Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Gazeta Si

Narko-trafikanti shqiptar i shpëton arrestimit në Kavajë, dyshohet se operacioni u dekonspirua

22 January 2026 at 12:47

Gazeta Si – Ervin Dakoli, një 47-vjeçar shqiptar i konsideruar nga autoritetet policore të Bolonjës si një trafikant i fuqishëm droge, aktiv në trafikun e narkotikëve në Itali, Francë dhe Spanjë, i ka shpëtuar operacionit të para tre ditëve, ku u godit një grup i fuqishëm kriminal në Itali

Ai besohet të jetë kreu i organizatës kriminale me bazë në Reggio Emilia, e cila u godit të martën me nëntë masa sigurie paraprake të lëshuara nga prokurorët italianë në Bolonja.

Shtatë masa janë ekzekutuar, por Dakoli, i cili ishte në Shqipëri dhe një tjetër person i arratisur me bazë në Francë, janë shpallur në kërkim.

Oficerët e njësisë antidrogë të Reggio Emilias, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri, e kishin ndjekur Dakolin për muaj të tërë në qytetin e Kavajës.

Makina e tij ishte lokalizuar, por kur filloi operacioni për ta arrestuar mëngjesin e të martës, 20 janar, 47-vjeçari shqiptar ishte zhdukur.

Sipas mediave italiane, janë të forta dyshimet se dikush në Shqipëri e paralajmëroi Dakolin për një urdhër-arresti që mund ta vendoset në pranga.

15 persona nën hetim

Operacioni “Sturl One” goditi një bandë ndërkombëtare shqiptarësh trafikantë droge: gjithsej 15 persona janë nën hetim, nëntë prej të cilëve (tetë shqiptarë dhe një italian) kanë marrë urdhër-arreste.

Arrestimet dhe kontrollet u kryen jo vetëm në provincat e Reggio Emilias, Bergamo, Brescia dhe Savona, por edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë koordinimit me autoritetet policore ndërkombëtare, veçanërisht Departamentin e Policisë Kriminale të Shqipërisë.

Platforma e koduar “Sky ECC”

Për të komunikuar në mënyrë konfidenciale, të dyshuarit përdornin platformën e koduar “Sky ECC”, të instaluar në telefona të specializuar me vlerë mijëra euro secili.

Dy nga këto pajisje, të sekuestruara në operacionet e fundit, i dhanë një shtysë të re hetimit, duke çuar në hapjen e një piste të re hetimi në vitin 2022.

Duke monitoruar bisedat e të dyshuarve, hetuesit ishin në gjendje të përcaktonin se si organizata, vetëm në gjashtë muaj, lëvizte, menaxhonte dhe shpërndante mbi 200 kilogramë kokainë dhe 1,000 kilogramë hashash e marijuanë, duke gjeneruar të ardhura të paligjshme prej mbi një milion eurosh.

Përshtati: Gazeta “Si”

The post Narko-trafikanti shqiptar i shpëton arrestimit në Kavajë, dyshohet se operacioni u dekonspirua appeared first on Gazeta Si.

Tërhiqet nga tregu qumështi formulë ‘NAN OPTIPRO’, Shqipëria njofton dy javë më vonë se Europa

22 January 2026 at 12:35

Nga Gazeta Si- 2 javë pasi vendet europiane kanë njoftuar tërheqjen nga tregu të qumështit formulë “NAN OPTIPRO 1”, ka ardhur edhe njoftimi i AKU në vendin tonë.

Në 5 janar 2026, autoritetet ushqimore në disa vende europiane nisën paralajmërimet publike për tërheqjen nga tregu të loteve të caktuara të formulës për foshnje NAN 1 OPTIPRO, si masë parandaluese pas dyshimeve për praninë e toksinës cereulide, e lidhur me bakterin Bacillus cereus. Ndërkohë, në Shqipëri njoftimi publik erdhi me vonesë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe ritmin e informimit të konsumatorëve.

Të dhënat publike tregojnë se reagimi në Europë ishte pothuajse i njëkohshëm në disa shtete.

Nestle Malta publikoi  njoftimin zyrtar për tërheqjen vullnetare të disa loteve të formulave për foshnje, përfshirë NAN OPTIPRO 1, duke i kërkuar konsumatorëve të mos e përdorin produktin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes me datë 5 janar.

Njoftime nga vende të tjera si Italia, Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Finlanda, Franca dhe Suedia erdhën në datat 6 dhe 7 janar.

Në këto vende, paralajmërimi publik u bë menjëherë pas vendimit të Nestle për tërheqje, edhe pse rreziku ishte potencial dhe jo i konfirmuar me raste konkrete sëmundjesh.

Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e mësipërme, njoftimi publik për tërheqjen nga tregu të NAN 1 OPTIPRO u bë në datë 20 janar.

Thënë kjo, ndërkohë që vendet e Europës e kishin tërhequr produktin nga tregu, në Shqipëri vijoi të shitej edhe për dy javë të tjera.

Një nga arsyet kryesore të vonesës është se në praktikë, autoritetet europiane reagojnë dhe informojnë konsumatorët më herët, ndërsa Shqipëria nis procesin e vet të verifikimit pasi alarmi është tashmë i njohur në disa tregje të tjera.

Gjithashtu, ndërkohë që vendet e tjera njoftojnë tërheqjen vullnetare të produktit, edhe pse nuk ka indicie për sëmundshmërinë e personave që e konsumojnë si dhe njoftimi mund të vijë nga vetë kompania që operon në atë vend (si në Maltë që njoftimin për tërheqjen e produktit e ka dhënë Nestle Malta) në Shqipëri masat kufizuese për nxjerrjen në treg të ushqimeve si dhe heqjen e tyre nga tregu, nëse ka dyshime të argumentuara shkencërisht se ushqimi është i pasigurt, përcaktohen, pёr çdo rast, me urdhër të Ministrit të Bujqësisë. Kjo masë merret pas rezultateve të vlerësimit të riskut.

Disa ditë më parë, po një produkt i Nestle është tërhequr nga tregu sepse është konstatuar prania e substancës Cereulide në qumështin formulë BEBA për fëmijë.

The post Tërhiqet nga tregu qumështi formulë ‘NAN OPTIPRO’, Shqipëria njofton dy javë më vonë se Europa appeared first on Gazeta Si.

Trump themelon Bordin e Paqes për Gazën, Kosova nënshkruese

22 January 2026 at 12:35

Nga Gazeta ‘Si’- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënshkroi bashkë me Donald Trump dhe liderë të tjerë botërorë, themelimin e Bordit të Paqes, në një ceremoni të organizuar në Davos të Zvicrës.

Në podium me Osmanin dhe Trump ishin edhe liderë të tjerë botërorë, si Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, dhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán.

Bordi i Paqes do të përbëhet nga liderë botërorë dhe fillimisht u konceptua si pjesë e planit për rindërtimin e Gazës, por mandati i tij është zgjeruar më pas.

Të mërkurën, shtatë vende, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Turqinë dhe Egjiptin, njoftuan se do t’i bashkohen bordit. Izraeli ka konfirmuar gjithashtu publikisht pjesëmarrjen e tij.

