Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Gazeta Si

Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës!

27 January 2026 at 13:03

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i PD Sali Berisha ndërsa foli në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri, e cilësoi vendin si një rrezik serioz për sigurinë e Europës.

Sipas tij, kartele të drogës, të lidhura drejtpërdrejt me Ramën, dominojnë tregjet e drogës në Europë dhe Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.

Berisha ka kritikuar edhe raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve.

Sipas tij, në Shqipëri, në kopshte dhe shkolla fillore, po përdoren materiale mësimore që synojnë manipulimin e fëmijëve drejt ndryshimit të gjinisë, duke e lidhur këtë me atë që e quajti propagandë e ekstremit të majtë dhe ndikim të Xhorxh Sorosit.

Sipas kryetarit të PD-së Sali Berisha, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë.

The post Berisha në Strasburg: Narkoshteti i Ramaduros rrezikon sigurinë e Europës! appeared first on Gazeta Si.

Si po përgatitet NATO për luftë në Arktik

27 January 2026 at 12:57

Ministri i Mbrojtjes në Norvegji, po shikon hartën e tij të preferuar dhe po tregon botën, nga pikëpamja e Arktikut.

Tore Sandvik vë gishtin tek gadishulli Kola i Rusisë, shtëpi e arsenalit më të madh bërthamor në botë, që gjendet brenda qarkut të Arktikut, fiks në kufi të Norvegjisë.

Udhëtimi më i shkurtër nga Kola drejt SHBA-së, kalon patjetër mbi Arktik, tregon ai.

“Një raketë balistike mund të udhëtojë me një shpejtësi prej 7 km në sekond dhe i duhen vetëm 18 minuta të arrijë në SHBA”, tha ai. “Kjo është mbrojtje e atdheut- për Londrën, për Uashingtonin, për Parisin, Berlinin, të gjithë aleancën”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur gjatë vitit të kaluar një fokus agresiv dhe herë-herë të sikletshëm mbi Groenlandën, përmes përpjekjeve të tij të forta për të marrë nën kontroll ishullin Arktik danez.

Por duke u dakordësuar javën e kaluar mbi një “kornizë” marrëveshjeje për ishullin më të madh në botë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump ka zhvendosur fokusin brenda aleancës drejt sigurisë Arktike, një çështje që vendet nordike kanë kërkuar prej dekadash.

“NATO duhet të rrisë angazhimin e saj në Arktik,” tha Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës. “Mbrojtja dhe siguria në Arktik janë çështje që prekin të gjithë aleancën.”

Për pesë vendet nordike, të gjitha shtete arktike, kjo përfaqëson një mundësi për të rikthyer diskutimin gjeopolitik aty ku ata duan: te kërcënimi që vjen nga Rusia.

Pothuajse të gjitha shtetet Arktike, përfshirë Rusinë, kanë reduktuar praninë ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke mbyllur baza. SHBA-ja ka mbyllur disa baza në Groenlandë dhe Islandë. Por Rusia ka nisur ripërtëritjen ushtarake dhe ekonomike të Arktikut shumë më herët se fuqitë perëndimore, nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin që në vitet 2000.

Rusia kontrollon rreth gjysmën e territorit dhe ujërave të Arktikut, duke pasur kështu gjurmën më të madhe ndër tetë vendet me prezencë në rajon, që përfshijnë SHBA-në, Kanadanë dhe pesë vendet nordike. Sot, Moska ka mbi 40 objekte ushtarake përgjatë bregut Arktik, përfshirë baza ushtarake, aeroporte, stacione radar dhe porte.

Arktiku ka një rol kritik në doktrinën bërthamore të Moskës. Aty ndodhet Flota e Veriut e Rusisë, e bazuar në Severomorsk në Gadishullin Kola, e cila operon gjashtë nga 12 nëndetëset bërthamore të vendit, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Flota e Veriut, dhe veçanërisht nëndetëset e saj, është një shtyllë e mbrojtjes strategjike të Rusisë. Për shkak të rëndësisë së saj, flota po modernizohet ende,” tha Ondrej Ditrych, analist i lartë për Rusinë pranë Institutit të Bashkimit Europian për Studime të Sigurisë.

Rusia gjithashtu mban një nivel të lartë gatishmërie në vendin e saj të testimit bërthamor në Novaya Zemlya, një arkipelag Arktik ku në tetor të kaluar testoi raketën e saj me energji bërthamore Burevestnik. Po ashtu, ajo po promovon përdorimin e Rrugës Veriore Detare, që kalon mbi veri të Rusisë dhe ofron mundësi për kohë transporti më të shkurtra mes Kinës dhe Europës, megjithëse trafiku aktual është nën pritshmëri.

Një ushtar patrullon bazën ushtarake veriore ruse në Ishullin Kotelny, brenda Rrethit Arktik © Maxime Popov/AFP/Getty Images

Vendet nordike fqinjë me Rusinë kanë ndjekur me shqetësim rritjen e aktiviteteve ushtarake, duke bërë thirrje që NATO të angazhohet më shumë, me sukses relativisht të kufizuar, pjesërisht për shkak të kundërshtive nga vende si SHBA-ja.

“Ne e dimë që rusët po kryejnë më shumë aktivitete në veri. Situata e sigurisë është gjithashtu e tillë që kur akulli polar po shkrihet, Kina po ngrihet si një hegjemon rajonal me interesa globale. Ata e kanë vetëshpallur veten si një vend gati-Arktik,” tha Sandvik.

Një zyrtar i lartë nga një vend tjetër nordik shtoi: “Përqendrimi i burimeve ushtarake në lagjen tonë është mjaft i madh.”

Oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i tha Financial Times në tetor se Arktiku është “me interes të madh” për aleancën ushtarake, e cila është e përkushtuar ta mbajë të hapur për navigim të lirë dhe mundësi të reja biznesi, si minierat dhe eksplorimi i naftës dhe gazit.

Disa vende anëtare të NATO-s kanë intensifikuar stërvitjet në kushte Arktike në Norvegji, Finlandë dhe Grenlandë, përfshirë SHBA-në, MB-në dhe Francën. Në mars, rreth 25,000 ushtarë nga e gjithë aleanca – përfshirë 4,000 nga SHBA-ja – do të marrin pjesë në stërvitjen “Cold Response” në veri të Norvegjisë, me qëllim të praktikimit të luftës ajrore, detare dhe tokësore në kushte të rënda dimërore.

Përveç përpjekjes për të rikthyer vëmendjen e SHBA-së tek kërcënimi nga Rusia, vendet nordike shpresojnë që vëmendja e rinovuar mbi sigurinë Arktike t’u lejojë të tregojnë vlerën e tyre për Uashingtonin.

Ka dy segmente detare thelbësore ku NATO dhe Rusia do të garojnë për kontroll në rast konflikti në Arktik: hapësira më e njohur GIUK midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar; dhe e ashtuquajtura Bear Gap midis arkipelagut norvegjez Svalbard dhe tokës kryesore të Norvegjisë, duke përfunduar pranë Gadishullit Kola.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, viziton Shtabin e Operacioneve Detare Atomflot, i cili është përgjegjës për sigurimin e navigimit të sigurt në Rrugën Veriore Detare në Murmansk, në mars 2025 © Gaveiil Grigorov/Pool/AFP/Getty Images

Sandvik tha se Norvegjia përdor avionë të njohjes P8, satelitë, dronë me distancë të gjatë, nëndetëse dhe fregata për të monitoruar Bear Gap dhe zonat e tjera. “Kjo është mënyra si NATO mendon për mbrojtjen e kësaj zone në kohë krize të nxehtë. Por, mbi të gjitha, e bëjmë për të shmangur përshkallëzimin dhe për të frenuar Rusinë,” shtoi ai.

