Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 18 January 2026Abc News

‘Kufiri’ kushtetues për celularët/ Kthupi: Vendimi përcaktoi pozitat e palëve. Këqyrja e telefonit, mjet për kërkimin e provës

18 January 2026 at 19:35

Gjykata Kushtetuese i ka vendosur kufij SPAK-ut për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave të nxjerra nga telefonat celularë.

Avokati Rezart Kthupi, në një intervistë në “Newsroom” në ABC News tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron shumë gjëra,

“Ajo që vendimi i Gjykatës Kushtetuese bëri ishte një përditësim të nocionit të korrespondencës. Gjykata Kushtetuese e ka përditësuar në nivelin aktual ku përfshihen të gjitha mesazhet e format elektronike dhe gjithashtu njohu të drejtën për të bërë sekuestrimin edhe me të drejtë të OPGJ. Por është lënë deri në të drejtën e sekuestrimin, por jo për të aksesuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe përcaktoi pozitat e palëve. Në nivelin praktik pas sekuestrimin duhet kërkuar nga gjykata autorizimin për të marrë të dhënat që duhet të jenë specifike. Pra kjo duhet të jetë logjika e të shkuarit në gjykata. Por nuk mund të shkosh tek të dhënat bankare që ka, tek faqet që ka vizituar. Ajo që arsyeton Gjykata Kushtetuese është fakti që thotë se në momentin që e bën duhet ta kthesh. Këqyrja e telefonit është mjet për kërkimin e provës. Në momentin që e bën këqyrjen telefoni nuk ka pse të jetë në Prokurori”, tha Kthupi.

Nga ana e tij, konstitucionalisti Bledar Dervishaj tha se SPAK nuk mund të shohë dhe të kopjojë çdo informacion në telefonat e sekuestruar.

“Shkeljet që kanë ndodhur nuk duhet të ripërsëritet. Nëse nis dhe kopjon dhe kërkon për gjëra të tjera, atëherë komplikohen gjërat. Ndaj duhen trajnime solid që të mos ketë devijanca”, tha ai.

/abcnews.al/

Debati për Groenlandën dhe tarifat amerikane, Rutte dhe Trump zhvillojnë bisedë telefonike

18 January 2026 at 19:03

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, “rreth situatës së sigurisë” në Groenlandë dhe Arktik, në një kohë kur vendet evropiane janë të shqetësuara nga kërcënimet për tarifa shtesë të bëra nga presidenti i SHBA-së.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për këtë çështje dhe mezi pres ta takoj atë në Davos në fund të javës”, shkroi Rutte në X, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedës telefonike.

Dje, Trump kërcënoi tetë vende evropiane me tarifa prej 10% duke filluar nga 1 shkurti (të cilat do të rriten në 25% duke filluar nga 1 qershori) – Britania, Franca, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Holanda, Suedia, Finlanda.

Vendet e BE-së të prekura nga masa kanë thënë se do të vendosin për një përgjigje të përbashkët.

Kievi: Moska planifikon të lëshojë deri në 1 000 dronë në ditë këtë vit

18 January 2026 at 18:48

Federata Ruse planifikon të rrisë ndjeshëm prodhimin duke parashikuar të lësjojë deri në 1 000 dronë në ditë mbi Ukrainë deri në vitin 2026, deklaroi komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrsky.

Sipas Syrsky, ”nuk ka shenja se rusët po përgatiten për bisedime paqeje”.

“Përkundrazi, po dëshmojmë një rritje të armiqësive, të numrit të grupeve sulmuese armike dhe një rritje të prodhimit të armëve, raketave dhe dronëve” shton ai.

Aktualisht, armiku prodhon 404 Shaheed të llojeve të ndryshme çdo ditë. Dhe planet e tij përfshijnë një rritje” të lëshimeve të dronëve, specifikoi ai.

Përgatitjet për misionin historik/ Raketa e re hënore e NASA-s zhvendoset drejt platformës përpara nisjes

18 January 2026 at 18:09

Raketa e re gjigante e NASA-s, Space Launch System (SLS), është zhvendosur drejt platformës së saj të nisjes nisjes në Qendrën Hapësinore Kennedy  në Florida, teksa bëhen përgatitjet e fundit për një mision historik që do të dërgojë astronautë për një fluturim rreth Hënës për herë të parë pas më shumë se gjysmë shekulli.