Një numër vendesh kishin aderuar tashmë, përfshirë Marokun, Bjellorusinë dhe Bahreinin.

Kanadaja, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar janë mes vendeve që janë ftuar gjithashtu. Këtë mëngjes, Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper i tha BBC-së se Mbretëria e Bashkuar nuk do të jetë nënshkruese sot, duke përmendur shqetësimet lidhur me përfshirjen e Presidentit rus Vladimir Putin.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka marrë ftesë për të qenë pjesë dhe e ka pranuar atë. Vendimi pritet të miratohet këtë të enjte në Parlament. 

Kush mori pjesë në ceremoninë nënshkruese?

  • Arabia Saudite — ministri i Jashtëm Faisal bin Farhan Al‑Saud
  • Argjentina — presidenti Javier Milei
  • Armenia — kryeministri Nikol Pashinyan
  • Azerbajxhani — presidenti Ilham Aliyev
  • Bahrejni — sheiku Isa bin Salman Al Khalifa
  • Bullgaria — kryeministri Rosen Zhelyazkov
  • Emiratet e Bashkuara Arabe — kryetari i Autoritetit të Çështjeve Ekzekutive Khaldoon Al Mubarak
  • Hungaria — kryeministri Viktor Orban
  • Indonezia — presidenti Prabowo Subianto
  • Jordania — zëvendëskryeministri Ayman Safadi
  • Katari — kryeministri Sheiku Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani
  • Kazakistani — presidenti Kassym‑Jomart Tokayev
  • Kosova — presidentja Vjosa Osmani
  • Mongolia — kryeministri Gombojavyn Zandanshatar
  • Maroku — ministri i Jashtëm Nasser Bourita
  • Pakistani — kryeministri Shehbaz Sharif
  • Paraguai — presidenti Santiago Pena
  • Turqia — ministri i Jashtëm Hakan Fidan
  • Uzbekistani — presidenti Shavkat Miromonovich Mirziyoyev

The post Trump themelon Bordin e Paqes për Gazën, Kosova nënshkruese appeared first on Gazeta Si.

Mësymja e Tatimeve tek agjencitë imobiliare, Shoqata: Po na demonizojnë!

22 January 2026 at 12:31

Nga Gazeta ‘SI’- Shoqata e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA, ka reaguar me shqetësim pas kontrolleve të fundit tatimore në agjencitë imobiliare. Në një njoftim për mediat, NAREA shprehet se po “demonizohet” një sektor me mijëra të punësuar, ndërsa po qarkullojnë informacione të pavërteta.

“Profesionistë, të cilët si rrjedhojë e kërkimit të lajmit të bujshëm artificial dhe të klikimeve me çdo kusht, sot vuajnë pasojat e kësaj fushate denigruese. Kjo ndikon negativisht në perceptimin e publikut mbi rolin dhe detyrat e agjentit, cënon imazhin e tij dhe frymën e bashkëpunimit,” tha drejtori i NAREA-s, Reinaldo Pipiria.

Ai thekson gjithashtu se tregu ka pësuar deformime nga hyrja e agjentëve informale dhe konkurrenca e padrejtë, për shkak të moszbatimit të ligjit për ndërmjetësimin imobiliar, duke kërkuar më shumë komunikim nga institucionet mbi planin e kontrolleve.

Administrata Tatimore ka nisur prej një jave kontrolle intensive në agjencitë imobiliare dhe sektorin e ndërtimit, duke raportuar disa abuzime. Në vetëm 9 agjenci të inspektuara janë evidentuar punonjës të padeklaruar, paga jo reale dhe raste evazioni fiskal.

The post Mësymja e Tatimeve tek agjencitë imobiliare, Shoqata: Po na demonizojnë! appeared first on Gazeta Si.

Përse nuk shkoi në Davos? Rama: Zgjodha të mikprisja vajzën me lejen e Trump

22 January 2026 at 12:28

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama nga salla e Kuvendit iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës se pse nuk ishte në Davos për të nënshkruar Kartën për Bordin e Paqes.

Ai tha se ishte mes një zgjedhjeje, të shkonte në Davos për ftesën e Trump apo të priste vajzën e tij, Ivanka Trump, e cila dje ishte në Vlorë.

Rama tha se zgjodhi të dytën, me lejen e presidentit të SHBA-ve.

“Meqë po përsëritet e njëjta pyetje dhe mos shqetësoheni pse unë nuk jam atje se mezi prisnit, duhet të bëja një zgjedhje mes t’i përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën këtu në Shqipëri. Edhe zgjodha vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait”, tha Rama.

The post Përse nuk shkoi në Davos? Rama: Zgjodha të mikprisja vajzën me lejen e Trump appeared first on Gazeta Si.

Anijet italiane në Shqipëri trazojnë ujërat e Turqisë

22 January 2026 at 11:47

Nga Gazeta ‘SI’ – Një marrëveshje e re e Shqipërisë me Italinë për anijet ushtarake, ka trazuar ujërat e Turqisë.

Italianët, vitin e shkuar fituan të drejtën të rikonstruktojnë, modernizojnë dhe mirëmbajnë kantierin e Pashalimanit, aty ku forcat turke janë prezente që prej 1998-s.

Opozita turke, i ka kërkuar parlamentit atje të japin llogari për lëvizjet e Shqipërisë dhe nëse Turqia do të largohet nga baza detare që përdor për operacione.

Ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, i është përgjigjur opozitës, se Shqipëria nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare për të ndërprerë praninë e Turqisë në Pashaliman dhe se Ankaraja nuk ka ndërmarrë asnjë plan për të tërhequr personelin e saj.

“Aludimet në këtë drejtim janë krejtësisht të pabazuara,” tha ministri, duke iu përgjigjur spekulimeve se prania turke mund të rrezikohet pas një marrëveshjeje të fundit midis Shqipërisë dhe Italisë për modernizimin dhe zhvillimin e portit.”

Zyrtarët turq theksuan se aktivitetet e modernizimit në bazë, të nisura në vitin 1998, vazhdojnë dhe se personeli i Komandës së Forcave Detare turke vazhdon të shërbejë atje, duke ofruar këshillim dhe trajnim për Marinën Shqiptare. Ministria e përshkroi misionin si një shtyllë kryesore të partneritetit të mbrojtjes midis dy vendeve.

Mediat turke shkruajnë se përgjigja e qeverisë tenton të minimizojë rëndësinë e marrëveshjeve të fundit të sigurisë midis Shqipërisë dhe Italisë, duke argumentuar se ky bashkëpunim lind nga afërsia gjeografike dhe nga obligimet e përbashkëta nën NATO. Ministria theksoi se këto iniciativa janë “të pavarura në natyrë” nga roli i Turqisë në Pashaliman dhe nuk e dobësojnë pozicionin e Ankarasë.

Sipas marrëveshjeve dypalëshe ekzistuese, Marina turke ka të drejtën të përdorë objektin për operacionet e veta në Detin Jon dhe Adriatik. Turqia vazhdon të sigurojë mbështetje financiare dhe logjistike thelbësore për trajnimin e personelit dhe ristrukturimin e Forcave të Armatosura Shqiptare në përputhje me standardet e NATO-s.

