shtabi i përgjithshëm i Kievit tha se sulmi në rajonin e Samarës shkaktoi një zjarr dhe dëmet ende po vlerësohen./abcnews.al

Fundviti gjen Krujën plot me turistë/ Vizitorë vendas e të huaj preferojnë muzeun dhe pazarin karakteristik

By: Re Nato
28 December 2025 at 15:48

Turistë vendas e të huaj  kanë zgjedhur ta kalojnë të dielën e fundit të këtij viti në Krujë.

Piktori Xhemali Nova i cili çdo ditë hedh në tablo pjesëza të qytetit tregon se numri i vizitorëve në dimër është shtuar.

Pazari karakteristik dhe muzetë, ai kombëtar dhe etnografik  janë ato që tërheqin më shumë të huajt.

“Është një qytet antik, shumë mbresëlënës. Shqipëria është e bukur.”

“Më pëlqen. Është bukur. Është e katërta herë që vijmë në Shqipëri.”

Kombinimi I historisë, kulturës dhe natyrës e ka  kthyer Krujën në një prej qyteteve më të vizituara.

Turistët e bëjnë pjesë të gudiave të tyre  gjatë vizitës në Shqipëri./abcnews.al

Djegia e autobusëve, zjarri aksidental/ Policia e Durrësit zbardh shkakun: Shkëndijë elektrike në një bateri

By: Re Nato
28 December 2025 at 15:24

Flakët që shpërthyen  mesditën e të  shtunës në një pikë parkimi autobuzësh jashtë funksioni në Fllakë të Durrësit sipas policisë ishin aksidentale.

Referuar  hetimeve  paraprake policia thotë se dyshon  se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobuzëve.

Flakët u përhapën më shpejtësi pasi një pjesë e autobuzëve ishin mbushur me goma duke shkaktuar   tym toksik që u përhap  deri pranë qytetit të Durrësit.

Zjarrëfikësit  shkuan në vendngjarje pas njoftimit të disa  qytetarëve duke shuar  zjarrin prej të cilit  mbetën të djegur tetë autobuzë  që ishin në park jashtë përdorimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për ngjarje aksidentale./abcnews.al

Sfidat dhe përballja me sëmundjen/ Xhenisa Shani tregon si pranoi diagnozën që i ndryshoi jetën

28 December 2025 at 14:16

Një mëngjes i zgjuar ndryshe me vështirësi në lëvizje, dhe me dobësim të shikimit,  ishin ndër sinjalet e para që e lajmëruan  Xhenisa Shanin se diçka nuk po shkonte siç duhej me trupin e saj. Para 6 vitesh, ajo ishte 24 vjeç kur u diagnostikua me Skleroza Multiple.  Një sëmundje autoimune kronike, e cila prek trurin dhe palcën kurrizore.

“Jam zgjuar një ditë me probleme të ekuilibrit, pamundësi për të lëvizur. Edhe probleme me shikimin, nuk arrija të shihja dot qartë. Aty kuptova që kishte diçka që nuk shkonte. Mjekët më thonin që kjo është një diagnozë që do ta kesh gjithë jetën. Thjeshtë jam munduar që të marr sa më shumë informacione për këtë sëmundjen dhe si ta përballoj.

Në kohën kur mësoi sëmundjen Xhenisa studionte për Kimi dhe Tekonologji Ushqimore, dhe nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për diagnozën që do t’i ndryshonte jetën. Ajo tregon se veprimi i parë që bëri ishte kërkimi i informcionit në google mbi sëmundjen.

“Nuk e kisha hasur asnjëherë emrin e kësaj sëmundje. Normalisht që duke hulumtuar në internet, burime të tjera informacioni. Kam kuptuar pastaj që është një sëmundje kronike që vazhdon gjithë jetës.  Shikoja persona me të njëjtën diagnozë, por, që sëmundja kishte agravuar më shumë. Mendoja që edhe unë mund të arrij në atë pike. Këtë pjesë e kam përjetuar shumë.”

Si rrallë herë, Xhenisa e pranoi që në fillim sëmundjen. Pas diagnostikimit ajo thotë se jeta e saj ka marrë tjetër formë, bashkë me të edhe ëndërrat për të ardhmen.

 “Patjetër që ka ndryshuar, po mund të them që është më shumë nga ana psikologjike. Sepse nuk e mendoja kurrë që mund të kisha një ditë këtë diagnozë. Ka ndikuar në mënyrën sesi unë e mendoja të ardhmen. Nuk ka qenë refuzim të kësaj sëmundjes. E kam pranuar që në fillim”.