Një zyrtar i lartë nordik shtoi se SHBA-ja varet nga këto informacione: “Sigurisht që është një rrugë me dy drejtime. Ne kemi njohuri të mirë për situatën se çfarë po bën Rusia në anën e saj. SHBA-ja gjithashtu mund të përdorë hapësirën tonë ajrore për të monitoruar Rusinë.”

Shumica e interesit në Arktik lidhet me monitorimin e asaj që mund të vijë nga ajri ose nën ujë, dhe jo për veprime në tokë. “Është e pamundur të ‘pushtosh’ Groenlandën. Mund të zgjidhje Nuuk-un, por 95 për qind e saj është borë dhe akull, dhe nuk mund ta marrësh atë,” tha një zyrtar danez.

Trump duket se synon veçanërisht Groenlandën për sistemin e tij të propozuar të mbrojtjes nga raketat Golden Dome, që do të përdorte sensorë, satelitë dhe interceptues për të ndaluar projekte të ndryshme që mund të arrijnë SHBA-në.

SHBA-ja menaxhon objektin kryesor ushtarak në ishullin Arktik, bazën hapësinore Pituffik në verilindje të largët, e përdorur për sistemet radar për paralajmërim të hershëm.

Megjithatë, shumë vende nordike shqetësohen se ka një logjikë të pashmangshme në militarizimin e Arktikut, që deri tani ishte një nga pak rajonet me tension të ulët në botë. Ata theksojnë se rajoni është shtëpia e miliona njerëzve, shumë prej të cilëve janë popullsi indigjene, si në Grenlandë.

“Unë shqetësohem që siguria po dominohet në agjendën Arktike, dhe harrojmë se ka çështje të tjera po aq të rëndësishme si ndryshimi i klimës, infrastruktura, të drejtat e popullsisë indigjene,” tha një tjetër zyrtar i lartë nordik. “Nuk ka shumë përfitime nga militarizimi i Arktikut sepse është një zonë shumë e vështirë për aktivitet.”

Aktualisht, po pranohet gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngadalësuar përforcimin e saj ushtarak në Arktik. “Prania aktuale e forcave në bazat ushtarake Arktike ka rënë pasi disa brigada arktike u dërguan në Ukrainë dhe pësuan humbje të rënda,” tha Ditrych.

Por ekziston gjithashtu njohja se Rusia dhe Kina janë të gatshme të luajnë një lojë afatgjatë në një rajon ku shkrirja e akullit mund të ndryshojë kalkulimet ushtarake dhe ekonomike për dekada. “Është një garë në konkurrencë strategjike në Arktik,” tha Sandvik.

The post Si po përgatitet NATO për luftë në Arktik appeared first on Gazeta Si.

‘Si të votoj sot?’/ Braçe dhe Balla replikë për paratë e pashpenzuara të buxhetit

27 January 2026 at 12:46

Nga Gazeta ‘Si’- Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Taulant Balla janë përfshirë në replika në seancën plenare në Kuvend, sa i takon aktit normativ për rishpërndarjen e buxhetit 2025.

Përmes këtij akti, qeveria parashikon që çdo lek që nuk është shpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar, do të kalojë në llogarinë e pensioneve.

Ky akt normativ duket se ka ‘irrituar’ Braçen, i cili pak javë më parë kishte bërë të njëjtën propozim për buxhetin 2026 përmes një amendimi, ku kërkonte që çdo leke i pashpenzuar të shkonte për pensionet.

Por propozimi i Braçes u rrëzua nga mazhoranca dhe sot Braçe pyeti kreun e grupit të PS se si duhet të votojë, pro apo kundër?

Erion Braçe: Siç ju thashë është tejkaluar plani i të ardhurave nga sigurimet dhe këto para që shkojnë tek pensionistët bëjnë mirë dhe do ishte mirë të shkonin atje. Si të votoj sot kryetar? Se është propozimi im i votuar kundër pak ditë më parë..

Taulant Balla: Jam dakord me shqetësimet që ngrihen për t’u gjendur pranë banorëve, bujqve të prekur nga fenomenet natyrore, jam informuar se pushteti vendor dhe qeveria po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve, si përket aktit normativ që po shqyrtojmë, akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot, ai ose miratohet, ose rrëzohet.

Erion Braçe:Nuk kërkova ndryshim akti, thashë që amendamenti që u rrëzua me votë 5 javë më parë, është sjellë nga qeveria me akt. Dhe pyeta si duhet të votoj unë atëherë votava pro, të gjithë kundër, sot ca duhet të bëj, të votoj kundër?

Petrit Malaj: Nëse do jenë 30 mld të pashpenzuar, do kalojë 30 mld pranë llogarisë së pensioneve.

The post ‘Si të votoj sot?’/ Braçe dhe Balla replikë për paratë e pashpenzuara të buxhetit appeared first on Gazeta Si.

Apeli i GJKKO konfiskon apartamentin e ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja

27 January 2026 at 12:45

Gazeta Si – Me një vendim të formës, Apeli i Posaçëm në GJKKO ka vendosur të konfiskojë një apartament të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja.

Bëhet fjalë për një pasuri të sekuestruar më herët me vendim të Shkallës së Parë në prill të vitit 2025, e cila ishte apeluar nga Dedja.

Por, me dyshimin se kjo pasuri nuk justifikohet me burime të ligjshme, Apeli vendosi që të konfiskohej. Apartamenti është me sipërfaqe 60 m2 dhe ndodhet në zonën e plzhit të Golemit.

Dedja në shtator të 2024 kërkoi pafajësinë e tij në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shfuqizimin e dënimit të dhënë nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit për “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.

Në shkallën e tretë Dedja kërkoi rrëzimin e vendimit të Apelit të Posaçëm të shkurtit 2024, që e dënoi me 6 muaj burg, dënim që u konvertua në 1 vit shërbim prove.

Dedja u vu nën akuzë nga SPAK, pasi u shkarkua nga procesi i Vettingut, pasi nuk kishte deklaruar një apartament në Durrës. Në vijimësi ish-kreu i Kushtetueses ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës.

The post Apeli i GJKKO konfiskon apartamentin e ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja appeared first on Gazeta Si.

Videot dhe të gjitha gënjeshtrat e thëna nga Greg Bovino

27 January 2026 at 12:32

Gazeta Si – Gjenerali von Clausewitz e quajti atë “mjegulla e luftës”, Der Nebel des Krieges. Megjithatë, gjatë Luftrave të Napoleonit, telefonat inteligjentë nuk ekzistonin.

Kjo është arsyeja pse deklaratat e Komandantit të Patrullës Kufitare të SHBA-ve, Gregory Bovino, përgjegjës për Operacionin “Metro Surge” në Mineapolis, po ndryshojnë me shpejtësi në ton, ndërsa mjegulla fillestare largohet: falë imazheve video të xhiruara nga protestuesit.

Të shtunën, menjëherë pas vrasjes së Alex Pretti-t, ai lëshoi ​​deklarata shumë të forta: “Një individ që kishte për qëllim të shkaktonte dëme maksimale dhe të masakronte oficerët e zbatimit të ligjit… iu afrua oficerëve me një pistoletë gjysmëautomatike 9 mm. Oficerët u përpoqën ta çarmatosnin, por ai rezistoi me dhunë. I frikësuar për jetën e tij dhe të kolegëve të tij, një agjent i Patrullës Kufitare qëlloi në vetëmbrojtje. Ky është vetëm sulmi i fundit ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit”.