Për të forcuar praninë e saj në Shqipëri, Turqia njoftoi në dhjetor 2025 se do të dhurojë një Airbus A319-115J, avion qeveritar i konfigurimit shtetëror me vlerë 11.9 milion dollarë, Forcave të Armatosura Shqiptare sipas një marrëveshjeje dypalëshe. Marrëveshja mban nënshkrimin e Ministrit të Mbrojtjes Shqiptare, Pirro Vengu, dhe është e datës 22 tetor 2025.

Sipas një marrëveshjeje të fundvitit 2025, gjiganti italian i ndërtimit të anijeve, Fincantieri, hyri në një bashkëpunim me kompaninë shtetërore shqiptare KAYO. Qëllimi është të rivitalizohet kantieri i Pashalimanit në një qendër moderne prodhimi, e aftë të ndërtojë dhe mirëmbajë anije lundruese deri në 80 metra për Marinën Shqiptare dhe tregun ndërkombëtar.

Pritet që marrëveshja të gjenerojë të ardhura vjetore prej 400 milion eurosh deri në vitin 2031, me fokus të menjëhershëm ndërtimin e shtatë anijeve patrullimi të reja për Shqipërinë.

Takimi i qeverisë shqiptare dhe asaj italiane në Pashaliman

The post Anijet italiane në Shqipëri trazojnë ujërat e Turqisë appeared first on Gazeta Si.

Një jetë mes çmendurisë, poezisë dhe udhëtimeve/ Misteri i Lord Bajronit

22 January 2026 at 11:38

Gazeta “SI”- Lidhja e Lord Bajronit me Ballkanin, dhe veçanërisht me Shqipërinë, nis herët dhe zë një vend të rëndësishëm si në jetën, ashtu edhe në veprën e tij. Xhorxh Gordon Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788, në një familje aristokrate që kishte rënë në varfëri. Fati i tij ndryshoi kur ishte vetëm dhjetë vjeç: pas vdekjes së xhaxhait, ai trashëgoi titullin Lord, si edhe pallatin dhe çifligun Newstead Abbey, pronë që do të bëhej një simbol i jetës së tij të trazuar.

Arsimimi i Bajronit ishte i gjerë. Në Harrow ai studioi greqishten dhe latinishten, historinë dhe letërsinë angleze, duke treguar herët prirje për poezi dhe mendim kritik. Në moshën 18-vjeçare u regjistrua në Universitetin e Kembrixhit (Trinity College). Në vitin 1809, ai mori zyrtarisht vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u dallua për qëndrime përparimtare dhe për mbrojtjen e lirive qytetare, veçanërisht në mbështetje të popujve të shtypur.

Po atë vit, Bajroni ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër Evropë, një përvojë që do të linte gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë e tij. Ndalesat e tij në Spanjë, Greqi dhe veçanërisht në Shqipërinë e Jugut ishin vendimtare. Vizita në Janinë dhe kontaktet e drejtpërdrejta me shqiptarët e kohës e impresionuan thellë poetin. Si kujtim nga ato vise, Bajroni mori me vete një kostum tradicional shqiptar, që do të bëhej më vonë një nga simbolet më të njohura të lidhjes së tij me Shqipërinë.

Bukuria dhe veçantia e këtij kostumi e frymëzuan piktorin Thomas Philips që, në verën e vitit 1813, të realizonte portretin e famshëm të poetit me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Ky portret u ekspozua në Royal Academy dhe sot ndodhet në ambientet e Ambasadës Britanike në Athinë, duke mbetur një dëshmi vizuale e admirimit të Bajronit për kulturën shqiptare.

Lord Bajroni dhe Ali Pashë Tepelena

Këto përvoja u reflektuan drejtpërdrejt në veprën e tij. Një nga krijimet më të rëndësishme të Bajronit është poema epike “Shtegtimi i Çajld Haroldit” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812–1817), e ndërtuar mbi përshtypjet e udhëtimeve të tij në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër dhe Itali. Poema përshkohet nga patosi i luftës për liri dhe nga ndjeshmëria romantike ndaj fatit të popujve të robëruar. Në vargjet e saj, Bajroni u këndon traditave burrërore të shqiptarëve, trimërisë së tyre dhe dashurisë së flaktë për lirinë, duke i paraqitur si një popull me dinjitet dhe guxim të rrallë.

Ja si shkruan vetë Bajroni:

“Kam disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea. U njoha me Hysen Beun dhe Mahmud Pashën, të dy djem të vegjël, nipër të Ali Pashës në Janinë. Janë krejt ndryshe nga çunakët tanë, kanë fytyrë të kuqe si vejushat e lyera me të kuqe, kanë sy të zes, të mëdhenj dhe tipare fare të rregullt. Janë krijesat më të bukura që më ka zënë syri dhe të rrahur e të stërvitur që tani me ceremonira të Oborrit” shkruante Bajroni në shënimet e tij

Këtë admirim e dëshmojnë edhe letrat e tij personale. Muzeu Historik Kombëtar ruan një fragment nga një letër që Bajroni i dërgoi nënës së tij më 12 nëntor 1809, ku ai shkruan me entuziazëm për shqiptarët:

“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, siçilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Vitet e fundit të jetës së tij i kushtoi një kauze tjetër që do ta kthente në hero përtej letërsisë. Në vitin 1823, Bajroni u nis për në Greqi, ku u bë një nga figurat frymëzuese të luftës për pavarësi kombëtare kundër Perandorisë Osmane. Ai kontribuoi jo vetëm me fjalë dhe poezi, por edhe me para dhe me përfshirje të drejtpërdrejtë në organizimin e forcave kryengritëse.

A ishte i “çmendur” Lord Bajroni?

Lord Bajroni mbetet një nga “eksportet” më të famshme të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe një nga figurat më të trajtuara me hezitim, siklet e madje turp. Pse ndodh kjo? Ndoshta sepse ai gjykohet ende për pasionet e tij tronditëse , përfshirë lidhjen me Augustën, gjysmë-motrën e tij, si edhe marrëdhëniet e shumta me gra dhe burra. Ndoshta për shkak të sjelljeve të tij provokuese, ose sepse vepra e tij përbëhet nga mijëra faqe vargjesh të zjarrta, që herë-herë duken edhe të tepruara apo fëminore. Ose, ndoshta, sepse shumëkush i trembet idesë se Bajroni ,siç deklaroi dikur William Wordsworth, ishte “i çmendur”.

Biografitë e shumicës së poetëve ose mungojnë, ose janë të vështira për t’u lexuar. Me Bajronin ndodh e kundërta: ai ka dhjetëra biografi dhe pothuajse të gjitha janë tërheqëse. Çdo biograf, që nga Thomas Moore në vitin 1830, ka pasur dijeni për kujtimet intime dhe skandaloze të poetit. Këto kujtime u dogjën, por Moore i kishte shfrytëzuar më herët dhe falë tyre dimë për martesën e pafat me Annabella Milbanke dhe për vitet e jetës luksoze në Venecia, mes 1816-ës dhe 1819-ës. Letrat sugjerojnë se gjatë asaj kohe, të paktën 200 gra kaluan në shtratin e tij , disa prej tyre motra, shumica të paguara. Ajo që mungonte në këto kujtime ishte transformimi i fundit i Bajronit në një luftëtar relativisht të vetmuar.