Mosnjohja e sëmundjes në rrethin shoqëror, ishte një tjetër sfidë.

“Skleroza multiple e ngatërronin me demenzën. Që lidhet me harresën. Nuk kishin informacion të rinjtë me këtë, ngaqë fizikisht nuk dukesha që e kam këtë diagnozë, kur e shprehja tek të tjerët shifja një lloj mëshire.”

Kur bëhet fjala për shëndetin, koha e zbulimit të sëmundjes është vendimtare.

“E kam kapur në fazë të herëshme. Besoj se koha ka të bëjë shumë me këtë sëmundje, sa ma herët t’a pranosh që e ke këtë problem, aq më mirë është”.

Historia e Xhenisës na tregon se edhe me një diagnozë që zgjat gjithë jetën, shpresa, pranimi dhe forca e brendshme mund të bëhen mjetet më të fuqishme për të ecur përpara.

“Forcën duhet ta gjejnë tek vetja, të shpresojnë që do vijnë ditë më të mira”….  / abcnews.al /

Vlorë, uji rikthehet sot pasdite/ Punohet për riparimin e defektit në rrjetin e furnizimit

28 December 2025 at 13:32

Banorëve të Vlorës parashikohet t’u kthehet uji i pijshëm në çezma pasditen e të dielës.
Drejtori i Ujësjellësit thotë se po punohet për të riparuar defektin në rrjetin e furnizimit me ujë, i ndodhur më 26 dhjetor.
“Sot kemi ndryshuar edhe mënyrën e zgjidhjes së problemit; rreth orës 5–6 pasdite të nisë furnizimi nga stacionet drejt Lungomares, më pas qyteti…”

Spitali apo institucione të tjera me rëndësi të veçantë prej dy ditësh në Vlorë po furnizohen me ujë përmes boteve.
“Në dispozicion kemi vënë disa bote të ujësjellësit për institucione si spitale apo institucione të tjera shtetërore.”

Defekti ka ndodhur në një prej tubacioneve kryesore të qytetit, investim i kryer në vitet 2009–2010.
Zgjidhjet e aplikuara për ta rikthyer situatën në normalitet deri tani, sipas drejtorit të ujësjellësit, nuk kanë rezultuar efikase.

Revolucion…në tentativë/ Marshim drejt Surrelit, thirrja e Berishës merret seriozisht nga disa të rinj

28 December 2025 at 12:55

Sali Berisha paralajmeroi marshim drejt Surrelit, disa e moren me seriozisht se cduhet. Nje grup te rinjsh, te udhehequr nga djali i Fahriut marshuan me pishtar ndezur drejt shtepise se Rames.

Balliu ishte nisur per lufte me 10 ushtare.

 “Keto jane veprime guerrilse paqesore, ose jep doreheqjen, ose me hir apo pahir do te heqin qytetaret shqiptare.”

Por lufta mbaroi pa filluar, gjuha shkon ku dhemb dhembi, ose te Cereni.

“Sot eshte nje mesazh, nje mesazh, qendrestaret qe ke ne bulevard, do i kesh ne kuzhine.”

Gati per lufte guerrile, Berisha tani ka Visin. Kurse revolucioni shtyhet per njehere tjeter.  / abcnews.al/

(EMRI) Në kërkim për kultivim narkotikësh/ Malësi e Madhe, arrestohet 57 vjeçari

28 December 2025 at 12:52

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë kapur dhe ndaluar shtetasin: Aleksander Malaj 57 vjeç, banues në Bajzë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ai dyshohet si bashkëpunëtor për kultivimin e 780 bimëve narkotike kanabis, në Bajzë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, më datë 18.09.2025.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.  / ABCNEWS.AL /

I mituri dëmtohet nga fishekzjarrët/ Durrës, 15 vjeçari niset drejt ‘Traumës’

28 December 2025 at 12:47

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 27.12.2025, rreth orës 21:45, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës është paraqitur një shtetas i mitur, 15 vjeç, i dëmtuar në fytyrë, i cili dyshohet se është dëmtuar nga lëndë piroteknike.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në banesën e tij. 15-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim mjekësor më të specializuar.

 

 

Kosovë, zgjedhje të parakohshme/ Votim për t’i dhënë fund një viti me ngërç politik

28 December 2025 at 12:29

Qytetarët e Kosovës i drejtohen këtë të diel për herë të katërt kutive të votimit, në fund të një viti të gjatë krize politike.

Procesi i votimit ka nisur në 948 qendra të votimit dhe sipas listës numri i qytetarëve me të drejtë vote është mbi 1 milion e 999 mijë, të shpërndarë në 38 komuna.