Por më pas u publikuan imazhe që tregonin qartë një oficer që hiqte armën nga këllëfi i Pretti-t dhe largohej rreth një sekondë para se të dëgjoheshin të shtënat (ndoshta dhjetë) nga një ose dy oficerë, ndërsa viktima ishte e paarmatosur.

Kështu, “Bovino II” u rikthye në media, si të dielën ashtu edhe dje: më i kujdesshëm, pothuajse si avokat.

“I dyshuari hyri në vendngjarje duke mbajtur një armë (e vërtetë, por ai e mbante atë në një këllëf nën xhaketë. Kur dikush zgjedh të ndërhyjë në një skenë aktive ku veprojnë forcat e rendit, të ndërhyjë, të pengojë, të vonojë ose të sulmojë një oficer dhe… dhe mban një armë… kjo është një zgjedhje që individi ka bërë. Të drejtat e Amendamentit të Dytë (për të blerë lirisht dhe, në kushte të caktuara, për të mbajtur armë zjarri, nuk llogariten kur shpërthen një trazirë dhe forcat e rendit sulmohen… Vdekja ishte e shmangshme. Ai nuk duhej të kishte ndërhyrë… Oficeri që qëlloi? Ai është ekspert”.

Dhe në një intervistë me CNN, Bovino, kur gazetari theksoi se viktima nuk mbante armë në dorën e djathtë, por një telefon, dhe ai kishte pohuar të kundërtën, devijoi: “Oficerët tanë ishin në një mjedis me rrezik të lartë dhe stres të lartë. Individi po pengonte në mënyrë aktive një operacion të zbatimit të ligjit. Ai ishte i armatosur. Pavarësisht nëse arma ishte në dorën e tij në momentin e saktë të afrimit, apo në brez, ai ishte ende një kërcënim vdekjeprurës që kishte depërtuar në ndërhyrjen e oficerëve”.

Dhe pyetjes së qartë, “si mundet një burrë në tokë, pa armë, të paraqesë një kërcënim vdekjeprurës?”, ai ofroi një përgjigje jo: “Nuk do të kundërshtoj një klip video tre sekondësh të parë në TV. Kjo është një situatë në zhvillim. Oficerët tanë duhet të marrin vendime të çastit. Kur dikush zgjedh të ndërhyjë në një skenë aktive të zbatimit të ligjit, të ndërhyjë dhe të mbajë një armë për ta bërë këtë, kjo është një zgjedhje që ata kanë bërë”.

Kështu, “Bovino II” gjithashtu i dha fund përdorimit fillestar të fjalës “masakër”: “Ky individ ishte pjesë e një grupi që ka qenë vazhdimisht armiqësor ndaj misionit tonë. Ai mbërriti në vendngjarje me një armë të mbushur dhe disa karikatorë. Ne nuk presim që oficeri i parë të vritet përpara se të neutralizojmë një kërcënim. Vdekja ishte e shmangshme. Ai nuk duhej të kishte ndërhyrë”.

Kristi Noem, Sekretare e Sigurisë Kombëtare (DHS), mbeti e vendosur në deklaratat e saj agresive fillestare: “Ky individ mbërriti në vendngjarje për të shkaktuar dëm maksimal dhe për të vrarë forcat e rendit. Z. Pretti mbërriti me armë dhe municione për të prishur një operacion policor të kryer nga agjentë federalë. Ai është një terrorist që u infiltrua në një skenë të policisë federale me qëllimin për të dëmtuar ata që mbrojnë kufijtë dhe ligjet tona. Ne nuk do t’u kërkojmë falje oficerëve që mbrojnë jetën e tyre nga agjitatorët e armatosur. Kam parë videot e qarkulluara nga aktivistët. Ato janë shumë të montuara dhe nuk tregojnë shkallën e plotë të kërcënimit… Nuk mund të gjykosh një luftë për jetë a vdekje bazuar në një video tre sekondëshe të xhiruar me një celular nga ana tjetër e rrugës. Ai po mbante një armë kur iu afrua agjentëve federalë!”

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Videot dhe të gjitha gënjeshtrat e thëna nga Greg Bovino appeared first on Gazeta Si.

India përballet me shpërthimin e virusit Nepah: Rrezikon të jetë pandemia e ardhshme

27 January 2026 at 12:26

Të paktën pesë persona në shtetin e Bengalit Perëndimor të Indisë kanë rezultuar pozitivë për virusin Nipah, një infeksion vdekjeprurës që vret më shumë se dy të tretat e të infektuarve.

I përket të njëjtës familje si fruthi dhe, ashtu si fruthi, është shumë ngjitës.

Raportet lokale sugjerojnë se pothuajse 100 persona, të gjithë të cilët kanë qenë në kontakt me njerëz të infektuar nga virusi, janë vendosur në karantinë dhe janë nën vëzhgim.

Sipas Outbreak News Today, Robert Herriman, mikrobiolog, një mjek, një infermier dhe një punonjës shëndetësor janë midis të infektuarve.

Rastet e reja ishin të gjitha të lidhura me të njëjtin spital privat në Barasat, pranë kryeqytetit të Kolkatës, ku dy infermierë rezultuan pozitivë për herë të parë në fillim të këtij muaji.

“Burimi më i mundshëm i infeksionit është një pacient që ishte shtruar më parë në të njëjtin spital”, tha gjithashtu një zyrtar shëndetësor i Bengalit Perëndimor për Telegraph.

“Ky individ po trajtohet si rasti zero dhe hetimet janë duke vazhduar.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e liston Nipah si një virus me potencial pandemie.

Vitin e kaluar, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA) e përfshiu Nipah në listën e saj të 24 sëmundjeve që konsiderohen kërcënimet më të mëdha të ardhshme për shëndetin publik.

Nipah, i cili frymëzoi filmin e suksesshëm ‘Contagion’ me Gëyneth Paltroë në rolin kryesor, është një virus zoonotik. Kjo do të thotë se mund të transmetohet nga kafshët te njerëzit, shpesh nga lakuriqët e natës dhe derrat.

Ngjashëm si virusi në film, i cili përqendrohet rreth një pandemie globale, ai sulmon trurin, mund të përhapet nga njeriu në njeri dhe ka një shkallë vdekshmërie deri në 75 për qind.

Nga ata që i mbijetojnë, rreth 20 për qind mbeten me gjendje neurologjike afatgjata, duke përfshirë ndryshime të personalitetit ose çrregullime të krizave.

Për krahasim, vlerësimet sugjerojnë se shkalla e vdekshmërisë nga Covid është pak mbi një për qind.

Në përgjigje të rasteve të reja, disa vende indiane janë udhëzuar nga autoritetet shëndetësore të forcojnë mbikëqyrjen për Sindromën e Encefalitit Akut (AES), një term i gjerë për inflamacionin e trurit që mund të shkaktohet nga infeksioni Nipah.

“Personat e shtruar në spital me AES, veçanërisht ata me histori udhëtimi ose kontakti të lidhur me Bengalin Perëndimor, duhet të monitorohen dhe vlerësohen nga afër për infeksion të mundshëm të virusit Nipah”, thuhej në një këshillë të lëshuar nga autoritetet në Tamil Nadu, në Indinë jugore.

“Spitalet qeveritare dhe private duhet të njoftohen për situatën e virusit Nipah dhe të udhëzohen të njoftojnë menjëherë të gjitha rastet e AES”, shtohej në të.