Lord Bajron

Letrat e tij dhe ato drejtuar atij tregojnë qartë këtë ndryshim thelbësor. Pikërisht këtu bëhet e rëndësishme biografia e re e Andrew Stauffer, “Bajroni: Një jetë me dhjetë shkronja”, e cila e ndërton çdo kapitull duke u nisur nga një letër e poetit, duke cituar me ndjeshmëri edhe korrespondencën e grave që e rrethonin. Edhe pse kjo vepër është një shtesë në një fushë tashmë të mbushur, struktura e saj mozaike , ndonëse herë-herë e ngathët e trajton me kujdes evolucionin e Bajronit.

Një nga pretendimet e Staufferit është se dashuria më e madhe e Bajronit ishte kontesha Teresa Guiccioli. Ky pohim është i mundshëm, edhe pse i debatueshëm. Miku i tij John Hobhouse shkruante se marrëdhënia nuk ishte aspak e shëndetshme dhe se “[Bajroni] më tha krejt të kundërtën”. Megjithatë, Teresa ishte e dashura më e qëndrueshme e tij dhe, me shumë gjasë, e fundit. Fiona MacCarthy ofron një shpjegim bindës: “Bajroni lulëzonte në vështirësi”, duke mbajtur gjithmonë një distancë mbrojtëse nga ata që pretendonte se i donte. Meqë Teresa ishte e martuar, ai nuk ndjehej i kufizuar prej saj. Letra më e sinqertë e dashurisë që ai shkroi ndonjëherë iu drejtua asaj dhe u shkrua në anglisht. Megjithatë, ai refuzoi t’ia përkthente dhe, në fund, e braktisi edhe atë, kur u dashurua me Greqinë.

Stauffer e thekson gjithashtu personalitetin e Bajronit si një lloj “aktori metodik”. Sipas tij, Bajroni shpesh bënte dhe thoshte gjëra me tepri vetëm që të kishte material për të shkruar. Teksa përpilonte letra, ai joshte gruan e dikujt tjetër në mes të një feste, para syve të të gjithëve. Figura letrare që ushqyen imazhin e tij përfshijnë Kainin – sepse Bajroni e shihte veten si të shënjuar dhe të mallkuar nga trashëgimia – Adamin e Miltonit, që e ka “tërë botën përpara”, por që e dëbon veten nga një parajsë pas tjetrës, si dhe Paolon dhe Françeskën e Dantes, të dënuar në rrethin e dytë të Ferrit, të rrëmbyer nga stuhitë e epshit që nisi përmes letërsisë.

Letërsia ndikoi fuqishëm në jetën e tij. Por çështja se sa shumë jeta e tij pasqyrohet në veprën e tij mbetet komplekse. Siç shkroi Martin Amis në “Jeta e Kolerixhit”, shpesh shkrimtarët e kthejnë subjektin artistik në një “levë biografike”. Për shumicën e autorëve, kjo qasje është e dyshimtë: korrelacioni nuk është shkakësi. Me Bajronin, megjithatë, lidhja është më e drejtpërdrejtë. Kantoja e dytë e “Don Zhuanit”, ku heroi i mbijeton një mbytjeje anijeje, ishte sipas vetë Bajronit tërësisht e bazuar në fakte reale. Në një letër të vitit 1814, ai e përshkruan poezinë si “pasqyrë të botës”, ndërsa në ditarin e vitit 1821 e quan “ndjenjë e një bote dhe e një të ardhmeje tashmë të shkuar”. Siç shprehet kritiku Jerome McGann, Bajroni “gjysmën e percepton dhe gjysmën e krijon” ekzistencën e vet.

Në fund, sapo ai pushoi së shkruari, edhe shpirti i reflektimit dhe ai i veprimit u shuan. Në vitin 1824, mjekët u përpoqën të trajtonin malarien e tij përmes gjakderdhjes , një trajtim fatal. Veprat e mprehta dhe të fuqishme të Bajronit meritojnë një jetë të përtejme më madhështore. Por edhe nëse kjo mungon, ai vazhdon të ecë mes nesh, duke ushtruar ende magjepsjen e tij.

Lord Bajron me kostumin tradicional shqiptar. (Nga Thomas Phillips)

Miku dhe mjeku i tij, John Polidori, ishte me Bajronin dhe çiftin Shelley në Villa Diodati në vitin 1816, kur u konceptua “Frankeshtajni”. Polidori e bazoi novelën “Vampiri” (1819) në disa faqe ku Bajroni shkruante për një burrë që vdes në Greqi, por ringjallet nga të vdekurit përmes fuqisë së dashurisë. Sipas Staufferit, çdo vampir aristokratik, i rrezikshëm dhe joshës , nga Drakula i Bram Stokerit deri te Lestati i Anne Rice , mund ta gjurmojë origjinën e tij te Lord Bajroni.

Vdiq  më 19 prill 1824 vetëm 36 vjeç në Mesollonjë, gjatë Luftës për Pavarësinë Greke, ku jo vetëm që mbështeti financiarisht kryengritjen, por edhe udhëhoqi fushata ushtarake.

The post Një jetë mes çmendurisë, poezisë dhe udhëtimeve/ Misteri i Lord Bajronit appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Rama po e përdor Sazanin për influencë politike!

22 January 2026 at 11:34

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi investimet amerikane në Jug të vendit nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.

Nga jashtë Parlamentit, Berisha tha se sipas tij Rama po e përdor Sazanin për influencë politike.

Ai tha se është pro zhvillimit strategjik në Sazan, duke pranuar se edhe ai vetë ia kishte ofruar kur ishte kryeministrër ish-liderit të ndjerë italian Silvio Berlusconi.

“Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. E kemi ofruar se nuk është kaq, të paktën në kohën kur kemi bërë vlerësimin, ka qenë një ishull aspak i lakmueshëm, e ofroi Fatos Nano para meje, e ofrova unë, ra kriza. Mikut të shquar të kombit shqiptar Silvio Berlusconit, e pranoi dhe bëri një projekt shumë të mirë, ra kriza financiare. S’mund të them që jo! Nuk është i lehtë për t’u zhvilluar”, tha Berisha.

Mirëpo ai nuk është dakord me investimin në Zvërnec: “Sa i përket Zvërnecit është një aferë private. Nuk di të jetë dhënë tokë publike aty dhe do ta shohim. Sa i përket Sazanit, ne i mbështesim investimet amerikane por natyrisht ky e përdori atë për influencë politike. I sigurt që dështoi sepse përndryshe nuk do të përpiqej të behj gazi i dheut në një samit që u bë kryelajmi i atij Samiti”.

Dhëndri i Presidentit amerikan, Jared Kushner ka marrë statusin e investitorit strategjik vitin e kaluar, pas prezantimit të projektit të tij turistik në ishullin e Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, i cili është përdorur vetëm si bazë ushtarake. Vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro.