Nisja e raketës është planifikuar te mbahet ne 6 shkurt. Raketa 98 metra e gjatë nisi lëvizjen e saj në agim e kësaj të diele , me sistemin me rrota që udhëtonte  një shpejtësi prej vetëm 1.6 km/orë, nga ndërtesa e montimit të mjeteve hapësinor në një distance prej 6.5 kilometrash.

Mijëra punonjës të qendrës hapësinore dhe familjarë të tyre u mblodhën herët në mëngjes, pavarësisht të ftohtit, për të qenë dëshmitarë të këtij momenti të shumëpritur, i cili ishte shtyrë për vite me radhë. Turma u udhëhoq nga administratori i ri i NASA-s, Jared Isaacman, së bashku me katër astronautët e përzgjedhur për këtë mision.

Komandanti i ekuipazhit, Reid Wiseman, e cilësoi ngjarjen si mbresëlënëse: “Çfarë dite e jashtëzakonshme për të qenë këtu. Është vërtet frymëzuese.”

Raketa, e cila peshon rreth 5 milionë kilogramë së bashku me kapsulën Orion, u transportua mbi një platformë gjigante lëvizëse të përdorur edhe gjatë epokës së Apollo-s dhe anijeve kozmike, e modernizuar posaçërisht për peshën shtesë të kësaj rakete.

Ky do të jetë fluturimi i dytë i raketës Space Launch System. Prova e parë u realizua në nëntor të vitit 2022, kur kapsula Orion u dërgua pa ekuipazh në orbitë rreth Hënës. Probleme me mburojën termike dhe çështje të tjera teknike gjatë atij testi kërkuan analiza dhe prova shtesë, duke vonuar këtë mision të parë me astronautë.

Astronautët nuk do të zbresin në Hënë dhe as nuk do ta rrotullojnë atë në orbitë. Zbritja në sipërfaqen hënore pritet të realizohet në misionin e tretë të programit Artemis, disa vite më vonë.

Në misionin 10-ditor do të marrin pjesë Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe astronautja Christina Koch, të gjithë me përvojë të mëparshme fluturimesh hapësinore, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen, i cili do të realizojë fluturimin e tij të parë në hapësirë.

Ata do të jenë njerëzit e parë që udhëtojnë drejt Hënës që nga viti 197, . Në total, 12 astronautë kanë ecur në sipërfaqen e Hënës që nga viti 1969.

Të paktën 15 të vdekur nga zjarret në Kili, mijëra të evakuuar

18 January 2026 at 17:31

Numri i të vdekurve nga zjarret që kanë përfshirë dy provinca të Kilit jugor është rritur në të paktën 15. Ndërsa më shumë se 50,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. Presidenti kilian në largim, Gabriel Boric shpalli gjendje katastrofe natyrore në zonat e prekura.

“Duke pasur parasysh zjarret serioze që po shpërthejnë, kam vendosur të shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore për provincat e Nuble dhe Biobio “, njoftoi kryeministri në largim në rrjetet sociale X.

Sipas agjencisë pyjore të Kilit CONAF, forcat e zjarrfikësve po luftojnë 24 fronte aktive në të gjithë vendin , me shpërthimet më të mëdha që vazhdojnë në Nuble dhe Biobio.

VIDEO/ Aksident në Fushë Milot, 5 të plagosur, 3 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore

18 January 2026 at 16:39

Një aksident ka ndodhur pranë urës së Milotit. Një autoveturë është përplasur me një furgon.

Të paktën pesë persona kanë mbetur të plagosur, tre prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy autoambulanca kanë shoqëruar të plagosurit në spitalin e traumës.

“Pirati” Muriqi pushton Spanjën/ Sulmuesi i Kosovës, i pesti në garën për “Këpucën e Artë” në Europë

18 January 2026 at 16:36

Ndoshta nuk e kap dot majën, por gjithsesi është shumë pranë. Vedat Muriqi as nuk e kishte menduar se do të arrinte një nivel të tillë lavdie dhe suksesi në La Ligën e Spanjës, kur u largua si jo fort i pëlqyer nga Lacio e Serisë A.

Sulmuesi i Kosovës realizoi 3 gola në një ndeshje të vetme, në atë Majorka-Atletik Bilbao, duke i dhënë tri pikët skuadrës së tij, e duke shtuar shpresën dhe mundësinë për mbijetesë në elitë.

I mbiquajturi “Pirati” realizoi një herë nga loja, pastaj pasi humbi penalltinë afër fundit të pjesës së parë për shifrat 2-1, dhe pas pushimit në 69’, këtë herë duke qenë i saktë nga 11 metra.