Shkencëtarët kanë thënë më parë se Nipah mund të jetë “absolutisht shkaku i një pandemie të re”.

Dr. Rebecca Dutch, kryetare e Universitetit të Kentucky-t dhe lidere botërore në studimin e viruseve, tha se shpërthimet e virusit Nipah ndodhin periodikisht dhe është “jashtëzakonisht e mundshme” që të shohim më shumë.

“Nipah është një nga viruset që mund të jetë absolutisht shkaku i një pandemie të re. Disa gjëra rreth Nipah janë shumë shqetësuese.”

India ka vuajtur nga disa shpërthime të Nipah që kur virusi u zbulua për herë të parë atje në vitin 2001, më vdekjeprurësi që goditi Bengalin Perëndimor, ku 45 nga 66 persona të infektuar vdiqën.

Shpërthime të tjera janë raportuar në Bangladesh, Malajzi, Filipine dhe Singapor.

Ekspertët besojnë se ka pasur një rritje të rasteve për shkak të kafshëve që jetojnë në afërsi të njerëzve për shkak të humbjes së habitatit.

Njerëzit gjithashtu mund ta marrin sëmundjen duke ngrënë ushqime të kontaminuara me urinë ose pështymë nga kafshët e infektuara ose nëpërmjet kontaktit të ngushtë me njerëzit që tashmë e kanë atë.

Njerëzit e infektuar me virusin Nipah mund të mos shfaqin asnjë simptomë.

Por shumë prej tyre zhvillojnë infeksione akute të frymëmarrjes, kriza dhe AES, ënjtje fatale të trurit.

Encefaliti dhe krizat ndodhin vetëm në raste të rënda dhe mund të përparojnë në komë brenda 24 deri në 48 orësh.

Zakonisht duhen nga katër ditë deri në dy javë që njerëzit të zhvillojnë simptoma pasi të jenë infektuar.

Megjithatë, në disa raste ka zgjatur deri në 45 javë, sipas OBSH-së.

Aktualisht nuk ka vaksinë të miratuar për të parandaluar infeksionet me virusin Nipah dhe as trajtim për ta kuruar atë.

Megjithatë, shkencëtarët e Oksfordit kanë zhvilluar vaksinën e parë kundër Nipah që ka hyrë në provat njerëzore, me testet e hershme që janë duke u zhvilluar tashmë.

The post India përballet me shpërthimin e virusit Nepah: Rrezikon të jetë pandemia e ardhshme appeared first on Gazeta Si.

Malaj: 150 mln euro të pashpenzuara nga institucionet në 2025-n, kalojnë tek ndihma sociale

27 January 2026 at 12:11

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend aktin e ri normativ për buxhetin 2025, që e lejon të kalojë në fondin e ndihmës ekonomike, çdo para të pashpenzuar nga institucionet, rreth 150 mln euro në total.

Ministri Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.

“Me këtë akt normativ siguruam mbështetjen e shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve.  Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë. Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arrin në vlerën 25.6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro. Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht dhe në vizionin minimalist do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro.

Gjatë fjalës së tij, ministri tha se pritet që rritja ekonomike e 2025-s të jetë 3.9%.

The post Malaj: 150 mln euro të pashpenzuara nga institucionet në 2025-n, kalojnë tek ndihma sociale appeared first on Gazeta Si.

Bardhi: E kthyet Kuvendin në bunker korrupsioni

27 January 2026 at 11:55

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi theksoi në Kuvend se sipas tij qeveria socialiste, në 13 vitet e pushtetit, është përpjekur që ta imponojë korrupsionin si reformë, propagandën si integrim dhe kontrollin si drejtësi.

Nga Foltorja e Kuvendit, ku mbajti fjalën e tij, Bardhi, theksoi se socialistët për të mbrojtur karrigen e tyre kanë zgjedhur t’i nënshtrohen paligjshmërisë së “diktuar nga  Edi Rama dhe Belinda Balluku kundër SPAK-ut”.

“Dhe e keqja është se asgjë nuk ndodh rastësisht. Pas çdo bllokimi, pas çdo paligjshmërie, pas çdo sulmi ndaj drejtësisë, qëndron Edi Rama me modelin e tij antidemonokratik të ushtrimit personal të pushtetit. Ky nuk është thjesht një Kryeministër që toleron korrupsionin. Është një Kryeministër që e orienton, e mbron dhe e përdor korrupsionin si mjet qeverisjeje.  Korrupsioni këto 13 vjet nuk është aksident. Është mënyra se si merren vendimet nga qeveria e Edi Ramës. Është mënyra se si shpërndahen paratë publike. Është mënyra se si mbahet pushteti. Korrupsioni është vetë sistemi”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te një vendim, zyrtar apo institucion i vetëm, por tek kryeministri që e ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe në mburojë personale.

“Prandaj, sot, problemi i këtij vendi nuk është një vendim i vetëm, një zyrtar i vetëm apo një institucion i vetëm. Problemi është një Kryeministër që ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe sistemin në mburojë personale. Problemi është një Kryeministër që ka sundon mbi ligjin, mbi Parlamentin dhe mbi drejtësinë.”, tha Bardhi.

I vetmi pushtet, sipas tij, që nuk ka kapur Rama është opozita, që vijon denoncimet, si dhe ndërgjegja qytetare.

“Megjithatë, akoma ka një gjë që ky pushtet nuk e kontrollon dot: opozitën dhe ndërgjegjen qytetare. Ne nuk jemi këtu për të pranuar fatin që na cakton Edi Rama. Nuk jemi këtu për të heshtur. Nuk jemi këtu për t’u mësuar me padrejtësinë. Nuk jemi këtu për të pranuar që Shqipëria të qeveriset nga frika.”, shtoi ai.

The post Bardhi: E kthyet Kuvendin në bunker korrupsioni appeared first on Gazeta Si.

Akt-ekspertimi i ‘faksit për Shkëlzenin’, GJKKO rrëzon kërkesën e Fatmir Mediut

27 January 2026 at 11:35

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme refuzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për kryerjen e një akt-ekspertimi daktilografik të shënimit “Për Shkëlzen Berishën”, në një faks të paraqitur si provë nga SPAK në dosjen “Gërdeci”.

Në seancë avokatët e ish-ministrit të akuzuar për “shpërdorim të detyrës” pretenduan se në aktet e dosjes të vënë në dispozicion gjykata, mungojnë 40 akte shkresore të referuara nga prokuroria.

Për t’ju vënë në dispozicion mbrojtësve këto materiale, gjykata shtyu seancën për në 10 shkurt.

Në provat e SPAK, pjesë është dhe faksi i nisur nga zyra e ish-ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Aldo Bumçi, në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila mbante shënim emrin e Shkëlzen Berishës, ‘Për Shkëlzenin’, djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

I thirrur në dhjetor 2023 në SPAK për këtë çështje në cilësinë e dëshmitarit, Shkëlzen Berisha ka mohuar të ketë lidhje apo dijeni me këtë faks, që mban emrin e tij.

SPAK dyshon se faksi i vitit 2007, ku ishte shënuar emri i Shkëlzen Berishës, besohet se ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.

Ministria e Drejtësisë, me ministër asokohe, Aldo Bumçin ka qenë një nga organet kompetente për të gjithë praktikën e ndërtimit të fabrikës së armëve.