Projekti parashikon “marinë turistike, struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre”.

The post Berisha: Rama po e përdor Sazanin për influencë politike! appeared first on Gazeta Si.

Lajka, baza, F-35: si Rute e bindi Trumpin të tërhiqej nga Groenlanda!

22 January 2026 at 11:26

Gazeta Si – Mark Rutte filloi të vepronte menjëherë pas takimit të dështuar më 14 janar në Uashington midis zëvendës-presidentit të SHBA-ve, J.D. Vance dhe ministrave të Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen dhe Groenlandës, Vivian Motzfeldt.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, zhvilloi një raund të gjerë konsultimesh, duke përfshirë jo vetëm danezët dhe aleatët evropianë, por edhe ambasadorin Matthew Whitaker, përfaqësuesin e SHBA-ve në NATO.

Negociatat

Rasmussen dhe Motzfeldt i kishin ofruar zv. presidentit amerikan, mundësinë që Groenlanda të strehonte sa më shumë baza ushtarake që të konsiderohej e nevojshme.

Megjithatë, Vance u kundërpërgjigj: “Ne duam ta zotërojmë ishullin”. Kundërpropozimi i tij ishte: “Me ligj, toka e Groenlandës nuk është në shitje; ne mund t’ju japim një koncesion shumëvjeçar”. Kjo është ideja që Donald Trump e hodhi poshtë dje nga skena në Davos.

Më 19 janar, Rutte priti ministrin e Groenlandës, Motzfeldt në Bruksel, i shoqëruar këtë herë nga ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.

Të tre finalizuan një kornizë më të gjerë, një marrëveshje që do të përfshinte ndërhyrjen e vendeve të gatshme për të forcuar sigurinë ushtarake në dhe përreth Groenlandës. Pasi të dy u larguan, Rutte telefonoi Trumpin.

Ai i ofroi atij jo aq shumë një formulë përfundimtare, sesa një kornizë: të gjithë aleatët do të pranonin lidershipin amerikan në rajon.

Dhe, duke zgjuar interesin e presidentit, ai shtoi se partnerët ishin të gatshëm të shpenzonin më shumë në Arktik, duke blerë pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë bisedës, Rutte citon shembullin e Danimarkës, tashmë një kliente besnike e Lockheed Martin për avionët e saj F-35.

Trump kufizohet në përgjigje të ngurta. Këto nuk janë qartësisht të vetmet kontakte me Shtëpinë e Bardhë. Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer po mobilizohen gjithashtu.

Trump: Kemi një marrëveshje kornizë

Më 20 janar, Rutte ua paraqiti arsyetimin për këtë operacion ambasadorëve të 32 vendeve anëtare, të cilët u takuan në Këshillin e Atlantikut të Veriut në Bruksel.

Sekretari propozoi vazhdimin e diskutimeve brenda “grupit të punës” të Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe Groenlandës i vetmi rezultat i samitit me Vance.

Ky sugjerim u mirëprit nga danezët dhe anëtarë të tjerë të shquar të këshillit, përfshirë britanikët. Më e rëndësishmja, qasja e Rutte mori dritën jeshile nga amerikani Whitaker.

Sigurisht, nevojitej vula e miratimit të Trump. Në takimin dypalësh të djeshëm, Rutte shfaqi të gjitha lajkat që ka demonstruar tashmë.

“Kemi një marrëveshje kornizë”, tha presidenti amerikan. Tani do të shohim detajet, të paqarta si gjithmonë.

Çështja e pronësisë territoriale mbetet qendrore. Disa sugjerojnë modelin e Guantanamos, bazën detare të dhënë Shteteve të Bashkuara nga qeveria kubane me një kredi të përhershme në vitin 1903.

Marrë nga: “Corriere della Sera”

The post Lajka, baza, F-35: si Rute e bindi Trumpin të tërhiqej nga Groenlanda! appeared first on Gazeta Si.

‘Epstein’, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA nis procedurat kundër Clintonëve

22 January 2026 at 10:58

Gazeta Si – Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur procedurat për shpërfillje të Kongresit kundër Bill dhe Hillary Clinton.

Ish-çifti presidencial refuzoi të dëshmonte në hetimin e Jeffrey Epstein, pavarësisht se kishte marrë një thirrje në gjykatë para Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve. Disa përfaqësues demokratë në Komitet gjithashtu votuan në favor të procedurës.

Çfarë ndodh më pas? – Sipas mediave kryesore amerikane, ky veprim – megjithëse i pritshëm – shënon një përshkallëzim të mprehtë në grindjen midis Clintonëve dhe administratës Trump, e cila, që kur u tërhoq nga publikimi i dosjeve “Epstein”, e ka synuar në mënyrë agresive ish-presidentin, i cili u shfaq vazhdimisht në fotografi të publikuara në dhjetor.

Me miratimin e Komitetit, çështja tani do të kalojë në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse do të jepej një dritë jeshile tjetër, çifti në mënyrë efektive do të detyrohej të dëshmonte.

Kjo ndodh, edhe sepse çështja do t’i referohej Departamentit të Drejtësisë, i cili nuk do të hezitonte të vazhdonte me akuza penale kundër Bill dhe Hillary Clinton. Në këtë pikë, Clintonët do të përballeshin me një gjobë deri në 100,000 dollarë dhe deri në një vit burg.

Tentativë për ndërmjetësim – Në orët e fundit, pikërisht për të shmangur akuzat për shpërfillje të Kongresit, avokatët e Bill Clinton i kishin paraqitur Komisionit një zgjidhje alternative: ish-presidenti do të dëshmonte vetëm duke folur me dy anëtarët kryesorë të Komisionit.

Kjo ofertë u refuzua nga ligjvënësit amerikanë, duke e quajtur atë “absolutisht të paarsyeshme”. Kryetari i Komisionit, James Comer, komentoi: “Kërkesat e fundit të Clintonëve e bëjnë të qartë se ata besojnë se mbiemri i tyre u jep të drejtë për trajtim të veçantë. Thirrjet dypartiake të Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve kërkojnë që Clintonët të paraqiten për dëshmi të betuara dhe të transkriptuara”.

Ghislaine Maxwell dëshmon para Kongresit më 9 shkurt – Ish-partnerja dhe bashkëpunëtorja e financierit Jeffrey Epstein, Ghislaine Maxwell, do të dëshmojë para Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve më 9 shkurt, sipas Kryetarit të Komitetit, James Comer.

Njoftimi erdhi gjatë shqyrtimit të procedurave për shpërfillje të Kongresit kundër Bill dhe Hillary Clinton, të cilët refuzuan të zbatonin thirrjet në gjyq për t’u paraqitur në dëshmitë e planifikuara javën e kaluar si pjesë e hetimit të Komitetit për rastin “Epstein”.

Ekipi ligjor i Maxwell ka parashikuar tashmë që ajo do të ushtrojë Amendamentin e Pestë (të drejtën për të heshtur), duke refuzuar të bashkëpunonte me pyetjet e ligjvënësve.

The post ‘Epstein’, Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA nis procedurat kundër Clintonëve appeared first on Gazeta Si.