Ylli “dardan” ka 14 gola këtë sezon në kampionatin spanjoll, i dyti në garën e Këpucës së Artë në vend, 5 rrjeta prapa Kilian Mbapesë së Realit.

Në konkurrimin për Këpucën e Artë të Europës, Muriqi është I pesti me 28 pikë, pas 14 rrjetave, ndërsa Harri Kejn ka 42 pikë, Haland 40 dhe Mbape 38, me përkatësisht 21, 20 e 19 realizime.

“Marka” shkruan se arbitri Guzman Mansija i merr vëmendjen Muriqit, me dy penallti dhe dy kartonë të kuq.

“Muriqi dhe VAR-i lëshohen ndaj Etosë”, – titullon “AS”, – kosovari realizoi një hatrik për të fituar ndaj Atletikut!”

Futbollisti 31-vjeçar mori notë 8.8 për paraqitjen e shkëlqyer, por më I miri në fushë ishte një tjetër.

Pikërisht, portieri i Majorkës, Leo Roman, që mori notën 10 me yll për 7 pritje, nga të cilat pesë në zonën e rreptësisë.

Shqiptari nga Kosova po ashtu pritet të hyjë në historinë e Majorkës.

Tashmë, ai ka 48 gola në La Ligë, duke lënë pas Huan Arangon, e duke qenë vetëm 6 rrjeta prapa rekordmenit të klubit, sulmuesit të shquar kamerunas, Samuel Eto.

Në numrin total të golave, Muriqi ka 49 për Majorkën, i treti në renditjen e të gjitha kohëve në të çdo konkurrim, i lënë pas nga Eto me 70 dhe Prats me 59 rrjeta.

Siri, vritet drejtuesi i lartë i Al Kaedës/ Operacioni nga forcat amerikane, goditen bastionet e ISIS

18 January 2026 at 15:57

Forcat ushtarake Amerikane kanë kryer një sulm ajror në veriperëndim të Sirisë, një operacion ky që solli vrasjen e një drejtuesi të lartë të lidhur me Al Kaedën, i cili ishte përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në planifikimin e sulmeve kundër forcave të Shteteve të Bashkuara.

Komanda Qendrore Ushtarake e Shteteve të Bashkuara deklaroi se objektivi i sulmit ishte Bilal Hasan al-Jasim, i përshkruar nga ushtria amerikane si “një drejtues terrorist me përvojë”.

Komanda Ushtarake Amerikane deklaroi se Al Jasim kishte planifikuar sulme terroriste dhe kishte lidhje të drejtpërdrejta me autorin e një sulmi të ISIS-it në Palmyra, Siri, më 13 dhjetor.

Në atë sulm, dy ushtarakë amerikanë dhe një përkthyes amerikan humbën jetën, ndërsa disa pjesëtarë të forcave amerikane dhe siriane u plagosën. Pete Hegseth, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes kishte deklaruar në muajin dhjetor se forcat ushtarake partnere të Shteteve të Bashkuara kishin vrarë autorin e atij sulmi.

Komandanti i Komandës Qëndrore ushtarake Amerikane Brad Cooper deklaroi se eliminimi i Bilal Hasan al-Jasim tregoi se eliminimi i këtij terroristi tregon vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur dhe neutralizuar çdo individ që sulmon forcat Amerikane.

Pas sulmit ndaj forcave Amerikane ne dhjetor presidenti amerikan Donald Trump kishte premtuar hakmarrje, duke e cilësuar incidentin si “një sulm të ISIS-it kundër SHBA-së”. Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara vijuan  sulme të gjera ajrore në Siri në kuadër të operacionit të quajtur “Hawkeye Strike”.

Sipas Komandës Qendrore ushtarake amerikane , gjatë këtij operacioni janë goditur mbi 100 objektiva të infrastrukturës dhe armëve të ISIS-it, duke përdorur më shumë se 200 municione precize. Operacionet nisën në dhjetor, me objektiv bastionet e ISIS-it në territorin sirian.

Gjatë vitit të fundit, forcat amerikane dhe ato partnere kanë arrestuar më shumë se 300 operativë të ISIS-it dhe kanë vrarë mbi 20 të tjerë në Siri, duke eliminuar kërcënime të drejtpërdrejta për Shtetet e Bashkuara dhe sigurinë rajonale, thuhet në deklaratën zyrtare.