Dëshmia mbështetet nga ish-sekretarja e Aldo Bumçit dhënë para prokurorëve, e cila ka pranuar më herët se Shkëlzeni ka shkuar në zyrë, e më pas Aldo Bumçi ka përcjellë porosinë për tek zyra private e Shkëlzenit në Ministrinë e Mbrojtjes. 

Faksi është sekuestruar nga Prokuroria në materialet e gjetura pas tragjedisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Për këtët, SPAK gjithashtu ka kërkuar që në pyetje të merret dhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”.

Ndërsa vijon gjyqi ndaj Fatmir Mediut, aktualisht kryetari i Partisë Republikane dhe deputet në Parlament. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e cilësuar çështjen si të motivuar politikisht.

Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe shpërdorim detyre” në kuadër të zinxhirit komandues ushtarak në lidhje me çmontimin e municioneve në punishten e Gërdecit.

The post Akt-ekspertimi i ‘faksit për Shkëlzenin’, GJKKO rrëzon kërkesën e Fatmir Mediut appeared first on Gazeta Si.

Pse qumështi formulë po tërhiqet në të gjithë Europën

27 January 2026 at 11:19

Nga Gazeta Si- Gjigantët globalë të qumështit vazhdojnë tërheqjen e qumështit formulë për foshnja mes skandalit të kontaminimit me cereulidë, ndërsa Franca heton vdekjen e dy foshnjave.

Pas një tërheqjeje globale të qumështit formulë për foshnje nga disa prej kompanive më të mëdha në botë, autoritetet franceze po hetojnë vdekjen e dy foshnjave që raportohet se kanë konsumuar formulë Nestle të prekura nga tërheqjet për shkak të kontaminimit me cereulidë.

Ministria Franceze e Shëndetësisë konfirmon se nuk është vërtetuar shkencërisht asnjë lidhje shkakësore.

Nestlé tha se vazhdon të ndjekë zhvillimet dhe po bashkëpunon me transparencë të plotë për të ofruar çdo informacion të kërkuar.

Qeveria në Belgjikë konfirmoi se një foshnjë u sëmur në janar 2026 pasi konsumoi formulë për foshnje Nestlé të kontaminuar.

“Fëmija villte dhe kishte diarre, por për fat të mirë u shërua plotësisht pas rreth 10 ditësh. Nëpërmjet mostrave të jashtëqitjes nga foshnja, ne ishim në gjendje të konfirmonim se foshnja ishte sëmurë për shkak të kontaminimit me cereulidë nga një produkt qumështi Nestle”, tha Joris Moonens, zëdhënës i Departamentit të Kujdesit.

Ata konfirmuan se numri i serisë së produktit të qumështit që shkaktoi sëmundjen e foshnjës është pjesë e tërheqjes së formulës në të gjithë Belgjikën.

Çfarë është cereulidi dhe cilat janë efektet e tij tek foshnjat?

Cereulidi është një toksinë rezistente ndaj nxehtësisë e prodhuar nga bakteret Bacillus cereus që mund të rriten në ushqim.

Simptomat më të zakonshme të një infeksioni të mundshëm me cereulidë janë të vjellat dhe diarreja menjëherë pas gëlltitjes së qumështit midis 30 minutave dhe tre orësh, simptoma shumë të ngjashme me një grip stomaku.

Kur filloi kontaminimi?

Filloi në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Më 10 dhjetor, Nestlé France njoftoi tërheqjen e formulës për foshnje të prodhuar në fabrikën e saj në Nunspeet, Holandë, nën dyshimin për kontaminim me cereulidë.

Kontaminimi është gjurmuar te një furnizues i vetëm kinez i vajit ARA (acid arakidonik), një përbërës kritik në formulat premium për foshnje.

Të gjithë prodhuesit e formulës për foshnje në të gjithë botën që përdorin vaj ARA nga ky furnizues duhet të kryejnë analizën e tyre të riskut për të siguruar sigurinë e produkteve të tyre të gatshme, tha Ministria Franceze e Bujqësisë për Euroneës Health.

Në fillim të janarit 2026, Nestlé e zgjeroi tërheqjen në seri të tjera të formulës për foshnje në 60 vende, duke prekur marka të shumta si SMA, Beba, Guigoz dhe Alfamino.

Kompani të tjera të prekura

Në janar, kompania franceze Lactalis kontaktoi autoritetet për t’i informuar ata se po vlerësonte situatën, duke pasur parasysh mundësinë që disa seri mund të kenë përfshirë vaj arakidonik nga i njëjti furnizues.

Pas përfundimit të analizës, Lactlis arriti në përfundimin se ekzistonte një rrezik i mundshëm i lidhur me disa grupe formulash për foshnje në treg dhe tërhoqi grupe të markës së saj të formulës për foshnje Picot, të shpërndara në 18 vende.

Grupet e prekura kanë qenë në shitje që nga janari 2025 me data skadimi deri në mars 2027.

Danone ka konfirmuar gjithashtu tërheqjet e grupeve të synuara për shkak të ndotjes së mundshme me cereulide në vajin ARA, kryesisht Aptamil dhe markat e lidhura në të gjithë Europën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Azinë.

Dy kompani të tjera, Vitagermine dhe Hochdorf Swiss Nutrition, kanë tërhequr gjithashtu grupe të formulës për foshnje në Francë dhe Zvicër, përkatësisht.

The post Pse qumështi formulë po tërhiqet në të gjithë Europën appeared first on Gazeta Si.

Izraeli dhe Shqipëria: Një miqësi e papritur

27 January 2026 at 11:11

Nga Gazeta ‘Si’-Këtë javë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi vizitën e tij zyrtare në Izrael dhe mbajti një fjalim në Knesset, një moment që mbart peshë historike dhe simbolike. 

Fjalimi i një udhëheqësi nga një vend me shumicë myslimane përpara organit legjislativ të Izraelit është një moment i rrallë, i bërë edhe më domethënës nga pjesëmarrja e tij në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit, të organizuar nga ministri për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli.

Në pamje të parë, Izraeli dhe Shqipëria duken një çift i pamundur. Njëri është një shtet i Lindjes së Mesme që përballet me kërcënime të vazhdueshme nga të gjitha anët, ndërsa përpiqet të modernizojë rajonin; tjetri, një vend i vogël ballkanik me një të kaluar komplekse dhe një të tashme në modernizim të shpejtë.

Por në praktikë, marrëdhënia mes tyre nuk është ndërtuar mbi leverdi të përkohshme, por mbi vlera të përbashkëta, qartësi morale, qëndrueshmëri dhe instinktin për të qenë në anën e duhur të historisë.

Kjo bazë u hodh gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit. Gjatë Holokaustit, Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që doli nga lufta me më shumë hebrenj sesa kishte para saj. E udhëhequr nga Besa — kodi i lashtë shqiptar i nderit, që nënkupton një premtim të shenjtë për të mbrojtur tjetrin — familje myslimane shqiptare strehuan hebrenj, falsifikuan dokumente dhe rrezikuan jetën pa hezitim.

Sipas Yad Vashem, shqiptarët strehuan rreth 2,000 refugjatë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dhjetëra prej tyre janë njohur si “Të Drejtë mes Kombeve”. Për shqiptarët, shpëtimi i hebrenjve nuk ishte akt heroizmi; ishte detyrim moral.

Ky sens përgjegjësie nuk përfundoi me luftën. Shqipëria ishte ndër vendet e para që njohu Shtetin e Izraelit në vitin 1949 dhe ruajti marrëdhënie diplomatike edhe në periudha kur një gjë e tillë kishte kosto politike. Për Izraelin, një shtet i ndërtuar nga të mbijetuarit dhe i mbajtur gjallë nga kujtesa historike , kjo vazhdimësi ka një domethënie të thellë.