Bardhi në Kuvend: Ftesa për ‘Bordin e Paqes’ ndaj kombit shqiptar, jo ndaj qeverisë!

22 January 2026 at 10:46

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi theksoi në Kuvend se ftesa për të marrë në Bordin e Paqes sipas tij nuk është bërë ndaj kryeministrit Edi Rama por ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Nga Foltorja e Kuvendit, Bardhi theksoi se kombi shqiptar, në Shqipëri e Kosovë, ka treguar se është pro paqes dhe prandaj ka ardhur një ftesë e tillë, ndaj nuk duhet që të bëhet propagandë nga qeveria. 

Bardhi po ashtu kujtoi edhe deklaratat e Ramës më herët kundër Trumpit, ndërsa shtoi se janë kundër shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji në kundërshtim me rregulloren dhe Kushtetutën.

 “Ka qenë Rama i vetmi lider botëror që i është drejtuar presidentit të SHBA me termin përfaqëson turpin e njerëzimit. Një deklaratë që nuk i shkon as marrëdhënieve të Shqipërisë dhe kombit me SHBA, një deklaratë që vë në rrezik sigurinë dhe marrëdhëniet mes kombit shqiptar, dhe SHBA. Erdhe këtu e fole për Shqipërinë. Ne nuk ndihemi të vlerësuar për partneritetin që ka vetëm Shqipëria me SHBA, por krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka kombi me SHBA. Prandaj edhe ftesa i është drejtuar Shqipërisë dhe Kosovës.

SHBA kishin ftuar në këtë bord Shqipërinë dhe Kosovën për shkak të rolit që ka kombi jonë jo thjesht në paqen në Ballkan por në Evropë dhe më gjerë dhe për shkak të raportit të shkëlqyer strategjik me SHBA. Nuk mund të bëhet propagandë apo të talleni me SHBA që të flasësh për arritje historike ndërkohë që përpara vitesh e ke quajtur njeriun kyç të paqes sot në botë, turpi i njerëzimit”, tha Bardhi.

Ai theksoi se opozita nuk është kundër pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, por shtoi se kjo duhet të bëhet në respekt të Kushtetutës.

“Kemi shansin të respektojmë Kushtetuën, të marrim një javë, gjatë kësaj jave i kërkojmë presidentit që marrëveshja të hyjë në fuqi menjëherë dhe brenda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren”, u shpreh ai.

The post Bardhi në Kuvend: Ftesa për ‘Bordin e Paqes’ ndaj kombit shqiptar, jo ndaj qeverisë! appeared first on Gazeta Si.

Daja apel prindërve: Vaksinoni djemtë kundër HPV-së, forcohet imuniteti i popullatës

22 January 2026 at 10:45

Nga Gazeta Si- Djemtë e moshës 13-vjeçare në Shqipëri janë përfshirë për herë të parë në programin kombëtar të vaksinimit kundër HPV-së (virusi i Papilomës humane).

Që në ditët e para të këtij viti, ka nisur aplikimi i vaksinës kundër HPV-së te djemtë e moshës 13 vjeç, si një hap në politikat e parandalimit të sëmundjeve infektive dhe onkologjike.

Rovena Daja, drejtuese e programit të vaksinimit pranë Institutit të Shëndetit Publik, bën thirrje për prindërit që të vaksinojnë djemtë kundër HPV-së.

Sipas saj, “HPV nuk prek vetëm vajzat. Përvoja ndërkombëtare tregon se vaksinimi i të dyja gjinive çon në më pak infeksione dhe hedh bazat për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës”.

“Kur djemtë vaksinohen, ulet ndjeshëm përhapja e HPV, reduktohet transmetimi i virusit te partnerët dhe forcohet imuniteti i popullatës, duke mbrojtur edhe ata që nuk janë vaksinuar”, thuhet në apelin e saj.

Gjithashtu, Daja shprehet se “HPV është një infeksion viral që mund të shkaktojë sëmundje, lezione prekanceroze, madje në të ardhmen mund të shkojë deri në kancer, jo vetëm te vajzat, por edhe te djemtë”.

Prej nëntorit të vitit 2022, në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit aplikohet te vajzat 13 vjeç. Aktualisht, që në ditët e para të janarit 2026, kjo vaksinë aplikohet edhe te djemtë 13 vjeç.

The post Daja apel prindërve: Vaksinoni djemtë kundër HPV-së, forcohet imuniteti i popullatës appeared first on Gazeta Si.

Aderimi në Bordin e Paqes, Balla thirrje opozitës: Ta votojmë unanimisht!

22 January 2026 at 10:41

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, prezantoi ‘Bordin e Paqes’ në Kuvend, gjatë seancës së sotme plenare.

Balla tha se kjo ftesë sipas tij është dëshmi se sot madhësia e një vendi nuk përcakton peshën e tij politike, por sipas tij përcaktohet nga vendosmëria dhe transparenca.

Ai iu bëri thirrje deputetëve për të kaluar marrëveshjen në votim me procedurë të përshpejtuar.

“Sot Kuvendi thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës. Shqipëria dhe kryeministri janë ftuar të jenë vend anëtar themelues dhe anëtar i bordit. Kjo ftesë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të Shqipërisë dhe shënon një moment të paprecedent pozitiv. Kuvendi shihet si një aktor që kontribuon në zgjidhe të rëndësishme globale për paqen dhe jo si dikur pjesë periferike.

Kjo ftesë, nuk është diçka e zakonshme, nuk është formale, dhe as simbolike, në letrën zyrtare drejtuar Ramës, Trump e cilëson këtë nismë si një përpjekje historike duke thekuar nevojën për një qasje të re për ndërtimin e paqes, e orientuar drejt rezultate konkrete për të sjellë paqe me një fokus të veçantë Gazën.

Shqipëria është shtuar të jetë jo më si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte për paqen. Kjo ftesë, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin tonë strategjik, një partneritet që mbetet boshi ynë kryesor  i politikës së jashtme. Shqipëria shikohet, konfirmohet si aktori pa agjenda të fshehta, i aftë të kontribuojë në procese të ndejshme diplomatike sikur janë proceset që do të fillojnë që nga java e ardhshme me një prezencë të Ramës”, tha ndër të tjera Balla.

The post Aderimi në Bordin e Paqes, Balla thirrje opozitës: Ta votojmë unanimisht! appeared first on Gazeta Si.

Irani dhe kujtesa e shkurtër

22 January 2026 at 10:32

Nga Michel Setboun- Në këtë moment, po ndjek lajmet si të gjithë të tjerët dhe po lexoj të gjitha këto histori mbi Iranin. Thjesht, kur shoh të gjithë ato asamble, takime, mbledhje ku ka njerëz që nuk kanë qenë kurrë atje, që nuk dinin asgjë për revolucionin, që madje nuk kishin lindur ende në atë kohë, që kanë jetuar pesëdhjetë vjet në Perëndim… sigurisht që kjo më nervozon pak. Sepse, është dëshpëruese.
Dëgjoj të gjitha llojet e fjalimeve kontradiktore, nostalgjike, një idealizim të caktuar të kohës së Shahut. Atëherë, thjesht për informacion, për të freskuar kujtesën kolektive, po publikoj këto imazhe.