Në këto zgjedhje janë të certifikuara për pjesëmarrje 24 subjekte politike, prej të cilave: 18 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidatë të pavarur.

Ndërkohë numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme është 1,180 kandidatë.

Procesi i votimit ka shkuar i qetë, ndërsa në Mitrovicën e Veriut, siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, Lista Serbe dhe qytetarët serbë shkuan në grup për të votuar.

Votimi kolektiv është një praktikë që serbët në veri të Kosovës e kanë ndjekur në çdo pjesëmarrje në zgjedhje.

Këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare që mbahen brenda një viti në Kosovë, pas tentativave të dështuara për të formuar një qeveri të re që nga zgjedhjet e shkurtit.

Kuvendi i Kosovës ka 120 mandate dhe për të formuar qeverinë janë të nevojshme 61 vende.

Në garë për postin e Kryeministrit janë Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja DEMOKRATIKE E Kosovës, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë dhe Vetëvendosje kandidon sërish me Albin Kurtin, më të cilin askush nuk pranoi të bashkëpunonte për të formuar qeverinë.

Këto zgjedhje janë të një rëndësie të madhe për ta nxjerrë vendin nga ngërçi i një viti të gjatë. 9 muaj pa qeveri dhe institucione krijuan problematika për qytetarët dhe nëse një skenar i tillë do të vazhdonte edhe pas dhjetorit, situata mund të përkeqësohej.

Rëndësi të veçantë këtyre zgjedhjeve u jep edhe fakti që vitin e ardhshëm në Kosovë zgjidhet presidenti i ri dhe nëse edhe ky proces dështon, qytetarët do ishin sërish të detyruar t’u drejtoheshin kutive të votimit.  / abcnews.al /

Tregtonin lëndë piroteknike/ Sarandë, procedohen dy tregtarë, sekuestrohen 982 fishekzjarrë

28 December 2025 at 12:24

Në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në subjekte tregtare.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë kontrollit të ushtruar në dy subjekte tregtare në qytetin e Sarandës, u konstatuan 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.

Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasve L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë.  / abcnews.al /

Festat, spitalet në gatishmëri/ Masa të posaçme për urgjencat gjatë ndërrimit të viteve

28 December 2025 at 12:10

Spitalet dhe urgjenca mjekësore në të gjithë vendin  do të jenë në gatishmëri  24 orë  në ditët e festave.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala ka firmosur urdhërin e posaçëm.

Ekipet shëndetësore sipas tij  duhet të garantojnë shërbim shëndetësore pa ndërprerje nga data 31 dhjetor  e këtij viti deri me 2 janar të vitit të ri dhe të marrin masa për të përballuar emergjencat, si trauma pasojë e aksidenteve rrugore, përdorimit të mjeteve piroteknike apo tejaklim të përdorimit të alkoolit.

Ministrja e Shëndetësisë ishte në  Vlorë  ku  pa ecurinë e punimeve të qendrës së urgjecës mjekësore në këtë qytet, një  strukturë që do të forcojë  kapacitetet  për  të reaguar shpejt ndaj çdo  emergjence shëndetësore veçanërisht gjatë periudhave me fluks të shtuar.

 “Faleminderit për gatishmërin…  Gatishmëria juaj është siguri për qetësinë e qytetarëve, për mbarëvajtjen e festave dhe për funksionimin normal të të gjithë sistemit shëndetësor” Gatishmëria juaj është siguri për qetësinë e qytetarëve, për mbarëvajtjen e festave dhe për funksionimin normal të të gjithë sistemit shëndetësor”

Përveç shërbimit të zakonshëm gjatë ditëve të festave  në sheshet  kryesore të qyeteve më të mëdha do të jenë  ekipe shtesë të urgjencës mjekësore për të garantuar shërbim të menjëhershëm për çdo rast.

 

Shuhet Brigitte Bardot, ylli i filmave të viteve ‘50-‘60

28 December 2025 at 11:14

Ylli francez Brigitte Bardot ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.

Bardot u bë e famshme me filmin “And God Created Woman” (1956), të shkruar dhe drejtuar nga bashkëshorti i saj atëherë, Roger Vadim. Për dy dekada, ajo u shndërrua në ikonën e asaj që njihej si “sex kitten” e Francës.

Në fillim të viteve 1970, Bardot la kinemanë dhe u angazhua në mënyrë aktive në politikë dhe mbrojtjen e kafshëve, duke themeluar Fondacionin Brigitte Bardot në vitin 1986.