/abcnews.al/

Protesta në Iran, mbi 5 mijë viktima/ Shifrat e reja nga një zyrtar anonim konfirmojnë përplasjet e dhunshme në zonat kurde

18 January 2026 at 15:41

Është rritur në të paktën 5 mijë persona bilanci i protestuesve të cilët u vranë në Iran gjatë demonstratave që shpërthyen në 28 dhjetor të vitit të Kaluar dhe vijuan edhe përgjatë këtij viti me qytetarët që u zemëruan me regjimin për shkak të situatës ekonomike dhe kërkuan ndryshim të tij.

Shifra e re u zbulua nga një zyrtar i lartë Iranian i cili ka folur në kushtet e anonimatit për mediat ndërkombëtare duke thënë Garda Revolucionare Islamike kishte vrarë Iranian të pafajshëm.

Sipas tij, përplasjet më të ashpra dhe numri më i madh i viktimave janë shënuar në zonat kurde të veriperëndimit të Iranit, ku veprojnë grupe separatiste kurde dhe ku edhe në periudha të mëparshme trazirash janë regjistruar episodet më të dhunshme.

“Bilanci përfundimtar i viktimave nuk pritet të rritet ndjeshëm”, tha zyrtari, duke shtuar se “Izraeli dhe grupe të armatosura jashtë vendit” kanë mbështetur dhe furnizuar protestuesit.

Autoritetet iraniane i atribuojnë shpesh trazirat ndërhyrjes së armiqve të huaj, përfshirë Izraelin, rival kryesor të Republikës Islamike, i cili në qershor kreu sulme ushtarake ndaj Iranit. Një ditë më parë Lideri Suprem i Iranit tha se protestat u organizuan nga Krimineli Donald Trump duke iu referuar Presidentit Amerikan ndërsa ky i fundit ka ripërsëritur se do dëshironte të shihte një ndryshim Regjimi ne Iran. Protestat të cilat kanë lenë të vrarë mbi 5 mije qytetarë në Iran kanë sjellë edhe arrestimet e mbi 24 mijë personave.

Pas dorëheqjes së Savo Miniç, në Republikën Sërpska hapet rruga për formimin e qeverisë së re

18 January 2026 at 15:26

Deputetët e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska miratuan dorëheqjen e Savo Miniqit nga funksioni i kryetarit të Qeverisë së Republikës Sërpska RS), duke u përmbyllur edhe seanca e 29-të e jashtëzakonshme e parlamentit.

Së shpejti pritet të mblidhet Kolegji i Kuvendit Popullor, në të cilin do të përcaktohet data dhe rendi i ditës i seancës së ardhshme të jashtëzakonshme, për zgjedhjen e Qeverisë së re të RS-së.

Miniq më 15 janar e ka kthyer mandatin, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës Sërpska, Ana Tërstiq Babiq, e ka njoftuar se do të propozohet sërish për mandatar.

Miniqi u emërua kryeministër nga Kuvendi Popullor i RS-së më 2 shtator të vitit të kaluar. Mandatin për formimin e Qeverisë ia kishte dhënë dhjetë ditë më herët Millorad Dodik.

Ky veprim ishte i kontestueshëm për një grup deputetësh të Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), të cilët më 9 shtator paraqitën një apelim në Gjykatën Kushtetuese të BeH për vlerësimin e asaj vendimmarrjeje.

Konkretisht, Dodikut në fillim të gushtit i ishte hequr mandati i presidentit të RS-së, pasi Gjykata e BeH e kishte dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burg (të cilin ai më pas e bleu) dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve politike, prandaj ai as nuk mund të propozonte Miniqin për mandatar.

Sipas Kushtetutës së entitetit, presidenti i RS-së i propozon Kuvendit Popullor kandidatin për kryetar të Qeverisë.

Koalicioni qeverisës në RS atëherë pohonte se mandatarin e kishte propozuar Dodik, si president i entitetit, ndonëse ai formalisht-juridikisht nuk ishte më në atë funksion pas aktgjykimit të formës së prerë dhe vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor të BeH, me të cilin atij i ishte hequr mandati.

Dodik atëherë vazhdonte të pretendonte se ishte president i RS-së, por më vonë ndryshoi qëndrim dhe Kuvendi Popullor i RS-së e emëroi Anën Tërstiq Babiqin, këshilltaren e tij shumëvjeçare, si ushtruese detyre të këtij funksioni.