Iran – Teheran, 28/10/1978 – Burgu Kasr, lirimi i të burgosurve politikë

Sepse unë isha atje gjatë revolucionit të vitit 1979. E di mirë që sot është e lehtë të kritikosh këtë nostalgji për Shahun. Modernizimi i shpejtë, projektet e mëdha. Por nuk duhet të harrojmë se ky modernizim prekte vetëm dhjetë përqind të popullsisë, kryesisht qytetarët. Në fshatra, ishte vërtet mjerim. Dhe këtë  modernizëm të imponuar nga lart, njerëzit nuk e donin domosdoshmërisht. Ishte shumë shpejt për ta.

Ne kemi tendencën ta paraqesim Shahun si modernistin par ekselencë, njeriun që donte të fuste Iranin në shekullin XX. Por kur shohim gjithçka që ndodhi, duhet të pyesim veten. Jo vetëm të mjaftohemi me tregimin simplist: moderniteti kundër arkaizmit të fesë. Realiteti ishte shumë më kompleks, dhe shumë më i dhunshëm gjithashtu.

Iran – 10/12/1978 – Ayatollah Taleghani – Demonstratë e madhe për ditën e parë të muajit të shenjtë Muharam

Kam qenë dëshmitar i hapjes së burgut Kasr kur Shahu i Iranit, përballë revoltës  popullore, vendosi të hapë burgjet. Një moment historik, kaotik, i mbushur me shpresë dhe zemërim. Ndër të burgosurit e liruar atë ditë ishte edhe Ayatollah Taleghani, një figurë e respektuar e opozitës fetare, që kishte kaluar vite të tëra pas hekurave. Ai vdiq disa muaj më vonë, në shtator 1979.

Vite më vonë, u ktheva në Iran. Në muzeun e Savak-ut, kjo polici sekrete e Shahut, simbol i shtypjes.
Në mure, imazhe të kohës së të gjithë atyre që ishin në burg. Atje gjenden fytyrat e atyre që i njohëm pas revolucionit: Rafsandjani dhe të tjerët. Më shoqëroi një burrë që kishte kaluar dekada në burg nën Shahun. Ai më rrëfeu historinë e tij, qeli pas qelie.
Sepse sot është e rëndësishme të tregojmë, të mos harrojmë se cili ishte shkaku i kryengritjes së vitit 1979. Është e rëndësishme të kujtojmë pse miliona iranianë dolën në rrugë. Pse të gjitha këto tendenca politike kaq të ndryshme u bashkuan. Savak torturonte. Burgjet si Kasr dhe Evin ishin të mbushura.
Të gjithë kundërshtarët burgoseshin në qeli ose përfundonin të ekzekutuar.
Ky ishte një realitet konkret, i dokumentuar, i përjetuar nga qindra mijëra familje iraniane.

Këto fotografi janë dëshmi. Një provë materiale kundër harresës dhe kundër tundimit për të rindërtuar historinë sipas frustrimeve të së tashmes. E kaluara e idealizuar, nostalgjike e kohës së Shahut, fshin këtë realitet i cili ishte arsye të thella dhe të ligjshme për këtë kryengritje popullore.

Kjo është kujtesa që duhet të ruajmë. Jo si gjykim, por si dëshmi. Faktet ashtu siç ndodhën. Sepse kujtesa e shkurtër është ajo që lejon të harrohet pse historia ndryshoi.

Shenim: Michel Setboun është fotograf francez, i cili ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si : “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern”.  Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe me vone luftën civile në Liban. Ndersa në periudhën kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërine, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur.Ka marë çmimin e parë në World Press për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë.

The post Irani dhe kujtesa e shkurtër appeared first on Gazeta Si.

Seanca në Kushtetuese për Ballukun, qeveria: GJKKO nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër

22 January 2026 at 12:02

Gazeta Si – Prej orës 10:00 të kësaj të enjteje po mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave të vendimit të GJKKO-së për zv/kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Seanca me relator Sandër Becin, po zhvillohet pa praninë e zv.kryeministres, pasi ajo nuk është palë në këtë çështje.

Këshilli i Ministrave po përballet me dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Si palë të interesuara, kanë dërguar përfaqësues edhe Presidenca dhe Kuvendi.

Ndërkohë, GJKKO nuk ka dërguar përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve

Përfaqësuesja ligjore e qeverisë, Irma Qosja

Qeveria: Vendimi i GJKKO-së, në kundërshtim me Kushtetutën

Përfaqësuesja e qeverisë, Irma Qosja, sqaroi se kërkesa për pezullimin e vendimit nga Këshilli i Ministrave, ka të bëjë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe nëse Gjykata Penale ka të drejtë të pezullojë një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv.

“Kërkesat kanë të bëjnë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe në thelb të këtyre kërkimeve qëndron pyetje. A ka të drejtë Gjykata Penale të pezullojë nga detyra një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv? Ne vlerësojmë që jo, megjithatë argumentet për këtë i përkasin themelit të çështjes”, tha Qosja.

Ajo tha se vendimi i GJKKO-së është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Në mbështetje të të gjitha argumentave të parashtruara, arrijmë në konkluzionin që dy vendimet e GJKKO, 119 dhe 120 për pjesën e vendosjes së masës ndaluese për pezullimin e ushtrimit të detyrës të zv. Kryeministres dhe Ministrit të Infrastrukturës, si dhe vazhdimin e zbatimit të kësaj mase, janë vendime të nxjerra në kundërshtim me kushtetutën dhe jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte kërkojmë nga gjykata shfuqizimin pjesërisht të këtyre vendimeve si dhe pranimin e kërkesës sipas objektit”, tha ajo.

Përfaqësuesja e saj, tha se Këshilli i Ministrave është organi që i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të tij, fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

“GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, pezulloi jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë, sepse tashmë ministri i pezulluar nuk mund të propozojë asnjë projekt-akt në kompetencë të tij”, tha Qosja.

Përfaqësuesi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, Herald Jonuzaj

Përfaqësuesi tjetër i qeverisë, Herald Jonuzaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese tha se zv/ministri e ka të ndaluar që të propozojë akte në Këshillin e Ministrave.

“Ligji parashikon që aktet propozohen vetëm nga ministri”, tha ai. Më tej ai bëri me dije se nga momenti që Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin nga detyra të ministres Belinda Balluku, kanë qenë mbi 50 akte që kanë kaluar prej saj.

Gjatë seancës, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi i drejtoi disa pyetje përfaqësuesve të qeverisë.

“Ky është një terren kushtetues i pashkelur më parë dhe nuk gjejmë një praktikë të mëparshme të ketë trajtuar këtë lloj problematike”, tha ai.

Çshtja “Balluku”

Qeveria kërkon “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Para nisjes së seancës, GJKKO njoftoi se nuk do të marrë pjesë, pasi vlerëson se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu GJKKO thotë se “për sa kohë një çështje konkrete penale është e varur përpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës”. 

Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.