Lindur në Paris më 1934-ën në një familje të pasur katolike, Bardot nisi karrierën si balerinë dhe modele, duke u shfaqur në kopertinën e revistës Elle që në moshën 15-vjeçare. Pasi filloi të merrte role të vogla në film, ajo takoi Roger Vadim, me të cilin u martua në 1952-in. Filmi që i hapi rrugën për famën ndërkombëtare ishte “And God Created Woman”, ku Bardot interpretoi një adoleshente të lirë në Saint-Tropez, duke u bërë menjëherë ikonë botërore.

Përveç karrierës në kinema, Bardot pati edhe një karrierë muzikore, duke regjistruar këngë të njohura, përfshirë versionin origjinal të “Je T’Aime … Moi Non Plus” të Serge Gainsbourg.

Megjithatë, presioni i famës e bëri të largohej nga skena e filmit, duke u tërhequr plotësisht në 1973-in pas filmit historik “The Edifying and Joyous Story of Colinot”.

Si aktiviste, Bardot u angazhua në mbrojtjen e kafshëve, duke protestuar kundër gjuetisë së fokave dhe vrasjes së delfinëve, si dhe duke kritikuar trajtimin e kafshëve në shumë vende të botës.

Pas viteve 2000, ajo gjithashtu bëri deklarata politike të forta, duke mbështetur partinë e ekstremit të djathtë francez, Front National, dhe duke bërë komente që ngjallën debat mbi emigracionin dhe çështje të tjera sociale.

Bardot u martua katër herë dhe pati një jetë personale të komentuar gjerësisht nga media, romanca me emra të njohur si Jean-Louis Trintignant dhe Serge Gainsbourg.

Brigitte Bardot do të mbahet mend si një ikonë e kinemasë franceze, një figurë kulturore e paharrueshme dhe një aktiviste për kafshët.

Itali/ Rekord reshjesh në Evropë, 3 metra dëborë në Prato Nevoso

28 December 2025 at 11:03

Pothuajse tre metra dëborë kanë mbuluar resortin e skive Prato Nevoso, duke regjistruar një nga nivelet më të larta të reshjeve të dëborës të regjistruara këtë vit në Evropë.

Fenomeni tashmë konsiderohet historik, pasi thellësia e dëborës tejkalon shumë mesataren për sezonin.

Reshjet intensive dhe të vazhdueshme të dëborës së ditëve të fundit e kanë transformuar rajonin malor të Piemontes në një peizazh të bardhë, me rrugë, çati dhe objekte të ‘varrosura’ nën dëbore. Imazhet nga Prato Nevoso po bëjnë xhiron e mediave evropiane, duke shkaktuar tronditje dhe shqetësim.

Autoritetet lokale janë në gatishmëri të shtuar, pasi sasitë e mëdha të borës rrisin rrezikun e ortekëve dhe e bëjnë të vështirë aksesin në zonat malore. Në disa vende, u kërkua ndërhyrja e makinave për pastrimin e borës, ndërsa banorëve dhe vizitorëve u dhanë rekomandime që të shmangin udhëtimet e panevojshme. Pavarësisht rreziqeve, reshjet e paprecedentë të dëborës konsiderohen një zhvillim pozitiv për turizmin dimëror. Prato Nevoso, një nga vendpushimet më të njohura të skive në Italinë veriore, tani ka kushte ideale për ski dhe snowboarding, të cilat pritet të tërheqin një numër në rritje vizitorësh në periudhën e ardhshme.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ngjarje të tilla ekstreme të motit janë pjesë e një modeli më të gjerë të paqëndrueshmërisë klimatike në Evropë, ku reshjet e dendura të dëborës alternohen me periudha moti jashtëzakonisht të butë.

Prato Nevoso mbetet në qendër të vëmendjes, si për spektaklin e tij natyror mbresëlënës, ashtu edhe për sfidat e menaxhimit të një sasie kaq të madhe dëbore në një kohë të shkurtër.

/abcnews.al /

Kundërshtoi ‘Shqiponjat’/ Vau i Dejës, pranga 42 vjeçarit, iu gjetën drogë dhe municione luftarake

28 December 2025 at 10:25

Pasi kishte penguar qarkullimin e automjeteve të tjera në fshatin Hajmel, gjatë një aktiviteti festiv, punonjësit e Policisë së Forcave të Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë përballur me kundërshtim verbal nga shtetasi A. P. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde narkotike, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe u sekuestruan municione luftarake.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë bëri arrestimin e shtetasit A. P., 42 vjeç, banues në Dejë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.  / abcnews.al /

❌
❌