Në ditët e sotme, ky mirëbesim historik është shndërruar në bashkëpunim konkret. Izraeli dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të forta diplomatike dhe bashkëpunojnë në fusha si teknologjia, siguria kibernetike, bujqësia, energjia dhe turizmi. Kur Shqipëria u godit nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, Izraeli ishte ndër vendet e para që ofroi ndihmë, duke dërguar ekipe shpëtimi dhe asistencë humanitare në një moment krize kombëtare. Vendimi i Shqipërisë në vitin 2021 për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem nuk ishte thjesht simbolik; ai pasqyroi një marrëdhënie të ndërtuar mbi reciprocitet, besim dhe koherencë morale brenda një kuadri evropian dhe pro-NATO.

Shqipëria i ofron Izraelit diçka gjithnjë e më të rrallë në diplomacinë ndërkombëtare: një partner europian me shumicë myslimane që ndërthur kredibilitetin moral me përfaqësim pragmatik ndërkombëtar. Ajo i siguron Izraelit mirëkuptim diplomatik në Ballkan, shërben si urë lidhëse me audienca myslimane të moderuara dhe si një zë i besueshëm në forume ndërkombëtare që nuk është instinktivisht armiqësor ndaj Izraelit.

Tashmë, mundësia është që kjo marrëdhënie të ngrihet në një nivel më të lartë. Kryeministri Benjamin Netanyahu mund t’i forcojë lidhjet duke e shndërruar Shqipërinë nga një aleat i heshtur në një partner strategjik të dukshëm, përmes zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë, rritjes së shkëmbimeve në nivele të larta dhe investimit në nisma kulturore e arsimore që ruajnë kujtesën e përbashkët historike.

Pozicionimi i Shqipërisë si një model i marrëdhënieve konstruktive myslimano-hebraike do t’i shërbente jo vetëm interesave dypalëshe, por edhe qëndrimit më të gjerë diplomatik të Izraelit.

Në një kohë kur miqësitë diplomatike janë të brishta dhe gjithnjë e më shumë transaksionale, marrëdhënia Izrael–Shqipëri qëndron veçmas. Ajo është e qëndrueshme, e udhëhequr nga vlerat dhe rezistente — dhe ka ende potencial të madh për t’u zhvilluar më tej./ Times of Israel

The post Izraeli dhe Shqipëria: Një miqësi e papritur appeared first on Gazeta Si.

BE-ja drejt Lindjes/ Dakordëson marrëveshjen tregtare historike me Indinë

27 January 2026 at 11:05

Bashkimi Europian dhe India kanë dakordësuar një marrëveshje të tregtisë së lirë pas gati dy dekadash negocimi, në një kohë që të dy vendet kërkojnë t’i shmangen tarifave të Trump.

“Kemi rënë dakord për një marrëveshje, që është ‘mëma’ e të gjitha marrëveshjeve”, shkroi në X, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

“Ne kemi krijuar një zonë të tregtisë së lirë prej dy miliardë banorësh, ku të dyja palët do të përfitojnë.” Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa janë në Nju Delhi për të shënuar këtë moment.

Kryeministri indian Narendra Modi, i cili njoftoi përfundimin më herët gjatë ditës, tha se marrëveshja do të forcojë sektorët e prodhimit dhe shërbimeve të Indisë duke rritur besimin e investitorëve në ekonominë e tretë më të madhe të Azisë.

India dhe Bashkimi Europian kanë rënë dakord për një marrëveshje të tregtisë së lirë, e cila synon uljen e tarifave për shumicën e mallrave të konsumit dhe industriale që tregtohen mes Indisë dhe vendeve anëtare të BE-së.

Sipas një njoftimi për shtyp të Komisionit Europian të publikuar të martën, marrëveshja pritet të dyfishojë eksportet e mallrave të BE-së drejt Indisë deri në vitin 2032, përmes eliminimit ose uljes së tarifave për 96.6% të eksporteve të BE-së në Indi. Produktet e përfshira variojnë nga automjetet dhe mallrat industriale, te vera, çokollatat dhe makaronat. Ndërkohë, BE-ja do të eliminojë ose ulë tarifat për 99.5% të mallrave të importuara nga India brenda një periudhe shtatëvjeçare, sipas Ministrisë indiane të Tregtisë dhe Industrisë.

Përfundimi i negociatave, pas vitesh bisedimesh të ndërprera, pasqyron ndryshimet e shpejta në rreshtimin global nën presidencën e Donald Trump në SHBA. BE-ja, pavarësisht përplasjeve të gjata me zyrtarët indianë për çështje tregtare, po përqendrohet gjithnjë e më shumë në reduktimin e varësisë ekonomike nga SHBA-ja dhe Kina. Në të njëjtën kohë, India po përpiqet të heqë etiketën e proteksionizmit dhe të kompensojë tarifat 50% të vendosura nga Trump, duke balancuar njëkohësisht marrëdhëniet e saj me Rusinë.

Sipas Amitendu Palit, drejtues i kërkimit për tregtinë dhe ekonominë në Institutin e Studimeve të Azisë Jugore, vendet janë gjithnjë e më të gatshme të “varrosin sëpatën e luftës” në një “atmosferë pasigurie” të krijuar nga politikat e Trump. “Diversifikimi është absolutisht thelbësor,” tha ai. “Ky është thelbi i lojës.”

Kjo është marrëveshja më ambicioze tregtare që India ka nënshkruar ndonjëherë. Nju Delhi ka rënë dakord të lejojë deri në 250,000 automjete të prodhuara në Europë të hyjnë në tregun indian me tarifa preferenciale, një kuotë më shumë se gjashtë herë më e madhe se ajo e marrëveshjeve të mëparshme, sipas Bloomberg. Gjithashtu, India do të ulë gradualisht tarifat për verërat premium europiane nga 150% në 20%, sipas një dokumenti të Komisionit Europian.

Marrëveshja i jep Indisë një avantazh konkurrues në eksportin e mallrave intensive në fuqi punëtore që janë goditur rëndë nga tarifat e larta të Trump, si veshjet, gurët dhe bizhuteritë, si edhe këpucët. BE-ja ka ofruar gjithashtu angazhime detyruese për lëvizshmërinë e studentëve dhe vizat pas studimeve, si dhe koncesione në 144 sektorë shërbimesh. Sektori i bulmetit është përjashtuar nga marrëveshja me kërkesë të Indisë.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht pas përfundimit të shqyrtimit ligjor, i cili mund të zgjasë rreth gjashtë muaj. Ajo do të duhet gjithashtu të ratifikohet nga Parlamenti Europian.

Njoftimi vjen disa javë pasi India nënshkroi marrëveshje tregtare me Zelandën e Re dhe Omanin. Pak ditë më parë, BE-ja përfundoi gjithashtu një marrëveshje të veçantë tregtare me bllokun Mercosur të Amerikës së Jugut, një tjetër hap në përpjekjet e BE-së për t’u shkëputur nga varësia ndaj SHBA-së dhe Kinës. Edhe kjo marrëveshje ende pret ratifikimin nga ligjvënësit evropianë.

Kryeministri Narendra Modi po kërkon njëkohësisht tregje të reja për Indinë, një vend që Trump dikur e quajti “mbreti i tarifave”. Marrëveshja e së martës ishte e katërta e nënshkruar nga Modi që prej majit të kaluar, pas atyre me Mbretërinë e Bashkuar, Omanin dhe Zelandën e Re.