Gjykata Kushtetuese e BeH tashmë në nëntor të vitit të kaluar ka diskutuar për kushtetutshmërinë e Qeverisë së re të RS-së, por ka theksuar se vendimin do ta marrë në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet javën e ardhshme.

Presidenti i Republikës propozon kandidatin për kryetar të Qeverisë brenda afatit prej 10 ditësh nga dita e miratimit të dorëheqjes, votimit të mosbesimit ose përfundimit të mandatit të Qeverisë së mëparshme për shkak të shpërndarjes ose shkurtimit të mandatit të Kuvendit Popullor.

Qeveria e re duhet të zgjidhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e propozimit të kandidatit për kryetar të Qeverisë së re./REL/

Shpendi rinis “fluturimin”/ Dy gola në Serinë B italiane për sulmuesin e Shqipërisë

18 January 2026 at 15:01

Duket se po kthehet aty ku ishte. Kristian Shpendi, në moshën 22-vjeçare, ka rinisur të shënojë më rregullisht dhe për herë të parë këtë sezon të Serisë B realizoi dy gola në një ndeshje.

Ndodhi në fitoren që Çezena arriti në fushën e Rexhanës me shifrat 2-1, pra ai ishte vendimtar.

Një penallti në pjesën e parë dhe një goditje nga loja pas pushimit përmbysën rezultatin.

Për momentin ai ka dy gola më shumë sesa vëllai I tij binjak, Stiveni, që luan për Empolin dhe jo më kot kartoni I tij vlerësohet 5.5 milionë euro, edhe pse ka rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë.

Shpendi arriti tani në kuotën e 8 rrjetave, dhe duket se I ka lënë pas problemet e mund të vazhdojë më lart, e padyshim të fitojë Këpucën e Artë në Serinë B.

Shënuesi më I mirë është Pohjanpalo I Palermos me 12 goditje të sakta në rrjetë, e më pas vijnë tre futbollistë me nga 9.

Çezena ka 34 pikë dhe është në luftë për vendet e larta në tabelë, dhe për të synuar ngjitjen në Serinë A.

Nëse arrin vendin e dytë e siguron elitën direkt, ndërsa nga vendi I tretë tek I teti luajnë në plej of.

Shtohet numri i shpendëve në Pogradec/ Ndikon habitati dhe klima në liqenin e Ohrit, ndryshe nga Prespa

18 January 2026 at 14:56

Ndryshe nga liqeni i Prespës, ku vit pas viti ka ardhur në rënie numri i shpendëve ujorë, për shkak të ndryshimeve klimatike, e kundërta ka ndodhur me liqenin e Ohrit.

Sipas specialistit në Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, Gani Bengos, këtë vit në liqenin e Ohrit kemi një rritje të numrit të shpendëve, për shkak se kushtet e florës, të klimës dhe habitatet në këtë liqen nuk kanë ndryshuar. Llojet janë të njëjta ndër vite.

“Në Pogradec kemi 10 grupe numërimi. Rezultatet e para janë të kënaqshme, kemi një numër më të lartë si rezultate të para”, tha Gani Bego, specialist në AZM.

Ndërsa sipas biologut Spase Shumka, shtimi i shpendëve në Pogradec ka ardhur në rritje, për shkak se Liqeni i Prespës ka pësuar ndryshime rrënjësore të habitateve nga ndryshimi i nivelit të ujit, duke bërë që shpendët të kenë gjetur habitat të përshtatshëm në liqenin e Pogradecit.

“Ka ulje të ujit në liqenin e Prespës dhe mendoj se ata kanë shtegtuar për në liqenin e Pogradecit”, tha biologu Spase Shumka.

Për biologun, habitatet e shpendëve dhe streha janë të nevojshme që të ruhen nga shkatërrimi i dorës së njeriut, siç është gjuetia, rritja urbane me anë të zhurmave, ndërtimeve apo turizmit.

Për dy ditë censusi u zhvillua në 34 vende në Shqipëri, ku vetëm 2 prej tyre ishin në Qarkun e Korçës./abcnews.al

Hiqet masivi shkëmbor/ Nis qarkullimi në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë, fillimisht për banorët e zonës

18 January 2026 at 14:50

Në orët e mesditës së sotme është bërë e mundur hapja e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë.

Nga pamjet e siguruara nga ABC News, shihet që subjekti ka kryer gjithë pastrimi masivit shkëmbor që u bë shkak i bllokimit të aksit rrugor.

Fillimisht aksi rrugor është i hapur vetëm për mjetet e banorëve të zonës.