The post Seanca në Kushtetuese për Ballukun, qeveria: GJKKO nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër appeared first on Gazeta Si.

Vaksina kundër herpes ngadalëson procesin e plakjes

22 January 2026 at 10:04

Vaksina kundër herpes ngadalëson procesin e plakjes biologjike. Sipas analizave dhe studimeve të deritanishme, është vërejtur se kjo vaksinë ka zbehur disa procese qelizore tipike të kalimit të moshës, përfshirë inflamacionet.

Herpes është një infeksion i shkaktuar nga riaktivizimi i virusit të Lisë së Dhenve, që qëndron në organizëm i fjetur dhe, kur aktivizohet, shkakton shpërthime në lëkurë, përveç simptomave të tjera.

Vaksina kundër herpes zoster bëhet ndaj atyre që janë të prekshëm nga patologji kronike. Mbi studimet e kryera te pacientët, kërkuesit e Universitetit të Kalifornisë kanë vërejtur ndryshimet në organizëm dhe se kush ishte i vaksinuar kishte parametra më të mirë në krahasim me moshatarët, në kushte të njëjta, veçanërisht në plakjen biologjike, duke u bazuar në 6 parametra mjekësorë.

Plakja biologjike nuk është gjithnjë koherente me plakjen anagrafike dhe është procesi që mat gjendjen e vërtetë të indeve dhe organeve të trupit. Është një proces që sjell humbjen e efikasitetit të mekanizmave riparuese në nivel qelizor dhe molekular të organizmit.

Sipas hipotezave, mendohet se kjo vaksinë redukton të gjitha inflamacionet në organizëm, ndërkohë që parandalon riaktivizimin e virusit të lisë së dhenve dhe, njëkohësisht, bllokon procese të dëmshme.

The post Vaksina kundër herpes ngadalëson procesin e plakjes appeared first on Gazeta Si.

Rikthehet dialogu Kosovë- Serbi, kryenegociatorët takohen në Bruksel

22 January 2026 at 10:03

Nga Gazeta ‘Si’- Një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, pritet të mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen.

Takimi do të zhvillohet pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar dhe mësohet se i dërguari i bllokut do të zhvillojë bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç.

Më pas pritet edhe një takim trepalësh mes tyre.

Mësohet se në agjendë të rundit të ri do të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kishin arritur pajtueshmëri më 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.

Takimi i parë ishte parashikuar të mbahej në janar, por pala serbe nuk pranoi të merrte pjesë për shkak të veprimeve për mbylljen e zyrave që mbështeten nga Serbia në Kosovë.

Takimi i sotëm do të jetë i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.

The post Rikthehet dialogu Kosovë- Serbi, kryenegociatorët takohen në Bruksel appeared first on Gazeta Si.

BE zhvillon samit për planet amerikane për Groenlandën

22 January 2026 at 09:58

Nga Gazeta ‘Si’- Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të takohen sot në Bruksel për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me aspiratat e tij për Groenlandën.

Ai duhej të vendoste një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë europianë nga 1 shkurti, por dje ndryshoi mendje.

Trump kishte thënë se tetë vende europiane do të përballeshin me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës së administruar nga Danimarka

Trump tha se nuk do të përdorte forcën dhe hoqi dorë nga kërcënimi i tij për tarifa ndërsa përmendi një marrëveshje të paspecifikuar të NATO-s mbi ishullin Arktik.

Përpara samitit, disa zyrtarë theksuan se BE po përpiqej të zgjidhte situatën dhe se blloku do të merrte në konsideratë zbatimin e kundërmasave vetëm nëse tarifat e kërcënuara do të vendoseshin.

”Java e rrëmujës me Trump do të thotë se marrëdhëniet transatlantike janë në një udhëkryq”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përpara samitit.

”Europa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por ne jemi plotësisht të përgatitur të veprojmë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”, theksoi ajo.

The post BE zhvillon samit për planet amerikane për Groenlandën appeared first on Gazeta Si.

Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, Kuvendi mblidhet sot për ratifikimin e marrëveshjes

22 January 2026 at 09:53

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e radhës plenare.

Në rendin e ditës është parashikuar që të kalojë projektligji për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk kanë marrë njoftim për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave dhe se është thyer rregullorja.

Megjithatë pavarësisht kësaj, ata deklaruan se do të marrin pjesë pasi mbështesin presidentin Donald Trump.

“Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendin, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptar, nga njeriu që ngërçin e tij me SHBA dëshiron t’ia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne DO TË MARRIM PJESË nesër në seancë, si mbështetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale”, thuhej në një lajmërim të PD-së.

Sjellim ndërmend se presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por në fokus të saj nuk do të jetë vetëm kjo çështje, por të gjitha konfliktet në botë.

Kryeministri Edi Rama pas marrjes së ftesës nga Trump, të cilën e ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje.

Ai tha se ky angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.

The post Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, Kuvendi mblidhet sot për ratifikimin e marrëveshjes appeared first on Gazeta Si.

Yesterday — 21 January 2026Gazeta Si

Trump takon Rutten: Do kemi marrëveshje për Groenlandën, pezullohen tarifat për Europën

21 January 2026 at 21:42

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se nuk do të vendosë tarifat që kishte paralajmëruar për Groenlandën dhe vendet e tjera, pas një takimi të cilin e përshkroi si shumë produktiv me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas Trump, gjatë bisedimeve janë krijuar kushtet për një marrëveshje të ardhshme që do të përfshijë të gjithë Arktikun dhe do të sjellë përfitime për SHBA-në dhe vendet aleate.

Presidenti theksoi se marrëveshja e propozuar është e bazuar në mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke hequr kështu shqetësimet për tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt dhe që do të rriteshin në 25% nga 1 qershori për mallrat e importuara nga disa vende evropiane.

Ai shtoi se do të ketë diskutime të mëtejshme për çështje strategjike që lidhen me Arktikun, duke siguruar se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të punojnë së bashku për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Gjithashtu, Trump theksoi se nuk ka asnjë plan për të përdorur forcën ushtarake për të marrë Groenlandën. Ai u shpreh se marrëveshja do të jetë e shkëlqyer jo vetëm për SHBA-në, por edhe për të gjitha vendet e NATO-s, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet strategjike. Presidenti përmendi gjithashtu rëndësinë e marrëveshjeve ekonomike të drejtuara nga dialogu dhe mirëkuptimi, duke treguar se planet për tarifat ishin një mjet presioni që tani nuk është më i nevojshëm, për shkak të progresit të bërë me aleatët.

Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme në politikat amerikane për rajonin Arktik, i cili ka marrë gjithnjë e më shumë rëndësi për shkak të resurseve natyrore dhe pozicionit strategjik. Vendimi i Trump për të tërhequr tarifat dëshmon përpjekjen për të ruajtur marrëdhënie të forta me aleatët dhe për të shmangur tensionet. Ai theksoi se bisedimet e ardhshme do të jenë të fokusuara në sigurinë, si dhe zhvillimin ekonomik.

The post Trump takon Rutten: Do kemi marrëveshje për Groenlandën, pezullohen tarifat për Europën appeared first on Gazeta Si.

❌
❌