Në vijim, India synon partneritete tregtare me bllokun Mercosur, Kilin, Perunë dhe Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, për të siguruar burime strategjike dhe për të zgjeruar ndikimin global të vendit.

Tregtia dypalëshe mes BE-së dhe Indisë arriti në 136.5 miliardë dollarë në vitin fiskal indian që përfundoi në mars 2025. BE-ja përbën mbi 17% të eksporteve totale të Indisë, ndërsa India është partneri i nëntë më i madh tregtar i BE-së.

Partneriteti i sigurisë

BE-ja dhe India po thellojnë gjithashtu bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke shpallur një partneritet të ri sigurie. Marrëveshja ka kryesisht vlerë politike dhe është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të zgjeruar aleancat e saj, në një kohë kur Trump po trondit marrëdhëniet transatlantike. BE-ja ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme së fundmi edhe me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.

Negociatat hasën vështirësi në momentet e fundit për shkak të mospajtimeve lidhur me përmendjen e pushtimit rus të Ukrainës, çështje që u hoq përfundimisht nga teksti final. Megjithatë, partneriteti hap rrugën për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, sigurinë detare dhe mundësinë e stërvitjeve të përbashkëta detare./Bloomberg

The post BE-ja drejt Lindjes/ Dakordëson marrëveshjen tregtare historike me Indinë appeared first on Gazeta Si.

Vrasjet në Minesota, shefi i ICE dhe disa agjentë federalë largohen nga qyteti

27 January 2026 at 11:04

Gazeta Si – Sipas të gjitha gazetave kryesore amerikane, duke cituar burime burime anonime qeveritare, Gregory Bovino do të largohet nga Minesota të martën së bashku me disa agjentë të Patrullës Kufitare, policinë federale përgjegjëse për emigracionin dhe kontrollin kufitar.

Largimi i tij sinjalizon një ndryshim në qasjen e Donald Trump ndaj operacioneve anti-emigracion, për të cilat Bovino kishte qenë komandanti operacional “de facto” në muajt e fundit dhe për të cilat administrata ishte kritikuar ashpër, si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe jashtë saj.

Bovino, 55 vjeç, ka qenë me Patrullën Kufitare për 30 vjet, duke bashkëpunuar shpesh me ICE për çështjet e emigracionit.

Administrata e Donald Trump e emëroi atë në tetor 2025, duke e ngarkuar me drejtimin e operacioneve fillimisht në Çikago, pastaj në Charlotte, New Orleans dhe së fundmi në Minneapolis.

Roli i tij nuk ishte një mandat zyrtar brenda hierarkisë së Patrullës Kufitare (e cila ka një shef, Michael Banks), por u krijua posaçërisht nga administrata.

Prandaj, Bovino raportonte drejtpërdrejt te Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem. Sipas gazetave të ndryshme, ai tani pritet të kthehet në rolin e tij si mbikëqyrës i Patrullës Kufitare në Kaliforni dhe sipas “The Atlantic”, ai pritet të dalë në pension së shpejti.

Metodat e tij jo-ortodokse ishin përfolur prej kohësh, por në javët e fundit, Bovino ishte kritikuar veçanërisht për mbrojtjen e dhunës së dokumentuar nga agjentët e ICE në Minneapolis, madje duke shkuar aq larg sa të mbështeste versione qartësisht të rreme të ngjarjeve në vrasjet e Renee Good dhe Alex Pretti.

Në rastin Pretti-t në veçanti, Bovino kishte thënë se 37-vjeçari ishte gati të “masakronte agjentët”, një pretendim i kundërshtuar nga disa video që qarkulluan më pas.

Sipas raportimeve të ndryshme, presidenti Trump ishte i shqetësuar nga kritikat dhe për këtë arsye vendosi ta shkarkonte Bovinon.

Në vend të tij, Trump tha se do të dërgojë Tom Homan në Minesota, të cilin gazetat amerikane e quajnë “Cari i kufirit” (është një titull joformal në zhargonin politik amerikan që i referohet një zyrtari përgjegjës për një çështje specifike).

Homan nuk është i moderuar, por ai përdor metoda më tradicionale: në vend të bastisjeve shtëpi më shtëpi, ai mbështet operacionet e synuara pas hetimeve, të cilat shmangin shkaktimin e panikut midis popullsisë.

Në një demonstrim të tensionit të vazhdueshëm në Minesota, disa protestues u mblodhën të martën jashtë hotelit ku besohej se Bovino po qëndronte me agjentë të Patrullës Kufitare në Maple Grove, pranë “qyteteve binjake” të Minneapolis dhe St. Paul. Pasuan disa përleshjet dhe 26 persona u arrestuan nga policia.

The post Vrasjet në Minesota, shefi i ICE dhe disa agjentë federalë largohen nga qyteti appeared first on Gazeta Si.

‘NFL’ njeh finalistët e sezonit 2025

27 January 2026 at 10:51

Nga Gazeta “Si” – Seattle Seahawks do të përballet me New England Patriots në “Super Bowl 60”.

Finalja e “NFC” ishte një duel spektakolar në Seattle, ku “quarterback-u” i Seahawks, Sam Darnold, dhe homologu i tij te Rams, Matt Stafford kryen secili 3 pasime për “touchdown”, përpara se vendasit të rezistonin deri në fund për fitoren 31-27.

Ndërkohë, mbrojtjet dominuan finalen e “AFC”, ku Patriots arritën një fitore minimale 10-7 ndaj Denver Broncos në një stuhie bore.

“Quarterback-u” Drake Maye, rivali kryesor i Stafford për çmimin “Lojtari më i Vlefshëm – MVP” i këtij sezoni, vrapimoi për “touchdown-in” e vetëm të New England, duke i siguruar ekipit pjesëmarrjen e 12-të në “Super Bowl” — rekord absolut — dhe të parën që nga viti 2019, kur Tom Brady e udhëhoqi drejt titullit të 6 kampion në NFL.

Finalja e këtij viti të NFL-së do të jetë një rikthim i “Super Bowl-it” të vitit 2015, kur Patriots mposhtën Seahawks 28-24, duke u mohuar atyre fitimin e 2 titujve radhazi.

Kjo është hera e 4 që Seattle arrin në Finalen e madhe të “NFL”, por titullin e vetëm e ka fituar në vitin 2014.

“Super Bowl 60” do të zhvillohet të dielën, më 8 Shkurt, në “Levi’s stadium” në Santa Clara të Kalifornisë.

The post ‘NFL’ njeh finalistët e sezonit 2025 appeared first on Gazeta Si.

Filmi ‘Cinema Paradiso’ është xhiruar në një fshat arbëresh

27 January 2026 at 10:49

Gazeta “SI”- Cinema Paradiso është një nga filmat italianë më të bukur të të gjitha kohërave, i cili ka fituar pothuajse të gjitha çmimet e mundshme, nga Oscar, Golden Globe deri te Festivali i Kanës.

Por çfarë lidhjeje ka ky film me arbëreshët?

Aktorët nuk janë arbëreshë, por filmi është xhiruar në Palazzo Adriano, një komunë arbëreshe pranë Sicilisë. Arbëreshi Franco Calima e ka shpjeguar këtë lidhje në rrjetin e tij social Facebook, duke treguar se si ky fshat u bë pjesë e pandashme e historisë së filmit.

Filmi rrëfen historinë e Totos dhe Alfredos, ndërkohë që një nga boshtet kryesore të tij është dashuria mes Totos dhe Elenës. Ai është xhiruar në Palazzo Adriano, me regji të Giuseppe Tornatores dhe me muzikë të pavdekshme nga Ennio Morricone.