Ndërkohë, prej ditës së nesërme pritet të jetë i hapur për të gjitha mjetet.

Aktualisht bëhet edhe inspektimi i këtij aksi rrugor dhe për të përforcuar relievet shkëmbore me rrjeta./abcnews.al

Inter, me ritëm titulli/ Zikaltërit ia dalin në Udine, për momentin Milan 6 pikë prapa

18 January 2026 at 14:42

Ka vetëm një ndalesë në gati 3 muaj. Interi po e tregon veten si skuadra më e kompletuar dhe më e fortë në Serinë A, dhe suksesi në fushën e Udinezes konfirmoi momentin pozitiv.

Janë 8 fitore në 9 ndeshje që nga 23 nëntori kur u pësua humbja në derbi përballë Milanit.

Nga ajo kohë, vetëm Napoli e ka bllokuar në një barazim 2-2 në “San Siro” pak ditë më parë.

Në stadiumin “Friuli”, zikaltërit dominuan dhe nuk e vunë në dyshim epërsinë e tyre, edhe pse shënuan vetëm një gol, duke humbur shumë raste.

Lautaro Martinez realizoi shpejt, që në 20’, me topin të shërbyer nga talenti I ri Pio Espozito.

“Lautaro këndon, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – kapiteni godet me asist nga Pio, Interi në +6! Kryesuesit dominojnë, 8 fitore në 9 të fundit në Serinë A! Të martën vjen Arsenali!”

Natyrisht, ky Inter nuk është pa probleme.

E ka pasur shumë të vështirë ndaj rivalëve direktë si Juventus, Milan apo Napoli, si edhe kundër Liverpulit apo Atletikos në Champions, dhe humbi një ndeshje që vlente titull në gjysmëfinalen e Superkupës ndaj Bolonjës.

Trajneri Kristian Kivu, më I miri I muajit të fundit në Serinë A, e di se ka ende shumë për të bërë, por duket se personaliteti I tij po e ndihmon skuadrën zikaltër që të shkojë drejt trofeve.

Inter kryeson Serinë A me 49 pikë ndaj 43 të Milanit që luan sonte në “San Siro” ndaj Leçes.

Juventus nuk është “Zonjë”/ Bardhezinjtë mposhten në ishull, Cagliari shuan entuziazmin

18 January 2026 at 14:36

Të paktën me lojë nuk zhgënjen. Juventusi i Luçiano Spaletit nuk është si dikur ai i Trapatonit apo Alegrit, ndonëse rekordmenët e titujve në Itali duan edhe trofe, ndaj edhe kritikat pas rrëzimit në Kaljari ishin të forta.

“Zonja e Vjetër” u duk e bukur, por tepër e shkujdesur në stadiumin “Unipol Domus” në ishullin e Sardenjës, që zëvendësoi impiantin e vjetër “Sant Elia”.

Skuadra piemonteze duhej të kishte fituar sfidën e Serisë A me rastet që krijoi, por duket se mungon njeriu-gol, ndaj edhe u ndëshkua.

Një gol shumë I bukur I Kaljarit shënuar nga Luka Maciteli në 65’ vendosi fatin e përballjes dhe Juves nuk I bënë punë 22 gjuajtjet, nga të cilat 7 në kuadrat, dhe plot 78 për qind mbajtje topi.

Ishullorëve u mjaftuan vetëm dy goditje, që të dyja në portë.

Në mungesë të Dushan Vlahoviçit të dëmtuar, David nuk po mundet ta mbajë barrën plotësisht, as Jildiz apo Mekkeni, ndërsa trajneri Spaleti pati kritika për Edon Zhegrovën e Konseisaon, që sipas tij nuk ishin të kthjellët.

“Spaleti, çfarë grushti, – titullon “Il Korriere delo Sport”, – një goditje fatale! Kaljari realizon diçka të madhe, fiton 1-0! Maciteli hedh tuç Juventusin!”

Ja edhe e përditshmja torineze, “Tutosport”: Të hedhur nokaut në Kaljari, 1-0! Juve, duhet menjëherë Mateta! Një gol I bukur na ndëshkon për rastet e humbura!”

Zhan Filip Mateta është sulmues francez 28-vjeçar që luan për Kristël Palasin në Angli, e që ka shënuar 8 gola deri tani në Premier Ligë. Juventus ka mbetur 10 pikë prapa kreut të Serisë A që mbahet nga Interi.

❌
❌