Nëse e vizitojmë sot Palazzo Adrianon, aty do të gjejmë ende të gjithë skenografinë e filmit. Duke filluar nga sheshi me shatërvanin në mes, i cili gjatë xhirimeve u përshtat si një nga skenat më ikonike të filmit. Ky shesh është edhe sot qendra e fshatit, me dy kishat që përfshihen në film: një kishë bizantine dhe një kishë latine.

Në fshat ndodhet gjithashtu edhe Muzeu i filmit “Cinema Paradiso”. Nëse hyn në këtë muze, në fakt hyn brenda vetë filmit. Aty gjenden biçikleta e Alfredos, projektori me të cilin shfaqeshin filmat në kinemanë Paradiso, si dhe shumë objekte dhe fotografi origjinale nga seti i xhirimit.

Nëse shëtisim nëpër fshat, gjejmë edhe shtëpinë e Alfredos dhe shtëpinë e Totos, i cili është protagonisti i filmit.

Kështu, ky fshat arbëresh u shndërrua në skenën e një prej filmave më të vlerësuar në historinë e kinematografisë botërore, duke u bërë një pjesë e pandashme e këtij prodhimi gjigant. Në nderim të filmit, sot në fshatin Palazzo Adriano organizohet edhe festivali i filmit “Paradiso Film Festival”.

The post Filmi ‘Cinema Paradiso’ është xhiruar në një fshat arbëresh appeared first on Gazeta Si.

Sejko: Rënia e popullsisë do vazhdojë dhe do ndikojë politikën monetare. Na duhen reforma!

27 January 2026 at 10:48

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë të përbashkët me përfaqësues të BERZH, u shpreh se presionet demografike në Shqipëri pritet të vazhdojnë dhe kjo do të ushtrojë presion mbi vendimet monetare.

“Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike. Megjithatë, përgjigjja e politikave kërkon veprim të koordinuar dhe vullnet politik”, tha Sejko.

Ai theksoi se Shqipëria e ka përballuar mirë krizën demografike dhe kërkesat e tregut të punës, por ka paguar “koston” e pagave më të larta dhe inflacionit.

Më tej, kreu i Bankës qendrore, e mbylli fjalën e tij me një thirrje për qeverinë, për të reformuar sistemin e pensioneve, hartimin e politikave të migracionit etj.

“ Të gjitha këto nënkuptojnë përqafimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, brezat e rinj duhet të mbeten në qendër të vendimmarrjes ekonomike”, përfundoi Gent Sejko.

The post Sejko: Rënia e popullsisë do vazhdojë dhe do ndikojë politikën monetare. Na duhen reforma! appeared first on Gazeta Si.

Kuvendi nis me kundërshti nga PD, miratohet shtyrja e 4 projektligjeve

27 January 2026 at 10:38

Nga Gazeta ‘Si’- Numri i lartë i projektligjeve në seancë plenare u bë shkak që kjo e fundit të nisë me debate.

Deputeti Luçiano Boçi bëri kërkesë në nisje të saj për reflektim duke thënë se sipas tij “PS e ka kthyer Parlamentin në hapësirë të çmendur”.

“I keni ndërkallur projektligjet në një seancë të vetme. Këtë Parlament po e bëni të çmendur dhe qesharak, secili nga projektligjet mund të kërkonte seancë më vete. Të fusësh 11 projektligje në një seancë është për t’u hedhur hi syve shqiptarëve. Pse nuk shtojmë seancat?!”, tha ai.

“Ky nuk është Parlament, është kioskë. Projektligji për komisionet do debat”, vijoi ai.

Edhe deputetja Jorida Tabaku i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi nga Kuvendi dhe mazhorancës në sallë, që të hiqen më shumë se 4 projektligje që pranoi grupi i mazhorancës për t’i hequr nga rendi i ditës.

Ajo tha se ligjet për lobimin, armatimin, median, Kodin penal dhe më gjerë, nuk janë konsultuar, nuk kanë dakordësinë as të opozitës, as të grupeve të interesit dhe as të ndërkombëtarëve.

Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai kërkoi shtyrjen me 1 javë të katër projektligjeve, pasi sipas tij duhen rakorduar fjalë për fjalë me BE.

“Lehtësojmë disi agjendën e sotme“, tha Balla.

Me kërkesë të PS, u tërhoqën 4 projektligje nga rendi i ditës:  

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”;

-Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar;

-Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”;

-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”;

The post Kuvendi nis me kundërshti nga PD, miratohet shtyrja e 4 projektligjeve appeared first on Gazeta Si.

Tentoi të trafikojë një pistoletë në Itali, arrestohet 30-vjeçari në Rinas

27 January 2026 at 09:53

Gazeta Si – Një 30-vjeçar me banim në Itali, u arrestua në Rinas, pasi tentoi të trafikojë armë zjarri në aeroportin e Rinasit.

Sipas policisë, Halil Hysaj, po tentonte të dilte nga Shqipëria për të udhëtuar drejt Italisë. Por kontrollet me skaner pikasën brenda valixhes së tij një armë zjarri tip pistoletë, e cila u sekuestrua së bashku me municionin luftarak.

Policia arrestoi 30 vjeçarin dhe po kryen veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

The post Tentoi të trafikojë një pistoletë në Itali, arrestohet 30-vjeçari në Rinas appeared first on Gazeta Si.

Francë/Dhoma e Deputetëve miraton projektligjin që ndalon aksesin në rrjetet sociale nën moshën 15 vjeç

27 January 2026 at 09:48

Nga Gazeta Si- Dhoma e ulët e Parlamentit francez ka miratuar një projektligj që ndalon aksesin në rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre. I mbështetur nga qeveria dhe i miratuar nga Asambleja Kombëtare me 130 vota pro dhe 21 kundër, projektligji do të kalojë tani për shqyrtim në Senat.

Nëse miratohet përfundimisht, Franca do të ishte vendi i parë europian që vendos një kufi të tillë moshe për përdorimin e rrjeteve sociale.

Kjo masë është një prioritet për presidentin Emmanuel Macron, i cili e cilësoi votimin si një “hap të rëndësishëm”.

The post Francë/Dhoma e Deputetëve miraton projektligjin që ndalon aksesin në rrjetet sociale nën moshën 15 vjeç appeared first on Gazeta Si.

Vrau 3 persona në 2007-ën në Shkup, kapet në Tiranë 52-vjeçari i shumëkërkuar (video)

27 January 2026 at 09:46

Gazeta Si – Një 52 vjeçar i dënuar në Maqedoninë e Veriut me burgim të përjetshëm si fajtor për tre vrasje të kryera në vitin 2007 është arrestuar mbrëmjen e të hënës në Tiranë.

Policia njofton Besim Sherifi prej kohësh fshihej në zonën e Liqenit të Thatë, ku përdorte një pasaportë të Kosovës dhe kartë identiteti të Kosovës të falsifikuara me gjeneralitetet e një shqiptari nga Kosova.

17 vite më parë ai vrau me armë zjarri 3 persona në Shkup. Pas arrestimit kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Maqedonisë së Veriut.

“Për këtë vepër, legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm”, thekson Policia e Shtetit.

Sipas autoriteteve maqedonase, Sherifi dyshohet se më 05 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre persona.

The post Vrau 3 persona në 2007-ën në Shkup, kapet në Tiranë 52-vjeçari i shumëkërkuar (video) appeared first on Gazeta Si.

❌
❌